Popullsia e Shqipërisë, e përfshirë tashmë në procesin e plakjes dhe rënies së lindshmërisë, po përjeton edhe një barrë sëmundjesh në rritje. Diagnozat kardiovaskulare, tumorale dhe ato kronike e kanë renditur Shqipërinë vendin me barrën më të lartë të sëmundshmërisë në rajon për 2015, sipas të dhënave globale “health data”. Prevalenca për të sëmurët me tumor është rritur nga viti 2002 në vitin 2014 me mbi 70%, teksa gjithnjë e më shumë po preken moshat e reja. Faktorët përgjegjës dhe masat parandaluese. Si kanë evoluar sëmundjet në dy dekadat e fundit dhe ndikimi në ekonomi
Produktiviteti i popullatës shqiptare po cenohet rëndë prej fenomeneve në rritje të emigracionit, plakjes së popullsisë, rënies së lindjeve dhe përkeqësimit të frikshëm të shëndetit, që pritet të japin ndikim të ndjeshëm negativ në ekonomi në një të ardhme jo të largët. Ndryshimi i stilit të jetesës në dy dekadat e fundit, përkeqësimi i fenomeneve të obezitetit, pirjes së duhanit, alkoolit, ndotjes së mjedisit dhe kequshqyerjes nga njëra anë dhe shërbimet e mangëta shëndetësore, nga ana tjetër, e kanë bërë Shqipërinë vendin me barrën më të lartë të sëmundjeve në rajon.
Me gjithë mangësitë në statistikat e treguesve të shëndetit të popullatës, trendi tregon për rritje të shpejtë të sëmundjeve të zemrës, tumoreve gjatë viteve të fundit, teksa ekspertët lajmërojnë për një përkeqësim të mëtejshëm në vitet e ardhshme si rezultat i plakjes të popullatës.
Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik që u referohen raportimeve spitalore tregojnë se prevalenca për të sëmurët me tumor është rritur nga viti 2002 në vitin 2014 me mbi 70%. Nëse në vitin 2002, për 10 mijë banorë u diagnostikuan 41 persona me sëmundje tumorale, në vitin 2014 të diagnostikuarit me këtë sëmundje ishin 73 persona (për 10 mijë banorë) pa përfshirë diagnozat e vëna nga qendrat ambulatore. Me mbi 60% janë rritur sëmundjet kardiovaskulare, teksa shihet rritje e sëmundshmërisë për të gjitha llojet e diagnozave.
Të dhënat nga portali global www.healthdata.org tregojnë se në fund të 2015-s, shqiptarët kishin barrën më të lartë të sëmundjeve në rajon, gjithashtu edhe vdekshmërinë më të lartë për çdo diagnozë. Shqipëria renditet në zonën e kuqe për vdekjet e parakohshme, të cilat ishin mbi parashikimet.
Vdekshmëria nga sëmundja ishemike e zemrës në Shqipëri është më e larta në rajonin e Europës Juglindore referuar Barrës Globale e Sëmundjeve, gjithashtu tumoret janë në rritje. Përpos shifrave të frikshme të rritjes së nivelit të sëmundshmërisë, shqiptarët kanë bërë përpara me jetëgjatësinë. Për vitin 2015, jetëgjatësia në lindje është llogaritur të jetë 76,1 vite për meshkujt dhe 79,7 vite për femrat. Në vitin 1990, jetëgjatësia për femrat ishte 71 vjeç dhe për meshkujt 67 vjeç. Por ekspertët në Institutin e Shëndetit Publik pohojnë se rritja e jetëgjatësisë lidhet me përmirësimin e nivelit të jetesës në popullatën shqiptare, por nga ana tjetër, rritja e barrës së sëmundjeve tregon për nivelin e lartë të pabarazisë dhe një nivel më të lartë të diagnostikimit. Doktor Petrit Mali, mjek pneumolog, thotë se për sëmundjet respiratore që janë shkaktari i tretë i vdekjeve në botë, por edhe në Shqipëri ka avancuar trajtimi, duke e rritur ndjeshëm jetëgjatësinë për të sëmurët e kësaj kategorie. Dy dekada më parë, sëmundjet e mushkërive shkaktonin vdekje të parakohshme në fillimet e moshës së tretë. Por diagnostikimi i hershëm dhe avancimi i trajtimit mjekësor bën sot që kjo kategori pacientësh të ketë jetëgjatësi shumë më të lartë.
Por situata shihet të jetë përkeqësuar në shtimin e rasteve të kancerit. Edmond Gashi, mjek në klinikën onkologjike në QSUT, pohon se vitet e fundit ka një shtim të rasteve tumorale sidomos në moshat e reja. Ato tipologji tumoresh që ishin karakteristikë e moshave të vjetra, kanë zbritur te moshat e reja. Femrat gjithnjë e më shumë po preken nga kanceri i gjirit dhe i uterusit, ndërsa meshkujt nga prostata.
Burimet në onkologjik pohojnë se rastet me kancer janë dhjetëfishuar vitet e fundit dhe statistikat nuk janë të sakta. Shumë persona operohen dhe diagnostikohen jashtë, ndërsa ka shumë raste nga Kosova që trajtohen në Shqipëri. Por, përpos numrit në rritje, mjekët janë të shqetësuar se po preket grup mosha e re 20-40 vjeç.
Sëmundjet kardiovaskulare, më të rrezikshmet
Në vitet 1990, Shqipëria kishte numrin më të ulët të prevalencës së vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare se në të gjitha vendet e rajonit. Në fillim të tranzicionit, vdekjet nga kjo diagnozë ishin 125 persona për 100 mijë banorë, teksa në të gjitha vendet ballkanike, përveç Greqisë, ky numër ishte shumë i lartë.
Aktualisht, Shqipëria është vendi i vetëm në rajonin e Europës Juglindore, i cili ka shënuar rritje në nivelin e vdekshmërisë nga sëmundjet e zemrës në dy dekadat e fundit. Sipas një studimi të Institutit të Shëndetit Publik, ky është një tregues i fazës së hershme të evoluimit të epidemisë koronare në Shqipërinë e tranzicionit, e cila ndodhi dekada më parë në vendet perëndimore. Nga ana tjetër, bie në sy progresi i Sllovenisë, me një ulje dyfish të nivelit të vdekshmërisë në dy dekadat e fundit (nga rreth 150 për 100,000 banorë në vitin 1990, në rreth 76 për 100,000 banorë në vitin 2010).
Shqipëria aktualisht paraqitet më e rënduar se vendet e rajonit, duke raportuar vdekjet për këto sëmundje 155 persona për 100 mijë banore, teksa vendet ballkanike kanë frenuar avancimin e jetëve të humbura.
Në fakt, të dhëna të papublikuara tregojnë për një rritje të jashtëzakonshme të rasteve me infarkt miokardi të shtruar në spital në Tiranë. Në periudhën 1990-1996, numri mesatar i pacientëve me infarkt miokardi të shtruar në spital ishte rreth 220 (në vitin 1996 u regjistruan 264 raste). Në vitin 1997, në kulmin e kolapsit të skemave piramidale, u regjistruan 497 raste me infarkt miokardi të shtruar në spital në Tiranë. Më pas, numri i rasteve të shtruar në spital ishte 478 (në 1998),373 (në 1999) dhe 395 (në 2000).
Ekspertët rendisin disa arsye të cilat lidhen me stilin e jetesës që kanë krijuar shqiptarët vitet e fundit. Shtimi i produkteve të mishit pas viteve 1990 dhe i sasisë së yndyrave, shmangia nga dieta mesdhetare me fruta dhe perime të freskëta dhe konsumi i vakteve me ushqime të gatshme janë shkaktarët kryesorë të sëmundjeve të zemrës. Mjekët pohojnë se jeta sedentare pa aktivitet fizik është po aq shkaktare sa dieta ushqimore. Në përgjithësi, mentaliteti i të ushqyerit mirë në Shqipëri lidhet me konsumin e bollshëm të mishit dhe yndyrave, ndërkohë që në vendet e zhvilluara vlerësohet ushqim i mirë konsumi i frutave dhe perimeve bio.
Shpërthejnë tumoret në moshat e reja
Në vitin 2002, Instituti i Shëndetit Publik numëronte 41 diagnoza për 10 mijë banorë në Shqipëri, ndërsa në vitin e 2014 u numëruan 73 persona për 10 mijë banorë. Prevalenca për mijë banorë me të sëmurë me kancer shihet të ketë pësuar rritje me 70% gjatë dekadës, sipas të dhënave spitalore.
Gratë shihet të jenë më të prekura. Tumoret e uterusit dhe të gjirit po përhapen shpejt dhe po zbresin në moshat e reja. Sipas të dhënave të ISHP-së, në vitin 2014, në 10 mijë gra, 88 prej tyre u diagnostikuan me kancer dhe në 10 mijë burra u diagnostikuan 58 me këtë sëmundje. Mjekët pneumologë pohojnë se janë shtuar dukshëm rastet e tumoreve të mushkërive, për të cilat bëjnë shkaktarë pirjen e cigares dhe ndotjen e mjedisit.
Por burimet nga Instituti i Shëndetit Publik kanë rezerva për statistikat duke hedhur dyshime se ajo është shumë më e lartë për faktin se regjistri i kancerit nuk është funksional dhe shumë persona preferojnë të trajtohen jashtë vendit.
Gjithsesi, të dhënat e gjetura tregojnë për një avancim të lartë të sëmundjes dhe mbi të gjitha në moshat e reja. 15% e të diagnostikuarve me kancer i përkasin moshës 35-44 vjeç, 26,7% i përkasin moshës 45-54 vjeç dhe 22% janë të moshës 55-64 vjeç. Një dekadë më parë, përqindjet më të larta i kishin moshat mbi 60 vjeç.
Në vitin 1990, Shqipëria, krahasuar me vendet e tjera në rajon, kishte një nivel të ulët vdekshmërie nga tumoret, me rreth 104 vdekje për 100,000 banorë. Në rajon po vihet re një ulje e vdekjeve nga neoplazmat gjatë dy dekadave të fundit, në Shqipëri po ndodh një tendencë e kundërt, me një rritje të nivelit të vdekjeve prej rreth 20% në vitin 2010 krahasuar me vitin 1990.
Ekspertët në Spitalin Onkologjik pohojnë se, ndotja e mjedisit dhe dieta ushqimore janë faktorë përgjegjës për kancerin në rritje. Ata pohojnë se rastet më të shumta janë në zonat e ndotura të vendit sidomos në qytetet industriale, si Elbasani, Fieri dhe zonat kufitare të vendit, sidomos ato me Kosovën, ku ka pasur ndotje në kohën e luftës.
Në vendin tonë, kanceri mund të mbahet në nivele të ulëta nëse rritet kontrolli mbi sigurinë ushqimore, të frenohet duhanpirja dhe të ulet ndotja në mjedis, rekomandojnë mjekët. Nëse këta faktorë rreziku nuk frenohen, mjekët pohojnë se vitet e mëvonshme do të jenë një katastrofë në përhapjen e sëmundjes.
Shkaqet
Ekspertët në Spitalin Onkologjik pohojnë se, ndotja e mjedisit dhe dieta ushqimore janë faktorë përgjegjës për kancerin në rritje. Ata pohojnë se rastet më të shumta janë në zonat e ndotura të vendit sidomos në qytetet industriale, si Elbasani, Fieri dhe zonat kufitare të vendit, sidomos ato me Kosovën, ku ka pasur ndotje në kohën e luftës
Në rritje, edhe pulmonaret
Sëmundjet në mushkëri gjithashtu janë në rritje. Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, prej vitit 2002 sëmundja ka avancuar me mbi 25%. 15 vjet më parë, prevalenca për të sëmurët ishte 117 persona për 10 mijë banorë, ndërsa në fund të vitit 2014, numri i tyre arriti në 147 persona për 10 mijë banorë. Mjekët e sektorit pohojnë se shtimi i rasteve i dedikohet ndotjes së mjedisit, pirjes së duhanit dhe rritjes se nivelit të diagnostikimit. Për shkak të ndotjes ambientale dhe asaj industriale SPOK-u (Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike) dhe astma kanë një prevalencë më të lartë vitet e fundit. Të sëmurët me SPOK janë më së shumti persona që jetojnë në zona të ndotura dhe me shumë makina. Sipas Studimit Global mbi Barrën e Sëmundjeve vihet re një rritje graduale e nivelit të vdekshmërisë SPOK-u te meshkujt shqiptarë (nga 13.6 për 100,000 banorë në vitin 1990 në 22.3 për 100,000 banorë në vitin 2010) dhe më pak te femrat (respektivisht 12.0 dhe 15.2 për 100,000 banorë). SPOK-u ka lidhje të drejtpërdrejtë me nivelin e vdekshmërisë nga kanceri i mushkërive dhe me duhanpirjen.
Në vitin 1990, niveli i vdekshmërisë sipas gjinisë nuk ishte aq i ndryshëm. Anasjelltas, “aksesi” në nivelin e vdekshmërisë te meshkujt për periudhën njëzetvjeçare (1990-2010) ishte 8.7 vdekje për 100,000 banorë, ndërsa te femrat ishte vetëm 3.2 vdekje për 100,000 banorë.
Shpjegimi kryesor për këtë rrezik të shtuar te meshkujt lidhet me prevalencën e lartë të duhanpirjes, ndërsa te femrat prevalenca e duhanpirjes është nga më të ulëtat në Europë.
Diabeti drejt masivitetit
Raporti Global i të Ushqyerit për vitin 2016 nxjerr në pah se 44% e vendeve po përjetojnë “nivele shumë serioze” si të kequshqyerjes, ashtu edhe të obezitetit. Sipas raportit, kjo nënkupton se një në tre persona vuan nga kequshqyerja në njëfarë forme.
Sipas hartës së përpiluar nga studiuesit e këtij raporti të përvitshëm, shqiptarët gjenden në një zonë të rrezikuar të obezitetit duke u gjendur në një zonë portokalli të fortë, me nivel 25-30 të BMI-së. Duke matur indeksin e masës trupore (që ndryshe quhet BMI) të të rriturve në 186 shtete, me normën që shqiptarët kanë krahasohen me shtete si Arabia Saudite, Egjipti, një pjesë e madhe e shteteve europiane dhe një pjesë të Amerikës Latine. Ndërsa, rekordin e mban sërish SHBA, me indeksin BMI më të lartë, prej 30-35. Sipas studimit të Barrës Globale të Sëmundjeve (GBD) në vitin 2010, vihet re një rritje graduale e nivelit të vdekshmërisë nga diabeti në Shqipëri te të dy gjinitë. Kështu, në vitin 2010, pati një rritje trefish të nivelit të vdekjeve nga diabeti te meshkujt dhe femrat shqiptare krahasuar me vitin 1990. Ashtu si me sëmundjet kronike ka rritje graduale të nivelit të vdekjeve nga diabeti te të dy gjinitë, veçanërisht për periudhën nga viti 1900 në 2000, dhe më pak në periudhën nga viti 2005 në 2010.
Niveli i standardizuar i vdekshmërisë nga diabeti në Shqipëri në vitin 1990 ishte 3.5 për 100,000 banorë, duke shfaqur një nivel jashtëzakonisht të ulët, i cili mund të shpjegohet me dietën e shëndetshme dhe aktivitetin fizik gjatë regjimit komunist.
Sëmundjet nervore në zgjerim
Niveli më i lartë i lartë i stresit e ka shtuar ritmin e sëmundjeve nervore, të cilat rezultojnë të kenë rritur barrën në popullsinë shqiptare gjatë dekadës së fundit. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, prevalenca për 10 mijë banorë nga 36 persona më 2016 arriti në 39 persona më 2014. Sipas të dhënave nga Barra Globale e sëmundjeve në vendin tonë, niveli i vdekshmërisë nga çrregullimet mendore dhe të sjelljes në vitin 2010 ishte 5.3 për 100,000 banorë te meshkujt dhe 2.3 për 100,000 banorë te femrat. Te të dy gjinitë, niveli i vdekjeve nga këto çrregullime u rrit gradualisht nga viti 1990 në 2010, sidomos te meshkujt.
Niveli i standardizuar në total i vdekjeve nga çrregullimet mendore dhe të sjelljes në Shqipëri në vitin 2010 (3.6 vdekje për 100,000 banorë) ishte i krahasueshëm me atë të Malit të Zi dhe Greqisë, por më i ulët se i Serbisë, Sllovenisë, dhe sidomos Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Në fakt, në Bosnjë-Hercegovinë dhe Slloveni, niveli i vdekjeve nga çrregullimet mendore dhe të sjelljes ka mbetur praktikisht i pandryshuar në dy dekadat e fundit (në Slloveni: 5.9 dhe 5.8 respektivisht në vitin 1990 dhe 2010, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë: 8.3 dhe 8.5, respektivisht).
Ekspertët e shëndetit pohojnë se të sëmurët mendorë mbeten të nëndiagnostikuar në Shqipëri duke lënë të kuptojë se në realitet numri i tyre është më i madh. Shqiptarët ende hezitojnë të trajtojnë shëndetin mendor dhe për më tepër ta diagnostikojnë atë.
Lëndimet, meshkujt më të prekurit
Në njëzet vitet e shkuara, Shqipëria përjetoi një rritje të barrës së lëndimeve nga të gjitha shkaqet. U vërejt një rritje më e madhe te meshkujt sesa te femrat (në vitin 2010, barra proporcionale e të gjithë lëndimeve ishte 15.2% në meshkuj vs. 7.6% në femra). Në terma absolutë, barra e gjithë lëndimeve në vitin 2010 ishte 2.6 herë më e lartë në meshkuj sesa në femra.
Analiza më e thelluar paraqet një rritje të mprehtë të nivelit të lëndimeve nga gjithë shkaqet te meshkujt gjatë periudhës 1990-1995. Më pas, u vërejt një rënie e lehtë që tregon stabilizimin e këtyre gjendjeve te meshkujt shqiptarë pas rritjes fillestare që përkon me vitet e para të vështira të tranzicionit pas rënies së regjimit komunist në fillim të viteve 1990 (ku meshkujt u prekën shumë më tepër sesa femrat veçanërisht nga lëndimet e qëllimta). Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, barra e lëndimeve nga gjithë shkaqet e standardizuara për moshën në Shqipëri përfaqësonte vlerën më të lartë në vitin 2010 me rreth 3,195 raste 100,000 banorë. Dy dekada më parë, në kohën e rënies së diktaturës komuniste, Shqipëria renditej diku nga mesi në terma për barrën absolute të lëndimeve nga gjithë shkaqet, ku Kroacia dhe Sllovenia zinin vendet e para. Ky pozicionim rajonal ndryshoi gjatë njëzet viteve të shkuara, duke qenë se pjesa më e madhe e vendeve të rajonit të EJL-së patën progres drejt reduktimit të barrës së lëndimeve, përveç Malit të Zi dhe veçanërisht Shqipërisë ku u vërejt rritje.
Analiza tregon që lëndimet e qëllimta janë rritur në Shqipëri në të dy gjinitë gjatë dy dekadave të shkuara, veçanërisht në dekadën e parë të tranzicionit, pas së
cilës u vërejt një stabilizim i tyre. Megjithatë, bazuar në natyrën e tyre plotësisht të parandalueshme, këto gjendje paraqesin prevalencë të lartë
dhe përbëjnë një shqetësim të veçantë në kontekstin e tranzicionit të shpejtë në Shqipëri.
Për sa u përket lëndimeve të paqëllimta, u vërejt një ulje e moderuar në të dy gjinitë.
Sidoqoftë, regjistrimi dhe klasifikimi i saktë i lëndimeve të qëllimta dhe të paqëllimta është i diskutueshëm në rastin e Shqipërisë.
Nga ana tjetër, lëndimet rrugore pësuan rritje në të dy gjinitë, veçanërisht te meshkujt të cilët e përdorin më shpesh infrastrukturën rrugore në cilësinë e drejtuesit të mjeteve motorike.
Tendenca e përgjithshme në rritje e lëndimeve nga aksidentet rrugore, thekson nevojën urgjente për marrjen e masave infrastrukturore dhe parandaluese në Shqipërinë që po urbanizohet me ritme të shpejta.
Pabarazitë shëndetësore, shkaktare
Në Shqipëri ekziston një mbrojtje e kufizuar financiare për të varfrit, e cila karakterizohet me shpenzime të larta nga “xhepi”, që arrijnë deri në 50% të shpenzimeve shëndetësore totale, thuhet në raportin e shëndetit për 2015. Matja dhe raportimi i pabarazive shëndetësore u siguron politikëbërësve të dhëna të vlefshme për hartimin dhe zbatimin e programeve dhe aktiviteteve të fokusuara në barazi, që mund të jenë të realizueshëm në kontekstin shqiptar. Qëllimi final do të ishte garantimi i një shpërndarjeje më të barabartë të shëndetit dhe aksesit ndaj kujdesit shëndetësor, si parakushte thelbësore për mbulimin shëndetësor universal të popullatës shqiptare.
Në vitet 2008-2009, niveli i vdekshmërisë nën pesë vjeç ishte shumë më i lartë në zonat rurale krahasuar me zonat urbane të Shqipërisë (28 kundrejt 13 vdekje, për 1,000 lindje të gjalla), e sidomos ndër të varfrit krahasuar me të pasurit (34 kundrejt 13 vdekje, për 1,000 lindje të gjalla (ADHS, 2010). Në vitet 2008-2009, niveli i vdekshmërisë nën pesë vjeç dhe prapambetja në rritje ishin përqendruar te të varfrit në mënyrë domethënëse. Në të kundërt, kujdesi antenatal, ndihma e kualifikuar gjatë lindjes dhe përdorimi i kontraceptivëve ishin më të përqendruar te të pasurit (BB, 2012). Sipas Studimit Demografik dhe Shëndetësor të Shqipërisë (ADHS) 2008-2009, prevalenca e ushqyerjes vetëm me gji në gjashtë muajt e parë të jetës ishte rreth 39%. Gjatë viteve 2006-2012, ndër fëmijët shqiptarë nën pesë vjeç, prevalenca e peshës së ulët për moshën (wasting), prapambetjes në rritje (stunting) nënpeshës dhe mbipeshës ishte respektivisht 9%, 23%,6% dhe 23%. Në përgjithësi, raportimi i indikatorëve shëndetësorë ka të bëjë me mesataret kombëtare, të cilat kanë rëndësi primare për vendimmarrësit dhe politikëbërësit e qeverisë.
Por, për politikat e shëndetit publik, është e rëndësishme që të ketë edhe tregues të disagreguar për prevalencën e problemeve shëndetësore ndërmjet grupeve të ndryshme të popullatës apo rretheve, në mënyrë që politikat të fokusohen te njerëzit që kanë më tepër nevojë. Gjithashtu, është thelbësore që të zbuten “diferencat e padrejta dhe të shmangshme në shëndet dhe shërbimet shëndetësore – vëren studimi i OBSH-së, 2014.
Megjithatë, shpeshherë mungojnë të dhënat mbi shpërndarjen e gjendjes shëndetësore dhe shërbimeve shëndetësore midis kategorive të ndryshme të popullatës. Parametrat kryesorë për të vlerësuar pabarazitë në shëndet dhe shërbimet shëndetësore në kontekstin shqiptar, përfshijnë indikatorët demografikë dhe social-ekonomikë si gjinia, vendbanimi (urban kundrejt rural), niveli i arsimimit, ose të ardhurat ekonomike.
Për sa i përket prapambetjes në rritje për moshën nën pesë vjeç, prevalenca ishte më e lartë për femrat sesa për meshkujt (respektivisht 21% dhe 18%), por sidomos, ishte më e lartë për të varfrit sesa për të pasurit (respektivisht 27% dhe 13%).
Së fundi, niveli i vdekshmërisë nën pesë vjeç (për 1,000 lindje të gjalla) ishte konsiderueshëm më i lartë për meshkujt krahasuar me femrat (27 kundrejt 16), në zonat rurale krahasuar me zonat urbane (28 kundrejt 13) dhe sidomos, për shtresat e varfra krahasuar me shtresat e pasura (34 kundrejt 13).
Grupi parlamentar socialist vendosi të hënën që të votojë kundër kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, SPAK, për arrestimin e ish zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila akuzohet për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera me vlerë qindramilionë euro në mënyrë të përsëritur.
Nga Blerina Gjoka, BIRN
Mazhoranca socialiste deklaroi të hënën qëndrimin e saj kundër kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, SPAK, për arrestimin e ish zv.kryeministres Belinda Balluku, duke i ofruar mbrojtje politike nga drejtësia.
“Nuk ka vend për dhënien e autorizimit për masën e sigurimit personal arrest me burg/arrest shtëpie”- tha Ulsi Manja, anëtari i Këshilit të Mandateve i cili lexoi raportimin e socialistëve për kërkesën e SPAK.
Në një argumentim të gjatë Manja ‘rrëzoi’ si të pabazuara argumentet e SPAK për nevojën e masës së arrestit dhe pretendoi se argumentet për rrezikim të provave pasi ajo nuk i ushtron më detyrat ekzekutive në qeveri.
“Rreziku i prishjes së provave nuk u provua me fakte reale, por janë konsiderata që në themel të tyre kanë ish-funksionin e ministrit që mbante Balluku, aq më tepër që akuza mbetet e njëjta”, tha Manja.
Lidhur me provat e paraqitura nga prokurorët e SPAK në Këshillin e Mandateve për presionet ndaj dëshmitarëve nga personave të fortë dhe nga zyrtarë të kabinetit të saj Manja po ashtu aludoi se prokurorët nuk kishin bërë hetime mjaftueshëm për ta provuar këtë ‘pretendim’.
Sipas raportit të PS masa e ndalimit të lëvizjes jashtë shtetit është e mjaftueshme që hetimet ndaj Ballukut të vijojnë.
Kjo është hera e dytë që mazhoranca i ofron mbrojtje politike dhe refuzon heqjen e imunitetit parlamentar për një të akuzuar nga drejtësia në radhët e tyre, pas mbrojtjes që ofruan për ish-ministrin e brendshëm Sajmir Tahiri, i dënuar më pas nga gjykata për ‘shpërdorim detyre’ në kontaktet me elementë të krimit të organizuar.
Kryeministri Edi Rama i pranishëm në mbledhjen e grupit forcoi qëndrimin e tij në mbrojtje të Ballukut duke i cilësuar hetimet ndaj saj si ‘gjyq publik’ dhe sulmoi Prokurorinë e Posaçme.
“Thjesht njoftimi i akuzës në rrugën e shtrembër, dhe fatkeqësisht i bërë zakon nga grupet hetimore të “stacionit të trenit”, që përdorin mediat si forca paramilitare të fajësimit dhe asgjësimit të subjekteve të tyre, mjaftoi që ndaj Belinda Ballukut të ngriheshin dallgët e urrejtjes dhe të zienin 700 tenxhere’- tha Rama.
Votimi për imunitetin e Ballukut pritet të mbahet në seancën e së enjtes, në limitet kohore të një vendimmarrje ligjore nga Kuvendi, pasi mazhoranca e zvarriti procesin për 3 muaj me radhë.
Nga ana tjetër anëtarët e opozitës në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në raportin e tyre rekomandojnë votën pro kërkesës së Prokurorisë së Posaçme bazuar në provat e sjella nga SPAK në Kuvend, jurispudencën kushtetuese, opinionet e Komisionit të Venecias si dhe frymën e luftës antikorrupsion.
Presidentja e Republikës së Kosovës Znj. Vjosa Osmani-Sadriu, në momentin që e dha lajmin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, e shënoj fundin e saj politik! Për zgjedhje të jashtëzakonshme vendosë Gjykata Kushtetuese e jo dekreti i Vjosa Osmanit
Iu dogj bishti, u dogj katundi!
Populli i Kosovës ishte shprehur qartë më 28 dhjetor të vitit të kaluar, ku me votën e tij, mbi 51% i dha legjitimitet LVV-së për krijimin e institucioneve të shtetit. Qeveria u zgjodh me shumicën e thjeshtë, por, kur i erdhi radha zgjedhjes së presidentit/es kërkoheshin 2/3 e votave të dyfishta, përkatësisht të së paku 80 votave nga 120 deputetët plus 2/3 e votave të pakicave në Kuvend, si dhe kuorumin si kusht i domosdoshëm me pjesmarrjen e opozitës, pasi mazhoranca i kishte 66 vetëm vota për presidentin!
Vendosja e amandamenteve për ndryshim të Kushtetutës, të miratuara nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2011, pra me 15 vjet vonesë e dëshmon mos interesimin e presidentes për të ardhmen e shtetit.
Vetëm në momentin kur dhelprës Vjosë filloj t’i digjej bishti, bërtiti me të madhe, “u dogj katundi” (Kosova)!
Në momentin kur e ndjeu rrezikun e humbjes së postit të presidentes, Vjoses ju duk sikur u ndal dielli, dhe në ato momente u përpoç t’ua ndalë diellin edhe të tjerëve pa dallime etnie, religjioni apo rajoni.
Në fakt, për Vjosa Osmanin asnjëherë nuk ka qenë shqetësim interesi i shtetit dhe qytetarëve, e më së paku interesi i elektorait dhe partive, të cilat i ndërron qysh të ndërron moti, por prioritet e kishte karrierën e saj politike dhe pasurimin përrallor!
Po të ishte ndryshe, për pesë vjet në postin e kreut të shtetit, Vjoses do t’i bie së paku një herë ndërmend ndryshimi i amandamenteve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit/es nga populli, por kjo i erdhi në mendje vetëm kur e vërejti fundin e saj politik si presidente e shtetit.
Edhe në këto rrethana, i gjithë spektri politik shqiptar përfshi pakicën jo serbe i mbështetën ndryshimet kushtetuese në Kuvebnd, por doli të jetë pakica serbe që ia prishi llogaritë e shpëtimit politik Vjosa Osmanit!
Tani nuk dua të flas për rrethanat si arriti deri tek posti i presidentit, por dëshiroj të themë se, shkallët e ngritjes në kulmin e karrierës politike, iu kthyen në shkallët e rënjes katastrofale nga froni i pushtetit!
Kthimi i sërishëmpërqafimeve me hipokrizi
Vjosa Osmani i tradhëtoi një nga të gjithë ata që e ndihmuan në ngritjen e saj politike, filluar prej Fatmir Sejdiut, Isa Mustafës e deri tek Albin Kurti!
Të gjithë të apostrofuarit dhe të tjerë si këta, paraprakisht ngritjes në karrierë i kishte përqafuar me hipokrizi!
Kurse tani, logjikisht parashtrohet pyetja hipotetike, cili do ta ketë fatin e përqafimit helmues të Vjosa Osmanit?!
Përafrimi i saj me PDK-në e nxori në sipërfaqe miqësinë e vjetër, por të fshehtë, që gjithmonë Vjosa Osmani e ka pasur me krerët e lartë të këtij subjekti politik!
Kurse LDK-në gjithmonë e ka përdorur si poligon veprimi politik për interesat e saj meskine, pa punuar për të mirën e saj asnjëherë.
Lojën me logon e LDK-së dhe simbolet dardane i ka përdorur vetëm si kamuflazh për t’a mashtruar elektoratin rugovian siq i mashtroj e rreshtuar në listën zgjedhore të LVV-së!
Vjosa Osmani, me humbjen e postit të Presidentes, si një egoiste e papërmirësueshme dhe karrieriste e pangopshme për pushtet, me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit në mënyrë antikushtetuese, u tregua juriste e dobët, ngase me këtë akt e shënoj fundin e karrigës së presidencës dhe karrierën e saj politike në përgjithësi.
Vjosa e mundur nga egoja personale, shperndau parlamentin dhe shpalli zgjedhje te parakohshme. Pas bllokadës një vjeçare dhe kaosit të politik, po kërkon sërish zgjedhje të jashtëzakonshme, duke shpresuar kthimin e saj në postin e presidentit, për të cilin është e gatshme t’i vë flakën Kosovës ose t’a braktisë përgjithmonë!
—Shumica e kësaj klase politike konfliktuoze moti kan rënë ne provim…!
Dështimi politik i strukturave të vjetra është zhgenjim i madh për Kosovën.Është treguar se karrierizmi, klientelizmi, korrupcioni , janë largim i plotë nga vlerat themelore midis poltikanëve, për të cilët jeta nuk është e shenjtë. Nuk mund ta kapërcëjnë momentin e ndasisë së madhe , kur populli mbron jeten dhe shtetin në mënyrë refleksive.Përvojë e keqe kjo apo jo? Kosova është bërë një vend ku ka shumë përqarje në shoqëri që nxitën nga kuzhina politike profitereske dhe antishqiptare .E gjithë kjo zhurmë e madhe poltike , sigurishtë së nuk po bëhët për asgjë , dhe se nuk është e rastësishme.Dikush ashiqare është duke punuar kunder interesave te Kosovës.Ata që shtyhen më bërryla për poste dhe më shumë pushtet, paraqesin gjithmionë rrezik për të ardhmen e shtetit ,dhe të ardhmën e kombit .Njerëzit më karakteër të ulët nuk I duhen asgjë Kosovës.Këta duhet të ndalohen nga populli në marshimin e tyre politik të rrezikshem.Patriot nuk behët askush më fjalë, por më vepra.Të gjithë duhet të përpiqemi më të gjitha mjetet të parandalojmë rrokullisjën e shtetit tonë të fituar më gjak.Beteja per Kosovën na pret të gjithëve , nese këtë gjë nuk po e bëjnë përfaqësuesit politikë të popullit !Në të gjithë këtë rrokullisje që po bëhët , jemi të detyruar të respektojmë vullnetitin e popullit,siq është sanksionuar më Kushtetutë ashtu siq shkruhet , e jo të sipas interpretimeve sipas dëshirës, apo më qëllime tendencioze.Populli I ka ndihmuar të gjitha proceset pa asnjë frikë.Por, gjithmonë vullneti I sovranit u keqpërdorë nga ata që e drejtuan jo mirë shtetit e Kosovës për shumë vite me radhë.Kjo përqarje është vazhdimësi nga e kaluara por , që tash ka arritur kulmin.Ka arritur kulmin së synimet për pushtet apsolut nuk u ndalën asnjëherë nga profiteret e politikës.Mosbesimi lind kur njerëzve u mungon kompromisi.Nuk po ruhet fati I shoqërisë dhe të shtetit të Kosovës ,kur bota ka hy në një fazë të rrezikshme lufte.Fitorja në Kosovë u fitua nga populli.E populli po ndihet më të drejtë I harruar dhe i nëpërkëmbur, nga të pa përgjegjshmit dhe të pa moralet e politikës.Jeta njerëzore është pasuria më e madhe që ka një familje, shoqëri dhe shtet.Nuk ka forcë materiale që mund të matet me forcën shpirtërore që mund të fitohet nga një popull…Burrshtetasit e vërtetë , zbresin në terren për tu takuar me popullin , duke i ndarë hallet dhe problemet me ta.Këta zbresin në terrern vetëm kur nga populli në mënyrë mashtruese e manipuluese kërkojnë votën e tyre…Shumica e kësaj klase politike konfliktuoze moti kan rënë ne provim!Ata që nuk janë më popullin nuk janë as më Zotin…!
Në këtë investigim të radhës, gazetari Luigi Pelazza është rikthyer në Tiranë pas një operacioni të përbashkët me SPAK, pas të cilit ishin arrestuar 8 persona. Duke ndjekur gjurmët e call centerave që janë shpërndarë në çdo lagje të Tiranës, gazetari ka bërë një vlerësim në numra, ku sipas tij janë të përfshirë rreth 25 mijë operatorë dhe konsulentë mashtrues, të cilët pasurohen çdo ditë duke vjedhur europianët.
ITALI- Ashtu siç ishte paralajmërur, sonte në emisionin investigativ “Le Iene”, që transmetohet në Italia 1, është publikuar një investigim i përbashkët me emisionin “Piranjat” që zgjat prej disa muajsh.
Në këtë investigim të radhës, gazetari Luigi Pelazza është rikthyer në Tiranë pas një operacioni të përbashkët me SPAK, pas të cilit ishin arrestuar 8 persona. Duke ndjekur gjurmët e call centerave që janë shpërndarë në çdo lagje të Tiranës, gazetari ka bërë një vlerësim në numra, ku sipas tij janë të përfshirë rreth 25 mijë operatorë dhe konsulentë mashtrues, të cilët pasurohen çdo ditë duke vjedhur europianët.
Një biznes kriminal që vlerësohet diku tek 500 milionë euro në muaj, shumë kjo e ngjashme me atë të një organizate të fuqishme të trafikut të kokainës. Gazetari Pelazza ka rikthyer në vëmendje bashkëpunimin e ngushtë me SPAK, që solli suksesin e parë dhe të vetëm në goditjen e këtij aktiviteti.
Por ky aktivitet ishte një bashkëpunim i mirëorganizuar dhe me tre call center-a në territorin Italian, prandaj gazetari ka bërë denoncim në prokurorinë e Napolit, tek njëri nga prokurorët më të njohur të antimafias, Nicola Gratteri.
Por pas ndërprerjes së këtij aktiviteti, misioni i përbashkët do të vazhdonte. Të paktën tre informatorë, që kanë punuar në call centera, janë treguar të gatshëm të na ndihmojnë. Sofia, 35 vjeçare është e para, e cila ka kontaktuar direkt gazetarin Italian, duke i treguar historinë e saj me një call center mashtrues në kompleksin Delijorgji. Sofia në fillim ka menduar se gjithçka ishte e ligjshme, por shpejt ka kuptuar se aty flitej vetëm për mashtrim.
Madje ajo i tregon gazetarit edhe një detaj, të momentit kur Le Iene së bashku me Piranjat, po ndiqnin operacionin e SPAK në kullën e gjelbër. Ndërsa 35-vjeçarja po shkonte në punë, asaj dhe kolegëve i ka ardhur një mesazh në të cilin njoftohej nga titullari se për probleme teknike atë ditë nuk do të punohej. Ishte fiks data 16 janar, dita kur u realizua ndërhyrja në call center-in e katit të 13-të të kullës.
Këtu gazetari ngre dyshimin se kjo histori nuk ka të bëjë më me 4 policë të korruptuar, por me diçka shumë më të madhe dhe gjithëpërfshirëse. Vajza tregon gjithashtu shumë detaje të grupit mashtrues për të cilin ka punuar për fare pak kohë.
Më datë 10-të të çdo muaji dikush sillte rrogat e punonjësve, të gjitha cash, rreth 2 milion euro. Gjithashtu vajza ka dhënë detaje të sakta për vendndodhjen e zyrave, në katin e gjashtë të një pallati të kompleksit në fjalë. Gazetarët e Le Iene dhe Piranjat u ngjitën atje, por gjetën çdo gjë të mbyllur. Informatori tjetër i Le Iene është Iliri, i cili ka një eksperiencë të gjatë 10 vjeçare në këtë sektor.
Është ai që ka ndihmuar gazetarët në hartën e disa call center-ave në disa zona të qendrës së kryeqytetit. Në bisedën me të, gazetari ngelet i shokuar teksa i thuhet se i përfshirë në këtë aferë mashtruese është Olsi Rama, vëllai i kryeministrit të Shqipërisë. Sipas denoncuesit me emrin Ilir, është ky person i cili ka financuar hapjen e call center-ave dhe më pas i menaxhon me të ashtuquajturit prestanomi.
Më pas, me hartën në dorë, gazetari merr kontakt me dy drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, Neritan Nallbati dhe ndihmësi i tij Virson Stroka. Të dy premtojnë se do të ndërhyjnë shpejt, por kalojnë më shumë se tre javë, dhe gazetari nuk merr asnjë përgjigje.
Në këto kushte kupton se diçka nuk shkon, ndaj vendos të kthehet në Tiranë, ku së bashku me Piranjat nis të kërkojë call center-at e hartës që i kishte dorëzuar dy drejtuesve të policisë. Gjatë lëvizjeve nëpër Tiranë dhe takimeve me bashkëpunëtorë, njëri prej të cilëve edhe i sulmuar fizikisht nga persona të panjohur, gazetari kupton se po mbahej nën kontroll, por sidoqoftë kërkon të vazhdojë investigimin.
Gjatë asaj dite të gjurmimit të call center-ave gazetari kupton mjaft mirë se sa e madhe është kjo aferë kriminale, aq sa edhe policët që u thirrën për të ndërhyrë në zyrat e call center-it brenda një vile, u terhoqën duke mos pranuar të bashkëpunojnë. Ndaj thuajse i dëshpëruar për mungesën e plotë të bashkëpunimit, kërkon të takojë kryeministrin Edi Rama, duke qëndruar për disa orë përpara zyrës së tij, por pa rezultat.
Në fund gazetari i Le Iene, i drejtohet me një thirrje publike kryeministrit: Zoti Rama, në emër të miqësisë që lidh dy vendet tona, a nuk mund të ndërhyni personalisht në mënyrë që nga Shqipëria të mos bëhen këto mashtrime në dëm të Italisë?/Dosja.al
Avokati Marash Logu ka bërë me dije se flitet nëpër koridoret e drejtësisë, se gazetari Kol Balla, ish-bashkëshorti i Belinda Ballukut, është arratisur nga Shqipëria pas thirrjes në SPAK pak ditë më parë.
‘Koli; gojët e liga po thonë që pas thirrjes në SPAK, je arratisur në drejtim të paditur. Por, unë nuk e besoj; ti nuk je nga ata që i bën bisht përgjegjësisë’, ironizon Logu në Facebook.
Postimi i plotë:
Koli; gojët e liga po thonë që pas thirrjes në SPAK, je arratisur në drejtim të paditur. Por, unë nuk e besoj; ti nuk je nga ata që i bën bisht përgjegjësisë. Pronat, automjetet, udhëtimet, shpenzimet në Vienë, i ke të gjitha me “burime të ligjshme” dhe me siguri ke shkuar të mbledhësh dokumentet për t’i bindur prokurorët e SPAK-ut se po të bien në qafë kot. Hajde Koli; mos na zhgënje tani!
Gjuha me nënkuptime erotike tërheq vëmendjen, sot dhe përgjatë të gjithë historisë së njerëzimit dhe kjo u përsërit edhe ditën e enjte, kur Taulant Balla përdori dhe kërkoi ndjesë për fjalë me nënkuptime të drejtuara ndaj një deputeteje të opozitës. Zemërata për gjuhën seksiste vështirë se duhet të na heqë vëmendjen nga fakti kyç! Socialistët po mbajnë peng shanset e Shqipërisë për një shtet normal duke zvarritur përgjigjen ndaj kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të deputetes Balluku.
Nuk e di nëse e mbani mend apo e keni harruar historinë që përsëritet por, pesëmbëdhjetë vjet më parë, pak a shumë të njëjtët personazhe por në pozicione të kundërta, gjendeshin në Kuvendin e Shqipërisë me shqetësime të njëjta.
Korrik 2008: Në Kuvendin e Shqipërisë, Partia Demokratike në pushtet dhe partia socialiste në opozitë, po bëjnë sherr. Sikleti i madh i palës në pushtet, më ngushtësisht, i kryeministrit Sali Berisha, ngjarja e pak muajve më parë, një ngjarje tragjike ku 26 qytetarë humbën jetën nga ajo që një ushtarak e cilësoi si “babëzi”. Pra shpërthimi i municioneve në Gërdec.
Në Kuvendin e Shqipërisë, Sali Berisha shpërthen me një lumë fyerjesh të neveritshme ndaj Taulant Ballës. “Motra jote do të shkërdhehet nëpër hotele”, thotë ai, ndërsa Jozefina Topalli, në atë kohë kryetare e kuvendit, urdhëron gardën: “Nxjerreni për zhelesh”, duke bërë me shenjë që Balla duhej të “nxirrej për zhelesh” për fajin që kishte shqetësuar Berishën aq shumë sa Berisha të përdorte banalitete.
Fjalori fyes i Berishës, një gjuhë që rrallëherë është përdorur në politikën shqiptare, shërbeu, në instancë finale, për një çështje të rëndësishme: hedhja në erë e shtetit të së drejtës, sulmimi ndaj prokurorisë që po përpiqej të hetonte Gërdecin dhe fakti që tragjedia vijon të jetë e pandëshkuar edhe sot në vitin 2026, u la mënjanë ndërsa turma u ngazëllye nga përdorimi i fjalëve të pista, të cilat, në Shqipëri kanë qenë dhe vijojnë të jenë tabu deri vonë. Një grup muzikor krijoi edhe një këngë tip rap me lajtmotivin “po mama jote çfarë do bëhet” dhe “nxjerreni për zhelesh.”
Në vitin 2026 rolet janë ndryshuar, keqbërjet janë njësoj. Sot janë socialistët me Taulant Ballën që po hedhin në erë shtetin e së drejtës duke refuzuar të votojnë, brenda një afati kohor të arsyeshëm, kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit nga arresti të deputetes Belinda Balluku, tashmë ish-zvkryeministre. Tashmë është rradha e Ballës, viktima e atij agresioni të shpifur të vitit 2008 nga Berisha, të përdorë gjuhë seksiste, pastaj të kërkojë falje, ndaj një deputeteje të opozitës.
Në seancën e 5 marsit, Balla deklaroi: “Për deputeten e opozitës kemi numrin 0900”, një prefiksit telefonik i njohur veçanërisht për shërbime seksuale. Gjuha me nënkuptime seksiste dyshohet se është përdorur edhe nga deputetja socialiste Zengjine Çaushi por për këtë të fundit nuk është e mundur të thuhet nëse kemi të bëjmë me gjuhë me nënkuptime apo me gjuhë krejtësisht të pakuptimtë. Ndërsa opozita protestoi dhe Balla kërkoi falje, (në rastin e Çaushit protestuan organizatat e të drejtave të njeriut dhe kërkuan ndëshkimin e saj) ajo që humbi në diskutim ishte çështja kyçe: refuzimi i socialistëve për t’iu përgjigjur kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit nga arresti të Belinda Ballukut. Në lojë është e ardhmja e shtetit ligjor në Shqipëri. Parlamenti, më saktë, shumica socialiste, po sfidon gjyqësorin me gjuhë verbale dhe me mosveprime, me qëllim që t’i shërbejë interesit politik të socialistëve, interesit të pushtetit individual përballë interesit të përbashkët të shqiptarëve për drejtësi, për integrim evropian, për një të ardhme në një vend normal ku korrupsioni, së paku ai sistemik i socialistëve, të mos ekzistojë.
Në Romën e lashtë ka qenë një politikan që quhej Kato i vjetri. Ai njihet për hiletë e tij retorike në senatin e Romës. Hileja për të cilën ai është mbajtur mend në histori është Carthago delenda est. Kato fliste në senat për shumë gjëra, siç flitet edhe në Kuvendin e Shqipërisë, por pavarësisht se për çfarë teme fliste, ai e mbyllte fjalimin me një mesazh për politikën kyçe që ai ndiqte. Ai thoshte në fund të çdo fjalimi: Kartagjena duhet të shkatërrohet.
Është shumë e arsyeshme që jo vetëm politikanët e opozitës, por edhe qytetarët që marrin përsipër të flasin në publik, të kopjojnë këtë instrument të retorikës të Katos dhe të përfundojnë çdo fjalim e çdo koment, pavarësisht nëse po komentojnë mbi filozofinë e jetës apo mbi vogëlsirat e qejfeve të përditshme, pavarësisht nëse po komentojnë për Luftën në Ukrainë apo për ngjyrën e përshtatshme të të brendshmeve, ta përfundojnë komentin me fjalët: hiqni imunitetin Ballukut! Socialistët duhet të mbahen përgjegjës për çfarë po bëjnë. Komentet seksiste, të keqkuptuara apo jo, nuk duhet të heqin vëmendjen nga çështja kyçe: socialistët bashkë me opozitën duhet të votojnë heqjen e imunitetit të Ballukut. Shteti i së drejtës kërkon bindjen e parlamentit ndaj një kërkese të SPAK. E ardhmja e vendit kërkon këtë.
Gratë në gjithë botën përballen me sfida të ndryshme, por ato në zona lufte janë edhe më të rënduara.
Una Çiliq
Është bërë shumë e vështirë për Rahën të thotë se si ndihet këto ditë. Nëse thotë se është mirë do të ishte gënjeshtër. Nëse thotë se nuk ndihet mirë, i duket sikur po dorëzohet.
Kështu i tha ajo Radios Evropa e Lirë nga Teherani, gjatë një momenti të shkurtër kur pati qasje në internet.
Ditët e saj janë të mbushura me ankth lufte dhe me pyetjen se çfarë do të vijë më pas, pasi Irani është tani në mes të një lufte dhe udhëheqësi i tij i kahershëm suprem, Ali Khamenei, është vrarë në një operacion të përbashkët amerikano-izraelit.
Nën Khamenein, autoritetin fetar dhe politik të Iranit për 35 vjet, gratë u përballën me ligje të detyrueshme për hixhabin, diskriminim dhe, siç është dokumentuar nga OKB-ja, rrahje dhe tortura të atyre që protestuan.
“Vdekja e Khameneit nuk ngjalli ndonjë ndjenjë të veçantë tek unë, as gëzim e as pikëllim”, thotë Raha, emri i së cilës është ndryshuar nga redaksia e REL-it për arsye sigurie.
“E vetmja fjali që më erdhi në mendje pasi lexova lajmin ishte: Ai vdiq dhe përmbushi një nga dëshirat e tij, por shkatërroi tonat dhe për këtë nuk u mbajt kurrë përgjegjës”, shton ajo.
Në vend të lehtësimit, thotë ajo, emocioni mbizotërues te shumë njerëz që njeh është ankthi për atë që do të vijë më pas.
“Tani për tani jam sinqerisht e shqetësuar për të ardhmen e Iranit dhe të popullit të tij”, thotë ajo.
Dhe ka shumë gjëra që ky vend me 93 milionë banorë ka përjetuar vetëm në muajt e fundit. Nga sulmet dhe kundërpërgjigjet deri te protestat mbarëkombëtare që shkaktuan dhunë të paprecedentë dhe vrasjen e disa mijëra demonstruesve.
Raha ishte ndër ata që kërkonin ndryshime në Iran në rrugë, dhe ajo thotë se në disa vende gratë dukeshin se ishin më të shumta se protestuesit burra.
Gratë ishin gjithashtu në ballë të protestës së vitit 2022, e cila shpërtheu pas vdekjes së Mahsa Aminit, një grua 22-vjeçare që vdiq në paraburgim policor pasi u arrestua për shkak se, sipas pretendimeve, nuk e kishte vendosur si duhet hixhabin. Ai ishte momenti kur lindi lëvizja “Gra, Jetë, Liri”. Gratë prenë flokët në shenjë proteste, dolën në rrugë, u vranë dhe u arrestuan.
Por, sot Raha thotë se përvoja e saj është se jeta publike ka ndryshuar dhe se gratë po ecin gjithnjë e më shumë pa hixhabin e detyrueshëm – madje edhe në lagje që dikur konsideroheshin bastione konservatore.
“Ka një moment”, thotë Raha, “kur e kupton se nuk je vetëm. Askush nuk reagon sepse nuk po i mbulon flokët. Nuk përballesh me askënd. Kjo ka rëndësi”.
Për të, hixhabi i detyrueshëm ka qenë prej kohësh një nga simbolet më të qarta të kontrollit të Republikës Islamike. Ajo beson se ky autoritet tashmë është zbehur në shoqëri – edhe nëse vazhdon të ekzistojë në kodin ligjor.
“Sado që të lexosh për Iranin”, thotë Raha, “të marrësh frymë në këtë ajër është ndryshe”. Dhe në atë ajër, mes pasigurisë dhe frikës, gratë vazhdojnë të rezistojnë.
Vendosja e hixhabit është e detyrueshme në Iran.
Irani nuk është i vetmi në këtë histori. Nëpër konflikte dhe kriza politike, gratë po dalin gjithnjë e më shumë në ballë – duke marrë pjesë në protesta, duke mësuar në klasa sekrete, duke iu bashkuar ushtrive dhe duke sfiduar qeveritë.
Dhe askund situata nuk është më e rëndë për gratë dhe vajzat sesa në Afganistan, ku ato janë zhveshur nga pothuajse të gjitha të drejtat.
Që nga viti 2021, kur talibanët u rikthyen në pushtet, grave fillimisht iu mohua arsimi i mesëm dhe i lartë, iu ndalua puna në sektorë të ndryshëm dhe u rikthye hixhabi i detyrueshëm. Sot, madje, atyre u mohohet edhe vizita te mjekët, përveç nëse është grua, dhe lëvizja e tyre është e kufizuar.
Në një mjedis të tillë shtypës, një grua po u jep mësim vajzave. Në fshehtësi.
Pasi asaj dhe motrës së saj iu mohua vazhdimi i arsimit, Farishta, e cila ishte në vitin e parë të universitetit kur talibanët morën kontrollin e Afganistanit, vendosi të nisë programin arsimor larg syve të talibanëve.
“Doja që ato të ndienin se ka ende shpresë”, thotë ajo. “Këto gjëra mund të ndryshojnë dhe shkollat tona do të rihapen”.
Sot, kur një vajzë përfundon klasën e gjashtë, arsimi i saj merr fund. Sipas UNESCO-s, më shumë se 2.2 milionë vajzave dhe grave u ndalohet ndjekja e shkollimit përtej nivelit bazë.
Disa prej tyre janë nxënëset e Farishtës. Dhe klasat nuk po ndihmojnë vetëm ato, por edhe vetë Farishtën.
“Tani po bëj diçka me kohën time duke u dhënë mësim këtyre vajzave dhe shpresoj që një ditë, shkollat do të rihapen dhe ato do të mund ta vazhdojnë arsimin e tyre”, thotë ajo.
Ato mësojnë matematikë, anglisht dhe lëndë të tjera. Në fshehtësi, sepse nëse talibanët do ta merrnin vesh, ajo do të duhej t’i mbyllte. Por, ajo mbështetet nga banorë vendas që duan që vajzat e tyre të mësojnë përtej klasës së gjashtë.
Talibanët e kanë luftuar çdo aktivitet të grave në publik.
Disa prej tyre janë adoleshente që u martuan sepse nuk po shkonin në shkollë. Njëra nga nxënëset e saj, shpjegon ajo, është shtatzënë dhe megjithatë vazhdon të vijë në klasë e vendosur për të mësuar.
“Ajo dëshiron të studiojë dhe të bëhet dikush në të ardhmen. Vetëm imagjinoni, çfarë mund të bëhet në të ardhmen një vajzë e klasës së gjashtë?” pyet Farishta.
“Por, unë dua që ato ta mbajnë gjallë shpresën se edhe nëse sot kushtet nuk janë të favorshme, ato mund të ndryshojnë nesër dhe ne nuk duhet ta humbim kohën dhe shpresën për një të ardhme më të mirë”, thotë ajo.
Në raportin e tyre më të fundit për të drejtat e njeriut në mbarë botën, Human Rights Watch (HRW) theksoi se gjatë vitit të kaluar talibanët e thelluan shtypjen duke “intensifikuar kufizimet ndaj të drejtave të grave dhe vajzave”. Në shtator ata ndaluan universitetet të përdornin libra të shkruar nga gra.
E vetmja gjë që Farishta dëshiron t’u thotë sot talibanëve është t’i hapin shkollat.
“Vajzat po rrinë në shtëpi pa asnjë qëllim. Familjet e tyre po i martojnë”, shton ajo.
Ndalimi, vëren ajo, nuk i pengon ato të dëshirojnë dije, por pavarësisht përpjekjes së saj për t’u dhënë mësim vajzave dhe grave që të kenë një perspektivë për të ardhmen, ajo thotë se arsimi formal është i domosdoshëm.
“Që të kemi mjeke, inxhiniere dhe gra profesioniste që punojnë në fusha të tjera të ngjashme për zhvillimin e vendit tonë”, sqaron Farishta.
Farishta ishte një studente që u bë mësuese. Diku tjetër, për shkak të trazirave në vendet e tyre, gratë po marrin role që nuk i kishin imagjinuar kurrë – përfshirë edhe në fushëbetejë.
Katerina Zarembo ishte një studiuese ukrainase, shkrimtare dhe nënë e katër fëmijëve para nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë. Pastaj ajo u bë mjeke luftarake.
Në fillim të luftës në vitin 2022 ajo u largua nga vendi, por më vonë u kthye për t’u bërë paramedike. Sot ajo është pjesë e forcave të armatosura të Ukrainës.
“E ndjeva që nga fillimi se vendi im ishte në luftë. Por, në fillim të pushtimit në shkallë të plotë, vajza ime ishte shumë e vogël. Me rritjen e saj, kjo bindje vetëm sa u forcua. Pashë shembuj të grave të tjera, por në fund thjesht e kuptova se nuk kishte rrugë tjetër për mua”, tregon ajo.
Bashkëshorti i saj po ashtu mbështet në mënyrë aktive ushtrinë, por familja kishte disa shqetësime dhe pyetje, megjithatë të gjithë e kuptuan se “nuk ka rrugë tjetër”. Për fëmijët e saj më të mëdhenj, shpjegon ajo, ishte e vështirë ta pranonin.
“Shpresoj që kuptimi i asaj që po bëj dhe pse, do të rrënjoset më vonë. Fëmijët nuk i rrisim me fjalë, por me veprime, dhe besoj se më vonë do ta kuptojnë vërtet”, thotë Katerina.
Në mbarë botën gjatë vitit të kaluar, rreth 676 milionë gra jetuan brenda 50 kilometrave nga një konflikt vdekjeprurës, sipas një raporti të Institutit për Kërkime të Paqes në Oslo (PRIO).
Në Ukrainë, që nga fillimi i luftës, shumë gra kanë ofruar ndihmë humanitare, kanë avokuar për të drejtat e grave, kanë luftuar kundër deportimit të fëmijëve ose i janë bashkuar ushtrisë. Të dhënat e vitit të kaluar tregojnë se më shumë se 70.000 gra shërbejnë në forcat e armatosura të Ukrainës.
Para luftës, Katerina shkruante libra. Sot, ajo nuk mund ta imagjinojë t’i kthehet kërkimit apo të shkruajë një punim.
“As që mund ta imagjinoj ta bëj këtë tani. Thjesht shërbej si mjeke luftarake dhe mbetem nënë dhe bashkëshorte”, thotë ajo.
Tani ajo punon nga bunkeri dhe studion në distancë në kolegjin mjekësor. Kur Ukraina ta fitojë luftën, thotë ajo, ka pak gjasa të qëndrojë në ushtri. Por nuk është e interesuar për jetën e mëparshme profesionale. Sepse tani nuk bëhet më fjalë për karrierë, por për thirrje, për shërbim.
“Sepse të shpëtosh apo të ndihmosh njerëzit – kjo është thirrja ime”, shpjegon Katerina. Ndoshta një ambulancë, shton ajo. “Kur flasim për kthimin nga lufta, më duket se brezat tanë, pasi kanë jetuar kaq gjatë në luftë, në njëfarë kuptimi janë të gjithë vërtet ‘të humbur’. Ne kurrë nuk do të kthehemi plotësisht”.
Detyra e tyre është, siç shpjegon ajo, ta jetojnë këtë sa më mirë që të munden.
Për Katerinën, misioni është bërë i thjeshtë. “Me aq forcë sa kemi, me dinjitet maksimal dhe me dashuri maksimale”. Pastaj ajo ndalet. “Dhe mendoj se është bërë edhe më e rëndësishme për mua t’u shërbej njerëzve dhe të luftoj kundër padrejtësisë”.
Për disa, lufta për drejtësi ka një çmim. Deri vonë, Jelena Kleut ishte profesoreshë në degën e komunikimit në Universitetin e Novi Sadit në Serbi. Tani, pas dy dekadash mësimdhënie, në vend të ligjëratave, ajo shkon në protesta dhe paraqet padi.
Në janar asaj iu dorëzua vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, gjë që nxiti një valë protestash dhe dënimesh nga qytetarët dhe publiku akademik.
Ndërsa administrata e Universitetit pretendon se gjithçka është bërë në përputhje me rregullat, ata që e kundërshtojnë vendimin besojnë se ligji është keqpërdorur dhe se Kleut u pushua nga puna sepse mbështeti publikisht studentët në protestat për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës së Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit. Edhe ajo beson se kjo ishte një nga arsyet.
“Mendoj se ishte projektuar qëllimisht si një akt që duhej t’i lëndonte të gjithë studentët dhe ata që uleshin në klasat e mia”, thotë Kleut.
Aksidenti shkaktoi një valë protestash masive kundër qeverisë në gjithë Serbinë, me akuza se korrupsioni sistemik çoi në aksident. Autoritetet e hedhin poshtë fajësinë dhe refuzojnë të shpallin zgjedhje.
Ashtu si ajo mbështeti studentët, tani ata po e mbështesin atë dhe po protestojnë kundër vendimit për ta pushuar nga puna. Më shumë se 1.200 profesorë gjithashtu dolën në mbështetje të saj.
“Mbështetja e studentëve vazhdon të më inkurajoj që të mos dorëzohem dhe të mos mendoj se tani gjithçka ka mbaruar. Përkundrazi, tani disi kam edhe më shumë energji për të marrë pjesë në protestat e tyre”, thotë ajo.
Akademikët dhe studentët kanë bllokuar fakultetet shtetërore për pothuajse një vit, që nga dhjetori 2024, duke kërkuar përcaktimin e përgjegjësisë për vdekjen e 16 personave në stacionin hekurudhor në Novi Sad dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Që nga fillimi, Kleut i ka mbështetur publikisht studentët që kanë udhëhequr protestat kundër qeverisë në të gjithë Serbinë. Studentët e Fakultetit Filozofik në Novi Sad ishin ndër të parët që iu bashkuan bllokadës.
Por tani, ditët e saj duken krejt ndryshe. Një semestër i ri po fillon dhe për herë të parë në 20 vjet ajo nuk do të marrë pjesë. Jeta e saj gjithashtu ka ndryshuar shumë që nga fillimi i protestave. Që nga 1 nëntori dhe aksidenti, prioritetet janë riorganizuar ndryshe, beson ajo.
“Ishte një ngjarje kaq dramatike për vetë Novi Sadin, sa na la të gjithëve si kur dikush të godet fort në stomak dhe të merr frymën. Por pastaj nga ajo gjendje mosbesimi dhe tronditjeje, studentët sollën një shpresë të jashtëzakonshme se një shoqëri ndryshe mund të ekzistojë në këtë vend”, shton ajo.
Dhe pastaj jeta u përqendrua në aktivitete për të ndihmuar dhe mbështetur studentët. Pastaj nisën arrestimet, autoritetet u bënë më represive dhe protestat kundër qeverisë vazhduan. Dhe, siç thotë Kleut, e gjithë kjo hodhi hije mbi jetën private dhe profesionale.
Por, pavarësisht gjithçkaje, ajo beson se vendimi që mori, si edhe pjesëmarrësit e tjerë në bllokada dhe protesta, po kontribuojnë në ndryshimin e sistemit.
“Gjithçka filloi me individë që vendosën të sakrifikonin diçka nga vetja e tyre, qoftë sigurinë apo një vend pune”.
Ajo vazhdon të shkojë në protesta, të paraqesë padi kundër universitetit dhe e vendos shpresën te sistemi gjyqësor. Ajo është e vetëdijshme, thotë, se përpara ka një betejë të gjatë ligjore. Së bashku me të gjitha të tjerat që e presin.
Para sulmeve të fundit, Raha kurrë nuk do ta imagjinonte që Teherani mund të bëhej një fushëbetejë. Tani, çdo zhurmë sjell frikën e bombave të reja.
Ka kaluar një javë që nga sulmi i parë ndaj Iranit, i cili e shtyu Republikën Islamike të kundërpërgjigjej me sulme ndaj bazave amerikane në gjithë Lindjen e Mesme. Jeta tashmë kishte qenë e vështirë në Iran, thotë Raha, dhe tani lufta ka shtuar një shtresë tjetër pasigurie.
“Lufta është në thelb një fenomen kundërnjerëzor”, thotë Raha. “Dhe kur lufta vazhdon, pabarazitë që tashmë ekzistojnë forcohen”.
Vështirësitë ekonomike dhe sociale që iranianët kanë përjetuar i nxorën ata në rrugë në fund të vitit të kaluar duke kërkuar ndryshime.
Gjatë protestave, Irani hyri në një bllokadë digjitale dhe, sipas organizatës për të drejtat me seli në SHBA, HRANA, më shumë se gjashtë mijë demonstrues u vranë, ndërsa më shumë se 25 mijë u plagosën gjatë shtypjes nga qeveria.
Në kushte të tilla, jeta personale dhe planifikimi kalojnë në plan të dytë. Ashtu si një profesoreshë nga Serbia, jeta e përditshme përqendrohet në diçka tjetër. Gjithçka është pezull në pasiguri, shton Raha.
Megjithatë ajo i kthehet idesë së barazisë dhe thotë se çdo veprim i vogël që një grua bën për ta afruar pozitën e saj në shoqëri me atë të burrave “bëhet pjesë e një lufte më të madhe”.
Nëse ndonjëherë vjen ndryshimi politik, ajo beson se grave nuk duhet t’u kërkohet sërish të tërhiqen në emër të stabilitetit.
Gratë dhe vajzat kanë të drejtë, në thelb, të jetojnë në siguri dhe në paqe, të lira nga dhuna dhe diskriminimi, tha për Radion Evropa e Lirë, Sarah Hendriks, drejtoreshë për politika në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Gratë.
“Konfliktet dhe krizat zgjerojnë në mënyrë dramatike boshllëqet e drejtësisë për gratë dhe vajzat, përfshirë mënyrën se si mbrojtja e grave dhe vajzave është kaq shpesh jetike e nevojshme dhe megjithatë kaq shpesh mungon”, shton ajo.
Dekreti i Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendi i Republikës së Kosovës përbën një nga aktet më problematike në historinë kushtetuese të Republikës. Përmes një vendimi të nxituar, i cili u mor para se të konsumoheshin të gjitha fazat procedurale të parashikuara nga Kushtetuta për zgjedhjen e Presidentit, kreu i shtetit ndërhyri drejtpërdrejt në funksionimin e organit më të lartë përfaqësues të republikës.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës parasheh një procedurë të qartë dhe të strukturuar për zgjedhjen e Presidentit, e cila përfshin tri raunde votimi dhe një afat të caktuar kohor brenda të cilit Kuvendi duhet të përpiqet ta përmbyllë këtë proces. Ky mekanizëm është konceptuar pikërisht për të shmangur vendimet e nxituara dhe për t’i dhënë sistemit parlamentar hapësirën e nevojshme për kompromis politik dhe konsensus institucional.
Në këtë kuptim, shpërndarja e Kuvendit para se të shterroheshin plotësisht këta mekanizma procedural krijon dyshime serioze për respektimin e logjikës kushtetuese të sistemit parlamentar. Në vend që procesi të lejohej të zhvillohej brenda afateve dhe fazave të përcaktuara nga Kushtetuta, ndërhyrja presidenciale e ndërpreu atë në mënyrë të njëanshme, duke krijuar një precedent institucional potencialisht të rrezikshëm.
Një veprim i tillë ngre pyetje themelore për balancën e pushteteve në Republikë. Në një sistem parlamentar si ky i Kosovës, Kuvendi është institucioni qendror i legjitimitetit demokratik, ndërsa roli i Presidentit është kryesisht garantues dhe arbitral. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë në funksionimin e këtij institucioni, përmes shpërndarjes së tij në një moment kur procedura kushtetuese ende nuk ishte përmbyllur, rrezikon të dobësojë parimin e ndarjes së pushteteve.
Në këtë kontekst, çështja nuk është vetëm politike, por thellësisht kushtetuese. Ajo prek vetë arkitekturën institucionale të Republikës dhe mënyrën se si interpretohen kompetencat presidenciale. Nëse një interpretim i tillë i kompetencave pranohet si precedent, ekziston rreziku që në të ardhmen institucioni i presidencës të fitojë një rol më aktiv dhe ndërhyrës në raport me parlamentin, duke e zhvendosur gradualisht ekuilibrin e pushteteve në sistemin politik.
Pikërisht për këtë arsye, kjo situatë pritet të përfundojë në interpretim nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, e cila do të duhet të sqarojë kufijtë e kompetencave presidenciale dhe të përcaktojë nëse shpërndarja e Kuvendit në këtë fazë të procesit ka qenë në përputhje me frymën dhe tekstin e Kushtetutës.
Në një sistem parlamentar, ku balanca ndërmjet institucioneve mbështetet mbi respektimin rigoroz të procedurave kushtetuese, çdo ndërhyrje e njëanshme në funksionimin e organit përfaqësues krijon rrezikun e deformimit të arkitekturës institucionale të shtetit. Për këtë arsye, nëse konstatohet shkelje e rëndë e Kushtetutës nga ana e Presidentit, sistemi kushtetues parashikon edhe mekanizmat përkatës të përgjegjësisë politike dhe juridike.
Në këtë kontekst, përgjigjja institucionale më adekuate do të ishte aktivizimi i procedurës së përgjegjësisë kushtetuese ndaj Presidentit, e cila në raste të shkeljeve serioze mund të çojë deri te shkarkimi nga detyra. Një veprim i tillë nuk do të kishte karakter hakmarrës apo politik, por do të përfaqësonte një mekanizëm të domosdoshëm për ruajtjen e integritetit të rendit kushtetues dhe të parimit të përgjegjësisë së institucioneve.
Nëse një shkelje e tillë do të konfirmohej nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, atëherë do të hapej gjithashtu edhe debati për pasojat juridike dhe institucionale që lidhen me statusin e mëvonshëm të një ish-presidenti që është larguar nga detyra për shkak të shkeljes së rëndë të Kushtetutës. Në një interpretim të tillë, do të ishte legjitime të shtrohej pyetja nëse një ish-president i shkarkuar për shkelje kushtetuese duhet të gëzojë automatikisht të gjitha privilegjet dhe benefitet që ligji ua garanton ish-krerëve të shtetit.
Në këtë mënyrë, çështja nuk lidhet vetëm me një vendim të caktuar politik, por me një problem më të gjerë të kulturës kushtetuese dhe të përgjegjësisë institucionale në Republikën e Kosovës.
—- Duke mos ndërtuar institucione të qëndrueshme po tregohemi diletant në politikbërëje.Thirrje ndërgjegjeje ? Nga qfarë?Nga mbrojta prej Atdheut, në vend që Atdheu të mbrohet nga ne ?Shëmbulli më i mirë janë martirët dhe dëshmorët e kombit, që dhanë jetën për liri dhe pavarësi të Kosovës nga Serbia hegjemoniste e fashiste.Kjo sikur u harrua! Kemi të bëjmë më përsonazhe tragjiko-komike….!?
Nuk kemi luftuar për këtë Kosovë që e kemi të mbushur më padrejtësi mos punë, gjendje jo të mirë sociale , pa zhvillim të duhur.Nuk kemi luftuar as për poltronë që zbatojnë gjithqka qka ju thonë krerët e partive politike , paten të drejtë apo jo.Nuk kemi shpresuar së nuk do të ndërtojmë shtet dhe mirëqënje si duhet .Nuk kemi luftuar që fëmijët tanë nga pa përspektiva e krijuar të largohen masivisht nga vendi.Ne gjithmonë kemi shërbyer dhe shërbejmë kudo që Atdheu të mbrohet nga armiku. Njeriu duhet të jetë gjithmonë gati për atdheun dhe shtëpinë.Nuk e di kurrë se kush dhe kur mund të sulmojë, kështu që të gjithë duhet të mësojnë të mbrojnë veten. Nuk është e thënë të ketë luftë, por të gjithë duhet të përgjigjen, si burrat ashtu edhe gratë.Armiku serb nuk fle kurrë, dhe ne gjithmonë duhet të jemi gadi të mbrojmë Atdheun në këtë krizë globale lufte.Kosova më këtë qasje të një pjese të mirë të njerëzve të politikës nuk mund të mbrohet nga armiku serbosllav.Burrat e vërtetë duhet të janë gadi për qdo gjë.Gjithë kjo përqarje dhe lufte për pushtet nuk është pritur në Kosovën e lirë dhe të pavarur.Nuk ka unitet edhe për temat madhore për shtet dhe për komb.Kjo është turpëruese , kjo është barazi më tradhëti kombëtare .Si ta quajm ndryshe refuzimin e bashkëpunimit ?Nuk i bënë kush apo pak kush thirrje ndërgjegjës së tyre!Vendin po e përcellin pa asnjë zor krizat e vazhdueshme politike dhe institucionale .Lufta për karrierë politike bëhët në mënyrë parimore , jo duke e dëmtuar kaq rënd vendin dhe të ardhmën e gjeneratës së re.Këta po ju gëzohen lojërave politike për pushtet !Duke mos ndërtuar institucione të qëndrueshme po tregohemi diletant në politikbërëje.Thirrje ndërgjegjeje ? Nga qfarë?Nga mbrojta prej Atdheut, në vend që Atdheu të mbrohet nga ne ?Shëmbulli më i mirë janë martirët dhe dëshmorët e kombit, që dhanë jetën për liri dhe pavarësi të Kosovës nga Serbia hegjemoniste e fashiste.Kjo sikur u harrua!Nuk dimë kur armiku serb i cili edhe këtyre ditëve na kërcënojë më luftë , do të na sulmojë, kështu që të gjithë ishte dashur të mësojmë të mbrojmë vetën.Të gjithë kemi nipa e mbesa që duhet tu lëmë përspektivë për të jetuar mirë në vendin e tyre , e jo synim ta kan gjithmonë largimin nga vatrat tona shekullore!Kosovës i duhen ndryshimet kadrovike më shumë se kurrë, nese dëshirojmë të kemi shtet ligjor dhe demokratik.Nese dëshirojmë të bëhëmi pjesë e Evropës se Bashkuar.Ajo qka po shohim është justifikimi më i mirë që na duhen ndryshime përmbajtësore , nese dëshirojmë të kemi gjendje normaliteti.Me njerëz të politikës të pa pregatitur profesionalisht dhe moralisht , Kosova nuk mund të ecë në hap më kohën.Plotë gojën e kan paqë e demokraci, e askush nuk është fajtor!Sa e quditshmje po aq turpëruese për këtë klasë politike dështuese…Jemi bërë armik i madh i vetëvetës!Kemi të bëjmë më përsonazhe tragjiko-komike….!?
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati është shprehur kritik ndaj mënyrës si funksionon sistemi politik në Shqipëri, duke theksuar se ajo që përbën shqetësim është fakti se ende politikani nuk ka frikë nga populli.
Sipas Bushatit, Bashkimi Evropian nuk ka një problem parimor për të pranuar vende si Shqipëria, veçanërisht duke pasur parasysh se Shqipëria është tashmë pjesë e NATO. Ai argumenton se problemi qëndron tek përputhshmëria e modelit politik të vendit me standardet demokratike që mbizotërojnë në BE.
Bushati theksoi se në rastin e Shqipërisë sfida kryesore është garantimi i një fushe loje të barabartë në politikë dhe gatishmëria për të pranuar humbjen e pushtetit.
“Qytetarët duhet të dinë për kë votojnë dhe politikanët duhet të kenë frikë nga qytetarët,” tha Bushati, duke shtuar se aktualisht situata është e përmbysur, pasi shpesh qytetarët janë ata që ndihen të frikësuar nga politika.
“Ne duhet të merremi me modelin politik. Nuk ka asnjë problem BE për të pranuar Shqipërinë apo Serbinë. Ne jemi anëtare të NATO-s. Pra, vetoja nuk është argument se do të jetë vetë e interesuar BE për të thënë ejani. Por modeli ynë nuk është i përputhshëm me konceptin apo modelin mbizotërues në BE. Ka përjashtime edhe brenda BE. Te rasti i Shqipërisë problemi kryesor ëshë në radhë të parë garantimi i fushës së lojës dhe aftësia e gatishmëria për me pranuar humbjen e pushtetit. Nëpër shoqëri që nuk kanë tradita demokratike, rotacioni vjen më shumë nga gatishmëria e udhëheqësit pë të pranuar humbjen e pushtetit sesa drejtpërdrejt vota e qytetarëve. Duhet të ndajë admiministraën e shtetit nga partia. Kjo është muzikë për veshët tanë në kushtet që jemi. Ne mund të bëjmë sistemin zgjedhor më të mirë por duhet të garantojmë rregullat e lojës. Duhet të ndajmë mendjen nëse duhet të bëjmë këto punë apo jo. Kur të ndajmë mendjen, ne na duhen këto elementë. Ti duhet të dish se për kë po voton dhe ata për të cilët ke votuar duhet të kenë frikë ty. Ne nuk kemi shkuar në sistemin ku politikani ka frikë popullin, por jemi në situatën ku populli ka frikë politikanin. Çdo muaj Athina digjej nga studentët e Politeknikut dhe ca isht në përkujtim të revoltave të tyre. Kishte raste që e tërhiqnin zvarrë në kuptimin figurativ politikanin apo shtetarin nëse mendonin se kishte abuzuar me detyrën. Kjo reformë administrative nuk do të thotë asgjë a do të jetë nga 60 e ca bashki apo 150. Për mua duhet të respektohet ky lloj raporti sepse jam i bindur se i zgjedhur vendor e di shumë mirë nëse në qytet ka më pak nxënës apo më shumë që regjistrohen.”, tha ai.
Duke u ndalur te gjyqi ndaj ish krerëve tqë UÇK në Hagë, ai shtoi:
Gjendemi përballë një situatë në Hagë ku duket se historia do të kthehet kokë mbrapsht dhe ka një gare me bluzat liria ka emër, bëhen mitingjet dhe diskutimet patriotike dhe asnjë nuk bëhet për kauzat tona në raport për të tjerët. Dhe dhashtë zoti që nuk dënohen ata njerëz dhe në fund vendosen shenja barazie mes agresorit dhe viktimës. Ti nuk ke asnjë lloj pune në këtë proces. Duhet të korrigjojmë këtë gjë krahas folklorit e këtyre këngëve çohu ti e hajde ti. Shkojmë në KiE mbajmë një fjalim dhe themi idiot prokurorit etj etj dhe kmë katolik se Papa dhe nuk kemi asnjë strategji dhe proces për ta kthyer këtë në strategji kombëtare.”, shtoi ai. gsh
A është normale që drejtues institutesh universitare, shkencore dhe të njësive departamentale që kanë marrë titullin profesor vetëm me doktoraturën, në kundërshtim me ligjin, të vazhdojnë të jenë të qetë dhe përtej afateve ligjore të drejtimit administrativ në vendimarrje?
A është e pranueshme që për më shumë se 20 vite të jenë shpenzuar para publike për të përfunduar, në mënyra “shkel e shko”, një botim të dytë ose të ngjashëm, për të cilin shteti ka mbajtur për 15 vite barrën e financimit nga buxheti publik pa marrë ende rezultatin, ndërsa llogaridhënia dhe përgjegjësia të jetë zero?
A është e justifikueshme që, pa realizuar një punë të dytë shkencore të mirëfilltë, të njëjtët individë të vazhdojnë të qëndrojnë në drejtim dhe të zënë vendet drejtuese në bordet botuese?
Dhe a është normale që, në vend që të merren me përmbushjen e detyrimeve kontraktuale, përfaqësuesit e stanjacionit të merren me vëzhgimin dhe pengimin e kujtdo që punon, duke gjetur artifica të pakuptimta dhe arsyetime sofiste për bllokimin e veprimtarisë shkencore dhe botuese të kujtdo që kërkon të punojë?
Përballë rasteve të tilla, a nuk është koha që institucionet shkencore dhe universitare të vendosin mekanizma të qartë vlerësimi periodik të performancës dhe transparence në përdorimin e fondeve publike, në mënyrë që drejtimi akademik të lidhet me kontributin real në kërkim dhe jo me inercinë institucionale të kopsitjes së proceseve emëruese dhe zgjedhore?
A duhet të çlirohen institucionet nga ky ngërç i komandës së punëve, nga kjo vendosje përmbysëse e meritokracisë, nga pengmarrja prej bjerraditjes dhe obstruksionizmit?
Epopeja e UÇK-së është një nga kapitujt më të ndritshëm dhe më të lavdishëm të historisë sonë kombëtare, një moment kur historia u shkrua me gjakun, guximin dhe sakrificën e bijve dhe bijave më të mirë të popullit shqiptar. Ajo nuk është vetëm një kujtim i së kaluarës, por një kushtrim i përhershëm që jehon në ndërgjegjen tonë kombëtare, duke na kujtuar se liria është amanet i shenjtë dhe përgjegjësi e çdo brezi. Në ato ditë të rënda të historisë sonë, kur populli ynë përballej me padrejtësi dhe shtypje, u ngrit një forcë e pathyeshme shpirtërore që buronte nga dashuria për atdheun dhe besimi në të ardhmen. Djemtë dhe vajzat e Kosovës u bënë një trup i vetëm për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtën për të jetuar të lirë në tokën e tyre.
Emrat e heronjve dhe dëshmorëve tanë u bënë gurë themeli të lirisë që sot e gëzojmë. Në qendër të kësaj epopeje qëndron figura e komandantit legjendar Adem Jashari dhe qëndresa heroike e Jashari family. Në marsin e vitit 1998, gjatë ngjarjeve tragjike të njohura si Prekaz Massacre, familja Jashari zgjodhi rrugën e nderit dhe të sakrificës. Ata qëndruan të palëkundur përballë dhunës dhe padrejtësisë, duke dëshmuar se dashuria për lirinë mund të jetë më e fortë se frika dhe më e madhe se vetë jeta. Nga Prekazi u ngrit një kushtrim që nuk mund të ndalej më. Ai kushtrim u përhap në çdo qytet, në çdo fshat dhe në çdo zemër shqiptari. Ai u bë zëri i lirisë, zëri i një populli që kishte vendosur të mos jetonte më në robëri. Sakrifica e familjes Jashari u shndërrua në një flakë shprese që ndriçoi rrugën drejt çlirimit dhe mobilizoi një popull të tërë për të qëndruar i bashkuar përballë sfidave të historisë.
Sot, duke përkujtuar këtë epope të lavdishme, ne përulemi me respekt dhe mirënjohje të thellë para të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë: dëshmorëve që ranë në altarin e atdheut, invalidëve të luftës që mbajnë ende plagët e sakrificës, veteranëve që qëndruan në vijën e parë të betejës dhe të pagjeturve, mungesa e të cilëve mbetet një plagë e hapur në ndërgjegjen tonë kombëtare. Por kjo epope nuk është vetëm histori e sakrificës. Ajo është edhe histori e shpresës. Është dëshmi se edhe në momentet më të errëta të historisë sonë, populli shqiptar ka gjetur forcën për t’u ngritur, për të qëndruar dhe për të besuar në një të ardhme më të drejtë dhe më të lirë.
Prandaj sot, përveçse kujtojmë të kaluarën, ne shikojmë edhe drejt së ardhmes. Brezat që vijnë duhet ta mbajnë gjallë kujtesën e kësaj sakrifice dhe ta shndërrojnë atë në motiv për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më të fortë dhe më të bashkuar. Liria për të cilën u flijuan kaq shumë jetë duhet të ruhet me përgjegjësi, me unitet dhe me përkushtim ndaj vlerave të drejtësisë, paqes dhe zhvillimit. Le të mbetet Epopeja e UÇK-së një dritë udhërrëfyese për çdo brez. Le të jetë një kujtesë e përhershme se kur një popull është i bashkuar rreth idealit të lirisë, asnjë pengesë nuk është e pakapërcyeshme. Lavdi komandantit legjendar Adem Jashari! Lavdi familjes emblematike Jashari! Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit dhe luftës çlirimtare të UÇK-së! Qoftë e përjetshme kujtesa për sakrificën e tyre dhe qoftë e ndritur e ardhmja për të cilën ata u flijuan.
Komentet