Që më pesë tetor zemra e kësaj gruaje të madhe pushoi së rrahuri. Elena Merlika ndërroi jetë dhe u varros përkatësisht në Latina (Itali), atje ku edhe banonte që prej dhjetë vitesh, por la një amanet: kur t’i vinte dita të shoqit,që edhe ai t’i nënshtrohej ligjit që nuk njeh as pushtet e as pasuri, t’i merrnin të dy e t’i çonin të preheshin atje, në Krujën e largët, në këmbët e Sarisalltëkut madhështor.
Për ata që nuk e kanë njohur të ndjerën Elenë nga afër, në kampet e mallkuara të internimit të periudhës diktatoriale, këto rradhë nuk kanë shumë se ç’të thonë, vetëm se t’u rikujtojnë dhimbjet edhe vuajtjet e një periudhe të hidhur të jetës së tyre e domosdo t’ua rikujtojnë Elenën e ndjerë ashtu të papërkulur siç qe, mëshirëmadhe të skajëshme, por edhe mbështetje morale të pashëmbulltë siç e kish ndërtuar Zoti vetë!. Ndër këta bshkëvuajtës me të, domosdo shquhen dy kategori: ata që e nohën atë që nga kampi famëkeq i Tepelenës e që ishin bashkë me Elenën viktimat e para të regjimit komunist, goditjet e të cilit ranë mbi familjet e atyre që konsideroheshin kundërshtarët më të rrezikshëm të pushtetit t’ashtuquajtur popullor si edhe kategoria e dytë që përbëhet edhe kjo nga familje të akuzuarish si armiq të pushtetit, me një ndryshim të vogël: dora dorës erdhën duke u shtuar me viktimat e përndjekura me të cilat diktatura po popullonte kampet, edhe pinjojt e atyre që dikur ishin persekutorët e së ndjerës Elenë me shokë e mbi të cilat pastaj erdhi dhe ra spata e diktaturës që ata vetë e kishin mprehur! E pikërisht këtu qëndron edhe madhështa e Elenës së ndjerë të cilën të dy kategoritë e të persekutuarve e kujtojnë me respekt dhe dashuri: Ajo të gjithë i deshi njëlloj e të gjithëve u dha shëmbullin se si të qëndronin e të mos përkuleshin! Ajo i deshi si ata që së bashku me të e filluan Kalvarin në Tepelenë e gjithashtu më vonë edhe të tjerët që, kur ajo rropatesh pyjeve të Tepelenës e ngarkuar si mushkë, i shijonin të mirat e pushtetit në Tiranë. I kish vërte për zemër të parët, por dijti t’i mëshirojë edhe të dytët, e kur i a vinin veshin, asnjërën palë nuk e la të rrëzohej e po ashtu që të dyjave bashkë ua vinte krahun të ngriheshin e mos të hiqeshin zvarrë, po të bënte vaki të rrëzoheshin.
Secili që e njohu Elenën e ndjerë e kujton për shum’e shumë gjëra, por veçanërishtpër tri më të shquarat e saj: papërkulshmërinë e saj të pashëmbulltë, humanizmin e saj të skajshëm si dhe shpitin e saj kristian.
Vijmë tashti tek ata që as e kanë njohur e as ia kanë dëgjuar emrin e Elena Merlikës më parë, e ndeshen me të vetëm sot, nga titulli i këtyre rradhëve, E ndjera rridhte nga një familje e nderuar arbëreshe, nga Gjikajt e Shtikës së Kolonjës, I ati qe publiçisti i mirënjohur Sotir Gjika, drejtor i gazetës Kuvendi që botohej në Romë dhe mik i Luigj Gurakuqit, Mustafa Merlikës, Stavro Vinjaut, Gjovalin Kamsit, etj.
Elena u diplomua në universitetin e Napolit me rezultatin 30 me lavdërim, ku tezën e saj të diplomës e botoi akademia italiane e Shkencave, nder ky që rrallë herë i takonte një të diplomuari. Aq është e vërtetë sa që albanologu me famë botërore, Prof. Gaetano Petrotta, ngulte këmbë t’a mbante asistente në katedër. Mirëpo dashuria për ndaj atdheut të të parëve të saj, e mëkuar tek ajo nga prindët, leximi dhe mësimi përmendësh nga ana e saj e vargjeve të ngjizura me një frymë patriotike si edhe artistike të rrallë nga De Rada, Serembeja e Skiroi me shokë, si dhe ndikimi i gjithë rrethit të miqve arbëreshë, kishin krijuar kushtet që Elena Gjikën e re, atë … rrush pakëz kalangủr e që dheut tënë i kishte hije … vetëm një dorë shqiptari mund t’a këpuste e t’a bëntë të tijin! E kështu edhe ngjau. Petrit Merlika, i biri i Mustafa Merlikës, një inxhinjer i porsadiplomuar në Univeritetin me famë të Grenoblit, ish ai shqiptar që e mori për grua Elenën e re dhe lidhën fatet e tyre për jetë. Me këtë rast do të ve në dukje se Prof. Gaetano Petrotta, jo vetëm që nuk u mërzit që nxënësja e tij e shquar Elena Gjika po e braktiste katedrën akademike për t’u martuar me një pinjoll shqiptar, por u shpreh atëbotë:
“Përkohësisht po humbasim një studjuese potenciale, por jam i bindur se duke qëndruar pranë të vjehrrit, duke përfituar prej tij e duke e çuar edhe më përpara punën e tij në lëmë të shqipes, Elena do ti vlejë akoma më shumë se sa Mustafa Merlika gjuhës shqipe, gjuhës s’onë amtare!”
Kësisoji mendohej, siç mendonte dhe uronte edhe profesori për Elenëne ndjerë , dhe nuk kish përse ajo e shkreta të mos e gëzonte jetën familjare si të gjitha vajzat e kësaj bote e pastaj të bëhej edhe e shquar në shkencën gjuhësore. Pse jo?Lidhur me këto, një fakt kuptimplotë që s’është tjetër veçse dëshmi e vlerave të saj. Kur i arrestuan të shoqin, i drejtohet Elena Prof. Aleksandër Xhuvanit duke i kërkuar t’a punësonte pranë Bibliotekës Kombëtare dhe ai iu përgjgj: Në gjithë Ballkanin nuk do të gjeja njeri më të përshtatëshëm, por … por rrudhja e krahëve të gjuhëtarit të shquar tregonte se sa e vlerësonte diktatura pasurinë intelektuale që dispononte. Mirëpo Ai që njerëzve u cakton detyra në jetë i ve edhe para provash të vështira, ndryshe mendonte për Elenën e re. I kish dhënë asaj shumë virtyte në fushën e shkencës, vërtet.Por duke mos ia dhënë mundësinë t’i shfrytëzonte ajo ato virtyte, Zoti e vuri në provën e madhe të dëshprimit. E Elena e kaloi atë provë pa u thyer e pa u dorëzuar kurrë, sikur të kishte qënë një malësore e pashkolluar që, ngarkesën e druve mbi kurriz tek zbriste shtigjeve pyjore të Tepelenës nën sqotën e shiut, t’a kishte pjesë të edukatës së saj që në fëmijëri. Në ato rrethana ajo kurrë nuk kujtonte auditoret universitare për të cilat ishte e prerë, por mendonte si e si t’i mbante ngarkesat e druve pa u përkulur e me shtatin drejtë që të mos ishin gardianët që t’a thyenin atë e bashkë me të edhe vullnetin e saj, por t’ish ajo që t’i mposhte ata! Dhe kështu ngjau. Nuk e thyen dot kurrë. Në një rast, rrasa e gurit të cilën e kish mbajtur në kurriz për katër orë, u peshua dhe rezultoi se peshonte 64 kg! Patër Gardini, prifti italian i cili vuajti kampeve të internimit, mbasi u riatdhesua, Elena Merlikën nuk rreshte së përmënduri si heroinë e atyre kampeve që për nga egërsia dhe vuajtjet s’kishin shëmbull të dytë.
Dy fjalë tashti drejtuar familjarëve të saj, të cilët sikur i kam para sysh dhe më thonë … të gjtha që shkrove e i lexuam dhe nuk kemi asnjë kundërstim, Po në qoftë se hipotetikisht do të mund të ktheshim 60 vite mbrapa, a do t’ia vlente që Elena e jonë e ndjerë t’a jetonte edhe njëherë jetën që jetoi? E unë i u përgjigjem.po! Pa as më të voglën mëdyshje po! Zoti të gjithë në jetë i ve në provë. Elenën e shkretë e vuri para një prove skajshmërisht të vështirë dhe tejet të gjatë. Dhe ajo i qëndroi në nënyrë shëmbullore! Ajo nderoi Gjikët prej të cilëve rrodhi e nderoi edhe Merlikët me të cilët u lidh deri në vdekje! Ajo kish precedentin e Elena Gjikës së vjetër, pararendëse e Elena Gjika Merlikës, heroinës së kampeve të çfarosjes komuniste! E bashkë me ju, t’a dini mirëfilli , Elenën sot e qajnë veç njerëzve tuaj të dashur edhe të gjithë ata që vuajtën me të e në të shihnin simbolin e qëndresës, dashurisë njerëzore, edhe mëshirës kristiane!E të gjithë bashkë lutemi për të. Ndonëse në këtë hulli, asgjë nuk më tingëllon më e goditur se maksima e lënë nga i madhi Baba Rexheb:
“Për shpirtërat e njerëzve të mirë unë lutem shumë pak. Nuk ka nevojë të lutemi shumë për ta se Zoti i madh i ka vetë në mëndje dhe u jep amshimin”
Ky pohim si edhe krenaria e ligjëshme që duhet të ndjeni për Elenën e ndjerë duhet t’ju mbajmë të fortë që t’a përballoni humbjen e Saj.
+