VOAL

VOAL

MIRËSEVJEN NË PFAFFENHOFEN NËNË TEREZA! – 18.06.2016 – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

June 18, 2016

Komentet

“Motra ime është pa ndjenja, nuk e dimë çfarë ka”- Tragjedia e familjes Kola në Itali, zbulohet telefonata në qendrën e emergjencës! I riu dha adresën gabim, ambulanca shkoi dy orë me vonesë

Një gabim në adresë dhe një rrjedhje e padukshme monoksidi karboni (gaz helmues) çuan në tragjedinë e rëndë që tronditi komunitetin e Porcarit, pranë Luccës në Itali. Katër anëtarë të familjes shqiptare Kola u gjetën pa jetë në banesën e tyre, pasi u helmuan nga gazi që doli nga kaldaja e shtëpisë.

Ishte pothuajse ora 20:00 e mbrëmjes të së mërkurës kur në qendrën e emergjencës 112 të Toskanës mbërriti një telefonatë e dëshpëruar. “Motra ime është pa ndjenja, nuk dimë çfarë ka”, tha 22-vjeçari Hajdar Kola, raportojnë mediat italiane.

Numri i gabuar i shtëpisë

Po sipas raportimeve të mediave lokale vendase banesa e familjes Kola ndodhej në Rughi, një zonë e komunës së Porcarit.

Në dhomën e saj ishte motra 15-vjeçare, Xhesika, e ulur në shtrat dhe pa ndjenja. Me të ndodheshin edhe prindërit, Arti dhe Jonida, 48 dhe 43 vjeç.

Gjatë telefonatës, situata u përkeqësua në mënyrë dramatike. Operatorja dëgjoi fillimisht prindërit që humbën ndjenjat dhe më pas edhe vetë Hajdari u rrëzua në tokë. Para se të fikej telefoni, ai arriti të jepte adresën: Rruga Galgani, numri 168. Por ishte një numër i gabuar.

Sipas hetimeve, i riu, nën efektet e monoksidit të karbonit kishte ngatërrur dy shifrat e fundit. Numri i saktë ishte 186.

Ambulanca dy ore me vonesë

Ambulanca mbërriti shumë shpejt, por për një kohë të gjatë nuk arriti të gjente banesën. Ekipi kontrolloi shtëpitë përreth, kërkoi sqarime të tjera nga 112 dhe tentoi edhe lokalizonte edhe telefonatën, pa rezultat. U përfshinë edhe karabinierët, të cilët përmes numrit të celularit arritën të identifikojnë familjen.

Vetëm rreth orës 21:45, gati dy orë pas thirrjes së parë, forcat e rendit hynë në apartament së bashku me xhaxhain e familjes dhe dy fqinjë.

Polica dhe emergjenca i gjeten e vdekur

Pamja ishte dramatike. Në katin e parë, tavolina ishte shtruar për darkë. Në katin e dytë, në dhomën e Xhesikës, u gjetën trupat e pajetë të anëtarëve të familjes.

Menjëherë pas zbulimit, disa nga shpëtimtarët dhe personat që hynë në banesë filluan të ndihen keq, me marramendje dhe vështirësi në frymëmarrje, duke u dërguar në spital. Më rëndë u paraqit xhaxhai, Durim Kola, i cili kaloi natën në spital.

“U përpoqa, por nuk munda t’i shpëtoja”, tha ai mes lotësh pasi u kthye në shtëpi, ku dhjetëra miq ishin mbledhur për zi. Edhe gjyshja e fëmijëve pësoi një gjendje të rëndë shëndetësore sapo mori lajmin.

Familja prej 5 vitesh ne Itali

Familja Kola kishte rreth pesë vjet që jetonte në Itali. Pas një periudhe pune në Greqi, kryefamiljari kishte gjetur punë në Toskanë dhe ishte ribashkuar me familjen në zonën e industrisë së letrës në Lucchesia, ku jeton një komunitet i madh shqiptar. Arti punonte si bojaxhi, ndërsa Hajdari ishte elektroteknik. Xhesika ishte nxënëse e klasës së tretë të shkollës së mesme të ulët. Prej vetëm pesë muajsh familja ishte zhvendosur në shtëpinë e re në rrugën Galgani, të cilën e kishin blerë së fundmi. Punimet e rikonstruksionit ende nuk kishin përfunduar.

Hetimet

Prokuroria e Luccës ka sekuestruar apartamentin dhe ka nisur hetimet. Ekspertët e zjarrfikësve po hetojnë nëse defekti lidhet me montimin e boljerit, mirëmbajtjen apo sistemin e shkarkimit dhe nëse instalimi është kryer nga vetë familja apo nga teknikë të jashtëm.

Zi ne komunitet

E gjithë komuna e Porcarit është tronditur nga ngjarja. Kryetari i bashkisë, Leonardo Fornaciari, e cilësoi atë “një plagë të thellë për gjithë komunitetin”, duke kujtuar edhe një tragjedi të ngjashme të ndodhur në vitin 1992. Dhimbje e madhe edhe në shkollën ku studionte Xhesika. Drejtoresha e institutit Camogliano e përshkroi atë si “një vajzë plot jetë dhe energji intelektuale”. Shokët e klasës kanë nisur të mbledhin shkrimet e saj; mes tyre janë gjetur poezi për lirinë dhe paqen.

Familja Kola u shua në Itali, flasin fqinjët në Peqin: Tragjedi e madhe, ishin njerëz punëtorë

PEQIN- Fshati Gryksh i Madh i Peqinit është zhytur në zi pas tragjedisë së familjes Kola në Itali, 4 anëtarët e së cilës u shuan pas helmimit me monoksid karboni teksa ndodheshin në banesën e tyre. Fqinjët rrëfejnë se familja ishte emigruese prej rreth tre vitesh në Itali, ndërsa më herët kishin qenë në Greqi për punë sezonale.

Familjen Kola e përshkruan si një familje të rregullt, punëtore dhe të mrekullueshme. Ata rrëfyen se Arti Kola, kryefamiljari, ishte jetim dhe se e kishte humbur të atin në një moshë fare të re.

“Këto janë plagët e emigrimit. Dyer të mbyllura e të kyçura. I insëm fëmijët me duart tona dhe sot na kthehen në arkivol. Këtij fshati kjo ngjarje nuk i ka ndodhur ndonjëherë. Nuk ka bërë vaki. Jemi shumë të shokuar. U rrit jetim, i ati i vdiq i ri. Ka qenë e rregullt, më  e mira e fshatit. Ka rënë tragjedi jo vetëm për fshatin por e gjithë Shqipëria është në zi. Jemi shumë të shokuar për këtë ngjarje të rëndë.

Jemi të shokuar nga kjo tragjedi që ka ndodhur në fshatin tonë. Nuk gjejmë dot fjalë të shprehemi. Ka qenë një familje e mrekullueshme, e shkëlqyer, gjithmonë duke parë punën e vet. Emigruan në Itali, e sot humbën jetën. E morëm veshlajmin përmes mediave. Jemi të tronditur.

Na ka ardhur keq. Aq keq sa s’ka ku të shkojë më. Një familje e mrekulleushme. Një fatkeqësi, duhet ta kthejmë dhimbjen në forcë.  Jemi të tronditur nga ngjarja. Tragjedi e madhe për këtë familje, ishte e respektuar. Kanë qenë njerëz punëtorë, hallexhinj, të atin s’e ka pasur.”, u shprehën banorët.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 4 shkurtit në banesën e familjes. Nga hetimet e para, dyshohet se anëtarët e saj u helmuan nga rrjedhja e monoksidit të karbonit nga pajisja e ngrohjes. Viktimat janë identifikuar si Arti Kola 48 vjeç, Jonida Kola 42 vjeçe dhe dy fëmijët, Hajdar dhe Xhesika Kola, 22 dhe 15 vjeç. Alarmin e ka dhënë vëllai i kryefamiljarit, i cili njoftoi karabinierët. Pasi mbërritën në banesën trekatëshe dhe nuk morën asnjë përgjigje pas trokitjeve dhe u detyruan të thyejnë derën./Dosja.al

U gjetën të pa jetë në banesën e tyre në Itali, kjo është familja shqiptare që u helmua nga monoksidi i karbonit

Një tragjedi ka goditur Italinë, me një familje shqiptare me katër anëtarë të cilët kanë humbur jetën pasi janë helmuar nga gazi i monoksidit të karbonit.

Janë zbuluar emrat e katër anëtarëve të familjes shqiptare në Itali, që u shuan si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit në banesën e tyre në zonën e Luccës.

Mediat italiane bëjnë me dije se kanë humbur jetën babai Arti Kola, 48 vjeç, nëna Jonida Kola, 43 vjeçe, si dhe dy fëmijët e tyre, djali Hadjar Kola, 22 vjeç, dhe vajza Xhesika Kola, 15 vjeçe, raporton A2CNN.

Një person i pestë u shpëtua, por ndodhet në gjendje kritike për jetën. Bëhet fjalë për vëllain e kryefamiljarit të ndjerë, i cili mbërriti në vendngjarje pasi familja nuk po u përgjigjej telefonatave.

Të dëmtuar kanë mbetur edhe dy karabinierë, të cilët mbërritën në vendngjarje për të ofruar ndihmën e parë. Fatmirësisht ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Tragjedia është regjistruar rreth orëve të mbrëmjes së të mërkurës, kur ekipet e shpëtimit hynë në banesë dhe u përballën me skenën dramatike, ku gjetën tryezën e shtruar dhe katër trupa të pajetë përtokë.

Në vendngjarje ka qenë i pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Porcarit, i cili u shpreh i tronditur për tragjedinë, që ka prekur të gjithë komunitetin e qytezës së vogël, që ndodhet vetëm pak kilometra larg Luccës.

Prokuroria ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen, ku po analizohen disa të dhëna specifike. Ata po përpiqen të kuptojnë nëse kaldaja ishte e regjistruar, apo e instaluar konform rregullave dhe nëse u është nënshtruar inspektimeve.

Shtëpia ku ndodhi tragjedia ishte në pronësi të të ndjerit Arti Kola, i cili sipas dëshmitarëve, e bleu atë rreth tre vjet më parë, por familja ishte zhvendosur vetëm kohët e fundit. /A2

LIBËR ME VLERA TË LARTA STUDIMORE- Nga Hysen Ibrahimi Suedi, Förslöv, 16.01.2026

 

 

Titulli: “Kritika letrare – Vlerësime, trajtesa” (2026)
Autori: Prof. Fetah Bahtiri

Sot doli nga shtypi libri më i ri i autorit Fetah Bahtiri, me titull “Kritika letrare – Vlerësime, trajtesa”, një vepër që përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në fushën e kritikës dhe reflektimit letrar bashkëkohor shqiptar. Libri është botim i Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” dhe revistës “Dituria”, Borås, Suedi, dhe përfshin gjithsej 107 faqe.

Kjo vepër vjen si vazhdimësi tematike dhe konceptuale e librit të mëparshëm të autorit, “Reflektime”, botuar para katër vitesh. Ngjashmëria ndërmjet dy librave qëndron në orientimin e tyre drejt kritikës letrare, recensioneve, vlerësimeve dhe trajtesave për vepra të ndryshme artistike, si dhe në reflektimet mbi ngjarje letrare e kulturore, të cilat autori i trajton me ndjeshmëri dhe përgjegjësi intelektuale.

“Kritika letrare – Vlerësime, trajtesa” është libri i tridhjetë me radhë i Fetah Bahtirit, një autor i dëshmuar si shkrimtar, përkthyes dhe bashkautor, i cili me një përkushtim të vazhdueshëm ka ndërtuar një opus të pasur dhe të larmishëm krijues. Shfletimi i kujdesshëm i librit dëshmon se kemi të bëjmë me një përmbledhje kritikash letrare, recensionesh, vlerësimesh dhe opinionesh, të ndërtuara mbi një bazë solide teorike dhe me një precizitet të dukshëm analitik.
Duke qenë se Kosova zë një vend të veçantë në ndjeshmërinë intelektuale dhe atdhetare të autorit, libri hapet domethënësisht me reflektimin “Kosova – shtet me katër vula”, ku artikulohet një qasje kritike dhe reflektuese ndaj realitetit historik e politik të vendit.
Në këtë vëllim, Fetah Bahtiri trajton dhe vlerëson vepra të një spektri të gjerë autorësh, ndër të cilët veçohen: Adem Zejnullahu (E verdhësi), Halit Barani (Tmerri i dokumentuar), Qerim Kryeziu (Shqiptarët në retrokthesën nordike – Veprimtaria kulturore e mërgatës shqiptare në Suedi), Hysen Ibrahimi (Mërgata për arsimin në vendlindje – Shupkovc, Zasellë, Kçiq i Vogël), Avdyl Uka (Përjetimet e mia), Xhavit Çitaku (Ëndrra të thyera, roman; Dëshmitar brenda në ferr, roman), Hyrë Tejeci (Dielli i jetës – Rrëfim i një nëne hasjane), Islam Islami (Unë, biri i Oshlanit heroik), Zeqir Kurti (Vargje nëpër kohë, poezi), Albina Ibrahimi dhe Teuta Zeneli (Balkans vegetariska matbord), Bajram Muharremi – Bistrica (Nëpër shtigjet e jetës sime – Kosovë–Suedi; Mbi krahë të ëndrrës, poezi), Albulena Miftari (Jeta e mërgimtarit), Milazim Kajtazi (Shiu i mallit), Skënder Osmani (Oshtimë valësh), etj.
Si një ndër studiuesit më të përkushtuar të jetës dhe veprimtarisë së albanologut suedez Ullmar Qvick, Fetah Bahtiri sjell në këtë libër edhe pikëpamje dhe vlerësime të rëndësishme për figurën dhe kontributin e tij, duke e vendosur atë në kontekstin e studimeve albanologjike në Skandinavi.
Vëmendje të veçantë meritojnë edhe dy opinione kushtuar dy personaliteteve të njohura: Avdyl Ukës, i cilësuar si një hero i gjallë që mbrojti pragun e shtëpisë në ditët më të vështira për Kosovën, si dhe Mursel Ibrahimit, ish-kryetar i Komunës së Mitrovicës, për të cilin autori zbulon se ka qenë nxënës i tij në Shkollën Normale “Hasan Prishtina” në Mitrovicë. Për Avdyl Ukën, autori përfshin edhe poezinë “Ia fal përjetësisë”, si dhe një ode kushtuar Halit Baranit, duke ndërthurur kështu diskursin kritik me shprehjen poetike.

Në përfundim, mund të thuhet se libri Kritika letrare – Vlerësime, trajtesa i Fetah Bahtirit përbën një pasuri të çmuar për çdo bibliotekë, pasi ofron vlerësime të thelluara për vepra me rëndësi dokumentare, që pasqyrojnë segmente të rëndësishme të historisë kulturore dhe letrare shqiptare, veçanërisht në kontekstin e mërgatës.
Për këtë arsye, autori meriton përgëzime për këtë kontribut me vlera të qëndrueshme studimore, i cili u shërben jo vetëm lexuesve të sotëm, por edhe brezave që vijnë.
Krejt në fund, mund të them se libri Kritika letrare – Vlerësime, trajtesa i Prof. Fetah Bahtirit përfaqëson një kontribut të çmuar në fushën e studimeve letrare shqiptare, duke ofruar një qasje të strukturuar, analitike dhe metodologjikisht të qëndrueshme ndaj veprave dhe autorëve të ndryshëm. Vepra dëshmon po ashtu pjekuri shkencore, ndjeshmëri estetike dhe përgjegjësi akademike, duke e vendosur autorin në radhën e studiuesve të përkushtuar të kritikës letrare bashkëkohore.
Ky botim afirmon rolin e kritikës si urë lidhëse ndërmjet tekstit letrar dhe lexuesit, si dhe si instrument i domosdoshëm për interpretimin, vlerësimin dhe arkivimin e trashëgimisë kulturore dhe letrare shqiptare, veçanërisht në kontekstin e krijimtarisë në atdhe dhe në mërgatë.

Të jetosh në Prizren do të thotë të nisësh ditën mes historisë, kulturës dhe ritmit të një qyteti që të mëson qetësinë dhe durimin- Intervistoi Sokol Demaku

 

Dashuria për lulet ka qenë gjithmonë pjesë e imja. Që në fëmijëri kam pasur një lidhje të natyrshme me lulet dhe natyrën. Lulet për mua kanë qenë gjithmonë mënyrë shprehjeje, qetësie dhe pune njëkohësisht, dhe me kalimin e kohës ky pasion u shndërrua në profesion dhe mision jetësor, thotë e reja Besnike Aliaj pronar dhe thememlues të SHP Besila ne¨qytetin pitoresk dhe historik të Prizrenit

 

Ju lutem një prezantim të shkurtër?
Unë jam Besnike Aliaj nga Prizreni, sipërmarrëse, studiuese në fushën e florikulturës dhe themeluese e biznesit “Besila” si dhe e Organizatës jo Qeveritare ”Green Leaders Besila”. Formimi im profesional ndërthur pasionin për natyrën me dijen akademike dhe përvojën praktike në terren. Jam e diplomuar në Administrim Biznesi, me specializim në florikulturë, dhe autore e punimeve shkencore të publikuara në konferenca dhe revista ndërkombëtare. Përmes punës sime kam implementuar dhjetëra projekte zhvillimore, kam trajnuar fermerë, gra dhe të rinj, dhe kam bashkëpunuar me institucione vendore e ndërkombëtare, me synimin që dija dhe zhvillimi i qëndrueshëm të kthehen në vlerë konkrete për komunitetin.

Profesioni i juaj?
Profesioni im është agronome – sipërmarrëse, me fokus në kultivimin, dizajnimin dhe menaxhimin profesional të luleve, si dhe në këshillim, trajnim dhe implementim projektesh në kulturë, turizëm- agroturizëm, bujqësi, zhvillim ekonomik dhe rural.

Çka ju shtyri ju të merreni me këtë profesion fisnik kultivimin dhe kudjesin për lulet?
Dashuria për lulet ka qenë gjithmonë pjesë e imja. Që në fëmijëri kam pasur një lidhje të natyrshme me lulet dhe natyrën. Kultivimi dhe kujdesi për to nuk erdhi si zgjedhje e rastësishme, por si vazhdim i një pasioni të hershëm që u formua gradualisht përmes edukimit, përvojës praktike dhe dëshirës për të krijuar diçka të bukur dhe të qëndrueshme. Lulet për mua kanë qenë gjithmonë mënyrë shprehjeje, qetësie dhe pune njëkohësisht, dhe me kalimin e kohës ky pasion u shndërrua në profesion dhe mision jetësor. Që në fëmijëri kam pikturuar vazhdimisht lule, pa e ditur se një ditë ato do të bëheshin rruga ime jetësore. Lulet për mua janë jetë, qetësi dhe mesazh. Më vonë, studimet dhe puna më ndihmuan ta kthej këtë dashuri në profesion.

Qe sa kohë merreni me këtë pune dhe sa jeni e kënaqur?
Me këtë punë merrem në mënyrë profesionale që nga viti 2013, ndërsa si biznes i konsoliduar që nga viti 2019 me themelimin e lulishtes “Besila”. Jam shumë e kënaqur, sepse kjo punë për mua nuk është vetëm profesion, por realizim i një pasioni të hershëm dhe një mënyrë për të krijuar vlerë reale për komunitetin dhe mjedisin.

Ju jetoni në Prizren, si është  një ditë e Besnikes në këtë qytet historik dhe kulturor?
Të jetosh në Prizren do të thotë të nisësh ditën mes historisë, kulturës dhe ritmit të një qyteti që të mëson qetësinë dhe durimin. Një ditë e imja fillon herët, me organizimin e obligimeve familjare dhe profesionale, e më pas vazhdon në terren, në biznes, në projekte apo takime pune. Prizreni është frymëzim i përditshëm për mua – qytet ku tradita dhe natyra bashkëjetojnë – dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në mënyrën si punoj dhe si mendoj. Në fund të ditës, përpiqem të gjej kohë për reflektim, familjen dhe për qetësinë që ky qytet historik di ta ofrojë.

Zambaku i Prizrenit është një nder lulet me të njohura e cila edhe eshte berë hit në kenget qytetare të Prizrenit, cfare eshte lidhja e juaj me këtë kur merreni me kultivimin e luleve?
Zambaku i Prizrenit për mua nuk është vetëm një lule e njohur apo një simbol i këngëve qytetare, por një pjesë e identitetit dhe shpirtit të këtij qyteti. Si dikush që merret me kultivimin dhe kujdesin për lulet, e ndiej një lidhje të veçantë me të, sepse zambaku përfaqëson qetësinë, durimin dhe bukurinë që çel pa zhurmë – vlera me të cilat identifikohem edhe vetë. Ai është simbol i Prizrenit, ashtu si lulet janë simbol i punës sime, dhe kjo e bën lidhjen time me të të natyrshme dhe emocionale, jo vetëm profesionale.

Ku e merrni frymëzimin për punën tuaj me lulet, çka është interesantë për ju që të prezanton lulet dhe të jeni kultivuese e tyre?
Frymëzimin për punën me lulet e marr nga natyra, nga qyteti ku jetoj dhe nga vetë procesi i rritjes së tyre. Më intereson veçanërisht fakti që lulet kërkojnë durim, kujdes dhe dije, por në fund e shpërblejnë punën me bukuri dhe jetë. Ajo që më motivon të jem jo vetëm prezantuese, por edhe kultivuese e tyre, është mundësia për të krijuar diçka të qëndrueshme, për të ndikuar pozitivisht në mjedis dhe për ta kthyer pasionin në vlerë reale për komunitetin.

Ju jeni e njohur tash më në rajonin tuaj por edhe më gjerë, si keni arritur këtë?
Njohja nuk ka ardhur brenda natës. Ajo është ndërtuar gradualisht përmes punës së vazhdueshme, përkushtimit profesional dhe rezultateve konkrete në terren. Kam investuar në arsimim, në zhvillim të vazhdueshëm profesional dhe në realizimin korrekt të projekteve, duke bashkëpunuar me institucione, organizata dhe komunitete të ndryshme. Përmes punës së ndershme, cilësisë dhe përgjegjësisë, besimi u zgjerua fillimisht në nivel lokal dhe më pas edhe më gjerë, duke e bërë emrin tim të lidhet me seriozitet dhe ndikim real. Me punë të vazhdueshme, profesionalizëm, korrektësi dhe përkushtim. Asgjë nuk erdhi brenda natës. U desh kohë, durim dhe shumë sakrificë.

Profesion fisnik, punë me vlerë, prezantim i kulturës dhe traditës shqiptare për mes lules, arit dhe kudesit ndaj luleve?
Profesionin tim e konsideroj fisnik sepse kultivimi dhe kujdesi për lulet nuk është thjesht punë, por një mënyrë për të krijuar bukuri, për të edukuar dhe për të transmetuar vlera. Përmes luleve unë prezantoj jo vetëm natyrën dhe artin, por edhe kulturën dhe traditën shqiptare, duke treguar respekt për mjedisin dhe për historinë tonë. Çdo lule që kultivoj dhe çdo projekt që realizoj është një formë e heshtur komunikimi me botën, ku përmes dashurisë, artit dhe përkushtimit transmetohet identiteti dhe pasuria kulturore e vendit tonë.

Ju keni arritur që të jeni e njohur ne gjithë vendin me punen tuaj dhe profesionalizmin qe keni tregua, e në anen tjeter ndihmoni të tjeret ne këtë lami pune, cka ju shtynë në këtë?
Ajo që më shtyn të ndihmoj të tjerët në këtë lami është bindja ime se suksesi ka vlerë të vërtetë vetëm kur ndahet. Rrugëtimi im ka qenë i ndërtuar me shumë punë, sfida dhe mësime, dhe e ndiej si përgjegjësi që përvoja dhe dija ime të shërbejnë edhe për të tjerët. Duke ndihmuar gra, të rinj dhe fermerë, jo vetëm që kontribuoj në zhvillimin e tyre profesional, por edhe në forcimin e komunitetit dhe në avancimin e kësaj fushe në vendin tonë. Për mua, profesionalizmi nuk matet vetëm me arritjet personale, por me ndikimin pozitiv që lë te të tjerët. Më shtyn bindja se suksesi ka kuptim vetëm kur ndahet. Më pëlqen t’i shoh të tjerët të rriten, të mësojnë dhe të guxojnë.

Sa jeni e kënaqur me punën tuaj, si janë pritur punimet e juaj nga blersit dhe ata që e adhurojne lulen?
Jam shumë e kënaqur me punën time, sepse ajo është rezultat i një përkushtimi të gjatë dhe i një pasioni që është kthyer në profesion. Kjo më bënë të jem lidere e luleve në Prizren. Punimet dhe produktet e mia janë pritur shumë mirë nga blerësit dhe nga adhuruesit e luleve, të cilët vlerësojnë cilësinë, kujdesin dhe seriozitetin në çdo detaj. Reagimet pozitive dhe besimi i vazhdueshëm i klientëve janë për mua konfirmimi më i mirë se puna ime po ecën në drejtimin e duhur.

Sa vërejta ju jeni edhe ligjëruese në shumë qytete për të intersuarit për kultivimin dhe kudjesin ndaj luleve?
Kam vërejtur se puna ime ka frymëzuar dhe interesuar shumë njerëz në qytete të ndryshme për kultivimin dhe kujdesin ndaj luleve. Përmes trajnimeve, projekteve praktike dhe vizitave studimore, kam pasur mundësinë të ndaj njohuritë dhe përvojën time, duke i motivuar të rinjtë, gratë dhe fermerët që të angazhohen në këtë fushë. Shumë prej tyre shprehin kureshtje, entuziazëm dhe dëshirë për të mësuar më shumë, dhe kjo më jep energji të vazhdoj më tej me këtë punë që është gjithmonë më shumë se një profesion – një pasion dhe mision edukativ.

Keni familje, çfarë mund te na thoni për jetën tuaj në qytetin e Prizrenit?
Po, kam familje dhe ajo është boshti i jetës sime. Jeta ime në Prizren është e ndërtuar mes familjes, punës dhe angazhimit në komunitet. Ky qytet më ka mësuar balancën mes traditës dhe zhvillimit, mes qetësisë familjare dhe dinamikës profesionale. Prizreni është vendi ku rritet fëmija im, ku ndërtohet çdo ditë puna ime dhe ku ndiej përkatësi të fortë kulturore e shpirtërore. Kjo ndërthurje mes jetës familjare dhe profesionale më jep forcë, stabilitet dhe kuptim për gjithçka që bëj. Kam një familje që më mbështet shumë. Jam e martuar me Ilazin dhe jam nëna e Besilës. Prizreni është qyteti ku familja, puna dhe kultura bashkohen natyrshëm.

Sa keni arritur, që me punën tuaj të prezantoheni në Kosovë edhe jashtë Kosovës?
Me punën time kam arritur të prezantohem jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj. Përmes pjesëmarrjes në konferenca ndërkombëtare, vizita studimore dhe botimeve shkencore, jam bërë e njohur në fushën e florikulturës dhe menaxhimit të projekteve. Kjo ka mundësuar që përvoja ime të shihet dhe vlerësohet edhe jashtë vendit, duke sjellë njohuri dhe praktika të reja që i kthehen më pas komunitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë. Unë jam një grua sipërmarrëse e suksesshme dhe një shembull i punës së palodhur, përkushtimit dhe profesionalizmit, duke treguar se me vizion, durim dhe përkushtim mund të ndërtohet sukses real që frymëzon të tjerët dhe krijon ndikim pozitiv në shoqëri.

Si e ndieni vetën në qytetin e  traditës se kulturës shqipe, në qytetin e Zambakëve, Prizren?
Ndjej një lidhje të veçantë me Prizrenin, qytetin e traditës dhe kulturës shqiptare, qytetin e Zambakëve. Ai më frymëzon çdo ditë, jo vetëm për bukurinë dhe historinë e tij, por edhe për vlerat që mbart – respektin për natyrën, kulturën dhe komunitetin. Jetoj dhe punoj aty duke ndjerë se çdo hap që hedh është pjesë e një tradite të gjallë, ku kultura, arti dhe natyra ndërthuren, dhe kjo më jep forcë dhe kuptim për punën dhe jetën time.

Ku e morët zanatin, kush ua dha këtë ide për këtë profesion?
Zanatin për kultivimin dhe kujdesin ndaj luleve e kam zhvilluar që nga fëmijëria, kur dashuria ime për lulet u shfaq përmes vizatimeve, pa i njohur ende emrat e tyre. Gjatë studimeve në degën e Agrobiznesit, në vitin 2013, mësimin teorik fillova ta praktikoj në një nga lulishtet më të mëdha në Kosovë “Agrocoop” e pastaj në kompani të ndryshme, ku përmes praktikës profesionale dhe punës intensive mësova të kultivoj dhe menaxhoj lulishte, si dhe të aplikoj marketingun e luleve. Për të ndjekur praktikën në një biznes të luleve, idea ishte e Mentorit tim, Prof. Dr Isuf Lushi. Ai kishte vërejtur kohë më pare tek unë pasionin ndaj luleve dhe mjedisit që që unë nuk e kisha vërejtur. Në po atë lulishte, kam njohur edhe babain e Besilës dhe më pas partnerin tim të jetës. Ai kishte punuar mbi 10 vite aty dhe ishte njëri nga punonjësit më të dalluar. Aty lindi dashuria jonë dhe, si dy profesionistë, filluam të ëndërronim për biznesin tonë. Falë pasionit, përkushtimit dhe mundit të madh, ëndrra jonë u realizua në vitin 2019 me themelimin e biznesit “Besila”, ku unë jam pronare dhe kultivuese. Ky biznes është një kombinim i dashurisë për lulet, profesionalizmit dhe vizionit për të sjellë bukuri, dije dhe vlerë për komunitetin tonë.

Si arrini të jeni kaq produktive me punen e juaj në tregun kosovar?
Produktiviteti në punë, sidomos në një treg si ai kosovar që ka sfida dhe mundësi specifike, zakonisht vjen nga kombinimi i disa strategjive të thjeshta, por të forta. Me organizim, planifikim, komunikim, motivim dhe disiplinë personale, pasion dhe mësim i vazhdueshëm, përdorim i teknologjisë dhe marketingut, adaptimi ndaj tregut lokal dhe nga mbështetja familjare dhe e miqve të mi. Në përgjithësi, produktiviteti nuk është vetëm të punosh më shumë, por të punosh më zgjuar dhe të përshtatesh me realitetin e tregut kosovar.

Keni shume adhurues të luleve edhe ne vend por edhe jashtë, si e keni arritur këtë?
“Besoj se arritja e shumë adhuruesve të luleve, si në Kosovë, ashtu edhe jashtë vendit, vjen nga kombinimi i disa elementëve kyç. Së pari, ne i kushtojmë shumë vëmendje cilësisë dhe originalitetit të produkteve tona – çdo lule dhe çdo dekorim është i përkujdesur me detaje, freski dhe kombinime të veçanta që e bëjnë të paharrueshme për klientët.
Së dyti, përdorimi i rrjeteve sociale dhe marketingut digjital ka qenë vendimtar. Fotot dhe video të luleve tona, postimet kreative jo vetëm që tërheqin njerëz brenda vendit, por hapin mundësi edhe jashtë kufijve.
Gjithashtu, i kushtojmë rëndësi të veçantë shërbimit ndaj klientit. Përgjigje të shpejta, mbështetje personalizuar dhe kujdes ndaj çdo kërkese krijojnë besnikëri dhe e bëjnë çdo klient të ndihet i vlerësuar.
Bashkëpunimet me dyqane, kafene, hotele dhe organizime eventi, si dhe me influencerë të fushës, kanë ndihmuar që produktet tona të shihen nga më shumë njerëz dhe të fitojnë admirues edhe jashtë vendit.
Në fund, mendoj se një tjetër element i rëndësishëm është historia dhe pasioni pas markës sonë. Klientët nuk blejnë vetëm një lule, por një eksperiencë dhe një ndjenjë, dhe kjo lidhje emocionale i bën ata të kthehen dhe të flasin pozitivisht për ne.”

Çka mendoni, është në rënie apo do ketë jetë edhe tutje profesioni i juaj?
“Mendoj se profesioni ynë nuk është në rënie, përkundrazi – ai ka jetë dhe perspektivë edhe për shumë vite përpara. Arsyeja kryesore është se njerëzit gjithmonë kërkojnë bukurinë, ndjenjat dhe emocioni që sjell një lule apo një dekorim të veçantë. Sigurisht, mënyrat e punës po ndryshojnë me teknologjinë dhe trendet e reja, prandaj është e rëndësishme të përshtatemi, të inovojmë dhe të vazhdojmë të ofrojmë diçka të veçantë. Por pasioni, kreativiteti dhe kujdesi ndaj klientëve janë elementë që nuk do të humbasin kurrë, dhe pikërisht kjo garanton jetëgjatësi të profesioni tonë.”

Keni menduar që dikush nga familja juaj ta trashëgojë këtë profesion në të ardhmen?
“Po, besoj shumë dhe kam dëshirë që ta trashëgojë vajza ime, Besila. Madje, biznesi ynë mban emrin e saj, dhe që nga mosha 4-vjeçare, ajo ka filluar të mësojë bazat e punës me buqetat – kreativitetin, menaxhimin, kujdesin ndaj detajeve dhe emërtimin e luleve. Është një mënyrë për të kaluar pasionin dhe përkushtimin tim te gjenerata e re, dhe shpresoj që një ditë ajo ta vazhdojë këtë rrugë me energjinë dhe idetë e saj.”

Çka kishit me i porositur shqiptarët në përgjithësi, cila është porosia e juaj?
Mos kini frikë të guxoni. Punoni ndershëm, besoni në veten tuaj dhe mos e lini ëndrrën në gjysmë.

Kuçi vendi i krojeve- Nga Sokol Demaku

Një esse nga romani ” Kuçi, fshati i kuvendeve” pak histori nga tradita shekullore e Kuçit esse dhe tregime i autorit Sokol Demaku, botua në vitin 2023

 

Një ndër regjionet më të pasura me ujë në trojet shqiptare duket se është Kuçi me rrethinën e tij. Thuhet se në këto troje ka mbi 150 burime ujore dhe del se ky fshat është ndër fshatrat më të pasur me ujë në të gjithë Shqipërinë. Këto burime janë që nga kohë të lashta, janë burime natyrore të cilat ia shtojnë hijeshinë fshatit, por edhe rrethinës,e ku edhe në ditët e sotme kanë rëndësi të madhe për banorët e këtushëm. Bazuar në këto burime këtu turizmi ka zenë vend. Është në zë në këto anë burimi ”Buronjat e Kuçit”, me rrapet shekullore, që sot i japin hijeshi këtij vendi.
Kuçi ishte dikur një fshat i madh si me tokë ashtu edhe me banorë.Sot ka pësuar ndryshime, kur është fjala për numër banorësh, pasi njerëzit kanë lënë fshatin dhe kanë shkuar drejt qytetit. Kështu ka ardhur deri tek zvoglimi i numrit të banorëve. Por jo vetëm ikja nga fshati në qytet,por edhe shpërnguljet, migrimi jashtë vendit kanë bërë të vetën, sidomos viteve të fundit,ku ky trend është shumë i theksuar edhe në këto pjesë të vendit të shqiponjave. Plaga shekullore kullon edhe në ditët e sotme edhe këtu,edhe shumë kund tjetër.
Në Kuç, bujaria, krenaria, mikpritja dhe burrëria janë një tipar i krijuar shekuj më parë dhe kanë zënë vend dhe janë kalitur në mendjen dhe shpritin e kuçjanëve, më shumë se çdo kund tjetër në trojet arbërore. Kjo është traditë e lashtë e tyre, e trashëguar dhe ruajtur me shekuj dhe do të përcillet, sigurisht edhe në gjeneratat e reja.
Të rrugëtosh nëpër këto anë është mrekullia vet, me atë natyrë magjepëse, me ata njerëz mikëpritës, me zemer të madhe dhe trima të pa shoq. Po të zuri nata dhe do të jesh mysafir në shtëpi kuçiani,aty shtrohet sofra, aty nuk mungon as rakia, as dollia dhe as kënga. Sa interesante kur bashkohen si një e vetme rakia, dollia dhe kënga. Shtrohet sofra e vertetë kuçiane, e me pas fillon kënga polifonike e kësaj ane, e cila ngrihet madhështore me epikën e saj si malet krenshnike që e rrethojnë Kuçin.
Pra, në bazë të asaj që do të dëgjosh, bindesh se Kuçi qënka vendbanim tipik lab dhe thuhet se ky fshat është vet zemra e Labërisë. E kuçjani për nga shtati nuk duket një burrë shumë i gjatë, është thatim, por është shumë i shkathët, me shumë temperament dhe shumë vital. Një karakteristikë e veçantë për Kuçianin është kënga polifonike, që eshtë aq domethenëse për ata dhe e kam degjuar të thuhet se: “Po u bënë dy kuçian bashkë ata ia fillojnë menjëherë këngës ku njeri ia merr dhe tjetri ia mban”. Kjo është kënga polifonike. Por ata janë edhe valltarë të mirë dhe me ato levizjet, rrotullimet dhe veshjet e tyre karakteristike i japin edhe me shumë vlerë asaj vallje dhe ajo bëhet më atraktive dhe e veçantë.
Që nga mesjeta Kuçi ishte një qendër e rendësishme për terë Labërinë. Zakonisht ishte e zhvilluar tregëtia dhe kjo nënkuptohet nga dyqanet e shumta që ishin, mullinjët e bluarjes, vendpunimet e shumta të leshit dhe tezgjahet e shumta.
Është ineteresante se Kuçi dhe fshatrat për rreth tij kanë trasheguar vetem vlera të larta historike, kulturore dhe inetektuale, por është karakteristike të përmenden edhe ato të së drejtës së popullit,të grumbulluara në ”Kanunin e Labërisë”. Ky ishte një sistem i normave ligjore të pashkruara e që bazën e ka nga mesjeta dhe janë përcjellur deri në kohët tona gojë më gojë, brez pas brezi. Ato i kanë rregulluar marrëdhenjet dhe veprimtaritë ekonomike, politike dhe sociale, të drejtat dhe detyrimet individuale në familje dhe shoqëri.
Kanuni i Labërisë është një sistem sanksionesh me vlera të larta morale si dhe me parime themelore juridike të mbrojtjes së nderit, burrërisë, fisnikrisë, besës, mikpritjes, bujarisë, parimit të barazisë së gjakut e të lirisë. Këto të drejta i sankisonon e drejta zakonore shqiptare. Ky Kanun është një deshmi e rrallë e kohës, kur nuk ka ekzistuar autoriteti shtetror. Kjo ishte një nevojë e kësaj popullsie të civilizuar, që jeta të mos jetë një anarki,por nën një sistem normash jetësore të caktuara me të drejta dhe detyrime. Në anën tjetër, ky dokument do të ishte një deshmi e ndërgjegjës njerëzore të kohës, në të cilën doli në dritë dhe rregulloi marrëdheniet ndërnjerëzore.
Gjatë rrjedhave të historisë do të shohim se në çdo pjesë të malësisë shqiptare do jetë dhe do ketë vepruar e drejta zakonore dhe ne mund ta quajmë ligji popullor. Përmenda edhe më lart se ishin ligje të detyrueshme dhe të zbatueshme për të gjitha bashkësitë, për të gjithë banorët, pa marrë parasysh pozitën apo hierarkinë në rendin shoqëror ekzistues. Në atë kohë këto ligje njerëzit i njihnin me emrin “Kanun”. Në leximet që bëra, gjeta mendime se “Kanuni i Labërisë” duhet të ketë një zanafillë që nga Ilirët e lashtë dhe ishte interesant, se ky “Kanun” zbatohej në të gjitha katundet e Labërisë pa dallim dhe kundërshtim
Pra është koha kur zakonet popullore u kthyen në norma juridike.
E nga shumë gojëdhëna do mësojmë se një ndër ata krijues të këtij Ligji, pra të Knaunit të Labërisë, do të ishte një Papa Xhuli i asaj kohe, i cili duhet të ketë jetuar diku nga shekulli XI. Ky paskësh qenë prift dhe do ketë jetuar, kur këto troje do të kenë qenë nën sundimin bizantin. Prifti i Zhulatit, Papa Xhuli, si duket në atë kohë do të ketë mbledhur trashgiminë e lashtë Ilire në popull, pasi këto zakone do të jenë përdorur ngahera në këto troje. Dhe në bazë të shënimeve na del se “Kanuni i Labërisë” do ketë dalë dhe hy në fuqi nga viti 1492, koha kur perandoria Otomane njihte si qender të Labësisë, Himarën.
Kuçi është një vend që mbart rrëfenjat e një jete dhe një kulturë jete në të. Ky u ka bërë ballë furtunave të fuqive të ndryshme ndër shekuj, qoftë atyre , veneciane, romake,osmane, apo edhe të të tjerëve që kanë sunduar në këto troje.
Kuçi është një vend ku zë vend dhe peshon shumë krenaria për këtë truall. Te këta njerëz fjala ka peshë dhe zë vend. Është interesante se mbetjet e së kaluarës shpeshherë zbulojnë moshën e vertetë të Kuçit dhe se ato duken të vjetra, por, në një sy tjeter, jo edhe aq të vjetra sa ato vertëtë janë. Këtu është karakteristike imagjinata shumë e pasur, gjetjet historike, realiteti bashkëkohor dhe ai mjedis natyror i kombinuar mrekullisht, dhe së bashku krijojnë një ndërthurje aq të bukur dhe interesante sa që vë në veprim imagjinatën dhe frymëzimin për të. Këto troje ishin frymëzim edhe për shumë pena të Rilindjes Kombëtare,që me mjeshtri dhe dhunti ditën,paraqitën dhe përshkruan në vargjet e tyre Kuçin dhe jetën e kuçianëve.

Skënderaj i Skënderbeut- Pjesë marrë nga romani i Sokol Demakut

 

Pjesë marrë nga romani i Sokol Demakut, “Skënderaj i Skënderbeut” botua ne vitin 2021, një histori e vertetë mbi vendbamimet e Kreshinkëve në Drenicë, ku edhe sot e kësaj dite në livdhet e fshatit Marinë të Skenderajt qendrojnë krenar tre Gurët e kreshnikëve hudhur nga bjeshka e Çyçavicë atë kohë.

Shpati

Pra, në Shpat, për të mirë ka ndryshuar shumëçka.
Labit i kujtohen të gjitha, edhe koha e krajlit, edhe koha e Shqypnisë së parë, por edhe kohët e më vona.
-Ishin kohë të vështira, ishin kohë të pa kohë për ne, – thotë Labi me krenari, – por i bëmë ballë të gjitha dhe, ja sa të fortë jemi ne shpatjanët.
-Jemi kalitur, jemi bërë më të fortë bre bir.
-Sa interesante, një kohë njeriu, sa ndryshime për të mirë! Shpatjanët dikur ishin ata të cilëve u mungonte gjithçka, por sot jo, kanë përparuar, janë me shkollë, me punë, po besa me të tana kanë shkue përpara, – murmurit në vete Labi.
-Të mbushet mendja se këta njerëz nuk kanë fare probleme, por këtu gjithçka funksionon më së miri e së mbari.
-Thue se hallet i kanë harrue këtu e një qind vjet?
-Po, po edhe Shpati po ia zë dritën dikujt. Shumë kush ia ka lakmi, po besa, edhe zili.
-He, kohë e kohë! – thotë me vete Labi,- kështu qenka jeta.
-Po mua zemra mal po më bëhet,- thotë dhe vazhdon rrëfimin e tij për Shpatin dhe shpatjanët në kohë dhe shekuj:
-Shpati qendron krenar në kodrën përbri, ku shtrihen livadhet e Mujit, kështu quhen ato livadhe, ku shpatjanët marrin dy të korra në vit. Edhe sana e tyre është bereqetli, nuk është si sana e livadheve të tjera në këto anë. Livadhet shtrihen aq sa syri nuk ta kap atë hapësirë. Në mes të tyre qëndrojnë si viganë tre gurë të mëdhenjë, tre gurë kolosalë, që sot nuk ka mundësi njeriu t`i lëvizë nga vendi, aq të mëdhenjë janë.
Në Shpat është një legjendë për këta gurë. Një legjendë shumë e vjetër, ndoshta më e vjetër se vet Shpati.
Shpati shtrihet bri rrugës, që në atë kohë lidhte Jutbinën me Junanin dhe Lugjet e Verdha. Shumë karvane kreshnikësh kanë kaluar kësaj rruge, shumë t`bëme janë bërë e që kanë lënë nam në këto anë. Flitet se një ditë paskësh kaluar këtu pari karvani i Mujit e Halilit me 30 agot e Jutbinës dhe se qenkan vendosur në livadhet e Shpatit. Aty paskan qëndruar me ditë të tëra. Kanë ngrënë e kanë pirë kreshnikët e Jutbinës, por edhe kanë bërë qejf.
Muji paska qenë në rrugë për në Lugjet e Verdha dhe më poshtë në bjeshkë e kullota të pasura, ku mijëra bagëti e qindra barinj e stane e pritnin kreshnikun. Në Lugjet e Verdha kishte berberë, kishte nallbanë, kishte saraçë, po kishte edhe rrobaqepës. Njerëzit merreshin me blegtori, por punonin dhe tokën. Kishte vreshta, bletë dhe pemë, paj syri të kënaqej nga bukuritë e Shpatit. Mendja të freskohej po të kaloje këto anë.
Këtu punohej leshi e liri.
Këtu punohej çdo gjë dhe gjithçka!
Ishte kënaqësi të jetojë njeriu në këto anë.
Nganjëherë shpatjanët i shifnin si me zili ata të Lugjeve të Verdha.
Por jeta këtu ishte një idilë, jeta ishte aq idilike sa njeriu përtonte të largohej nga këto anë, por edhe kur t`i vinte koha të vdiste, ndoshta do kërkonte ta shtynte pakëz kohën dhe ta thithte atë nektar natyre të këtyre anëve.
Shumë kush ka dëgjuar për këto troje, ka dëgjuar për agot dhe bamet e Mujit.
Kur Muji kishte qenë i ri, babai e kish dërgue rrogëtar te nji zotni dhe atë çoban lopësh.
Për gjithë ditë Muji kërkonte bjeshkët në Lugjet e Verdha, për gjithë ditë ishte ndër gurra t’u u freskue, për gjithë ditë ndër mrize tu pushue e, kështu, rrugë e as shteg pa njoftë nuk ka lanë në këto anë.
Këto livadhe ndryshe quheshin edhe Logu i Zanave.
Muji gjithmonë ua tërhiqte vëmendjen agove të mos bëjnë zhurmë se ato i shtangojnë, nëse ua prishin qetësinë. Por agot këtë këshillë të Mujit e merrnin si një shenjë frike, sepse kur dilnin në bjeshkë apo rrugës për në Jutbinë, apo Lugje të Verdha, nuk i gjente asgjë, e kjo i shtynte agot që mos t`i besojnë Mujit në fjalët e tij.
Një natë kur këta shtrojnë për të fjetë, Zanat e maleve ia marrin këngës. Agot e dëgjuan këngën, por nuk panë askund ndonjë vashë këngëtare. Pas kësaj, shohin se fjalët e Mujit ishin të vërteta, pasi Zanat mu në mes të natës ia shtrojnë këngës dhe valles në livadhet e Shpatit.
Pra, agot shohin se diçka po ndodhte pa dëshirën e tyre e, këtë, po e bënin Shtojzevallet, apo si ndryshe këtu në Shpat i thirrnin Zana të Malit.
Pra Muji ishte ai, i cili kishte lidhje me Zanat dhe nga Zanat kishte marrë fuqinë dhe të gjitha mjeshtritë luftarake që kishte.
Të nesërmen në mëngjes, Muji, si zakonisht ishte ngritur herët dhe nga çadra e tij kishte dalë i pari. Kishte shëtitur rreth e përqark livadheve dhe kishte sogjue terrenet. Diku kah dreka, ai dëshironte t`u tregojë agove të tij se, me të vërtetë Muji është ai që duhet të jetë dhe se nuk ia ka frikën askujt, madje as Ban Zadranit të madh.
Diku në kodrat mbi Shpat, ka kohë që qëndronin të shpërndarë në të katër anët disa alamet gurësh të mëdhenjë. E tani ishte koha për një gurapeshk, lojë për hedhjen e gurit.
Të gjithë do të provonin të hidhnin gurë, por jo çfarëdo gurësh, por alamet gurësh, të medhenjë.
Me siguri secili nga ata peshonte nga disa tonë. Si duket, agot nuk kanë as dëshirë, por as guxim të hynë në një lojë të tillë me Mujin. I vetmi që do provonte, do ishte Muji e agot do të ishin spektatorë të gurapeshkut në livadhet e Shpatit.
Dhe, ja, u çue në këmbë i madhi kreshnik, Muji, i cili u drejtua nga vendi ku ishin ata alamet gurësh të mëdhenjë.
Por, jo, ai u ndal.
-Ejani ju, o burra së pari e, pastaj do kem rend unë.
-Por, jo more, jo, nuk ka guxim askush nga ne. Nuk dihet, ndoshta as që mund ta luajnë gurin nga vendi e atëhere vaj halli!
Si me ia bërë?
Ku të kenë vend agot?
Ku të gjejnë vend agot?
Nuk është e lehtë!
Kreshniku i Lugjeve të Verdha Gjeto Basho Muji, me fuqinë e tij që kishte marrë nga Shtojzevallet, nga shpirtmirësia që kishte, i pari mori at alamet guri, që ndoshta peshonte kush e di sa okë dhe e hodhi nga maja e kodrës, diku kah fundi i livadhit.
Kushti ishte që secili të gjuante nga tre gurë.
Guri i dytë bëri një rrugë më të gjatë dhe zuri vend mu në skaj të livadhit.
Pritej i treti e, si thonin barinjët për rreth, “i treti, i vërteti”. Edhe ai u ngulit në barin e njomë, në një pjesë të livadhit, ku të tre gurët formuan një trekendësh, që edhe sot e kësaj ditë ndodhet në “Livadhet e Mujit”, në fund të fshatit Shpat.
Në livadhet e Shpatit gjenden këta tre gurë, si thoshte halla Hajrie: “si tri molla në rrem”. Këtu pra janë edhe sot, vetëm tre gurë, ata gurë të cilët Muji i hodhi po të thuash si një pendel dhe, agot tjerë, ishin vetëm spektatorë.
Sot njerëzit me mallëngjim pëshpërisin për ato kohëra, tregojnë ngjarje e histori të vërteta, të qeme e të paqeme për nipat e mbesat, por që janë interesante dhe zgjojnë kurreshtjen jo vetëm të fëmijëve, por edhe të rinjve dhe të rriturve.
Sot, shumë njerëz që kalojnë këtë rrugë, ndalen për të pushuar te Mrizet e Zanave, Mrize në të cilat Muji kishte pushuar bagëtinë kur ishte çoban.
Njeriu mund të shoh në lisin mijëravjeçarë ende në trupin e tij plak ndonjë patkue kali, por edhe ndonjë yzengji kali, e cila kishte ngelur si relike kohe për të dëshmuar se me të vërtetë Labi paska të drejtë me rrëfimet e tij për Shpatin dhe shpatjanët.
Njerëzit sot pinë ujë në Kroin e Akullt, në të cilin Muji me shokë kishte shuar etjen pas rrugëve të gjata kushedi sa herë. Të gjitha këto sot janë realitet, realitet i një kohe të largët, e cila na tregon se këto anë gjithmonë kanë pasur njerëz të mëdhenjë, njerëz të cilët i kanë dalë krah kësaj toke.
Eshtë kjo tokë, që edhe sot erëmon tokë arbërore, por siç duket, pasardhësit e Labit nuk janë aq të interesuar që të bëjnë më të mirën për të treguar të vërtetën për të.
Nuk është e vështirë kjo, por do punë, do zell dhe mençuri, sepse në kohën e kreshnikëve ishte një Ban, që kishte vendlindjen e tij diku atje, në Iliri, pra, ishte Bani i Zadrës, që shkurt quhej Ban Zadrani. Shumë toponime tjera, që do hasim në këngët e kënduara në lashtësi e, ndoshta, edhe nga heroi i ynë Labi, na tregojnë këto të vërteta historike, që ne duhet t`i studiojmë.
Nuk ishte vetëm Zana, për të cilën flitej dhe tregohej në kohën e kreshnikëve, por këtu kemi të bëjmë edhe me shtrirjen e trojeve Ilire, që nga veriu e deri në Jug, pra deri në Junan apo në Greqinë e sotme. Eh, Junani ishte një vend ku shumë shpesh do e shkelte Muji me 300 Agallarët e tij në kohën e kreshnikëve.
Pra ky territor, që sot është i banuar me kroatë, boshnjakë, shqiptarë dhe grekë, në kohën e kreshnikëve, konkretisht në kohën e lavdishme të Muji Bylykbashit dhe Sokol Halilit, paska qenë territor Ilir.

Kalaja e Teutës, iliro-dardane, nga e cila rrjedh emri i Tutin-it të Sanxhakut – Nga XHAFER LECI

Kalaja e Teutës, iliro-dardane,nga e cila rrjedh emri i Tutin-it të Sanxhakut. Teutin-Tutin.
E dhimbshme,në krejt Sanxhakun, nuk ka asnjë rrugë, asnjë objekt, firmë …që mban një emër me mbishkrim në gjuhën shqipe!!!
Isha i shoqëruar nga miqtë e mi, Mr. Naser Bakic -Kelmendi dhe, Safet Ašćerić , inspektor në Komunën e Tutin-it.
Ju faleminderit miqë të mi. Tutin, 29.08.2023

Florim Zeqa: Paraqes publikisht dhe zyrtarisht kandidaturen time për Kryetar të LDK-së

 

Për gazetat dhe portalet në gjuhën shqipe

 

 

-Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së

-Kryesisë Qendrore të LDK-së në Prishtinë

-Degëve dhe Nëndegëve të LDK-së në Kosovë dhe Diasporë

-Elektoratit besnik të LDK-së Rugoviane

 

Kërkesë:

 

I shtyrë nga dashuria e pafundme për vendin tim dhe dëshira e madhe për rikthimin e LDK-së në partinë e parë politike në vend, pa asnjëlloj ambicie pushteti apo privilegji politik, e paraqes publikisht dhe zyrtarisht kandidaturen time për:

 

Kryetar të LDK-së

 

 

 

Arsyetim:

 

Duke e parë katandisjen e partisë drejt greminës së pafund dhe zhgënjimin e thellë të elektoratit të LDK-së ndaj humbjeve të njëpasnjëshme në zgjedgje, unë Florim Zeqa me një veprimtari 36 vjeçare në shërbim të LDK-së, si anëtarë dhe drejtues i strukturave partiake përgjatë viteve të ’90-ta (Nënkryetar i Degës së Forumit Rinor të LDK-së në Klinë) dhe mbështetës i fuqishëm i filozofisë politike Rugoviane edhe nga largësia në emigrim, jam i gatshëm që ta marrë përgjegjësinë e drejtimit të partisë më të vjetër në vend, jo pse kam ambicie personale, por, për të ndihmuar në ngritjen dhe rikthimin e LDK-së në vendin që e meriton.

Për këtë e kam dijen dhe guximin intelektual, aftësitë unifikuese, tolerancën dhe bashkëpunimin me të gjithë që ia duan të mirën LDK-së.

Zotohem para jush se do të punoj me nder dhe përkushtim për LDK-në dhe me dashuri për vendin dhe qytetarët, duke ju garantuar që nga tani e deri në zgjedhjet eventuale të jashtëzakonshme në qershorin e këtij viti, LDK-në do ta kthejë në vendin e dytë, kurse në zgjedhjet e rregullta parlamentare pas katër viteve, LDK-në do ta bëjë ‘Zonje’ të skenës politike kosovare, duke e rikthyer aty ku na e la lideri historik Ibrahim Rugova.

Ky nuk është vetëm premtim dhe deshirë personale, por mundësi reale për të përmbushur kërkesat e elektoratit Rugovian të LDK-së.

Nuk është koha për të identifikuar shkaqe dhe pasoja që na sollën deri në këtë gjendje, e më së paku t’i permendim fajtorët, për arsye së të gjitha na janë të njohura.

Tani kemi nevojë për lidership të ri dhe unitet veprues në konsolidimin e plotë të strukturave të LDK-së përmes një procesi të brendshëm zgjedhor, të rregullt dhe demokratik.

 

Kjo që ofrojë unë nuk është rrugë e re dhe as e vjetër, por është kthim në ADN-në politike të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila për qëllim ka rikthimin e shkëlqimit të tri shkronjave të arta-LDK.

 

Na priftë e mbara!

 

Me dashuri dhe respekt: Florim Zeqa, kandidat për Kryetar të LDK- së.

 

Orsago (TV-Itali), 02.01.2026

 

 

 

 

Biografia e kandidatit per Kryetar te LDK-se, Florim Zeqa

 

 

 

U lind me 30 gusht të vitit 1963 në Bokshiq të Klinës. Shollën fillore e kreu në Grabanicë, të mesmen në Klinë, ndërsa studimet në fakultetin Xehetaro-Metalurgjik në Mitrovicë.

 

Me 11 mars 1982, në përvjetorin e demostratave të vitit 1981, arrestohet nga forcat policore serbe në Mitrovicë.

Në fillim të vitit 1990 e fillon aktivitetin politik në Lidhjen Demokratike të Kosovës, fillimisht si anëtarë, e më pas anëtarë kryesie dhe nënkryetar i Degës së Forumit Rinor të LDK-së në Klinë.

 

Në kohën kur regjimi pushtues serb sulmoi arsimin shqip, si dhe duke i larguar nxënësit shqiptarë nga objektet shkollore, Florim Zeqa emërohet kryetar i Komisionit “Ndihmë me kuadro” për arsimin shqip në komunën e Klinës.

 

Poashtu, ishte një ndër organizatorët e protestave 1989/90. Bashkërezistues në mosndryshimin e emrave të shkolles fillore “Azem Bejta” në Grabanicë dhe të QAMO-s “Luigj Gurakuqi” ne Klinë.

 

Ishte anëtar i strukturave rezistuese, kundër pushtuesit serb, në nivel të B.L të Grabanicës.

 

Punoi si mësimdhënës në shkollën fillore “Azem Bejta” në Grabanicë.

 

Edhe në emigrim, Florim Zeqa vazhdon veprimtarinë atdhetare në organizimin e mërgatës shqiptare në Itali duke u vënë në ballë të shumë nismave e aksioneve humanitare për Kosovë, si:

 

– Iniciator i Peticionit kundër ish- ministrit të punëve të jashtme të Italisë, Lamberto Dini në prill të vitit 1998,

 

– Iniciator i parë për ndihma financiare në Kosovë,

 

– Pjesëmarrës i shumë aksioneve humanitare në ndihmë të popullatës së Kosovës gjatë luftës në Kosovë,

 

– Donator aktiv për disa vite rresht i 3 % dhe i maksi fondit fondit të Qeverisë së Republikës të Kosovës në perëndim (1000 DM),

 

Florim Zeqa ishte përfaqësues i të huajve për 8 komuna në “La Rete Interistiuzionale”, në rajonin e tij ku banon, një organizatë që merret me organizimin dhe mbarëvajtjen e nxënësve të huaj në shkollat italiane.

 

Pastaj, pjesëmarrës në shumë ekspozita multietnike, e, që Kosovën e ka përfaqësuar me dinjitet të madh me vlerat e saja etnike.

 

-Ishte iniciator për krijimin e Lidhjes së Shqiptarëve të Kosovës, e cila kishte për qëllim unifikimin e të gjithë shqiptarëve jo vetëm në provincën e Trevisos, por edhe në nivel regjional e më gjërë.

 

-Iniciativa e fundit ishte themelimi i paraleles së mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Quinto (TV-Itali).

 

Florim Zeqa në shtatorin e vitit 2024 ishte asistues në themelimin e tri prej katër Nëndegëve të LDK-së në Itali.

 

Florim Zeqa krahas aktiviteteve dhe veprimtarisë atdhetare në mërgatë, merret edhe me gazetari dhe publicistikë.

 

Deri më tani i ka mbi 3 mijë shkrime autoriale të botuara në të përditshmet tona si dhe me dhjetra shkrime në gazetat italiane.

 

Përveq gazetarisë dhe publicistikës, Florim Zeqa merret edhe me krijimtari letrare, ku deri më tani i ka 10 libra të botuar, njërin prej tyre edhe në gjuhën italiane. Një libër e ka në fazën e botimit dhe dy të tjerë në përgatitje e sipër.

VIDEO- Mitsotakis fton arvanitasit në Kryeministri dhe këndojnë shqip: Mirë se të na vijë Viti i Ri

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis mirëpriti grupin e këngëtarëve tradicionalë arvanitas në Pallatin Maximos, duke vazhduar traditat festive së bashku me vajzën e tij, Sofia.

Ceremonia u organizua të mërkurën në mëngjes (31 dhjetor) këngëtarët tradicionalë të këngëve të Vitit të Ri në Pallatin Maximos. Këngëtarët nga Shoqata arvanitaser Liosion Ilion, interpretuan këngë tradicionale për Kryeministrin.

Mes këngëve që këndojnë është dhe: “Mirë se të na vijë Viti i Ri. Mirë se të na gjejë”.

Mitsotakis ishte i shoqëruar nga vajza e tij, Sofia, shkëmbyen urime dhe dhurata me artistët, në këtë traditë të ngrohtë dhe festive të Vitit të Ri.bw

Përleshje masive mes grupeve të shqiptarëve dhe maqedonasve, 11 të arrestuar dhe disa të plagosur! Gjenden armë, drogë, shkopinj

Një përleshje e dhunshme mes dy grupeve, shqiptarëve dhe maqedonasve, ka ndodhur në Peruxhia të Italisë, duke përfunduar me disa të plagosur, 11 të arrestuar dhe 2 të tjerë të shpallur në kërkim.

 

Shkak i sherrit duket se ka qenë shkrepja e një fotoje me celular nga një prej të rinjve, që ka sjellë reagimin e grupit tjetër dhe më pas përleshjen masive, ku mes të implikuarve janë edhe disa rumunë.

Policia italiane informoi se 5 prej të dyshuarve janë persona të skeduar, me precedentë të shumtë penalë, kurse një i mitur 17-vjeçar gjithashtu është në arrati. Dy prej autorëve goditën në arrati e sipër me makinë një prej kundërshtarëve, që mori fraktura të rënda.

Ngjarja ndodhi në zonën e San Sisto mbrëmjen e së dielës, në ambientet e një bari. Të gjithë të arrestuarit, të moshës midis 19 dhe 31 vjeç, me origjinë shqiptare, rumune dhe maqedonase, u mbajtën në burgun e Capanne.

Ata janë banorë të rinj të Panicale, Piegaro, Passignano sul Trasimeno, Montegabbione dhe Tavernelle. Sipas rindërtimit të hetuesve, një grup shqiptarësh dhe një grup maqedonasish u përballën me njëri-tjetrin rreth orës 18:45, në një zonë pushimi në Sant’Andrea delle Fratte, ku ndodhet edhe një bar.

“Alarmi u dha mbrëmë nga një raport në numrin e emergjencës 112. Oficerët dhe karabinierët iu përgjigjën vendit të ngjarjes, duke gjetur një numër të madh njerëzish që po ziheshin dhunshëm. Dy të rinj arritën të shpëtonin shpejt me një makinë, por ndërsa iknin, ata goditën një nga sulmuesit. Burri besohet të jetë një burrë 27-vjeçar maqedonas, i cili më vonë u shtrua në spitalin e Perugias me fraktura të shumëfishta në gjymtyrët e poshtme dhe një prognozë 30-ditore”, informon media italiane.

Përforcimet e mbërritura në vendngjarje çuan në 11 arrestime në flagrancë. Kërkimi për dy të arratisurit është duke vazhduar. Hetimet fillestare, të kryera përmes deklaratave të dëshmitarëve dhe analizës së pamjeve të kamerave të mbikëqyrjes, kanë lejuar rindërtimin e origjinës së përleshjes.

Një grindje e shkaktuar nga çështje të parëndësishme (një foto e bërë me një telefon celular) që shpejt u përshkallëzua në një përballje të dhunshme. Karabinierët gjetën dhe sekuestruan disa shkopinj, njëri 65 centimetra i gjatë, si dhe karrige dhe tavolina të përdorura në përleshje.

Një burrë njëzet e tre vjeç shqiptar u përpoq të fshihte çelësin e ndezjes së makinës brenda një vazoje lulesh, një akt që nuk u mbeti pa u vënë re forcave të rendit, të cilat gjetën gjithashtu një dozë 0.6 gramë kokainë. Të gjithë akuzohen për sulm të rëndë. Panorama

SHQIPTARËT KREMTOJNË 113-VJETORIN E PAVARËSISË TË SHQIPËRISË – Fotoreportazh nga IDRIZ ZEQIRAJ

Moderatorja Klodjanë Shkoza-Bala prezantuese brilante

 

      Shoqata e mirënjohur që mbanë emrin e heroit të shumëdashur “Kadri Zeka”, në Kirchheim Teck, në Gjermani, kremtoi përvjetorin e 113-të të Pavarësisë të Shqipërisë  londineze dhe të ngritjes të Flamurit Kombëtar në Vlorën heroike. Shoqata është themeluar më 12 shtator 1992, në Nürtingen, me nismen e veprimtarit të hershëm, Xhafer Leci, kryetar shumëvjeçar i Aktivit të LDK-së, në Kirchheim Teck dhe delegat i Degës në Gjermani. Është një ndër Shoqatat shqiptare më jetëgjata dhe më aktivet në nivel të Gjermanisë dhe më gjerë. Kontributet e saja për Atdheun-Kosovë janë të shumta dhe të shumëllojshme, në veçanti, ato materiale, siç është begatimi i Fondit shtetëror i 3 %-shit dhe aksione tjera në vijimësi, që kalojnë 6 (gjashë) shifrorin në numra.

Organizimi i Shkollës shqipe, ruajtja e kulturës dhe traditave kombëtare, bashkëpunimi me palën vendore, afirmimi i çështjes shqiptare në Gjermani, integrimi në shoqërinë gjermane, kanë qenë pjesë e veprimtarive 33-vjeçare të Shoqatës atdhetare, simpatike humanitare, kulturore dhe artistike “Kadri Zeka”.

Përgjatë tej tri dekadave jetë të kësaj Shoqatë kanë punuar, vepruar dhe kontribuar shumë dhjetëra-qindra veprimtarë të devotshëm dhe mijëra anëtarë mërgimtarë të përkushtuar, Andaj, natyra e këtij shkrimi, nuk na mundëson t`i përmendim me emra masiv. Kufizohemi që në përfaqësim të tyre, të citojmë disa nga veprimtarët që kanë bërë emër dhe janë ende në jetë: Xhafer Leci, në prag të 80 viteve, Faredin Emërllahu, Arban Hoxha, Bedri Islami, Taxhidin Bakija…, ndërsa, tashmë, në amshim: Qemail Morina dhe Hajrullah Matoshi.

Kryesia aktuale e Shoqatës përbëhet nga Taxhidin Bakija, kryetar, Selami Morina, nënkryetar, Ramadan Zeka, sekretar, Fatmir Krasniqi, arkatar, Xhafer Leci, Kryetar Nderi, Hamza Brahimi dhe Islam Shahini, anëtarë kryesie.

I parë në foto kryetari i shoqatës Taxhidin Bakija

 

Manifestimi shënues i Shpalljes të Pavarësisë, hapet me intonimin e Hymnit Kombëtar, me dëgjim të ngritur në këmbë.

Moderatorja simpatike, Klodjanë Shkoza-Bala, gazetare, përshëndet të pranishmit, duke i falenderuar për pjesëmarrjen e tyre fisnike në festimin madhor. Dhe, i fton të pranishmit për nderimin me heshtje të Dëshmorëve, të rënë për çlirim dhe lirinë e Atdheut.

Moderatorja Klodjanë fton në skenë kryetarin e vyeshëm dhe urtak të Shoqatës, Taxhidin Bakiu, për t`i përshëndetur mysafirët e pranishëm, të cilët janë të shumtë në numër, ashtu siç meriton të nderohet Shoqata emër mirë “Kadri Zeka”. Por, ne po sjellim, në këtë shkrim, vetëm ndoca nga përfaqësuesit e zëshëm të disa Shoqatave simotra:

Fatbardha Rama, mësimdhënëse e Shkollës shqipe në Vendlingen; Kolë Merturi e Nami Ramadani, bashkëveprimtarë të Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, heronj të Kosovës; Abit Fazliu, kryetar i Shoqatës “Nëna Tereze” në Göppingen dhe Jahja Gashi, ish-kryetar dhe veprimtar i hershëm; Dr. Rexhep Shala, koordinator me palën gjermane; Nora Gashi-Abedini, kryetare, koreografe e grupit artistik, në Göppingen; Miradije Gashi, veterane e arsimit, poete, shkrimtare dhe veprimtare e hershme e çështjes kombëtare; Gjylije Lecaj, sekretare e Qendrës Kulturore Shqiptare në Stuttgart; Refki Bytyçi, kryetar dhe Sadik Zogaj, Kryetar Nderi të Shoqatës “Kosova”, në Felbach; Gjevdet Nikqi, kryetar i Shoqatës “Dardania”, në Pforzheim; Xhevdet Syla, poet, shkrimtar, ish-kryetar i Shoqatës “Pavarësia”, në Stuttgart; Nue Lekaj, zyrtar në komunën Vernau, përkrahës i aktiviteteve të Mërgatës dhe veprimtar i zellshëm e cilësor i çështjes kombëtare.

 

 Grupi i valltarëve të Shoqatës “Nëna Tereze” të Göppingenit

Grupi artistik i Shoqatës “Nëna Tereze”, i mësuar nga krye valltarja Nora Gashi, mysafirë të kësaj mbremje festive, prezantoi, mjeshtërisht dhe besnikërisht, dy valle nga trevat shqiptare, duke sjellur në skenë, për pak minuta, Atdheun në miniaturë dhe përlotur mërgimtarët e përmallur gjithmonshëm, për Vendlindjen e largët, madje shumë të largët fizikisht, por rrast afër mendjes dhe zemrës. Fëmijët provuan talentin e tyre, me recitimet e poezive të përzgjedhura enkas për festën, nga mësuesja e pasionuar për edukimin e brezit më të ri të mërgimtarëve.

  Kryetari i Nderit, Xhafer Leci, prezanton historikun e Pavarësisë të Shqipërisë

Të dashur bashkatdhetarë dhe ju mysafirë të nderuar,

Sonte jemi tubuar, për ta shënuar së bashku festën më të rëndësishme të historisë tonë kombëtare, 28 Nëntorin të vitit 1912, ditëlindjen e Pavarësisë të Shqipërisë dhe ngritjen e Flamurit Kombëtar. Kjo ditë kishte qenë ëndrra shumë shekullore e shqiptarëve, të pushtuar dhe të sunduar ndër shekuj.  Ketë shpallje e bëri publike, nga ballkoni i një shtëpie dy-kateshe, Plaku i Vlorës, Ismail Qemali së bashku me Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin dhe shumë kombëtarë të tjerë. Më këtë rast, duke ngritur flamurin tonë kombëtar, është mposhtur flamuri osman.

Fajet tona historike:-Ideologu i pavarësisë së Shqipërisë Hasan Prishtina, deri në vitet ’60-a konsiderohej si tradhtar në tekstet e historisë së Shqipërisë, por më pas ai u rehabilitua! Më 6 dhjetor 1977 u zhvillua ceremonia e rivarrimit të eshtrave të tij në qytetin e Kukësit.

Hasan Prishtina, në vitin 1911 kishte mbajtur një fjalim mbresëlënës në Parlamentin turk. Ai mungoi në Shpalljen e Pavarësisë të Shqipërisë, më 1912, ngaqë ndodhej i burgosur në Beograd.

Në 60 vjetorin e Pavarësisë, më 1972, në pllakën përkujtimore, në Sheshin e Flamurit në Vlorë, nuk figuronte portreti i Luigj Gurakuqi, me arsyetimin se ai ka qenë i afërt dhe i dashur me klarin katolik!

Pa mëdyshje, shqiptarët janë të kamotshëm në aspiratat e tyre për liri dhe pavarësi, veçse shumë të vonuar në organizimin e duhur, për t`u përballuar me pushtuesit, të cilët e zëvendësonin njëri-tjetrin, në pushtimet e tyre të trojeve tona të lashta. Pushtuesi i parafundit ishte Perandoria Osmane. Në gjysmën e dytë të shekullit 19-të, në përballjen luftarake të vazhdueshme me Rusinë Cariste, fuqia e saj ushtarake po dobësohej, madje deri në atë shkallë, sa të quhej “i Sëmuri i Bosforit”.

Është thënë dhe përsëritur se shqiptarët janë të vonuar në histori. Përveç disa lëvizjeve lokale e fragmentare, në mbrojtje të kufijve perandorak, nga armiqtë fqinjë, serbë, malazezë, bullgarë dhe grekë, brenda të cilëve ishte Shqipëria Etnike, pra, jo vetëm ajo londineze, si dhe të disa rasteve të kundërshtive të pronarëve, bejlerë dhe agallarë, të brendshëm shqiptarë, kryesisht, zaptues të hapësirave të tokave pjellore, nuk kishte as organizime dhe aq më pak veprime domethënëse për çlirim dhe liri.

Përpjekja e parë serioze organizative shqiptare për luftë, çlirim, liri dhe pavarësi, ishte Lidhja e Prizrenit e qershorit të vitit 1878. Burrat e dheut të Etnikumit shqiptar, ishin trima të mençur, të prirë nga Abdyl Frashëri, ideolog i kësaj Lidhje, i koordinuar me udhëheqës popullor Ymer Prizrenin, vendor, Sylejman Dibra, dibran, ushtaraku Sylejman Vokshi, gjakovar, me ushtarët e tij. Qëllimi i tyre fisnik ishte organizimi i kryengritjes të parë në Veriun e Shqipërisë, respektivisht, Kosovën e sotme. Por, për shkaqe të dobësive të mobilizimit në jugun e Shqipërisë, pengesave subjektive, përvojave të pakëta, kryengritja dështoi dhe robëria vazhdoi.

Rrjedhojat: Fuqitë e Mëdha, nën presionin e Rusisë Cariste, në Kongresin e Berlinit, më 1878 injoroi kërkesën e shqiptarëve, dhe Kancelari Otto von Bismarck pretendoi se një komb shqiptar as nuk ekzistonte. Kancelari i Perandorisë Gjermane, Otto von Bismarck, mbajti marrëdhënie të ngushta me gratë, gjatë gjithë jetës së tij. Lidhja e tij me Princeshën ruse Katharina Orlov pothuajse për pak i kishte kushtuar me jetën. Shqiptarët nuk njiheshin si komb arbërorë-shqiptarë por si arnavut (Arnavudluk)

Në Konferencën e Londrës 1913 dhe të Parisit, bënë  pazare të pista me tokat shqiptare, duke shpërblyer: Serbinë, Malin e Zi, Greqinë, duke u dhënë: Hotin, Grudën, Malësinë e Madhe, Sanxhakun, Kosovën Lindore, Epirin, Iliriden!

Çuditërisht, Evropa nuk kishte ushtri në trojet shqiptare më 1878 , madje as më 1912!

Lufta kundra Osmane filloi të zgjerohej, sidomos në Veriun shqiptar. Ky organizim iu imponua shqiptarëve, nga pafuqia e “turqve të rinj”, për të mbrojtur kufijtë shqiptar, nga fqinjët lakmitarë, si: Serbia, Mali i Zi, Greqia, Bullgaria, të cilët kishin oreks të shtuar, për të pushtuar tokat shqiptare!

Shqiptarët asnjëherë nuk harrojnë ndihmat në fusha të ndryshme të vendeve mike për çlirimin e Shqipërisë dhe Kosovës, siç janë; Austria, Amerika, Gjermania e vende tjera mike të shqiptarëve.

Pa Shqipërinë e Pavarur nuk do kishim as Kosovën e Pavarur. Lavdi dhe nderim të përjetshëm për burrështetasit, nga Ismail Qemali dhe Ibrahim Rugova, me atdhetarët tjerë si dhe luftëtarët heroikë, përgjatë shekujve, të cilët i kontribuuan çlirimit, lirisë dhe shpalljes të pavarësisë të Shqipërisë londineze dhe një pjesë të Dardanisë, respektivisht, Kosovës dardane.

E gëzofshim për jetë e mot Pavarësinë e Shqipërisë!

 

Ish-kryetari i “Shoqatës “Pavarësia”, në Stuttgart, veprimtar i shquar, Xhevdet Syla, recitoi krijimin e tij poetik,”Kur koha më flet me emrin tënd, Shqipëri”.

Këngëtarët Lirije Morina e Dukagjin Kastrati, në shoqërimin e sintistit muzikor, Fatmir Jashari, kënduan, argëtuan, vallëzuan dhe gëzuan së bashku me mërgimtarët, deri në mesnatën e vonshme. Manifestimet kulturore dhe artistike në Mërgatë, për ndryshim nga rrethet familjare në Atdhe, shtrihen në tërë gjeografinë e etnikumit shqiptar.

Fotografitë janë realizuar nga mjeshtri i kamerës – Gani Kryeziu.

Moderatorja Klodjanë Shkoza-Bala, duke e mbyllur programin festiv, felenderon dhe uron me përzemërsi pjesëmarrësit: Gëzuar festat e Nëntorit të madh!

Mërgimtarët festojnë dhe vallëzojnë

Send this to a friend