Të dielën e 25 prillit rreth 3 milionë e 600 mijë shqiptarë me të drejtë vote janë thirrur në votime për të zgjedhur 140 deputetët e Parlamentit të ardhshëm. Për të ushtruar të drejtën e votës, zgjedhësit do të duhet të paraqiten në 5199 Qendra Votimi.
Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor përcakton se Shqipëria ka një sistem zgjedhor proporcional rajonal, ku në secilin prej 12 qarqeve të vendit prodhohen mandate, bazuar në popullsinë e secilit Qark. Qarku Kukës është ai që nxjerr më pak deputetë, vetëm 3. Ndërkohë që nga Tirana, e cila ka dhe numrin më të madh të popullsisë në vend, përftohen 36 mandate ligjvënësish.
Në këto zgjedhje parlamentare, do të garojnë 1841 kandidatë për deputetë, që përfaqësojnë 12 parti, koalicione zgjedhore e kandidatë të pavarur.
Pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, zgjedhjet e 25 Prilli, sjellin risi. Në të njëjtën Fletë Votimi Zgjedhësit do të duhet të votojë për partinë dhe kandidatin preferencial për deputet, që në Fletën e Votimit do të identifikohet nga një numër e jo emri i tij.
Ligji saktëson se së pari numërohen votat për subjektet zgjedhore e më pas, për kandidatët për deputetë. Lista fituese e kandidatëve për deputetë pas numërimit të votave për partitë, mund të thyhet vetëm nëse një kandidat që renditet poshtë vijës së kuqe ka marrë më shumë preferenca se mesatarja e votave të partisë.
Për herë të parë në Shqipëri do të aplikohet teknologjia në zgjedhje. Në çdo Qendër Votimi do të jenë të instaluara pajisje elektronike, të cilat do të kryejnë identifikimin elektronik të zgjedhësve. Një mjet ky i cili do të mundësojë shmangien e votimit të dyfishtë, votimit familjar apo votimit për një person tjetër. Ndërkohë në Zonën Administrative Zgjedhore Nr. 40, e cila përkon me Njësinë Administrative Nr. 10 në Tiranë, do të zbatohet projekti pilot për votim dhe numërim elektronik. Votuesit do të votojë në pajisjen elektronike si për subjektin politik, ashtu edhe për kandidatin preferencial.
Zgjedhjet e së dielës kanë tërhequr vëmendjen e faktorit ndërkombëtar, që do të jenë të angazhuar në vëzhgimin e tyre. Vëmendja do jetë kudo, por të ashtuquajtura zona të nxehta do tërheqim më shumë syrin e vëzhguesve ndërkombëtarë, për të cilët standardet e zgjedhjeve mbizotërojnë mbi gjithçka.
Zgjedhjet e 25 Prillit do të zhvillohen në kushte tejet të veçanta, për shkak të pandemisë së COVID-19. E për këtë çdo votues do të duhet të jetë iu pajisur me mjetet mbrojtëse. Ndërkohë që çdo pjesëtar i Qendrave të Votimit apo edhe ata gjatë numërimit, do duhet të jetë i pajisur me këto mjete mbrojtëse.
As në këto zgjedhje, qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit nuk do të mund të votojnë. Votimin e tyre, politika ia la në dorë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por ky mbeti vetëm një projekt në letër dhe faji për dështimin mbeti rrugëve.
35.59% pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 14:00 në rang vendi
Ora 14:45- Deri në orën 14:00 pjesëmarrja në votime raportohet të jetë 35.59% në rang vendi. Janë 2034 Qendra Votimi që kanë raportuar nga 5199 në total. Dibra është qarku me pjesëmarrjen më të lartë me 41.34 %, më pas vjen Tirana. E fundit është Vlora që raporton një pjesëmarrje të ulët.
Whatsapp Image 2021 04 25 At 14.48.55
Ja pjesëmarrja deri në orën 13:00
Ora 13:40- Deri në orën 13:00, pjesëmarrja e votuesve në rang vendi është 31.87%. Gazetarja Marsela Karapanço raportoi për “BalkanWeb” se këto të dhëna janë nxjerrë nga raportimi i 65 Qendrave të Votimit nga 5199 në total. Kukësi është qarku me pjesëmarrjen më të lartë deri tani me 38.69%, Dibra qarku i dytë me 36.85%, më pas Tirana me 35.59%, ndërsa qarku i Vlorës me pjesëmarrjen më të ulët deri tani me 22.58%.
Pjesemarrja 13
“Problemet teknike të trajtohen në bashkëpunim me KQZ”, Celibashi apelon: Komisionerët të jenë të qetë, të mos ndikohen nga faktorë të jashtëm politikë!
ORA 12:25 Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka bërë një apel për komisionerët e të gjtiha Qendrave të Votimit në vend. Përmes një statusi në “Twitter”, Celibashi thekson se atmosfera e punës së komisionerëve duhet të jetë e qetë dhe e pandikuar nga faktorët e jashtëm politik.
Më tej ai thekson se trajtimi i problematikave teknike të bëhet me të gjitha palët politike dhe me KQZ, pasi nënvizon se është mënyra e vetme për të zgjidhur problemin.
“Atmosfera e punës së komisionerëve duhet të jetë e qetë dhe e pandikuar nga faktorë të jashtëm politikë. Ti lemë të qetë të bëjnë punë e tyre. Trajtimi i problematikave teknike në bashkëpunim me të gjitha palët politike dhe me KQZ, mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemit”, tha Celibashi.
Denoncon Kryemadhi: Në QV 1824 vëzhguesit e LSI të vulosura dhe të plotësuara për PS në dhomën e fshehtë, pezullohet procesi
ORA 12:17 Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka denoncuar një parregullsi në procesin e votimit në Qendrën 1824 tek Njësia 5. Kryemadhi deklaroi se nga vëzhguesit e LSI janë kapur dy fletë votimi të vulosura dhe të plotësuara për PS, të vendosura në dhomën e fshehtë.
Pas kësaj është njoftuar KZAZ dhe është pezulluar procesi i votimit. Pritet të sekuestrohen pamjet e kamerave të sigurisë për të parë nëse fletët e votimit janë harruar apo i kanë futur vetë dhe më pas nga Kryemadhi paralajmërohet denoncimi penal.
Përplasje mes simpatizantëve të tre forcave politike në Memaliaj, i pranishëm dhe ministri Çuçi
ORA 12:10 “BallkanWeb” ka siguruar pamjet nga një përplasje që ka ndodhur mes simpatizantëve të tre forcave politike, PD, LSI dhe PS. Gazetarja Brikena Metaj, raporton se simpatizantët e PD dhe LSI kanë filmuar votuesit e Partisë Socialiste dhe ky ka qenë shkaku i konfliktit. Mes të pranishmëve në konflikt ka qenë edhe Arianit Arapi, ish-drejtor policie në DPQGJ, aktualisht pjesë e stafit të fushatës të ministrit Blendi Çuçi, ky i fundit i ndodhur në vendngjarje gjatë konfliktit të simpatizantëve.
Incidenti në Divjakë, procedohen penalisht dy kandidatë të PD dhe 18 simpatizantë. Policia: Edhe pas thirrjeve për t’u larguar, bllokuan rrugën
ORA 12:02 Procedohen penalisht dy kandidatë të PD në qarkun e Fierit si dhe 18 simpatizantë. Enkelejd Alibeaj dhe Saimir Korreshi bashkë me 18 simpatizantët janë proceduar penalisht nga policia pas përplasjeve të ndodhur ditën e djeshme në Divjakë. Sipas policisë, edhe pas thirrjeve që ju bëri Policia për t’u larguar, këta persona bllokuan rrugën.
Ambasada e SHBA ndan fotot nga grupet e monitorimit: Ne do të jemi duke vëzhguar! Sot është dita juaj!
ORA 11:41 Ambasada e SHBA në Tiranë ka publikuar në facebook, foto nga ekipet e monitorimit të tyre në terren të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri.
“Sot është një ditë e rëndësishme për demokracinë në Shqipëri! Ekipet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë shpërndarë sot në të gjithë Shqipërinë, për të vëzhguar procesin e votimit dhe numërimit.
Ja disa prej fotove që kemi marrë nga ekipet tona! Ne do të jemi duke vëzhguar! Sot është dita juaj!” shkruhet në një status të ambasadës në facebook.
Zgjedhjet parlamentare në vend, ja sa është pjesëmarrja e qytetarëve deri në orën 11:00
ORA 1:40 Deri në orën 11:00 janë 20.06% e votuesve shqiptarë që kanë votuar në rang vendi.
Gazetarja Marsela Karapanço, raportoi për “News 24” dhe “Balkanweb”, se përqindja më e lartë e votuesve është në Qarkun e Tiranës, ku kanë votuar 22.34 % e qytetarëve , ndërsa më e ulët raportohet në Vlorë me 14.64%. Në Qarkun e Gjirokastrës kanë votuar 17.03% e zgjdhësve. Pas Tiranës pjesëmarrjen më të lartë e ka Elbasani, pastaj Durrësi.
Fotografoi votën, arrestohet 30-vjeçari në Tiranë, bllokohet përkohësisht procesi i votimit tek shkolla “Çajupi”
ORA 11:36 Më datë 25.04.2021, rreth orës 10:10, është marrë njoftim nga Komisioni i Qendës së Votimit Nr. 1767, e cila ndodhet në shkollën “Andon Zako Çajupi” se është bllokuar përkohësisht procesi i votimit, pasi nga anëtarët e Komisionit është konstatuar një shtetas që po fotografonte votën e tij.
Me vendimin Nr. 1 të datës 25.04.2021, të Qendrës së Votimit, është kërkuar ndihma e Policisë së Shtetit.
Pas marrjes së vendimit, shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë hyrë brenda qendrës dhe nga kryerja e veprimeve të para ka rezultuar se shtetasi G. S., 30 vjeç, pasi është regjistruar, ka marrë fletën e votimit dhe ka shkuar tek dhoma e fshehtë. Pasi ka kryer veprimet, ka fotografuar votën e tij dhe ky veprim është parë nga anëtarët e Komisionit.
Shtetasit G. S. i është bllokuar fleta e votimit dhe më pas nga sherbimet e Policisë është bërë shoqërimi i tij në ambientet e Komisariatit, për veprime të metejshme hetimore.
Në përfundim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. S., 30 vjeç, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votës”.
Një person i paautorizuar shoqëronte qytetarët për të votuar, sekretarja e QV në Elbasan ndërpret procesin, situata zhbllokohet pas 40 minutash
ORA 11:24 Një person i paautorizuar shoqëronte qytetarët për të votuar, sekretarja e QV në Elbasan ngre alarmin, ndërpreu për 40 minuta procesin. Një incident është regjistruar në Qendrën e votimit 23, 71/ 1 në qytetin e Elbasanit.
Sekretarja e kësaj qendre, e cila i përket Partisë Demokratike, ka kërkuar ndërprerjen e procesit, pasi sipas saj, një person i pa autorizuar shoqëronte qytetarët për të votuar. Procesi ka ndalur për 40 minuta dhe tanimë pas zgjidhjes së problematikës ka rinisur normalisht. Kreu i KZAZ, z. Pulaku, në një prononcim për gazetaren e “Neës 24”, Klodiana Lala, tregoi dinamikën e incidentit. “Morëm një telefonatë nga 21 71/1 sepse kishim raportime që futeshin njerëz dhe shoqëronin persona në qendrat e votimit. Sekretarja e PD thërriti instancat më të larta për të zgjidhur çështjen.
“Kjo është një ditë e madhe për Shqipërinë”, PD thirrje shqiptarëve: Dilni për të votuar dhe për të vendosur
ORA 11:09 Përmes zëdhënëses së fushatës, Floriana Garo, PD apeloi edhe një herë shqiptarët të dalin të marrin pjesë në votime.
“Falenderojmë nga zemra gjithë qytetarët e Shqipërisë që sot marrin përgjegjësinë për fatin e tyre dhe dalin për të votuar. Një herë në katër vjet ne kemi mundësinë të vendosim për rrugën që do të ndjekë vendi ynë në 4 vitet e ardhshme. Qytetarë shqiptarë, dilni për të votuar dhe për të vendosur. Kjo është një ditë e madhe për Shqipërinë dhe për demokracinë tonë.
Ndodh në Durrës/ Ndryshimi i vendbanimit për shkak të tërmetit, qytetarët nuk gjejnë emrat në lista, nga mëngjesi 80 raste
ORA 11:09 Një problematikë me votimin është shfaqur në zonën e Plazhit në Durrës. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se KZAZ 22 në disa Qendra Votimi ka pasur qytetarë që nuk kanë gjetur emrat në lista ose u është ndryshuar qendra e votimit.
Kjo është zona më e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit dhe shumë qytetarë kane ndërruar vendbanimet. Nga mëngjesi deri tani ka pasur rreth 80 raste të tilla. Qytetarët janë orientuar ku e kanë qendrë dhe kanë shkuar kanë votuar. Aktualisht vijon procesi normalisht.
“Problemet teknike të mos karakterizohen si politike”, Celibashi thirrje komisionerëve politikë: Respektoni përgjegjësitë tuaja, nëse i bëni bisht do përballeni penalisht
ORA 11:04 Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, foli mbi problematikat e pajisjes elektronike, që bën të mundur dhe identifikimin e zgjedhësve.
Celibashi tha se në të gjithë vendin vetëm në 142 qendra votimi paraqitet ky problem, ndërsa shtoi se 120 prej tyre, po e vijojnë procesin e identifikimit në mënyrë manuale.
Celibashi tha se problemet teknike nuk duhet të karakterizohen si politike dhe i bëri thirrje komisionerëve politikë që të respektojnë përgjegjësitë e tyre, ose në të kundërt, do të përballen penalisht.
“Sipas informacioneve që ka KQZ, janë vetëm 142 në qendra votimi, në të cilat procesi i verifikimit po bëhet manualisht. Për rreth 120, kjo për faktin se operatorët nuk u paraqitën në vendin e votimit, në 40 raste nuk arritëm të gjenim operatorë për të përdorur pajisje. Ajo që është për tu evidentuar është fakti që në 142 qendra votimi procesi i identifikimit po bëhet në mënyrë manuale.
E vërteta është që kemi pasur disa probleme të karakterit teknik. Në pritshmërinë tonë kanë qenë më të mëdha këto probleme, sepse sistemi përdoret për herë të parë në Shqipëri dhe në kohë të shkurtër na është dashur ta implementojmë këtë projekt. Ka pasur disa probleme, që më së shumti vijnë nga niveli i ulët i dijeve nga operatorët dhe lidhet me printimin.
Edhe në rastet kur pajisja nuk printon në mënyrë korrekte pamjen e votuesit, procesi duhet të vazhdojë. S’ka arsye për faktin që printeri nuk funksionon të mos përdoret pajisja. Kanë qenë mbi 5 mijë telefonata nga operatorë në lidhje me problematikës së identifikimit elektronik, kanë marrë zgjidhje. Dua t’iu bëj një thirrje drejtuesit dhe përfaqësuesit e partive që kanë anëtarë në QV, këta anëtarë të respektojnë përgjegjësitë e tyre, nuk ka asnjë arsye që edhe për probleme të vogla teknike, t’i kategorizojnë të arsyes politike. Kushdo komisioner do t’i bëjë bisht dhe largimin nga detyra, do të ketë përgjegjësi penale.
Në ato raste në të cilat pajisja e identifikimit elektronik nuk ka funksionuar mirë ose ka pasur probleme ne kemi udhëzuar komisionerët që të kontaktojnë me KQZ dhe në rast se do ketë mosfunksionim të pajisjes janë marrë të gjitha masat që pajisja të zëvendësohet. Deri në momentin e zëvendësimit të pajisjes komisioni duhet të presë dhe nëse nuk është i mundur ata duhet të bëjnë procesin e identifikimit të zgjedhësit në mënyrë manuale. ”, tha Celibashi.
Zgjedhjet/ Kryesuesja e vëzhguesve të ODIHR: Vëmendja i dedikohet ditës së zgjedhjeve, por për ne si mision është vetëm një pjesë e procesit
ORA 10:55 Ambasadorja Ursula Gacek e cila kryeson Misionin e Kufizuar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri ndaloi për një vëzhgim në qendrën e votimit nr. 1729/1730 tek Liceu Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Në një prononcim për mediat, znj. Gacek u shpreh se në fokus të misionit nuk është vetëm dita e zgjedhjeve por në tërësi procesi zgjedhor në Shqipëri.
“Mbase duhet t’ju shpjegoj pse jam këtu. Misioni i dedikohet mbarëvajtjes së fushatës elektorale. Jam në Shqipëri prej datës 17 mars. Gjitha vëmendja i dedikohet ditës së zgjedhjeve, po për ne si mision është vetëm një pjesë. Fokusi i vëzhgimit të fushatës në tërësi, paregullsitë gjatë saj, sjellja e kandidatëve.
Vetë unë do të vëzhgoj një numër të vogël qendrash votimi, anëtarë të tjerë janë shpërndarë në të gjithë qarqet e Shqipërisë.
Nga Tirana, ambasadori Soreca shkon në Elbasan, interesohet për procesin dhe identifikimin elektronik
ORA 10:53 Ambasadori i BE-së Luigi Soreca nga Tirana ku vëzhgoi procesin në shkollën Dora d’Istria ka shkuar në Elbasan. Soreca ka qenë në një Qendër Votimi ku pasi ka përshëndetur qytetarët ka hyrë brenda për të zhvilluar një bisedë me komisionerët. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” ai është interesuar për procesin dhe ka pyetur për pajisjen e identifikimit elektronik të votuesve.
Zgjedhjet/ Në një QV në Cukalat të Beratit nuk ka ende votim. Dy denoncime nga opozita
ORA 10:47 Me disa problematika paraqitet votimi në Berat. Gazetarja Eneida Petova raportoi për “BalkanWeb” se në Qendrën e Votimit 3337 në fshatin Çetë në ish-komunën Cukalat nuk ka filluar ende procesi i votimit. Komisionerët nuk gjejnë kartën e pajisjes elektronike që verifikon kartat e identitetit. Për këtë problem është njoftuar KQZ dhe pritet të merret një vendim për të filluar procesi pa pajisjen elektronike.
Problematika për pajisjen elektronike ka pasur dhe në qytetin e Beratit. Kandidati i LSI Ardit Çela ka denoncuar se një qytetar në Tërpan ka shkuar për të votuar në KZAZ 67, Qendra e Votimit 3370 shkolla 9-vjeçare Tërpan, por sistemi e ka nxjerrë sikur ka votuar dy herë ndërkohë që nuk e ka ushtruar asnjëherë të drejtën e tij.
Nga kandidati i PD Tomor Alizoti një tjetër denoncim se një vëzhgues i PD është dhunuar.
“Një vëzhgues i PD në KZAZ 65 në Berat është dhunuar fizikisht. Arben Mpeshtanaku është dhunuar. I bëj thirrje bandave të Klosit që të
Rama voton në shkollën e Surrelit, i shoqëruar nga bashkëshortja: Demokracia nuk është sport me spektatorë, zbrit në fushë dhe voto
ORA 10:28 Kryeministri Edi Rama është shfaqur në orën 10:25 në shkollën e Surrelit për të votuar. Rama e është drejtuar Qendrës së votimit bashkë me bashkëshorten Linda Rama.
“Demokracia nuk është sport me spektatorë, zbrit në fushë dhe voto”, shkruan Rama. E para ka votuar bashkëshortja e tij Linda Rama dhe më pas kryeministri.
Meta nga Elbasani: Prokuroria dhe Policia të marrin masa, të parandalojnë çdo incident. Qytetarët të dalin e votojnë të lirë në këtë ditë historike për vendin!
ORA 10:18 Pas takimit që zhvilluan në një nga hotelet në qendër të qytetit të Elbasanit, me drejtuesin politik të PD në Qarkun e Elbasanit, Gazment Bardhi, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i shoqëruar nga ish-ministri Edmond Panariti dhe zëdhënësi i tij Tedi Blushi, ka dhënë një deklaratë për mediat.
Meta theksoi se me Bardhin diskutoi mbi ngjarjen e ndodhur disa ditë më parë, ku i vrarë mbeti Pjerin Xhuvani.
Presidenti tregoi se në lidhje me këtë çështje do të merret vetë personalisht dhe i bëri thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë në këtë ditë historike.
“Kujt nuk i pëlqen dy gishtat mbaj dhe grushtin, dy gishtat janë të demokracisë, të fitores së kushtetutës, vendosmërisë për të forcuar themelet e Republikës përmes votës së lirë dhe të barabartë. U njoftova që kishte disa probleme teknike, do të njoftojmë edhe KQZ të marrim masa. Sapo folëm në telefon me zotin Soreca dhe i kërkova që të parandalojmë çdo incident që mund të dëmtojë atmosferën në Elbasan dhe arsye ka. Duke iu referuar dhe ngjarjes së rëndë në Elbasan. Unë thërrita zotin Bardhi si përfaqësues i opozitës. E pyeta nëse e ka thërritur Prokurori për kallëzimin që ka bërë, ai është i gatshëm të shkojë në Prokurorinë e Elbasanit.
Veliaj voton te Parku Olimpik: Një ditë e bukur për të votuar. Njerëzit duan qytetarinë, jo dhunën e sherrin
ORA 10:00 Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili në këto zgjedhje drejtoi qarkun e Tiranës për Partinë Socialite, votoi së bashku me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa ne Parkun Olimpik.
Pas votimit, në një deklaratë për mediat, Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë, sepse vota është më e fortë se zhurma dhe plumbat.
“Patëm shumë çudira, por them se çdo gjë është mirë që përfundon mirë. Kemi një shans historik që kjo të përfundojë mirë. Është një ditë e bukur, njerëzit kanë dalë masivisht. Kam besuar se shumica e njerëzve e do qytetarinë, nuk e do dhunën, nuk do sherrin, nuk do rrëmujën, do familjen, respekton qytetin e tij.
Kemi mundësinë që sot ta përfundojmë mirë historinë zgjedhjeve. Unë dhe Ajola jemi shumë të lumtur që shohim familje të kapur prej duarsh, burra e gra që po votojnë si të ishte një ditë vere. Edhe ne do ta trajtojmë si një ditë feste, si me qenë dita e verës. Abraham Lincoln e thoshte shumë bukur ‘Vota është më e fortë se plumbat, vota është më e fortë se dhuna, vota është më e fortë se zhurma’”, u shpreh Veliaj.
Presidenti Meta zbret në terren, mbërrin në Elbasan për të ndjekur procesin e votimit (Foto)
ORA 09:51 Presidenti i Republikës Ilir Meta ka zbritur në terren në ditën e zgjedhjeve. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se Kreu i Shtetit ka mbërritur në Elbasan për të ndjekur procesin e votimit. Ndërkohë që dhe këshilltarët e tij janë shpërndarë në tre qarqe.
Dalin jashtë funksioni dy nga pajisjet elektronike në Qarkun e Fierit, ndërpritet përkohësisht procesi i votimit
ORA 09:51 – Ka ndaluar përkohësisht procesi i votimit në dy Qendra Votimi në Qarkun e Fierit, më konkretisht në njësinë e Kumanit dhe Libofshës.
Gazetari Ervis Kuçi, raporton për “BalkanWeb”, se në qendrën e votimit 36, 36 në Kuman, ka dalë jashtë funksioni pajisja elektronike dhe po pritet ardhja e teknikëve për të zgjidhur problemin.
Gjithashtu e njëjta problematikë është shfaqure edhe në Libofshë, ku në Qendrën e Votimit me numër 31, 91, pajisja elektronike nuk ka funksionuar as në mënyrë manuale.
“Ndodhem në Kuman, paranë disa mjediseve të kësaj qendre është votuar 36, 36 procesi i votimit, pasi pajisja elektronike që automatikisht duhet të nxjerrë të dhënat e personit të printuar nuk ka funksionuar. Ka ndalur procesi, pasi po pritet ardhja e teknikëve për ta zgjidhur problemin. I njëjti problem me pajisjen identifikuese, ka bllokuar procesin në Libofshë, aty ku në qendrën me numër 31, 91, ku është bllokuar procesi pasi pajisja identifikuese as manualisht nuk ka funksionuar”, tha gazetari.
Prishet pajisja e identifikimi elektronik në një qendër votimi në Durrës, ndërpritet procesi për 30 minuta
ORA 09:44 Prishet pajisja e identifikimi elektronik në një prej qendrave të votimit në Durrës.
Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se në qendrën e votimit nr. 1472 në universitetin ‘Aleksandër Moisiu’ është prishur pajisja e identifikimit elektronik të votuesve.
Sipas gazetares Dorjana Bezat procesi i votimit në këtë qendër u ndërpre për rreth 30 minuta derisa u bë zëvendësimi i pajisjes së identifikimit elektronik.
Zgjedhjet parlamentare, ja pjesëmarrja e qytetarëve dy orë nga hapja e qendrave të votimit
ORA 09:32 Në 757 nga 5199 Qendrat e Votimit në të gjithë vendi, deri në orën 09:00 kanë votuar 7.36 % e qytetarëve, e përkthyer në 61.439 qytetarë.
Gazetarja Marsela Karapanço, raportoi për “News 24” dhe “Balkanweb”, se përqindja më e lartë e votuesve është në Qarkun e Tiranës, ku kanë votuar 8.36 % e qytetarëve , ndërsa më e ulët, në Qarkun e Vlorës, ku kanë votuar 5.24 %.
“Kanë dalë numri i votuesve në këto momente, deri në 9, 7.36 %. Deri në këto momente flasim për pjesëmarrjen më të madhe në Tirana me 8.36 % dhe pjesëmarrja më e ulët në Vlorë, me 5.24 %”, u shpreh gazetarja.
KQZ: Në 230 Qendra Votimi problematika me aparaturat, procesi në dinamikë
Ora 09:30- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se deri tani procesi i votimit po vijon normalisht.
Zëdhënësja e KQZ Drilona Hoxha tha se nuk ka pasur asnjë problem për shpërndarjen e bazës materiale, teksa në 230 qendra votimi ka pasur problematika me aparaturat.
“Nuk kemi pasuar një problem, as për bazën materiale. Qendrat e Votimit kanë qenë të pajisura me bazën materiale. Lidhur me numrin e operatorëve që do të përdorin pajisjen e identifikimit elektorin, ka pasur disa QV që nuk kanë qenë të pajisura me operatorë, në zona të thella, ku infrastruktura ka qenë e vështirë. Në këto QV nuk ka ndonjë problematikë sa i përket procesit të votimit. Pasi procesi i votimit në këto raste vijon sipas procedurave manuale. Procesi është në dinamikë. Ka pasur disa problematika në disa QV, nga 5199, 230 QV që ka pasur problematika ndoshta dhe për shkak të presionit, ndoshta dhe për shkak të mosardhjes në trajnime të komisionerëve për përdorimin e aparaturave.
Ambasadori britanik vëzhgon zgjedhjet në Durrës: Thirrje qytetarëve të votojnë
ORA 09:27 Të gjithë ambasadorët e akredituar në Tiranë janë shpërndarë në rrethe të ndryshme të vendit për të vëzhguar procesin zgjedhor.
Ambasadori i Britanisë së Madhe Dunkan Norman ndodhet në Durrës, në Qendrën e Votimit 1494 tek Pallati i Kulturës për të parë nga afër votimin.
Ai iu ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë atë që ata mendojnë. Dunkan tha se grupet e vëzhguesve janë në teren dhe po operohet siç është vendosur më herët. BE ka 60 grupe vëzhguesin në terren.
Ambasadorja Yuri Kim thirrje qytetarëve nga Shkodra: Sot është dita juaj, shkoni dhe votoni të lirë
ORA 09:21 Nga Shkodra, ku ka shkuar për të monitoruar procesin e votimit, Ambasadorja Amerikane Yuri Kim, ka bërë thirrje për qytetarët. “Çdo qytetar shqiptarë të ketë mundësinë të votojë i lirë. Kjo është dita juaj”, tha ambasadorja amerikane. Sakaq, pritet që Ambasadorja Yuri Kim, të monitorojë procesin e votimit në Shkollën e Mesme “28 Nëntori” në qytetin e Shkodrës.
Albin Kurti voton për herë të parë në Shqipëri: Dita e zgjedhjeve është ditë e demokracisë
ORA 09:06 Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka votuar sot për herë të parë për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Kurti votoi në kopshtin 31, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Në qarkun e Tiranës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kandidon si i pavaruar, Bojken Abazi. Po ashtu, LVV ka garues edhe në Gjirokastër e Lezhë.
“Dita e zgjedhjeve është ditë e demokracisë, i ftoj qytetarët që të respektojnë Atdheun duke votuar dhe duke bërë zgjedhjen më të mirë sipas parimeve. Dita është e bukur, me diell, e diel dhe do jetë deri në mbrëmje.” u shpreh Kurti në një prononcim për mediat.
Basha thirrje qytetarëve: Sot ditë historike për kombin. Dilni e votoni masivisht për fëmijët dhe familjen!
ORA 09:05 Fill pasi votoi në Njësinë numër 8 në kryeqytet, në prani të votuesve për herë të parë, kryedemokrati Lulzim Basha u ndal për një prononcim për gazetarët e pranishëm. Basha tha se dita e sotme është historike për vendin. Ai i bëri thirrje qytetarëve të dalin e të votojnë masivisht, për kombin dhe demokracinë.
“Sot është një ditë e mrekullueshme për vendin tonë, është një ditë historike, është dita kur të gjithë ne kemi fuqinë në dorën tonë, të gjithë shqiptarët kanë fuqinë në dorën e tyre, të gjithë ju keni në dorë fuqinë tuaj, për fëmijët tuaj, për familjet tuaj, për vendin, për kombin. Sot është dita të dilni dhe të votoni masivisht. Të dilni dhe të bëni me votën tuaj, të mundur të ardhmen që dëshironi për familjen, për vendi tuaj dhe për veten tuaj.
Sot është dita e Shqipërisë, është dita e demokracisë. Dilni masivisht dhe hidhni votën tuaj. Jam i lumtur që votën time e kam hedhur sot, në praninë e votuesve për herë të parë këtu në lagjen ku kam lindur dhe ku jam rritur dhe i bëj thirrje çdo djali dhe çdo vajze, çdo burri dhe çdo gruaje. Dilni masivisht dhe votoni! Kjo është dita juaj, është dita e demokracisë, është dita e Shqipërisë. Faleminderit! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, tha Basha.
Soreca ndjek nga afër procesin në shkollën Dora d’Istria në Tiranë: Ka shumë njerëz që po ndjekin zhvillimet nga jashtë Shqipërisë
ORA 08:53 Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca ka qenë sot në shkollën “Dora d’Istria” në kryeqytet për të parë nga afër procesin e votimit. Ambasadori Soreca ka pyetur komisionerët për procesin e deritanishëm dhe iu ka uruar punë të mbarë. Ndërkohë ai iu kujtoi se ka shumë njerëz nga jashtë Shqipërisë që po ndjekin zhvillimet duke iu kërkuar të bëjnë sa më mirë punën e tyre.
“Ne do të jemi të pranishëm në të gjithë Shqipërinë por do doja ta fillonim ditën këtu me një këtë sistem të ri votimit. Ne do të shikojmë punën tuaj. Dëshiroj që ta dini që ka shumë njerëz që po ndjekin zhvillimet nga jashtë Shqipërisë. Nuk është se dua t’ju vë në presion, por pak që ta kuptoni që punën tuaj ta bëni sa më mirë”, deklaroi Soreca.
Voton famullitari i Kishës Ortodokse në Shkodër, mesazh për qytetarët: Dilni masivisht, vota është e shenjtë. Lus Zotin të mos ketë incidente!
ORA 08:30 Drejt Qendrave të Votimit, për të votuar për qeverinë e re, është drejtuar famullitari i Kishës Ortodokse në Shkodër, Atë Nikolla Petani. Pas hedhjes së votës në kuti, në Shkollën 9-vjeçare “Mati Logoreci”, Atë Nikollë Petani ka dhënë një mesash për të gjithë qytetarët e Shkodrës, e më gjerë. Ai ka thënë që në votime të marrin pjesë masivisht dhe të ruhet qetësia.
Atë Nikolla Petani e ka ndaluar kategorikisht fenomenin e shit-blerjes së votës, duke thënë që është e papranueshme. “Edhe unë si qytetar i Shqipërisë, erdha shpreha mendimin tim për sa i përket zgjedhjeve të reja që po bëhen në Shqipërinë tonë të dashur. I bëj thirrje popullit të Shkodrës të dalin sa më shumë në votime, sepse vota është e shenjtë, është diçka personale.
Kemi ndjekur këto ditë shit-blerje të votës, nuk besoj që populli i Shkodrës e ka në gjak një gjë të tillë. E lusim Zotin të mos ketë incidente dhe të mbarojë sa më shpejt e të fitojë ai që është më i miri. Ky është një mesazh paqja, sepse jemi të gjithë vëllezër e kjo duhet të shkojë sa më mirë”, u shpreh Atë Nikolla Petani.
Ruçi voton tek Liceu Artistik: Sot është dita e qytetarëve, jo e politikanëve. Nesër fituesi të administrojë fitoren pa eufori, humbësi pa panik
ORA 08:13 Kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka votuar në qendrën e votimit pranë Liceut Artistik. Në orën 08:00 fiks, Ruçi është paraqitur në Qendrën e Votimit, ku ka ka votuar qetësisht. Në një mesazh për mediat pas votimit, ai tha se sot është dita e qytetarëve dhe jo e politikanëve dhe shprehu bindjen se sot do të fitojë qytetaria.
“Sot nuk është dita jonë, e politikanëve, sot është dita e qytetarëve. Unë kam bindjen se sot do të fitojë qytetaria e qytetarëve shqiptarë. Ne politikanët duhet të heshtim, të ndjekim procesin dhe t’i nënshtrohemi verdiktit që do japë sovrani. Nga nesër e tutje do ketë një fitues dhe një humbës. Nga nesër, fituesi të administrojë fitoren pa eufori dhe humbësi të administrojë humbjen pa panik”, deklaroi Ruçi.
Kryemadhi thirrje qytetarëve: Votoni për t’u afruar sa më pranë Evropës. Fitorja e LSI e pa tjetërsueshme!
ORA 08:20 – Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, pasi votimit, u ndal në një prononcim për mediat. Para gazetarëve, Kryemadhi i bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votime për t’u afruar sipas saj më pranë Evropës. Ndër të tjera, Kryemadhi theksoi se fitorja e LSI do të jetë e pa tjetërsueshme.
“I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të drejtohen drejt Qendrave të Votimit, të qetë, të bindur, të realizojnë nëpërmjet votës, vullnetin e tyre. Vota e qytetarëve është një votë e fshehtë, që për hir të së vërtetës do të japin mundësi dhe të rinjve dhe të rejave, të gjithë qytetarëve që përmes verdiktit të tyre, të afrohemi më shumë drejt Evropës. I uroj suksese të gjithë kandidatëve, sidomos atyre të LSI. Jam i bindur që fitorja do të jetë e pa tjetërsueshme për LSI”, u shpreh Kryemadhi.
“Komunikimi i paprecedentë”/ Presidenti Meta thërret me ‘videocall’ Sokol Ballën në transmetim ‘live’, ja biseda (VIDEO)
ORA – 08:17 Një risi ka ndodhur në studion maratonë të lajmeve në “News 24”, në këtë ditë, ku e gjithë Shqipëria është duke votuar për qeverinë e re.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nëpërmjet një lidhje direkte me gazetarin Sokol Balla dha mesazhe të qarta për zgjedhjet.
Ai tha se 2 gishtat që bëri teksa votoi, janë një tregues për dy marsin e një viti më parë, ku presidenti zhvilloi në manifestim mbarëkombëtar në Tiranë. Ai tha se procesi deri më tani po ecën shkëlqyeshëm sepse dhe presidenti është në krye të detyrës.
Meta deklaroi më tej, se të gjithë sytë e Evropës janë në Shqipëri në këto zgjedhje.
Biseda:
Sokol Balla: Mirëmëngjesi!
Ilir Meta: Lidhje live?!
Sokol Balla: Po.
Ilir Meta: Procesi po ecën shkëlqyeshëm, sidomos në Elbasan. Dy gishtat janë dy marsi, Kushtetuta.
Sokol Balla: Pse pikërisht në ato tre qarqe?
Ilir Meta: Nuk presim situata. Sepse presidenti është në krye të detyrës në zyrë. Suksese në punën tuaj. Me dashuri e qetësi si Evropianë, të gjithë Evropa i ka sytë këtu sot. Sot qetësi, dashuri për Shqipërinë.
Një mesazh nga fëmijët, kryedemokrati Basha publikon videon: Votoni për ne! Ora 07:43- Kryedemokrati Lulzim Basha ka shpërndarë një video në rrjete sociale, me protagonistë fëmijët.
Këta të fundit, bëjnë thirrje që në këto zgjedhje për të votohet për ta, nëpërmjet numrit 9.
Kujtojmë se lideri demokrat Basha pritet të votojë në orën 09:00, në Qendrën e Votimit në Njësinë numër 8, në kryeqytet.
Situatë e çuditshme në Vlorë, komisioneri paraqitet në QV, por detyrohet të largohet Ora 07:30- Një komisioner i dyshuar si me COVID është paraqitur në një nga Qendrat e Votimit në qytetin e Vlorës.
Gazetari Enrik Mehmeti, raporton për “BalkanWeb”, se komisoneri është paraqitur që në mëngjes herët në Qendrën e Votimit ku është caktuar, por ka qenë nëna e tij, e cila ka paraqitur një dokumentacion që tregon se është me COVID, që ka bërë të mundur largimin e tij nga Qendra e Votimit.
Gazetari raporton se komisioneri fillimisht ka refuzuar të largohet, por me insistimin e komisionerëve të tjerë, ai është larguar, ku pritet që të kryejë një tampon e të paraqitet përsëri në QV.
“Qytetarët janë paraqitur që në orët e para të mëngjesit. Kjo është dhe situata e çuditshme, është paraqitur e ëma dhe i ka kërkuar që të largohet, ka paraqitur dhe një dokumentacion që është me COVID.
Ai është larguar, me insistimin e të tjerëve, do të kryejë tamponin dhe më pas do të kthehet përsëri në QV. I ka kërkuar vetë familjari që të largohet nga QV”, tha gazetari.
Policia e Shtetit kalon në gatishmëri, 5200 efektivë pranë QV-ve, plan me 4 faza për procesin zgjedhor Ora 07:34- Me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të policisë Ardi Veliu, policia e shtetit ka kaluar në gatishmëri. 5200 punonjës policie janë pranë qendrave të votimit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në to.
7519 punonjës policie janë trajnuar që prej dhjetorit për t’u angazhuar në këto zgjedhje. Policia po ndjek një plan me 4 faza për të garantuar një proces zgjedhor të qetë.
Rëndësi i është kushtuar ruajtjes së personaliteteve dhe institucioneve ku koordinohen forcat e policisë dhe ato komando.
Policia e shtetit ka referuar në prokurori më shumë se 30 raste që lidhen me krimet zgjedhore.
Në ndryshim nga vitet e tjera KQZ ka kërkuar nga policia të mos lejojë grumbullime 150 metra afër qendrave të votimit si edhe të mos angazhojë punonjës policie me më pak se 4 muaj eksperiencë.
Zgjedhjet, KQZ: Nis normalisht procesi thuajse në të gjithë Qendrat e Votimit në vend Ora 7:25- Gazetarja e “News 24”, Marsela Karapanço, e vendosur në selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dha detajet e para në lidhje me çeljen e procesit të votimit në vend.
Gazetarja theksoi se burime për KQZ kanë raportuar se thuajse në të gjithë vendin janë hapur qendrat e votimit, ndërsa në disa zona të vendit, ka vonesa. KQZ ka theksuar se procesi i votimit ka nisur në normalitet.
“Sot shqiptarët vendosin kush do ti drejtojë në katër vitet e ardhshme, pranë burimeve të KQZ, procesi i hapjes së votimit është kryer në të gjitha qendrat e votimit. Raportimi i orës 08:00 që do të jetë komunikimi i parë i KQZ do të jepen detajet e tjera, procesi do të përfundojë në orën 19:00. Ka disa risi sa i përket këtyre zgjedhjeve, që nga votimi elektronik që do të implementohen në Njësinë 10 në Tiranë. Tirana ka dy mandate më shumë, risi ka pasur dhe procesi sa i përket qendrës së votimit. Do të votohet për kandidatin, jo me emër, por me numër”, tha Karapanço.
Zgjedhjet/ Rama mesazh shqiptarëve: Ta tregojmë të gjithë së bashku se përtej partive e dasive për ne është Shqipëria, bindjet t’i shprehim me votë Ora 07:15- Kryeministri Edi Rama iu ka drejtuar një mesazh qytetarëve shqiptarë mëngjesin e sotëm duke iu bërë thirrje të gjithëve të vënë Shqipërinë të parën. Rama e cilëson një ditë të shënuar të bashkëjetesës sonë demokratike.
“MIRËMËNGJES 🇦🇱
le ta tregojmë sot të gjithë së bashku, se përtej partive e dasive për ne është Shqipëria dhe le t’i shprehim bindjet e ndryshme me votë, por duke e respektuar Shqipërinë me mirësjellje shembullore ndaj njëri-tjetrit, në këtë ditë të shënuar të bashkëjetesës sonë demokratike, ku çdonjëri duhet ta gëzojë i patrazuar të drejtën e votës së lirë e të fshehtë, e prej ku Shqipëria duhet të dalë kryelartë për ne të gjithë👐🏿”, shkruan Rama.
Voton Presidenti Meta dhe përshëndet me dy gishta: Për Kushtetutën, për demokracinë, për Shqipërinë në Europë (Video) Ora 07:10- Presidenti i Republikës Ilir Meta ka votuar pak minuta pas orës 7:00, ora zyrtare e hapjes së qendrave të votimit.
Meta është shfaqur i buzëqeshur në qendrën e votimit të vendosur në kopshtin numër 31, në njësinë 5. Ndërsa pas votimit ka pasur dhe një mesazh të shkurtër fillimisht.
“Për Kushtetutën, për demokracinë, për Shqipërinë në Europë”, tha Meta teksa ka përshëndetur me dy gishta.
E para politikane, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi voton në kopshtin 31: Qytetarë të votojnë të qetë Ora 07: 03- Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi është politikania e parë që ka votuar mëngjesin e sotëm. Kryemadhi ka votuar në Qendrën e Votimit në Njësinë numër 5, në kopshtin 31. Kryemadhi iu bëri thirrje qytetarëve të votojnë të qetë dhe të bindur për atë që duan të realizojnë.
“Dua t’ju bëj thirrje sot të gjithë qytetarëve që t’ju drejtohen qendrave të votimit të qetë, të bindur, për atë që duan të realizojnë nëpërmjet votës së tyre.
Vota e qytetarëve është një votë e shenjtë, është një votë që për hir të së vërtetës do t’i japë mundësinë dhe shansin të rinjve dhe të rejave, të gjithë qytetarëve, që nëpërmjet verdiktit të tyre të çojmë Shqipërinë më shumë se kurrë drejt Evropës.
Unë ju uroj suksese të gjithë kandidatëve, sidomos kandidatëve të LSI-së, siç ndodh gjithmonë, kështu që jam e bindur që fitorja do të jetë e patjetërsueshme për LSI-në”, deklaroi Kryemadhi.
Hapen qendrat e votimit, qytetarët votojnë për partitë dhe kandidatët për deputetë Ora 07:00- Janë hapur 5199 Qendrat e Votimit në të gjithë vendin. Komisionerët kanë nisur punën për të pritur votuesit e parë.
Pak çaste para çeljes së votimit, Meta publikon foton: Drejt zyrës në krye të detyrës. Sot dita e sovranit!
Ora 6:50- Ashtu siç e kishte lajmëruar një ditë më parë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, do të votojë ditën e sotme në orën 07:00, orar ky që përkon dhe me hapjen e procesit të votimit.
Me anë të një fotoje në rrjete sociale, Meta, e ka cilësuar ditën e sotme si një ditë të mrekullueshme dhe thekson se do të jetë dita e sovranit.
“Drejt zyrës në krye të Detyrës! Ditë e mrekullueshme sot. Dita e SOVRANIT”, shkruan Meta.
TIRANA- Protesta para Kuvendit po vijon, ndërsa në Kuvend ka nisur seanca plenare. Ata kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij. Policia ka rrethuar zonën me gardh metalik, ndërsa jashtë tyre ka një numër të konsiderueshëm protestuesish.
“Ju erdhi fundi”, “Ramoviç jep dorëheqjen sa më parë!”, “Nuk na përfaqësoni” dhe “Pa rini nuk ka Shqipëri”, këto janë disa nga thirrjet me të përsërituar nga ana e tyre. Protestuesit kanë bërë gjithashtu thirrje ndaj efektivëve të policisë që t’i bashkohen kauzës së tyre./Dosja.al
Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shkaktuar reagime edhe gjatë protestës së zhvilluar në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së.
Një prej qytetarëve duke folur në ditën e 109 radhazi të protestës, ka kritikuar Edi Ramën për qëndrimet e tij lidhur me vendimin e Hagës, duke e akuzuar atë se ka ushtruar presion në Kosovë për krijimin e Gjykatës Speciale.
Ai vijoi me kritikat ndaj Ramës, duke thënë: ‘Marre i qoftë tij që ushtroi presion në Kosovë që të formohet Gjykata Speciale.’
Protestuesi e akuzoi gjithashtu Ramën dhe Partinë Socialiste për qëndrime që, sipas tij, kanë cenuar interesat kombëtare, duke përmendur edhe çështjen e njohjes së gjenocidit serb.
‘E kam thënë edhe herë tjetër, jam shumë krenar që protestoj këtu përkrah burrave që kanë luftuar në UÇK.
Protestoj këtu kundër robit që sot tha ‘marre’. Se ky popull nuk ka vuajtur ndonjëherë nga mungesa e trimërisë apo nga mungesa e fisnikërisë. Po ka vuajtur nga tradhtia e shitjes dhe e tradhtisë.
Sot ky thotë ‘marre’.
Marre i qoftë tij që ushtroi presion në Kosovë që të formohet Gjykata Speciale.
Sot ky thotë ‘marre’. Marre i qoftë tij dhe PS-së që votuan kundër njohjes së gjenocidit serb në parlament.
Ky thotë ‘marre’.
Po marre i qoftë tij që po punon për Ballkanin e Hapur, favorizon Serbinë.
Ky thotë ‘marre’.
Po marre i qoftë tij që po hap konsullatën serbe në Shkodër.
Ky thotë ‘marre’. Po marre i qoftë tij që e ka denigruar ushtrinë shqiptare. E kam thënë dhe më përpara, ka përdorur helikopterët ushtarakë për të bërë pushime verore, për të lëvizur se përton nga trafiku.
Ka përdorur ministrat e tij helikopterët ushtarakë për të transportuar mermer në vilat që kanë bërë nëpër fshatra. Ka vjedhur miliarda, edhe po dalin dhe do dalin fakte, 30 milionë euro për 5 Toyota të lyera me ngjyrë ushtarake.
Marre i qoftë tij që na ka denigruar, edhe vazhdojmë përdorim armë të Bashkimit Sovjetik. Zoti kryeministër në ikje, ne jemi shqiptarë, ne jemi luftëtarë. Këto shkopinj nën rrota që po na fut ti dhe që do duan vite që të hiqen, ne nuk t’i falim kurrë.
Me këtë që ndodhi sot, që kontribut është tradhtia jote, u ke dhënë zë luftënxitësve tanë, u ke dhënë zë armiqve tanë që t’i fillojnë ato konspiracionet e tyre.
Ne s’ta falim kurrë.
Ne kemi për të të shporrur.
Marre të qoftë ty dhe Zoti e shpërbleftë UÇK-në. Lavdi UÇK-ja!’, u shpreh protestuesi në fjalën e tij. sn
Edhe mbrëmë, në protestën e 109-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, qytetarët kanë vijuar marshimin nëpër Tiranë.
Një prej ndalesave të protestuesve ka qenë te Blloku i Sigurisë, në rrugën “Mine Peza”, ku qytetarët kanë shprehur mbështetjen e tyre për protestuesit e arrestuar gjatë ditëve të fundit të protestave.
Nga turma janë dëgjuar thirrje për lirimin e personave të ndaluar, ndërsa qytetarët kanë kërkuar arrestimin e kryeministrit Edi Rama.
“Lironi çunat, arrestoni Ramën!”, ishte një prej thirrjeve që u dëgjua në kor nga protestuesit.
Po ashtu, qytetarët kanë brohoritur: “Nuk jeni vetëm!” dhe “Çuna, çuna, jemi këtu, gjithë Shqipëria është me ju!”. gsh
Qeveria Shqiptare ka pësuar një pengesë serioze juridike në përpjekjen për të marrë kontrollin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës pas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për zgjidhjen e parakohshme të kontratës koncesionare.
Me një urdhër emergjent të datës 16 shtator 2026, arbitri i emëruar në procedurën e administruar nga ICC-ja ka vendosur masë sigurimi duke urdhëruar që Ministria të mos marrë posedimin ose kontrollin operacional të aeroportit, të mos kërkojë dorëzimin e aseteve dhe të mos e zëvendësojë shoqërinë koncesionare VIA me një operator tjetër.
Vendimi ndalon gjithashtu çdo veprim që mund të ndryshojë gjendjen ekzistuese ose të përshkallëzojë më tej mosmarrëveshjen, deri në krijimin e Tribunalit të Arbitrazhit që do ta shqyrtojë çështjen në themel.
Edhe pse në këtë fazë nuk është vendosur përfundimisht mbi vlefshmërinë e zgjidhjes së kontratës, zbatimi i pasojave të saj më të rëndësishme është bllokuar. Praktikisht, Qeveria nuk mund të marrë aeroportin dhe as t’ia kalojë projektin një operatori tjetër.
Urdhri përbën një zhvillim të rëndësishëm në konfliktin ndërmjet VIA-s dhe Ministrisë dhe ngre pikëpyetje serioze mbi nxitimin me të cilin autoritetet shqiptare tentuan të krijonin një situatë të pakthyeshme përpara shqyrtimit të plotë të mosmarrëveshjes.
Njoftimi i Zgjidhjes së kontratës do të hynte në fuqi ditën e nesërme më 17 shtator 2026, pra 30 ditë pune pas shpalljes së tij nga Ministria e Infrastrukturës me 5 gusht. Por urdhi i Gjykatës së Arbitrazhit në Londër, e ndalon qeverinë të zgjidhë kontratën apo të marrë ndonjë veprim për të shpronësuar konçesionarin deri në shqyrtimin e tij e çështjes në themel.
Kjo e vendos aeroportin e Vlorës përballë një skenari të gjatë vonese, nëse qeveria nuk do të gjejë zgjidhje me koncesionarin aktual, pasi çështja e arbitrazhit mund të marrë vite për të shkuar deri tek vendimi final./ Kapitali
Nga 10–14 Shtator, ekipi i Olimpikut Special Shqiptar ishte në Maltë për Europianin e Notit Malta Open 2026, eventin e përvitshëm ndërkombëtar, ku këtë vit Shqipëria morri pjesë për herë të parë, me 4 sportistë.
🏊 Gersi Troka
🥈 50 m stil delfin – vendi i 2-të
7️⃣ 100 m stil i lirë – vendi i 7-të
🏊♀️ Iris Hoxha
🥇 100 m stil i lirë – vendi i 1-rë
7️⃣ 50 m stil i lirë – vendi i 7-të
🏊 Joel Gërmënji
🥈 50 m stil i lirë – vendi i 2-të
4️⃣ 25 m stil i lirë – vendi i 4-t
🏊♀️ Alisa Boçi
Për arsye shëndetësore, Alisa nuk mundi të marrë pjesë në gara këtë herë. E rëndësishmja është që ajo ishte pjesë e ekipit dhe e këtij rrugëtimi të veçantë në Maltë.
Për Irisin dhe Joelin, kjo ishte edhe gara e parë ndërkombëtare e notit – dhe të dy e nisën këtë eksperiencë me rezultate të shkëlqyera!
Duhet të theksojmë këtu se Iris Hoxha, është atletja e artë e parë vajzë e Special Olympics Albania, në disiplinën e notit.
Joel Gërmënji, ka qënë pjesëmarrës me Special Olympics Albania edhe në të tjera lojra speciale dhe kampionate dimërore, në disiplinën e skive, ku ka fituar medalje argjendi dhe brozi.
Gersi Troka, është e disata herë që merr pjesë në lojra speciale olimpike me Special Olympics Albania, si dhe në kampionate të tjera ndërkombëtare, individualisht me trajnerin e tij Gentian Lama, ku ka fituar disa medalje të vendit të parë, dytë e të tretë, si dhe në Lojrat Olimpike Speciale Botërore Berlin 2023, fitoi medaljen e arit, duke u bërë atleti i parë i artë djalë, i Special Olympics Albania në disiplinën e notit.
Alisa Boçi edhe pse nuk arriti të marrë pjesë në gara, në këtë kampionat për arsye shëndetësore, duhet theksuar se ka qënë pjesëmarrëse në disiplinën e notit, në Lojrat Olimpike Speciale Botërore Berlin 2023.
Në këtë rrugëtim sportistët shoqëroheshin nga trajneri Gentian Lama dhe drejtuesja e Olimpikut Special Shqiptar, Sara Bala Muça.
Mbi të gjitha, kjo pjesëmarrje është një tjetër hap drejt asaj që besojmë çdo ditë: sport për të gjithë.
Pjesëmarrja në këtë event u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, nëpërmjet projektit “Programi Kombëtar Sportiv Gjithëpërfshirës”.
🇦🇱 Krenarë për ekipin shqiptar, për përkushtimin, guximin dhe çdo rezultat të arritur!
Protestuesit kanë mbërritur te Blloku i Sigurisë, në rrugën Mine Peza ku mbahen disa protestues të ndaluar.
Marshimi ka vijuar me thirrjet “Nuk jeni vetëm”,”Lironi shqipet”, “Gjithë Shqipëria është me ju”, “Skeni pranga per te gjithe”, kanë vijuar qëndresën e tyre të Blloku i sigurisë në mbështetje të protestueve.
Dje u bënë 108 ditë nga revolta kundër qeverisë. Një protestë që vijon prej më shumë se 3 muajsh, ndryshe nga çdo protestë që ka pasur më parë.
Qytetarët shprehen të vendosur se nuk heqin dorë nga protesta deri në largimin e Ramës. Ndërsa nuk i kursejnë akuzat edhe ndaj opozitës. Gjithashtu i bëjnë thirrje edhe SPAK të të arrestojë të korruptuarit. gsh
Nisma për vendosjen e shtatores u ndërmorr nga gazetari Marin Mema dhe u mbështet financiarisht nga personalitete, por edhe qytetarë të shumtë.
Një shtatore gati nëntë metra e lartë e mbretëreshës ilire Teuta është vendosur në ballkonin panoramik të Shëngjinit, duke i dhënë zonës një vlerë të shtuar historike.
Nisma për vendosjen e shtatores u ndërmorr nga gazetari Marin Mema dhe u mbështet financiarisht nga personalitete, por edhe qytetarë të shumtë.
Kjo është shtatorja e parë e një prijësi ilir që vendoset brenda territorit të Shqipërisë.
“Uroj shumë që ky të jetë vetëm hapi i parë i një sërë monumentesh që duhet, e ripërsëris, duhet të ndërtohen për të rikujtuar trashëgiminë, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar. Nëpërmjet tyre, ne ruajmë dhe përcjellim te brezat e ardhshëm historinë dhe vlerat tona kombëtare”, u shpreh gazetari Marin Mema.
Teuta e mori pushtetin pas vdekjes së bashkëshortit të saj Agronit. Ajo ishte gruaja e dytë e tij si dhe njerka e tutorja e djalit të tij Pinit. Ndonëse sundoi për vetëm tre vite, Teuta vijoi politikat e Agronit duke zgjeruar territoret e fisit ilir të Adrianëve duke sulmuar Peloponezin në Greqinë e sotme. Gjatë fushatave ekspansioniste, ajo morri nën kontroll edhe qytetin e Foinikes, që në atë kohë ishte kryeqendra e Epirit.
Teuta legjitimoi piraterinë në detin Adriatik, e flota e saj ushtarake u shndërrua në terrorin e anijeve tregtare greke dhe romake. Ajo u tradhëtua nga guvernatori i saj Demetër Fari menjëherë pas nisjes së fushatës së romakëve për pushtimin e Ilirisë. Fari i dorëzoi Korkyrën dhe gjithë flotën e anijeve detare të saj te romakët. Korkyra, apo Korfuzi i sotëm, ndodhej nën kontrollin e mbretëreshës Teuta.
Shtatorja e inauguruar dje në Shëngjin është vepër e skulptorit Julian Muçollari.
Ambasadori i Kroacisë në Shqipëri, Zlatko Kramariç, ka komentuar nga Pogradeci protestat në Shqipëri, duke theksuar se qytetarët kanë të drejtë të shprehin lirshëm nevojat dhe shqetësimet e tyre. Sipas tij, protestat duhet të shërbejnë si një mesazh për qeverinë, e cila duhet të jetë e vëmendshme ndaj asaj që kërkojnë qytetarët. Kramariç ndodhet në Pogradec në kuadër të një projekti të zhvilluar nga Ambasada e Kroacisë në bashkëpunim me Këshillin e Studentëve të Shqipërisë. Ai tha se qëllimi i këtij projekti është prezantimi i përvojës së Kroacisë në hapat përpara anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe përgatitja e brezit të ri për këtë proces.
Ambasadori vlerësoi të rinjtë shqiptarë, duke u shprehur se ata janë të arsimuar dhe të gatshëm të marrin përgjegjësi në ekonomi dhe politikë. Sipas tij, pikërisht gjenerata e re mund t’i japë fund tranzicionit shqiptar. “Qëllimi nuk është të bëjmë rolin e pedagogut, por të shpërndajmë eksperiencën tonë në këtë proces”, tha Kramariç, ndërsa shtoi se Shqipëria ka një mbështetje shumë të lartë për integrimin europian.
I pyetur për protestat që po zhvillohen në Shqipëri, ambasadori kroat tha se protesta është një e drejtë themelore e qytetarëve. “Protesta është një e drejtë e qytetarëve. Aty nuk është diskutimi kanë apo nuk kanë të drejtë, por qytetarët duhet të jenë të lirë të shprehin nevojat dhe dëshirat e tyre. Ky është një mesazh për qeverinë. Çdo qeveri duhet të marrë mesazhin që i shkon në aspektin politik”, u shpreh ai.
Kramariç theksoi se protestat tregojnë gjithashtu se sa të ndjeshëm janë qytetarët ndaj çështjeve të ndryshme, përfshirë ekologjinë, qeverisjen dhe funksionimin e institucioneve. Sa i përket reformave që duhet të ndërmarrë Shqipëria, ambasadori tha se ato nuk duhet të shihen thjesht si detyrime që vijnë nga Brukseli, por si procese që duhet t’u shërbejnë qytetarëve. “Reformat nuk duhet të shikohen si tip gjobash, pra nuk duhet të shikohen siç e kërkon Brukseli dhe duhet bërë, sepse mbi të gjitha janë qytetarët që jetojnë në këtë vend”, tha Kramariç.
Ai nënvizoi se në procese të tilla mund të ketë nevojë për kompromise dhe marrëveshje, ndërsa ligjet duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe jo selektive. “Ligji nuk duhet të bëhet selektiv vetëm për një pjesë të qytetarëve. Është fjala që për dikë lejohet dhe për dikë nuk lejohet”, u shpreh ambasadori, duke shtuar se reformat që ndërmerren në kuadër të procesit të integrimit në BE duhet të jenë në dobi të qytetarëve shqiptarë.
Kramariç foli edhe për procesin gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë. Ai kujtoi se ka qenë ambasadori i parë i Kroacisë në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë dhe se në atë kohë Hashim Thaçi ishte kryeministër i Kosovës. “Jam njohur me të. Mund të themi që vendimi i gjykatës duhet të pranohet edhe pse mund të jetë i dhimbshëm. Pra duhet të shohim të dyja anët. Nga njëra anë çështja Thaçi dhe nga ana tjetër çështja e Kosovës”, tha ambasadori. Sipas tij, një dënim i Thaçit nuk do të ishte i mirë për imazhin e shtetit të Kosovës, por pavarësisht vendimit, përgjegjësia për të nuk i takon Kosovës si shtet. “Shpresoj që procesi mos ketë qenë politik, por i drejtë”, përfundoi Kramariç. bw
Një tjetër audiopërgjim që lidhet me biznesmenin izraelit Roni Yeffet është publikuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Çim Peka LIVE” në “SYRI TV”, ku diskutohet për puset e gazit në Vlorë dhe mënyrën se si do të sigurohej informacioni për to.
Sipas materialit audio, i siguruar nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj dhe pjesë e një dosjeje prej më shumë se tre orësh përgjimesh të realizuara në janar të vitit 2026, Yeffet zhvillon bisedë me tre shtetas të huaj, mes tyre një ukrainas, një rus dhe një grua e identifikuar si Tatiana, e cila shërben si përkthyese.
Në bisedë, Tatiana propozon që t’i dërgohet një letër zyrtare Ministrisë së Energjisë për të marrë informacion mbi gazin në Vlorë, por Yeffet e kundërshton menjëherë.
“Jo, jo, asnjë letër zyrtare. Jo! Shikoni, shikoni, shkoni në Vlorë dhe shikoni, bëni çfarë të doni, më pas do të merrem unë me ta. Nuk do të dërgoni asnjë letër, nuk do të dërgoni asgjë”, thotë ai.
Ai u kërkon bashkëbiseduesve të shkojnë në Vlorë, të marrin informacion në terren dhe më pas shprehet se me Ministrinë e Energjisë do të merret vetë.
“Mos e përmendni emrin tim në Vlorë”, dëgjohet të thotë Yeffet në audiopërgjim, ndërsa Tatianës i kërkon që të paraqiten si përfaqësuese të një kompanie amerikane.
Pjesë nga përgjimi:
Tatiana: Do të përgatisim një letër zyrtare për Ministrinë e Energjisë, që të arrijmë informacion për gazin në Vlorë. Një letër zyrtare.
Ron Yeffet: Përse? Jo, jo, asnjë letër zyrtare. Jo! Shikoni, shikoni, shkoni në Vlorë dhe shikoni, bëni çfarë të doni, më pas do të merrem unë me ta. Nuk do të dërgoni asnjë letër, nuk do të dërgoni asgjë. Informacioni është për ne, jo për ministrinë.
Tatiana: Dakord. Çështja është thelbësore, ajo që na tha ajo është thelbësore. Të bazohemi vetëm në një vizitë në vend do të ishte joeficiente, e pamjaftueshme. Një inspektim fizik, kompania nuk do të kuptonte asgjë.
Ron Yeffet: Mbështetuni te unë për Ministrinë e Energjisë. Do të shkojmë në Ministrinë e Energjisë, do të flasim me ta për çdo gjë, por mos e përmendni emrin tim në Vlorë.
Tatiana: Dakord.
Ron Yeffet: Dakord. Ju do të përfaqësoni një kompani amerikane.
Tatiana: Dakord.
Ron Yeffet: Do të kontrolloni, do të pyesni për çdo gjë dhe ata do të bashkëpunojnë. I thashë asaj të vijë të hënën, të qëndrojë këtu. Do të shkoni në ministri një, dy, tre herë.
Tatiana: Mendoj se ajo do të vijë të mërkurën.
Ron Yeffet: Nëse ajo vjen të hënën dhe qëndron, sepse ajo nuk do të jetë të mërkurën dhe të premten, askush nuk punon këtu. Nuk është eficiente, të jemi më eficientë.
Tatiana: Dakord.
Ron Yeffet: Nëse jo të mërkurën, ata vijnë të premten, asgjë nuk ndodh dhe ajo duhet të qëndrojë këtu derisa të përfundojmë. Unë dua ta përfundojmë, ju duhet të kuptoni, kam nevojë të filloj. Ne duhet të mbyllim marrëveshje.
Tatiana: Ai po vjen nga Johannesburg. Të hënën do të jetë këtu, nga e marta në mëngjes.
Depuetja e pavarur, që braktisi Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, ka komentuar protestën dhe pjesëmarrjen e diasporës, duke deklaruar se e mbështet lëvizjen dhe se ardhja e shqiptarëve nga jashtë vendit po bëhet një realitet politik në vend. E ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24 me Ola Brukon, Koçeku tha se diaspora ka qenë frytdhënëse përtej aspektit ekonomik dhe social, ndërsa theksoi se ka qenë e pranishme edhe gjatë ardhjes së saj në Shqipëri.
“E kam mbështetur dhe e mbështes protestën. Ardhja e diasporës është një lajm i mirë dhe po bëhet një realitet politik i vendit tonë. Diaspora ka qenë frytdhënëse, përtej anës ekonomike, por edhe anës sociale”, u shpreh ajo. Koçeku tha se nuk e di nëse protestat dhe kërkesat e tyre kanë sjellë reflektim nga ana e kryeministrit Edi Rama apo qeverisë, por shtoi se mungesa e veprimit e bën të dyshojë për një reflektim real. Ajo vlerësoi se kërkesat e aktivistëve kanë qenë të qarta dhe lidhen me fakte dhe kontradikta politike që kanë ndodhur në vend.
Në vijim, ajo kërkoi rishikimin e ligjeve që i konsideroi klienteliste, duke theksuar se për këtë çështje janë shprehur edhe europianët.
“E kam mbështetur dhe e mbështes protestën. Ardhja e diasporës është një lajm i mirë dhe po bëhet një realitet politik i vendit tonë, Diaspora ka qenë frytdhënëse, përtej anës ekonomike, por dhe anës sociale. Kam qenë e pranishme kur erdhi Diaspora. Se di nëse ka reflektuar Rama apo qeveria, por përderisa mungon veprimi, do të dyshoja te ekzistenca e reflektimit në vetvete. Kërkesat e aktivisteve kanë qenë të qarta, në fakte dhe kontradikta politike që kanë ndodhur në vendin tonë. Është vonë, por kërkohet reflektim i thellë, që të nisë me veprimin; rishikimi i ligjeve klienteliste, ato që kanë folur dhe europianët. Ka ndryshim mes reflektimit dhe veprimit. Ajo që është shfaqet me “Besën”, është një retorikë politike, asgjë përtej saj.”, tha ajo.
Një grup protestuesish kanë bllokuar sot Zogun e Zi për disa minuta në shenjë kundërshtie ndaj klasës politike në vend. Për disa minuta është bllokuar trafiku, ndërkohë që policia raportohet se ka shoqëruar disa protestues. Protesta nisi si fillim te Sheshi Skënderbej, për të vijuar në rrugën Durrësit, deri te Zogu i Zi.
Një prej aktivisteve të kësaj proteste, Bora Mitrovica lëshoi akuza në drejtim të policisë, duke e akuzuar këtë të fundit se ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve. Në një prononcim për mediat ajo tha se policia i kishte shtyrë dhe tërhequr me forcë të gjithë disa prej tyre dhe më pas i shoqëruan. Përplasjet me të fota u regjistruan pranë shkollës “Qemal Stafa’.
“Sot u mblodhëm te Sheshi Skënderbej në orën 7:00 të mëngjesit. Ishim duke ecur n trotuare. Po këndonim himnin, dhe më pas policia ndërhyri. Nisën të merrnin me forcë dhe i vunë duart në fyt disa çunave që ishin pjesë e protestës. Kur kaluam rrugën këtu, shkuan dhe kapën të gjithë djemtë. Këta duan dhunë, ne jemi për qetësi, për paqe.
Donim të bënim një protestë ditën që të shikonin dhe qytetarët, se natën nuk po na përfaqëson më populli. Kjo nuk është drejtësi, kjo është sjellje kriminele nga ana e policisë së Shtetit. Kjo është policia e pushtetit, që mbrojnë dhunën, Ramën, që është frikacak.”, tha Mitrovica. gsh
Një qytetar pjesëmarrës në protestën kundër qeverisë ka deklaruar se ardhja e diasporës dhe pjesëmarrja e qytetarëve në protestë janë dëshmi se Shqipëria është zgjuar dhe se lëvizja nuk mund të ndalet përmes presionit.
“Diaspora ka ardhur, Shqipëria është zgjuar, bulevardi është i mbushur plot shqiptarë. Këtë protestë nuk e ndalin dot me forcën e policisë apo me frikë e presion. Kjo është java e mosbindjes civile, të tregojmë që pushteti s’mund të jetë mbi popullin”, u shpreh ai.
Qytetari iu drejtua edhe efektivëve të Policisë së Shtetit, duke u kërkuar të mos vendosen në mbrojtje të politikës, por të dëgjojnë zërin e protestuesve.
“Policë, ju bëj thirrje, dëgjoni zërin tonë dhe mos u bëni mbrojtje e politikës. Kjo nuk është vetëm protestë, por thirrje për drejtësi”, tha ai.
Protestuesi deklaroi se ndryshimi është pranë, ndërsa kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Ndryshimi po vjen. Rama, o legen, jep dorëheqje menjëherë”, përfundoi ai. Panorama
Komentet