– Thirrje drejtuar të gjithë aktorëve politikë në Kosovë ta ndalin gjuhën e urrejtjes ndaj njëri-tjetrit, të përmbahen nga dhuna dhe ta respektojnë vullnetin e popullit.
Prezenca e Joe’s dhe Shirely’t gjithmonë rrezaton dritë, freski, mirësi, inteligjencë, sinqeritet, dashuri, vendosmëri, përkushtim dhe trimëri — të gjitha në shërbim të mbrojtjes së të drejtave njerëzore dhe kombëtare të popullit shqiptar, kudo që ai jeton.
Më 14 gusht bëhen tridhjetë e gjashtë vite që qëndroj pranë tyre dhe shokëve të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, pa u ndarë e pa u ndalur asnjëherë, gjithmonë në shërbim të kombit dhe të forcimit të miqësisë ndërmjet popullit shqiptar dhe atij amerikan.
Kjo është krenaria ime.
Këta janë liderët e mi.
Ata nuk kërkojnë asgjë për vete. Presin vetëm që populli shqiptar ta ruajë lirinë, harmoninë fetare e kombëtare, t’i respektojë të drejtat e minoriteteve dhe të vazhdojë zhvillimin e demokracisë e ndërtimin e shtetit ligjor.
Shpresojmë që të gjithë faktorët politikë në Kosovë do ta ndalin gjuhën e urrejtjes ndaj njëri-tjetrit, të përmbahen nga dhuna dhe ta respektojnë vullnetin e popullit.
Bojkotimi i institucioneve është kundër vlerave të luftës çlirimtare të Kosovës, në krye me komandantin legjendar Adem Jashari; kundër frymës së Lëvizjes Demokratike, në krye me vizionarin Ibrahim Rugova; si dhe kundër veprimtarisë historike të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, në krye me Joe DioGuardin dhe Shirley Cloyes DioGuardin.
T’i bashkojmë përpjekjet tona për Kosovën Dardane dhe për Bashkimin Kombëtar!
Agim Aliçkaj
Drejtor Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane
New York, Më 17 Maj 2026