Nxjerrë nga vellimi “Poezi”, Shtepia Botuese KOHA, 1999.
NANE ZADRIMORE
I
Plot dy javë te porta e hekurt priti
Nanë-zeza, e kërrusun, e bame lak
Shkallët, me mbesë përdore, ngjiti
Shoqnue prej nji zullapi torollak
Sheh kanibalin me fytyrë Jeziti
Që i vrau të shoqin më dyzet e pesë
Ndejti me nji djalë, mezi e rriti
Tek ai u mbështet, e kish të vetmen shpresë.
“-Djalin ta dënoi ligji, ka bërë faj
Po Partia tonë është zëmër-madhe
Djali t’i heqë lakrat, trutë t’i shpëlaj
Ashtu si të tjerët të futet në aradhe
Me mësimet e Partisë të eci paskëtaj!
Do ta studjojë Partia… Mirë bëre që ardhe…”
II
-Bir i nanës! Takova shokun Enver
Më tha të bash nji lutje. Unë jam nanë…
-Ate që kam timen, s’lutem me ma dhanë
Zoti ma dha jetën dhe Zoti ma merr.
“Andërronte tepër, u dënue me ligj.”
Me siguri kështu të kanë thanë
Ti a s’e kupton se lutja e përligj
Dhunën që ushtrojnë këta mjeranë?
Enveri me shokë janë nji skotë
Nji lukuni e pangishme kriminelash
Nji shuplakë e Zotit në këte botë.
Ma mirë pushkatue se rrethue telash
Prej këtyne mos prit farë uzdaje
Zoti të shpëtoftë prej kësaj murtaje!
III
Kalon nji muej. E kërkojnë në zyrë.
Nji strupull teshash merr për me i hapë
I qetë, ai që djalin ia ka kapë…
Ajo bahet dhé, limon bahet n’fytyrë
I dridhen buzët nanës zadrimore
Kur sheh bluzë e krahën, laps e bllok
Të mbështjella lesh e li me nji spathok
Nji kuti cigaresh e nji orë dore…
I merr e del, po s’di ku me u mbytë
Këqyr përqark, kurrkund nuk sheh njeri
Ecën kuturu, nuk sheh ma nga sytë
Kryq ban tri herë, me teshat mblidhet shuk
Prej ure me vërtik hidhet në Dri!
Në shkulmat zhduket… duket… deri sa u zhduk!…
Gusht 1984
MARKU
I
Çelësa e shula cingëritën për ibret.
Dera e dhomës hapet me rropamë
Tërmegshëm dyzet burra çohen n’kambë.
Hyn kapteri. Ngërdheshet. Shtyn nji skelet
Që shkapetet mu n’çimento, si i vdekun.
Nga turpi, ulin kryet, dyzet burra.
Supi lakuriq i dahet nga lëkura
Mishi-i verenikun, si mëlçi e pjekun
Koka: Golle e gunga e feje, gati
Për t’u këputë. Trishtim. Dhimbë. Mëshirë
Ngjall. Akuzë. Revoltë mishnon, i ngrati!
Kapteri del. Përtueshëm çohet Frati
I hullet: Nga vjen, si të quejnë, mor bir?
“Prej Tirane… Më thonë Mark Sakati.
II
As shtrojë, as mbulojë, as lugë, as tas…
Nji grumbull kockash ishte shtue n’kaush.
Lugë e tas, dha murgu Athanas,
Gjovalini – nji velenxë pa push.
Njeri pa njeri – Izeti prej Çamërie
Nji jastëk sajoi me rrecka t’shtatit.
Dhoma shpaloi gjeste bamirësie:
Diçka, për sevap, i dha “malukatit”
Paloka, i plagosun në Gomsiqe
Nxori prej jatakut, e tërhoqi branë
Me zor, tue u kollitë, nji postiqe.
Gjithçka u dha, çka ishte për t’u dhanë
Mandej, të lodhun, u shtriqën mënjanë…
Dikush, morriste, zellshëm, tartabiqe…
III
Sheh trembshëm Marku. Sytë s’i bajnë dritë.
Veshët i punojnë disi ma mirë.
Ankth janë ditët. Si nji ditë, përditë.
Buzqesh me mllef… Duket si satir…
Dergj natë e ditë. Nuk do me dalë
N’oborr. T’tjerët dalin. Ai rri fillikat.
Prej disa ditësh, pëshpëriten fjalë:
Dikush vjedh ushqimet… I ha në shtrat.
Mëngjez. Bilbili bie. Bahet zgjimi.
“Kapa hajnin” -thotë me gjeste t’preme
Shi si ngadhnjimtar, Gavrosh Kulimi…
Marku u drodh. Vështroi me tmerr. U skuq
Pastaj, mori nji çehre të zbërdheme…
Vari kryet!… E u mbështoll palmuç!…
IV
“Këlysh i Titos! Armik! Qen bir qeni!
Mut! Maskara! Të shkërdhefsha kurvën!
Horr! Hekurat shpejt! Ta sqaroni! Merreni!”
Rrapëllimat, jehojnë në korridor!…
Kështu, komisari e fajsoi viktimën.
– Dhoma ngriu në kambë, si e ngurosun –
Shkërçi dhambët, përmendi “ofiçinën”.
Ma mirë në vorr sesa i burgosun!
Nga asht Marku, vëllezën? -Pyeti Frati.
Heshtje… Izeti u flet të gjithëve, ashtu siç ishin:
“Asht kosovar… Këtu, s’ka njeri, i ngrati!”
Ptu! Jazëk na qoftë! Turp ma t’madh nuk ka!
Duerët i dridhen, nuk mbush dot kamishin
Hafiz Alushi e u la në lot, tue qa!..
V
Për krahësh – të bamë ulok, të plirun,
Kalaveshas, as gjallë as vdekë – e prunë…
Vetëm nji frazë shqiptoi, me za të ngjirun:
“Më falni! S’di si e paskam ba at’ punë…”
“Zia të marrka mendt, t’marrka fytyrën…”
U struk në batanije… E ma nuk bëzan.
Përditë, përshpirtshëm, lutet. Pret mynxyrën!…
Nuk tha gja tjetër… Nuk kish çka me thanë…
Nji ditë, n’agshol, pa ra në sy, Marku ikën!…
Shtati iu qetësue… Sytë iu fikën…
Të mbramen herë, Izeti iu gjet pranë.
Me ngashërim e cenë, sytë ia mbyll…
Dhoma, në heshtje e nderon… Dikush ofshan…
Shpirti qiejsh fluturon kah nji yll!
Qershor 1993
LILI
I
“Armiku e meriton pushkatimin.”
Këte përgjigje, ngado shkoi, i dhanë.
Çfarë nuk bani me shpëtue të vëllanë.
Pranoi, pa u mendue, propozimin…
Ia shtupoi nji duhmë e qelbët hundën
Sa zorrët iu trazuen mbrenda barkut…
Mërrudhun, u përplas, sipër jatakut
Turpshëm e përjetoi Lili dhunën.
Përskaj iu ul dhe e mbërtheu shtinjaku
“Mos më zhvish, të lutem, dhe mos më prish!”
Ia hoqi rrobat dhe, në dysheme, ia flaku.
Si panterë mandej iu turr në mish…
Lili e kuptoi tashma: kish ra në lak
Kur zhveshun e pau veten, ba cullak!…
II
Si qen ia kafshoi trupin me dhambë
Derisa u eth e u përndez përbindshi
At’ kurm të lakuriqtë e dërmishi…
Si farkë jehonte nji gulshim i randë
Rënkimi i përgjigjej si kuisje e gjatë…
Nja tri a katër herë djersët bujisën.
Kështu andërrat u shuen, u terratisën:
Me zhvirgjënimin jeta vdiq at’ natë!
N’mëngjes si hajdute ecën n’trotuar
Si u zhbi, u tret për nji natë ai hir
A asht ajo Lili siç ishte ma parë?
Vajti në dyqan, bleu nji torbë qymyr.
N’gushë e në gjoks i duket ndonji blanë
Qeskë e syve vjollcë, trupi-jargavanë…
III
Lot i pastër natën moti, qielli xham
I kaltër, mbushun prush me xixa ari
Dielli bujarisht dhuron rreze acari…
Makina e kobit uturon n’kalldram!
Potershëm kërset dera, i bien me shkelm
Gjyshja hukat duert të ngrime akull
Pa kujë e bujë hap derën, shpirtin helm
Policët sheh, luhatet, bie shakull
Pse keni ardhë, he, ju ardhtë gjama?!
Zoti paftë e gjoftë mor t’paftyrë
Ka për t’ju zanë, he, ju zantë nama!
Lili vdiq. E mbyti veten me qymyr…
Shtoja zullumin, Zot, këtij Jeziti
Djalin m’pushkatoi, Vajzën ma koriti!…
*Ahmet Kolgjini (1939-1999) ka ba 20 vjet burg, dhe afër 20 të tjera nëpër kampet e internimit të Shqipnisë komuniste.
Nga parathanja e librit nga autori: “Mbi këte cikël poetik, autori, Ahmet Kolgjini, shkruen: “Asgja në këtë cikël nuk asht e trillueme. Asgja nuk asht sendërgjim i fantazisë për të krijue efekte pikante dhe fiktive me tërheqë lexuesin. Të gjitha janë realitete. Të gjitha janë përjetime. ‘I vdekuni nuk ka miq’ thotë një fjalë e urtë. E vërteta ka. Ka pasë dhe ka me pasë gjithmonë. Nuk duhet të shtiremi sikur nuk i njohim dhe nuk i dimë të vërtetat, sepse kjo do të ishte nji vetvrasje në llojin e vet. Tue i njoftë e tue i pranue të vërtetat, mund të ekzorcizojmë të keqen, mund të korrigjojmë gabimet dhe mund të shmangim pasojat. Heshtja përban nji pranim të të keqes dhe, gjithashtu, nji pajtim me të keqen. Pajtimi me të keqen asht ligësi, bashkëjetesa me krimin asht krim.”
Shenime të autorit në fund të librit:
“Nana Zadrimore” – e veja e nji oficeri të Ushtrisë Kombëtare, mbasi i vritet i shoqi prej komunistëve në vitin 1945, lidh shaminë e zezë dhe vendos me rritë të birin 7 vjeçar. I biri meqenëse iu ba e padurueshme lufta e klasave, lidhet me dy moshatarë të vet dhe vendosin me u arratisë, por kapen dhe ai si krytar i grupit dënohet për tradhti të lartë ndaj atdheut me vdekje.
Nanë-shkreta ban çmos për të shpëtue të birin. Nji ditë e thërrasin në zyrë për t’i dorëzue sendet personale të të birit. I biri ishte pushkatue. Nana s’e kontrollon ma veten dhe mbytet në Dri. Kështu u shue e u fik edhe nji familje.
Marku, i mbrujtun me traditat ma fisniket dhe i pajisun me virtytet ma të lartat të gjinsit shqiptar, tue mos mundë me durue ma prepotencën serbe, i kthen shpinën vendlindjes dhe familjes së vet për të ardhë në vendin “amë”. Këtu, mbasi dështojnë orvatjet e Sigurimit për ta manipulue, e akuzojnë si agjent të UDB-së. Mbasi e mbajnë 14 muej në “ofiçinë” e dënojnë 25 vjet dhe e shpien në burgun qendror.
Ditët e para ai nuk asht në gjendje me dallue të mirën nga e keqja, të lejueshmen nga e palejueshmja, të drejtën nga jo e drejta. Ai ishte lodhë për vdekje sa ve dorë mbi ushqimet e bashkëvuejtësve. Kur vjen në vete mbështet ballin në pllambën e djathtë e s’ia pa kush ma sytë. Mbas nja tre muejsh vdes.
Këtu duhet me vu në dukje nji mentalitet ma fort shqiptar sesa njerëzor. Me të marrë vesh se quhej Mark, shkriftohet gjithë dhoma (kaushi). Toskët mendojnë se u takon gegëve me nda kafshatën me Markun, sepse ai asht gegë. Muslimanët e ortodoksët mendojnë se u takon katolikëve. Katolikët nga ana e vet mendojnë se Marku asht prej Tirane a Durrësi. Këta të fundit mendojnë se asht prej Mirdite. Mirditorët mendojnë se asht prej Zadrime a nga Malësia e Madhe.
Atë ditë që ai vdes, merret vesh se ai kishte qenë prej Prizreni. Të gjithë u mjeruen e u helmuen por pa dobi. Marku tashma ishte nda kso bote. Ai nuk vdiq, ai plasi. Këte të vërtetë dhoma e mësoi prej Izet Çamit i cili ma tepër se kushdo ljetër u tregue solidar me Markun tue i krye ndonji shërbim e tue i ndihmue me përkushtim deri në çastet e mbrame.
Vetë Izeti i rritun jetim në nji familje prej Shijaku, sepse nana e la të vogël kurse babën ia vranë grekët, mbasi mbaron shkollën fillore ruen dhentë. Nji ditë atypari kalojnë tre udhëtarë dhe i kërkojnë bukë. Çami i ri ua jep gjithë bukën që kishte në strajcë. Për këtë gjest bujarie e akuzojnë për strehim diversantësh dhe e dënojnë 16 vjet burg.
Gjyshja e “Lilit”, nuse e re me nji djalë të vogël për dore vjen në Tiranë me nji grup të madh muhaxhirësh të Dibrës së Madhe. I shoqi ka mbetë i vramë atje, në Dibër prej serbëve (1913). Lidh shaminë e zezë dhe shtrëngohet me rritë të birin. E fejon dhe e marton. Këtij çifti, Zoti i fal dy fëmijë, nji djalë e nji vajzë. Por shumë herët këta dy fëmijë mbetën jetimë, vetëm me gjyshen. E ama u çmendet e përfundon në çmendinë. Mbas nja tre-katër vjetësh u vdes edhe i ati nga tuberkulozi. Gjyshja përveç punës që ban ditën si pastruese zyrash edhe natën ban punëdore për të fitue bukën e gojës me djersën e ballit…
I nipi mbas nji aksidenti në vendin e punës akuzohet për “sabotim ekonomik” dhe dënohet me vdekje. Lili, e motra që asht në fjalë për t’u fejue, ban çmos derisa bie viktimë e përkushtimit dhe e naivitetit. I vëllai pushkatohet dhe Lili mbyt veten me oksid karbon i. Gjyshja mbetet si nji pemë që i ka ra rrufeja. Kështu u fik edhe nji familje tjetër shqiptare.
Shqipnia vuen për nji Shekspir!
Këto janë vetëm grimca, përballë tragjedisë së madhe. Të gjithë kemi për detyrë me e pranue me e njoftë dhe me shpallë të vërtetën.
E tmerrshme!
Duhen perhape sa me shume keto vargje.