“Ka pasur vrasje të aktivistëve të LDK-së, nuk ka dilemë. Por dikush qëllimsht nuk ka dashur t`i hetojë ato raste, në mënyrë që ajo të mbetet temë qendrore”, – e pranon, më në fund, Fatmir Limaj. Deklarimet e Limaj janë të sakta. Vrasjet politike numerike në Kosovë janë faktike. Dëshmi janë varret, shumë syrësh me pllaka përkujtimore, buste dhe shtatore, anekënd Kosovës, mjerisht! Të gjithë janë viktima të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale.
Për të qenë rrëfimi i plotë, Limaj duhet të sjell arsyen, pra, qëllimet e mirëfillta të vrasjeve politike; autorësinë dhe të dhënat tjera, për ta ndihmuar drejtësinë. Pamëdyshje, Limaj di shumë, ka informacion të bollshëm dhe të dorës së parë. Sepse ai ishte menaxher i njërit nga 40 burgjet të improvizuara, madje, më të përgjakshmit – Kleçka tmerruese!
Kleçka u bë varri i sekretarit organizativ të LPK-së për Kosovën, Behajdin Hallaçit; komandantit markant Ismet Jashari – Kumanova; Shaban Shalës dhe të tjerëve. Aty u dajakosën, me rrjedhje gjaku, deri në fund të shpinës, kryetari i LDK-së për Malishevën, Jakup Kastrati, veprimtari i shquar Cen Desku dhe shumë të tjerë, që provuan kalvarin e komandantëve banditër e mizorë. Dhe, në qendër të kësaj ploje, ishte, pikërisht, shefi i burgut të vdekjes, Fatmir Limaj. Por, ai nuk ishte i vetmi. Vizitat ogurëzeza, ndjella keqe e ndjella vdekje, të zëvendës-drejtorit të SHIK-ut, Elmi Reçica, me vartësit e tij, nuk mungonin, qoftë edhe në errësirën e natës.
Fatmir Limaj është levizak i hershëm, me “kruzhokët”, rrethet staliniste e hoxhiste. Për këtë ka folur bashkëmendimtari i tij, Hajredin Kuqi, i cili garon me Limaj në panegjerizmin përlavdërues të shefave të tyre, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e kompani. Madje Limaj e tepëron, deri në banalizim, me marrëzinë e tij se, “pa Hashim Thaçin e Kadri Veselin, nuk do të kishim as Kosovë të lirë”!?
Gënjeshtra dezinformuese demantohet, lehtësisht, kur dihe se asnjëri syrësh nuk ishin pjesë e luftës. Sepse ata ishin banorë rezidentë të hotel “Rogner” dhe merreshin me listime vrastare dhe komunikata morbide!
Në deklaratën rishtare të tij, Fatmir Limaj , shquhet për sinqeritet kur thotë se “qëllimi ka qenë të krijohen ndarje, përçarje, paragjykime, e për të akuzuar njerëz faj e pafaj”.
Në një takim të hapur, në Dukagjin, në vitin 1998, Fatmir Limaj i shërbente, pikërisht, ndarjes dhe përçarjes: “Kush donë të hyjë në Evropë përmes Tirane, lë të vjen me neve, ndërkaq kush donë të hynë përmes Beogradit, lë të shkojë me Rugovën”! Më qartë nuk ka se si t´i shërbehet ndarjes dhe përçaqrjes të popullit, madje, në vlugun e luftës! Por, dukagjinasit, të zhgënjyer, e injoruan me mosbebim.
Limaj vazhdon deklaratën e tij, krejt të virgjër, të padëgjuar nga soji i tij lëpëkeist: “Unë nuk kam asnjë dilemë që ato vrasje kanë motive anti-shqiptare, anti-shtet dhe për të krijuar përçarje”, – ngulmon, njëmendësisht e bindshëm, Limaj, në vazhdim të deklaratës së tij.
Por, Limaj, me deklarimet e tij, të cilat janë absolutisht të sakta, veçsa konstaton, se seria e vrasjeve politike numerike, tashmë, ka ndodhur. Veçse mjaftohet me kaq, duke anashkaluar autorësinë e këtyre vrasjeve, sepse edhe -krimi ka emër -. Dhe, nuk ka asnjë dyshim se Limaj është njeriu i duhur për të rrëfyer, për opinionin shqiptar, për shumë nga krimet vrastare, gjatë dhe pasluftës, në Kosovën tonë, rrast të inkriminuar.
Emri i Fatmir Limaj lakohet, të paktën,
në 6 (gjashtë) raste vrastare e korruptive:
1) Burgu rural i Kleçkës, i cili u bë emër i kobshëm, për ushtarakët e FARK-ut të Ibrahim Rugovës; kuadro e veprimtarë të LDK-së; si dhe kuadro të hershëm të LPK-së. Të gjithë luftëtarë dhe veprimtarë, për çlirimin e Kosovës;
2) Rasti i vasjes të Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, të rrëmbyer dhunshëm dhe të ekzekutuar si tradhtarë! Komandant Limaj dyshohet se ka urdhëruar dhe përcjellur kidnapimin dhe ekzekutimin. Personalisht, ai, ka çarmatosur djalin e Ramiz Hoxhës, ushtar i UÇK-së. Akuza ndaj Limaj për vrasje, konvertohet në “pakujdesi komandimi”! Kësaj i thonë – vrajë nëpër Kosovë dhe merr pafajësinë në Gjakovë -! Sikur nuk mjaftoi ky skandal, Limaj festoi “pafajësinë”, me komandantët e sojit të tij, me krisma kallashi, të cilat u dëgjuan edhe në Familjen Hoxha në Bellanicë dhe të Binishit në Banjë. Ishte një rivrasje e viktimave dhe lëndim i skajshëm i familjeve të tyre dhe i shqiptarëve njerëzorë të kudondodhur.
Në vitet `60-a kam qenë mësues në Banjë të Malishevës, kam njohur Ramiz Hoxhën. Kur Dr. Ibrahim Rugova themeloi partinë e parë plurale, Hoxhajt e Bellanicës, ishin me Rugovën dhe LDK-në e Tij. Ata ndihmuan Kosovën dhe luftën nga Mërgata dhe Kosova. Një familje fisnike, e dëshmuar në paqe dhe në luftë. Andaj, assesi nuk e meritonin gjëmën e skajshme, të shkaktuar nga Limaj, me bandën e tij.
3) Operacioni “Shigjeta”, me kryeshef Fatmir Limaj, u organizua një muaj para çlirimit. “Komandantët” e Pashtrikut po grindëshin ke ta zgjidhnin – komandant të parë-! Hafijet e SHISH-it të Klosit, donin të ishte nga Shqipëria, ndërsa SHIK-u e donte komandantin nga torishta e tij. Komandantët profanë në artin ushtarak, i futën 148 ushtarë në Lugështajën e Gorozhubit. Ata u spiunuan qysh para nisjes për në kufi. Forcat serbe kishin zënë pritën në të dy shpatët e Lugështajës. Me breshëri plumbash i vranë 23 ushtarë të UÇK-së, shumë të tjerë u plagosën, të tjerët i zunë robër.
Tani, dezinformohet, falsifikohet, vrazhdësisht, gjoja se “u bë një luftë e rreptë” me forcat armike. Ndërkohë që nuk ekzistonte asnjë mundësi as sulmi dhe as mbrojtjeje. Cinikisht, masakrat po festohen si fitore! Atëherë, pse prisni të ndëshkohet sodateska serbo-sllave, për krimet në Kosovë, kur UÇK-ja i paska fituar betejat, duke vrarë shumë armiq pushtues?!
Ekrem Rexha – komandant “Drini”, me ushtarët e tij, edhe pse veproi në zonën e Pashtrikut, ai i mbeti besnik emërtesës FARK, duke mos njohur si epror Fatmir Limaj. Dhe, hakmarrja ishte fatale, duke u ekzekutuar para shtëpisë së tij, në Prizren, nga saliveselat e Limajt. Komandant “Drini” ishte i pakonkurueshëm, për pushtetin lokal të pritshëm. Edhe me këtë shembull, po ndihmojmë Limaj, që ai të prononcohet për arsyet dhe autorësinë e vrasjeve me motive, tërësisht, politike.
Hashim presidenti u mburr, tre vjet më parë, për “angazhimin dhe lavdinë e operacionit “Shigjeta”, në Luftën e Kosharës”! Por, komandanti i kësaj lufte, Kolonel Rrustem Berisha, e demantoi atë, duke thënë se “për operacionin “Shigjeta” kemi mësuar vetëm pas çlirimit”! Në largim e sipër nga Kompleksi Memorial i Kosharës, Hashimi i tha Kolonel Berishës: “Më fute thikën pas shpinës”. Koloneli gjegjet: “Unë thashë vetëm të vërtetën”. Gënjeshtrën e përsëritë, madje dendur, edhe Gjenerali matrapaz, Kudusi Lame.
Është skandaloze, pse nuk u jipet grada “Gjeneral”, të paktën, dy kolonelëve markantë, të shquar në komandën e Luftës të Kosharës: Rrustem Berishës dhe Anton Qunit?!!
4) Heroi i gjallë Fetah Rudi, ishte kuadër i devotshëm i LDK-së dhe Presidentit Ibrahim Rugova e vlerësonte si organizator të mirë dhe mik të sinqertë. Disa komandantë, me Qeverinë e tyre të Përkohëshme, të kompozuar nga krerët social-komunistë të Tiranës zyrtare, vepronin me skemëm e diktatorit fashist, Enver Hoxha. Gjatë luftës ai i vriste, pas shpine, kundërshtarët politikë.
Pas luftës, në të gjitha rrethet, siç quheshin komunat, përzgjidhte atdhetarët më të zëshëm, i dënonte dhe ekzekutonte, me akuza të stisura, të shpifura, për të mbjellur frikë, terror dhe nënshtrim në popull. Për afro gjysmë shekulli, banda byroiste e Hoxhës, ushtroi fashizëm tipik, ndaj popullit shqiptar. Në atë rrugë po shkonte edhe Qeveria e Përkohëshme e “komandantëve”. Vetëm ndërkombëtarët e stopuan, në një masë.
Me atë që kemi mësuar deri me tani, rezulton se Limaj ka bërë përzgjedhjen, se kush duhet shënjestruar në Malishevë, për frikë e terror. Dhe, Fetah Rudi ishte kuadër i LDK-së, bashkëpunëtori i zellshëm dhe miku personal i Presidentit Rugova. Ndërsa ekipi i SHIK-ut, zyrtarisht, ka bërë atentatin, të cilit Rudi i mbijetoi, por, i plagosur rëndë, për të mbetur në karrikën invalidore – përjetësisht.
Për të fshehur gjurmët e krimit, po atë ditë, komandantët, eksponentë të SHIK-ut, eksponentë të krimit, urdhëruan shtypjen, si minjtë, të tre atentatorëve në veturën e kuqe! U zhduk edhe kamioni vetëshkarkues, bashkë me shoferin, që shkaktoi “aksidentin” e porositur! Krejt kjo brenda ditës, si në filmat horror! Për atentatorët, komandantët kanë bërë edhe një kompleks memorial dhe kriminelët trajtohen si dëshmorë!
LDK-ja ishte në koalicion për qeverisjen e komunës të Malishevës. Caktoi për nënkryetar të komunës kuadrin e saj, Fetah Rudin. Ishte ndërhyrja e Limajt të mos pranohej kjo kandidaturë. Për rrjedhojë, LDK-ja u tërhoq nga bashkëqeverisja. Veç kësaj, PAN-istët, si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, kandidimin për deputet të heroit Rudi, e konsideruan si provokim. Pra, Limaj, me PAN-istët e tij, e pranuan, natyrshëm, krimin e bërë ndaj rugovistit Fetah Rudi.
5) Rasti tragjik i dëshmitarit Agim Zogaj, ka lidhje të drejtëpërdrejtë me eprorin e tij, Fatmir Limaj, i cili iku kësaj bote, në rrethana misterioze! Rasti Zogaj do të kujtohet, si rast unik, në drejtësinë botërore, për heshtjen e turpshme të drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare. Dëshmitë e tij, për krimet e Limajt, me shokë, në burgun e vdekjes, në Kleçkë, të shkruara në – Ditar -; i intervistuar nga Policia e UNMIK-ut; i intervistuar nga mediat e shkruara qendrore dhe ato vizive; dëshmitë zënore në televizione.
Dëshmitarin potencial, kundër Limajt, në Gjykatën e Hagës, Agim Zogaj, e morën në mbrojtje ndërkombëtarët. Por, nuk e mbrojtën dot, sepse krimi në Kosovë, është më i fortë se ligji, më i fortë se drejtësia! Kur kuadri i “Nisma”, Jakup Krasniqi, mësoi vdekjen e dëshmitarit Zogaj, i gëzuar, deri në ekstazë, deklaroi botërisht: “Tani, Fatmiri shpëtoi, pasi dëshmitari u shua kësaj bote dhe dëshmia e tij, në mungesë, nuk vlenë më”!? E turpshme dhe kriminale!
Edhe pas eliminimit të dëshmitarit okular, syjas, i akuzuari Limaj, nuk u mjaftua. Ai kërcënoi Familjen e Zogajt, se “tani janë rritur fëmijtë e tij dhe keni kujdes, t`i pushoni akuzat”! Ndodhi çudia e madhe! Familja Zogaj paguante avokatin Çelaj, për ta shpallur Agim Zogaj hafije të Serbisë, qoftë edhe pas vrasjes!! Ky skenar ishte i Fatmir Limajt. Gjëra të tilla ndodhin vetëm në Kosovën e çudirave!!!
6) Si ministër i PDK-së, ekziston dyshimi i bazuar, se është përfshirë në 20 makro-tenderime korruptive, hajni zyrtare. Kuotën përfituese e kishte fikse: 200 mijë dollarë apo marka, për një tender të majmë. Bisnesmeni nga Gjilani, me guximin e mjaftueshëm qytetar, e denoncoi Limajn, për ofërtën e dhënë, nëse don tender nga Qeveria e PDK-së”! Dhe, ndërkohë që Limaj ishte nën akuzë, bëri një pazar me një biznsmen tjetër, me të njëjtën kuotë çmimi! Prandaj, Limaj njihet në opinionin shqiptar si “hajni trim”!
E veçanta në rastin Limaj është se ai ka fat në fatkeqësi: Dëshmitarët e tij i merr Zoti, para se të ballafaqohen në Gjykatë, me të akuzuarin Fatmir Limaj! Kështu ndodhi me Agim Zogaj. Dhe, si me porosi, edhe biznismeni nga Gjilani, vdiq në një aksident në Vjenë!
– V i j o n –
Komentet