VOAL

VOAL

LDK-ja, nga Vjosa Osmani te Driton Selmanaj – Nga Ermal Mulosmani

June 21, 2020

Komentet

Si e përdor Rama retorikën pro-BE për të delegjitimuar drejtësinë, për të goditur SPAK-un dhe për të rrezikuar marrëdhënien strategjike me ShBA- Nga Endrit Reka

Ngjarjet e kësaj jave nuk janë thjesht një episod i radhës në kronikën e krizave politike shqiptare. Ato përbëjnë një moment alarmi strategjik për interesat kombëtare, për raportin mes pushteteve dhe për pozicionimin gjeopolitik të Shqipërisë.

Kryeministri, në podkastin e tij javor, të shtunën e kaluar, deklaroi me një lloj mburrjeje se kishte çarmatosur në hyrje të kryeministrisë disa “trimosha”, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët kishin refuzuar të dorëzonin “patllaken”. Menjëherë, BKH ka reaguar ndaj kësaj deklarate duke thënë se çështja në fjalë kishte të bënte vetëm me verifikimin nga ana e agjentëve të saj të vendit të depozitimit të armëve përpara se të hynin në këtë institucion. Megjithatë, ajo që bie në sy në deklaratën e Kryeministrit janë dy shprehje – “trimosha”dhe “patllake”. I njohur për përzgjedhjen e fjalëve dhe konteksteve që mbartin ato, duket se KM edhe kësaj rradhe përzgjodhi me kujdes pikërisht nënkuptimin arkaik, duke i përshkruar agjentët e BKH-së si të rinj të vrullshëm në këtë zanat dhe papërvojë përballë gardës së vjetër dhe se mjete e tyre të vjetëruara, “patllaket”, nuk mund të krahasohen me sofistikimin që ai posedon. Megjithatë, nënkuptimi i fjalëve të përdorura mbetet në nivel interpretimi.

Ajo që është konkrete, nga të gjitha argumentet ligjore apo institucionale që mund të artikuloheshin për SPAK-un, Kryeministri zgjodhi të theksojë çarmatimin e agjentëve të BKH-së. Kjo nuk është e rastësishme. Ky nënvizim dhe formë e komunikimit përbën një sinjal jashtëzakonisht të rrezikshëm, jo për faktin teknik të çarmatimit – që mund të diskutohet në nivel rregulloresh – por për zgjedhjen politike të mesazhit. BKH dhe SPAK janë investim i drejtpërdrejtë strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian: financiarisht, teknikisht, politikisht dhe diplomatikisht. Mbështetja amerikane ndaj SPAK dhe BKH është e vazhdueshme, e pandërprerë, e dukshme dhe e strukturuar, ku përfshihet prania e vazhdueshme e ekspertëve amerikanë nga agjenci të ndryshme federale me tre shkronja.

Në këtë kontekst, theksimi publik i “çarmatimit” të tyre nuk është thjesht retorikë e brendshme. Është sinjal. Është mesazh. Dhe sinjalet në fushën e sigurisë nuk janë kurrë neutrale.

Përpjekja e ngritjes së alibisë europianiste

Ky episod nuk është rast i izoluar. Prej më shumë se 6 muajsh, pas një fushate intensive lobimi për të krijuar lidhje me administratën Trump, mesa duket Kryeministri i Shqipërisë ka hequr dorë dhe tashmë ka kaluar në anë tjetër: tashmë ai nuk humbet asnjë rast pa ndjekur një linjë të qëndrueshme distancimi nga ShBA. Kjo linjë shpesh është kristalizuar në mënyrën më të shëmtuar që mund të bëjë një burrë shteti: tallje publike, në dy raste, me Presidentin Trump përpara palëve të treta jo-dashamirëse ndaj ShBA-së për ngatërrimin e Armenisë me Shqipërinë; dhe deklarata në median austriake se “vetëm BE di të ndërtojë shtet, ndërsa Amerika i rregullon gjërat me bomba dhe pastaj me predikime”.

Ai e di shumë mirë që SPAK dhe BKH janë sa produkt i amerikanëve aq edhe i europianëve. Por KM po ndjek taktikën e përçarjes në nivel retorike për të gjetur një strehim tek acarimi aktual mes BE-së dhe ShBA-së, acarim i cili nuk ka lidhje fare as politike e as organike me atë që KM shqiptar përfaqëson sot. Nga ana e tij, kjo është një zgjedhje politike e vetëdijshme për të arritur objektivin që i ka caktuar vetes – të shpëtojë nga përgjegjësia penale e mëkateve të tij shqiptare duke bërë sikur është me evropianët.

Sot, në një moment kur marrëdhëniet BE-ShBA janë realisht të tensionuara për çështje strategjike madhore – nga Ukraina, te siguria energjetike, te kriza e brendshme politike europiane – KM shqiptar nuk ka luksin të luajë lojëra flamurtarësh ideologjikë në emër të kombit. Sidomos një vend i vogël si i yni, me institucione të brishta dhe histori të dhimbshme varësie strategjike. Përplasja me SPAK-un dhe simbolika e sulmit ndaj BKH-së krijojnë një alibi të rrezikshme: pretendimin se çdo goditje penale ndaj Kryeministrit apo rrethit të tij është produkt i një “lufte gjeopolitike”, ku ai paska zgjedhur “krahun europian” kundër atij amerikan. Kjo narrativë e njohur dhe lojë jashtëzakonisht e dëmshme dhe e rrezikshme në Ballkan, është stërpërdorur disa herë nga udhëheqësit e saj dhe fundi i tyre është i ditur tashmë.

Bashkimi Europian ka problemet e tij me korrupsionin, siç tregojnë edhe skandalet e fundit, duke përfshirë figura të nivelit të lartë, si Kaili dhe Mogherini. Por korrupsioni institucional nuk ka qenë kurrë filozofi shtetndërtuese e perëndimit. SPAK-u nuk është projekt kundër Europës, siç po përpiqet ta shesë Kryeministri, por instrument për të rikthyer minimumin e besimit tek institucionet shtetërore ku shqiptarët paguajnë taksat e tyre. Fatkeqësisht e gjithë kjo që po ndodh për shqiptarët do të thotë dobësim i institucioneve shtetërore, aq të dëshiruara nga ne. Do të thotë cënim i marrëdhënies strategjike me aleatët tanë kryesor dhe rrezik afatgjatë për sovranitetin dhe stabilitetin. Nga ana tjetër, historia na e ka mësuar qartë: Europa, pa ombrellën amerikane, nuk ka qenë kurrë garanci e mjaftueshme për sigurinë e shqiptarëve.

Kur interesi personal i përkohshëm vendoset mbi interesin kombëtar të përhershëm, kemi jo një, por dy herë tradhti: ndaj kombit dhe ndaj historisë. Megjithëse historia e thotë gjithmonë të vërtetën, ne shqiptarëve zakonisht historia na e thotë të vërtetën kur është tepër vonë për ta korrigjuar atë.

Marrëdhënia me ShBA-në nuk është emocionale; është ekzistenciale. Çdo devijim nga kjo linjë nuk dobëson vetëm një qeveri: dobëson Shqipërinë dhe shqiptarët nuk e kanë më këtë luks në këto kohë të vështira.

WSJ: Kushner heq dorë nga investimi në Serbi

Lokacioni në Beograd, ku kishte planifikuar të investonte Kushner.

 

Radio Evropa e Lirë

Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, është tërhequr nga projekti për ndërtimin e një hoteli në Beograd, raportoi gazeta Wall Street Journal më 15 dhjetor.

Projekti ishte parashikuar në vendin e ish-godinës së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, e cila u shkatërrua gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Kompania e Kushnerit “Affinity Partners” kishte planifikuar të ndërtonte aty një hotel luksoz.

Lajmi erdhi në ditën kur Prokuroria Publike për Krim të Organizuar në Serbi ngriti aktakuzë ndaj ministrit aktual të Kulturës, Nikolla Sellakoviq, për shkelje gjatë heqjes së statusit të pronësisë së objekteve kulturore ndaj ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm, në qendër të Beogradit.

Sellakoviq akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.

“Për shkak se projektet e mëdha duhet të bashkojnë, jo të ndajnë, dhe nga respekti për qytetarët e Serbisë dhe Beogradit, ne tërhiqemi nga aplikimi ynë dhe këtë herë qëndrojmë mënjanë”, deklaroi një zëdhënës i kompanisë private investuese të Kushnerit, “Affinity Partners”, sipas Wall Street Journal.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua kompanisë “Affinity Partners” për konfirmim dhe koment dhe është në pritje të përgjigjes.

REL-i kontaktoi edhe Presidencën e Serbisë, por ende pa përgjigje.

Prokuroria për Krim të Organizuar po kryen hetime që nga maji për falsifikimin e dyshuar të dokumenteve, të cilat shërbyen si bazë që Qeveria e Serbisë t’i hiqte statusin e pronësisë kulturore ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në Beograd.

Sipas akuzave të mëparshme nga Zyra e Prokurorit, drejtori i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Goran Vasiq, pranoi falsifikimin e dokumenteve.

Bazuar në atë dokumentacion, Ministrisë së Kulturës, e cila udhëhiqet nga Sellakoviq nga radhët e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet, i është dorëzuar një iniciativë për miratimin e vendimit për heqjen e statusit të pronësisë kulturore ndaj ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm.

Sellakoviq u mor në pyetje më 4 dhjetor dhe, pasi dha dëshminë e tij, ai nuk foli për procedurat, por bëri akuza dhe fyerje kundër Prokurorisë për Krimin e Organizuar.

Pa ofruar ndonjë provë, ai e akuzoi atë se vepron sipas urdhrave të disa qendrave të pushtetit, të cilat nuk i emëroi, por tha se synojnë rrëzimin e Qeverisë në Serbi dhe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Më 11 dhjetor, Vuçiq tha se, në rast se ngrihet aktakuzë për rastin e ish-godinës së Shtabit të Përgjithshëm, ai do t’i falë të gjithë ata që “dyshohet se kanë marrë pjesë në mashtrime”.

“Nuk do t’ua jap mundësinë t’i ndjekin penalisht ata që nuk kanë faj. Unë jam fajtori. Unë jam ai që dëshiroja modernizimin e Serbisë. Unë jam ai që dëshiroja të sjell një investitor të madh”, tha Vuçiq.

Më 7 nëntor, Kuvendi i Serbisë miratoi një ligj të veçantë që i hoqi ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm statusin e pasurisë kulturore, duke i hapur rrugë ndërtimit të një kompleksi luksoz.

Ky projekt nxiti kundërshtime nga demonstrues antiqeveritarë, opozita dhe ekspertët që kërkojnë ruajtjen dhe restaurimin e ndërtesës së shekullit 20.

Kushner, përndryshe, ka plane për një projekt edhe në bregdetin Adriatik të Shqipërisë.

Projekti parashikon shndërrimin e Ishullit të Sazanit – të mbushur me bunkerë dhe tunele të braktisura nga epoka komuniste – në një vendpushim luksoz.

Projekti prej 45 hektarësh, i miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike më 30 dhjetor 2024, vlen 1.4 miliard euro dhe pritet të krijojë rreth 1.000 vende pune në Shqipëri.

Megjithatë, nuk ka ende informacione publike nëse kontratat janë nënshkruar, nëse lejet mjedisore janë lëshuar, nëse studimet e fizibilitetit kanë përfunduar apo planet e ndërtimit janë miratuar.

Gentian Çala: Mos rrini duarkryq ndërsa vendi shuhet, shikoni ç’bëjnë popujt e tjerë

Gentian Çala, mjek psikiatër, foli nga foltorja e opozitës duke denoncuar atë që e quajti një regjim që prodhon padrejtësi dhe mbron të korruptuarit. Ai theksoi se në Shqipëri dënohesh për shkelje të vogla, ndërsa abuzimet e mëdha me ndërtime, energji, drogë dhe buxhet mbeten të pandëshkuara.

Çala:

Mirëmbrëma i nderuar profesor doktor Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike. Mirëmbrëma presidenti i Partisë së Lirisë, zoti Ilir Meta. Regjimi i këtyre këtu mbas kurrizit tim dhe të gjitha regjimet kudo që janë, prodhojnë padrejtësi.

Ne sot jetojmë në vendin ku dënohesh për kasollën, por nuk dënohesh për kullat shumëkatëshe. Jetojmë në vendin ku dënohesh se nuk ke të paguash energjinë, po ku një pakicë e lidhur me qeveritarë, e në disa raste me para të pista, të merr tokat dhe ujin për të ndërtuar prodhues energjie. Jetojmë në vendin ku dënohesh për 10 gram drogë, po nuk dënohesh nëse ti mund të shesësh drogë në të gjithë Evropën. Jetojmë në vendin ku milionat e buxhetit ikin lumë dhe të merr lumi nëse ke një hall shëndetësor.

Jetojmë në vendin e reformës në drejtësi, ku qytetarëve tanë, neve, na duhen dekada që të marrim vendime në një gjykatë. Jetojmë në vendin ku qeveria mbron të korruptuarit e saj dhe burgos viktimat e tij. Si unë, besoj që mendojnë shumë prej jush, në këtë shesh edhe kudo. Por ka nga ata që kanë vendosur të heshtin, megjithëse janë të vjedhur, të shtypur, me të drejtat të nëpërkëmbura dhe me liri të vjedhura.

Ka nga ata që frika i ka bërë të bashkëjetojnë me të keqen. Unë besoj që në vend të bashkëjetesës me të keqen duhet të zgjedhim përballjen dhe luftën ndaj saj. Në qeveri, në parlament, në institucione, në rrugë, në sheshe, kudo. Mua më vjen keq edhe këtu shikoj që opozita është e ndarë.

 Dikush në një cep dhe ca të tjerë këtu. Në fakt opozita nuk mund të jetë me llogaritje. Opozita është çështje e zemres dhe besimit dhe ata që duan duhet të jenë në një shesh të gjithë bashkë. I bëj thirrje intelektualëve dhe qytetarëve të lirë të këtij vendi që të reagojnë, të flasin, të protestojnë, jo për mua, as për ju nëse doni, po për familjet e tyre, për vendin.

Ne nuk mund të rrimë duarkryq dhe nuk mund të heshtim nëse vendi shuhet përditë e shpopullohet. Andej nga vij unë, qytetet janë bosh. Ne nuk mund të heshtim nëse vidhet pa skrupuj, nëse trajtohet gjithçka si pronë e si plaçkë. Ne nuk mundet, nuk duhet të rrimë duarkryq duke thënë, çfarë më duhet mua. Shihni popujt e tjerë në Ballkan, në Greqi, në Rumani, në Bullgari, se si protestojnë për subvencionet bujqësore, për buxhetin, për investimet e korruptuara që marrin jetë, apo për drejtësinë e korruptuar. A janë më të mirë se ne? Sigurisht që jo. Po ata mund të jenë dhe më pak të vjedhur e të shtypur sesa ne, por protestojnë.

BIRN: Saga e hetimit pasuror! Si i shpëtoi konfiskimit biznesi i ndërtimit i Ben Qimes

Procedimi pasuror ndaj të dënuarit në Itali për trafik droge, Arben Isufaj, zbuloi interesat e tij në fushën e ndërtimit në Fier dhe Tiranë, por kompania i shpëtoi konfiskimit me argumentin se investimet ishin mbuluar nga parapagimet e blerësve të apartamenteve.

 

Në dhjetor të vitit 2004, policia italiane arrestoi tre persona me 3.5 kilogramë kokainë të importuar nga Holanda në qytezën Melegnano, rreth 16 kilometra në juglindje të Milanos. Sipas drejtësisë italiane, grupi kishte një bashkëpunëtor të katërt të quajtur Arben Isufaj, por ai i shpëtoi arrestimit.

Thuajse në të njëjtën periudhë në Shqipëri, një kompani ndërtimi e quajtur “Isufaj – 2004” u themelua me seli në lagjen Sheq i Madh i Fierit dhe punoi e patrazuar për më shumë se një dekadë.

“Isufaj- 2004” ndërtoi tre pallate në Fier dhe e zgjeroi biznesin e ndërtimeve edhe në Tiranë, përpara se të zbulohej se pronësia e saj ishte e lidhur me Arben Isufajn – një subjekt i ligjit “Antimafia”.

Isufaj, 56 vjeç, i njohur gjithashtu si Ben Qimja, u dënua nga drejtësia italiane në vitin 2014 për trafikimin e kokainës nga Holanda drejt Italisë dhe episode të tjera të trafikut të drogës mes viteve 2004-2005. Isufaj i shpëtoi ekstradimit në Itali falë një vendimi kontrovers të Gjykatës së Fierit, por pronat e tij në vendin e origjinës u bënë objekt hetimesh pasurore.

Në maj të vitit 2021, Prokuroria e Posaçme regjistroi një procedim pasuror në ngarkim të tij, duke sekuestruar një sërë pasurish të dyshuara, përfshi edhe kompaninë e ndërtimit “Isufaj-2004”. Por vetëm dy vjet më vonë, masa e sekuestrimit u revokua me pretendimin se Isufaj e kishte financuar biznesin e tij të ndërtimit me parapagimet e klientëve të tij.

Sektori i ndërtimit në Shqipëri është veçanërisht i ekspozuar nga fluksi i parave kriminale që depërtojnë në ekonominë e varfër të vendit. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit të Parave, ndërtimi dhe tregu i pasurive të paluajtshme mbeten instrumentet dominuese ku injektohen paratë e krimit në ekonomi.

Megjithatë, goditja e fenomenit të pastrimit të parave në ndërtim mbetet në kufijtë minimalë.

Pas një hetimi 2-vjeçar për burimin e pasurive të sekuestruara të Arben Isufajt dhe rrethit të tij familjar, avokatët mbrojtës kërkuan revokimin e masave të sekuestros me pretendimin se pasuritë ishin krijuar përpara vendimit të drejtësisë italiane ose ishin financuar nga burime të ligjshme.

Këto pretendime u legjitimuan nga Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme në rastin e kompanisë “Isufaj -2004”, duke u bazuar mbi një akt-ekspertimi që tregonte se biznesi i ndërtimit nuk u financua nga ortaku, por nga parapagimet e blerësve të apartamenteve.

Perandoria e biznesit

Arben Isufaj ka një të kaluar kriminale në shtetin Italian, pasi është dënuar nga Gjykata e Torinos për trafik lëndësh narkotike. I shpallur në kërkim nga Interpoli që prej vitit 2010, Isufaj u arrestua për qëllime ekstradimi në mars të vitit 2014, por kërkesa e autoriteteve italiane u hodh poshtë nga një vendim i shumëdiskutuar i Gjykatës së Fierit.

Prej shkurtit të këtij viti, Isufaj ndodhet sërish në kërkim, pasi akuzohet se kërcënoi një gjyqtar në qytetin e Fierit.

Dokumentet gjyqësore tregojnë Isufaj iu nënshtrua fillimisht hetimit pasuror në mesin e viteve 2010 nga Prokuroria e Fierit dhe në vitin 2021 nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Procedimi i fundit u bazua në një referim të vitit 2017 të Drejtorisë së Policisë së Fierit, ku ngriheshin dyshime se Arben Isufaj ia kishte dalë të ndërtonte një perandori biznesi në emër të familjarëve të tij dhe rrethit shoqëror.

Sipas këtij referimi, Arben Isufaj kishte kryer transaksione të shumta dhe në vlera të konsiderueshme me krushkun e tij, Agim Çako dhe rrethin e të afërmve të tij, të cilat dyshohej se rridhnin nga aktivitete të paligjshme.

Përveç këtyre transaksioneve, Policia e Fierit kishte identifikuar investime të shumta në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme si dhe një rrjet kompanish tregtare në emër të këtyre personave, të cilat vepronin kryesisht në fushën e ndërtimit dhe atë të hidrokarbureve.

Gjatë hetimit pasuror për rrethin e personave të lidhur me Isufajn, prokurorët Ened Nakuçi dhe Edvin Kondili identifikuan një listë të gjatë pasurish, mes të cilave tre pallate të ndërtuara nga kompania Isufaj-2004 në Fier, dy hotele në aksin Vlorë- Orikum, sipërfaqe të konsiderueshme tokash dhe trojesh si dhe rreth 200 dyqane të dhëna me qira në tregun ambulant të Fierit, i cili menaxhohej nga Çako.

Hetimi identifikoi gjithashtu kompaninë e ndërtimit Isufaj-2004 të regjistruar në pronësi të xhaxhait të Ben Qimes, Ymer Isufaj si dhe kompaninë “Mateo Konstruksion” me aktivitet në Tiranë në pronësi të Çakos.

Sipas dokumenteve gjyqësore, kjo kompani kishte fituar në vitin 2010 një tender në Albpetrol për blerjen e 60,000 ton lëndë djegëse kundrejt një pagese prej 7 milionë eurosh. Kjo pagesë ishte depozituar nga Isufaj dhe lidhje shoqërore të tij.

Pavarësisht listës së gjatë të bizneseve dhe kompanive të identifikuara, Prokuroria shkoi në Gjykatë me një kërkesë minimale për sekuestrim, duke u bazuar në një akt-ekspertim kontabël, i cili sipas prokurorëve tregonte se këto pasuri nuk justifikoheshin me burime të ligjshme.

Gjykata vendosi sekuestrimin e një pularie të regjistruar në emrin e kompanisë “Isufaj 2001”; 33% të kuotave të kompanisë Akili Alb sh.p.k; një sipërfaqe trualli prej 3289 m2 në Fier; kompaninë e ndërtimit Isufaj 2004, tre sipërfaqe toke në pronësinë e Agim Çakos si dhe gjashtë automjete.

Pasuritë e mësipërme u sekuestruan në vitin 2021, por në procesin e konfiskimit, kompania Isufaj-2004 iu rikthye të zotit.

Revokimi i sekuestrimit  

Në vendimin e Gjykatës së Posaçme të datës 30 janar 2023 me gjyqtar Erion Banin evidentohet se pas sekuestrimit të pasurive bazuar në ligjin “Antimafia”, personat e lidhur u ankuan në Apel, por kërkesa e tyre nuk u pranua.

Në janar të vitit 2022, Isufaj nëpërmjet mbrojtësve të tij paraqiti një memo në SPAK, duke kërkuar administrimin e një akt-ekspertimi kontabël të vitit 2018, të realizuar në kuadër të një procedimi penal për pastrim parash, të regjistruar nga Prokuroria e Fierit në vitin 2012.

Në këtë akt ekspertimi citohet ndër të tjera se shoqëria “ISUFAJ-2004” me ortak Ymer Isufajn, është financuar totalisht nga klientët që kanë prenotuar apartamentet. Po ashtu, pretendohet se financimi i shoqërisë nga prenotuesit deri në vitin 2007 është në shumën 8.6 milionë eurove.

Gjatë procesit, personat e lidhur kërkuan një ekspertizë të dytë për të llogaritur të ardhurat e realizuara në raport me shpenzimet. Gjithashtu, avokatët depozituan në gjykatë kontrata shitblerje të apartamenteve, që u pranuan si prova nga gjykata në kuadër të një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm.

Në kushtet kur gjatë shqyrtimit u konstatuan dy ekspertime të kundërta; njëri nga Prokuroria dhe tjetri nga avokatët, gjyqtari Bani me anë të një vendimi të ndërmjetëm ka vendosur kryerjen e një akti ekspertimi kontabël të ri me grup ekspertësh.

Gjykata ka vlerësuar se qëllimi i kryerjes së këtij akti ekspertimi ka qenë evidentimi i faktit, nëse shoqëria “ISUFAJ-2004” sh.p.k, nga momenti i themelit të saj e deri në momentin e dërgimit të kërkesës për sekuestrim, ka pasur ose jo burime të ligjshme për krijimin e aseteve në emër të saj.

Në aktin e ekspertimit të realizuar gjatë gjykimit të fundit, ekspertët kanë arritur në konkluzionin se kompania ishte financuar nga prenotuesit e apartamenteve në vitin 2005 në vlerën totale të 105 milionë lekëve.

Ndërkohë, ekspertët kanë shprehur rezerva nëse arkëtimet e premtuara në kontratat noteriale janë realizuar ose jo, pasi mungonin mandat -pagesat e arkës, por avokatët dorëzuan me kërkesë të gjykatës të gjitha mandatet e arkëtimeve.

Sipas gjykatës, nga konkluzioni i aktit të ekspertimit rezulton se financimet në shoqërinë “ISUFAJ-2004” shpk, nuk janë kryer nga burime të ortakut, por nga pagesat e realizuara nga prenotuesit.

Mbështetur në këto fakte, SPAK ka kërkuar në diskutimet përfundimtare revokimin e sekuestros për shoqërinë “ISUFAJ-2004” shpk. Ndërkohë, sipas vendimit të gjykatës, prokurorët i kanë qëndruar kërkimit për konfiskimin e pasurive të tjera.

Gjykata në përfundim, ka gjetur të drejtë kërkesën për revokimin e sekuestros ndaj shoqërisë ndërtimore “ISUFAJ-2004”.

“Gjykata çmon se mbi bazën e provave të administruara gjatë gjykimit, duke i parë në unitet me provat e tjera, nuk provohet që kjo shoqëri në fillimet e veta të jetë financuar nga ortaku. Pra, nuk provohet qe të jetë financuar me burime të paligjshme,” arsyeton gjyqtari Erion Bani.

Po ashtu, gjyqtari Bani ka vlerësuar se një pasuri e paluajtshme e llojit “arë” me sipërfaqe 5600 m2 në lagjen Sheq i Madh në Fier, është përfituar nga shtetasi Agim Çako mbi bazën e ligjit 7501, duke e hequr edhe atë nga lista e konfiskimeve.

Në përfundim, gjykata ka vendosur të pranojë pjesërisht kërkesën e prokurorisë, duke konfiskuar vetëm 7 prej 12 pronave të paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të Isufajt dhe personave të tij të lidhur.

Vendimi mori formë të prerë më 13 prill të vitit 2023, pasi nuk u ankimua nga ana e prokurorëve të SPAK dhe as nga avokatët.

Berisha: Me vendimin e Kushtetueses mbyllet çdo mundësi e SPAK të hetojë ministra

Berisha: Qytetarët do t’i japin përgjigjen e merituar Ramës që s’lejoi hetimin e parave që ka vjedhur Balluku

Kreydemokrati Sali Berisha ka deklaruar se me vendimin e Kushtetueses për rikthimin në detyrë të Belinda Ballukut, si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës, u shpreh se mbyllet çdo mundësi e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të hetuar ministra. “Kjo i dha zemër Edi Ramës. Shikoni pse foli dje ai. Ai foli dje sepse pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, mbyllet absolutisht çdo mundësi e institucionit të hetimit të hetojë ministra”, u shpreh ai.

Por Berisha theksoi se qytetarët do t’i japin përgjigjen kryeministrit Edi Rama më 22 Dhjetor, datë kur është thirrur protesta e PD-së.

“Unë kam bindjen më të thellë se qytetarët shqiptarë me datën 22 dhjetor do të mblidhen në Tiranë për t’i dhënë përgjigjen më të merituar vendimit të Edi Ramës për të mos lejuar hetimin e parave që ka vjedhur me Belinda Ballukun”, deklaroi ai.

Sali Berisha: Kjo i dha zemër Edi Ramës. Shikoni pse foli dje ai.
Ai foli dje sepse pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, mbyllet absolutisht çdo mundësi e institucionit të hetimit të hetojë ministra.

Ai mori garanci të plotë për këtë, sepse në rast se nuk ka pezullim, imunitetin dhe arrestimin ai nuk e lejon kurrë, siç nuk e lejoi në rastin e Saimir Tahirit.
Pra, ajo masë e vetme që u kishte ngelur në duar institucionit të prokurorisë, ishte pezullimi. Dhe këtë, pasi pariti Gjykatën Kushtetuese gjer në tjegulla, e bllokoi një masë të tillë. Një akt si ky nuk ka ndodhur kurrë.

Por unë kam bindjen më të thellë se qytetarët shqiptarë me datën 22 dhjetor do të mblidhen në Tiranë për t’i dhënë përgjigjen më të merituar vendimit të Edi Ramës për të mos lejuar hetimin e parave që ka vjedhur me Belinda Ballukun.

The Telegraph: Militantët serbë po luftojnë për Putinin në Ukrainë me shpresën se do të ndihmohen në Ballkan, rreziku për të nxitur një tjetër luftë në rajon

Një brez i ri nacionalistësh serbë po radikalizohet dhe po përgatitet për një konflikt të mundshëm në Bosnje-Hercegovinë, raporton The Telegraph.

 

Qindra militantë serbë, përfshirë veteranë të luftërave të viteve ’90, kanë shkuar të luftojnë në Ukrainë përkrah forcave ruse, të motivuar nga besimi se Rusia do t’i mbështesë në rikthimin e territoreve të humbura, si Kosova.

Këta persona përdorin rrjetet sociale për të rekrutuar të rinj, duke ofruar pagesa të larta dhe duke glorifikuar luftën. Autoritetet druhen se kthimi i tyre në Bosnje mund të nxisë konflikte paramilitare, 30 vjet pas përfundimit të luftës së Bosnjes.

Një rast i tillë është Dario Ristiç, i cili u kthye nga Ukraina, u arrestua për pjesëmarrje në një njësi të huaj paramilitare dhe tani ndodhet në arrest shtëpie, por vazhdon të ketë ndikim të madh online.
Një tjetër veteran me ndikim mbi është edhe Davor Savicic, i njohur si “ujku” nga ndjekësit e tij në internet. Me këtë të fundit është fotografuar edhe Milorad Dodik, ish-presidenti i Republikës Srpska, i cili ende ushtron pushtet efektiv. Ai u fotografua me Savicic përpara një takimi me Vladimir Putinin në Moskë në fillim të këtij viti.

Analistët thonë se numri i ekstremistëve është i vogël, por ndikimi i tyre mund të jetë destabilizues. Po ashtu ngrihen shqetësime për lidhje të ngushta me shërbimet ruse të inteligjencës, përfshirë trajnime dhe struktura mbështetëse në Republika Srpska, si dhe për implikime të mundshme në sigurinë evropiane dhe britanike.

Ndërkohë, komunitetet boshnjake myslimane shprehin frikë nga ringjallja e traumave të së kaluarës, pavarësisht përpjekjeve për pajtim.Panorama

Artikulli i medias britanike
Artikulli i medias britanike

FRIKA NGA PASQYRA dhe TMERRI NGA FYTYRA!- Nga SAMI KURTESHI

Qenka trazuar, hallakatur jashtëzakonisht shumë skena e ashtuquajtur mediale e analitike e Kosovës. Pas reagimit tim ndaj deklaratës së aleancës së grupeve kriminale – AGK – skena qenka tërbuar fare, sepse unë i kam emërtuar me titullin e saktë e të vërtetë “vrasës me pagesë”. I paskan zbrazur të gjitha predhat! Paska pushuar hallakama.
Nga reagimet e shumta, në fillim mendova se janë frikësuar nga pasqyra, që ua kam vënë përpara me fjalorin tim konvencional. Jo! Megjithë neverinë e shfaqur për “gjuhën e ashpër”, për “gjuhën e papërshtatshme” timen, nuk paskan gjetur as të pavërteta, as dezinformata, as pasaktësi, as ndonjë fjalë që nuk përputhet me përshkrimin.
Tmerrin ua paska shkaktuar fytyra, jo pasqyra! Kur e kanë pa fytyrën e vet të neveritshme, i kanë zënë të vjellat dhe tek atëherë janë tmerruar, kanë filluar të frikësohen edhe nga pasqyra.
Pasqyra nuk është as kërcënim, as shantazh, as sulm, as cenim i profesionit të gazetarit, atribute të cilat mëton t’ua mveshë të tjerëve kjo aleancë. Kjo që kurrë nuk e ngriti zërin për gazetarët e vrarë, gazetarët e rrahur e të sakatosur, për duzina sulmesh fizike ndaj gazetarëve nga pushtetet e mëparshme! Këtyre u pengon kundërshtimi ndaj përdhosjes e nëpërkëmbjes etike dhe kriminalizimit të profesionit të gazetarit nga bosët e tyre.
Ç‘është e vërteta unë edhe mund t’ua largoj nganjëherë pasqyrën, që t’u hiqet frika, por tmerrin jo, sepse nuk ua ndryshoj dot fytyrën. Ajo mbetet ajo që është! Katarza medialo-analitike në Kosovë ndoshta edhe mund të iniciohet ndonjëherë edhe nga jashtë, qoftë edhe me një pasqyrë, por ajo duhet të zhvillohet përbrenda, për të ndryshuar fytyrën. Prandaj, pasqyrën do t’ua vë përballë, sa herë që duhet të tmerrohen nga fytyra e tyre. E nëse nuk ua vë unë, po ua vënë të tjerët, herë-herë madje edhe më të qartë.
Që në fillim duhet sqaruar se e tërë skena e organizuar e ndjekjes banale të të ashtuquajturve gazetarë, deri edhe në toalet, të anëtarëve të KQZ-së, përveç banalitetit njerëzor, përmban edhe elemente të theksuara të krimit banal gjoja medial, të përzier me arrogancë fizike të një mjerani “gazetar” me emrin Valon Rashiti, që jo për herë të parë, me gjithë udhëzimet e zyrtarëve të KQZ‐së për mosndërhyrje në hapësirat e dedikuara për KQZ-në dhe vërejtjen e tërhequr për shkelje të kodit të sjelljes e pengimit të anëtarëve të KQZ-së, megjithë lutjen e vazhdueshme për sjellje normale, vepron njëjtë, në thelb duke shpërfaqur urrejtjen agresive ndaj përfaqësues të LVV-së në KQZ-së, për shkak të qëndrimit të tyre politik për moscertifikimin e subjektit politik Lista Serbe. E çuditshme, por e vërtetë!
E udhëheqësit e këtyre “mediave”, e edhe disa të tjera, qoftë si “analistë”, qoftë si “gazetarë” me kërcime nga karrigia, me të pasmet e të përparmet, në përpjekje për të cenuar edhe personalitetin dhe dinjitetin, paskan reaguar madje edhe duke ripërtypur jashtëqitjet e kahershme të udb-së, herë në T7 e herë në TV Dukagjini, e herë në ndonjë altoparlant tjetër audio-vizual të krimit. Tragjedia e tyre është se këto jashtëqitje të udb-së nuk guxojnë t‘i nxjerrin nga goja e tyre, sepse kështu i urdhëron udb-ja. I ripërtypin, e pastaj i gëlltisin dhe ngulfaten në to. Vjellin vrer. Mirëpo, është e vjella e tyre, kanë të drejtë edhe ta rigëlltisin!
Përpjekja e AGK-së për ta përgjithësuar fytyrën e vet kriminale duke i përfshirë të gjithë gazetarë/et e Kosovës është djallëzore, por lehtë e deshifrueshme. Përpjekje e kotë. Kjo aleancë as i përfaqëson, as i mbron dhe as i përfshin të gjitha gazetaret dhe gazetarët e Kosovës. Jo, gazetarët e gazetaret e Kosovës as janë si ju dhe as janë me ju. As jeni ju ata dhe as ata janë ju! Këtu përfundon përpjekja për monopolizim të gazetarisë, për pushtim të hapësirës dhe për mendimin e lirë dhe të lirisë së shprehjes. Hapësirën e ndërgjegjësimit, me këtë edhe të emancipimit qytetar e profesional të gazetarisë, nuk mund ta pushtojë kurrë një organizatë kriminale, sepse nuk është brumi i njëjtë.
Mjerisht e fatkeqësisht, AGK sot është shndërruar në strehë të zhbiruar të vrasësve me pagesë të dinjitetit të njeriut, jo të gazetarëve e gazetareve!
Me këtë rast, i falënderoj të gjithë gazetarët dhe gazetaret që nuk identifikohen as me aleancën e grupeve kriminale dhe as me bosët e tyre, vrasës me pagesë të dinjitetit të njeriut. I falënderoj edhe ato gazetare e gazetarë, që më paralajmëruan për arrogancën, agresivitetin dhe sjelljen provokative të të ashtuquajturit gazetar.
Në fushatën e tyre të tërbuar, veç aleancës, ku udhëheqësit publikë të disa nga këto media janë vrasësit me pagesë të dinjitetit të njeriut, nën kontrollin e bosëve-pronarë të tyre financiarë, për përkrahje “ndërkombëtare” paskan angazhuar një person me emrin Ricardo Gutiérrez, kryetar i një organizate ndërkombëtare gazetarësh, që për specialitet paska gjuhën e urrejtjes dhe etikën e gazetarisë.
Fatkeqësisht, gjuha e një letre të tij, e porositur nga AGK-ja dhe SLAPP juristja e dështuar, gënjeshtare kronike, tërësisht e dëshmon se gjuhën e urrejtjes dhe mungesën e etikës së gazetarisë i ka specialitete të perfeksionuara. Mirëpo, kjo është çështje e organizatës, pjesë e së cilës është dhe në emrin e së cilës shkruan. Ajo që shpërfaq gjuha e shkruar në letrën e tij drejtuar Kryeministrit, është kërcënim mafioz impotent nga pozita e paternalizmit prepotent ndërkombëtar.
Kësaj aleance kriminale nuk i ndihmon asgjë e askush, përveç katarza njerëzore e profesionale. Nuk ju ndihmon as përkrahja nga miqtë ndërkombëtarë me petk gazetari e me kërcënime mafioze; as presioni nga zyrat diplomatike prepotente të BE‐së në Kosovë, që pikërisht kjo aleancë dhe të strehuarit e saj, i quajnë “hipokritë paternalistë”, të cilave ju u ktheheni për ndihmë vetëm kur kërkoni largimin e pasqyrave; as ndërhyrjet e Avokatit të Popullit, gjithnjë e më të njëanshëm politikisht dhe etikisht poroz; as kërkesa për ndihmë nga Presidentja, të cilës i “qeponi” me urdhrat e bosëve tuaj kriminalë; as kërkesa për qortim e “lidhje” nga Kryeministri, të cilit vazhdimisht i thurni kurora të stolisura me kërcënime mafioze, shantazhe, shpifje, gënjeshtra, dezinformata, sharje e deri në fyerje etno-raciste.
Asgjë nuk mund t‘i ndihmojë kësaj aleance të vrasë dinjitetin e njeriut, të ngulfatë mendimin e lirë dhe as ta monopolizojë lirinë e shprehjes, që është një e arritur njerëzore përtej qëllimit dhe mundësive të tyre së bashku. Fatmirësisht!

Ballkani në margjina, Ballkani në qendër: Si e sheh SHBA-ja rajonin?

Për Kosovën, aleanca me SHBA-në mbetet një bosht i pathyeshëm. Pas një takimi me presidetin amerikan, Donald Trump, në shtator, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se e ka falënderuar atë për, siç u shpreh, angazhimin e palodhshëm për paqe.

 

Valona Tela

Dikur pjesë e vizionit strategjik të SHBA-së, sot Kosova gati se nuk figuron në Strategjinë e saj Kombëtare. Prioritetet e Uashingtonit kanë ndryshuar, dhe Kosova nuk e ka kapitalizuar periudhën e qetësisë, duke mbetur e cenueshme.

Në fillim të këtij muaji, Shtëpia e Bardhë e presidentit Donald Trump publikoi Strategjinë e saj të Sigurisë Kombëtare – një dokument që çdo administratë amerikane nxjerr për të shpjeguar prioritetet e saj në politikën e jashtme.

Strategjia, që mban firmën e presidentit, thekson se “ditët kur Shtetet e Bashkuara mbështesnin tërë rendin botëror si Atlasi, kanë mbaruar”, se “çështjet e vendeve të tjera janë shqetësim i SHBA-së vetëm nëse aktivitetet e tyre kërcënojnë drejtpërdrejt interesat amerikane” dhe se “Shtetet e Bashkuara do të riafirmojnë dhe zbatojnë Doktrinën Monroe për të rikthyer primatin amerikan në Hemisferën Perëndimore”.

Dokumenti prej 33 faqesh, po ashtu, bën thirrje për “kultivimin e rezistencës” në Evropë, duke paralajmëruar se kontinenti po nënvlerëson demokracinë, po bllokon paqen në Ukrainë dhe po përballet me “shuarje të civilizimit”, për shkak të emigracionit të lartë dhe rënies së lindjeve.

Ai fajëson edhe zyrtarët evropianë për pengimin e përpjekjeve të SHBA-së për të ndalur luftën në Ukrainë dhe akuzon qeveritë se injorojnë një “shumicë të madhe evropiane” që dëshiron paqe.

Kosova përmendet vetëm në kapitullin e “parimeve”, si një nga sukseset e presidentit Trump në arritjen e paqes mes saj dhe Serbisë.

Evropianët e pritën me shqetësim këtë strategji – “themelet e partneritetit kërkojnë respekt të ndërsjellë, veçanërisht në momentet e divergjencës politike”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Në vlerësimin e Olivia Enos, nga Instituti Hudson, strategjia pranon hapur se Amerika nuk mund të merret me gjithçka, lë jashtë disa rajone dhe probleme, dhe rendit qartë prioritetet, duke filluar me Hemisferën Perëndimore, pastaj Azinë, Evropën dhe në fund Lindjen e Mesme.

Kjo zgjedhje, sipas saj, është e diskutueshme për ata që duan një politikë të jashtme më të qëndrueshme, por është e qëllimshme.

“Unë e kam lexuar si renditje të prioriteteve. Të tjerët mund të mos pajtohen, por për mua mesazhi është i qartë: kjo është hemisfera jonë, prandaj kjo ka rëndësinë më të madhe për ne. Ne do të sigurohemi që kufiri ynë të jetë i sigurt. Ky është prioriteti kryesor”, thotë Enos për Radion Evropa e Lirë.

Për kritikët, strategjia është e ngarkuar ideologjikisht.

Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Fried, thotë se ajo ndan vlerat nga interesat, bie ndesh me politikat tjera amerikane dhe favorizon të djathtën radikale në Evropë, në kundërshtim me vetë qëllimet strategjike të SHBA-së.

Mospërfshirja e Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi në strategji, sipas Friedit, reflekton si uljen e urgjencës së krizës atje, ashtu edhe pritshmërinë që Evropa të marrë rolin kryesor.

Ai shton se, me tonin ideologjik të strategjisë së re, ndoshta është edhe “më mirë” për Kosovën që të mos përmendet fare.

“Strategjia mund ta kishte shpërfillur lehtësisht Ballkanin si çështje të Evropës dhe jo të SHBA-së. E, madje, mund ta kishte kritikuar edhe fokusin tonë të mëparshëm në Ballkan… se pse jemi përfshirë për shtetndërtimin e Kosovës apo për çështjet e të drejtave të njeriut, që na kanë çuar në konflikt ushtarak”, thotë Fried për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Megjithatë, sipas tij, konfuzioni është i dukshëm edhe në vetë kryeqytetin e vendimmarrjes botërore – në Uashington.

Kongresi atje po shtyn përpara Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, i cili bie ndesh me Strategjinë Kombëtare.

Ai synon të forcojë angazhimin ushtarak të SHBA-së në Evropë dhe të rrisë vëmendjen ndaj bashkëpunimit të Rusisë me Kinën dhe Korenë e Veriut.

Ligji garanton 76.000 trupa amerikane në Evropë, ndalon tërheqjet e mëdha të pajisjeve dhe vazhdon mbështetjen për vendet baltike, për të frenuar Rusinë.

Në pjesën për Ballkanin Perëndimor thuhet, mes tjerash, se “është në interes të përbashkët të SHBA-së dhe vendeve të këtij rajoni që ato të kenë rritje dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm”.

Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë e vlerëson si “hap pozitiv përpara në avancimin e normalizimit midis dy vendeve” dhe thekson se ato duhet të përpiqen të bëjnë përparim të menjëhershëm në zbatimin e saj.

“Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë bazuar në njohjen reciproke”, thuhet, po ashtu, në atë dokument.

Fried thotë se gjuha në Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare është “krejtësisht e kundërta” me atë të strategjisë.

“Ajo vendos kufij mbi aftësinë e administratës për të tërhequr trupat nga Evropa. Ky është edhe një dokument republikan. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, e ka mbështetur atë”, thotë Fried.

Për shkak të këtyre kontradiktave, siç i quan, Fried sheh edhe “një shpresë relative” – se SHBA-ja nuk është aq e vendosur të tërhiqet nga Evropa sa mund të sugjerojë strategjia.

Për Kosovën, aleanca me SHBA-në mbetet një bosht i pathyeshëm. Pas një takimi me presidetin Trump në shtator, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se e ka falënderuar atë për, siç u shpreh, angazhimin e palodhshëm për paqe.

Gjatë këtij viti, Trump e ka përmendur disa herë Kosovën, kryesisht për të theksuar rolin e tij si ndërmjetës që ka ndalur konfliktin mes saj dhe Serbisë.

Për ish-diplomatin austriak, Wolfgang Petritsch, epoka e aleancës klasike mes Evropës dhe SHBA-së – ajo që u ndërtua pas vitit 1945 – ka marrë fund.

Në Ballkan, thotë ai, roli i SHBA-së po tkurret si në aspektin strategjik, ashtu edhe në atë politik. Rajoni shihet gjithnjë e më shumë si përgjegjësi evropiane dhe shtetet e Ballkanit, veçanërisht Kosova, e cila nuk është as anëtare e OKB-së dhe as e NATO-s, duhet të përshtaten me këtë realitet.

“Ne tani jetojmë në një epokë pasigurie – pasigurie të plotë – e cila për shtetet më të vogla dhe më të brishta si Kosova, paraqet sfidë edhe më të madhe sesa për ato që tashmë janë në Bashkimin Evropian dhe që mund të përpiqen të veprojnë bashkë brenda BE-së”, thotë Petritsch për Exposenë.

Ai nuk pret shpërthim të një konflikti të ri të madh në Ballkanin Perëndimor vetëm se SHBA-ja mund të ulë nivelin e angazhimit të saj. Ai thekson se Evropa ka interes jetik të mos lejojë një luftë tjetër në pragun e saj, përtej asaj që tashmë po zhvillohet në Ukrainë.

Kampi amerikan Bondsteel në Kosovë mbetet një element kyç i sigurisë, por pesha e tij në të ardhmen, thotë Petritsch, do të varet ndjeshëm nga marrëdhëniet SHBA-Rusi.

Fried, në anën tjetër, është më paralajmërues: sipas tij, rajoni do të bëhej më i cenueshëm nëse Shtetet e Bashkuara zvogëlojnë praninë dhe angazhimin e tyre.

Ai vlerëson se Rusia dhe Kina do ta shfrytëzonin një boshllëk të tillë amerikan në mënyra të ndryshme, por plotësuese.

“Kina do të përpiqet të blejë infrastrukturën dhe nyjet kyçe, për të fituar kontroll mbi më shumë sektorë të ekonomisë. Rusia do të përpiqet t’i përdorë disa vende si agjentë, për të shfrytëzuar dobësitë e tyre dhe për të krijuar kaos sa herë të mundet. Në secilin rast, të dyja vendet do ta shohin Ballkanin si një fushë për realizimin e ambicieve të tyre më të gjera”, thotë Fried.

Një anketë e kryer nga Instituti Ndërkombëtar Republikan gjatë periudhës maj-korrik të këtij viti tregon se udhëheqësit e dy fuqive të mëdha gëzojnë mbështetje të konsiderueshme në disa vende të Ballkanit.

Në Serbi, për shembull, 50 për qind e të anketuarve kanë një opinion “shumë të favorshëm” për Vladimir Putinin e Rusisë, ndërsa 38 për qind e kanë të njëjtin opinion për Xi Jinpingun e Kinës.

Në Kosovë, vetëm 7 për qind e të anketuarve shprehin opinion “shumë të favorshëm” për Putinin dhe 6 për qind për Xinë. E, për Trumpin kjo përqindje arrin në 52.

Fried thotë se Evropa, veçanërisht BE-ja, duhet ta marrë udhëheqjen në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, sepse e ardhmja më e qëndrueshme e rajonit është brenda BE-së.

Ai nënvizon se BE-ja duhet ta ketë fuqinë për të frenuar elementet agresive në Beograd, që veprojnë për nxitjen e konflikteve të reja në Kosovë ose për ta mbajtur Bosnjën të ndarë përgjithmonë.

Sipas tij, kur Evropa ta marrë plotësisht këtë përgjegjësi, hapësira për Rusinë dhe aktorët e tjerë destabilizues për të luajtur lojëra në Ballkan, do të zvogëlohet ndjeshëm.

“Evropa duhet ta marrë udhëheqjen tani. Kur ka dështuar, SHBA-ja është detyruar të ndërhyjë. E kuptoj këtë, por problemi real i takon Evropës, sepse e ardhmja më e mirë e këtyre vendeve është brenda Evropës – nëse duan të arrijnë potencialin që meritojnë”, thotë Fried.

Bashkimi Evropian konfirmon vazhdimisht angazhimin e tij për perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Samiti i radhës BE-Ballkani Perëndimor do të mbahet më 17 dhjetor në Bruksel. Prej vendeve të rajonit, vetëm Kosova nuk është ende kandidate për anëtarësim.

Petritsch thotë se Kosova gjithmonë do të ketë nevojë për marrëdhënie profesionale dhe të qëndrueshme me Uashingtonin, por ajo duhet t’i përshtasë pritjet dhe të shmangë supozimin se SHBA-ja do t’i “rregullojë” problemet rajonale si në fund të viteve 1990.

Sipas tij, siguria dhe progresi i Kosovës do të varen shumë më tepër nga integrimi evropian, stabiliteti politik i brendshëm dhe arritja e kompromisit të vërtetë me pakicat.

“Kompromisi është thelbi i demokracisë. Mendoj se ideja për të gjetur një kompromis pozitiv, nuk është ende e fortë në Kosovë. Por, tani kohët po ndryshojnë. Evropa është partneri më i rëndësishëm dhe më relevant për ndërtimin e shtetit dhe për zhvillimin ekonomik dhe politik. Ajo duhet të bëhet tani një fokus i ri dhe serioz për Prishtinën”, thotë Petritsch.

Fried thekson rëndësinë që Kosova të jetë një shtet demokratik dhe jo një projekt nacionalist, që pasqyron pjesën më të keqe të së kaluarës së Serbisë.

“Unë kam qenë pjesë e vendimit të SHBA-së për të mbështetur pavarësinë e Kosovës, dhe ky ishte vendim i duhur. Flamuri i Kosovës është i shkëlqyer: nuk përfaqëson një komb të vetëm, por të gjithë banorët e vendit, dhe është i modeluar sipas flamurit të BE-së. Ai simbolizon qartë të ardhmen e Kosovës në Evropë për të gjithë qytetarët e saj. Marrëveshja jonë me Kosovën ishte: ne do të mbështesim pavarësinë, por ju duhet të punoni për një Kosovë demokratike, jo nacionaliste. Ne nuk duam një version të vogël të Serbisë së Millosheviqit”, përfundon Fried.

Kjo lë të kuptohet se në një rajon ku koha e pritjes së garancive të jashtme po mbaron, testi i vërtetë për Kosovën është gatishmëria për të zbatuar të drejtat e premtuara për qytetarët serbë dhe për të treguar se kompromisi demokratik, jo përplasja e vazhdueshme, është rruga drejt sigurisë dhe mbështetjes më të madhe evropiane. Në të kundërtën, Kosova rrezikon të mbetet peng i vetes, duke u dhënë të drejtë skeptikëve.

Dekreti i Putinit detyron të huajt në Rusi të nënshkruajnë kontratë me ushtrinë

Ushtarë rusë të sapothirrur në ushtri mblidhen në një stacion grumbullimi në Tatarstan, në tetor 2022, pasi presidenti Vladimir Putin nënshkroi një dekret mobilizimi gjatë pushtimit të Ukrainës.

 

Svetlana Osipova, Yelizaveta Surnacheva, Abdulla Zhusupaliev, Systema, Azattyq Asia

Presidenti rus, Vladimir Putin, e nxori muajin e kaluar një dekret pak të reklamuar, i cili kërkon që shumë burra të huaj që synojnë të marrin leje të përhershme qëndrimi ose shtetësi ruse, të nënshkruajnë kontratë me ushtrinë, në mes të luftës së Moskës kundër Ukrainës, ka zbuluar një hulumtim i Radios Evropa e Lirë (REL).

Mediat shtetërore dhe ato private në Rusi pothuajse nuk e kanë përmendur fare këtë kusht, i cili është shumë i pazakontë në praktikën ndërkombëtare, prej se Putini e nënshkroi Dekretin Nr. 821 më 5 nëntor.

Megjithatë, masa e re tashmë po i detyron migrantët që kanë ndërtuar jetën e tyre në Rusi të zgjedhin mes shkuarjes në ushtri dhe largimit nga vendi, sipas gjetjeve të Systemas, njësisë hulumtuese ruse të REL-it, dhe Azattyq Asia, njësisë së saj në gjuhën ruse që mbulon Azinë Qendrore.

Akif, një 48-vjeçar që erdhi në Rusi nga Azerbajxhani katër vjet më parë, mori vesh për këtë kusht kur e vizitoi rishtazi një zyrë të Shërbimit Federal të Migracionit për të pyetur se cilat dokumente i nevojiteshin për qëndrim të përhershëm, tregoi për REL-in bashkëshortja e tij, Maria. Ajo foli me kusht që mbiemrat e tyre të mos publikohen.

“Jemi në udhëkryq”

Akif dhe Maria, e cila është shtetase ruse, janë martuar tri vjet më parë dhe kanë ndërtuar një fermë familjare në rajonin e Nizhni Novgorodit, ku mbajnë dele, dhi dhe lepuj. Akif kishte përmbushur kërkesat e tjera, duke kaluar testin e gjuhës ruse dhe duke marrë leje të përkohshme qëndrimi.

Por, çifti ka vendosur të largohet nga vendi, duke braktisur planin e Akifit për të kërkuar leje të përhershme qëndrimi. “Nuk e dimë çfarë të bëjmë. Jemi në udhëkryq”, tha Maria.

Leja e përhershme e qëndrimit u jep migrantëve stabilitet ligjor: ata mund të dalin dhe të hyjnë përsëri në Rusi pa viza shtesë dhe të punojnë pa pasur nevojë për leje të veçantë pune. Për shumë migrantë nga ish-republikat sovjetike, kjo është e vetmja rrugë drejt shtetësisë.

Sipas dekretit të Putinit, megjithatë, për të aplikuar për leje të përhershme qëndrimi, disa burra duhet të paraqesin kontratë ushtarake për të paktën një vit shërbimi, kontratë shërbimi në Ministrinë e Situatave të Jashtëzakonshme, ose certifikatë nga zyra e rekrutimit që vërteton se ata janë të papërshtatshëm për shërbim ushtarak.

Rregulla të ngjashme zbatohen edhe për burrat që kërkojnë shtetësi ruse: ata duhet të paraqesin një certifikatë që vërteton se janë të papërshtatshëm për shërbim, ose të provojnë se kanë shërbyer në ushtri ose në Ministrinë e Situatave të Jashtëzakonshme dhe janë liruar nga shërbimi para 24 shkurtit 2022, ditës kur Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës.

Të huaj jashtë një qendre migracioni në Moskë, shtator 2021.

Të huaj jashtë një qendre migracioni në Moskë, shtator 2021.

Këto kërkesa vlejnë për burrat që kërkojnë leje të përhershme qëndrimi ose shtetësi mbi bazën e qëndrimit afatgjatë ose rrethanave familjare. Ato nuk vlejnë për aplikantët në kategori të tjera, si specialistët të kualifikuar dhe ata që kërkojnë leje qëndrimi mbi bazën e studimeve në Rusi.

Dekreti nuk zbatohet për burrat nga Bjellorusia, aleatja ushtarake e Rusisë. Për shtetasit e Kazakistanit dhe Moldavisë, kërkesa vlen vetëm për aplikimet për shtetësi, jo për leje të përhershme qëndrimi. Rregulla të veçanta ekzistojnë për shtetasit e Ukrainës. Dekreti thotë se masat janë të përkohshme, por nuk jep ndonjë afat kohor.

“Ia ndalova të nënshkruante”

Një tjetër migrant që u përball papritur me këtë kusht është Burxon, 24 vjeç, i cili erdhi nga Taxhikistani rreth një vit më parë dhe punon në rajonin naftëprodhues të Hanti-Mansisk. Atij i thanë në një zyrë shtetërore se për të aplikuar për qëndrim të përhershëm do t’i duhej të nënshkruante kontratë ushtarake, sipas babait të tij.

“Ai më dëgjon mua. Dhe, unë ia ndalova të nënshkruante kontratën”, i tha babai i Burxonit Azattyq Asias në Taxhikistan.

Përveç një përsëritjeje të mobilizimit jopopullor të shtatorit 2022, i cili i shtyu shumë njerëz të largoheshin nga vendi, ushtria ruse ka shfrytëzuar pothuajse çdo mundësi për ta ruajtur numrin e ushtarëve në luftë, në të cilën agjencitë perëndimore të inteligjencës dhe burime të tjera thonë se më shumë se 1 milion ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur.

Rusia ka rekrutuar burra nga e gjithë bota dhe ka tentuar të mobilizojë migrantë meshkuj që nga fillimi i pushtimit të plotë.

Disa të huaj kanë nënshkruar kontrata vullnetarisht në këmbim të pagesave ose procedurave të thjeshtuara për shtetësi. Moska i ka zgjeruar gradualisht këta stimuj ndërsa lufta është zvarritur.

Për shembull, ushtarët e huaj që luftojnë në Ukrainë nuk kanë nevojë të kalojnë provimin e gjuhës ruse për shtetësi. Gjithashtu, ligjvënësit rusë kanë shqyrtuar së fundmi një projektligj që sqaron se të huajt që kanë luftuar në anën e Rusisë nuk do të ekstradohen në vende të tjera që i kërkojnë për ndjekje penale ose për zbatimin e një dënimi.

Në maj, kreu i Komitetit Hetimor rus, Aleksandr Bastrykin, tha se të paktën 20.000 burra të natyralizuar nga Azia Qendrore po luftonin në vijën e frontit, ndërsa 10.000 të tjerë ishin dërguar “të hapnin llogore”.

Për shembull, ushtarët e huaj që luftojnë në Ukrainë nuk kanë nevojë të kalojnë provimin e gjuhës ruse për shtetësi. Gjithashtu, ligjvënësit rusë kanë shqyrtuar së fundmi një projektligj që sqaron se të huajt që kanë luftuar në anën e Rusisë nuk do të ekstradohen në vende të tjera që i ndjekin penalisht ose për zbatimin e ndonjë dënimi.

Në maj, kreu i Komitetit Hetimor, Aleksandr Bastrykin, tha se të paktën 20.000 burra të natyralizuar nga Azia Qendrore po luftonin në vijën e frontit, ndërsa 10.000 të tjerë ishin dërguar “të hapnin llogore”.

Praktikë e pazakontë

Qytetarë të saponatyralizuar janë thirrur në zyrat e migracionit dhe janë kërcënuar me heqje të statusit nëse refuzojnë të luftojnë. Kohët e fundit, migrantë të natyralizuar janë ndaluar gjithashtu në bastisje në shkallë të gjerë dhe janë përballur me trysni për të nënshkruar kontrata ushtarake.

Zyrtarisht, dekreti bën që kjo të jetë hera e parë që trysnia prek edhe ata që nuk janë shtetas rusë. Kjo përbën largim nga praktika e përhapur globalisht: në shumicën e vendeve me shërbim të detyrueshëm ushtarak, ai zbatohet për shtetasit dhe, më rrallë, për banorët e përhershëm.

Edhe mbulimi mediatik, ose mungesa e tij, është i pazakontë.

Mediat ruse zakonisht publikojnë ose përshkruajnë dekretet e Putinit, por në këtë rast raportimet në mediat kryesore, të shkruara dhe elektronike, nuk e përmendën drejtpërdrejt kushtin, duke thënë se ekziston një procedurë e thjeshtuar për marrjen e lejes së qëndrimit ose shtetësisë për të huajt që bashkohen me ushtrinë.

Temur Umarov, hulumtues për Rusinë dhe Euroazinë në Qendrën Carnegie në Berlin, tha se duket se janë dy motive pas dekretit.

“Me këto rregulla, Qeveria ruse zgjidh dy probleme”, i tha Umarov Systemas. “Ajo rrit mobilizimin në kurriz të njerëzve që kanë mundësi të kufizuara për t’i mbrojtur të drejtat e tyre dhe e bën migracionin afatgjatë drejt Rusisë më pak tërheqës”.

“Në të ardhmen, migrantët do të duhet të vijnë në Rusi ekskluzivisht si burim pune dhe forcë punëtore”, tha ai.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Qori: Shabani u bë Avokat i Popullit si pjesë e një marrëveshjeje Rama-Berisha

Arlind Qori, kryetar i “Lëvizja Bashkë”, deklaron se Endri Shabani u bë Avokat i Popullit si “pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë Rama-Berisha”, që, sipas tij, “do prekë edhe Reformën në Drejtësi”.

“Endri Shabanin nuk e ka bërë Avokat Populli vetëm Edi Rama. E ka bërë Edi Rama me Sali Berishën dhe kjo është pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë Rama-Berisha, që do prekë, kam frikë unë, Reformën në Drejtësi, për t’i pamundësuar SPAK-ut që të pezullojë nga detyra dhe të marrë masa paraburgimi për politikanët e korruptuar”, tha Qori.

“Endri Shabani, sot që flasim, është anëtar i një koalicioni ku bën pjesë edhe zoti Berisha e të gjitha partitë e tjera opozitare, përveç “Lëvizjes Bashkë”. Kur kandidoi zoti Binaj, Shabani, Lapaj dhe Berisha ishin pjesë e një koalicioni. “De facto” e kanë në koalicion të gjithë, mund ta shajnë sa të duan, por e kanë në koalicion. Aleanca është faktike dhe nuk e kuptoj këtë hipokrizinë e gjithanshme për të thënë që nuk kemi të bëjmë me këtë person. Shabani u zgjodh me votat e dyshes Rama-Berisha”, shtoi Qori në “Terminal” në A2CNN.

E papranueshme që grupi parlamentar i PD-së të shërbej si “fermë surrogacie” Nga Bislim Ahmetaj

Pjesë nga fjala e Bislim Ahmetajt në kryesinë e PD-së.

Doktor ju duke qënë politikan profesionist dhe me përvojë të gjatë, jeni gjithmonë i kujdesshëm dhe ashtu siç flisni me fjalë, flisni edhe me gjeste për publikun.

Sot e paske nxjerrë Flamurin në krah të majtë, ndryshe nga takimet e tjera ku ai i çel mbledhjet, i jep dhe ja heq fjalën cilitdo në këto mbledhje.

Ndërsa zoti Bardhi nuk e di se për çfarë arësye mungon sot (ishte në Amerikë) i paske lënë vendin bosh në krahun tuaj të djathtë.

E përshendes dhe e vlerësoj me shumë respekt afrimin e dorëheqjes së zotit Gjekmarkaj, këtë veprim duhet ta kryej edhe Sekretari i Përgjithshëm dhe kreu i Grupit Parlamentar, për shkak të organizimit krejtësisht të ç’organizuar dhe anarkisë që është krijuar në lidershipin e PD-së prej muajsh.

Njëra prej arësyeve se pse ata duhet të japin dorëheqje është edhe dhënja e firmave “pa doganë” për një zog të rritur në stabilimentin e Xhorxh Sorosit.

Është e papranueshme që grupi parlamentar i PD-së të shërbej si “fermë surrogacie” për të prodhuar drejtues të institucioneve të pavaruara nga ferma e Sorosit me firmat e deputetëve demokrat.

Ky nuk ishte një gabim, ky është një faj dhe fajet ndëshkohen, nuk shërohen me ndjesa fb-je.

Doktor ju me dashje, apo pa dashje i keni fut në të njëjtin thes si mercenarët edhe misionarët.

Ai që ishte mercenar dje është shndërruar në misionar sot dhe anasjelltas…

…Për t’i dhanë zë, fuqi dhe besim protestave, duhet sa më shpejt të jetë e mundur të thërrasim Këshillin Kombëtar, i cili ka tagrin të marrë vendimin për drejtimin që duhet të marrë Partia Demokratike.

Që të jemi të besueshëm para Këshillit Kombëtar duhet t’ju shkojmë atyre me dorëheqjen e Sekretarit i Përgjithshëm dhe Kryetarit të grupit Parlamentar si dhe atë të z. Agron Gjekmarkaj i cili lirisht dhe me vullnet të lirë ja afroj kryesisë…

Media në SHBA: Departamenti Amerikan i Shtetit hesht teksa Shqipëria rikthen në detyrë zv.kryeministren e akuzuar për korrupsion

Departamenti Amerikan i Shtetit ka refuzuar deri tani të komentojë mbi krizën në rritje të korrupsionit që ka përfshirë Shqipërinë, një aleate e rëndësishme e SHBA-ve në rajonin e Ballkanit.

 

Sipas raportimeve, pas vendimit të një gjykate shqiptare për largimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, nën akuzat për ndërhyrje në dy tenderë ndërtimi, kryeministri socialist Edi Rama e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit vendosi të premten rikthimin e Ballukut në detyrë deri në marrjen e një “vendimi përfundimtar”.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ngriti më 31 tetor një akuzë penale ndaj Ballukut, duke pretenduar se ajo ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të favorizuar një kompani në një tender për ndërtimin e një tuneli 3.7 milje në jug të Shqipërisë, raporton Reuters. Një tjetër akuzë u shtua më 21 nëntor, lidhur me shkelje të rregullave në një projekt ndërtimi rrugor në Tiranë, ditë në të cilën Balluku u shkarkua nga detyra.

Një ditë para paraqitjes në gjykatë, Balluku deklaroi në Kuvend se akuzat ndaj saj ishin “baltosje, insinuata, gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra”. Si anëtarja e dytë e kabinetit Rama që përballet me akuza korrupsioni që prej vitit 2023, çështja e saj ka nxitur reagime të forta nga opozita.

Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në SHBA dhe në OKB, i tha Fox News Digital se rasti Balluku tregon se “qeveria Rama nuk shfaq asnjë shenjë për të marrë përgjegjësi morale apo për t’i lënë drejtësisë hapësirë të veprojë në mënyrë të pavarur”. Sipas tij, ekzekutivi po përpiqet ta mbrojë Ballukun, duke i paraqitur veprimet e gjyqësorit si një sulm ndaj qeverisë.

Nesho shtoi se ndikimi mbi Gjykatën Kushtetuese mund të jetë një përpjekje për të krijuar një precedent mbrojtës, i cili mund t’i shërbejë kryeministrit Rama nëse hetimet do ta përfshijnë edhe atë në të ardhmen.

“Po bëhet gjithnjë e më e qartë se perandori nuk ka rroba”, u shpreh Nesho, duke e cilësuar qeverisjen e Ramës si “kapje të shtetit”, ku mungesa e balancave ka lejuar një sistem të përsëritur korrupsioni gjatë disa mandateve. Ai pohoi gjithashtu se Balluku ka lënë të kuptohet për një përfshirje më të gjerë të qeverisë Rama në vendimmarrje.

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili u largua nga vendi pasi ra nën hetim nga SPAK, ka deklaruar gjithashtu se Rama “ka drejtuar të gjitha vendimet kyçe për tenderët, financat dhe asetet publike”, sipas Neshos. Ahmetaj ka hedhur edhe akuza për lidhje të Ramës me bosë mafiozë, të cilat kryeministri i ka mohuar, duke deklaruar se Ahmetaj “nuk duhet marrë seriozisht” dhe se “politika shqiptare nuk është e lidhur me mafien”.

SHBA-të kanë financuar reforma në drejtësinë shqiptare për të ndihmuar procesin e integrimit në Bashkimin Europian dhe luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, këto reforma kanë sjellë edhe vonesa në sistemin gjyqësor, duke shkaktuar pakënaqësi dhe protesta publike.

Sipas Neshos, “është e vështirë të imagjinohet se si një qeveri që sillet si një republikë bananesh mund të anëtarësohet në BE”. Ai shtoi se opozita e Ramës është “dobësuar nga përdorimi i drejtësisë për qëllime politike”, ndërsa kryeministri vazhdon të qëndrojë në pushtet pavarësisht skandaleve të dokumentuara shumë-miliardëshe të korrupsionit, manipulimeve zgjedhore dhe lidhjeve të pretenduara me kartele ndërkombëtare droge, përfshirë Kartelin Sinaloa.

Këto pretendime dolën në pah pas një takimi të Ramës me Luftar Hysën, një person i lidhur me Kartelin Sinaloa dhe i sanksionuar nga Departamenti Amerikan i Thesarit. Rama ka deklaruar se është takuar vetëm një herë me të.

Pas largimit dhe rikthimit të Ballukut, Nesho tha se zemërimi publik nuk drejtohet vetëm ndaj saj, por edhe ndaj një regjimi që, sipas tij, qeveris pa llogaridhënie. Ai shtoi se shumë qytetarë i kanë vendosur Ramës nofkën “Ramaduro”, në krahasim me diktatorin venezuelian Nicolás Maduro.

Zyra e shtypit e kryeministrit Rama i tha Fox News Digital se nuk ka komente mbi akuzat e Neshos.

Në maj të vitit 2021, Departamenti Amerikan i Shtetit sanksionoi ish-kryeministrin Sali Berisha për korrupsion, duke i ndaluar hyrjen në SHBA. Fox News Digital pyeti Departamentin e Shtetit nëse po shqyrtohen sanksione të ngjashme edhe për Ballukun.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit u përgjigj: “Nuk kemi koment për çështje ligjore në proces.” E njëjta përgjigje u dha edhe nga Ambasada Amerikane në Tiranë, lidhur me pyetjen nëse do të pezullohej viza e Ballukut. Panorama


Send this to a friend