VEC MËSHTETJES SË MARKO KEPIT…
Në mesditën e 29 shtatorit 2019, (sic është bërë e ditur nga shumë media) qindra pjesëtarë te komunitetit shqiptaro amerikan, u tubuan së bashku për t’i dhënë mbështetjen e duhur Marko Kepit për Asamblist të Shtetit të NY. Ai është nje djalë i ri nga Shkodra, i ardhur në SHBA që në moshën pesëmbëdhjetë vjeç, i mirëedukuar, shumë atdhetar, i përkushtuar, i lidhur fort me komunitetin, “Rrënjët Shqiptare” e Vatrën.
Marko vazhdimisht është shquar si organizator e udhëheqës i “Paradës Shqiptare” dhe aktiviteteve të rëndësishme në NY, duke çfaqur ndjesi, forcë, karakter e mentalitet prej prijësi e në të njejtën kohë një menaxhues mjaft i mirë i çeshtjeve të komunitetit. Kështu ai jo vetëm e meriton plotësisht mbështetjen e komunitetit, por dhe vetë komunitetit ka nevojë të domosdoshme të mendojë e mbeshtesi lidershipin e ri në zgjedhjet vendore e pse jo edhe ato qëndrore në Kongres e në Senat.
Një tjetër risi e këtij tubimi ishte pjesmarrja e dy personaliteteve të shquara amerikane të cilët kanë kontribuar shumë për Kombin Shqiptar këtu në SHBA. Ata janë ish Kongresmeni Joseph DioGuardi dhe Ambasadori William Walker. Unë pata rasitin, së pari të takoja dhe ta falenderoja përzemersisht Ambasadorin Walker duke i ritheksuar atij se:” Ju do të mbeteni përjetë në historinë e Kombit Shqiptar si personaliteti që ndryshuat rrjedhat e ngjarjeve të Historisë së Kosovës me deklaratën për Recakun. Ju jeni histori e gjallë për gjithë Kombin tonë dhe heroi i Kosovës”.
Me DioGuardin jemi miq të vjetër (që nga 1992 kur shërbeja si Komandant Divizioni në Vlorë) me rastin e 80 vjetorit të pavarsisë. Pas ardhes time këtu në NY takohemi shpesh (me atë dhe bashkshorten e tij Shirly) ku me miqtë e përbashkët diskutojmë për shumë problem të shqiptarisë në tërësi dhe të komunitetit në veçanti.
Për mu mendimet e përvoja e tij janë shumë të vyera (shpresoj se të të njejtit mendim janë edhe shumë të tjerë).
Por ajo që dua të theksoj në këtë moment është se DioGuardi ka qenë e është “Noli e Konica” i ditëve tona këtu në SHBA.
Askush nuk mund t’i afrohet atij me ato që ai ka bërë e bën vazhdimisht. Prania e tij në tubimin për Marko Kepin dhe fjala e tij e zjarrtë e ngriti peshë adrenalinën e pjesmarrësve. Ai tashmë është rreth tetedhjetave dhe nga ne kërkon më shumë respekt e ndiesi shpirtërore se është arbresh, është gjaku ynë. Vetëm kur të mos e kemi DioGuardin do të mendojmë se çfarë humbje e boshllëku do të na krijojë.
Prandaj duke mbështetur Morko Kepin do të kemi DioGuardët e rinj që shpresojme se do t’i sherbejnë më fort e më mirë Kombit e komunitetit shqiptaro amerikan.
ASLLAN BUSHATI
Komentet