Protestat e studentëve dhe të rinjve në Shqipëri kanë marrë mbështetjen edhe të studentëve shqiptarë në Universitetin prestigjioz të Harvardit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes një deklarate publike, Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Harvard ka shprehur solidaritet të plotë me të rinjtë që protestojnë, duke dënuar përdorimin e forcës disproporcionale dhe ndalimet e paligjshme nga organet e rendit.
Studentët shqiptarë të Harvardit theksojnë se distanca nuk e zbeh përkushtimin e tyre ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut, ndërsa i bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare të ndalojnë menjëherë çdo akt frikësimi dhe represioni.
Në deklaratë kërkohet lirimi i personave të ndaluar në mënyrë të paligjshme dhe vendosja përpara përgjegjësisë ligjore e atyre që kanë tejkaluar kompetencat.
“Mbrojtja e qytetarëve dhe e fjalës së lirë duhet të jetë detyrë primare e shtetit, jo arsye për frikësim apo represion”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e studentëve shqiptarë të Harvardit.
Deklaratë nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Harvard
Si studentë shqiptarë në Harvard, po ndjekim me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Shqipëri. Distanca nuk e zbeh përkushtimin tonë ndaj të drejtave të njeriut, lirisë së shprehjes dhe të ardhmes demokratike të vendit tonë. Qëndrojmë plotësisht në mbështetje të studentëve, të rinjve dhe të gjithë qytetarëve që ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar në mënyrë paqësore. E drejta për t’u shprehur dhe për të kërkuar të drejtat pa frikë është shtylla kryesore e çdo shoqërie të lirë.
Ndajmë të njëjtin shqetësim për përdorimin e forcës disproporcionale, si dhe ndalimet e paligjshme të të rinjve e të miturve nga organet e rendit. Mbrojtja e qytetarëve dhe e fjalës së lirë duhet të jetë detyrë primare e shtetit, jo arsye për frikësim apo represion. Në të njëjtën kohë, bëjmë thirrje që protestat të ruajnë frymën e tyre paqësore dhe të qytetëruar, me qëllim që zëri i studentëve të mbetet i fuqishëm dhe dinjitoz.
I bëjmë thirrje autoriteteve përkatëse në Shqipëri të ndërpresin menjëherë çdo akt frikësimi, të lirojnë të ndaluarit në mënyrë të paligjshme dhe të mbajnë përgjegjësi ligjore personat që kanë tejkaluar kompetencat e tyre. Panorama