VOAL

VOAL

Kongresi dhe kriteret e shkarkimit të presidentit

September 8, 2019
blank

Komentet

blank

SHBA-ja do ta furnizojë Ukrainën me raketa me rreze të gjatë

Presidenti amerikan, Joe Biden, planifikon të dërgojë në Ukrainë raketa me rreze të gjatë, për t’i ndihmuar Kievit në kundërofensivën kundër ushtrisë ruse, kanë raportuar mediat amerikane.

Ato i kanë cituar disa zyrtarë amerikanë, të familjarizuar me këtë çështje, të kenë thënë se Ukraina do t’i marrë disa raketa ATACMS me rreze deri në 300 kilometra.

Diçka e tillë do t’ia mundësonte Kievit sulmin në shënjestrat ruse në zona shumë më të thella sesa linja e frontit.

Të paktën një raketë ukrainase e ka goditur flotën e Rusisë në Detin e Zi të premten, përkatësisht në Krime, gadishullin ukrainas të aneksuar nga Moska më 2014.

Një burim brenda ushtrisë ukrainase i ka thënë transmetuesit britanik BBC se sulmi në portin në Sevastopol është kryer duke përdorur raketa Storm Shadow, të cilat janë dërguar në Ukrainë nga Britania dhe Franca, duke e vënë në pah rëndësinë e armatimit perëndimor në këtë luftë.

Megjithatë, asnjëri prej liderëve nuk i kanë konfirmuar raportimet e mediave amerikane.

Ajo çka dihet është se tanket amerikane Abrams do të arrijnë në Kiev në javën e ardhshme.

Kur presidenti rus, Vladimir Putin e ka nisur luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, administrata e Bidenit ka hezituar që ta furnizojë Ukrainën me armë moderne.

Mirëpo qëndrimi i saj ka ndryshuar me kalimin e kohës, pasi Kievi tani ka sisteme raketore të avancuara Himars, dhe sistem raketor për mbrojtje ajrore Patriot.

Biden deri më tani ka hezituar për armët me rreze të gjata, duke thënë se raketa të tilla mund ta përballin SHBA-në drejtpërdrejt me Rusinë, shtet që posedon armë bërthamore.rel

blank

Zelensky thotë se kishte bisedime konstruktive me ligjvënësit amerikanë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, dhe sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin (djathtas) në Pentagon, 21 shtator 2023.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të enjten se mbajti bisedime konstruktive me ligjvënësit amerikanë dhe se mezi pret të flasë me presidentin Joe Biden për nevojat e ushtrisë ukrainase dhe mbrojtjes së saj ajrore.

Ai tha se mori premtim “të rëndësishëm” për armë të reja të mbrojtjes ajrore nga Shtëpia e Bardhë, por paralajmëroi se Kievi mund ta humbë luftën me Rusinë, nëse ligjvënësit republikanë nuk e mbështesin pakon e miliarda dollarëve ndihmë ushtarake që Ukraina po e kërkon nga SHBA-ja.

Zelensky u prit nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, në Shtëpinë e Bardhë të enjten vonë, me të cilin do të bisedojë rreth mbështetjes amerikane për përpjekjet e Ukrainës në luftë kundër Rusisë.

I pyetur për rëndësinë e ndihmës që po e kërkon Ukraina, Zelensky tha se “është shumë e rëndësishme”, pasi i shtrëngoi duart me Bidenin.

Republikanët McCarthy dhe Scalise janë nën presion nga krahu konservator i partisë së tyre për t’i dhënë fund mbështetjes së Ukrainës. Demokratët, të udhëhequr nga presidenti Biden, janë më të bashkuar në dëshirën për ta vazhduar përkrahjen për Ukrainën.

Kjo është hera e dytë gjatë kohës së luftës që Zelensky e viziton Uashingtonin.

Në Kongres, liderët republikanë dhe demokratë kanë mospajtime të thella rreth shpenzimeve, si pasojë e të cilave mund të mbyllet Qeveria amerikane, dhe kështu të vihet në rrezik pakoja me ndihma për Ukrainën në vlerë prej 24 miliardë dollarëve.

Fraksioni i ekstremit të djathtë, i cili e dominon Partinë Republikane, ngul këmbë se duhet të ndërpriten ndihmat për Ukrainën, duke qenë se Kongresi i ka aprovuar deri më sot 100 miliardë dollarë ndihma për të, përfshirë 43 miliardë dollarë vetëm për armatim.

“Për të fituar, ne duhet patjetër të qëndrojmë të bashkuar dhe të punojmë së bashku”, tha Zelensky në rrjetet sociale, duke shtuar se llogarit në mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë.

Lideri ukrainas mbërriti në SHBA pas një vale tjetër sulmues ruse me raketa. Sulmet, në qytetet e ndryshme të vendit, vranë së paku tre persona në Herson dhe i plagosën shuam të tjerë në zona të tjera të enjten.

blank

Ligjvënësit republikanë akuzojnë Departamentin e Drejtësisë për qëndrim të butë në çështjet McGonigal, për të mbrojtur FBI-në

VOA/Keida Kostreci

Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara po shpreh shqetësimin për mundësinë e marrëveshjeve me pasoja të zbutura ndaj ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal në dy çështjet ndaj tij, si një përpjekje për të fshehur përmasat e shkeljeve të tij, për të mbrojtur reputacionin e FBI-së.

Kryetari i komisionit, ligjvënësi republikan Jim Jordan, shkruan në një letër drejtuar drejtorit të FBI-së, Christopher Wray të martën, se Komisioni po heton akuzat “për politizim dhe qëndrim të njëanshëm brenda FBI-së në lidhje me çështjen penale kundër ish-agjentit special Charles McGonigal”.

Ky Komision fillimisht kërkoi dokumente dhe informacione për këtë çështje nga FBI-ja më 2 shkurt 2023, por në letër thuhet se deri më sot, Byroja Federale e Hetimeve nuk e ka përmbushur këtë kërkesë jo të detyrueshme.

Ish-zyrtari i lartë i kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal pranoi në gusht fajësinë në një gjykatë në Nju Jork lidhur me akuzën për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, duke punuar pas daljes në pension për oligarkun rus Oleg Deripaska, të cilin më parë ai e kishte hetuar.

McGonigal pranoi se kishte marrë mbi 17,000 dollarë nga oligarku rus për të siguruar informacione negative për një tjetër oligark rus, rival të tij. Shtetet e Bashkuara kanë vënë sanksione ndaj oligarkut Deripaska, që nga viti 2018, për arsye që lidhen me pushtimin e Krimesë nga Rusia.

Në këmbim të pranimit të fajësisë, prokurorët hoqën dorë nga akuza të tjera në lidhje me bashkëpunimin e zotit McGonigal me Deripaskën.

Në një proces tjetër në një gjykatë federale në Uashington, McGonigal është akuzuar se ka marrë rreth 225, 000 dollarë nga një ish-punonjës i shërbimeve të zbulimit të Shqipërisë.

“Pavarësisht një pagese shumë më të madhe nga ish-zyrtari shqiptar, sipas njoftimeve, McGonigal po negocion me prokurorët federalë në Uashington një marrëveshje të ngjashme për pranimin e fajësisë”, thuhet në letrën e ligjvënësit Jordan për drejtorin e FBI-së.

Në letrën e Komisionit Juridik të Kongresit përsëritet kërkesa për dokumente dhe informacione për këtë çështje dhe bëhet thirrje që FBI ta plotësojë këtë kërkesë deri më 3 tetor 2023.

“Komisioni ka autoritet mbikëqyrës mbi Departamentin e Drejtësisë dhe FBI-në dhe mund të marrë në konsideratë masa të detyrueshme nëse FBI-ja nuk bashkëpunon vullnetarisht”, thuhet në letër.

Në shkurt të këtij viti, ligjvënësit amerikanë i kërkuan drejtorit të FBI-së sqarime lidhur me ish zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal.

Ligjvënësit republikanë thonë se Departamenti i Drejtësisë dhe FBI-jan janë përdorur si mjete politike nga demokratët kundër republikanëve.

Edhe kryetari demokrat i Komisionit Juridik të Senatit Dick Durbin, i kërkoi në atë kohë me anë të një letre Prokurorit të Përgjithshëm, Merrick Garland dhe drejtorit të FBI-së, zotit Wray informacione të mëtejshëm lidhur me aktivitetet e zotit McGonigal, duke u nisur nga dy aktpaditë, ajo e Nju Jorkut, dhe ajo e Uashingtonit.

blank

Chollet kërkon “angazhim urgjent” në dialogun Kosovë-Serbi

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka biseduar me presidenten e Kosovës për angazhimin në dialogun për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit dhe për “nevojën për të shtensionuar situatën” në veri të Kosovës.

Chollet, së bashku me të dërguarin e Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u takuan me Osmanin në Nju Jork.

“Një bisedë e mirë me presidenten Vjosa Osmani për zotimin tonë të përbashkët për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, për nevojën për të shtensionuar situatën dhe për angazhimin urgjent në dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë që lehtësohet nga BE-ja – që është kyç për stabilitetin rajonal dhe integrimin drejt BE-së”, shkroi Chollet në X, që më herët njihej si Twitter.

Ndërkaq, Osmani tha se gjatë takimit në SHBA – ku ajo po zhvillon takime në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara – theksoi rëndësinë e “një qasjeje parimore për zbatimin e plotë dhe të balancuar të marrëveshjeve” të arritura në kuadër të dialogut.

“Roli i SHBA-së është kyç për të përfunduar me sukses procesin, duke i hapur rrugën njohjes së ndërsjellë”, shkroi Osmani në X.

Ky takim mes Osmanit dhe zyrtarëve të lartë amerikanë vjen një javë pasi në Bruksel, rundi i fundit i dialogut Kosovë-Serbi përfundoi pa ndonjë rezultat.

Pas takimit më 14 shtator, nga BE-ja thanë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm të ecë përpara, ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili “e ka pranuar propozimin e tyre” për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili bashkë me të dërguarin e BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, ndërmjetësuan takimin, tha se Kurti ka këmbëngulur që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

Më 18 shtator, kryeministri Kurti akuzoi për “njëanshmëri” Lajçakun, i cili sipas tij, “u pozicionua” kundër Kosovës.

Kurti tha se ai në Bruksel ka paraqitur një plan të tij për zbatimin e sekuencuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të saj, për të cilat Kosova dhe Serbia u pajtuan më herët gjatë këtij viti. Por, ky plan, sipas tij, u refuzua nga Serbia dhe BE-ja.

Kjo marrëveshje nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat. Po ashtu palët zotohen se do të zbatojnë marrëveshjet e arritura më herët në procesin e dialogut.

Kurti tha se plani i propozuar nga ai për zbatimin e Marrëveshjes Bazë, ishte “propozim konkret, shumë konstruktiv, që bazohej në parimin e gjithëpërfshirjes”. Ai tha se gjithëpërfshirja është edhe në këtë marrëveshje dhe në aneks, ku thuhet se “çdo nen i Marrëveshjes Bazë duhet zbatuar dhe palët nuk duhet të shprehin pengesa për asnjë nen”.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Ky proces mbështetet nga SHBA-ja.

Rundi i fundit i dialogut njëherësh përbënte takimin e parë mes Kurtit dhe Vuçiqit, që kur tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit.

Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave, që dolën nga zgjedhjet e prillit – votime të bojkotuara nga partitë dhe popullata serbe.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi të ulin tensionet dhe që të mbahen zgjedhje të reja. Kosova ka thënë se ka ulur praninë policore në veri dhe ka ndërmarrë hapa ligjorë që do të mundësonin largimin e kryetarëve përmes peticionit. BE ka mirëpritur këto hapa, por ka thënë se duhet bërë më shumë.

blank

Senatori republikan Mitt Romney njofton se nuk do të kandidojë në vitin 2024

Marrë nga Associated Press

Senatori republikan nga Jutah, Mitt Romney, njoftoi të mërkurën se nuk do të kandidojë për t’u rizgjedhur, duke shënuar kështu fundin e një karriere intensive politike prej dy dekadash, përfshirë emërimin si kandidat për president i Partisë Republikane në vitin 2012, si dhe një mandat si guvernator i shtetit Masaçusets.

Zoti Romney, tashmë në moshën 76 vjeçare, tha se sfidat e shumta të vendit kërkojnë një brez të ri udhëheqësish. Ai tha se Shteteve të Bashkuara do t’i shërbehej më mirë nëse do të tërhiqeshin dy kandidatët kryesues për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 – Presidenti demokrat Joe Biden dhe ish-Presidenti republikan Donald Trump. Zoti Biden është 80 vjeç dhe zoti Trump është 77 vjeç.

“Kohërat në të cilat po jetojmë kërkojnë sërish që brezi i ardhshëm të ngrejë zërin dhe të shprehë pikëpamjen e tij, dhe të marrë vendimet që do t’i japin formë politikës amerikane në shekullin e ardhshëm”, tha zoti Romney gjatë konferencës për shtyp në Kapitol. Ai tha se personat e brezit të tij “nuk janë të duhurit për të marrë vendimet për të nesërmen”.

Ai tha se pasi të largohet nga Senati do të përqëndrohet tek mobilizimi i më shumë të rinjve për të votuar dhe për t’u përfshirë në procesin politik.

 

Si kandidati i Partisë Republikane për president në vitin 2012, zoti Romney bëri fushatë në të gjithë Amerikën bazuar tek eksperienca e tij si guvernator i Masaçusetsit dhe si drejtues i kompanive të investimeve. Por me rritjen populiste të rolit dominues të zotit Trump në këtë parti, lloji i republikanizmit që përfaqëson zoti Romney nuk ishte më në epiqendër. Ai ishte i vetmi anëtar republikan i Kongresit që votoi në favor të akuzave ndaj Presidentit Trump në të dyja proceset hetimore që synonin shkarkimin e tij.

Zoti Romney tha gjatë konferencës për shtyp se i përket “krahut të mençur të Partisë Republikane” dhe se nuk mendon se ai do të zbehet.

“Krahu im i partisë flet për politika dhe për çështje që do të bëjnë ndryshimin në jetën e popullit amerikan. Krahu Trump i partisë flet për pakënaqësira të llojeve të ndryshme dhe për shpagim dhe rishikim të rezultateve të zgjedhjeve të 2020-ës”.

Zoti Romney tha se bisedoi të mërkurën me Presidentin Biden, i cili i uroi mbarësi. Ai bëhet kështu senatori i gjashtë që njofton planet për të dalë në pension në përfundim të mandatit në vitin 2025.

blank

Sekretari Blinken flet për fuqinë dhe qëllimet e diplomacisë amerikane në një epokë të re

VOA

Gjatë një fjalimi në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare (SAIS) të Universitetit Johns Hopkins, Sekretari amerikan i Shtetit Antony J. Blinken foli të mërkurën për një moment kyç në histori, një moment përballjeje me një pikëpyetje thelbësore strategjike – se si do të arrijmë aty ku dëshirojmë pa u goditur nga katastrofat gjatë rrugës.

Ai u shpreh se skena ndërkombëtare është tashmë thellësisht e ndryshme nga ajo e 30 viteve më parë kur ai pati filluar të shërbejë në qeverinë amerikane.

Dekadat e stabilitetit relativ gjeopolitik janë zëvendësuar nga konkurenca e rritur me fuqitë autoritare, me fuqitë revizioniste. Lufta e agresionit të Rusisë në Ukrainë është rreziku më akut, më i menjëhershëm ndaj rendit ndërkombëtar të mishëruar në Kartën e OKB-së dhe në parimet e saj themelore të sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë së vendeve, si dhe për të drejtat e pamohueshme njerëzore të individëve”, tha Sekretari Blinken.

Ai gjithashtu e përshkroi Kinën si sfidën më afatgjatë për shkak se ajo synon jo vetëm të ndryshojë formën e rendit ndërkombëtar, por pasi ka gjithnjë e më shumë fuqinë ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe teknologjike për ta realizuar këtë.

 

Sekretari Blinken vuri në dukje se Pekini dhe Moska po punojnë së bashku për ta bërë botën më të sigurtë për autokracinë nëpërmjet “partneritetit të tyre pa kufij”.

Ai tha se ndërsa vendet dhe qytetarët po humbasin besimin e tyre tek rendi ekonomik ndërkombëtar, ndërkohë edhe demokracitë janë gjithnjë e më të rrezikuara. Ato sfidohen nga brenda nga udhëheqës të zgjedhur që shfrytëzojnë pakënaqësitë dhe rrisin frikën, që gërryejnë pavarësinë e gjyqësorit dhe të mediave, që godasin shoqërinë civile dhe opozitën politike. Ashtu siç sfidohen edhe nga jashtë, nga autokratë që përhapin dezinformim, që përdorin korrupsionin si armë, dhe që ndërhyjnë në zgjedhje.

Sekretari Blinken mendon se në këtë periudhë kritike, Shtetet e Bashkuara udhëheqin nga një pozitë force, të bazuar tek modestia dhe vetëbesimi. Në fjalimin e tij, Sekretari Blinken riafirmoi se Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë dhe forcojnë rendin botëror të bazuar në ligjet ndërkombëtare dhe parimet themelore të të drejtave të njeriut, me një ekonomi të bazuar te konkurenca, me lëvizje të lirë dhe me standarte në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe teknologji.

 

“Kur Pekinët dhe Moskët e botës të përpiqen të rishkruajnë – ose të rrëzojnë – shtyllat kryesore të sistemit shumëpalësh; kur ata pretendojnë në mënyrë false se rendi ekziston vetëm për të avancuar interesat e Perëndimit në kurriz të të tjerëve – një kor global gjithnjë e në rritje vendesh dhe popujsh do të ngrihen për t’i thënë: jo, sistemi që ju po përpiqeni ta ndryshoni është sistemi ynë; u shërben interesave tona”, tha Sekretari Blinken.

Duke njohur edhe sfidat e brendshme të Amerikës, Sekretari Blinken bëri thirrje për të vepruar me vendosmëri dhe për t’i paraprirë historisë, të udhëhequr nga parimet, partneritetet dhe vizionet e asaj që synojmë të arrijmë, të një bote që lëviz drejt lirisë, paqes dhe një komuniteti ndërkombëtar që është në nivelin e duhur për sfidat e sotshme.

blank

DASH reagon sërish për çështjen ‘Beleri’: Presim që autoritetet shqiptare të respektojnë ligjet e vendit

Departamenti Amerikan i Shtetit iu dërgoi një tjetër mesazh autoriteteve shqiptare në lidhje me rastin e kryebashkiakut të Himarës Fredi Beleri , i cili mbetet në paraburgim.

Sipas Departamentit të Shtetit, qeveria amerikane pret që të ndiqet ligjit në rastin e Fredi Belerit.

Në përgjigje të një pyetjeje të korrespondentëve grekë në Uashington, një përfaqësues i Departamentit të Shtetit tha se “ne jemi në dijeni të rastit (të ndalimit të Fredi Belerit) dhe presim që autoritetet shqiptare të ndjekin një proces të rregullt sipas ligjeve të vendit. )”.

Beleri mbahet në arrest prej 12 majit të këtij viti pasi u arrestua për blerjen e votave të 8 qytetarëve kundrejt 40 mijë lekëve.bw

blank

SHBA i zhbllokon Iranit 6 miliardë dollarë për lirimin e 5 amerikanëve të burgosur

Administrata e Presidentit Biden ka hapur rrugën për lirimin e pesë shtetasve amerikanë të ndaluar në Iran, duke lejuar bankat ndërkombëtare që të transferojnë 6 miliardë dollarë, para të ngrira iraniane, nga Koreja e Jugut për në Katar, pa frikën e sanksioneve amerikane.

Përveç kësaj, si pjesë e marrëveshjes, qeveria amerikane ka rënë dakord që të lirojë pesë shtetas iranianë të mbajtur në Shtetet e Bashkuara, shkruan AP.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken nënshkroi lejimin e transferimit të parave në fund të javës së kaluar, një muaj pasi zyrtarët amerikanë dhe iranianë thanë se parimisht ishte arritur një marrëveshje. Kongresi nuk u informua për vendimin deri të hënën.

Por zhbllokimi i parave iraniane ka gjasa të nxisë kritika nga republikanët dhe të tjerët, se marrëveshja do të nxisë ekonominë iraniane në një kohë kur Teherani përbën një kërcënim në rritje për trupat amerikane dhe aleatët në Lindjen e Mesme.

Vendimi i qeverisë amerikane nënkupton se bankat evropiane, të Lindjes së Mesme dhe të Azisë nuk do të cilësohen se shkelin sanksionet amerikane për konvertimin e parave iraniane të ngrira në Korenë e Jugut dhe transferimin e tyre në bankën qendrore të Katarit, ku do të përdoren nga Irani për blerjen e mallrave me qëllime humanitare.

Transferimi i 6 miliardë dollarëve ishte element kritik në marrëveshjen e lirimit të të burgosurve, ku katër nga pesë të burgosurit amerikanë u transferuan nga burgjet iraniane në arrest shtëpiak muajin e kaluar. I arrestuari i pestë kishte qenë në arrest shtëpiak.

Për shkak të sanksioneve të shumta amerikane ndaj bankave të huaja që angazhohen në transaksione që synojnë përfitimin e Iranit, disa vende evropiane ishin shprehur kundër pjesmarrjes në transferimin e parave. Por masa e nënshkuar nga zoti Blinken synon të lehtësojë shqetësimet e tyre lidhur me sanksionet amerikane.

Individë me njohuri mbi negociatat thanë se presin që të arrestuarit të lirohen javën e ardhshme.

Ndër të burgosurit amerikanë është edhe Siamak Namazi, i cili u arrestua në vitin 2015 dhe më vonë u dënua me 10 vjet burg nën akuzat për spiunazh, të kritikuara botërisht; sipërmarrësi Emad Sharghi i dënuar me 10 vjet. Si dhe Morad Tahbaz, një konservator britaniko-amerikan me origjinë iraniane, i cili u arrestua në vitin 2018 dhe gjithashtu mori një dënim 10-vjeçar. Dy amerikanët e tjerë nuk janë identifikuar.

“Për lirimin e tyre, Shtetet e Bashkuara janë zotuar të lirojnë pesë shtetas iranianë të mbajtur aktualisht në Shtetet e Bashkuara, dhe të lejojnë transferimin e rreth 6 miliardë dollarëve të mbajtura në Korenë e Jugut për në Katar, ku fondet do të përdoren vetëm për tregti humanitare”, u shpreh zoti Blinken.

Masa amerikane për tranferimin e parave iraniane përfshin banka dhe institucione të tjera financiare në Korenë e Jugut, Gjermani, Irlandë, Katar dhe Zvicër. syri.net

blank

Nancy Pelosi do të garojë sërish në zgjedhjet e Kongresit

Nancy Pelosi, ish-udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan, ka thënë se synon të garojë në zgjedhjet e nëntorit të vitit të ardhshëm.

Pelosi, 83-vjeçare, ka fituar për herë të parë ulëse në distriktin e saj në San Francisko më 1987, dhe më pas ka shërbyer dy periudha në krye të Dhomës së Përfaqësuesve, më 2007-2011 dhe 2019-2023.

Ajo i ka udhëhequr demokratët për dy dekada në këtë trup të Kongresit, ndërsa e ka humbur këtë pozitë vitin e kaluar pas fitores së republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve.

Vendimi i saj për t’i hyrë sërish garës ka shumë gjasa që ta ringjallë debatin për moshën e politikanëve në Shtetet e Bashkuara – një pjesë e mirë e tyre mbi 76 vjeç.

“Tani, më shumë se kurrë duhen avancuar vlerat e San Franciskos dhe të rimëkëmbemi”, ka thënë Pelosi përmes një postimi në platformën X, të njohur më parë si Twitter.

“Vendi ynë ka nevojë për një Amerikë që i tregon botës së flamuri ynë është ende aty, dhe se ka liri e drejtësi për të gjithë. Prandaj do të garojë sërish dhe me respekt e kërkoj votën tuaj”.

Pelosi është gruaja e parë amerikane në historinë amerikane që ka qenë në krye të Dhomës së Përfaqësuesve dhe ka luajtur rol kritik në avancim apo prishje të agjendave për shumë ish-presidentë amerikanë. rel

blank

SHBA, shifra rekord të udhëtarëve ndërsa meteorologët paralajmërojnë për stuhi mbi Atlantik

VOA/Marrë nga ABC News

Këtë fundjavë në Shtetet e Bashkuara priten të shënohen shifra rekord të atyre që udhëtojnë për Ditën e Punës ndërsa vendi përballet me pasojat e stuhisë Idalia apo të tjerave që godasin brigjet e Oqeanit Atlantik. Por moti i keq nuk duket se po ndikon tek planet e amerikanëve për të shijuar ditët e fundit të verës. Sipas të dhënave të Administratës mbi Sigurinë e Transportit rreth 14 milionë amerikanë pritet të udhëtojnë deri të mërkurën e javës së ardhshme.

Festa e Ditës së Punës në SHBA po shënohet me njerëzit që po iu drejtohen plazheve në masë të madhe, megjithëse ka shqetësime lidhur me kushtet e motit.

Meteorologët po paralajmërojnë turistët që të kenë kujdes pasi mbi Oqeanin Atlantik, që shtrihet në pjesën lindore të vendit, ka jo pak stuhi të niveleve të ndryshme, që rrezikojnë të godasin zonat bregdetare.

Rryma të mbetura nga stuhia Idalia nga njëra anë që vazhdojnë rrugëtimin nga Florida drejt pjesës veri-lindore të SHBA-së dhe uragani Franklin po vëzhgohen me kujdes.

Numri i turistëve pritet të shënojë shifra rekord sipas Administratës së Sigurisë së Transportit të Shteteve të Bashkuara. Kjo agjenci federale amerikane pritet të kontrollojë 14 milionë pasagjerë deri të mërkurën e javës që vjen.

“Ky është numri më i lartë i pasagjerëve në tërë historinë e Amerikës”, thotë Sekretari i Transportit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Pete Buttigieg.

Autostradat amerikane po ashtu pritet të jenë të ngarkuara, ndërsa kompania private “Triple A” thotë se koha më e mirë për të shmangur ngarkesat në rrugë është nëse udhëtoni para orës 7 të mëngjesit apo pas orës 8 të mbrëmjes.

Ndërkaq këto janë pamjet që vijnë nga Pylli Kombëtar ‘Sam Houston’ në Teksas ku ka shpërthyer një zjarr masiv shkaktari i të cilit ende nuk dihet.

Sezoni i reshjeve ka filluar në disa pjesë dhe tanimë janë raportuar përmbytje të disa pjesëve të qytetit Las Vegas, ndërsa një valë e re e të nxehtit ka filluar të godasë pjesën qendrore dhe perëndimore të Amerikës.

blank

Kongresmeni që u largua nga demokratët e quan administratën Biden si ‘më të keqen në historinë amerikane’

Jeff Van Drew, i cili iu bashkua GOP në 2020, zotohet të luftojë administratorin e Biden, NYC për zhvendosjen e emigrantëve

Administrata Biden thuhet se po propozon një listë të lokacioneve për kryetarin e bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, për të zhvendosur emigrantët, duke përfshirë Aeroportin Ndërkombëtar Atlantic City të Nju Xhersit. Përfaqësuesi Jeff Van Drew, R-N.J., i cili përfaqëson distriktin, tha të premten në “Fox & Friends” se ai do të luftojë planin “me çdo mënyrë”. Van Drew kritikoi politikat kufitare të administratës Biden për përhapjen më tej se shtetet kufitare, duke e quajtur atë një “çështje të mbrojtjes kombëtare”.

REPS. JEFF VAN DREW: Shpresojmë që nuk do të ndodhë. Ne do ta luftojmë këtë me çdo pikë fuqie që kemi. Është gjë e gabuar. E dini, kur thamë se çfarë po ndodhte në kufirin jugor do të prekte të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo është ajo që ndodh. Unë dua që njerëzit të dëgjojnë këtë. Ky nuk është vetëm një problem i Arizonës, apo i Teksasit apo i Kalifornisë. Ky është një problem i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe tani ata duan të vijnë në qarkun tonë të bukur, në Xhersin tonë të bukur të Jugut, dhe të përpiqen ta shkatërrojnë edhe atë. Këtu ka edhe një çështje të mbrojtjes kombëtare. Kjo është një çështje shumë, shumë e rëndësishme për t’u kuptuar. Ne kemi qendrën teknike FAA atje që po bën punë shumë të rëndësishme, disa prej të cilave janë shumë domethënëse për sigurinë e këtij vendi dhe fluturimin ajror. Dhe ne kemi F-16-të tanë që janë atje si pjesë e mbrojtjes sonë, gjithashtu, si pjesë e Gardës Kombëtare Ajrore, krahut luftarak 177. Ata janë linja e parë e mbrojtjes për Uashington, DC dhe New York City. Kjo është një fatkeqësi në zhvillim. Dua të them, kjo është administrata më e keqe. Unë thosha, në jetën time. Tani, kjo është administrata më e keqe në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Bloomberg raportoi këtë javë se administrata Biden përgatiti një listë me 11 vende në pronësi federale për migrantët që të lëvizin nga qyteti i Nju Jorkut. Ai përfshinte gjithashtu një zyrë taksash në Long Island, N.Y., dhe aeroporte të tjera në zonën e Nju Jorkut, duke përfshirë një pranë kufirit kanadez.

Ndërkohë, guvernatori i Masaçusetsit, Maura Healey, ka aktivizuar 250 anëtarë të Gardës Kombëtare për të ofruar shërbime bazë në hotelet e strehimit emergjent, mes një fluksi emigrantësh që ka pakësuar ofruesit e shërbimeve.

Administrata e Healey do të nisë gjithashtu një Ekipe Rajonale të Reagimit të Shpejtë për të ndihmuar në mbikëqyrjen e vendeve të strehimit, njoftoi ajo të enjten. Ekipet do të përbëhen nga punonjës të shtetit.

Masa vjen pasi ajo shpalli gjendjen e jashtëzakonshme këtë muaj për shkak të rritjes së numrit të emigrantëve që mbërrinin në Massachusetts nga Teksasi. syri.net

blank

SHBA, 12 miliardë dollarë për tranzicionin tek makinat elektrike

VOA/Marrë nga Reuters

Administrata e Presidentit Biden po u ofron 12 miliardë dollarë firmave të prodhimit të makinave që të përshtatin fabrikat e tyre për të ndërtuar automjete elektrike dhe makina të tjera të avancuara, tha të enjten Sekretarja e Energjisë Jennifer Granholm. Ndihmat do të jenë në formë grantesh dhe kredishë.

“Ndërsa kalojmë tek makinat elektrike (EV), duam të sigurohemi që punonjësit të trajnohen në këtë fushë, që të mos mbetet pas asnjë punonjës apo komunitet”, tha zonja Granholm, e cila ka shërbyer më parë në postin e guvernatores së Miçiganit, qendrës së prodhimit të automobilëve.

Përshpejtimi i ndarjes së granteve dhe subvencioneve të tjera për financimin e konvertimit të fabrikave egzistuese për të ndërtuar makina elektrike mund të zbusë kritikat e ashpëra nga prodhuesit e makinave dhe sidikatat e punonjësve kundër propozimeve të Shtëpisë së Bardhë për rregulla mjedisore që synojnë të nxisin kalimin në epokën e makinave elektrike.

Sindikatat kanë paralajmëruar se një ndryshim i shpejtë mund të vërë në rrezik mijëra vende pune në shtete si Miçigani, Ohajo, Illinoi dhe Indiana.

Javën e shkuar, pjestarët e sindikatave të autoindustrisë votuan me shumicë dërrmuese në favor të autorizimit të një greve që përfshin linjat e prodhimit të tre gjigandëve amerikanë, General Motors, Ford dhe Chrysler.

Sindikatat thonë se do të hidhen në grevë nëse nuk arrihet një marrëveshje lidhur me pagat dhe planet e pensioneve përpara skadimit të kontratës aktuale katërvjeçare më 14 shtator.

Presidenti i sindikatave e vlerësoi njoftimin të enjten duke thënë se, “kjo e bën të qartë për punëdhënësit se kalimi tek makinat elektrike duhet të përfshijë partneritete të forta me sindikatat, e shoqëruar me paga dhe standarde të larta sigurie për të cilat kanë luftuar dhe fituar gjeneratat e sindikalistëve”.

Presidenti Joe Biden tha në një deklaratë se, “ndërtimi i një ekonomie të bazuar tek energjia e pastër mund dhe duhet të ofrojë një mundësi të favorshme për kompanitë e automobilave dhe sindikalistët që kanë kontribuuar në ekonominë amerikane për dekada”.

Qeveria amerikane do të ofrojë gjithashtu 3.5 miliardë dollarë financim për prodhuesit vendas të baterive, tha zonja Granholm.


Send this to a friend