Kuajt
Ma kanë zënë hisen e hënës duke fjetur në këmbë
Në ag’ dielli lind copëtuar pas veshëve të tyre
Dhe yjet e fundit rrëzohen në jelet e lagta…
Qentë
Qentë sonte e qajnë hënën skaj mali
Era pastaj e mbulon me re të zeza
Vdes e dashura e tyre ulërimash…
Qyqja
Në muzg mbeti veç ajo me ku ku të mekura
Dhe hëna e ngrirë si drapër i ndryshkur
Që s’ja priste dot kokën …
Mesnatë
Dhi e egër piu ujë dhe rrëzoi gurë në hone
Mëngjesi mban frymën dhe gjurmën e saj
Por kurrë s’munda t’ja shoh sytë…
Qirinjtë.
Sa shpesh digjen netve tona të gjata si kujtime
Në pjatën e madhe të natës shuhet shpirti
I dashurive të dyllta…
Ora
Ndalet ora e murit papritur, lavjerrësi bie
Veç qelqi që thyhet pastaj, kris një çast
Koha vdes si zemër…
Zemra dhëmb
Ngjitem bjeshkës ku kam lindur, zemra dhëmb aq fort’ papritur
Nuk ndalem, por vazhdoj, tunduar prej fëminisë së shkuar
Zgjedh të vdes kujtimesh…
Lisi
Lisi vra prej rrufeje, ka ra përgjysmë në gjunjë
Në zgavrën e zemrës klith një ketër i trembur
Shpresa për të mbijetuar prapë…
Varri i babait
Një kodër dheu që lëviz pareshtur në puhizën më të lehtë
Veç luleborat mbijnë ngado, duke fshehur prej meje
Shpresën e rilindjes…
Fyelli
Akoma bie Lugjeve të Verdha
Fyelli i Ajkunës së shkretë
Lugjet u bënë të Zeza…
Eho!
Eho, apo ndjen moj zemër
Sesi përcëllohet shpirti
Nga flakë e panjohur hajku?!…
Aromë trumze
Aromë trumze shpatit të Rugovës
Nëpër shtatin tim përshkrohet
Ethe e dashurisë së vjetër…
Boronica
Boronica në dritën e pakët të agut si lot’
Më mori malli, janë sytë e tu që më ndjekin kudo
Dhe qava shijen e tyre…
Klithma
Përshkroi mëngjesin një klithmë e pulëbardhës
Dhe lagu jastëkun tim shkumë e valës së egër
Prej Valbone…
Gështenjat.
Fund shtatori, po çahen boçet e thara
Duke rënë dëgjoj gështenjat
Në klithmën e lindjes…
Çabrat.
Çati e Gjakovës, që kullon diell dhe hënë
Ku mbahet mëngjesi dhe bie perëndimi
Tjegullat e kuqe prej zemre…
Gjarpëri.
Desh rashë mbi nëpërkën e mbarsur
Kërceva gur mbi gur pa shkelur
Ajo hapi rrugë e shkoi…
Si orë
Në mur të stanit kotullaç gjarpëri
Mos e luani , lutej gjyshja ime
E kishte si orë…
Në spital.
Mesditë, sa qetësi dhe prehje e kërkuar
Dhe plot tulipanë mbi krevatin tim
Për të fshehur klithjen e zemrës…
Gjurmë
Mbi borën e ortekut, shenja të thara të këmbës së arushës
Që shkoi teposhtë, për të vdekur pa gjetur
Këlyshët e saj…
19 vjet
19 vjet duke u ngjitur verave në Bjeshkët e Nëmuna
Për të gjetur fëmininë e fshehur shkrepave
Si lule e tharë herbari…
Çerdhet
Çerdhet e vetmuara të dallëndysheve në muret e shkollës
Pas izolimit të plotë duralumin
Kulmi i pikëllimit…
Te varri yt
Te varri yt kam mbjellë
Një molikë të vogël
Fërshellen zemra ime…
Bari i kthimit
Bari i kthimit rritet shpejt mbi dheun tënd
Por asesi të shpresoj më
Në kthimin tjetër…
Malli
S’po di me pushue malli për ty
Si ta përzej nga zemra
Këtë zog të trembur?!…
Edhe sa ditë
Edhe sa ditë më kanë mbetur nga kjo jetë
Ti shpenzoj me ty pareshtur
Të mos shkoj i penduar?!…
Fluturat.
Të joshura përjetësisht nga drita, ikin prej terri
Vdesin në qiriun e natës time mashtruar
Si prej dashurie…
E gjatë
E gjatë nata, por s’mund të flë
Krahëqafë me kujtimin tënd
Mezi marr frymë…
Lera
Në bregun e saj, në të gdhirë
Pasqyrohen siluetat e drenusheve
Sytë e tyre në fund pusi…
Nuk kam
Nuk kam më fuqi
Që të shoh në ëndërr
po nis ta harroj ditën…
Lumi
Lumi sjell çdo mbrëmje
Rroba të lehta vajzash, harruar
Pas dashurisë verore…
Algat
Lumi ikën poshtë me rrëmbim
Duke harruar poshtë gurëve
Flokët e vet të gjelbër…
Minatorët
Shkuan ngadalë nëntokë
Morën me vete hisen e diellit
Ndoshta përjetë?!…
Kush më qan?!
Po të vdes këtu papritur dhe kujtuar
Kush më qan në ikje nga kjo jetë
Brofi nga shkëmbi pëllumb i egër…
Në shi vere
Në shi vere qullem i tëri
Dhe pastaj kulloj me dashje
Mbi trupin tënd të tharë…
Zemra e gruas
Zemra e gruas, një furrë e pashuar
Ku digjen pa nda kujtime dashurie
Gëlqere e pleqërisë…
Zemra e burrit
Zemra e burrit, një pyll pafund
Ku bien pa nda gjethe të thara
Thinja pleqërie…
Oh, sa të vogla!
Oh, sa të vogla buzët e saj të kuqe
Dhe sa e madhe puthje e tyre
Edhe tash i përvëluar…
Burrat pijnë
Pasdite e nxehtë, burrat pijnë birrë
Me gllëjnka të mëdha përcjellin
Hallet e ditës…
Arra
E mora nga lugina ta mbjell pranë shtëpisë
Pas disa vitesh të shkunden mbi bar
Yjet e paharruar të bjeshkës…
Në një cikël poezish, vargjesh të shtruara përmes haikut, sa ngrohtë e zjarrmishëm prezantohet rrugëtimi dhe ndijimi shpirtëror jo vetëm i poetit, Lulzim Logu.
Në secilin varg ngrihet dhe përjetësohet çiltërsia e krijuesit, madhështia e këndimit dhe e mendimit filozofik, që jetës i japin jo vetëm peshë e kuptim…
Të përgëzoj, mik i nderuar dhe krijues plot zjarrmi shpirti, mendjeje dhe plot vlera letrare, z. Lulzim Logu…
Mbeshtetje e pazevendesueshme kjo e jotja Sejdi berisha!
…!
Shpirti i nje poeti
Thellsia e nje biologu
Zemra e nje dashnori…
Me emrin Lulzim Logu.
…!
Urime Mik.