VOAL

VOAL

Kisha Katolike nuk i priti politikanët e Tiranës për Pashkë

April 17, 2017

Komentet

Këshilltari i Biden: SHBA do financojë Ukrainën me 6 miliardë dollarë përpara se Trumpi të marrë detyrën

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, ka thënë se “Shtëpia e Bardhë do të shpenzojë financimin e mbetur prej 6 miliardë dollarësh për Ukrainën përpara se Donald Trump të marrë detyrën në janar”.

Ai thotë se qëllimi kryesor i administratës Biden në muajt e saj të mbetur do të jetë “të vendosë Ukrainën në pozicionin më të fortë të mundshëm në fushën e betejës, në mënyrë që ajo të jetë përfundimisht në pozicionin më të fortë të mundshëm në tryezën e negociatave”, shkruan BBC.

Presidenti rus Vladimir Putin ka kërkuar që Ukraina të dorëzojë pjesë të mëdha të territorit si parakusht për bisedimet e paqes, ndërsa Kievi ka refuzuar me vendosmëri ta bëjë këtë.

Ndërsa për konfliktin në Lindjen e Mesme, Sullivan thotë se pret përparim në përpjekjet për t’i dhënë fund luftimeve në Gaza dhe Libanin jugor dhe për të liruar pengjet izraelitë të mbajtur nga Hamasi.

“Në një moment, qeveria izraelite dëshiron të bëjë një marrëveshje që i kthen qytetarët e saj në shtëpi”, ka thënë ai.bw

Shqipëri, shqetësim në rritje për paditë SLAPP ndaj gazetarëve

VOA/Mimoza Picari

Në Shqipëri komuniteti i gazetarëve dhe shoqëria civile po shtojnë presionin ndaj autoriteteve zyrtare me qëllim marrjen e masave të nevojshme bazuar në direktivën e BE mbi paditë strategjike kundër pjesmarrjes publike, ose siç quhen ndryshe SLAPP. Sipas njohësve të fushës juridike ato synojnë t’i frenojnë gazetarët në misionin e tyre, duke dëmtuar transparencën dhe llogaridhënien publike. Gjatë 3 viteve të fundit, paditë ndaj gazetarëve në gjykatë u rritën me afro dy herë. Kjo u vecua shqetësuese edhe në progress-raportin e fundit të BE-së për Shqipërinë. Nga ana tjetër zyrtarët thonë se janë vënë në lëvizje për ta vënë në zbatim direktivën anti-SLAPP të BE.

Në pranverë të këtij viti BE miratoi një direktivë kundër padive SLAPP, për të mbrojtur personat që angazhohen në pjesëmarrjen publike nga paditë keqdashëse.

Edhe Këshilli i Europës miratoi një rekomandim për këtë qëllim. Këto padi po përdoren gjithnjë e më shumë nga politikanë të lartë, zyrtarë përfaqësues të bizneseve apo dhe individë me lidhje kriminale si forma presioni ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe përfaqëseuesve të shoqërisë civile me qëllim që ata të tërhiqen nga investigime të ndryshme të ngjarjeve me sfond korruptiv, të paligjshëm apo kriminal.

Shqipëri, paditë SLAPP ndaj gazetarëve

Shqipëri, paditë SLAPP ndaj gazetarëve

Në vitin 2023 në gjykatat e vendit ndaj gazetarëve u ngritën 73 padi nga 42 një vit më parë. Aktualisht qendra Respublica, që ofron ndihmë juridike falas për ta gjatë viteve të fundit, po ndjek rreth 50 raste të tilla në gjykata. Përveç një padie, kjo qendër i ka fituar të gjitha çështjet në shkallë të parë dhe proceset vijonë në apel. Por në mungesë të një kuadri ligjor gjyqtarët aktualisht e kanë të pamundur t’i konsiderojnë ose jo padi SLAPP. Avokati Dorian Matlija ka një qasje personale nisur nga përvoja.

“ Ato konsiderohen të tilla kur shihet që shanset që të fitohen në gjykatë janë thuajse zero, sepse janë absurde në vetvete për argumentat që ngrenë, por kanë efektin negativ që trembin gazetarët me shifra të larta që kërkohen për dëmshpërblime. Gjithashtu i deligjitimon ata duke vënë në pikëpyetje lajmin apo besueshmërinë e tyre dhe sigurisht u merr gazetarëve dhe kohën. Grupime të fuqishme politike apo biznese të fuqishme kanë të gjitha mundësitë t’i ndjekin këto çështje dhe të vazhdojnë t’i tërheqin “zvarrë” gazetarët nëpër gjyqe të gjata.”- thotë për Zërin e Amerikës Dorian Matlija, drejtor ekzekutiv i qendrës Respublica.

Zoti Matlija thotë se paditësit janë politikanë të lartë, shumica nga mazhoranca, përfaqësues të bizneseve dhe nëpunës zyrtarë. Ai argumenton se paditësit nuk tërhiqen edhe pse në mjaft raste prokuroria e posaçme zbulon afera korruptive për të cilat kanë shkruar gazetarët që ai mbron në gjykatë.

Në udhërrëfyesin e shtetit të së drejtës që u miratua nga qeveria shqiptare në muajin qershor të këtij viti, në kuadër të përgatitjes për negociatat me BE, është specifikuar se autoritetet zyrtare do të punojnë për të përafruar direktivën e BE-së anti-SLAPP me legjislacionin shqiptar.

Direktiva sugjeron disa masa si: përjashtimin e hershëm në gjykatë të padive të pabaza, mbulimin e shpenzimeve nga pala paditëse kur proçesi rezulton i pabazuar, detyrimin e paditësit për të provuar se padia është e justifikuar, vendosjen e penaliteteve nga gjykata ndaj atyre që iniciojnë padi keqdashëse, apo dhe ndihmë juridike falas për gazetarët.

Por përfaqësues të shoqërisë civile vërejnë se procesi në vend është kompleks, duke marrë në konsideratë dhe mangësitë në trupën e gjyqtarëve për shkak të procesit të vetting-ut.

“ Ekspertët tanë ligjorë që kanë bërë vlerësimin fillestar të hapësirave dhe mungesave që ne kemi aktualisht në këtë drejtim argumentojnë që procesi është shumë sfidues. Në këtë kuadër është shumë e nevojshme që të nisë herët dhe të jetë sa më gjithpërfshirës”- shprehet për Zërin e Amerikës Blerjana Bino, drejtuese e Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim.

Edhe Kryetari i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë Aleksandër Çipa sugjeron një proces të shpejtë gjyqësor të gazetarëve në gjykata, pasi tejzgjatja e dëmton punën e tyre, argumenton ai.

“Gjykatat tona, proceset që kanë të bëjnë me gazetarët nuk mund t’i mbajnë në kalendat e tyre. Duhet të krijohet mundësia që këto procese në trancparencë të plotë të përfundohen konform legjislacionit shqiptar dhe të bëhen shembuj që reflektohen me qëndrime reaguese nga institucionet apo personat që ngrenë padi të pabazuara ndaj gazetarëve”- argumenton Z. Çipa.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i tha Zërit të Amerikës, se një grup i posaçëm pune, ka nisur analizën e rasteve konkrete të padive SLAPP në gjykata ndaj gazetarëve për të parë tipologjinë, nga vijnë dhe si janë vendimet e gjykatave për to.

Z. Manja konfirmoi se përafrimi i direktivës së BE me legjislacionin në vend ka nisur edhe pse afati final në udhërrëfyes është viti 2027. Sipas tij mendohet të ndërhyhet në dy aspekte.

“ Po t’i referohesh direktivës një nga masat anti – SLAPP është dhe mundësia që duhet t’i jepet gjyqësorit që t’i refuzojë këto padi që në momentin e parë. Kjo kërkon patjetër ndryshime në Kodin e Procedurës Civile. Gazetarët në rastin e padive strategjike kundër pjesmarrjes publike, ( SLAPP) konsiderohen viktima. Edhe në këtë rast do duhet të ketë një incentivë që ka të bëjë me mbrojtjen juridike, ndihmën juridike falas. Këtë e ofron ligji për ndihmën juridike falas. Do duhet të ndryshohet edhe ky ligj. Me këto kemi filluar nga puna që tani”- thotë Ministri i drejtësisë Ulsi Manja.

Por Zoti Matlija drejtor i qendrës Respublica, ndalet edhe në një tjetër moment që lidhet me dekriminalizimin e shpifjes pasi gjysma e padive që ai ndjek në gjykatë janë penale dhe jo civile. Kodi Penal parashikon gjobë deri në 3 milion lekë, për shpifje.

“ Një pjesë e mirë e padive SLAPP janë ato që gjykohen në gjykatat penale jo në gjykatat civile. Gazetarët nuk përballen me dëmshpërblime, por me dënime. Gjoba nuk është shumë e lartë, por problemi më i madh është që mbetet në dëshminë e penalitetit të gazetarit, si një person i dënuar. Kjo është kritikuar dhe nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut”- vijon Z. Matlija.

Ministri i Drejtësisë i tha Zërit të Amerikës se po punohet për një kod të ri penal që synon të reflektojë 61 direktiva të BE. Dekriminalizimi i shpifjes do marrë vëmendje të posaçme thotë Z. Manja.

“Qasja jonë është pozitive për ta përafruar Kodin Penal me standardet më të mira të BE. Pse jo Shqipëria, kur të miratohet kodi i ri penal ta ketë edhe shpifjen të dekriminalizuar. Ka instrumenta të tjerë juridikë për t’u mbrojtur ndaj shpifjes dhe cënimit të personalitetit. Një proces gjyqësor civil edhe në rastin e shpifjes, kur pretendohet për cënim të dinjitetit personal, familjar apo tregtar, ka mjete të tjera juridike për ta rivendosur të drejtën e shkelur edhe në rastin kur këto subjekte janë gazetarë.”- sqaron Ministri Manja.

Por një nga momentet kyçe kur bëhet fjalë për paditë strategjike kundër pjesmarrjes publike, lidhet me trajnimin e gjyqtarëve, që gjithashtu përfshihet në direktivën e BE. Komiteti shqiptar i Helsinkit e çmon të rëndësishëm këtë element.

“ Besoj që ka nevojë për trajnime të mirëfillëta të gjyqtarëve, nga ekspertë të cilët janë marrë me paditë SLAPP në vende të tjera, qoftë të rajonit, në Shqipëri apo dhe në vendet e BE, pasi ky nuk është një fenomen shqiptar por global.”- thotë Erida Skëndaj, drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Në Shqipëri BE ka zhvilluar disa seanca të posaçme për trajnimin e gjyqtarëve në lidhje me lirinë e shprehjes. Ndërsa në mesin e nëntorit në Bruksel pritet një seancë trajnimi e posaçme në lidhje me paditë SLAPP, me pjesmarrjen edhe të përfaqësuesve të sistemit gjyqësor shqiptar. Ky moment shënon një hap të ri mbi përpjekjet europiane në këtë drejtim, çka pritet të reflektohet më pas edhe në Shqipëri.

Ukraina nisi sulmin më të madh me dron në Moskë, kufizime fluturimesh në dy aeroporte

Ukraina lëshoi ​​të paktën 32 dronë që synonin Moskën dhe rrethinat e saj herët në mëngjesin e së dielës, duke detyruar autoritetet ruse të mbyllin përkohësisht dy nga aeroportet e kryeqytetit, thanë zyrtarët rusë. Ky ishte sulmi më i madh me dron ukrainas kundër kryeqytetit rus deri më sot.

Kryebashkiaku Sergei Sobyanin raportoi se 12 dronë u shkatërruan në rrethet Ramenskoye dhe Kolomensky të rajonit të Moskës, si dhe në qytetin Domodedovo, në jugperëndim të Moskës.

Shikoni pamjen e përgjimit të një droni

Guvernatori i Moskës, Andrei Vorobyov, tha se një person është plagosur nga sulmi i dronëve ukrainas, ndërsa videot që qarkullojnë tregojnë shtëpi dhe makina të përfshira nga flakët.

Distrikti Ramenskoye, rreth 45 kilometra në juglindje të Kremlinit, u shënjestrua për herë të fundit në shtator në ofensivën më të madhe të Ukrainës në kryeqytetin rus. Njësitë ruse të mbrojtjes ajrore shkatërruan 20 dronë.

Rosaviatsia, shërbimi federal i transportit ajror të Rusisë, thotë në Telegram se “për të garantuar sigurinë e fluturimeve të avionëve civilë, janë vendosur kufizime të përkohshme në funksionimin e aeroporteve Domodedovo dhe Zhukovo” duke filluar nga ora 4:30 e mëngjesit, por nuk thuhet se sa kohë do të jenë në fuqi kufizimet.

Më herët gjatë natës, mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi 62 nga 145 dronët rusë të lëshuar nga Moska, njoftuan sot forcat e armatosura ukrainase. Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se humbën gjurmët e 67 dronëve, ndërsa 10 të tjerë po fluturonin jashtë hapësirës ajrore të Ukrainës në drejtim të Rusisë, Moldavisë dhe Bjellorusisë. REL

Shefi britanik i Mbrojtjes: Tetori, muaji me humbjet më të mëdha për Rusinë në Ukrainë

Tanke ruse të shkatërruara në Avdivka, Ukrainë, janar 2024.

 

Rusia është përballur me muajin më të rëndë në tetor sa i përket viktimave në fushëbetejë prej se nisi lufta në Ukrainë, tha të dielën shefi i Shtabit të Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, Tony Radakin.

Forcat ruse pësuan mesatarisht rreth 1.500 të vrarë apo plagosur brenda ditës në Ukrainë gjatë muajit tetor, sipas Radakinit.

Rusia nuk e zbulon numrin e të vrarëve të vet në luftën në Ukrainë, por zyrtarët evropianë të Mbrojtjes kanë thënë se numri i përgjithshëm i viktimave në tetor është më i madhi deri më sot.

Radakin tha për BBC se populli rus po e “paguan një çmim shumë të shtrenjtë” për pushtimin e Ukrainës që presidenti i tij, Vladimir Putin, e nisi në shkurt 2022.

“Numri i të vrarëve apo plagosur është gati të arrijë në 700.000 për Rusinë. Kjo është dhimbja dhe vuajtja e madhe që kombi rus duhet ta durojë për shkak të ambicieve të Putinit”, tha ai.

Ai tha se, derisa Rusia po shënon përparime dhe po e vë nën trysni Ukrainën, humbjet po i pëson “për kapjen e pjesëve të vogla të territorit”.

Kostoja e luftës, e cila sipas tij është mbi 40 për qind e shpenzimeve publike në mbrojtje dhe siguri, është gjithashtu duke e “shteruar” Rusinë.

Radakin tha se aleatët perëndimorë do t’i qëndrojnë pranë Ukrainës “sa të jetë e nevojshme”, pavarësisht dyshimeve që kanë lindur për mbështetjen amerikane pasi Donald Trumpi i fitoi zgjedhjet presidenciale në fillim të javës.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. REL

“Buka në rrem” që tërheq turistë të huaj në Tropojë

Gështenja të pjekura, shoqëruar me një gotë verë pranë oxhakut, janë ritual në shtëpitë e banorëve të Tropojës – qytet në verilindje të Shqipërisë.

Tropoja ka masivin më të madh të gështenjave në Ballkan prej rreth 2.800 hektarësh.

Të moçmit i kanë quajtur “buka në rrem”, “drunj të bekuar” apo “pemë e bukës për të varfrit”, pasi kanë qenë ndër ushqimet kryesore në sofrat e tyre, por u kanë siguruar edhe të ardhura përmes shitjes.

Ato i plotësojnë edhe kërkesat për eksport, por, prej më shumë se dy vjetësh, prodhimi i tyre ka rënë për 50-60 për qind.

Një pjesë e zonës prej 2800 hektarësh me gështenja.

Një pjesë e zonës prej 2800 hektarësh me gështenja.

Insekti aziatik përgjysmon prodhimin e gështenjës

Përgjysmimi i prodhimit të gështenjës ishte edhe arsyeja përse Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, FAO, nisi një projekt si pjesë të iniciativës globale “Një vend, një produkt prioritar” dhe Shqipëria përzgjodhi gështenjën.

Gështenjat në degë

Gështenjat në degë

Agim Pepkolaj, drejtues projekti nga Zyra e FAO-s në Shqipëri, thotë se grera aziatike ka dëmtuar rëndë masivin me gështenja, duke rrezikuar të dëmtojë edhe turizmin dhe ekonominë lokale.

“Është një projekt që ka nisur prej dy vjetësh në Tropojë. Projekti ka parashikuar disa aktivitete, ku ndër më kryesoret mund të përmendim zbatimin e një programi të kontrollit biologjik për të luftuar grerën aziatike dhe menaxhimin e dëmtuesve dhe sëmundjeve”, thotë Pepkolaj për Radion Evropa e Lirë.

“Aktualisht, projekti ka realizuar një laborator në Tropojë për rritjen e një insekti të dobishëm, pasi kjo është forma e vetme për ta trajtuar këtë problematikë, për ta luftuar insektin aziatik që po dëmton gështenjat”, sipas tij.

Pepkolaj shton se insekti aziatik mund ta dëmtojë deri në 80 për qind prodhimin e gështenjës, ndërsa zgjidhja e plotë e kësaj situate mund të kërkojë deri në tetë vjet kohë.

Turistë të huaj duke ecur "Shtegut të gështenjave".

Turistë të huaj duke ecur “Shtegut të gështenjave”.

Rëndësia e gështenjës për zonën e Tropojës

Si banor i kësaj zone, por edhe si ekspert i zhvillimit rural, Pepkolaj e njeh mirë rëndësinë e këtij druri frutor për banorët e Tropojës.

Gështenja ka qenë ndër breza një ushqim i rëndësishëm, ndërsa përmes shitjes dhe eksportit banorët kanë siguruar të ardhura për familjet e tyre.

“Nëse dëmtohet ky produkt, dëmtohet ekonomia e banorëve të këtyre fshatrave, kështu që zgjidhja e problematikës është prioritet”, thotë Pepkolaj.

Gështenja konsumohet e pjekur apo e zier. Ajo përdoret, gjithashtu, për të bërë bukë të veçanta me miellin e saj në raste festash apo për mikpritjen e miqve.

“Banorët e kësaj zone janë ushqyer me të. Aktualisht, prej saj bëhen edhe salca për të shoqëruar ushqime të tjera, ëmbëlsira, supë me gështenja, por mund të bëhen edhe kremra, torta dhe gjalpë gështenje”, shpjegon Pepkolaj.

Për ta shtuar më tej këtë vlerë, ai thotë se FAO-ja parashikon të bëjë një investim në Tropojë për përpunimin e gështenjës në produkte të reja – çfarë do t’i rriste ekonomitë e vogla familjare.

Pamje nga fshati Palç, ku ndodhet bujtina e Afrim Gjergjit.

Pamje nga fshati Palç, ku ndodhet bujtina e Afrim Gjergjit.

Afrim Gjergji nga Tropoja thotë se gështenja është produkti kryesor në sofrën e shtëpisë së tij, të kthyer në bujtinë.

“Gështenjat e Tropojës janë të njohura për cilësinë e tyre. Kushdo që vjen ta vizitojë bujtinën, do t’i provojë gështenjat, të pjekura apo të ziera apo edhe në forma të tjera”, thotë Gjergji për Radion Evropa e Lirë.

“Kohëve të fundit ka mungesë, për shkak të një insekti. Shpresoj që të zgjidhet shumë shpejt, sepse masivi i gështenjave është unik. Ulja e prodhimit e ka ndikuar ekonominë tonë”, thotë ai.

Çdo vit, në fund të tetorit, në Tropojë organizohet “Dita e gështenjës” – një festë për promovimin e këtij fryti, e që shërben edhe për të diskutuar se si mund të ndihmohet në prodhimin dhe përpunimin e tij.

Tropoja është e njohur edhe për mjaltin e gështenjës.

Festa për Ditën e gështenjës

Festa për Ditën e gështenjës

“Shtegu i gështenjave” synohet të kthehet në destinacion

Një ndër aktivitetet e tjera të projektit të FAO-s është promovimi i “Shtegut të gështenjave”, i cili synon ta kthejë zonën e Nikaj Mërturit në Tropojë dhe vetë Tropojën në një nga destinacionet kryesore turistike të Malësisë së Gjakovës.

Masivi i rrallë i gështenjave shihet si një mundësi e mirë për të tërhequr edhe turistë, që do të ndihmonin në zhvillimin e mëtejshëm të këtyre zonave të thella, të cilat, pas viteve ’90, thuajse janë braktisur.

Për shkak të mungesës së një perspektive, banorët kanë lëvizur drejt zonave urbane të zhvilluara, por edhe kanë emigruar jashtë Shqipërisë.

“Bukuritë e këtyre zonave, masivi me gështenja 500-600-vjeçare janë një pasuri nga e cila duhet të përfitojnë banorët vendas, por duhet ta zbulojnë dhe shijojnë edhe turistët”, thotë Pepkolaj.

Komunikimi me qytetarët ka treguar se, fatkeqësisht, kjo nuk njihet si zonë, edhe pse ka një larmi resursesh dhe atraksionesh, thotë ai, duke shtuar se pjesë e projektit të FAO-s është edhe promovimi i atij që quhet “Shtegu i gështenjave”.

“Është një udhëkalim prej 4-5 ditësh mes maleve për të pasionuarit pas hajkingut. Gjatë rrugës mund të qëndrosh në bujtina, stane, mund të vizitosh kulla, liqene, lumenj, shpella, e natyrisht të shijosh mikpritjen dhe ushqimet tradicionale”, thotë specialisti i FAO-s.

Pamje brenda nje prej shpellave në Palç.

Pamje brenda nje prej shpellave në Palç.

Se “Shtegu i gështenjave” nuk njihet apo vlerësohet nga vendasit e thotë edhe Gjergji, banor i fshatit Palç të Tropojës.

Ai thotë se vizitorët kryesorë të tij janë turistët e huaj.

“Prej tetë vjetësh e kam hapur bujtinën dhe vizitorët janë kryesisht turistë të huaj. Vijnë nga Anglia, Zelanda e Re, Zvicra, Italia”, tregon Gjergji.

Afrim Gjergji me turistë të huaj.

Afrim Gjergji me turistë të huaj.

Ai është ndër të paktët banorë që nuk u larguan nga fshati Palç, pasi rreth 95% e braktisën atë.

Thotë se, së voni, në fshatin e tij janë kthyer gjashtë familje dhe se e njëjta gjë po ndodh edhe në fshatra të tjera pranë.

Nxitjen për ta kthyer shtëpinë në bujtinë thotë se e ka marrë nga Ndoc Mula, alpinist – një prej adhuruesve të natyrës së egër të veriut të Shqipërisë dhe promovimit të saj – i cili humbi jetën në malin e Munellës tre vjet më parë.

“Ka qenë miku im Ndoc Mula, i cili më shtyu ta hap bujtinën në shtëpinë time të vjetër karakteristike prej guri. Kam vizituar çdo fshat të zonës Nikaj Mërtur bashkë me të. Dhe, në çdo bisedë, fliste për potencialin e madh që ka zona për të zhvilluar turizëm”, kujton Gjergji.

Turistët nga vende të huaja në fshatin Palç.

Turistët nga vende të huaja në fshatin Palç.

Çfarë ofron “Shtegu i gështenjave”?

Pepkolaj thotë se “Shtegu i gështenjave” ofron një shumëllojshmëri destinacionesh dhe burimesh të rralla natyrore dhe një mundësi për të vizituar një nga perlat e Alpeve Shqiptare.

“Nis nga lugina e Komanit, lumi i Shalës… Është një ndër atraksionet më të bukura. Pjesë e turit janë fshatrat: Salcë, Lekbibaj, Curraj, Velisht, Briskë, Palç e deri në Markaj. Është e gjitha me masive gështenjash mbi 500-600-vjeçare. Pjesë e turit janë edhe vizitat në ferma dhe stane, kalimi përmes shtigjesh që ofrojnë peizazhe fantastike”, shpjegon Pepkolaj.

Sipas tij, kjo është edhe zona me përqendrimin më të madh të bletërritësve në veri të Shqipërisë.

Kosheret e bletëve në Palç të Tropojës.

Kosheret e bletëve në Palç të Tropojës.

Sa i përket ushqimit, sigurisht që është tradicional, thotë ai.

Vendet që vizitohen përmes këtij shtegu, variojnë nga 200 deri në 1.200 metra mbi nivelin e detit.

Pjesë e këtij shtegu është edhe fshati Palç, ku Gjergji e ka kthyer shtëpinë në bujtinë, e gjithashtu e ka zgjeruar edhe stanin e tij për të mirëpritur turistë.

“Gjatë qëndrimit në bujtinë dhe në stan, turistët vizitojnë fermën ku mbaj kafshë të ndryshme, si: lopë, pula, dele, derra. Ushqimi që iu ofrohet turistëve, është tradicional, si: flija, maza, djathërat e mishi i ndryshëm, sikurse edhe produktet bujqësore që i marr nga një sipërfaqe prej tre dynymësh që e mbjell dhe e punoj bashkë me anëtarët e familjes sime”, tregon Gjergji.

Turistët e huaj në Shtegun e Gështenjave.

Turistët e huaj në Shtegun e Gështenjave.

Në stanin e tij në bjeshkë thotë se çdo 14 korrik pret banorë të zonës, në një takim brezash, në përkujtim të Betejës së Palçit kundër osmanëve më 1910.

Edhe ky takim shërben për të folur për investimet në turizëm, për të ringjallur kullat e shtëpitë prej guri e për të shijuar natyrën magjepsëse.

Shtëpia e Afrim Gjergjit e kthyer në bujtinë.

Shtëpia e Afrim Gjergjit e kthyer në bujtinë.

Gjergji thotë se turistët e huaj e adhurojnë bjeshkën.

“Ata që zgjedhin ta vizitojnë stanin në bjeshkë, mrekullohen me natyrën. Bëjnë ngjitje në mal, adhurojnë jetën e egër të maleve. Zona është e pasur me kafshë të egra. Nëse ngjitesh në mal, do të shohësh dhi të egra, kaproj, derra të egër… Fatmirësisht, nuk ka gjueti të paligjshme, ne i ruajmë kafshët, bimët, gjithçka që na ka falur natyra”, thotë Gjergji.

E, natyra u ka falur edhe ujëvara, lumenj me vaska natyrore dhe shpella të rralla, ku, siç thotë, bora nuk shkrihet kurrë.

Afrim Gjergji pranë një prej shpellave të zonës ku gjithmonë ka borë.

Afrim Gjergji pranë një prej shpellave të zonës ku gjithmonë ka borë.

Edhe Gjergji, edhe Pepkolaj thonë se një infrastrukturë më e mirë, mund të ndihmojë më shumë.

Banorët e zonës, kërkesë kryesore kanë infrastrukturën rrugore, thotë Pepkolaj, duke shtuar se destinacionet janë fantastike, por se qasja në rrugë automobilistike është e vështirë.

Ai tregon se disa zona janë edhe të rrezikshme, ndaj sinjalistika është e domosdoshme.

Problem është, po ashtu, mungesa e energjisë elektrike, të cilin disa prej banorëve e kanë zgjidhur me panele diellore.

Radio Evropa e Lirë

UGSHPD: TRI EKSPOZITAT NË “AQUARELL” TË RAMËS

 
 
Janë njëherësh brenda javës së parë të Nëntorit tre pamje të ndryshme të Shqipërisë të cilat mund të përcillen vetëm me penelatat e qeverisjes së kryeministri Rama në tablonë egoiste Evropiane. Nuk janë më surpriza për personalitetet shtetërore që priten në zyrën e tij, njohja me punimet artistike dhe shumëllojshmëria e bojërave sepse, skicë idetë e Ramës si piktor po dalin hapur në çdo pjesë të territorit të vendit. Nga takimet jashtë shtetit në BE flitet për suksese shqiptare edhe përse ai dhe qeveria dynden për t’i marrë votën diasporës kudo që ndodhet.
Mbetet një pyetje qoftë nga gazetarë apo edhe shtetarë të BE-së kur zhvillojnë këto takime për t’i bërë Ramës?
Çfarë po ndodh me dy portet Durrësit dhe Shëngjinit ndërkohë që juve jeni në Budapest?
Rama do të përgjigjet përmes propagandës se ai po mendon për samitin e ardhshëm se: –“vendi ynë mori stafetën e mikpritësit të Komunitetit Politik Europian në gjysmën e parë të 2025.”
Por në të vërtetë janë tri ekspozita në bojëra uji (aquarell) ajo lidhje e përbashkët e ideve të piktorit-kryeministër i cili nuk e fsheh më ambicien novatore për BE-në. Që nga Budapesti, buzë lumit Danub hidhen penelatat e suksesit shqiptar drejt Evropës duke harruar çdo ditë krizash që po prodhon korrupsioni dhe keq qeverisja, por ama edhe nga Shëngjini dhe Durrësi dy portet në Adriatik që i bashkohen furçeve të kryeministrit e shpien në tre numrin e ekspozitave në të cilat autorit Rama do t’i duhet të jetë prezent në të njëjtën kohë.
Durrësi pas 12 ditësh bllokimi për përpunim dhe masa sigurie  ka sjellë ekspozitën toksike të  “Rikthimi i 102 Kontejnerëve”. Ekspozitë toksike nën sekuestro dhe në pritje për analiza të hollësishme ku përgjegjësit e qeverisë, ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe institucioneve përkatëse dhe Autoritetit Portual, që nuk marrin asnjë përgjegjësi për problematikën mjedisore ndërkombëtare të krijuar. Të gjithë heshtin ose shtynë mediat me frazën standarde “mbetje të dyshuara të rrezikshme”.
Shëngjini po kështu vazhdoi me hapjen e ekspozitës së dytë mbi emigrantët e paligjshëm jashtë BE-së. Mbërriti grupi i dytë me 8 persona që do të popullojnë mjediset e qendrës pritëse në Gjadër deri në verifikimin e plotë të dokumentacionit për një afat 28 ditor. Një proces që filloi dhe pritet nga drejtësia të vendosë më tej për ecurinë e tij.
Por më e rëndësishmja në këto tre ekspozita të kryeministrit-piktor është se media, interesi i publikut dhe shpesh herë protestat janë shtuar dhe mbeten të interesuara, por heshtja e institucioneve dhe vonesat e shpjegimeve dhe transparenca mungon. Duhet kujtuar se që nga fillimet Rama i quajti vëzhgimet “telenovela”, ish drejtori i Autoritetit Portual Pirro Vëngu sot ministër i Mbrojtjes është shprehur se nuk flet më për detyrat e së shkuarës tani që është anëtar i kabinetit duke i mbetur shterimit të çështjes që ZV/kryeministrja Balluku i ka bërë çështjes.
Fakti përtej dyshimit është se fjala e hershme e Ramës po del dhe kjo telenovelë toksike sillet rreth këtyre personazheve për të, por që për publikun janë qeveritarë që administrojnë buxhetin e shtetit dhe paratë publike.
 

6 Nëntor, 2024

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Ukraina sulmon Rusinë me dronë, shpërthen fabrikën kimike të armëve

Ukraina nisi një sulm me dron në një fabrikë kimike ruse në qytetin perëndimor të Tulës gjatë natës të së premtes duke u gdhirë e shtuna, sipas shërbimit të sigurisë së vendit. Sipas SBU, uzina kimike Aleksinsky u godit nga të paktën 13 dronë ukrainas, duke rezultuar në shpërthime dhe re tymi pas sulmit. Stafi u evakuua menjëherë.

Objektivi kryesor, dyqani i prodhimit të barutit, lëshoi tym portokalli për shkak të lëshimit të acideve, tha SBU. Një burim konfirmoi gjithashtu dëmtimin e termocentralit Aleksinskaya, duke thënë se është dëmtuar një linjë e transmetimit të energjisë 110 kV.

Pamjet e mediave sociale të verifikuara nga CNN tregojnë sulmin në fabrikën kimike Aleksinsky, e cila shtrihet rreth 120 milje (200 km) në jug të Moskës, të nisur nga Shërbimi i Sigurisë SBU i Ukrainës dhe Forcat e Operacioneve Speciale.

Fabrika prodhon armë dhe municione për ushtrinë ruse, sipas SBU. Sulmi ndezi alarmet e sulmit ajror në rajone të ndryshme të Rusisë rreth orës 21:30. sipas kohës lokale. Shërbimi i sigurisë po kryen një “operacion gjithëpërfshirës” kundër objekteve në territorin rus që janë të përfshira në luftën në Ukrainë, tha një burim në SBU.

“Shkatërrimi i depove të armëve, aeroporteve ushtarake dhe ndërmarrjeve që janë pjesë e industrisë ushtarake ruse redukton aftësinë e Rusisë për të terrorizuar vendin tonë”, shtoi burimi.

Guvernatori i rajonit të Tula-s, Dmitriy Miliayev, tha se një sulm me dron gjatë natës nga Ukraina u pengua nga Rusia, por nuk përmendi fabrikën kimike, në një deklaratë të shtunën. Miliaev tha se një “sulm armik UAV u pengua nga njësitë e mbrojtjes ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes ruse në rajonin e Tulës gjatë natës”.

Guvernatori shtoi se rënia e mbeturinave dëmtoi xhamat e një shtëpie private dhe nuk pati viktima. “Situata është nën kontroll.”

Ministria ruse e Mbrojtjes tha: “Gjatë natës së kaluar, një përpjekje e regjimit të Kievit për të kryer një sulm terrorist duke përdorur UAV-të të tipit aeroplan kundër objekteve në territorin e Federatës Ruse dështoi”. bw

Osmani takon sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, diskuton për situatën e sigurisë në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se e ka takuar në Budapest sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Takimi u zhvillua në suaza të Samitit të Komunitetit Politik Evropian. Osmani ka shkruar shkurt se me Rutten diskutoi për situatën e sigurisë në Kosovë.

“Diskutime të vazhdueshme me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për situatën e sigurisë në Kosovë, si dhe rolin e kontributin e KFOR-it për paqe e siguri në vendin tonë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Gjatë ditës, Osmani ka njoftuar edhe për takime me udhëheqësit e Mbretërisë së Bashkuar, Turqisë, Letonisë dhe Estonisë.

Të mërkurën, presidentja u prit nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. sn

Ngjarje që ndryshoi botën- Sot, 35 vite nga rënia e Murit të Berlinit

9 nëntori është një ndër datat më të rëndësishme të historisë së re gjermane. Një ditë, me të cilën gjermanët sjellin në kujtesë tmerrin dhe gëzimin, që nga nata e pogromit 1938 e deri tek rënia e Murit të Berlinit 1989.

Më 9 nëntor Gjermania feston 35 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Një ngjarje që ndryshoi botën. Një vit më vonë, më 3 tetor 1990, Gjermania u ribashkua pas 41 vitesh ndarjeje. Me rrëzimin e diktaturës së dytë në tokën gjermane, pra fundin e RDGJ-së, u zhduk nga harta politike kampi real-socialist në Evropë. Konflikti Perëndim-Lindje përfundoi. 9 nëntori 1989 shënon një ditë me rëndësi të veçantë për historinë e Gjermanisë dhe të Evropës.

09.11.1918
Por në kalendarin historik gjerman 9 nëntori ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në epoka të tjera: Më 9 nëntor 1918 socialdemokrati Philipp Scheidemann, deklaroi nga një ballkon i Reichstag-ut (parlamenti) në Berlin se Gjermania ishte tashmë Republikë. Monarkia e perandorit Wilhelm II. kishte marrë fund: “Punëtorë dhe ushtarë, ndërgjegjësohuni mbi kuptimin historik që sjell kjo ditë. Ka ndodhur diçka e padëgjuar: Do të hasim punë të mëdha dhe të vështira. Gjithçka për popullin, gjithçka me popullin. Nuk do të lejohet të ndodhë asgjë që mund të cënojë nderin e lëvizjes punëtore. Jini të bashkuar, të sinqertë dhe të përgjegjshëm. E vjetra dhe e krisura – monarkia – u shemb. Rroftë e reja, rroftë Republika e Gjermanisë.”

09.11.1923
Demokracia e re në Gjermani pati një fillim të vështirë. Të majtët dhe të djathtët donin ta rrëzonin atë sa më parë. Më 9 nëntor 1923 në Mynih qindra nacionalsocialistë (nazistë) vërshuan drejt ndërtesave shtetërore në një përpjekje për puç. Udhëheqësi i tyre ishte Adolf Hitler, i cili 10 vite më vonë do të merrte në mënyrë totalisht ligjore pushtetin në Gjermanidhe do të shkaktonte krizën më të madhe në histori: Luftën e Dytë Botërore

09.11.1938

Gjatë kësaj lufte hebrejtë u luftuan sistematikisht, deri sa në vitin 1942 filloi makineria për asgjësimin e plotë të tyre. Më 9 nëntor 1938, pra para fillimit të Luftës, në mbarë Gjermaninë iu vu zjarri sinagogave, dyqanet e hebrejve u shkatërruan pothuajse të gjitha. Rreth 100 njerëz u vranë, 26.000 të tjerë u deportuan në kampe përqendrimi. Pogromi u quajt në mënyrë cinike “Reichskristallnacht” dhe do të shërbente si “provë e parë gjenerale” për Holokaustin. 9 nëntori 1938 është data më e tmerrshme në radhën e ditëve historike gjermane.

09.11.1989
Një kontrast gjigant ishte 9 nëntori 1989, dita e rënies së Murit të Berlinit. “E pabesueshme” ishte fjala që dëgjohej më shpesh atë natë, kur qytetarëve të RDGJ-së iu hapën krejt papritur kufijtë. Në fakt muaj më parë ishin zhvilluar demonstrata kundër regjimit totalitar të shtetit RDGJ. Mijëra njerëz kishin hyrë në ambasadën e RFGJ-së dhe të disa vendeve evropiano-lindore duke kërkuar azil politik. Presioni për të lehtësuar mundësinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve të RDGJ-së kishte muaj që rritej nga dita në ditë. Por me atë që ndodhi më 9 nëntor 1989 nuk kish llogaritur askush: Kur gjatë një konference ndërkombëtare në Berlinin Lindor u deklarua, se do të hynin menjëherë në fuqi ligje të reja për lëvizjen e lirë, nuk kishte më asnjë mundësi për t´i ndaluar masat. Dhjetëra mijëra njerëz kaluan menjëherë kufirin e brendshëm të qytetit të ndarë Berlinit. Gëzimi ishte në kuptimin e plotë të fjalës `pakufij’.

Pas kësaj nate nuk kishte më kthim pas. E çara e parë në Murin e Berlinit solli shembjen e plotë të sistemit të sëmurë. Data 9 nëntor shkruajti për herë të katërt histori gjermane – por këtë radhë histori të mrekullueshme. Këtë fakt nuk e ndryshojnë dot as vështirësitë që solli në Gjermani rënia e Murit të Berlinit. Krijimi i unifikimit së brendshmi ka nevojë për më shumë kohë se sa ribashkimi shtetëror. bw

Mbërriti sot në Shqipëri, kthehet mbrapsht anija me një nga 8 emigrantët që do të strehoheshin në kampin e Gjadrit

Një nga tetë emigrantët që u sollën paraditen e sotme në Shëngjin, do të kthehet mbrapsht.

 

Kthimi i tij sipas agjencisë së lajmeve Ansa bëhet sepse ai bën pjesë në kategorinë e pambrojtur për shkak të disa problemeve shëndetësore.

Ai do të kthehet në Itali, në Brindizi, nga e njëjta anije e Marinës.

Nga ana tjetër, 7 emigrantët e tjerë do të transportohen dhe strehohen në Gjadër.

Kujtojmë se anija me refugjatë u ankorua në port rreth orës 08:00. Emigrantët iu nënshtruan procedurave të kontrollit në qendrën në Shëngjin, dhe do të transferohen në kampin në Gjadër.

Emigrantët, egjiptianë dhe bangladeshas, janë kapur në ujërat ndërkombëtare të kanalit të Siçilisë. gsh

Opozita vijon betejën kundër kryehajdutit të kryeqytetit- Sot protesta e radhës kundër ErionVeliajt

Sot do të zhvillohet protesta e radhës para Bashkisë së Tiranës, ku qytetarët do të kërkojnë sërish dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Protesta do të nisë në orën 11:00. Aksioni organizohet nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ku do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues nga PD-ja si dhe figura të njohura të artit.

Protestat para kësaj bashkie po zhvillohen për skandalet që kanë ndodhur në këtë institucion, siç janë afera e inceneratorëve dhe dosja “5D”, ku janë arrestuar pas hetimeve të SPAK-ut, një sërë drejtorësh. Qytetarët kërkojnë me ngulm që Veliaj të vihet para drejtësisë.

Edhe vetë Veliaj u mor në pyetje nga SPAK-u për aferën e inceneratorëve, ndërsa janë thelluar hetimet për drejtorët e tij.

Qytetarët kanë paralajmëruar se protestat nuk do të ndalen. sn

UGSHPD: NJË TUÇ QË PRET VELIAJ (ORGANOG-RAMA E BASHKISË TIRANË)

                      SHESHI I TIRANËS PËR FESTA

Laundromati – Skicë nga LD-NY 2024

Apo e sfidon Erion Veliaj drejtësinë?

Veliaj vs SPAK është kjo ndeshja e tapetit të pritshëm, në qoftë se do të drejtoheshim me gjuhën e disiplinës së mundjes në sportet e rënda edhe për rastin kur për t’i mëshuar propagandës së Rilindjes Socialiste dhe të bërit lajme nga kryetari i bashkisë Tiranë edhe kur ai i fshihet kërkesave të qytetarëve dhe të opozitës të shprehura me protesta të vazhdueshme. Vetëm gjatë një jave e gjen Veliajn në sa në tapetin e “Botërorit të Mundjes” dhe sa në themelet mbi një simbol kulture të shkatërruar prej disa vitesh si Teatri Kombëtar deri sa arrijmë tek dy ngjarjet më të bujshme siç ishin riorganizimi i 12 drejtorive dhe Parada e 28 Nëntorit. Tek këto dy të fundit duhet ndalur pak më gjerë pasi propaganda shtyhet tinëzisht dhe gjithnjë fsheh shpenzimet dhe spekulon me datat.

Në rastin e Botërorit të Mundjes – jo olimpike, duke u shprehur se Bashkia e kryeqytetit i ka energjitë për ta kthyer Tiranën në një qytet për të gjithë, ky term sportiv i huazuar nga mundja, por mesazhi se Veliaj ka kënaqësi për të:-“pritur në Tiranë dhjetëra shtete, nga të gjithë cepat e botës, dhe pavarësisht se politika ka bindje të ndryshme, ca janë majtas, ca janë djathtas, ca janë në veri, ca janë në jug” etj. për të gjithë ata që e dinë se planeti është në sormë sfere, cepat në ligjëratën e këtij agjitatori përsëritës janë vetë koncepti i dijeve për të mashtruar. Termi sportiv për “ta kthyer”, pra  jo zhvilluar etj. etj. i huazuar nga mundja nënvizon forcën me të cilën Veliaj mendon se ka. Pasi duket qartësisht se ai është harruar se është nën hetim që prej vizitës së tij të parë në SPAK, 6 muaj më parë.

Gjatë boshllëkut ndërkombëtar që Rama krijoi me vizitën në Selanik si një takim me diasporën, Veliaj u gjend pikërisht në mjedisin ndërtues të Teatrit duke “garantuar” se ky projekt bëhet për të jetuar deri në 100 vitet e ardhme. Një mesazh mjaft i fortë që i kundërpërgjigjet protestave popullore që duan ta largojnë Velinë nga Bashkia e Tiranës si kreu i korrupsionit dhe pastrimit të parave në ndërtime.

Një reagim i tretë vjen nga lëvizja e ristrukturimit të administratës. Zgjedhjet janë përpara kështu që formacioni i ri i zgjedhur duhet të ndryshojë taktikën e 5D-ve për të arritur rezultatin për zgjedhjet e ardhshme  nga e njëjta strategji e përdorur më parë në në 2021 dhe 2023. Pikërisht në këtë pikë duke patur parasysh se ashtu sikurse Kuvendi drejtohet me frymë parti-shtet, të njëjtën frymë Veliaj e përcjell në Këshillin Bashkiak Tiranë. Në qoftë se në faqen zyrtare të Bashkisë Tiranë juve do të kërkoni ORGANOG-RAMA, (Organograma), aty do të gjeni qindra qoshet e rrjetës administrative. Nëpunës apo patronazhistë kjo tashmë ka pak rëndësi sepse në çdo njërën prej tyre është një vend pune me rrogë shteti dhe me përfitimet e saj që lidhet me partinë-shtet. Pas Kryetarit, Nënkryetarëve, Kabinetit dhe Sekretariatit, Organog-Rama Veliaj ka 72 Drejtori, 159 Sektorë, 24 Njësi administrative, 3 Lagje dhe vetëm një Zyrë të Gjendjes Civile. Mendoni Tiranën, kryeqytet me gati 1 milion banorë dhe ku mbi 40 mijë apartamente, produkt i ndërtimit, janë bosh dhe të pa jetuar.

E fundit në këtë analizë jo për t’ia thjeshtuar SPAK-ut dhjetra kallëzimet që janë depozituar ndërkohë, por mos përgjegjësia dhe mashtrimi i vazhdueshëm të kthyera në propagandë e kanë lodhur publikun për gjetjen e zgjidhjeve të duhura. Besojeni ose jo, por është Veliaj ai që shtron dreka bamirësie për pensionistët dhe tashmë po i largohet kauzës së tij sepse kryeministri po kujdeset për rritjen e pensioneve jo vetëm në Tiranë, por në mbarë vendin. Një elektrizim propagandistik elektoral i shëmtuar që shkon deri në tallje me publikun kur krerët e korrupsionit janë ata që organizojnë 112 vjetorin e Pavarësisë.

Sa e kujdesshme është gjuha e propagandës kur thotë për Paradën e 28 Nëntorit:-““me kostumet e këngët nga çdo trevë shqiptare, në një bashkim vëllazëror festimesh të paharrueshme”. Në pamje të parë duket si festa e Ditës së Flamurit, por të valëvitet flamuri për gjatë gjithë muajit Nëntor  kudo, ky mesazh bëhet gjithëpërfshirës ashtu sikurse edhe agjenda e Rilindjes Socialiste ka punuar për të qendruar në pushtet gjatë këtyre 11-12 viteve.

Ku e ka Veliaj ditën e Çlirimit të Tiranës?

A është ai kryetari i Bashkisë që veç qytetit edhe Sport Klub Tiranën po përpiqet ta fundosë?

Veliaj është Kryetari i Bashkisë më të madhe të vendit ku jeton thuajse 1/3 e popullsisë së vendit. Kryetari i disa dhjetra sektorëve dhe drejtorive i një kryeqyteti ku mbrëmja bie duke zgjuar mbi 40 mijë fantazma apartamentesh të cilat nuk harxhojnë ujë, energji elektrike apo të prodhojnë plehra. Një krahasim me fantazmën e inceneratorëve që rrëmben çdo ditë 80 mijë €.

Nuk ka patriot më të përgjegjshëm se sa Erion Veliaj, njeriu i rrjetës së mijëra fijeve që e lidhin korrupsionin me pushtetin vendor të kryeqytetit, me administratën shtetërore dhe qeverinë, sheshi “laundromat” ku pastrohen paratë të cilat synojnë vazhdimësinë e pushtetit pas çdo lloj zgjedhjesh.

6 Nëntor, 2024

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)


Send this to a friend