Barometri diplomatik
*** Pra, thjesht, kapitali, prona private dhe publike të bëjnë të pasur, por, assesi nuk të japin mend të bëhesh patriot dhe humanist, por vetëdija e lartë kombëtare dhe sakrifica mbinjerëzore për liri dhe për barazi për të jetuar i lirë, i pavarur, sovran në mirëqenie dhe në paqe.
Në universin mbarëshqiptar këtë e provuan, edhe dy shembujt më karakteristikë: 1) Heroi kombëtar shqiptar-Mandela i Europës, Adem Demaçi dhe 2) Heroi kombëtar shqiptar Adem Jashari, që asnjëri e as tjetri nuk ishin produkte të kapitalit, as të aristokracisë, por frytt i edukatës dhe i arsimimit, të fituar në shkollën e lirisë, të patriotizmit dhe të ndërgjegjës së lartë kombëtare shqiptare, me bazament të traditës familjare dhe të mësimeve të mësuesve dhe të profesorëve të tyre patriotë atdhedashës .
Këta dy shembuj i quajmë të veçuar, sepse emërues të përbashkët të veprimtarisë së tyre atdhetare kanë vetëdijen e lartë kombëtare, sakrificën, heroizmin dhe patriotizmin , edhe pse Adem Demaçi vinte nga një familje e varfër (pa asnjë kapital, nuk kishte as mjete elementare për jetesë), por atë nuk mund ta ndalnin as varfëria, as torturat e as burgjet 30-vjeçare serbo-jugosllave, që të luftonte për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës dhe të ribashkimit të saj me Shqipërinë Etnike.
Po ashtu, edhe Adem Jashari, edhe pse kishte gjithë të mirat (shtëpi, standard dhe kapital), mirëpo, ashtu sikurse Baca Adem Demaçi nuk e kishte shpirtin dhe zemrën e trupit-lirinë mbi të gjitha, sakrifikoi gjithë kapitalin që kishte dhe mbi 20 anëtarë të familjes për altarin e lirisë së Kosovës.
Pra, si njërin dhe tjetrin, nuk i bënë heronj, patriotë dhe martirë të pavdekshëm varfëria e as kapitali, por atdhedashuria dhe vetëdija e lartë kombëtare për çlirimin, për lirinë dhe për ribashkimin e të gjithë shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike.
***
Nuk është humane, as vetëdije njerëzore, as patriotizëm e as vlerë demokratike, shfrytëzimi i egër i njeriut prej njeriut!
Nuk ëshë vetëdije, as vlerë kombëtare, as humane, as ligjore e as demokratike, kur kasta e “trabantëve” të sotëm e detyron dhe e kushtezon klasën akademike shqiptare të punojë dhe të rrogëtojë për të, pa asnjë shpërblim. Kjo nuk është kurrfarë vetëdije kombëtare, as vetëdije demokratike, humane evro-perëndimore (as socialiste e as kapitaliste), por shfrytëzim i egër, manipulim, poshtërim, degradim etik, professional, kombëtar, demokratik dhe human-shkelje e të gjitha të drejtave elementare dhe lirive të njeriut, që është në kundërshtim pikësëpari me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut (dhjetor 1948), të miratuar nga Organizata e Kobeve të Bashkuara.
Këso “vetëdije kombëtare” dhe “demokratike”, nuk mund të gjesh as në sistemin kapitalist, as në sistemin socialist në botë,(përpos në hapësirat shqiptare, ku sundon interesi tregtar individual dhe grupor, jo vetëdija kombëtare,as humane, as demokratike, as ligjore e as kushtetuese ), sepse në të dy sistemet, me ligj dhe me kushtetutë puna shpërblehet sipas vlerësimit. Mirëpo, ky kriter vleror nuk vlen për shfrytëzuesit e sotëm “demokratë” dhe “patriotë” shqiptarë, të cilët qe 20 vjet në mënyrë të pamëshirshme, antiligjore , antikushtetuese dhe antidemokratike i shfrztëzojnë dhe i përvetësojnë shërbimet, punën dhe vlerat e klasës së intelektualëve shqiptarë, duke mos i shpërblyer me asnjë CENT dhe me asnjë QINDARKË.
Kjo lloj skllavërie në emër të demokracisë së rreme dhe të kombëtarizmit të shpërfytyruar, e imponuar nga injornatët dhe nga antivlerat e kohës së sotme, është e papranueshme dhe e dënueshme me ligj dhe me kushtetutë, por fajin kryesor e kanë nënshtruesit dhe vasalët intelektualë, duke përfshirë edhe autorin e kësaj eseje, pavarësisht nga shkalla e arsimimit të tyre (të mesëm, të lartë , universitar dhe pasuniversitar), që nuk e ngrehin zërin për t’i realizuar të drejtat e tyre ligjore, të parashikuara dhe të mbrojtura me konventat, me protokollet, me rezolutat dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.
Derisa të dëmtuarit dhe të shfrytëzuarit ta heshtin dhe ta përqafojnë këtë dukuri të shemtuar antihumane, antiligjore, antidemokratike dhe anticivilizuese, aq edhe do të ketë jetëgjatësi shfrytëzimi i egër dhe barbarik i tyre nga ana e bashibozukëve punëdhënës së kohës konsumatore. Pa marrë parasysh dëmtimtimet e derisotme nën maskën e demokracisë dhe të patriotizmit të rremë, që pa dyshim se, janë në funksion të ushtrimit të strategjisë së frikësimit dhe të shfrzytëzimit të elites intelektuale shqiptare, prerazi, duhet të përtrolliset amoraliteti dhe sadizmi i injorancës se “vakti e ha kashtën”. Përkundrazi, “kashta” e tyre, qe 20 vjet po i djeg dhe po i gllabëron të gjitha vlerat e elites intelektuale shqiptare, me qëllim që pjesëtarët e saj, t’i shkallmojë, t’i varësojë dhe t’i shndërrojë në lypësarë dhe në skamnorë të shoqërisë konsumatore për qëllime dhe për interesa tregtare fitimprurëse të “tregut të lirë” të injornatëve dhe të mafiozëve të kohës, që nuk po e ha “kashtën”, por “kashta” po i ha kryesisht vegjëlinë e varfëruar dhe të papunë, si dhe klasën intelektuale shqiptare.
Askush (qoftë nga elita politike ose shkencore shqiptare) nuk e gëzon atë të drejtë që për qëllime dhe për interesa të ndryshme (individuale, grupore, partiake, ideologjike, nepotiste dhe religjioze) karrieriste, tregtare, ekonomike dhe lukrative monopoliste, të spekulojë me konceptin e vetëdijes kombëtare si në interpretimin e kuptimit të ngushtë, ashtu edhe në atë të gjerë të nocionit të saj, se kinëse ajo “është produkt i vetëdijes së kapitalit”.
Jemi dëshmitarë se që nga deakada e fundme e shekullit XX dhe nga dekada e parë e shekullit XXI, zhvillimi i ngjarjeve politike në dimensione ndërkombëtare ishte dhe, gjithnjë po bëhet më i ndërlikuar dhe më dinamik. Si rrjedhim, njeriu edhe nuk është në gjendje t’i ndjekë në vijimësi, e lëre më që të thellohet në nxjerrjen e gjykimeve të vlefshme, të dobishme dhe të drejta lidhur me pozitën, rolin dhe perspektivën e tij në shoqërinë e sotme konsumatore me vizion dhe me kontura të integrimit dhe të globalizmit ndërkombëtar.
Si pasojë e moskuptimit, e konfuzionit dhe e dilemave të shumta lidhur me këto dy koncepte të brishta, sot, shumica dërrmuese e njerëzve është përqëndruar me theks të posaçëm në përmbushjen e nevojave materiale, duke i konsideruar ato si një nga “idealet më të larta” dhe “më të shenjta” të ekzistencës dhe të së ardhmës së tyre; duke i mitoligjizuar, ideologjizuar dhe fetishizuar deri në stadin më të lartë të reales shoqërore, duke qenë të bindur se vetëm sistemi i unifomitetit të tillë me përmbajtje konsumatore atyre u garanton prosperitet dhe dobi materiale të pakufijshme.
Së këndjemi, duke mbajtur parasysh faktin se natyra e njeriut karakterizohet nga ambivalenca e tij, shoqëria atë edhe mund ta indoktrinojë dhe ta përpunojë sipas interesave dhe nevojave ambivalente dhe polivalente të saj konsumatore, duke e shndërruar atë në “robot”, që verbërisht t’i kryejë të gjitha kërkesat dhe urdhërat e parashtruara ditore, kuptohet të interesit dhe të pazarit ditor, javor, ose mujor etj. Në këtë rast, njeriu i painformuar lidhur me trendet e zhvillimit dhe të konsumimit të teknologjisë së informimit, të komunikimit dhe të vlerave ekonomike e tregtare, është i detyruar dhe, njëherazi i gatshëm që të “abstenojë”, duke e braktisur edhe idealin, edhe vetëdijen kombëtare, si dhe të gjitha kërkesat, vlerat dhe virtytet e tjera fisnike njerëzore. Në kushte dhe në rrethana të këtilla, njeriu është vetëm një produkt i shoqërisë konsumatore, e jo kurrfarë pjesëmarrësi i mirëfilltë dhe i barabartë në kuadrin e saj. Fatkeqësisht, ky është një fakt i hidhur, por objektiv që dëshmon se njerëzimi ka hyrë në etapën e luftës për ekzistnecën e zhveshur edhe në fillimshekullin XXI.
Sot, njeriu nuk është i rrezikuar vetëm nga procesi i automatizimit teknologjik në stadin më të lartë të zhvillimit të tij, por edhe nga shumë forca të tjera të errëta regresive, të cilat në forma të ndryshme të predikimit të mbrojtjes së vlerave elemantare të njerëzimit (liria, demokracia, rendi, drejtësia, siguria, begatia, paqja, mirëqenia ), po tentojnë që nejriun si kryevlerë e të gjitha vlerave të tjera të shoqërisë, ta njëjtësojnë dhe ta tjetërsojnë në artikull të thjeshtë konsumi, të “finalizuar” vetëm për shijen e ofertës dhe të kërkesës së “shit-blerjes”, të këmbimit dhe të shumëzimit enorm të vlerave monopolizuese profitabile të “tregut të lirë” dhe të “iniciativës së lirë” private, gjë që kjo favorizon dhe stimulon kryesisht dhe, gjithanshmërisht vetëm pronën private të individit dhe të individëve a grupeve të caktuara, që nuk ka kurrfarë elementi ndërlidhës me lindjen dhe me ngritjen e vetëdijes nacionale as në kuptimin e së veçantes, as në atë të së përgjithshmes.
Pavarësisht nga mitologjizimi dhe fetishizimi i interesit dhe i kërkesës imperative të absolutizimit liberal antirealist modern, që kapitalin ta trajtojë si bazamantin kryesor të përcaktimit të vetëdijes nacionale, shkencërisht ky koncept është i gabueshëm dhe i paqëndrueshëm, sepse nuk përputhet me bazën e dialektikës shkencore të realizmit historik, sociologjik, psikologjik, politik dhe filozofik të formimit, të rujatjes dhe të ngritjes së vetëdijes nacionale, mbase në thelb, krijimi, këmbimi, mbrojtja, shumëfishimi i vlerave dhe i mbivlerave të kapitalit prodhon vetëm “vetëdijen tregtare“ e jo kursesi “vetëdijen kombëtare”. Këtë konkluzion tonin e mbështet edhe ky konstatim i bazueshëm shkencor i profesorit të Harvardit, dr.Stanley Hoffmann, i cili pohon se “ Specializimi dhe integrimi i firmave bën të mundur shtimin e pasurisë, mirëpo, logjika e kapitalizmit të pastër nuk e favorizon drejtësinë sociale” (FA, July/August, 2002,p.107-108). Gjithashtu, në favor të këtij vlerësimi është edhe ky konkluzion aksiomatik i prof.dr. Patrick C. Hogan: “ Në shoqërinë kapitaliste të gjitha vlerat janë të prirura t’i nënshtrohen vlerës së tregut”. (Shih:”The Politics of Interpretation,1990,f.199).
Së këndejmi del krejtësisht e qartë se vetëdija nacionale nuk është prodhim origjinal, as “prodhim licencues” i kapitalit privat, as i titullarëve të tij të dikurshëm a të sotshëm privatistë. Përkundrazi, dialektika e materializmit historik shkencor ka provuar se kapitali nuk e përcakton “vetëdijen nacionale”, por vetëm vetëdijen e vlerës dhe të intersit egoist tregtar qoftë individual, qoftë grupor ose kolektiv.
Po ashtu, vetëdija nacionale nuk mund të konsiderohet si “produkt i lëndës së parë” i pronës private a kapitalit, as i kapitalizimit ngase historikisht rrënjët i ka në revolucionin popullor, i cili i ka dhuruar popullit vetëdijen si komb, si qenie historike dhe si bashkësi e njësuar.
Pikërisht nga ky koncept revolucionar hisoriko-shoqëror është krijuar edhe nacionalizmi, i cili ka mishëruar ndjenjën e dashurisë dhe të ndërgjegjës së lartë të formimit të kombit, të gjuhës dhe të atdheut. Pra, është gabim logjik, politik dhe kombëtar, që të operohet me teza dhe koncepte spekuluese (për hir të kyçjes në ndonjë parti, në ndonjë lëvizje apo për hir të ngjitjes në ndonjë pozitë karrieriste politike, ekonomike, tregtare, diplomatike shtetërore, siç diktojnë rrthanat dhe kushtet e sotme të “tregut të lirë” privat qoftë me karakter provincial, rajonal apo në kuptim më të gjerë) se vetëdija nacionale shprehimisht është “fryt” i kapitalit apo i kapitalizmit.
Në këtë vështrim, edhe historia e derisotme e vetëdijes nacionale shqiptare, gjithashtu përjashton konceptin spekulues politiko-filozofik dhe propagandistik kapitalist se kjo është krijuar, zhvilluar, trashëguar dhe ruajtur ndër breza në saje të “pronës private”. Përkundrazi, as vetëdija nacionale shqiptare nuk është kurrfarë krijese, e lindur nga prona a kapitali privat, por është fryt i koherencës së revolucioneve dhe të luftrave kombëtare shqiptare që nga periudha e hershme e ilirizmit e deri më sot.
Duke qenë se kombi shqiptar dhe Shqipëria Etnike shekuj me radhë po ballafaqohen me teza, me koncepte dhe me përkufizime të falsifikuara dhe të sofistikuara nga armiqtë e tyre bizantinë-sllavë dhe të sulltanizmit të Perandorisë Osmane famëkeqe, se identiteti nacional, shtetëror dhe terriorial i qenies shqiptare në Ballkan “është i diskutueshëm” (ndër të tjera, edhe për shkak të “vonesës së zgjimit të vetëdijes kombëtare shqiptare” në krahasim me popujt e tjerë të Ballkanit!?), atëherë, domosdoshmërisht, parapëlqehet, që të paktën edhe ne vetë, të mos luajmë në këtë “letër” vetëmohuese, të rrezkishme dhe shkatërrimtare për ekzistencën dhe për identitetin tonë gjithëkombëtar shqiptar.
Mandela i Europës, Adem Demaçi, antitetezë e kapitalit, e varfërisë dhe e robërisë!
Se vetëdija nacionale shqiptare nuk është “fryt” i kapitalit, këtë (ndër qindra shembuj të tjerë të historisë së vetëdijes së identitetit kombëtar shqiptar) e provon edhe shembulli konkret i krijimit të vetëdijes kombëtare të tribunit popullor shqiptar, Adem Demaçi, i cili që nga mosha e fëmijërisë dhe e rinisë (si nxënës dhe student) së tij, u edukua, u arsimua, u frymëzua dhe u aktivizua në lëvizjen gjithëkombëtare shqiptare për ribashkimin e Shqipërisë Etnike, jo si pasojë e indoktrinimit, e shfrytëzimit apo e ruajtjes së ndonjë privilegji a pasurie private(kapitali), të trashëguar nga brezat e tij të mëparshëm, por si shkak i mishërimit të vetëdijes së lartë kombëtare, të fituar nga edukata dhe arsimimi kombëtar i familjes dhe i rrethit të caktuar të shoqërisë shqiptare, e cila tradicionalisht ishte e pajisur dhe e ngritur me ndjenjen e vetëdijes së lartë kombëtare shqiptare.
M’u pse Adem Demaçi (Mandela i Evropës) së bashku me bashkidealistët dhe me bashkërevolucionarët e tij, që nga mosha e mitur ishte i etur dhe i brumosur me ndjenjën e vetëdijes kombëtare,( e jo me lakminë për të pasur sa më shumë “dinarë”, sa më shumë “lekë”, sa më shumë firma, sa më shumë pallate, sa më shumë kapitale, sa më shumë latifundi, sa më shumë “kolltukë të butë” për pushtet dhe karrierë…, ashtu siç po veprohet sot në mjediset e shoqërisë shqiptare anembanë Shqipërisë Etnike), edhe vuajti burgun 30-vjeçarë në kazamatet famëkeqe tiranike të Jugosllavisë-Serbisë së Madhe.
Ndryshe, (ashtu, siç po spekulohet sot me të madhe me përkufizimin e “vetëdijes kombëtare” shqiptare dhe të ribashkimit të Shqipërisë Etnike) po të kishte deklaruar dhe dëshmuar praktikisht në atë kohë të regjimit shtypës tiranik të Jugosllavisë se “vetëdija kombëtare është e ndikuar nga kapitali”, sigurisht se heroi ynë i gjallë kombëtar shqiptar, Adem Demaçi, as bashkëveprimtarët e tij nuk do të burgoseshin, nuk do të torturoheshin, nuk do të arrestoheshin, nuk do të persekutoheshin dhe, fundja, nuk do të vriteshin…, por do të shpërbleheshin në forma të ndryshme, sikurse paditësit, policët, spiunët dhe gjykatësit e tyre, që ushtronin dhunë dhe terror mbi ta, vetëm pse ishin të prirur dhe të pajisur me vetëdijen kombëtare shqiptare dhe të Shqipërisë Etnike, që nuk kishte kurrfarë lidhjeje familiarizuese me vetëdijen tregtare, por me ndjenjën e lartë patriotike, kombëtrare dhe atdhetare shqiptare, në funksion të çlirimit antikolonial sllav, të lirisë, të pavarësisë dhe të bashkimit kombëtar shqiptar dhe të Shqopërisë Etnike.
Së fundi, duke mbajtur parasysh faktin se vetëdija kombëtare nuk është ndonjë artikull apo mall tjetër konsumi, që mund prodhohet, të ekspozohet, të eksportohet, të importohet, të shitet apo të blehet nëpër tregje të vjetra apo të reja private, atëherë as liderët politikë, kombëtarë dhe shtetërorë shqiptarë (me gjithë prirjet e tyre, që konceptin e vetëdijes kombëtare ta ngatërrojnë dhe ta mjegullojnë me vetëdijen tregtare të kapitalit dhe përfituesve të tij privatë) nuk e gëzojnë atë të drejtë, as privilegj të kohës, që në forma të ndryshme të interpretimit të gabuar të proceseve reformiste, demokratike dhe patriotike, të manipulojnë me ndërrimin dhe me falsfikimin e tezave dhe të koncepteve të teorisë dhe të filozofisë radikale utopiste pas së cilës fshihen qëllimet dhe motivet ideologjike, politike, ekonomike dhe tregtare të focave sunduese, të cilat në vazhdimësi riprodhojnë fuqinë dhe privilegjet e tyre si “trashëgimi të patundshme” në kurriz të vetëdijes kombëtare shqiptare, duke e reduktuar dhe konsideruar atë vetëm si refleks të pronës private dhe të kapitalizmit.
Në këtë kontekst, do të ishte mashtrim, iluzion dhe utopi e shkretë që shumica dërrmuese e njerëzimit (sidomos vendet dhe popujt e varfër të pazhvilluar dhe në zhvillim), të ëndërrojnë dhe të shpresojnë se i vetmi shpëtim i tyre i gjithëmbarshëm, do të jetë eksperimenti i “pronës private”, ashtu, siç ishte utopi dhe iluzion i mjerë të shpresohej se “socializmi ishte i vetmi projkesion i shpëtimit të botës së shtypur, të kolonizuar, të pazhvilluar dhe të uritur”. Historikisht, koncepti i parë është i paqëndrueshëm, kurse koncepti i dytë u dëshmua i parealizueshëm dhe i sabotuar. Këtë e provon edhe paradigma e gjysmës së kombit shqiptar të kolonizuar dhe e gjysmës së Shqipërisë Etnike në Ballkan, që ngeli e pazgjidhur edhe në sistemin socialist, edhe në atë kapitalist (1912-2017).
Komentet