VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Kampi i Porto Palermos, ferri ku u vërbuan dhjetra të internuar

By | August 14, 2019

Komentet

FAKSIMILE: Procesverbali sekret, si u dënuan dhe çfarë thanë para pushkatimit zv.kryeministri Këllezi dhe ministri Theodhosi

Këto dokumenta të rrallë arkivorë që mbajnë siglat “sekret” dhe “ekzemplar i vetëm” rrëfejnë fundin e Abdyl Këllezit dhe Koço Theodhosit.

Dokumentat janë publikuar për herë të parë nga DITA.

Abdyl Këllezi u lind në Tiranë në vitin 1919. Ka qenë anëtar i byrosë politike të PPSH, ish-ministër i ekonomisë dhe zv/kryeministër i Shqipërisë në vitet 1945-1975.

U ekzekutua me pushkatim.

Koço Theodhosi ka lindur në vitin 1913, në Korçë. Ka qenë anëtar i byrosë politike të PPSH dhe ministër i industrisë e minierave.

U akuzua si sabotator në 1975 dhe u pushkatua bashkë me zv.kryeministrin Këllezi (në foto gjatë një vizite në Itali).

Vendimi dhe procesverbali i ekzekutimit

Vendimi dhe procesverbali i ekzekutimit

Mosfalja nga Presidiumi

Mosfalja nga Presidiumi

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË / PRESIDIUMI I KUVENDIT POPULLOR
Tiranë, më 31.11.1977 / Nr. 512/1

MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME
– Drejtorisë së Hetuesisë –

PROKURORISË SË PËRGJITHSHME

Për njoftim: GJYKATËS SË LARTË

TIRANË – Presidiumi i Kuvendit Popullor, në mbledhjen e datës 31.5.1977 refuzoi t’u fali jetën:

1. Abdyl Mehmet Këllezi, dtl. 1920, nga Tirana, dënuar me vendimin nr. 4 dt. 17.5.1977 të kolegjit penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim) për krimet e parashikuara nga nenet 72 e 73 në kombinim me nenin 76 të Kodit Penal.
2. Koço Llambi Theodhosi, dtl. 1913, banues në Tiranë, dënuar me vendimin nr. 4 dt. 17.5.1977 të kolegjit penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim) për krimet e parashikuara nga nenet 72 e 73 në kombinim me nenin 76 të Kodit Penal.
3. Xhavit Ymer Sallaku, dtl. 1929, lindur në Tiranë dhe banues në Fier, dënuar me vendimin nr. 67 datë 25.3.1977 të Gjykatës së Rrethit Fier me vdekje (pushkatim), për krimin e tradhtisë ndaj Atdheut, sabotim ekonomik dhe agjitacion e propagandë kundër Pushtetit Popullor.
4. Shaban Muslim Lilka, dtl. 1907, lindur dhe banues në fshatin Miras të rrethit Korçë, dënuar me vendimin nr. 65 datë 10.4.1977 të Gjykatës së Rrethit Korçë me vdekje (pushkatim) se në bashkëpunim ka vrarë për shkaqe të dobëta Zaim Lilkën dhe ka tentuar të vrasë Pema Lilkën, si dhe ka kundërshtuar me dhunë përfaqësuesin e pushtetit.
5. Osman Ymer Zalla, dtl. 1938, lindur dhe banues në fshatin Bruz-Zallë të rrethit Krujë, dënuar me vendimin nr. 26 datë 13.4.1977 të Gjykatës së Rrethit Krujë me vdekje (pushkatim) se në bashkëpunim ka vrarë për motive të dobëta Hajdar Shehun; për përvetësim të pasurisë socialiste në bashkëpunim e në përpjesëtime të mëdha; për përvetësim të pasurisë së qytetarëve, për për përvetësim të pasurisë së gjetur; për armëmbajtje pa leje dhe moskallëzimin e një krimi të rëndë.

Vendimet për personat e mësipërm të ekzekutohen me pushkatim.

SEKRETARI I PRESIDIUMIT
TELO MEZINI

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar i vetëm
Nr. 367/1 Prot Tiranë, më 31.5.1977

LËNDA: Mbi ekzekutimin me vdekje (pushkatim) të dy të dënuarve.

MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME
DREJTORISË SË HETUESISË

Për njoftim: PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM TË RPSSH

TIRANË – Në bazë të vendimit nr. 4 datë 17.5.1977 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të RPSSH, janë dënuar me vdekje(pushkatim), personat e poshtëshënuar:

1. Abdyl Këllezi 2. Koço Theodhosi.

Meqënëse Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr. 512/1 datë 31.5.1977, njofton refuzimin e kërkesës për faljen e jetës së tyre;

URDHËROJ:

Që të dënuarit Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi të ekzekutohen me vdekje (pushkatim) në vendin e caktuar më datën 31.5.1977 ora 15:00.

Për ekzekutimin e tyre, ngarkoj grupin e caktuar të Drejtorisë së Hetuesisë.
Para se të ekzekutohen të njoftohen të dënuarit e sipërm se kërkesa për faljen e jetës së tyre, iu është refuzuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

Pas ekzekutimit, i ngarkuari me këtë punë, duhet të mbajë procesverbalin e ekzekutimit të vendimit që mban edhe fjalën e fundit të të ekzekutuarve.

MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME
KADRI HAZBIU

Ekzemplar i vetëm

PROCESVERBAL

Në Tiranë, më 31.5.1977

Në bazë të urdhrit të Ministrit Punëve të Brendshme Nr. 367/1 datë 31.5.1977 ora 15:00, në vendin e caktuar, në prani të prokurorit Rrapi Mino dhe të mjekut Nevzat Vigani, nga unë Idriz Seiti i ngarkuar i Drejtorisë së Hetuesisë u ekzekutua vendimi me vdekje (pushkatim) për armiqtë Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi.
Para ekzekutimit, secili nga këta armiq u njoftua nga prokurori se Presidiumi i Kuvendit Popullor, refuzoi kërkesat e tyre për faljen e jetës. Pas kësaj ata thanë:

1. Abdyl Këllezi: Nuk kam gjë për të thënë.
2. Koço Theodhosi: S’kam gjë.

Në përfundim, u krye ekzekutimi i tyre nga unë Idriz Seiti dhe u kontrolluan nga mjeku Nevzat Vigani i cili konstatoi vdekjen e tyre.

I ngarkuari për ekzekutim: Idriz Seiti / Prokurori: Rrapi Mino / Mjeku: Nevzat Vigani

Napoleon Bonaparti vdiq më 5 maj 1821 në Shën-Helenë, por kur u mor vesh ky lajm në Francë?

Napoleon I, perandor (nga François Gérard, 1805).

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 1 Qershor 2020

 

“La Gazette de France” ka botuar, të shtunën e 7 korrikut 1821, në ballinë, shkrimin mbi informimin e vdekjes së ish-perandorit francez Napoleon Bonapartit në Shën-Helenë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Paris, 6 korrik.

 

Dje, një shkresë telegrafike transmetoi lajmin për vdekjen e Napoleon Bonapartit. Ai ka vdekur më 5 maj nga kanceri i gjirit, pasi thirri pranë tij një ministër feje (një prift). Bonaparti lindi më 15 gusht 1769.

 

— Sot kemi marrë, nëpërmjet një mënyre të jashtëzakonshme, gazetat angleze të datës 4 korrik. Vdekja e Bonapartit njoftohet zyrtarisht në to. Ja se si “Le Courrier” njoftoi këtë lajm :

 

Bonaparti nuk është më. Ai vdiq më 5 maj në orën gjashtë të mbrëmjes, pas një sëmundje që e mbajti në shtrat për dyzet ditë. Ai pati dhënë urdhërin që të hapet trupi i tij, pasi dyshonte se kishte të njëjtën sëmundje nga e cila vdiq babai i tij. Kjo sëmundje ishte kanceri i stomakut. Kur i hapën trupin, u mor vesh se dyshimet e tij ishin të bazuara : një kancer ishte formuar në të vërtetë në stomakun e tij. Ai ishte i vetëdijshëm deri në ditën e fundit të jetës së tij dhe vdiq pa vuajtur.

 

Një raport tjetër që kemi para nesh, thotë se sëmundja, prej së cilës Bonaparti vdiq, ishte një abces (infektim). Sidoqoftë, ne do të shohim në fragmentin vijues të një letre të veçantë nga Shën-Helena e datës 7 maj, se kanceri ishte shkaku i vdekjes së tij :

 

Bonaparti vdiq të shtunën e 5 majit, në orën gjashtë të mbrëmjes, pas një sëmundjeje që zgjati gjashtë javë : vetëm gjatë dy javëve të fundit, sëmundja u duk e rrezikshme. Kur i hapën trupin, u vu re se ai kishte vdekur nga kanceri që kishte bërë kërdinë në stomak. Ai u ekspozua mbi një shtrat parade nga dje në mesditë. Admiralët, guvernatori dhe drejtuesit e administratës shkuan në vendin ku është ekspozuar trupi.

 

Gjatë katër javëve të para sëmundja e tij nuk ishte e rrezikshme, megjithëse kishte një prandjenjë se do të përfundonte në një mënyrë fatale. Pesëmbëdhjetë ditë para vdekjes së tij, mjekët pranuan se nuk kishte më shpresë për ta shpëtuar atë. Thuhet se ai urdhëroi që të zgjidheshin punët e tij dhe të sistemoheshin dokumentat e tij; ai fliste ende pesë apo gjashtë orë para vdekjes së tij, para se të humbiste vetëdijen. Ai tha se dëshironte që trupi i tij të hapej në mënyrë që djali i tij të informohej për natyrën e sëmundjes së tij. Ky operacion u bë nga kirurgët e tij. Besohet se ai ka bërë testamentin e tij, i cili është dërguar apo do të dërgohet në Angli me të gjitha dokumentat e tij.

 

Shkresat u sollën në Londër nga kapiteni Crockat i Regjimentit të 20-të; ato u komunikuan menjëherë të gjithë ministrave dhe ambasadorëve, të cilët u përshpejtuan t’i dërgonin pranë vendeve (oborreve) të tyre përkatëse.

Çfarë e shtyu Victor Hugonë t’i shkruante përkthyesit italian të romanit të tij “Les Misérables”? (Letra e 1862)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 4 Qershor 2020

 

“Le Rappel” ka botuar, të dielën e 13 janarit 1878, në faqen n°3, letrën ekskluzive të Victor Hugo drejtuar përkthyesit italian të romanit të tij “Les Misérables”, më 18 tetor 1862, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Portret i Victor Hugo nga Nadar (rreth 1884).

Letra e Victor Hugo

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Një gazetë e re, “Le Glaneur littéraire”, botoi një letër të shkruar në 1862 për përkthyesin italian të “Les Misérables”, z. G. Daelli. Kjo letër, përmbajtjen e të cilës do ta zbuloni, nuk ishte botuar kurrë më parë në Francë :

 

Hauteville-House, 18 tetor 1862.

 

Zotëri, ju keni të drejtë, kur më thoni që libri “Les Misérables” është shkruar për të gjithë popujt. Nuk e di nëse do të lexohet nga të gjithë, por e kam shkruajtur për të gjithë. I drejtohet Anglisë po aq sa Spanjës, Italisë po aq sa Francës, Gjermanisë po aq sa Irlandës, republikave që kanë skllevër si dhe perandorive që kanë bujkrobër.

 

Problemet sociale tejkalojnë kufijtë. Plagët e racës njerëzore, këto plagë të mëdha që mbulojnë globin, nuk ndalen në vijat blu ose të kuqe të vizatuara në hartën botërore. Kudo që njeriu injoron dhe dëshpëron, kudo që gruaja e shet veten për bukë, kudo që fëmija vuan për një libër që e mëson ose një shtëpi që e ngroh, libri “Les Misérables” troket dhe thotë : Hapeni derën, kam ardhur për ju.

 

Në këtë orë, ende kaq të errët, të civilizimit në të cilin gjendemi, mjerimi quhet NJERIU; ai është në agoni në të gjitha kohët dhe rënkon në të gjitha gjuhët.

 

Italia juaj nuk është më shembullore në raport me të keqen se Franca jonë. Italia juaj e admirueshme mbart në fytyrën e saj të gjitha mjerimet. Mos vallë banditizmi, kjo formë e tërbuar e varfërisë, nuk banon në malet tuaja? Pak kombe janë gllabëruar aq thellë sa Italia nga kjo ulçerë e manastireve që u përpoqa t’i hetoja. Ju mund të keni Romën, Milanon, Napolin, Palermon, Torinon, Firencen, Sienën, Pizën, Mantovën, Bolonjën, Ferrarën, Xhenovën, Venecian, një histori heroike, rrënoja sublime, monumente madhështore, qytete të shkëlqyera, por ju jeni, si ne, të varfër. Ju jeni të mbuluar nga mrekullitë dhe parazitët. Padyshim që dielli i Italisë është i shkëlqyeshëm, por, fatkeqësisht! kaltërsia e qiellit nuk i fsheh dot leckat (zhelet) mbi njeriun.

 

Ju, si ne, keni paragjykime, bestytni, tirani, fanatizëm, ligje të verbëra që mbështesin zakonet injorante. Ju nuk e shijoni të tashmen ose të ardhmen, pa shijen e së kaluarës. Ju keni një barbar, murgun (priftin) dhe një egërsirë, lazzaronen. Çështja sociale është e njëjtë për ju si dhe për ne. Vdesin më pak urie te ju, dhe pak më shumë nga ethet; higjena juaj sociale nuk është shumë më e mirë se e jona; Terri, protestant në Angli, është katolik në Itali; por nën emra të ndryshëm, “vescovo” është identik me “bishop-in”, gjenden aty natën dhe kanë të njëjtat cilësi. Shpjegimi i gabuar i Biblës ose moskuptimi i Ungjillit është e njëjta gjë.

 

A duhet të këmbëngulim? a duhet ta shohim më tej këtë paralelizëm të zymtë? A nuk keni njerëz në nevojë? shikoni poshtë. A nuk keni parazitë? shikoni lart. Ky ekuilibër i shëmtuar, dy fushat e të cilit, mjerimi (varfëria) dhe parazitizmi, barazpeshohen me vështirësi, a nuk lëkundet para jush si para nesh?

 

Ku është ushtria juaj e mësuesve të shkollës, ushtria e vetme që qytetërimi pranon? Ku janë shkollat tuaja falas dhe të detyrueshme? A dinë të gjithë të lexojnë në atdheun e Dantes dhe Michelangelos? A i keni bërë kazermat tuaja shkolla ushtarake? A nuk keni ju, ashtu si ne, një buxhet të rëndësishëm për luftën dhe qesharak për arsimin? A nuk keni edhe bindje pasive, të cilat lehtësisht ju shndërrojnë në ushtarë? A nuk keni një militarizëm që iu jep urdhër të qëlloni mbi Garibaldin, domethënë mbi krenarinë e gjallë të Italisë? Le ti bëjmë ekzaminimin rendit tuaj shoqëror, le ta marrim ashtu siç është, le të shohim veprën e tij flagrante, më tregoni gruan dhe fëmijën. Shkalla e civilizimit matet me sasinë e mbrojtjes që rrethon këto dy qenie të dobëta. A ka më pak prostitucion në Napoli sesa në Paris? Sa është sasia e vërtetësisë që del nga ligjet tuaja dhe sasia e drejtësisë që del nga gjykatat tuaja? A bëni sikur nuk i kuptoni këto fjalë të errëta : hakmarrje publike, abuzim legal, burg, arenë ekzekutimi, dënim me vdekje?

 

Italianë, te ju ashtu si te ne, Beccaria (Cesare) ka vdekur dhe Farinace është gjallë. Dhe pastaj, le të shohim arsyen tuaj shtetërore. A keni një qeveri që kupton identitetin e moralit dhe të politikës? Po i amnistoni heronjtë! Ne kemi bërë diçka të ngjashme në Francë. Ja, le të flasim për mjerimet : që secili të sjellë grumbullin e tij, ju jeni po aq të pasur sa ne. A nuk keni si ne dy mallkime (dënime) : mallkimin fetar të shqiptuar nga prifti dhe atë social të dekretuar nga gjykatësi? O popull i shkëlqyer i Italisë, ti je i ngjashëm me popullin e madh të Francës! Fatkeqësisht, vëllezër, ju jeni si ne “des Misérables – të Mjerë !”

 

Nga thellësia e hijes ku jemi dhe ku jeni, nuk shihni shumë më qartë se sa ne portat rrezatuese dhe të largëta të Edenit. Priftërinjtë gabohen : këto dyer të shenjta nuk janë pas nesh, por para nesh.

 

Si përfundim, ky libër, Les Misérables, nuk është më pak pasqyra juaj se e jona. Disa njerëz, disa shtresa të shoqërisë, revoltohen kundra këtij libri, i kuptoj. Pasqyrat, këto transmetuese të së vërtetës, urrehen; kjo nuk i pengon ato të jenë të dobishme.

 

Sa për mua, unë kam shkruajtur për të gjithë, me një dashuri të thellë për vendin tim, por pa u shqetësuar për Francën më shumë sesa për një popull tjetër. Ndërsa përparoj në jetë, thjeshtësohem dhe bëhem gjithnjë e më patriot i njerëzimit.

 

Për më tepër, kjo është tendenca e kohës sonë dhe ligji i ndikimit të Revolucionit francez; librat, për t’iu përgjigjur zgjerimit (përhapjes) në rritje të civilizimit, duhet të pushojnë të qenit ekskluzivisht në gjuhën frënge, italiane, gjermane, spanjolle, angleze dhe të bëhen evropianë; unë them më shumë humanë (njerëzorë).

 

Prej kësaj, një logjikë e re e artit, dhe e disa nevojave të përbërjes që modifikojnë gjithçka, madje edhe kushtet, më parë të ngushta, të shijes dhe të gjuhës, të cilat duhet të zgjerohen si pjesa tjetër.

 

Në Francë, disa kritikë më qortuan, fatmirësisht për mua, sepse isha jashtë asaj që ata e quajnë shije franceze; Unë do të kisha dashur që kjo lëvdatë të ishte e merituar.

 

Me pak fjalë, bëj atë që mundem, vuaj nga vuajtja universale dhe përpiqem ta lehtësoj atë; Unë kam vetëm forcën e vogël të një njeriu dhe u bëj thirrje të gjithëve : Më ndihmoni !

 

Kjo, zotëri, është ajo që letra juaj më bën t’ju them, e them për ju dhe për vendin tuaj. Nëse këmbëngula shumë, kjo ishte për shkak të një fjalie në letrën tuaj. Ju më shkruani : “ — Ka italianë, dhe shumë, të cilët thonë : Ky libër, Les Misérables, është një libër francez. Kjo çështje s’na përket. Le ta lexojnë francezët si një histori, ne e lexojmë si një roman.”  — Fatkeqësisht! e përsëris, italianë apo francezë, mjerimi na shqetëson të gjithëve. Meqenëse historia shkruan dhe filozofia reflekton, mjerimi është veshja e racës njerëzore; ka ardhur momenti të zhvishet kjo zhele, të zëvendësohet në trupin nudo të Njeriut-Popull, veshja leckamane e së kaluarës me fustanin e madh të purpurt të agimit.

 

Zotëri, nëse kjo letër ju duket e nevojshme për të qartësuar disa mendje dhe larguar disa paragjykime, mund ta botoni.

 

Duke ju paraqitur sigurinë e re të ndjenjave të mia më të veçanta.

 

Victor Hugo

Le Rappel (1878)- Fjalimi historik i Victor Hugo me rastin e 100 vjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit dhe filozofit të shquar francez Voltaire

Voltaire, shkrimtar francez. Pikturë e shekullit të XVIII – (Musée national du château de Versailles.)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 3 Qershor 2020

 

Më 30 maj 1778 u nda nga jeta në moshën 84 vjeçare shkrimtari dhe filozofi i shquar francez Voltaire (François-Marie Arouet).

 

Me rastin e 100 vjetorit të ndarjes nga jeta të “njeriut të shekullit të XVIII”, gazeta “Le Rappel” ka botuar, të shtunën e 1 qershorit 1878, në ballinë, fjalimin historik që i është dedikuar asokohe nga shkrimtari dhe politikani i shquar francez, Victor Hugo, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Portret i Victor Hugo nga Nadar (rreth 1884).

100 vjetori i Voltaire

Fjalimi i Victor Hugo

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Si sot njëqind vite më parë një njeri vraponte. Vdiq i pavdekshëm. U largua me vitet, veprat, përgjegjësitë më të ndritshme dhe më të frikshme, përgjegjësinë e ndërgjegjes njerëzore të paralajmëruar dhe të korrigjuar. Ai u largua i mallkuar dhe i bekuar, i mallkuar në të kaluarën, i bekuar nga e ardhmja, dhe këto janë, zotërinj, dy format e shkëlqyera të lavdisë. Ai kishte në shtratin e tij të vdekjes, në njërën anë, brohoritjen (dashamirësinë) e bashkëkohësve dhe të brezave, në anën tjetër, këtë triumf të fishkëllimës dhe urrejtjes që e kaluara e pamëshirshme u rezervon atyre që luftuan kundër saj. Ai ishte më shumë se një njeri, ishte një shekull. Ai kishte ushtruar një funksion dhe kishte përmbushur një mision. Ai ishte zgjedhur padyshim për punën që kishte bërë falë vullnetit suprem i cili manifestohet si dukshëm në ligjet e fatit (të ardhmes) ashtu edhe në ato të natyrës. Tetëdhjetë e katër vitet që ky njeri jetoi përfshijnë intervalin që ndan monarkinë në kulmin e saj nga revolucioni në agimin e tij. Kur lindi, Luigji XIV ishte ende mbret, kur vdiq, Luigji XVI mbretëronte tashmë, në këtë mënyrë djepi i tij arriti të shohë rrezet e fundit të fronit të madh dhe arkivoli i tij, dritat e para të humnerës së madhe. (Duartrokitje.)

 

Zotërinj, para se të shkoj më tej, le të biem dakord, për fjalën humnerë; ka humnera të mira; këto janë humnerat ku bie e keqja. (Te lumtë!)

 

Zotërinj, pasi u ndalova pak çaste, më mirëkuptoni që duhet të përfundoj mendimin tim. Asnjë fjalë e pakujdesshme ose djallëzore nuk do të flitet këtu. Ne jemi këtu për mbajtur një qëndrim qytetar. Ne jemi këtu për të pohuar progresin, për të mirëpritur mirëbërjen e filozofisë (filozofëve), për t’i dëshmuar shekullit të XVIII mirënjohjen e atij të XIX, për të nderuar luftëtarët madhështorë dhe shërbëtorët e mirë, për të uruar përpjekjen fisnike të popujve, industrisë, shkencës, marshimin e guximshëm përpara, punën, për të çimentuar harmoninë njerëzore, me një fjalë për të lavdëruar paqen, këtë vullnet sublim universal. Paqja është virtyt i civilizimit, lufta është krim. (Duartrokitje.) Ne jemi këtu, në këtë moment madhështor, në këtë orë solemne, për tu përulur me besim para ligjit moral dhe t’i themi botës që dëgjon Francën, këtë : Ka vetëm një fuqi, vetëdija në shërbim të drejtësisë; dhe ka vetëm një lavdi, gjenia në shërbim të së vërtetës. (Lëvizje.)

 

Pas kësaj, dua të vazhdoj.

 

Zotërinj, para Revolucionit, ndërtimi shoqëror ishte ky :

 

Poshtë, populli;

Mbi popullin, feja e përfaqësuar nga kleri,

Krahas fesë, drejtësia e përfaqësuar nga gjyqësori.

Dhe, në atë kohë në shoqërinë njerëzore, kush ishte populli ? Ishte injoranca (padituria). Cila ishte feja ? Ishte rreptësia (ndëshkimi). Dhe çfarë ishte  drejtësia ? Ishte padrejtësia.

 

A po shkoj shumë larg me fjalët e mia ?

 

Do ta kufizoj veten duke cituar dy fakte, por vendimtare.

 

Në Toulouse, më 13 tetor 1762, ne gjejmë në bodrumin e një shtëpie një djalë të ri të varur. Turma u rebelua, kleri u nxeh, gjyqësori informoi.

 

Ishte një vetëvrasje, por e shpallën vrasje. Për cilin interes ? Në interes të fesë. Dhe kë po akuzonin ? Babain. Ishte një protestant (huguenot), dhe donte të pengonte djalin e tij që të bëhej katolik. Ekziston një lloj makabre morale dhe pamundësie materiale; broçkulla ! ky baba vrau djalin e tij, ky plak ka varur këtë djalë të ri. Drejtësia punoi, dhe doli me këtë përfundim. Më 9 Mars 1762, një burrë me flokë të bardha, Jean Calas, u soll para një sheshi publik të cilin, e zhveshën lakuriq, e shtrinë mbi një rrotë, i lidhën  gjymtyrët dhe e varën me kokën poshtë. Tre burra gjendeshin aty, mbi podium, një gjykatës, i quajtur David, i ngarkuar që të kujdesej për të tortëruarin, një prift, i cili mbante kryqin dhe xhelati, me një shufër hekuri në dorë. I pandehuri, i çuditur dhe i tmerruar, nuk shikonte priftin por xhelatin. Xhelati ngre lart shufrën e hekurt dhe i thyen krahun. Viktima ulërin dhe i bie të fikët. Gjykatësi nxitohet t’i japë të dënuarit të nuhasë disa kripëra, kështu ai bëhet i vetëdijshëm; pastaj prapë një goditje tjetër me shufrën, ulërimë e re, Calas humb sërish vetëdijen; e zgjojnë dhe xhelati fillon përsëri; dhe për faktin se secila gjymtyrë duhej thyer në dy vende, ai merr dy goditje çdo herë, pra gjithsej tetë. Pas humbjes së ndjenjave për të tetën herë, prifti i ofron atij kryqin që ta puthë, Calas i kthen kokën, dhe xhelati i jep goditjen e fundit, domethënë, i shtyp gjoksin me skajin e madh të shufrës së hekurt. Kështu dha frymë Calas. Kjo zgjati dy orë. Pas vdekjes së tij, u shfaqën provat e vetëvrasjes. Por një atentat ishte kryer. Nga kush ? Nga gjykatësit. (Reagim. Duartrokitje.)

 

Fakt tjetër. Pas plakut, një djalë i ri. Tre vite më vonë, në 1765, në Abbeville, të nesërmen e një nate të stuhishme dhe me erëra të forta, mbledhin për tokë mbi trotuarin e një ure një kryq të vjetër, i cili për tre shekuj ishte gozhduar (vënë) mbi një parapet (mur). Kush e hodhi përtokë këtë kryq ? Kush e bëri këtë sakrilegj ? Nuk e dimë. Ndoshta një kalimtar. Ndoshta era. Kush është fajtor ? Peshkopi i Amiens lëshon një hetim fetar. Ja çfarë është hetimi fetar : është një urdhër për të gjithë besimtarët, nën dënimin e ferrit, të thonë atë që dinë ose mendojnë se dinë për këtë apo atë fakt; rendi vrastar i fanatizmit deri në injorancë. Hetimi fetar i peshkopit të Amiens funksionon, zmadhimi i thashethemeve merr përmasat e denoncimit. Drejtësia zbulon, ose pretendon se ka zbuluar, se natën kur kryqi ra përtokë, dy burra, dy oficerë, njëri me emrin Labarre, tjetri Etallonde, kaluan mbi urën e Abbeville, ndërsa ata ishin të dehur dhe këndonin një këngë rojesh ushtarake. Gjykata e Abbeville është kompetente për këtë çështje. Gjykatësit e Abbeville vlejnë një lloj si ata të Toulouse. Ata nuk janë më shumë të drejtë, kështu lëshuan dy urdhër-arreste. D’Etallonde u shpëtoi (u arratis), Labarre u kap. E çuan para hetimit gjyqësor. Ai mohon të ketë kaluar mbi urë, por pranon se ka kënduar këngën. Gjykata e Abbeville e dënoi, por ai apeloi në parlamentin e Parisit. E çojnë në Paris, por dënimi u duk i drejtë dhe e konfirmuan. E sjellin përsëri në Abbeville, të lidhur me zinxhirë. Shkurtimisht, momenti i tmerrshëm po afronte ! Fillojnë t’i bëjnë kalorësit Labarre pyetjen e zakonshme dhe të jashtëzakonshme me qëllim që ai të rrëfejë bashkëpunëtorët e tij; por cilët bashkëpunëtorë ? që ka kaluar një urë dhe ka kënduar një këngë; ata i thyejnë një gju gjatë torturës; rrëfyesit të tij, kur dëgjoi të thyheshin kockat, i ra të fikët; të nesërmen, 5 qershor 1766, Labarre tërhiqet zvarrë para sheshit të madh të Abbeville, ku po digjej një turrë me dru; i lexojnë vendimin e dënimit dhe pastaj i presin grushtin, dhe në vijim gjuhën me një copë hekuri, dhe më në fund, për mëshirë, i presin kokën dhe e hedhin në turrën e druve. Kështu vdiq kalorësi Labarre. Ai ishte nëntëmbëdhjetë vjeç. (Moment e gjatë dhe e thellë.)

 

Pra, o Voltaire, ti shqiptove një klithmë tmerri dhe do të jetë lavdia jote e përjetshme! (Duartrokitje e dyfishuar.)

 

Kështu ti fillove gjyqin e tmerrshëm të së kaluarës, ti mbrojte kundra tiranëve dhe mostrave çështjen humane, dhe ti ia arrite. Njeri i madh, qofsh përgjithmonë i bekuar! (Duartrokitje e re.)

 

Zotërinj, gjërat e tmerrshme që sapo kujtova u realizuan në mes të një shoqërie të sjellshme, jeta ishte e gëzuar dhe e lehtë, vinin dhe shkonin, nuk shikonin as lart e as poshtë vetvetes, indiferenca çoi në pakujdesi, poetë të hirshëm, Saint-Aulaire, Boufflers, Gentil-Bernard, shkruajtën vargje të bukura, oborri ishte plot me ahengje, Versaja shkëlqente, Parisi jetonte në injorancë ; dhe gjatë kësaj kohe, nga egërsia fetare, gjyqtarët vranë një plak mbi një rrotë dhe priftërinjtë shqyen gjuhën e një fëmije për një këngë. (Emocion i madh. Duartrokitje.)

 

Në prani të kësaj shoqërie të egër dhe të turpshme, Voltaire, i vetëm, pasi kishte para syve të tij të gjitha këto forca të bashkuara, gjykatën, fisnikërinë, financat; kjo fuqi e pavetëdijshme, turma e verbër; kjo gjykatë e frikshme, aq e rëndë për të dënuarit, aq servile ndaj të zotit, duke shtypur dhe gjunjëzuar popullin para mbretit (Bravo!), ky kler, i përzier tinëzisht mes hipokrizisë dhe fanatizmit, Voltaire, i vetëm, e përsëris, i shpalli luftë këtij koalicioni të të gjitha pabarazive shoqërore, kësaj bote të jashtëzakonshme dhe të tmerrshme, dhe ai e pranoi betejën. Dhe cila qe arma e tij ? ajo që ka lehtësinë e erës dhe fuqinë e rrufesë. Një pendë. (Duartrokitje.)

 

Me këtë armë ai luftoi, me këtë armë ai fitoi (mundi).

 

Zotërinj, le ta përshëndesim këtë mëndje.

 

Voltaire fitoi, Voltaire bëri luftë rrezatuese, luftë e një kundër të gjithëve, domethënë luftën e madhe. Lufta e mendimit kundër materies (lëndës), luftën e arsyes kundër paragjykimeve, luftën e të drejtës kundër të padrejtës, luftën për të shtypurit kundër shtypësit, luftën e mirësisë, luftën e butësisë. Ai pati butësinë e një gruaje dhe zemërimin e një heroi. Ai ishte një mëndje e ndritur dhe një zemër e madhe. (Bravo.)

 

Ai luftoi (mundi) kodin dhe dogmën e vjetër. Ai mundi feudalin, gjyqtarin gotik, priftin romak. Ai e ngriti popullatën në rangun e popullit. Ai mësoi, paqësoi dhe civilizoi. Ai luftoi për Sirven dhe Montbailly si për Calas dhe Labarre; ai pranoi të gjitha kërcënimet, të gjitha zemërimet, të gjitha persekutimet, shpifjet, dëbimin në mërgim. Ai qe i palodhshëm dhe i palëkundur. Ai e mundi dhunën me buzëqeshjen, despotizmin me sarkazmën, pagabueshmërinë me ironinë, kokëfortësinë me këmbënguljen, injorancën me të vërtetën.

 

Thjesht thashë këtë fjalë, buzëqeshje, do të ndalem këtu. Buzëqeshja është Voltaire.

 

Zotërinj, le ta themi, sepse paqja është ana e shkëlqyeshme e filozofit, te Voltaire ekuilibri rivendoset gjithmonë. Pavarësisht nga zemërimi i tij i drejtë, ai kalon, dhe Voltaire i irrituar gjithmonë i lë vend atij të qetë. Pastaj, në këtë sy të thellë, shfaqet buzëqeshja.

 

Kjo buzëqeshje është mençuria. Kjo buzëqeshje, po e përsëris, është Voltaire. Kjo buzëqeshje ndonjëherë shkon deri në qeshje, por trishtimi filozofik e tundon (temporizon) atë. Me të fortët, ai tallet ; më të dobëtit, ai është përkëdhelës. Ajo shqetëson shtypësin dhe siguron të shtypurin. Kundër të mëdhenjve, përballjen; për të vegjlit, keqardhjen. Ah! le të jemi të ndjeshëm nga kjo buzëqeshje. Ai ka pasur ndriçime agimi. Ai ka ndriçuar të vërtetën, të drejtin, të mirën, çfarë ka të ndershme në të dobishmen. Ai ndriçoi brendësinë e bestytnive (supersticioneve); këto shëmtira janë të mira për tu parë; ai i vuri në pah. Duke qenë i zgjuar, ai ishte pjellor. Shoqëria e re, dëshira për barazi dhe koncesion, dhe ky fillim vëllazërie i cili quhet tolerancë, dashamirësia reciproke, vënia në proporcion e burrave dhe të drejtave, arsyeja e njohur si ligj suprem, fshirja e paragjykimeve dhe e mbështetjes së njërës palë, qetësia e shpirtrave, fryma e indulgjencës dhe faljes, harmonia, paqja, kjo është ajo që doli nga ajo buzëqeshje e madhe.

 

Padyshim që ditën kur identiteti i mençurisë dhe mëshirës do të njihet, ditën kur do të shpallet amnistia, pohoj, se atje lart në yje, Voltaire do të buzëqeshë. (Duartrokitje të trefishta. Thirrjet : Rroftë amnistia!)

 

Zotërinj, ekzistojnë marrëdhënie misterioze mes dy shërbëtorëve të njerëzimit të cilët janë shfaqur në një interval kohor prej1800 vitesh.

 

 

Lufta kundër « pharisaïsm-it », demaskimi i mashtrimit, rrëzimi i tiranive, uzurpimeve, paragjykimeve, gënjeshtrave, bestytnive, prishja e tempullit, dhe pse jo të rindërtohet nga fillimi, domethënë duke zëvendësuar gënjeshtrën me të vërtetën, duke sulmuar gjykatën e egër, duke sulmuar klerin e etur për gjak etj, të merret kamxhiku për të dëbuar shitësit nga vendi i shenjtë, të pretendohet trashëgimia e të privuarve, të mbrohen i dobëti, i varfëri, të vuajturit, të luftohet për të përndjekurit dhe të shtypurit ; kjo ishte lufta e Jezu-Krishit ; dhe cili është njeriu që bën këtë luftë ? Voltaire. (Bravo.)

 

Puna ungjillore plotësohet nga puna filozofike; fryma e butësisë ka filluar, shpirti i tolerancës ka vazhduar; le ta themi me një ndjenjë të thellë respekti, Jezusi qau, Voltaire buzëqeshi, dhe me këtë lot hyjnor dhe këtë buzëqeshje njerëzore u bë ëmbëlsia e qytetërimit të sotëm. (Duartrokitje e zgjatur.)

 

A ka buzëqeshur gjithmonë Voltaire ? Jo. Ai ka qenë shpesh i zemëruar (mërzitur). E keni vënë re në fjalët tona të para.

 

Sigurisht, zotërinj, masa (rregulli), rezerva, proporcioni, ky është ligji suprem i arsyes. Mund të themi se moderimi është vetë frymëmarrja e filozofit. Përpjekja e të mençurit duhet të grupojë (përmbledhë) një lloj sigurie të qetë, përafërsisht prej të cilës përbëhet filozofia. Por në momente të caktuara pasioni për të vërtetën lind fuqishëm dhe dhunshëm dhe është në të drejtën e tij, si erërat e mëdha që pastrojnë (marrin me vete gjithçka). Kurrë, këmbëngul, asnjë i mençur nuk do t’i lëkundë këto dy njerëz të mëdhenj mbështetës të punës sociale, drejtësisë dhe shpresës, dhe të gjithë do ta respektojnë gjyqtarin nëse ai mishëron drejtësinë, dhe të gjithë do të nderojnë priftin nëse ai përfaqëson shpresën. Por nëse magjistratura quhet torturë, nëse Kisha quhet Inkuizicion, atëherë njerëzimi i shikon ato në fytyrë dhe i thotë gjykatësit : Unë nuk e dua ligjin tënd! dhe i thotë priftit : Unë nuk e dua dogmën tënde! Unë nuk e dua turrën e drurëve tuaj në tokë dhe ferrin tuaj në qiell ! (Ndjenjë e gjallë. Duartrokitje të gjata.) Atëherë, filozofi i zemëruar ngrihet dhe e denoncon gjyqtarin para drejtësisë dhe e denoncon priftin para Zotit ! (Duartrokitjet dyfishohen.)

 

Këtë pra bëri Voltaire. Ai është i madh.

 

Kush ishte Voltaire, e thashë; cili ishte shekulli i tij, do ta them.

 

Zotërinj, njerëzit e mëdhenj rrallëherë janë vetëm; pemët e mëdha duken më të mëdha kur dominojnë një pyll; ato gjenden aty në shtëpinë e tyre. Ka një pyll shpirtrash (mëndjesh) rreth Voltaire; ky pyll është shekulli i tetëmbëdhjetë. Midis këtyre shpirtrave, ka disa maja (koka), Montesquieu, Buffon, Beaumarchais, dhe dy ndër të tjerat, më të lartat pas Voltaire, – Rousseau dhe Diderot. Këta mendimtarë i kanë mësuar njerëzit të arsyetojnë; arsyetimi i mirë sjell veprimin e mirë, korrektësia në mendje bëhet drejtësi në zemër. Këta punëtorë të progresit kanë punuar në mënyrë të dobishme. Buffon themeloi natyralizmin; Beaumarchais gjeti, përtej Molière, një komedi të panjohur, pothuajse një komedi shoqërore; Montesquieu bëri kërkime aq të thella në ligj sa arriti të nxjerrë në dritë drejtësinë. Sa i përket Rousseau-së dhe Diderot, le t’i përmendim këto dy emra veç e veç; Diderot, një inteligjencë e gjerë kureshtare, një zemër e butë që ndryshoi drejtësinë, dëshironte të jepte nocione të sigurta si bazë për idetë e vërteta dhe krijoi kështu Enciklopedinë; Rousseau i bëri një shërbim të admirueshëm gruas, ai e plotësoi nënën nëpërmjet foshnjes, ai vendosi njërën afër tjetrës këto dy madhështi të djepit; Rousseau, një shkrimtar elokuent dhe patetik, një ëndërrimtar i thellë oratorik, i cili shpesh herë ka zbuluar  dhe shpallur të vërtetën politike; ideali i tij i përafrohet reales ; ai pati lavdinë e të qenurit i pari në Francë që u quajt qytetar; fibra qytetare lëkundet në Rousseau; ajo që lëkundet te Voltaire është fibra universale; mund të thuhet se, në këtë shekull të tetëmbëdhjetë pjellor, Rousseau përfaqëson Popullin; Voltaire, akoma më gjerë, përfaqëson Njeriun. Këta shkrimtarë të fuqishëm janë zhdukur; por ata na lanë shpirtin e tyre, Revolucionin. (Duartrokitje.)

 

Po, Revolucioni francez është shpirti i tyre. Ai është përhapja e tyre rrezatuese; ai vjen prej tyre; ai gjendet kudo në këtë katastrofë të bekuar dhe të shkëlqyer që mbylli të kaluarën dhe hapi të ardhmen. Në këtë transparencë e cila është specifike për revolucionet, dhe e cila përmes shkaqeve lejon të shohim efektet, dhe nëpërmjet planit të parë shohim dhe të dytin, shohim pas Diderot Danton, pas Rousseau Robespierre, dhe pas Voltaire Mirabeau. Këta i bënë ata.

 

Zotërinj, t’u bësh rezyme disa epokava falë emrave të njerëzve, të emërosh shekujt, t’i bësh disa prej tyre personazhe njerëzore, kjo mundësi u është dhënë vetëm tri popujve, Greqisë, Italisë, Francës. Themi shekulli i Perikliut, shekulli i Augustit, shekulli i Leon X, shekulli i Luigjit XIV, shekulli i Voltaire. Këto emra kanë një kuptim të madh. Ky privilegj, që tu vihen emra shekujve, ekskluzivisht për Greqinë, Italinë dhe Francën, është shenja më e lartë e qytetërimit. Deri te Voltaire, këto janë emra krerësh shtetesh; Voltaire është më shumë se një kryetar shteti, ai është një kryetar idesh. Me Voltaire fillon një cikël i ri. Ne e ndiejmë se tani e tutje fuqia e lartë drejtuese e njerëzimit është mendimi. Qytetërimi iu bindte forcës, tani ai do t’i bindet idealit. Është fundi i skeptrit dhe shpatës të zëvendësuar nga rrezja; domethënë, autoriteti i shndërruar në liri. Asnjë sovranitet tjetër përveç ligjit për njerëzit dhe ndërgjegjjes për individin. Për secilin nga ne, dy aspektet e progresit dalin qartë, dhe këtu ato janë : ushtrimi i së drejtës, domethënë të qënit njeri; përmbushja e detyrës, domethënë të qënit qytetar.

 

I tillë është kuptimi i kësaj fjale, shekulli i Voltaire; ky është kuptimi i kësaj ngjarje supreme, Revolucioni francez.

 

Dy shekujt e paharrueshëm që i paraprinë shekullit të tetëmbëdhjetë e kishin përgatitur; Rabelais paralajmëron për të drejtat e familjes në « Gargantua », dhe Molière paralajmëron kishën në « Tartuffe ». Urrejtja e forcës dhe respekti për ligjin (drejtësinë) janë të dukshme te këto dy mendje të shquara.

 

Kushdo që thotë sot : forca ka përparësi mbi ligjin, është veprim mesjetar dhe u flet njerëzve duke u kthyer mbrapa treqind vite. (Duartrokitje të përsëritura.)

 

Zotërinj, shekulli i nëntëmbëdhjetë lavdëron (glorifikon) shekullin e tetëmbëdhjetë. I tetëmbëdhjetë propozon, ndërsa i nëntëmbëdhjeti përfundon. Dhe fjala ime e fundit do të jetë vëzhgimi i qetë, por i patundur i progresit.

 

Kohët kanë ardhur. Drejtësia ka gjetur formulën e saj : federatën njerëzore.

 

Sot, forca quhet dhunë dhe fillon të gjykohet, lufta akuzohet, civilizimi, në bazë të ankesës së njerëzimit, bën gjyqin dhe harton dosjen e madhe kriminale të pushtuesve dhe kapitenëve. (Lëvizje.) Ky quhet dëshmitar, historia. Realiteti i ashpër paraqitet. Shkëlqimet (Rrezet) e rreme treten. Në shumë raste, heroi është një shumëllojshmëri e vrasësit. (Duartrokitje.) Njerëzit e kuptojnë se zmadhimi i një pakete (tarife) nuk mund të jetë zvogëlim, se nëse të vrasësh është krim, të vrasësh më shumë nuk mund të bëhet për rrethana lehtësuese (Të qeshura dhe brohoritje), që nëse të vjedhësh është turp, të pushtosh nuk mund të jetë një lavdi (duartrokitje të përsëritura), që « Te Deum-ët » nuk ndryshojnë asgjë, se vrasja është vrasje, se gjaku i derdhur është gjaku i derdhur, se është e kotë të quhesh Çezar apo Napoleon, dhe se në sytë e Zotit të përjetshëm ne nuk ndryshojmë fytyrën e vrasësit pavarësisht se në vend të një kapeleje, i vëmë atij mbi kokë një kurorë perandori. (Brohoritje të gjata. Një seri duartrokitjesh.)

 

Ah! le të shpallim të vërtetat absolute. Le ta çnderojmë luftën. Jo, lavdia e përgjakshme nuk ekziston. Jo, nuk është mirë dhe nuk është e dobishme të bëhen kufoma. Jo, jeta nuk mund të punojë për vdekjen. Jo, oh nëna që më rrethoni, lufta, kjo hajdute, nuk mund të vazhdojë të marrë fëmijët tuaj. Jo, gruaja nuk mund të rrisë fëmijën me dhembje, se njerëzit lindin, popujt punojnë dhe mbjellin, që fshatari fekondon fushat dhe punëtori qytetet, që mendimtarët meditojnë, që industria bën mrekullira, se gjeniu bën çudira, që veprimtaria e gjerë njerëzore shumëfishon në prani të qiellit me yje përpjekjet dhe krijimet, për të arritur në këtë ekspozitë të tmerrshme ndërkombëtare e cila quhet fushë beteje! (Ndjenjë e thellë. E tërë salla çohet në këmbë dhe brohoret për oratorin).

 

Fusha e vërtetë e betejës ja ku është. Është ky takim i kryeveprave të punës njerëzore që Parisi po i ofron botës në këtë moment.

 

Fitorja e vërtetë është fitorja e Parisit! (Duartrokitje.)

 

Fatkeqësisht, nuk mund ta fshehim, se në këtë çast, sado i denjë të jetë për admirim dhe respekt, ka akoma aspekte funerale (të zeza); ka akoma anë të errëta në horizont, tragjedia e popujve nuk ka mbaruar; lufta, lufta e rreptë, është akoma këtu, dhe ajo ka guximin të ngrejë kokën përmes kësaj feste të paqes. Princat, që prej dy vitesh, kanë vazhduar me një keqkuptim fatal, mosmarrëveshja e tyre është një pengesë për harmoninë tonë, dhe ata janë frymëzuar gabimisht që të na dënojnë mbi zbulimin e një kontrasti të tillë.

 

Le ta kthejë Voltaire-in ky kontrast. Përballë kërcënimeve të mundshme, le të jemi më paqësorë se kurrë. Le t’i drejtohemi këtij njeriu të madh të vdekur, kësaj qenie të madhe të gjallë, kësaj mëndje të madhe. Le të përulemi para varreve të nderuara. Le t’i kërkojmë këshilla një personi, jeta e dobishme e të cilit për njerëzit u shua njëqind vite më parë, por vepra e të cilit është e pavdekshme. Le të kërkojmë këshilla mendimtarëve të tjerë të fuqishëm, ndihmësve të këtij Voltaire-i të lavdishëm, Jean-Jacques Rousseau, Diderot, Montesquieu. Le t’u japim fjalën këtyre zërave të shkëlqyeshëm. Le të ndalojmë gjakderdhjen, Mjaft ! mjaft ! despotë, Ah ! barbarizmi vazhdon, le të protestojë filozofia. Shpata është e pamëshirshme, le të zemërohet civilizimi. Le t’i vijë në ndihmë shekulli i tetëmbëdhjetë atij të nëntëmbëdhjetë; filozofët paraardhësit tanë janë apostuj të së vërtetës; ti thërrasim këto fantazma të shquara; që, para monarkive që ëndërrojnë luftërat, ata shpallin të drejtën e njeriut për jetën, të drejtën e ndërgjegjes për lirinë, sovranitetin e arsyes, shenjtërinë e punës, mirësinë e paqes; dhe, meqë nata del nga fronet, le të dalë drita nga varret (Thirrje njëzëri e zgjatur. Thirrje : Rroftë Victor Hugo!)

NUK KA SI SHKODRA… – Nga Fritz RADOVANI

NË SHESHIN QENDROR…

RRAH ZEMRA E SAJ…

Shumë ka provue ajo zemer… E, asaj Shkodres plakë, Shkodres së “Rozafës” sonë…

Po, gurra e artistave në Shkoder nuk shterrë. Edhe ata janë të derdhun në bronx…

Njeriu, thonë, Shkrimet e vjetra, asht kenë krijue prej baltet… Atje, shumë vjet perpara edhe unë njofta një djalë ma të rinj se vedin, që me baltë.., Ai krijonte “Njeriun”…

Ai ishte Ferid Kola, i heshtun, i pafjalë, i qeshun, i dashtun, krijues sepse, ishte i lemë me zemer artisti per me vue në punë atë “zemer” të Shkodres, që s’ rrahte persa kohë!..

Bash atë zemer të dhunueme, ku Guri i Deshmorve të Atdheut, u largue e iku kur pranë i shkoi diktatori i shekujve… E perballë n’ tribunë zgerdhihej pasuesi vrastar i Shkodres.

T’ harruem… E, nuk besoj se kujtohen ma, se dora e daltuesit Gurit Rozafës, Ferid Kola, aty ka vendosë Djalin e Zemres së Shkodres, që rrah e nuk do të pushojnë KURRMA !

Asht Luigj Gurakuqi… Veper e skulptorit Ferid Kola… Të dy janë Shkodranë… Rrnofshi!

            Melbourne, Qershor 2020.           

“Beqir Balluku nuk foli fare”. Arkivat sekrete, çfarë thanë para pushkatimit, gjeneralët Balluku, Dume e Çako

Pas vendimit të Gjykatës Speciale Ushtarake për dënimin e tyre me vdekje, gjeneralët Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako, i drejtohen Presidiumit të Kuvendit Popullor për falje jete.

Kërkesat e tyre për falje jete merren në analizë në mbledhjen e 5 nëntorit 1975, që kryesohej nga Haxhi Lleshi.

Rreth vendimit të Gjykatës, i paraqitur nga Aranit Çela, pati pak pyetje nga anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Në fund, me vota unanime, u vendos lënia në fuqi e Vendimit të Gjykatës Speciale Ushtarake për pushkatimin e Ballukut, Dumes e Çakos.

Ndërsa urdhri administrativ i firmosur nga Kadri Hazbiu, sjell më 5 dhjetor, ekzekutimin me pushkatim të të dënuarve me vdekje…

Para pushkatimit, Beqir Balluku nuk foli fare, Petrit Dume tha ‘Të rrojë populli, të rrojë Partia’, ndërsa Hito Çako tha vetëm fjalën ‘Mirë!’

Më poshtë teksti i procesverbaleve, faksimilet e të cilave janë botuar në versionin print nga DITA në rubrikën Histori.

 – 1 – Vendimi i Presidiumit

REPUBLIKA E SHQIPËRISË –  PRESIDIUMI I KUVENDIT POPULLOR

Nr 850/1 Prot. Tiranë, më 5.11.1975. “Sekret”
Ministrisë së Punëve të Brendshme.(Drejtorisë së Hetuesisë)
Prokurorit të Përgjithshëm.
Për njoftim: Gjykatës së Lartë, Tiranë.

Ju njoftojmë se në mbledhjen e datës së sotme, Presidiumi i Kuvendit Popullor, shqyrtoi dhe vendosi të refuzohen kërkesat për faljen e jetës të dënuarve me vdekje(pushkatim) sipas vendimit nr. 10 datë 5.11.1975 të Gjykatës së Posaçme Ushtarake, si vijon:
1-Beqir Ali Ballukut
2-Petrit Taulla Dumes
3-Hito Shaqo Çakos.
Vendimi i gjykatës të zbatohet.

Sekretari i Presidiumit
Telo Mezini(Vula dhe firma)

 

-2 – Urdhëri i Ekzekutimit

REPUBLIKA E SHQIPËRISË – MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDËSHME

Nr/52, Tiranë, më 5 nëntor 1975
Lënda: -Mbi ekzekutimin me vdekje(pushkatim) të tre të dënuarve.
Ministrisë së Punëve të Brendshme(Drejtorisë së Hetuesisë), Tiranë.
Për njoftim: -Prokurorit të Përgjithshëm, Tiranë.

Në bazë të vendimit nr. 10 datë 5 nëntor 1975 të Gjykatës së Posaçme Ushtarake, janë dënuar me vdekje(pushkatim), personat e poshtëshënuar:
1-Beqir Ali Balluku. 2-Petrit Taulla Dume, e 3-Hito Shaqo Çako.
Meqenëse Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën nr. 850/1, datë 5 nëntor 1975, njofton refuzimin e kërkesës për faljen e jetës së tyre,

URDHËROJ:
Që të dënuarit Beqir Ali Balluku, Petrit Taulla Dume dhe Hito Shaqo Çako, të ekzekutohen me vdekje (pushkatim), në vendin e caktuar, në datën 5 nëntor 1975, ora 16:00.
Për ekzekutimin e tyre, ngarkoj grupin e caktuar të Drejtorisë së Hetuesisë.
Para se të ekzekutohen, të njoftohen të dënuarit e sipërm se kërkesa për faljen e jetës së tyre, iu është refuzuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.
Pas ekzekutimit, i ngarkuari me këtë punë, duhet të bëjë proces-verbalin e ekzekutimit të vendimit, që mban edhe fjalën e fundit të të ekzekutuarve.

Ministri i Punëve të Brendshme
/Kadri Hazbiu/(Firma)

 

-3- Procesverbal i Ekzekutimit

Në Tiranë, më 5.11.1975

Në bazë të urdhrit të Ministrit të Punëve të Brendshme datë 5.11.1975, ora 16:00, në vendin e caktuar, në prani të prokurorit Murat Kamani dhe të mjekut Nevzat Vigani, nga unë Nevzat Haznedari, i ngarkuari i Drejtorisë së Hetuesisë, u ekzekutua vendimi me vdekje për armiqtë komplotistë Beqir Ali Balluku, Petrit Taulla Dume, dhe Hito Shaqo Çako.

Para ekzekutimit, secili nga këta armiq, u njoftua nga prokurori se Presidiumi i Kuvendit popullor refuzoi kërkesat e tyre për faljen e jetës. Pas kësaj, ata thanë:
1-Beqir Ali Balluku: -Nuk foli fare.
2-Petrit Taulla Dume: ‘Të rrojë populli, të rrojë Partia!’
3-Hito Shaqo Çako: ‘Mirë’.

Në përfundim, u krye ekzekutimi i tyre nga unë Nevzat Haznedari dhe pasi u kontrolluan, mjeku Nevzat Vigani kontrolloi vdekjen e tyre.

I ngarkuari për ekzekutim, / Nevzat Haznedari/(Firma)
Prokurori, /Murat Kamani/ (Firma)
Mjeku, / Nevzat Vigani/ (Firma)

Dëshmia e rrallë e ish-atentatorit, kolonel i Artilerisë: Si e vramë Haziz Sharrën, pas urdhërit me shkrim që na dha…

Memorie.al publikon historinë e panjohur të ngjarjes së ndodhur në qytetin e Vlorës më 7 tetor të vitit 1943, kur pas direktivave që vinin nga Partia Komuniste Shqiptare me në krye Enver Hoxhën, Qarkori Komunist i Vlorës, me në krye Mihal Priftin dhe komandantin e njësiteve guerile të atij qyteti, Rr. P., morrën vendimin që të vrisnin me atentat, Haziz Sharrën, që ishte kreu i rinisë nacionaliste të Ballit Kombëtar. Dëshmia e rrallë e kolonel, Istref Mustafaraj, ish-komandant i Artilerisë për disa njësi të mëdha ushtarake në Vlorë, Durrës dhe Sarandë, i cili ishte një nga tre atentatorët që u ngarkuan nga Qarkori Komunist i Vlorës, dhe së bashku me dy shokët e tij, Miço Emini nga Vlora dhe Jonuz Pejën nga Kosova, i zunë pritë Hazizizit fare pranë shtëpisë së tij te “Sheshi i Flamurit” dhe teksa ai po shkonte për në drejtim të Lagjes “Muradije”, ata të tre e qëlluan me revolverët e tyre, duke e goditur me shtatë plumba në trup, por nga fiziku i fortë që kishte, ai nuk ra në tokë, por nxorri “Nagant”-in e tij dhe duke qëlluar në drejtim të tyre, i ndoqi për afro 100 metra dhe plagosi dy prej tyre. Dërgimi i Hazizit në shtëpinë e tij nga shokët që erdhën me të shpejtë në vëndin e ngjarjes pas atentatit dhe lutja që ata i bënë Dr. Kaçalinos për ta mjekuar atë dhe refuzimi i tij pasi kishte frikë se do ta vrisnin komunist, kur ta merrnin vesh se ai kishte mjekuar një nga krerët kryesorë të Ballit Kombëtar të Vlorës. Si u hakmorrën më pas shokët e Hazizit, pjestarë të Ballit Kombëtar të Vlorës, duke vrarë dy atentatorët, Miço Eminin dhe Jonuz Pejën, e më pas edhe Dr. Kaçalinon, mjekun që s’kishte pranuan të mjekonte Haziz Sharrën, por kishte mjekur atentatorin e tij, Jonuz Pejën, në shtëpinë e Bule Imamit. Historia e rrallë e ndodhur në qytetin e Vlorës, ku zinxhiri i vrasjeve ndërmjet komunistëve dhe ballistëve vazhdoi përsëri, pasi komunistët vranë edhe Marie Qazimin, Thoma Arapin, e më pas edhe Qamil bej Risilinë, që ishte një antikomunist.

“Në mëngjezin e datës gjashtë tetor të vitit 1943, shoku im Miço Emini, më dha një letër të shkruar nga sekretari i Qarkorit komunist të Vlorës, Mihal Prifti dhe komandanti i njësit gueril të qytetit Rr. P., të cilët na urdhëronin mua, Elham Doçin dhe Jonuz Pejën, për t’ë vrarë me atentat Hazis Sharrën, i cili në atë kohë ishte një nga drejtuesit kryesorë të rinisë së Ballit Kombëtar në rrethin e Vlorës. Të nesërmen e asaj dite, unë së bashku me dy shokët e mij të njësit, i zumë pritë Hazizit, i cili që në mëngjez doli nga shtëpia e tij aty pranë Sheshit të “Flamurit” dhe u drejtua për nga Rruga e “Muradies”. Pasi e lamë të kalonte, unë, Jonuzi dhe Elhami, e qëlluam të tre njëherësh dhe shtatë plumba të revolverëve tanë e kapën atë në trup, por Hazizi nga që ishte shumë i fuqishëm, nuk u rrëzua në tokë dhe ashtu me plumba në trup, ai nxorri “Nagant”-in dhe duke na qëlluar, na ndoqi për afro 100 m.” Kështu e kujtonte ngjarjen e atentatit ndaj Hazis Sharrës, në fillimin e tetorit të vitit 1943, kolonel Istref Mustafaraj, ish-komandant i Artilerisë në Sazan, Vlorë, Sarandë dhe Durrës, i cili rrëfen një nga ngjarjet më të bujshme të periudhës së Luftës, kur ai së bashku me shokët e tij të njësitit gueril, vranë me atentat një nga eksponentët kryesorë të rinisë nacionaliste të Vlorës, ngjarje e cila asokohe u bë shkak i nisjes së një seriali të gjatë vrasjesh, ku pati viktima të shumta si nga komunistët, ashtu dhe nga nacionalistët. Kush është Istref Mustafaraj, cila është e kaluara e tij dhe si u krye aksioni i vrasjes së Haziz Sharrës? Cilët ishin njerzit që e urdhëruan atë vrasje, ku u bë mbledhja dhe përse u vendos që të vritej Haziz Sharra në vënd të Kudret Kokoshit? Ku u strehuan tre atentatorët pas aksionit dhe si u vranë dy prej tyre në shënjë hakmarrje nga ana e forcave të Ballit dhe si vazhdoi më tej seriali i vrasjeve nga të dy palët?

Plani për vrasjen e Sharrës

Si u bë plani për vrasjen e Haziz Sharrës dhe cilët ishin personat që urdhëruan kryerjen e atij atentati? Lidhur me këtë, Istref Mustafaraj tregonte: “Pas kapitullimit të Italisë fashiste, orientimet që vinin në Qarkorin e Vlorës nga ana e Enver Hoxhës, nuk ishin më të planit teorik, por në atë kohë sipas vendimeve të Partisë Komuniste Shqiptare, “Shpati” sillte vazhdimisht letra, ku urdhëronte për vrasje të personave konkretë. Në kuadrin e këtyre urdhërave që dërgonte Enver Hoxha në atë kohë, aty nga fillimi i tetorit 1943, përfaqësuesit e Qarkorit komunist të Vlorës, u mblodhën në shtëpinë e Bule Imamit që ndodhej në lagjen “Topana”. Aty u bë një debat i gjatë, nëse duhej vrarë Kudret Kokoshi i cili ishte antar i Qarkorit të Ballit, apo Haziz Sharra, që ishte përfaqësues i Rinisë së Ballit. Pas shumë diskutimeve, fituan ata që mbështesnin vrasjen e Haziz Sharrës, duke arsyetuar se po të vritej Kudret Kokoshi, Hazizi si njeri i aksioneve, do të merrte hak, duke vrarë krerët kryesorë të Qarkorit Komunist, kurse po të vritej Hazizi, Kudreti, e shumta do të shkruante disa poezi si njeri i penës që ishte. Ky vendim për vrasjen e Hazizit, u muar vetëm dy javë pasi përfaqësuesit e Qarkorit Komunist, Hito Çako dhe Burhan Beqari, kishin qenë në shtëpinë e Kudretit, për t’i kërkuar që të bëhej një marveshje në lidhje me ndarjen e trofeve që u ishin kapur italianëve pas kapitullimit, marveshje e cila u realizua. Pas marrjes së vendimit për vrasjen e Haziz Sharrës, komandanti i njësitit gueril të Vlorës, Rr. P. dhe sekretari i Qarkorit Komunist, Mihal Prifti, bënë një urdhër me shkrim për kryerjen e aksionit, duke na caktuar për ta zbatuar si atentatorë: mua (Istref Mustafarajn) Elham Doçin nga Vlora dhe Jonuz Pejën nga Kosova, që ishim antarë të njësitit gueril të qytetit”, kujtonte Istrefi, vendimin për vrasjen e Haziz Sharrës, i cili u muar nga Qarkori i Vlorës, pas urdhërave që dërgonte Enver Hoxha nga Tirana.

Atentati ndaj Sharrës

Si u realizua atentati ndaj Haziz Sharrës dhe si rrodhën ngjarjet pas asaj vrasje? Për këtë Istrefi dëshmonte: “Sipas vendimit të Qarkorit dhe të njësitit gueril, urdhërin me shkrim për vrasjen e Haziz Sharrës të nënshkruar nga Mihal Prifti (prof. në Shkollën Tregtare të Vlorës) dhe Rr. P. ma dorzoi mua në dorë shoku ynë Miço Emini, në mëngjezin e gjashtë tetorit 1943. Pas njohjes me urdhërin për vrasjen e Haziz Sharrës, të cilin e njihja që nga prilli i vitit 1939, kur bashku me Mitaq Sallatën, Azbi Tepelenën, Nuri Arapin etj., kishim shkuar për të kërkuar armë për të luftuar në Bestrovë, ne nisëm të mendonim vetëm për kryerjen e tij, sepse për ta diskutuar atë urdhër, as që bëhej fjalë. Atë kohë, në praktikën e njësitit gueril, kur të ngarkohej ndonjë atentat apo aksion tjetër, kurrsesi nuk duhet të kërkoje shpjegime, por vetëm duhet ta zbatoje atë që të ngarkohej. Kështu pas marrjes së urdhërit për kryerjen e atentatit, në mëngjezin e shtatë tetorit 1943, unë së bashku me dy shokët e mi, Elham Doçi dhe Jonuz Peja, të mbështetur dhe nga tre katër pjestarë të njësitit, i zumë pritë Haziz Sharrës, i cili pasi doli nga shtëpia e tij aty pranë Sheshit të “Flamurit”, u nis për në drejtim të Rrugës “Muradie” (sot Rruga Muze). Duke e ditur se Hazizi ishte një djalë trim e shumë i fuqishëm, ku të gjithë mundoheshin t’i evitonin përplasjet me të, edhe ne kishim menduar që të mos përballeshim dhe pasi ta linim të kalonte, do ta qëllonim nga pas. Kështu edhe vepruam. Pasi Hazizi vazhdoi të ecte në drejtim të Rrugës “Muradie”, ne e qëlluam njëherësh të tre dhe shtatë plumba të revolverëve tanë e kapën atë në trup. Por duke qenë se ai ishte fizik i madh, nuk ra në tokë dhe nxorri “Nagant”-in e duke nga ndjekur për rreth 100 m., nisi të qëllonte në drejtimin tonë, duke na plagosur mua dhe Jonuzin që ikëm me vrap në shtëpinë e Bule Imamit, ku na prisnin shokët kryesorë të njësitit, për t’u raportuar mbi kryerjen e aksionit. Pasi ne u zhdukëm me shpejtësi nga vendi i aksionit, Hazizin e morën disa kalimtarë të rastit, të cilët e dërguan në shtëpinë e tij që ishte aty afër. Pas kësaj, dy shokë të tij që u gjendën menjëherë aty, u nisën menjëherë në kërkim të një mjeku dhe të parin që takuan ishte Dr. Kaçalino, (nga Vlora), të cilit pasi i treguan se çfarë kishte ngjarë, i kërkuan që të shkonte me ta për të mjekuar Hazizin. Dr. Kaçalino i cili ishte njeri shumë i mirë dhe nuk ishte përzier asnjëherë me politikë, nuk pranoi që të shkonte për të mjekuar Hazizin, duke u thënë se do e merrnin vesh partizanët dhe do e vrisnin edhe atë. Ndërsa Dr. Kaçalino nuk pranoi që të mjekonte Hazizin i cili vdiq atë natë në shtëpinë e tij nga shtatë plagët që kishte në trup, ai shkoi në shtëpinë e Bule Imamit dhe mjekoi shokun tim Jonuz Pejën, kurse unë u mjekova në shtëpinë e një kasapi, po në atë lagje. Atentati ndaj Haziz Sharrës nuk ishte aksioni i parë që kisha marrë pjesë unë, sepse në fundin e qershorit 1943, unë dhe Miço Emini arrestuam Thoma Arapin dhe Marie Qazimin, të cilët më pas u pushkatuan. Më vonë pas kapitullimit të Italisë, unë mora pjesë dhe në aksionin e rrëmbimit të floririt në Bankën e Vlorës, ku na komandonte Nuri Arapi dhe në fundin e shtatorit 1943, njësiti ynë i komanduar nga Burhan Beqari, vrau Qamil Bej Risilinë, i cili ishte një antikomunist i tërbuar”, kujtonte Istref Mustafaraj, lidhur atentatin ndaj Haziz Sharrës dhe aksionet e tjera ku ai ka marrë pjesë gjatë periudhës së Luftës.

Vrasja e Dr. Kaçulinos dhe atentatorëve

Si rrodhën ngjarjet pas vrasjes së Haziz Sharrës dhe si vazhdoi seriali i atentateve që solli viktima të shumta si nga komunistët ashtu dhe nga Balli Kombëtar? Lidhur me këtë Istrefi dëshmonte: “Pasi pjestarët e forcave të Ballit Kombëtar, e morën vesh se Dr. Kaçalino kishte shkuar dhe kishte mjekuar Jonuz Pejën në shtëpinë e Bule Imamit, ata e vranë doktorin në shenjë hakmarrje, pasi ai nuk kishte pranuar që të mjekonte Haziz Sharrën, vrasje e cila në atë kohë u dënua pothuaj nga të gjithë vlonjatët. Më 20 tetor të 1943, së bashku me disa të rinj u mblodhëm mbi Nartë tek “Guri i Çifutit” ku me urdhër të Qarkorit ,na komunikuan se do të pranoheshim në parti. Unë me Elham Doçin dhe Jonuz Pejën, u habitëm pasi e quanim veten komunistë, sepse që nga maji i 1942, unë kisha organizuar dhe drejtuar rininë komuniste të lagjes ku banoja. Kur ne i pyetëm se pse nuk quheshim komunistë, Dhimitër Mandro na tha: ‘Tashti që vratë kuçedrën (e kishte fjalën për Hazizin), ju dhatë prova dhe do të pranoheni komunistë’. Pranimi në parti si komunistë ishte një gëzim i madh për ne, por dy shokët e mi, Jonuzi me Elhamin, nuk e gëzuan, sepse dy ditë më vonë, më 22 tetor 1943, ata u vranë me atentat përpara Bashkisë së Vlorës, aty ku sot është Muzeu Etnografik. Atentati ndaj tyre u krye nga dy të rinjë të Ballit Kombëtar A. S. dhe R. R. në shenjë hakmarrje ndaj atentatit që ata bashkë me mua, i kishim bërë Haziz Sharrës. Pak kohë përpara vrasjes së Jonuzit dhe Elhamit, ballistët kishin vrarë dhe dy partizanë të tjerë quajtur H. B. dhe L. L. Pas kësaj, në shenjë hakmarrje për vrasjen e Jonuz Pejës dhe Elham Doçit, ato ditë partizanët bënë një aksion në Qafë të Bestrovës, ku arrestuan rreth 30 fshatarë të Topalltisë, të cilët i dërguan tek “Guri i Çifutit” mbi Nartë, ku pasi pushkatuan pesë prej tyre, të tjerët i liruan”, përfundonte rrëfimin e tij, koloneli Istref Mustafaraj, i cili gjatë kohës së Luftës, ka qenë një nga atentatorët e njësitit gueril të Vlorës, i cili kreu vrasjen e Haziz Sharrës. Po pas viteve 1990, cili ka qenë qëndrimi i familjes Sharra, ndaj Istref Mustafarajt? Lidhur me këtë, Shpëtimi Sharra, (djali i Muharremit, vëllait të Hazizit) shprehet: “Në vitin 1991, kur Istref Mustafaraj dëshmoi publikisht për vrasjen e xhaxhait tim, Hazizit, u turbullova dhe krijova urrejtje ndaj atij njeriu që na kishte shkaktuar tragjedinë e familjes sonë, të cilin nuk doja ta shihja me sy. Por duke arsyetuar se ai njeri me anë të dëshmisë që dha duke denoncuar vetveten, për një veprim të kryer kur ishte fare i ri dhe i imponuar nga rregullat e Partisë Komuniste, e përshëndeta qëndrimin e tij dhe vrasjen e xhaxhait e konsiderova kapitull të mbyllur”.

Kush ishte Haziz Sharra?

Haziz Sharra u lind në qytetin e Vlorës në vitin 1916, ku të parët e familjes së tij ishin vendosur aty nga viti 1800, pasi ishin shpërngulur nga Kavaja. Babai i Hazizit, Muço Sharra, që në vitin 1908 ka qenë i dënuar me vdekje nga Porta e Lartë e Stambollit, pasi së bashku me Ibrahim Abdullahun, Elmaz Xhaferrin, Ali Beqirin dhe Duro Shaskën, dolën hapur në mbështetje të Ismail Qemalit. Në vitin 1912, Muço Sharra së bashku me disa patriotë të tjerë vlonjatë, e pritën Ismail Qemalin tek Ura e Mifolit dhe në atë kohë e gjithë familja Sharra, me në krye Hasan Sharrën, u vunë mbështetje të Ismail Qemalit që ato ditë para Shpalljes së Pavarsisë, u strehua në shtëpinë e Musa Sharrës. Gjatë Luftës së Vlorës në vitin 1920, Muço Sharra ishte i pari që u internua nga italianët në ishullin e Sazanit, së bashku me Jani Mingën, Dom Mark Vasën dhe shumë patriotë të tjerë. Gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, familja Sharra nuk u përzie në politikë, por qëndrimi i tyre ishte në mbështetje të Mbretit Zog. Duke qenë në një gjendje të mirë ekonomike, Hazizi, pasi ndoqi mësimet në Vlorë, shkoi për të studjuar në “Zosimea” të Janinës në Greqi, ku pasi kreu dy vjet, u kthye në qytetin e Vlorës, ku u lidh me Lëvizjen Antifashiste. Aty nga fundi i vitit 1942, ai u bë një nga drejtuesit kryesorë të Rinisë së Ballit Kombëtar në rrethin e Vlorës dhe e udhëhoqi atë organizatë deri në tetorin e vitit 1943, kur u vra me atentat nga komunistët. Në atë kohë, përveç Hazizit, në organizatën nacionaliste, Balli Kombëtar, aderuan edhe vëllezërit Shyqëri e Lekmi Sharra, të cilët u burgosën dhe u ekzekutuan nga komunistët në vitin 1947, si dhe inxhinieri i famshëm Abdyl Sharra, i cili u pushkatua nga regjimi komunist, i akuzuar si “sabotator në tharjen e kënetës së Maliqit”. Po kështu pas mbarimit të Luftës, nga familja Sharra u burgosën edhe Mendu, Astrit e Muharrem Sharra (vëllai i Hazizit), kurse Ymer Sharra, i cili gjatë Luftës kishte qenë prof. në Shkollën Tregtare të Vlorës, u arratis nga Shqipëria dhe u vendos në SHBA-ës, ku punoi për shumë kohë në disa universitete, duke u marrë me kërkime shkencore. Në vitin 1946, familja Sharra në Vlorë mbeti pa asnjë burrë në shtëpi dhe Muço Sharra (babai i Hazizit) pasi u dënua me 12 vjet burg në një moshë të thyer, kur u lirua nga burgu, duke mos pasur strehë tjetër, përfundoi në Azilin e Pleqve të Fierit ku dhe vdiq në mjerim të plotë./Memorie.al

Historia e panjohur tragjike e Loni Kristos, sekretarit të përgjithshëm të Vatrës, mikut të Nolit

Dashnor Kaloçi

Publikohet historia e panjohur e Loni Kristos nga Hoçishti i Korçës, i cili pasi u shkollua në Selanik, emigroi në SHBA dhe u vendos në një qytet fare pranë Bostonit ku u lidh me Fan Nolin, Faik Konicën, Qerim Panaritin etj., ku Shoqëria “Vatra” e zgjodhi sekretar të përgjithshëm dhe gjatë gjithë periudhës së Luftës së parë Botërore, me shkrimet e tij në gazetën “Dielli” ai u bë një mbrojtës i flaktë i çështjes shqiptare kundra synimeve të qarqeve shoviniste vorioepiriote.

Diplomimi i Lonit në Harvard dhe kthimi në Shqipëri në 1920-ën me bandën muzikore të Shoqërisë “Vatra”, ku ai u angazhua në politikë duke u zgjedhur deputet në parlamentin e parë shqiptarë nga partia që kryesohej prej Fan Nolit, të cilën ai e mbështeti me gazetën “Bota e Re” ku ishte kryeredaktor. Largimi i Lonit nga Shqipëria pas rrëzimit të qeverisë së Fan Nolit dhe rikthimi pas amnistisë së dhënë nga Kryetari i Shtetit, Ahmet Zogu në 1926-ën dhe puna e tij si mësues në Liceun Francez të Korçës deri në 1939-ën kur ai u internua nga italianët në Ventotene pasi kundërshtoi pushtimin fashist të 7 prillit të 39-ës. Kthimi i tij në atdhe pas lirimit nga internimi dhe angazhimi në Lëvizjen Antifashiste, ku si rezultat u arrestua përsëri dhe u mbajt në kampin e internimit në Porto Romano deri në mbarimin e Luftës dhe puna si përkthyes me UNRRA-n, ku për shkak të saj u rrezikua të arrestohej nga komunistët, pasi nuk pranoi edhe ofertën që i bënë komunistët për një post të lartë në qeverinë e Enver Hoxhës. Dëshmia e nipit të tij, Dr. Arben Harito, për korrespodencën që ai kishte me Nolin dhe abandonimi që i bëri atij regjimi në fuqi për shkak të miqësisë që kishte pasur me shumë nga eksponenët e lartë të Ballit Kombëtar.

“Më 15 nëntor të vitit 1945 në një letër të gjatë që Fan Noli ia dërgonte nga SHBA, zonjës Simmons, e cila punonte në Tiranë në misionin e UNRRA-s, i shkruante asaj se ishte shumë i gëzuar që miku i tij i vjetër, Loni Kristo dhe familja e tij dolën gjallë nga lufta e tmerrshme botërore, e gjënden shëndoshë e mirë në Tiranë. Njëkohësisht në atë letër ai i lutej asaj, që t’i përcillte Lonit lajmin, se dhe ai vetë ishte shumë mirë dhe se priste që shoku i tij nga Tirana, t’i kthente sa më shpejt një përgjigje duke e njoftouar edhe për shëndetin e miqve të tjerë. Në mbyllje të asaj letre, Noli i shkruante Lonit se Shqipëria duhej ndihmuar sa më shumë. Pas kësaj, Loni i ktheu përgjigje me anë të një letre, të cilën i‘a dërgoi në datën 7 janar të vitit 1946, ku mes të tjerash me një entuziazëm të madh, i shkruante Nolit për lufën që kishte bërë kundër pushtuesve dhe në ndërtimin e vëndit. Në atë letër ai shkruante shumë gjatë edhe për miqtë e tyre të përbashkët si, At Vasil Marko, Koli Rrodhe, Loni Nini, Kristo Kirka, Koço Tashko, Kol Kuqali, etj. Po kështu e njoftonte për vdekjen e shokëve të tjerë si Vangjel Turtulli, Nasi Aristidhi, dhe Peshkop Çamçen. Pasi Noli, mori letrën e mikut të tij nga Tirana, u gëzua pa masë për shokët e tij dhe dha porosi që ajo të botohej në gazetën “Dielli”. Bashkëngjitur me atë letër, Noli kishte dërguar dhe dizertacionin e tij për Skëndërbeun, ku shkruante se shumë shpejt do të vinte në Shqipëri. Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al, është 70 vjeçari Arben Harito, Doktor i Shkencave, i cili nga Toronto i Kanadasë, ku jeton dhe punon prej vitesh, rrëfen të gjithë historinë e gjyshit të tij, Loni Kristos, njërit prej patriotëve shqiptarë që themeluan shoqërinë “Vatra” së bashku me mikun e tij të ngushtë Fan Nolin.

Po kush ishte Loni Kristo, cila ishte origjina dhe e kaluara e familjes së tij. Përse ai nuk pranoi që të merrte detyra të larta shtetërore që i’u ofruan nga regjimi komunist? Përse pas kësaj Loni u la pa punë dhe u akuzua si simpatizant i Ballit Kombëtar, duke i shpëtuar për pak dhe arrestimit? Të gjitha këto bëhen të ditura jo vetëm prej dëshmive të z. Harito, por edhe nëpërmjet dokumentave, fotove, dhe materialeve të tjera arkivore. Pas vdekjes së Lonit, ato u ruajtën nga e bija, Keti Harito (Kristo), bashkëpuntore e vjetër shkencore dhe një nga themelueset e Institutit të Folklorit në Tiranë. Pas vdekjes së saj në 1969, ato kaluan në dorëzim të djalit të tij, Prof Toni Kristos, dhe më pas të Arben Haritos, i cili na i vuri në dispozicion ekskluzivisht për Memorie.al.

Kush ishte Loni Kristo?

Loni Pandeli Kristo u lind në 21 gusht të vitit 1880, në një nga familjet më të vjetra të fshatit Hoçisht të Devollit që asokohe përfshihej nga Bilishti, prej nga është dhe origjina e tyre. Fëmijërinë e tij ai e kaloi në fshatin e lindjes, ku mbaroi edhe shkollën fillore, duke pasur mësues patriotin e madh Isak Eskin, për të cilin Loni fliste me admirim të madh. Kur Loni ishte ende fëmijë, i jati i tij mori rrugën e emigracionit dhe e la atë vetëm, së bashku me pjesën tjetër të familjes. Pasi mbaroi shkollën fillore, Loni u largua nga Hoçishti dhe shkoi në Greqi, për të vazhduar më tej shkollimin e tij, por atje nuk qëndroi shumë dhe u rikthye në vëndlindjen e tij për të ndjekur mësimet në qytetin e Korçës. Por në vitin 1905, ai shkoi në Selanik dhe u regjistrua në Liceun Tregtar franko-grek, “Nauca”. Atje Loni mësoi rrjedhshëm gjuhën greke dhe u përball me qarqet shoviniste Helene, të cilat për kohën ishin tepër të fuqishme. Kjo i’a shtoi atij edhe më tepër ndjenjat atdhetare dhe patriotike. Pas mbarimit të kësaj shkolle në Selanik, Loni punoi në punë të ndryshme, derisa u largua për në drejtim të SHBA-së.

Me shqiptarët e Amerikës

Lidhur me vendosjen e Loni Kristos në SHBA-ës, nipi i tij, Dr. Arben Harito, dëshmon: “Fillimisht Loni u vendos në qytetin e Lyn, pranë Bostonit, ku u fut në punë në një fabrikë që merrej me prodhimin e syzeve. Krahas punës që bënte aty, Loni shkonte shpesh në bibliotekën e qytetit dhe ndiqte me interes lajmet që vinin nga vëndlindja e tij e largët Shqipëria. Ai indinjohej pa masë kur dëgjonte lajmet e rreme që pëcilleshin nga disa gazeta rreth Shqipërisë. Në atë kohë, Loni filloi të miqësohej me disa nga figurat më të njohura atdhetare dhe patriotike të komunitetit shqipatar të Amerikës, si: Fan Noli, Faik Konica, Qerim Panariti, Loni Katundi, etj. Në vitin 1912, ndërsa dy krerët kryesorë të shqiptarëve të Amerikës, Fan Noli dhe Faik Konica, u nisën në Konferencën e Londrës, ku do të mbronin të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, kuvëndi i Shoqërisë Patriotike Atdhetare “Vatra”, e zgjodhi atë si Sekretar të Përgjithshëm. Gjatë Luftës së Parë Botërore, shoqëria “Vatra” mbajti gjallë dhe zhvilloi ndjenjat patriotike të shqiptarëve të SHBA-së, duke qënë një nga shoqëritë më aktive në sensibilizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo në botë. Ajo organizoi një sërë tubimesh dhe dërgoi me dhjetra letra Konferencës së Ambasadorëve në Londër dhe Presidentit amerikan Ëoodroë Ëilson. Në të gjithë këtë aktivitet intensive, padyshim që një rol të madh luajti edhe Loni Krsito, si Sekretar i Përgjithshëm. Idetë e tij në mbrojtje të çështjes shqiptare, Loni i përcillte edhe nëpërmjet botimeve në gazetën “Dielli” të e Vatrës. Në këto shkrime ai i kundërvihej me të madhe propagandës filo-greke të shoqatave pan-epirote të drejtuara nga Pantazis. Për këto kontribute që Loni po jepte, fitoi të gjthë admirimin e shqiptarëve të Amerikës dhe veçanërisht atë të Imzot Fan Nolit, me të cilin do ta lidhte një miqësi e gjatë. Në këtë kohë, ai udhëtoi nëpër të gjithë Amerikën, duke mbledhur të holla që ishin të domosdoshme për mbajtjen në funksion të kësaj organizate. Asokohe bëri bujë të madhe, qëndrimi që Loni mbajti në një mbledhje të konsullatës italiane në Boston, ku konsulli De La Rosa, i ofroi ndihmë financiare gazetës “Dielli”. Por Loni me shumë kudjes dhe kulturë, e refuzoi atë ndihmë dhe për këtë mori përgëzimet më të mëdha, jo vetëm të drejtuesve të Vatrës, por edhe të Fan Nolit. Dhe kjo sepse nëpërmjet një memorandumi parashtruar qeverisë amerikane, Vatra kishte protestuar fuqishëm kundër protektoratit italian mbi Shqipërinë”, kujton 70 vjeçari Dr. Arben Harito, lidhur me aktivitetin patriotik të Loni Kristos në Shtetet e Bahskuara të Amerikës.

Diplomimi në Harvard

Krahas detyrës si sekretar i përgjithshëm i shoqërisë patriotike atdhetare “Vatra”, të cilën Loni Kristo e kreu me përkushtim të madh, deri në vitin 1920, që ai qëndroi në SHBA, ku u kujdes edhe për arsimimin e tij. Lidhur me këtë, Dr. Arben Harito dëshmon: ”Që me vajtjen e tij në SHBA, Loni filloi studimet e larta, duke u regjistruar në Universitetin e Harvardit, të cilin e përfundoi në vitin 1919, kur ishte në moshën 33-vjeçare. Duke qenë në një moshë të pjekur, Loni vendosi që të kthehej në vendëlindjen e tij, me mendimin se në atdhe do të mund të ndihmonte më shumë çështjen kombëtare. Në atë kohë ai zotëronte shkëlqyeshëm disa gjuhë të huaja, si: anglisht, italisht, greqisht, frengjisht dhe njihte deri diku edhe turqishten. Pas atij vendimi që mori, së bashku me një grup të madh shqiptarësh të bandës muzikore “Vatra”, në mes të cilëve ishte edhe Petro Ilia Tërpini, që Loni e kishte mik të ngushtë, në vitin 1920, ata morën rrugën e gjatë dhe u kthyen në Shqipëri. Loni u kthye në atdheun e tij me shpresa dhe plane të mëdha, por koha dhe jeta do t’i rezervonin supriza të tjera, shpesh herë të pakëndëshme. Pas 17 vitesh, ai u kthye në fshatin e tij të lindjes në Hoçisht, prej nga ishte larguar që në moshë fare të re. Menjëherë ai u angazhua në jetën politike të vendit dhe u zgjodh deputet në Parlamentin shqiptar të asaj kohe, duke përfaqësuar Prefekturën e Korçës, në Partinë Liberale që kryesohej nga miku i tij i ngushtë, Fan Stiljan Noli. Ndërkohë ai filloi botimin e gazetës “Bota e Re”, të cilën e drejtonte vetë si kryeredaktor dhe me shkrimet e tij të botuara në atë gazetë, si dhe me fjalimet e mbajtura në Parlament, Loni Kristo dha një kontribut në konsolidimin e ardhjes në pushtet të partisë së tij, që drejtohej prej Fan Nolit. Në atë kohë Loni pati një ndikim dhe popullaritet të madh në Qarkun e Korçës dhe veçanërisht në zonën e Bilishtit, ku shkonte shpesh për t’u takuar me zgjedhësit e tij. Ai qëndroi për katër vite si deputet i asaj prefekture, ndërsa në vitin 1922, Loni u martua me zonjushën Eftimia Sina (Kristo), një vajzë intelektuale, nga familja e njohur e Sinallarëve të Leskovikut, e cila jo vetëm që ishte një bashkëshorte e përkushtuar, por i’u bë edhe një mbështetëse e sigurtë gjatë jetës së tij. Në dasmën e tyre që u bë në fshatin e lindjes, në Hoçishtë, mori pjesë edhe Fan Noli, gjë e cila i gëzoi pa masë jo vetëm familjen Kristo, por edhe fshatarët e asaj zone, të cilët patën mundësinë që të takoheshin me një nga burrat më të njohur të shtetit shqiptar”.

Largimi nga Shqipëria në 1924

Në dhjetorin e vitit 1924, me rrëzimin e qeverisë së Fan S. Nolit dhe me riardhjen në pushtet të Ahmet Zogut, Loni u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Greqi si refugjat politik. Por ai nuk qëndroi shumë në shtetin fqinjë dhe në atë kohë mori ndoshta vendimin më të rëndësishëm të jetës së tij, duke vendosur që të kthehej përsëri në Shqipëri. Kështu në vitin 1926, ai u kthye në atdhe dhe duke përfituar nga amnistia që kishte dhënë në atë kohë qeveria e Zogut, ku me ndihmën e disa miqëve të tij, Loni u emërua si mësues i gjuhës angleze, në Liceun frëng të Korçës. Në atë shkollë ai shërbeu pa ndërprerje nga viti 1925 deri në vitin 1939, kur Italia kreu agresionin fashist ndaj Shqipërisë. Në kujtimet e veta lidhur me atë periudhë kohe, në mes të tjerash Loni ka shkruar:”Gjatë viteve 1925-1939, unë isha në listën me ngjyrë të kuqe dhe nën vërejtj të vazhdueshme nga organet e qeverisë së Zogut. Vazhdimisht vinin raporte kundër meje”. Një vit pas kthimit të Lonit nga Greqia në Shqipëri, atë e thirri komandanti i Xhandarmërisë së Bilishtit, Qemal Bokshi, i cili e paralajmëroi duke i thënë se: në adresë të tij po vinin vazhdimisht raporte, që e cilësonin atë si fanolist dhe kundërshtar të qeverisë. Komandanti i Xhandarmërisë, Bokshi, e këshilloi Lonin që të mos dilte shumë në publik dhe nisur nga ky paralajmërim, ai filloi që t’i kushtonte më shumë kohë përkthimeve dhe sportit të gjuetisë, të cilin ai e ushtroi deri në fund të jetës së tij”, dëshmon Dr. Arben Harito, lidhur me kthimin e Loni Kristos në Shqipëri në vitin 1926. Po kështu në prag të arrestimit, Loni Kristo ishte dhe në periudhën e Lëvizjes së Vlorës dhe Kryengritjes së Fierit në vitet 1930 dhe 1935, ku Xhandarmëria e Bilishtit kishte marrë urdhër që të mbikqyrte të gjitha lëvizjet e tij. Por në atë kohë e shpëtoi nga arrestimi, zëvëndësprefekti i Vlorës, Kosta Marko, të cilin në kujtimet e tij, Loni e përshkruan si një njeri shumë të ndershëm. Duke parë se asokohe qëndrimi Lonit në Hoçisht po paraqiste problem dhe po bëhej i padrueshëm, ai u largua që andej dhe u vendos në qyetin e Korçës. Edhe pse Loni nuk u kthye më kurrë më në vëndlindjen e tij, ai vazhdonte ta kujtonte me respekt e përmallim atë vend të bukur dhe shtëpinë e prindërve, e cila ishte një nga më të bukurat dhe që ndodhet edhe sot atje në hyrje të fshatit”, tregon Dr. Arben Harito lidhur me peripecitë e gjyshit të tij, Lonit, gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, pasi ai ishte një fanolist me bindje republikane.

Internimi në Ventotene të Italisë

Pas 7 prillit të vitit 1939, kur Italia fashiste kreu agresionin ushtarak ndaj Shqipërisë, Loni Kristo u angazhua tërësisht me veprimtarinë antifashiste duke bërë propagandë të hapur ndaj sulmit që i’u bë vëndit tonë nga fqinjët përtej detit. Nisur nga këto veprimtari, ai ra në sy të autoriteteve fashiste italiane të cilët e arrestuan dhe së bashku me disa komunistë, anti-fashistë, dhe nacionalistë të tjerë të asaj kohe si, Izet Bebeziqi, Zef Mala, Masar Shehu, Shefqet Musli, Selman Riza, Abaz Ermenji, etj., u internuan në ishujt e Ventotenes në Italinë e Jugut. Në letrën që Kuestura Mbretërore i’a dërgonte Drejtorisë së Kolonisë së të Internuarve Politikë në atë ishull, me datë 29 mars të vitit 1940, Loni Kristo së bashku me 19 perosna të tjerë, cilësoheshin si “të rrezikshëm”. Në kampin e të internuarve politikë në Ventotene, Loni qëndroi një vit dhe pas lirimit erdhi në Shqipëri. Lidhur me kthimin e tij në atdhe, Dr. Arben Harito dëshmon: “Pas lirimit nga internimi dhe kthimit në atdhe, Loni Kristo qëndroi dy vjet pa punë dhe nuk pranoi ofertën që i’u bë në vitin 1942, për të marrë një funksion të lartë në qeverinë e asaj kohe. Pas kësaj, familja u shpërngul nga Korça dhe erdhi në Tiranë. Pas vendosjes në kryeqytet, Loni ra në kontakt me shokët e tij të Lëvizjes Antifashiste me të cilët kishte qënë i internuar në Ventotene. Duke qënë me bindje nacionaliste, Loni propagandonte Shqipërinë Etnike dhe bashkimin e të gjitha forave politike në një front të vetëm. Por aktiviteti i tij antifashist ra në sy përsëri tek autoritetet italiane, të cilat e arretsuan për së dyti dhe e internuan në kampin e Porto Romanos në Durrës. Ndonëse ishte në këtë kamp, ai kurrë nuk e ndërpreu korespondencën me miqtë e tij antifashistë dhe u lirua prej andej në nëntorin e vitit 1944, kur forcat pushtuese gjermane po tërhiqeshin nga Shqipëria”, dëshmon Dr. Harito.

Në 1945 përkthyes i UNRRA-s

Pas mbarimit të Luftës Loni Kristo nuk pati problem me qeverinë komuniste të Enver Hoxhës të sapoardhur në pushtet, pasi e kaluara e tij si i internuar në dy kampe të italianëve, fliste në favor të tij, dhe se ai nuk mund të trazohej lehtë prej tyre. Por edhe pse nuk e trazuan, ata nuk e kishin me sy të mirë Lonin dhe nuk i ofruan asnjë post në qeverinë e re të sapo krijuar, ndonëse asokohe kishte shumë nevojë për kuadro të tillë të diplomuar jashtë vëndit. Kjo gjë lidhej me faktin se Loni Kristo, kishte pasur miqësi me shumë nga eksponentët e Ballit Kombëtar, ku një pjesë e të cilëve ishin arratisur jashtë vëndit dhe qëndronin në kampet e Italisë, ndërsa pjesa tjetër kishte përfunduar me dënime të rënda, gjyqeve politike. Por nisur nga nevoja ekonomike që kishte familja e tij, Loni u detyrua që të fillonte punë privatisht, si përkthyes i anglishtes në misionin e UNRRA, ku anglo-amerikanët mbikqyrnin ndarjen e ndihmave për Shqipërinë e pasluftës. Në këtë periudhë ai u mor dhe me përkthimin e disa autorëve të mëdhenj si: Ëild, Longfellou, Omar Khajam, Hemingëay, Defoe, etj duke përgatitur për botim një pjesë të mirë të tyre.

Letërkëmbimi me Nolin në 1946-ën

Në vitin 1946, pas një ndërprerjeje të gjatë, Loni Kristo rifilloi korespondencën e letrave me mikun e tij të vjetër, Fan Noli, i cili jetonte prej vitesh në SHBA-ës. Në njërën prej këtyre letrave që imzot Noli i dërgon Kristos në datë 2 prill të vitit 1946, midis të tjerash ai i shkruan: “I dashur Loni, letra e juaj e 17 janarit më ra në dorë pothuajse dy muaj e gjysëm pasi e vutë në postë. Është e para që marr me stampën e Shqipërisë së pasluftës. I’a dhashë “Diellit” që ta botojë. Vdekjen e Agathangjelit e mësova nga “Bashkimi” i Tiranës dhe të dielën e shkuar në 31 mars, i bëmë një meshë të madhe memoriale dhe një aplladhë të përgatitur nga zonjat e Shoqërisë Korçare “Arsimi”. Me këtë rast kujtuam edhe Nasin e Aristidhit dhe Vangjel Turtullin. U gëzova që disa nga shokët dolën të gjallë nga rrëmuja mondiale. Unë këtej e kam shkuar kohën me studime, si djalë i ri që jam dhe fitova titullin e doktoratës. Abstraktin e dizertacionit ta dërgova. Librat do të botohen këtu mot. Me bekime për ju dhe familjen tuaj, mbetem. Të fala F. S. Noli. U mejtova që këtë letër ta sillja vetë kur të vinj andej nga vera, por ai me Bisht e me Brirë, më këshillon t’ua dërgoj me postë kështu që të mos e merrni kurrë”. Siç shihet dhe nga letra që Noli ia dërgon mikut të tij Loni Kristos, ai shfaq dëshirën për të ardhur në Shqipëri, gjë të cilën nuk e realizoi kurrë, për arsye që kanë mbetur ende të paqarta. Para kësaj letre, në 15 nëntor të vitit 1945, imzot Noli, kishte dërguar një letër të gjatë një zonje me shtetësi amerikane, të quajtur Simmons, e cila punonte pranë UNRRA-s. Në mes të tjerash në atë letër, Noli i lutej zonjës Simmons që t’i përcjellë Lonit, lajmin se ai vetë është shumë mirë dhe pret që edhe ai (Loni) t’i shkruajë sa më shpejt dhe ta njoftojë edhe për miqtë e tjerë. Në fund të asaj letre, Noli i shkruan Lonit se Shqipëria duhet ndihmuar sa më shumë. Pas kësaj, Loni i ktheu përgjigje me anë të një letre, të cilën i’a dërgoi më datën 7 janar të vitit 1946, ku në mes të tjerash me një entuziazëm të madh, i shkruante Nolit për luftën që kishte bërë populli shqiptar kundër pushtuesëve të huaj dhe për ndërtimin e vëndit. Në atë letër, ai i shkruante shumë gjatë edhe për miqtë e tyre të përbashkët, si: At Vasil Marko, Koli Rrodhe, Loni Nini, Kristo Qirka, Goni Katundi, Koço Tashko, Andon Frashëri, Kol Kuqali, Sadik Duro etj. Po kështu ai e njoftonte edhe për vdekjen e shokëve të tjerë, si: Vangjel Turtulli, Nasi Aristidhi e Peshkop Çamçen”.

Akuzohet si simpatizant i Ballit

Pasi punoi për disa kohë si përkthyes pranë UNRRA-s, me largimin e saj nga Shqipëria, Loni Kristo mbeti përsëri pa punë. Lidhur me këtë, nipi i tij, Dr. Arben Harito dëshmon: “Në atë kohë disa nga miqtë e Lonit që kishin funksione të rëndësishme shtetërore dhe partiake, i propozuan atij që të merrte një post në qeverinë shqiptare të asaj kohe, por ai e refuzoi atë ofertë në mënyrë kategorike. Por kjo nuk do të përtypej kollaj nga komunistët, të cilët si duket i’a mbajtën “vath në vesh”, dhe pas disa vitesh, e akuzuan si simpatizant të organizatës së Ballit Kombëtar. Pas këtyre akuzave që e rrezikonin për t’u arrestuar, atij i’a ndërprenë dhe pensionin, duke e lënë në një gjëndje të vështirë ekonomike. Ndonëse ai kaloi një situatë tepër të vështirë duke pritur nga minuti në minut arrestimin e tij, mundi që të shpëtonte pa përfunduar në qelitë e Sigurimit, ashtu si shumë nga miqtë e tij të ngushtë. Por pas disa vitesh, kur ai ishte në moshën 65-vjeçare, pensioni i ndërprerë, i rifilloi përsëri. Ndonëse në atë kohë ai u shkëput nga jeta aktive dhe u mbyll brenda në shtëpinë e tij, duke u marrë me përkthime, nuk e ndërpreu sportin e tij të preferuar, gjuetinë, ku dilte së bashku me shokun e tij të vjetër, Koço Tashkon. Po kështu krahas kësaj, ai filloi që të ndihmonte vajzën e tij, Ketin, në përzgjedhjen e folklorit shqiptar, pasi ajo punonte në Institutin e Folklorit. Në vitin 1960, Loni Kristo pësoi një goditje të rëndë, të cilën nuk mundi ta përballonte dot për një kohë të gjatë. Kjo gjë kishte të bënte me vdekjen e bashkëshortes së tij, Eftimia Sina, e cila u nda nga jeta në moshën 60-vjeçare. Në të njëjtën kohë, atij i internuan edhe një nga miqtë e pakët që i kishin mbetur, Koço Tashkon, i cili u përjashtua nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore që mbante në atë kohë dhe u dërgua familjarisht në internim në një fshat të Fierit. Në ditët e fundit të jetës së tij, në një letër që ai i dërgon mikut të vjetër, Imzot Fan Nolit, e cila mban datën 3 nëntor 1960, midis të tjerash i shkruan edhe për humbjen e gruas dhe sëmundjen e tij. Pothuaj e gjithë letra e Lonit është e shkruar me nota të zymta dhe pesimiste, duke mos shprehur asnjë keqardhje që nëse së shpejti do të bashkohet në botën tjetër me bashkëshorten e tij. Por gjithashtu atij nuk i mungon krenaria që ai ndien për atë që ka bërë për Shqipërinë dhe kontributin që ka dhënë gjatë gjithë jetës së tij në shërbim të atdheut. Ajo letër dërguar Imzot Fan Nolit, ishte dhe e fundit për Loni Kriston, pasi në janarin e vitit 1961, ai ndërroi jetë, nga një sëmundje e rëndë dhe u dërgua të prehet në varrezat e Tiranës” e mbyll rrëfimin e tij Dr. Arben Harito, për gjyshin e tij, Loni Kriston, një nga patriotët shqiptar që ia kushtoi të gjithë jetën e tij çështjes së atdheut dhe që u la në harresë nga rregjimi komunist i Enver Hoxhës.

/Memorie.al

VIRUSI PYET: PO KET A E DINI: SA PRESIDENTA QET VILJA E RRUSHIT?! – Nga Fritz RADOVANI

NDOSHTA… NUK ASHT E KJARTË PYETJA…

SA PRESIDENTA KANË NXJERRË VNESHTAT TONA..?! OSE MA SAKTË:

NJË VILE RRUSH A THUE I QET DY PRESIDENTA ? PRAP… JO,

HAXHI LLESHI  E  RAMIZ ALIA PREJ NJË VILES KANË DALË !? NUK BESOJ !!

JO, NDRYSHON SHIJA… RRUSHI I BOSNJES NDRYSHON NGA AI I DIBRES…

ASHTU SI NDRYSHON AI TJETRI… ANDEJ, NGA KY KËNDEJ…

VNESHTA E MOJSIUT KU KRAHASOHET ME T’ HASHIM THAÇIT !?

PER ME BA ENVER HOXHEN KANË PRUE HARDHINË PREJ TURKIJET…

EDHE EDI RAMËS I PELQEN SHIJA E RRUSHIT TURK… NUK KA KUFINJË

E SILLNIN TOPTANËT DIKUR… PER SHIJE T’ MATJANVE…

BESOJ JU KUJTOHET NIPAVE T’ ZOGOLLIT RRUSHI N’ SOFRAT E EGJIPTIT ?

EDHE GJERALDINA KUR TAKOI NEXHMIJEN: RRUSHIN TURK KUJTUENE…

“NUK KA T’ PAGUEM !” THONIN… NJË LINGOTË ARI NJË KOKERR…

“ME DY A TRI KOKRRA”, DREJTOHEN SHQIPTARET EDHE 50 VJET…

ZGERDHIHEN SLLAVËT, GREKËT, RUSËT… FIKET GAZIT ERDOGANI…

KA SHEH VILEN PLOT ME PRESIDENTA ANADOLLAKË ANTISHQIPTARË…

E… KAH QELBËT JONI EDHE ADRIATIKU.., E MBARË EUROPA…

SHETITNI, SHETITNI ME TE NË DORË… JU KA ARDHË DITA !..

            Melbourne, Qershor 2020.

Vlora më 1912 dhe 1920 – Nga Mid’hat Frashëri

( Me rastin e 100 vjetorit te Luftës së Vlorës, maj 1920-maj 2020)

 

Vlorë, një emër paskëtaj i lidhur me historinë e Shqipërisë; me lidhje të zgjidhshme.

Dy data 1912 dhe 1920, dy ngjarje, dy flakë. E dyta plotësoi të parën, e mbaroi, e forcoi, i dha shkëlqim, e bëri të vërtetë, reale, e shpëtoi prej mjegullës dhe dyshimit. E para i hapi udhë të dytës, po e dyta i dha trup së parës, e bëri të pashme, të gjallë, me shpirt, me frymë, ose më mirë akoma, mblodhi në këtë pjellë shpirtin dhe frymën e përhapur, që fluturonte në erë dhe s’kishte zënë vend përdhe, e forcoi në këtë zall me rërë pastaj e hodhi mbi gjithë Shqipërinë, si një vesë që bie dhe ngjall bimët e vyshkura prej të thatit.

Shumë herë fati i një njeriu, i një kombi, varet prej një të papandehur dhe më kot kërkojmë shkaqet e ngjarjes, pyesim si dhe pse u bë kështu. Ato janë ngjarjet, që rrjedhin befas, papritur, që i kanë rrënjët në faktorë të padukur. Po edhe disa ngjarje të tjera janë drejtësisht fryti i një dëshire dhe i një vullneti, që i bën, që i mejton dhe që i do. Thamë se fati është i verbër. Në kushtet e dyta fati e ka hequr shaminë, që i mbyll sytë dhe sheh, shikon, kupton.

Një mijë e nëntëqind e dymbëdhjeta mund të bëhej edhe gjetkë, në vend që të bëhej në Vlorë, në çdo qytet tjetër, në të parin fshat, edhe në të fundit.

Po një mijë e nëntëqind e njëzeta nuk mund të bëhesh veçse në Vlorë, në këtë baltë, prej këtyre njerëzve.

Dymbëdhjeta hodhi një flakë, se materializoi dëshirën dhe idealin e një kombi, mbaroi një ide, i dha formë mendjes.

Njëzeta i dha gjallim lëndës, e bëri me shpirt formën, e mbërtheu në zemra dhe në mendje.

Mbarimi i Dymbëdhjetës qe pak befas, e papritur, mbase dhe një grimë para kohe. Dhe në gaz e në turbullim të një ngjarjeje të lumtur, që nuk pritet, ndërgjegjja kombiare nuk gjeti kohë të kristalizonte aspiratat e saj, të merrte gjerësinë e fatit, të ndjente dhe të shijonte lumturinë e re. Ishte një ide, një ideal, një dëshirë e qëndruar pak në erë, e pazbritur fare në dhê.

Intervali dymbëdhjetë-njëzet është mbushur me të bëra të këqija dhe të zeza, po mbase jo të palogjikshme. Logjika është e pamëshirë dhe më tepër akoma kur komenton punën që ka rrjedhur, ngjarje të cilave u njohim shtytkat. Kështu që në tetë vjet mjerime, në qoftë se kjo jetë nga nisja dhe  në fund njeh “mjerime”, gjemë një shpjegim. Po të shpjeguarit, edhe me logjikë qoftë, s’e ndalon njeriun nga fatkeqësia dhe nuk ia praps dot as keqardhjen e turpin. Çdo të shpjeguar nuk fal, nuk e lan fajin. Komentimi nuk ecën bashkë me harrimin, mbase bën zgjimin, se në i gjettë shkaqet e një ngjarjeje (dhe ngjarjen fatkeqe njerëzit e quajnë faj dhe turp), sheh dhe mënyrat, mjetet e të prapsurit të së keqes, e të pjellit të ngjarjeve fatbardha.

Të parët dhe të gjykuarit me gjak të ftohtë është një lumturi, por bashkë me të edhe një pafatësi. Është një gëzim shpirti, si edhe një pikëllim zemre. Sido që të jetë, është një qetësi fryme dhe kush ka qetësinë, di të presë, të durojë, të ushqejë shpresën, se fundi i gjykimit është puna. Në debat të ndalimeve, të vështirësive, të veprimeve të zeza, e sheh njeriu se një punë dhe një veprim i lumtur mund dhe prish të palumturin. Puna, aktiviteti, të ushqen shpresën. Si mekaniku që njeh makinën dhe e ndreq, sado e prishur që të duket, ashtu edhe ai që analizon, ai që sheh dhe përkëdhel çarqet e panumërta të kësaj makine, që i themi jetë, e di se me punë, me durim, me palodhje e me papikëllim, sistemi i makinës mund të vihet në lëvizje në drejtimin, që duam.

Duhet një shkaktar, një që të dojë ta ndreqë makinën.

Ky shkaktar u bë Vlora. Shkaktar jo i fatit, befas, pa ditur, pa pandehur, pa dëshirë, po shkaktar i mençur, i ndërgjegjshëm për atë që duan, që dinë ç’bëjnë, që ka përgatitur kushtet, që ka mprehur vullnetin, në durim e në heshtje, të vendosur për fitim a për vdekje, që ka parë çdo rrezik, ka peshuar pse-në dhe si-në e shortet, duke mos kapsitur syrin, me gjak të ftohtë ka hyrë në zjarr dhe ka dalë me fitim në dorë.

Shpesh një punë e vogël, një shkak i vogël pjell një fryt të madh. Këtu kemi një punë të madhe, një shkak të madh, që i jep lindje një pune të madhe.

Edhe kështu njëzeta kurorëzon dymbëdhjetën. Njëzeta e fortë, më trime se e pushtetshme, e merr dymbëdhjetën, e nxjerr nga gjembat dhe greminat, e ngre në këmbë dhe i thotë: EC.

Dymbëdhjeta solli famë në këtë Vlorë. Njëzeta nderoi Vlorën. Vlora nderoi njëzetën.

Njëzeta i tha Shqipërisë: je e lirë, dhe këtë liri ja ke hua vetvetes. Nuk ke miq dhe dashamirë, po ke veten tënde. Dhe kur ke veten tënde, mos ki më frikë. Këtij urdhri, qe e pamundur mos t’i bindet njeriu; Shqipëria u mëkëmb, u forcua, u mbajt dhe eci. Fuqinë, shëndetin, shpirtin dhe gjëllimin e mori nga vullneti i saj.

Nderim, respekt dhe venerim për këtë vend!

Një dëshirë e kaq dhjetë vitesh po shtynte kombin drejt një të ardhmeje të re, drejt një jete të bërë dhe të shpënë për të mbarën, për dobinë, për interesin dhe për shkëlqimin e vendit. Një dritë ishte hedhur mbi udhën që po ecnim dhe ajo dritë rrëfente një udhë të re. Kandili qe ndezur dhe busulla e dëshirës kishte gjetur një pol, herë e ndritur, herë e zbehtë, shpesh herë në rrezik që të shuhej. Busulla e humbiste polin dhe udhëtari e lidhte udhën si anija pa timon, si barka pa vela. Yllit, që rrëfente qëllimin, re të zeza  e mbulonin shkëndijën dhe tallazet e valës bëheshin kanosëse.

Atij kandili i desh hedhur vaj, që të dilte flaka përmbi tymin dhe të ndriste rrugën. Edhe në qoftë se djersa bën pjellor çdo send, këtu djersa u mbyt me gjak dhe u ngjall me vullnet.

Venerim, respekt dhe nderim për ata njerëz!

 

***

Në këtë qytet të bërë vërtet “shqiptar”, çdo shqiptar ndjen një kryelartësi dhe një mburrje, kërkon të zbulojë shkaqe të reja për lëvdatë, burime për mburrje dhe në çdo çap, që bën zemra, bën një lutje, që ta gjejë këtë qytet më të lavdërueshëm dhe më të lulëzuar se nga çdo tjetër. Në ç’punë hyn ajo therori, ajo burrëri, po qe që një punë e palodhshme s’erdhi t’i jepte çdo ditë një shkëlqim të ri.

Edhe me këtë dëshirë në zemër nxitoj të bëj një vizitë të shpejtë. Tetë vjet jete turbullimi i kanë sjellë pak nderim fizionomisë së qytetit: këtu atje sheh ca shtëpi të reja, disa dyqane të modernizuara, një shesh tregu të rregulluar, një ndërtesë qeverie të mbajtur mirë, një kujdes prej bashkisë në pastrim të rrugëve dhe në ngritje të godinave të rrëzuara.

Mësoj se një kopsht qyteti, një park i vogël po përgatitet në këtë klimë të butë, këtu që rron ulliri, lulëzon limoni dhe portokalli, këtu që eukaliptusi, kaktusi dhe palmat me gjithë shoqet e tyre të vendeve të nxehta, gjejnë një diell mbrojtës dhe gjelbërim prurës, padyshim një park i kujdesur mund të bëhet një model bimësh dhe një kënaqësi për syrin e për shpirtin. Po pse të paralajmërojmë, le të presim mbarimin. S’është me të thënë, është me të bërë.

Ja spitali: mjeku më rrëfen udhën, më bën nderimet si një zot shtëpie, më rrëfen të sëmurët, sallat e operacioneve, depozitat, farmacinë … dhe tekdo një pastërti e kujdes mbretëron, tekdo sheh njeriu shenjën e një dashurie për mjeshtërinë, një dëshirë për shërbim.

Mësoj se flitet për formimin e një muzeu dhe mbrëmë që luajtur një pjesë teatri prej një trupe amatorësh.

Një muze! Të donin, sa lëndë të begatshme mund të mblidhnim! Të kishim dashurinë e së shkuarës dhe të na dhembte pak më tepër për të lënat e stërgjyshërve! Por pa u ngjitur në paranikët tanë të vjetër, pa vajtur në “antikat” e Pojanit dhe të kaq viseve të tjera, balta e të cilave mbulon qytete të moçëm, vetëm plaçkat, kujtimet dhe mbeturinat e këtyre dhjetë viteve të fundit sikur të mbledhim, vetëm për të mos harruarit e viteve 1912 dhe 1920 sikur të kujdesej muzeu i Vlorës, do të bëhej një koleksion prej më të vlefshmëve për ne.

Duke shëtitur mejtohem. Dhjetë vjet. Kujtimi është akoma tepër i ri për t’u harruar. Sa ndryshim, që atëherë e tëhu: n’atë kohë gjindja kishte një ç’interesim për çdo send që prekte punët e shoqërisë. Tani çdo gjë e Shqipërisë e intereson dhe e zgjon. Zgjedhjet e deputetëve, zgjedhjet e bashkisë janë bërë me një zell, që dëften se detyrat qytetare janë kuptuar mirë.

Ndërgjegjja kombëtare kur zgjohet, i jep një fisnikëri njeriut, si çdo dashuri dhe çdo frymë, që fisnikëron punët e të mortmit.

Por fisnikëria ka dhe detyra të rënda. Është gjë e rrallë dhe fort e madhe që të jesh fisnik, por dhe sa gjë e rëndë që të dish të mbash shkallën e asaj fisnikërie.

Sa barrë e rëndë bie tani mbi supet e kësaj Vlore, nga e cila të gjithë presin mbarimin e punëve të mëdha, zbukurim dhe lulëzim! Zgjimi i ndjenjës kombiare sjell entuziazëm dhe ky hov i zemrës e bën njeriun të përparojë, të naltësohet, të mos qëndrojë pa arritur kulmin e udhës, që ka zënë.

Dymbëdhjeta nuk zgjoi entuziazëm, nuk tronditi dejet, nuk flaku poshtë këtë atmosferë vdekjeje, që mbështillte çdo njeri të dënuar për prishje. Edhe mbeti në shpirtra e në zemra si gjumë i somnambulit.

Njëzeta nuk mund që të mos zgjonte entuziazëm. Jo, një punë e tillë nuk mund që të mos njihte detyrat që i ngarkoheshin. Do të qe më i madhi mëkat në botë përgënjeshtrimi i atyre shpresave të mëdha, që zgjoi Dymbëdhjeta. Vlora që bëri një hap kaq të madh dhe të shkëlqyer, nuk mund më të kridhet n’ errësirë.

Edhe sa punë akoma për të mbaruar! Sa çape të tjerë për të hedhur!

 

 

*

Ky fragment është nxjerrë nga “Një udhëtim nga Trieste ne Vlorë” 12 tetor 1922, një udhëpërshkrim i Mid’hat Frasherit (Lumo Skendo), njëherësh edhe një meditim historik, filozofik dhe artistikpër dy ngjarje madhore te  historisë së Shqipërisë, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ( 28 Nëntor 1912) dhe Luftën e Vlorës ( 21 maj 1920), që solli çlirimin dhe pavarësinë e vërtetë e Shqipërisë nga pushtuesit e huaj.

Uran Butka

Varreza princore e Banjës së Pejës – Nga Haxhi MEHMETAJ

Gjetje të varrezës princore të Banjës së Pejës (dizajni: Dukagjin Mehmetaj)

Me 1974, kur po ngrihej hoteli Onix në Banjë të Pejës, pranë burimeve të ujit termal në shpatin mbizotërues të një kodre u zbulua një kodërvarr princor, çiftit bashkëshortor dardan, princit në moshën e pjekurisë dhe princeshës më të re. Çifti princor u gjet i varrosur mbi një konstruksion drejtkëndor të shtruar nga gurët e shtufit, të venë shtrëngueshëm në formë kalldrëmi, tipike për varrime në  tuma. Kjo mënyrë varrimi njihet edhe nga shumë kodërvarre të Kosovës, të Shqipërisë dhe trojeve të tjera ilire.

Mbi shtrojën e varrit u gjeten një thesar i pasur arkeologjik i përberë nga armët, stolitë dhe enëve luksoze të pikturuara  – takëmit për pirje të verës. Sipas natyrës së gjetjeve sikurse edhe pozicionit të tyre në varr mund të ndahen në inventar të princit dhe inventar të princeshës. Nga inventari i princit veçohen armët e hekurit, tashti të ndryshkura , tri përkrenare të tipit ilir, tri fibula argjendi, një unazë argjendi, një salteleon argjendi, një qaforeje të thurur nga perla qelibari, perla qelqi dhe guaska kërmilli dhe një mbajtës bronzi i grihës në formë trekëndëshi.

Inventari i princeshës përbehet nga një parë byzylykë argjendi më mbaresa të kokave të gjarpërinjve, një parë byzylykët argjendi të tipit Mramorc, një parë gjilpëra argjendi të tipit omega, një unazë argjendi, dhe një qafore e përberë nga 100 perla qelibari.

Varrit të princeshës, të sjellë si pajë nusërie i kanë takuar edhe gjetjet e pazakonshme për varre të femrave, tetë maje shigjetash bronzi, trefletëshe, çfarë  janë gjetur në Atenicë të Pazarit të Ri dhe konsiderohen importe nga skitët.  Andaj më gjasë princesha do të ketë qenë nga Novi Pazari, ndërsa princi vendas nga Banja e Pejës.

Thesari arkeologjik i kodërvarrit të Banjës së Pejës i përberë kryesisht nga armët, stolitë dhe enët e poçarisë, dëshmon për formimin e  një shtrese të aristokracisë princore ushtarake, në shek. VI – V para Krishtit,  e cila kishte shije të hollë për vepra të artit aplikativ, po edhe për zbrazje të kupave të verës. Kjo aristokraci ilire, e quajtur në literaturën arkeologjike Princat e Argjendtë i ka parapri formimit të  Mbretërisë Dardane në shek. IV para Krishtit.

 

 

Kina dhe Shqipëria, Mao me Enverin, dritëhijet dhe enigmat e një miqësie – Nga Spartak Topollaj, historian

Me gati 1.5 miliardë banorë, Kina vazhdon të jetë shteti më i populluar i botës, ashtu si me rreth 10 milionë km2 sipërfaqe, ajo hyn te katër vendet më të mëdha të planetit tonë. Me histori mijëravjeçare, ajo ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për qytetërimin botëror. Janë kinezët, ata të cilëve bota duhet t’u jetë mirënjohëse për shumë nga ato, që prej shekujsh i përdorim apo edhe i shijojmë, si letra, baruti, busulla, shtypshkrimi, porcelani, makaronat etj.. Kina gjatë shekujsh është qeverisur nga dinastitë filluar gati katër mijë vjet më parë nga Dinastia XIA e më pas nga ato SHANG, ZHOU, CIN (me më të shquarin Perandor, Cin Shi Huang që realizoi mijëra kilometrat e para të Murit të Madh), HAN- me Rrugën e famshme të Mëndafshit, përshkruar mrekullisht nga eksploratori, ambasadori, shkrimtari, e tregtari venedikas, Marko Polo (1254-1324) në librin enciklopedi “Milioni”. Pas restaurimit të hanëve në pushtet, ata ndërtuan edhe Kanalin e Madh që lidhte Tianjinin, Pekinin, e Hanxhoun dhe Lumin e Verdhë me atë të Kaltër. Ai është kanali më i madh i ndërtuar në disa kohë nga njeriu, i gjatë 1794 km, që përfundon pas liqenit Tai në kryqëzime me pesë ura të gurta e pagoda deri në Suzhou e Jingjiang. Sipas Konfuc-it (551-479 p.e.s.) ndërtimi i tij përfundoi më 486 para Krishtit, Muri i Madh, gjurmë të të cilit sot duken në 6350 km nisi të ndërtohej në disa faza filluar nga viti 215 p.e.s. Më 1987, ashtu si Kanali i Madh, edhe ai u vu nën mbrojtjen e UNESCO-s. Më 2012-ën me sistemin GPS me rreze infra të kuqe është vërtetuar e pabesueshmja, ai rezulton të ketë pasur një gjatësi prej 21.196 km!

Dinasti dhe mbretëri të shumta e sunduan Kinën në shekujt e mëvonshëm. Ato luftuan me mongolët e Kublai Khan, mançurët, japonezët, britanikët etj.. Dinastitë e fundit ishin JIN, TANG, SONG, JUAN, MING dhe QING. Pas Revolucionit Xinhai të 1911-ës, që përmbysi Qing-ët mançurë, u formua Partia Nacionaliste Kuomintang-ut nga Song Jiaoren dhe Sun yat-sen, që edhe u zgjodh President i Përkohshëm i Kinës dhe shpalli tri Principet e Popullit: Pavarësia Kombëtare pas përzënies së agresorëve të huaj, fuqinë popullit, pra demokraci dhe mirëqenie popullore, kryesisht prej reformës agrare. Sun Yat-seni fitoi zgjedhjet, por një “grusht shteti” i gjeneralit, Yuan Shikai, e detyroi të ikë në ekzil prej nga ku u kthye më 1917-ën pas vdekjes nga uremia të Shikait më 1916, duke e rithemeluar Kuomintang-un. Shikai edhe pse zyrtarisht u martua vetëm një herë, mbante edhe 9 konkubina me të cilat pati 32 pasardhës. Sun Yat-sen u afrua dhe bashkëpunoi me komunistët, madje ai pranoi më 1924 edhe të dërguarin e sovjetikëve në Kinë, ambasadorin e shquar, Adolf Abramoviç Ioffe, i cili pasi i shkroi një letër tronditëse mikut të tij të vjetër, Trockit, mbi diktatin e Stalinit, u vetëvra më 1927. Sun Yat-sen, i martuar tri herë, vdiq më 1925. Ai pati bashkëshorte të tretë Song Çin-lin, e cila mbërriti Zv.presidente e më pas edhe Presidente nderi e Republikës Popullore të Kinës, (1981). Kinezët luftuan gjatë edhe me japonezët, herë të bashkuar e herë të ndarë, komunistë të Ushtrisë së Kuqe Çlirimtare Popullore dhe nacionalistë kuomintangas, që tani i udhëhiqte Çian Kai Shek. Më saktë, aty pati një luftë të gjatë e të vërtetë civile, që vazhdoi edhe katër vite pas mbarimit të Luftës II Botërore (me kapitullimin e Japonisë më 2 shtator 1945), pra deri më 1 tetor 1949, kur edhe nga tribuna në Sheshin “Tien An Men”, Mao Ce Dun shpall Kinën Republikë Popullore.

Një histori e shkurtër e Partisë Komuniste e Kinës

Lëvizja komuniste në Kinë i ka fillimet e veta në dekadën e dytë të shekullit XX, kur intelektualë të guximshëm nën ndikimin e m-l nga Rusia sovjetike, filluan të organizohen. Dy më të shquarit e tyre ishin: Li Dazhao dhe Çen Dusju, që i nisën përpjekjet për krijimin e një partie komuniste në vitet 1919-1920, përpjekje këto që u kurorëzuan me sukses pra me themelimin e Partisë Komuniste të Kinës në fund të korrikut 1921 në Shanghai, më saktë më 31 korrik brenda një varke (kuptohet për arsye sigurie) e njohur si “varka e të dymbëdhjetëve”. Li Dazhao (1888-1927) bibliotekar dhe profesor universitar i afërt me Kuomintang-un e Sun Yat-Senit, diplomuar në Universitetin Waseda, Japoni. Arrestohet bashkë me 19 të tjerë, duke dalë nga ambasada sovjetike në Pekin dhe dënohet me varje nga qeveria e gjeneralit Zhang Zuolin, i cili pati një fat akoma më të keq, pasi nga një atentat me eksploziv në urën ku po kalonte treni i tij, më 4 qershor 1928, gjeti vdekjen e menjëhershme. Djali i Li Dazhaos, Bao Hua, pas vdekjes së Maos në vitet 1978-’82, ishte governator i Bankës Popullore të Kinës. Çen Dusju (1879-1942) kish studiuar në Waseda dhe në Francë. Atij në 1927 dhe 1928 Kuomintangu i vrau dy djemtë, Yannian dhe Qiaonnian. Në vitet ’32-’37 burgoset dhe më 1942 ndërron jetë. Li Li San, (1899-1967) themelues dhe udhëheqës i shquar e organizator i madh sindikalist e partiak, që mësoi shumë në Francë ku jetoi e punoi për dy vite. Në 1924 kur Partia Komuniste e Kinës kishte vetëm 900 anëtarë, falë punës së tij në minierën e qymyrit në Anyuan, 300 syresh ishin nga kjo minierë. Më pas jeton disa vite në Bashkimit Sovjetik, ku edhe martohet me Li Kishkin me të cilën pati gjashtë fëmijë. Ajo arrestohet dhe kalon tetë vite në qeli si e burgosur politike, ndërsa një nga vajzat e tyre, Li Yanlan u bë profesore e shquar e gjuhëve të huaja në Universitetin e Pekinit dhe përkthyese e njohur. Li Li San pati një fund tragjik teksa misteriozisht më 1967-ën në kulmin e histerisë së “Gardistëve të kuq” gjatë Revolucionit Kulturor Proletar, u gjet i vrarë dhe sipas versionit zyrtar i vetëvrarë! Me sa duket, kjo ngjan me atë përgjigjen e stërmençur të gjeniut tonë Kadare, kur i pyetur se nëse kryeministri Mehmet Shehun, e vranë apo u vetëvra, u përgjigj: “E vetvranë”! Vang Ming (1904-1974) një tjetër udhëheqës i Partisë Komuniste të Kinës, figurë komplekse me zigzage në qëndrimet e tij ndaj Maos. Në fillim kritik i ashpër, por pas një letre të Dimitrovit për Maon, kthehet në Kinë në vitet ‘49-‘56 nga Bashkimi Sovjetik. Ndjesa dhe pendesa e tij edhe pse i jepen funksione të rëndësishme me sa duket ishte e përkohshme, ndaj rikthehet përsëri në Moskë për të mos e parë më kurrë atdheun deri në vdekje (1974) dhe varroset po aty në varrezat Novodeviçi. Interesant mbetet fakti që zbulon gazetari i njohur rus, Peter Vladimirov, në librin e tij “50 vjet PKK”, ku shkruhet se Vang Ming akuzon Maon për tentativë helmimi dhe shantazh e kërcënim të vazhdueshëm për jetën që i shkaktonte stres dhe që kjo po i shkurtonte siç edhe ia shkurtoi jetën atij. Tani le t’i kthehemi atje ku e lamë historisë së Partisë Komuniste të Kinës. Kongresi II i PKK u mbajt po në Shangai dhe po në korrik (1922) ku u shpall se PKK njihet nga KOMINTERN-i që rekomandonte aleancë me Sun Yat-Senin.

Duke mbërritur te Kongresi V, vihet re se kritikat ndaj Çen Dusju-it shtohen e megjithatë, ai ia del të rizgjidhet në krye, por me sa duket, i befasuar dhe me sedër, pak kohë më vonë jep dorëheqjen. Kongresi i VI, ndryshe nga të tjerët, u mbajt në Moskën e Stalinit, në mars 1928, ku PKK iu kërkua krijimi i një Fronti të Bashkuar me Kuomintang-un. Në krye të Partisë del Xiang Zhongfa dhe Li Li San, por më pas edhe këta spostohen se Moska dhe KOMINTERN-i ishin për futjen e një numri të madh punëtorësh në udhëheqje dhe jo intelektualësh. Xiang Zhongfa i kthyer në Kinë ku bënte një jetë luksoze, tradhtohet nga shefi i tij i sigurisë, Gu Shun-zhang dhe arrestohet në një dyqan të bizhuve në koncesionin francez të Shanghait, në shoqërinë e të dashurës së tij Yang Xiuzhen, një balerinë bukuroshe kabaresh më 21 qershor 1931 dhe ekzekutohet me urdhër të Cian Kai Shek-ut. Në 1935 për herë të parë Mao Ce Dun (që kish qenë pjesëmarrës në Kongresin I) arrin të zgjidhet anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike. Në 7 korrik 1937, pas incidentit të rëndë në urën Marko Polo, shpërthen Lufta II kino-japoneze, e cila përfundoi më 9 shtator 1945.

Zgjedhja e Maos në krye të Partisë Komuniste të Kinës, fundi i luftës civile dhe shpallja e Republikës Popullore të Kinës

Nga 23 prilli deri më 11 qershor 1945 në Janjan mbahet Kongresi VII i PKK. Stërzgjatja e punimeve të Kongresit ndodhi për shkak të luftës së ashpër mes rrymave brenda partisë, ku më në fund fiton dhe zgjidhet në krye të saj Mao Ce Dun, por jo pa mbështetjen e madhe të Liu Shao Çi-së, Çu De-së dhe Çu En Lait. Përzënia me luftë të përbashkët dhe kapitullimi i Japonisë, nuk e ndalën vazhdimin e luftimeve, që tashmë morën përsëri formën e një lufte të re civile që zgjati deri në vjeshtën e 1949, kohë kur Kuomintan-gu dhe vetë gjeneralissimi, Çian Kai Shek u tërhoqën nga territoret e Kinës kontinentale, për t’u hedhur në ishullin Formosa ose Taivan, ku edhe sot nuk e konsiderojnë veten pjesë e Republikës Popullore të Kinës, por shtet i pavarur. Siç e kemi thënë, më 1 tetor 1949 nga tribuna qendrore e sheshit “Tien An Men”, Mao Ce Duni shpalli Kinën Republikë Popullore.

Kongresi VIII i PKK ishte edhe i pari që u mbajt në Kinë pas shpalljes së saj Republikë Popullore. Ai i zhvilloi punimet nga 15-27 shtator 1956, që i bie disa muaj pas Kongresit të XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Kongresit III të PPSH, ku u dënua me ashpërsi kulti i individit të Stalinit nga Hrushovi, ndërsa nga Enver Hoxha më butë edhe pse Konferenca tronditëse e Partisë për Tiranën, mbajtur disa javë përpara Kongresit III, iu duk atij si preludi i një muzike që orkestrohej në Balshoj dhe dirigjohej nga Nikita Sejgereviç Hrushovi, e që shpejt do dëgjohej në shumë nga kryeqytetet e vendeve socialiste të Evropës Lindore. Në krye të Delegacionit të PPSH-së, Enver Hoxha u nis për në Kinë, mesa duket nëpërmjet Bashkimit Sovjetik dhe u ndal më 13 shtator së pari në Kore, për t’i kthyer vizitën Kim Ir Senit, ndoshta më të ngjashmit me veten nga të gjithë liderët komunistë të kohës. Përshëndetjen e tij në Kongresin VIII në Pekin, ai e bëri më 18 shtator, plot lëvdata për Maon dhe Kinën që vetëm dy muaj më parë i kishte akorduar Shqipërisë një kredi suplementare prej 30 milionë rublash. Megjithatë, vizita e Enverit në Kinë që natyrisht ishte dhe vetmja, ka edhe një enigmë, e cila ka nevojë të analizohet. Si mundet që asnjë sekuencë filmike nuk mbërriti kurrë nga Kina mbi zhvillimin e kësaj vizite. Enveri është filmuar më 28 nëntor 1944 në Tiranë, gjatë paradës partizane, në shpalljen e Shqipërisë Republikë Popullore, 11 janar 1946, gjatë vizitës në Jugosllavi me Titon, korrik 1946, me Stalinin në tribunë në Moskë etj., të cilat mund të jenë realizuar nga operatorë britanikë, jugosllavë, apo sovjetikë. Janë vetëm dy fotografi, njëra që paraqet Maon duke i dhënë ftohtë dorën Enverit, që buzëqesh i sforcuar plot servilizëm dhe tjetra ku Mao duket si një i arrestuar prej dyshes “policore” Enver-Mehmet! Atëherë ç’duhet të ketë ngjarë? Ka shumë mundësi që Maoja dukshëm i lodhur dhe i mërzitur, të mos ia ketë pasur ngenë delegacionit shqiptar dhe është mjaftuar vetëm me ato dy foto protokollare-ceremoniale. Logjika ta do, madje është e padiskutueshme, që kinezët ta kenë filmuar takimin, por duke qenë se nuk duhet të jetë zhvilluar asnjë bisedë ulur, Enveri nuk e kërkoi kurrë filmimin edhe në vitet e dashurisë së zjarrtë dhe miqësisë së “pathyeshme” me vëllezërit tanë kinezë! Nga ana tjetër, me gjithë serialin prej rreth 70 “veprash” dhe kolanën e “veprave” të tjera si “klasik” i pestë i Marksizëm-Leninizmit (përfshi dhe Shënime për Kinën), në mos gabohem, nuk kemi asnjë dëshmi nga Hoxha të bisedës në takimin mes të dyve. Madje vonë, 10 vite më pas nga vizita, u improvizua një tablo në të cilën, ulur në kolltukë, paraqiteshin Maoja me Enverin, sikur bisedonin përzemërsisht?! Nuk është folur as për ndonjë bisedë mes Maos dhe Enverit në Konferencën e Moskës të Partive Komuniste, (viti 1957), në të cilën ata ishin krerë të delegacioneve respektive. Nga ana tjetër, siç dëshmon një nga përkthyesit zyrtar më të mirë të rusishtes, Myfit Mushi, Mao Ce Duni gjeti kohë të bisedojë me dy përkthyesit e “Librit të Kuq” të citateve për plot 90 minuta, në një nga vilat sekrete të tij, mes pyjeve pranë Shanghait, në kulmin e Revolucionit Kulturor. Vetë Mao, mori pjesë në festimin e 70-vjetorit të lindjes së Stalinit, dhjetor 1949, ndërkohë që e vizitoi përsëri Moskën edhe më 1950-ën, por ftohtësia e raporteve mes dy liderëve nuk mund të fshihej, madje edhe kur Hrushovi vizitoi Kinën më 1954, si kreu i Bashkimit Republikave Socialiste Sovjetike, nuk u vu re ndonjë ndryshim, pra vazhduan raportet e ftohta. Ndryshe po ndodhte me marrëdhëniet shqiptaro-kineze, që sa vinte e po bëheshin më të ngrohta, ndërsa ato shqiptaro-sovjetike, përjashtuar ditët e gjata të qëndrimit të Hrushovit në Shqipëri, maj-qershor 1959, po shkonin me shpejtësi drejt fundit të acartë! Kështu në Konferencën e Bukureshtit, qershor 1960-të, delegacionin shqiptar e kryesoi Hysni Kapo, ndërsa atë kinez Pen Çen, anëtar i Byrosë Politike dhe kryebashkiak i Pekinit. Delegacionin sovjetik e kryesonte vetë Hrushovi. Kongresi i Partisë Punës së Rumanisë për të cilën ishin mbledhur, e humbi vëmendjen, pasi u improvizua një konferencë, në të cilën dolën haptazi kontradiktat kino-sovjetike. Lideri rumun George Georgiu Dezh, me porosi të Hrushovit, i propozoi Hysni Kapos se ata ishin të gatshëm të dërgonin avionin e tyre qeveritar për të sjellë Enver Hoxhën, por Kapo, me urdhër të prerë të Hoxhës refuzoi kategorikisht. Kinezët pak më parë kishin botuar e përkthyer në shumë gjuhë, përfshi edhe në shqip librin “Rroftë Leninizmi”, ku goditeshin pikëpamjet e udhëheqjes hrushoviane kryesisht ato mbi “bashkekzistencën paqësore”.

Replikat Hrushov-Pen Çen qenë të ashpra, ndërsa Kapo rekomandoi të pritej “Mbledhja e 81 partive” në Moskë për të shtruar pikëpamjet dhe sheshuar kontradiktat. Siç dëshmon përkthyesi i njohur i delegacionit, Frederik Gjerazi, Enveri në “veprat” e tij deformon qëndrimet e mbajtura nga Kapo, edhe pse duhet pranuar që Hrushovi nuk ia doli t’i kandisë shqiptarët të dalin kundër kinezëve. Tashmë janë të njohura zhvillimet në Mbledhjen e 81 Partive, në nëntorin e 1960-ës në Moskë, ku krisja mes Partive Komuniste u kthye në çarje të thellë. I njohur botërisht për amplitudat e miqësive të prishura, Enver Hoxha, ky mik-armik i Titos, Hrushovit dhe Maos (madje edhe i Stalinit, kur ia desh interesi në Kongresin e XX, për t’iu servilosur Hrushovit apo edhe në Kongresin III në Tiranë) e sa e sa të tjerëve, qofshin shtete, parti, apo personalitete të huaja, ose bashkëluftëtarëve dhe bashkëpunëtorëve më të ngushtë të jetës në Shqipëri, këtë moment e qëndrim në sallën Georgevskaja në Kremlin e paraqiti si një akt heroik të tij. Koha tregoi se ai e bëri këtë vetëm e vetëm për të ruajtur pushtetin absolut se pothuaj të gjithë liderët stalinistë në vende apo parti komuniste u spostuan nga pushteti në mënyra të ndryshme, një pjesë e tyre madje ndërruan jetë nga “pneumonia”, teksa në dimër apo verë pushonin në Bashkimin Sovjetik! Kështu ikën nga kjo botë brenda një kohe të shkurtër, Dimitrovi, Bieruti, Gotvaldi, Piku, Torezi, Toliati etj.. I djallëzuar deri në perfeksion Enver Hoxha, që hante e pinte vetëm në ambasadën tonë, merr rrugën e kthimit kësaj here me tren deri në Bari, prej nga ku me avionin qeveritar mbërrin në Tiranë. Që nga ky çast, për një çerek shekulli, deri sa vdiq më 11 prill 1985, si paranojak që ishte, ai nuk doli më kurrë jashtë kufijve të Shqipërisë! Në shkurt të 1961-it u mbajt Kongresi IV i PPSH-së në të cilin sovjetikët bënë edhe përpjekjen e fundit të bindnin Hoxhën të ndërronte rrugë. Për këtë, ata sollën në Tiranë treshen e njohur Pospjellov, Kozllov, Andropov, por pa sukses. Do të vinte shpejt nëntori, kur Enver Hoxha sulmoi ashpër udhëheqjen sovjetike dhe prishja përfundimtare deri në prerje të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve nuk mund të shmangej, ndërsa me vendet e tjera socialiste, niveli i tyre u  ul.   Tani Shqipëria dhe Kina fillojnë “muajin e mjaltit” mes tyre. Kina, që kish ndihmuar në realizimin e Planit të Dytë Pesëvjeçar, solli ndihma e kredi të mëdha, specialistë e këshilltarë të shumtë të të gjitha fushave, industri, energjetikë, bujqësi, ushtri, arsim, kulturë, shëndetësi, sport etj., që çuan në realizimin e Planeve III-IV-Vë pesëvjeçar. Në Kinë studiuan dhe u specializuan qindra e qindra studentë në të gjitha fushat. Ndihma kineze për Shqipërinë, sipas disa burimeve llogaritet në miliarda $…

I pari nga udhëheqësit kryesorë kinezë që vizitoi Shqipërinë ishte Mareshalli Pen De Huai, ministër i Mbrojtjes dhe anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike. Kjo vizitë u realizua pikërisht në ditët që Shqipërinë po e vizitonte N. S. Hrushovi. Të ishte thjesht koincidencë apo një nga djallëzitë e Hoxhës?! Sido që të ishte, Pen De Huai, sapo kthehet në Kinë në Konferencën e Lushanit, kritikon Maon për problemet e Ushtrisë, ndaj shkarkohet dhe zëvendësohet nga rivali i vjetër i tij Lin Biao, por nuk i hiqen disa privilegje deri sa më 1966-ën, gjatë Revolucionit Kulturor, i rihapet dosja, poshtërohet publikisht nga “Gardistët e kuq”, madje arrestohet e dënohet me burgim të përjetshëm dhe vdes në burg më 1974. Edhe Mareshalli Zhukov, Heroi i Luftës së Dytë Botërore dhe kryesisht për marrjen e Berlinit, ministër i Mbrojtjes i BRSS-së u shkarkua sapo u largua nga vizita në Shqipëri, madje kjo ndodhi në ajër, kur në avionin “TU 104”, mbërriti radiogrami i Hrushovit! I dyti nga personalitetet e rëndësishme kineze që vizituan Shqipërinë, ishte Pen Çen, anëtar i Byrosë Politike dhe kryebashkiak i Pekinit, i cili u godit nga “Gardistët e kuq: gjatë Revolucionit Kulturor më 1966, u zhduk nga skena politike për 12 vjet dhe u rehabilitua nga Ten Hsiao Pini, duke u zgjedhur për disa vite edhe kryetar i Asamblesë Kombëtare, por që nuk e mbështeti protestën e madhe të 2 qershorit 1989-të në Sheshin “Tien An Men”, shtypur me tanke dhe ku numrin e saktë të të vrarëve ndoshta nuk do ta mësojmë kurrë (thuhet mijëra). Ndërroi jetë më 1997.

Megjithatë, tri vizitat e Çu En Lait, kryetarit të Këshillit të Shtetit të Republikës Popullore të Kinës, brenda pak më shumë se dy vitesh në Shqipëri, flasin më tepër se çdo gjë për rëndësinë që Kina komuniste po i jepte gjithnjë e më tepër marrëdhënieve me vendin tonë (e para, dhjetor 1963-janar ‘64, i shoqëruar nga Mareshalli Çen Ji, anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike dhe ministër i Jashtëm, e dyta nisi më 27 mars ’65-së, i shoqëruar nga Hsie Fu Çi, ministër i Sigurimit Publik dhe e treta nisi me 24 qershor ’66-të, në të cilën Çu-ja befason udhëheqjen shqiptare, teksa përçmon Stalinin). Si kryeministër i shtetit më të madh të botës, ky personalitet i jashtëzakonshëm i gjithëpranuar si i tillë, që kish studiuar në Europë, me këto tri vizita në Shqipërinë e vogël s’kish si të mos ngjallte zilinë e xhelozinë e fqinjëve dhe habinë e Perëndimit! I pajisur me inteligjencë dhe intuitë të rrallë, pragmatist, po aq sa vizionar dhe i palodhur për të punuar (16 orë në ditë) ai u mbijetoi të gjitha dallgëve të luftës, politikës dhe jetës, përfshi edhe vetë “cunamin” me emrin “Revolucioni Kulturor Proletar”. Ai ndërroi jetë nga kanceri plot nëntë muaj para kryetarit Mao, më 9 janar 1976 në Pekin. Më 1 nëntor 1966-të nisi Kongresi V i PPSH-së, ku Partia Komuniste e Kinës dërgoi dy nga anëtarët më autoritarë të Byrosë Politike, Kan Shen që mbërriti deri Nënkryetar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe Li Hsien Nien, që u bë edhe President i Kinës, të cilët sollën një mesazh përshëndetës shumë të përzemërt të Maos, ku sulmoheshin hapur revizionistët, sidomos ata jugosllavë dhe theksohej se ndihma që do t’i vinte Shqipërisë nuk do të njihte pengesa, pavarësisht se “mijëra male e qindra lumenj e ndanin atë nga Kina”. Ai e quante Shqipërinë “fanar i madh ndriçues i socializmit në Europë”. Në tetor ‘64, Kina ishte bërë fuqia e pestë bërthamore.

Por gjatë pesë viteve që pasuan kishin ndodhur të tjera ngjarje të mëdha. Në Kinë kishte shpërthyer Revolucioni i Madh Proletar Kulturor, i cili u udhëhoq personalisht nga Mao dhe shoku i ngushtë e besnik i armëve, Lin Biao. Nga skena politike u zhdukën apo u mënjanuan pjesa më e madhe e udhëheqjes, si Presidenti Liu Shao Çi, sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Kinës, Teng Hsiao Ping, kryetari i Asamblesë së Madhe Popullore Çu De, Mareshalli Çen Ji, Pen Cen etj., etj. Edhe vetë Çu En Lai mes shumë vështirësish edhe pse me “karton të verdhë”, qëndroi si “mesfushor” i tërhequr në fushën e lojës së madhe politike. Pas një hutimi të fillimit, ngaqë nuk po kuptonin ç’po ndodhte, PPSH-ja dhe Enver Hoxha e mbështetën fuqishëm Revolucionin Kulturor dhe Maon, madje dërguan për fushatë propagandistike udhëheqësit kryesorë si: Shehun, Kapon, Ballukun, Alinë etj. Kjo ishte koha kur forcon pozitat Grupi i Shanghait me Van Hun Venin, Çian Çun Çiaon, e Jao Ven Juanin, të cilit iu bashkëngjit edhe Çian Çini, Zonja e Parë e Kinës, por bashkëshortja e katërt e Maos, një ish- balerinë. Më vonë pas vdekjes së Maos, këta u etiketuan si “banda e të katërve”, u arrestuan dhe u dënuan me vdekje, dënim që nuk u ekzekutua kurrë! E diagnostikuar me kancer të ezofagut, Çian Çini, vetëvaret në një nga tualetet e spitalit-burg më 14 maj 1991. Një konflikt i armatosur kino-sovjetik rrezikoi shpërthimin e një lufte mes dy vendeve më të mëdha socialiste. Pretekst për këtë u bë ishulli i vogël (0.74 km. 2) Zhenpao ose Damanskij, i pretenduar nga të dy shtetet, në lumin e ngrirë Ussuri më 2 mars 1969. Merret me mend që Shqipëria anoi nga Kina, e cila u gjykua ndërkombëtarisht se kish pasur të drejtë. Nga 1-24 prill 1969 u mbajt Kongresi IX i Partisë Komuniste të Kinës, rezultat i vetëm i të cilit ishte shpallja armiq e shumë udhëheqësve të vjetër e plot merita dhe caktimi i Lin Biaos, ministrit të Mbrojtjes, si trashëgimtar i Maos edhe de jure, se de facto ishte shpallur më parë, funksion që nuk e gëzoi dot gjatë, pasi në rrethana misterioze u asgjësua me gjithë familjen teksa pas një tentative të dështuar për të vrarë Kryetarin Mao (versioni  zyrtar) tentoi të arratisej për në BRSS, ku nuk mbërriti kurrë, pasi avioni i tyre u rrëzua mbi Mongoli, më 13 shtator 1971.    Më 1 nëntor 1971 u mbajt Kongresi VI i PPSH-së në të cilin, për shumëkënd që s’i dinte ngjarjet, shkaktoi habi të madhe mungesa e përfaqësuesve kinezë aq më tepër që një javë më parë, më 25 tetor ishte miratuar në OKB, Rezoluta Shqiptare pas së cilës, Kina Komuniste do bëhej anëtare e saj duke zënë vendin e Tajvanit. Po atëherë si qëndronte e vërteta? Kur Enver Hoxha mësoi se Kinën e kish vizituar i famshmi Kisinxher, (sekretari amerikan i shtetit) i cili pas 16 vite bisedimesh kino-amerikane, ia arriti të bindë Maon dhe Çu-në të ftojnë për vizitë zyrtare Presidentin Nikson, e quajti këtë si akt kapitullimi, madje tradhtie të Marksizëm-Leninizmit nga udhëheqja kineze dhe në delirin e njohur të madhështisë e protagonizmit i shkruan një letër të gjatë Maos, të cilën, ambasadori, ynë tentoi t’ia lexojë Çu En Lait, që kur pa tufën e fletëve të shkruara (plot 16) u ndje i bezdisur dhe kërkoi të dinte vetëm përmbajtjen e saj. Siç mund të kuptohet, kinezët kishin informacione të sakta nga burime diplomatike dhe të shërbimeve inteligjente perëndimore, mbi mosdakordësinë shqiptare për vizitën, ndaj duke e injoruar letrën, nuk i kthyen kurrë përgjigje Hoxhës, taktikë e njohur dhe e zgjuar e tyre kjo. Hoxha u detyrua ta kapërdijë injorimin se pa ndihmat e Kinës, do të përballej me vështirësi të mëdha dhe ftohjen që po shkonte drejtë ngrirjes së marrëdhënieve e shtyu ta bënte më vonë, më 28 korrik 1978, gati dy vite pas vdekjes së Maos.

E fundit e rëndësishme nga personalitetet e larta kineze ishte ajo e delegacionit ushtarak të kryesuar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Popullore, Huang Jun Shen i cili u prit në Rinas nga Mehmet Shehu, Beqir Balluku dhe Petrit Dume.

Vizita e Niksonit në Kinë mes 21-28 shkurtit 1972, që ishte një eveniment botëror, e tronditi Hoxhën. Në të vërtetë Mao Ce Duni nuk kish pse t’i merrte leje Enver Hoxhës, se kujt i duhej bërë ftesë për ta vizituar Kinën. Para dhe pas Niksonit ai priti krerë shtetesh apo qeverish nga e gjithë bota, por Hoxhën e tërbonte fakti që ai priti edhe disa prej diktatorëve apo liderëve të Azisë, Afrikës e Amerikës Latine, si Markosi i Filipineve, gjeneralin Birman Ne Win, Mobutu Sese Sekon, e Zairesë, Luis Eçeverria Alvarez të Meksikës, Pierr Elliot Trydo-në e Kanadasë etj., etj. Kjo është edhe koha kur Mao Ce Duni doli me teorinë e “Tri Botëve”, të cilën Hoxha nuk do ta pranonte kurrë.

Pas prishjes me sovjetikët, Enver Hoxha, shpesh sponsorizuar nga Kina, tentoi pa sukses ta kthente Tiranën në një qendër të komunizmit botëror, madje delirant i grandomanisë, ai kish hedhur idenë e thirrjes së një Internacionaleje të Katërt Komuniste. Në Shqipëri që nga Kongresi V-VIII ishin ftuar delegacione të Partive Komuniste (marksiste-leniniste) nga vende të ndryshme të botës, për të cilët Hoxha ushqente iluzionin se do të ndiznin revolucionin botëror. Ata s’ishin gjë tjetër veçse një amalgamë idealistësh, karrieristësh të pakënaqur nga partitë e vjetra, anarkistësh, aventurierësh, mashtruesish e deri terroristësh, që paguheshin nga fondi i veçantë i Komitetit Qendror të PPSH-së që shkonte në miliona $. Të tillë “kryetarë” partish (marksistë-leninistë), si Grippa, Dinuçi, Kaza, Aust, Strobel, Marko, Bërxh, Beinz, Hill, Uillkoks, Tejlor, Mijal, Axhitorop, Amazonas, Pomar, Restrepo, Sanmungat’hasanshan etj., etj., të panjohur në vendet e tyre kalonin pushimet me javë, muaj, e disa edhe me vite në vilat e Bllokut në Tiranë, Durrës, Vlorë apo Pogradec. Ata botonin edhe ndonjë fletushkë që s’e lexonte pothuaj askush, veç diplomatëve apo diplomatëve të ambasadave tona, që mbushnin me informacione të rreme eprorët e tyre në Tiranë. Kur marrëdhëniet Shqipëri-Kinë po ftoheshin, shumë nga këta farë marksistë-leninistë mbajtën anën e Kinës dhe Hoxha nuk vonoi t’i quajë edhe ata tradhtarë, madje deri agjentë të kinezëve! Megjithatë, duhet thënë se asnjë prej tyre nuk u bë më kurrë i gjallë. Me sa duket, nuk iu kish interesuar Shqipëria dhe as Marksizëm-Leninizmi, por qindra-mijëra dollarët që regjimi totalitar e izolacionist i siguronte nga mundi, djersa dhe gjaku i një populli që jetonte në burgun e madh me tollona e ku shumica në fshat hanin bukë misri të mykur.

Në mes të viteve ’70-të, mes paranojës kriminale staliniste, Enver Hoxha shpartalloi tri grupe “armiqësore” në ideologji e kulturë, ushtri dhe ekonomi, duke iu “faturuar” atyre dështimet e mëdha, si pasojë e bllokimit të ndihmave nga Kina. Madje, ekzekutoi pas gjyqeve farsë e të manipuluara gati gjysmën e udhëheqjes, një pjesë të madhe të të cilëve i akuzoi ndër të tjera edhe si agjentë të Kinës. Këtë e nisi me krerët e Ushtrisë, Balluku, Dume dhe Çako, që aq shumë bënë për të furnizuar me armë, municione, tanke, avionë, anije lufte, e pajisje ushtarake kineze të çdo lloji, ushtrinë tonë, apo dhe Theodhosin që drejtoi me sukses ndërtimin e dhjetëra fabrikave, uzinave e kombinateve, dhuratë e Kinës, për ta mbyllur me Këllezin, që për ironi, veç të tjerash, ishte edhe Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë, ndërsa këta “agjentë” kinezë dënoheshin dhe ekzekutoheshin në gazetën “Zëri i Popullit”, me kulmin e servilizmit dhe hipokrizisë, nekrologjitë e vdekjeve për Çu En Lain, 9 janar, Çu Denë, 6 korrik dhe Maon më 9 shtator 1976, nxinin gjithë faqen e parë të saj, ku shpallej dhe zi kombëtare!

Mao Ce Dun lindi në Shaoshan të Xiangtanit në Hunan, më 26 dhjetor 1893, në një familje fshatarësh të etnisë Han, me pasuri modeste. Të parët e tij kishin ardhur nga provinca Jiangxi, që nga koha e dinastisë Ming. Babai, Mao Yi Çang dhe nëna, Ven Qimei patën shtatë fëmijë, por tre prej tyre, dy djem dhe një vajzë, vdiqën herët. Ai kish dy vëllezër më të vegjël, Zemin e Zetan dhe një motër, Mao Zehong, të tre të vrarë nga Kuomingtangu. Kur ishte vetëm 14 vjeç, i ati e detyroi të martohej me një vajzë disa vite më të madhe, Luo Shi, martesë që ai s’e pranoi kurrë. Gjatë revolucionit të 1911-ës, ai mobilizohet si ushtar dhe më pas i kthehet shkollës dhe mbaron “Normale”-n në Cangsha. Më 1918-ën ndjek nga pas profesorin, pak më vonë vjehrri i tij, Yang Çangji në kryeqytet, që mbante leksione në Universitetin e Pekinit. Me rekomandimin e tij, Mao u punësua në Bibliotekën Universitare, drejtuar nga Li Dazhao dhe dëgjonte fjalimet e Çen Dusjuit. Në atë kohë, ai martohet me studenten, Jang Kaihui (’21-’27) me të cilën patën dy djem, Mao Ayning dhe Mao Anqing. Më 1930-ën ajo vritet nga njerëzit e Çian Kai Shekut. Më pas martohet me He Zizhen (1928-’38) me të cilën pati një fëmijë, Li Min dhe në fund deri kur vdes, me Çiang Çing, (emri i parë Li Shumeng dhe pseudonimi Lan Peng) me të cilën gjithashtu pati vetëm një fëmijë, Li Na.

Duke pasur parasysh se jeta dhe intimitetet e Maos ruheshin me një fanatizëm të rreptë dhe ishin “sekret shtetëror”, zëra jo zyrtarisht të konfirmuar pohojnë se Mao kishte edhe shumë fëmijë të tjerë jashtëmartesorë, me bukuroshe të reja, të cilët iu faleshin familjeve pa fëmijë. I vetmi deri më sot që ka guxuar të shkruajë për Maon (kuptohet pas vdekjes së tij) është mjeku personal, Li Zhisui, i cili në kujtimet e publikuara në librin “Jeta private e kryetarit Mao” tregon se Mao Ce Duni tymoste duhan gjithë ditën, lahej shumë rrallë, ndërsa dhëmbët nuk i pastronte kurrë. Kalonte shumë kohë në shtrat dhe ishte i varur nga qetësuesit. Ai shpesh gjendej mes një grupi të gjerë partneresh seksuale, prej të cilave mori dhe sëmundje veneriane.   Mao Ce Duni për kinezët ishte shndërruar në një gjysmëperëndi. Kulti i tij kish mbërritur qiellin. Pa diskutim ai mbetet një nga liderët më të mëdhenj botërorë e ndoshta figura më komplekse e kontraverse e gjithë historisë mijëravjeçare të Kinës. Atij iu veshën shumë epitete, por katër ishin kryesoret: Udhëheqës, Strateg – Komandant Suprem, Mësues dhe Timonier i madh! Që nga lufta ndaj pushtuesve, Marshimi i Madh 12.000 km., Ekspeditat në Veri e në Jug të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës, fitorja në Luftën Civile, shpallja e Republikës Popullore të Kinës, Hopi i Madh, zhdukja e urisë, ngritja e Komunave, industrializimi etj., i dedikoheshin Maos, por të gjitha këto u paguan me jetën e miliona njerëzve dhe kjo nuk duhet harruar kurrë! Të çuditshme për Perëndimin ishin simbolet Taxhai për bujqësinë, Taçini për industrinë, si dhe leifenizmi në ushtrinë pa grada dhe shoqërinë komuniste kineze.

Pas vdekjes së Çu En Lait, në krye të qeverisë erdhi një figurë jo dhe aq e njohur, Hua Kuo Feng (1921-2008), i cili pas vdekjes së Maos, u bë edhe kryetar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe Kryetar i Komisionit Ushtarak të tij. Në të vërtetë Mao Ce Duni, që përherë e kish vlerësuar Teng Hsiao Pingun, i mbetur edhe pa Çu En Lain, e rehabilitoi atë pasi vizioni, inteligjenca dhe pragmatizmi i “floririt të vogël” i duhej Kinës së madhe. Pas vdekjes së Maos, Tengu, deri sa ndërroi jetë më 1997-ën mbeti “de facto” lider i saj, duke qenë dhe i pari lider kinez që vizitoi Amerikën.

Enver Hoxha nuk mund t’ia falte Tengut dhe Hua Kuo Fengut pritjen madhështore që i bënë Titos më 1977-ën. Sipas kineastes Anja Druloviç, autore e librit “Titova Kuharica” – (Kuzhinieri i Titos), banketi në nder të tij zgjati mbi tri orë dhe në të morën pjesë 3000 vetë! Për reciprocitet, por edhe për një lloj karshillëku ndaj Shqipërisë së Hoxhës, deri pak më parë motër e Kinës, në gusht të 1978 Hua Kuo Fenit iu bë një pritje madhështore nga Tito në Beograd, i cili ishte i mirinformuar për prishjen përfundimtare mes dy vendeve, vetëm tri javë më parë, saktësisht më 28 korrik 1978. Presidentë të Kinës, njeri pas tjetrit, vijnë: Jeh Çien Jin, Li Hsien Nien, Jang Shang Kung, Xhiang Zeming, Hu Xhintao dhe Xi Jinping. Për t’iu rikthyer personalitetit shumëdimensional dhe kompleks të Teng Hsiao Pingut, nuk mund të anashkalojmë rolin e tij në shtypjen e përgjakshme të protestës studentore, njohur si “Masakra e Tien An Menit”, qershor 1989, ku numri i të vrarëve të raportuar, fillon me 300 e shkon deri 2600, e në mos më shumë! Tengu nuk përkrahu Hu Jaobanin (vdekja e papritur e të cilit shërbeu si fillim i protestës) dhe Zhao Ziyangun, të moderuarit e udhëheqjes por përkrahu Xhiang Zemingun dhe kryeministrin Li Peng, “kasapin” e Protestës (15 prill-4 qershor) që për paradoks ishte edhe djali i adoptuar i Çu En Lait dhe Deng Ying Çaos. Këtë njollë të madhe në biografinë e tij politike, Tengu nuk mundi ta shlyente kurrë! Me sa duket kasta e vjetër politike e Kinës, e kish të vështirë ta pranonte demokratizimin dhe pluralizmin e vërtetë politik që bash në këtë kohë përfshiu gjysmën e Botës.  Në Kinë ka vetëm një parti, Partia Komuniste e Kinës, e cila me mbi 90 milionë anëtarë, sot është e dyta në botë, pas Partisë Indiane të Popullit (Bharatiya Janata) të kryeministrit, Narendra Modi, në pushtet me 110 milionë anëtarë plus 170 milionë anëtarë të rinisë së saj.

Kina ka njohur ritme të larta zhvillimi veçanërisht në vitet 2003-2013, kur president ishte Hu Xhintao dhe kryeministër, Uen Xhiabao. Në prill të 2009-ës, Kinën e vizitoi kryeministri i Shqipërisë, prof. dr. Sali Berisha, vizitë kjo shumë e suksesshme, që u duk veç të tjerave edhe nga pritja shumë e ngrohtë që iu bë atij nga Presidenti dhe Kryeministri Kinës. Kinën e ka vizituar edhe kryeministri Rama, por dy projekte të mëdha investimesh kineze, si Rruga e Arbrit, apo Hidrocentrali i Skavicës, nuk u realizuan kurrë dhe nuk është e vështirë të kuptohet se cilat ishin arsyet edhe pse ato nuk u sqaruan kurrë publikisht. Por edhe këto vite që udhëhiqet nga Presidenti Xi dhe kryeministri Li Keqiang, Kina po ecën me ritme të larta. Ajo ka kohë që është fuqia e dytë ekonomike e botës pas SHBA-ve. Pandemia e frikshme botërore e Corona Virus që nisi nga Kina dhe mori aty jetën e mbi 3000 vetëve (edhe pse burime të denja për t’u besuar e çoi numrin e të vdekurve deri në 40 mijë) po në Kinë ’u mbërrit të luftohej së pari me sukses, madje në këtë luftë aktualisht është Kina, ajo që po ndihmon të tjerët. Natyrisht duhet pranuar se ka edhe teori konspirative për origjinën e COVID-19.

Shqiptarët i kanë dashur kinezët që me urtësinë, thjeshtësinë dhe përkushtimin për punën e merituan këtë dashuri dhe për ndihmën e madhe dhe të pakursyer në të gjitha fushat që ata i dhanë Shqipërisë por edhe kinezët i kanë dashur shqiptarët për vlerat dhe virtytet e tyre të dëshmuara tashmë. Filmat, ansamblet artistike, sportistet e skuadrat tona, librat etj., nga Shqipëria, ishin më të dashurit për kinezët ndaj pavarësisht problemeve ideologjike që paranoja dhe deliret e Hoxhës çuan në prishjen e marrëdhënieve, Kina, nuk mund dhe nuk duhet ta harrojë se Shqipëria e vogël dha kontribut të madh në pranimin e saj në OKB-ja. Me flamurin kombëtar shqiptar, anijet kineze i binin kryq e tërthor botës për të realizuar shkëmbimet tregtare aq të domosdoshme për hopin e zhvillimin e ekonomisë kineze. Po ashtu nga radiostacionet e fuqishme të ngritura në Shqipëri, zëri i Kinës dëgjohej në të gjithë botën. Për të tëra këto ne nuk mund ta kuptojmë se si Kina e madhe, që ngaherë ka pohuar dhe dëshmuar se e do popullin tonë, nuk njeh ende gjysmën tjetër të kombit dhe trungut amtar të tij, Kosovën. Shqipëria ka qenë e palëkundur në këto 70 vjet teksa ka njohur vetëm një Kinë. Dhe së fundi, për ta mbyllur, do të donim të dinim përgjigjen e munguar prej mbi 12 vitesh të një pyetjeje: a do t’ia njihte ajo popullit kinez të Tajvanit të drejtën e tij për liri dhe demokraci nëse pushtues të huaj do ta mbanin qoftë edhe 100 vjet nën zgjedhë atë?! Edhe Hong Kongun e mbajtën kaq gjatë britanikët, por Kina e ka sot pjesë të saj atë. Për arsye deri më tani të pashpjeguara, Kina nuk gjen dot një motiv të vërtetë për mosnjohjen e Kosovës, e kjo nuk e nderon. Do të mjaftonte për këtë opinioni këshillëdhënës i GJND në Hagë i 22 korrikut 2010 (votuar 10 me 4) që e gjente plotësisht të ligjshme Pavarësinë e Kosovës, në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare, Rezolutën 1244 dhe Kornizën Kushtetuese të UNMIK-ut.

 Historian