VOAL

VOAL

KA ARDHUR KOHA QË PRESIDENTI BIDEN TË THOTË “ENOUGH IS ENOUGH” – Nga MA. AGIM ALIÇKAJ *

August 7, 2021
blank

Komentet

blank

Shqipfolësit e degjeneruar grabitin, vrasin, terrorizojnë popullsinë- Nga AUREL DASARETI

 

Është një provokim kundër qytetarëve /krim i rëndë kur plehrat shqipfolëse (që meritojnë për t`u varur) gjuajnë edhe kundër policisë të cilët rrezikojnë jetën për sigurimin e popullsisë. Fëlliqësirat e tilla, shumë të rrezikshëm edhe për jetën e mbrojtësve të rendit (policisë) meritojnë plumbin…

Popullata shqiptare terrorizohet nga fëlliqësira të degjeneruar që prej kohësh janë të përmasave të pakufishme, një festë e lumturisë së mashtruesve, një zbavitje plaçkitjeje, grabitjeje, një thikë e kthyer kundër pronave të kursyera të njerëzve.

Plaçkitja (grabitja) është në të drejtën ndërkombëtare të luftës kur forcat e armatosura përvetësojnë hapur dhe në mënyrë të paligjshme pronën e popullatës civile armike gjatë luftës duke shfrytëzuar frikën e popullsisë nga lufta ose epërsinë e tyre ushtarake. Nëse përvetësimi nuk është i hapur, konsiderohet vjedhje ose e ngjashme.

Në ligjet penale civile dhe ushtarake të shumicës së vendeve, plaçkitja (grabitja) dënohet me dënime të rënda. Sidomos grabitjet ku kriminelët përdorin armë edhe kundër ligjit/rojeve të sigurisë. Dënimi me vdekje do të qetësonte shpirtrat e ndyrë, prindërit e të cilëve duhej t’i abortonin….

Gjatë grabitjes këta kriminelë kanë qëlluar në drejtim të policisë dhe kanë plagosur policinë. Ata duhet të dënohen me burgim të përjetshëm. Fatkeqësisht, plumbat e policisë “heshtën” vetëm njërin prej kriminelëve dhe e dërguan në ferr, të gjithë duhej të ishin atje…

Shqiptarët e Kosovës (dhe jo vetëm) patjetër të pastrojnë vendin nga bajgat që terrorizojnë qytetarët.

Aurel Dasareti

blank

NË DITËN E PAVARËSISË KOMBËTARE, 2023- Dokumenta të Agimit të Lirisë: “Memorandumi i shqiptarëvet që kanë dalur maleve”- Nga Frank Shkreli

Në numrin e revistës mujore kulturore “Leka”*, numri 4, prill, i viti 1937, botohej  “Memorandumi i Shqiptarvet që kanë Dalun Malevet”, dërguar Perandorisë  Otomane.

Memorandumi që mban datën, “Në Shqipnie me 28 të Vjeshtës III,  1910) është një thirrje drejtuar jo vetëm Perandorisë Osmane, por edhe “Botës së qytetnueme të Evropës”, ku shprehen pakënaqësitë dhe padrejtësitë nga “Shqiptarët e Dalun Malevet” dhe në të cilin i paraqiten qeverisë otomane kërkesa specifike si dhe plotësimin e tyre.

Ata shprehen se, “Me anën e ksaj, na Shqiptarët që gjindemi malevet, po paralajëmorjmë hyqymetin e sotshme të Perandorisë Ottomane si dhe gjithë botën e qytetnueme t’Evropës se i vetmi shkak që na jemi bamun firare edhe kemi dalë malevet ashtë Qeveria Ottomane vetë. Me të vërtetë, po të mos ishim bamu firare, kush na siguron se shumë prej nesh – në mos të gjithë –do të mos ishim varun,do të mos ishim burgosun, ose do të mos ishim bamun syrgjyn si shumë prej shokëve tonë, megjithqë nuk kemi tjetër faj, përveç se Zoti na ka bamun Shqiptarë dhe na dëshirojmë që të aresohemi me anë të gjuhës t’onë amtare dhe të vdesim Shqiptarë.”

Malësorët thonë në Memoradumin e tyre drejtuar Qeverisë Otomane dhe “botës së qytetënueme”– në një kohë kur Evropa i quante Shqiptarët njerëz të egjër barbarë e kundërshtarë të çdo përparimi, siç është shprehur At Gjergj Fishta në shkrimin Lot e Gjak — se ata nuk kanë dalë maleve për të rrëmbyer ose për të vrarë ndonjë njeri. “Përkundrazi”, theksojnë ata, “Kemi dalë për një qellim të shënjtë për me i kallzue botës se nuk jemi të kënaqun me Qeverinë e sotshme të Perandorisë Ottomane, për me protestue mbe botën e qytetnueme për të gjitha pa drejtësitë që ashtë tue bamë sot kjo Qeveri kundër Kombit Shqiptar dhe për me luftue deri me nji, derisa Qeveria turke të bindet dhe të mbushë kërkimet t’ona.”

blank

Në “Memorandumin e Shqiptarvet që Kanë Dalun Malevet”, të vitit 1910, bëhën tri kërkesa kryesore, pa të cilat ata thonë se, “Nuk munt të rrojmë”, e të cilat kanë të bëjnë me lirinë në përgjithësi, ndërsa kërkesat e tjera, sipas tyre, kanë të bëjnë me, “Qetësinë dhe Përparimin e vendit”.

Ata paraqesin këto tri kërkesa kryesore në memorandumin e tyre: Në “Memorandumin e Shqiptarvet që Kanë Dalun Malevet”, të vitit 1910, bëhën tri kërkesa kryesore, pa të cilat ata thonë se, “Nuk munt të rrojmë”, e të cilat kanë të bëjnë me lirinë në përgjithësi, ndërsa kërkesat e tjera, sipas tyre, kanë të bëjnë me, “Qetësinë dhe Përparimin e vendit”.

Ata paraqesin këto tri kërkesa kryesore në memorandumin e tyre:
1)“Një falje të përgjithshme për të gjithë vëllaznit tonë Shqiptarë, qofshin ata Myslimanë, qofshin Kristianë, të dënuem për politikë.
2)Liri të plotë për të gjithë Shqiptarët, Myslimanë edhe Kristianë që të aresohen me anën e gjuhës amtare, me shkronjat tona kombtare.
3)Liri të plotë që të hapen të gjitha shkollat shqip të mbylluna prej Qeverisë; liri të plotë për të dalë të gjitha gazetat shqip të ndalume nga Qeveria dhe të hapunit e Shtypshkronjës Shqip që ka mbyllun Qeveria.”

blank

Këto ishin tri kërkesat bazë të Memorandumit të malësorve kryengritës të “dalur maleve”, por ata njëherazi ngulnin këmbë që qeveria otomane — për hir të qetësisë dhe përparimit të vendit të tyre – të plotësonte edhe një numër kërkesash të tjera. Kërkon që mësuesit të mos jenë turq, por shqiptarë, pasi “ata dijnë gjuhën shqipe dhe zakonet e vendit”, dhe që qeveria të jepte, “Urdhër zyrtarisht që gjuha shqip të mësohet nepër të gjitha shkollat që gjënden në Shqipni, jo me shkronjat arabisht, por me shkronjat tona kombëtare.”

Duke paraqitur këto kërkesa, natyrisht, se pas pas 500-vjet robërimi otoman, ata kishin si shqetësim kryesor ruajtjen e identitetit kombëtar, të gjuhës e të kulturës shqiptare, por ishin të shqetësuar edhe për mirëqenjen e popullit në përgjithësi dhe konsideronin si të rëndësishëm edhe zhvillimin ekonomik dhe bujqësor të vendit.

I kërkonin qeverisë otomane, “Të hapi Shkolla bujqësie, tregtare dhe normale në tre ose katër qytete të mëdha të Shqipënisë dhe që të gjitha shkrimet të jenë shqip me shkronjat tona kombëtare.”

Në memorandumin e tyre ata nuk shpreheshin kundër pagesës së taksave, por vendosmërisht kërkonin që ato, “të holla të përdoren për me bamun xhade dhe udhë të hekurta në Shqipni.”

Këto ishin mjaft kërkesa të avancuara për atë kohë, nga një popull i shtypur për 500-vjet. Kërkonin që qeveria otomane,“Të hapi banka bujqësie, të cilat t‘u japin Shqiptarëve të holla për me blemun vegla dhe maqina për me punuem vendin e tyne dhe kështu të mundin të fitojnë për të rrojtur…”

Madje, i bënin thirrje qeverisë otomane që “të lejojë kapitalin e huaj të hyjë në Shqipëni, për tregti e për bujqësi…por që këto kapitale të mos kenë prapa tyne ndonji propagandë të huaj…”

Përveç këtyre kërkesave, Memorandumi përmbante edhe një paralajmërim të fortë për qeverinë otomane dhe për botën tjetër nëqoftse këto kërkesa nuk do të plotësoheshin: “Le t’a dijë mirë e tanë bota e qytetnume dhe veçanërisht Qeveria e Perandorisë Ottomane, se të gjithë Shqiptarët, Toskë e Gegë, nuk do të pushojnë së luftuari për këto tri kërkime, që thamë më sipër…” dhe se , “Të gjithë me anën e kësaj, po e lajmërojmë hyqymetin e Turqisë se e morëm ftesën që na dërgoi, me anë të cilës na jepte haberin se na falë fajin që kemi bamun.?!dhe na këshillon që të zbresim nga malet dhe të kthehemi nëpër shtëpiat tona.”

“Memorandumi i Shqiptarvet që kanë Dalun Malevet”, dërguar Perandorisë Otomane, e që mban datën, “Në Shqipnie me 28 të Vjeshtës III, 1910), vendosmërisht i përgjigjet qeverisë otomane duke i thënë se, “Fjala e jonë e fundit për Qeverinë Ottomane ashtë se nuk kemi bamun ndonji faj dhe nuk do të këthehemi të gjallë në katundet tona derisa kërkimet që numëruam në këtë shkresë
do të mos mbushen dhe gjersa të mos marrim siguri të plotë se kurrë ndonjë herë tjetër do të mos shkelen” më, këto liri e të drejta.

*(Burimi:Revista e përmuajshme “Leka”, botimi I klerit katolik shqiptar dhe organ i shoqatës LEKA, themeluar më 9 dhjetor 1928 në Shkodër, shërbente si një revistë mujore kulturore, politike, filozofike, shoqërore, historike, letrare, pedagogjike e folklorike. Numri I parë doli në qarkullim, në prill të vitit 1929. Në vitin 1941, botimi I saj u ndërpre përkohësisht, ndërsa në vitin 1942 doli një botim i veçantë me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. “Leka” do të botohej deri në vitin 1944, kur u mbyll nga regjimi komunist I Enver Hoxhës.
(Ribotim)

blank

Rekujem:Këtë nëntor u mbushën 90 vjet që kur poeti Osip Mandelstam krijoi Epigramin kundër Stalinit Esse nga Elida Buçpapaj

 

Hyrje

Dje ishte nëntor, sot është nëntor, fundnëntori.

Nëntori të cilit i referohem nuk është as i sotshmi dhe as i djeshmi apo i nesërmi, por i nëntëdhjetë viteve më parë.

Nëntor moskovit i egër, i ngrirë nën terrorin e Çekës.

Nëntori është muaji më i padëshiruar në dymbëdhjetë muajt e vitit të kryeqytetit rus. Kemi vizituar Moskën e erës Jelcin, kur rruga nga aeroporti Sheremetyevo Alexander S. Pushkin ishte e mbushur me banderola që prisnin këngëtarin Tom Jones. Tiranën e lamë në kulmin e pranverës mes lulëzimit të dorëzonjave, jargavanëve dhe akacieve ndërsa Moskën e gjetëm në ngjyrë gri, me këmbët të mbuluar nga bora llohë.

E shtyrë nga kurioziteti fillova të pyes për pranverën ruse, për muajt më të bukur, më të vizituar nga turistët. Në nëntor jo, më thanë në nëntor nuk shkohej në Moskë. Në nëntorin bolshevik, mendova.

 

Nëntor 1933

 

E pra pikërisht në një ditë të zymtë e të ashpër nëntori moskovit, në mes të Terrorit të Madh, spastrimeve, syrgjynosjeve e vrasjeve masive në gjuajtje të antiTrockistëve dhe armiqve të popullit, poeti me prejardhje hebreje Osip Mandelstam do të krijonte Epigramin kundër Stalinit.

Kjo poezi me 16 vargje, ndarë në dy strofa, me një satirë therëse, nëntorin e sivjetëm mbushi 90 vjet. Ndërsa më 27 dhjetor bëhen 85 vjet kur krijuesi i saj poeti Osip Mandestam vdiq nga tifoja në kampin e përqendrimit në Vladivostok. Atje mbeti i pavarrosur deri në pranverë kur e hodhën në një varrezë masive. Por Epigrami i tij kundër Stalinit jeton.

***

Osip Mandelstam së bashku me Nikolai Gumilev, Anna Akhmatova dhe Sergey Gorodetsky në fillim të dhjetë vjeçarit të dytë të shekulli XX do të krijonin shkollën moderne poetike të Akmeizmit si një vijimësi e poezisë dhe kulturës botërore për t’u shprehur për së drejti e qartas përmes imazheve, në ndryshim nga misticizmi i simbolistëve rusë. Ishte Periudha e Argjendtë e lulëzimit të poezisë ruse pas Periudhës së Artë të kohës së Pushkinit, Lermontovit, Fjedor Tjutçevit. Por që nuk do të zgjaste shumë.

Atë ditë kur u takuan për të diskutuar rreth projektit të shkollës së tyre poetike në The Stray Dog Cafe, Shën Petersburg, që njihej asaj kohe si një kafè pikëpjekje për artistët dhe shkrimtarët rusë, asnjëri prej tyre nuk do ta merrte dot me mend se çfarë do ta priste Rusinë dhe ata vetë.

As një dekadë më vonë më 1921 poeti Nikolai Gumilev, bashkëshorti i poeteshës Anna Akhmatova do të arrestohej dhe vritej nga Çeka, KGB e asaj kohe, krijuar menjëherë me ardhjen në fuqi të bolshevikëve për të ushtruar terror të kuq. Nën drejtimin direkt të Leninit.

Poeti dhe shkrimtari Ivan Bunin, Nobelisti i parë rus që e mori këtë çmim pikërisht në vitin 1933, ndërsa jetonte në Paris si një emigrant i arratisur dhe pa kurrëfarë shtetësie, në “Manifestin e emigrimit rus” botuar më 1924 do të shkruante: “Rusia ishte e banuar nga një familje e fuqishme, e cila ishte krijuar nga puna e bekuar e brezave të panumërt.”… Ndërsa shtëpia e familjes të madhe “fjalë për fjalë u shkatërrua me një vëllavrasje të padëgjuar. Një bastard, një idiot moral që nga lindja, Lenini i paraqiti botës .. diçka monstruoze, marramendëse, ai përçau vendin më të madh në Tokë dhe vrau miliona njerëz në dritën e diellit…”

Ivan Bunin e shkruante këtë manifest jashtë Rusisë, natyrisht duke e marrë parasysh rrezikun. Kjo diçkaja monstruoze bëri që shumë poetë e shkrimtarë rusë tash të quajtur sovjetikë do ta përjetonin nën lëkurën e tyre “Terrorin e Madh” që, pas vdekjes së Leninit më 1924, do ta udhëhiqte Stalini, një gjakatar edhe më i pashpirt.

Qielli i errët i nëntorit bolshevik i kishte marrë nën vete poetët, sepse sikur thoshte Yevgeny Yevtushenko “Në Rusi të gjithë tiranët besojnë se poetët janë armiqtë e tyre më të rrezikshëm.”

Por jo vetëm në Rusinë sovjetike. Edhe në Shqipërinë staliniste dhe poststaliniste.

 

Samizdat – Disidencë nën terror

 

E megjithatë, në klimën më të egër të vrasjeve, dëbimeve, internimeve, përgjimeve, frikës, çmendinave, syrgjynosjeve dhe më vonë, edhe nën diktatin e kafazit me hekura burgu të Doktrinës Zhdanov në Rusinë sovjetike, pati disidencë. Ky term lindi pikërisht aty prej shpirtit të poetëve, shkrimtarëve dhe gazetarëve që guxonin të rebeloheshin me qëllimin që t’i linin botës dëshmi, t’i linin brezave trashëgimi.

Në kulmin e censurës dhe përgjimeve, kur kishin veshë muret dhe rruga ku ecje, ku të denonconin miqtë e të afërmit, në Rusinë Sovjetike lindi letërsia dhe gazetaria klandestine, krijimtari që mësohej përmendsh apo kopjohej me dorë, sepse makinat e shkrimit ishin të regjistruara, dhe pastaj shpërndahej dorë më dorë e gojë më gojë, si një veprimtari e mirëfilltë disidente që gjallonte në mesin e një tiranie mizore.

Ky fenomen unik në llojin e vet do të quhej Samizdat (vetëbotim) për të sfiduar barbarinë e censurës sovjetike.

Disidenti i shquar rus Vladimir Konstantinovič Bukovskij, që kishte provuar tortura shnjerëzore në birucat e KGB në Lubyanka do të shkruante rreth Samizdat. «Ne nuk prisnim të fitonim, nuk kishim as shpresën minimale për një fitore. Por secili kishte të drejtë t’iu thosh bijve të tij: “Unë bëra gjithçka sa munda”.

Osip Mandelstam dhe gruaja e tij Nadezhda Mandelstam nuk patën fëmijë. Epigrami kundër Stalinit mbeti trashëgimtari i poetit dhe gruas së tij, si trashëgimi e mbarë njerëzimit. Të dy, burrë e grua, hoqën të zezat e ullirit. Nadezhda Mandelstamit pas internimit iu lejua të kthehej në Moskë vetëm në vitin 1964, 26 vjet pas vdekjes së Osipit. Në dy librat e saj me kujtime që do të botonte, ajo denoncon degradimin moral dhe kulturor të Bashkimit Sovjetik të viteve 1920 e më vonë dhe e lartëson figurën e Osip Mandelstam si të një martiri.

Osip Mandelstam në epigramin e tij e skaliti figurën e Stalinit si të një gjaksori paranojak, të cilit gjaku njerëzor i ngjante si ai i mjedrave.

Në nëntorin e 1933 Osip Mandelstam ua recitoi përmendsh epigramin miqve të tij të ngushtë, midis të cilëve edhe Boris Pasternakut and Anna Akhmatova-s. Në materialet e botuara rreth këtij takimi shkruhet se Pasternaku u trondit pa masë kur e dëgjoi. “Ajo që më reciton nuk ka të bëjë me letërsinë apo poezinë, ky nuk është një fakt letrar, por akt vetëvrasjeje që unë nuk e miratoj dhe në të cilin nuk dua të marr pjesë. Ju Osip nuk më recituat asgjë, unë nuk dëgjova asgjë dhe ju lutem të mos ia recitoni askujt tjetër.”
.
Megjithëse Osip Mandelstam nuk e hodhi në letër epigramin e tij therrës kundër Stalinit, dikush i shkroi dhe çoi vargjet në duart “me gishta të dhjamur krimba” të diktatorit. Një poezi me 16 vargje mjaftoi dhe për Osip Mandelstam nisi rruga drejt vdekjes. E arrestuan në majin e 1934 dhe e dënuan me vdekje.

Osip Mandelstam-it i dhanë Epigramin e Stalinit të shkruar. Ai mund të mos pranonte se ishte autori i saj, sepse poezinë nuk e kishte zbardhur kurrë në letër. Por ai e pranoi menjëherë se ishte e tija, pasi e shihte diçka të pamundur që një poet të mohonte veprën. “Unë jam gati të vdes – poezia është një fuqi sepse për të vritesh” i kishte thënë të shoqes më 1934. Nadezhda Mandelstam në dy librat e saj me kujtime shkruan “se Osip Mandelstam kishte zgjedhur formën e vdekjes së tij në respekt ndaj kulturës ruse për poezinë.”

Pas ndërhyrjes së Nikolai Bukharin-it, dënimi kapital iu zbut me internim bashkë me Nadezha Mandelstam-in për ta arrestuar prapë në majin e 1938 dhe internuar për në moskthim.

Për shkak të epigramit të Mandestam arrestuan edhe bashkëshortin e tretë të Anna Akhmatova studiuesin dhe shkrimtarin Nikolay Punin si dhe të birin e saj 22 vjeçar Lev Gumilev, të cilit do t’i shkonte pas për shtatëmbëdhjetë muaj rresht në burgun e Leningradit, nga ku do të merrte shkas të shkruante Requiem, një poemë monumentale kundër tiranisë staliniste.

Me Epigramin kundër Stalinit, Osip Mandelstam kishte firmosur vdekjen e tij. Syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur do të shkruante Noli në elegjinë kushtuar Luigj Gurakuqit. Syrgjyn gallë dhe syrgjyn vdekur do të mbesë edhe Osip Mandestam. Për viganin liberator do të ketë një varr, për poetin vigan nuk do të ketë as varr. Osip Mandestam do të vdiste në një nga Gulagët sovjetikë në Lindjen e Largme, më 27 dhjetor 1938, pak ditë përpara se të mbushte 47 vjeç. Nuk e kishte pranë as Shpresën e tij – në rusisht Nadezhda quhet shpresë. Ai mbeti edhe pa varr, eshtrat e tij humbën në një varrezë masive afër Vladivostokut, por jo Epigrami me talljen therëse të poetit kundër tiranit

Osip Mandestam jeton edhe pas nëntëdhjetë nëntorësh me Epigramin e mosbindjes kundër Stalinit, që i kushtohet gjithë autokratëve, diktatorëve, tiranëve, ku poeti iu mëson qytetarëve si të jetojnë të lirë.

Filozofi francez Éttienne de La Boétie thotë se “diktatorët dhe tiranët duken të mëdhenj e të gjatë kur ne gjunjëzohemi.” Epigrami kundër Stalinit është një grotesk politik që na bën ta mbajmë trupin drejt, të papërkulur e të pagjunjëzuar.

Osip Mandestam e shkroi Epigramin kundër Diktatorit në një ditë nëntori moskovit, ku vjeshta ishte e egër dhe e ashpër njëjtas si klima e terrorit stalinist. Është trashëgimia e tij e mosbindjes që na e la ne dhe brezave.

Prej atij nëntori deri te ky nëntor kanë kaluar 90 vjet. 90 vjeçar do të duhet të jenë edhe ato 16 vargjet e Epigramit të Osip Mandestam kundër Stalinit, por që nuk njohin as plakje, as syrgjyn dhe as vdekje.

Ndërkaq, sa i përket vjeshtës sovjetike kur janë shkruar këto 16 vargje, mjerisht, vitet kanë rrjedhur por vjeshta  ka mbetur e ngrirë në vend.

Më poshtë po ju sjell Epigramin kundër Stalinit të shqipërua prej meje.

Epigrami kundër Stalinit

 

Ne jetojmë pa e ndjerë tokën nën këmbë

 

Ne jetojmë pa e ndjerë tokën nën këmbë hije,
Bisedat tona s’mund të dëgjohen dhjetë hapa larg,
Dhe aty ku thuhet një gjysmë fjalie,
Duhet të përmendet kaukaziani i Kremlinit qoftëlarg.
Gishtat e tij të trashë të dhjamosur si krimba,
Fjalët e tij të sakta janë të rëndë kuintaloshë,
Mustaqet e tij qeshin me antena buburrecash
Dhe çizmet i shkëlqejnë lart e poshtë.

Rreth tij një turmë udhëheqësish qafëhollë,
i shërbejnë rreth e rotull gjysmënjerëzorë.
Disa fishkëllejnë, disa mjaullijnë, disa rënkojnë, rënkues,
Ai është i vetmi që i ndëshkon, ndëshkues
Si me patkua, dekretet i falsifikon u hyn në hak:
Disa i godet në ijë, disa në ballë, disa në vetull, disa në sy.
Sikur ha mjedra për çdo vrasje e gjak
Gjoksi i Osetianit vjen duke u fry e fry.

 

E shqipëroi Elida Buçpapaj

 

 

 

 

blank

Historia siç është bërë dhe jo siç e kanë fshirë- Nga SHABAN MURATI

1-Telegram i nënkonsullit të Austro-Hungarisë në Durrës, Von Rudnay, dërguar Ministrisë së tij të Jashtme:
Durrës, 27 nëntor 1912, Nr.6501, Tel.nr.152
Natën mes 26 dhe 27 (1912), tre krerë (pari) më dorëzuan mua, një dokument, (Një për Shkëlqesinë tuaj dhe një për Qeverinë italiane), lidhur me shpalljen e suksesshme të DEKLARATËS SË PAVARËSISË.
2-Telegram i nënkonsullit të Austro-Hungarisë në Durrës, Von Rudnay, dërguar Ministrisë së tij të Jashtme:
Durrës, 27 nëntor 1912, Nr.6645, Nr.Tel.156
Flamuri kombëtar shqiptar u ngrit nën brohoritje. Mutesarrifi u shkarkua. Hamid bej Toptani, governator i përkohshëm. Mitropoliti zvarrit ta njohë “QEVERINË E PËRKOHSHME”. Paria e vendit u doli serbëve përpara, mbi lëvizjen e tyre mungojnë njoftimet. Ata janë nisur prej Krujës.
3- Telegrami i Proklamimit të Indipendencës shqiptare, nga Lef Nosi në librin e tij ”Dokumente historike”, 1924:
Nr.13300, Durrës,13 Vjeshta e tretë 1328-1912 7.30 ora e ditës.
Popullit të ndershëm të qytetevet: Elbasan, Berat, Janinë, Gjinokastër, Lushnje, Korçë, Starovë, Vlonë, Përmet. Ju apim lajmen e gëzushme, se me hirin e të Naltit Perëndië, ndashti shpallëm indipendencën, n’emën të kombësiës sonë të shenjtë e të gjithë Shqipniës.
4- Gazeta “Taraboshi” e Shkodrës, 22 janar 1914:
Ismail Kemal Vlora më 27 nëntor 1912 e ngriti flamurin kombëtar shqiptar në ndërtesën e Qeverisë së Përkohshme në Durrës.
5-Gazeta britanike “Daily Telegraph” 27.11. 1912:
Flamuri kombëtar shqiptar u ngrit në Durrës më 27 nëntor 1912 dhe ka një shqiponjë të zezë dykrerëshe ne një fushë me ngjyrë të kuqe.
6- Gazeta austriake “Wiener Bilder” datë 1.12.1912: Udhëheqësi shqiptar Ismail Kemal bej, në krye të një asambleje nga paria, në Durrës shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë.
(Nga libri “”Historia e shtetit dhe së drejtës shqiptare” i historianit Prof.Dr.Eqrem M.Zenelaj, Prishtinë, 2016, fq.340-399)
7- “Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë në Durrës në 26 Nëntor 1912 mban firmat e Ismail Qemalit dhe të djalit të tij, të përfaqësuesve të parisë së Durrësit dhe të përfaqësuesve të tre konfesioneve fetare”.
-(Prof.Dr. Eqrem M.Zenelaj, “Diplomacia e Ismail Kemal Be Vlorës”, Prishtinë, 2013, fq.325).
8- Për Shpalljen e Pavarësisë në Durrës njoftohen po atë ditë me telegram shumë qytete të Shqipërisë dhe teksti i telegramit është ky:
“Ju njoftojmë lajmin gazmor se me mirësinë e lartë hyjnore tani e Shpallëm Pavarësinë në emër të kombësisë sonë të shenjtë e në emër të të gjithë Shqipërisë.
Ju bëjmë të ditur se nga memorandumet që kemi hartuar, një kopje ja kemi paraqitur Konsullatës Austriake, tjetrën Konsullatës Frenge e të tretën kopje Konsullatës Austriake si zëvëndëse e Konsullatës së lartë të Italisë”. (“Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj”. Botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Shtetërore të RPSSH, Tiranë, 1963, fq.28.)
blank

Historia që do të duhej të ndodhte…- Nga PËRPARIM KABO

Sot, më 25 nëntor, 2023, u mbushën 110 vjet nga lindja e shkrimtarit Petro Marko.
Ishte lajmëruar prej ditësh që kjo ditëlindje do të përkujtohej. Sektori i Bashkisë së Tiranës, që i pëlqen të vetëquhet “ i rekreacionit”, kishte bërë gati sheshin ku do të inagurohej busti i shkrimtarit të lirisë, këtij shpirti të bukur, që provoi mbi veten dhe mbi familjen të gjitha stuhitë, mosvlerësimin, internimet, burgosjen e tij dhe të djalit…, por ai nuk u dha, nuk u mposht, nuk u shit te pushteti. Megjithëse ditë me shi, banda frymore po luante sot marrshe luftarake dhe kamerat e stacioneve televizive, të rreshtuara si armët në llogore, po prisnin që t’ia nisnin punës me të mbërritur Ai… Aaaai, i pari…, i madhi i qytetit, Kryetari i Bashkisë, zoti Filimon…
Koha po kalonte, njerëzit në shi po e humbnin durimin…
Më në fund, nga një makinë luksoze, zbriti shefi. U afrua, dhe reporterët , sikur i pickoi grenza, iu vërsulën me mikrofonët , për të marrë intervistën…
Ne, ia nisi ai,- kemi një plan të madh për vlerësimin e figurave të shquara të kulturës dhe historisë, Petro Marko, etj, etj…
Pastaj ai hoqi mbulesën dhe u shfaq busti i tij. Flokët e derdhura, cigarja gjysmë e fikur në cepbuzë dhe ai shikimi i hedhur larg e një tis trishtimi…valzonte gjithçka.
Duartrokitje dhe një grup, krejt spontanisht, ia nisi të brohorasë: Petro Marko, Petro Marko,Petro Marko!Ashtu si në fillim të viteve 1990, kur rinia e asaj kohe shkoi poshtë dritares së shtëpisë së tij, atje, në fund të bulevardit “ Dëshmorët e Kombit”…
Pranë mikrofonit u afruan disa folës që lexonin ca tekste standarde dhe pa ndonjë frymë apo emocion… Shiu e shtoi vrullin dhe piklat përplaseshin mbi bronxin e bustit… Në atë çast u duk sikur busti përsëriti fjalët lapidare të shkrimtarit:” Kur erdha në jetë, bota ish në stuhi.Edhe kur ika nga kjo jetë, ajo ishte në stuhi…,
por , mesa duket edhe tani , në jetën e përtejme, shëmbëlltyra ime, derdhur në metal, do duhet të jetojë në stuhi…
Kjo histori nuk ndodhi , sepse askush nga pushtetarët nuk u kujtua për këtë 110- vjetor të lindjes së shkrimtarit Petro Marko. Institucionet ishin nisur për një pushim të gjatë, në drejtime krejt individuale…
Heshtja kishte mbuluar qytetin, kujtesën, dhe bashkia kishte në punë vetëm policinë që merrej me parkimet e parregullta dhe planin e gjobave…
Na fal, Petro Marko …! Historia tashti blihet e shitet, eh ti nuk ishe dhe nuk mund të jesh nga i llojë brumi i thartuar ! Ndaj ndjesë, por nuk mund të ketë njē bust për ty.
Jemi të turpëruar para teje Petro Marko.
P.Kabo. 25 nëntor, 2023.
blank

Shqipëria duhet të hapë konsullatë në Sanxhak dhe në Luginën e Preshevës!- Nga REFIK HASANI

Shqipëria ka obligim moral e kushtetues  të brengoset edhe për shqiptarët  jashta shtetit administrativ, ku shqiptarët në Serbia kan organizuar  Referendumin  e Krahinës së Sanxhakut, mbajtur më datën 25,26 dhe 27 tetor 1992.
Kurse përveqë  Referendumit të Krahinës Shqiptare në Serbi, mbajtur më datën 1 e 2 mars 1992, është edhe kryengritjen e armatosur ku përmesë Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit,është sakrificë e kësaj krahine për realizim të drejtës së këtij Referendimi.
Shqipëria, ende  nuk ka krijuar asnjë fondë, kurse Republika e Kosovës tani ka fondin për  Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Kurse të pa mbështetur mbesin shqiptarët në Sanxhak.
Publikisht apeloj se Shqipëria, është momenti  fundit  që të angazhohet seriozisht, dhe  të hap konsullatë si  në Sanxhak dhe në  Luginën e Preshevës, që kjo të ndihmonte mjaftë.
Konsullata shqiptare, do të duhej  të hapet në Luginën e Preshevës, para se të pësoj si Sanxhaku.
Këto dy  Krahina  jan Rajonet  më të pazhvilluara ekonomikisht dhe më të  diskriminuara në gjithë Evropën.
blank

Zef Deda, Mjeshtri i Madh – ti ke qenë, je dhe do të mbetesh Nder i Kombit! Nga Elida Buçpapaj

 

Kjo ndodh vetëm në botën shqiptare nën traumë, nën depresion nga pesha e regjimeve totalitare dhe tranzicionit  posttotalitar, ku shoqëria tërhiqet për kapistalli, kur ia shterrin energjitë për t’u rebeluar, në kërkim të lirisë dhe të një shteti demokratik të vlerave.

Edhe në rastin e aktorit të shquar Zef Deda, sot po përsërisin të gjithë “Mjeshtri i Madh” dhe po rreshtojnë të gjitha, a nuk është shumë vonë,  talentin, vlerat dhe meritat e Zef Dedës, i cili në kulmin e diktaturës, i fshiu të gjitha barrierat e retushimeve, censurës dhe autocensurës dhe na bëri të qeshnim me artin e një gjeniu që e krahasojnë me të drejtë me Charlie Chaplinin. Charlie Chaplini shqiptar, me tiparet e hallet shqiptare, që arriti t’i kalonte kufijtë dhe izolimin duke i shërbyer shqiptarëve në vendin e tij.

Por nëse Zef Deda i theu barrierat e shtetit diktatorial dhe na bëri të qeshnim, se edhe e qeshura ishte nën kontroll, e trishtueshme është se gjatë postdiktaturës, tranzicionit 32 vjeçar në ekranet e televizioneve vendin e estradës dhe aktorëve të shquar komikë e uzurpuan politikanët, opinionistët dhe shpura e tyre, shkak edhe që depresioni i shoqërisë shqiptare veç rritet. Nëse skena e cirkut kolkozian e politikës do ta zëvendësohej me skenën e aktorëve tanë të shquar, kemi patur një elitë aktorësh për çdo skenë të botës së qytetëruar, Zef Deda patjetër do të gjente mënyrën për t’iu thënë shqiptarëve “çonju shqiptarë nga gjumi çonju”! Për këtë arsye  e gjithë elita e artistëve përfshi edhe akttorët e humorit u zhduk nga skena, duke iu hequr e drejta shoqërisë shqiptare që të qeshë! Tani i marrin aktorët nëpër konferenca si dekor, si qyqanë! Skena politike për aktorët është vdekja e tyre. Ata duan lirinë e skenës së madhe të publikut! Rrënuesi i Teatrit Kombëtar, që për fatalitet kombëtar prej 1997 është ulur në kolltukun e Ministrit të Kulturës, atë të kryetarit të bashkisë më të madhe të vendit, është kryetar mavrie i mavisë dhe kryeministër duke postuar një foto me Aktorin e Madh bënte ngushëllimin e rradhës duke e ngritur në apoteozë hipokrizinë dhe cinizmin.

Është një gjëmë për kulturën shqiptare e dyfishtë se Zef Dedën e lanë jashtë skenës për 32 vjet tranzicion dhe se tani e qajnë me lot krokodili!

Qajnë me lot krokodili Mjeshtërin e Madh! Po përse vetëm Mjeshtër i Madh!

Zef Deda i dha kulturës shqiptare dhe shoqërisë shqiptare atë që ajo kishte nevojë, ironinë, të qeshurën, talljen, sarkazmën. Dalja në ekranin e vogël të televizorit e Zef Dedës mezi pritej, sepse shqiptarët e dinin se Zef Deda do t’i ngrinte peshë, që ata të qeshnin me shpirt. “Një ditë pa qeshur është një ditë e humbur e jetës”, thosh Chaplini. E qeshura e largon dimrin nga fytyra e njerëzimit, thosh Hygoi. Nën dimrin diktatorial komunist Zef Deda i jepte jetë kombit të tij.

Në një vend të izoluar, të mbyllur e të harruar Zef Deda me artin e tij na bëri të ndiheshim gjallë. Prej asaj kohe Zef Deda kishte hyrë në Panteonin e Nderit të Kombit. Ndërsa dëbimi i Zef Dedës për 32 vjet të tranzicionit nga skena shqiptare është krim.

Tani që i madhi Zef Deda ka marrë rrugën për tek Zoti, rrjeti social gëlon nga fotot ku kanë dalë me Artistin e madh të Skenës Shqiptare të Humorit, por asnjë kryepartiak apo lider nuk e propozoi se iu duk sakrilegj që Zef Deda të nderohej në gjallje me të gjitha nderet e shtetit shqiptar, duke nisur nga dekorata si Nderi i Kombit, sepse Zef Deda i shërbeu Kombit të tij.

Ndërkohë titullin e Nderit të Kombit e kanë plot kallamkusure, personazhe groteske, askusha, hiça, që pa dyshim Zef Deda do t’i tallte, do t’i kthente në personazhe estradeske me skeçet dhe humorin e tij, por nuk e lanë, ia vodhën edhe skenën barbarisht duke i mbushur programet televizive me injorancë, vulgaritet, banalitet, trash, idiotësira si malli i duhur për të shparë dhe e lënë të fjetur në gjumë të thellë trurin e popullit shqiptar! Sepse politika shqiptare, që identifikohet vetëm me pushtetin e krijuar jo prej kontributeve  por si zvarritje që i bën shqiptarëve prej 32 vitesh i tutej të madhit Zef Deda!

 

 

blank

Edi Rama sfidon me Diana Çulin Kishën Katolike Shqiptare dhe diasporën Nga Elida Buçpapaj

Në prag të Samitit të tretë të Diasporës, që është ide direkte e kryeministrit të Shqipërisë për ta transformuar edhe diasporën një copy paste nën thundrën e qeverisjes së tij, pikërisht më 21 Nëntor në një konferencë për shtyp, imzot Angelo Massafra, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, paraqiti një kërkesë në emrin e Kishës Katolike Shqiptare drejtuar tre institucioneve më të rëndësishme të shtetit përkatësisht kryeministrit, presidentit dhe kryetares së parlamentit të Shqipërisë për të dënuar ligjërisht si një krim apologjinë e komunizmit.

Megjithëse Shqipëria ka përjetuar një nga diktaturat më të egra staliniste, deri sot nuk është ndërmarrë asnjë veprim ligjor që të dënojë krimet e diktaturës komuniste dhe përgjegjësit e tyre. Trashëgimtarët biologjikë dhe politikë të sistemit komunist vijojnë rrugën e etërve, ata kanë uzurpuar pushtetin politik, ekonomik dhe të gjitha frenat e shtetit, ndërsa viktimat mbetën pa drejtësi, një pjesë e madhe e tyre pa varre. Kurse populli shqiptar ka marrë ikën.

Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s, udhëhiqet prej një autokrati lunatik, që ka krijuar një Shqipëri vetëm për superstrukturën me rrënjë nga diktatura, për rrjetin klientelist e nepotik të paguar shumë mirë, për militantët dhe administratën. Shteti i tij i ngjan një Famiglia allargata kur bëhet bilanci i pjesës më të madhe të bashkëpunëtorëve të tij, të dënuar apo në kërkim për korrupsion apo lidhje me malavitën.

Përse ka ndodhur ky degradim? Përse Shqipëria po shkon drejt një sistemi mafioz?

Edi Rama tashmë ka shumë miq në Perëndim që i favorizon, ndërsa fondet, projektet dhe miliona Eurot se si shpërndahen në Shqipëri e jashtë saj nuk guxon asnjë gazetar t’i hulumtojë apo investigojë, me të cilat Edi Rama paguan me kusht klientët dhe tentakulat. Për gazetarët që tentojnë të hulumtojnë ngrihen padi për shpifje.

Sot kur problemi i refugjatëve është kthyer një mollë sherri për shtetet kryesore me të cilat identifikohet Perëndimi, Edi Rama është gati ta kthejë Shqipërinë një kamp refugjatësh të rrethuar me tela me gjemba, mjafton që Perëndimi të mbylli sytë e veshët përpara shkeljeve dhe abuzimeve që autokrati përdor për të mbajtur me çdo kusht pushtetin, sikur në diktaturë, kur Perëndimi e kishte hequr nga harta dhe kishte harruar fare ekzistencën e Shqipërisë. Nga njëra anë Edi Rama do ta bëjë Shqipërinë kamp refugjatësh të rrethuar me tela me gjemba, ndërsa nga ana tjetër po e shpopullon drastikisht duke e bërë vendin të pabanueshme për shqiptarët që nuk mendojnë si ai dhe që nuk pranojnë t’i nënshtrohen rregullave të kastës.

Por një nga shkaqet kryesore përse Shqipëria po shkon veç tatëpjetë është se klasa politike nuk e kreu dekomunistizimin, sikur në Gjermani ndodhi denazifikimi. Nuk u hapën dosjet, sikur u hapën dosjet e Stasi-it, nuk u rehabilituan viktimat, nuk u denoncuan moralisht eksponentët që i shërbyen regjimit kriminal, jo vetëm kaq por postdiktatora i ka bërë apologji komunizmit.

Prandaj ka reaguar edhe Kisha Katolike Shqiptare përmes Imzot Massafrës, me prejardhje arbëreshe. Kulmi i hipokrizisë së Edi Ramës është se i dedikon një ditë të tërë Samitit të tretë Arbëreshëve dhe nuk e merr aspak në konsideratë letrën e një arbëreshi. Sepse pikërisht më 22 Nëntor, një ditë pas letrës së Imzot Massafrës, ne pamë të gjithë se si Edi Rama kishte zgjedhur Diana Çulin, si përfaqësuese të elitës së tij për t’i dorëzuar Shqiponjën e Artë Dritan Abazoviçit. Diana Çuli dihet se gjatë diktaturës në rolin e ekspertes me akt-ekspertizen e saj çoi përpara skuadrës së pushkatimit poetin Genc Leka.

Ta kthesh Diana Çulin një ikonë të TV, të komisioneve të çmimeve elitare të kulturës a nuk është shprehje e hapur e apologjisë së komunizmit?!

Duke e mbajtur Diana Çulin në epiqendër, si një personalitet të nderuar të shtetit shqiptar dhe duke e ngjitur dje në skenën e Samitit të tretë të Diasporës, kur publikisht dihet se firma e saj ka bërë që të vritet një njeri i pafajshëm , Edi Rama e sfidon jo vetëm diasporën e vërtetë, por e sfidon edhe Klerin Katolik Shqiptar kundër të cilit diktatura ka kryer krime monstruoze.

Edi Rama, pasi mori më 21 Nëntor letrën e firmosur nga imzot Angelo Massafra si kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, letër e cila u botua edhe në gjithë shtypin shqiptar, ku kërkohej nga Ipeshkvijtë e Shqipërisë një ligj për dënimin e apologjisë së komunizmit, kishte kohë të mjaftueshme që të bënte një korigjim në skenarin e programit të datës 22 Nëntor të Samitit të Diasporës dhe Shqiponjën e Artë Dritan Abazoviçit t’ia dorëzonte dikush tjetër në vendin e Diana Çulit. Por Edi Rama nuk pyeti fare për kërkesën në fjalë dhe vijoi me stilin e njohur, ku arroganca, cinizmi, sadizmi i shoqëruar me egërsi të fytyrës dhe të xhesteve i dominon arsyen.

Edi Rama nuk njeh arsyen, Edi Rama njeh veç pushtetin e tij. Për pushtet ai është i gatshëm t’i bëjë të nëntëdhjetë e nëntat popullit të tij dhe kundërshtarëve që i sheh si pengesë në rrugë. Nuk njeh Zot Edi Rama, zot ai e konsideron veten, prandaj e hypi Diana Çulin në podium për të na sfiduar të gjithëve, diasporën e vërtetë dhe Ipeshkvijtë e Shqipërisë që kërkojnë ligj për dënimin e apologjisë së komunizmit.

“”Mos harroni”, kujtoi Radio Vatikani, duke komentuar letrën e nëshkruar nga imzot Angelo Massafra, apelin e vitit 1993 të Papa Vojtilës gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri, kur ne si popull sapo kishim dalë nga tmerret e komunizmit dhe kujtesa ishte ende e gjallë dhe e fuqishme, ndërsa tani vazhdon më tutje Radio Vatikani, pas 30 vitesh, dëshmitarët e asaj periudhe shuhen ngadalë, ndërsa brezi i ri, përveç dëshmisë së prindërve, ka pak mjete në dispozicion për të “mos harruar”. Nga kjo premisë niset edhe Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë që e ndien për detyrë t’u drejtohet institucioneve të Shqipërisë me kërkesën e qartë për të ndaluar apologjinë e komunizmit.”

Në fakt, kërkesa e Papa Vojtilës “Mos harroni, që të mos përsëritet më” është zëvendësuar me zhdukjen e kujtesës, në shërbim të rehabilitimit të persekutorëve si dhe duke hapur rrugën e karierës në nivelet më të larta të shtetit trashëgimtarëve gjenetikë dhe politikë të nomenklaturës komuniste.

Janë ndërmarrë inisiativa nga Vaclav Havel dhe ish Presidenti i Gjermanisë Joachim Gauck, janë nëshkruar deklarata e dokumenta ku krimet e komunizmit dënohen si krime kundër njerëzimit njëjtas me krimet e naziste, por Shqipëria ka mbetur jashtë. Shqipëria nuk ka Shoah-un e saj, nuk ka kujtesë, përkundrazi ka amnezi kolektive ndaj krimeve të komunizmit dhe apologji ndaj komunizmit.

Me stilin e tij arrogant i përgjigjet Edi Rama edhe kërkesës së Kishës Katolike Shqiptare, duke e sfiduar, si një shpërdorues i pushtetit e duke ngjitur në skenën e Samitit të tretë të Diasporës Diana Çulin, me firmën e së cilës diktatura vrau një poet. Të çosh në tribunën e Samitit të tretë të Diasporës Diana, Çulin Edi Rama në mënyrë të hapur, të pakamufluar i bën apologji sistemit diktatorial.

Si gazetare kam patur rastin dhe nderin të takohem me Papa Vojtilën, një nga figurat më të shquara që dha kontribut të jashtëzakonshëm për rrëzimin e diktaturës komuniste  dhe me këtë rast i lutem Kishës Katolike Shqiptare t’i bëjë apel popullit shqiptar, që të mos e lëshojë më Atdheun, as të mos e lejojë që të kthehet një kamp refugjatësh me tela me gjëmba por me mjete demokratike ta kthejë Shqipërinë një vend me sistem demokratik.
———————

RV: Ipeshkvijtë e Shqipërisë kërkojnë ligj për dënimin e apologjisë së komunizmit

 

blank

KËRKOHET DËNIMI I “KRIMIT TË APOLOGJISË” SË KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI- Nga Frank Shkreli

Në Asamblenë e Përgjithëshme të saj, Konferenca  Ipeshkvnore e Shqipërisë, mbajtur javën e kaluar me 15 Nentor, miratoi një kërkesë e cila u njoftua për median dje të martën nga Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Arkipeshkëvi Metropolit Shkodër-Pult, i Përndershmi Angjelo Massafra, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe Kryeministrit të vendit – që të shqyrtojnë seriozisht dënimin me ligj të dukurive të “krimit të apologjisë” të komunizmit në Shqipëri –siç e quajnë udhëheqsit e Kishës Katolike në Shqipëri fenomenin e shfaqjeve nostalgjike për ish-regjimin komunist dhe liderin e saj Emver Hoxhën, në Shqipëri.

Përfaqsuesit më të lartë të Kishës Katolike në Shqipëri, konstatojnë, ndër të tjera se, “Që nga veriu në jug ka rikthime të herpashershme të neo-komunizmit dhe forma të ndryshme të lartësimit të ish-diktaturës komuniste të cilat fyejnë ata që kanë vuajtur dhe shkaktojnë përplasje…”. Ata shprehin shqetësimin e tyre duke konstatuar gjithashtu se disa televizione në Shqipëri, “paraqesin ende filma të prodhuar nga diktatura, të cilët, për pasojë mbajnë gjallë komunizmin dhe “injektojnë” pak nga pak, parimet e diktatorit, brezit të rij.” Si vërtetim të shqetësimeve të tyre serioze, klerikët e lartë të Kishës Katolike në Shqipëri, në thirrjen e tyre për dënimin me ligj të “krimit të apologjisë”, theksojnë se, “librat e historisë nuk thonë të vërtetën mbi komunizmin në Shqipëri”, ndërsa kujtojnë se, “në vende turistike shiten objekte/suvenris të diktatorit dhe i ngrenë lavde atij.”

Në dokument thuhet se, në mbështetje të mësimeve të “parimeve ungjillore dhe në Magjisterin e Kishës – Kisha Katolike “ndjenë detyrën të denoncojë të keqen kudo që paraqitet dhe të shmangë përhapjen e saj me çdo mjet moral që ka në dispozicion”, të saj.

Prandaj, udhëheqsit e lartë të Kishës Katolike të Shqipërisë e konsiderojnë si, “urgjente vendosjen e drejtësisë shoqërore, si garanci për paqën dhe vëllazërinë mes njerëzve”, në Shqipëri, duke u kërkuar autoriteteve institucionale më të larta ligjbërse dhe ligjzbatuese në atë vend – që, “Të miratohet një ligj i cili të parashikojë krimin e apologjisë së komunizmit njësoj si vendet e evropiane dhe që parashikojnë sanksione të rënda për krimin e nazizmit dhe të fashizmit…”. Kisha Katolike në Shqipëri kërkon edhe që, “Librat e historisë të shkruajnë të vërtetën e komunizmit në Shqipëri… dhe që burgjet dhe vendet e torturës të ruhen si muze…”, për brezat e ardhëshëm.

Janë këto disa prej kërkesave të ipeshkvijve katolikë në Shqipëri që gjatë dekadave janë paraqitur nga instanca të ndryshme si projekt-rezoluta, por që për një arsye ose tjetër – asnjëra prej dy partive kryesore politike të Shqipërisë — socialistët dhe demokratët — që kanë qeverisur Shqipërinë për tre dekada “post-komunizëm – nuk kanë gjetur forcën morale as politike për t’i miratuar ato rezoluta me forcën e ligjit dhe në përputhje me vendimet e ish-vendeve të tjera komuniste në Evropë gjatë tre dekadave pas shembjes së Murit të Berlinit.. Gjatë viteve, në mënyrën më modeste jam përpjekjur me disa dyzina artikujsh ta kujtoj në vëmendjen e publikut subjektin e krimeve të komunizmit në atë vend, një çështje kaq me rëndësi për drejtësinë dhe paqën shoqërore në Shqipëri, që nuk po gjenë as paqë as drejtësi shoqërore dhe politike midis grindjeve dhe mosmarrveshjeve ndër-shqiptare për më shumë se tri dekada, “post-komunizëm. Është vështirë të arrihet paqa dhe drejtësia shoqërore dhe politike pa dënimin zyrtar të krimeve të komunizmit të regjimit komunist-enverist dhe pa distancimin nga e kaluara komuniste, pasi Shqipëria, siç thekson edhe
Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë në deklaratën e tyre drejtuar autoriteteve më të larta të vendit – ndryshe nga vendet e tjera evropiane ish-komuniste – Tirana zyrtare nuk është distancuar, zyrtarisht, nga e kaluara e saj terroriste komuniste. As nuk është përballur, seriozisht, me të kaluarën e saj të mjeruar komuniste.

Tirana zyrtare, deri sot, nuk ka dënuar zyrtarisht, krimet e regjimit barbar komunist të Enver Hoxhës.

Dhe Kuvendi i Shqipërisë nuk ka caktuar ende një ditë zyrtare përkujtimore, kushtuar viktimave të komunizmit në Shqipëri, ashtu siç kanë bërë vendet ish-komuniste të Evropës.

Prandaj, është për tu mirëpritur nga të gjithë shqiptarët vullnetirë mirë dhe pa dallime politike, kërkesa e Konferencës Ipeshkvënore e Shqipërisë, që autoritetet shqiptare ta konsiderojnë miratimin e kësaj kërkese me seriozitetin më të madh, për sigurimin e paqës dhe të drejtësisë dhe në të mirën e Shqipërisë dhe të Kombi shqiptar në përgjithësi.

Për fat të keq, kam drojë se është tepër vonë për të bërë ndonjë ndryshim në lidhje me këtë çështje, pasi e keqja po fiton. “Nostalgjikët e komunizmit” — për të cilët jep alarmin Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë, në deklaratën e ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë, janë tanimë ftiues dhe nuk do të heqin dorë nga nostaligjia e tyre për komunizmin dhe diktatorin Enver Hoxha dhe a as nuk do të dënojnë krimet e komunizmit, siç ka bërë mbarë bota e qytetëruar.

Nostalgjikët e komunizmit në Tiranën zyrtare gjënden kudo në nivelet më të larta të drejtësisë, qeverisë e të shtetit dhe deri në detyrat më të ulëta të qeverisje qendrore edhe vendore. Ata tanimë i kanë futur rrënjët aq thellë sa që atyre nuk u intereson të përballen me krimet të diktaturës komuniste. Unë nuk pres që klasa e sotme politike nuk është e interesuar të dëgjojë e të miratojë, jo se jo, thirrjet e Kishës Katolike që autoritetet të diskurajojnë lavdet e nostalgjikëve komunistë ndaj personave dhe shitjen e simboleve të regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës neper rrugë e dyqane.

Për fat të keq, realiteti është ky: Nëqoftse udhëheqsit e Kishës Katolike të Shqipërisë konstatojnë se “nostalgjikët e komunizmit” përbëjnë sot një problem serioz për drejtësinë dhe paqën në Shqipëri – atëherë unë kam drojë se thirrja e tyre është tepër vonë. Sidomos, nëqoftse nuk mbështetet edhe nga përfaqsues të besimeve të tjera dhe të shoqërisë në përgjithësi. Megjithë vullnetin e mirë dhe përgjegjësinë morale, qytetare e shpirtërore të thirrjes së përfaqsuesev të lartë të Kishës Katolike shqiptare, unë besoj se treni për të luftuar influencën e “nostalgjikëve të komunizmit” në Shqipëri e ka lenë stacionin tre dekada më parë.

E keqja e këtij fernomeni shkatërrimtar për Shqipërinë dhe shqiptarët, ka fituar tanimë në Shqipëri me përpjekjet e hapëta zyrtare për përjetësimin e komunizmit dhe të simboleve të tij. Kjo ka ndodhur me bekimin e autoriteteve të qeverive “demokratike” shqiptare të 30-viteve të kaluara dhe me heshtjen e ndërkombëtarëve ose me mbështetjen e hapur të diplomacisë perëndimore të
“nostalgjikëve të komunizmit shqiptar” dhe politikave të tyre në nivelet më të larta të Tiranës zyrtare. E kam thënë shpesh se as përfaqësuesit diplomatikë të vendeve demokratike perëndimore në Tiranë gjatë 30-viteve të fundit, nuk mund të anashkalojnë përgjegjësitë e tyre në lidhje me fenomenin e krijuar të nostlagjikëve të komunizmit në nivelet më të larta të qeverisë dhe shtetit shqiptar. Kërkesa e ipeshkvijve katolikë shqiptarë duhet të ketë mbështetjen edhe të ndërkombëtarëve perëndimorë në Tiranë që edhe nga ana e tyre, t’u bëjnë thirrje autoriteteve të Tiranës që të miratojnë kërëkesat e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë për ligje të forta për dënimin e “krimeve të apologjisë” dhe të simboleve komuniste në Shqipëri.

blank

PËRUROHEN PUNIMET NË KISHËN E KUVENDIT TË ARBËRIT NË AFËRSI TË LEZHËS- Nga Frank Shkreli

Sipas nismëtarit të këtij projekti të madh por edhe shumë  të tjerave në ato anë, Dom Nikë Ukgjinit dhe bazuar në informacion nga rrjetët  sociale, të shtunën me 18 Nëntor, 2023 në Mërci të Lezhës u zhvillua ceremonia e  përurimit të punimeve në Kishën e Kuvendit të Arbërit. Ky Kuvend Kishtar  Arbëror është mbajtur aty me 14 e 15 Janar, 1703, i organizuar me porosinë nga
Papa shqiptar, Klementi i XI – Albani.

Nën përkujdesjen e të palodhoshmit Dom Nikë Ukgjinit, të shtunën u zhvillua  ceremonia e përurimit të punimeve përfundimtare — në Kishën e Shën Gjonit ku  320-vite më parë është mbajtur Kuvendi Arbërit në Mërci të Lezhës — punime të  cilat kanë filluar kohë më parë për rehabilitimin e kësaj kishe historike – me vlera  të mëdha fetare e kombëtare për të gjithë shqiptarët pa dallim – të rëndësishme për  mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe ruajtje së gjuhës shqipe.

Përurimi i punimeve të shtunën që kaloi në Kishën e Shën Gjonit – Kishën e  Kuvendit të Arbërit, është një tjetër projekt i përfunduar në rrethin e Lezhës, nën  përkujdesjen e Dom Nikë Ukgjinit, Në ceremoninë e përurimit morën pjesë  personalitete kishtare dhe vendore nga Shqipëria, Kosova por edhe nga vende të  largëta si Dalmacia, Kroacia, Bosnja e Mali i Zi. Nga trojet shqiptare dalloheshin,  ndër pjesëmarrsit në këtë aktivitet, Arkipeshkvi i Shkodrës, Angjelo Massafra,  Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, Ipeshkvi i Tivarit, Rrok Gjonlleshaj, Ipeshkvi i  Lezhës, Ottavio Vitale, si dhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, klerikë,  intelektualë e historianë nga Shqipëria e Kosova. Pjesëmarrësit që folën me këtë  rast, me të drejtë, vlerësuan lartë punën dhe mundin e Dom Nikë Ukgjinit, jo vetëm për realizimin e këtij projekti, por edhe shumë të tjerëve, në përpjekjet e tija të  vazhdueshme për të ruajtur dhe mbrojtur atë trashëgimi qindra-vjeçare fetaro-
kombëtare, që ende mund të shpëtohet nga shkatërrimi prej njerëzve dhe prej  natyre.

Realizimi i këtij projekti – përurimi i punimeve të shtunën i këtij monumenti të  rëndësishëm për identitetin, gjuhën dhe klutuurën shqiptare – është meritë e Dom  Nikë Ukgjinit me disa bahkpuntorë të tij të ngushtë e që kanë vazhduar t’a  mbështesin me mundësitë e tyre, në ringritjen e këtyre objekteve kulturoro-fetare  në atë zonë – të cilat janë dëshmi e gjallë e vazhdimsisë së identitetit kombëtar e  fetar të shqiptarëve në ato anë, prej shekujsh. Objekte këto, të cilat, ishin lenë pas  dore nga ish-regjimi komunist – bazuar në ideolgjinë e tij anti-fetare dhe anti-
kombëtare — por edhe nga qeveritë post-komuniste të 30-viteve të fundit, objekte  të harruara dhe lenë në mëshirë të fatit – një praktikë kjo anti-kombëtare që  vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe që po kontribon në zhdukjen e trashëgimisë  kulturore të mbi-dheshme dhe nën-dheshme, si dhe identitetit historic kombëtar të  shqiptarëve në ato anë. Por falënderës Zotit për shqiptarë të mirë e të palodhun,  patriotë si Dom Nikë Ukgjini me bashkpuntorët e tij, i cili po mundohet të shpëtoj  atë që mund të shpëtohet me mjetet e tyre të kufizuara materiale e financiare për  rehabilitimin dhe ruajtjen e këtyre vendeve të shënjta, me rëndësi për historinë e  asaj zone dhe mbarë trojeve shqiptare në Ballkanin Përendimor. Duhet t’i jemi  mirënjohës Dom Nikës dhe të gjithë atyre mbështetsve të tij, si Gjergj Liqejza,  Viktor Jushi e të tjerë, që sipas të dhënave, i janë bashkuar Dom Nikës në këtë  mision të shënjtë me vlerë historike, fetare e kombëtare.

Pak të dhëna për të venë në njëfarë perspektivë historike rëndësinë që kishte në atë  kohë mbajtja e Kuvendit të Arbërit dhe për rëndësinë e trashëgimisë identitare  fetare dhe kombëtare që ka ose që duhet të ketë sot për të gjithë shqiptarët pa  dallim. Në një artikull botuar nga Radio Vatikani me 14 Janar, 2019 flitet për  kushtet dhe rrethanat shumë të vështira nën të cilat  është mbledhur Kuvendi apo  Koncili i Kishës Katolike i trojeve shqiptare në atë kohë – përball sfidave dhe  problemeve të mëdha që perandoria osmane kishte imponuar mbi jetën dhe  veprimtarinë e Kishës Katolike shqiptare, 320-vjetë më parë.

Kuvendi Kishtar i  Arbërit u mor me të gjitha ato probleme të rënda që përjetonte çdo ditë fisi i  shqiptarit, e sidomos përballimi me rrezikun e humbjes së identitetit kombëtar dhe  zhdukjen e gjuhës shqipe dhe të drejtave fetare.   Si rrjedhim, përveç gjendjes së mjeruar fetare në viset e Arbërisë, Kuvendi Kishtar  i Arbërit i vitit 1703, ka shqyrtuar, ndër të tjera, sipas atij artikulli, kufizimet e  rënda të imponuara nga okupimi Osman mbi shqiptarët e që kërcënonin seriozisht  identitetin kombëtar dhe fetar të shqiptarëve – dy çeshjte këto me rëndësi e që u  mbrojtën si jetike për mbijetesën e shqiptarëve si Komb me identitetin e tij të  veçant kombëtar e fetar.

I një rëndësie të veçantë historike, sipas historianëve dhe  gjuhëtarëve, është botimi në gjuhën shqpe i punimeve të Kuvendit të Arbërit – që  konsiderohet si i pari botim shqip, të pakën deri tani i akteve kishtare sinodale në  gjuhën shqipe nga një takim i atij niveli të lartë, 320-vjet më parë, sipas artikullit  në fjalë.

Shkrimtari e studiuesi Tonin Çobani në një vlersim të librit të shkrimtarit e  historianit të ndjerë nga Kosova, Engjell Sedaj: “Papa shqiptar Klementi XI-Albani & Kuvendi i Arbënit”, botuar më 1998 nga Ndërmarrja botuese “Gjon Buzuku”,  citon autorin Sedajn të ketë shkruar në librin e tij se Kuvendi i Arbërit është një  “Kujtesë e dokumentuar dhe  e pashlyeshme e historisë së popullit shqiptar në dimensionet më të gjëra të jetës së tij.”

Urime Dom Nikë Ukgjinit dhe të gjithë atyre që e mbështetën atë në këtë përpjekje të suksesshme — që me mund e mbështetje të mëdha financiare, fizike e mendore,  më në fund ia dolën: që me ceremoninë e përurimit të punimeve në Kishën e  Kuvendit të Arbërit, të shtunën që kaloi, Dom Nika me bashkpuntorët e vet,  përjetësuan këtë, “Kujtesë të dokumentuar dhe të pashlyeshme të historisë së  popullit shqiptar në dimensionet më të gjëra të jetës së tij”, duke e kthyer këtë  Monument të historisë së Kombit shqiptar – Kishën e Kuvendit të Arbërit — në  identitetin e saj origjinal, duke ndriçuar kështu sadopak errësirën shekullore të  historisë së kaluar të Kombit shqiptar, jo vetëm për brezat e tanishëm dhe të  ardhëshm të shqiptarëve, por edhe për të huajt.

 

blank

Dom Nikë Ukgjini nismëtari dhe organizator i rinovimit dhe punimeve në Kishën historike katolike të Shën Gjonit afër Lezhës ku është mbajtur Kuvendi i Arbëri t ( 320-vjetë më parë – Janar 1703) nën përkujdesjen e Papës me origjinë shqiptare, Klementit të XI-Albani
blank

Arkiv-Paralajmërimi profetik i Presidentit George H.W. Bush-Sa herë që rreth Kosovës vërtiten re të zeza kërcënimi Nga Elida Buçpapaj

Botuar së pari më 2018

We know what works. Freedom Works. We know what’s right. Freedom is right.
George H.W.Bush

Konflikti në Kosovë, i fundit në ish-Jugosllavi, do të shpërthente në marsin e vitit 1998.

Sllobodan Milosheviçi, atëherë presidenti i Serbisë e kishte  harruar letrën që kishte marrë nga Presidenti i 41 i SHBA!

Kishte bërë sikur të themi,  se nuk është gjë që harrohet kur merr letër nga Presidenti i SHBA!

Presidenti George H.W.Bush ia kishte dërguar Sllobos më 25 Dhjetorin e vitit 1992, ditën e Krishtlindjeve!

Që ky ta varte vëth në vesh!

Se të dërgosh e të marrësh letra më 25 Dhjetor nuk është gjë normale, se nuk ishte letër urimi, pra letra përcillte një simbolikë diplomatike në ngjyrë portokalli, dmth shumë sinjifikante, shprehëse!

Pasi 25 Dhjetori është holiday, festë fetare, ditë festimesh dhe ditë pushimi.

Ditë pushimi edhe për Presidentin e SHBA apo të Serbisë!

Presidenti George H.W.Bush e dërgoi këtë letër në Ditën e lindjes së Krishtit, kur shpirti njerëzor reflekton i paqtë për paqe!

E dërgoi gjithashtu si kambanë alarmi, si një letër e jashtëzakonshme për të parandaluar veprime të jashtëzakonshme, sikur është lufta dhe pasojat e tmerrshme që rrjedhin prej saj!

Prandaj kjo letër njihet edhe me konotacionin epik “paralajmërimi i Krishtlindjeve”,  pasi zakonisht për Krishtlindje bëhen vetëm urime!

Ndërsa më 25 Dhjetorin e 1992 Presidenti i SHBA George H. W. Bush në letrën që i drejonte Milosheviçit i tregonte “vijën e kuqe” !

Nëse Slloboja do ta shkelte këtë vijë të kuqe, sikur edhe e shkeli, do ta pësonte sikur e pësoi!

Letra e Presidentit George H.W. Bush ishte një paralajmërim profetik!

Por Milosheviçi e zhvleftësoi vlerën e atij paralajmërimi, se për ta harruar nuk ishte gjë që mund të harrohej, bile Sllobos sa herë që vinte festa e Krishtlindjeve i kujtohej ai paralajmërim, që do t’i kushtonte shumë shtrenjt!

Në këtë letër historike, nisur më 25 Dhjetorin e vitit 1992, Presidenti George H.W. Bush do t’i shkruante Presidentit të Serbisë:

“In the event of a conflict in Kosovo caused by Serbian action, the United States will be prepared to employ military force against the Serbians in Kosovo and in Serbia proper.”

Që shqip do të thotë: ” Në rast të konfliktit në Kosovë të shkaktuar nga pala serbe, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të përdorin forcë ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbi. ”

Sikur e tregoi koha “vija e kuqe” dhe “paralajmërimi i Krishtlindjeve” funksionoi pikë për pikë! Bash sikur e shkroi Presidenti i 41-të i SHBA!

Kur nisi spastrimin etnik dhe genocidin në Kosovë në marsin e 1998 Slloboja kujtoi se tashmë në Shtëpinë e Bardhë kishte ardhur një tjetër President!

Kujtoi shumë gabim!

Dhe do të gabojnë rishtas kush do të kujtojë se tashmë meqë George H.W.Bush nuk jeton më, paralajmërimi i tij profetik po ashtu nuk jeton!

Ishte konservator Presidenti George H.W.Bush, tetë vjet kishte shërbyer si zvpresident i Ronald Reagan, i një tjetër konservatori, burrashteti nga ata që sot i mungojnë SHBA, por vepra e tyre është beton në themelet SHBA për të mbrojtur rrënjët e lirisë dhe idealeve për demokraci!

Sepse e ardhmja është e lirisë jo e luftës, pikërisht ashtu si e përcaktonte vetë Presidenti George H.W.Bush kur thosh:  “Ne e dimë se çfarë funksionon! Liria funksionon! Ne e dimë se çfarë është e drejta! Liria është e drejta! – We know what works. Freedom Works. We know what’s right. Freedom is right.
/Botuar për herë të parë më 2018, kur Kosova rrezikohej nga trekëndëshi Rama-Thaçi-Vuçiç

blank

Kurthi për të ripushtuar Kosovën- Nga AUREL DASARETI

Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake- psikologjike

Serbia e ndihmuar nga Rusia dhe jo  vetëm, ka përgatitur kurthe  (shoqata-asociacione) për ta  pushtuar sërish Kosovën. Askush  nuk të garanton. Prandaj asnjë  asociacion (zero, zero…) e jo bla bla
***
Për Serbinë naziste-terroriste hapi i parë  më i rëndësishëm është krijimi i një shoqate “të vogël” çetnike në Dardaninë pellazge-ilire-shqiptare. Pastaj vjen hapi i radhës,  shkëputje nga Kosova, aneksimi. Atë territor të Kosovës shqiptare, ku do të jetë  “Zajednica”, pas aneksimit, Serbia do ta  shpallë si pjesë të Serbisë së Madhe.

Duhet ta zbulojmë me sytë tanë urtësinë më të rëndësishme të jetës, se çdo asociacion  serb në territorin e Kosovës shqiptare është 100% vdekjeprurës, dhe të mos besojmë në  mashtrimin e radhës me të cilin na ushqejnë të huajt keqdashës (vdekatarë të rëndomtë  dhe miq të Serbisë) të maskuar si  “ndërmjetës”.

Kërkesat e çuditshme dhe të pandalshme  për formimin e një “shoqate” serbe në  territorin e Kosovës, në asnjë rast nuk  duhet pranuar, pa marrë parasysh se  “ndërmjetësit”  e njëanshëm
“garantojnë” se nuk do të jetë e dëmshme për shqiptarët  dhe shtetin e Kosovës. Sido që ta maskojnë  dhe fshehin, është vdekjeprurëse. Është e  vështirë të jesh humbës aty ku është e
ndaluar të jesh humbës.
***
Nëse duhet t’i përmbahemi  terminologjisë ushtarake (kjo vlen  edhe në politik), kundërshtari që  beson se ka pushtuar një pozicion të  rëndësishëm në luftën kundër palës  rivale, nuk është i interesuar të bëjë  kompromis por e përdor këtë pozicion  si pikënisje për të pushtuar një  pozicion të ri.

Të gjitha llojet e asociacioneve (serbe)  janë vdekjeprurëse për Kosovën. Duhet  refuzuar. Asociacioni pa kompetenca  ekzekutive apo me kompetenca  ekzekutive, faktikisht është i njëjtë.  Është vetëm çështje kohore, kur  gradualisht  (në një proces gradual),  ai  pa kompetenca do bëhet me  kompetenca.

Dhe, Kosova na la…
***
Një kurth është një mjet për të kapur  gjahun që është i dobishëm për ushqim ose  lojë. Bëhet dallimi midis kurtheve që vrasin  gjahun dhe kurtheve që kapin gjahun të  gjallë.

Është e qartë pse nga i gjithë globi  keqdashës kërkohet me çdo kusht një  shoqatë serbe (një Serbi brenda Kosovës).  Por disa shqiptarë me dituri të kufizuara,  nuk duan të shohin, duan të jenë në terr.  Aty gjejnë sigurinë, duke mos u parë. Dhe  ngaqë nuk shihen, humbasin, bien në  grackën e tyre.

Për Serbinë sllave-ortodokse që nuk beson  aspak në Zot por në Djall dhe fenë e ka  vetëm si reklamim për të përfituar  simpatinë e Evropës së “krishterë”, është  jashtëzakonisht e rëndësishme (jetike) të  pushtojë dhe përvetësojë sërish pasuritë  marramendëse të Dardanisë ilire-shqiptare:  Miniera e Trepçës, Liqeni i Ujmanit…

Lotët që shqiptarët duhet të gëlltisin  pas përmbushjes (plotësimit të  kërkesave) të atij kurthi, gracke,  mashtrimi, dredhie, dinakërie tinëzare  të ngritur nga “ndërmjetësit e paqes”,  janë shumë më të hidhur se ato që  derdhni si zakonisht.

Të bashkuar kundër një armiku të  përbashkët.  T’i nënshtrohemi armikut apo  të forcojmë unitetin?  Është vullneti dhe  ndjenja e një uniteti të madh vëllazëror  gjithëkombëtar që ka rëndësi në situatën  kritike në të cilën gjendet Kosova! Vullneti  liron ose bllokon.

Në Dardaninë ilire-shqiptare ekzistonte  një shtëpi që “zotëronin” bashkërisht  shqiptarët autoktonë dhe pushtuesit  serbë (ardhacakët e egër) dhe quhej: e kaluara, edhe pse kishin jetuar në
dhoma të ndryshme. Megjithatë, ata  kishin një llogari të përbashkët  bankare, shqiptarët dhe serbët.  Shqiptarët futnin para ndërsa serbët i  nxirrnin.
***
Burrat sipërfaqësorë besojnë në fat dhe shanse. Burrat e fortë besojnë në shkak dhe pasojë.

“Ndërmjetësve”, sidomos atij sllovak dhe  spanjoll (vendet e të cilëve nuk e kanë  njohur Kosovën si shtet sovran) nuk duhet  besuar aspak (zero). Janë dinakë dhe  tinëzarë. Miq të Serbisë. Përpiqen të na  shkatërrojnë pas shpine, por pengohen nga  rezistenca jonë kolektive, na bëjnë më të  fortë.

Jeta ka zero garanci.  Një garanci është  një premtim për të riparuar pjesët që nuk  mund të prishen.

Ka vetëm dy gjëra në jetë për të cilat  mund të garantohet, dhe kjo është se  koha kalon, dhe se jetës një herë i vjen fundi.

Po ku ka besë Serbia?


Send this to a friend