VOAL

VOAL

Jeta e një artisti të zhgënjyer/ Kush ishte Gulielm Radoja, aktori që do ti mungojë ekranit shqiptar Nga Erjon Dervishi

May 7, 2021

Komentet

NASA sjell foto të “lindjes së Hënës” nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor

NASA rregullisht kap imazhe mahnitëse të universit tonë, duke i lënë të magjepsur adhuruesit e hapësirës.

Rrjetet sociale të Agjencisë Hapësinore të SHBA-së janë një “thesar” për ata që duan të shikojnë video edukative dhe imazhe magjepsëse që tregojnë Tokën dhe hapësirën.

Në postimin e fundit, agjencia ndau një foto të “lindjes së Hënës” nga një “pikë unike e favorshme” brenda Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës.

Bëhet e ditur se fotoja është shkrepur nga astronauti i NASA-s, Matthew Dominick, i cili ka jetuar në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor për rreth katër muaj, përcjell Telegrafi.

Në pamjet e publikuara, shihet gjysmëhëna e cila shtrihet mbi atmosferën e Tokës.

“Shtresat e portokallisë dhe të zezës shfaqen nën brezin horizontal të së kaltrës që shtrihet në qendër të imazhit. Gjysmëhëna është e bardhë dhe bie në sy kundër errësirës së hapësirës”, tha agjencia amerikane në përshkrimin e imazhit.

Shkodër, hapet ekspozita kushtuar Forcës së Sigurisë së Kosovës

VOA/Pëllumb Sulo

Në galerinë “ODA” të qytetit të Shkodrës është hapur ekspozita fotografike “Keep Calm and Smile” e fotografit nga Kosova Korab Basha. Ekspozita i kushtohet të rinjve dhe të rejave, që janë bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në kohën kur në botë dhe rajon janë shtuar tencionet dhe konfliktet, fotografi Korab Basha, përmes fotove të tij, hedh një vështrim në të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës.

“Qëndroni të qetë dhe buzëqeshni”, është ky lejtmotivi i ekspozitës së fotografit nga Kosova, Korab Basha, çelur në galerinë “ODA”, në qytetin e Shkodres. Janë 25 foto, bardh e zi, pjesë e ekspozitës së tretë personale të fotografit Basha, foto, të cilat i kushtohen Forcës së Sigurisë së Kosovës. Është një fotoekspozitë që shikon jo vetëm të sotmen, por dhe të ardhmen e Kosovës.

“E kam vlerësu të nevojshme që ushtrisë tonë, ushtrisë së Kosovës, me i dhuru një ekspozitë të tillë, djemve dhe vajzave që janë pjesë e një istitucioni që vlerësohet si më i besueshëm i Kosovës. Disa prej këtyre djemve dhe vajzave i kanë pasur të afërmit e tyre në Ushtinë Çlirimtare të Kosovës”.

Fotografi Basha, përmes fotografisë së tij, përpiqet të shikojë në thellësi të realitetit të sotëm në Kosovë, ndikimit që ka në jetën sociale të vendit të tij, por edhe të rajonit, Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila i ka rrënjët në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Unë kam dashur për të paraqitur pjesën artistike, pjesën humane, që këta njerëz t’i duan femijët kur i shikojnë, që ajo me qenë ushtri e fëmijëve tanë, e njerëzve tanë. Sepse kjo ushtri nuk i takon veç Kosovës”.

Për fotografen Rozafa Shpuza, në kohën kur në rajon dhe në botë tencionet dhe konfliktet janë shtuar, sjellja përmes fotografisë e të rinjve dhe të rejave të Kosovës, që shërbejnë në forcat e sigurisë, është një mesazh i rëndësishëm që përcjellet përmes aparatit fotografik Korab Basha.

“Idea e tij për të sjellë të rinj e të reja, që shërbejnë tek Forcat e Sigurisë së Kosovës, duke buzëqeshur, duke i thënë jetës ne jemi këtu, jemi për t’ju mbrojtë, nuk jemi përluftë. Pra, metafora dhe krejt filli që lidh të gjitha fortografitë e kësaj ekspozite këtë përcjell. E përcjell me zë të lartë. Prandaj ekspozita e Korab Bashës pati një ndikim të madh edhe tek artdashësit”.

Ndërsa për piktorin Fatmir Juka, i cili drejton galerinë e artit të qytetit, ekspozita e fotografit nga Kosova, Korab Basha, shpreh njëherazi edhe vlerësim për identitetin shqiptar dhe rrënjët prej nga vjen dhe sendërzohet historia e Kosovës së lirë.

“Dhe nuk ka nevojë që mesazhin e kësaj ekspozite ta nisësh nga një foltore e parlamentit apo nga një xhaketë zyrtare. Ai del nga nevoja, dëshira, thelbësorja e humanizmit çka është paqja, prosperiteti, vetpërmbajtja, entuziazmi për të jetu jetën të lirë dhe në marrëdhënie me njëri-tjetrin”.

Ekspozita e fotografit nga Kosova, Korab Basha, po tërheq vëmendjen e vizitorëve edhe për faktin se ajo pasqyron, mes te tjerash, edhe mbështetjen që Amerika dhe partnerët e tjerë të NATO-s vazhdojnë t’i japin ushtrisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Tenori i madh i Kombit  Shqiptar LLAMBI TURTULLI, qëllimisht lënë në harresë- Nga KRISTAQ TURTULLI

Por për fat të keq akoma në Korçën tonë nuk kanë zënë vendin e merituar personalitetet e shquara të kombit Shqiptar. Çuditërisht dhe fatkeqësisht nuk ekzistojnë as në arkiv.
(Apo Leskovik dhe tatëpjetë siç ka qenë dhe do të jetë.
Familja jonë TURTULLI është më e shquara në Ballkan në Bamirësi, Çdo shtet në botë krenohet me familjet e mëdha. Por tek ne u rrafshuan familjet e mëdha. Familja jonë TURTULLIi dha korçës fytyrë të vërtetë evropiane; Ndërtoi me paratë e vet dhe i dhuroi Korçës: Bibliotekën, Ndërtoi me paratë e vet dhe i dhuroi korçës , LIceun e famshëm. Ndërtoi dhe me paratë e vet dhe dhuroi Korçës Spitalin, kinemanë, shtëpinë e fëmijës, kishën e shumë bujari të tjera. Më e shquar në tërë kombin për patriotizëm. Më e shquar për dije dhe dituri. Komunizmi e luftoi me meftësi, ligësi dhe zjarr dhe hekur, vlerën më të madhe mbarë Kombëtare, familjen TURTULLI. Përse vazhdon kjo mendjeshkurtëri dashakeqësi, poshtërsi? Pushtetarët dhe korçarët meren me thërime dhe nuk munden, nuk duan të përballen me malet. Në relitet duhet të jetë krenaria e Korçës dhe Shqipërisë. Por… për fat të keq hajdutët sot janë ….)
Këtë shkrim të studjuesit të nderuar Niko Kotherja po e hedh për shkak të bisedës me të nderuarin mikun tim Gjergji Çikopani që çuditërisht nuk ekzistonte në akrivin e Korçës?!!!
NIKO KOTHERJA
Llambi Turtulli – tenori dramatik nga Konservatori i Milanos
“Tenor – Studenti i Artit Këngës në Milano (Italie)” Xhaxhai i shkrimtarit të mirënjohur Kristaq Turtulli.
Llambi Turtulli është një emër i shquar mes klasikëve tanë muzikorë, një zë potent jo vetëm i skenave shqiptare, por më gjerë, në Evropë e deri në Amerikë. Lindur në Korçë në vitin 1907, origjina familjare e tij është mbresëlënëse. Llambi mori emrin e gjyshit të tij, Llambi Turtulli i Parë, i cili u vra në vitin 1886 në Pisoder. Bijtë e tij Nisi, Perika dhe Petro ishin njerëz të respektuar në qytet e më gjerë, si në aktivitetin e tyre ekonomiko – tregtar, ashtu edhe për pjesëmarrjen në lëvizjen patriotike shqiptare. Motra e tyre, Katerina (Rinkë) Turtulli u martua me Gaqi Pepon, martesë nga e cila u lindën patriotët e shquar Gavril Pepo dhe Angjeli Pepo, luftëtarë dhe aktivistë të Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë; Rodhopi Gaqi Çani (Pepo), ish nxënëse e Mësonjëtores së Vashave; Afërdita Gaqi Grameno (Pepo), bashkëshorte e rilindasit të shquar Koço Grameno. Nga ana tjetër, Perika (Perikli), xhaxhai i tenorit tonë, krijoi lidhje familjare e atdhetarin Andrea Katundi (motra e Katundit ishte bashkëshorte e Perikë Turtullit), ish diplomati dhe njeriu kyç i Republikës Shqiptare të Korçës, në periudhën e Luftës I Botërore dhe krahu i djathtë i dëshmorit kombëtar Themistokli Gërmenji. Nisi Turtulli, babai i tenorit dramatik, pati shoqen e jetës Evdhoksi Ananezin, një luftëtare e emancipimit të gruas shqiptare, ndërlidhëse e çetave patriotike dhe mjeke popullore. Prej kësaj martese erdhën në jetë Llambi, Margarita e Pavlina, ish nxënëse të Mësonjëtores së Vashave e pas tyre Petro Turtulli, pjesëtar me armë në dorë i çetës patriotike të Themistokli Gërmenjit. Akil Eftim, një tjetër personalitet i Rilindjes Kombëtare, që spikati si delegat i shoqërisë patriotike të shqiptarëve të Bullgarisë në Kongresin e Manastirit më 1908, vinte nga kjo familje. Nëna e tij, Marga, ishte motra e Parashqevisë, bashkëshortes së Llambi Turtullit të Parë. Pjesë e këtij trungu familjar janë edhe vëllezërit Andrea Turtulli (tregtar në Korçë), Thoma Turtulli (patrioti dhe filantropi i shquar shqiptar), dr. Mihal Turtulli (mjek, rilindas dhe protagonist i jetës politike e shoqërore të Shqipërisë në fundin e shek. XIX dhe fillimshekullin XX), Vangjel Turtulli (patriot dhe aktivist i shquar, ish senator i Korçës).
Llambi Turtulli mësimet e para i mori në Mësonjëtoren Shqipe të Vashave nën drejtimin e misionarëve amerikanë Phineas dhe Violet Kenedi1, pasi atë kohë brenda asaj shkolle u =el një klasë për djem të vegjël. Nxënës të kësaj klase bashkë me të, kanë qenë edhe Vasil Gërmenji, Riza Mançe, etj. Kjo shkollë ishte kthyer në një vatër të rëndësishme të emancipimit shoqëror e kombëtar, që njihej si “Foleja Kombëtare”, e cilësuar prej Mihal Gramenos.
Më pas shkoi në Bukuresht, ku mori mësimet e para në kanto. Në një letër të tij, Akil Eftim shkruan: “Lambi është si nzënës në Konservatorin të Rumanisë, dhe kje të kem siguri në dot dalë gjëkafshë e shpura në Zoti Profesor Toscani, kje edhe aju është Tenor, dhe më tha se ka një zë fort të mirë. Për këtë shkak i dha dhe një certificate ku ia dërgoj Nisit. Tashi bëni si të dini dhe në mundni të i preni një bursë për të bërë pagimin e Profesorit kje ta msojë iashtë skolisë.”2 Pas studimeve të para në Konservatorin e Bukureshtit, Turtulli u kthye në Korçë, ku dha koncertin e parë. Po këtë vit, më 1928, i pajisur me bursë të ministrisë së Arsimit për tre vite, u nis në Itali. Aty u regjistrua në Konservatorin e Milanos të cilin e përfundoi më 19363. Nga kartvizita e tij, informohemi se adresa e Turtullit në Milano ishte “Via Lecco, 15.”4 Përveç mësimeve universitare, Turtulli ndoqi kurse kantoje me emra të mëdhenj të interpretimit. Ai mori mësime private nga tenori i famshëm i “La Scala”-s, maestro Katulo, nga maestro Pikoli, nga profesori i shquar Barito San Marlo, etj. Karierën e tij në Itali, Llambi Turtulli e nisi me interpretimin në operan “Cavaleria Rusticana” në teatrin “Puccini” të Milanos dhe më pas vijoi aktivitetet koncertore në shumë qytete të Italisë.
Në vitin 1930, Turtulli iu përgjigj ftesës së Neço Mukos për t’iu bashkuar grupit shqiptar në regjistrimet e tyre pranë kompanisë diskografike “Pathé” në Paris. Në grupin e regjistrimeve të vitit 1930, Turtulli interpretoi dhe mori pjesë në këto materiale: “Daveli” (bashkë me Paleologun, Çakallin, Balën dhe Mukon), “Mban mënd”, “Ëndërat”, “Shkodra”, “Vallëtaria” (bashkë me Paleologun, Çakallin, Balën dhe Mukon), “Hurrah! Dëfrim!” (bashkë me Çakallin, Balën dhe Mukon). Dëshmohet se gjatë kësaj kohe ai regjistroi pranë kësaj kompanie edhe materiale muzikore në italisht, deri më sot mbetur të panjohura për ne.
Dy vite më vonë, më 14 shtator 1932, një grup i përbërë nga Llambi Turtulli, Jorgjia Truja, Lola Gjoka e Thoma Bezhani, nën menaxhimin artistik të maestros Sotir Kozmo dha në Korçë një koncert artistik, i cili ishte: “koncerti i parë vokal – instrumental, me të cilin në Shqipëri do të startonte historiku i artit interpretues profesional.”5 Në këtë koncert, Turtulli interpretoi pjesët e Puçinit “Turandot” dhe “Nessun Dorma”6. Shfaqja u organizua nga Shoqata Sportive Krahinore për ndihmë të Shoqërisë sportive “Skënderbeu”. Jehona e koncertit shkoi deri në kryeqytet. Me interesimin e Pandeli Evangjelit, kryeministrit të asaj kohe, ky grup përsëriti koncertin e Korçës në “Cinema Theatër Diana” në Tiranë. Aktiviteti, organizuar nga Enti Kombëtar “Djelmnia Shqiptare”, kësaj radhe do t’i vinte në ndihmë Kryqit të Kuq Shqiptar. Ky “Koncert Artistik prej Shqiptarësh” u mbajt në orën 21:00, më datën 8 tetor, në kuadër të kremtimeve të ditëlindjes së Mbretit Zog I 7. Në kujtimet e saj për këtë koncert, Truja shprehet: “Koncerti i katërshes sonë qe mjaft i pasur dhe u prit me shumë duartrokitje. Ai u organizua në ndihmë të Kryqit të Kuq. Koncerti u pasua nga një banket.”8
Në vitin 1935 Turtulli shkoi në Zvicër, ku këndoi në 12 koncerte në Lugano, me audiencë nga personalitete të nivelit botëror. Pas diplomimit, në vitin 1937 shkoi në Budapest, ku interpretoi në operan “Lucia Di Lammemmoor”, “Tosca” dhe “La Bohemé”9 si dhe zhvilloi një turne në shtetet e Ballkanit, ku prezantoi koncerte me muzikë popullore shqiptare10. Në qershor të atij viti, kur këndonte në Itali, pranoi propozimin e agjentit të kompanisë “Opera San Carlos Cincinnati” për një turne amerikan11. Udhëtoi drejt Amerikës dhe për shtatë javë rresht Turtulli këndoi në studiot e ndryshme të radiove të Bostonit.
Njohës i tre gjuhëve të huaja frëngjisht, greqisht dhe italisht, Turtulli me koncertet e tij udhëtoi tre herë nëpër Evropë. Anglia dhe Gjermania ishin vendet ku nuk dha koncerte dhe vtë vetmet shtete që nuk i vizitoi12.
Llambi Turtulli u martua me pianisten Norma Nasy, e diplomuar në shkollën e muzikës “Julliard” dhe në Universitetin “Columbia”. Ata mbanin një studio në Nju Jork, te e cila shpresonin të ktheheshin pas Luftës për të vazhduar me punën koncertale dhe mësimdhënien13. Në Amerikë, Llambi dhe bashkëshortja e tij Norma interpretonin në valët e radios, siç dëshmon shtypi i kohës14. Aktivitetin e vet Turtulli e vijoi me koncerte, të cilat gjithnjë përmendeshin nga gazetat e Amerikës15.
Në janar 1943 u përfshi në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Nju Jork. Aty formësoi dhe drejtoi një kor në një kishëz të Ushtrisë Amerikane16. Reshtimi i tij në “US Army” ka qenë arsye vendimtare që atij t’i ndalohej hyrja në Shqipërinë komuniste pas përfundimit të Luftës II Botërore. Sipas dëshmisë së familjarëve të tij, rreth fundit të viteve `60, u nis nga Amerika me shpresën se do të mund të hynte në Shqipëri nga ana e Greqisë. Mbërritur deri në kufi, Turtullit iu ndalua hyrja në atdhe17. Pjesëtarët e familjes së tij të mbetur në Korçë, që ai nuk arriti kurrë t’i takonte, vuajtën persekucione dhe provuan sekuestrime të skajshme. Vëllai i tij, Petro Turtulli, veteran i lëvizjes patriotike shqiptare, u dënua nga regjimi totalitar i kohës. I kthyer në Amerikë, tenori vijoi aktivitetin e tij. Nga valët e “Zërit të Amerikës” përshëndeti shqiptarët në një intervistë dhe këndoi në shqip. Ai nuk e mësoi që përtej Atlantikut, vëllai i tij Petro – strukur në një cep të shtëpisë që vëzhgohej vazhdimisht nga Sigurimi i Shetit – arriti që të kapte valët e radios dhe të dëgjonte mes lotësh kumtimin e vëllait të tij artist18. Ky do të ishte “takimi” i fundit i vëllezërve në gjallje.
Tenori Llambi Turtulli vdiq në Kaliforni, më 10 qershor 1919.
1 Gazeta “The echoes”, datë 9 korrik 1943, faqe 1.
2 Letër nga Bukureshti e Akil Eftimit dërguar Perikë Turtullit në Korçë, më 2 janar 1928, faqe 1. Origjinal. Arkivi i autorit.
3 Gazeta “Bota”. Boston, Mass., 1 tetor 1937, faqe 1.
4 AQSH. F. 614, d. 12, fq. 66. Kartvizitë e Llambi Dh. Turtullit dërguar Petro Martinit në Tiranë.
5 Hamide Stringa “Ëndrra dhe realitete – Jorgjia Truja (Filçe)”. Tiranë 2006, faqe 50.
6 Të dhënat sipas programit të koncerit, faqe 2. Arkivi i autorit.
7 Të dhënat nxjerrë nga materiali promocional i shfaqjes. Arkivi i autorit.
8 Hamide Stringa, vep. e cituar, faqe 53.
9 Gazeta “Bota”, vep. e cituar.
10 Gazeta “The echoes”, datë 9 korrik 1943, faqe 1.
11 Po aty.
12 Po aty.
13 Po aty.
14 Gazeta “The echoes”. 18 qershor 1943, faqe 5.
15Gazeta “The Tampa Daily Times”, datë 9 tetor 1943, faqe 2; gazeta “Drew Field Echoes”, datë 4 nëntor 1943, faqe 2.
16 Gazeta “The echoes”, datë 9 korrik 1943, faqe 1.
17 Sipas të dhënave marrë nga e mbesa, znj. Krisanthi Petro Koçibelli (Turtulli). Korçë, janar 2019.
18 Kristaq Turtulli “Amaneti dhe udhëtimi nën qiellin e kaltër të Kalifornisë”, në gazeta “Rrënjët”, viti 15, nr.4, tetor 2017, faqe 20.
19 Nga biseda me mbesën e tij, znj. Krisanthi Petro Koçibelli (Turtulli). Korçë, janar 2019
KRISTAQ TURTULLI
Toronto , Kanada.

Vila mijëravjeçare poshtë Durrësit që e zbuloi tërmeti

Jetmira Delia-Kaci

Punimet për të rindërtuar një shkollë të dëmtuar nga tërmeti i pesë vjetëve më parë në Durrës të Shqipërisë, nxorën në dritë një pasuri të rrallë arkeologjike për këtë vend.

Sipas arkeologëve, bëhet fjalë për një vilë dymijëvjeçare.

Arkeologu me përvojë që udhëheq punimet, Luan Përzhita, thotë për Radion Evropa e Lirë se, deri tash, aty janë zbuluar katër mozaikë.

Si erdhi deri te zbulimi?

Zbulimi i këtij vendbanimi ndodhi krejt rastësisht, ndërsa punohej për të rindërtuar Shkollën “Gjergj Kastrioti”, e cila u shkatërrua nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, që goditi kryesisht Durrësin.

“Aty ishin të pranishëm arkeologë, pasi Ligji i trashëgimisë kulturore në Shqipëri obligon që ndërtimet të mos bëhen pa testimet arkeologjike. Sapo u shfaqën gjurmët e këtij vendbanimi, menjëherë u bllokuan punimet dhe nisi gërmimi arkeologjik”, thotë Përzhita.

Shkolla që u shkatërrua nga tërmeti, ishte ndërtuar në vitet ‘70 dhe nuk i përballoi lëkundjet e forta.

Një pjesë e saj, thotë arkeologu, ishte e ndërtuar mbi këtë vendbanim të hershëm.

Pamje e përgjithshme e vilës së zbuluar në Durrës.

Pamje e përgjithshme e vilës së zbuluar në Durrës.

Bllokimi i punimeve në shkollën e re u bë në tetor të vitit 2023. Më pas, zona u mor në ruajtje nga shteti dhe ka një muaj e gjysmë që po punohet për të zbuluar se çfarë fshihet brenda.

Përzhita thotë se në gërmimet dhe konservimin e objekteve të gjetura, po punojnë 22 persona, të ndarë në dy ekipe: arkeologë dhe restaurues.

Zbulimi i parë ishte një mozaik i brendshëm, që dha sinjale se zona prej 1.200 metrash katrorë mund të nxirrte në dritë gjetje të tjera arkeologjike.

“Vila e zbuluar apo vendbanimi luksoz i përket fundit të shekullit të parë të erës sonë, fillimit të shekullit të dytë. Këto janë të dhënat e deritanishme”, thotë Përzhita.

“Është një vilë shumë luksoze, e pajisur me disa mozaikë. Vetëm pak ditë më parë e kemi zbuluar të katërtin”, thotë ai.

Si duket vila e zbuluar?

Sipas arkeologut, vila është e organizuar me tarraca, ambiente të ndenjës, pishina e të tjera, ndërsa janë zbuluar edhe shumë kanale të qarkullimit të ujit, si dhe kanali kryesor që e derdhte atë në det.

Ai thotë se, në bazë të të dhënave të deritanishme, ky monument ka kaluar në disa faza.

Luan Përzhita, arkeolog.

Luan Përzhita, arkeolog.

“Ka pasur një shkëlqim deri në vitet 180 – kohë kur ka rënë një zjarr që e ka shkatërruar thuajse gjithë pjesën e vilës. Pastaj, është bërë rindërtimi i saj në fund të shekullit të tretë, fillim të shekullit të katërt, kur edhe vila e ka humbur shkëlqimin e saj dhe nuk është përdorur më si ambient banimi, por është kthyer në punishte për punime qeramike”, shpjegon Përzhita.

Më vonë, sipas tij, një tërmet i vitit 334 e ka shembur përfundimisht vilën, sepse ka qenë shumë i fuqishëm.

Ai thotë se në fund të shekullit të 5-të jeta në këtë territor është rikthyer, por një tërmet i 517-ës, pastaj, e ka shuar sërish.

“Pra, ky monument ka kaluar dy tërmete në shekujt e parë, ndërsa i treti, ai që ka rënë më 26 nëntor, 2019, në Durrës, e ka zbuluar atë”, thotë Përzhita.

Ai tregon se mozaiku i brendshëm i vilës është i krijuar me ‘tesera’ ose kokrriza të vogla guri “që nuk i kalojnë 6 mm katrorë”.

“Janë me mijëra të tilla dhe krijojnë një dekor, që ka figurën gjeometrike të hekzagonit. Kjo figurë është përdorur në mitologji si një figurë që lidh botën e përditshme me atë të përtejme”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Mozaiku i brendshëm i vilës i punuar me gurë me prerje 6 mm, me formë gjashtëkëndëshe ndërsa pjesa tjeter e dekoruar me forma floreale.

Mozaiku i brendshëm i vilës i punuar me gurë me prerje 6 mm, me formë gjashtëkëndëshe ndërsa pjesa tjeter e dekoruar me forma floreale.

Arkeologu tregon, po ashtu, se mozaikët e jashtëm kanë lindur si produkt në shekullin e parë para erës sonë në Mesdhe dhe se janë përhapur gjatë shekullit të parë të erës sonë.

“Janë shumë të kushtueshëm. Teknikisht bëhen me pluhur tulle dhe gëlqere të stazhionuar, mbi të cilën vendosen guralecë që e dekorojnë. Janë të bardhë, të zinj, blu, që krijojnë katrorë të ndryshëm shumë të këndshëm”.

“Ambiente të tilla të jashtme, në formën e pishinave, janë të kornizuara me afreske shumëngjyrëshe, që kapin një lartësi prej 60 cm mbi nivelin e mozaikut. Kemi zbuluar edhe shumë bazamente të vendosjes së kolonave, që me siguri kanë qenë të ngritura në lartësi dhe kanë krijuar ato kopshtet e famshme të asaj kohe”, thotë Përzhita.

Figurinë antropomorfe e gjetur në lokalcionin arkeologjik ku u zbulua vila.

Figurinë antropomorfe e gjetur në lokalcionin arkeologjik ku u zbulua vila.

Ngjashmëri me zbulimet në Pompei

Arkeologu thekson se shihen ngjashmëri të shumta edhe me zbulimet në qytetin antik në Itali, Pompei, ndërsa ky vendbanim kaq luksoz, sipas tij, është i vetmi në Shqipëri i zbuluar deri tani.

“Ngjashmëria qëndron në kohë, në periudhën që daton ndërtimi i tyre, dhe tek afresket e zbuluara, pikturat e asaj kohe, ngjyrat dhe mënyra e realizimit të tyre”, thotë Përzhita.

Një vilë e ngjashme me atë në Durrës, e njohur si Vila Diaporti, Përzhita thotë se është zbuluar edhe në Liqenin e Butrintit – ka pak a shumë të njëjtën sipërfaqe, por jo të njëjtin luks, sipas tij.

“Vila si kjo në Durrës janë të ndërtuara nga ajka e shoqërisë së saj kohe. Një të tillë mund ta bënin super të pasurit. Gjatë gërmimeve, mbase, gjejmë edhe shënime se kujt i përkiste vila, cilës familje. Por, deri tani, nuk e dimë”, thotë ai.

“Aktualisht, jemi në katin e dytë. Na duhen edhe tri metra e gjysmë gërmime për të kaluar në kat të parë”, thekson arkeologu.

Një nga mozaikët e jashtëm të vilës së zbuluar në Durrës.

Një nga mozaikët e jashtëm të vilës së zbuluar në Durrës.

Ai tregon se, shumë shpesh, gjatë punimeve kanë tërhequr edhe vëmendjen e turistëve, kryesisht të huaj.

“Jemi në një pozicion që shihemi nga lart. Shumë turistë na shohin nga lart dhe bëjnë fotografi. Ka edhe kolegë arkeologë nga Italia, Gjermania, Franca, që kanë ardhur të na shohin dhe e vlerësojnë zbulimin”, thotë Përzhita.

Projekti mbyllet më 23 qershor dhe Përzhita kërkon investime të tjera që këto gjetje që janë më të rejat në Shqipëri, të ekspozohen edhe për zhvillimin turistik. REL

Astronauti i fotos ikonike ‘Earthrise’ të NASA vdes në moshën 90 vjeç në një rrëzim avioni

Astronauti William Anders shkrepi këtë foto ikonike – ‘Earthrise’

“Apollo 8′ – misioni i parë me njerëz në Hënë, hyri në orbitën hënore në prag të Krishtlindjeve më 24 dhjetor 1968; astronauti William Anders shkrepi këtë foto ikonike të njohur si zgjimi, ngritja e Tokës.

Astronauti i Apollo 8, Bill Anders, i cili shkrepi një nga fotografitë më të famshme të bëra në hapësirën e jashtme, ka vdekur në një aksident avioni në moshën 90-vjeçare.

Zyrtarët thonë se një aeroplan i vogël me të cilin po fluturonte u rrëzua në det pranë shtetit të Uashingtonit.

Djali i Anders, Greg, konfirmoi se trupi i babait të tij u gjet të premten pasdite.

“Familja është e shkatërruar. Ai ishte një pilot i madh. Ai do të mungojë”, thuhet në një deklaratë të familjes.

Anders – i cili ishte një pilot i modulit hënor në misionin Apollo 8 – bëri fotografinë ikonike Earthrise, një nga imazhet më të paharrueshme dhe frymëzuese të Tokës nga hapësira.

E bërë në prag të Krishtlindjeve gjatë misionit të vitit 1968, fluturimi i parë hapësinor me ekuipazh që u largua nga Toka dhe arriti në Hënë, fotografia tregon planetin duke u ngritur mbi horizont nga sipërfaqja shterpë hënore.

Anders më vonë e përshkroi atë si kontributin e tij më të rëndësishëm në programin hapësinor. sn

Image

Image

Universiteti i Birminghamit në Mbretërinë e Bashkuar njofton botimin e studimit të ri të Gëzim Alpion

‘Nata e errët e shpirtit’ përcaktoi aktivitetin misionar të Nënë Terezës
3 Qershor 2024
Birmingham, Angli
Një studim i ri nga Universiteti i Birminghamit ekzaminon krizën e besimit që përjetoi Nënë Tereza dhe se si ndikoi në punë e e saj.
Dhjetë vite pas vdekjes së Nënë Terezës në 1997, u botua një volum i edituar me titull Eja, Bëhu Drita Ime, ku u përfshinë disa shkrime personale të periudhës 1929-1994.
Këto shkrime befasuan si përkahësit ashtu edhe kritikët e saj pasi zbuluan për herë të parës se ajo kishte vuajtur nga ‘nata e errët e shpirtit’ gjatë gjithë aktivitetit të saj si bamirëse dhe misionare e famshme.
Studimi i ri me titull ‘Shenjtorja qe nuk u kurrua kurrë nga mosbesimi – Një qasje shumëdisiplinore e errësirës shpirtërore të Nënë Terezës’ (The Incurably Incredulous Living Saint – A Multidisciplinary Approach to Mother Teresa’s Spiritual Darkness), i sapo botuar në Amerikë në revistë shkencore Critical Research on Religion, shqyrton ndikimin që pati kriza e gjatë e besimit në punën e Nënë Terezës, duke përdorur një qasje të re biografike dhe sociologjike.
Dr Gëzim Alpion, Profesor i Asociuar i Sociologjisë në Universitetin e Birminghamit, autori i studimit, i cili ka hulumtuar personalitetin kompleks të Nënë Terezës për më shumë se njëzet vjet, tha: “Në teologjinë katolike romake, koncepti i ‘natës së errët të shpirtit’ i referohet një periudhe agonie ekstreme shpirtërore që përfundimisht çon në një bashkim të plotë mistik me Zotin.”
“Nënë Tereza ishte gjithmonë një figurë kotraversale, por pas botimit të Eja, Bëhu Drita Ime, ky perceptim u rrit ndjeshëm, kryesisht pasi zbuloi një konflikt të pazgjidhur me besimin e saj, gjë që nuk përkonte me imazhin që shumica kishin për të si shërbëtore e devotshme dhe e palëkundur e Zotit.”
Studimi nënvizon se pavarësisht nga ndikimi shumë i madh i Nënë Terezës tek pasuesit e saj, shkrimet personale dëshmojnë se ajo përjetoi vetmi të thellë dhe se ajo u përpoq pa sukses për të gjetur Zotin në një botë ku dominojnë dhimbja dhe vuajtja.”
Për të arritur qëllimin e saj për të gjetur Zotin, studimi argumenton se ajo përdori ‘ndihmës’, përfshirë të varfërit, ish-nxënësit, murgeshat, vullnetarët dhe të tjerë. Ajo madje pranoi në një rast se puna e saj me të varfërit motivohej kryesisht ‘për hir të shpirtit të saj’, dhe se ajo nuk ndjehej mirë që po ‘mashtronte’ ata që punonin për të dhe i besonin asaj.
Dr Alpion vazhdoi: “Beteja e vazhdueshme e Terezës me besimin e saj ishin motivuesi kryesor në punën e saj dhe kjo vazhdoi deri sa u plak. Kjo shihet qartë në vitin 1953, kur ‘errësira’ e saj ishte bërë aq ‘e tmerrshme’ sa ajo shkroi se ndjehej ‘sikur gjithçka’ brenda saj ishte ‘e vdekur’. Që nga ajo kohë, vendimet e saj për të zgjeruar punën e saj në të gjithë Indinë në vitet 1950-të si dhe në botë që nga vitet 1960-të kishin për qëllim lehtësimin e kësaj dhimbje.”
Zbulimi i betejave të Nënë Terezës ka bërë që shumë njerëz të ngrenë pyetje në lidhje me shëndetin e saj mendor dhe mundësinë që ajo mund të ketë vuajtur nga depresioni, një çështje që i ka ndarë studiuesit.
Dr Alpion vazhdoi: “Përkrahësit e saj kundërshtojnë idenë se betejat e saj me besimin ishin simptomatike të depresionit, ndërsa disa e pranojnë se shkrimet e saj shfaqin shenja të një personi me depresion. Ngurrimi për të pranuar lidhjen midis natës së errët dhe depresionit nxjerrin në pah paragjykimin dhe stigmën në lidhje me shëndetin mendor brenda komuniteteve katolike dhe të krishterë.”
Në fund të viteve 1950-të, Nënë Tereza dukej se e kishte pranuar se, për të, errësia nuk do të fashitej kurrë, dhe në vitin 1962 në kulmin e krizës së saj shpirtërore, shkroi se nëse do të shpallej shenjtore, ajo do të ishte shenjtore e errësirës. Duke filluar nga vitet 1970-ë, ajo fliste gjithmonë e më rrallë për errësirën e saj duke shpresuar se do të bëhej më pak intensive. Gjatë atyre viteve ajo vizitoi disa vende komuniste, përfshirë vendin e saj Shqipërinë në 1989. Angazhimet në vendet qe kishin ‘barktisur’ Zotin ishin shpresa e saj e fundit për të hequr qafe dyshimet e saj ndaj Zotit.”
Dr Alpion përfundoi: “Të nënvleftësosh betejën e Terezës me besimin do të thotë të nënvleftësosh përpjekjet e saj të stërmundimshme. Ky studim konkludon se beteja e saj me besimin, që vazhdoi deri në fund të jetës së saj, jo vetëm që ndikoi në punën e saj, por përcaktoi përzgjedhjen e vokacionit dhe të çdo vendimi që mori më pas, përfshirë orientimin e kongregatës së Misionarëve të Bamirësisë dhe fazata misionit të saj.”
Nëse Nënë Tereza arriti diçka në jetën e saj, ishte aftësia e saj për të rritur ndërgjegjësimin tonë, si asnjë personalitit tjetër, për dinjitetin dhe shenjtërinë e jetës njerëzore. Kjo nuk është diçka e vogël për një shpirt të trazuar.”

Muralet që i japin ngjyra Maqedonisë së Veriut

Mural i realizuar nga Enkel Dika.

Zërijeta Hajro Jajaga

Dy artistë në Maqedoninë e Veriut kërkojnë që autoritetet lokale të bëhen “aleatë” me ta, pasi thonë se duhet t’iu jepet hapësirë që të shprehim talentin e tyre përmes muraleve dhe të përçojnë mesazhe të rëndësishme për shoqërinë.

Këto mesazhe, sipas tyre, përkojnë me sfidat e kohës.

Muralet që kanë mbuluar një mesazh me gjuhë të ashpër.

Muralet që kanë mbuluar një mesazh me gjuhë të ashpër.

Për Enkel Dikën nga qyteti i Strugës në jugperëndim të Maqedonisë së Veriut, nuk janë vetëm vepër arti, por diçka që “shprehin mesazhe, ide apo emocione” dhe reflektojnë identitetin kulturor të një vendi.

“Muralet paraqesin një sfidë në vete… muret e ndryshme u japin mesazh kalimtarëve”, thotë ajo, duke shtuar se porosia që përçohet përmes muraleve duhet të jetë e kuptueshme.

Enkel Dika duke punuar një mural.

Enkel Dika duke punuar një mural.

“Përderisa kur kemi të bëjmë me diçka më abstrakte, si artist përpiqesh ta përçosh mesazhin që ka figura që paraqet në mur”, thotë Enkel Dika, i cili me profesion është dizajner grafik.

Duke kujtuar një mural ku shfaqet një vajzë që nget biçikletën, Enkeli thotë se qytetarët përmes këtij murali qartë e kuptojnë se shmangia e përdorimit të veturave kontribuon në një mjedis më të pastër me ngjyra, ku dominon e kaltra dhe e gjelbra.

Mural i realizuar nga Enkel Dika.

Mural i realizuar nga Enkel Dika.

Për të, një mur me mesazhe të ashpra për raportet ndëretnike mund të shndërrohet në një mur që reflekton dashuri.

Një mural në Shkup.

Një mural në Shkup.

Në kryeqytetin maqedonas, Shkup, Marjan Dimiq Maçka, ka realizuar shumë murale.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se në aspektin artistik ka hapësira të mjaftueshme që të gjithë artistët që pikturojnë murale të mund të shprehin mesazhe të rëndësishme shoqërore apo edhe politike.

Murale shumëngjyrëshe në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Murale shumëngjyrëshe në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

“Ndaj mendimin se Shkupit si qytet i mungojnë më shumë vizatime në fasadat e ndërtesave, pasi jemi të vetëdijshëm për monotoninë që reflektojnë hapësira të caktuara. Kur ecën sheh vetëm banesa, beton, ballkone dhe dritare dhe asgjë nuk ndodh”, thotë ai.

Ai shton se muralet heqin monotonin e mjedisit urban nga zhurmat e trafikut dhe nga ndërtimet e shumta në kryeqendrën maqedonase.

Mural i realizuar nga Marjan Dimiq Maçka, ku shkruan "Shkupi do të mbijë si një lule".

Mural i realizuar nga Marjan Dimiq Maçka, ku shkruan “Shkupi do të mbijë si një lule”.

Ndërkaq, Enkel Dika, vlerëson se autoritetet duhet të bashkëpunojnë me artistët, në mënyrë që përmes muraleve të përçohen mesazhe të mira për çështje të caktuara.

Ai aktualisht është duke punuar një mural në muzeun e qytetit të Strugës, që ka për temë biodiversitetin e Strugës dhe liqenin e Ohrit.

“Derisa punon nuk e sheh reflektimin, por kur përfundon e ndien se ke bërë diçka që ka mesazh të bukur”, thotë ai, duke shtuar se nuk e ka të vështirë të punojë në projektin e fundit, pasi Struga ka shumëçka për të reflektuar me biodiversitetin që ka.

Mural në Strugë.

Mural në Strugë.

Artistët e muraleve thonë se përmes artit të tyre ata e shndërrojnë pamjen dhe atmosferën e një qyteti, duke i kthyer fasadat në hapësira frymëzuese dhe më të këndshme në aspektin vizual, si për vendasit, por po ashtu edhe për turistët e huaj.

Madhështia dhe përjetësia e shën Nënë Terezës së Kalkutës etj., në tematikën e veprave të skulptorit të talentuar Vasil Rakaj- Nga Klajd Kapinova

 

“Personaliteti i tij artistik është formuar në Shqipëri dhe shumë subjekte të skulpturave lidhen me heronjtë kombëtarë, ku spikasin Nana Terezë dhe Skënderbeu, të cilët në ditët tona i përkasin botës mbarë. Skulptori shqiptar Vasil Rakaj, jeton me familjen e tij në Connecticut dhe në rrugët e tij ecën çdo ditë. Njëra prej tyre e çon në studion e vet, në hapësirën e së cilës qëndrojnë vepra të përfunduara, punime në proçes, vizatime dhe skicë ide për veprat e ardhshme, fotografi dhe objekte të ndryshme, të cilët së bashku krijojnë atmosferën intime të një artisti.  Vasil Rakaj, ka një krijimtari të pasur dhe kjo e bënë të jetë një nga skulptorët e talentuar bashkëkohës shqiptar, që emigroi në SHBA.” Suzana Varvarica Kuka

“Ka kaluar më shumë se një gjysmë shekulli nga viti 1963, kur në Uashington D.C., dr. Martin Luther King Jr. mbajti fjalimin historik, që do të shndërronte përgjithmonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Unë kam një ëndërr” (I have a dream). Skulptori i njohur, Vasil Rakaj, asokohe ishte vetëm 10 vjeç, në moshën kur ëndrrat kanë vetëm dimensione fëmijërore. Ëndrra e lirisë, ëndrra e barazisë dhe të tjera ëndrra të guximshme do të lindnin e do të bëheshin realitet vite më vonë. Tashmë, Rakaj prej dy dekadash punon dhe jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Autori i monumentit të shenjtores Nënë Tereza dhe i shumë veprave të tjera, fitues i disa çmimeve, është përzgjedhur për të realizuar bustin kushtuar aktivistit të famshëm për të drejtat e njeriut, dr. Martin Luther King Jr.”Tom Therçaj, gazetar, Tiranë, Albania

Klajd Kapinova

Ai flet esencialisht dhe pak fjalë për artin e tij

“Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, është Ai Heroi Kombëtar, që mbeti përgjithëmonë Kalorësi i Lirisë së popullit tonë dhe i gjithë Europës. Eshtë mbrojtësi i Krishtërimit në Mesjetë. Eshtë pishtari i identitetit tonë kombëtar. Ne jemi bijtë e Skënderbeut, i cili na frymëzon e na shtyn të ecim përpara për liri, zhvillim dhe përparim. Figura e Tij i hypur në kalë e me shpatën e çveshur, është imazhi i çdo shqiptari, në çdo kohë e në çdo vend të trojeve shqiptare, në Ballkan dhe në Europë. Me punën time, që po paraqes në skupturë, pak a shumë këto desha të them me krenari, për figurën e Skënderbeut.” – Vasil Rakaj, skuptor, Ansonia city, Connecticut, SHBA

Dihet, se dhuratat më të rëndësishme dhe më të bukurat, në jetën e pasur dhe të përditshme artistike, është e mpleksur vazhdimisht me atë të zakonshme njerëzore, shpesh bien nga energjitë qiellore, të cilat zbresin natyrshëm në trupin e njeriut artist.

Vitet kalojnë me shpejtësinë e erës, si pa e ndierë dhe nëse pyesni sot historianët e artit, se cilët janë artistët më të mëdhenj pamor të të gjitha kohërave, do të kishim në listën e historisë artistike një mori emrash nga shtete dhe kontinente të ndryshme të botës.

Në ditët tona, sigurisht, ka disa standarte, me të cilat mund të masim, se cilët janë artistët më të mirë dhe përkushtuar skulpturës shqiptare ndër vite.

Bota e magjishme e artit, historikisht në trojet etnike shqiptare dhe në dekadat e fundit në diasporë, ka qenë e dominuar nga artistët e shquar burra, mbasi puna e tyre krijuese është gjithashtu e një cilësie të lartë dhe të qëndrueshme në standarte shumë të mira, sepse ato kanë arritur sukses në kohën e tyre, pavarësisht pengesave të mëdha të rendit politiko-shoqërorë dje dhe sot.

Ndikimi i bërë ndër vite nga një artist te bashkëkohësit e tij, është një faktor tjetër e cila shpreh në këto portrete vlerat e larta artistike, gjatë dekadave të fundit, duke u dalluar kjartë vërtetësia dhe psikologjia e figurave të ndryshme të mirënjohura historike, të realizuara me një plastikë të natyrshme dhe delikate.

Në punimet e mjeshtrit shqiptaro-amerikan Vasil Rakajt, ndihet pulsi i një artisti të fuqishëm, që ka ditur të ndërtojë figura të vrullshme në lëvizje, po aq sa të krijojë me një delikatesë magjike figurat femërore, ku shihet ndikimi i skulpturës bashkëkohore dhe asaj klasike. Skulpturat e trimave të lirisë së shekullit të kaluar si vëllezërve Gjeto e Dedë Cokut etj., është shembulli më tipik i shpirtit të tij krijues delikat.

Fuqia brenda veprave të tij artistike, ishte ndër dekada dhe është ende sot në ditët tona në Ansonia city, në shtetin Connecticut të SHBA-së e bashkuar me shkathtësinë, shpirtin dhe guximi i tij, të cilat ishin gjithnjë në lartësinë e kohës cilësore deri në ditët tona.

Ai, kurrë nuk hoqi dorë nga skicat dhe relievet, sepse ato shpalosnin esencën dhe imagjinatën e tij më shumë se gjithçka tjetër. Dhe jo vetëm që e ushtroi këtë profesion, por gjithçka që kishte të bënte me skulpturën në studion e tij, në Ansonia, ku ai punon rregullisht dhe pa u lodhur çdo ditë.

Skulptori duar-artë Rakaj dhe skupturat në bronz të patriotëve të shquar vëllezerit Gjeto dhe Ded Coku

Gazetarja amerikane Lauresha Xhihani, në kronikën e saj për gazetën amerikane The Sunday Republican, ndër të tjera shkruan, se: “Skulptori shqiptar Vasil Rakaj, është ngarkuar të krijojë skulpturat e patriotëve shqiptarë vëllezër Gjeto dhe Ded Coku, që do të derdhen në bronz dhe do të vendosen në qytetin shqiptar të Lezhës, për nder të tyre. Rakaj tha se do ti nevojitet një sasi e madhe argjilë me bazë vaji në veprën origjinale (plasteline). Bob Falcetti republikan-amerikan pau foton e Gjeto dhe Ded Coku të stolisur me medaljen e dhënë nga austriakët. Nga gishtat e durëve të arta të Vasil Rakajt, tashmë po i kthehet dinjiteti dy prijësve dhe patriotëve të shquar shqiptarë. Skulptori me origjinë shqiptare, po krijon statuja artistike të Gjeto dhe Ded Cokut, dy lidera shqiptarë, në luftën e vendit për pavarësi. Gjeto e Deda, ishin guvernatorë të parë dhe lider karizmatik të Lezhës.”

Kujtojmë nga burimet historike shqiptare të shekullit XX, se patriotët vëllezër Gjeto dhe Ded Coku, asokohe ishin luftëtarë dhe politikanë trima, të cilët vazdimisht luftonin pa u trembur, gjatë gjithë jetën së tyre për pavarësinë e Shqipërisë.

Nacionalisti antikomunist Ded Coku, më pas fatkeqsisht u ekzekutua mizorisht dhe pa të drejtë nga diktatura totalitare ateiste dhe fashiste-komuniste (1944-1990), në vitin e zi 1945.
Në vitin 2010, qeveria e përkohshme në Lezhë i dha vëllezërve Gjeto dhe Ded Cokut titullin: “Nderin e Qarkut të Lezhës”, ndërsa Presidenti i Shqipërisë, prof. Bamir Topi, i dha Gjeto dhe Ded Cokut titullin: “Medaljen e Shqiponjës së Artë” (Tiranë, 2012), me motivacionin, “Për luftën e tij për pavarësinë e Shqipërisë dhe kauzat shqiptare”.

Ai u barbarizua fatkeqsisht me plumba nga një skuadër e turpshme pushkatimi në qytetin e Lezhës, në një kohë qe ai si nacionalist i madh, vite më parë me dashuri dhe krenari kishte arritur të ngrinte flamurin kuq e zi shqiptar në vitin 1912, vit kur Shqipëria shpalli Pavarësinë e plotë (më 28 Nëntor 1912) nga Perandoria Xhihadiste Islame Otomane.

Në vijim të reportazhit të saj, gazetarja amerikane përshkruan me detaje për lexuesit amerikanë historinë e vëllezëve nacionalistë Gjeto dhe Ded Coku të paharruar për popullin e Lezhës dhe më gjërë. Gjithashtu nga shkrimi i saj, aty mësojmë se, nacionalisti Ded Coku do të qëndroj sërish në Lezhë, me sytë e tij shqiponjë, që vështrojnë tokat e dashura, për të cilat luftoi për dekada të tëra.
Duke shfletuar faqet e historisë, kujtojmë se Ded Coku asokohe ishte njeriu me personalitet të madh, i cili vizitoi mbretërit e kohës dhe Atin e Shejt, Papën në Selinë e Shejt në Vatikan, (Romë, Itali).

Rakaj, do të marrë muaj për të përfunduar dy statujat, duke përdorur balte për secilën. Statujat prej e kthyer nga balta ne allçi u dërguan në Shqipëri, ku dhe u derdhen në bronz. Rakaj, gjithashtu kishte udhëtuar në Shqipëri, për t’u siguruar që statujat në fjalë të jenë ashtu siç i kishte parashikuar dhe për të parë inagurimin (zbulimin) ose sikurse quhet ndryshe në Shqipëri organizimi i ceremonisë e përurimit të tyre.

Ai vazhdimisht ndjehet edhe sot krenar, se kishte privilegjin dhe përgjegjësinë e veçantë për skulpturat e vëllezërve patriotë Coku. Ndërsa Rakaj punonte asokohe, dy të ftuar specialë e shikojnë – djali 87-vjeçar i Cokut Sokol dhe nipi i tij Eduardi.

Artisti ynë, ka një natyrë të qetë, vështrim meditues dhe reflektues, tek flet esencialisht dhe me pak fjalë për artin e tij dhe të bind, se gjenitë e mëdhenj arrijnë më shumë kur punojnë esencialisht dhe cilësi, sepse bashkëbisedojnë me trurin e tyre vazhdimisht, për risitë dhe formojnë ato ide perfekte, të cilat gradualisht më pas i shprehin artistikisht me gishtat e duarëve të arta dhe riprodhojnë vlera brilante artistike, atë që mendja e tyre apo e mjeshtrit tonë Rakaj, tashmë ka konceptuar.

Shën Nënë Tereza dhe skulptori Rakaj

“Nëse do t’i referohem fatit, ia dedikoj Nënë Terezës, të cilën e ndiej si engjëllin tim mbrojtës. Nuk harroj në asnjë çast të shprehem me zemër se Ajo më ka ndryshuar jetën. Është më shumë se një mrekulli, që një artist shqiptar, i cili në rininë e vet është edukuar nga sistemi komunist me urrejtjen ndaj fesë dhe social imperializmit, të bëhet qytetar amerikan dhe autor i personaliteteve të shquara si shën Nënë Tereza dhe dr. Martin Luther King Jr.” – Vasil Rakaj, skulptor, SHBA

Artisti dhe veprimtari humanist Rakaj, për shembull tek bamirsja e madhe botërore shën Nënë Tereza e Kalkutës, kërkonte një model tokësor dhe njëkohsisht asokohe as nuk mund të imagjinonte se fantasia artistike mund të kapte këte bukuri dhe hirin qiellor, që do të ishte ai i mishërimit rrezatues hyjnor, tek bota dhe shpirti i Saj madh i fisnik.

Nga historia e vitëve të shkuara mësojmë, se gjatë një interviste dhënë nga meshtari i shquar patër Pashko Gojçaj o.f.m., në Tuz, ai (frati) deklaron hapur, se skuptori shqiptar Vasil Rakaj, është i pari skuptor në botë, që i bën momentin në skupturë kushtuar personalitetit të shquar Nënë Terezës, në të gjallë të Saj dhe një muaj mbasi Ajo kaloi në amshim u inagurua kjo vepër arti, e cila ende sot ndodhet në Tuz.

Vasil Rakaj, ka skalitur prej dekadash art në skulpturë. Një nga subjektet e tij më të preferuara është shën Nënë Tereza (1910-2007), shqiptarja më e famshme në botë. Ajo me madhështinë e Saj fisnike, ishte një pikë e dobët e skulptorit tonë.

Studiuesja dhe kritikja e artit bashkëkohor Suzana Varvarica Kuka, në një shkrim të saj botuar në gazetën “Dielli” (Tetor 2019 dhe ribotuar nga redaksia këtu në New York, në Numërin Special me shumë faqe në muajit nëntor 2019, e cila i kushtohet tërësisht Pavarësisë së Shqipërisë) të komunitetit tonë shqiptaro-amerikanë, ndër të tjera vlerëson kështu: “Në studio, Vasil Rakaj modelon argjilën e bronzin, gdhend drurin e gurin.  Jeta e tij artistike nuk ndahet nga jeta e tij sociale dhe të dyja bashkë zenë vend në dy periudha të rëndësishme.  Periudha e parë i përket jetës së tij në Shqipëri, gjatë kohës komuniste dhe krijimtarisë së tij nën diktatin e qeverisjes së sistemit monopartiak. Në këtë periudhë deri në 1990, Vasil Rakaj u edukua me nocionin: “Se atdheu, është familja” dhe kjo moto e bëri një individ të ndërgjegjshëm në jetën e tij artistike. Ai u rrit si skulptor realist, punoi si mësues dhe metodist i edukimit figurativ; jetoi në Kurbin dhe krijoi punime arti, të cilat lidhen me temat, subjektet dhe personazhet që sugjeronte arti dhe propaganda e asaj kohe në Shqipëri. Pas rënies së komunizmit, Vasil Rakaj bashkë me familjen e tij, u largua drejt ShBA dhe nisi një jetë të ndryshme nga ajo e atdheut, por duke mos e humbur mallin për të. Në ShBA, në Conneticut fillon periudha e dytë të jetës, ku zhvillon krijimtarinë duke mos e harruar shprehjen e  Volterit: “O njeri! Kurrë mos u lodh për ndihmën që i jep atdheut”.

Duke ndjekur nga afër jetën dhe aktivitetin e pasur artistik të mikut tim, mjeshtërit duar-artë Vasil Rakaj, studiuesja Kuka vijon rrëfimin e saj, se: “Në ShBA ai vlerësoi personalitetitin e Martin Luther King-ut dhe e modeloi potretin e tij në stil realist.

Më pas modeloi një bazament me formë shumë të veçantë dhe portreti – kokë mbi bazamentin e harkuar qëndrojnë në harmoni të plotë. Kjo vepër ruan vlera estetike dhe cilësi të lartë të ekzekutimit artistik.

Këto dy cilësi i kanë dhuruar nderim skulptorit ndër personalitetet e vendit ku jeton dhe në komunitetin e përbashkët, që respekton figurën e shquar të Martin Luther King-ut, si lider në mbrojtje të të drejtave të njeriut.

Në këtë periudhë skulptori ka vlerësuar ndjesi dhe përjetime të fenomeneve njerëzore në përshtatje me jetën dhe filozofinë jetësore.

Ai krijoi dhe krijon portrete, figura femërore alegorike dhe portrete të njerëzve nga jeta e përditshme.

Gjatë procesit krijues skulptori Rakaj nuk e anashkalon subjektin figurativ të një vepre, madje e pasuron me një mendim të vetin.

Në mënyrë ekskluzive, në të gjithë krijimtarinë e Vasil Rakaj dallon arti i tij për të pasqyruar në disa forma figurën madhore të Nënë Terezës. Ajo duket se zë një vend kryesor.

Ai e adhuron figurën dhe personalitetin e Nënë Terezës. Ai e respekton dhe është krenar për ekzistencën e saj.

Kjo ka sjelle një krijimtari të shumtë rreth personalitetit të saj. Në studion e tij në ShBA, në ekspozita dhe në evente përkujtimore që lidhen me atdheun, figura e saj në skulpturën e tij zë një vend të rëndësishëm.

Ai e ka gdhendur figurën e saj si shtatore, si bust, si reliev dhe si portret, por edhe si kompozim të skulpturës urbane dhe monumentale. I ka dhënë ngjashmëri në pamjen e jashtme, butësinë psikologjike, karakterin fetar përmes pasqyrimit të ndjesisë së shërbesës dhe të përulësisë.

Ai e punoi figurën e saj në Shqipëri dhe ShBA dhe e ka ekspozuar skulpturat e titulluara  “Nënë Tereza”, në dhjetra ekspozita e me sukses në Shqipëri e ShBA.

Në Kosovë, skulptura e tij statuja “Nëna Terezë”, e cila është një figurë që shpreh personalitetin e shënjtores, e cila mban me ngrohtësi dhe ngjeshur në trupin e saj një djalë-fëmi, është vendosur në rrugën – pedonale dhe shumë pak metra më në jug se sheshi ku gjendet ekuestri “Skënderbeu mbi kalë” i skulptorit Janaq Paço.

Skulptori e ka punuar figurën e saj edhe në formën e objektit të llojit dhuratë dhe, si të tillë i është dhuruar disa fondacioneve, disa personaliteteve të njohur, të huaj dhe shqiptarë.”

Në punimet e mjeshtrit Rakajt, ndihet pulsi i një artisti të fuqishëm

Skulptori i talentuar shqiptaro amerikan Vasil Rakaj (1954), ka lindur në fshatin historik Petrelë, jo shumë larg kryeqytetit Tiranë. Ai është me origjinë nga Boga e Malësisë së Madhe, e cila ndodhet në Shqipërinë Veriore.

Jeta e tij është interesante, që nga fëmijëria dhe deri në ditët tona. Shkollën fillore ai e ka mbaruar në Brojë (pranë dajave të tij në Malësi), kurse klasën e pestë në katundin Kastrat (Bratosh) tek tezja e vet, ndërsa klasën e gjashtë dhe shtatë në Milot dhe klasën e tetë e përfundon në qytetin Laç të Kurbinit.

Pasioni dhe prirja për skulpturën, bën që i riu Rakaj shkollën e mesme t’a përfundoj në Tiranë, pranë Liceut Artistik “Jordan Misja” në vitin 1973, ndërsa më 1977 kryen me sukses studimet e larta në Institutin e Arteve të Bukura, po në kryeqytetin e Shqipërisë.

Në vitet 1977-1978, skulptori i ri Rakaj, emërohet si kuadër tek Ndërmarrja Artistike e qytetit heroik të Krujës.

Skulptori, filloj punën si mësues në shkollën “Dan Bajrami” në Gjorm të Kurbinit. Duke qenë mësues, ai njëkohsisht për 8 vjet kryesoj grupin e metodistëve për lëndën e vizatimit deri në vitin 1990. Si skulptor krijues, ka qenë antarë i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë prej vitit 1982 deri sa ndryshoi sistemi politik në Shqipëri në vitin 1991.

Ardhja e demokracisë e gjen skulptorin në aktivitet të lirë artistik, misionin fisnik të cilin e vijon edhe sot në Amerikë (Conneticut). Artisti, gjatë jetës së tij krijuese kaloi gëzime dhe meditime plot frymëzime në punën artistike, ku me daltë gdhendi mjeshtërisht në dru e material të ndryshme dhjetra tematika, që i realizonte me pasion dhe dashuri.

Mbi të gjitha temat, më e preferuar e skulptorit është portreti asokohe i Të Lumes Nënë Tëreza (sot shën Tereza e Kalkutës), me të cilat ka hapur ekspozita në disa shtete të Amerikës.
Puna krijuese e artistit malësor, është e shtrirë me vite deri në ditët tona. Ai ka marrë pjesë pothuaj në të gjithë ekspozitat kombëtare e lokale, ku ka paraqitur punimet e veta.

Të tilla mund të përmendim portretet artistike, si:
“Nëna heroinë”,
“Fshatarja”,
“Malësori”,
“Kok Malçi” (figurë e urtësisë popullore, i cili, për atë kohë ishte këshilltar i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit (punim në gur)), portrete fëmijësh:
“Punim me shtiza”,
“Kodra e Ksulave”
dhe kompozimet:
“Gdhendësi popullor krutan”
“Puthja”,
“Besa”,
“Piskama-portret me duar” etj.

Falë punës pasionante krijuese, ai realizon me mjeshtëri të lartë artistike punimin në dru të titulluar: “Loja e fëmijëve” (symbylltas), ku asokohe skulptori gdhendës, Vasil Rakaj ka fituar Çmimin e Dytë Kombëtar në Shqipëri në vitin 1984. Ai ishte i caktuar për të ekspozuar traditën e kulturës popullore krutane, krahas ekspozimeve të autorëve të ndryshëm nga rrethe të tjera në qytetin e Shkodrës, që asokohe ishte kthyer në një traditë konkuruese popullore mbarëkombëtare.

Kultura dhe tradita e lashtë popullore, kanë qenë dhe mbetën edhe sot temat e preferuara të autorit artist Rakaj, një pasuri dhe vlerë e pashtërshme në frymëzimet e mëvonshme, që u bënë shkak për krijimin e veprave të reja.

Punime të tjera të gdhendur në dru, me dimensione më të mëdha, mbajnë firmën e artistit Rakaj në kafen popullore krutane, brënda në kështjellën historike të Kastriotëve, trekëndshi i gdhendur në dru në hyrje tek Pazari i Vjetër, në qytetin historik të Krujës etj.

Skulpturat kushtuar Të Lumes Nënë Terezës në Shqipëri, janë nderuar me disa çmime nderi. Kështu me veprën “Portret në dru”, në konkursin kombëtar kushtuar humanistës së madhe ndërkombëtare, skulptori duarartë Rakaj është nderuar me Çmimin e Tretë në Tiranë në vitin 1996. Sërisht po me veprën “Portret në dru” (2009), në qytetin Conneticut të Amerikës fiton Çmim të Parë, në ekspozitën e artit modern amerikan.

Ekspozita të rregullta personale skulptori Rakaj, ka hapur në 100-vjetorin e Të Lumes Nënë Tereza, më 20 shtator 2010 në Worcester Mass., në Stamford CT. (28 Shtator 2010), në restorantin italiano-amerikan “Eastwood Manor” (29 Gusht 2010), Bronx, New York etj.

Ajo që të bie në sy është se tematika e shën Nënë Terezës, zë një vend të rëndësishëm edhe në monumentet e ngritura në sheshet dhe ambientet e ndryshme publike në natyrë.

Kështu punimet e patriotit dhe skulpturit të talentuar Vasil Rakaj, gjenden të vendosura në Tuz (Mal të Zi), qysh nga 18 tetori i vitit 1997 (me nënshkrimin e skalitur Vasil Gj. (Iniciali Gj., do të thotë Gjelosh, që është emri i babait të tij) Rakaj, i cili është edhe punimi i parë i tij); në oborrin e kishën katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale, New York (inaguruar më 10 shtator të vitit 2000); në Sheshin Qendror të Prishtinës (Kosovë, inaguruar më 2 korrik 2002, i cili përbën punimin e tretë të tij); në kishën katolike shqiptare “Zoja Pajtore e Shqiptarëve”, në qytetin e madh industrial Detroit, Michigan, e cila përbën skulpturën e katërt të inaguruar atje, më 16 tetor të vitit 2003.

Skulpturën shumë të mirënjohur “Nënë Tereza me fëmijë”, mjeshtri Rakaj e zvogëloi dhe e përpunoi, duke i dhënë një vlerë të re artistike, të cilën ia bëri dhuratë vëllezërve Gojçaj në New York në vitin 1998, në 1-vjetorin e kalimit në amshim të Të Lumes Nënë Tereza.

Vëllezërit zemërbujarë Lekë Gojçaj (1939-2000) dhe Pashko Gojçaj (1941-2018), më vonë i mundësuan, që nga një kopje të veprës artistike t’a kenë si suvenir shumë përsonalitete të botës, si: shën papa Gjon Pali II, Presidenti demokrat amerikan Bill Clinton, Mbretëresha e Britanisë së Madhe Elisabetha II, Presidenti republikan amerikan George W. Bush, Gjeneralit amerikan Wesley Clark, kongresistit Tom Lantosh, ambasadorit amerikan në Prishtinë Walker, dom Anton Kçirës meshtar në kishën katolike shqiptare shën Pali dhe shën Pjetrit në Detroit, Michigan, SHBA, Presidenti i Kosovës dr. Ibrahim Rugova, Presidenti dhe ish Kryeministri i Shqipërisë dr. Sali Berisha etj. Ky i fundit veprën e skulptorit Vasil Rakaj, ia dhuroi Fondacionit Kulturor “Nënë Tereza”, me qendër në Tiranë, Albania.

Po ashtu skulptori i talentuar dhe i palodhur Rakaj, me modesti tregon se në 100-vjetorin e lindjes së figurës së shquar ndërkombëtare Nënë Tereza, ai ka marrë pjesë në ekspozitën shëtitëse të hapur nën kujdesin e presidentes së Fondacionit Kulturor “Nënë Tereza” zj. Liri Berisha, pranë Selinë e OKB-së në New York, sikurse më vonë në Washington D.C., dhe Itali, duke u paraqitur gjithashtu me dy punime.

Nga fondi i ekspozitave personale, autori zemërbujar i ka bërë dhuratë disa vepra me portretin e Nënë Terezës si personalitetit të shquar të komunitetit tonë, meshtarit të nderuar shqiptaro amerikanë don Pjetër Popaj, famullitar i përkushtuar pranë Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në New York, personalitetit dhe biografit të shquar Nënë Terezës shkrimtarit mons. dr. Lush Gjergjit (dhuruar nga vëllezërit patriotë malesorë Gojçaj), kishës katedrale katolike, që i dedikohet shën Nënë Terezës në Prishtinë të Republikës së re të Kosovës, sikurse edhe ish Presidentit të vendit zotit Fatmir Sejdiu etj.

Ashtu sikurse quhet mons. dr. Lush Gjergji biografi i shquar shën Nënë Terezës me shkrime dhe libra, me plot të drejtë mund t’a quajmë artistin e talentuar shqiptaro amerikanë Vasil Rakaj si skulptorin e parë brilant dedikuar artistikisht Nënë Terezës.

Skulptori V. Rakaj dhe busti kushtuar dr. Martin Luther King Jr., përballë Bashkisë në Ansonia city, Connecticut

Busti i modeluar bultësisht në baltë nga skulptori Vasil Rakaj dhe i derdhur në bronz qëndron në majë të një piedestali prej graniti të zi të sjellë nga shteti Vermont.

City of Ansonia. Duke e shëtitur në këmbë dhe në disa zona piktoreke buzë ujit me makinë e kupton se ai ështe një nga qytetet apo Bashkia më e vogël e shtetit Connecticut. Ky komuniteti më së shumti i njerëzve me ngjyrë, me dinjitet dhe respekt nderoj martirin Martin Luther King Jr. përmes një busti të madh të derdhur në bronz dhe që sot ndodhet përballë bashkisë së tij.
Skulptori Rakaj, rrëfen për lexuesit shqiptar në vendlindje, momentin kur catohet nga komuniteti i qytetit dhe vetë kryetari i Bashkisë se qytetit të vogël Ansonia, që të realizoi në skulpturë figurën e personalitetit të madh amerikanë dhe botërorë dr. Martin Luther King Jr.

Ai, në një intrevistë ekskluzive, dhënë gazetarit lezhian Tom Therçaj, kujton: “Brenda pak ditësh më trokitën në studio një grup prej 10 vetash, ku bënte pjesë edhe kryetari i bashkisë së qytetit ku jetoj, Ansonia, Konektikat, David Cassetti. Të tjerët ishin përfaqësues të komunitetit, organizatorë për realizimin e veprës që do të vendoset pranë bashkisë së qytetit të Ansonias. Aty m’u dha edhe lajmi i mirë që isha përzgjedhur unë. Ishim të gjithë të gëzuar e nuk di se kush më shumë, unë si autor, apo ata që kishin trokitur në studion e duhur.”

Busti i lartë, ndodhet i vendosur dukshëm në një bazë graniti të zi përpara Bashkisë. Ai është: “një testament bashkëpunimi, në një botë me kaq shumë konfuzion, diversitet dhe urrejtje, kjo tregon se një komunitet mund të lërë mënjanë dallimet e tij dhe të punojë së bashku duke respektuar njëri-tjetrin, për të mirën e të gjithëve,” tha David Gatison, kryetari i Ministrisë së Dhjakut në Kishën Baptiste të Maqedonisë dhe një nga anëtarët e Komitetit MLK Bust.

Busti i ri, është ideuar dhe krijuar nga duart e arta të skuptorit të talentuar dhe me përvoj shqiptaro-amerikanit Vasil Rakaj, i cili sot njihet si skulptor i Këshillit të Arteve të Luginës.
Gazetarët e ndryshëm amerikanë në këto media marramendëse, kanë ritheksuar vazhdimisht se veprat artistike të autorit Vasil Rakaj, janë ekspozuar në Shtëpinë e Bardhë, Washington D.C., Buckingham Palace të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe, në shtetin e Vatikanit në Itali, Shqipëri, Kosovë etj.

Perveç bustit të realizuar artistikisht në bronz, kushtuar dr. King Jr., në Bashkinë Ansonia, artisti shqiptar, ka menduar edhe për vendosjen e veprës në një piedestal prej graniti të zi. Sikurse thotë skuptori Rakaj, vepra e re dhe piedestali krijojnë një hark, që shërbejnë për të ngritur apo krijuar idene e dr. Martin Luther King Jr. në qiell. Ky hark, shihet për herë të parë si kompozim skulpturor.

Sot çdo vit përballë bustit të ri zhvillohet një ceremoni tradicionale vjetore përkujtimore, për nder të mbretit (MLK) çdo 4 prill, pikërisht në përvjetorin e vrasjes së tij në qytetin Memphis, të shtetit Tennessee.

Busti, prej kohësh thuhet se ishte një ëndërr, më pas u bë një sugjerim dhe më në fund u shndërrua në realitet. Pas tre vitesh mbledhje fondesh, skulpturimi dhe planifikimi, qëllimi i bustit në fjalë u arrit të realizohej nga duart e arta të skulptorit shqiptaro-amerikan Vasil Gjelosh Rakaj.

Por historia apo ëndrra e vendosjes së këtij busti me famë amerikane dhe botërore e përsonalitetit të shquar amerikan është shumë e thjeshtë dhe njëkohsisht shumë interesante. Mësojmë se 5 vite më parë busti i luftëtarit të vendosur për lirië dhe të drejtave të njeriut dhe në veçanti për komunitetin me ngjyrë në SHBA dr. Martin Luther King Jr., ishte rekomanduar nga Brandon Richards, një ish-nxënës i shkollës së mesme. Ai ia shpreh këtë dëshirë (ëndërr) shokëve të klasës së tij në shkollë. Ai kërkonte asokohe, sikur të kishim një bust dinjitoz të MLK në qytetin tonë.
Me këtë ide dhe qëllim në mendje, ata së bashku nisen tek kisha baptiste në qytetin Ansonia. Pastori gëzohet për këtë ide dhe bie dakord. Ai thoshte se duhet të marret miratimi nga Bashkia se qytetit Ansonia. Këshilli Bashkiak e miraton kërkesën e këtij djaloshi fisnik e cila bëhet realitet me vendosjen e veprës monumentale përkujtimore MLK në skupturë reralizuar mjeshtërisht nga skulptori shqiptar Rakaj.

“Uau,” vuri në dukje senatori i shtetit George Logan, R-Ansonia. “Kjo është e mrekullueshme. Çfarë feste. Si një komunitet për ne, që të bashkohemi kështu – është diçka e veçantë. … Kjo është arsyeja, pse mbjellja e farave të duhura në rininë tone, është kaq e rëndësishme. Kjo ide erdhi nga një fëmijë i vogël.”

Asokohe publiku pjesëmarrës në inagurimin e bustit, dëgjoi lexime nga nxënës të shkollave të mesme, u interpretua muzikë nga kori i shkollës së mesme Ansonia dhe fjalime nga politikanë si Logan, përfaqësuesja e shtetit Kara Rochelle, D-Ansonia dhe kryebashkiaku David Cassetti.

Duke shfletuar online arkivin e shtypit të kohës, lexojmë mbresa dhe përshtypje të ndryshme për realizimin artistik të bustit asokoke nga skulptori shqiptar Rakaj.

“Ky bust më kujton bustet në Romën e lashtë të senatorëve dhe udhëheqësve të tyre të rëndësishëm. Martin Luther King Jr. ishte një udhëheqës i madh, që nxiti të bashkohemi në një kohë të përçarjes kombëtare, dhe busti i Vasilit tregon kësisoj një udhëheqës të komunitetit.” tha Rev. Edward Young, meshtar i Kishës Katolike Greke ukrainase të shën Pjetrit dhe shën Palit.

Busti MLK, para 5 viteve ishte një ëndërr e komunitetit të qytetit Ansonia, me rastin e 50-vjetorit të vrasjës së dr. King, përpara Bashkisë së Ansonias, për të përkujtuar trashëgiminë transformuese të Rev. Dr. Martin Luther King, Jr., dhe për të frymëzuar komunitetin Ansonia dhe komunitetet përreth Luginës me dashuri, barazi, drejtësi dhe dhembshuri, për të gjithë banorët e Luginës.

Kjo është koha më e bukur për një reflektim të tillë. Kur Amerika jonë e dashur dhe e ndarë fatkeqsisht në mënyrë të pakuptimtë në rrafshin politik, sot më shumë se kurrë, mendoj se ka nevojë për të dëshmuar një shpirt të ripërtërirë paqeje dhe uniteti, për të ngritur lart madhështinë tonë në rënie këto vitet e fundit.

Rev. Dr. Martin Luther King, Jr. ishte një avokat dhe shpesh fliste në tubimet masive për barazi dhe drejtësi, për të gjithë njerëzit pa dallim ngjyre dhe bindjeve politike.
Trashëgimia e tij e qëndrueshme prek jetën e të gjithë amerikanëve sot. Njerëzit e Luginës dhe komuniteteve përreth janë të nderuar të përfaqësojnë idealet e një Amerika të bashkuar.

Shënim: Shkrimi është shkëputur nga libri voluminoz: “Dritë dhe hije historike në New York” (Shënime & Refleksione), New York, 2024, që shumë shpejt pritet të botohet online nga kompanitë e medha amerikane dhe botërore në Amazon, Barnes and Noble etj., i autorit shqiptaro amerikan Klajd Kapinova.

FOTOALBUM: Ish kryeministri Mustafa Kruja me Shuk Gurakuqin në Gjenovë më 1936

 

VOAL- Në kuadrin e ciklit “Fotoalbum” sot po sjellim një foto historike ku nacionalisti i shquar, ish kryeministri Mustafa Kruja, ka dalë me Shuk Gurakuqin në Gjenovë më 1936.

Shuk Gurakuqi (Shkodër, 28 mars 1888 – 13 prill 1969) ka qenë ekonomist financier, vullnetar i Luftës së Koplikut, deputet i të parit kuvend shqiptar të dalë pas Kongresit të Lushnjes. Pas pushtimit italian u emërua ministër Financash në qeverinë e Mustafa Krujës.

Mustafa Merlika Kruja ndërroi jetë në mërgim, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 1958.

 

FOTOALBUM: MUSTAFA KRUJA ME BASHKËSHORTEN CAJE GUNI

 

VOAL- Në kuadrin e ciklit “Fotoalbum” sot po sjellim një foto historike ku nacionalisti i shquar, ish kryeministri Mustafa Kruja, ka dalë me bashkëshorten Caje Guni në Durrës më 1920.

Çifti është në veshje karakteristike kombëtare të Krujës.

Mustafa Merlika Kruja ndërroi jetë në mërgim, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 1958.

Arben Meksi fiton Çmimin Ndërkombëtar në Karikaturë në Kroaci

Në Zagreb të Kroacisë u zhvillua konkursi botëror i karikaturës, me temën: “Letërsia në karikaturë”

Qëllimi i këtij konkursi ishte që përmes personazheve shumë të njohur të letërsisë botërore te vendosur në situata të ndryshme të përcillte përmes humorit, metaforës, dhe filozofisë, mesazhe universale.

Në këtë konkurs morën pjesë karikaturistë nga 64 vende të botës, ku u paraqiten 882 punime nga 389 autorët pjesëmarrës.
Juria ndërkombëtare në fazën e pare të konkursit përzgjodhi karikaturat më të mira, të cilat shprehin më qartë temën e konkursit dhe kishin nivel të lartë artistik, prej të cilave u zgjodhën dhe karikaturat fituese.

Karikaturisti Arben Meksi, fitoi çmimin e tretë duke marrë medaljen e bronzit me karikaturën “Bashkëjetesë dhe identitet” duke zgjedhur si personazhe dy figura emblematike të dy qytetërimeve, Don Kishotin dhe Nastradin Hoxhën, të cilët miqësisht takojnë gotat e dollisë. Përmes metaforës, kompozimit dhe humorit autori i vendos të dy personazhet duke takuar gotat e mbajtura në mënyra te ndryshme, si dy miq të dashur, por secili me identitetin e vet.

Karikatura fituese e Meksit u vlerësua jo vetëm për metaforën e goditur dhe humorin që përcillte, por edhe për realizimin artistik te saj.
Ky konkurs i cili zhvillohet çdo vit në Kroaci, trajton tema të rëndësishme shoqërore që shqetësojnë njerëzimin sot në botë.
Çmimi i fituar i ben nder karikaturës Shqiptare, e cila sot nuk është në ditët më të mira të saj. Është detyra e artistëve por edhe e institucioneve artistike ta mbështesin këtë art, i cili ka qenë krenaria e arteve tona. (Marrë nga ExLibris)

FOTOALBUM- Mustafa Kruja me nipin e vogël, Eugjenin, pak ditë para largimit nga Shqipëria

VOAL- Në kuadrin e ciklit “Fotoalbum” sot po sjellim një foto historike ku nacionalisti i shquar, ish kryeministri Mustafa Kruja, ka dalë me nipin e vogël, Eugjen Merlika, në oborrin e shtëpisë së tij në Tiranë në gusht 1944, pak ditë para largimit nga Shqipëria.

Mustafa Merlika Kruja ndërroi jetë në mërgim, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 1958. Gjyshi dhe nipi nuk u takuan asnjëherë më.


Send this to a friend