VOAL

VOAL

Intervista – Jakshiç: „Vuçiçi ka instaluar një sistem mafioz“

January 19, 2018

Komentet

(Video) Ish-analisti i lartë i CIA intervistë me Keida Kostecin: Arrestimi i Hysenit dhe marrëveshjet jotransparente thellojnë hijet e dyshimit mbi qeverinë e Ramës

Lidhur me dinamikat rajonale, Dr. Kanin—ish-anëtar i delegacionit të SHBA-së në bisedimet e paqes në Rambuje për Kosovën në vitin 1999—argumenton se pritshmëritë se proceset e gjykatave do të sjellin pajtim në Ballkan janë absurde dhe se nuk ka asnjë provë për “ndonjë pajtim të vërtetë”.

TIRANË- Një ekspert i çështjeve të Ballkanit në Uashington dhe ish-analist i lartë i CIA-s, thotë se arrestimi i ish-shefes së Shërbimit Informativ të Shqipërisë (SHISH), Vlora Hyseni, dëmton rëndë “besueshmërinë e shërbimit informativ shqiptar”.

Në një intervistë me Keida Kostrecin, Dr. David Kanin, profesor në Universitetin Johns Hopkins, e vendos përgjegjësinë politike për këtë rast drejtpërdrejt mbi kryeministrin Edi Rama, duke theksuar: “Ai është kryeministri dhe ajo ishte shefja e tij e zbulimit”.

Sipas Dr. Kanin ky arrestim veçse “i shton hijet e dyshimit rreth qeverisë”, ashtu si edhe mosbesimin publik në rritje për “marrëveshjet e jotransparente të biznesit” të lidhura me anëtarë të familjes Trump, të cilat nxitën protestat e Revolucionit të Flamingove.

Lidhur me dinamikat rajonale, Dr. Kanin—ish-anëtar i delegacionit të SHBA-së në bisedimet e paqes në Rambuje për Kosovën në vitin 1999—argumenton se pritshmëritë se proceset e gjykatave do të sjellin pajtim në Ballkan janë absurde dhe se nuk ka asnjë provë për “ndonjë pajtim të vërtetë”.

Ai i sheh nën këtë dritë, edhe vendimet e Gjykatës Speciale në Hagë kundër ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe tre udhëheqësve të tjerë të lartë të UÇK-së. Dr. Kanin shpreh shqetësimin për ndryshimin e angazhimit të Uashingtonit në rajon, që sipas tij po priret drejt marrëveshjeve dypalëshe biznesi të mbështetura tek interesat, si dhe për ndryshime më të thella “strukturore” në angazhimin global të SHBA-së.

INTERVISTA:

Keida Kostreci: Zoti Kanin, fillimisht doja të dija reagimin tuaj lidhur me ngjarjet e fundit në Shqipëri, ku ish-drejtuesja e shërbimit të zbulimit (Vlora Hyseni) u vendos në arrest shtëpie dhe më pas u pezullua nga detyra. Cila është rëndësia e kësaj ngjarjeje?

David Kanin: Sigurisht që kjo ngjarje ka rëndësi në disa aspekte: Së pari, cenon besueshmërinë e shërbimit shqiptar të zbulimit. Fakti që drejtuesja e tij arrestohet me akuza që duket se mbështeten në argumente dhe prova mesa duket të besueshme, është një çështje serioze; jam i sigurt se kjo do të nxisë një proces reflektimi të brendshëm në atë agjenci dhe do të ngrejë pikëpyetje mbi besueshmërinë e atyre që bashkëpunojnë me të. Së dyti, kjo pasqyron sërish natyrën e përhapur gjerësisht të politikës së klientelizmit – atë që ne e quajmë korrupsion, i cili është vetëm maja e ajsbergut të klientelizmit – si dhe forma të tjera të aktiviteteve informale që minojnë institucionet, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit dhe më gjerë.

Keida Kostreci: Kryeministri i vendit (Edi Rama) reagoi, duke e shkarkuar zonjën Hyseni nga detyra por edhe duke u distancuar nga ky rast, pasi pothuajse menjëherë diskutimi u përqendrua te përgjegjësia politike e një kryeministri, kur drejtuesja e zbulimit përfshihet në veprime të tilla. Ai deklaroi se bëhet fjalë për përgjegjësi individuale dhe se nuk kishte dijeni për asnjërën prej çështjeve. Por, sipas jush, a ekziston një përgjegjësi politike?

David Kanin: Absolutisht! Ai është kryeministri dhe ajo ishte shefja e tij e zbulimit. Dhe nuk mund të injorohen akuzat e tjera për shkelje nga ana e kryeministrit dhe qeverisë lidhur me një sërë çështjesh, përfshirë sigurisht edhe ato që kanë nxitur protestat e Revolucionit të Flamingove. Nëse është e vërtetë se në atë zonë planifikohet ndërtimi i më shumë se një kompleksi turistik me përfshirjen e familjes Trump, kjo është shumë serioze. Arrestimi i drejtueses së zbulimit shton hijet e dyshimit që rëndojnë mbi qeverinë për një sërë çështjesh. Dhe kjo është diçka shqetësuese.

Keida Kostreci: Kryeministri Rama ka thënë se të gjithë kanë të drejtë të protestojnë, por gjithashtu ka thënë se protestat janë nxitur nga forca keqdashëse apo algoritme, si edhe nga grupe të ndryshme. Duke vepruar kështu, ai në njëfarë mënyre minimizon peshën e këtyre protestave që vazhdojnë prej disa muajsh. Dhe kjo ndodh menjëherë pas shumë akuzave dhe proceseve të tjera ndaj zyrtarëve të lartë, anëtarëve të kabinetit të tij. Si ta interpretojmë gjithë këtë situatë, kur kryeministri këmbëngul se “drejtësia po bën punën e saj dhe procesi është i drejtë. Ne punuam për të ndërtuar sistemin e ri të drejtësisë kundër korrupsionit”? Pra, po i rikthehem pikës sime të mëparshme: zoti Rama po përpiqet të distancohet nga çdo gjë që po ndodh në Shqipëri dhe që mund të ketë pasoja politike…

David Kanin: Ai flet gjithmonë për procesin dhe thotë se gjithçka po shkon mirë, e më pas bën atë që do vetë. Fakt është se protestuesit kanë të drejtë të jenë të shqetësuar për çështjet ekologjike, politike dhe në fakt, për gjithë sferën e ndikimit të aktorëve informalë – si dhe familjes Trump në bashkëpunim me kryeministrin – lidhur me këto marrëveshje biznesi jotransparente. Pra, arrestimi i kreut të shërbimit sekret është, natyrisht, një turpërim i madh për Ramën, sepse shton dyshimet rreth veprimeve të tjera të tij. Ky incident i fundit, thjesht i shtohet atmosferës së përhapur gjerësisht të shkeljes së ligjit, ose së paku mungesës së transparencës. Ai e di këtë dhe prandaj përpiqet t’i etiketojë të gjithë të tjerët si keqdashës, ndërkohë që po rritet ndjesia se, në fakt, njerëzit përreth tij dhe vetë aktivitetet e qeverisë mund të jenë ato që janë keqdashëse.

Keida Kostreci: Sipas jush si ekspert, cili do të ishte reagimi i duhur, kur këto ndodhin ndërsa është ai në krye të qeverisë dhe kur ai ka qenë në pushtet për kaq shumë vite – mbi një dekadë vetëm si kryeministër?

David Kanin: Hapi i parë është të distancohet nga hetimi ndaj kreut të shërbimit sekret. Ai hetim duhet të kryhet nga njerëz të besueshëm, që të mos jenë absolutisht të lidhur me qeverinë apo me strukturën e pushtetit. Hetimi duhet të gëzojë besueshmëri në sytë e publikut dhe të lejohet të zhvillohet duke ndjekur provat. Ky do të ishte hapi i parë pozitiv. Megjithatë, kjo nuk do ta largojë hijen e dyshimit që rrethon çështjet që kanë lidhje me kryeministrin, veçanërisht marrëveshjet e biznesit me familjen Trump. Shqipëria nuk është vendi i vetëm ku po ndodh një gjë e tillë. Duke e parë si amerikan, ekziston një shqetësim i madh në vendin tonë lidhur me aktivitetet e familjes Trump, si brenda ashtu edhe jashtë vendit – fakt që shpjegon pjesërisht interesin e madh për zgjedhjet e mes-mandatit – çka tregon se çështja i kalon kufijtë e Shqipërisë. Por nëse Shqipëria do të ndjekë një luftë ndaj fenomeneve negative, ajo duhet të veprojë në mënyrë ligjore dhe transparente lidhur me çështjen e shefes së shërbimit të zbulimit dhe aktiviteteve të saj, por edhe në lidhje me marrëveshjet e biznesit që kanë shkaktuar kaq shumë protesta.

Keida Kostreci: Le të kthehemi te rasti i zonjës Hyseni. Cilat janë pasojat – përsa i takon akuzave për ndarjen e informacionit dhe ndihmën e dhënë ndaj një figure (të akuzuar) për krim të organizuar – tek pozita e Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s dhe, që si e tillë, ka kapacitete për shkëmbimin e informacioneve të ndjeshme?

David Kanin: Nuk ka dyshim që këto janë çështje sigurie që do të trajtohen brenda NATO-s dhe nga shërbimet e zbulimit që bashkëpunojnë me shërbimin shqiptar të zbulimit; kjo do të hedhë më tej hije dyshimi mbi besueshmërinë e këtij të fundit. Kjo është padyshim një pjesë e problemit. Por çështja më e gjerë është se gjëra të tilla po ndodhin kudo – me ministra, deputetë dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë. Kjo është dukuri e zakonshme; nuk ka asgjë të pazakontë. Ky është problemi i vërtetë. Po mësohemi me faktin që kjo ndodh kudo dhe vazhdimisht; kjo është e rrezikshme dhe minon thellësisht çdo koncept të shtetit ligjor dhe çdo besim te institucionet. Dhe duke qenë se ky është thelbi i apelit të Perëndimit ndaj rajonit dhe i kërkesave perëndimore për zhvillim politik në rajon, kjo është çështje shumë serioze.

Keida Kostreci: Megjithatë, kryeministri theksoi se nuk ka pasur shqetësime të shprehura nga partnerët perëndimorë apo ata të NATO-s dhe se drejtësia duhet të bëjë punën e saj. Ju po e analizoni këtë si ekspert i rajonit, por nuk kam parë ndonjë reagim zyrtar nga ana e partnerëve.

David Kanin: Nuk ka arsye për një reagim zyrtar, sepse ky hetim sapo ka filluar dhe nuk ka kuptim që partnerët të bëjnë bujë për diçka që sapo ka nisur të hetohet. Megjithatë, mendoj se ka shqetësime të mëdha lidhur me atë që po ndodh me qeverinë shqiptare. Të gjitha këto zhvillime që po ndodhin atje së fundmi, këto problemet dhe protestat, padyshim që po tërheqin vëmendje – dhe jo në mënyrë pozitive.

Keida Kostreci: Zoti Kanin, si dikush që ka punuar për CIA-n, si mund t’i shpjegoni në mënyrë të kuptueshme implikimet dhe rëndësinë e kësaj ngjarjeje?

David Kanin: Marrëdhëniet e punës midis agjencive të zbulimit nuk dëmtohen gjithmonë rëndë kur dikush në krye të njërës prej këtyre agjencive akuzohet për këtë lloj aktiviteti. Çdo vend ka politikën e vet dhe herë pas here ka pasur hije dyshimi mbi drejtuesit e CIA-s për çështje të ndryshme – jo si në rastin e këtij personi në Shqipëri, por gjëra të tilla ndodhin – ndonjëherë pa ndikuar në marrëdhëniet normale midis agjencive.
Megjithatë, nuk është gjithmonë kështu. Mendoj se kushdo që punon me shërbimin shqiptar të zbulimit – në nivel partnerësh apo kolegësh, apo në nivelin operacional, analist me analist – duhet ta ketë parasysh këtë dhe të tregohet i kujdesshëm për t’u siguruar që asnjë nga aktivitetet për të cilat akuzohet kreu i zbulimit, të mos cenojë besueshmërinë e partnerëve të tyre në Shqipëri apo të ndikojë në marrëdhënien e punës. Sigurisht, kjo do të jetë diçka që ata do ta kenë parasysh. Nëse kjo do të bëhet çështje parësore për ta, mendoj se do të varet nga ecuria e hetimeve.

Keida Kostreci: Kryeministri Rama, siç e përmenda, ka thënë se partnerët nuk kanë shprehur ndonjë shqetësim. Megjithatë, si ta vendosim këtë në kontekstin e synimeve të Shqipërisë? Shqipëria kërkon të bëhet anëtare e BE-së. Zoti Rama ka thënë se po bën gjithçka për ta bërë këtë të mundur dhe Ursula von der Leyen, e cila ishte në Shqipëri, e konfirmoi këtë. Pra, a ka një hendek, a ka dallim midis asaj që thonë zyrtarët dhe asaj që tregojnë këto ngjarje për gjendjen e institucioneve dhe demokracisë në vend, pavarësisht objektivave institucionale?

David Kanin: Absolutisht, ka një hendek të qartë! Kemi këtë retorikë, ose më saktë mungesë prononcimi. Vizita e Von der Leyen-it kishte disa synime dhe njëri prej tyre ishte të mos përfshihej në politikën e Shqipërisë apo në këtë çështje konkrete, sepse po përpiqej të përcillte një mesazh për vendet ku nuk shkoi. Ajo donte t’u përcillte një mesazh Serbisë dhe Bosnjës: “Erdha këtu dhe nuk erdha te ju”. Dhe nëse ajo përfshihej tek ky problem në Shqipëri, do të zbehej ai mesazh. Nuk më habit fakti që ajo nuk donte të merrej me këtë çështje, ose të përfshihej sa më pak të ishte e mundur gjatë kësaj vizite. Megjithatë, të gjithë e dinë se Shqipëria ka mbetur pas Malit të Zi, ndërkohë që para pak vitesh Shqipëria ishte në një nivel me Malin e Zi në garën se cili prej vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor do të hynte i pari në Bashkimin Evropian. Tani nuk ka dyshim se Mali i Zi është në krye dhe Shqipëria ka mbetur prapa – ashtu si edhe Maqedonia e Veriut – dhe sjellja e kryeministrit lidhur me këto marrëveshje biznesi me familjen Trump, si dhe lidhur me sundimin e ligjit e çështjet e medias në përgjithësi në Shqipëri, padyshim që e kanë ngadalësuar procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. Për këtë nuk ka dyshim, pavarësisht se çfarë thonë zyrtarët e lartë në takimet e tyre.

Keida Kostreci: Sipas jush, cili është ndryshimi midis luftës ndaj korrupsionit pasi ai ka ndodhur – dhe zoti Rama ka thënë se është krenar për punën që ka bërë sistemi i drejtësisë dhe struktura antikorrupsion – dhe parandalimit të tij, në mënyrë që të mos ndodhë? Ka analistë në Shqipëri që thonë se pikërisht këtu qëndron dallimi thelbësor: jo thjesht të ndiqen penalisht personat e përfshirë apo të akuzuar për përfshirje në korrupsion, por të ndërtohen mekanizma të shëndetshëm që parandalojnë korrupsionin.

David Kanin: Jam dakord me ata që shprehin shqetësim për situatën aktuale. Por unë do ta formuloja pak ndryshe. Mendoj se çështja është shumë më komplekse se kaq. Nuk bëhet fjalë vetëm për shqyrtimin e korrupsionit para apo pasi ai të ndodhë. Të them të drejtën, disa nga njerëzit që merren me hetimin e korrupsionit, janë vetë të përfshirë në të. Disa nga ata që e denoncojnë ashpër, përfitojnë prej tij ose thjesht e përdorin për të mbijetuar. Është krejtësisht e mundur që të njëjtët njerëz të luftojnë korrupsionin, ta hetojnë atë dhe njëkohësisht të jenë vetë të përfshirë në të. Kjo është një dukuri e njohur. Është një fenomen i kahershëm; e ka zanafillën shumë kohë para periudhës aktuale politike. Dhe sigurisht, në Ballkan, e kemi parë një gjë të tillë prej shekujsh.

Keida Kostreci: Le të ndryshojmë temë dhe të flasim për vendimin e gjykatës speciale në Hagë lidhur me çështjen e ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe tre ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së. Cili ishte mendimi juaj?

David Kanin: Cilido komunitet nga ku vijnë të akuzuarit për krime, e përjeton situatën si në nivel personal, ashtu edhe kolektiv, sa herë që ata shpallen fajtorë. Nga ana tjetër, viktimat ose të mbijetuarit e këtyre krimeve ndiejnë kënaqësi kur autorët shpallen fajtorë. Në javën para shpalljes së vendimit, në Serbi u varros me nderime të plota ushtarake Ratko Mlladiçi. Serbët po festonin për heroin e tyre të madh – i cili në fakt e humbi luftën, përveçse kreu gjenocid. Por boshnjakët dhe të tjerët ishin të zemëruar, shumë të zemëruar me ato festime.
Ndërkohë, javën e kaluar, katër anëtarë të lartë të UÇK-së u shpallën fajtorë. Shqiptarët, natyrisht, ishin të indinjuar, duke e konsideruar këtë krejtësisht të padrejtë dhe duke i trajtuar ata si heronj, ndërsa serbët dhe të tjerët – veçanërisht serbët – thonë: “Po, e morën atë që meritonin.” Nuk mund të gjykoj mbi raste të veçanta gjyqësore. Dhe nuk po e krahasoj Mlladiçin me njerëzit e UÇK-së. Nuk ka vend për krahasim mes krimeve që Mlladiçi padyshim i kreu dhe krimeve për të cilat janë shpallur fajtorë komandantët e UÇK-së. Ato nuk janë aspak të krahasueshme, por ndikimi është gjithmonë i njëjtë. Komunitetet e të akuzuarve i mbështesin ata. Komunitetet që kanë pësuar nga krimet janë fuqimisht kundër të akuzuarve. Kjo nuk ndryshon. Kështu që, çfarëdo tjetër që të ndodhë, ideja se ndonjë prej këtyre proceseve ligjore – që nga tribunali për ish-Jugosllavinë e deri më sot – çon në ndonjë lloj pajtimi mes palëve që dikur ishin në luftë, është thjesht absurde. Nuk ka asnjë provë për këtë. Nuk ka dëshmi për ndonjë pajtim real dhe këto ngjarje të fundit, qoftë ato që lidhen me Mlladiçin apo me njerëzit e UÇK-së, thjesht e nënvizojnë edhe një herë këtë fakt. Palët vazhdojnë të përplasen me njëra-tjetrën për krenari, apo për pozitë e status, dhe të akuzojnë njëra-tjetrën për gjëra të ndryshme, për të cilat vetë nuk do të donin të akuzoheshin.

Keida Kostreci: Do të doja t’ju kundërshtoja pak këtu, sepse në Afrikën e Jugut pamë pajtim, por nuk dua të hyj në detajet teknike të pajtimeve ndërkombëtare. Dua thjesht ta kthej diskutimin te ky rast; mendoj se ajo që ka ndodhur këtu buron nga fakti se po imponohet një lloj barazie morale mes viktimës dhe autorëve të krimit. Kjo i zemëron njerëzit në Kosovë, sepse duket se ka një pabarazi në lidhje me atë se cilat krime ndiqen penalisht, dhe ka shumë shqiptarë në Kosovë që nuk e kanë gjetur drejtësinë. Nuk po flas më as për pajtim; duket sikur një gjykatë e krijuar mbi baza politike ka funksionuar disi në vakuum. Pa kontekstin përkatës, do të thoja se është e vështirë ta paraqesësh këtë thjesht si një çështje të izoluar që lidhet vetëm me këta njerëz; nga ana tjetër, drejtësia në kuptimin e gjerë nuk është vënë në vend për viktimat.

David Kanin: Mund ta diskutojmë rastin e Afrikës së Jugut. Në fakt, disa nga ato arritje po zhbëhen. Por në Ballkan nuk ka Nelson Mandela. Ajo që kemi në Ballkan është një proces që unë nuk do ta mbroja. Jam dakord me ju lidhur me problemet në procesin ligjor. Që nga tribunali i parë për Jugosllavinë, të gjitha këto gjykata kanë pasur probleme. Të gjithë prokurorët kanë hasur vështirësi dhe kanë bërë gabime gjatë punës së tyre. Të gjitha ato kritika procedurale janë të vlefshme. Megjithatë, ajo që humbet në gjithë këtë është pyetja nëse të dënuarit për krime i kanë kryer vërtet ato krime apo jo. Ajo që humbet këtu është fakti se njëra palë thotë “po” dhe tjetra thotë “jo”. Pavarësisht provave dhe mënyrës se si vepron gjykata, ky bëhet elementi kryesor i reagimit ndaj vendimeve. Nëse i përket një komuniteti, po, ata janë fajtorë. Nëse i përket një komuniteti tjetër, jo, ata nuk janë fajtorë. Dhe sinqerisht, provat e humbin vlerën në këtë lloj diskutimi. Palët u qëndrojnë fort pozicioneve të tyre. Askush nuk pranon asgjë, ose nëse u duhet të pranojnë diçka, pranojnë sa më pak të jetë e mundur. Mjafton të shihni se si reagon Vuçiçi lidhur me Srebrenicën.

Keida Kostreci: Tradicionalisht, SHBA-ja ka pasur një angazhim të madh lidhur me demokracinë në Ballkan, të natyrave të ndryshme përsa i takon Shqipërisë dhe Kosovës. Në çfarë pike ndodhet ky angazhim, a ka ndryshuar dhe a ka ndikuar tek mënyra se si veprojnë udhëheqësit e këtyre liderët vendeve?

David Kanin: Nuk ka dyshim që ka ndryshuar. Boshnjakët dhe shqiptarët (në Kosovë) ishin klientët tradicionalë të diplomacisë amerikane që nga luftërat e viteve ’90. Kjo natyrisht ka rënë ndjeshëm, pjesërisht për shkak të sjelljes së tyre – të disa prej boshnjakëve dhe kosovarëve – por edhe për shkak të ndryshimeve në Shtetet e Bashkuara. Administrata Trump ka një qasje shumë transaksionale ndaj rajonit. Isha në një sesion të Iniciativës Pupin para disa ditësh në Uashington. (Shënim i autores: Sipas faqes së saj të internetit, “Pupin Initiative” është një organizatë jopartiake dhe e financuar privatisht, që synon të ngrejë nivelin e diskutimit mbi marrëdhëniet SHBA-Serbi përmes bashkëpunimit në analizat kërkimore dhe të politikave.) Pashë se si funksiononte. Sigurisht që nuk u përmend Mlladiçi, nuk u përmend asnjë nga çështjet që po diskutojmë bashkë. Gjithçka kishte të bënte me marrëveshje individuale biznesi dhe retorikë të tipit: “le të mos e kthejmë kokën pas; le të shohim nga e ardhmja; le të ecim përpara”. Dhe, nga ajo që u diskutua, dukej sikur se në Ballkan nuk ekziston askush tjetër përveç Serbisë. Gjithçka u përqendrua te marrëdhëniet dypalëshe amerikano-serbe dhe te marrëveshjet tregtare me natyrë transaksionale, të cilat shoqëroheshin me lavdata për Trumpin dhe për administratët aktuale në Uashington. Pra, po, gjërat kanë ndryshuar shumë. Një ndryshim tjetër është se pozicioni i Shteteve të Bashkuara është dobësuar në nivel global dhe vazhdon të dobësohet edhe sot; kjo nuk ndodh vetëm për shkak të grupit aktual në pushtet në Uashington, por sepse, sipas mendimit tim, ne po përjetojmë një rënie strukturore. Ky është thjesht këndvështrimi im. Pra, kemi një Amerikë më të dobët në një kontekst ku askush tjetër nuk është dukshëm më i fortë: kemi fuqi pak a shumë të mëdha si Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina, ndërsa Bashkimi Evropian ende nuk po arrin të koordinohet siç duhet për çështje gjeostrategjike. BE-ja po e pranon se Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm nuk po funksionon mirë dhe po përpiqet të vendosë se çfarë të bëjë në këtë drejtim. Por kjo është vetëm një simptomë e mosfunksionimit të tyre në rrafshin gjeopolitik. Pra, kemi një sistem gjeopolitik global shumë të dobët; në këtë kontekst, aktorët lokalë kanë më shumë hapësirë veprimi, por nga ana tjetër, nuk mund të mbështeten te asnjë nga këta aktorë të jashtëm për ndonjë ndihmë të konsiderueshme, përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara. Për të ardhmen, mendoj se të gjithë në rajon – dhe jo vetëm në Ballkan – duhet ta kuptojnë se nuk do të mund të mbështeten më te Shtetet e Bashkuara, të cilat po dobësohen dhe, që ta them hapur, po përballen me probleme të brendshme, pavarësisht se kush do ta zëvendësojë Trumpin. Këto probleme në Shtetet e Bashkuara janë strukturore dhe nuk lidhen vetëm me politikën aktuale. Pra të gjitha këto ndryshime po ndodhin, ndërkohë që pushteti aktual në Uashington po ndjek një qasje gjithnjë e më transaksionale në marrëdhëniet dypalëshe me Serbinë, duke u kushtuar shumë më pak vëmendje vendeve të tjera të rajonit.

Intervista- Kostovicova: Gjykimet për krime lufte nuk janë të mjaftueshme

Millosh Teodoroviq

Gjykimet për krime lufte nuk mjaftojnë që një shoqëri të përballet me të kaluarën, thotë Denisa Kostovicova, profesoreshë në Shkollën Ekonomike të Londrës (LSE).

Ajo i bëri këto komente duke folur për protestat në Kosovë, pas aktgjykimit të shkallës së parë të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Pas shpalljes së aktgjykimit, mijëra qytetarë dolën në rrugë për t’i mbështetur të dënuarit.

UÇK-ja ishte një formacion gueril që hyri në konflikt të armatosur me forcat ushtarake dhe policore serbe, pas disa vitesh të rezistencës paqësore të udhëheqësve politikë të Kosovës ndaj politikës së Beogradit në Kosovë.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, ish-komandantë të UÇK-së, u dënuan për ndalim të paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.

Sipas konstatimeve të gjykatës, në mesin e viktimave kishte shqiptarë që konsideroheshin kundërshtarë të UÇK-së, persona që dyshoheshin se bashkëpunonin me autoritetet serbe, si dhe serbë e romë.

Krimet u kryen nga prilli i vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999.

Gjykata konstatoi se 96 prej personave që iu nënshtruan torturës, u vranë.

Katër të dënuarit kanë të drejtë ankese.

Në një intervistë për emisionin “Uvid” të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Kostovicova flet për kufizimet e gjykimeve për krime lufte dhe ndryshimet në politikat globale, të cilat, sipas saj, e kanë dobësuar parimin se të drejtat e njeriut duhet të jenë prioritet.

Ajo, gjithashtu, krahason mbështetjen e shprehur për ish-udhëheqësit e UÇK-së me madhërimin e Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid, gjatë funeralit të tij në Beograd.

Kosova dhe Bosnje dhe Hercegovina – dallimet

Denisa Kostovicova: I vetmi dallim që shoh mes këtyre reagimeve shumë të ngjashme – për të mos thënë pothuajse identike – lidhet me mënyrën historike se si shihen konfliktet që ndodhën në ish-Jugosllavi. Edhe në studimet mbi konfliktet dhe dinamikën e tyre ekziston koncepti i konflikteve asimetrike – kur njëra palë është më e fuqishme, ndërsa tjetra më e dobët.

Këtë dinamikë e kemi parë pothuajse në të gjitha konfliktet në territorin e ish-Jugosllavisë. Konkretisht, në Kosovë, pala më e fuqishme ishte pala serbe, ndërsa pala shqiptare ishte më e dobët. Kjo e fundit nisi rezistencën e armatosur dhe më pas u shfaq edhe UÇK-ja.

Kjo asimetri krijon një kontekst shumë të ndërlikuar. Për shembull, kur gjykohen krimet e kryera nga pala serbe, është shumë e lehtë të manipulohet narrativi, duke pretenduar se serbët po gjykohen sepse janë stigmatizuar si “popull gjenocidal” e të ngjashme. Në të njëjtën kohë, ushqehet vazhdimisht edhe narrativi se askush nuk i njeh viktimat serbe.

Në kontekstin e këtij konflikti asimetrik, pala shqiptare ishte pala më e dobët, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Por, edhe kjo mund të përdoret për manipulim: të thuhet se, meqë kjo palë ishte më e dobët, atëherë praktikisht është e pamundur që pjesëtarë të saj të kenë qenë përgjegjës për krime lufte.

Denisa Kostovicova

Denisa Kostovicova

Radio Evropa e Lirë: Jo vetëm që ishte pala më e dobët. Është fakt historik se, gjatë dekadës paraprake, shqiptarët ishin përballur me diskriminim në Kosovë dhe me përjashtim nga institucionet dhe sistemi. E gjithë kjo krijoi në shoqërinë kosovare një ndjenjë të fortë të të qenët viktimë.

Denisa Kostovicova: Problemi është se të dyja palët e konsiderojnë veten viktima dhe të dyja mendojnë se u është bërë padrejtësi përmes aktgjykimeve të ndryshme. Këtu ndoshta duhet shtruar pyetja nëse gjykimet për krime lufte, të cilat padyshim janë të rëndësishme, mjaftojnë që shoqëritë të përballen me të kaluarën.

Paradoksi është se në të gjithë ish-Jugosllavinë nuk ka pasur shumë qasje të tjera. Nga përvojat e vendeve të tjera që kanë kaluar konflikte, dimë se krahas gjykimeve për krime lufte – qofshin ato vendore apo ndërkombëtare, siç ishte rasti me ish-Jugosllavinë – mund të përdoren edhe mekanizma të tjerë. Një prej tyre, për shembull, janë komisionet e së vërtetës.

Radio Evropa e Lirë: Ka pasur disa përpjekje, por të dobëta dhe, në fund, kanë dështuar…

Denisa Kostovicova: Prandaj, përparimet më të rëndësishme janë bërë përmes një qasjeje tjetër – dokumentimit të fakteve për krimet e luftës.

Për shembull, ekziston Libri i Kujtimit i Kosovës, rezultat i punës së Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe në Serbi. Po ashtu, ekziston një libër që dokumenton viktimat e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa edhe në Kroaci është punuar për mbledhjen dhe plotësimin e fakteve.

Kjo ofron një mënyrë tjetër për ta kuptuar atë që ka ndodhur.

Është e rëndësishme të theksohet se kjo është një qasje që nuk i përzgjedh viktimat sipas përkatësisë etnike. Në gjykime, para drejtësisë dalin vetëm disa prej personave përgjegjës dhe ata nuk i përfaqësojnë të gjithë ata që, potencialisht, do të duhej të mbanin përgjegjësi. Kjo është diçka tipike kur bëhet fjalë për krime masive.

Nuk është e mundur që të gjithë të mbajnë përgjegjësi penale. Prandaj, është e rëndësishme të ketë edhe mënyra të tjera për të hapur diskutimin për atë që ka ndodhur – qasje që krijojnë hapësirë për një bisedë ndryshe dhe më të gjerë për të kaluarën.

Solidaritet mbi baza etnike

Radio Evropa e Lirë: Të kthehemi në fillim. Çfarë tregon gatishmëria e të gjitha palëve për t’i mbrojtur pjesëtarët e tyre të dënuar për krime lufte?

Denisa Kostovicova: Ne tani shohim përsëritjen e një modeli që ekziston praktikisht që nga themelimi i Tribunalit të Hagës, disa dekada më parë. Nga njëra anë, kemi mospranimin e së vërtetës për krimet e kryera nga pjesëtarë të popullit tonë dhe, nga ana tjetër, këmbënguljen se krimet janë kryer vetëm nga armiqtë tanë – ata kundër të cilëve kemi luftuar.

Shohim se ky model përsëritet me shumë pak dallime, pavarësisht kontekstit në të cilin janë zhvilluar gjykimet. Qoftë në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci apo Kosovë, modeli vazhdon të jetë pothuajse i njëjtë.

Pse ndodh kjo? A është e pashmangshme, apo është një lloj mekanizmi mbrojtës? Kjo hap një debat shumë më të gjerë. Një nga pyetjet është se pse ky model vazhdon të ekzistojë edhe 20 apo 30 vjet pas përfundimit të luftërave. Cilat dinamika dhe procese e mbajnë gjallë dhe e përforcojnë atë?

Sot është shumë e vështirë të gjendet hapësirë për narrativë alternativë – për një mënyrë të të parit të asaj që ka ndodhur gjatë luftërave, ku përgjegjësia do të përcaktohej mbi baza reale dhe do t’i pasqyronte më mirë faktet për krimet e kryera gjatë tyre.

Radio Evropa e Lirë: Siç e thatë, një gjë e tillë duket sot pothuajse si një realitet i pashmangshëm që ndikon në jetën e përditshme në secilin prej vendeve të rajonit që përmendëm. A është kjo diçka me të cilën rajoni do të duhet të jetojë dhe ta marrë parasysh edhe në procese të tjera shoqërore?

Denisa Kostovicova: Kur çështja shtrohet si diçka e paracaktuar, krijohet përshtypja se kështu duhej të ndodhte dhe se kështu do të jetë. Por, në fakt, është krejt e kundërta. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se si është krijuar ky model, si vazhdon të krijohet dhe si riprodhohet vazhdimisht.

Në këtë kuptim, një përgjegjësi të madhe e kanë elitat në të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë. Megjithatë, mendoj se sot gjendemi në një situatë shumë të vështirë, sepse kemi elita që kontrollojnë mediat dhe që kanë interes t’i mbështesin dhe t’i përhapin narrativët e tillë, sipas të cilëve “ne jemi viktima më e madhe”… dhe ato fokusohen vetëm te grupi i tyre etnik. Në këtë kontekst, mund të thuhet se ekziston edhe një lidhje mes këtyre elitave dhe pjesëve të caktuara të shoqërisë.

Nuk mund të flitet më vetëm për përgjegjësinë e elitave. Ka edhe pjesë të mëdha të shoqërisë – dhe kjo është e rëndësishme të thuhet – që i kanë përvetësuar dhe i pranojnë këta narrativë.

Si rezultat, hapësira për zërat që përpiqen të nxjerrin në pah të vërtetën, është ngushtuar. Është shumë e rëndësishme të theksohet se në gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë ka pasur vazhdimisht organizata të shoqërisë civile që janë angazhuar për ta trajtuar çështjen e përgjegjësisë mbi baza më reale: të shqyrtohet, natyrisht, përgjegjësia e palëve të tjera, por, para së gjithash, të merret parasysh edhe përgjegjësia e palës sonë.

Rrugë të tjera drejt së vërtetës

Radio Evropa e Lirë: Grupet që kanë kërkuar një shqyrtim të barabartë dhe kritik të së kaluarës, në periudha të caktuara kanë arritur të bëhen pjesë e rrethit të elitave qeverisëse, por kjo nuk ka zgjatur shumë. Sot shohim se pothuajse të gjitha elitat politike në pushtet janë – në një masë më të madhe apo më të vogël – nacionaliste dhe janë pikërisht ato që do të ndikojnë në të ardhmen e rajonit. Si mund të ketë përparim në përballjen me barrën e së kaluarës, kur dialogu zhvillohet mes njerëzve që mbajnë qëndrime po aq përjashtuese?

Denisa Kostovicova: Nëse ka vullnet, gjithmonë mund të krijohet hapësirë. Por, pajtohem se është shumë e vështirë t’ua zbehësh fuqinë këtyre narrativëve, sidomos kur përhapen dhe mbështeten nga elitat politike, madje edhe përmes dhunës.

E dimë se çfarë presionesh ushtrohen ndaj shoqërisë civile të lirë dhe liberale, si dhe ndaj grupeve qytetare. Por, është po aq e rëndësishme të kuptohet se këto elita i përdorin dhe i instrumentalizojnë narrativët nacionalistë. Ata u shërbejnë për ta zhvendosur vëmendjen dhe për të mbuluar problemet dhe dështimet në qeverisjen e shteteve.

Pra, mungesa e sundimit të ligjit, korrupsioni dhe të gjitha problemet që lidhen me ta. Situata është komplekse dhe, nëse do të më pyesnit se si mund të niste ky diskutim, ndoshta kemi arritur në një pikë ku i kemi parë kufijtë e shoqërisë civile, zëri i së cilës është shtypur.

Ndoshta një hapësirë tjetër politike mund të hapej në mënyrë të tërthortë, duke e nisur diskutimin nga probleme të tjera – korrupsioni, keqqeverisja, problemet në funksionimin e institucioneve dhe në menaxhimin e shtetit.

Diçka të tillë e kemi parë gjatë protestave studentore në Serbi, por edhe në rrethana të tjera. Ato kanë treguar se ka momente kur bëhet e qartë se një qasje ndryshe ndaj së kaluarës, është e mundur.

Radio Evropa e Lirë: Pra, të jesh kundër korrupsionit dhe në mbështetje të sundimit të ligjit, por, njëkohësisht, të mos e vësh në pikëpyetje përgjegjësinë konkrete për krimet e luftës…

Denisa Kostovicova: Ndoshta ky mund të jetë një skenar. Por, nëse një ndryshim i vërtetë i regjimit do të sillte edhe media më të lira, debat më të lirë dhe fundin e demonizimit të grupeve të caktuara në shoqëri, atëherë ndoshta do ta ndryshonte vërtet mënyrën se si flitet për këto çështje.

A kanë pak peshë faktet?

Radio Evropa e Lirë: Faktet mund të mblidhen, siç kanë bërë burimet që përmendët, dhe mund të flitet për to, por bindjet e rrënjosura në shoqëri praktikisht nuk ndryshojnë. Një rrethanë që e vështirëson situatën sot, është se forma të ndryshme të rishikimit të historisë së shekullit XX janë bërë pjesë e politikës kryesore në shumë vende të Evropës. Sa e pengon kjo procesin e përballjes me të kaluarën?

Denisa Kostovicova: Po. Nga njëra anë, kemi riinterpretime jokritike të së kaluarës. Por, nga ana tjetër, kemi edhe lëvizje dhe iniciativa shumë interesante dhe të rëndësishme, përfshirë nisma institucionale dhe të shoqërisë civile, që e shqyrtojnë në mënyrë kritike të kaluarën koloniale dhe ngrenë çështje të përgjegjësisë, reparacioneve të mundshme dhe edukimit.

Për shembull, këtu në Britani të Madhe ka pasur protesta të mëdha të të rinjve që kanë kërkuar heqjen e monumenteve të caktuara që simbolizojnë Perandorinë britanike dhe që lidhen me historinë e skllavërisë, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe çështje të ngjashme.

Radio Evropa e Lirë: Këto janë iniciativa mjaft kontroverse.

Denisa Kostovicova: Po, por dua të them se rishikimi kritik i së kaluarës nuk zhvillohet vetëm në një drejtim. Kemi një tablo shumë komplekse.

Sa i përket klimës ndërkombëtare që përmendët, në një aspekt keni plotësisht të drejtë. Që nga fundi i Luftës së Ftohtë ekzistonte ideja e një norme globale: se nuk mund të ketë paqe pa përgjegjësi për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe krimet e luftës.

Kjo normë nuk ishte e përsosur, sidomos në zbatimin praktik, por ky ishte synimi. Pra, pas përfundimit të luftërave, ata që kishin kryer krime lufte, duhej të jepnin llogari për to.

Tani, mes tronditjeve globale, ky konsensus liberal ndërkombëtar është çarë. Kjo shihet qartë, për shembull, nga sulmet që vijnë nga Shtetet e Bashkuara ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Pyetja tani është se kush do ta mbrojë normën globale sipas së cilës duhet të ketë përgjegjësi për të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut dhe krimet e luftës, dhe se drejtësia nuk duhet të bëjë dallime mbi baza etnike, racore apo çfarëdo përkatësie tjetër. Parimi fillestar ishte që të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi.

Në të kaluarën kemi pasur marrëveshje paqeje, në të cilat çështjet e përgjegjësisë dhe të drejtësisë tranzicionale bëheshin pjesë e vetë marrëveshjeve.

Tani po shohim se marrëveshjet e paqes janë bërë të rralla dhe se, në vend të tyre, kemi armëpushime. Nuk dua të hyj shumë në zhvillimet dhe rreshtimet e mëdha gjeopolitike që po ndodhin në nivel global. Por, nëse përqendrohemi vetëm te mënyra se si i jemi qasur drejtësisë tranzicionale, më parë ekzistonte një përgjigje relativisht e qartë. Tani po shohim se edhe ky konsensus është çarë.

Nuk kam një përgjigje konkrete se në cilin drejtim do të shkojë kjo. A do të krijohet në nivel global një lloj “konsensusi autoritar”, siç e quajnë disa kolegë – ku, përmes marrëveshjeve të bazuara në parime autoritare dhe jodemokratike, disa çështje thjesht do të mbyllen dhe do të lihen mënjanë?

Apo do të mbeten hapësira të caktuara – institucionale apo gjeografike në Evropë ose brenda disa institucioneve ndërkombëtare – që do të vazhdojnë t’i mbrojnë këto norma?

Kjo mbetet një pyetje e madhe.

Përgatiti: Valona Tela

I dogjën shtëpinë, Xhymshiti: Rjetet vrastare të Thaçit – Ka ndodhur edhe kur zbuluam rrjetin e Shehollit e Milaim Zekës (Intervista)

Gazetarit Vudi Xhymshiti i kanë djegur shtëpinë e prindërve të tij dy ditë më parë në vendlindje  etij në Kosovë.

Në lidhje me skype me ‘Kafe Shqeto’ në Syri tv, kryeredaktori i ‘Kronikat e Barutit’, Themelues Frontline Media Group Londër ka shpjeguar dyshimet e tij për këtë ngjarje kaq të rëndë.

Në bisedë më moderatorin Flavio Qarri ai tha se nuk do të ndalej që të thoshte të vërtetën përballë asnjë kërcënimi nga askush.

Sipas gazetarit, kjo është edhe veprim hakmarrës, por edhe një veprim paralajmërues.

‘Këta, nuk është hera e parë që e kanë goditur shtëpinë e prindërve të mi’.

‘Edhe gjatë vitit të kaluar kur ne gjetëm dhe zbuluam rrjetin kriminal të spiunazhit serb me në krye Fatmir Shehollin, Milaim Zekën dhe rrjete të tjera që kemi qene duke i hulumtuar, të cilat çuan pastaj në arrestimin e tij, e kanë godtitur shtëpinë, duke ja thyer xhamat, e duke prishur orenditë shtëpiake e muret e shtëpisë, Kjo është goditja e radhës që ka ndodhur me zjarrëvenie. Kështu rrjetet kriminale të infrastrukturës vrastare të Hashim Thaçit që tashmë është konfirmuar edhe nga një gjykatë ndërkombëtare që kishin qenë i përfshirë në vrasje politike’.

Flavio Qarri: Si ndihesh në këtë momente

Vudi Xhymshiti: Krenar. Me i fortë se kurrë. Me motive më të mëdha së ç’mund ti kem patur ndonjëherë për të vazhduar punën si gazetar, për të hedhur dritë në errësirën e asaj toke ku rrjetet kriminale e kanë plaçkitur Kosovën për 20 vjet resht. Kanë vrarë patriotë shqiptarë, kanë vrarë gazetarë, kanë vrarë intelektualë, kanë vrarë luftëtarë të lirisë pandalshëm.

Flavio Qarri: Pse mendoni se erdhi ky incident i fundit ku shtëpia e prindërve te tu është djegur.

Vudi Xhymshiti: Incidenti është shpërfaqje e karakterit të rrjeteve kriminale të cilat kanë qenë si objekt i punëve të mia gazetareske tash e e tre vitet e fundit. Në tre vitet e fundit, unë dhe redaksia ime në Londër jemi përfshirë në një veprim redaksional i cili ka ngërdhyer përpjekjet tona gazetareske për të kuptuar se kush e kishte plaçkitur Kosovën për 20 vjet. Kush ja kishte instaluar Kosovës kthetrat e Serbisë, mbrapa, në fyt, 20 vjet dhe kush i kishte vrarë intelektualët dhe veprimtarët shqiptar për 20 vjet pas luftës, por edhe gjatë periudhës së luftës.

Dhe kjo i ka trishtuar ata sepse, pavarësisht përpjekjeve të tyre të mëparshme për të më korruptuar, për të më kërcënuar, për të krijura situata që më pas të më shantazhonin, ata kanë dështuar në vazhdimësi. E kësaj radhë gjithashtu e kanë absolutisht të pamundshme që të penetrojnë në territorin tim, ku ata mund të luanin me të vërtetën siç kanë luajtur shumë gazetarë dhe media në Kosovë, të cilët i kanë patur dhe i kanë në duar tash e 28 vjet pas luftës.

Flavio Qarri: Ndërkohë, a ke ti diçka në dorë në këto momente që mendon se mund të jetë një shenjë paralajemëruese. Pra një gjest që të mos vazhdosh në atë rrugë, apo është veprim hakmarrës për çfarë është publikuar.

Vudi Xhymshiti: Kjo është edhe veprim hakmarrës, por edhe një veprim paralajmërues. Këta, nuk është hera e parë që e kanë goditur shtëpinë e prindërve të mi. Edhe gjatë vitit të kaluar kur ne gjetëm në gjetëm dhe zbuluam rrjetin kriminal të spiunazhit serb me në krye Fatmir Shehollin, Milaim Zekën dhe rrjete të tjera që kemi qene duke i hulumtuar, të cilat çuan pastaj në arrestimin e tij, e kanë goditur shtëpinë, duke ja thyer xhamat, e duke prishur orenditë shtëpiake e muret e shtëpisë, Kjo është goditja e radhës që ka ndodhur me zjarrëvenie. Kështu rrjetet kriminale të infrastrukturës vrastare të Hashim Thaçit që tashmë është konfirmuar edhe nga një gjykatë ndërkombëtare që kishin qenë i përfshirë në vrasje politike. Përpara intelektualeve shqiptarë të cilët i kishin targetuar për ti vrarë ua vinin një thes me patate tek dera e shtëpisë, ose ndonjë lloj vegle tjetër me të cilën ata i kanë vrarë njerëzit. Dhe kjo është, shpërfaqja trishtimit të tyre se ose ndale ose do të vrasim …

Flavio Qarri: Cila është akuza për Milaim Zekën?

Vudi Xhymshiti: Ajo nuk është akuzë, ato janë gjetje hulumtuese të cilat tregojnë se Milaim Zeka i kishte shitur pamjet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, radio televizionit të Serbisë, përkatësisht producentes serbe Zllagjana Zariç e cila sipas gjetjeve tona hulumtuese është e përkëdhelura e shefit të shërbimeve sekrete Aleksandër Vulin. Ajo ka prodhuar filma dokumentarë që quhen ‘Shtëpia e Verdhë’ me pamjet e Milaim Zekës për të propaganduar rrejshëm kundër lavdisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se gjoja ata kanë bërë tregti me organe njerëzish gjatë kohës së luftës.

Milaim Zeka i ka shitur këto pamje duke e ditur se për çfarë do të përdoreshin, Milaim Zeka gjithashtu sipas gjetjeve tona hulumtuese dhe burimeve tona në Suedi thuhet se ka punuar për shërbimet Jugosllave, duke qenë se Suedezët e kishin kapur duke dërguar emra shqiptarësh të cilët kishin shkuar për të kërkuar azil dhe mbështetje tek shteti suedez në drejtim të Beogradit. Zoti Zeka është i përfshirë në një operacion tjetër me një operator tjetër të shërbimit rus GRU i njohur për redaksinë tonë si Halit Sahitaj i cili sipas gjetjeve tona hulumtuese dhe burimeve ndërkombëtare ka qenë i përfshirë në orkestrimin e vrasjeve të aktivistëve kundër Putinit në Evropë. Zoti Sahitaj, derisa ne i kemi zbuluar dhe i kemi ekzpozu hulumtimet tona është referuar si biznesmeni shqiptar në Spanjë nga Milaim Zeka, nga Richard Grenell dhe nga disa operatorë të tjerë shqiptarë të publicistikës në Kosovë.

Atë çka ne e kemi kuptuar se pse ai eshtë në Spanjë sipas autoriteteve Spanjolle, është se ai është në arrest shtëpiak atje duke u vëzhguar nga autoritete spanjolle për kontakte të mëtutjeshme, duke qene se kishte qenë i përfshirë në një operacion të GRU rusë për të korruptuar një prokuror spanjoll që ta lejonte ekstradimin e njërit prej aseteve ruse drejt Gjeorgjisë, gjetje të cilat ne i kemi dokumentuar dhe ekspozuar. Zoti Seitaj gjithashtu është i lidhur me Kadri Veselin, Sami Lushtakun , dhe rrjete të tjera kriminale që ne i kemi ekspozuar në gjetjet tona hulumtuese dhe i kemi shkruar ato gjatë vitit të kaluar.

 

Intervista- Pettifer: Pas Hagës, Kosova duhet ta rishikojë raportin me misionet ndërkombëtare

Valona Tela

Kosova duhet ta rishikojë raportin me misionet ndërkombëtare pas aktgjykimit të Hagës, thotë historiani britanik, James Pettifer, duke vënë në pikëpyetje nëse misione si Misioni evropian për sundimin e ligjit ka rol mbështetës ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të cilave u ofron mbështetje logjistike dhe operacionale, ndërsa BE-ja është financuesja kryesore e tyre. kanë ende rol në vend.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Pettifer, ligjërues i Historisë së Ballkanit në St Cross College, Universiteti i Oksfordit, thotë se Kosova nuk duhej ta refuzonte krijimin e Dhomave të Specializuara, por duhej të negocionte ndryshe kushtet mbi të cilat ato u themeluan.

Ai argumenton se aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-udhëheqësve të tjerë të UÇK-së mund ta vështirësojë edhe më tej pajtimin mes shqiptarëve dhe serbëve, ndërsa bën thirrje që reagimi ndaj tij të jetë politik dhe institucional.

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara dënuan Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 dhe Rexhep Selimin me 13 vjet për krime lufte.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë bërë thirrje për respektimin e aktgjykimit.

Në Kosovë, të dielën u zhvilluan protesta kundër vendimit për të pestën natë me radhë, ndërsa, të hënën, protestuan edhe studentët.

Partia Demokratike e Kosovës, e mbështetur edhe nga Aleanca, çoi në Kuvend nismën për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.

James Pettifer

James Pettifer

Radio Evropa e Lirë: Profesor Pettifer, aktgjykimi në rastin Thaçi dhe të tjerët është tashmë është një fakt juridik, pavarësisht se si është pritur në Kosovë. Çfarë mund të bëjë Kosova në këtë pikë – politikisht dhe institucionalisht?

James Pettifer: Mendoj se ka mjaft mundësi. Natyrisht, aktgjykimi është aty dhe procesi i apelit do të nisë. Edhe pse nuk e dimë se çfarë forme do të marrë dhe as sa do të zgjasë, ai proces do të vazhdojë pavarësisht gjithçkaje.

Por, mendoj se natyra e kësaj ngjarjeje është shumë serioze për Kosovën dhe se marrëdhëniet e zakonshme diplomatike dhe politike duhet të rishikohen.

Radio Evropa e Lirë: A mund të shpjegoni më hollësisht se çfarë mendoni se duhet të bëhet?

James Pettifer: Është e qartë se marrëdhënia me NATO-n është thelbësore dhe ajo nuk duhet të përfshihet në këtë çështje. Dhe, mësa di unë, NATO-ja nuk ka qenë e përfshirë në asnjë mënyrë në procesin e Dhomave të Specializuara.

Por, situata me Evropën është krejt ndryshe. Siç ndoshta e keni parë edhe në X dhe në rrjete të tjera sociale, shumë njerëz me përgjegjësi mendojnë se organizata si EULEX-i, OSBE-ja dhe të tjera duhet të mbyllen. Ato i përkasin së kaluarës.

Personalisht, mendoj se ky është drejtimi i duhur, veçanërisht sa i përket misionit të EULEX-it.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se ky është një opsion i mundshëm?

James Pettifer: Po. Kosova është shtet sovran dhe i njohur. Dua të them se – mësa e kuptoj unë – këta njerëz janë në Kosovë vetëm me pëlqimin e Qeverisë.

NATO-ja është në një pozitë tjetër, por, siç e thashë, NATO-ja nuk ka qenë e përfshirë në procesin [e Dhomave të Specializuara].

Por, veçanërisht sa i përket EULEX-it, nuk shoh arsye përse duhet të vazhdojë, kur qartazi është një mjet për interesat e Serbisë.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni thënë se Kosova ishte naive që bashkëpunoi me Dhomat e Specializuara. Çfarë duhej të kishte bërë ndryshe?

James Pettifer: Mendoj se këtë e ka vënë në dukje edhe Dr. Daniel Serwer në Uashington, i cili, prej kohësh, është njohës i rajonit dhe i Kosovës. Ai ka bërë një analizë shumë të mirë të mënyrës se si u përcaktuan kushtet fillestare të funksionimit të Dhomave të Specializuara – në një formë që nuk parashihte asnjë kontroll nga Qeveria [e Kosovës].

Kështu, në praktikë, Dhomat e Specializuara mund të manipuloheshin nga interesa të jashtme.

Radio Evropa e Lirë: Por, a mendoni se kishte ndonjë alternativë reale për një vend aq të varur nga mbështetja perëndimore? A mund të kishte thënë Kosova “jo”?

James Pettifer: Nuk ishte e nevojshme të thoshte “jo”. Duhej të negocionte në mënyrë profesionale se cilat do të ishin kushtet.

Unë isha në favor të përfshirjes së një tribunali për krimet e luftës, sepse të gjitha vendet e tjera të rajonit e kishin një të tillë dhe nuk do të ishte e përshtatshme që Kosova të mos e kishte.

Por, kjo u bë në një mënyrë që nënkuptonte se Kosova nuk kishte kontroll mbi procesin, dhe ky problem daton që nga fillimi.

Unë ua kam vënë në dukje këtë edhe diplomatëve të Kosovës në Londër, por ata nuk kanë menduar njësoj.

Nuk besoj se e kuptonin vërtet se cili mund të ishte problemi.

Radio Evropa e Lirë: Pra, shikuar nga kjo perspektivë, a e keqkuptoi Kosova atë për të cilën po pajtohej kur e themeloi Gjykatën… apo thjesht nuk kishte zgjidhje?

James Pettifer: Jo, nuk mendoj se çështja ishte nëse Kosova duhej ta refuzonte Gjykatën. Nuk ishte ky problemi. Çështja ishte nëse ajo ishte krijuar mbi baza të drejta dhe profesionale.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni thënë, gjithashtu, se ky aktgjykim mund ta kthejë shumë prapa procesin e pajtimit mes serbëve dhe shqiptarëve. A mund të bëjë diçka Kosova tani për ta parandaluar këtë?

James Pettifer: Jo, nuk mendoj se mundet. Verdikti tashmë është marrë dhe, siç besoj se e keni parë, në Kosovë ka protesta të mëdha kundër tij.

Kjo do ta bëjë shumë të vështirë – ndoshta edhe të pamundur – arritjen e çfarëdo kompromisi me Serbinë për çështje të caktuara.

Radio Evropa e Lirë: Por, procesi i pajtimit po haste në vështirësi të mëdha edhe para këtij aktgjykimi. Pse mendoni se ky vendim do ta përkeqësojë edhe më shumë situatën?

James Pettifer: Sepse ekziston përshtypja se bashkësia ndërkombëtare nuk është neutrale. Kjo është një gjykatë ndërkombëtare dhe, sidomos për shkak të gjatësisë së dënimeve dhe cilësisë shumë të dobët juridike të disa pjesëve të aktgjykimit, njerëzit nuk do ta respektojnë atë.

Dhe kjo, mendoj, do të ndikojë shumë edhe në proceset normale diplomatike.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni shkruar gjerësisht për origjinën dhe zhvillimin e UÇK-së. A ndryshon ky aktgjykim diçka në mënyrën se si do ta shkruanit sot historinë e saj?

James Pettifer: Ky aktgjykim është pjesë e historisë. Por, nuk mendoj se mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje derisa të publikohet teksti i plotë i procesit gjyqësor, dhe në veçanti ajo që ka ndodhur në seancat e mbyllura.

Gjykata, gjithashtu, duhet t’i bëjë të ditura burimet mbi të cilat i ka mbështetur pretendimet e saj, të cilat, në shumë raste, mësa kam mundur të shoh gjatë procesit gjyqësor, nuk janë dhënë.

Radio Evropa e Lirë: Por, sa peshë duhet të ketë ky aktgjykim në mënyrën se si kuptohet dhe kujtohet lufta në Kosovë?

James Pettifer: Nuk mendoj se duhet të ketë fare peshë, veçanërisht sepse nuk ka të bëjë me vetë luftën.

Natyrisht, ky është një sulm ndaj UÇK-së – gjë që serbët dhe rusët e kanë dashur gjithmonë. Fillimisht u përpoqën përmes akuzave të pabaza të Dick Marty, ish-raportues i Këshillit të Evropës, ngriti pretendime edhe për trafikim organesh nga pjesëtarë të UÇK-së. Por, trafikimi i organeve nuk u përfshi në aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve.. Për fat të mirë, ato akuza nuk çuan askund në sistemin gjyqësor.

Por, më pas u gjetën akuza të tjera, të cilave mund t’u jepej më shumë peshë.

Radio Evropa e Lirë: Njëzet e shtatë vjet pas luftës, a ka bërë Kosova mjaftueshëm për ta dokumentuar historinë e vet?

James Pettifer: Mendoj se ka bërë një punë mjaft të mirë. Është botuar shumëçka që prej kohës kur e shkrova librin tim, i cili u botua gati 20 vjet më parë. Mendoj se ai u botua si një lloj historie e përgjithshme e UÇK-së.

Sot dihet shumë më tepër për çështje të caktuara, por nuk mendoj se ajo që kam parë, e ndryshon argumentin themelor: se, në rrethanat e asaj kohe, një lëvizje e armatosur e rezistencës ishte e pashmangshme dhe ishte pjesë e asaj që prodhoi kriza në Jugosllavi.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, për fund, sikur ta këshillonit Kosovën sot, cilat janë dy ose tri gjërat që duhet t’i bëjë dhe cilat janë ato që duhet t’i shmangë?

James Pettifer: Mendoj se duhet shmangur dhuna, sepse dhuna në rrugë do t’i dobësonte shumë argumentet morale kundër këtij procesi gjyqësor, që unë e konsideroj të padrejtë. Por, natyrisht, protestat janë të rëndësishme dhe shpresoj të jenë të mëdha.

Megjithatë, mendoj se çështja kryesore është se çfarë do të bëjë Qeveria e Kosovës. Reagimi i [kryeministrit], zotit [Albin] Kurti, më duket disi i dobët. Do të shohim se çfarë do të bëjë konkretisht. Është ende herët, por Qeveria duhet ta trajtojë çështjen e legjitimitetit të organizatave si EULEX-i dhe nëse ato vazhdojnë të jenë të nevojshme në Kosovë.

Mendoj se shumica dërrmuese e njerëzve, ndoshta edhe disa serbë të Kosovës, do të donin t’i shihnin këto misione të përfundonin.

Kjo, mendoj unë, është çështja kryesore me të cilën duhet të përballet zoti Kurti.

Nëse OSBE-ja ka ende ndonjë rol të dobishëm, nuk e di. Nga sa di unë, duket se është një organizatë shumë e kushtueshme, e cila në shumicën e rasteve mbledh të dhëna që tashmë i dimë shumë mirë. Pra, të gjitha këto çështje mund të rishikohen.

Por, për këtë do të nevojitet një qëndrim i qartë dhe i bashkuar. Siç kam shkruar edhe në X, është e rëndësishme që elita e Kosovës të punojë së bashku dhe të zhvillojë politika të forta dhe të përbashkëta ndaj këtyre organizatave.

SHBA-ja po “shkon në drejtimin e duhur” me Bjellorusinë, thotë i dërguari amerikan John Coale

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për Bjellorusinë, John Coale, flet për REL-in në Letoni, më 17 shtator.

Artyom Radygin

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, John Coale, e ka mbikëqyrur lirimin e qindra të burgosurve nga Bjellorusia gjatë 22 muajve të fundit, përfshirë 25 këtë javë.

Por organizatat për të drejtat e njeriut thonë se qindra të tjerë kanë mbetur në burg. Ato gjithashtu e kanë vënë në pikëpyetje qasjen e Uashingtonit për shkëmbimin e civilëve, për të cilët ato besojnë se janë burgosur padrejtësisht, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve të rënda perëndimore të vendosura pas një shtypjeje vdekjeprurëse të disidencës nga udhëheqësi autoritar, Aleksandr Lukashenko, pasi ai pretendoi fitoren në zgjedhjet e vitit 2020, të cilat opozita dhe shumë vende perëndimore i cilësuan si “të manipuluara”.

Coale foli më 17 shtator me Artyom Radygin nga Shërbimi i programeve në rusisht të Radios Evropa e Lirë, për përmirësimin e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Minskut që nga kthimi i presidentit amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2025 dhe për drejtimin e marrëdhënieve diplomatike.

Radio Evropa e Lirë: Në mars, u liruan 250 njerëz, të burgosur politikë, por javën e kaluar ishin vetëm 25. Është një lajm i shkëlqyeshëm që 25 njerëz u liruan nga burgu, por megjithatë është shumë interesante se çfarë ndodhi. Pse u ul numri?

John Coale: Në përgjithësi, janë liruar 800 deri në 900 të burgosur dhe nganjëherë janë liruar 150, e nganjëherë 14. Pra, sado që mund të arrij t’i nxjerr në këtë çast, i nxjerr. Besoj se në negociatat e mia të fundit, të cilat janë ende në vazhdim, në një të ardhme shumë të afërt mund t’i nxjerrim edhe 100, mbi 100 njerëz, dhe do ta bëjmë këtë… ndoshta brenda një muaji apo kështu diçka.

Radio Evropa e Lirë: Cilat çështje duhet të zgjidhen para se kjo të bëhet realitet?

John Coale: Epo, gjëra të tilla si fakti që në të kaluarën kemi hequr disa sanksione për të nxjerrë njerëzit nga burgu dhe duhet të sigurohemi që bankat dhe bizneset në Shtetet e Bashkuara ta kuptojnë se çfarë nënkupton heqja e sanksioneve, pra që në thelb është në rregull të bësh biznes në këtë zonë.

Kështu që duhet të kthehemi dhe ta rregullojmë një pjesë të kësaj. Ne nuk e dinim se bizneset dhe bankat amerikane, si dhe institucione të tjera, nuk e kuptonin se çfarë nënkuptonte kjo. Pra, duhet ta bëjmë këtë dhe më pas do të rikthehemi.

Radio Evropa e Lirë: [Udhëheqësja e opozitës bjelloruse në mërgim] Svyatlana Tsikhanouskaya pretendon se Aleksandr Lukashenko i “shet” të burgosurit në këmbim të heqjes së sanksioneve. Pra, a krijojnë këto marrëveshje, heqja e sanksioneve, një nxitje për Lukashenkon që të arrestojë më shumë të burgosur politikë, në mënyrë që të ketë diçka për të shkëmbyer?

John Coale: Nuk jam i sigurt… Çdokush me të cilin flas jep një numër të ndryshëm të njerëzve që arrestohen tani.

Pra, nuk e di cili është numri real. Por nëse Lukashenko po shkëmben të burgosur për lehtësim të sanksioneve, për mua është në rregull, sepse jam unë ai që u shikon në sy të burgosurve të liruar dhe shoh se çfarë do të thotë liria për ta. Për mua, kjo është shumë më e rëndësishme sesa disa çështje politike që mund t’i ketë dikush jashtë.

Çështja ime dhe çështja e Shteteve të Bashkuara është humanitare, për t’i ndihmuar njerëzit. Nëse mund t’i nxjerr 25 njerëz, mendoj se është shumë mirë. Nëse mund t’i nxjerr 200, është shumë më mirë. Pra, kështu e shohim ne. Dhe, e dini, Svyatlana mund të ketë mendimin e saj, unë mund të kem timin.

Mendoj se një ditë Shtetet e Bashkuara do të donin të kishin më shumë lidhje ekonomike me Bjellorusinë. Mendoj se Perëndimi do të donte që kjo të ishte gjendja normale.

Radio Evropa e Lirë: Aleksandr Lukashenko e sheh këtë ndryshe. Ai mohon se këta persona të liruar janë të burgosur politikë. Si ju përgjigjët atij?

John Coale: Unë i quaj të burgosur. Nëse ai dëshiron që unë t’i quaj kështu, do t’i quaj lepuj nëse kjo do të bëjë që t’i nxjerr jashtë, nuk më intereson. Pra, nëse ai beson se nuk janë të burgosur politikë, le ta besojë këtë. Unë thjesht njoh njerëz. Kështu që, për mua, semantika e kësaj çështjeje nuk është vërtet e rëndësishme. Mund të jetë e rëndësishme për njerëzit e tjerë, por për mua nuk është.

Radio Evropa e Lirë: A ka synime të tjera të vizitave tuaja në Bjellorusi, përveç lirimit të të burgosurve politikë?

John Coale: Po. Kanë qenë të burgosurit, por gjithashtu edhe që Qeveria bjelloruse të sillet më mirë nga sa mendoj se është sjellë me disa prej fqinjëve të saj, në mënyrë që të mund ta rikthejmë në familjen e kombeve. Edhe ata pajtohen me këtë. Kemi ecur hap pas hapi gjatë një viti e gjysmë të fundit dhe mendoj se po bëjmë përparim, por, sigurisht, Lukashenko e ka vendin e vet që duhet ta udhëheqë, e ka një aleat, [presidentin rus Vladimir] Putin, jashtë vendit, kështu që është e ndërlikuar.

Por mendoj se bota do të ishte vend më i mirë nëse Bjellorusia do të ishte në komunikim me pjesën tjetër të botës në mënyrë të mirë. Dhe mendoj se ata po përpiqen.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë ju bën të sigurt se Bjellorusia mund të riintegrohet me sukses në familjen e kombeve?

John Coale: Ata po përpiqen dhe po shkojmë në atë drejtim. Nuk jam aq i sigurt, por ne po bëjmë përparim, ata po bëjnë përparim. Pra, mendoj se po shkojmë në drejtimin e duhur. Nuk mendoj se kjo ndodh brenda natës. Është një proces i vërtetë. Dhe aleatja e saj më e madhe është Rusia, ndërsa Bjellorusia është një nga aleatët e paktë që ka Rusia. Kështu që ata duhet ta zgjidhin këtë, jo unë.

Radio Evropa e Lirë: Pra, a është e mundur të institucionalizohen marrëdhëniet e ardhshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Bjellorusisë, apo ato do të bazohen në një ekuilibër të thjeshtë të fuqisë?

John Coale: Jo, mendoj se mund t’i institucionalizojmë. Mendoj se duhet ta rihapim ambasadën tonë. [Shënim i redaktorit: Shtetet e Bashkuara pezulluan veprimtarinë në ambasadën e tyre në Minsk në shkurt 2022, menjëherë pasi Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës, me disa sulme të nisura nga territori bjellorus].

Ka shumë hapa që duhen të ndërmerren. Por ajo që kam mësuar është se kjo është gjë graduale. Është një botë shumë komplekse. Kjo është gjë graduale. Por për mua, po shkon në drejtimin e duhur, gjë që është shumë më mirë sesa drejtimi i gabuar.

Radio Evropa e Lirë: Ju përmendët më herët se dëshironi ta zgjidhni çështjen e Bjellorusisë përpara se të fokusoheni te Rusia. Pra, si planifikoni t’i qaseni Kremlinit?

John Coale: Epo, mund t’i bëj të dyja. Mund të vazhdoj atë që po bëj me Bjellorusinë. Dhe kam folur me njerëz, dhe [i dërguari i posaçëm i SHBA-së] Steve Witkoff do të duhej të përfshihej, si dhe [i dërguari i posaçëm amerikan për paqen] Jared [Kushner], për të bërë një lloj shkëmbimi të të burgosurve civilë. Kam folur me ta dhe po bëjmë përparim.

Radio Evropa e Lirë: A keni bërë ndonjë përparim sa u përket shtetasve amerikanë që ndodhen aktualisht në Rusi?

John Coale: Epo, shtetasit amerikanë, por gjithashtu do të doja të ktheja disa prej rusëve dhe ukrainasve në vendet e tyre.

Radio Evropa e Lirë: Aleksandr Lukashenko ka përmendur në intervistat e tij se po i ofrohet Donald Trumpit dhe liderëve të tjerë si ndërmjetësues me Kremlinin. A e sheh Donald Trump Lukashenkon si një ndërmjetësues të mundshëm?

John Coale: Mendoj se mbase, po, sepse ekziston një marrëdhënie më shumë se 30-vjeçare mes Putinit dhe Lukashenkos. Ata janë miq. Njëri është vëllai i madh, tjetri është vëllai i vogël, por janë miq dhe flasin. Flasin gjatë gjithë kohës. Dhe Lukashenko e viziton shpesh Moskën. Pra, kjo do të ishte e dobishme. Ai mund të ishte i dobishëm si ndërmjetësues mes luftërave, me luftën.

Radio Evropa e Lirë: Por aktualisht, kur shikojmë lajmet për shkëmbimin e të burgosurve, gjithmonë ka diçka për sanksionet që po hiqen. Kush zgjedh se cilat sanksione do të vendosen në tryezë përpara se të lirohen të burgosurit?

John Coale: Epo, në Bjellorusi, këtë e bëj unë, dhe pastaj flas me sekretarin e shtetit ose vetë presidentin, dhe kalojmë përmes një procesi. Pra, John Coale mendon se duhet t’i heqim sanksionet ndaj kësaj, kësaj dhe kësaj. Dhe ose miratohet, ose thuhet: “Epo, këtë nuk mund ta bësh, por këtë mund ta bësh”.

Radio Evropa e Lirë: Si e matni suksesin?

John Coale: Duke i nxjerrë njerëzit nga burgjet. Duke i nxjerrë dhe duke i parë të ribashkohen me familjet e tyre. Ne dalim bashkë me ta dhe ndonjëherë familjet janë njoftuar, ose ambasadorë të vendeve të ndryshme dalin për t’i përshëndetur, u japim telefona që të telefonojnë familjet e tyre; familja nuk ka fare dijeni se ata janë të lirë, dhe është një moment gëzimi. Kështu e mat suksesin.

Radio Evropa e Lirë: Do të doja të kthehesha te shkëmbimi i të burgosurve civilë mes Rusisë dhe Ukrainës. Cili është statusi aktual dhe cilat janë perspektivat e këtij procesi?

John Coale: Mendoj se po fillon, mendoj se ideja është në tryezë, si të thuash, dhe kur të kthehem në Uashington do të shtyj më tej për këtë, sepse mendoj se është një gjë e rëndësishme.

Intervista- Jeanne Shaheen për Rusinë, Ballkanin dhe NATO-n: “Putini po tenton të na rraskapitë”

Alex Raufoglu

Kongresi i ka dërguar presidentit amerikan, Donald Trump, një projektligj për sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë, duke hapur një fazë të re të presionit ekonomik të Uashingtonit ndaj Moskës.

Senatorja Jeanne Shaheen, demokratja më e lartë në Komitetin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe bashkëkryesuese e Grupit të Vëzhguesve të NATO-s në Senat, tha se legjislacioni synon të shënjestrojë të ardhurat financiare dhe energjetike të Rusisë dhe të rrisë presionin ndaj Kremlinit.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 17 shtator, Shaheen foli për projektligjin për sanksionet, nevojat urgjente të Ukrainës, luftën hibride ruse dhe aktivitetet e Moskës përgjatë krahut lindor të NATO-s. Ajo në këtë intervistë po ashtu foli për paqëndrueshmërinë në Ballkan dhe rolin e opozitës ruse në kundërshtimin e narrativit të Kremlinit për luftën.

“Presioni ndaj Putinit”

Radio Evropa e Lirë: Kongresi sapo ka miratuar projektligjin për sanksionet ndaj Rusisë, legjislacioni i parë i madh dypartiak i Kongresit në mbështetje të Ukrainës që nga paketa e ndihmës emergjente e miratuar në prill të vitit 2024. Çfarë ndryshon për Moskën tani që legjislacioni po i dërgohet presidentit Trump për nënshkrim?

Jeanne Shaheen: Shpresoj se ky dërgon një mesazh të rëndësishëm. Ishte një votim me mbështetje shumë të fortë dypartiake në të dyja dhomat. Në Senat u miratua me 86 vota për dhe 11 kundër, ndërsa dje [v.j. 16 shtator] në Dhomën e Përfaqësuesve mori mbi 100 vota, me mbështetje të madhe dypartiake.

E mbështetën si demokratët, ashtu edhe republikanët. Ajo që do të bëjë është të godasë jo vetëm sektorin financiar të Rusisë, oligarkët dhe njerëzit përreth Vladimir Putinit që po ndihmojnë në zhvillimin e luftës së Rusisë. Do të godasë gjithashtu të ardhurat që po e financojnë këtë luftë, të ardhurat nga nafta dhe gazi.

Legjislacioni do të vendosë tarifa ndaj pesë vendeve kryesore që përdorin naftën dhe gazin rus, që janë kryesisht Kina dhe India. Ato janë përdorueset më të mëdha. Dhe, ajo që kemi dëgjuar nga India është se nëse ky projektligj miratohet ajo do të ndalojë blerjen e naftës dhe gazit rus.

Pra, shpresoj se ky legjislacion do t’i dërgojë një mesazh të fortë jo vetëm Putinit dhe Rusisë, por edhe Kinës dhe blerësve të tjerë të naftës dhe gazit rus. Ai po ashtu godet flotën në hije.

Por, ky është edhe një mesazh për Ukrainën. Dje patëm një konferencë për media ku udhëheqësit e të dyja dhomave folën për mesazhin që po u dërgojmë ukrainasve. Mesazhi është se ne e vlerësojmë guximin e tyre. Ata po luftojnë për demokracinë dhe lirinë dhe ne do të përpiqemi të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i mbështetur.

Radio Evropa e Lirë: Sa shpejt mund të fillojnë këto sanksione që të ushtrojnë presion të matshëm mbi ekonominë ruse dhe çfarë do të përcaktojë shpejtësinë me të cilën ato do të hyjnë në fuqi?

Jeanne Shaheen: Kjo varet nga administrata. Tani, presidenti po planifikon ta nënshkruajë këtë projektligj brenda një dite apo pak më shumë. Shpresojmë që, sapo të nënshkruhet, Departamenti i Thesarit të fillojë zbatimin e këtyre sanksioneve.

Ne kemi punuar shumë ngushtë me përfaqësuesin tregtar, ambasadorin Jamieson Greer, për legjislacionin, në mënyrë që ata të jenë të përfshirë dhe të shqyrtojnë vendet dhe mënyrën se si do të përcaktojnë se cilat prej tyre preken.

Prandaj, shpresojmë shumë se do të shohim veprime nga administrata sapo të miratohet projektligji.

Radio Evropa e Lirë: Kritikët kanë vënë në pikëpyetje nëse sanksionet do të ndryshojnë vërtet llogaritjet e Moskës. Cilët tregues konkretë do të vëzhgoni në javët dhe muajt e ardhshëm për të kuptuar nëse masat po funksionojnë?

Jeanne Shaheen: Do të vëzhgojmë nga afër zbatimin e tyre. Dhe, nuk është vetëm pjesa e sanksioneve që mendojmë se është e rëndësishme, por edhe, siç thashë, ndërprerja e burimeve financiare.

Rusia merr mbi 50 për qind të të ardhurave të saj nga shitja e naftës dhe gazit. Dhe e dimë që Evropa tashmë është shkëputur nga nafta ruse dhe është në proces të shkëputjes edhe nga gazi rus. Por, ka vende të tjera në botë që nuk e kanë bërë këtë.

Në këtë drejtim, Kina është më e spikatura. Kina duhet ta marrë mesazhin se nëse dëshiron të vazhdojë të blejë gaz rus, nëse dëshiron të vazhdojë ta ndihmojë Rusinë të financojë dhe të paguajë për këtë luftë të paprovokuar që po vret civilë, që është e tmerrshme, dhe nëse Rusia po ka rreth 35.000 viktima në mesin e ushtarëve në muaj, atëherë Kina do të duhet të paguajë. Do të duhet të paguajë vlerën e tregut.

Nuk duhet të ketë më blerje të naftës dhe gazit në tregun e zi përmes flotës në hije, ku nuk paguhet çmimi i tregut.

Radio Evropa e Lirë: Ukraina po hyn në një tjetër fazë të vështirë të luftës. Ju jeni në kontakt të rregullt me zyrtarët ukrainas. Çfarë i nevojitet më urgjentisht Kievit nga Uashingtoni tani?

Jeanne Shaheen: Mendoj se duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t’iu dhënë penguesit që po u ndihmojnë ata të mbrohen nga raketat ruse.

Kjo është një sfidë sepse po hasim vështirësi me bazën tonë industriale të mbrojtjes, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe te aleatët tanë evropianë. Mendoj se po përpiqemi të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i siguruar Ukrainës këta pengues.

Duhet të sigurohemi që të kenë lidhje me Starlink, në mënyrë që të mund të ndjekin atë që po ndodh me raketat ruse. Dhe, duhet t’i ndihmojmë të përgatiten për një tjetër dimër shumë të ftohtë.

Duhet po ashtu të mendojmë për çdo mënyrë që mundemi për t’i bërë presion Vladimir Putinit që të ulet në tryezën e bisedimeve dhe ta ndalë këtë luftë. Ekonomia e tij po lëkundet. Siç thashë, ai ka 35.000 viktima në mesin e ushtarëve në muaj.

Aftësia për të kompensuar nevojën për ushtarë përmes rekrutimit po i kushton shumë para thesarit rus. Prandaj duhet të vazhdojmë të ushtrojmë sa më shumë presion që mundemi, jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por të gjithë aleatët tanë.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti Trump ka folur për një armëpushim në fushën e energjisë mes Rusisë dhe Ukrainës. Në çfarë kushtesh mund të bëhet një armëpushim i kufizuar një rrugë drejt një marrëveshjeje më të gjerë?

Jeanne Shaheen: Mendoj se kjo varet nga mënyra se si strukturohet armëpushimi dhe nëse Rusia është vërtet serioze për t’u ulur në tryezën e bisedimeve. Deri tani, nuk ka qenë.

Vladimir Putini po i mban të gjithë në pritje, duke e zvarritur procesin edhe me administratën Trump dhe të dërguarit e saj, sepse mendon se mund të na rraskapitë, sa të heqim dorë.

Epo, mendoj se dje pamë një mesazh të fortë nga Kongresi, nga dy partitë, se nuk do ta lejojmë Putinin dhe Rusinë të na bëjnë të heqim dorë duke na rraskapitur. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për të ushtruar presion ndaj tyre.

“Lufta hibride po ndodh që një kohë”

Radio Evropa e Lirë: Rusia po përdor gjithnjë e më shumë dronë, sulme kibernetike, sabotime dhe mjete të tjera përtej Ukrainës. Sipas jush, ku përfundon lufta konvencionale dhe ku fillon lufta hibride?

Jeanne Shaheen: Lufta hibride po zhvillohet tash e një kohë dhe tani po shohim një intensifikim të saj.

Lajmi i mirë është se ukrainasit janë shumë novatorë. Ata kanë qenë një hap përpara teknologjisë ruse të dronëve dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbështetur këtë.

Kjo nuk është vetëm në interes të Ukrainës, është edhe në interes të Amerikës. Ajo që kemi parë në Lindjen e Mesme është se këta dronë kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme ndaj aseteve amerikane në Lindjen e Mesme.

Ne duhet të jemi sa më të avancuar në aspektin teknologjik në fushën e dronëve dhe kundërdronëve dhe Ukraina mund të na ndihmojë me këtë.

Në fakt, presidenti Zelensky, kur u takua rreth një muaj më parë me senatorët, e bëri këtë ofertë. Ai tha: “Ne duam të punojmë me ju për ta ofruar këtë teknologji”.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni ngritur, në mënyrë specifike, shqetësime për aktivitetin rus përgjatë krahut lindor të NATO-s. Çfarë, sipas vlerësimit tuaj, po teston Moska në Baltik dhe në Poloni?

Jeanne Shaheen: Ai nuk po e teston vetëm në Baltik. Po e teston edhe në Poloni.

Ne e dimë se ai po e përdor. Sot patëm një seancë dëgjimore në Komitetin për Marrëdhëniet me Jashtë dhe një nga çështjet që u ngrit ishte fakti se Serbia ka shërbyer si një pikë ndalimi për rusët kur ata kryen sulmin në Lajpcig. Më pas u kthyen në Serbi.

Prandaj duhet të sigurohemi që po e luftojmë luftën hibride kudo që mundemi. Dhe kjo nuk është vetëm në interes të Amerikës, por edhe në interes të aleatëve tanë evropianë.

Sapo pamë Distriktin Jugor të Nju Jorkut që ngriti aktakuzë ndaj pesë rusëve, të cilët flasin për vrasjen e amerikanëve në Shtetet e Bashkuara. Ata janë banditë, janë mafiozë, janë të lidhur me Vladimir Putinin dhe ai i ka këta banditë, që po shënjestrojnë disidentët rusë, të cilët ndodhen ligjërisht në Shtetet e Bashkuara.

Radio Evropa e Lirë: Nëse Rusia vazhdon të veprojë nën pragun e një lufte të hapur, si duhet të duket përgjigjja e SHBA-së dhe e NATO-s?

Jeanne Shaheen: Mendoj se duhet të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbështetur Ukrainën.

Duhet të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë të NATO-s dhe të jemi në gjendje t’u përgjigjemi disa prej këtyre sulmeve hibride. Ata po punojnë për këtë në mënyra që, mendoj, do të jenë të dukshme gjatë ditëve dhe muajve të ardhshëm.

Radio Evropa e Lirë: Le të kthehemi te Serbia, por edhe te Ballkani më gjerësisht. Ju keni ngritur shqetësime për mundësinë e paqëndrueshmërisë, që mund të përfshijë Kosovën, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën. Cili është shqetësimi më i madh që keni sot për këtë çështje.

Jeanne Shaheen: Është lidhja që Serbia dhe serbët në Republikën Sërpska kanë me Rusinë dhe interesi i tyre për ta destabilizuar rajonin.

Rusia e sheh këtë si një front të dytë të mundshëm dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur stabilitetin në rajon. Duhet ta bëjmë të qartë se edhe ushtria jonë po e vëzhgon situatën nga afër.

Ne kemi një prani të NATO-s në Kosovë. Kemi misionin EUFOR në Bosnjë e Hercegovinë. Duhet të sigurohemi që rusët ta dinë se këto misione janë në gatishmëri të lartë dhe po e vëzhgojnë nga afër atë që po ndodh.

Radio Evropa e Lirë: Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vjet burgim për krime lufte nga Gjykata Speciale në Hagë. Çfarë mund të nënkuptojë ky vendim për politikën e Kosovës dhe sigurinë rajonale?

Jeanne Shaheen: Nuk e di. Nuk kam pasur rastin që ta shqyrtoj këtë çështje, prandaj nuk mund të komentoj për këtë.

Roli i opozitës ruse

Radio Evropa e Lirë: Le të kthehemi te Rusia. Çfarë roli mund të luajë opozita ruse përderisa lufta vazhdon dhe shtypja brenda Rusisë mbetet e ashpër?

Jeanne Shaheen: Ata kanë qenë shumë efektivë në nxjerrjen në pah të asaj që po ndodh në Rusi dhe në ruajtjen e lidhjeve me vendin, në mënyra që mund të ndihmojnë në rritjen e numrit të disidentëve që ndodhen brenda Rusisë dhe në shpërndarjen e informacionit për atë që Vladimir Putini po bën, për sa i përket shtypjes të kujtdo që nuk e ndjek politikën e tij.

Ata po zbulojnë pasojat e viktimave që po ndodhin. Dhe, po flasin për ndikimin e sanksioneve në ekonominë ruse, sanksione që janë vendosur jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara, por edhe nga Evropa, si dhe për pasojat e këtij legjislacioni të ri dhe ndikimin që do të ketë.

Pra, opozita ruse qenë shumë e rëndësishëm në përpjekjet për ta mbajtur përgjegjës Putinin.

Radio Evropa e Lirë: Për fund, nga Ukraina te Baltiku dhe Polonia e deri te Ballkani, a janë këto kriza të veçanta, apo i shihni si elemente të ndërlidhura të një sfide më të gjerë ndaj sigurisë evropiane?

Jeanne Shaheen: Le të jemi të qartë, ajo që po ndodh është e gjitha e ndërlidhur dhe po shohim Rusinë duke bashkëpunuar me Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në Iran.

Ne e dimë se iranianët po përdorin informacion nga Kina dhe Rusia që u ndihmojnë për të shënjestruar asetet amerikane.

Është e papranueshme që ne të mos bëjmë gjithçka që mundemi për të shënjestruar Vladimir Putinin, për të goditur Kinën, për t’i ndalur sulmet e tyre ndaj burrave dhe grave amerikane që shërbejnë në Lindjen e Mesme dhe ndaj aseteve tona atje.

Kjo po u kushton para taksapaguesve amerikanë dhe po u kushton jetë amerikanëve, dhe kjo nuk duhet të lejohet. Kjo administratë duhet të bëjë më shumë për ta ndalur këtë.

Intervista- Tromp: Specialja u krijua për ta kënaqur Serbinë, jo për drejtësi

Doruntina Baliu

Procesi i apelit mund të sjellë ndryshime në dënimet që Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë i shqiptuan më 16 shtator kundër katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët i shpallën fajtorë për krime lufte, thotë Nevenka Tromp, hulumtuese e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Por, Tromp, e cila ka ndjekur nga afër edhe procesin ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit në atë që njihet edhe si Gjykata Speciale e Kosovës, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL) se më i mundshëm është një ndryshim i pjesshëm sesa i plotë i aktgjykimit ndaj tyre.

Para intervistës, në disa komente për REL-in, Tromp e cilësoi si “mëkat fillestar” të Dhomave të Specializuara faktin që, sipas saj, ato u konceptuan për ta “kënaqur” Serbinë, dhe jo si një institucion i mirëfilltë i përcaktimit të përgjegjësisë.

Ajo vlerësoi se gjykata u krijua më 2015 si çmim për vazhdimin e mbështetjes perëndimore për Kosovën, “me pritjen se lëshimet ndaj Beogradit do të çonin drejt njohjes së pavarësisë” së shtetit.

Sipas Trompit, aktgjykimi kundër katër ish-krerëve të UÇK-së ka pasoja përtej përgjegjësisë së tyre individuale. Ajo veçon konstatimin për “ndërmarrjen e përbashkët kriminale” dhe përmendjen në aktgjykim të personave që nuk ishin të pandehur në këtë çështje.

Radio Evropa e Lirë: Mbrojtja e katër të dënuarve ka paralajmëruar apel. Bazuar në aktgjykimin e 16 shtatorit, ku i shihni bazat më të forta juridike për ta kundërshtuar shpalljen e fajësisë?

Nevena Tromp: Kryesorja është kundërshtimi i vetë ekzistencës së “qëllimit të përbashkët kriminal”, së bashku me mënyrën se si aktgjykimi e dalloi kontributin individual të katër të pandehurve.

U konstatua se Thaçi dhe Krasniqi i kishin përdorur aktivisht pozitat e tyre për t’i zbatuar aspektet kriminale të “qëllimit të përbashkët”, ndërsa shpallja fajtor e Selimit mbështetet në një cilësim thelbësisht të ndryshëm: mosparandalimin dhe mosndëshkimin e krimeve për të cilat ai kishte autoritetin dhe dijeninë për të vepruar, një konstatim i bazuar në mosveprim dhe jo në zbatim aktiv.

Kjo është baza më e kundërshtueshme në apel, sepse varet nga vlerësime të lidhura me faktet specifike rreth asaj që ai dinte, kur dinte dhe çfarë mund të bënte realisht lidhur me të.

Një bazë e dytë e mundshme ka të bëjë me vetë materialin provues, veçanërisht me mbështetjen në deklaratat e dëshmitarëve, të marra shumë vite pas ngjarjeve në fjalë, të cilat ekipet e mbrojtjes pranë Dhomave të Specializuara i kanë kundërshtuar në procedura të mëparshme.

Radio Evropa e Lirë: Sa e vështirë është, nga pikëpamja e së drejtës së apelit, të kundërshtohet konstatimi i trupit gjykues se të katër të dënuarit kishin dhe zbatonin një qëllim të përbashkët kriminal?

Nevena Tromp: Është e vështirë. Shqyrtimi në apel në këtë sistem, i trashëguar nga jurisprudenca e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), nuk i peshon sërish provat; ai përqendrohet në zbatimin e ligjit mbi provat dhe faktet, ashtu siç janë konstatuar.

Gjyqtarët e ndërtuan konstatimin për “qëllimin e përbashkët” në mënyrë kumulative – nga modelet e shënjestrimit të “bashkëpunëtorëve” të supozuar para dhe gjatë luftës, nga komunikatat dhe deklaratat politike që u referoheshin “masave ndëshkuese”, si dhe nga struktura dhe mënyra e veprimit të objekteve të ndalimit në të gjithë territorin e kontrolluar nga UÇK-ja.

Pritja realiste është një apel që e ngushton aktgjykimin në aspektet e tij anësore: cili individ lidhej me cilat krime specifike, nëse viktima të caktuara i ishin atribuuar siç duhej “qëllimit të përbashkët”.

Radio Evropa e Lirë: Cilat rezultate janë ligjërisht të mundshme në apel? A mund të rrëzohet shpallja e fajësisë, të ndryshohen konstatime të veçanta ose të ulen dënimet?

Nevena Tromp: Paneli i Gjykatës së Apelit i Dhomave të Specializuara mund ta konfirmojë aktgjykimin, ta rrëzojë shpalljen e fajësisë për pika të caktuara të aktakuzës, t’i rrisë ose t’i ulë dënimet, ose, në parim, të urdhërojë një rigjykim të pjesshëm për çështje të veçanta.

Një shkallë tjetër, Paneli i Gjykatës Supreme, është i disponueshëm në rrethana më të kufizuara, përfshirë rastet kur në apel shpallet fajësi pas një shpalljeje të pafajësisë, ose gjatë shqyrtimit të dënimeve veçanërisht të rënda.

Duke pasur parasysh dallimet tashmë të dukshme në aktgjykimin e shkallës së parë, rezultati më i mundshëm nuk është një rrëzim i plotë, por një i pjesshëm – një ulje, veçanërisht për Selimin ose Veselin, kontributin e të cilëve në “qëllimin e përbashkët”, gjyqtarët e Dhomave të Specializuara e cilësuan me terma më të dobët sesa atë të Thaçit dhe Krasniqit.

Por, aktgjykimet në apel në gjykatat penale ndërkombëtare mbeten të paparashikueshme. Vlen gjithashtu të kujtohet se vetë Tribunali në Hagë pati raste, në të cilat dënime të rënda të trupit gjykues u rrëzuan në apel, deri në shpallje pafajësie. Gjithçka mbetet e mundshme.

E, çfarë nëse Prokuroria vendos të apelojë? Kjo meriton të merret seriozisht, sepse një apel i Prokurorisë do të shënjestronte pjesën e aktgjykimit që aktualisht i jep mbrojtjes dhe Qeverisë së Kosovës bazën e tyre më të fortë retorike: shpalljen e pafajësisë për të gjashtë pikat e aktakuzës për krime kundër njerëzimit.

Krimet kundër njerëzimit kërkojnë prova për një politikë në nivel shtetëror ose organizativ, dhe zakonisht sjellin pasojat më të rënda në aspektin e dënimit në këtë fushë, prandaj rikthimi i disa ose i të gjashtë pikave nuk do të ishte një ndryshim i vogël. Ai do ta rihapte vetë çështjen e dënimit, me gjasë në drejtim të rritjes.

Në aspektin procedural, ai do të garantonte, gjithashtu, një proces më të gjatë: sipas strukturës me tri shkallë të Dhomave të Specializuara, një vendim i Panelit të Apelit që e shndërron një shpallje pafajësie në shpallje fajësie aktivizon një shtresë tjetër shqyrtimi në Panelin e Gjykatës Supreme.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë ndikimi mund të ketë ky aktgjykim brenda Kosovës, ku UÇK-ja mbetet në qendër të narrativit politik dhe historik të vendit?

Nevena Tromp: Një nga rezultatet me pasojat më të mëdha të aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në çështjen “Thaçi dhe të tjerët” është konstatimi i tyre për ekzistencën e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” – një konstatim që bie në kundërshtim të thellë me rezultatet e vetë Tribunalit të Hagës për të njëjtën çështje.

Tribunali gjykoi gjashtë komandantë të UÇK-së në dy gjykime për akuza të krahasueshme – keqtrajtimin në kampe ndalimi të njerëzve të akuzuar për bashkëpunim – dhe të dyja çështjet përfunduan kryesisht me shpallje pafajësie.

Në asnjë aktgjykim të Tribunalit të Hagës nuk u konstatua se ekzistonte një “ndërmarrje e përbashkët kriminale” në nivelin e UÇK-së si të tillë – me një qëllim të përbashkët dhe një synim të përbashkët për të kryer krime. Çështjet “Limaj” dhe “Haradinaj” të TPNJ-së, cilido qoftë rezultati i tyre, u zhvilluan gjithmonë mbi një teori të individualizuar: komandantë të identifikuar me emër, që përgjigjeshin për kampe të caktuara ose incidente të caktuara, pa ndonjë konstatim se udhëheqja e UÇK-së, si tërësi, kishte drejtuar një ndërmarrje kriminale.

Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara bën diçka kategorikisht të ndryshme. Përtej katër të pandehurve të shpallur fajtorë, ai emërton shtatë individë të tjerë – Lahi Brahimajn, Fatmir Limajn, Sylejman Selimin, Rrustem Mustafën, Latif Gashin, Shukri Bujën dhe Sabit Gecin – si persona që kishin “ndarë dhe ishin pajtuar me qëllimin e përbashkët kriminal” dhe si vetë “anëtarë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale të pretenduar”, pa qenë asnjëri prej tyre i pandehur në këtë çështje, ose pa pasur mundësinë ta kundërshtonte atë cilësim, siç do të mund ta bënte një i pandehur.

Doktrina thotë se konstatime të tilla nuk përbëjnë shpallje formale fajësie për personin e përmendur; ato ekzistojnë vetëm për të përcaktuar formën e përgjegjësisë së të akuzuarve faktikë.

Katër të pandehurit ndaj të cilëve u ngrit aktakuzë kaluan nëpër një gjykim kontradiktor. Shtatë të tjerët jo: ata nuk kishin avokatë në këtë procedurë, as mundësi për t’i kundërshtuar provat e përdorura për t’i vendosur emrat e tyre në një aktgjykim publik, dhe as të drejtë apeli, sepse nuk kishin qenë asnjëherë palë që në fillim.

Rasti i Fatmir Limajt e shndërron këtë në diçka më serioze sesa versioni i zakonshëm i problemit. Ai nuk ishte thjesht i paakuzuar dhe i padëgjuar në këtë procedurë. Ai u akuzua nga TPNJ-ja, doli në gjyq, dhe u shpall i pafajshëm në vitin 2005 për, në thelb, të njëjtën kategori akuzash.

Ta emërtosh tani, në aktgjykimin e një tribunali tjetër, që ka të bëjë me një pjesë të madhe të së njëjtës sjellje në themel të çështjes, si pjesëmarrës në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, pa një aktakuzë të re dhe pa një gjykim të ri, në të cilin ai të mund ta kundërshtonte atë cilësim, do të thotë të rihapësh një çështje që një gjykatë tashmë e kishte zgjidhur në favor të tij – jo përmes ndonjë procesi që i jep atij cilësi procedurale për t’u përgjigjur, por përmes një konstatimi të bërë në çështjen e dikujt tjetër.

Radio Evropa e Lirë: Dhomat e Specializuara u krijuan nga vetë Kosova, megjithatë aktgjykimi po refuzohet nga shumë figura politike dhe qytetarë. Çfarë do të thotë ky moment për besueshmërinë e Gjykatës, dhe për besimin e publikut në drejtësinë ndërkombëtare në Kosovë?

Nevena Tromp: Klasa politike që e refuzon këtë aktgjykim sot mbivendoset në masë të konsiderueshme me atë se e pranoi pa dëshirë krijimin e Gjykatës në vitin 2015, nën trysni të konsiderueshme ndërkombëtare.

Kjo mbivendosje vepron në të dyja drejtimet. Do të thotë se kritikët e saj nuk mund ta hedhin poshtë Gjykatën si një imponim tërësisht të huaj, pa asnjë gjurmë vendore, por gjithashtu do të thotë se e njëjta udhëheqje që tani po i kërkon publikut ta shohë aktgjykimin si jolegjitim, dikur e vlerësoi krijimin e Gjykatës si diçka që mund të përballohej, madje si të nevojshme, për pozitën ndërkombëtare të shtetit.

Kjo dykuptimësi ka të ngjarë ta thellojë, jo ta zgjidhë, gërryerjen e besimit publik tashmë të dukshëm në Kosovë: një gjykatë e krijuar brenda vendit, aktgjykimi kryesor i së cilës kundër udhëheqjes themeluese të vendit refuzohet nga një pjesë e madhe e klasës politike dhe publikut, e minon teorinë se ky ka qenë ndonjëherë një akt plotësisht legjitim i vetëqeverisjes dhe e përforcon një narrativ, tashmë të pranishëm në mbarë rajonin, se gjykata të tilla funksionojnë si instrumente të kushtëzimit të jashtëm dhe jo të llogaridhënies së brendshme.

Radio Evropa e Lirë: A ekziston një mënyrë ligjore për ta “zhbërë” Gjykatën?

Nevena Tromp: Vetë aktgjykimi i shkallës së parë ia njeh Thaçit kontributin e tij për ta bërë të mundur krijimin e Dhomave të Specializuara – pothuajse duke e përqeshur për atë bashkëpunim, tani që ai ka ndihmuar në shpalljen e tij fajtor.

Ekziston një parim i përgjithshëm që vlen të përmendet këtu: cilido proces institucional që ka fuqinë për të krijuar diçka, zakonisht ka edhe fuqinë për ta zhbërë atë. I zbatuar te Dhomat e Specializuara, ky mund të ishte, në parim, drejtimi. Por, vetëm nëse Kosova do të ishte në gjendje të çlirohej nga trysnia ndërkombëtare që e prodhoi Gjykatën që në fillim.

Në vitin 2017, Kuvendi i Kosovës tentoi vërtet ta shfuqizonte plotësisht ligjin që mundësoi krijimin e saj, dhe tentativa dështoi nën trysninë e vazhdueshme diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, të cilët e bënë të qartë se zhbërja e Gjykatës do ta rrezikonte liberalizimin e vizave për Kosovën dhe rrugën e saj më të gjerë drejt anëtarësimit në BE.

Tani, pas aktgjykimeve konkrete, kjo ka të ngjarë të jetë edhe më e vështirë sesa ishte në vitin 2017, kur ende nuk kishte aktakuza, gjykime ose shpallje fajësie.

Ligjërisht mbetet e mundur, por është një ndërmarrje vërtet komplekse: themelimi i Dhomave të Specializuara është sanksionuar drejtpërdrejt në Kushtetutën e Kosovës përmes amendamentit të vitit 2015 që shtoi nenin 162, prandaj shpërbërja e tyre do të kërkonte një amendament tjetër kushtetues, që do të kërkonte një shumicë prej dy të tretash të të gjithë deputetëve dhe një shumicë të veçantë prej dy të tretash mes deputetëve që mbajnë vende të rezervuara për komunitetet joshumicë – një prag qëllimisht i lartë, i hartuar për ta bërë të vështirë pikërisht këtë lloj kthimi prapa.

Radio Evropa e Lirë: Duke parë përtej Kosovës, si mund të ndikojë ky aktgjykim në mënyrën se si diskutohen luftërat e viteve ’90, përgjegjësia për krimet dhe drejtësia ndërkombëtare në mbarë Ballkanin Perëndimor?

Nevena Tromp: Aktgjykimi ndikon drejtpërdrejt në rrëfimin themeltar të luftës çlirimtare të Kosovës dhe të shtetësisë së saj. Të dyja mbështeten në masë të madhe te UÇK-ja si forca qendrore çlirimtare.

Publiku i Kosovës dhe udhëheqja e saj politike dhe shtetërore ndihen të tradhtuar. Kosova bashkëpunoi me bashkësinë ndërkombëtare që nga vera e vitit 1998, dhe që atëherë ka qenë një partnere dhe aleate e besueshme. Në periudhën e pasluftës, Kosova pranoi një qeverisje të gjerë ndërkombëtare dhe mbeti një aleate besnike gjatë gjithë kohës.

Njëzet e shtatë vjet pas humbjes së Kosovës, Serbia është kthyer në lojë, përmes një procesi që përshkruhet më së miri si “lawfare” (luftë me mjete juridike): vazhdimi i objektivave të kohës së luftës me mjete ligjore, duke përdorur të njëjtat gjykata dhe instrumente të drejtësisë penale ndërkombëtare që Beogradi dikur i refuzonte si antiserbe, tani të ripërdorura për ta riformuluar rolin e vetë Serbisë në dhunë dhe për t’i relativizuar aktgjykimet e TPNJ-së kundër zyrtarëve të saj të dënuar, duke e ridrejtuar vëmendjen te “kriminaliteti” i ish-kundërshtarit të saj.

Çështja e TPNJ-së për Kosovën, “Shainoviq dhe të tjerët”, prodhoi dënime përfundimtare, të konfirmuara në apel, prej 22 vjetësh burgim për Nebojsha Pavkoviqin, 18 vjetësh për Nikolla Shainoviqin, 20 vjetësh për Sreten Lukiqin dhe 14 vjetësh për Vlladimir Llazareviqin – për një ndërmarrje të përbashkët kriminale që tribunali e gjeti përgjegjëse për zhvendosjen me forcë të qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës dhe vrasjen e qindra të tjerëve në trembëdhjetë komuna. Millan Millutinoviq, president i Serbisë në atë kohë, u shpall plotësisht i pafajshëm.

Dhomat e Specializuara, duke gjykuar një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, të ndërtuar rreth 96 vrasjeve dhe ndalimit të më pak se 400 personave, tani i kanë dënuar dy figurat e saj më të larta me nga 25 vjet burgim – një shifër më e lartë sesa ajo që mori përfundimisht cilido zyrtar serb për një fushatë të një shkalle kategorikisht më të madhe.

Në Beograd, aktgjykimi po pritet me diçka të afërt me mosbesimin, edhe mes atyre që mund ta kishin pritur – dhe presidenti Aleksandar Vuçiq do ta përdorë atë sidoqoftë, duke e paraqitur udhëheqjen e UÇK-së gjatë luftës, jo atë të Serbisë, si palën e dënuar më rëndë për krime lufte.

Në Prishtinë, efekti shkon në drejtimin tjetër: zhgënjim, me protesta në rrugë që rrezikojnë vazhdimin e paqëndrueshmërisë në shtetin më të ri të Evropës.

Kryetari i trupit gjykues e trajtoi këtë drejtpërdrejt gjatë leximit të aktgjykimit, duke theksuar se procedurat “nuk ishin një gjykim mbi legjitimitetin e UÇK-së ose përpjekjen e Kosovës për pavarësi”, dhe, në të njëjtën frymë, se çështja “nuk përcaktoi përgjegjësinë për krimet e përmasave të gjera të kryera kundër shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe dhe njësitë paramilitare”.

Vlen gjithashtu të pyetet pse një gjyqtar e ndien fare nevojën ta udhëzojë publikun se si duhet ta pranojë kuptimin politik të një aktgjykimi. Legjitimiteti, pavarësia dhe fajësia organizative nuk janë kategori juridike për të cilat vendos një aktgjykim, dhe një gjykatë që ndihet e detyruar të menaxhojë mënyrën se si do të interpretohet vendimi i saj, po pranon në mënyrë të nënkuptuar se pritja e atij vendimi nuk mund t’i besohet vetëm arsyetimit juridik.

Pasojat nuk kufizohen në Kosovë ose në Ballkanin Perëndimor. Drejtësia penale ndërkombëtare, si institucion, tashmë përballet me sulme të vazhdueshme retorike nga udhëheqës që janë subjekt i mekanizmave të saj gjetkë.

Një çështje me vëmendje të madhe publike, në të cilën një tribunal i mbështetur nga Perëndimi, dhe i financuar nga BE-ja, prodhon një rezultat që një pjesë e konsiderueshme e opinionit të informuar e konsideron joproporcional, politikisht të leverdishëm ose strategjikisht të përshtatshëm për një aktor rajonal në raport me një tjetër, ofron pikërisht atë lloj shembulli mbi të cilin mbështeten argumente të tilla, pavarësisht bazës doktrinare të aktgjykimit individual.

Ajo që vihet në lojë nga mënyra se si pranohet ky aktgjykim nuk është vetëm marrëdhënia e Kosovës me aleatët e saj, ose politika e brendshme e Serbisë, por besueshmëria më e gjerë dhe e ardhmja e të gjithë sistemit ndërkombëtar të përcaktimit të përgjegjësisë.

Intervista është redaktuar për t’u bërë më e qartë dhe më e përmbledhur.

Intervista- Ellis: Aktgjykimi mund të sfidohet si në fakte, ashtu edhe në ligj

Valona Tela

Aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të përballet me një proces të fuqishëm apeli nga të dyja palët, thotë eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Mark Ellis.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ellis, drejtor i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, thotë se mbrojtja pritet të sfidojë konstatimet që lidhin të akuzuarit me ndërmarrjen e përbashkët kriminale, ndërsa Prokuroria mund të kundërshtojë lirimin e tyre nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Sipas tij, përtej betejës juridike që vazhdon, aktgjykimi ka rëndësi edhe për viktimat, të cilat tani mund ta shohin dënimin për krime lufte si një formë drejtësie.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi – fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Veseli me 18 dhe Selimi me 13.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se do ta apelojnë atë.

“Aktgjykimi sjell një formë drejtësie për viktimat”

Radio Evropa e Lirë: Cili është vlerësimi juaj i parë për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara? Çfarë ju bie më shumë në sy?

Mark Ellis: Mendoj se ajo që bie më shumë në sy tani është pyetja që zakonisht shtrohet në situata të tilla: si do të jetë reagimi në nivel lokal dhe cilat do të jenë pasojat për një pranim të mundshëm afatgjatë të vendimit?

Këto procese dhe gjykime janë, siç e dimë, shumë të ndërlikuara, por mund të jenë mjaft pozitive, sepse procesi juridik është shumë rigoroz dhe sfidues.

Mark Ellis

Mark Ellis

Shpresa është që pjesë e këtij procesi të jetë një procedurë e fuqishme juridike, e cila në fund prodhon një vendim të arsyetuar mirë, të mbështetur në prova, fakte dhe argumente.

Natyrisht, ky vendim nuk pranohet nga të gjithë.

E dimë saktësisht se çfarë do të ndodhë dhe çfarë po ndodh tani në Kosovë, por kjo nuk është e pazakontë në konflikte të tilla.

Fatkeqësisht, në planin afatshkurtër, vendimi nuk do të shihet pozitivisht nga të gjithë në rajon, por unë do të shikoja drejt një perspektive më afatgjatë.

Historikisht, pas një apo dy brezash, procese të tilla kanë rëndësi.

Mund të kthehemi deri te Nurembergu, te vendimet që u morën atje dhe ndikimi që ato kanë sot. Kështu do ta shihja unë këtë çështje.

Së dyti, ky proces ka qenë gjithmonë i ndërlikuar për shkak të faktit se Dhomat e Specializuara duhej të krijoheshin nga pamundësia për t’i zhvilluar këto procese në Kosovë.

Kur ndodh diçka e tillë, shpesh ka kritika ndaj vetë procesit.

Por ky ishte i vetmi proces që ishte e mundur të krijohej – në këtë rast, Dhomat e Specializuara të Kosovës – për të mundësuar zhvillimin e një procesi juridik, shqyrtimin e provave për krime të mundshme dhe, më pas, nxjerrjen para përgjegjësisë të atyre që janë përgjegjës për këto krime.

Në fund, e gjithë kjo ka të bëjë me viktimat. Pavarësisht se në cilën anë të një konflikti ndodhet dikush, duhet siguruar zërat e atyre që nuk mund të dëgjohen më.

Për hir të drejtësisë, ky proces është i nevojshëm. Ky proces duhet të ekzistojë.

Radio Evropa e Lirë: Të katërtit u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit, por u shpallën fajtorë për krime lufte. Cila është rëndësia juridike e këtij dallimi?

Mark Ellis: Nuk kam asnjë dyshim se gjykata i ka kushtuar kohë të konsiderueshme shpjegimit të këtij dallimi. Por, vetë fakti që ata u shpallën fajtorë për krime lufte, është mjaft domethënës.

Nga pikëpamja juridike, natyrisht, gjithmonë më intereson dallimi që bën një gjykatë në vendimin e saj mes gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës. Por, në fund, kjo do të thotë se kishte prova të mjaftueshme për të dëshmuar se katër individët kryen krime lufte, dhe këto janë krime jashtëzakonisht të rënda.

Kjo do të thotë gjithashtu se viktimat e këtyre krimeve tani mund ta shohin këtë si një formë drejtësie, dhe sigurisht edhe familjarët e tyre dhe të tjerët do të mund ta shohin në këtë mënyrë.

“Konstatimi për ndërmarrjen e përbashkët kriminale është një hap përpara”

Radio Evropa e Lirë: Trupi gjykues e pranoi teorinë kryesore të Prokurorisë për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal. Çfarë duhej të vërtetonin gjykatësit për të arritur në këtë përfundim?

Mark Ellis: Më duhet ta lexoj më në detaje vendimin, por është një zhvillim i rëndësishëm dhe një hap i rëndësishëm përpara në avancimin e kësaj teorie.

Radio Evropa e Lirë: A sjell ky aktgjykim diçka të rëndësishme në jurisprudencën ekzistuese për ndërmarrjen e përbashkët kriminale?

Mark Ellis: Mendoj se vetë fakti, siç e thashë edhe më herët, që ata kanë gjetur prova të mjaftueshme për ta mbështetur këtë qëndrim, është i rëndësishëm. Ky është një hap përpara. Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Është një avancim.

Radio Evropa e Lirë: Mbrojtja tashmë ka paralajmëruar se do ta apelojë aktgjykimin. Cilat pjesë të aktgjykimit mendoni se mund të kundërshtohen më së shumti në apel?

Mark Ellis: Nuk ka dyshim se do të ketë apel dhe kështu duhet të jetë. Apeli është pjesë e procesit gjyqësor.

Një element i rëndësishëm i aktgjykimit është konstatimi i trupit gjykues se të katër të akuzuarit ishin pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale.

Tani do të jetë me rëndësi të shihet se si aktgjykimi e trajton kontributin individual të secilit dhe nëse gjykata ka konstatuar se secili ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në qëllimin e përbashkët kriminal për shënjestrimin e personave që perceptoheshin si kundërshtarë të synimeve politike dhe ushtarake të UÇK-së.

Duhet pasur parasysh se ende nuk e kam lexuar aktgjykimin në detaje, por gjykatësit duhej të vërtetonin përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e këtij qëllimi të përbashkët kriminal.

“Edhe Prokuroria mund ta apelojë aktgjykimin”

Radio Evropa e Lirë: Nga përvoja juaj, sa e vështirë është në praktikë që konstatimet eë tilla të rrëzohen në apel?

Mark Ellis: Mendoj se në apel gjithmonë ekziston mundësia të argumentohet se aktgjykimi është i gabuar, qoftë në aspektin faktik, qoftë në atë juridik. Kjo është ajo që do të përpiqet të bëjë mbrojtja.

Por, duhet kujtuar se edhe Prokuroria mund të apelojë.

Sa u përket lirimeve nga akuzat për krime kundër njerëzimit, pres që Prokuroria të argumentojë se trupi gjykues e ka zbatuar gabimisht kriterin për ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik.

Nga ana tjetër, mendoj se mbrojtja do të argumentojë se nuk kishte prova që e lidhnin drejtpërdrejt Thaçin me krime konkrete, apo që dëshmonin se ai kishte kontroll efektiv mbi komandantët. Ky ishte një nga argumentet e mbrojtjes. Pra, ata do të argumentojnë se faktet nuk e mbështesin aktgjykimin.

Mendoj se do të kemi një proces të fuqishëm apeli, nga të dyja palët.

Radio Evropa e Lirë: Sa mund të zgjasë procesi i apelit?

Mark Ellis: Është pyetje e mirë. Duke pasur parasysh sa gjatë ka zgjatur gjykimi, edhe apeli mund të marrë kohë. Por, nuk bëhet fjalë për një gjykim të ri – çështja nuk do të rigjykohet nga fillimi.

Në apel do të shqyrtohen çështjet juridike dhe faktet që janë paraqitur gjatë gjykimit. Nuk mund të them saktësisht se sa do të zgjasë procesi, por sigurisht nuk do të zgjasë aq sa gjykimi.

Intervista- Hasani flet për kaos institucional në Kosovë

Bekim Bislimi

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës është bërë në shkelje të Kushtetutës dhe një vendim që do ta konstatonte këtë, do të mund ta vinte në pikëpyetje edhe zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4, thotë Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani thotë se pret që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme dhe të pezullojë veprimtarinë e Kuvendit deri në shqyrtimin përfundimtar të rastit.

Në një skenar të tillë, sipas tij, Kuvendi nuk do të mund të mblidhej, ndërsa fati i Qeverisë së sapozgjedhur do të mbetej pezull.

Komentet vijnë në ditën kur Partia Demokratike e Kosovës kërkoi nga Gjykata Kushtetuese e vendit të vendosë masë të përkohshme lidhur me konstituimin e Kuvendit më 13 shtator.

Ish-kreu i Kushtetueses paralajmëron se kriza mund të prekë edhe procesin e zgjedhjes së presidentit, të cilin, në rrethanat aktuale, e konsideron “komprometues” për vendin.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hasani, Kuvendi i Kosovës u shpall i konstituuar të dielën, pa zgjedhjen e nënkryetarit që i takon Partisë Demokratike të Kosovës. Si e vlerësoni këtë proces nga pikëpamja kushtetuese?

Enver Hasani: Konstituimi i Kuvendit të dielën nuk ka ndjekur asnjë rrugë kushtetuese të përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në veçanti me nenin 67 të saj, me nenin 12 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese që i kanë interpretuar këto dispozita në të kaluarën.

Radio Evropa e Lirë: Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se Kuvendi “nuk mund të mbetet peng i askujt, i asnjë subjekti politik” dhe u thirr në një aktgjykim të mëhershëm të Kushtetueses. Cili është komenti i juaj?

Enver Hasani: Konstatimi i zonjës Haxhiu është fund e krye arbitrar, për shkak se ajo nuk mund të provojë se nga partia e dytë më e madhe politike ka pasur sabotim dhe heqje dorë nga ushtrimi i një të drejte kushtetuese.

Se kur mund të konsiderohet se ka ndodhur një sabotim dhe, për pasojë, mosushtrim i së drejtës kushtetuese për të propozuar kandidatin për nënkryetar, është përcaktuar në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Arsyetimi për tërheqjen e kandidatit të partisë së dytë më të madhe për nënkryetar të Kuvendit duhet të vlerësohet në kontekstin e gjendjes së stërzgjatur jokushtetuese, të krijuar nga zonja Haxhiu dhe, para saj, nga zoti [kryesuesi i seancës konstituive Avni] Dehari, gjatë tërë procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Masa e përkohshme dhe pasojat për Kuvendin

Radio Evropa e Lirë: PDK-ja e ka dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe ka kërkuar edhe masë të përkohshme. Çfarë mund të vendosë Gjykata në këtë fazë?

Enver Hasani: Marrë parasysh faktin se në aktgjykimin e saj lidhur me kandidatin serb për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar çështjet relevante, përfshirë edhe situatën kur një forcë politike nuk e ushtron të drejtën e saj kushtetuese në procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, është e pritshme që Gjykata të vendosë masë të përkohshme dhe, më pas, të vendosë për meritat e rastit.

Nuk do të ishte profesionale që Gjykata, tani kur çështja është e qartë, të lejonte funksionimin e Kuvendit të Kosovës, i cili, sipas këtyre parametrave kushtetues, është konstituuar në shkelje të Kushtetutës.

Gjykata e ka bërë këtë edhe herën e kaluar, kur Kuvendi i Kosovës, në mënyrë jokushtetuese, e konsideroi veten të konstituuar dhe vendi më pas shkoi në zgjedhje.

Tani që situata është sqaruar përmes aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit nuk do të duhej të lejonte që gjendja jokushtetuese të vazhdonte më tej.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme edhe për faktin se, sipas të gjithë parametrave kushtetues, situata aktuale ka dalë jashtë binarëve normalë kushtetues dhe mund të ndikojë edhe në një votim eventual për presidentin e Republikës.

Është e sigurt se gjendja jokushtetuese e krijuar në Kuvend prodhon pasoja nga dita e dhënies së betimit të deputetëve e deri te vendimi për zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4.

Radio Evropa e Lirë: Nëse Gjykata e shpall jokushtetues konstituimin e Kuvendit, çfarë pasojash do të kishin vendimet e marra ndërkohë, përfshirë zgjedhja e Qeverisë së re të Kosovës?

Enver Hasani: Sipas rregullit, nëse Gjykata Kushtetuese shpall jokushtetues konstituimin e Kuvendit të Kosovës – diçka që vështirë se mund të mos ndodhë, marrë parasysh atë që thashë më sipër dhe standardet kushtetuese që vetë Gjykata i ka përcaktuar – atëherë ajo duhet të konstatojë edhe jokushtetutshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4 dhe ta rikthejë gjendjen në afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Kjo është kështu për dy arsye. E para, moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit prej 30 ditësh nuk prodhon si pasojë juridike automatike shkuarjen e vendit në zgjedhje. E dyta, Qeveria Kurti 4 është zgjedhur në votimin e parë, kështu që jokushtetutshmëria eventuale e këtij votimi nuk prek rundin e dytë të procedurës për zgjedhjen e Qeverisë, pas dështimit të të cilit vendi shkon në zgjedhje në përputhje me procedurën kushtetuese të nenit 95 dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që ka rrëzuar Qeverinë Hoti.

Zgjedhja e presidentit “do të ishte komprometuese”

Radio Evropa e Lirë: Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për bashkëpunim për zgjedhjen e presidentit. Sa e mundshme është zgjedhja e presidentit në rrethanat aktuale?

Enver Hasani: Në aspektin politik, mësa duket, nuk ekzistojnë numrat e mjaftueshëm për zgjedhjen e presidentit të Republikës.

Kurti në vazhdimësi po ushtron presion mbi opozitën, me tone të qarta shantazhi, se vendi mund të shkojë në zgjedhje.

As kjo, mësa duket, nuk po pi ujë, meqë vendi lehtësisht mund të shkojë në zgjedhje, pavarësisht pozitës jo të favorshme të opozitës. Kjo gjendje është, siç thotë populli: ‘I laguri për shi nuk ka dert’.

Në aspektin juridik-kushtetues, nuk besoj se as vetë Lidhja Demokratike e Kosovës ndihet komode me kandidatin e vet, por as vetë kandidati i propozuar, marrë parasysh shkallën e lartë të gjendjes jashtëkushtetuese në të cilën është futur vendi.

Për mendimin tim, çdo zgjedhje e presidentit të Republikës në këto rrethana do të ishte mjaft komprometuese për vendin dhe për ata që kontribuojnë në një proces të tillë.

Gjërat, me procesin jashtëkushtetues në të cilin është zhytur vendi, kanë shkuar shumë larg.

Zgjedhjet eventuale, më 27 dhjetor

Radio Evropa e Lirë: Çfarë ndodh nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin dhe a mund të çojë kjo në shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të reja?

Enver Hasani: Nëse Gjykata Kushtetuese nuk vendos masë të përkohshme, atëherë vendi shkon në zgjedhje pas 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit, të dielën, më 13 shtator.

Këtë afat e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese dhe, siç duket, këtë afat po e respekton edhe zoti Kurti, sepse dështimi i zgjedhjes do ta çonte vendin në zgjedhje më 27 dhjetor 2026.

Në një rast të tillë, Gjykata do t’i çonte duart nga mundësia për ta rikthyer gjendjen jashtëkushtetuese në binarët kushtetues dhe, për mendimin tim, do të bënte gabim.

Sipas çdo standardi profesional që vetë Gjykata e ka krijuar përmes aktgjykimeve të vitit të fundit, ajo duhet të pezullojë çdo veprimtari të Kuvendit dhe të organeve të dala prej tij deri në vendosjen meritore për këtë rast.

Radio Evropa e Lirë: Nëse Gjykata Kushtetuese vendos masë të përkohshme, çfarë pasojash do të ketë kjo për procesin e konstituimit të Kuvendit, por edhe për proceset tjera eventuale?

Enver Hasani: Në rast se Gjykata Kushtetuese vendos masë të përkohshme, atëherë Kuvendi nuk mund të mblidhet, ndërsa Qeveria dhe fati i saj mbeten pezull.

Më pas, me vendimin përfundimtar, Gjykata menaxhon pasojat juridike të çdo vendimi eventual të marrë nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

Ngërç i ri që “lehtësisht mund të shndërrohet në konflikt shoqëror”

Radio Evropa e Lirë: Me zhvillimet aktuale, a jemi para një ngërçi të ri institucional dhe sa reale janë zgjedhjet e parakohshme?

Enver Hasani: Pa asnjë dyshim, jemi para një ngërçi të ri institucional, i cili, për dallim nga ngërçet e mëparshme, mund të shndërrohet lehtësisht në një konflikt shoqëror me përmasa të paparashikueshme.

Kjo për faktin se pushteti i zotit Kurti nuk po tregon asnjë fleksibilitet për respektimin dhe kanalizimin, përmes rrugëve kushtetuese dhe ligjore, të vullnetit politik të më shumë se gjysmës së popullit të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Nëse vendi shkon në zgjedhje, a ka pengesa kushtetuese ose juridike për mbajtjen e tyre?

Enver Hasani: Pra, nuk bëhet më fjalë vetëm për jokushtetutshmëri apo kundërkushtetutshmëri, por për një gjendje jashtëkushtetuese, për një kaos të organizuar institucional, në të cilin lideri dhe vullneti i tij janë supremë, e jo normat kushtetuese dhe ligjore.

Shkeljet e Kushtetutës, pa ndëshkim

Radio Evropa e Lirë: A mund të sjellë Gjykata Kushtetuese qartësi për krizën aktuale, apo vendimet e saj mund të hapin edhe dilema të reja kushtetuese?

Enver Hasani: Gjykata Kushtetuese gjithmonë ka sjellë qartësi kushtetuese për ata që nuk kanë pasur qëllime malicioze. Ata që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë qëllime të tilla, gjithmonë do të gjejnë arsye për të abuzuar me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Aktualisht, ta zëmë, zonja Haxhiu citon, në mbështetje të konstituimit arbitrar të Kuvendit, një paragraf të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese. I njëjti aktgjykim, më lart, në paragrafin 162, përcakton qartë se së pari zgjidhet presidenti dhe pastaj Qeveria.

Njësoj është edhe me afatin prej 60 ditësh, i cili zotit Kurti po i pëlqen për shkak të datës 27 dhjetor 2026, kur vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.

E njëjta qasje vërehet edhe ndaj afatit 30-ditor, të cilin Kurti po e trajton si një afat që mund të shkelet, me arsyetimin se Kushtetuta e Kosovës nuk përcakton një pasojë juridike të drejtpërdrejtë për shkeljen e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, ndonëse Gjykata Kushtetuese ka thënë qartë në aktgjykimin e fundit se Kuvendi duhet të konstituohet brenda këtij afati.

Radio Evropa e Lirë: Pse ndodh kjo?

Enver Hasani: Sepse nuk ekziston një vepër e posaçme penale për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Sikur të ekzistonte një vepër e tillë, jam i sigurt se Kurti do të sillej ndryshe.

Shkurt, deri këtu nuk shoh asnjë bazë për ta fajësuar Gjykatën Kushtetuese.

Intervista- Waters: Teoria që lidh Thaçin dhe të tjerët me krime mund të shtrihet shumë gjerë

Prishtinë. Shtator 2026.

 

Valona Tela

Teoria që Prokuroria Speciale përdor për t’i lidhur Hashim Thaçin dhe tre të bashkakuzuarit me krimet e pretenduara mund të shkojë shumë përtej katër personave në bankën e të akuzuarve.

Kështu vlerëson Timothy Waters, profesor i së Drejtës në Universitetin e Indianës dhe ekspert i drejtësisë penale ndërkombëtare, i cili ka punuar edhe në rastin e Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin për ish-Jugosllavinë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Waters thotë se “ndërmarrja e përbashkët kriminale” është një teori që mundëson lidhjen e të akuzuarve me krime që nuk pretendohet se i kanë kryer vetë.

“Pikërisht për këtë arsye kjo teori edhe kritikohet”, thotë ai, duke shtuar se pjesa më e vështirë është të dëshmohet lidhja mes krimeve dhe personave në gjykim.

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara në Hagë pritet të shpallin aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Aktakuza përmban dhjetë pika: gjashtë për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte.

Ajo përfshin, mes tjerash, akuza për përndjekje, burgosje, arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë.

Sipas aktakuzës, krimet e pretenduara janë kryer së paku nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Prokuroria pretendon se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, që synonte marrjen dhe ushtrimin e kontrollit mbi gjithë Kosovën përmes, mes tjerash, frikësimit, keqtrajtimit, dhunës dhe largimit të atyre që konsideroheshin kundërshtarë.

Viktimat e pretenduara përfshijnë serbë, romë dhe shqiptarë që konsideroheshin kundërshtarë të UÇK-së.

Waters thotë se teknikisht gjykohen katër individë, por se implikimet e teorisë mbi të cilën mbështetet rasti, mund të shtrihen shumë më gjerë.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Waters, fillimisht doja t’ju pyesja: çfarë është në të vërtetë në gjykim në këtë rast – individët, apo edhe versioni i Prokurorisë për mënyrën se si ka vepruar UÇK-ja?

Timothy Waters

Timothy Waters

Timothy Waters: Kjo është një pyetje shumë e mirë. Natyrisht, ka një përgjigje teknike dhe një më të gjerë.

Teknikisht, vetëm këta individë janë në gjykim. E gjithë kjo fushë e së drejtës mbështetet në idenë se gjykohen individët, jo grupet apo shtetet. Pra, ky është edhe thelbi i këtij projekti: pretendimi se përgjegjësia është individuale.

Por, unë jam mjaft skeptik se gjërat mund të ndahen kaq lehtë. Në praktikë, proceset e tilla shpesh shihen si diçka shumë më e gjerë – si një lloj aktakuze ndaj një lëvizjeje politike apo një lëvizjeje të luftës.

Kjo nuk është diçka e re. Ka ndodhur në shumë procese të tilla, që nga Nurembergu, madje mund të kthehemi edhe deri te Lufta e Parë Botërore.

Gjithmonë ka ekzistuar ideja se këto gjykime kanë të bëjnë jo vetëm me individët, por edhe me konfliktin më të gjerë dhe shoqëritë që qëndrojnë pas tij.

Kjo është, gjithashtu, një lloj mbështetjeje e tërthortë për këtë projekt… sepse ka atë që sot e quajmë ‘lawfare’ [përdorim i ligjit si mjet në një konflikt më të gjerë].

Pra, kjo është diçka e pashmangshme në procese të tilla: ato gjithmonë përfundojnë duke pasur kuptim më të gjerë sesa vetëm përgjegjësia e individëve që janë në bankën e të akuzuarve.

Kur përgjegjësia individuale shkon përtej individit

Radio Evropa e Lirë: Sa i rëndësishëm është për vendimin përfundimtar debati nëse UÇK-ja ishte e koordinuar apo e fragmentuar?

Timothy Waters: Ne ende nuk e dimë vendimin përfundimtar, prandaj mund vetëm të hamendësojmë se sa vendimtare do të jetë kjo çështje.

Por, duke parë se si kjo teori është përdorur në raste të tjera, është një pjesë shumë e rëndësishme.

Njerëz si Thaçi nuk akuzohen se i kanë kryer drejtpërdrejt veprat.

Në raste të tilla, një gjë është të dëshmosh se dikush ka vrarë apo torturuar një person; pyetja më e vështirë është të përcaktosh marrëdhënien mes atyre që i kanë kryer veprat dhe njerëzve në strukturën ushtarake ose politike.

Këtu kemi persona që nuk pretendohet se i kanë kryer vetë apo urdhëruar drejtpërdrejt krimet, por që, sipas Prokurorisë, kanë pasur një lloj marrëdhënieje komanduese ose vendimmarrëse me to.

Teoria mbi të cilën Prokuroria e ka ndërtuar rastin, quhet ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’.

Është një koncept juridik shumë i ndërlikuar. Ai lejon që shumë njerëz të lidhen me një grup veprash penale, duke bërë që një person të mbajë përgjegjësi juridike për krime të kryera nga të tjerët – madje edhe për krime për të cilat mund të mos ketë ditur.

Shembulli më i njohur nga pala tjetër e konfliktit është rasti i Sllobodan Millosheviqit.

Ai u gjykua mbi bazën e teorisë së ‘ndërmarrjes së përbashkët kriminale’, e cila përfshinte luftërat në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci. Kjo krijoi një teori të gjerë që mundësonte lidhjen e shumë njerëzve dhe veprave brenda së njëjtës ndërmarrje.

E njëjta teori po përdoret edhe këtu. Nuk po e them këtë domosdoshmërisht si kritikë, por për të shpjeguar se ajo i jep Prokurorisë mundësi të shkojë shumë larg, pa qenë e nevojshme të dëshmojë një lidhje të drejtpërdrejtë mes secilit të akuzuar dhe secilit krim.

Pikërisht për këtë arsye kjo teori edhe kritikohet. Është aq e gjerë sa mund të krijojë një narrativ që i lidh të akuzuarit me një gamë shumë të madhe të veprimeve të UÇK-së.

Dhe kjo na kthen te pyetja juaj e parë: a po gjykohen katër individë, apo po gjykohet një ndërmarrje shumë më e gjerë, me një qëllim të përbashkët, gjatë së cilës janë kryer krime?

Kjo është edhe arsyeja pse procese të tilla mund të perceptohen si sulm ndaj një lëvizjeje më të gjerë. Në Kosovë, shumë njerëz e shohin këtë si një sulm ndaj luftës çlirimtare dhe lëvizjes që qëndronte pas saj. A e kanë gabim ata që e shohin kështu? Nuk më takon mua ta them.

Pse lidhja me krimet është pjesa më e vështirë?

Radio Evropa e Lirë: A mund të konstatojnë gjyqtarët se janë kryer krime, por se Prokuroria ka dështuar t’i lidhë ato me katër të akuzuarit?

Timothy Waters: Po, kjo është sigurisht e mundur. Sepse, kjo është pikërisht një teori që synon të krijojë lidhjen mes krimeve dhe të të akuzuarve.

Ajo që ka ndodhur është jashtëzakonisht e rëndësishme: dikush është vrarë, një familje është shkatërruar dhe, natyrisht, kjo duhet të dëshmohet.

Por shpesh është më e lehtë të vërtetohet vetë krimi. Mund të kesh trupa të gjetur në një pus, njerëz të vrarë me duart e lidhura pas shpine… Dikush i ka vrarë dhe shpesh mund të përcaktohet se kush e ka bërë. Ndonjëherë ka edhe video.

Ajo që nuk kemi është një video që mund të tregojë lidhjen mes atij krimi dhe dikujt si Thaçi. Nëse ai, për shembull, është duke negociuar në Francë, cila është marrëdhënia e tij me diçka që po ndodh në terren në atë kohë apo më vonë?

Unë kam punuar shumë në rastin e Millosheviqit. Ai nuk ishte fizikisht pranë vendeve ku zhvilloheshin këto luftëra. Lidhja me të ndërtohej – edhe pse ai proces nuk përfundoi – përmes bisedave, urdhrave dhe marrëdhënieve me të tjerët.

Pra, pikërisht këto lidhje duhet të dëshmohen. Sepse, në shumë prej këtyre rasteve, ekzistenca e krimeve nuk është çështja më e kontestuar. Pjesa e vështirë është të dëshmohet marrëdhënia mes atyre krimeve dhe personave që janë në gjykim.

Dhe për ta dëshmuar këtë, përdoret një teori që mund të shtrihet te një numër shumë i madh njerëzish.

Formalisht, askush nuk po thotë se UÇK-ja është në gjykim. Në gjykim janë këta katër persona. Por, teoria që përdoret nuk përfundon domosdoshmërisht me ta; logjikisht, implikimet e saj mund të shtrihen edhe te shumë njerëz të tjerë.

Kjo nuk do të thotë se ata njerëz do të gjykohen. Por, është e kuptueshme që implikimet e një teorie të tillë mund të krijojnë shqetësim, sepse prekin mënyrën se si njerëzit e shohin atë për të cilën kanë luftuar.

Katër të akuzuarit: Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli, Hashim Thaçi.

Katër të akuzuarit: Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli, Hashim Thaçi.

Radio Evropa e Lirë: A do të thotë kjo se do të ishte shumë e vështirë të dëshmohej një ndërmarrje e tillë e përbashkët kriminale?

Timothy Waters: Të dëshmosh lidhjen e një personi me një varg ngjarjesh është e ndërlikuar. Kjo teori mundëson që barra e provës të jetë më e lehtë. Nuk po e them këtë si kritikë, por thjesht po e përshkruaj se si funksionon.

Për ta ilustruar, mund të mendojmë për mënyrën se si gjykatat kanë ndryshuar qasjen ndaj rasteve të dhunës seksuale, ose ndaj dëshmive të fëmijëve.

Në disa raste janë ndryshuar mënyrat e dëshmimit apo standardet që duhet të përmbushen, sepse është pranuar se historikisht gjykatat, për shembull, nuk u kanë besuar sa duhet dëshmive të grave që kanë raportuar dhunë seksuale.

Standardet ndryshohen me synimin për të arritur tek e vërteta.

Edhe kjo teori përpiqet të bëjë diçka të ngjashme. Ajo thotë se duhet të ketë një barrë më të lehtë, më të ulët, për të arritur tek e vërteta që qëndron pas këtyre ngjarjeve.

Nëse kjo duhet bërë apo jo, është një pyetje e vështirë. Unë vetëm po them se ky është qëllimi dhe efekti i saj: e bën më të lehtë provimin e lidhjes.

Ka edhe një shaka të vjetër për ‘ndërmarrjen e përbashkët kriminale’: “Çfarë do të thotë në të vërtetë ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’? Përgjigjja: Thjesht, dënoji të gjithë”. Sepse, kjo teori mund të shtrihet shumë gjerë.

Kjo tregon edhe pse prokurorët e pëlqejnë, ndërsa avokatët mbrojtës jo.

Nëse je kritik ndaj një gjykate, mund ta shohësh këtë si një instrument që ia bën punën tepër të lehtë Prokurorisë.

“45 vjet burgim”: Çfarë tregon kërkesa e Prokurorisë?

Radio Evropa e Lirë: Prokuroria po kërkon nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar. Çfarë na tregon kjo për mënyrën se si Prokuroria e vlerëson peshën e këtij rasti?

Timothy Waters: Kërkesa për 45 vjet, besoj, sinjalizon se Prokuroria e konsideron këtë një rast jashtëzakonisht serioz.

Por, mënyra se si përcaktohen dënimet në këto gjykata, është shumë e vështirë për t’u kuptuar, sepse nuk ekziston një teori e qartë pas tyre.

Dhe ky nuk është problem vetëm i gjykatave ndërkombëtare. Edhe në sistemet kombëtare, përcaktimi i dënimit është shumë i ndërlikuar.

Ose vendos rregulla të ngurta dhe përfundon duke dhënë dënime të ngjashme për raste shumë të ndryshme, ose lë shumë hapësirë për vlerësim dhe atëherë lind pyetja: sa vjet meriton dikush për gjenocid – 40 apo 20? Po për krime kundër njerëzimit apo krime lufte – 40, 20 apo 10 vjet? Kush mund ta përcaktojë këtë?

Nuk është një çështje që mund të përkthehet lehtësisht në terma moralë.

Fajësi apo pafajësi: Çfarë ndryshon pas verdiktit?

Radio Evropa e Lirë: Nëse do të shpalleshin të pafajshëm, çfarë do të tregonte kjo për rastin e Prokurorisë?

Timothy Waters: Nëse shpallen të pafajshëm, kjo mund të nënkuptojë se drejtësia është vënë në vend dhe ne duhet të jemi të kënaqur me këtë, sepse qëllimi nuk është që njerëzit të dënohen me çdo kusht.

Por, mund të shihet edhe krejt ndryshe.

Një nga problemet që kam me këto gjykata, që nga vitet ‘90, është se… ato supozohet të jenë gjykata që zbatojnë ligjin dhe zhvillojnë procese të drejta – dhe unë besoj se, në përgjithësi, janë të tilla. Por, pas tyre ekziston edhe një projekt më i gjerë: ideja se ato duhet të sjellin drejtësi. Dhe kjo drejtësi shpesh perceptohet sikur mund të arrihet vetëm përmes dënimeve.

Prandaj, një vendim pafajësie nuk shihet domosdoshmërisht si dëshmi se sistemi funksionoi siç duhet; mund të shihet edhe si dështim.

Natyrisht, kjo ndodh edhe në sistemet kombëtare. Nuk kam dëgjuar ndonjë prokuror që humb një rast dhe thotë: ‘Jam i kënaqur që sistemi i drejtësisë po funksionon’. Prokurorët duan ta fitojnë rastin, ashtu si edhe mbrojtja.

Por, çështja është më e gjerë se kaq. Brenda gjithë ekosistemit të mbështetjes diplomatike dhe të shoqërisë civile rreth këtyre gjykatave, si dhe mes vetë personelit të tyre, ekziston ideja se roli i gjykatës është të arrijë dënime që kontribuojnë në përcaktimin e së vërtetës për këto konflikte.

Pra, këto gjykata kanë edhe një funksion narrativ, dhe një vendim pafajësie nuk i shërben atij funksioni në të njëjtën mënyrë.

Prandaj, mendoj se pafajësia do të perceptohej si një dështim i madh, edhe pse sigurisht do të kishte njerëz, në Kosovë dhe gjetkë, që do ta mirëprisnin.

Radio Evropa e Lirë: Po nëse shpallen fajtorë? Çfarë do të thoshte një vendim i tillë për UÇK-në dhe për luftën e Kosovës?

Timothy Waters: Një vendim fajësie, në radhë të parë, do të ishte vendim ndaj katër individëve, të cilët më pas do të kishin të drejtën e apelit dhe, nëse vendimi mbetet në fuqi, do të vuanin dënimet e shqiptuara. Ky është fakt më vete.

Por mendoj se disa aktorë, për shembull në Serbi, do ta interpretonin një vendim të tillë si dëshmi të paligjshmërisë së UÇK-së në përgjithësi.

Ndërsa, siç e kuptoj unë – dhe ju e dini këtë shumë më mirë se unë – në Kosovë, shumica e aktorëve ka të ngjarë ta refuzonin vendimin si jolegjitim.

Nëse ndodh kështu, kjo do të ishte plotësisht në përputhje me atë që kemi parë në gjykimet e tjera për luftërat në ish-Jugosllavi.

Këto vendime pothuajse gjithmonë interpretohen përmes përkatësisë etnike. Mund ta kuptosh se cilës palë i përket dikush nga mënyra se si reagon ndaj proceseve gjyqësore në Kroaci, Serbi apo Bosnje.

Kjo më çon te një përfundim tjetër: një nga gjërat që dikur mendonim se këto gjykata do të arrinin – krijimin e narrativëve të rinj që do të ndihmonin pajtimin – ka dështuar plotësisht.

Ato nuk e kryejnë këtë funksion.

Dhe pse do të prisnim që kjo gjykatë ta bënte këtë, veçanërisht në këtë rast? Kjo është një gjykatë tërësisht ndërkombëtare dhe, sipas meje, e imponuar nga jashtë. E di se formalisht është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por financohet, kontrollohet dhe përbëhet nga të huajt.

Po të ndodhte kjo 150 vjet më parë, do ta quanim një lloj kapitullimi: një gjykatë e jashtme e imponuar ndaj një shteti. Si mund të pritet që ajo të perceptohet si legjitime nga njerëzit ndaj të cilëve është imponuar? Mua më duket shumë e pamundur.

“Gjykatat nuk e kanë sjellë pajtimin”

Radio Evropa e Lirë: Bazuar në punën tuaj në rastin e Millosheviqit, ku përfundon përgjegjësia penale individuale dhe ku fillon gjykimi historik?

Timothy Waters: Besoj se kufiri mes tyre është i paqartë. Në teori, këto gjykata merren vetëm me përgjegjësinë penale individuale. Por, nëse shohim se si e kanë perceptuar vetë rolin e tyre, veçanërisht që nga vitet ‘90, ato shpesh e kanë parë veten edhe si institucione që tregojnë një narrativ më të gjerë historik dhe me rëndësi politike.

Disa prej këtyre gjykatave, madje, e kanë pasur të përcaktuar në statut se duhet të kontribuojnë në pajtim.

Edhe Tribunali për ish-Jugosllavinë [ICTY] e shihte hapur veten, sidomos në fillim, si një gjykatë që do të ndihmonte në pajtim.

Kjo nënkupton një rol shumë më të madh sesa thjesht të përcaktosh përgjegjësinë juridike të një individi.

Me kalimin e kohës, këto ambicie u zvogëluan, pjesërisht sepse u bë e qartë se gjykatat nuk po arrinin atë që ishte pritur prej tyre.

Kur ICTY-ja përfundoi punën, vetë përfaqësuesit e saj pranuan se nuk ishte arritur pajtimi mes palëve të dikurshme ndërluftuese në Bosnje, Kroaci, Serbi dhe Kosovë.

Për mua, kjo ishte madje një nënvlerësim. Është arritur shumë pak – ndoshta, në disa raste, situata është bërë edhe më e keqe.

Pra, ambiciet e këtyre gjykatave nuk përputhen domosdoshmërisht me atë që ato realisht mund të arrijnë.

Nuk dua të sugjeroj se pikërisht kjo po ndodh edhe këtu. Mendoj se këto gjykata kanë mësuar të kenë synime më modeste.

Dhomat e Specializuara janë një ndërmarrje shumë më e kufizuar – si në fushëveprim, ashtu edhe në ambicie.

Njerëzit kalojnë pranë ekranit me numërimin mbrapsht në Prishtinë, i cili tregon kohën e mbetur deri në shpalljen e vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në rastin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Fotografia është bërë më 11 shtator.

Njerëzit kalojnë pranë ekranit me numërimin mbrapsht në Prishtinë, i cili tregon kohën e mbetur deri në shpalljen e vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në rastin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Fotografia është bërë më 11 shtator.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë, sipas jush, do të ketë më shumë rëndësi te ky vendim: rezultati, arsyetimi juridik apo ajo që do të lërë pas si dëshmi historike?

Timothy Waters: Mendoj se rekordi historik do të jetë më pak i rëndësishmi. Nuk besoj se njerëzit do t’i drejtohen kësaj gjykate për ta kuptuar historinë e tyre. Ata do t’u drejtohen rrëfimeve të veta, familjeve, arsimit dhe shoqërisë së tyre për të kuptuar se çfarë ka ndodhur.

E kam të vështirë të imagjinoj se kjo gjykatë do t’ua ndryshojë mendimin njerëzve në Kosovë apo Serbi për atë që ka ndodhur.

Rezultati pritet të ketë rëndësi politike. Një vendim fajësie apo pafajësie do të ndikojë në politikën në Kosovë, në rajon dhe potencialisht edhe në Shtetet e Bashkuara – në masën që SHBA-ja do t’i kushtojë vëmendje.

Arsyetimi juridik do të ketë rëndësi kryesisht brenda vetë fushës së drejtësisë penale ndërkombëtare. Ky rast mbështetet në teorinë e ‘ndërmarrjes së përbashkët kriminale’ dhe juristët do të duan të shohin se si e ka trajtuar gjykata këtë teori: cilat pjesë i ka pranuar, cilat i ka refuzuar dhe nëse ka ndryshuar apo zhvilluar ndonjë doktrinë juridike.

Në këtë fushë, vëmendja shpesh përqendrohet pikërisht te këto çështje: teoritë e reja juridike, zgjerimi i fushëveprimit të krimeve apo ndryshimet procedurale.

Çdo vendim analizohet hollësisht për të parë se çfarë nënkupton për të drejtën penale ndërkombëtare dhe për rastet e ardhshme.

Por jam skeptik se kjo ka po aq rëndësi jashtë botës juridike.

Pasojat më të rëndësishme do t’i ketë rezultati dhe mënyra se si aktorët e ndryshëm do ta përdorin politikisht një vendim fajësie apo pafajësie.

Radio Evropa e Lirë: Këto ditë pamë se si një kriminel i dënuar për gjenocid, Ratko Mlladiq, u varros me nderime shtetërore në Serbi. Cili është komenti juaj?

Timothy Waters: Në rastin e Mlladiqit, lidhja me strukturën komanduese ishte shumë më e drejtpërdrejtë. Kemi pasur pamje filmike; ai ishte aty, ishte gjeneral, jepte urdhra.

E, megjithatë, shikoni reagimin. I gjithë gjykimi, procedurat dhe argumentet juridike nuk kanë pasur rëndësi për njerëzit që nuk e konsiderojnë gjykatën legjitime.

Dhe, shikoni edhe palën tjetër: as boshnjakët nuk janë të kënaqur, sepse për ta verdikti ishte i pamjaftueshëm – gjenocidi u njoh vetëm për Srebrenicën dhe jo për vende të tjera.

Pra, kush në atë pjesë të botës e konsideron këtë një rezultat të mirë? Për cilën palë ky proces ka kontribuar në pajtim apo në krijimin e një realiteti të ri?

Në vend të kësaj, kemi funeral shtetëror dhe Mlladiqin që trajtohet si hero. Për mua, kjo na tregon shumë më tepër sesa ajo që ndodh brenda sallës së gjyqit.

Ndoshta duhet t’i kemi këto gjykime sepse janë procedurialisht të drejta ose sepse mund të prodhojnë një rezultat të drejtë. Por, ato janë jashtëzakonisht të kushtueshme nëse ky është i vetmi qëllim. Dhe unë mendoj se është më mirë kur vetë shoqëritë i zhvillojnë këto procese. Një gjykim në Serbi, edhe dekada më vonë, do të kishte pasur më shumë vlerë sesa gjithë kjo.

Edhe nëse besojmë se këto gjykime ia vlejnë, pyetja mbetet e njëjtë edhe për njerëzit që po gjykohen tani: a i kanë kryer këto vepra dhe, nëse po, a meritojnë të dënohen? Sigurisht, nëse akuzat dëshmohen.

Por, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se kjo është mënyra më e mirë apo më e dobishme për ta bërë këtë. Për këtë jam shumë skeptik.

Radio Evropa e Lirë: Cila është alternativa atëherë?

Timothy Waters: Po, kjo është një pikë shumë e mirë. Madje jam duke punuar në një libër, një nga titujt e mundshëm të të cilit është ‘Just Doing Something’ (‘Thjesht të bësh diçka’).

Sepse, pavarësisht të gjitha problemeve dhe dëshmive se këto gjykata nuk funksionojnë siç pritet, në fund gjithmonë thuhet: ‘Po, por duhet të bëjmë diçka’.

Por ‘diçka’ mund të nënkuptojë edhe të mos e bësh këtë. Mund të nënkuptojë të bësh diçka tjetër, madje edhe të presësh.

Mbaj mend një bisedë me disa kroatë, të cilët më thanë: ‘Nëse nuk e kemi Tribunalin për ish-Jugosllavinë, ne në Kroaci nuk do t’i zhvillojmë vetë këto procese’. Dhe përgjigjja ime ishte: ‘Ndoshta kjo është e vërtetë. Por, pse të mos presim derisa të jeni gati?’

Ndoshta kjo nuk do të ndodhë për disa dekada. Por, imponimi i një procesi nga jashtë nuk do ta përshpejtojë domosdoshmërisht këtë.

Natyrisht, ka kundërargumente. Dikush tjetër mund t’ju thotë se këto gjykata e nxisin ndryshimin – dhe në disa raste mund ta bëjnë këtë.

Por, në Ballkan ka arsye të forta për të dyshuar nëse kjo mund të funksionojë ndonjëherë.

Prandaj, një alternativë është që bashkësia ndërkombëtare të mos ndërhyjë fare përmes gjykatave të tilla, nisur nga ideja se ardhja e një grupi gjyqtarësh të huaj për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur, nuk do të sjellë shumë dobi, nëse vetë shoqëria nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën e saj.

Nëse një ditë bëhet gati, atëherë një proces i tillë mund të ketë vlerë.

Unë do të isha në rregull edhe sikur këto gjykata të mos ekzistonin.

Kjo është fusha ime, por nuk mendoj se ato po arrijnë shumë. Në vend të tyre, mund të nxiten proceset vendore dhe të mendohet edhe për forma që nuk lidhen me gjykimet.

Pse jo shkrimi i historisë? Projekte arsimore? Ka shumë mënyra përmes të cilave shoqëritë përballen me të kaluarën e tyre dhe që nuk kanë të bëjnë me gjykatat.

Gjykimet janë procese formale juridike, por ato zhvillohen brenda një konteksti politik dhe shoqëror. Ato kanë nevojë për atë mjedis që të funksionojnë. Nëse një shoqëri nuk është e gatshme të angazhohet me një proces të tillë juridik, ai nuk do të zërë rrënjë.

Dhe, mendoj se pikërisht ky është problemi këtu. Është problem në Kosovë, në Serbi dhe, në mënyrë veçanërisht të theksuar, në Bosnje.

Mund të kthehemi edhe te Gjermania dhe Nurembergu. Edhe ai ishte një proces i imponuar nga jashtë dhe ka hulumtime që tregojnë se ka shumë pak dëshmi se gjermanët u bindën prej tij.

Ndryshimet në qëndrimet e shoqërisë gjermane nuk i shohim deri në vitet ‘60.

Dhe pyetja është: a ndodhi kjo për shkak të Nurembergut, apo për shkak të kalimit të kohës dhe shumë ndryshimeve të tjera?

Gjermanët filluan t’i zhvillonin edhe vetë gjykimet e tyre, dhe kjo ndoshta ishte më e dobishme.

Por as gjykimet nuk ishin faktori kryesor. Ishte një proces shumë më i gjerë ndryshimesh shoqërore.

Pra, ndryshimi është i mundur. Për shumë dekada, Gjermania është bërë një nga shoqëritë më të përkushtuara ndaj përballjes me këtë të kaluar. Por kjo mund të mos ketë ndodhur sepse iu imponua një gjykim. Mund të ketë ndodhur për shkak të një transformimi shumë më të gjerë shoqëror.

Intervista- Ellis: Aktgjykimi i Speciales mund të bëhet precedent për drejtësinë ndërkombëtare

Valona Tela

Aktgjykimi në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit mund të ketë peshë përtej fatit juridik të katër të akuzuarve.

Mark Ellis, njohës i çështjeve ligjore, thotë për Radion Evropa e Lirë se ai mund të ndihmojë në përcaktimin e kufijve të ndërmarrjes së përbashkët kriminale dhe përgjegjësisë komanduese kur bëhet fjalë për udhëheqës të lartë.

Në qendër do të jetë çështja nëse ka ekzistuar një qëllim i përbashkët kriminal dhe nëse secili prej të akuzuarve kishte kontroll efektiv dhe dijeni për krimet e kryera nga vartësit.

Për Ellisin, drejtor i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, rëndësia e vendimit nuk qëndron vetëm te përfundimi i tij, por edhe te mënyra se si do të arsyetohet, si dhe te gjurmët që mund t’i lërë në të drejtën penale ndërkombëtare dhe në të kuptuarit e luftës në Kosovë.

Për çfarë akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – të gjithë figura të larta të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999 – ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur u bë publike aktakuza kundër tyre.

Ajo përfshin gjashtë pika për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë, si dhe katër pika për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.

Në atë dosje, katërshja përshkruhet si pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, që synonte marrjen dhe ushtrimin e kontrollit përmes frikësimit, keqtrajtimit dhe largimit të kundërshtarëve.

Viktimat e tyre, sipas aktakuzës, përfshinin serbë, romë dhe shqiptarë që nuk mbështesnin UÇK-në.

Së paku 102 persona dyshohet se u vranë, ndërsa më shumë se 20 mbeten të zhdukur.

Prokuroria pretendon gjithashtu se të akuzuarit, për shkak të pozitave të tyre drejtuese, mbajnë përgjegjësi edhe për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Të katër të akuzuait janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.

Aktgjykimi do të shpallet më 16 shtator 2026.

Në qendër, ndërmarrja e përbashkët kriminale

Radio Evropa e Lirë: Pas më shumë se tre vjetësh gjykim, cilat i shihni si çështjet kryesore ligjore që gjyqtarët duhet t’i zgjidhin në rastin kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit?

Mark Ellis: Në përgjithësi, mendoj se ky është një rast jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe çështjet ligjore janë vërtet interesante.

Mendoj se, para së gjithash, njerëzit do të përqendrohen te pyetja nëse ka ekzistuar fare një ndërmarrje e përbashkët kriminale dhe, nëse po, cili ka qenë fushëveprimi i saj.

Ky është fokusi kryesor.

Siç e dimë, aktakuza thotë se të katër të akuzuarit e kanë ndarë këtë qëllim të përbashkët. Kështu që, detyra e parë, mendoj unë, do të jetë të vendoset nëse ky qëllim i përbashkët është vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe, pastaj, natyrisht, të kalohet te vlerësimi i pjesëmarrjes së secilit të pandehur në këtë plan të përbashkët.

Mark Ellis, drejtor i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve.

Mark Ellis, drejtor i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve.

Sepse, siç e dimë, katër të pandehurit kanë pasur funksione të ndryshme dhe, prandaj, mendoj se do të duhet të vlerësohet kontributi i secilit prej tyre.

Pra, duhet t’i ndash deri diku këto çështje, edhe pse të katër individët i shqyrton brenda konceptit të ndërmarrjes së përbashkët kriminale.

Çështja tjetër që gjithmonë më ka interesuar dhe që mendoj se do të jetë interesante këtu, është përgjegjësia komanduese.

Ajo, siç e dimë, është ngritur paralelisht me akuzat për ndërmarrjen e përbashkët kriminale.

Këtu flasim për një koncept që ekziston prej një kohe mjaft të gjatë. Ai ishte pjesë e Statutit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, por trupi gjykues do të duhet ta vlerësojë veçmas secilin të pandehur, nëse ka ekzistuar kjo marrëdhënie epror-vartës dhe nëse i pandehuri ka pasur kontroll efektiv.

Kjo është vërtet thelbësore këtu.

Pastaj, duhet të përcaktohet nëse të pandehurit e dinin ose kishin arsye ta dinin se krimet po kryheshin dhe nuk bënë asgjë për t’i ndaluar ato. Ky është një test ligjor i veçantë nga akuzat për ndërmarrjen e përbashkët kriminale.

Pra, këto janë çështjet që më intrigojnë në këtë rast dhe që mendoj se janë thelbësore për të.

Në fokus edhe kontrolli dhe hierarkia në UÇK

Radio Evropa e Lirë: Sa vendimtare është për aktgjykimin përplasja mes pretendimit të Prokurorisë se krimet ishin pjesë e një fushate të koordinuar dhe argumentit të mbrojtjes se UÇK-ja ishte e fragmentuar dhe se katër të akuzuarit nuk kishin kontroll efektiv në terren?

Mark Ellis: Është jashtëzakonisht e rëndësishme. Mendoj se kjo është njëra prej një apo dy çështjeve faktike më vendimtare që do të trajtohen në aktgjykim, sepse prek si akuzën për përgjegjësi komanduese, ashtu edhe teorinë e Prokurorisë për ndërmarrjen e përbashkët kriminale.

Prokuroria ka argumentuar se të katërtit ushtronin një lloj autoriteti të përgjithshëm mbi këtë lëvizje dhe mbi veprimet që ndodhën, përfshirë – nëse më kujtohet saktë – edhe mbi rrjetin e qendrave të ndalimit ku, natyrisht, pretendohet se janë kryer krime.

Prokuroria do të thotë: “Ne mund ta provojmë këtë përmes komunikimeve të UÇK-së, komunikimeve të brendshme”.

Por, siç e thatë edhe ju, mbrojtja argumenton se, në fakt, e gjithë kjo strukturë ishte e organizuar shumë lirshëm. Nuk kishte hierarki. Autoriteti operacional për të cilin është diskutuar në këtë rast, sipas këtij argumenti, u takonte komandantëve ushtarakë dhe jo udhëheqjes politike dhe të inteligjencës që tani është në gjykim.

Prandaj, vendimi do të duhej ta trajtonte këtë çështje. Këto janë pika vërtet kritike.

Radio Evropa e Lirë: Por, sa e vështirë është, sipas së drejtës penale ndërkombëtare, të kalohet nga vërtetimi se krimet kanë ndodhur te vërtetimi se udhëheqës të lartë politikë ose ushtarakë janë individualisht përgjegjës për to? Cilat prova zakonisht e krijojnë këtë lidhje?

Mark Ellis: Lidhja ka të bëjë me aftësinë për të treguar se të pandehurit, në fakt, ishin në pozitë autoriteti. Se kishin kontroll efektiv. Se kishin kontroll mbi atë që po ndodhte. Se e dinin se çfarë po bënin vartësit dhe nuk bënë asgjë për t’i ndaluar. Të gjitha këto shërbejnë për ta ndërtuar rastin.

Prokuroria ka qenë në gjendje t’i përdorë komunikimet e brendshme që ka arritur t’i fusë në dosjen gjyqësore dhe kjo është ajo që bëhet: ndërtohet një strukturë provash.

Ju pyetët më herët nëse kjo është një pjesë kritike e rastit. Dhe është. Sepse, si mbrojtja, ashtu edhe Prokuroria kanë shpenzuar shumë kohë duke u përqendruar në përpjekjet për t’i hedhur poshtë argumentet e njëra-tjetrës.

Pra, në thelb, bëhet fjalë për ndërtimin e rastit përmes provave.

Radio Evropa e Lirë: Por, nëse gjyqtarët arrijnë në përfundimin se krimet janë kryer, por nuk binden se Prokuroria e ka provuar përtej dyshimit të arsyeshëm lidhjen e të pandehurve me to, çfarë do të nënkuptonte kjo për teorinë më të gjerë të Prokurorisë për rastin?

Mark Ellis: Siç e thashë në fillim, këtu kemi dy linja paralele: njëra lidhet me përgjegjësinë komanduese, ndërsa tjetra me ndërmarrjen e përbashkët kriminale.

Pra, teoria e ndërmarrjes së përbashkët kriminale mund të qëndrojë edhe pa u provuar se secili prej të pandehurve ka urdhëruar ose kryer personalisht një veprim të caktuar të paligjshëm apo keqtrajtim.

Ajo shërben si teori që i lidh të katër të pandehurit me krimet e pretenduara, ndërsa përgjegjësia individuale komanduese shqyrtohet veçmas.

Mendoj se ndërmarrja e përbashkët kriminale është ndoshta pjesa më kritike e rastit.

Ju pyetët më herët se sa qendrore është kjo teori e Prokurorisë dhe çfarë do të ndodhte nëse gjyqtarët do ta hidhnin poshtë. Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme, sepse nëse gjyqtarët e hedhin poshtë ose e kufizojnë ndjeshëm ndërmarrjen e përbashkët kriminale, atëherë duhet të mbështeten te përgjegjësia individuale, përfshirë përgjegjësinë komanduese, e cila duhet të lidhet konkretisht me secilin të pandehur dhe jo me një qëllim më të gjerë të përbashkët.

Kjo nuk do të thotë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet. Por, atëherë lind pyetja tjetër: çfarë ndodh nëse nuk mund të provohet se një i pandehur kishte kontroll efektiv? Nëse nuk provohet as kjo, atëherë rasti fillon të dobësohet.

Pra, gjyqtarët mund ta hedhin poshtë ose ta kufizojnë ndjeshëm teorinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale dhe, megjithatë, të konstatojnë përgjegjësi individuale, veçanërisht mbi bazën e përgjegjësisë komanduese.

Kjo është arsyeja pse kjo çështje është kaq e rëndësishme për aktgjykimin.

Në anën tjetër, nëse gjyqtarët e pranojnë teorinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale kryesisht ashtu siç është paraqitur në aktakuzë, përfshirë format e saj të zgjeruara, kjo do të kishte rëndësi të madhe. Do të përforconte zbatueshmërinë e kësaj doktrine në tribunalet ndërkombëtare, sepse ndërmarrja e përbashkët kriminale ka qenë një koncept i debatueshëm, veçanërisht forma e tretë e saj [që ka të bëjë me pasojat e parashikueshme].

Kjo formë është përballur me shqyrtim dhe kritika gjithnjë e më të mëdha në qarqet e së drejtës penale ndërkombëtare. Prandaj, nëse gjyqtarët e mbështesin atë, kjo do t’i jepte peshë më të madhe këtij koncepti.

Për këtë arsye, rëndësia e aktgjykimit shkon përtej Kosovës. Qoftë nëse gjyqtarët e hedhin poshtë ndërmarrjen e përbashkët kriminale, e kufizojnë zbatimin e saj apo e pranojnë atë, vendimi do të ketë rëndësi edhe për rastet e ardhshme dhe për gjykatat që mund ta përdorin këtë koncept.

Një aktgjykim me peshë përtej Kosovës

Radio Evropa e Lirë: Ky është rasti më i rëndësishëm që Dhomat e Specializuara të Kosovës do të vendosin ndonjëherë. A do të jetë – më 16 shtator – në lojë edhe vetë besueshmëria e Gjykatës?

Mark Ellis: Unë asnjëherë nuk kam qenë prej atyre që e lidhin besueshmërinë e një gjykate me vendimin që ajo merr. Gjithmonë kam qenë i rezervuar ndaj një qasjeje të tillë.

Ajo që shikoj unë, është se sa mirë është arsyetuar aktgjykimi, sa kontrovers ka qenë vendimi dhe cilat kanë qenë argumentet mbi të cilat është mbështetur.

Deri më tani, vetë rasti ka qenë i shoqëruar me kundërthënie. Por, për shembull, nëse akuzat nuk do të vërtetoheshin, unë nuk do të thosha menjëherë se po vihet në dyshim e gjithë besueshmëria e procesit apo e Gjykatës. Unë nuk e shoh kështu.

Duhet parë me shumë kujdes se cili ka qenë vendimi dhe si është arsyetuar ai.

Sepse, çfarëdo që të ndodhë, mendoj se ky aktgjykim do të ketë ndikim të thellë në rastet e ardhshme dhe në zhvillimin e së drejtës penale ndërkombëtare.

Radio Evropa e Lirë: A mund të bëhet ky aktgjykim precedent për mënyrën se si gjykatat ndërkombëtare e vlerësojnë përgjegjësinë?

Mark Ellis: Mendoj se do të bëhet precedent. Mendoj se do t’i shtohet jurisprudencës ekzistuese, pavarësisht se cili do të jetë vendimi.

Kështu funksionon e drejta ndërkombëtare. Ajo vazhdon të ndërtohet mbi vetveten dhe rastet; vendimet në këto raste përcaktojnë dhe ripërcaktojnë elemente të teorisë juridike.

Radio Evropa e Lirë: Cilido qoftë aktgjykimi, ai do të bëhet pjesë e debatit për mënyrën se si kujtohet lufta e Kosovës. Si duhet një gjykatë ta bëjë dallimin mes gjykimit të përgjegjësisë penale të katër individëve dhe dhënies së një gjykimi për UÇK-në apo për legjitimitetin e vetë luftës së Kosovës?

Mark Ellis: Gjithmonë kam menduar se gjykatat duhet të shihen si institucione me përgjegjësi të rëndësishme, por të kufizuara. Ato merren me akuza dhe raste konkrete. Roli i tyre është të përpiqen të sjellin drejtësi për viktimat që nuk kanë më zë, por kjo nuk do të thotë se gjykatat arrijnë ta bëjnë këtë gjithmonë.

Pasojat e vendimeve të tyre mund të jenë të mëdha dhe të shtrihen shumë më gjerë. Shpesh, njerëzit jashtë sistemit gjyqësor i marrin këto vendime dhe përpiqen t’i përdorin për interesat e tyre, për të mbështetur qëndrimet që kanë. Gjykatat nuk mund ta kontrollojnë këtë.

Por, mendoj se është shumë e rëndësishme që vendimi të jetë i arsyetuar mirë, pavarësisht rezultatit përfundimtar, dhe të përfshijë edhe kontekstin historik – nëse mund ta quajmë kështu – të asaj që ka ndodhur në Kosovë, siç e përmendët edhe ju.

Në këtë kuptim, vendimet gjyqësore mund të kenë ndikim të rëndësishëm në mënyrën se si historia do ta shohë konfliktin.

Por, përsëri, gjykata është e kufizuar nga rasti që ka përpara dhe nga akuzat për të cilat duhet të vendosë. Ajo duhet të qëndrojë brenda këtyre kufijve.

Besoj se vendime të tilla ndihmojnë në krijimin e një baze faktike, me rëndësi historike dhe sa më afër së vërtetës që një gjykatë mund të arrijë.

Kjo, mendoj, e ndihmon publikun të kuptojë se çfarë ka ndodhur dhe, shpresoj, ndihmon edhe që në historinë e asaj që ka ndodhur të mbetet një bazë e së vërtetës, që disa fakte të jenë nxjerrë në pah përmes procesit gjyqësor.

Mendoj se ky është një kontribut i rëndësishëm që japin gjykatat.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të shikoni ju, personalisht, në aktgjykim?

Mark Ellis: Mendoj se do të shikoj pikërisht atë që sapo thashë: nëse është një vendim i qartë dhe i mirëpërcaktuar, që na jep një pasqyrë më të thellë për krimet e kryera, në raport me akuzat konkrete.

Do të shikoj, gjithashtu, se si ky vendim mund të ndihmojë në rikonfirmimin e parimeve juridike që njohim sot apo në ripërcaktimin e tyre – nëse do t’i forcojë apo do t’i dobësojë ato. Për mua, këto do të jenë ndër aspektet më të rëndësishme të vendimit.

Dhe, në fund, do ta pyes veten: a na ndihmon ky vendim të kemi një pasqyrë objektive dhe historike, sado të kufizuar, për atë që ka ndodhur? Mendoj se edhe kjo do të jetë shumë e rëndësishme.

Nëse njerëzit në njërën apo tjetrën anë të konfliktit do ta pranojnë vendimin, kjo është çështje tjetër.

Nëse vendimi është i arsyetuar mirë, unë do të jem plotësisht i kënaqur me këtë.

Intervista- Walker paralajmëron thellim të përçarjes nëse partitë nuk bashkohen për presidentin

Valbona Bytyqi

Ish-ambasadori i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, William Walker, u bën thirrje partive politike në Kosovë që të bëhen bashkë dhe ta zgjedhin presidentin.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Walker thotë se zgjedhjet e reja eventuale, si pasojë e moszgjedhjes së presidentit, do të ndikonin në përparimin që ka bërë Kosova ndër vite.

“Kosovës i duhet stabilitet, stabilitet politik dhe kjo do të vijë vetëm përmes një procesi për gjetjen e një presidenti, ku mendoj se të gjithë duhet t’i lënë anash përkatësitë e tyre politike apo admirimin për një lider politik apo një tjetër, dhe të zgjedhin dikë që e bashkon Kosovën përsëri”, thotë Walker.

“Zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje”

Radio Evropa e Lirë: Zoti Walker, përmes një letre, ju propozuat këtë javë emrin e Faton Bislimit për president të Kosovës. Cilat janë arsyet që ju shtynë drejt këtij propozimi?

William Walker: Epo, me pak fjalë, jam lodhur nga konfuzioni dhe ngecja e procesit zgjedhor që po vazhdon tash e tri apo katër palë zgjedhje. Tani po thuhet se, nëse nuk e zgjidhin këtë çështje, do të duhet të shkojnë në zgjedhje të tjera.

Unë, vërtet, nuk mendoj se zgjedhjet e reja janë zgjidhja. Ato, me shumë gjasë, do të prodhonin rezultate të ngjashme me zgjedhjet e kaluara.

Mendoj se Kosova, thjesht, duhet të rikthehet në rrugën e progresit të jashtëzakonshëm që ka bërë që nga viti 2000, por veçanërisht që nga pavarësia në vitin 2008.

Mendoj se është koha të ecet përsëri përpara.

Radio Evropa e Lirë: Pse propozuat pikërisht zotin Bislimi?

William Walker: Sepse, e dini, i kam parë problemet që kanë pasur presidentët, veçanërisht ajo që sapo u largua [Vjosa Osmani], jo ushtruesja e detyrës.

E kuptoj se Presidenca është vërtet mjaft ndryshe nga ajo që kërkohet nga një kryeministër, apo nga disa poste të tjera. Presidenti përfaqëson Kosovën në tërësi. Nuk mund të bazohet në një parti politike apo në një lider të caktuar politik.

Për Presidencën nevojitet një grup i tërë aftësish dhe mendoj se Vjosa e kishte shumicën e tyre, por, fatkeqësisht, kishte disa probleme.

Toni Bislimin e njoh prej kohësh dhe mendoj se ai i ka pothuajse të gjitha, në mos të gjitha, aftësitë që unë konsideroj se i nevojiten një kandidati presidencial.

Nuk mund të mendoj për dikë tjetër që njoh në Kosovë, dhe njoh shumë njerëz në Kosovë.

Thjesht, mendoj se Toni ka një kombinim të talenteve dhe personalitetit që i përshtatet asaj që i nevojitet një presidenti. Ka një këndvështrim për botën, arsimim të mirë. Të njohurit e gjuhës angleze është me rëndësi, por gjithashtu edhe njohja e Evropës dhe mënyrës se si funksionon ajo.

Ai ka një personalitet që nuk kërkon konflikt, përpiqet t’i bashkojë njerëzit dhe kjo është ajo për të cilën Kosova ka shumë nevojë, ashtu si edhe Shtetet e Bashkuara dhe pothuajse çdo vend tjetër në botë.

Kush është Faton Bislimi?

Faton Bislimi ka qenë deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës në legjislaturën e shtatë, nga dhjetori i vitit 2019 deri në janar të vitit 2021.

Në maj të vitit 2023, ai dha dorëheqje nga Kryesia e LDK-së, duke akuzuar kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku, për “sforcim të pozitës personale e jo të partisë”.

Disa muaj më vonë synoi ta sfidonte Abdixhikun për postin e kryetarit, por Kuvendi Zgjedhor nuk ia pranoi kandidaturën, me arsyetimin se nuk ishte në përputhje me rregulloren e punës.

Bislimi tani vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aktivist i kauzës kombëtare.

Në një prononcim të shkurtër për Radion Evropa e Lirë, ai tha se e mirëpret propozimin e ish-ambasadorit William Walker dhe se e konsideron nder të veçantë besimin e shprehur ndaj tij nga një njeri që, siç tha, ka luajtur rol të rëndësishëm në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ai tha se vlerësimin e Walkerit e sheh edhe si njohje të angazhimit të tij prej më shumë se dy dekadash për Kosovën dhe shqiptarët në Uashington, ndonëse nuk ka mbajtur ndonjë pozitë zyrtare atje.

“I jam mirënjohës ambasadorit Walker për fjalët e tij dhe, mbi të gjitha, për gjithçka që ka bërë për Kosovën”, tha Bislimi për Radion Evropa e Lirë, por pa specifikuar nëse është kontaktuar prej partive që po negociojnë.

Bisedimet për presidentin e Kosovës po zhvillohen mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Pas takimit të fundit, më 26 gusht, ata thanë se kanë diskutuar edhe për emra konkretë, por nuk i bënë publikë.

Radio Evropa e Lirë: A e keni diskutuar propozimin me zotin Bislimi?

William Walker: Jo, por disa njerëz ma sugjeruan emrin e tij dhe atëherë kuptova më mirë se çfarë përfaqësonte dhe çfarë aftësish kishte, pasi e njoh prej disa vitesh.

Radio Evropa e Lirë: Para se ta propozonit zotin Bislimi, a keni komunikuar me liderët e partive politike në Kosovë? A i keni informuar ata për hapin që do të ndërmerrnit?

William Walker: Jo, jo. Pikërisht ketë synonte letra. Ua dërgova letrën, besoj, verbërisht. Kështu do ta përshkruaja.

Thjesht, mendova se katër partitë kryesore, në vend që të grinden për përqindjet në zgjedhje, për ulëset në parlament dhe për postet që mund të mbanin nëse do të mund të bashkoheshin… thjesht, nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë këtë gjë. Pra, letra ishte përpjekja ime e parë për t’u thënë partive se mendoj që Toni do të ishte një kandidat i mirë nëse ato do të mund të bashkoheshin.

Mendoj se ai ka mbështetje… ose, e dini, njerëzit në të katër partitë e njohin. Ai është gjithashtu shumë i njohur këtu në diasporë – gjë që mendoj se është e rëndësishme.

Radio Evropa e Lirë: A keni marrë ndonjë përgjigje nga liderët, të cilëve u keni shkruar lidhur me propozimin tuaj? Dhe a keni ndonjë konfirmim se emri i tij do të merret në konsideratë?

William Walker: Jo, nuk kam marrë asnjë reagim nga asnjë prej katër partive, nga katër liderët. Sigurisht që kam ndjekur lajmet në Kosovë dhe kam parë se është raportuar gjerësisht në media se e kam bërë këtë propozim.

Nga sa dëgjoj, ai është pritur mirë, ka shumë mbështetje.

 

Radio Evropa e Lirë: Përveç jush, zotin Bislimi e ka propozuar edhe ish-kongresisti Joe Dioguardi. A jeni në dijeni për propozimin e tij?

William Walker: Po, e kam parë edhe atë në media, po.

Radio Evropa e Lirë: A jeni koordinuar me të lidhur me propozimin. A keni diskutuar me të?

William Walker: Jo, jo. Nuk kam folur me Joe Dioguardin prej vitesh. E njoh, sigurisht, sepse është nga Nju Jorku dhe e kam takuar disa herë në Nju Jork, si dhe në Kosovë, por jo, nuk kam folur me të prej shumë kohësh.

“Kosova është një perlë demokratike”

Radio Evropa e Lirë: Kosova është thellësisht e ndarë politikisht. A mendoni se propozimi juaj mund të sigurojë vërtet mbështetje përtej vijave partiake, apo synon kryesisht të nxisë një debat më të gjerë për alternativat?

William Walker: Supozoj se do ta bëjë këtë. Nëse dikush e merr seriozisht propozimin tim, ai do të nxisë një debat, një argument apo një diskutim lidhur me atë nëse ai është kandidati i duhur.

Vazhdimisht them se Kosova është një vend ku deri në vitin 2000 – dhe më e rëndësishmja deri në vitin 2008 – shqiptarët e Kosovës nuk kanë pasur mundësi të fitonin përvojë në qeverisje.

Ata nuk kanë mundur të punësohen në institucionet shtetërore, nuk kanë mundur të sigurojnë shumë vende pune që do t’u jepnin përvojë për sa i përket zhvillimit të vendit.

Dhe, sipas mendimit tim, ajo që ka ndodhur që nga viti 2008 tregon se Kosova – kur shumicës shqiptare i është dhënë mundësia të tregonte se çfarë mund të bënte – ka arritur rezultate të jashtëzakonshme.

Për mua, Kosova nuk është një demokraci perfekte, por është po aq e përsosur sa çdo vend tjetër në Evropë. Të gjitha gjërat që unë gjithmonë i kam konsideruar si gurët themeltarë të demokracisë – liria e fjalës, liria e fesë, liria e tubimit – janë të pranishme në Kosovën e sotme, vetëm 18 vjet pas pavarësisë.

Shumicës së vendeve iu duhen dekada për të arritur aty ku janë. Për mua, Kosova tani, deri në këtë konfuzionin lidhur me zgjedhjen e presidentit, është një perlë, një perlë demokratike në zemër të Ballkanit, të cilin historikisht të gjithë e kanë parë si një qendër problemesh.

Dhe, ja ku jemi në vitin 2026. Kosova është një demokraci funksionale. E dini, të drejtat e minoriteteve, për të cilat të gjithë kanë bërtitur… nuk di ndonjë vend në Evropë ku minoritetet trajtohen aq drejt dhe me aq bujari sa në Kosovë.

Prandaj, sipas mendimit tim, bota duhet të dëgjojë më shumë nga kosovarët, nga ajo që bën Qeveria në Kosovë.

Mendoj që Kosova duhet të bëjë shumë më tepër për të treguar historinë e saj dhe atë që përfaqëson.

Një gjë që ajo nuk përfaqëson, është kërcënimi për ndonjërin nga fqinjët e saj.

Përkundrazi, ajo përfaqëson një shembull të një kombi paqësor dhe demokratik që thjesht po përpiqet të ndërtojë veten, si shtet i ri në zemër të Evropës.

“Një gjeneratë e re duhet të dalë përpara”

Radio Evropa e Lirë: Sa jeni i shqetësuar për krizën aktuale politike në Kosovë?

William Walker: Padyshim që kjo është një çështje shumë serioze dhe kjo është arsyeja kryesore për propozimin tim. Pjesa më e madhe e problemit, ose shumë aspekte të problemit të procesit zgjedhor bazohen në Kushtetutën, e cila u hartua po nga kosovarët, por edhe nga BE-ja, nga Shtetet e Bashkuara dhe nga këshilltarë të tjerë që erdhën pas luftës për të thënë: ja çfarë duhet të bëni, duhet t’i mbroni minoritetet, duhet ta bëni këtë, duhet ta bëni atë, e kështu me radhë.

Tani keni këtë proces… ku udhëheqja që doli nga lufta, ka qenë udhëheqja e partive që nga viti 2000. Një gjeneratë e re e lidershipit duhet të dalë përpara. Ka kaq shumë njerëz të rinj, të arsimuar dhe të talentuar që janë rritur në Kosovë pas luftës dhe është koha që disa prej tyre të kenë më shumë rol.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë besoni se është në rrezik nëse liderët politikë nuk arrijnë të gjejnë një kompromis?

William Walker: Mungesa aktuale e ecjes përpara do të vazhdojë. Ka çështje të rëndësishme. Natyrisht, marrëdhënia me Serbinë, nevoja për dialog që prodhon diçka… Siç e thashë, Kosova nuk është kërcënim për askënd, ndërsa Serbia vazhdon të jetë kërcënim në Ballkan.

Unë vetëm shpresoj që katër partitë të jenë në gjendje të bien dakord për diçka që është e mirë për Kosovën si shtet dhe që komunitetet të bashkohen shpejt.

Mendoj se duhet të marrin një vendim se deri kur duhet të zgjedhin një president të ri ose të shkojnë në zgjedhje të reja. Vendi nuk ka nevojë për edhe disa muaj të tjerë të këtij konfuzioni.

Radio Evropa e Lirë: Kosova po përballet me sfida të rëndësishme në marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara. Sa dëm mund t’u shkaktojë paqëndrueshmëria e zgjatur politike këtyre marrëdhënieve dhe pozitës ndërkombëtare të Kosovës?

William Walker: Po, kam dëgjuar shumë për tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Dhe, padyshim, ka tensione, ka probleme. Përsëri, mendoj se Toni është një person që mund t’i kapërcejë këto barriera. Ai i njeh Shtetet e Bashkuara, e njeh Uashingtonin. Nuk mendoj se do t’i bënte disa nga gabimet që mendoj se janë bërë dhe nuk dua të hyj në to.

E di se ku qëndron kritika dhe mendoj se një pjesë e problemit nuk qëndron te liderët politikë në Kosovë, por te liderët politikë këtu në Shtetet e Bashkuara.

Mendoj se Kosova i kushton shumë rëndësi marrëdhënies së saj, kosovarët i kushtojnë jashtëzakonisht shumë rëndësi marrëdhënies me Shtetet e Bashkuara.

Por, ajo që harrojmë është se njerëzit që kanë qenë në pushtet këtu në Uashington gjatë 20, 25, 26 vjetëve të fundit, veçanërisht gjatë dekadës së fundit apo më shumë, nuk kanë njohuri për atë se si ishte lufta në Kosovë, kush i bënte çfarë kujt…

Radio Evropa e Lirë: Ju keni qenë i lidhur ngushtë me Kosovën për dekada. Duke e parë vendin sot, çfarë ju shqetëson më shumë dhe çfarë mesazhi do t’iu dërgonit liderëve politikë të Kosovës?

William Walker: Më lejoni të përgjigjem në pjesën e dytë të pyetjes së pari. Çfarë do t’u thosha liderëve politikë? Do t’u thosha atë që kam thënë në letër: bashkohuni rreth çështjes së Presidencës, sepse kjo është diçka që mund t’i bashkojë të gjithë njerëzit.

Nëse nuk e bëni këtë, do t’i përçajë njerëzit edhe më shumë – gjë që është shumë e gabuar.

Kosova, në kohën e tanishme, mendoj se është në prag të të qenët një perlë absolute në qendër në Ballkanit, në qendër të Evropës.

Mendoj se kundërshtimet e disa vendeve të BE-së, Spanjës dhe të tjerëve, se Kosova nuk i ka përmbushur disa nga kërkesat e demokracisë, janë krejtësisht të gabuara. Ato nuk po e shikojnë mënyrën se si vetë i trajtojnë minoritetet, demokracinë e tyre.

Kosova është një perlë, me të vërtetë është, dhe e gjithë kjo është rezultat i punës së palodhur dhe aftësive të njerëzve të Kosovës.

Unë dua që ajo të rikthehet në rrugën e duhur. Një tjetër palë zgjedhje vetëm se do ta vonojnë këtë.

Kosovës i duhet stabilitet, stabilitet politik dhe kjo do të vijë vetëm përmes një procesi për gjetjen e një presidenti, ku mendoj se të gjithë duhet t’i lënë anash përkatësitë e tyre politike apo admirimin për një lider politik apo një tjetër, dhe të zgjedhin dikë që e bashkon Kosovën përsëri.

Intervista është shkurtuar për arsye qartësie dhe gjatësie.

Send this to a friend