VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

“I hodhën helm në kafe”- Nata e fundit e Ismail Qemalit në Peruxhia të Italisë, vdiq apo e helmuan?! Çastet fatale gjatë konferencës së shtypit

By | November 29, 2021
blank

Komentet

blank

Shtegëtimi i Armëve të Skënderbeut … NGA ARISTOTEL MICI

Në Belvedere, në Vjenë,/

Sikur pashë Skënderbenë./

Armët e tij kur i pashë./

Lumja ti, moj Shqipëri thashë ./

N. Frashëri/

Çdo shqiptar i vertetë, sa ka dëshirë të shohë armët ë Skënderbeut, po aq është edhe kurioz të dijë udhën e këtyre armëve, shtegëtimin e tyre nga Kruja në Vjenë. Sipas të dhënave muzeale që dalin nga Vjena, dhe hulumtimeve gjurmuese, që kanë bërë historianët, çështja ë shtegëtimit që duhet të kenë bërë armët e Skënderbeut, bëhet më e ndriçuar.

Sigurisht, që lëvizja e parë e këtyre armëvë ka qënë e lidhur ngushtë me emigrimin e Donikes, gruas së Gjergj Kastriotit, Skenderbeut, pas vdekjes së tij, më 1468. Largimi nga atdheu i Donika (Andronika) Kastriotit me të birin e saj Gjonin u bë nga bregu i Rodonit. Njoftimin më të besueshëm për shpërnguljen e familjes së Heroit e gjejmë te shënimet e Princit Gjon Muzaka, në “Memorien” që ai u la si porosi të bijëve lidhur me gjenealogjinë e fisit si edhe viset e principatës së vëtë. Ai është i sigurt dhe të bind në këtë rast për sa tregon , sepse së bashkui me Andronikën, u nisën për shoqërim edhe dy motrat e tij. Në këtë material historik të Gjon Muzakës, sipas përkthimit të Dhori Qiriazit, është shkruar fjalë për fjalë: ”Zonja Skënderbega, gruaja e tij (pra e Heroit) shkeli në këtë mbrëtëri të Napolit, kur i vdiq i shoqi e vetme me zotin Gjon, të birin, tëpër të ri dhe me të shkuan dhe dy motrat e mia, burrate e të cilave ishin vrarë në këto luftra. Njëra ishte Zonja Maria, e cila është grua e Zot Muzak Komnenit, i thirrur nga populli i Angjelinës dhe tjetra qe Zonja Helena që ishte e martuar me Zotin Gjergj Karlës.”

Në këtë shpërngulje, Andronika, e mbiquajtura edhe Zonja Skanderbega, pa tjetër që midis objekteve më të rëndësishme ka marrë me vete edhe armët e të shoqit, si simbole të heroizmit të tij në luftime.

Si pas një studimi të Prof. Kristo Frashërit, Donika me Gjonin në fillim u vendosën në Napoli, pastaj me shpurën e tyre në Monte Sant’ Angelo. Ndër kohë, Skanderbega u pranua në oborrin mbretëror aragonez. Më vonë ajo u trajtua si “Zonjë Nderi” (Damë d’ Honneur”) e mbretëreshës së Napolit, Johana III, ku jetoi shumë vjet. Më vonë, kur mbretëresha shkoi në Spanjë, e mori Andronikën me vete gjithnjë si “Zonjë Nderi” në pallatin e saj mbretëror në Valencia. Atje Andronika vdiq rreth vitit 1508. U varros në manastirin ë Trinisë së Shënjtë në Valencia. Vite më vonë, Nëna Mbretëreshë Johana III, porosiste që të silleshin nga Valencia në Napoli eshtrat e “së dashurës e të devotshmes Skannalibecha”; gjë që trëgon se ajo e ruajti emrin Skanderbega deri sa vdiq. Pra, sa qe gjallë e veja e Skënderbeut, Andronika, nuk kemi të dhëna se ajo i ka nxjerë nga shtëpia armët e të shoqit.

Atëherë le të shikojmë se cili person mund t’i këtë nxjerrë nga shtëpia e Kastriotëve armët e Skënderbeut.

Gjon Kastrioti, në moshën 14 vjeçare, bashkë me nënën e tij u vendos në feudet që u kishtë dhënë mbreti i Napolit, ku u rrit dhe u edukua . Si trashëgimtari i parë direkt, dhe si fisnik që ishte nuk kish si t’i shpërfillte ato armë me vlerë simbnolike.

Siç dihet nga historia, turqit më 1480 arritën të zbarkonin në portin e Otrantos. Kjo ngjarje tronditi jo vetëm Italinë po edhe Europën.. Po me mobilizim të jashtëzakoshëm forcash liridashëse, rreziku ottoman u shmang.. Në betejen ë Otrantos në krye të shumë arbëreshëve mori pjesë edhe Gjon Kastrioti.

Ai ishte njeri aktiv dhe i edukuar me dashuri për vëndlindjen. Fitorja në Otranto i ngjalli atij shpresa se edhe në Atdheun e tij të parë, në Arbëri, mund të shporrej sundimi turk. Siç pohon Prof. Injac Zamputi, “më 1481, me kërkesat e përsëritura të shqiptareve që ishin hedhur në kryengritje, më ndihmën edhe të mbretit Ferrante të Napolit, Gjoni u nis në krye të një ekspedite për në Shqipëri. Zbarkimi i tij dha shkas për zgjerimin e lëvizjes çlirimtare. Kryengritësit arritën që të çlirojnë një pjësë të trojeve shqiptare që nga Himara e Vlora e dëri në Shqipërinë e Mesme, po përpjëkja për të marrë Krujën nuk pati sukses.”

Nga burimet historike merret vesh se Gjoni që martuar më një vajzë mërgimtare në Itali, me emrin Irena, bijë e një despoti, e cila kishte nënë Helena Paleologun me prejardhje nga dinastia perandorake e Paleologëve. Nga martesa me Irenën ai pati katër djem dhe një vajzë. Djali i parë mori emrin e gjyshit dhe u quajt Gjergj Kastrioti, mori gjithashtu edhe emrin e dytë të gjyshit, Skënderbe. Po për t’ u dalluar nga i gjyshi u emrua dhe Skënderbeu – i Ri. Ai u lind dhe u rrit në oborrin e mbretërisë së Napolit. Doli në skenën historike më 1499, kur me nismën e vetë, donte te shkonte në Arbëri, duke iu përgjegjur thirrjeve që vinin nga populli i Atdheut prindëror që kishte ngritur krye përsëri. Për koniuturat politike të kohës, nuk arriti të vinte me një herë në Arbëri. Por mbas dy vjetësh u lejua që të shkonte në viset e të parëve të tij. U fut në Shqipëri më 1501, kur populli kishtë çliruar Lezhën. U prit me entusiazëm nga vëndasit. Po me gjithë dëshirën liridashëse dhë përpjekjet e tij, nuk mundi të paktën të rimëkëmbte principatën e Kastriotëvë. Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar shkruhet se Skënderbeu i Ri vdiq në famagustë- Qipro.

Ndërsa studjuesi Eqrem Bej Vlora në kujtimet e veta na njofton për varrin e djalit tjetër të Gjonit, të Kostandinit, për të cilin tregon se ka parë “varrin e nipit të Skënderbeut në kishën e Shën Marisë së engjujve, në Napoli, ku është venë stema e tij: një shqiponjë heraldike me një yll të bardhë e vezullues pesëcepësh mbi të dy krerët.

Sipas informacionit që jep Prof. K.Frashëri te artikulli “Skënderbeu, Vdekja e pinjollit dhe trashëgimtarët jashtë martese”, gjejmë se Skënderbeu i Ri kishte pasur një djalë, të quajtur Alfons. Këtë djalë me sa duket e rriti Andronika, gjyshja. Ajo kur iku në Spanjë, më 1503, e mori Alfonsin ende fëmijë me vete. Atje ai nuk pati jetë të gjatë dhe vdiq më 1508. Kjo fatkeqësi shënohet në pllakën e varrit të tij, ku janë gdhëndur në spanjisht fjalët : “Këtu prehet Alfonsi, biri i të famshmit Gjergj Kastrioti…… Vdiq në moshën 15 vjeçare në qytetin e Valencias, në vitin 1508” .

Në këtë mënyrë nga sa kemi shkruar gjër këtu, arrijmë te mendimi se armët e Skënderbeut nuk janë nxjerrë jashtë shtëpisë as nga Gjon Kastrioti i Dytë, as nga i biri, Gjergj Kastrioti i Dytë dhe as nga i biri i të birit, Alfonsi, që vdiq adoleshent në Valencia.

Djali i dytë i Gjonit ishte Kostandini, i cili në moshën 20 vjëçare, 1497, qe hirotonisur dhespot i Izermias dhe vdiq në vitin 1500. Në varrin që i ngriti e gjyshja, në kishën Santa Maria Nuova në Napoli, atij i është kushtuar një epitaf latinisht: “Mbylli para kohe një jëtë të jetuar me nder”. Si dhespot ai s’ qe martuar dhe nuk pati fëmijë.

Djali i tretë ishtë Ferdinandi, i cili jetoi gjatë. Kursë djali i katërt i Gjon Kastriotit, Frederiku, vdiq i ri, pa lënë fëmijë. Atëherë, i vetmi trashëgimtar i Skënderbeut në linjën mashkullore mbeti Ferdinandi. Me këtë cilësi ai trashëgoi edhe pronat, zotërimet feudale që i ati kishte në San Pietro të Galantinës.

Gjon Kastrioti pati edhe një vajzë, Marien, e cila nuk u martua. Ajo ishtë një grua e kulturuar dhe jetoi gjatë.. Pleqërinë e kaloi me mbesën e saj Irënën, vajzën e Ferdinandit, deri sa vdiq më 1565.

Me një fjalë nga pasardhësit direkt të Skënderbeut jetoi gjatë vetëm djali i tretë i Gjonit, Ferdinand Kastrioti. Ky u martua me Adriana Acquaviva-n, vajzën e Dukës së Nardo-s. Ai pati dy fëmijë më atë, një djalë që i vdiq foshnje, dhe një vajzë Irenën, e cila mori emrin e të gjyshes së saj Irena Paleologu.

Prof. K. Frashëri, duke analizuar hollësisht pinjollët e familjes Kastrioti, tregon se historianët e provincës rrëfejnë se Ferdinandi bënte nga pikëpamja morale një jëtë pak të lirë. Siç del nga kronikat e kohës ai kishte edhe fëmijë të paligjshëm. Midis tyre një farë trajtimi të veçantë pati nga i ati vetëm Akili, djali jashtëmartese që pati me një vajzë 20 vjeçare arvanitase me origjinë nga Korona e Moresë, e nvendosur në Kalabri dhe për këtë arsye të vendlindjes quhej Eleonora Koronika.

Përfundimi është se në familjen e Kastriotëve linja mashkullore e trashëgimisë u mbyll me Ferdinandin . Vajza e tij e vetme Irena mbeti trashëgimtare e pasurisë që la i gjyshi dhe i ati i saj.

Si e vetmja trashëgimtare e Gjon Kasriotit, Irena mori, së bashku me pasurinë , edhe objektet e vyera nga ana simbolike, dy shpatat dhe përkrenaren e Skënderbeut. Ajo perveç pasurisë trashëgoi edhe titullin dukeshë. Irena u martua me Princin Pier Antonio di Sanseverina. Po siç thonë kronikat italiane, i shoqi i Irenës qëlloi të ishte një njeri plangprishës. Me shpënzimet vend e pa vend, brenda një kohe të shkurtër, ai e firasi gjithë pasurinë. Kur vdiq, ai i la Irenës një pasuri të shkatërruar dhe 700,000 dukatë ari borxhë. Për të kapërcyer gjëndjen e vështirësuar ekonomike, ku e shpuri i shoqi , Irena në bashkëpunim dhe me të vëllanë e saj jashtëmartese, Akilin, u detyrua të shiste pasurinë. Me sa duket nga kjo situatë financiare krtike Irena Kastrioti vendosi të shiste edhe objektet me vlere simbolike te Skënderbeut.

Dhe tani, kur e dimë pinjolin e familjes së Kastriotëve që guxoi të shiste armët e stërgjyshit, heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, lë të shikojmë shtegëtimin e më tejshëm të këtyrë armëvë, nga Italia e jugut në Austri. Për këtë na vijnë në ndihmë edhe të dhënat muzeale të Vjënës. Merita kryësore për gjëllitjen e këtyre armëve dhe ruajtjen e tyre me autenticitet të plotë si dhe strehimin e garantuar në shekuj e ka Archduk Ferdinandi II i principatës së Tirolit, dhe në mënyrë të vaçant administratori i tij Shrenk.

Më 1567 Ferdinandi shkoi në Insbruk, kryeqytet i Tirolit, të cilin e kishte trashëgimi nga i ati ; shkoi atje me synimin që të restauronte kështjellën Ambras dhe të ngrinte atje, brenda kështjellës një ekspozitë a po museum armësh. Për këtë qëllim Ferdinandi shkroi një lëtër drejtuar gjithë personaliteteve të njohura, të cilët kishin lidhe me përsonazhe me të kaluar lutarake për shekujt XV dhe XVI., duke ua bërë atyre të ditur se deshte të gjente armë të heronjëve të ndryshëm ndër beteja të kësaj periudhe kundrejt vlerës se tyre.

Ky njoftim i Ferdinandit II të Tirolit sensibilizoi opinionin për grumbullimin e armëve me vlera antike dhe muzeale. Kështu që armët e Skënderbeut, të veçuara, të shitura në dy persona, me anë të kësaj kërkese, do të ribashkohëshin. Deri në vitin ’70 përkrenarja e heroit dhe shpata e shkurtër ndodhëshin në duart e Dukës së Urbinos, kurse shpatën tjetër e mbantë Duka i Arskotit. Po ndërkohë, të dy këta blerës të armëve të Skënderbeut, ua shitën ato blerësve të dytë. Konti Volfang i Sturbenbergut bleu përkrenaren dhe shpatën e shkurtër, kurse shpatën tjetër më të gjatë e bleu Arkiduka i Stirisë, i quajtur Karli, biri i dytë i Perandorit të Austrisë. Ai që do t’i bashkonte përfundimisht e do t’i siguronte këto armë te kryetrimit shqiptar do te ishte djali tjetëri i Përandorit gjerman (vëllai i Karlit), qe e permendem dhe me larte per letren e tij, Arkduk Ferdinandi II i Tirolit, me porosinë etë cilit, kancelari i tij, J. Shrenk, i shtiu ato në dorë me blerje.

Asdministratori i Arkiduk Ferdinandit II, Jacob Schrenk von Gotzing do të pajiste edhe më mirë muzeumin që Ferdinandi kishte ngritur në kështjëllën Ambras.

Përmendja e parë e armëve të Skënderbeut gjatë kohës për kompletimin e muzeumit të kështjellës Ambras figuron në një letër të datës 15 tetor, 1578. Në këtë letër që dërgohej nga Duka i Urbinos për te Arkiduk Ferdinandi shënohej se ai do të dërgonte helmetën dhe shpatën e Skënderbeut në Ambras.

Më 1605 Kështjella Ambras, përfshiu edhe ekspozitën e armëve, i qe shitur Perandorit të Austrisë. Atje shpata e Skënderbeut, dhe helmeta e tij do të qendrojnë për 201 vjet deri më 1806.

Më vonë ato do të transfëroheshin në muzeumin e kështjellës Belvedere. Pikërisht në këtë museum pati fatin dhe kënaqësinë poeti Naim Frashëri t’i shikonte këto armë të Skënderbeut, të prekej dhe të frymëzohej për të shkruar me krënari kombëtare vargjet aq patriotike:

Në Belvedere, në Vjenë,

Sikur pashë Skënderbenë;

Armët e tija kur i pashë

Lumja ti moj Shjqipëri thashë.

Dhë më pastaj , në vitin 1888, armët ë Skënderbeut do të vendoseshin në muzeumin Kunsthistoriches të Vjenës, ku gjenden edhe sot.

Me këtë rast, në mbarim të këtij shkrimi, le të shpresojmë se një ditë këto armë të heroit tonë kombëtar do të marrin rrugën për të shtegëtuar drejt Shqipërisë dhë të qendrojnë përjëtësisht në Muzëumin historik të Krujës.

Literaturë

Frashëri,K. “Skënderbeu, Vdekja e pinjollit të fundit dhe trashëgimtarët jashtë martëse”.

Frashëri, N. “Vëpra” 2, Botimët “Rilindja”, Prishtinë, 1978

Muzaka, Gj. “Memoria” Botimet “Toena”, Tiranë, 1996.

Vlora, E . Bej, “Kujtime”, vol.2 , Tiranë, 2001.

Zamputi, I. “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”

blank

The Chicago Tribune (1929)- 50 shqiptarë sjellin nuset e tyre në Shtetet e Bashkuara

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Janar 2022

 

“The Chicago Tribune” ka botuar, të premten e 25 marsit 1929, në faqen n°5, një shkrim në lidhje me udhëtimin e çifteve të sapomartuara shqiptare drejt SHBA-ve, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

 

50 shqiptarë sjellin nuset e tyre në Shtetet e Bashkuara

Rezervoni udhëtimin në bordin e Leviathan-it që lundron nesër

blank

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Pesëmbëdhjetë çifte të porsamartuara shqiptarësh kaluan dje përmes Parisit, rrugës për në Cherbourg, për të pritur anijen kyesore të SHBA-ve, Leviathan-in, që do të lundrojë të shtunën.

 

Ky është kontingjenti i parë i 50 çifteve të rinjsh nga Shqipëria që kanë rezervuar muajin e mjaltit për në Amerikë në anijen Leviathan. Ata u shoqëruan në Paris dhe Cherbourg nga agjenti i përgjithshëm i linjës në Tiranë, z. Andrea F. Krasniqi.

 

Të martuarit janë shtetas amerikanë që kanë emigruar nga Shqipëria disa vite më parë dhe janë të punësuar si tregtarë frutash, ushqimesh dhe tregtarë të vegjël në Boston dhe përreth.

 

Edhe pse kuota shqiptare prej 100 në vit plotësohet për 50 vitet e ardhshme, një vajzë që martohet me një shqiptar të amerikanizuar fiton të drejtën për vizë pa kuota dhe shmang rregullat e kuotave.

 

Tri nga nuset që lundrojnë të shtunën janë nuse “foto”. Të tjerat janë vajza që pritën dashuritë e tyre të fëmijërisë për t’u vendosur në biznes në Tokën e Re përpara se të martoheshin.

 

 

blank

Përgjimet në burgun e Burrelit- “Kur Xhavit Qesja mësoi se familja Popa u fut në ambasadën italiane në Tiranë, erdhi në qejf dhe…”

Dashnor Kaloçi

Publikohet një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese.

Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit.

Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Relacion sekret i Punëtorit Operativ të burgut të Burrelit, PIro Nuredini, lidhur me të dhënat biografike të të dënuarit Xhavit Qesja, si dhe pikëpamjet politike e qëndrimin e tij gjatë periudhës që ai vuante dënimin në atë burg dhe marrëdhëniet e raportet që ai mbante me të dënuarit e tjerë.

Pjesa e pesëdhjetë

Sekret

Burrel, më 26.11.1986

R E L A C I O N

Në vitin 1958 pas Kongresit të XX-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Konferencës së Partisë të vitit 1957 për Tiranën, Xhaviti duke qenë me studime në Bashkimin Sovjetik, shfaqi pikëpamjet e tij anti-parti, duke e quajtur qëndrimin e Partisë sonë në lidhje me Jugosllavinë e Poloninë, si një qëndrim jo të drejtë.

Për këto gabime, ai thirret nga Moska ku ishte me studime, në Komitetin Qendror të Partisë sonë, u këshillua, u largua nga studimet dhe u transferua në Elbasan, me detyrën e nënkryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Qarkut.

Pas këtyre veprimeve, Xhavit Qesja filloi të propagandojë kundër Partisë dhe vijës së saj politike, duke thënë se në vijën e Partisë sonë ka gabime, por këto gabime nuk njihen nga udhëheqja e saj, mbasi ka frikë se humbet postet që ka.

Qëndrimi i Partisë sonë, vazhdon ai, në marrëdhëniet me Jugosllavinë, nuk është i drejtë…! Partia ka gabime dhe këto janë jo më pak se ato në kohën e Kocit, gjë që faktohet me arrestimet e masat e shumta kundër personave që nuk janë armiq, si p.sh., Tukut, (Jakova. P.N.) Bedriut (Spahiut P.N.) etj.

Dënimi i Daliut (Ndreu P.N.), dhe i Lirisë (Gega P.N.) si njerëz agjentë të një shteti të huaj, është një akuzë përkundër Jugosllavisë…!

Njëkohësisht gjatë kësaj periudhe, Xhaviti krijoi lidhje shoqërore me dhe me një sërë elementësh antiparti, si: Agron Frashëri, Angji Faber, Nazmi Batalli, Aleko Kolaci, Xhevdet Petrela, etj.

Përsa sipër në vitin 1957, Xhaviti u muarr në përpunim aktiv 2/A për veprimtari anti-parti dhe në vitin 1958, u internua më Zvërnec të rrethit të Vlorës, ku edhe aty vazhdoi përpunimi i atij 2/A.

Duke qenë se në kampin e internimit në Zvërnec, Xhaviti e intensifikoi veprimtarinë e tij armiqësore duke propaganduar kundër vijës politike të Partisë dhe pushtetit popullor në radhët e të dënuarave, e në radhët e ushtarëve të këtij kampi, në vitin 1967 u arrestua, u dënua me dhjetë vjet heqje lirie, dënim të cilin erdhi për t’a vuajtur në Repartin 321 Burrel, qysh në atë kohë.

Gjatë vuajtjes së dënimit në këtë repart, Xhaviti u dënua me dhjetë vjet të tjera heqje lirie, për agjitacion e propagandë armiqësore, të zhvilluar në kushtet e vuajtjes së dënimit.

Gjatë vuajtjes së dënimit në Repartin 321 në Burrel dhe përpunimit që i’u bë Xhavitit, në ngarkim të tij dolën një sërë materialesh të tjera që vërtetonin qenien e tij në një veprimtari të organizuar armiqësore kundër udhëheqjes së Partisë, në bashkëpunim me elementët të tjerë anti-parti, e konkretisht:

“E burgosura Zyme Peza, lidhur me Xhavit Qesen, ka deponuar: Funksionari i Legatës jugosllave, Radevoji Geniç, më ka pyetur se, për çfarë arsye është kthyer nga Moska Xhavit Qesja dhe këtë unë desha ta mësoja. Unë i thashë se nuk di gjë, ndërsa më vonë, unë nuk pata mundësi se u arrestova”.

Në vitin 1961, Xhaviti i ka thënë bashkëpunëtorit “Shkumbini”, kur erdhi Tuk Jakova në Berat, unë isha sekretar i Komitetit të Partisë dhe meqenëse nuk mundja t’i flisja, kufizohesha vetëm me një përshëndetje me buzëqeshje. Kjo të ngelet midis nesh.

– I arrestuari Teme Sejko, në mars të vitit 1961, ndër të tjera ka deponuar: “…Në bisedat me Panajotin (Plaku. P.N.), unë kam sqaruar se në vend ekzistonte një opozitë në kundërshtim me udhëheqjen e Partisë dhe pushtetin, me të cilën ishte i lidhur edhe Panajoti.

– Panajoti më ka përmendur se opozita ishte goditur rëndë pas përjashtimit nga Komiteti Qendror të Tukut dhe Bedriut. Më ka treguar se në këtë punëra bënin pjesë: Hulsi Spoahiu, Tahir Kadareja, Pëllumb Dishnica, Myzafer Spaho, Xhavit Qesja dhe më vonë më ka treguar dhe për Dali Ndreun dhe Liri Gegën…”.

– Arratisjen e Panajot Plakut, Xhaviti e ka konsideruar si një akt trimërie dhe vepër të rëndësishme politike, duke thënë se: Panajoti do të sqaroj Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe do të nxjerr në shesh të palarat e Partisë sonë, etj.

– Bashkëpunëtori “Shkëlzeni” në 1961-in, ka informuar ndër të tjera se: në prag, gjatë dhe pas Kongresit të XXII-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Xhavit Qeses, Pëllumb Dishnicës, Maqo Çomos etj., u ishte ngritur shumë hunda, duke pritur përmbysjen në Shqipëri, aq sa, më 6 nëntor arritën të organizojnë një manifestim për të shprehur entuziazmin për sulmet e Hrushovit kundër PPSH-së, në të cilën foli Xhavit Qesja, duke ngritur gotën për Nikita Sergejeviç Hrushovin…! Xhaviti, Pëllumbi dhe Maqo, vazhdojnë të rrinë bashkë duke biseduar për të treguar se nuk u ka rënë morali, këndojnë këngë etj.

Në procesin e datës 16.3.1961, Tahir Demi ndër të tjera ka deponuar: “…Në mars të vitit 1957, Xhavit Qesja është caktuar nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv i K.P të rrethit të Elbasanit. Di që, Xhaviti ditët e para të ardhjes së tij në Elbasan, është takuar me Bedri Spahiun.

Mbasi u lidhën me Bedriun, Xhaviti më ka prurë një letër mua nga Bedriu, në të cilën më shkruante se Xhaviti është njeriu jonë, kështu që me të, mund të bisedoja lirisht. Xhaviti ishte në dijeni që Bedriu dhe Tuku, ishin në lidhje me Panajot Plakun, përkundër udhëheqjes së Partisë. Për lidhjet tona me Zbulimin Grek, nuk kemi biseduar”.

– Bashkëpunëtorit “Pëllumbi”, Xhaviti ndër të tjera i ka folur edhe në këtë mënyrë: “…Urrej shumë, jo vetëm Partinë tonë dhe sistemin socialist, por gjithë sistemin socialist e komunist të aplikuar deri tani në gjithë vendet e botës.

Unë dëshiroj një sistem socialist….të njëllojtë me vendet perëndimore Amerikë, Angli, Francë, Itali etj., ku në ekonomi të lozi rol kryesor fitimi personal…!

Po të shohësh me tendencat vetjake, despotike e aziatike, del figura e Timurlengut të shekullit të XX-të, të veshur me petkun e krye komunistit Stalin, që mbeti në histori si njeriu më barbar…!

Ne flasim për kushtetutën tonë si më e mira në botë, po a e di ti se në Angli nuk ekziston fare kushtetutë dhe në Angli ekzistojnë të gjitha bindjet politike…”?

Xhavit Qesja – thotë bashkëpunëtori “Pëllumbi”, po influencon mbi të rinjtë e burgosur….me pikëpamjet e tij antisocialiste e komuniste e properëndimore social-demokrate. Xhaviti me Bedriun, (Spahiu – P.N.), kanë një platformë.

– Ata thonë: më mirë 100 herë janë kriminelët e vendit, për udhëheqësit e Partisë dhe të shtetit tonë, se sa çizmja e gjakosur e muzhikut rus…! Xhaviti meqenëse studion shumë, ka influencë në të gjithë, me përjashtim të Maqos (Çomo – P.N.), Koços (Tashko- P.N.) e Dilaver (Radëshit-P.N.), të cilët kanë urrejtje të tërbuar për njëri tjetrin. Xhaviti është agjitator i stërholluar, di dhe nuhat tendencat e bashkëbiseduesit dhe e përpunon me marifet…!

– Në bisedat që ka bërë me bashkëpunëtorin “Beni”, pas goditjes së Beqir Ballukut, Xhaviti është shprehur me keqardhje për të, duke thënë ndër të tjera: “…Patjetër ka ngjarë diçka e rëndë me Beqirin.

Beqirin e njoh nga afër nga batalioni Krujë-Ishëm…është babaxhan, i thjeshtë…! Nuk është njeri i komploteve dhe prapaskenave…ndoshta ka vrarë veten! Ka qenë një nga shokët kryesore të udhëheqësit kryesor. Me udhëheqësin kryesor të qeverisë, nuk ka shkuar asnjëherë mirë”.

…Udhëheqësi kryesor nuk i beson udhëheqësit të shtetit, por e mban si dorë e fortë. Udhëheqësi kryesor i qeverisë, vetëm përfiton nga kjo, por edhe këtu, pa guxuar të dalë si flamurtar i situatës dhe për këtë ka mësues të mirë dhe dinake të shoqen…etj.

Bashkëpunëtori “Butrinti” në dhjetor të vitit 1981 (Mehmet Shehu, nuk e kishte vrarë veten – P.N.), thotë se: Xhavit Qesja na del se shpresën e ka në faktorin e brendshëm. “Ta ardhmen e shikoj në përparimin e vendit – thotë ai- në Universitetin, në Akademinë, në shkencën teknike, përvetësimi i dijeve shkencore nga rinia, kjo është ëndrra ime, këtu i kam shpresat. Vetëm kjo e atëhere do të bëj revolucion. Rinia do të shikojë e gjykojë me objektivitet edhe gjithë ngjarjet historike.

Në mensë është kërkuar e arrirë, që në emër të moskrijimit të tensioneve e shqetësimeve, të mos bisedohet. Iniciator ka qenë Xhavit Qesja dhe kjo është pranuar. (Xhaviti, duhet të dyshojë për vendosjen e mjeteve të Teknikës Operative në mensë).

Mbas cilësimit të Mehmet Shehut si armik, Xhaviti ka shtuar shumë bisedat dhe miqësinë me Maqo Çomon, Bardhyl Belishovën, Fadil Paçramin, Todi Lubonjën.

B – Bashkëpunëtori “I Penduari”, në tetor 1984, informon se të dënuarit antiparti në burgun e Burrelit, janë ndarë në dy grupime. Grupimi kryesor dhe që përfshin shumicën dërmuese, është i atyre që nuk kanë njohur dhe s’njohin të kenë asnjë fajësi dhe se e quajnë veten të dënuar padrejtësisht.

Në këtë grup hyjnë: Maqo Çomo, Bardhyl Belishova, Xhavit Qesja, Gjergj Titani, Fadil Paçrami, Gjin Marku, Todi Lubonja, Sadik Bekteshi, Vaskë Gjino, Arif Hasko, Andon Shehti dhe Abaz Fejzo. Ky është grupi kryesor, por edhe në këtë ka pikëpamje e mendime të ndryshme.

…Një pjesë e këtij grupi është me pikëpamjen se rruga dhe vija që ndjek Partia jonë, s’është e drejtë, është dogmatike, sektare, ose komunizëm aziatik, siç e ka quajtur Xhavit Qesja. Këta janë për një liberalizëm, ose për një “demokraci të vërtetë”. Këtu hyjnë: Todi, Fadili dhe Xhaviti.

I dënuari Hazbi Lamçe, më 10.1.1986, ka denoncuar se Gjergj Titani i ka thënë: “Kam zbuluar një gjë të madhe, se Xhavit Qesja, është spiun i italianëve. Këtë e mësova nga Elami Hadua, i cili më tha që më 1942-in, Elamiu dhe Xhaviti kanë qenë në burg të dy dhe Xhaviti, megjithëse ishte dënuar më shumë se Elamiu, doli shumë shpejt nga burgu, se ati ishte interesuar pranë Mustafa Merlikës, me pare apo me miqësi, nuk e di, por ky në fakt, doli nga burgu.

Nëna e Xhavitit, është motra e Kontit Ferra në Itali dhe nga kjo ne mendojmë se familja e Xhavit Qeses dhe ky vetë, kanë lidhje me italianët edhe nëpërmjet Moisi Popës, i cili në atë kohë ka qenë ambasador në Itali. Pikërisht – vazhdon Gjergji – në momentin që Xhaviti mësoi se familja e Moisi Popës u fut në ambasadën italiane në Tiranë, ky ndryshoi, erdhi në qejf dhe shfaqej entuziast, duke u shoqëruar e biseduar me Edip Ohrin dhe Kiço Ngjelën”.

Vlen të përmendet se kohët e fundit, Xhaviti është shkëputur nga të dënuarit e tjerë anti-parti në burgun e Burrelit dhe pothuaj me të gjithë i ka marrëdhëniet të ftohta, kjo edhe për arsye se Xhaviti është prototipi i tipit skolastik, gjë që për të dënuarit e tjerë, e veçanërisht për Gjergj Titanin, është i bezdisshëm. Xhaviti është mbyllur në guaskën e tij, duke u marrë me përkthime të literaturës së dhënë nga ana jonë. Memorie.al

Punëtori Operativ

Piro Nuredini

blank

“Mehmeti më thirri jo për tanket e Saukut, por për nusen e djalit që…”- Plenum i V-të, tetor ’82, kur “kryqëzohej” ministri Hazbiu!

Dashnor Kaloçi

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat kanë qenë të panjohura për 40 vite me radhë dhe shohin për herë të parë dritën e botimit, ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale sekrete e dokumente që i përkasin muajt tetor të vitit 1982, ku është pasqyruar materiali i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së me titull “Mbi mungesën e theksuar të vigjilencës dhe gabimet e rënda të shokut Kadri Hazbiu në kohën që ishte ministër i Brendshëm”, autokritika me shkrim e Kadri Hazbiut, “Vendimi i Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror e nga Partia si dhe shkarkimi nga të gjitha funksionet shtetërore dhe shoqërore të Kadri Hazbit”, si dhe proces-verbali i Plenumit të Komitetit Qendror të mbajtur në datat 13 e 14 tetor të vitit 1982 në sallën kryesore të godinës së Komitetit Qendror, ku është diskutuar dhe është marrë në analizë puna dhe veprimtaria e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, i cili akuzohet për “veprimtaria armiqësore” e tij për periudhën gati 30 vjeçare kur ai shërbente në funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme.

Dosja e plotë e me të gjitha dokumentet që botohet për herë të parë nga Memorie.al, ku përveç materialit “Tepër sekret”, të Byrosë Politike me akuza ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, publikohet edhe proces-verbali i Plenumit, ku Enver Hoxha dhe pjesa më e madhe anëtarëve të Byrosë Politike si: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Hekuran Isai, Manush Myftiu, Simon Stefani, Haki Toska, Pali Miska, Prokop Murra, Spiro Koleka, Rita Marko, Lenka Çuko, Muho Asllani, Llambi Gegprifti, Vangjel Çerava, dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, si; Nexhmije Hoxha, Gafur Çuçi, Xhelil Gjoni, Pilo Peristeri, Sofo Lazri, Piro Kondi, Petro Dode, Behar Shtylla, Shefqet Peçi, Qemal Bregasi, Dritëro Agolli, Mine Guri, Themie Thomai, Mehmet Elezi, Lumturi Rexha, Tefta Cami, Vito Kapo, Harrilla Papajorgji, Anastas Kondo, Miti Nito, Sulejman Baholli, Halil Leli, Jashar Menzelxhiu, Enver Halili, Ali Vukatana, Tahir Minxhozi, Naunka Bozo, Luan Muhameti, Rexhep Kolli, Ndreçi Plasari, Sofie Çuadari, Nezir Gorica, etj., jo vetëm kanë akuzuar ish-ministrin Hazbiu, si bashkëpunëtorin me të ngushtë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por edhe kanë debatuar ashpër me të gjatë gjithë mbledhjes së plenumit që zgjati dy ditë, duke i kërkuar atij që të jepte shpjegime për punën dhe veprimtarinë e tij që nga dita që ishte ulur në zyrën e ministrit, duke filluar nga marrëdhëniet e raportet me këshilltarët rusë, Konferencën e Tiranës në 1956-ën, e deri tek “bashkëpunimi i tij me grupet armiqësore” të kryesuara nga Teme Sejko, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi dhe “poliagjenti” Mehmet Shehu, si dhe vendimet shkarkimet nga detyrat dhe për përjashtimin nga Komiteti Qendror të Rexhep Kollit, Nazar Berberit, Veli Llakajt, Ndreçi Plasarit, etj.

Pjesa e gjashtëmbëdhjetë

Proçes-verbali ‘Tepër sekret’ i mbledhjes së Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 13 dhe 14 tetor të vitit 1982

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

KOMITETI QENDROR Tepër sekret

-Sektori i Përgjithshëm-

PROCES-VERBAL I MBLEDHJES SË PLENUMIT TË 5-TË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 13 DHE 14 TETOR 1982

SHOKU ENVER HOXHA: Me të tërë ke kundërshtime.

KADRI HAZBIU: Mirë, koha le ta tregojë, juve thoni si të doni.

(Shokët shprehin pakënaqësi dhe zemërim).

SHOKU NEDIN HOXHA: Desha të thosha dhe unë një fjalë.

SHOKU ENVER HOXHA: Thuaj, dy fjalë.

SHOKU NEDIN HOXHA: Lidhur me këtë që tha shoqja Naunka: Në mbledhjen e qeverisë, si gjithë populli, mbasi morëm vesh veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut, Kadriu ka thënë fjalën e tij me besim absolut për Partinë dhe natyrisht bëhej mbledhja e parë e qeverisë dhe neve do të thoshim fjalën tone, se kemi për të thënë dhe duhet akoma të thellohemi, të gjejmë tamam atë që kërkon Partia. U ngrita dhe unë të flisja.

Sa fillova unë të flas për Mehmet Shehun, ashtu si e gjykoja po me një qëllim që të thosha mendimin tim, Kadriu më ndërhyri: “ti, tha, kalo më poshtë, na fol për planin, se atje e ke të keqen”. Do flas edhe për planin, – i thashë, po unë jam anëtar i qeverisë, është hera e parë që mblidhet qeveria pas dënimit të veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut dhe si komunist e kuadër, kam të drejtë të them mendimin tim.

Me kaq nuk mbaroi, po më tha: “ti gjithnjë e nxjerr gjuhën para dhëmbëve”. Natyrisht nja dy shokë ndërhynë aty dhe bënë atë që u takon të gjithëve. Domethënë këto që thonë shokët kështu janë.

KADRI HAZBIU: Po, ato janë të shkruara, shoku Nedin, në mbledhjen e qeverisë.

SHOKU NEDIN HOXHA: Janë të shkruara.

SHOKU ENVER HOXHA: Janë të shkruara ato.

KADRI HAZBIU: Po të jetë kështu, mirë.

SHOQJA NAUNKA BOZO: Unë mendoj se duhet të shohim propozimin që bëri shoku Enver.

SHOKU VELI LLAKAJ: Shoku Enver, ka mundësi?

SHOKU ENVER HOXHA: Urdhëro, fol!

VELI LLAKAJ: Ka pasur një radio-rrjet për garnizonin e Tiranës, ku ka qenë edhe ministri i Punëve të Brendshme, edhe kryeministri. Di gjë Kadriu Hazbiu për këtë punë si është organizuar, si është vënë dhe pse?

E dyta, të më falni shumë, se më duket se si ju kuptova unë, Mehmet Shehu, dy-tri ditë përpara se të vriste veten, më ka thirrur mua dhe Nazar Berberin në shtëpi për të na dhënë urdhër që “brigada e tankeve të mos lëvizë pa urdhrin tim”.

SHOKU ENVER HOXHA: Po.

VELI LLAKAJ: Të thotë Kadri Hazbiu ç’di për këtë punë, si i kanë thënë, si ia kanë sjellur pas një ose dy ditësh, si i kam thënë unë dhe këtë çështje ta sqarojë dhe shoku Nazar Berberi, t’i sqarojmë këto gjëra.

SHOKU ENVER HOXHA: T’i sqarojmë.

VELI LLAKAJ: Dhe e treta, unë kam bërë një fejesë të vajzës sime me djalin e Arif Haskos. Për këtë para një vit e gjysëm ose dy vjetësh kam pyetur shumë shokë dhe shokë të Partisë që e njihnin siç e njihja dhe unë, midis të tjerëve kam pyetur dhe Kadri Hazbiun si ministër i Punëve të Brendshme dhe mund të dinte ndonjë gjë për të, pavarësisht se unë dija aq sa mund të dija.

Kadri Hazbiu më ka rekomanduar që ta bëj këtë fejesë. Pse më ka rekomanduar, kur ky e paska ditur që Arif Haskoja paska qenë spiun? Donte të më lidhte në miqësi mua me Arif Haskon që ishte spiun dhe të më komprometonte në këtë rast, siç bëri Mehmet Shehu me Turdiun?

SHOKU ENVER HOXHA: Qartë, shpjegoi. Pyetjet janë të qarta.

KADRI HAZBIU: Për radio-rrjetin, shoku Enver, unë nuk e di, po këtë Ministria e Mbrojtjes Popullore na e ka dërguar dhe shoku Veli e di mirë si rregull, me të gjitha repartet e garnizonit të Tiranës. Edhe kur kam qenë ministër i Punëve të Brendshme dhe tani që kam qenë ministër i Mbrojtjes Popullore, kjo radio ka qenë me gjithë kode, me njërën e tjetrën e përgatitur nga shtatmadhoria, e rakorduar me të gjitha repartet e ka kaluar nga drejtoria e ndërlidhjes. Ky është fakt. Të shikohet.

Për brigadën e tankeve nuk më keni thënë as ti, as Nazari, që Mehmet Shehu ka dhënë urdhër të mos lëvizte pa urdhrin e tij. Ky është fakt i pakundërshtueshëm.

VELI LLAKAJ: Jo, jo, çfarë të kam thënë dy-tri ditë përpara se të bëhej mbledhja e Byrosë Politike.

KADRI HAZBIU: Asnjë gjë, hiçgjë nuk më ke thënë. Unë këtë e kam marrë vesh atëherë kur është marrë vesh, kur më është thënë nga shokët.

VELI LLAKAJ: Jo, unë të kam thënë, në qoftë se do t’i pranojmë gjërat hapur, çiltër.

KADRI HAZBIU: T’i pranojmë gjërat hapur, shoku Veli, ashtu.

VELI LLAKAJ: Unë të kam thënë dhe ka dokumente në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, tek operativi, që Mehmet Shehu, tri ditë përpara se të vetëvritej ka kërkuar me urgjencë Nazar Berberin, i cili ka qenë në Gjadër. E dini shumë mirë këtë fakt.

KADRI HAZBIU: Unë e di këtë?

VELI LLAKAJ: Po, po, kam ardhur unë dhe të kam thënë: shoku Kadri, “shoku ministër, Mehmet Shehu ka kërkuar me urgjencë Nazar Berberin kështu, e kështu e kështu”.

KADRI HAZBIU: A, po, e ka kërkuar.

VELI LLAKAJ: Ti më ke thënë që “këtë punë e di unë, pse e ka thirrur në shtëpi. Ka vajtur, ka sinjalizuar për nusen e tij dhe për këtë ka dijeni dhe shoku Ramiz, prandaj mos u shqetëso”. Unë te Mehmet Shehu nuk kam vajtur.

KADRI HAZBIU: Ore, të mos i ngatërrojmë gjërat.

VELI LLAKAJ: Një minutë, një minutë.

KADRI HAZBIU: Po të mos i ngatërrojmë gjërat tani, të lutem shumë (flet shumë i nervozuar). The për çështjen e tankeve.

VELI LLAKAJ: Epo ja, kjo lidhet.

KADRI HAZBIU: Jo, jo, nuk lidhet, nuk lidhet. Ajo është çështje tjetër, e kupton? Dhëndri im kishte bërë një njoftim në Komitetin Qendror të Partisë, ku shkruante se kishte parë nusen e djalit të Mehmet Shehut që ish takuar me një francez dhe kur e kishte parë, kishte qenë bashkë me Nazar Berberin duke pirë kafe. Këtë kam ditur unë. Dhe Nazari më ka thënë që më thirri Mehmet Shehu për këtë çështje. Unë këtë ta kam thënë. Po nuk është punë tankesh këtu.

VELI LLAKAJ: Ashtu është.

KADRI HAZBIU: Ë?

VELI LLAKAJ: Ashtu është.

KADRI HAZBIU: Ashtu është? Atëherë është tjetër problem ai.

VELI LLAKAJ: Po unë kam pyetur Nazarin.

KADRI HAZBIU: A, nuk e di unë.

VELI LLAKAJ: Unë kam pyetur Nazarin pse e kish thirrur Mehmet Shehu, ja ai është këtu dhe le të thotë.

KADRI HAZBIU: Një minutë, një minutë.

VELI LLAKAJ: Më ka thënë se e kishte thirrur për një tabelë, ja ku është Nazar Berberi dhe le të thotë.

KADRI HAZBIU: Ajo është tjetër punë.

VELI LLAKAJ: Mua Mehmet Shehu as më ka thirrur, as më ka thënë gjë.

KADRI HAZBIU: Këtë s’e di unë.

VELI LLAKAJ: Të verifikohet në qoftë se Mehmet Shehu më ka thirrur dhe më ka dhënë porosi mua që të mos lëvizin tanket.

KADRI HAZBIU: Mirë, është tjetër punë ajo. Bashkë kemi biseduar për këtë çështje dhe unë e kam ditur që Nazari është thirrur për këtë problem. Edhe Nazari më ka thënë se e kish thirrur Mehmet Shehu për këtë çështje. Unë kaq di dhe këtë domosdo e di dhe shoku Ramiz.

Tani t’i përgjigjem edhe një pyetjeje tjetër për çështjen e Arif Haskos.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, dale.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ja ta sqarojë Nazari atë çështje.

NAZAR BERBERI: Kam qenë duke pirë kafe në hotel “Tirana” bashkë me dhëndrin e Kadri Hazbiut. Atje kam qenë bashkë me gruan dhe pasi kam pirë kafen, jam kthyer në shtëpi. Në të nesërmen më ka thirrur Mehmet Shehu dhe më ka pyetur: ke qenë në hotel “Tirana”? Kam qenë, – i thashë.

KADRI HAZBIU: Ti më ke thënë që më ka pyetur në telefon?

NAZAR BERBERI: Po.

KADRI HAZBIU: Kurse Veliu thotë që të ka thirrur në shtëpi.

SHOKU ENVER HOXHA: E di vetë ky, mos e ndiko ti (i thotë Kadri Hazbiut).

VELI LLAKAJ: E ka thirrur në shtëpi.

NAZAR BERBERI: Më ka pyetur në telefon dhe pastaj më ka thirrur dhe në shtëpi. I kam thënë unë Veliut.

VELI LLAKAJ: Po, më ke thënë.

NAZAR BERBERI: Mehmet Shehu më pyeti nëse kisha qenë në hotel “Tirana”, dhe nëse kisha parë nusen e djalit të tij që ishte takuar me ca francezë. I thashë që nuk e njoh nusen dhe nuk kam parë gjë, po shoku që ishte me mua është i sinqertë dhe po e ka parë ai ashtu është, – i thashë, ai nuk di të gënjejë, prandaj ajo do të jetë takuar me ta, se në kohën që kam pirë kafen kam qenë me shpinë nga dera. Ai që ka treguar për këtë nuk gënjen prandaj do të jetë e vërtetë. Për problemin e tankeve dhe gjëra të tjera nuk kemi biseduar dhe as më ka thënë gjë për tanket.

VELI LLAKAJ: Po mirë, shoku Nazar, ju Kadriut i keni thënë që të kish thirrur për të të pyetur nëse e kishe parë ti nusen e djalit të tij që ish takuar me francezë kurse mua më the që i shpura tabelën e skalionit të municioneve dhe unë të thashë që pse e shpure këtë tabelë sepse kjo është tepër sekret.

NAZAR BERBERI: Jo, jo.

VELI LLAKAJ: Nuk i shpura tabelën, – më the, po ia thashë me gojë se e dija përmendësh (të gjithë shokët thonë: po njësoj është).

SHOKU ENVER HOXHA: Hë, përgjigju Veliut për këtë gjë, se këtu është çështja.

NAZAR BERBERI: Për tabelën nuk kemi biseduar, shoku Enver, dhe asnjë fjalë tjetër nuk kemi shkëmbyer veç problemit që thashë. “E ke parë, – më tha. As e njoh fare, – i thashë, po ashtu do të jetë, sepse personi që e ka parë është i sinqertë dhe nuk të gënjen”.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po nga e nxori Veliu atë çështjen e tabelës.

NAZAR BERBERI: Nuk kemi biseduar gjë për tabelë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, jo, ja Veliu këtu është.

SHOKU HEKURAN ISAI: Atëherë gënjen Veliu?

VELI LLAKAJ: E kemi biseduar, shoku Ramiz, me shefin e Shtabit të Përgjithshëm me ish-drejtorin operativ dhe me ish-zëvendësministrin Maliq Sadushin, se me të vërtetë, ju them me sinqeritet, unë mbaj përgjegjësi shumë të rëndë përpara Partisë për këtë problem që nuk e informova, po u mjaftova vetëm me atë që informova ministrin e Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiun. Se u shqetësova. Unë, para Kongresit të 8-të të Partisë dija aq sa dija për Mehmet Shehun, jo sa dinte Kadriu për autokritikën dhe për fejesën. Unë u shqetësova pse kërkoi me aq urgjencë me domosdo të vinte Nazari nga Gjadri?! Memorie.al

blank

“Shehu kishte probleme dhe pinte ilaçe, mos e detyruan të gëlltiste helm?” Rrëfimi i rrallë i shoferit

Pse nuk iu bë autopsia lëngut të çuditshëm që u gjet te Mehmeti. Vetëm tre vetë e dinë të vërtetën

Gazeta Panorama.al sjell sot për lexuesit një rrëfim të panjohur për jetën sekrete të diktatorit shqiptar nga lindja në vdekje, i shkruar duke përballur faktet e dëshmitë e kohës. “Enver Hoxha – sulltani i kuq” është biografia e ishudhëheqësit komunist që u botua në vitin 1994 nga autori francez me origjinë hungareze, Thomas Schreiber, gazetar, publicist, diplomat dhe specialist për çështjet e Europës Qendrore e Lindore, në veçanti për Shqipërinë.

Autori është gjithashtu gazetari i parë francez që ka vizituar vendin tonë në vitin 1981, por në vepër nuk përfshin përshtypjet e tij personale. Ai merret vetëm me zbërthimin e karakterit të “sulltanit të kuq”, Enver Hoxha, duke iu referuar tregimeve të vjetra të bashkëkohësve të diktatorit, dokumentacioneve, letërkëmbimeve, medias, librave etj., të cilat i shtjellon me anë të bibliografisë, veçmas, në fund të librit.

Në numrin e tretë historia ndoqi rrjedhën me jetën e dyfishtë të tij. Para revolucionarëve që bëri miq në Francë e Belgjikë, Enver Hoxha betohej si komunist “deri në vdekje”, ndërsa për mbijetesë si student i dështuar dhe pa diplomë u jepte mësim diplomatëve në legatën e mbretërisë shqiptare, derisa arriti edhe vetë të punësohej aty. Por jo për shumë kohë. Ai u kap me dhjetëra broshura për komunizmin, duke u pushuar nga puna si kancelar. Në numrin e katërt u shtjellua kthimi i Enver Hoxhës në Shqipëri dhe përballja e tij sërishmi me gjendjen e vështirë ekonomike. Ai nisi punë si kamerier dhe, ndërkohë që tentonte të bëhej mësues në Lice, Hoxha përdorte rrobat e profesor Brégeault dhe nëpër restorante linte faturat pa paguar në emrin e tij.

Bëhet fjalë për vitin 1936, kur ai u dallua si orator shumë i mirë dhe gjithnjë e më shumë kërkohej që të mbante fjalimet nëpër varrimet e patriotëve. Më pas, historia e jetës së Hoxhës zhvendoset te infiltrimi i tij në grupet komuniste të Shqipërisë, njohjen me Nexhmije Xhunglinin, atë që në prani të katër dëshmitarëve u bë gruaja e ardhshme e tij në gusht të vitit 1944. Sot rrëfimi zhvendoset 3 muaj më vonë nga kjo martesë…

*****

Në fillim të vitit 1947, Edvard Kardelj, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Titos dhe drejtuesi i diplomacisë jugosllave, pritet nga Stalini. Shefi i Kremlinit tregohet i interesuar për Shqipërinë. “Por, çfarë përbuzjeje për këtë vend të vogël”, tregon një dëshmitar i takimit. “Çfarë njerëz ish të prapambetur dhe primitivë janë shqiptarët!, – thotë Stalini – janë besnikë si qeni, por kjo është karakteristikë e primitivëve. Tek ne, çuvaçët janë besnikë si qentë. Carët e Rusisë i merrnin për truproja”.
***
Gjatë këtij takimi, Stalini i thotë nëse Kardelj e njihte Enverin dhe nëse mund t’i zinin besë. Përgjigja e diplomatit jugosllav: “Në opinionin tonë është një njeri i mirë dhe i ndershëm, edhe pse ka karakteristikat e një borgjezi të vogël. Është popullor për shkak të sjelljes së tij gjatë luftës. Por nuk ka formim marksist-leninist. Njeriu që mund të jetë dora jonë është Koçi Xoxe, i cili vjen nga klasa punëtore”. Edhe zëvendësi i Stalinit, Molotov, ndan të njëjtin mendim me diplomatin dhe shton se “drejtuesi shqiptar është një njeri i mësuar, që lë përshtypje të mirë, edhe pse tek ai ndihet një lloj influence perëndimore”. Ndërkohë, në të njëjtin vit e Enverit në Moskë. Më në fund Stalini pranon që të takohet me Hoxhën. Më 16 korrik 1947, shqiptarët priten në zyrën e Stalinit në Kremlin, një sallë e madhe me një tavolinë të rrumbullakët, ku qëndron “babai i popujve”. Në fund të këtij takimi, Bashkimi Sovjetik i akordoi Shqipërisë një kredi që do të shërbente për zhvillimin e industrisë dhe bujqësisë.

Më 23 mars 1949, Stalini pret sërish Hoxhën, i shoqëruar nga Spiro Koleka dhe Mihal Prifti. Hoxha flet për situatën në Shqipëri, nis të flasë për tradhtarët, duke nisur nga Koçi Xoxe. Sipas tij, të gjitha spastrimet i kishte drejtuar Mehmet Shehu, i cili ishte një drejtues i lavdishëm dhe që e kishte bërë detyrën e tij, duke pasur edhe mbështetjen e partisë. Gjatë kësaj bisede, flitet edhe për çështjen greke. Ai kritikon pikëpamjet e gabuara të Niko Zahariadhisit dhe të komunistëve të tjerë lidhur me rolin e Partisë. Pas takimit, Hoxha dhe Stalini darkuan së bashku në “një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore”. Molotovi ngre gotën dhe e shtyn Hoxhën të pijë. “Përse pini kaq pak. Ju dje pitë më shumë”.

“Ah, dje ishte ndryshe”, – iu përgjigj Enveri duke qeshur. Në atë moment, Molotovi kthehet nga Stalini dhe i thotë: “Dje ishim për darkë me shokun Enver. Dhe Enveri mësoi se do të bëhej baba me një djalë. Për të festuar këtë, pimë pak më shumë”. “Urimet e mia më të mira, iu përgjigj Stalini. Le të pimë për shëndetin e djalit dhe gruas suaj”. Enveri i premtoi se do ta mbante gjatë mend këtë moment. E ndërsa në Moskë festohej, në Tiranë vazhdonin spastrimet e komunistëve, duke nisur nga Koçi Xoxe.

***
Por, me nisjen e verës edhe situata ekonomike u rëndua. Sipas “Foreign Office”, udhëtimi i tretë që Enveri bëri në Moskë qe një tentativë e dëshpëruar për të marrë ndihmë të shpejtë nga Moska. Gjithnjë sipas të njëjtit burim, “rënia e qeverisë shqiptare dukej se do të sillte një situatë plot rreziqe në rajon”. Edhe në një tjetër vizitë që Hoxha bën në Moskë, gjithnjë i shoqëruar nga Mehmet Shehu, më 9 janar 1950, ata do të takohen me drejtuesit grekë. Përgjatë shumë orësh ata patën diskutuar për strategji dhe taktika, derisa Stalini mori rolin e arbitrit, duke i bindur palët që të bashkëpunonin në vend që të ziheshin. Ndërsa në Shqipëri vazhdonte lufta e brendshme dhe spastrimet. Por, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu kishin divergjenca për mënyrën se si duhet të bëheshin spastrimet.

Sipas legatës franceze, “Hoxha praktikon një politikë të përcaktuar nga Moska në prill 1951, por e kundërshtuar nga Shehu. Hoxha dhe gruaja e tij vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes, ndërsa Mehmeti me të shoqen mbeten ende në hije”. Më pas, dy figurat qendrore të shtetit vendosin të bëjnë një turne në Jug të vendit. Por gjatë këtij turneu kishte shumë probleme, sipas diplomatëve. Sipas Departamentit të Shtetit, Hoxha ishte shumë i kërcënuar dhe sovjetikët ishin gati ta zëvendësonin me Shehun. Sipas informacioneve të Ambasadës franceze në Romë, Hoxha e kishte humbur një pjesë të madhe të autoritetit dhe mbahej në këmbë nga fraksioni stalinist ortodoks i Mehmet Shehut.

***
Strategu i rezistencës, çliruesi i Tiranës, xhelati i opozitarëve, numri dy i regjimit, u zhduk nga skena politike në rrethana të mistershme. Enveri hoqi qafe një njeri që i ishte bërë i padurueshëm dhe me të cilin nuk ndante të njëjtin mendim për Kosovën dhe Perëndimin. Por, për Hoxhën që ishte i sëmurë rëndë nga diabeti, eliminimi i Shehut nuk ishte i mjaftueshëm. Ai duhet të tregojë që Shehu as që ka ekzistuar dhe për këtë zhduken të gjitha fjalimet e tij. Nga muzetë hiqen portretet, ndërsa Brigada e Parë Sulmuese nuk ekziston më. Në qeverinë tashmë të drejtuar nga Adil Çarçani nuk ka ndonjë besnik të Shehut, ndërsa posti i ministrit të Brendshëm mbahet nga Hekuran Isai, mik i Hoxhës. Dhe ngjarjet zhvendosen në zyrën e Hoxhës.

Ramiz Alia, përfituesi i situatës së krijuar, shkon takon Enverin në zyrë. Alisë nuk i kujtohet saktësisht, por Hoxha e informoi për praninë e një dokumenti që komprometonte Shehun. Këto dokumente ishin ruajtur në kasafortën e Hysni Kapos, një nga të afërmit e Hoxhës. Kur Hoxha ia tregoi këtë dokument Alisë, ky i fundit mbeti i shtangur. Bëhej fjalë për formularë të shërbimeve sekrete, të përpiluara në anglisht. Sipas Alisë, dokumentet nuk linin asnjë dyshim. Mehmet Shehu punonte për shërbimet sekrete. Ai mund të ishte rekrutuar në vitin 1939 në kampet e përqendrimit francez, ku ai ishte burgosur pas përfundimit të luftës së Spanjës. Pastaj janë oficerët britanikë të Ndërlidhjes, të parashutuar në Shqipëri gjatë luftës, të cilëve Shehu u kishte dhënë direktiva. Më pas, Shehu dyshohet të kishte lidhje me sovjetikët dhe më në fund kishte bashkëpunuar me shërbimet jugosllave. Ramizi pohon se këto dokumente i ishin dërguar në vitin 1964 Ambasadës së Shqipërisë në Vjenë, nga një person që ishte prezantuar si një patriot marksist-leninist i Kosovës. Një gjë e tillë i ishte komunikuar Hysni Kapos dhe ky i fundit informoi Hoxhën. Në fillim, sipas Alisë, Enveri është i bindur se bëhej fjalë për një provokim dhe dyshon se në këtë çështje ishte e përfshirë KGB-ja.

***
Disa ditë pas përfundimit të punimeve të Kongresit VIII, anëtarët e Byrosë Politike u mblodhën te shoku Enver. Ishin mbledhur për të folur për planin e punës. Si gjithnjë, Mehmet Shehu ndërhyn shpesh. Ai e ka një përgjigje për çdo çështje të aktualitetit. Dhe si gjithmonë e dëgjonin me vëmendje. Aktiviteti i tij si shef i qeverisë përshkruhet në çdo numër gazete dhe më 17 dhjetor ai pret një delegacion rumun.Ndërkohë, 24 orë më pas, shpërtheu një rrufe në qiell të pastër. Në krye të edicionit të lajmeve të orës 19:00, “Radio Tirana” bënte me dije se: “Mehmet Shehu, kryeministër, anëtar i Byrosë Politike, vrau veten pas një depresioni nervor”. Një lajm i tillë nuk ngjalli asnjë koment, vdekja nuk u pasua nga asnjë ditë zie dhe data e varrimit nuk u mësua. Burimet zyrtare, të pyetura nga diplomatët e huaj apo përfaqësuesit e Shqipërisë jashtë atdheut, linin të kuptohej se “duke vrarë veten, Shehu kishte kryer një krim ndaj Partisë”. Ndërkohë, shumë fjalë nisën të qarkullonin lidhur me rrethanat e vdekjes. Thuhet se bashkëpunëtori më i ngushtë i shokut Enver ishte viktima e fundit e spastrimit, në të cilin kishte kontribuuar edhe ai vetë.
***
Më pas, lidhur me këtë ngjarje do të jepeshin shumë variante. Varianti i parë u dha nga Ramiz Alia, në vitin 1992. Ky i fundit pohon se më 17 dhjetor Mehmet Shehu iu kishte prezantuar anëtarëve të Byrosë Politike autokritikën e tij me shkrim. Aty ai shkruante për karakterin e tij të keq, por fliste dhe për problemet familjare; lidhja e djalit të tij me një vajzë që vinte nga një familje reaksionare, gjë që solli dhe mosaprovimin e shokëve. Sipas Alisë, pak para përfundimit të mbledhjes, Hoxha i ishte drejtuar Shehut duke i kërkuar atij të mendohej, para se të fliste të nesërmen përballë anëtarëve të Byrosë Politike. Por, gjithnjë sipas Alisë, të nesërmen ndihmësi i Shehut i kishte telefonuar për ta informuar për vetëvrasjen e Mehmetit.

Më pas, ai kishte shkuar për t’i dhënë lajmin shokut Enver, teksa ishte duke ngrënë mëngjesin. Ky i fundit ishte shprehur i habitur. Ashtu si dhe anëtarët e tjerë të Byrosë, Hoxhës i dukej e mjaftueshme që t’i drejtoheshin Mehmetit me një “paralajmërim të thjeshtë” për sjelljet e tij dhe lidhjet e djalit të tij. Mes versioneve të tjera, pak a shumë të besueshme, është edhe ai i Jonuz Lutos, ish-shoferit të Mehmet Shehut. (Luto ishte shofer oficer në shërbim të grupit të shërbimit me Mehmet Shehun, qysh nga viti 1972. U përjashtua nga Partia pas vetëvrasjes së Shehut dhe u dënua me burg).

Ai pohon se trupi i shefit të tij, i gjetur në shtrat, nuk kishte shenjë plumbi dhe se ai nuk e kishte pistoletën në dorë. Madje ai pohon praninë e një lëngu të çuditshëm që ndodhej në dyshemenë e banjës. Për çudi, asnjëherë nuk u kërkua që të bëhej analiza e këtij lëngu, apo të bëhej autopsia e trupit. Pranë shtratit, Luto thotë se ka parë një gotë, tek e cila nuk kishte ndonjë gjë jo normale: Shehu kishte probleme zemre dhe duhet të pinte ilaçe. Mos ndoshta e kishin detyruar të gëlltiste ndonjë helm? Jonuz Luto shton se të vërtetën e dinë të paktën 3 persona./panorama

blank

HESHTJE E SHKATRRIM PAFUND: KUSH E SHEMBI MONUMENTIN KU U KUNORZUE GJERGJI MADH? – Nga Fritz RADOVANI

KISHA E VAUT T’ DEJËS 1361

 

Kjo ishte Kisha Monumentale e vitit 1361, në Vaun e Dejës, pranë Shkodres, ku ishte kunorzue Heroi Kombtar i Popullit heroik Shqiptar, Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe Donika…

Ndoshta edhe sot vazhdon me u dridhë toka e Shqipnisë së 1967, kur “anadollakët” e shekullit të XX, u kujtuen se në ata Troje të lavdishme dhe të lame me gjak, duheshin shembë të gjitha Ato Kisha Monumentale shekullore të Shqipnisë Martire!

Mbasi u fundosën në liqenin e hidrocentralit të Vaut të Dejës, mbi 32 Kisha Monumentale, “duhej hjedhë në erë edhe Kisha e Vaut të Dejës…”, dhe per këte veper terroriste u gjet monstra e anadollakut në PPSh e Shkodres nga Ramiz Alia, Fadil Ymeri.

“Askush” në “pseudo-Akademinë Shkencave” të Tiranës, as sot “nuk e di se kush urdhëroi me i shembur Kishat Monumentale në Shqipërinë socialiste të turkoshakut terrorist Ever Hoxha!”

Europa vazhdon me “heshtë”! Shqiptarët heshtin… Heshtja e turpi e kanë mbulue atë vend! “Rilindja” u ka sigurue pa triska “buk’ e marre”, sa po do, madje, dhe me eksportue. Me kusht: “Vetem të shfarosni e shkatrroni Shqipninë e Gjergj Kastriotit –  Skenderbeut dhe Nanë Terezes !” A doni edhe dokumenta?

Edhe dokumentat ja ku i keni:

 

JA TESTAMENTI I ANADOLLAKUT TIRAN EVER HOXHA:

Tiranë, më 27 SHKURT 1967:

blank

 

Shenim F.Radovani: Falnderoj botuesin e letres së plotë të diktatorit: http://www.panorama.com.al/zbardhet-letra-sekrete-e-enver-hoxhes-kleriket-me-perjashtim-te-katolikeve-jane-injorante-dine-lutje-permendesh-si-hoxhallaret-por-do-i-rrafshojme-nga-faqja-e-dheut/              Melbourne, 16 Janar 2022.

blank

“Kur erdhën në burg djemtë e Mehmet Shehut, Todi Lubonja menjëherë i afroi dhe…” Përgjimet në burgun e Burrelit dhe dosja sekrete e vitit 1984

Publikohet një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese.

Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit.

Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti.

Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Raport-informacion i Punëtorit Operativ të burgut të Burrelit, Vehap Kuka, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “I penduari”, lidhur me bisedat e bëra nga disa të dënuar në atë burg

Pjesa e dyzetë e nëntë

Marrë nga B.Op. V. Kuka

Xhavitit Dhënë nga B.p. “I penduari”

Raport i datës 5.6.1084

Ai njofton se më datën 4.6.1984, në orën e ajrimit në oborr, Gjergj Titani i tha atij se: “Xhavit Qesja flet me urrejtje të papërmbajtur për Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin, kjo sepse Todi është shumë i poshtër dhe më tha se Xhaviti, se ato që kam, në varr do t’i marr, përse i ruan?

Todi është një turjelë dhe mund ta ketë ngacmuar Xhavitin, por ai e ka kuptuar. Unë e njoh mirë Todin, ai është një bufon. Ç’qe ajo që bëri kur erdhën me djemtë e Mehmet Shehut, që menjëherë i morri si në kujdestari, i ndihmonte dhe ekonomikisht, gjë që Todi se ka për natyrë.

Kjo nuk qe një keqardhje e thjeshtë, por i ka rrënjët e thella. Këta të dy, Todin e Fadilin, Mehmeti ku nuk i dërgoi, në Japoni, në Suedi, në Zelandën e Re, etj. Por kur pa se lëvizën, i futi brenda.

Todi dhe Fadili e kishin shpresën e lirimit të Mehmet Shehu dhe atij i kanë shkruar letra, por kurë vrau veten, thanë gjithë ato, që u zhduk obskurantizmi dhe u bënë thirrje të tjerëve të shkruanin letra. Por tani, interesohen për djemtë e tij dhe duan t’i ndihmojnë”?

“I penduari”

Sqarim: Gjergj Titani, është i dënuar anti-parti, ndiqet në 2/A, si agjent i mundshëm i Zbulimit polak.

Xh. Qesja, T. Lubonja dhe F. Paçrami, janë të dënuar anti-parti, ndiqen në 2/A për agjitacion e propagandë armiqësore.

Vlersimi: Raporti ka vlerë operative, në të del se Xhaviti dhe Gjergji kanë dijeni për aktivitetin armiqësor të Todit dhe Fadilit në bashkëpunim me poli-agjentin M. Shehu dhe pasuesit e tij. Por del se dhe Gjergji nuk i flet për çka di konkretisht rreth këtij problemi, bashkëpunëtorit.

Detyra: B.p. ju dha detyrë që krahas detyrave që ka në drejtim të të dënuarve të tjerë antiparti, dhënë në takimin e mëparshëm, të zhvillojë biseda me Gjergjin, lidhur me veprimtarinë e përbashkët armiqësore me poli-agjentin dhe lidhjet e tij. Konkretisht, me Gjergjin do të zhvillosh këtë bisedë:

“Unë habitem me ty Gjergj, deri dje më afër nga të gjithë mbaje Todin dhe Fadilin dhe të besoj se mund të kenë biseduar edhe gjëra të karakterit sekret shtetëror dhe të veprimtarisë armiqësore së bashku me poli-agjentin dhe lidhjet e tij, por mua nuk më besohet që Todi sidomos, por dhe Fadili, të nxjerrin këmbët e tyre prej gjarpri, kjo edhe për faktin se ato mundohen të mësojnë sekretet nga të tjerët dhe unë mendoj që për vete duhet të ruhem.

Kjo për më tepër që ata e dinë që ti shpesh del në komandë për probleme të ndryshme?! Megjithatë, çfarë nuk ndodh?! Po tek Xhaviti, çfarë deshët të mësonit dhe ky i fundit pse i urren kaq shumë, kur dihet nga të gjithë se kanë pasur afrimitet të ngushtë?!

Masat Operative: Raporti të studiohet nga drejtuesit e Degës dhe të shtypet sipas implikimeve dhe të shfrytëzohet për informacion në Degën e VIII në Ministri.

Punëtori Operativ

Vehap Kuka

Relacioni sekret i Punëtorit Operativ të burgut të Burrelit, Vehap Kuka, lidhur me realizimin e detyrave të dhëna për përpunimin aktiv 2/A të dënuarit Xhavit Qesja, si dhe porositë e dhëna për bashkëpunëtorët “Butrinti”, “I penduari” dhe “Shkëmbi 1”

Sekret

Ekzemplar i vetëm

Burrel, më 29.6.1984

R E L A C I O N

Mbi realizimin e detyrave të ngritura në drejtim të objektit të përpunimit aktiv 2/A Xhavit Qesja.

Detyrat e ngritura në planin e masave agjenturore operative të datës 22.3.1984, në drejtim të objektit të përpunimit aktiv 2/A Xhavit Qesja, janë realizuar si më poshtë:

Janë drejtuar me detyra të studiuara në drejtim të objektit B.p. “Butrinti” dhe “I Penduari”, të cilët kanë dhënë për aktivitetin armiqësor që zhvillon objekti në radhët e të dënuarve të tjerë.
Është korresponduar me D.P. Brendshme Krujë dhe Durrës për të ardhur e koordinuar për ndjekjen e përbashkët të objektit dhe të lidhjeve të tij, por deri tani nuk kanë ardhur.
Është studiuar dhe mbajtur afër i dënuari Hazbi Lamçe, i cili ka deklaruar për aktivitetin armiqësor që zhvillon objekti me lidhjet e tij.
Në drejtim të objektit është drejtuar edhe B.p. “Shkëmbi 1”, por ky B.p. nuk mundi të fitojë besimin e objektit.
Është kontrolluar dhe asistuar dhe korrespodenca dhe takimet që ka kryer objekti me lidhjet e tij familjare, nga ku ka rezultuar se objekti ka zhvilluar aktivitet armiqësor në korrespodencë.
Është porositur agjentura në radhët e efektivit dhe na ka informuar për lidhjet shoqërore të objektit.
Kohet e fundit, objekti i ka kufizuar bisedat me të dënuarit e dhomës dhe nuk është siguruar informacion.

Punëtori Operativ

Vehap Kuka

Zv/Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme

Hysen Dema

Raport-informacioni sekret i Punëtorit Operativ të burgut të Burrelit, Piro Nuredini, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “I penduari”, lidhur me bisedat dhe opinionet e disa të dënuarve që vuanin dënimin në atë burg

Marrë nga P.Op. Piro Nuredini

Dhënë B.p. “I penduari”

Burrel, tetor 1984

Sekret

R A P O R T

Mbi disa mendime që mund të formulohen shkurtimisht nga shfaqjet të ndryshme të të dënuarve të M.E.S.-it (antiparti-P.N.)

Megjithëse për të gjitha shfaqjet e ndryshme që janë dëgjuar, si nga persona të veçantë, gjithashtu edhe si grupime, është relatuar vazhdimisht. Tani po bëj një përmbledhje të shkurtër që del gjatë gjithë kësaj periudhe që unë bashkëjetoj me ta:

Siç duhet këtu në MES ka të dënuar shumë të vjetër, me dënime të përsëritura, të rinj me dënime të ndryshme që përfshihen që nga organizata tradhtare, për tradhti ndaj atdheut, puçistë, për sabotim dhe për agjitacion e propagandë.

Si mbas mendimit tim, për të nxjerrë përfundime sa më të drejta dhe objektive, në radhë të parë, duhet ditur saktësisht se si ka qenë dhe si është qëndrimi i tyre ndaj krimit dhe fajeve që kanë bërë, për të cilin janë dënuar e pastaj për qëndrimin që kanë mbajtur e mbajnë në vazhdimësi gjatë kohës në burg, si dhe cili është mendimi i tyre përfundimtar për të ardhmen.

Pikërisht rreth këtyre pyetjeve kryesore mendoj të jap disa mendime, të cilat nuk janë nga konsideratat që mund të kenë unë për ta, por që kanë dalë nga vetë shprehjet e tyre në kohë të ndryshme dhe që unë i kam relatuar hollësisht sipas rastit.

Gjithashtu në këto pak përfundime unë nuk kam për qëllim të tregoj edhe atë, çfarë këta përfaqësojnë si persona, për karakterin e tyre dhe si njerëz në përgjithësi, sepse për këtë kam shkruar gjatë më përpara.

Nga shfaqjet e çdo njeriu në përgjithësi del se, së pari: grupimi kryesor dhe që përfshin shumicën dërmuese, është ai i atyre që nuk kanë njohur dhe s’njohin të kenë asnjë fajësi dhe se e quajnë veten, se janë të dënuar padrejtësisht.

Në këtë grup hyjnë: Maqo Çomo, Bardhyl Belishova, Xhavit Qesja, Gjergj Titani, Fadil Paçrami, Gjin Marku, Todi Lubonja, Sadik Bekteshi, Vaskë Gjino, Arif Hasko, Andon Sheti e Abaz Fejzo.

Ky është grupimi kryesor, por edhe në këtë ka pikëpamje e mendime të ndryshme. Këta kanë thënë, ose thonë se dënimi i tyre është i padrejtë, sepse nuk kanë pasur asnjë bazë ligjore, me ato pikëpamje me ato mendime që kanë pasur, kanë qenë konform vijës së Partisë, por në kushte e rrethana të ndryshme, nuk u kanë interesuar njerëzve të udhëheqjes, ose u duhej të mbahej ky qëndrim udhëheqësve të Partisë dhe të shtetit, por qëllimet e tyre dhe të konjukturave të ndryshme.

Këta jo vetëm që krimin, ose fajin e tyre i konsiderojnë të paqena, por kanë shprehur vazhdimisht, e sidomos mbas vetëvrasjes së poli-agjentit Mehmet Shehu, se dhe gjithë dënimet e tjera dhe sidomos ato të grupeve kryesore, kanë qenë të padrejta dhe të sajuara nga lart, duke filluar që nga ai i Teme Sejkos e deri tani së fundi.

Më aktivi në shfaqjen e këtyre mendimeve dhe që ka përpunuar dhe të tjerë, është Maqo Çomo, Bardhyl Belishova, Todi Lubonja dhe tani së fundi gjithë grupi i ushtarakëve (me përjashtim të Halim Rahomitos), duke përfshirë në këtë edhe Kiço Ngjelën, megjithëse ky mundohet të mos dalë hapur në me atë të tjerëve.

Për këto mendime Maqua, që është pothuajse “kartoteka” e gjithë farë mendimesh e shfaqjesh e të dënuarave, s’lë njeri, e sidomos ushtarakëve, pa ju thënë, duke i zënë një e nga një në mënyrë që t’i bindi, se këto janë kështu siç thotë ky.

Si përfundim i mendimeve që ka çdo njëri vetë për këtë çështje, si dhe gjykimeve që janë bërë këtu nga thëniet e mësipërme, është arritur në disa mendime rreth fajësisë.

Disa absolutizojnë fare, se nuk pranojnë të kenë asnjë fajësi, disa thonë ashtu i është dashur dhe udhëheqjes për qëllimet e tyre, kurse disa të tjerë, j’ua ngarkojnë fajet përgjegjësve të tyre që kanë pasur, ose shokëve që kanë punuar me ta.

Kurse disa tani ja dedikojnë grupit të fundit të poli-agjentit Mehmet shehu. Kiçua dhe Rrahmani (Parllaku-P.N.), janë me këto të fundit. Nga ushtarakët, vetëm Halim Ramohito pranon se ka fajësi dhe me gjithë përpjekjet që bënë këta të tjerët për të hequr dorë nga ky mendim, ai nuk u lëkund.

Së dyti: Pikëpamjet e tyre, janë për atë se tek ne nuk ka një politikë të drejtë, se nuk ka udhëheqje kolegjiale, se nuk ka një demokraci të vërtetë, se edhe tek ne bëhet luftë për pushtet, se nuk mund të ecim, me forcat tona.

Se zhvillimi ekonomik tek ne duhet të kishte shkuar më përpara, se standardi i popullit tonë është shumë i ulët dhe kjo, sepse jemi shkëputur nga miqtë e sidomos nga Bashkimi Sovjetik e Kina./Memorie.al

blank

Familja Tasi Krenari Shqiptare! Nga Denata Rroji

 

Rrallë me hasë n’ historinë e shekullit të 20- të familje në Shqipëni që i dhanë vendit tyne gjithë kontirbutin e vyem intelektual, nga fortunat e historisë, fatkeqësisht edhe jetën e tyne në burgje dhe internime përgjatë diktaturës komuniste. Kjo familje klasi, ka plot tri breza që vazhdon e kontribuon për vendin tonë.

Dinastia Tasi, asht nji nga familjjet me të vjetra të Përmetit, e cila kishte nis tregtinë rreth viteve 1800 me Rumaninë. I pari i “Dinastise Tasi” njihej si një tregtar me za për zonën, i suksesshëm, i cili jetonte mes Rumanisë e Shqipnisë. Ai u martu me nji vajzë shqiptare, e mori në Rumani me jetu dhe kriju së bashku familjen dhe mirëqënien. Nga kjo martesë lindën dy djemtë Koço dhe Akil Tasi dy personalitete shqiptare që ende sot nuk kanë vëmendjen e duhun nga historia, gazetaria, shkenca dhe letersia. I jati i dy djemve, ndahet nga jeta i ri, duke i lanë të dy ata shumë të vegjël.

Gruaja e mbetun e ve tashma, Polilseni, merr rrugëtimin e gjatë per tú kthy në Shqipni, në atë kohë vetëm me transport kafshësh bëhej, duke marrë me vedi përgjegjësinë e një udhetimi të gjatë e të rrezikshëm, ngarku mall dhe gja mbi kafshët, por përmbi gjithçka ngarku dy vocerrakët e saj Koço dhe Lekë Tasi, të cilët i kishte vendosë në dy shporta prej kashte.

Të dy femijët pa babë, u rritën nga kujdesi i dajave dhe i axhave, me nji edukatë të admirueshme dhe me dashuni për arsimim dhe për vendin e tyne.

Koço Tasi, i lindun në Rumani, jurist i diplomum në Romë, ishte deputeti i parlamentit të parë shqiptar, që del pas Kongresit të Lushnjës. Ka kenë, po ashtu, Ministër i Drejtësisë dhe Prefekt i Gjirokastrës në momentet më të randa, kur ky qytet kërcënohej nga grekofilët. Koço-ja ka kenë Guvernator i Kosovës, kur Kosova ishte Shqipni, dhe ideatori e themeluesi i administratës lokale të kësaj toke shqiptare.

Gazetari Agron Shala shprehet “ Është meritë e tij hapja e shkollave shqipe në tokat e çliruara (ku përfshihen edhe ato në Maqedoni). Ernest Koliqi, si ministër i Arsimit të Shqipërisë, vendosi të na i sillte mësuesit. Por, Koço Tasi u kujdes për objektet, financimin dhe mbarëvajtjen e mësimit. Teksa meritat e Koliqit së paku verbalisht çmohen, Koço Tasi është tërësisht i harruar.”

Koço Tasi pse ishte nji politikan dhe patriot i viteve ’20 , burgoset në burgun e Burrelit. Shkollimi, dija, kultura dhe përvoja e tij në politkë dhe administratë, i lindën si nevojë për me shkru idetë e tij të mbetuna peng, në veprën juridike “E Drejta”, të cilën askush nga akdemikët apo rrethet e interesuara për këtë fushë nuk e pa te “arsyeshme” me e botu si nji vepër të vyeme në fushën e jurispodencës. Veçse familjarët, askush tjetër nuk do ishin botuesit e kësaj vepre.

“Vepra e vogël” – kështu e quante Koço Tasi – e shkrueme në gegnisht, e pa dritën e botimit në mars të vitit 2011, nën kujdesin e të birit Lekë Tasi.Te ky libër, i biri Lekë tregon se fletoret ku u shkrua “E drejta” i ranë në dorë në vitin nëntëdhjetë, falë ish-të burgosunit të Burrelit, Çaush Çoku, që sapo ishte liru.”

Nga “Gjyqi Special”, për krimet e luftës që u zhvillua në mars-prill 1945, Koço Tasit iu dha dënimi me vdekje e burg të përjetshëm. Ai bani 20 vjet burg duke lanë Burrelin në pleqni të thellë, në vitin 1965, pa mujt me marrë me vete ato çka pati shkru brenda dënimit fizik. Autori ndërroi jetë një vit më pas, ne vitin 1966.

Vëllai i tij Akile Tasi, diplomum për degët “Gazetari dhe Shkenca Politike” në Romë, ishte nji ndër bashkëpunëtorët kryesorë të Faik Konicës te “Vatra”.

Ai ka punuar Drejtor i Bibliotekës Shqiptare, Ministër Kulture i Shqipënisë, si dhe ka udhëheq mediume profesionale, si “Bashkimi i Kombit”, ku kryeredaktor kishte emëru Gjergj Bubanin dhe redaktor Mustafa Greblleshin. Në këtë gazetë të përditshme, Mitrush Kuteli boton “Poemin Kosovar”.

Akileja do të vdiste në burg të Burrelit, sot asht i pavarr.

Kontributi intelektual i familjes Tasi nuk mbaron me kaq, por buron prej të parëve si ai uji që dhe pse ia prishin rrjedhën ai gufon si nevojë e natyrës për me u derdh e me përmbush misionin e tij burimor.

I biri i Koço Tasit, Napoleoni, njohës shumë i mirë i pesë gjuhëve të huja, falë kësaj dhuntie dhe pasionit të pamatë ndaj letërsisë, përkthen “Sonetet” e William Shakespeare, John Keats-it, Lord Byron. Dhe pse vujti 8 vite burg ai vujti dhe gjithê persekusionin psikologjik të çdo lindje të ditës së re dhe pse në “lirim”.

Tefta Tasi, e bija e Koço Tasit ndër kangëtaret e para lirike, ndër vajzat ma me nur dhe delikatesë në shfaqjet koncertore dhe në ambientet artistike, u shpërblye me vujtje, për vite të tëna, në kampet e internimit. Vajza me shpirtin dhe zanin lirik u përball me punët ma të randa dhe me luften e ashpër të klasave duke nxistë popullin, njeriun e ri që po formohej , t’i shfaqnin haptazi urrejtjen , përbuzjen dhe gjuajtjen me gurë kur ajo shfaqej para tyne, si njeriu që nuk ishte i denjë për klasën e fshatarësisë , atje ku vuante internimin si “gruaja e deklasueme”.

Intelektualet e kësaj familje pasohen me djalin tjetër, Ylli Tasi , inxhinieri i shquem, i cili mbaroi studimet në degën ” Inxhinieri-Mekanike” në Tiranë. Ylli njihet për shpikjet inxhinierike përparimtare për kohën e tij, në nivel ndërkombëtar, motorët dhe pompat, të cilët do të lehtësonin industrinë dhe revulucionarizonin ekonoiminë në prodhimin e rrotave dhe të pllakave.

E për rrjedhojë, Inxhinieri Tasi shpërblehet me dy “Patenta” një europiane dhe një amerikane në lidhje me shpkijen më të madhe për kohën , të motorit pa kodollok. Ishte një shpikje e thejshtë, por shume inovatore për indrustrinë. Dhe ky shkenctar si familjarët, u shpërblye me vuajtje dënimi me burg dhe internimi.

Sot pët fatin tone të mire jeton vëllai i tyne, artisti pamor, Lekë Tasi. Ai asht ndër njerëzit e rrallë që përjetoi disa sisteme mes vuajtjeve dhe andrrimeve. Çdo eksperiencë të ithët, Leka e përktheu në motiv jete e zotësi me prodhue art. Ai meriton me jetue dhe plot vite si shembull i një idealisti dhe njeriu të rrallë.

Shkrimtari Stefan Çapaliku shruan: “Lekë Tasin , u lind më 15 prill 1929, në Athinë. Leka, studion muzikë dhe në periudhën l946-l967 punësohet si violonçellist në Radio, Filarmoni dhe më vonë në Teatrin e Operas. Me ashpërsimin e luftës së klasave, pushohet nga puna, dhe detyrohet me punu punëtor krahu, përkthyes dhe piktor. Në l975 internohet familjarisht në Grabjan të Lushnjës, ku kalon 15 vjet. Frut i kësaj periudhe të vështirë asht libri i tij me titull: “Grabjani rrëzë kodrave”, botu në vitin 2009.

Emërohet inspektor në Sekretariatin e Fesë më l99l ku shërben deri në l998. Pas vitit 1998 merret si artist i lirë me pikturë dhe letërsi. Merr pjesë në disa ekspozita pikture dhe shkrun artikuj në shtypin e ditës, duke u përqëndru më shumë në korrigjimin e shtrembërimeve të periudhës komuniste në historiografi. Ka botu gjithashtu një roman të shkurtë “Korridori me vetratë” më 2004 dhe “Dita e Durimit” më 2017. “Dy gjëra po shoh në internim: shpresa më vjen nganjeherë, ashtu pa e kërku, si një valë nga brenda që të qetëson dhe të thotë se nuk do të vazhdojë gjatë kjo punë. E dyta ashtb për mbramjen. I jam mirënjohës këtij cikli të vogël lodhjeje dhe ripertëritjeje prej 24 orësh. Ai m’ ńihmon me jetu, ma thërmon shkambin që m’ asht caktu me mbajt. Matem përditë me një cifël të tij dhe sa për pjesën që mbetet, ajo rri e fshehun te ditët që vijnë, e përzi gati gjithmonë me një kaltërsi shprese. Më mjafton me mendu për këto që kam përpara dhe këto që kam përpara, mbarojnë sonte.” (Lekë Tasi, “Grabjani, rrëzë kodrave”, Tiranë, 2009).”

Ps. Në kujtim tandin dhe të familjes nga më të rrallat që ka Shqipëria Sandra Aleksandra Tasi

Informacion i mbledhun nga intervista ime me artistin Leke Tasi si dhe nga arkiva e Jozef Radit, nga shkrimi i Stefan Capalikut dhe i Agron Shalës.

Denata Rroji

blank

blank

 

blank

Viti që vulosi fatin e Rusisë – Nga Robert Coalson

Ushtria e Kuqe në Sheshin e Kuq në nëntor të vitit 1922, pak kohë pasi shteti shënoi pesëvjetorin e marrjes së pushtetit nga bolshevikët. Foto:AP

Rusia hyri në vitin 1922 me një qeveri të brishtë që sundonte kryesisht përmes ushtrisë, në kohën kur lufta civile po vazhdonte dhe uria po përhapej në rajonin e Vollgës. Pjesë të vendit ishin ende të pushtuara nga forcat e huaja dhe shteti ishte i izoluar ndërkombëtarisht.

Por, në fund të atij viti, bolshevikët kishin shënuar përvjetorin e pestë të grushtshtetit të vitit 1917, të njohur si Revolucioni i Tetorit, kishin përfunduar luftën civile kundër të ashtuquajturave forcave të bardha monarkiste dhe kapitaliste, kishin dëbuar gjerësisht trupat e huaja nga vendi dhe kishin nënshkruar traktatin e parë ndërkombëtar në kohë paqeje – me Gjermaninë e Vajmarit. Dhe më 30 dhjetor të vitit 1922, përfaqësuesit e qeverive sovjetike të Rusisë, Ukrainës, Bjellorusisë dhe Republikës Transkaukaziane dolën në skenën e Teatrit Bolshoi të Moskës për të shpallur formimin e një shteti të ri –që brenda më pak se dy brezave do të bëhej një superfuqi botërore – Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike.

Por, shikuar nga perspektiva e një shekulli më pas, viti 1922 shfaqet si një vit fatal për qytetarët e Rusisë dhe fqinjët e saj, vit në të cilin vendi me vendosmëri u shkëput nga e kaluara e tij. Sa i përket politikës, marrëdhënieve të jashtme dhe kulturës, ngjarjet që ndodhën dhe vendimet që u morën hodhën themelet e dekadave të shtypjes së institucionalizuar totalitare.

Ky vit do të ketë shumë përvjetor ku presidenti rus, Vladimir Putin, dhe të tjerë do të argumentojnë se rënia e Bashkimit Sovjetik ishte një “katastrofë gjeopolitike” dhe do të preferonin që të mos e kujtojnë këtë ngjarje.

Ngritja e një ‘sociopati’

“Ky është viti i parë që ne kemi pasur mundësinë që t’ia kushtojmë përpjekjet tona detyrave reale, kryesore dhe themelore të ndërtimit socialist”, deklaroi udhëheqësi revolucionar dhe themeluesi sovjetik, Vladimir Lenin në seancën përmbyllëse të Kongresit të 11-të të partisë bolshevike në Moskë më 2 prill 1922. Në këtë fjalim ai ishte fokusuar në planet e tij mbi ekonominë.

“Gjatë vitit të kaluar ne kemi treguar shumë qartë se nuk mund ta drejtojmë ekonominë”, pranoi Lenini. “Ose do të provojmë të kundërtën vitin e ardhshëm ose pushteti sovjetik nuk do të mund të ekzistojë”.

Por, në retrospektivë, vendimi më i keq i këtij kongresi ishte emërimi i një sekretari të ri të përgjithshëm të partisë: Josef Stalin, 43-vjeçar, një student i shndërruar në revolucionar.

Trupat e Ushtrisë së Kuqe duke kaluar pranë Kremlinit në Sheshin e Kuq më 7 nëntor 1922, teksa bolshevikët shënuan pesëvjetorin e marrjes së pushtetit.

Trupat e Ushtrisë së Kuqe duke kaluar pranë Kremlinit në Sheshin e Kuq më 7 nëntor 1922, teksa bolshevikët shënuan pesëvjetorin e marrjes së pushtetit.

“Ky ishte një prej momenteve më të rëndësishme të revolucionit rus, dhe edhe të shekullit 20-të”, shkroi historiani kulturor anglez, Kevin Jackson në librin e tij të vitit 2012 “Konstelacioni i gjeniut: 1922, Modernizimi, Viti i Parë”. Edhe pse posti që iu dha Stalinit ishte larg pushtetit të plotë që ai do të fitonte në vitet në vijim, megjithatë e vuri në pozitë të kontrollit të burokracisë, që do ta dominonte gjithnjë e më shumë shtetin.

Vendimi për ta emëruar Stalinin në postin e sekretarit të përgjithshëm ishte një vendim për të cilin Lenini u pendua – edhe pse ai vdiq më pak se dy vjet pas kësaj ngjarjeje.

Josef Stalini më 1920, kur ai ishte komandant politik në luftën civile. Dy vjet më vonë ai do të emërohej sekretar i përgjithshëm i partisë bolshevike.

Josef Stalini më 1920, kur ai ishte komandant politik në luftën civile. Dy vjet më vonë ai do të emërohej sekretar i përgjithshëm i partisë bolshevike.

Gjendja shëndetësore e Leninit më 1921 nuk ishte e mirë. Në maj të vitit 1922 ai pësoi një sulm dhe një tjetër në dhjetor. Atë muaj, Stalini mori kontrollin e kujdesit ndaj Leninit dhe se kush kishte qasje tek ai. Në javët e fundit të vitit 1922 dhe në ditët e para të vitit pasues, Lenini diktoi testamentin përfundimtar, ku u bëri thirrje shokëve të tij që të “mendonin për një mënyrë për ta hequr Stalinin” nga posti i tij.

Thirrja për largimin e Stalinit nuk ishte i vetmi propozim konkret në testamentin e Leninit.

“Kjo rrethanë mund të duket si një detaj i papërfillshëm… por, është një detaj që mund të ketë një rëndësi vendimtare”, shkroi ai.

“Stalini ishte sociopat”, tha historiani në Universitetin Princeton, njëherësh biograf i Stalinit, Stephen Kotkin.

“Ai nuk shfaqi as edhe dhembshurinë më të vogël apo dyshime për politikën e tij”, deklaroi Kotkin gjatë një interviste dhënë për Radion Evropa e Lirë më 2017.

“Më shumë terror” i organizuar”

Më 2 shkurt 1922, Komisioni famëkeq i Jashtëzakonshëm rus, i njohur me shkurtesën ChK ose Cheka u shndërrua në Drejtorinë Publike Shtetërore (GPU) nën udhëheqjen e Komisariatit Popullor të Punëve të Brendshme (NKVD).

Nën udhëheqjen e pamëshirshme të Feliks Dzerzhinsky, policia sekrete Cheka kishte zbatuar politikën e Leninit të njohur si Terrori i Kuq, që ishte shpallur në gusht të vitit 1918.

“Ne nuk po luftojmë kundër individëve të vetëm”, shkroi në nëntor të vitit 1918 revolucionari bolshevik dhe oficeri i Cheka-s, Martin Latis në një publikim në revistën “Terrori i Kuq”. “Ne po e shfarosim borgjezinë si klasë… Ky është thelbi i Terrorit të Kuq”, kishte shkruar ai.

Viktimat e politikës së Terrorit të Kuq të bolshevikëve në rajonin e Krimesë të Detit të Zi më 1918.

Viktimat e politikës së Terrorit të Kuq të bolshevikëve në rajonin e Krimesë të Detit të Zi më 1918.

Me sa duket, lëvizja për transformimin e Cheka-s në GPU ishte pjesë e një përpjekjeje të përgjithshme për të krijuar institucione stabile dhe kontroll politik mbi agjencitë qeveritare. Tashmë, megjithatë, ankesat për burokracinë që po lulëzonte po bëheshin aq të dukshme saqë u krijua një zhanër i tërë satirik sovjetik, duke filluar me poezinë e vitit 1922 të Vladimir Mayakovsky, e titulluar “Konferenca e Çmendur” (Prozasedavshikhsya).

Riorganizimi i Cheka-s do të mund të kishte frenuar Terrorin e Kuq. Megjithatë, në vend të kësaj institucionalizoi praktikat më të frikshme, duke përfshirë targetimin e kundërshtarëve politikë.

Vladimir Lenini në rezidencën e tij në Gorki, në periferi të Moskës, në verën e vitit 1923. Kjo fotografi është realizuar rreth gjashtë muaj para se ai të vdiste.

Vladimir Lenini në rezidencën e tij në Gorki, në periferi të Moskës, në verën e vitit 1923. Kjo fotografi është realizuar rreth gjashtë muaj para se ai të vdiste.

“ChK u transformua në GPU dhe e vendosi atë në njëfarë shkalle të kontrollit politik, duke nënkuptuar reduktim të terrorit”, tha historiani Boris Kolonsky për Radion Evropa e Lirë më 2021. “Në anën tjetër, terrori u bë i organizuar”.

“Më 1922, ata mbajtën gjykimin e revolucionarëve socialistë”, tha Kolonsky, duke iu referuar rivalëve kryesorë politikë të mbetur të bolshevikëve. “Dhe një prej kufizimeve më të ashpra ishte kufizimi i diskutimit të lirë dhe fraksionizmit brenda vetë partisë bolshevike”.

Ndërsa u zbeh kërcënimi nga ushtritë e bardha në luftën civile, kjo strukturë e re iu nënshtrua ndryshimeve. Reforma nënkuptonte që autoriteti i Cheka-s për të kryer ekzekutime pa gjyq u hoq përkohësisht, por GPU shumë shpejt zgjeroi praktikën e dërgimit të “armiqve” politikë dhe ekonomikë në ekzil në Siberi dhe në veriun e largët.

Kampi i parë gulag u hap në ishujt Soolovetsky më 1923. Një vit më vonë, agjentët e GPU-së u autorizuar edhe një herë që të kryenin ekzekutime “nën rrethana të caktuara”.

“Ndihmë bujare… fatkeqësi e tmerrshme”

Ngjarja më e tmerrshme në Rusi dhe në botë më 1922 ishte uria në rajonin e Vollgës. Vlerësohet se të paktën pesë milionë persona vdiqën, që ishte katastrofa më e madhe e shkaktuar në Evropë që prej Mesjetës, që nuk ishte shkaktuar nga ndërhyrja ushtarake.

“Më 1921-22 ne pamë uri masive dhe numër të madh të viktimave”, tha për REL-in historiani, Viktor Kondrashin.

Fëmijtë në rajonin Samara, gjatë urisë së vitit 1921-22.

Fëmijtë në rajonin Samara, gjatë urisë së vitit 1921-22.

Uria u shkaktua nga një sërë ngjarjesh, fillimisht nga thatësia e madhe që goditi shtetin e varfëruar nga Lufta e Parë Botërore dhe nga lufta civile. Përveç kësaj, bolshevikët – të privuar nga ushtritë e bardha që të kishin qasje në rajonet ku prodhohej ushqimi – kishin kërkesa çnjerëzore për këtë rajon.

Kondarshin tha se janë dokumentuar ngjarje të tmerrshme, përfshirë “kanibalizmin, varrezat masive dhe vetëvrasja e familjeve të tëra, për shkak të urisë”.

Më 1918, Lenini dërgoi Stalinin në qytetin Tsaritsyn – që më vonë u quajt Stalingrad dhe tani njihet me emrin Volgograd – për të kërkuar ushqim. Urdhri i tij ishte: “Ji i pamëshirshëm”.

“Ne nuk do të kemi mëshirë për askënd”, ishte përgjigjur Stalini.

Në korrik të vitit 1921, shkrimtari Makism Gorky lëshoi një apel “për të gjithë njerëzit e ndershëm” duke kërkuar ndihmë për urinë. Ky apel arriti në tavolinën e Sekretarit amerikan të Tregtisë, Herbert Hoover i cili ia ktheu letrën duke i thënë se ishte i gatshëm të krijonte programin e Administratës amerikane të Ndihmës (ARA) në Rusi, nëse Qeveria sovjetike zyrtarisht do të kërkonte një gjë të tillë dhe të kuptonte se kjo ndihmë nuk do të nënkuptonte se SHBA-ja po e njihte Qeverinë sovjetike.

Fëmijët duke u ushqyer në një sallë ngrënieje në Pokrovsk (tani njihet me emrin Engels) në rajonin Samara.

Fëmijët duke u ushqyer në një sallë ngrënieje në Pokrovsk (tani njihet me emrin Engels) në rajonin Samara.

Kjo ofertë ishte mjaft kundërthënëse në SHBA, ku shumë argumentuan se uria mund t’i jepte fund bolshevizmit në Rusi. Megjithatë, sekretari Hoover insistoi se “ne duhet të bëjmë ndarjen mes popullit rus dhe një grupi të njerëzve që kanë marrë udhëheqjen e Qeverisë”.

Shumë persona në Qeverinë sovjetike, veçanërisht Leon Trotsky, kundërshtuan planin, duke argumentuar se kjo do të bënte që bizneset dhe bankat amerikane të vinin në Rusi. Megjithatë, sovjetikët pranuan menjëherë kushtet e Hoover. Në gusht të vitit 1921 u nënshkrua një marrëveshje dhe Kongresi amerikan alokoi 20 milionë dollarë për programin. Duke përfshirë edhe 18 milionë dollarë nga Qeveria ruse dhe nga donacionet private, Hoover mblodhi 78 milionë dollarë për këtë kauzë.

Personat e prekur nga uria përkulen para një zyrtari amerikan që solli ndihmë më 1922 në Samara.

Personat e prekur nga uria përkulen para një zyrtari amerikan që solli ndihmë më 1922 në Samara.

Më 1922, përmes programit ARA çdo ditë ushqeheshin 10 milionë persona, duke sjell të paktën 768 milionë tonë ushqim. Po ashtu u punësuan 125,000 rusë. ARA po ashtu ofroi rroba e ilaçe. Ky program ndihmoi 16,000 spitale, që trajtonin gjysmë milioni njerëz në baza ditore. Programi parandaloi shpërthimin e kolerës në këtë rajon. Po ashtu kontribuoi në rritjen e eksporteve të ushqimit, që solli përfitim për Qeverinë sovjetike më 1922 dhe 1923.

“Qeveria e popullit rus nuk do ta harrojë kurrë këtë ndihmë bujare që u ofrua në këtë kohë të tmerrshme”, kishte thënë Lev Kamenev, zëvendësdrejtor i përpjekjeve për lehtësimin e urisë në Rusi. Këto komente ai i kishte bërë në një letër drejtuar përfaqësuesit të programit ARA, William Haskell.

Në shkurtin e vitit 1923, ARA vlerësoi se edhe tetë milionë rusë kishin nevojë për ndihmë për shkak të urisë dhe Qeveria sovjetike njoftoi se do të riniste eksportet e drithit. Por, mbështetja perëndimore për programin ARA nisi të zbehet në mars, kur Qeveria sovjetike gjykoi dhjetëra klerikë ortodoksë rusë, përfshirë edhe priftin Konstantin Budkevich, për organizimin e protestave paqësore kundër sekuestrimin e pronës së kishës nga shteti. Të gjithë të pandehurit u dënuan me burgime të gjata, përveç Budkevich, që u ekzekutua dhe u varros në një varrezë masive.

Një familje e prekur nga uria në fshatin Asekeyevo, në Tatarstanin e sotëm, më 1921.

Një familje e prekur nga uria në fshatin Asekeyevo, në Tatarstanin e sotëm, më 1921.

ARA vendosi që të përfundonte misionin në Rusi. “Hoover tha se kurrë nuk kishte qenë më i lumtur sesa të përfundonte këtë punë ruse”, kishte thënë një zyrtar amerikan. “Ai ishte i neveritur me bolshevikët dhe nuk besonte se nën udhëheqjen e tyre do të mund të krijohej ndonjë qeveri praktike”.

Nën udhëheqjen e Stalinit në vitet 1930 historia e ARA kishte filluar të shtrembërohej. Rusët që kishin marrë pjesë në këtë projekt u persekutuan në vitet ’50. ARA ishte “ishte një aparat spiunimi në Rusinë sovjetike dhe mbështeste elementet kundër-revolucionare”, thuhej në Enciklopedinë Sovjetike të vitit 1950. Ndërkaq, në një libër shkollor të vitit 1962 ishte shkruar se qëllimi i këtij projekti ishte “të organizonte në mënyrë të fshehur forcat kryengritëse”, duke shtuar se këto kërcënime u eliminuan nga GPU.

Por, Douglas Smith, autor i një libri që flet se si SHBA-ja e shpëtoi Bashkimin Sovjetik, tha se ndihma e ARA ishte e krahasueshme me ndihmën që Evropa dhe SHBA-ja dhanë për ish-shtetet sovjetike pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Ai tha se në periudhën 1992-2007, SHBA-ja ofroi 28 miliardë dollarë ndihmë për ish-shtetet e Bashkimit Sovjetik.

“Më 1999 vetëm Rusia kërkoi pesë milionë tonë ushqim ndihmë nga SHBA-ja, në vlerë prej dy miliardë dollarësh…. Nga 1999 deri në 2000, ndihma e SHBA-së dhe Evropës dhënë Rusisë kaloi ndihmën që i është dhënë të gjithë kontinentit afrikan”, tha ai.

Takimet sekrete

Më 16 prill 1992, Rusi sovjetike theu izolimin ndërkombëtar duke nënshkruar Traktatin e Rapallës me Gjermaninë e Vajmarit. Pas Luftës së Parë Botërore dhe Traktatit të Versajës, të dyja shtetet ishin të izoluara në aspektin diplomatik.

Traktati i Rapallës rivendosi marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve dhe hapi rrugën për rritjen e bashkëpunimit ekonomik. Edhe pse në marrëveshje nuk kishte pika për bashkëpunimin ushtarak, ajo i hapi rrugë rritjes së bashkëpunimit – në kundërshtim me Traktatin e Versajës – që nisi përmes disa takimeve sekrete të bëra në verën e vitit 1922. Gjatë viteve pasuese, Gjermania hapi në Bashkimin Sovjetik shkollë aviacioni, një uzinë për armë kimike dhe një bazë për testimin e tankeve.

“Këto baza ndihmuan në modernizimin e Ushtrisë së Kuqe dhe luajtën rol kyçë në zhvillimin e teknologjike ushtarake që do të ndihmonin në rilindjen e ushtrisë gjermane nën Hitlerin”, shkroi më 2016 analisti Ian Johnson.

Në Gjermani, ky traktat u pa nga disa si kërcënim në rritje “të bolshevizmit hebre” që çoi në rritjen e aktiviteteve nga ekstremi i djathtë. Në qershor, 1922 vetëm dy muaj pas nënshkrimit të traktatit, ministri i Jashtëm gjerman, Walther Rathenau u vra nga në grup terrorist i krahut të djathtë. Në një prej fjalimeve të tij të para në Mynih në gusht të vitit 1922, Adolf Hitler paralajmëroi se “bolshevizmi hebre po afrohej nën mbështetjen e republikës”. Në Itali, lideri fashist Benito Musolini u bë kryeministër në muajin tetor.

S’ka vend për “heretikët, ëndërrimtarët dhe rebelët”

Viti 1922 ishte vit fatal edhe në aspektin kulturor në Rusi. Krahasimi i kulturës ruse më 1920 me 15 vjet më vonë është një ndryshimeve më drastike që kanë ndodhur në një periudhë kaq të shkurtër kohore. Historiania e artit, Camilla Gray, në studimin e saj “Eksperimenti rus në art: 1863-1922”, konsideron se viti 1922 ishte viti i fundit i një prej shpërthimeve më të mëdha kulturore në histori.

Shkrimtari rus, Boris Pilnyak, që së bashku me Maksim Gorkyn, ishte një shkrimtar i famshëm rus në vitet 1920. Ai u ekzekutua pasi u cilësua si "spiun japonez" nga policia sekrete e Stalinit më 1938.

Shkrimtari rus, Boris Pilnyak, që së bashku me Maksim Gorkyn, ishte një shkrimtar i famshëm rus në vitet 1920. Ai u ekzekutua pasi u cilësua si “spiun japonez” nga policia sekrete e Stalinit më 1938.

Më 1922, Boris Pilnyak publikoi “Viti Lakuriq”, që ishte romani i parë i shkruar për puçin e tetorit të vitit 1917. Më 21 prill 1938, ai u dënua për komplot për vrasjen e Stalinit dhe të njëjtën ditë u vra dhe u varros në një varrezë masive në Moskë.

Po ashtu më 1922, Yevgeny Zamyatin mbante lexime private për romanin e tij “Ne” që e kishte shkruar një vit më parë, në të njëjtin vit që kishte shkruar esenë “Nuk jam i frikësuar” ku argumentonte se në shtetin bolshevik nuk kishte vend për “të çmendurit, vetmitarët, heretikët, ëndërrimtarët, rebelët dhe skeptikët”. Ai vdiq në ekzil në Paris më 1937. Romani “Ne” ishte publikuar në Nju Jork në versionin anglisht më 1924 dhe në rusisht u publikua më 1952, por në Bashkimin Sovjetik arriti më 1988, vetëm tri vjet para rënies së shtetit. Kritikja e artit, Mirra Ginsburg ka shkruar se “si [Mikhail] Bulgakov dhe [Isaak] Babel, Zamyatin na jep detaje lidhur me letërsinë post-revolucion në Rusi, se si mund të dukej ajo po të kishte pavarësi, guxim dhe individualitet dhe po mos të shtypej dhunshëm nga diktatura”.

Yevgeny Zamyatin së bashku me gruan e tij, Lyudmila. Ai shkroi në romanin e tij "Ne": "Si mund të ketë një revolucion përfundimtar? Nuk ka një të tillë, revolucionet janë të pafundme".

Yevgeny Zamyatin së bashku me gruan e tij, Lyudmila. Ai shkroi në romanin e tij “Ne”: “Si mund të ketë një revolucion përfundimtar? Nuk ka një të tillë, revolucionet janë të pafundme”.

Bolshevikët, pasi morën pushtetin, e kthyen vëmendjen te ribërja e shoqërisë. Më 1921, Qeveria ktheu sytë nga Kisha Ortodokse Ruse, duke propozuar konfiskimin e pronës së Kishës, por më 1922 Lenini kishte plane më ambicioze. Në një memorandum më 19 mars të atij viti, Lenini kërkoi një “takim sekret” ndërmjet liderëve politikë, krerëve të GPU-së dhe Komisariatit të Drejtësisë”, për të arritur një zgjidhje, që do të miratohej, dhe zhdukja e plotë e Kishës të bëhej “pa mëshirë” dhe sa më shpejt.

Udhëheqësi bolshevik, Vladimir Lenini kishte pësuar dy sulme më 1922 dhe pratikisht ishte lënë anash në jetën politike të vendit. Ai vdiq më 21 janar 1924.

Udhëheqësi bolshevik, Vladimir Lenini kishte pësuar dy sulme më 1922 dhe pratikisht ishte lënë anash në jetën politike të vendit. Ai vdiq më 21 janar 1924.

“Sa më i madh të jetë numri i klerikëve reaksionarë dhe i borgjezisë reaksionare që do të mund të pushkatojmë, aq më mirë, sepse kësaj ‘audience’ duhet t’i jepet një mësim që të mos guxojnë të mendojnë për çfarëdo rezistence për disa dekada”, kishte shkruar lideri bolshevik.

Historiani Aleksandr Margolis i kishte thënë REL-it më 2016 se fushata kundër Kishës ishte kryer “në mënyrën më barbare”.

“Sigurisht, kleri tentoi që ta ndalonte. Por, përgjigja ishte e qartë: sa më shumë klerikë të varur, aq më mirë”.

Në natën ndërmjet 12 dhe 13 gushtit, bolshevikët vranë klerikët e mitropolitit të Petrograd, Veniamin dhe klerikë të tjerë dhe i varrosën në një varrezë masive. Më 1992, një vit pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Veniamin dhe persona të tjerë që u ekzekutuan me të, u shenjtëruan. Sipas dekretit thuhej se nëse mbetjet e tyre mortore do të gjendeshin, ato do të konsideroheshin si “relikte të shenjta”.

Lenin kishte plane të ngjashme për elitën intelektuale ruse. Fushata kundër intelektualëve kulmoi në shtator-nëntor 1922, kur tri anije u nisën nga Petrograd për në Perëndim. Në bordin e anijeve, agjentët e GPU kishin grumbulluar shumicën prej mendimtarëve më të shquar të vendit, së bashku me familjet e tyre dhe i dërguan në ekzil. Në këto anije, që u quajtën “Anijet e filozofëve”, u dëbuan nga vendi filozofët Nikolai Lossky, Yuly Aikhenvald, Nikolai Berdyayev, Sergei Bulgakov dhe Semyon Frank.

Anija gjermane Oberburgermeister Haken, ishte një prej të ashtuquajturave "Anije të filozofëve". Kjo anije barti intelektualët rusë për në Perëndim më 1922.

Anija gjermane Oberburgermeister Haken, ishte një prej të ashtuquajturave “Anije të filozofëve”. Kjo anije barti intelektualët rusë për në Perëndim më 1922.

Po ashtu u largua edhe Ivan Ilyin, një mendimtar fashist që kishte shkruar artikullin e vitit 1933 të titulluar “Socializmi kombëtar: Shpirti i ri”. Ilyin më 2005 u lavdërua nga Vladimir Putini, i cili është angazhuar personalisht që mbetjet mortore të tij të kthehen në Moskë. Varri i Ilyin u shenjtërua më 2009.

Në maj të vitit 2009, atëherë kryeministri rus, Vladimir Putin vuri kurora lulesh në varin e filozofit fashist, Ivan Ilyin që ishte dëbuar nga Rusia më 1922. Ai u rivarros në Moskë më 2005.

Në maj të vitit 2009, atëherë kryeministri rus, Vladimir Putin vuri kurora lulesh në varin e filozofit fashist, Ivan Ilyin që ishte dëbuar nga Rusia më 1922. Ai u rivarros në Moskë më 2005.

Jo të gjithë 300 intelektualët që u dëbuan më 1922 ishin të famshëm. Në mesin e tyre kishte doktorë, avokatë, mësues, ekonomistë e të tjerë. Filmbërësi rus, Aleksei Denisov, që me dokumentarin e vitit 2002 “Eksodi rus” dokumentoi valën e parë të migrimit, deklaroi më 2012 se vlerësohet se nga viti 1922 deri më 1939, rusët e dëbuar nga vendi publikuan mbi 13,000 punime akademike.

“Fashizmi është një fenomen kompleks, i shumanshëm dhe historikisht larg nga rraskapitja”, shkruante filozofi Ivan Ilyin më 1948. “Ka tipare të shëndetshme dhe të sëmura, të vjetra dhe të reja, konservatore dhe shkatërruese. Kjo është arsyeja pse në vlerësimin e tij, ne duhet të jemi të qetë dhe të drejtë”.

“Fashizmi është një fenomen kompleks, i shumanshëm dhe historikisht larg nga rraskapitja”, shkruante filozofi Ivan Ilyin më 1948. “Ka tipare të shëndetshme dhe të sëmura, të vjetra dhe të reja, konservatore dhe shkatërruese. Kjo është arsyeja pse në vlerësimin e tij, ne duhet të jemi të qetë dhe të drejtë”.

Në maj të vitit 1922, grupi i artistëve nga Moska formuan Shoqatën e Artistëve Revolucionarë të Rusisë (AKhRR). Kjo shoqatë ishte pararendëse e Shoqatës së Artistëve të Bashkimit Sovjetik që u themelua më 1932. Ideologjia e grupit ishte se “përmbajtja didaktike” e veprave të artit ishte shumë më e rëndësishme sesa meritat estetike.

“Arti duhet të jetë i kuptueshëm për masat”, ishte mantra e grupit, siç ishte “realizmi heroik”. Artistët duhet të zgjedhin temat e tyre bazuar në nevojat “e shoqërisë dhe partisë”.

Enciklopedia Sovjetike e vitit 1950 thoshte se grupi “ishte organizata më e përparuar artistike” e kohës dhe se “shënoi fillimin e fitores vendimtare të realizimit në artin sovjetik”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
blank

Mark Gjomarkaj, theror i traditës Nga Ernest Koliqi

“Qëndresa e Mark Gjomarkaj-t në malet e Shqipërisë së Veriut mbështillet me rreze epopeje. Në krye të një çete luftëtarësh të lirisë, rrethuar nga dashuria e mbarë popullit me përjashtim të disa kapulajve të pavlerë, tërbuar nga dëshira për t’u rritë duke shqyer njerëzit me vlera, Ai dha provën e gjalle se s’ka fuqi, sado e tmerrshme, që i shkulë rrënjët e traditës…”

Ky është një shkrim i rrallë i Ernest Koliqit shkruar me rastin e 25 vjetorit të krijimit të Bllokut Kombëtar Indipendent, e që përkonte dhe me 25 vjetorin e vrasjes së një prej shqiptarëve më trima që ka njohur historia jonë e shekujve modernë, Mark Gjomarkaj. Prof. Ernest Koliqi e mban këtë fjalë në ketë përvjetor të veçantë dhe shpalos nje portret të jashtëzakonshëm të prijesit të derës pri cërore të Mirditës. Shkrimi eshtë zbuluar dhe pergatitur per botim nga poetja dhe studiuesja Ervina Toptani, e cila e sjell per lexuesit bashkë me faksimilet e dokumentit origjinal.

Mark Gjomarkaj, theror i traditës 

(në 25 vjetorin e vrasjes së tij 1946 – 1971)

Ka fatosa me fat e fatosa pa fat. Të parëve u ngrihen përmendore, u vihet emri në rrugët e qyteteve, përmenden orë e çast në shkrime e fjalime, u kumbon lavdia gojë më gojë, ndërsa të dytëve u zbehet kujtimi padrejtēsisht. Janë viktima të rrethanave ndërruese. Historia shqiptare është e mbushur me emra fatosash që u therorizuan (u flijuan) për një ide të lartë, së cilës nuk i buzëqeshi suksesi ose i buzëqeshi shumë vonë, pas vdekjes së tyre. Duke lënë mënjanë Skenderbeun (Scanderbeccu i pafàn, domethënë i pa fat siç thotë De Rada) qe doli ngadhënjyes në 22 beteja por humbi luftën, kemi ndër të tjerë Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Hasan Prishtinën të cilëve ua shqeu jetën ora e zezë dhe për disa kohë ua mjegulloi vlerën atdhetare nje mëri zyrtare prapanike.blank

Të moçmit na lanë fjalë se dielli me shoshë nuk mbulohet. E dijmë mirfilli se herët a vonë, në çastin që vjen stina historike vlerat e njimendta dalin në dritë duke i dhënë secilit protagonist në fushë të përparimit dhe të lartësimit të lartë kombëtar vendin përkatës sipas meritave. Por kjo nuk do të na ndalojë të shfaqim një ndjesi keqardhjeje për padrejtësitë si të njerëzve ashtu dhe të fatit pērballë disa fatosave tek të cilet spikatën vetitë eprore të gjakut tonë.

Një ndër ta është dhe Mark Gjomarkaj.

Markun e njoha kur ishte student 24 vjeçar në Romë. Më bëri përshtypje që prej takimit të parë pjekuria e mendjes së tij, një pjekuri ku me zgjuarsi natyrore plot vetëdije për pozitën e veçantë krahinore në shoqërinë shqiptare, shartohej pamja e gjerë realiste e problemeve të kohës dhe kuptimi i nevojës për t’u inkuadruar me qëllime e drejtime në jetën e përgjithshme kombëtare. Kapedani i ri, me moshë e me mendësi, ashtu m’u duk dhe ashtu e tregoi veten dhe më vonë, Mark Gjomarkaj.

Shumicës së të rinjve të asaj kohe ia ndalonte vegimin e qartë të botës së brendshme e të jashtme ngujimi në rreth krahinor. Nuk ishte faji i tyre. Të gjithe ne, më mirë njihnim qytetet e Europës sesa ato të Shqipërisë. Prej mosnjohjes së natyrës dhe prirjeve të njërës palë prej palës tjetër rridhnin dhe mosmarrveshjet e shpesh dasitë e paarsyeshme në bashkësinë shqiptare.

blank

I rysun prej një mërgimi politik 5 vjeçar që më kishte dhënë mundësinë për të njohur e për t’u miqësuar me persona e personalitete të ndryshme nga mbarë Shqipëria, u përpoqa kur u bëmë miq të ngushtë, me i folë Markut për nacionalistët tonë të spikatur. Në shpjegimin tim ai pëlqeu mbi të tjerë si njeri politik me ide të qarta e të prera, Mustafa Krujën, të cilit ia kishte dëgjuar zërin.

Kurrë, në bisedat e shpeshta me mua, Marku nuk mbivlerësonte prejardhjen e tij nga një Derë eprore – Dera e Kanunit të Lekë Dukagjinit – si e njohur gjithkund dhe e nderuar sidomos ne Gegni. Mua më është dukur se kjo prejardhje disi e shqetesonte, ndoshta kishte frikë se nuk do të mundej të tregonte në lartēsinë e duhur kur t’i vinte rradha e prijes si trashëgimtar i Kapedanëve të Mirditës. Shihej qartas se ndjenjën e detyrës si prijes e kishte të rrënjosur thellë në shpirt. Ajo ndjenjë nuk ishte për të shkak i zbrazët krenarie, por shtysë për t’u lartësuar në vepra të mbara për fis.

I paharrueshmi eksponent politik i nacionalizmit shqiptar, Ali Këlcyra, disa herë m’i ka përsëritur fjalët që Marku i tha në Prefekturën e Shkodrës në takimin e fundit që pati me të. Aliu, pasi lufta e nacionalizmit kundër fuqive shkatërrimtare mund të quhej e humbur e këshilloi të dalë në mërgim për t’i vazhduar jashtë orvatjet për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha sllavo-komuniste. Ai u përgjigj: “Jam edhe unë i mendimit që nacionalistët duhet të dalin dhe ta vazhdojnë jashtë veprimtarinë për të shpëtuar Shqipërinë nga robëria e rëndë mizore që po i kërcënohet. Shkoni ju e do t’ju jap me vete babën që është në moshë të thyer dhe një vëlla që ta përcjellë. Sa për vete, mendoj se vendi im është këtu. Nuk mund t’i le mirditasit vetëm tani që një shuplakë e rreptë po përplaset mbi të gjithë ne. Kam vendosë me nda fatin me ta. Juve ju qoftë udha e mbarë e bëfshi punë të mbara në atë anë”.

Këto fjalë m’i tha Ali Klissura e ia ka thënë edhe të tjerëve.

Qëndresa e Mark Gjomarkaj-t në malet e Shqipërisë së Veriut mbështillet me rreze epopeje. Në krye të një çete luftëtarësh të lirisë, rrethuar nga dashuria e mbarë popullit me përjashtim të disa kapulajve të pavlerë, tërbuar nga dëshira për t’u rritë duke shqyer njerëzit me vlera, Ai dha provën e gjalle se s’ka fuqi, sado e tmerrshme, që i shkulë rrënjët e traditës. Tradita më e kulluar shqiptare lulëzoi në Të me trimëri epike, në vetitë e kreut që e dallonte e shpirt therorizmi i cili vë nderin e detyrat njerëzore e kombëtare mbi jetën.

U vra në një pyll të Perlatit më 14 qershor 1946. Sivjet mbushen 25 vjet të vrasjes së tij. Pranë Markut vdiq Nikollë Perpjetri, një djalosh 17 vjeçarë. Ky duke rënë pikë gjallë bri Prijësit, i cili vërtetoi duke vdekur meritimin për të ushtruar të drejtën e udhëheqjes dëshmoi vërtetimin e besnikërisë, të një besnikërie vullnetarisht të pranuar që nuk i shmanget rrezikut të vdekjes por shugurohet me gjak të derdhur. Edhe kjo është dëshmi e gjallë e traditës shqiptare.

E në qoftë se këto flijime jete nuk njihen si shkëlqim lavdie shqiptare, nuk di ku duhet ta varim krenarinë e kombit tonë.

Shqiptarëve u shkon për piri trimëria. Për shumë kohë, sidomos në motet më të errëta historike, ajo ishte produkti më i njohur i vendit tonë, s’ka vis e trevë jo vetëm në Ballkan por edhe pëtej, që nuk çuditi njerëzinë mënyra sesi shqiptari e bënte vdekjen si me lindë. Mjerisht shpesh bijtë e shqipes shkrinë jetën për gjëra krejt pa rëndësi, nxitë nga sedra me ia kaluar shokut në mundshin. Energji e humbur kot.

Por ka dhe raste të shumta ku shqiptari e bëri të shkëlqejë trimërinë tonë gojëdhanore me mend e me vend.

Historia e kombeve të mëdhaja e të vogla që kanë një histori, zhvillohet nëpër rrugë shënjuar me murana të përgjakura trimash. Jeta kombëtare njihet e përtërihet në gjak fatosash. Gjaku i derdhur për një ide fisnike nuk thahet por njomë qindra vjet në qind vjet traditat jetësore të kombit.

Mark Gjomarkaj ra në moshën 33 vjeçare theror i traditave më fisnike të rodit shqiptar. Ai, duke u flijuar për liri, për atë liri që viset e tij kurrë nuk e humbën as në errësirën e sundimeve më mizore të huaja vërtetoi se me ç’brumë ngjeshen shqiptarët që e kanë ruajtur në vete të paprekur vulën e fisit arbëror.

Sundime e regjime të ndryshme kaluan mbi shpinën e popullit shqiptar. Traditat mbajtën të paprekur fizionominë e kombit. Nëpër stuhitë shekullore, mbi shtigjet e nje historie fatkeqe, besimi në fisnikërinë njerëzore të trashëgimit stërgjyshor na shpëtoi nga kobi për të ndërruar emër e veti e na mbajti me një fizionomi tonën në rradhën e kombeve të botës. Si ishim jemi e kemi për të qenë.blank

Gjaku i dy pinjollëve të Derës së Gjomarkajve, i Markut dhe i Lleshit, i cili ndoqi trimërisht fatin e vëllait më të madh, një vit më mbrapa, në malet e Mirditës, si dhe flija e trimave që shkrinë jetën anë e kënd nëpër treva shqiptare për të pohuar para botës se shqiptari çmon më fort lirinë e vlerat gojëdhanore të jetës. Vlon si tharm përherë i gjallë e i fuqishëm në thellësinat e mistershme të shpirtit arbëror.

Ai tharm ka për t’ia shpërblyer kombit në të ardhmen vargun e vuajtjeve të djeshme dhe të sotshme duke lulëzuar në bashkëjetesë vëllazërore të shqiptarëve, rreth Votrës së Nanës Shqipëri ku do të ndriçojë rishtas e ndezur flaka e zakoneve nëpër të cilat e ndjejmë veten të pajisur me dy gisht nder nē ballë në rradhën e kombeve të botës.

Ernest Koliqi

blank

MASAKRA NË QAFË BARI/ GROPOSJE TË TJERA NË PËRRUA Nga Bedri BLLOSHMI

Marrë nga libri “Gjykata e Lartë Zbret në Pukë”
Nën terrorin dhe dhunën e përditshme, në këtë ferr në galeritë e thella, lanë kockat disa të dënuar. Ky terror mori përmasa më të tmerrshme pas revoltës në lidhje me të dënuarit. Me kushte çnjerëzore në galeritë e thella ku uji rridhte fillim e mbarim. Nën prezencën e drurit e të torturave, dilnin vagonët e minerali të bakrit dhe të piritit nga duart e këmbët e gjakosura e me çizmet e çara të njomura në ujë, nën kërcitjen e zorrëve dhe dhimbjen e stomakut nga që ishte bosh. Ne punonim të heshtur pa asnjë shpresë se një ditë do t’i shpëtonim këtij llahtari nga dhuna komuniste.
Çdo turn që futeshim në galeri, polici na shpërndante duke ulëritur: “Askush të mos mendojë se mund të dalë jashtë pa nxjerr vagonët me mineral!”. Sapo futeshim brenda nëpër fronte të punës, shikonim mineralin e hedhur nga plasja, që kishte bërë turni paraardhës dhe nën mjegullën e helmit, erës së dinamitit, fillonim të mbushnim vagonët, të realizonim normën patjetër. Kur nuk kishte material në frontin e punës çdo kush futej nëpër fronte të ndaluara pa marrë parasysh rrezikun se mund të lije kokën brenda. Nën këtë presion e këto kushte plotësonim vagonët e kërkuar.
Nuk kishte rrugë tjetër, o të mbeteshe në barkun e nëntokës o t’i drejtoheshe ushtarit i cili qëndronte në karakoll me automatik në dorë për t’i dhënë fund jetës. Secili ishte në dilemë se çfarë të zgjidhte për t’i shpëtuar dhunës çnjerëzore: plumbin apo tonelatat e dheut e të mbetej nën rrënjët e pishave shekullore, nën tunelet e errëta të gërmadhave vdekjeprurëse të Qaf Barit.
Nën këto kushte në Qaf Bari filluan të hapeshin gropat e para të të vrarëve. I pari që u vra më 7 tetor 1983 në galerinë 90/1, në fund të planit të pjerrët (i cili ishte nën tokë) në galerinë 64, ishte Fejzulla Çepi nga rrethi i Librazhdit, i dënuar me 25 vjet heqje lirie. Unë pata fatin të isha në ditën e groposjes të Fejzullait ngaqë i bëra presion brigadierit të dënuar se po të mos ndërhynte në komandë, do merrja pjesë në varrim dhe do ta vrisja në galeri. Brigadieri e takoi Mond Cajën dhe ia kishte thënë arsyen e takimit. Mondi e kishte kundërshtuar, u fut brenda në kamp dhe mua më thirrën në zyrën teknike.
“- Hë, – më tha, – ke kërkuar të shkosh për ta varrosur të dënuarin e vrarë?
– Po, – iu përgjigja, – jemi nga një anë dhe dua t’i hedh një grusht dhè.
Pasi më lidhën duart mbrapa, dy policë më mbanin për krahu dhe dolëm përpara arkivolit të cilin e mbanin disa të dënuar të tjerë. Përpara kortezhit ecte me kapelën mbi sy Mondi i cili bënte muhabet me policët që e shoqëronin. Gati 500 apo 600 metra larg rrethimit të kampit, për nga rruga e cila zbret për në Fushë Arrëz, në të djathtë është një përrua i thatë. U ngjitëm me shumë vështirësi deri në brendësi të pyllit. Gropa ishte hapur një ditë më parë. Mbasi e mbuluan arkivolin me dhè të zi nga rrënjët e pishave, një nga policët nguli një tabelë prej hekuri të shkruar me saldim nr. 1. Pra ja, nga e dimë se kush u vra i pari. Dhe sot e kësaj dite, kockat e Fejzulla Çepit treten në rrënjët e pishave të larta në Qaf Bari, në një pllajë në anën e një përroi.
I dyti, i varrosur pranë gropës së parë, është Agim Murat Agaraj, vdekur më 24.10.1983, nga Vlora. Agimi ndërroi jetë nga reaksioni i një peniciline që i bëri mjeku, një “specialist” kafshësh i cili nuk arriti dot të bënte kundëreaksionin.
Mbas revoltës së 22 majit të cilën jam munduar ta përshkruaj ashtu si e pashë me sytë e mi, ngjarjet tragjike ndoqën njëra-tjetrën.
Ka qenë 3 korriku 1984. I gjithë kampi vazhdonte të ishte nën valën e terrorit e të dhunës më të egër. Të dënuarit torturoheshin e rriheshin pa asnjë shkak e detyroheshin të qëndronin në galeri të pa ngrënë dy ose tre turne që të realizonin normën operative. Më 3 korrik u shemb galeria 70/40 në të cilën punonin të dënuarit Ilmi Çoçka nga Kolonja dhe Dilaver Hysi nga Vlora. Nivelisti dha alarmin se galeria ishte shembur e kishte zënë brenda anëtarët e grupit ku punonte. Vajtëm me vrap shumë të dënuar. Punuam me tre turne rresht pa pushim duke hequr mineralin me vagonë. Më në fund arritëm tek vagoni i shtypur nga pesha e gurëve e mineralit të shembur. Në krahë të vagonit, 2-3 metra larg, gjetëm njërin, të shtrirë e të dërmuar me lopatë në dorë të shtypur nga pesha e malit. E njohëm edhe pse fytyra i ishte dëmtuar krejtësisht. Ky ishte Ilmi Izet Çoçka, i internuar në Shtyllas të Fierit. E futën në një thes, ashtu të dërmuar copa-copa, e çuam në kamp dhe e vendosëm në morgun e infermierisë. Më 5 korrik, në mëngjes, Mondi u fut në kamp si zakonisht në prezencën e shumë policëve njëri nga të cilët lexoi një listë me emra ku ishte edhe emri im.
Ishim 12 persona. Polici urdhëroi: “Kush dëgjoi emrin të shkojë në zyrën teknike!”.
Të gjithë të heshtur, të frikësuar, kokë ulur e duke u dridhur, u futëm brenda në zyrën teknike. Pasi hëngrëm disa shqelma e grushte, Mondi, i cili dukej se ishte argëtuar, u ul në tavolinë dhe i bëri policit shenjë me kokë, që do të thoshte “Mjaft!”. Polici ulëriti, duke fshirë me kurrizin e dorës djersët: “Ju do të transferoheni! Shkoni merrni plaçkat personale në depo!”.
Na hipën në një ZIS, na lidhën njëri me tjetrin, ashtu të prangosur, duke na fiksuar në 2-3 vende në spondin e makinës. Mondi hipi në makinë, kontrolloi të gjithë kyçet e prangave dhe ulëriti: “Nisuni se u bë vonë!”.
Kështu ne ikëm, duke e lënë Dilaverin nën peshën e tonelatave të malit, në barkun e asaj humnere. Sipas raportit të hartuar nga komanda, Dilaveri është nxjerrë i shtypur nga shkëmbinjtë më datë 7 korrik 1984 dhe është groposur në përroin e thatë, pranë të groposurve të tjerë, por terrori dhe egërsia pas pushkatimit të Sokol Sokolit e Tom Ndojës e dënimeve të të tjerëve me burg shtesë, nuk kishte të sosur. Galeritë vazhdonin të merrnin jetë njerëzish.
Një tjetër i groposur nën rrënjët e pishave, atje në parcelën e hapur enkas për “armiqtë e partisë”, ishte Hariz Hysen Braho nga një fshat i rrethit të Korçës. Harizi, djaloshi i rritur në ambientet e një fshati, punëtor, i pa fjalë, i komunikueshëm me të burgosurit e tjerë edhe pse ishte në burg buzëqeshja nuk i mungonte. “Buzëqeshje në burg!?” Kjo nuk mund të ekzistonte në ambientin ku jetoje nën grykët e kallashit, e 5-6 rrethimeve me tela me gjemba dhe torturat e tjera që ta shtonin pesimizmin. Gjendeshim çdo ditë nën peshën e torturave dhe shfrytëzimin skllavërues ku jeta na shkiste nën këmbë, duke humbur shpresën se një ditë do të merrnim frymë lirisht. E megjithatë Harizi shpresonte si ne të tjerët. Ai pothuaj e kishte mbushur kohën e dënimit. Ishte në muajin e
fundit.
Në kampin e shfrytëzimit të punës, në minierë, ishte bërë si traditë, që muajin e fundit nuk të nxirrnin në galeri pasi mund të ndodhte ndonjë aksident. Harizi i kishte kërkuar komandës (zyrës teknike) që të punonte dhe atë muaj për dy arsye: e para, fitoje dy ditë për t’u liruar më parë dhe e dyta, fitoje dhe ushqimin e nëntokës, pra mbushje barkun me më shumë bukë. Po të mos punoje, të jepnin ushqimin e papunësisë, pra 600 gram bukë. Harizi doli në punë dhe e caktuan në një nënkat për të bërë nivelin me vagonë (transport minerali brenda në galeri). Tremozha u bllokua (vendi ku hidhej minerali nga një lartësi tjetër). Harizi njoftoi ata që hidhnin mineralin nga sipër se ishte bllokuar tremozha. Për ta zhbllokuar atë, duhej të futej brenda dhe të thyente gurin që e kishte bllokuar. Sapo Harizi u fut brenda për ta zhbllokuar, dikush nga sipër hodhi një vagon me gurë minerali. Harizi u bë copë e thërrime. Ky ishte fundi tragjik i Hariz Brahos. Edhe ky u gropos në krahë të të vrarëve të tjerë që pa dyshim u kalbën dalëngadalë në pllajën e mbuluar me borë e në errësirën e përjetshme nën ulërimën e ujqërve e derrave të uritur të shkretëtirës.
Por e keqja apo ferri Qaf Bari kërkonte vazhdimisht gjak. Tmerret vazhdonin. Galeria qëndronte natë e ditë gojëhapur e donte ushqimin e saj se ishte mësuar me mish e gjak njeriu që vazhdonte t’i merrte. E kishte radhën një tjetër i dënuar, Pandi Vasil Sterio nga qyteti i Korçës, që do t’i shtonte gropat në përrua. Pandi Sterio u vra më datë 29 mars 1986. Thonë se i hodhën një vagon mbi shpinë për t’u bërë copa-copa. Edhe ky i dënuar ishte afër lirimit, por e vranë.
Gjëma vazhdonte. Pas Pandit radha i erdhi të dënuarit Sefedin Ramazan Pula nga Fushë Kruja i cili u vra më 7 maj 1986. Arsyen për vdekjen e Sefedinit nuk munda ta mësoj, por jam i sigurt se edhe ky “fle” pranë të vrarëve të tjerë, atje buzë përroit, që në dimër vjen plot ujë të mbledhur nga majat e larta të maleve kushedi se nga ku për të rënë mbi gropat e njerëzve të pa fat, duke i shkrirë dalëngadalë kockat e tyre.
I fundit, që plotëson nr. 8 në këtë gropë të mallkuar e cila gjendet në mesin e dy përrenjve, atje ku bashkohen dhe formojnë germën “V”, është Ndue Mihal Deda nga qyteti i Shkodrës, u vra më 3 tetor 1989. Edhe arsyen e vdekjes së Ndues munda ta mësoj, vetëm se emrat i kam gjetur në proces verbalin e mbajtur enkas për të vrarët, që ka të bashkëlidhur hartën e groposjes. Natyrisht që vend-groposjen unë e di. Kam qenë disa herë me shokët e mi të kalvarit komunist, madje kam dhe një fotografi të cilën e kam bërë nën hijen e pishave, nën diellin përvëlues të atij ferri. Ne, një grup ish të burgosurish kemi shkuar disa herë për të kujtuar ditën e përgjakshme të dhunës të pashembullt nën regjimin gjakatar të terroristëve të kuq.
Shqipëria gjatë këtyre 45 viteve numëron shumë drama e tragjedi të luajtura në kurrizin e mijëra familjeve shqiptare, që vuajtën dhe u sakrifikuan, duke derdhur gjakun e tyre për këtë copë Shqipëri. Mirëpo faktet tregojnë se kush e do vendin e tij, kush urren si pushtuesin ashtu edhe komunizmin, ishin të destinuar të shkatërroheshin në mënyrë sistematike dhe të flijoheshin kush e di se ku. Mijëra shqiptarë sot janë pa varre dhe të humbur.
Më poshtë, të dashur lexues, do të kemi listën emërore të të vrarëve dhe vend-groposjen e tyre. Po ashtu do t’iu faktoj si dha shpirt oficeri nga Tropoja, Sandër Sokoli. Do t’iu tregoj raportin mjeko-ligjor me emra e mbiemra dhe si paraqitet kjo vdekje. Raporti është i tëri fiktiv, megjithatë lexojeni dhe arsyetoni në është real apo jo?! Në listën emërore të atyre të dënuarve që janë vrarë në minierën e Qaf Barit, Sandër Sokoli është rreshtuar i dytë. Kjo nuk është e vërtetë sepse siç e faktuam edhe më sipër i pari, që është vrarë në galeritë e errëta, është Fezulla Çepi dhe i dyti, është Agim Agaraj nga Vlora. Ja pra, edhe mjekët vrasin. Po, po, vrasin e janë të aftë të fshehin çdo gjurmë përt ta paraqitur krejt ndryshe vdekjen. Jam i sigurt se këtyre lloj mjekëve, që me majën e lapsit në dorën e cila iu dridhej, mbuluan e varrosëm të vërtetën, u shfaqen çdo natë fantazmat e të vrarëve. Besoj se këta mjekë nuk harruan t’u tregonin bashkëshorteve të tyre kur shkonin në shtrat të bënin dashuri se kishin firmosur një vdekje të dytë dhe të rreme, duke e fshehur të vërtetën. Kjo gënjeshtër, ky mbulim i një krimi ka për t’i rënduar gjithë jetën sado kohë që të kalojë.
Hija dhe rënkimi i tyre para grahmave të fundit nuk do t’u ndahet as në botën e përtejme. Sado pak ndërgjegje të kenë, ajo s’ka për t’i lënë të qetë as në varr, për të mos thënë se koha hakmerret edhe pse këta mjekë komunistë nuk besojnë. Këta mjekë janë më kriminelë se ata që bënin pjesë në skuadrën e pushkatimit. Edhe ai që shpiku armën vrasëse të Revolucionit Francez (giojotina) ishte doktor.
blank blank
blank

Kërkesat e paplotësuara për ish të burgosurit dhe të internuarit politikë gjatë diktaturës komuniste Nga Bedri Blloshmi

1. Të dënohen krimet e komunistëve se ka 30 vjet që zhurmohet dhe askush nuk e merr këtë hap. Përgjegjësia është edhe e Bashkimit Europian.

2. Të gjendet një klauzolë për nenin e terrorit komunist për ata të dënuar apo ekzekutuar siç është rasti i Revoltës së Qafës së Barit apo Spaçit. Ata të dënuar nuk kanë përfituar asgjë me ligjin e dëmshpërblimit.

3. Të zgjidhet problemi i letrave me vlerë.

4. Të zbatohet ligji për shtëpitë falas për të burgosurit politikë.

5. Të shikohet ligji për të internuarit pasi nuk përfitojnë të gjithë.

6. Të ngrihet në Tiranë një memorial për të kujtuar të pushkatuarit dhe të vrarët nëpër burgjet e diktaturës.

7. Të zbatohet projekti që ka mbetur në letër për një parcelë e veçantë kundër diktaturës në Tiranë pranë Varrezave të Kombit.

8. Të tregohet interes për fëmijët e të burgosurve politikë që kanë mbaruar dhe janë në vazhdim të arsimimit.

9. Të veprohet me seriozitet për gjetjen e të pushkatuarve nga regjimi komunist.

Bedri Blloshmi
Ish i burgosur politik


blank
blank
Send this to a friend