VOAL

VOAL

Gjyla Çeliku: Në qytetin e Alfabetit po na mallkojnë edhe në gjuhën shqip!

January 20, 2018
blank

Komentet

blank

Tetova i jep dekoratën e “Mirënjohjes” ambasadorit Shaban Murati

Në kuadrin e veprimtarive për “Javën e Ditës së Flamurit” dhe të 30 vjetorit të fillimit të mandatit si Ambasadori i Parë i Shqipërisë në Maqedoni, Komuna e Tetovës i kushtoi një ditë të poçacme figurës dhe krijimtarisë së ambasadorit Shaban Murati.

Me këtë rast në emër të Komunës së Tetovës, kryetari i saj Prof.Dr. Bilall Kasami i akordoi Shaban Muratit dekoratën e “Mirënjohjes së qytetit të Tetovës“, me këtë motivacion të firmosur nga Kryetari i Komunës: “I jepet me dedikim dhe përkushtim nga qytetarët e Tetovës, për kontributin dhe angazhimin e pashoq të ambasadorit. Duke kujtuar dhe mos harruar asnjëherë rolin e tij të veçantë për ngritjen e qytetarisë dhe ndikimin e tij vllaznor në të gjitha segmentet shoqërore e kulturore për shqiptarët e Maqedonisë. Zemrat tona do të jenë gjithmonë të hapura për ty dhe familjen Murati”.

Kryetari i Komunës së Kosovës i dhuroi edhe medalionin e emblemës së qytetit të Tetovës. Pastaj u zhvillua nje sesion i posaçëm kushtuar figurës dhe krijimtarisë së ambasadorit Shaban Murati. Fjalën e hapjes e mbajti Kryetari i Komunës së Tetovës, Prof.Dr. Bilall Kasami, i cili vlerësoi kontributin e shquar të Ambasadorit në zhvillimet në Maqedoni dhe theksoi kontributin e veçantë të tij në mendimin diplomatik, gjeopolitik dhe patriotik shqiptar.

Analiza të figurës dhe krijimtarisë së ambasadorit Shaban Murati u referuan nga dr.Elvis Hoxha, prof.dr.Zeqir Kadriu, prof.dr.Florim Ajdini, prof.dr.Abdulla Mehmeti dhe prof.dr. Arsim Sinani. Aktivitetet u zhvilluan në një frymë solemne dhe vëllazërore.

blank

 / dita

blank

Takimi i 20-të ministror i Kartës SHBA-Adriatik: Wallander në Shkup: Jemi të bashkuar për një Evropë të sigurt

Isuf Kadriu

“SHBA-ja mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj politikës së dyerve të hapura të NATO-s, për sigurimin e një Evrope të sigurt dhe paqësore dhe ne jemi krenarë për marrëdhëniet e mira të SHBA-së me shtetet anëtare të Kartës së Adriatikut”, ka deklaruar të enjten në Shkup të Maqedonisë së Veriut, Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes së SHBA-së për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare, Celeste Wallander.

Ajo në Shkup mori pjesë në takimin e 20-të ministror të Kartës SHBA-Adriatik (A-5) ku u bisedua për sfidat rajonale të sigurisë pas pushtimin të paprovokuar të Ukrainës nga ana e Rusisë.

Vendet e Kartës SHBA-Adriatik (A5) dënuan njëzëri agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, si kërcënim për paqen dhe sigurinë globale, evropiane dhe rajonale.

“Ne nuk jemi vetëm aleatë, ne jemi edhe miq që jemi të bashkuar drejt vizionit të një Evrope paqësore dhe të qëndrueshme, e cila ndjek dhe respekton parimet e lirisë dhe sundimit të ligjit”, tha Wallander.

Angazhimi dhe puna në kuadër të Kartës SHBA-Adriatik (A5), dorëzimi i presidencës Shqipërisë, misioni i NATO-s në Irak dhe të gjitha angazhimet e përbashkëta të ardhshme, sipas Wallander, duhet të jenë një “kujtesë se çdo hap është një hap me të cilin paqja nuk është vetëm një aspiratë, por edhe realitet për të gjithë komunitetin global”.

Duke komentuar zhvillimet në Kosovë Wallander tha se “përmes dialogut duhet të gjenden kompromise që do të kontribuojnë në sigurinë e rajonit”.

Ajo shprehu keqardhjen për incidentin e shtatorit në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë polici kosovar, Afrim Bunjaku ndërsa theksoi se në shënjestër të sulmeve të mëparshme ishin edhe ushtarët amerikanë në kuadër të KFOR-it.

Ministrja maqedonase e mbrojtjes Sllavjanka Petrovska tha se Shkupi po bënë gjithçka për të parandaluar rreziqet që vijnë nga Rusia e që kanë për qëllim destabilizimin e rajonit.

“Sa i përket ndikimit rus, do të pengojmë çdo përpjekje për ndikim që rrezikon interesat tona strategjike dhe kombëtare. Ne kemi ndërmarrë masa konkrete me dëbimin e diplomatëve rusë të cilët kanë shkelur përgjegjësitë e tyre diplomatike duke tentuar të dëmtojnë proceset tona”, ka deklaruar Petrovska

Ajo tha se intensifikimi i bashkëpunimit rajonal do të kontribuojë në forcimin e sigurisë rajonale.

“Më vjen mirë që pika e parë në deklaratën e përbashkët që sapo kemi nënshkruar i referohet angazhimit tonë të vendosur për integrimin e plotë evropian dhe euroatlantik të vendeve të Evropës Juglindore, por edhe përkushtimit tonë për paqen rajonale dhe evropiane dhe sigurinë”, tha Petrovska.

Karta SHBA-Adriatik është krijuar më 2003 nga Shtetet e Bashkuara dhe ka për synim që të koordinojë aktivitetet mbështetëse për shtetet që aspirojnë të anëtarësohen në NATO.

blank

Bullgaria i kërkon Shkupit ta ndryshojë Kushtetutën për t’u anëtarësuar në BE

Isuf Kadriu

Kryetari i Kuvendit të Bullgarisë, Rosen Zheljaskov, ka thënë të martën gjatë një vizite në Shkup se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkim Evropian (BE) është “rruga e vetme” dhe se ajo duhet t’i miratojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese për ta arritur këtë.

Zheljaskov u takua me me homologun e vet maqedonas, Talat Xhaferi, gjatë vizitës së tij në vendin ballkanik.

“Për ne është me rëndësi që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të ecin së bashku drejt BE-së. Vitin e kaluar Kuvendi bullgar e miratoi propozimin francez. Kompromisi është për të mirën e kombeve tona. Qëndrimi ynë nuk dallon nga ai i parlamentit maqedonas”, tha Zheljaskov.

Maqedonisë së Veriut i kërkohet ta ndryshojë Kushtetutën për ta përfshirë pakicën bullgare në preambulës e saj, si popull shtetformues, nëse dëshiron t’i vazhdojë bisedimet për anëtarësim në BE.

Ky ndryshim parashihet me atë që njihet si “propozim francez” për zgjidhjen e kontesteve të saj me Bullgarinë.

Për miratimin e tyre nevojiten dy të tretat e votave në Kuvendin maqedonas, të cilat për momentin nuk i kanë partitë në pushtet, pasi opozita maqedonase dhe ajo shqiptare kanë ngulur këmbë se nuk do t’i mbështesin.

Xhaferi tha se shumica po bënë gjithçka për të siguruar mbështetjen e deputetëve “meqë integrimit në BE ka rëndësi të madhe për Maqedoninë e Veriut”.

Në takimin e sotëm me Xhaferin, Zheljaskov tha se bisedoi edhe për zbatimin e marrëveshjes së vitti 2019 për fqinjësi të mirë dhe uljen e tensioneve mes dy vendeve.

“Duhet ta ndërtojmë besimin, duhet ta kundërshtojmë gjuhën e urrejtjes dhe garanci për këtë është respektimi i të drejtave të bashkësisë etnike bullgare”, shtoi Zheljaskov.

Derisa kryetari i Kuvendit bullgar përcolli në Shkup mesazhe për nxitjen e dialogut, zëvendëspresidentja e Bullgarisë, Iliana Jotova, nga Sofja i dërgoi Shkupit një sërë kritikash të ashpra për siç ka thënë “mungesë të vullnetit për bashkëpunim dhe përmbushjen e kritereve për vazhdimin e integrimit evropian”.

“Politikanët në Shkup nuk tregojnë as dëshirë e as konsensus për bashkëpunim. Maqedonia e Veriut nuk tregon asnjë shenjë për të ndaluar gjuhën e urrejtjes ndaj Bullgarisë”, tha Jotova gjatë një fjalimi në Universitetin e Sofjes.

blank

Shkup: Dhjetëra policë dhe të burgosur lëndohen gjatë përleshjeve në burgun e Idrizovës

Isuf Kadriu

Të paktën dhjetë prestarë të policisë dhe disa të burgosur janë lënduar gjatë një përplasje fizike në burgun e Idrizovës, në Shkup, njoftoi më 28 tetor Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut.

Të burgosurit, sipas zëdhënësit të MPB-së, Toni Angellovski, kanë bërë rezistencë gjatë përpjekjes së policisë për të kontrolluar qelitë e tyre, pas informacioneve se po mbanin gjësende të ndaluara.

Gjatë bastisjes që është kryer me urdhër që Gjykatës Penale të Shkupit, policia në qelitë e të burgosurve ka gjetur 63 telefona celularë, 82 thika, katër thumba, 71 mbushës telefoni dhe substance narkotike.

Gjësendet e gjetura në burgun e Idrizovës gjatë bastisjeve.

Gjësendet e gjetura në burgun e Idrizovës gjatë bastisjeve.

“Gjatë veprimeve të policisë është mbledhur një grup më i madh i të burgosurve dhe kanë bërë rezistencë aktive, por pas masave dhe veprimeve të ndërmarra ata janë mposhtur. Me këtë janë lënduar dhjetë policë, ndërsa janë lënduar edhe disa nga të burgosurit”, tha Angelovski në një video-regjistrim të publikuar në faqen e internetit të MPB-së.

Por, në rrjetet sociale janë shpërlarë shumë fotografi nga qelitë e burgut të Idrizovës, ku duken shumë të burgosur me lëndime të rënda trupore.

Sipas familjarëve të tyre, “njësite speciale kanë ndërhyrë brutalisht duke rrahur rëndë dhjetëra të burgosur”.

Drejtoria e burgut të Idrizovës ende nuk ka dalë me të dhëna zyrtare lidhur me incidentin në burgun e Idrizovës, ku në fuqi ende janë masat e krizës për shkak të mungesës së gardianëve, dhe njoftimeve për “kërcënim të sigurisë”.

Në ndihmë të policisë së burgut janë vënë edhe njësitë e speciale dhe pjesëtarë të Armatës së Maqedonisë së Veriut.

Në muajt e fundit, burgu i Idrizovës është përballur me disa skandale, ndër të tjera, me hapjen e një tuneli nëntokësor nga të burgosurit që kishin planifikuar arratisjen.

Në burgun e Idrizovës në vuajtje të dënimit janë rreth 1.206 të burgosur, në mesin e të cilëve edhe ata me burgim të përjetshëm.

Shumë institucione vendore dhe ndërkombëtare në disa raste kanë raportuar për mbipopullim të burgjeve në Maqedoninë e Veriut, për trajtim jonjerëzor të të burgosurve, kushte të rënda dhe korrupsion.

Me qëllim shpopullimin e burgjeve në procedurë parlamentare gjendet propozim-ligji për amnisti që parasheh lirimin nga burgu të të dënuarve deri në gjashtë muaj burg dhe ulje të dënimit prej 30 për qind për disa kategori tjera të të burgosurve.

blank

Osmani: Nga Izraeli janë evakuuar 60 shtetas maqedonas

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Isuf Kadriu

Gjashtëdhjetë shtetas të Maqedonisë së Veriut janë evakuuar nga Izraeli që nga fillimi i sulmit masiv të militantëve të Hamasit, të shtunën, më 7 tetor, bëri të ditur ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Ai tha se autoritetet kanë regjistruar rreth 150 shtetas të Maqedonisë së Veriut në qytete të ndryshme të Izraelit dhe në territoret palestineze. Por, ky numër mund të arrijë deri në 200 persona pasi disa nuk janë paraqitur për identifikim në thirrjen e autoriteteve të Shkupit.

Të shtunën, sipas Osmanit, pritet të kthehen në Shkup edhe 90 të tjerët, të cilët janë duke komunikuar me shtabin e krizës të formuar menjëherë pas shpërthimit të konfliktit të Izrael.

Shefi i diplomacisë maqedonase tha se ambasada në Kajro, është duke komunikuar me dy persona të tjerë që ndodhen brenda zonave të rrezikuara të Gazës, të izoluara nga Izraeli, pasi nuk arritën të dilnin para mbylljes së pikës së vetme kufitare me Egjiptin.

“Situata atje është shumë e ndryshueshme dhe vlerësojnë se janë të ekspozuar ndaj rrezikut. Ne po punojmë, gjithashtu, me autoritetet në Egjipt për t’i liruar ata dhe më pas do të organizojmë transportin nga Egjipti. Mirëpo, për momentin nuk kemi si t’i nxjerrim nga Gaza”, tha Osmani.

Disa nga shtetasit maqedonas që gjendeshin në zonat e rrezikuara në rajonin e Gazës, të mërkurën në mbrëmje kanë arritur Athinë prej nga me autobus janë transferuar në kufirin e Maqedonisë së Veriut.

Sipas Osmanit, fillimisht fokusi ishte identifikimi, kontaktimi dhe nxjerrja e qytetarëve nga zonat e rrezikuara dhe më pas transportimi i tyre në Tel Aviv.

Osmani theksoi se një pjesë e qytetarëve të kthyer, kanë ardhur përmes Jordanisë, Shqipërisë, Turqisë, Malit të Zi dhe Serbisë, me ç’rast u shprehu mirënjohje autoriteteve të këtyre shteteve.

Maqedonia e Veriut i ka dënuar sulmet e militantëve të Hamasit ndaj Izraelit, ndërsa ka bërë thirrje për dialog për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

“Ne i dënojmë fuqishëm sulmet terroriste të Hamasit ndaj Izraelit. Mendimet tona janë me popullin izraelit, me të cilin solidarizohemi dhe ndajmë dhimbjen. Bëjmë thirrje për zgjidhje me dialog pasi bota ka nevojë për paqe”, thuhet në reagimin me shkrim të kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

blank

Protestë në Tetovë; kërkohet zbulimi i fajtorëve të zjarrit që u mori jetën 14 personave

VOA/Isak Ramadani

Dy vjet pas zjarrit që u mori jetën 14 personave në spitalin e koronavirusit në Tetovë, sot një grup qytetarësh protestoi përgjatë rrugëve nga spitali i qytetit deri tek Prokuroria Themelore për shkak të mosgjetjes dhe mosdënimit të fajtorëve.

Familjarë të viktimave dhe në përgjithësi opinioni publik u zemëruan në veçanti pas një dokumentari të shfaqur para pak javësh, që zbuloi se ndërtimi i spitalit modular ishte bërë jashtë standardeve të duhura dhe punimet i kishte bërë kompania e ish-zëvendës-kryeministrit Koço Angjushev, i lidhur ngushtë me ish-Ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe me ish-Kryeministrin Zoran Zaev.

Prokuroria akuzoi dy drejtorë dhe një mjek të spitalit të Tetovës. Dy drejtorët morën dënime me kusht me nga një vit e gjysmë, ndërsa mjeku u lirua nga akuzat.

Protesuesit kërkuan që prokuroria të hapë një proces të ri gjyqësor. Ata gjithashtu kërkojnë shkarkimin e kryeprokurorit të vendit dhe prokurorëve të Tetovës, të cilët e proceduan rastin. Ata mbanin parulla ku shkruhej: “32 vjet shtet, 32 vjet korrupsion”.

Godina e djegur nga zjarri dy vite më parë në Tetovë (9 shtator 2021)

Godina e djegur nga zjarri dy vite më parë në Tetovë (9 shtator 2021)

Prokuroria Publike thotë se ende po bëhen hetime lidhur me tenderin për ngritjen e spitaleve modulare.

Ndërkohë, një skandal tjetër në Klinikën e Onkologjisë në Shkup ende mbetet pa zgjidhje. Prokuroria po punon për zbulimin e rastit të vjedhjes së ilaçeve për të sëmurët nga kanceri me qëllim shitjen në tregun e zi jashtë vendit. Ende nuk janë ngritur akuza, teksa Ministria e Shëndetësisë dhe drejtuesit e klinikës kanë lënë të kuptohej se një infermiere, tanimë e pezulluar nga puna, ishte parë në të kaluarën duke vjedhur ilaçet.

Rasti ka marrë dimensione politike në Maqedoninë e Veriut.

blank

Kryetari i Tetovës reagon ashpër pasi ftohet nga Gjykata maqedonase për dëshmi

Pas ftesë nga Gjykata Themelore e Tetovës ku Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, akuzohet se në rastin e pritjes së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Përdorimin e Simboleve Shtetërore, Flamurin dhe Hymnin në Maqedoni të Veriut, Kasami ka shprehur indinjatë të thellë me autoritetet, ku madje është shprehur se ‘është duke vdekur regjimi” dhe se ato duhet “t’i numërojnë ditët’.

“Edhe një tentim për frikësim dhe heshtje, që më bën të kuptoj se sa frikë e kanë opozitën shqiptare.

Me këto akte, po na e shtoni kurajon. Po e përsëris, koha e frikësimit dhe shantazhimit të shqiptarëve ka vdekur, ashtu siç është duke vdekur regjimi juaj. I detyrohemi vetëm qytetarëve dhe këtij populli, sa për regjimet e këtilla, nuk jemi frikësuar as në kohën e komunizmit, as tani.

Koha juaj ka përfunduar. Numëroni ditët!”, ka shkruar Kasami.

blank

Mickoski: S’i votojmë ndryshimet kushtetuese, zgjedhjet e reja rrugëdalja e vetme

Isuf Kadriu

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka bërë thirrje të shtunën për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke thënë se ato janë “rrugëdalja e vetme” e Maqedonisë së Veriut nga kriza e thellë politike.

Ai bëri këto komente vetëm një ditë pasi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e mbylli debatin për ndryshimet kushtetuese, por pa hedhjen e tyre në votim pasi shumica parlamentare nuk i kishte votat e nevojshme prej dy të tretave.

Ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme për procesin e integrimit evropian dhe kanë të bëjnë me përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me “propozimin francez” për zgjidhjen e kontesteve me Bullgarinë.

“Nuk ka çmim me të cilin do t’i pranonim këto ndryshime kushtetuese nën diktimin bullgar. Për këtë çështje nuk duhet humbur asnjë sekondë. E vetmja rrugëdalje e arsyeshme nga situata tani janë zgjedhjet e parakohshme”, deklaroi kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski më 19 gusht në një konferencë për media në Shkup.

Seanca për ndryshimet kushtetuese më 18 gusht nuk zgjati më shumë se tri orë, edhe pse ishte paraparë që debati të zgjatë dhjetë ditë.

Opozita mori pjesë vetëm në caktimin e rendit të ditës, për të cilin votuan 70 deputetë, që për VMRO DPMNE-në ishte “dëshmi se shumica nuk ka 80 votat e domosdoshme për t’i votuar ndryshimet” prandaj edhe lëshoi mbledhjen.

Qëndrimet e tyre mbi “rëndësinë e miratimin e ndryshimeve kushtetuese” i paraqitën partitë në pushtet, por seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj për aktin e votimit mund të mbahet vetëm nëse shumica e njofton kreun e Kuvendit, Talat Xhaferi, se i ka siguruar votat e nevojshme.

“Autoritetet ngushëllohen dhe bëjnë llogaritë se e kanë lënë të hapur derën për ndryshime kushtetuese duke mos e mbyllur qëllimisht seancën dhe se bashkësia ndërkombëtare tani do të bëjë presion. Kjo nuk do të ndodhë. Ne nuk tregojmë triumfalizëm, as gëzim, sepse gjërat janë shumë serioze, dhe Maqedonia është në një situatë shumë të vështirë”, tha Mickoski.

VMRO DPMNE-ja thotë se mbështet ndryshimet vetëm pas marrjen së garancive nga BE-ja se Sofja nuk do të paraqesë kushtëzime tjera. Kjo parti kërkon që ndryshimet të miratohen pas përfundimit të bisedimeve për anëtarësim në BE, apo pasi vendi të jetë anëtarësuar në union.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut pranoi ndryshimin e Kushtetutës dhe futjen e bullgarëve në të, pasi në vitin 2022 Sofja hoqi veton për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.

“Hyrja në BE është rruga jonë e vetme. Por, jo me çmimin e vetëmohimit, as me çmimin e një diktati që është kutia e Pandorës për shpifje të identitetit dhe hapjen e derës për shumë kërkesa të tjera”, tha Mickoski.

Lidhja Social Demokrate (LSDM) e kryeministrit Dimitar Kovaçevski reagoi ndaj vlerësimeve të Mickoskit, duke thënë se kreu i VMRO DPMNE-së “edhe njëherë konfirmoi se është kundër BE-së dhe dëshiron të bllokojë të ardhmen evropiane të vendit”.

LSDM-ja tha se në javën në vijim do të vazhdojë me përpjekjet për të siguruar dy të tretat e votave për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

“Koalicioni pro-evropian i udhëhequr nga LSDM-ja nuk do t’i nënshtrohet sjelljes së tillë të papërgjegjshme dhe joshtetërore të Mickoskit. Nuk do të lejojmë që qytetarët, e ardhmja e tyre, shteti të bllokohet nga DPMNE”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Partitë shqiptare i kanë dhënë mbështetjen ndryshimeve kushtetuese, por kanë kërkuar që procesi të përfshijë edhe ndryshimin e përkufizimit të gjuhës shqipe në Kushtetutë, e cila njihet si gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës në Maqedoninë e Veriut.

blank

Kallëzime penale për kryetarët e Tetovës dhe Çairit për pritjen e Albin Kurtit

Pamje nga pritja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Çair të Maqedonisë së Veriut.

Isuf Kadriu

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, ka ngritur të martën kallëzime penale kundër kryetarëve të Tetovës dhe Çairit, për, siç ka thënë, “shkelje të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore”, gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, më 11 gusht.

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami dhe ai i Çairit, Visar Ganiu, janë marrë në pyetje të martën nga Policia maqedonase, e cila e ka bërë të ditur vendimin për kallëzimet penale.

“Gjatë vizitës zyrtare të delegacionit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, të udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e organizuar më 11.08.2023, në rrugën ‘Ferid Murati’ në Shkup dhe në sheshin e qytetit në Tetovë, nuk është vepruar në përputhje me Ligjin për përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjatë manifestimeve të organizuara me atë rast nuk është kënduar himni shtetëror dhe nuk është vendosur flamuri shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut, me çka është bërë shkelje nga neni 30 i të njëjtit ligj”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shkup.

Në komunikatën me shkrim është thënë se “Policia do t’i vazhdojë kërkimet për personin që në një nga manifestimet valëviti flamurin e të ashtuquajturës ‘Shqipëria e Madhe’”.

Ligji për përdorimin e simboleve shtetërore, neni 30, parasheh dënime prej 1.000 deri në 5.000 euro në rast se personi publik bën shkeljen e dispozitave, respektivisht nëse nuk përdor këto simbole në manifestimet e përcaktuara me dispozitat tjera ligjore.

Marrja në pyetje është konfirmuar edhe nga kryetarët e dy komunave, të cilët veprimin e autoriteteve e kanë quajtur “komunist” me qëllim “frikësimi”.

“Komunizmi këtu nuk ka vdekur, ai është gjallë dhe po e mbajnë gjallë qeveritarët tanë bashkë me Ali Ahmetin e [Arben] Taravarin. Tentimet e këtilla për frikësim dhe heshtje si në kohën e komunizmit, nuk na trembin aspak, bile kokën lartë po vazhdojmë. Aq më pak na trembin kur këto shantazhe e tentime për të penguar opozitën e bashkuar, vijnë nga pushtetarët e korruptuar dhe të shantazhuar që tani më ditët e tyre po i numërojnë në gishta. Koha e frikësimit të shqiptarëve, arrestimeve të tyre dhe marrjes së tyre nëpër stacione famëkeqe policore ka vdekur”, ka thënë kryetari i Tetovës, Bilall Kasami përmes një postimi në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qëndruar në këto dy komuna të banuara me popullatë shqiptare, me ftesë të kryetarit të Çairit, Visar Ganiu, dhe atij të Tetovës, Bilall Kasami.

Kurti ka marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e veprimtarit, Adem Demaçi në Çair, ndërsa në Tetovë ka marrë pjesë në përurimin e një rruge në Malësinë e Tetovës.

Gjatë kësaj vizite Kurti dhe kreu i Tetovës kanë folur për nevojën e hapjes së një tuneli me gjatësi prej rreth 6 kilometrash, që do ta lidhte Tetovën me Prizrenin.

Qëndrimi i kryeministrit Kurti në Tetovë dhe Çair, respektivisht përdorimi i ikonografisë shqiptare gjatë manifestimeve të organizuara, ka shkaktuar reagime të shumta, përfshirë edhe nga presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski i cili ka kërkuar sanksione për organizatorët e kësaj vizite.

blank

Vizita e Kurtit në Tetovë trazon Shkupin dhe Beogradin, reagon dhe Pendarovski: Të dënohen organizatorët!

Vizita e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Tetovë ka nervozuar Shkupin dhe Beogradin, teksa presidenti Aleksandër Vuçiç dhe homologu i tij Stevo Pendarovski e kanë cilësuar si “skandal”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka kryer një vizitë joformale në Tetovë ku ka takuar vetëm përfaqësuesit e dy partive opozitare.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka dënuar faktin që brenda territorin e tyre është organizuar një manifestim në të cilin nuk është kënduar himni i Maqedonisë dhe nuk është vendosur flamuri kombëtar i Maqedonisë.

Për këtë ka reaguar ashpër edhe Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Pendarovski ka kërkuar që ligji të merret me organizatorët, pasi ata përhapën ide shoviniste, që ndezin urrejtje dhe provokim nacionalisht duke komentuar përdorimin e flamujve “Autochtonus” gjatë këtyre tubimeve.

“Theksimi i ikonografisë provokuese nacionaliste që promovon ide shoviniste të shteteve të mëdha përfaqëson ndezjen e urrejtjes dhe intolerancës etnike, e cila pa mëdyshje sulmon parimet dhe vlerat themelore të Marrëveshjes Kornizë, si dhe konceptin e Maqedonisë si shtet multietnik”, thuhet në reagimin e presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski, me rastin e vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ai ka bërë thirrje që organizatorët e tubimeve në Tetovë e Çair të sanksionohen ligjërisht.

”Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen ligjërisht për shkeljen e dispozitave ligjore për përdorimin e flamurit dhe himnit shtetëror dhe flamujve dhe simboleve të komuniteteve, duke i injoruar plotësisht simbolet e shtetit. I bëj thirrje organeve kompetente që sa më parë t’i kryejnë procedurat e parapara”, nënvizoi Pendarovski në reagim.

Më tej, Pendarovski ka reaguar edhe me riemërtimin e një rruge në Çair me emrin e Adem Demaçit.

“Mënyra e realizimit të idesë së riemërtimit të rrugës në komunën e Çairit, sipas reagimit të Pendarovskit, është në kundërshtim me parimin e debatit demokratik dhe respektimit të trashëgimisë historike të të gjitha komuniteteve në shtet.

Në këtë kuptim, pres që shërbimet kompetente inspektuese të kontrollojnë nëse është respektuar parimi i shumicës së dyfishtë me rastin e marrjes së vendimit, ku duhet të përfshihen edhe votat e komuniteteve që nuk janë shumicë në atë komunë”, thuhet në reagimin e Kryetari i shtetit Stevo Pendarovski.

Ndërkohë, në lidhje me vizitën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Tetovë ashpër ka reaguar edhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç. Ai e quajti vizitën një skandal pasi sipas Vuçiçit, Kurti promovoi idenë e “Shqipërisë së Madhe”.

“Ajo që ndodhi në Maqedoninë e Veriut ishte skandal i skandaleve. Aty u promovua ideja e ‘Shqipërisë së madhe’, u theksuan simbolet e saja, e Kurti u prezantua si kryeministër i të gjithë shqiptarëve dhe kryeministër i Tetovës, ndër të tjera”, tha Vuçiç.bw

blank

Beteja me dezinformatat ruse në Maqedoninë e Veriut

Isuf Kadriu

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, Rusia ka bërë gjithçka për të rritur ndikimin e saj në Maqedoninë e Veriut, sipas të të ashtuquajturit koncept i “fuqisë së mprehtë”, tregojnë të dhënat e një studimi të asociacionit civil “Most”.

Ky hulumtim analizon propagandën ruse, ndikimin dhe narrativat dezinformuese lidhur me luftën në Ukrainë, e që janë të pranishme online në Maqedoninë e Veriut në periudhën mars 2022 – shkurt 2023.

Një koncept i tillë i “fuqisë së mprehtë”, siç thuhet në studim, zbatohet veçanërisht përmes promovimit të vëllazërisë sllavo-ortodokse dhe shfrytëzimit të kishës për qëllime të tilla.

“Ndikimi rus e tërheq popullsinë në konceptin e vlerave të përbashkëta me “vëllezërit sllavë dhe ortodoksë nga Rusia që nuk kanë asgjë të përbashkët me botën perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, duke inkurajuar kështu rezistencën ndaj Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s”, thuhet në studim.

Sipas hulumtimit, “narrativat armiqësore ruse në Maqedoninë e Veriut” në vitin e parë të agresionit rus kundër Ukrainës kishin pesë synime kryesore; arsyetimin e agresionit, portretizimin e Ukrainës si kërcënim për ekzistencën e Rusisë për shkak të afërsisë së saj me Perëndimin dhe nazizmin e pretenduar, përmes narrativave “Laboratorët e armëve biologjike në Ukrainë dhe se ukrainasit janë nazistë”.

“Ky ndikim i jashtëm është i dëmshëm. Është një propagandë që përçan hapësirën informative duke bërë përpjekje për të rritur ndikimin te qytetarët përmes manipulimeve të ndryshme. Synimet tjera kishin të bëjnë me plasimin e dezinformatave se sanksionet dëmtojnë Perëndimin më shumë se Rusinë dhe krijimin e perceptimit se Perëndimi dëshiron të shkatërrojë Rusinë për shkak të botëkuptimit të saj ortodoks, një tregim që është promovuar nga zyrtarët rusë, si dhe aleatët dhe propaganduesit rusë”, ka deklaruar Rosana Aleksoska, nga asociacioni civil “Most”.

Një synim tjetër i dezinformatave ruse, sipas hulumtimit, kishte të bënte me kthimin në të kaluarën përmes manipulimeve lidhur me ngjarjet në Jugosllavi, si dhe duke promovuar narrativën “Kosova është Serbi, Donbasi është Rusi”.

“Të gjitha këto synime, sipas studimit, kanë qëllime përçarëse dhe synojnë të nxisin ndjenjën anti-perëndimore në audiencë, duke bërë gjithçka për të penguar integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit. Maqedonia e Veriut dhe Ballkani janë lart në agjendën e Kremlinit”, thuhet në studim.

Ndërkohë, Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës për gazetari hulumtuese, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndikimi rus në Maqedoninë e Veriut është i pranishëm në veçanti në dhjetë vjetët e fundit.

“Maqedonia e Veriut llogaritet si një nyje, një udhëkryq apo si një terren, në të cilin shumë më lehtë ushtrohet strategjia e Rusisë që të ketë një ndikim të madh me një kosto të vogël. Këtë ajo e arrin me propagandën e saj duke nxitur përçarje në baza etnike dhe religjioze dhe duke joshur kështu popullatën ortodokse dhe sllave që të bashkohet rreth Moskës si një promotore dhe mbrojtëse e interesave sllave”, thotë Neziri.

Ai shton se kjo propagandë bëhet me një kosto të lirë përmes mediave të ndryshme, kryesisht portaleve dhe rrjeteve sociale.

“Është një ndikim me një kosto shumë të lirë dhe efikase, sidomos te gjeneratat e reja andaj institucionet tona, sikur edhe vendet tjera të Ballkanit duhet të kenë strategji konkrete që t’i përgjigjen kësaj lufte hibride që ka për qëllimin devijimin nga qëllimet strategjike të këtyre vendeve drejt integrimeve euroatlantike”, thotë për Radion Evropa e Lirë analisti Neziri.

Studimi i asociacionit civil “Most”, bazohet në gjetjet dhe rekomandimet e bëra në studimin “Dezinformimi dhe shtrembërimi i informacionit në Maqedoninë e Veriut”, botuar nga “Most” në dhjetor 2021.

“Autoritetet, partitë politike, komuniteti akademik, sektori privat, mediat dhe të gjithë aktorët e tjerë duhet të njohin praninë e ndikimit malinj rus në vend. Pasi të bëhet kjo, duhet të hartohet, miratohet dhe zbatohet në mënyrë konsistente një plan strategjik afatgjatë për të luftuar ndikimin e huaj malinj, si dhe një plan afatgjatë komunikimi strategjik”, thuhet në studimin e asociacionit civil “Most”.

blank

Ahmeti: Japin dorëheqje ministrat e BDI-së në Qeveri

Isuf Kadriu

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti, ka thënë të dielën se ministrat dhe funksionarët e partisë që udhëheq ai, kanë dhënë dorëheqje nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se vendimi për dorëheqje është marrë “duke u nisur nga kushtëzimi i opozitës [VMRO DPPMNE-së] se do t’i votonte ndryshimet kushtetuese nëse Bashkimi Demokratik për Integrim del nga Qeveria”.

Por, kreu i BDI-së, ka thënë se dorëheqjet e zyrtarëve të partisë së tij do të hyjnë në fuqi pasi të votohen ndryshimet kushtetuese.

“Duke qenë se Bashkimi Demokratik për Integrim dhe unë, mbetemi të përkushtuar në përcaktimin se integrimi euroatlantik, me të drejta të plota të shtetit, përpos se në NATO, edhe në Bashkimin Evropian, si dhe aleanca e pashkëputur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë, janë dhe mbeten interesi më madhor i të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare e fetare, ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim japin dorëheqje nga postet që aktualisht janë duke i ushtruar! Dorëheqjet, materializohen me automatizëm në momentin kur opozita t’i votojë ndryshimet kushtetuese”, ka thënë Ahmeti në njoftimin publik drejtuar kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka thënë pas një takimi me Kovaçevskin, më 7 qershor, se “VRMO-ja është e gatshme të mbështesë ndryshimet kushtetuese, nëse do të formohej një qeveri e re, pa BDI-në, si dhe nëse ndryshimet kushtetuese hyjnë në fuqi vetëm pasi të kenë përfunduar bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian”.

Por, një kërkesë e tillë e VMRO-së është refuzuar edhe nga Bashkimi Evropian, pasi ndryshimet kushtetuese duhet të hyjnë në fuqi para se të nisin bisedimet me BE-në për kapitujt e anëtarësimit.

Ndryshimet në kushtetutë duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues dhe bazohen në atë që njihet si “propozim francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.

Në rast se kjo nuk ndodh, atëherë Sofja mban të drejtën e përdorimit të vetos, apo bllokimit të bisedimeve, ashtu siç bëri edhe në vitin 2020.

Opozita maqedonase është kundër ndryshimeve, pasi sipas saj, “pala bullgare nuk do të ndalet me kushtëzimet e saj edhe sikur të miratohen këto ndryshime”.

Debati parlamentar për ndryshimin e kushtetutës ka nisur më 25 korrik, ndërsa seanca plenare është caktuar të mbahet më 18 gusht.


Send this to a friend