VOAL

VOAL

Gjermania – Auf Wiedersehen Angela! Koalicioni trepalësh nënshkruan paktin qeverisës

November 25, 2021

Komentet

Hungaria miraton anëtarësimin e Suedisë në NATO

Parlamenti hungarez ratifikoi anëtarësimin e Suedisë në NATO të hënën, më 26 shkurt, 2024/AP

VOA/Marrë nga Reuters

Anëtarësimi i Suedisë në NATO, krahas anëtarësimit të Finlandës kohët e fundit, është zgjerimi më i rëndësishëm i aleancës që nga vitet ‘90 kur ajo përfshiu në radhët e veta shtetet e Evropës Lindore.

Gjatë fjalimit të sotëm në Kuvend, Kryeministri hungarez Viktor Orban tha se Hungaria “mbështet anëtarësimin. NATO-ja është një aleancë e mbrojtjes. Ne bëjmë aleanca për të mbrojtur njëri-tjetrin në rast të një sulmi nga jashtë. Nuk ka ndonjë angazhim më serioz se ky.”

Ratifikimi i anëtarësimit të Suedisë në NATO vjen pas vizitës së Kryeministrit suedez Ulf Kristersson javën e kaluar në Budapest, gjatë të cilës dy shtetet nënshkruan një marrëveshje për armatim. Kryeministri Orban tha se bashkëpunimi mes Suedisë dhe Hungarisë në fushën e mbrojtjes dhe anëtarësimi i Suedisë në NATO do të forcojnë sigurinë e Hungarisë.

“Kemi një marrëdhënie të gjatë me shtetin nordik dhe kemi patur edhe mosmarrëveshje. Shumë njerëz nga jashtë provuan të ndërhyjnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tona. Ata jo vetëm që nuk kanë ndihmuar, por kanë penguar. Hungaria është shtet sovran dhe nuk toleron diktatin e të tjerëve mbi të, qoftë për përmbajtjen e marrëveshjes apo kornizën kohore të saj,” theksoi kryeministri hungarez Orban.

Stokholmi braktisi politikën e neutralitetit në këmbim për siguri më të madhe përmes NATO-s pas sulmit të Rusisë në Ukrainë në vitin 2022. Herën e fundit që shteti nordik ka marrë pjesë në një luftë ishte në vitin 1814.

Sipas udhëheqësve perëndimorë, me anëtarësimin e Suedisë në NATO, Presidenti rus Vladimir Putin arriti pikërisht atë që donte të shmangte kur filloi luftën në Ukrainë – zgjerimin e aleancës.

Vendimi i Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO vjen pas anëtarësimit të Finlandës, duke u bërë vendi i 32-të i aleancës. Por Suedia, për dallim nga Finlanda, u përballë me vonesa të imponuara nga Turqia dhe Hungaria, të dyja këto shtete që vazhdojnë të kenë marrëdhënie të mira me Rusinë në krahasim me anëtarët e tjerë të aleancës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Turqia e kushtëzoi ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë me kërkesat për veprim më të ashpër ndaj militantëve të Partisë Punëtore të Kurdistanit, që sipas saj ka krijuar baza në Suedi. Suedia ndryshoi ligjet dhe rregullat rreth shitjes së armatimit për të kënaqur Turqinë. Ndërkohë Presidenti turk Tajip Erdogan e lidhi ratifikimin me miratimin e Shteteve të Bashkuara për shitjen e aeroplanëve luftarak F-16 Turqisë.

Vonesat e Hungarisë në procesin e ratifikimit ishin më pak të qarta. Budapesti kryesisht ishte i pakënaqur me kritikat e Suedisë për drejtimin që po merr demokracia në Hungari nën udhëheqjen e kryeministrit nacionalist Orban më shumë se që kishte ndonjë kërkesë konkrete.

Por pas ratifikimit nga Turqia, trysnia ndërkombëtare ndaj kryeministrit Orban u shtua.

Anëtarësimi i Suedisë në NATO pritet të kontribuojë në planifikimin e çështjeve të mbrojtjes dhe bashkëpunimit në pjesën veriore të aleancës. Ajo sjell në aleancë burime të rëndësishme, siç janë nëndetëset të afta për kushtet e operimit në Detin Baltik dhe një flotë të madhe aeroplanësh luftarak Gripen të prodhimit suedez krahas rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes që pritet të arrijnë deri në 2 për qind të prodhimit të saj të brendshëm.

Droni rus mbi autokolonën e saj, ministrja gjermane shpëton mrekullisht në Ukrainë

Një dron rus që po gjurmonte autokolonën e saj për ta sulmuar, ka bërë që vizita e ministres së Jashtme gjermane Analena Baerbock në qytetin jugor të Ukrainës, Mykolaiv, të ndërpritej me urgjencë.

Një zëdhënës i ministrisë tha për mediat se ata zbuluan që misioni i saj po ndiqej nga një dron spiun rus, ndaj anëtarëve të delegacionit iu kërkua të ktheheshin me nxitim në mjetet e blinduara.

Droni mbi kokat e tyre u zbulua teksa përgatiteshin së bashku me ministren për të vizituar ujësjellësin e qytetit.

Sipas revistës “Der Spiegel”, fluturime të tilla zakonisht pasohen nga sulme ajrore dhe për këtë arsye u vendos që Berbock dhe kolegët e saj të largoheshin sa më parë.

Droni rus vazhdoi të ndiqte makinat në lëvizje për pak kohë dhe alarmi i luftës ra në Mykolaiv, por në fund nuk pati sulm.

Qyteti në fjalë ndodhet shumë pranë frontit dhe në fillim të luftës porti i tij ishte një nga objektivat e parë të forcave ruse. Forcat ukrainase deri më tani kanë mundur të mbrohen me sukses, por së fundmi zona është përballur me sulme të shpeshta me dronë dhe raketa. Ndërkohë, porti i Mykolaiv mbetet i mbyllur për shkak të luftës.

Sakaq, të shtunën në mbrëmje, ministres së Jashtme gjermane iu desh të qëndronte për 20 minuta në një strehë në Odessa, pas një alarmi për sulm ajror.

Një shpërthim ndodhi në afërsi të qytetit, por nuk dihet se cili ka qenë objektivi dhe nëse ka viktima. Përpara vizitës së ministres së Jashtme, katër persona u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në dy sulme me dron rus në Odesa.sn

Hungaria pritet të ratifikojë pranimin e Suedisë në NATO

Hungaria pritet që të hënën, më 26 shkurt, të ratifikojë pranimin e Suedisë në NATO, duke larguar pengesën e fundit në mënyrë që shteti nordik të bëjë një hap historik dhe të bëhet anëtarja e 32-të e aleancës.

Votimi në Parlamentin hungarez pritet të kalojë pa probleme pas vizitës që kryeministri suedeze, Ulf Kristersson, bëri të premten e kaluar në këtë shtet, vizitë gjatë së cilës Hungaria dhe Suedia nënshkruan një marrëveshje për armë.

Hungaria është shteti i fundit që ende nuk ka ratifikuar pranimin e Suedisë në aleancë.

Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 2022, Suedia, së bashku me Finlandën hoqën dorë nga politika e tyre e neutralitetit ushtarak.

Finlanda u bë anëtare e NATO-s vitin e kaluar, ndërkaq Suedia u përball me vonesa në ratifikim nga Turqia dhe Hungaria, shtete që kanë raporte të mira me Rusinë.

Turqia kërkoi nga Suedia që të ndërmerrte veprime më të ashpra kundër militantëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit që gjenden në Suedi, në këmbim të ratifikimit të anëtarësimit në NATO.

Suedia ndryshoi ligje dhe zbuti rregullat për shitjen e armëve në mënyrë që të plotësonte kërkesat e Turqisë. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka lidhur ratifikimin edhe me miratimin e shitjes së avionëve amerikanë F-16 për Turqinë dhe tani Ankaraja pret që të punojë me Shtetet e Bashkuara që të ketë një mbështetje në Kongres për shitjen e këtyre fluturakeve luftarake.

Ndërkaq, hezitimi i Hungarisë për ratifikuar pranimin e Suedisë kishte të bënte kryesisht me kritikat suedeze për demokracinë në Hugarinë e udhëhequr nga nacionalisti Viktor Orban.

Me pranimin e Suedisë dhe Finalndës, NATO-ja do të shënojë zgjerimin më të madh që në vitet ’90.REL

Zelensky: 31.000 ushtarë ukrainas u vranë në luftë, shpresoj për samit të paqes së shpejti

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë konferencës për media në Kiev, 25 shkurt 2024.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë të dielën se 31.000 ushtarë ukrainas janë vrarë prej se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës para dy vjetëve.

Duke folur në një konferencë për media në kryeqytetin ukrainas për shënimin e dyvjetorit të pushtimit nga Rusia – i cili nisi më 24 shkurt 2022 – Zelensky shpresoi se një samit i liderëve botërorë do të mbahet në Zvicër në muajt e ardhshëm për të biseduar për vizionin e tij për paqe.

“Deri tani në këtë luftë janë vrarë 31.000 pjesëtarë të ushtrisë. Jo 300.000, jo 150.000, e as sa [presidenti rus Vladimir] Putin dhe rrethi i tij mashtrues kanë gënjyer. Por, sidoqoftë, secila prej këtyre humbjeve është flijim i madh për ne”, tha Zelensky.

Zelensky shtoi se nuk do të flasë për numrin e të plagosurve, për shkaqe sigurie.

Duket se kjo është hera e parë që Ukraina flet zyrtarisht në hollësi për numrin e përgjithshëm të ushtarakë të vrarë.

Herën e fundit kur Kievi foli për numrin e humbjeve në betejë ishte në fund të vitit 2022, kur zyrtari presidencial Mykhailo Podolyak tha se 10.000 deri në 13.000 ushtarë ukrainas ishin vrarë.

Zelensky pretendoi se humbjet e Rusisë janë 180.000 ushtarë të vrarë dhe 500.000 të plagosur në këtë luftë, që është shifër shumë më e lartë se vlerësimet e deritanishme, por e pamundur për t’u konfirmuar.

Rusia nuk i zbulon humbjet në luftë.

Më 24 shkurt, presidentja e Zvicrës, Viola Amaherd, tha se vendi i saj neutral shpreson se do ta mbajë një konferencë të nivelit të lartë për paqe në muajt në vijimë.

“Shpresoj se [samiti[ do të mbahet këtë pranverë. Ne nuk duhet ta humbim këtë nismë diplomatike”, tha Zelensky.

Ai shtoi se pret që kjo nismë e paqes t’i prezantohet Moskës.

Ndërkohë, Zelensky gjithashtu tha se fitorja e Ukrainës në këtë luftë varet nga mbështetja prej Perëndimit, e cila është përballur me rezistencë kryesisht nga ligjvenesit e Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara.

Ai tha në konferencë se është i sigurt se paketa vendimtare me ndihmë për Ukrainën do të miratohet përfundimisht nga Senati amerikane.

“Se a do të humbë, apo se a do të fitojë Ukraina do të jetë e vështirë për ne, dhe nëse do të ketë numër të madh të viktimave, kjo varet nga ju, nga partnerët tanë, nga bota perëndimore”, tha Zelensky.

Ai shtoi se “ka shpresë për Kongresin. Dhe, jam i sigurt se do të jetë pozitive”.REL

Lihtenshtajni: jo zgjedhjes së drejtpërdrejtë të qeverisë

Selia e qeverisë në Vaduz

Qytetarët e principatës hedhin poshtë nismën: Ekzekutivi do të vazhdojë të zgjidhet nga Parlamenti

VOAL- Populli nuk do të zgjedhë drejtpërdrejt Qeverinë e Lihtenshtajnit: popullsia e principatës hodhi poshtë një nismë në këtë kuptim me një shumicë të qartë të dielën.

Votat jo ishin 9309 (68%), për një pjesëmarrje që ishte afër 67%. Nisma popullore u nis nga partia e vogël Demokratët pro Lihtenshtajnit. Ai kërkoi që kreu i qeverisë dhe katër anëtarët e tjerë të zgjidhen drejtpërdrejt nga popullsia dhe jo nga Parlamenti, siç ndodh aktualisht.

Të drejtat e Princit në “monarkinë e trashëguar kushtetuese mbi baza demokratike” nuk do të prekeshin nëse propozimi do të ishte pranuar.rsi-eb

Liderë të BE sot në Ukrainë për ‘mbështetje morale’ në 2-vjetorin e pushtimit rus

Bashkimi Evropian në fillim të kësaj jave miratoi paketën e saj të 13-të të sanksioneve kundër Rusisë për pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës, duke vënë në shenjestër kompanitë e huaja që i ofrojnë Moskës teknologjitë që i nevojiten për të vazhduar sulmin e saj.

Ursula von der Leyen, Alexander de Croo i Belgjikës, Giorgia Meloni i Italisë dhe Justin Trudeau i Kanadasë mbërritën në Kiev të shtunën në mëngjes, ndërsa vendi shënon dy vjet luftë me Rusinë.

Shefja e Komisionit Evropian tha se ky udhëtim në vendin e shkatërruar nga lufta, i shtati i saj që kur Rusia futi për herë të parë tanket e saj në Ukrainë më 24 shkurt 2022, është “për të kremtuar rezistencën e jashtëzakonshme të popullit të guximshëm ukrainas” dhe për t’i dhënë “mbështetje morale” ukrainasit.

Alexander de Croo është atje si lider i vendit që mban presidencën gjashtëmujore të rradhës të Këshillit të BE-së, Giorgia Meloni si kryetare aktuale e G7 dhe Trudeau si përfaqësues i NATO-s.

Vendet e G7 – Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara – do të takohen virtualisht këtë pasdite me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Në kryeqytetin ukrainas, gjendja ishte e ndrydhur mëngjesin e së shtunës, ndërsa vendasit përjetojnë tmerret e asaj dite kur skenari më i keq u realizua.

“Është e çuditshme ta quash një përvjetor. Përvjetorët janë për të festuar diçka të këndshme,” tha një vajzë e re për Euroneës të shtunën në mëngjes në Kiev.

“Ka luftë, por vendasit po gjejnë mënyra për të përballuar. Të gjithë janë dëmtuar, të gjithë kanë humbur diçka.”

Një zyrtar ukrainas me bazë në Kiev tha gjithashtu pas asaj që ai e përshkroi si një “natë të rëndë në Kiev”.

Njerëzit, shtoi ai, shkojnë në kinema me shpresën se do të jenë në gjendje të shikojnë një film të plotë dhe të mos ndërpriten nga një paralajmërim alarmi për sulmet e ardhshme ruse. Fëmijët, të cilët shpesh nuk mund të ndjekin fizikisht shkollën, sepse shumicave u mungojnë strehimoret kundër dronëve dhe raketave, luajnë në rrugë.

Banorët e Kievit duket se po bëjnë jetën e tyre të përditshme mes sirenave dhe tronditjeve, por aleatët e vendit duhet të luftojnë me akuzat për lodhje nga lufta.sn

Foto emblemë: Foto e Navalny-t e projektuar në Ambasadën Ruse në Londër

Foto emblemë: Foto e Aleksei Navalny-t e projektuar në Ambasadën Ruse në Londër –

Një imazh i liderit të opozitës ruse Alexei Navalny është projektuar në Ambasadën Ruse në Londër nga grupi Led By Donkeys në ditën kur u njoftua vdekja e tij, në Londër, Britani, 16 shkurt 2024. (REUTERS)

We are all Navalny – You can not kill us all – Ne të gjithë jemi Navalny – ti nuk mund të na vrasësh të gjithëve!

Suedia i dhuron Ukrainës ndihmë ushtarake në vlerë 680 milionë dollarë

Ministria e Mbrojtjes e Suedisë tha të martën se do t’i japë Ukrainës ndihmë ushtarake në vlerë rreth 680 milionë dollarë, përfshirë dërgimin e pajisjeve dhe para të gatshme për blerjen e armëve.

Kjo do të jetë hera e 15-të që Suedia i dërgon ndihmë Ukrainës dhe pakoja më e madhe e ndihmës deri më sot, duke rritur në rreth 2.8 miliardë dollarë ndihmën e përgjithshme që ia ka dhënë asaj prej se Rusia e filloi pushtimin e saj më 2022.

“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën sa të jetë e nevojshme”, tha ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Pal Jonson.

Pakoja përfshin artileri dhe municion të artilerisë, anije detare luftarake dhe pajisje të tjera, tha Suedia.

Vendimi i Suedisë vjen vetëm një ditë pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, iu lut Perëndimit për ndihmë gjatë një vizite te trupat ukrainase në vijën e frontit të hënën.

Zelensky ka paralajmëruar përsëri se ushtria e tij po përballet me kushte “tejet të vështira” dhe mungesë municioni në vijat e frontit.

“Kjo gjendje është tejet e vështirë tani në disa pjesë të vijës së frontit, ku trupat ruse kanë vendosur rezerva maksimale”, tha Zelensky më 19 shkurt pas një vizite te trupat ukrainase në vijën e frontit në qytetin verilindor, Kupianks.

Ai e vizitoi këtë qytet vetëm pak orë pasi Rusia e mori në dorë fabrikën më të madhe të koksit në Avdivka, ku Kievi e pranoi disfatën javën e kaluar duke i tërhequr trupat nga qyteti.

Rënia e Avdivkës, dikur qytet i rreth 30.000 banorëve por tani kryesisht i bërë rrafsh me tokën dhe shkretëtirë, në rajonin lindor të Donjeckut, shënon fitimin më të madh territorial të Rusisë në nëntë muajt e fundit prej se e nisi pushtimin e Ukrainës para gati dy vjetëve.rel

E veja e Navalnyt takohet sot me ministrat e Jashtëm të BE-së

“Mesazhi i fortë i mbështetjes për luftëtarët e lirisë në Rusi,” parashikon Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell

VOAL- Të hënën, Yulia Navalnaya, e veja e kundërshtarit rus Alexei Navalny, i cili vdiq në një burg rus të premten, takohet me ministrat e punëve të jashtme të BE-së në Bruksel.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrell e parashikoi këtë në kujtimin e Alexei Navalny”.

Zonja Navalny tha se ajo e konsideronte presidentin rus Vladimir Putin “personalisht përgjegjës” për vdekjen e bashkëshortit të saj dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bashkohet për t’i shkaktuar një disfatë një regjimi që ajo e përshkroi si “të tmerrshëm”.rsi-eb

Orban: Hungaria mund të ratifikojë së shpejti anëtarësimin e Suedisë në NATO

VOA/Marrë nga Reuters

BUDAPEST – Parlamenti hungarez mund të ratifikojë së shpejti anëtarësimin e Suedisë në NATO, kur të fillojë punimet për sesionin e pranverës më vonë këtë muaj, u tha të shtunën mbështetësve të tij kryeministri Viktor Orban.

“Është lajm i mirë që mosmarrëveshja jonë me Suedinë do të zgjidhet së shpejti”, tha zoti Orban. “Po ndërmarrim hapa që me fillimin e sesionit pranveror të parlamentit mund të ratifikojmë anëtarësimin e Suedisë në NATO”.

Parlamenti rimblidhet në 26 shkurt. Suedia aplikoi për anëtarësimin në NATO gati dy vite më parë, duke bërë kështu një ndryshim historik të politikave, për shkak të sulmit të Rusisë në Ukrainë.

Zoti Orban tha se së bashku me kryeministrin suedez Ulf Kristersson kanë ndëmarrë hapa për “të rindërtuar besimin” mes dy vendeve. Zoti Orban nuk tha se cilat ishin këto hapa.

Hungaria është i vetmi vend i NATO-s që nuk ka ratifikuar ende anëtarësimin e Suedisë, një proces për të cilin duhet miratimi i të gjitha vendeve anëtare të NATO-s. Vonesa ka tensionuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe ka krijuar shqetësim mes vendeve aleate.

Partia në pushtet e zotit Orban, Fidesz, ka përmendur ato që i quan akuza të pabaza të Suedisë se ka dëmtuar demokracinë në Hungari, si arsyen përse është shtyrë ratifikimi.

Gjatë javës së fundit, kryeministri Orban është përballur me një periudhë tepër sfiduese për qeverisjen e tij 14-vjeçare, për shkak të faljes së dhënë nga presidentja e vendit për një person që pati ndihmuar për të mbuluar abuzimin seksual në një shtëpi fëmijësh. Skandali solli dorëheqjen e presidentes së Hungarisë dhe të ish-ministrit të drejtësisë, të dy aleatë kryesorë të zotit Orban. Të premten vonë dhjetëra mijëra persona dolën në protestat e thirrura nga personalitete me ndikim në opinionin publik.

Në deklaratën e tij të parë publike që nga dorëheqja e presidentes një javë më parë, zoti Orban tha se qeverisja e tij do të dilte edhe më e fortë, duke u përqëndruar tek ekonomia dhe zgjedhjet parlamentare të BE-së në qershor, ku pritet rritja e pranisë së forcave të djathta politike dhe “sjellja e ndryshimit në Bruksel”.

Ai tha se dorëheqja e presidentes Katalin Novak ishte “si një makth”, por se ishte veprimi i duhur, duke shtuar se qeveria e tij do të hartojë projektligje për të forcuar mbrojtjen e fëmijëve.

Zoti Orban ka patur përplasje me Komisionin Evropian për shkak të masave të qeverisë së tij kundër lirisë së medias dhe të drejtave të komunitetit LGBTQ, si dhe për politikat e tij për emigracionin. Ai tha se ky vit mund të sjellë ndryshime në Evropë dhe gjetiu.

“Do të dëshironim shumë që Donald Trump-i të rikthehej si president (i Shteteve të Bashkuara) dhe… të vendosë paqen këtu në gjysmën lindore të Evropës”, tha zoti Orban, një mbështetës i hershëm i zotit Trump.

(Video) Falënderimi i Papës për kard. Simoni, “martirin e gjallë” 95-vjeçar të diktaturës në Shqipëri

Kardinali, i cili vuajti burgimin, persekutimin dhe kërcënimet me vdekje për rreth 28 vjet gjatë regjimit komunist, ishte i pranishëm sot në audiencën e përgjithshme në Sallën Pali VI. Françesku e përshëndeti “në mënyrë të veçantë” dhe e falënderoi, sepse edhe sot “ai vazhdon të dëshmojë dhe të punojë për Kishën, pa u shkurajuar”

R.SH. – Vatikan

Hera e parë që bota e pa Françeskun, Papën e zgjedhur prej një viti e gjysmë, të derdhte lot, ishte më 21 shtator 2014, kur në udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar, në Shqipëri, gjatë takimit me klerin në Kishën Katedrale të Shën Palit, në Tiranë, dëgjoi dëshminë e meshtarit dom Ernest Simoni Troshani. Ai prift i moshuar me zërin e mekët, ardhur nga dioqeza e Shkodër-Pultit, që pak ditë më vonë do të kishte mbushur 88 vjeç, kishte kaluar rreth 28 vjet burg, tortura, kërcënime me vdekje dhe punë të detyruar, gjatë persekutimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili e shpalli Shqipërinë “shtetin e parë ateist në botë”.

Atë ditë, dom Ernesti dëshmoi para Papës për periudhën mizore që kaloi vendi i shqipeve, së bashku me murgeshën tjetër të mbijetuar, motër Marie Kaletën. Papa Françesku, pasi dëgjoi në heshtje dëshminë e tij, hoqi syzet për të fshirë sytë në lot dhe e përqafoi gjatë, duke e mbështetur ballin mbi atë të dom Ernestit. Dy vjet më vonë, në Koncistorin e 2016-ës, Papa e krijoi kardinal, në shenjë mirënjohjeje për këtë dëshmi “martirizimi”.

Martirët e shumtë të sotëm

Paraditen e sotme, 14 shkurt, kardinali Simoni ishte i pranishëm në audiencën e përgjithshme, i ulur në karriget anash Papës, në  podiumin e Sallës Pali VI, ku zakonisht qëndrojnë ipeshkvijtë dhe kardinajtë. Pas katekizmit të audiencës së përgjithshme, në kohën e përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Ati i Shenjtë Bergoglio e ktheu vështrimin drejt tij, për ta përshëndetur “në mënyrë të veçantë” dhe për ta lëvduar para mijëra besimtarëve të pranishëm.

“Të gjithë ne – ngriti zërin Papa, duke e lënë mënjanë tekstin e shkruar – i kemi lexuar, i kemi dëgjuar historitë e martirëve të parë të Kishës, të shumë prej tyre. Edhe këtu, ku tani është Vatikani, dikur ishte varrezë. Shumë u ekzekutuan dhe u varrosën këtu. Kur bëhen gërmime, i gjejnë këto varre”.

“Por edhe sot ka shumë martirë në mbarë botën, shumë, ndoshta, më shumë se në zanafillë. Ka shumë të persekutuar për fenë”.

Kardinali Simoni ende punon për Kishën

Sot, vijoi Papa, “më lejoni të përshëndes në mënyrë të veçantë një martir të gjallë”, kardinalin Simoni. “Ai, si meshtar, përjetoi 28 vjet burg, në burgun komunist të Shqipërisë, ndoshta persekutimi më mizor, më mizor”, pohoi Françesku. Sot kardinali shqiptar “vazhdon të japë dëshmi. Dhe si ai, shumë e shumë e shumë të tjerë”.

“Tani, është 95 vjeç e vazhdon të punojë për Kishën, pa u shkurajuar. I dashur vëlla, të falënderoj për dëshminë tënde. Faleminderit”.

Fjalët e Papës, gjatë kthimit nga Tirana

Fjalë prekëse ato të Papës në fund të audiencës, shoqëruar me një thirrje të re për të mos harruar, veçanërisht gjatë kësaj kohe Krezhmësh, “Ukrainën e martirizuar, Palestinën dhe Izraelin, që pësojnë kaq shumë”, si edhe të vuajturit e tjerë të luftrave.  Edhe gjatë kthimit nga Tirana, pas udhëtimit të tij në vitin 2014, Ati i Shenjtë u foli gazetarëve për historinë e kardinalit të mëvonshëm Simoni dhe për motër Kaletën. “Të dëgjosh një martir të flasë për martirizimin e tij është vërtet diçka e fuqishme – pati thënë Françesku. – Mendoj se të gjithë u prekëm nga këta dëshmitarë, që folën natyrshëm, me përvujtëri e, thuajse, dukej sikur po tregonin historitë e jetës së dikujt tjetër”.

Arrestimi, kërcënimet, persekutimi

Don Ernesti u arrestua natën e Krishtlindjes 1963, në fund të meshës në Barbullush. E akuzuan si “armik të popullit”, edhe për shkak të meshës së kremtuar për shpirtin e presidentit amerikan Kennedy, i cili kishte vdekur një muaj më parë. Meshë që, siç tregonte ai vetë, e kremtoi “sipas udhëzimeve të Papës Pali VI për gjithë meshtarët e botës”. Në qelinë, ku qëndroi për 18 vjet, i sollën një shok me detyrën për ta spiunuar dhe urdhëruan të tjerë të raportonin për “zemërimin e tij të parashikueshëm” kundër regjimit.

Por kishte pak gjëra për dom Ernestin, vetëm fjalë faljeje dhe lutjesh dilnin nga goja e meshtarit. “Jezusi na mësoi t’i duam armiqtë dhe t’i falim, duhet të punojmë për të mirën e njerëzve”, vazhdonte të thoshte ai. Fillimisht, u dënua me vdekje, por më pas, dënimi iu ndryshua në punë të detyruar, që e bëri për 25 vite me radhë në tunelet e errëta të minierës së Spaçit dhe më pas, në kanalizimet e Shkodrës.

Meshët dhe rrëfimet fshehurazi në qeli

Gjatë periudhës së burgimit, dom Simoni kremtonte meshën në latinisht, rrëfente të burgosurit, që ia kërkonin atë sakrament, duke u bërë ati shpirtëror i disa prej tyre e duke u dhënë edhe Kungimin. Hosten e piqte në një furnelë të vogël, ndërsa vera ishte lëngu i disa kokrrave të rrushit. Gjithnjë, fshehurazi. Pasi u lirua, më 5 shtator 1990, ai i fali torturuesit e tij, duke kërkuar mëshirën e Atit Qiellor për ta. Më pas, nisi të shërbente nëpër fshatra, sidomos për faljen e gjaqeve. Shërbim, që nuk u ndërpre asnjëherë, as për shkak të moshës dhe as për krijimin e tij kardinal. Pikërisht për këtë nderim, që i bëri Papa, kardinali Simoni thotë gjithnjë se ai është homazh për të gjithë martirët dhe katolikët e përndjekur në Shqipëri. Ashtu siç ishte nderim i tillë edhe krijimi i kardinalit të parë shqiptar në histori, nga Papa Gjon Pali II, në vitin 1994: Mikel Koliqi (1902-1997), bashkëqytetari i tij nga Shkodra, edhe ai, i burgosur gjatë në burgjet e regjimit, ku kaloi 31 vite të jetës së tij.

Radio Vatikani 14 shkurt 2024

Shërbimi i inteligjencës së Estonisë paralajmëron: Rusia po përgatitet për konfrontim ushtarak me Perëndimin

Rusia po përgatitet për një konfrontim ushtarak me Perëndimin brenda dekadës së ardhshme tha Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Estonisë.

Një numër në rritje i zyrtarëve perëndimorë kanë paralajmëruar për një kërcënim ushtarak nga Rusia ndaj vendeve përgjatë krahut lindor të NATO-s, duke bërë thirrje që Evropa të përgatitet duke u riarmatosur, raportoi Reuters. Shefi i shërbimit të inteligjencës tha se vlerësimi bazohej në planet ruse për të dyfishuar numrin e forcave të stacionuara përgjatë kufirit të saj me anëtarët e NATO-s, Finlandën dhe shtetet baltike të Estonisë, Lituanisë dhe Letonisë.

“Rusia ka zgjedhur një rrugë që është një konfrontim afatgjatë… dhe Kremlini me siguri po parashikon një konflikt të mundshëm me NATO-n brenda dekadës së ardhshme apo më shumë”, u tha Kaupo Rosin gazetarëve në publikimin e raportit të kërcënimeve të sigurisë kombëtare të Estonisë. Estonia dhe shtetet e tjera baltike kanë rritur shpenzimet e tyre ushtarake në mbi 2% të vlerës së ekonomive të tyre pasi Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe aleatët e NATO-s kanë rritur praninë e tyre në ato vende.
(BalkanWeb)


Send this to a friend