gjëra të pamundura
Mundohem bëj çmos të shpëtoj nga e shkuara
në të cilën prej kohësh… zemra më hutoi
shumë u desh ta merrja vendimin
për ta lënë pas atë,
që si një sirenë më tërhiqte me këngën e saj,
por e kisha mbledhur veten dhe… e mposhta trishtimin
(tani së voni më godet shpesh
mendimi se çfarë ishte ajo që si një vegim kaloi ?)
Vendos ta lë pas, si një kafshë të dashur, ta harroj, të mos e ushqej
të vdesë nëse kështu duhet të jetë
dyer e dritare mezi i mbaj të mbyllura
perdet e lëshuara, mbaj veshët me duar dhe i ul grilat
mos ta ndjej atë muzikë prej së cilës ndjehem i shëndrruar!
Por një çast vendimit i qëndroj …
ja kaq mjafton,… ta ndiej
nuk është asgjë e pamundur
jetime do ta le të kaluarën,
asnjeri me faj nuk do të më bëj e megjithatë…
I afrohem dritares, duke mënjanuar perden
atje jashtë më ngjan se është ajo, me sy të përlotur
në pritje që ta kërkoj sërish e të ndjehem kështu, i mundur
tani që ajo kaloi, e kthimin
e ka të vështirë e thuajse pa mundësi…
Oh jetë e shtrenjtë,
sa herë kemi menduar se të gjetëm
pa dashje ndoshta,
atë që na duhej më shumë, e kemi humbur!
këmbanë
Këmbanë, kumbimi i përhapur gjer larg
tejpërtej përshkuar rreth e rrotull botës
udhën e saj zgjedh mes diellit që përflak
mendimin e vyer, rrahjen e fortë të aortës
Mbi vete stoli, vështrimin e zilinë e gjithkujt
marrun mbi shpinë, si shpagë a si çmim
djegur dëshirash… Ti nëse e do shpaguaj
me kohën e falur të padukshmes, që ka kuptim…
muzikë…
Të ndiej o jetë që ikën ngadalë
Muzikë pa fjalë!…
moment
Përjetësia dhe ajo… që jemi
në të cilën na përcakton rasti…
Ne të lindur nga përjetësia
të mashtruar nga… çasti!
pluhur
Diku aty ishe ti krejt në skaj
kisha kohë s’të kisha vënë re
shkova dorën aty dhe u ndjeva në faj…
“Ç’është ky pluhur kështu që rri ndër ne”?!
Pa kam vendosur që tani e mbas
do ta pastroj… Ta përftoj, ta kem për vete
pamjen e pastër e të qartë
që shfaqet gjithandej, kur fshihen qelqet…
ekologjike
Pasi të kapëm me njëmijë hile
pasi u betuam se të pëlqenim,
të premë në besë me fjalë të bukura
gënjyem me ato betime,
të vumë në gjumë,
si dritëshkurtër nuk ditëm të të donim, nuk e vumë re
fustanin tënd gjithë lule e gjithfarë fluturash
të dhunuam e të kapëm me përdhunë,
të zhveshëm , të lamë duke u dridhur lakuriq nëpër udhë….
Pastaj u ngritëm e të shamë
të thamë: “kurvë!”
Festa e humbur
Trumpetat ranë, muzika kumboi. së paku isha i sigurtë
se ajo, (bukuria), do të kalonte në atë çast,
duke e bërë rrugën të rëndësishme
pse jo më pastaj ta thërrisnin këtë rrugë, fatlume, me emrin e asaj
që do ta mbështillte gjithë botën, me sytë e qielltë plot dritë
Vrapova, dola me nxitim dhe këpucët
i futa në këmbë pa i lidhur , …një bluzë hodha krahëve
zemra ime më bënte ta kuptoja momentin e mundshëm
pa u rregulluar aspak, por me një shpresë ndezur, si një zjarr
sikurse shkohet në vendtakim, kur do ta takosh të bukurën
Ajo po kalonte… unë e ndala vrapin
sytë më mbetën andej prej nga rrezatonte…
Thirrja e saj ishte zëri i gjithë kësaj bote magjike tërheqëse, ndërkohë
ndërsa trupi i përkryer vallzonte, nuk mund të them ecte
më hodhi sytë e saj plot zjarr…
Atë çast m’u duk se më pa vetëm mua
“eja pas meje!”- sikur më thoshte ashtu
u nisa atëherë, por ndërkaq u pengova nga lidhëset e harruara të këpucëve
nga nxitimi rashë por shpejt u ngrita , u shkunda nga pluhuri
gjithçka ndodhi në sytë e botës, në mes të rrugës
Ata që më panë përreth meje u habitën, kur më vunë re
ngritur ashtu vetëtimthi e nga mundimi i përflakur
(oh –thanë njëzëri-je zbardhur nga flokët, krejt je zbardhur)
nëpër xhamat e dyqaneve e pashë veten krejt ndryshe,
sikur kishte kaluar një kohë e gjatë, atë e humba prej syve,
ndoshta një sekondë me atë do të thotë kalimi i viteve…
Isha ngritur në këmbë, për aq pak sekonda
gjithçka kishte mbaruar
më atë nuk e pashë,
sa e kisha nxjerrë prej vështrimit , si një kristal ishte thyer
fluturonte botës së re e të lashtë duke lënë pas gjithnjë
në përfytyrimin tim , …shenjën e qenies së përkryer!
parfumeri
Në dyqanin e parfumerisë shkova dhe formulova pyetjen,
për gjërat që shiteshin aty
“Ky parfum është për burra,”- më shpjegonte shitësja
“ky këtu për të rinj,
ndërsa ky parfum është për gra
ky tjetri për vajzat në punë,
ndërsa ky tjetri,
kur vajzat shkojnë në takim”
Në një raft veças e pashë edhe një parfum tjetër
“ky është… dhe më pa me një palë sy
“është …pëdoret kur vdesin,… për njerëzit,
…pra , për njerëzit kur vdesin”
“Ma jep atë parfum!” – i thashë pa u menduar shumë,
“se ne… të vdekur jemi!”
letër dashurie qytetin tim
(Kurbneshit qytetit të fëmijërisë)
Jam i mbështjellë me ty
me dashurinë tënde!
Je brenda meje
brenda festave , dhuratave të Vitit të Ri
vezëve të Pashkëve që i mbanin fshehurazi nëpër duar,
kur nëpër to vizatohej fytyra e habitur e Zotit,
se pse nuk e donim më?!
Të gjitha janë atje tej qyteti im i fëmijërisë;
shkronja ime e parë shkruar me dorën që më dridhej,
kënga e parë dhe lulja që së pari e këputa
në bjeshkën tënde mbjellë me ëndrra të dëborta,
vajza e parë për të cilën mbeta zgjuar,
Helenën e trojës dhe Parisin e përgjakur nga dhurata e pranuar
Ofelinë e dashuruar dhe Hamletin prej tradhtisë helmuar
Oliver Tuistin jetim e Koperfildin e shpërblyer
të gjitha herët e para të shumë e shumë gjërave, në mes tyre
vjersha e parë, pas së cilës mbeta lidhur e robëruar
I ka mbuluar bari tashmë;
rrugët e tua të bukura dikur,
lumi i kthjellët mezi shihet ,kur gjarpëron në rrugën e zakonshme, si kaherë
tash aq e aq gjëra duket se ti po i “fsheh’
ndoshta nga inati, se ne që të deshëm tani vijmë rrallë e më rrallë,
siç i fsheh vajza që duam hiret prej vështrimeve të hedhura
Qytet magjik! Asnjëherë nuk të harrova që ditën që të pashë
hapi sytë mirë e më shih , më ndjej , jam tani këtë çast aty
sapo e fsheha kokën time të thinjur në harresën tënde të gjelbërt
dhe….qava,se nuk ishim ma bashkë!
Komentet