Mendimi i thellë i Sejfulla Malëshovës do të shpalosej në tërë vendimet e Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar si dhe në të gjitha rezolutat apo thirrjet e ndryshme që lëshoheshin nga Fronti apo Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare gjatë asaj periudhë të luftës kundër pushtuesit.
Në Konferencën e Labinotit, Sejfulla Malëshova goditi pa mëshirë politikën e tradhtisë. Për të parën herë Lëvizja Nacionalçlirimtare demaskon me plot gojën manovrat e Ballit Kombëtar, politikën e tij “prit gomar, të mbijë bar” si dhe gjithë bashkëpunimin me të huajt, duke parashtruar ide të qarta lidhur me qëndrimin që duhej mbajtur ndaj tyre gjatë gjithë periudhës së luftës për çlirim.
Në Kongresin e Përmetit u zgjodh Këshilli i Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar me vlerën e një kuvendi popullor. Ky zgjodhi Komitetin Antifashist Nacionalçlirimtar me atributet e një qeverie provizore demokratike. Sejfullai u zgjodh anëtar i Komitetit, i ngarkuar me punët e shtypit dhe të propagandës, detyrë, të cilën e kreu me nder. Edhe në Mbledhjen e Dytë të Beratit, ku Komiteti Antifashist Nacionalçlirimtar u shndërrua në Qeveri Provizore Demokratike, Sejfullai mbajti po atë funksion që kishte më parë.
Vizioni për Shqipërinë demokratike
Edhe mbas çlirimit të atdheut Sejfulla Malëshova punoi shumë për një Shqipëri me të vërtetë demokratike. Ai theksonte me të madhe: “Të ngremë një pushtet demokratik dhe, mbi këtë pushtet, një shtet të ri demokratik”. Sejfulla Malëshova ishte njeriu më i përgatitur për ndërtimin e shtetit. Ai ishte ideolog, poliglot dhe, mbi të gjitha, një atdhetar i shquar. Zotëronte 14 gjuhë, dy më pak se Fan Noli dhe shkruante me shumë merak e kritikonte cilindo që mund të deformonte fjalët dhe ligjëratat e gjuhës së bukur shqipe.
Pas vendosjes së qeverisë në Tiranë, Sejfullai shpalli hapur mendimin që zhvillimi i vendit të mos ndikohej nga ndërhyrja jugosllave. Madje, përvojën jugosllave nuk e quajti të dobishme. Udhëheqja jugosllave kishte krijuar mendim negativ për Sejfullanë dhe sugjeronte largimin e tij nga udhëheqja.
Viti 1945 ishte vit i një pune intensive për Sejfullanë; problemet ekonomike të së kaluarës ishin dy sektorët që e preokuponin më shumë. Ai theksonte se, pa ngritjen arsimore dhe kulturën e popullit, nuk mund të dalësh nga prapambetja ekonomike.
Megjithëse ishte ideolog, Sejfullai u vendos në detyrat më të rëndësishme ekonomike, deri edhe kryetar i Këshillit Ekonomik, ku bënin pjesë disa ministri. Sejfulla Malëshova në këtë kohe ishte numri 1 i praktikave ekonomike të vendit. Ai themeloi Bankën dhe iu ngarkua detyra e drejtorit të saj. U bë iniciator i mjaft ligjeve që i hapnin rrugën zhvillimit të ekonomisë në dy drejtimet e saj: në private dhe shtetërore, të cilat sa po krijoheshin. Ai kishte parimin se: “Për të zgjidhur problemet, duhet të mendojmë me kokën tonë, rne logjikën tonë dhe të mos presim nga të tjerët”. Por këto parime të drejta, thellësisht të drejta, ia kritikuan në mbledhjen e plenumit. Megjithatë, puna e Sejfullait ishte e dukshme dhe e suksesshme dhe opinioni dominonte në favor të tij: se Lame Kodra ”qan e qesh me popuIlin, këndon dhe lufton për popullin, shpreson dhe fiton me popullin, del në dritë me popullin”. Kështu ka thënë dr. Ymer Dishnica për Sejfullanë, të cilin e kishte mik dhe shok të luftës.
Sejfulla Malëshova nuk e largoi asnjëherë vëmendjen nga problemet e kulturës. Ai krijoi Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë sipas modelit sovjetik, ku shkrimtarët të kishin një institucion të tyrin, ku të diskutonin krijimet e tyre. Ai vlerësoi Fishtën, Migjenin, Konicën, Fan Nolin, kur të tjerët i kishin lënë në “harresë”. I formuar si intelektual dhe i prirë për krijimtari letrare dhe në rolin e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, falë aftësisë komunikuese që kishte, ai krijoi një atmosferë te lirë krijuese për tërë shkrimtarët, sidomos për ata që e nisnin së pari rrugën e krijimtarisë letrare – artistike.
Sejfulla Malëshova (Lame Kodra) ishte poet i patriotizmit dhe i luftës për liri. Por më shumë ai shkëlqente në përkthimet që u bëri shumë poetëve të mëdhenj. Detyrat shtetërore nuk i krijonin kohë të merrej me krijimtari.
Ndëshkimi dhe vdekja në internim
Në vitin 1945 Sejfulla Malëshovën e zgjedhin Sekretar të Përgjithshëm të Frontit Demokratik të Shqipërisë. Ai a ngarkua të zhvillonte zgjedhjet për deputetë në Asamblenë Kushtetuese, e cila do të ligjëronte pushtetin dhe formën e rendit që do kishte Shqipëria. Sejfullai ishte për pluralizmin dhe një demokraci të gjerë. U kërkoi shokëve të qarkut të Shkodrës që, ndër kandidatët për Asamble të propozonin intelektualë, nacionalistë që nuk ishin të implikuar me pushtuesit dhe sa më shumë katolikë.
Më 2 dhjetor fitoi Fronti Demokratik dhe në Asamble erdhën nga të gjitha shtresat e popullit. Për këto si dhe për privatizimet, Sejfullai u cilësua si liberal dhe oportunist. Në njërën nga mbledhjet e Byrosë Politike, në muajin shkurt të vitit 1946 prof. Sejfulla Malëshovën e shkarkojnë nga të gjitha funksionet partiake dhe më 1947 e shkarkojnë edhe si ministër i Kulturës. Jeta e Sejfulla Malëshovës, prej burri shteti dhe intelektuali të mirëfilltë nuk do të vazhdonte gjatë. Ai nuk u pajtua me hipokrizinë, mediokritetin dhe dinakërinë, e sidomos me diktatin e njëshit. Albanologia ruse, njohëse e mirë e jetës së brendshme të Shqipërisë, Nina Smirnova, theksoi se: “Sejfulla Malëshova mbrojti parimet, por humbi vetë”. E radhitën në viktimat e luftës absurde të klasave. E internuan në Ballsh, më vonë, në Fier, ku punoi në një magazinë tepër të rëndomtë.
I dënuar nga regjimi i kohës, por edhe i braktisur nga miqtë, shokët dhe të afërmit, e them me dhimbje, por kështu ka ndodhur, për shkak të luftës absurde të klasave, Sejfulla Malëshova ndërroi jetë në Fier më 11 qershor të vitit 1971. Ai u varros nga e motra, dy punëtorë të komunales dhe të shoqëruarit e Sigurimit të Shtetit, që nuk iu ndanë deri në varrim. U varros Sejfullai, u varros demokracia. Sejfullai nuk ishte dosido, por një demokrat i shquar, një intelektual i nivelit më të lartë, një filozof, një nga udhëheqësit më të shquar të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Populli shqiptar do ta kujtojë brez pas brezi patriotin e kulluar, birin e tij të shquar, Sejfulla Malëshovën, se edhe Sejfullai e deshi popullin dhe Shqipërinë si rrallë kush tjetër.
Ne, të afërmit, krenohemi me Sejfulla Malëshovën, krenohet Përmeti, krenohet e gjithë Shqipëria. Ai i dha popullit dhe atdheut virtytin njerëzor.
Përse në hije Lame Kodra?
Ky është titulli i një artikulli të shkruar nga avokati i nderuar, veterani i LANÇ, patrioti dhe atdhetari, i ndjeri avokat Nafiz Bezhani në gazetën “Republika” që mban datën 7 prill 1991. Nuk dua t’i bëj ndonjë koment këtij shkrimi, se do ta shëmtoja pa dashur, pasi avokati e ka shkruar me një ndjenjë të thellë dashurie dhe respekti për demokratin dhe patriotin e madh të kombit shqiptar prof. Sejfulla Malëshovën, që me pushkë dhe penë përballoi me krenari furtuna të egra, i cili mbolli në shpirtrat e brezave farën e ideve përparimtare, të lirisë, pavarësisë dhe të demokracisë. Ky ishte Sejfulla Malëshova, ose siç njihet ndryshe me pseudonimin e tij “Lame Kodra”.
Nga Nafiz Bezhani
Kanë kaluar 44 vjet, që kur një dekret “i zi” e hoqi emrin e tij nga skena politike dhe nga faqet e shtypit. 44 vjet u fut në qeli një emër pas të cilit jetonte një histori fisnike, një histori e vërtetë dhe e denjë për historinë e kombit tonë, për historinë dhe lumturinë e tij. Por gjurmët e veprave patriotike nuk i mbulon dot pluhuri i kohës, nuk i prish dot erozioni dhe nuk i fsheh dot asnjë hije. Dhe pikërisht në këto ditë na shfaqet portreti i tij patriotik me ngjyra të qarta, portreti i një Fanolisti, portreti i një demokrati që nuk u pajtua me monarkinë dhe mori rrugën e mërgimit politik, portreti i luftëtarit të paepur që në mendje e në shpirt kishte vetëm Atdheun dhe në ditët e pushtimit të vendit e la katedrën, la çdo gjë të mirë e të dashur që kishte dhe u kthye në Atdhe, sepse Shqipëria ishte më e shtrenjtë se çdo gjë tjetër.
Sejfulla Malëshova, dijetar dhe poet, kishte një personalitet të pakrahasueshëm dhe dashuri e respekt në shtresat e gjera të popullit. Prandaj masat e Enver Hoxhës për eliminimin e tij, në përpjekjet për konsolidimin e pushtetit të gjithanshëm diktatorial, ishin drakoniane. Për të shmangur rreziqet që mund të krijonin diskutimet e lira për këtë çështje, ai krijoi një frikë dhe terror të paparë. Kështu në letrën e 10 majit 1947 dërguar organizatave bazë të partisë, ndër të tjera urdhëron: “Në qoftë se ndonjë anëtar partie i lëkundshëm apo i sëmurë do të përpiqet të mbjellë mjegull, duhet të merrni masa të shpejta, të likuidohet çdo orvatje që synon “qoftë dhe një grimë” dobësimin e unitetit dhe të forcës së partisë tonë”. Kjo do të thotë që anëtarët të kafshonin gjuhën me të 32 dhëmbët. Sipas Enver Hoxhës, zanafilla e urrejtjes dhe armiqësisë së tij kundër Sejfulla Malëshovës, ka qenë në plenumin e Beratit, ku u përgatit e ashtuquajtura “prapaskenë” për shkarkimin e tij nga posti i sekretarit të përgjithshëm të partisë. Por edhe pse materialet e këtij plenumi nuk u botuan, natyrisht jo pa qëllim, kuptimi dhe interpretimi i drejtë i atij informacioni të kufizuar që është dhënë nga dora e vetë Enverit, të krijohet bindja se Sejfulla Malëshova nuk ka bërë dhe as nuk ka pasur nevojë të bënte ndonjë prapaskenë. Problemi i shkarkimit nga detyra të Enver Hoxhës është shtruar në plenum dhe kjo është bërë për dy motive të qarta: e para, sepse ai ishte provizorisht në atë detyrë dhe e dyta, se dhe plenumi pati kritika shumë të rënda për të, sidomos për akte terroriste, të kryera gjatë Luftës Nacional Çlirimtare dhe për gabime të tjera të rënda, për të cilat mbante përgjegjësi direkt Enver Hoxha. Këto gabime Sejfullai i denoncoi me një notë vërtet të ashpër duke shprehur mendimin e tij se “Partia po degjeneron në një parti banditësh dhe terroristësh”. Ai e bëri këtë sepse vepra të tilla nuk mund t’i pranojë një demokrat, një intelektual dhe patriot i vërtetë, sepse vepra të tilla nuk kanë asgjë të përbashkët me shtetin demokratik që ëndërronte ai, por çuditërisht përpara kësaj akuze Enver Hoxha uli kokën dhe nuk dha asnjë përgjigje. Ai u mundua të kapërcente lumin pa u lagur me një autokritikë gjysmake, duke u munduar t’ia hidhte fajet luftës, shokëve dhe shoqeve, sidomos Liri Gegës.
Kontradiksione të shumta gjen në veprat e Enver Hoxhës për këtë problem. Të bën përshtypje veçanërisht kur gjen fjalë origjinale të Sejfullait, të vendosura në thonjëza, se jashtë plenumit ai i ka thënë anëtarëve të Komitetit Qendror se “…nuk është momenti i përshtatshëm, pra Enver Hoxha nuk meriton të jetë sekretar i përgjithshëm”. Kjo do të thotë se dikush tjetër ka qenë për heqjen e Enverit dhe këtë mendim të tij Sejfullai e ka kundërshtuar për shkak të situatës së parehatshme. Por cila duhet të jetë e vërteta? “Prapaskena” që organizoi ai për ta hequr, apo për ta mbrojtur?
Sejfulla Malëshovën kam patur fatin të njoh edhe personalisht. I paharruar ka mbetur për mua një takim që pata në maj të 1947, pikërisht disa ditë pas pushimit të tij nga detyra e ministrit të Kulturës. Në duar kishte një tufë me gazeta dhe revista dhe i qetë, sikur asgjë të mos i kishte ndodhur, më thotë:- Sa mirë që të takova, kam një surprizë për ty. Për ku je nisur? – Në “Dajti”, duhet të ha drekën dhe të kthehem shpejt në zyrë. – Po vij dhe unë. U futëm në sallën e madhe. Dy të rinj u ulën menjëherë pranë tavolinës sonë. Njëri nga ata tha me përbuzje dhe me zë paksa të lartë: “Kulishi i imperializmit”. Sejfullai e dëgjoi, por nuk tregoi asnjë shqetësim. Kur u çuam për të dalë, ai ndaloi hapat te djaloshi dhe e pyeti:- Shkoni në shkollë ju? Do bënit shumë mirë të vazhdoni shkollën, të krijoni logjikën tuaj, se për atë keni nevojë ju, por më tepër ka nevojë Atdheu.
Në çast m’u ngulitën në mendje fjalët që i tha djaloshit: “Atdheu ka nevojë për logjikë të pavarur”. Pra për oponencë, për demokraci, pikërisht ajo që mungonte në atë kohë.
Me sa e njoha unë Sejfullain dhe nga kuptimi dhe interpretimi i drejtë a atyre pak materialeve që janë botuar, del se Enver Hoxha i është kundërvënë atij jo për “prapaskenën” e Beratit, por për rrezikun e madh që sillte për postin e tij, niveli i lartë kulturor dhe shkencor, si dhe pikëpamjet me të vërtetë demokratike që ai kishte për krijimin e shtetit tonë të ri. Në politikën e marrëdhënieve tona ndërkombëtare, Sejfullai, edhe pse kishte studiuar dhe jetuar për një kohë të gjatë në Bashkimin Sovjetik, nuk ishte ndikuar fare nga dogmat staliniste, përkundrazi, ishte kundra tutelës jugosllave dhe sovjetike që përkrahte Enver Hoxha. Ai ishte për një shtet shqiptar me të vërtetë të lirë, një shtet demokratik, që të ecte me dinjitet drejt përparimit. Duke dashur të demaskojë pikëpamjet e tij, Enver Hoxha shkruan: “Politikë e gjerë liberale, kryesisht oportuniste në marrëdhëniet që duhet të kishte shteti ynë me shtetet demokratike, aleate dhe miq besnikë të popullit tonë: Bashkimin Sovjetik dhe Jugosllavinë”.
Sipas shënimeve të Enverit, orientimi i Sejfullait ishte krijimi i marrëdhënieve të mira me perëndimin me çdo kusht, bile ai ishte që Shteteve të Bashkuara t’u njiheshin edhe marrëveshjet e para luftës, me qëllim që të lidheshin marrëdhënie diplomatike. Rëndësi të veçantë u jepte ai marrëdhënieve më Italinë, ku shikonte mundësi të mëdha bashkëpunimi me interes reciprok. Diametralisht të kundërta me mendimet e Enver Hoxhës, ai shikonte edhe zhvillimin e politikës së brendshme. Sejfullai ishte shprehur qartë për qëndrim të butë me kundërshtarët ideorë dhe veçanërisht me klerin. Ishte pikërisht këmbëngulja e tij që u krijuan ato pak shanse demokratike që lejuan futjen e nacionalistëve në Parlament. Natyrisht fati i këtyre deputetëve dihet dhe kjo tregon edhe më mirë sa larg kanë qenë pikëpamjet e tij me ato të Enverit.
Rëndësi të madhe kishin orientimet e Sejfullait në fushën ekonomike. Disa ditë pas çlirimit të vendit, pikërisht më 25.12.1944, ai botoi një artikull në gazetën “Bashkimi”, ku ndër të tjera thotë: “Është një detyrë e madhe aktuale që sektorët e ekonomisë tonë që kanë ekzistuar deri më sot, të hyjnë në aktivitet, të ngjallen dhe të lulëzojnë, në bazë të iniciativës së plotë private”. Por Enver Hoxha mendonte krejt ndryshe dhe përgatitej të shtetëzonte çdo gjë. Konsekuent me pikëpamjet e tij, më 22.1.1945, me rastin e përurimit të Bankës së Shtetit, Sejfullai tha: “Ajo të bëhet faktor për të ngjallur iniciativën private në tregti dhe industri”. Ndërsa më 5 gusht 1945, në një gjendje të dëshpëruar, duke përshëndetur Kongresin e Frontit Demokratik, tha: “U përpoqëm të ngjallim dhe të aktivizojmë sektorët e ekonomisë mbi bazën e iniciativës private, por është bërë shumë pak, ca nga pazotësia jonë e ca nga vullneti i keq i një pjese të mirë të tregtarëve dhe industrialistëve”.
Pikëpamjet e tij për zhvillimin me përparësi të sektorit privat, Sejfullai i shtroi edhe në Plenumin IV të Partisë, në nëntor 1945, duke vënë theksin veçanërisht në përkrahjen e gjithanshme që u duhej industrialistëve, nga ana e shtetit, por Enver Hoxha krijoi “kushtet e papërshtatshme” për të larë hesapet me tregtarët, industrialistët dhe përkrahësit e tyre, duke shlyer kështu edhe një borxh që kishte e ashtuquajtura “prapaskenë e Beratit”. Atë që nuk pranoi të bënte Sejfullai për Enverin, e bëri Enveri për Sejfullain.
Kujtime të dhimbshme, por në këto ditë historike të zhvillimit demokratik të vendit, e ndjejmë se po na shkarkohen. Në rast se i kujtuam, kjo ndodhi vetëm për një pyetje enigmë: në qoftë se do të triumfonte platforma politike dhe ekonomike e Sejfulla Malëshovës, si do të ishte vallë Shqipëria sot? Do t’i ishte marrë fshatarit toka dhe lopa? Do të kishte luftë klasash e kaq shumë tradhtarë, agjentë e poliagjentë, të burgosur e të vrarë? Për të gjitha këto një gjykim është i pakontestueshëm: Lame Kodra u la në hije nga diktatura. Demokracia do ta vendosë atë në piedestalin e merituar.
Lose up to 23 pounds of pure body fat in just 3 weeks!, how did i do that?
The 3 Week Diet is an extreme rapid weight loss program that can help you lose up to 23 pounds of pure body fat in just 3 weeks! Get your customized diet plan from our official website and find out which foods you should be eating if you want to burn your belly fat away fast! Created by acclaimed personal trainer and nutritionist Brian Flatt, The 3 Week Diet is 100% guaranteed to deliver results!
look great? dont waste your time! lets do this, join with us and bet back your beautiful body at here:
http://polr.me/1f0e
Thx