Prishtinë, 15 maj 2026
Të nderuar gazetarë
Të dashur qytetarë,
Komisionere Kos, mirë se erdhët në Prishtinë, në vizitën tuaj të parë në Kosovë që nga marrja e mandatit. Me Komisioneren Kos patëm një takim produktiv dhe të drejtpërdrejtë dhe më lejoni që të ndaj me ju temat dhe mesazhet kryesore.
Me Komisioneren Kos kemi ndarë progresin që ka bërë Kosova në vitet e fundit në avancimin e demokracisë dhe të rritjes ekonomike, si dhe në kapitujt e anëtarësimit.
Në gjashtë vitet e fundit kemi avancuar 28 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, ndërkohë që këtë vit avancuam 15 pozita në Indeksin e Lirisë së mediave. Jemi të tretët në mesin e 15 shteteve të Evropës Juglindore dhe të dytët në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për avancim në sundimin e ligjit. Ekonomia jonë ka shënuar rritje vazhdimisht dhe është stabile në progres, me ngritje prej 4% të bruto produktit vendor.
Ndajmë vlera të përbashkëta me Bashkimin Evropian dhe jemi plotësisht të rreshtuar me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së. E kemi dënuar agresionin rus në Ukrainë në termat më të ashpër; kemi ofruar mbështetje ushtarake dhe humanitare për Ukrainën, kemi ofruar strehim për gazetarët ukrainas dhe i jemi bashkuar të gjitha sanksioneve kundër Federatës Ruse.
Kemi ratifikuar marrëveshjet e Planit të Rritjes, e miratuam edhe vendimin për sistemin e zbatimit dhe më 16 prill filluam të marrim para-financimin në vlerë prej 61.8 milionë euro. Gjashtë hapa të reformave janë konfirmuar nga Komisioni Evropian dhe presim hapa të mëtejshëm deri në afatin e qershorit.
Megjithëkëto, mungesa e Kuvendit funksional gjatë vitit që shkoi, por edhe tani, ka bërë që disa reforma të vonohen e tashmë po rrezikohen edhe për afatin e qershorit. Jemi duke punuar maksimalisht për të minimizuar ndikimin në reforma që po shkakton bllokada në Kuvend.
Në vitet e fundit, Kosova ka avancuar në përgatitje në shumë kapituj. Kemi shënuar progres në nivel të moderuar të përgatitjes në 5 kapituj dhe në nivel të caktuar të përgatitjes në 8 kapituj të tjerë. Po ashtu, nga progresi i kufizuar në progres të theksuar kemi kaluar në 18 kapituj dhe nga progresi i theksuar në progres të mirë në 5 kapituj të tjerë. Pra, kemi përparim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm.
Kemi kuadrin kushtetues më të avancuar për të drejtat e pakicave në rajon. Raporti i Këshillit të Evropës, për vlerësimin e aplikimit tonë për anëtarësim, thekson se kuadri ligjor i Kosovës, në rastin e Kushtetutës, shkon edhe përtej standardeve ndërkombëtare.
Kemi marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, gëzojmë liberalizimin e vizave që nga 1 janari 2024, jemi pjesë e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si dhe jemi pjesë e instrumenteve të para-anëtarësimit të Bashkimit Evropian, për çfarë e falënderova Komisioneren Kos.
Me Komisioneren Marta Kos, kemi ngritur edhe çështjen e statusit kandidat dhe të hapjes së negociatave. Janë bërë mbi 40 muaj që kur kemi aplikuar dhe momenti i ripërtrirë i zgjerimit nga ana e Bashkimit Evropian duhet të rezultojë me avancimin e merituar të Kosovës.
Mbështetja publike për Bashkimin Evropian, për anëtarësimin në BE qëndron vazhdimisht rreth 90%, në vendin tonë dhe është ndër më të lartat nga të gjitha vendet kandidate.
Jemi të vetëdijshëm për sfidat që ekzistojnë por kërkohet unitet në angazhim. Gjetja e unitetit brenda Bashkimit Evropian për të marrë vendime karshi Kosovës është detyrë e përbashkët. Sigurisht që ne po punojmë me shtetet anëtare por kërkohet që edhe Institucionet e Bashkimit Evropian të shtyjnë këtë unitet përpara. Zgjerimi është mjeti më i suksesshëm i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Vakumi që len Bashkimi Evropian po synohet që të mbushet nga akterë të tjerë dashakëqij të cilët i minojnë vlerat e Bashkimit Evropian dhe rrezikojnë sigurinë tonë të përbashkët, prandaj është përgjegjësia e të gjithë neve që Kosova të avancojë në procesin e integrimit.
Biseduam edhe për bashkëpunimin rajonal. Çelësi kryesor për bashkëpunim të suksesshëm rajonal është fqinjësia e mirë evropiane. Kosova ka përjetuar dy sulme terroriste në tri vitet e fundit, në Banjskë, më 24 shtator 2023, dhe në kanalin Iber-Lepenc, në infrastrukturë kritike më 29 nëntor 2024. Që të dyja këto të dirigjuara e financuara nga fqinji ynë verior.
Llogaridhënia për këto sulme është thelbësore, pasi pa llogaridhënie rreziku ndaj sigurisë sonë mbetet i lartë. E kemi një fqinjë agresor e agresiv që të sulmon në vend që të bashkëpunojë. Kjo është sfidë sa për sigurinë po aq edhe për bashkëpunimin rajonal.
Megjithatë ne jemi pro-aktiv dhe kemi kontribuar në integrimin ekonomik të rajonit. Në CEFTA, në përfaqësimin tonë direkt për herë të parë, e kryesuam me sukses ndërkohë që edhe kaluam të gjitha protokollet e mbetura në Kuvend. Kemi pesë marrëveshje që kemi nënshkruar në Proces të Berlinit i cili tashmë është i lidhur ngushtë me Tregun e Përbashkët Rajonal. Ato marrëveshje duhen zbatuar. Bosnja dhe Hercegovina, siç e dini, ende nuk ka hequr vizat për Kosovën, ndërkohë që Serbia po mban të bllokuar marrëveshjen për njohjen e diplomave e cila është në përputhje të plotë me standardet dhe me direktivat e Bashkimit Evropian.
Pak ditë më parë festuam 9 Majin – Ditën e Evropës. Bashkimi Evropian është projekt i paqes edhe i prosperitetit, është më i madhi e më i suksesshmi projekt i këtillë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Dhe, Kosova ka përfituar nga Bashkimi Evropian, për çfarë ne jemi thellësisht mirënjohës.
Ne jemi gjithashtu falënderues për mbështetjen e Bashkimit Evropian, të cilin e kemi partneri strategjik dhe njëherësh donatorin më të madh. Që nga viti 1999, kur u çliruam Bashkimi Evropian ka investuar në Kosovë mbi 3.7 miliardë euro.
Kemi bërë progres në shtylla themelore dhe kjo jemi të bindur që meriton të njihet nga Bashkimi Evropian në kontekst të zgjerimit. Nuk po kërkojmë as rrugë të shkurtra as derë të pasme, vetëm proces meritor.
Ju faleminderit!
(Zyra e Kryeministrit)