VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Ernest Koliqi: agjent i huaj, antishqiptar apo shqiptar i vërtetë, antikomunist? – Nga ERALD KAPRI

By | July 11, 2020
blank

Komentet

blank

Më 15 qershor 2020 u nda nga jeta Moikom Zeqo, shkrimtar dhe dijetar i shquar

Moikom Zeqo (Durrës, 3 qershor 1949 – 15 qershor 2020) ka qenë akademik, shkrimtar, historian shqiptar. U nda nga jeta më 15 qershor 2020 pas nje lufte disa vjecare me leucemine.

Biografia

Moikom Zeqo lindi më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit. Familja e tij është me origjinë nga Libohova. Në Libohovë ai morri edhe arsimin fillor. Më 1967 nisi të ndiqte Fakultetin Histori Filologji, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës më 1971 në degën gjuhë-letërsi. Në vitet 1971-1974 punoi si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”. Më 1974-76 punoi si mësues në Rrogozhinë. Më pas, në vitet 1979-1987 qe punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Më 1987-1990 punoi si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Në qershor të 1991 qe pjesë e grupit organizator të Kongresit të 10-të të Partisë së Punës. Më 31 janar-10 maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991 dhe 1992 kandidat për deputet, kur dhe u zgjodh dhe shërbeu deri më 1996 si deputet i PS-së. Më 1997-2005 ka qenë drejtor i Muzeut Kombëtar.[2]

Është Doktor i Shkencave dhe mban Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i Madh”.[1]

Ne oret e para te 15 qershorit 2020 ndërroi jetë jeta në moshën 71 vjecare pas nje lufte disa vjecare me leucemine.

Vepra

Është autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të nje numëri skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, sërbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht si dhe në gjuhën tonë.

Është autor i tre ekspozitave vetiake në pikturë. Ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj.

Moikom Zeqo është sot një nga personalitetet e njohura të kulturës sonë kombëtare. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe eruditë dhe mbahet si pionier i postmodernizmit në letrat shqipe.

Veprat

Qyteti Feniks, 1970;[1]
Brenda vetes, 1974;
Mujo Ulqinaku, 1976 ;
Libër i hapur, 1986;[1]
Meduza, 1994;[1]
Paradokset e demokracisë, 1994;
Rexhep Qosja dhe çështja kombëtare shqiptare, 1995;
Panteoni ilir, 1995;
Aspekte të mitologjisë ilire, 1996;
Princi i vjeshtës: përralla, tregime dhe skica, 1996;
Liriku i tokës, demoni i fjalës, 1996;
Meduza e dashuruar mban zyze dielli: sonatë metaforash, 1997;
Vjeshta e princit, 1998;
Onufri, 1998;
Nostradami në 3 qershor: antiprofecitë, 1999;
Tercinat e pasvdekjes së Dantes japonez, 1999;
Kështu foli Monaliza, 2000;[1]
Zodiak: poezi, 2000;
Syri i tretë, 2001;[1]
Mes Laokontit dhe Krishtit, Onufri II, 2000;
Historia 1: për arsimin e mesëm të profilizuar, (bashkautor), 2000;
Historia 2: për arsimin e mesëm të profilizuar: maket, (bashkautor), 2000;
Kështu foli Mona Liza: libër për të gjithë dhe askënd, 2000;
Syri i tretë: Naim Frashëri dhe bektashizmi, 2001;
Syzet e thyera të Meduzës, 2001;
Historia 3: për arsimin e mesëm të profilizuar: (profili shoqëror): maket, (bashkautor), 2001;
Bota e krijuar nga Onufri, 2001;
Apokalipse d’avril: roman, 2002;
Fjalëkryqet e Babilonisë: tregime, 2002;
Tre libra në një, vetëm për fëmijë 100 vjeç dhe pleq 10 vjeç, 2002;
Kënga e këngëve, 2002;
Shtatë ditë rizbulimi të Amerikës, 2003;
Himara pa eklips, 2003;
Grishja e Florimontit, 2004;
Globalizmi dhe shqiptarët: biseda me Makabe Zaharinë, 2004;
Hieroglif shqiptar i fluturave dragonj, 2004;
Ekuinoks: poezi të zgjedhura, 2006;
Kalorësit dardanë, 2007;
Komunikim sfidues. Bota poetike, (bashkautor), 2007;
Njeriu jeshil: tregime të zgjedhura, 2007;
Shkruesi egjiptian, 2007;
Histori arti: për shkollën e mesme të përgjithshme: viti i 4-t: profili shoqëror, (bashkautor), 2007;
Frymëzimi i mbramë, 2007;
Libri Florimontian, 2007;
Anti-haiku, 2008;
Letër Arnisës për Sabat Zevin, 2008;
Gjumashët e Efesit: kallëzime mistike, 2008;
Adami i fshehur: tregime, rrëfime onirike dhe etyde, 2009;
Anima Mundi: sagë palimpsestesh, 2010;
Shitësit e kaosit: tregime apo rrëfenja apokaliptike, 2010;
Klepsidra: parabola misteri, 2011;
Refuzimi i shkrimit: proza nga kaosi, 2011;
Migjeni, arkitekt i nëndheshëm i qiellit, 2011;
Papagajtë e Nembrotit: tregime nga ex-Cyberia, 2012;
Libri i sinopseve, 2012;
100-vjet Pavarësi: flamuri që ringjalli një komb: 1912-2012, (bashkautor), 2012;
Enigma E.Y. dhe kalorësit dardanë: tregime për pleq 10 vjeç dhe fëmijë 100 vjeç, 2012;
Vetullat hyjnore: proza nga kalendari i imazheve, 2012;
Ofelia me mjekër: proza të të jetuarit së prapthi, 2013;
Abraxas, mbreti i botës, 2013;
Kësulëkuqja fluturuese dhe pedagogu i Kopernikut: tregime për pleq 10 vjeç dhe fëmijë 100 vjeç, 2013;
Portat pa epilog: proza në muzg, 2014;
Emrat e zotit: tregime, 2014;
Si ta mësojë peshku abetaren?: vjersha, 2014;
De Rada- rishpikja e Arbërisë: sprovë kritike për një lexim të ri, 2014;
Laboratori i ëndrrës, 2018;

blank

DHE METAFORAT I KAM SHPESH DEZERTORË – Poezi nga MOIKOM ZEQO (3 qershor 1949 – 15 qershor 2020)

Dhe metaforat i kam
Shpesh dezertorë
Të kuptimeve universale,
Të vërteta!

Dhe kam kuptuar qartë
Se, nën spirancën e ndryshkur të Hënës,
Planeti quhet “Titaniku” i mbytur,
I konstruktorit fatkeq, që është Zoti, Zoti.

Unë vetëm detit ja besoj,
Të më zbardhë dialogët e fshehtë,
Të Sokratit,
Me një pulëbardhë të mijëvjeçarëve.

Shtrëngatat janë Princër,
Te një Tej-jetë,
Që shpërthen
Nga Padukshmëria!

 

blank

SA TË KËNDSHME JANË TAKIMET ME KRIJUESIT SHKODRANË – Nga TAHIR BEZHANI

Para disa muaj  krijuesi dhe miku nga Shkodra, Ndue Sanaj, më paralajmëronte që në qershor do takohemi sërish në Gjakovë. Me këtë krijues të mirëfilltë  ishim takuar disa herë edhe më parë. Shkodranët janë miq të mirë, të dashur e bujarë, kultivojnë sojninë me traditë. Është e njohur në Malësi tradita se miku kur të  kalon afër shtëpisë, edhe në mos pastë kohë të  ndalet, bile për një kafe, një zë ta lëshon nga larg ;”a jeni mirë ore?…” dhe vazhdon rrugën….

I tillë është shkodrani Ndue Sanaj. Nuk e kalon Gjakovën pa u ndalë për të pirë një kafe e bërë pakës llafe, pa pyetur për letrarët e Gjakovës dhe aktivitetet tona.

Kështu ishte edhe me datën 5.të këtij muaj. Me kohë më lajmëroi se në ora dhjet do ishte te hotel “Pashtriku” në Gjakovë, dhe dëshironte të pimë kafenë e këtij vikendi së bashku, ndonëse udhëtonte për në Pejë-Rugovë, në një aktivitet letrarë, ku ishte i ftuar për kumtesë. Nuk ishte vetëm, si zakonisht, ”përcillej” në shoqëri e miqësi nga Lulash Gjeloshi, Vuksan Ndecvataj, Lulash Brigja.

 

blank

blank

blank

Pas përqafimeve me rastin e takimit, filluam me porosi të kafeve pastaj me  komoditetin e bisedës me kafe e llafe, e cila me shkodranet, Gjakovës përherë i ka shkuar mbarë gjatë gjithë historisë sonë. Janë rrënjë të thella këto llafe. Mençuria si rivalitet i këtyre dy qyteteve të motërzuara nga gjaku, përmenden edhe në libra me barsoleta të shumta.

Pas kafeve, me kënaqësinë e veçantë që ishim së bashku ,miku im ,Ndue Sanaj, më dhuroi dy libra  voluminoze ku  pamja e librit të bënte të kuptosh vlerën e saj,një përgatitje e botim shumë elegant. Libri “Dukagjini-2” me autor Ndue Sanaj, ka trajtesë të mirëfilltë shkencore historinë dukagjinase, ndërsa libri “Kiri” (historia, njerëzit ,bukuritë natyrore),një monografi ku trajtohet një variant i historisë së Kiri dhe mbiemri Bezhani nëpër shekuj. Ky libër më gëzoj pa masë, nga se historia e këtij mbiemri, është mjaft heterogjene në hapësirat e trojeve tona shqiptare. Gjithmonë më ka ngacmuar ideja të di më shumë për këtë mbiemër tepër i rëndësishëm në çdo aspekt të kuptimit të fjalës. Ka edhe variante tjera nga Shqipëria e Jugu, Mirëdita, rrethi Shkodrës, por ja, se na del edhe varianti nga Peja, (Berzhenik-u).

Falënderoj autorët për librat e dhuruar me peshë të veçantë  dhe i përgëzoj për punën e tyre me vlerë shkencore.

Sa të rëndësishme janë takimet mes krijuesve  vëllezër gjithandej trojeve tona? Ndriçimi i shume e shumë aspekteve të paditura, të pazgjidhura, bëhen vetëm duke bashkëpunuar e bashkëbiseduar  sinqerisht me njëri tjetrin. Respekt miqve nga Shkodra!

blank

Ai ringjallet poetikisht (In memoriam për poetin korçar Vehbi Skënderin) – Nga Keze Kozeta Zylo

 

            Ike, ike larg poet, lart në qiell, atje pranë shtëpisë së Atit.  Edhe pse s’të kam takuar kurrë, kam ndjerë se kishja biseduar prej kohësh, ngase këtë privilegj e kanë vetëm poetët me penë të artë si Vehbi Skënderi.  Kishja kohë që lexoja poezitë, si lexuese më kishin ndihmuar dhe në ditë të vështira, se qënie njerëzore jemi dhe midis nesh ka dhe lëndime apo mos dhe më keq…  Ju me dashurinë e thellë të metafores së vargut që çelte si syth në shpirtrat e lexuesve keni ditur të përballoni dhe burgun, atje ku Hëna vinte të puthte vjedhurazi nga vrima e çelësit të derës hermetike.  Vuajtjet e tua si në rrathët e ferrit të Dantes, ja tregoje vetëm Hënës dhe ja se si:

Kur ke diçka,-për të më thënë/ diçka që se mban dot për vete/ Që nuk ja thua e s`e shkul dot prej zemrës/ Dhe nuk të shqitet kudo që vete/

Trokit në hënë! Thuaja hënës!

Mjafton të lexosh këtë strofë e cila është një terapi e mirë poetike dhe nuk të lë të besosh se ike, sepse le pas nje lirikë të mrekullueshme që të mbush mushkëritë me ajër mali.

            Janë këto poezi lirike të ëmbla që shpesh herë ta shuajnë etjen për një bukuri vargu.  Me këtë lloj nuri e vesh poeti krejt krijimtarinë që nga Zvicra ku kaloi vitet e tij pas rënies së diktaturës:  O Zot! E gjithë Berna sot vezullon nën shi/ Mes vorbullës së valëve befas më shfaqesh Ti/ Unë bërtas sa mund posi dikur në shpellë/  Pritmë, o Izabelë!

Të gjitha poezitë janë jashtë të rëndomtës, aty është mirëfilli metafora poetike të veshura me një membranë krejtësisht të tejdukshme, ku sheh dhe ndjen atë qe ti ke kohë që e ke kërkuar…

Ai është një poet i vetëdijshëm që kërkon artistikisht ta nxjerrë kombin e tij nga mjegullat e kohës, nëpërmjet semantikës së poezisë, e cila bëhet tepër e besueshme kur e lexon, mendimin e tij të avancuar artistikisht.  Edhe pse u internua, u persekutua me gjithë familje, poeti vazhdoi përsëri të shkruante bukur, pena e tij nuk u thye, ai është nga ata poetë që sic thotë Carls Dikensi katër gjëra nuk i humbi në jetë, besimin, lidhjen, premtimin dhe zemrën, sepse kur këta thyhen nuk bejnë zhurmë, por shkaktojnë shumë dhembje.

Vargu i tij bëhet një pronësi shpirtërore pa tapi për lexuesin, që çuditërisht lexuesi vetë e ruan si të shenjtë emrin e dhuruesit, të poetit që i ka dhënë kaq shumë ndjesi të ëmbla atij.  Jane shumë poezi që mesazhin përcjellës e japin natyrshëm apo duke biseduar me Hënën, çka tregojnë dhe flasin qartë se si ka menduar poeti për kohën, njerëzit apo plagët dhe dhimbjet që i qëndruan gjatë në trup.  Dhe ja biseda poetike me Hënën e bukur:

Sado e largët të të shtiret, sado e kotë/ Ka zemër delikate hëna! Vjen në sekondë më thotë…/ Kur ke në gjoks një plagë, gur të rëndë! Brengosje e plagosje. Makth! Brengë poshtëruese/ E je shterur krejt duke besuar/ Diçka që s`ia thua as shoqes sate, as nënës/ Trokit në hënë! Thuaja hënës!

Tepër emocionuese janë dhe vargjet në poezinë: Kur më fiksohet bindja, se edhe pak ditë më mbetën/ Ftoj në raport të gjithë vitet, sërë – sërë/ I hapim von‘ defterët, e von‘ shoshitim veten/ E vrej çfarë kam kryer e çfarë kam lënë pa bërë…

Autorit i vërtiten si spirale me një zbehtësi të pikëlluar cfarë ka kryer e cfarë ka lënë pa bërë.  Edhe pse poezia është shkruar para 20 vjetësh, sentenca poetike të ben ta përjetosh në cdo kohë, ajo është rezistuese, ngase mendimi analitik zbërthen atë çfarë ka dashur të shpreh në gjithë kohërat.

Syri i tij si poet duket se kap te pakapshmen, nëpërmjet një zemre me ndjesi shumë të holla.  Krijimtaria e tij dhe vështrimi aq i hollë poetik është tashmë jo vetëm brenda nesh si lexues të apasionuar të tij, por dhe brenda rrënjës së ninëzës së syrit të bijës së vetme Elidës që hedh dritë edhe në fund të tunelit… Poeti krijoi një strehëz të ashtë poetike, një folezë të argjendtë që do të çuçurijnë vetëm zogjtë pendëartë, miqtë e shumtë që e takuan dhe ata që do ta takojnë pafundësisht në vargun e tij vizatuar mjeshtërisht në hapësirën qiellore të kaltër i cili shprehet:

E, si gjithnjë, pas këtij monologu, me dhimbje kaq akute/ Shtegtimin, ndarjen, vdekjen – a s’di ç’dreq i thonë/ E shtyj, për miqësi, një çik më tutje/ Ndoshta njëzet a dyzet vjet më vonë !

Tek i lexon keto vargje aq humane, të shfaqet poeti me shpirt aq delikat dhe të bukur.

Ai ringjallet poetikisht!

14 Qershor, 2011

Staten Island, New York

blank

DITËLINDJA E POETIT… Kushtuar Lirikut të madh Vehbi Skënderi – Poezi nga YMER NURKA

             

                                          ” VEHBIU, lindi atë ditë Maji.

                                        Perëndoi në këtë ditë të qershortë

                                     Kënga i jehon ndër mote fuqishëm

                                 E s’lë vënd për vaj, e për mort…”

                                                                               Autori

 

Nuse u bë Lenia, atë ditë Maji,

U puth me Diellin…e foli me Qiellin…

Perëndimi i purpurt,

Nën tingujt e zemrës,

U qep me fillin e ëndrrës,

Nga duart e zanave…

Të visheshe ti, o Princ i Këngës…

 

Leonë ishe, atë ditë Lenije…

S’ të mjaftuan lulet e çelura ndër viset e tua

Lulnaja të tjera, prej malesh i more hua,

Majë më majë e skaj më skaj…

I përralltë kish ardhur ai Maj.

 

Prej rrobulli të kuq, u gdhend një djep,

Nga zogjtë, më të bukur të pyllit,

Kënge pas kënge, nën dritën e yllit

Cep me cep, e sqep me sqep…

Kish çelur një jetë…, një jetë e vërtetë

E mbushur me aromat e Prillit

 

Qumësht premtuan, sorkadhet e malit,

Të mjaltët, të njelmët, si shpirti i djalit…

 

Me rreze yjesh u thurën shpërgenjtë,

Dhe Hëna zbriti me duart e Muzës

E plotë e verdhë, si kulaç poganiku…

Dy duar të ëndërrta, u bënë kumbarë,

Minareja u prarua, nga drita e shënjtëve,

Filli i Platintë dridhej, nga tinguj qiellorë,

Kish lindur ai , Këngëtari më i ëmbël i Botës.

 

E strehët pikuan, lot të hareshëm,

E odat u mbushën, përplot mysafirë,

Dollia dhe kënga, jehoi aq ngeshëm,

Si festa e një dite të mirë…

 

E ylbertë rrodhi drita, prag pas pragu,

Nëne pas nëne, e plak pas plaku…

Nuset dhe çupat, hodhën mbi supe,

Tylin pranveror të stolisë,

Ti ngjanin Ofelisë…

 

Gjersa kënga rrodhi, ndër damarë, si gjaku,

S’ka muzg, të shuajë vezullimin e atij Agu…

blank

JAM IKANAK I DETRAVE – Poezi nga MOIKOM ZEQO (3 qershor 1949 – 15 qershor 2020)

Jam ikanak i detrave,
Dhe ndërtoj në vegim altare,
Dhe tatuazhet ma hanë Kujtesën,
Si milingonat një elefant!

Po fryma e Naim Frashërit
Krijon një ekuilibër,
Kuptimësi rregullore
Të sendeve, zotave, gjallesave!

E dashur! E ke shpikur stilin,
Buzëqeshjen dhe të ecurën tënde,
Për hyrjen triumfuese në Tempull,
Me pelerinë dafine!

Pse tërë njerëzit
Janë si dete, që ecin,
Me zemrat – amfora,
Të anijeve të mbytura?

 

blank

MES DY BOTËVE – Tregim nga HAMIT TAKA

 

 

Rastësisht, tetë vjet më parë, Besi ishte njohur me Zanën. Ky nuk ishte vendim i menduar prej tij dhe as i qëllimshëm. Për Besin, kjo ishte një rastësi, një ironi e fatit, kundër të cilit ai luftoi për gjashtë vjet me radhë. Ai nuk kishte dashur të martohej me Zanën.  Madje as nuk e dinte se kush ishte ajo. Atëherë Zana ishte 20  vjeç, ndërsa ai njëzet e dy, të dy në universitetin e Tiranës.

Në fillim ajo ishte thjesht një studente në vitin e dytë. Por, pas dy takimeve, ai u çmend pas saj. Ata u shoqëruan për pesë muaj deri sa dikush shkaktoi një krisje, duke thënë se Besi ishte treguar i zgjuar, që shoqërohej me Zanën, bukuroshen e vogël. Më pas ai e kuptoi përse. Zana ishte e bija një ofiqari të lartë. Besi u xhindos, madje u zemërua me gjithë furinë dhe naivitetin e një njëzetedyvjeçari, bile edhe me Zanën, që nuk ia kishte thënë.

– Si munde ta bësh këtë? Pse nuk më ke thënë ? – i shfryu ai asaj.

– Çfarë të thosha? Kush ishte babai im? Nuk mendova se do të të interesonte.

Ajo u zemërua nga ky sulm i tij. Se e kishte kuptuar tani sa krenar ishte i pëlqyeri i saj dhe gjëndjen shoqërore të familjes së tij.

– Ti e dije se do të më interesonte. Ç’të bëj tani?…

Ai e dinte më mirë se kushdo tjetër se nuk i përkiste asaj bote dhe se kështu do të ishte gjithmonë. Por e dinte se edhe Zana nuk do të mundëte të ishte pjesë e të jetonte kurrë në një familje të përbuzur të botës së tij. Por problem i vërtetë ishte se edhe ai nuk i përkiste as botës së tij. Nuk kishte rëndësi se sa kishte punuar ai për të qënë njëri prej tyre, por edhe t’i tregonte botës së atyre se ata ishin posi ata dhe ndoshta më shumë.

Besi, që në fëmini, kishte ulur kokën dhe kishte mësuar pa u lodhur. Dhe, falë aftësive të tij, kishte mbaruar gjimnazin shkëlqyeshëm. Nga kjo, në kërkesën e tij për të vazhduar shkollën e lartë, si degë të parë kishte vendosur mjekësinë, por dëshirës së tij i kishin thënë jo dhe ia kishin aprovuar për fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega matematikë, që gjithsesi ishte i kënaqur. Ai kishte patur disa histori dashurie të parëndësishme në gjimnaz e në lagje, por gjithçka ishte shumë e ngatërruar dhe lidhjet ndikoheshin në mënyrë të pashmangëshme që askush nuk priste të shkonte më tej se e nesërmja.

Pas mbarimit të universitetit me rezultate të larta dhe ishte kthyer në qytetin e tij të vogël, ai e kishte kuptuar se nuk i përkiste më atij vendi. Ideja për të punuar larg vendlindjes së tij, të cilën ia ushqeu edhe babai i vet, i pëlqeu dhe shprehu dëshirën vullnetarisht, për të punuar në Veri. Ashtu bëri, shkoi atje ku “kishte nevojë Atdheu”.

Sado i pasionuar që ishte pas punës e profesionit të vet, Besi nuk ndihej i plotësuar dhe kërkonte hapsira të reja kërkimi. Ato vite kishte filluar të përdorej programimi linear në ekonomi dhe ai u lidh me shumë ndërmarrje shtetërore dhe kooperativa bujqësore, për të dhënë kontributin e tij, ku fillimisht  pritej me skepticizëm, duke u ndeshur edhe me specialistë të dobët e mosbesues. Mirëpo është e pamundur që e mira të neglizohet pa kufi. Shpejt ai u bë shumë i dëshiruar nga shumë ndërmarrje e kooperativa, sa nuk gjente dot kohë për t’iu përgjigjur të gjithëve.

Me kalimin e kohës, ai e ndjeu dhe e kuptoi se nuk ishte i lindur vetëm për kaq. Ambicia e tij shkonte edhe më tej. Ishte koha kur kishte filluar një bashkëpunim intensiv me revistën më prestigjioze në vend “Shkenca dhe jeta”. Ndonëse gjatë shkollimit të mesëm e të lartë si gjuhë të huaj kishte bërë rusisht e frëngjisht, i ishte futur vet edhe anglishtes. Gjatë viteve që ishte në Veri, të dielat e ditët e festave shkonte në Shkodër, ku, me anë të një miku të tij, u lidh me një ish-prift katolik, i cili dinte anglisht. Prifti i përbuzur e kuptoi karakterin e fortë të djaloshit dhe i besoi. Ai pranoi me qejf të punonte me të për mësimin e anglishtes. Pavarësisht se prifti nuk pranoi pagesë, ndonëse punonin me orë të zgjatura, djaloshi gjente mënyra për t’ia shpërblyer disi. Në moshën 25-vjeçare djaloshi zotëronte tri gjuhë të huaja: rusisht, italisht dhe anglisht. Italishten e kishte mësuar thjesht nga televizori, pasi, për fatin e tij, gjatë verës në vendbanimin e tij televizori merrte shumë kanale italiane.

Në këto rrethana Besi iu fut një pune më të gjerë studimore, si të thuash vjedhurazi, nëpërmjet kanaleve të komunikimit informativ edhe në gjuhët e huaja që zotëronte. Më pas shpesh ishte dukur nëpër institutet studimore të kryeqytetit, por, jo vetëm që e prisnin me mosbesim, por i vinin edhe epitete, siç u ndodhte shpesh njerëzve që binin pas studimeve të thelluara. Por kjo nuk zgjati shumë, se filluan ta ftonin vetë nëpër konferenca dhe grupe pune për studime shkencore. Kështu u bënë tre vite që Besi nuk kishte lidhje fare me Zanën, megjithëse ajo i kishte dërguar një kartolinë urimi për Vitin e Ri, por atij iu duk më e lehtë të mos i shkruante. Çdo t’i thoshte? Më vjen keq që ti je kaq e pasur dhe unë kaq i varfër? Paç një jetë të lumtur me njerëzit rreth Bllokut, ndërsa unë po përmirësoj biografinë nëpër zonat e thella…

Në mbarim të vitit të tretë mësimor, kur fillonin pushimet verore, duke u kthyer për në shtëpinë e tij, vendosi të kalonte dy – tri ditë në Tiranë. Rastësisht takoi një shokun e vet, që kishte ditëlindjen. Ai e ftoi dhe Besi pranoi. Atje gjeti dhe Zanën. Ajo ishte në prag të diplomimit në mjekësi. Besi mbeti pa frymë kur e pa. Ajo ishte më e bukur se kurrë. Kishin kaluar pothuajse tre vjet që s’ishin parë. Ishte shume i hutuar për të kuptuar që dhe pas katër vjet përpjekjesh për t’i qëndruar larg e për ta harruar, dridhej i tëri vetëm duke e parë.

– Ç’bën këtu? – e pyeti i frikësuar, a thua se ajo duhej të jetonte vetëm me kujtimet e tij të shkollës. Ajo e kishte kërkuar për muaj të tërë, pasi ai mbaroi universitetin, sidomos në fillim, kur ende s’kishte marrë emërimin. Ndërsa ai për shumë kohë e kishte përfshirë në të shkuarën dhe priste që ajo të qëndronte po aty. Po ky takim e solli menjëherë në të tashmen.

– Po përfundoj universitetin, – tha ajo, duke mbajtur frymën teksa e shihte. Ai dukej më i gjatë e më elegant, sytë i kishte më blu dhe flokët më të errët nga sa e mbante mend ajo. Gjithçka rreth tij dukej më intëresante tani. Ajo nuk e kishte harruar për asnjë çast. Besi ishte i vetmi, që ishte larguar prej saj, duke menduar se nuk mund t’i falte asgjë.

– Urime! – I tha ai shkurt  dhe vazhdoi ta admironte.

– Kam dëgjuar se je emëruar në Veri, – i tha ajo me qetësi dhe ai pohoi. Duhet të ketë qënë e tmerrshme për Zanën. Nguronte të mos e trembte, duke bërë ndonjë lëvizje të gabuar. E dinte sa krenar ishte ai dhe nuk do t’i afrohej kurrë. Edhe ai e vështronte pareshtur. Pyeste veten, ç’kishte bërë ajo dhe çfarë kërkonte prej tij. Por dukej krejt e pafajshme, pavarësisht nga e kaluara në dukje kërcënuese. Për të ajo kishte qënë një kërcënim për lirinë dhe pavarësinë e tij, një lidhje e pabazuar përmes të shkuarës, që ai nuk mund ta jetonte për shumë kohë dhe të ardhmes, që dëshironte. Kishte parë shumë që nga koha kur ishin takuar për të fundit herë dhe teksa e shihte tani, kujtonte me vështirësi gjërat, prej të cilave trembej dikur. Ajo dukej e frikësuar, por e re, naive dhe jashtzakonisht tërheqëse. Folën për orë të tëra atë natë dhe ai e shoqëroi për në shtëpi.

Ndonëse e dinte se nuk duhej ta bënte, të nesërmen i telefonoi. Dukej kaq e lehtë në fillim, saqë ai mendoi se mund të ishin vetëm shokë, çka asnjëri prej tyre nuk e besonte. Por ai dinte vetëm se donte të rrinte pranë saj. Ajo ishte rrezatuese, gazmore dhe i kuptonte ndjenjat e tij të çmendura, pse ai nuk e gjente veten në asnjë vend dhe se çfarë donte të bënte në jetë. Thellë-thellë ai donte ta ndryshonte botën ose të paktën të bënte një ndryshim. Ajo ishte e vetmja që mund ta kuptonte këtë. Gjithçka te Besi tregonte se ai ishte udhëheqës, me një shtat mbresëlënës, në se e shihje në sy do të gjeje mirësi, forcë, një zemër të ngrohtë dhe një ndjenjë humori. Kishte diçka më tepër tek ai, se sa një kostumi të qepur mirë, një këmishe të hekurosur mirë, kravate të bukur apo një çante lëkure të kushtueshme.

Tirana ishte e veçantë për Besin, ishte kulmi i gjithçkaje, që kishte ëndërruar. Kishte punuar shumë për gjithçka kishte arritur e megjithatë, i dukej se një pjesë të tyre e kishte arritur me lehtësi. Kjo buronte nga energjitë e tij të pakonsumuara. Por ai e dinte më mirë se kushdo tjetër se nuk ishte kështu. Nuk kishte lehtësira në jetë. Njeriu punon për të patur ato që ka ose ndryshe nuk ka asgjë. Por papritur, po atë verë e thirrën në ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Nevoja  e kishte detyruar ministrin ta afronte pedagog në fakultetin e Shkencave të Natyrës. Por Tirana kishte tani diçka më shumë, atje jetonte Zana tërheqëse.

Dhe kështu Besi mbajti dy vjet lidhje me Zanën, pasi e gjeti sërish. Pas diplomimit ajo zuri punë në spitalin ushtarak. Ajo çmendej pas tij, por ai ishte i prerë se ata nuk mund të martoheshin. Bile ai i thoshte që ajo të përqëndrohej tek puna dhe të shoqërohej me djem të tjerë. Në të vërtetë ai nuk mund të ndahej prej saj as ta detyronte të bënte këtë. Ishin shumë të lidhur në një kohë që Zana nuk ishte e bindur në se ai e donte me të vërtetë apo jo, deri sa ndërhyri babai i saj. Ishte burrë i mençur. Nuk foli asgjë për historinë e tyre.  Ai e ndiente se kjo ishte mënyra e vetme që Besi të mos ishte aq i kujdesshëm. Ai, ndryshe nga formimi dhe bindjet e tij, dëshironte që e bija të martohej me Besin. Vetë ai kishte dalluar diçka tek ai djalosh, diçka që as ai vetë nuk e kishte kuptuar. Besi kishte cilësi udhëheqësish, që pak burra e kanë, një forcë të qetë dhe kurajo të rrallë. Ai e dinte se kudo që të punonte Besi do të punonte mirë…

Në muajt e ardhshëm, Besi u përqëndrua më tepër në punë, se në dashuri. Kjo në fillim e mërziti Zanën, por, kur iu ankua të atit, ai me mençuri i tha të tregohej e duruar. Dhe në fakt Besi ndihej më i çlodhur, shqetësohej më pak dhe për çdo projekt që kishte për të ardhmen. Ndërkohë edhe Zana u qetësua, sepse ai linte më shumë hapësira për zbavitje dhe argëtim. Vetë Besi u habit se sa mirë ndihej me ata dhe se sa i qetë ndihej në botën e saj. Karriera po i shkonte mirë dhe pavarësisht nga habia e tij, asnjërit nuk i interesonte se nga ishte apo si arriti aty. Në fakt dukej se të gjithë e pëlqenin dhe e pranonin. Bile Besit kishte filluar t’i dukej se ai i përkiste asaj bote, kurse Zana nuk kishte dyshuar kurrë se ai do të ishte burri i duhur për të.

Së pari Besi  i telefonoi dhe i tregoi motrës. E motra nxitoi te nëna e saj dhe të dy u emocionuan, duke shtrënguar njëra-tjetrën në qafë. Përfundimisht vetëm i ati ishte kundër asaj martese. Kjo ishte zhgënjyese për Besin. I ati ashtu siç mendonte se puna na Tiranë do të ishte mundësi e shkëlqyer për të, po ashtu ishte kundër kësaj martese. Ishte plotësisht i bindur se Besi do të pendohej për këtë hap gjithë jetën.

– Ti gjithmonë do të jesh i huaj, po të martohesh me atë, bir. Nuk është e drejtë, nuk është e ndershme, por kështu ka për të qënë. Sa herë ata do të shohin, do të kujtojnë si ke qënë në fillim e jo si je tani. Por Besi nuk e besonte këtë. Ai ishte rritur në botën e saj. Ajo tashmë ishte e tij dhe bota e tij dukej një tjetër jetë. E shkuara nuk ishte më pjesë e tij, ishte e huaj tashmë. Dukej sikur ishte rritur aksidentalisht në atë qytet të vogël periferik ose sikur kishte qënë dikush tjetër dhe nuk kishte qënë më kurrë atje…

FUNDI I PJESES SE PARE

blank

VAJZA E VOGËL E WERMEER-it – Poezi nga ADAM ZAGAJEWSKI – Përktheu IRENA DONO

Vajza e vogël e Vermeer-it, tani e famshme
më vështron. Një margaritar më vështron.
Buzët e vajzës së vogël të Vermeer-it
janë të kuqe, të njoma dhe të ndritshme.
Oh, vajzë e vogël e Vermeer-it, o margaritar,
me shallëz blu; ti je gjithë dritë
dhe unë jam përbërë nga hija.
Drita bie mbi hijen
me vetëpërmbajtje, ndoshta keqardhje.
blank

NATA E SHTATË – Poezi nga AGIM GJAKOVA

Nata shtatë
(Ëndërrimi i shtatë)
.
Disa thonë se lumi gjëmon
se gurgullon
se cicërinë
se këndon
se tallet
se zemërohet
se flet përçart
se mallkon
se grindet
se përkëdhel…
.
Bie në gjumë
ku ta gjej atë lumë
t’ia dëgjoj të gjithë zërat!
.
Dita shtatë
(Zgjimi i shtatë)
Ia dërgoj shpirtin
qielli bëhet i kaltër
ia çoj zjarrminë
tërmeti trondit globin
ia besoj fatin
dhe kjo e habit botën…
.
A do të zgjohem dhe t’i përjetoj këto
Shtatë puthje
blank

(Video) SHI, SHI, SHI… – Poezi nga Vehbi Skënderi Lexon e bija, Elida Buçpapaj

Shi, shi, shi! Era sikur përton të ikë.
Dita sikur nxiton të shqitet
Shpejton të fiket.

Cicërojnë harabelët që nga qielli
Një zgavër plage dhëmb e ther së thelli.
Vetëtima varur ngeli.

Ne çapim, kot më kot, s’di si, mbi baltë.
Matanë gardhit pret misteri natë
Lugatja natë!

E shpojnë trupin ca pika shiu gjemba.
Në mijra fije na ka lidhur dhëmbja.
Nga retë zbret, si e menduar, mbrëmja.

Ngatërrohen çaste pas këmbëve si leqe:
O ti e dlira! Ҫ’të ndjek kjo hije – dreqe?
Ҫ’ka me ty bota e keqe?

O ti e mira! Mjaltë e çdo muzike
Pse sa ra nata, more rrugën e u nise
Ike, u arratise!

O ti e ëmbla, lule qit nga shtati.
Pse vuan kaq? Me ty kjo botë ç’pati?
Pse ç’të dha qielli, nuk të dhënka fati!

blank

(Video) ISHNJE APO NUK ISHNJE! Poezi nga Vehbi Skënderi – Lexon e bija, Elida Buçpapaj

Në ditët gri të dimrit arabeska shkarravisnje
Përmbi petale bore diç shkruanje e diç prisnje.
Ti erdhe të më falnje a të më telendisnje,
Ti erdhe të më ngjallnje a nën varr të më batisnje.

Ishnje apo nuk ishnje!

Me rrezet e mëngjesit si vesa ti shëndrisnje,
Mbinje nga dheu si bar a bletë prej qielli zbrisnje,
Ti ditë e zjarrtë vere, ti natë bryme e ngrice:
Ti ishnje vishnjë ezmere a fllad që shushushurisnje.

Ishnje apo nuk ishnje!

Ti posa ngrinje dorën mjegullën davarisnje
Ndër mijëra drunj të thatë bisqe e gjeth buisnje
Me një të tundur kryet qytetin e gremisnje!
Një mijë diej i fiknje, një mijë diej i ndisnje!

Më thuaj ishnje ëndërr a grua vërtet ishnje?

Ishnje apo nuk ishnje!Ishnje apo nuk ishnje

Në ditët gri të dimrit arabeska shkarravisnje
Përmbi petale bore diç shkruanje e diç prisnje.
Ti erdhe të më falnje a të më telendisnje,
Ti erdhe të më ngjallnje a nën varr të më batisnje.

Ishnje apo nuk ishnje!

Me rrezet e mëngjesit si vesa ti shëndrisnje,
Mbinje nga dheu si bar a bletë prej qielli zbrisnje,
Ti ditë e zjarrtë vere, ti natë bryme e ngrice:
Ti ishnje vishnjë ezmere a fllad që shushushurisnje.

Ishnje apo nuk ishnje!

Ti posa ngrinje dorën mjegullën davarisnje
Ndër mijëra drunj të thatë bisqe e gjeth buisnje
Me një të tundur kryet qytetin e gremisnje!
Një mijë diej i fiknje, një mijë diej i ndisnje!

Më thuaj ishnje ëndërr a grua vërtet ishnje?

Ishnje apo nuk ishnje!Ishnje apo nuk ishnje!

blank

(Video) Reciton Justina Aliaj – Mbaj një zemër gruaje ndër duar – Poezi nga VEHBI SKËNDERI

Mbaj një zemër gruaje ndër duar. Mollë të ëmbël!
Shoh përherë ëndërr. Shoh syçelur ëndërr
Rrugëve…

Druaj, se mos shpejtoj hapin e troshitet,
Mos më zë ferra vragën e gërvishtet,
Mos më shkel këmba në akull dhe më vritet!

Druaj mos vrenjtet qielli e trishtohet,
Mos zemërohet deti e pikëllohet,
Mos bjerë kund tërmeti dhe lëndohet!

Kam ndër duar një zemër gruaje. Shihni, ç’mollë e ëmbël!
Syçelur shoh ëndërr rrugëve. Shoh ëndërr…

Kam frikë mos ma gjuan kush me gur. Kam frikë!
Mos ma ngrin vrik acari, bari
Mos ma fshikë. Kam frikë!
Mos ma djegë shkrumb zjarri!
Mos ma vrasë kush me fjalën – plumb. Kam frikë!

Mbaj ndër duar një zemër gruaje.
Mbaj gjithë bisqet e shelgjeve dhe vreshtave (të posaçelur)
Gjithë sythat e lëngët të nyjeve,
Gjithë çerdhet e shkrepave dhe pyjeve
Më bëjnë kaq të ndjeshëm e kaq të pasur!
Kaq të prapë, kaq të metë… e kaq të dashur!

Mbaj një zemër gruaje ndër duar.
Kurrë s’kam mbartur
Thesar më të çmuar.

Druaj mos ma thajë bryma! Mos ma helmojë ndryshku,
Myku, tymi i ambjentit!
Shkel mbi qelq e thëngjij papushuar…

Sikur mbaj gjithë kristalet dhe brilantet e Orientit!
Mbaj një zemër gruaje ndër duar!

Flokët varur mbi sup, fustanin ngjyrë vishnje
Ti shkelnje nëpër pluhur a nëpër re barisnje,
Si vetëtimë e bardhë hapësirat përshkëndisnje…
Të pruri udha kot a dole të më prisnje?


Send this to a friend