VOAL

VOAL

ËNDRRA TË PLAGOSURA – Novelë nga EGLANTINA MANDIA

January 12, 2020

Komentet

MOT QIELLI, SY NJERIU- Prozë nga RUZHDI GOLE

-Si është koha sot ?
-Moti thuaj. I vranët. Koha është tjetër.
-Moti dhe koha afrohen, ndonjëherë edhe puqen, por janë përhera veç
-Jo përhera.
-Secili jeton kohën e vet. Motin e jetojmë njësoj.kur jemi afër e afër.
-Edhe stinët ?
-Jo përhera. Mundet të jemi në të njëjtën stinë, por secilit stina i duket ndryshe. Unë, ndonjëherë kam ftohtë edhe në gusht. Në gushtin e gjinkallave, kur të tjerët pëlcasin.
– Më çudite.                                               –
-Eh, të çudita…kjo është çudi e vogël, fare e vogël.
-Çudi si prej marrie.
-Marrie pa stinë. Pa të keq.
-Të gjithë meteorologët thonë aty-aty të vërtetën për motin.
-Mua më duket se s’janë aq të vërtetë
në parashimimet e tyre. Ata, më duket mua, e zbusin motin ose e bëjnë furtunë.
-Të jenë kaq të nxituar ? Përse! Sot ka
aparatura me pa kohën, nejse, motin
edhe të hënës.
-E vërtetë kjo, e vërtetë. Njerëzit jetojnë
edhe në ndonjë planet tjetër.
-Mund të jetojnë, por ndoshta jo në të
njëjtën kohë me ne.
-E habitshme kjo, e habitshme. Edhe
moti atje s’i dihet sa djeg e bubullon.
-Lerë motin e qiellit, o miku im, lëre. Jemi në tokë. Toka ka mot e kohë. Qielli  ka vetëm mot, motmote.
-Po, po, ika ca larg, fluturova me ëndërr.
-Të gjithë ëndërrojmë…
-Jo të gjithë. Ne ç’të ëndërrojmë? Jemi kurrizdalë e ngërçe. Më dëgjo :
-S’më vjen turp ta them : fëmijë i varfër, trembëdhjetë vjeç kothere, hëna më dukej fetë buke lyer me…me salcë e kripë. Të nesërmen dielli më dukej, si më dukej s’e mbaj mend se me digjej kurrizi i hamallit në port gjatë verës për ndonjë dhjetëshe.
Eh, ai mot, si mot.
-.Jo mot, ajo kohë. Moti dhe koha nuk janë njësoj.
-Eh, e gjitha vetëm një hapje mbyllje sysh. Sy prej qielli a prej njeriu?
-Po flet për motin a për kohën, miku im?
-Ç’ditë është sot ?
-E martë,
-Po pse për mua është e mërkurë?
-Varet si ke fjetur.
-Ah, e gjeta. Të mërkurën marr pensionin. Marr pensionin nesër.
Unë gëzohem,, e flamosura ime gruaja plakë mërzitet. Pse mërzitet? Ajo do që ditët të ikin sa më ngadalë. Të vijë sa më ngadalë dita e pensionit tim. Unë s’përmbahem, s’përmbahem hiç fare. Sa marr pensionin më duket tjetër vetja, Si më duket? Herë si mizë dheu, herë si karkalec. Ç’t’i bëj mëndjes që të mos hallakatem. Ti ve dryn ? Ku ta gjej?
-Në hënë mund edhe të gjesh. Gjersa njeriu ka shkuar atje dhe në Mars, patjetër ka marr me vete çelësa e kaçavidha, qysqi e leva për të hapur rrugë, për të zbuluar fshehtas ndonjë të fshehtë, ndonjë paudhësi.
-Oooo, për ty, çmimi i parë në…- fjalosi Link Gogu, por unë nuk e lashë të përralliste :
-Dëgjo, dëgjomë o largpamës. Atje në hënë dhe në Mars, ku ta kemi më të lehtë e më pak të kushtueshëm fluturimin, të çojmë një bibliotekë me Libra.
-Bibliotekë me Libra? Pse?
-Po, të këndonj njerëzia atje. Librat janë të zhubrosur e me era myku, por ç’të bëjmë, akoma s’kemi një bibliotekë.
-Dhe që t’ia lehtojmë paksa kurrizin bibliotekës them të çojmë atje ca romane të grafomaneve. U mbush qyteti veç me romancierë.
-S’e ke keq…E more çmimin në konkursin
“Ëndërr ndërplanetare..” Por Librat në Hënë e Mars nuk i çojmë dot pa lejet e autorëve. Nuk i çojmë ne. Ne të dyve nuk na lejohet më të fluturojmë. Jemi motmotmotit shkuar
-Të faleminderit, të paça për gjithçka. Po sa honorare do na japin për mundin e mendjes? T’i vë tjegullat shtëpisë. Na fishkëllejnë brinjët si gruas plakushe natës dhe ditën më pleqni.
-Ç’honorare ? Rroftë mendimi, morali, o mik!
-Pordhi…
-Kush ?
-Morali, pra.

NGJYRAT E BOTËS- Poezi nga Bekim I. Blaku

Pse më rri ashtu, kujtueshëm?
Me laps nxirr mendimet në letër.
Në je i mallëngjyer a gëzueshëm,
mos e lër për një herë tjetër.
.
Ditë të mbarë, kudo qofshi,
në këtë botë përplot ngjyra.
Mos më rrini ashtu vëngër;
më mirë dukeni kur ju buzëqesh fytyra.
.
Edhe pse ne shpesh na duket
e tërë bota bardh e zi,
në mes tyre, gati pa u diktuar,
lulëzojnë shumë fusha gri.
.
Nuk jam i lindur
të jap këshilla me çdo kusht.
Sa mirë sikur secili t’i mbante
hallet e veta në zemër a në grusht.
.
Ç’ngjyrë a ç’fushë do të zgjedhim,
në do të jetë e bardhë, e zezë a gri,
unë do ta mendoj për vete;
vendos për vete edhe ti.
.
Bekim I. Blaku
Berlin, 29 maj 2026

SKUADRA E BEKUAR – REPORTAZH nga Janina – Nga Shkëlqim HAJNO

 

Pas hapjes së Shqipërisë dhe rënies së perdes së hekurt komuniste, pas vitit 1991;  nga Saranda në Janinë, pata shkuar edhe herë të tjera në spitalin me emrin prestigjioz: “Spitali Universitar Shtetëror i Janinës”, në Duruti.

 Më tepër,  në rolin e gazetarit rezident për jugun e  vendit tim, në Agjencinë zyrtare të Lajmeve, (ATSH).

Por më 12 maj 2026, e pashë veten, një pacient anonim që duhet t’i nështrohej një kirurgjie të vështirë në zemër.

Tani, kisha me vete, vetëm  imazhin e një profesionisti besimplotë, atë, të prof. XRISTOS ALEKSIU, drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë.

 

Shpresojmë,  të bëjmë më të mirën si ekip dhe gjithçka do të shkojë mbarë!”, – e regjistrova  në mendje  një ditë para narkozës, fjalën e tij si prej shenjti.

 

Pas shtrimit dhe më pas  operimit në kardiokirurgji; ishte qëndrimi në reanimacion për pak ditë që unë,  të ftillohesha me habitatin që më rrethonte, mes disa pacientëve të tjerë në ditë-netët intensive të punës nga skuadra e reanimacionit.

Isha thjesht në anonim , që duke përtypur dhimbjet, nuk pengohesha të shihja, të perceptoja, përreth.

Ndjeva  në ajër, një përkushtim ikonik të mjekëve dhe infermierëve, ku gjithkush mbante nën kontroll, diskutonte shkurt dhe linte shënimet në dosje, mbi treguesit e të sëmurëve në sallë.

Fqinji im djathtas, ishte një peshkatar nga Korfuzi dhe djathtas, një grua e moshuar rome.

 

3.

  • SKICIME

Nëse, një njeri i artit figurtiv pamor, do të përdorte lapsin/grafit, do të mund të na sillte karakterin e disa profileve nga Skuadra e Shenjtë e Kardiokirurgjisë në Spitalin  Shtetëror Universitar të Janinës.

Me grafitin shpirtëror leksikor, është pak më e vështirë. Por është e mundur, deri diku.

  • ALEKSIU
  • Është padyshim një nga krenaritë e kardiokirurgjisë greke sot.

Mendoj se personaliteti i Tij është i tillë, jo apriori, por falë edhe disa gurëve xhevahiri që ka në formësim, qënie dhe karakter, si: aftësia dhe kompetenca, ekperienca, komunikimi i nevojshëm e krejt natyrshëm me kolegët, pacientët dhe,  padyshim: modestia.

Ai, mesa  “lexova” me sy të lirë, di t’u japë besim, së pari kolegëve të skuadrës dhe padyshim, pacientëve.

  • BALAS, djaloshi me rrënjë nga Suli.

Kirurgu, dr. Xristos BALAS, është një tjetër pasuri e kësaj Skuadre. Tek djaloshi me rrënjë nga Suli mund të lexosh: qetësinë, guximin dhe kompetencën.

  • GRAMATIKOS JIORGOS.

Është pjesë aktive e Skuadrës. Kurdoherë i përqëndruar dhe në bashkëveprim me kolegët dhe pacientin. Te përqëndrimi i tij, i pafjalë për çdo pacient, jep siguri dhe qetësi.

 

  • THEOLLOGU.

Pas disa vizitave në dhomën nr. 214 të pavionit, m’u krijua, përfytyrimi që shpaloste shumë thjesht mbi situatën time para dhe pas operacionit Me një çantë gjigande në dore, tipike të mjekëve që lëvizin larg ( ai operon në spitalet Athinë, Janinë, Londër) m’u perceptua, si njeriu që udhëton drejt pacientëve nëpër qiejt mes Janinës, Athinës dhe Londrës.

 

Por “gjeneralët” kanë nevojë edhe për ndihmësit e tyre:  Personelin e ndihmësmjekëve/eve.

O zot, mendova i kryqëzuar në krevat mes  serumeve, tek shfaqej befas në portë, infermierja e radhës: Nga çfarë lënde janë krijuar punonjëse të tilla të shërbimit shëndetësor  të cilave, u ka mbirë buzëqeshja në buzë, tek i afrohen pacientëve në 24 orët e shëbimit te dhomat e Kardiokirurgjisë?

Janë gra dhe vajza të thjeshta. Jorgjia, Silvana, Eleni…

-Quhem…Silvana, -thotë me mirësi në fytyrë më e reja e tyre

-Nga nëna jam nga Zakintho, nga babai, nga Lushnja në Shqipëri.

E urova në greqisht dhe në shqip.

 

4.

RETROSPEKTIVË

Dalja e parë imja drejt Janinës fqinje, botës së “ndaluar, ish armike” ishte në vitin 1993. Shkaku ishte lëvizja e bukur skautiste dhe miqësimi  vëllazëror i skautve të rinj shqiptarë  me oganizatën greke ”Soma Elinon Proskopon”.

Aso kohe,  ende punoja ne gazetën kombëtare “Bashkimi” për jugun e Shqipërisë dhe botova nga Janina një reportazh për skautizmin me titull: Shumë vende-një botë!”.  Nga njerëzit e skautizmit grek në ato vite, kujtoj të paharruarin: Xristos Gogas.

Vite e vite më vonë, piva një kafe në shtëpinë e filologut të njohur të Janinës, Nikos Ifandis. Profesori më pyeti:

– E njeh Gogën?

 – Sigurisht…..”

Perimeve ligo *(prit pak),-dhe formoi një numër në telefonin e tij.

Të nesërmen, në një nga kafenetë e rrugës “Dhodhonis”, Kristos Gogas miku i skautizmit shqiptar, ashtu simpatik, me mutaqe e buzëqeshjen e përhershme,  u ngrit nga tavolina me gazetën e dikurshme ne gjuhën shqipe dhe ma afroi publikisht të hapur në faqen e mesit të “Bashkimi” që aso kohe drejtohej nga prof. Hamit Boriçi: “SHUMË VENDE-NJË BOTË!.

 

5.

-NJË FOTOGRAFI DHE NJË NISMË  MIRNJËHOHJE  PËR SPITALET E VERIUT TË GREQISË.

Në dhomën nr.14 të Pavionit të Kardiokirurgjisë, gjatë vizitës rutinë të stafit kryesor të mjekëve që kryesohej nga dr. ALEKSIU;  një pacient shqiptar, iu drejtua atyre me greqishten e tij të çalë,  me dëshirën për t’u bërë një foto.

Pas një hezitimi një grimëherë, mjekët janë të gjithë bashkë, në foton e këtij reportazhi me natyrshmëri dhe fisnikërinë e vizatuar në pamje e secilit: XRISTOS  ALEKSIU, GRAMATIKOS JIORGOS,  BALLAS XRISTOS, XRISTOS TOURMOUSOGLOU, IAKOBAKIS ILIAS.

 

***

Idea për të shprehur  (minimalisht), një akt Mirënjohës publik për tre institucionet kryesore shëndetit publik në rajonin e Janinës dhe Thesprotisë, (Filat);  e lindur vite e vite më parë nga gazetarët, kur ambulancat dhe personeli grek i shëndetit publik, prisnin ditë-natë  urgjencat me të plagosur shqiptarë nga situata absurde e vitit 1997;

vjen tani si një nismë e përqafuar nga pushteti vendor në Sarandë.   

 

Sepse me aktin civil që tre spitalet me emër (Universitari, “Haxhikosta” dhe Spitali i Filatit; të shpallen “NDERI I SARANDËS”; është merita më e vogël që duhet t’u njohim  bluzave të bardha greke në Janinë, që  jashtë çdo konjukture të çastit; vjen vetëm si një respekt për punën dhe sakrificat në shpëtimin e qindra e mijëra jetëve të qytetarëve shqiptarë, që fati, i çoi te dert e këtyre ekipeve të bekuara shëndetësore.

 

Dhe, do të jetë në tagrin e duhur, pjesëmarrja në një ceremoni të tillë në Janinë,  e deputetëve më së pari shqiptarë po edhe grekë, të të dy krahëve kryesorë (shëndeti nuk ka Parti!) Ku, jo për dekor, të ishin të pranishën edhe dy homologët Ministra të Shëndetit (grek dhe shqiptarë) së bashku me diplomatët kryesorë respektivë në Athinë dhe Tiranë.

 

Sepse, sipas mendimit tonë, Mirënjohja me shkronjë të madhe, ka qenë  dhe duhet të mbetet, një virtyt i moçëm dhe jo një “mall” i rrallë.

Në kontekstin e mësipërm,  edhe në fushën e shëndetit dhe humanizmit, për jetët e shtrenjta njerëzore.///

 KRIPË DHE CUNG- Poe-prozë nga RUZHDI GOLE

-Ç’të bëjmë me të qeshurën ? Ajo u gajas.
-Ta lemë të shkojë. Vjen tjetër buzagaz.
-Sikur gazi të ngryset, të rrudhet buza ?
-T’i  lemë hamendjet. Ato s’mbarojnë,
luten veç për gjethe flutura.
-Luten? Kjo lutje sjell mbarësi, praj,
-Po lutja mbaroi, kujt t’i lutemi pastaj?
A nuk e sheh si rrokullisen gurët…?
Edhe atyre po ua rrjepim lëkurën.
-Gurët paskam lëkurë, buzë, sy veshë?
O, ç’më gajase! S’më mban asnjë qivur,
përkrah më mban çdo shpresë. Zia gris gjithë partet.
-Ç’hyjnë këtu zia, qivuri? S’na duhet i
mrrudhuri. I mrrudhuri merr e ikën
njëherë njeriun e mbulon me kapak
pluhuri, njëherë merr e mbulon frikën.
Lëre mënjanë atë çka mënjanë të lë, një cope udhe të mban,
pastaj të shtrin nën dhe me heshtje të përzë. Heshtja jeton me dramë.
-Shih, shiko në kodër? Xhvoshk lëkura
e trungjeve, mbushur trungjet me
kripë, ngulur gozhdë.
-Gozhdë e kripë në trung? Kë kryqëzojnë përfund?
-Nuk e ditke ende, kripa dhe gozhdët
thajnë degët e pemëve.
-Pastaj, çka habi na çudit pastaj?
-Drurët thahen gjunjsh, pylli dergjet vaj.
-Po pastaj çka ngjet ?
-Pylli vuan për ujë, drurët gulçojnë për
ajër, ajri drithmon për bletë..
-Po pastaj kush vdiret ?
-Jeta e gjelbër prej nekrologjive.
-Oh, po kjo dhemb, dhembja më e
mprehtë. Si u varroska pylli gjelbërisht
gjoksnxehtë? Ku do thithim ajër të
pastër për mushkëritë.?
-Do ndërtojmë vila. Pylli mbështjell
brengë. Xhvesh nga çdo lirikë.
*
-Ku t’i gjej kepucët ? Dheu ma hëngri
shputën. Dëbora ma mpiu gjakun. Ku ta gjej flakën, xixat e merakut.?
-Gjeji nëpër pyll. Me një cung gdhend
këpucë. Asnjë me gungë.
-Mos rrëshqas e rripem, fatkeq kësaj
mesdite. Ende ngjethja ngjeth. Dielli mos ma djeg cungun sa gatitet për këpucë në shteg?
Ndoshta, në bjeshkë, me gishtrinjtë e mi grinden këpucët.
Dega e rrudhët kthehen tek pisha, ndoshta për t’u ngjall shpejt ngroh limfë tek buzët ?
-Thua, dega ende ka zë prej shpendi,
shpend është fluturimi.?
-Ne prit e prit pyjet me sëpatë thëllimi.
Pri, nëse duhet, por çka mbillet? Asnjë
farë e lume. Kuzhneni veçse shkimet.
*
Me gurë mbushim bregun, ndërkaq …
ngrejmë ca kolona me art kontrabandë.
-Kumi ku shkoi, pse u mvrejt vala ?
Pse s’marrin frymë, lajm pse nuk çojnë janë a s’janë të gjalla ?
-Ku ta gjejnë një gaz, buza t’u freskohet,
syri t’u xixojë pak? Veshi t’ju dëgjojë çfarë kris përreth.
E qeshura ku mënoi? S’vjen më të cicërojë zog haresh.
-Tek ky bregdet do ngrejmë njëfarsoj
kolona e kupola me kundra – art.
-Do ia zemë horizontin bregut, do ia
zemë syrin valës. Kund s’e gjen një varg.
*
-Me të vërtetë qeshim, tallemi mesvedi!
-Ç’të bëjmë me të qeshurën ?
-Ajo u vranua, ajo u gajas.
-Ta lemë veç të perëndoj.
-Ç’thëllime do na vijnë
buzaplas !!!!…

Duke parë një fytyrë të bukur- Poezi nga FATBARDH AMURSI

Një fytyrë e dashuruar m’u duk
që rrezatonte mirësi,
më rrëmbeu edhe mua,
.
Që dorëzohem lehtë
aty ku shfaqet e bukura.
.
Një fytyrë pa trukime,
pa retush,
pa komplekse,
.
Ngaqë u përtonte fjalëve
veçse qeshte.
.
Po na e shpifin profilet fallco,
horrat me pamje shenjtërie,
që buza s`u thotë një urim,
.
Sikurse profetët e rremë
që në lojërat e fatit,
takohen fshehurazi me Mesin.
.
I nervozon e bukura
dinjiteti,
nuri i një hijeshie,
.
Jam gati të përleshem me cilindo,
qoftë dhe si Don Kishoti
në mbrojtje të një Dylqinje.
.
Fatbardh Amursi

Kalon një vajzë- Poezi nga SULEJMAN MATO

Po kalon një vajzë në trotuar,
sy të kthjellët dhe shkëlqim rinor,
dhe unë s’mundem që t’i them një fjalë,
dhe unë s’mundem që ta prek me dorë.
.
Unë i ndrojtur jam ndaj bukurive
si një djalë timid, njëzetvjeçar,
ajo shkon si lumi,shkon si jeta,
shkon si mall që s’shprehet dot me fjalë.
.
Ajo shkon edhe askush s’e ndal,
nëpër ditë të ndritura, në vite
Vjeshtë e artë flokun më kujton
dhe rininë time në një pritje.
.
Po kalon një vajzë në trotuar,
dhe trazoi gjithë lulet era…
dhe më la një ndjesi- parfum lulesh,
sikur të kalonte vet pranvera

TË GJALLËT- Poezi nga AGIM DESKU

 -figurave të gazetarisë E.B.S.B

.

Udhës përskaj varreve ecin

Vështirë të takohen

Në të njëjtën kohë

.

E dinë ku gjendet liria

.

Sa e pashpirtë është vdekja

Tinëzisht shndërrohet në stuhi

Pa asnjë pik shiu mbetët toka

.

Në fytyrat e engjëjve marrim lot

Për t’i ujitë dashuritë e luftëtarve

Ah peng ashtin ia lanë tokës

Por kurrë të thyer për vdekje

.

Dhe të gjallët kanë mbetur pak

Edhe at pak liri e kanë harruar diku

.

Ndoshta bën vapë këtë verë

E nuk shumohën dhelpërat

E di mëkatin për mbretin e pyllit

Do të më quajnë të çmendur

.

Nëse shkruaj për lirinë e luanit

Dhe për dashuritë e tij venedikiane

.

Koha për njeriun çdo ditë bëhet e acartë

Si ikur jetojmë në janarët e akullt

Pranverat e marsit kryeneçë po ikin

.

Ne harrojmë se toka jonë është plot lule.

.

5 qershor 2020

AGIM DESKU

Kapteri i lagjes sonë -Tregim nga fëmijëria nga VIRON KONA

 

-Pse e theve këtë bredhin e vogël ti? – e qortonte kapter Zylfoja, shokun tonë që kishte thyer bredhin e porsambjellë. Dhe, duke i tërhequr veshin i thoshte: -Të dhemb veshi ty? Po,  të dhemb, por ta dish vogëlush se dhembje ka ndjerë edhe  bredhi i vogël kur ti e theve. Ai s`ka gojë të ankohet, kurse ti   fëmijë i prapë, gojën e ke vetëm për të ulëritur rrugëve e rrugicave të lagjes dhe për t`i krijuar shqetësime familjes dhe neve. -Pas këtij qortimi, ai lajmëronte prindin e djalit fajtor që të  siguronte një bredh të ri në fidanishte dhe atë bredh ta mbillte së bashku me të birin që e kishte thyer, përndryshe do të gjobitej.

Kapter Zylfoja ishte polici i lagjeve “Skelë” e “Kume”  dhe kishte autoritet tek të gjithë banorët, por veçanërisht tek ne fëmijët…Këshillat dhe qortimet e tij për ne ishim mësime, që duheshin zbatuar. Ai na thoshte:

-Do të shkoni të luani nga pylli, hë! Por, kujdes se mos keni ndonjë shkrepëse me vete, se mos ndonjëri nga ju më të rriturit pi cigare! Po kapa ndonjërin që ka vese të tilla,  do ta bëj problem në këshillin e lagjes,  e morët vesh apo jo?

-Po, – i thoshim ne, – e morëm vesh.

-Me njërin vesh apo me të dy?

-Me të dy veshët xhaxhi Zylfo, me të dy! – i përgjigjeshim ne si në kor.

-Atëherë, pa më thoni si do të veproni? Ja, ma thuaj ti, i biri i Tolit.

Unë dilja përpara të tjerëve, e  shihja kapterin në sy dhe nisja të përsëritja porositë e tij, ashtu siç thosha mësimin përpara mësueses:

-Ne, xhaxhi Zylfo, do të shkojmë në pyll vetëm për të luajtur. Ne nuk marrim shkrepëse me vete dhe nuk pimë cigare. Në shkollë ne kemi mësuar se pyjet kanë rëndësi për jetën tonë, sepse e mbajnë ajrin të pastër. Ne do ta ruajmë pyllin, sepse drurët e atij pylli i kanë mbjellë prindërit tanë, por edhe ne kemi ndihmuar në mbjelljen e tyre. Veç të mirave të mëdha që ka, pylli është edhe shtëpia e zogjve, të cilët janë miqtë e vegjël të njeriut…

-Mirë, për pyllin kam besim se nuk do ta dëmtoni, por vetëm do të luani dhe do të argëtoheni. E di edhe se ju nuk do të vrisni zogjtë me llastiqe. Llastiqet kam kohë që jua kam ndaluar, apo jo?

-Po, xhaxhi Zylfo, po, ne nuk kemi llastiqe, ato i kemi djegur dhe i kemi bërë copë – copë…

-Mirë, e mora vesh, por unë kam edhe një merak të dytë, që jua kam përsëritur dhjetëra herë. E dini apo s`e dini merakun tim të dytë? – ngrinte zërin ai dhe mbante veshët ngritur duke pritur përgjigjen tonë.

-E dimë xhaxhi Zylfo, e dimë “ujë” fare!

-Atëherë, fol ti Astrit,  nipi i Qaniut.

-Ne xhaxhi Zylfo, – përgjigjej Astriti, – nuk harrojmë asnjëherë porosinë tuaj që të mos futemi në det kur ka dallgë, por nuk do të lejojmë të futen në detin me dallgë sidomos ata fëmijë që nuk e kanë mësuar ende notin. Ti xhaxhi Zylfo na ke mësuar shprehjen: “Po s`dite notin, mos u fut në ujë!”

-Duhet të dini mirë, – vijonte ai,- se ju fëmijët e vegjël, tani e mësoni notin dhe i çani dallgët duke qenë në krahët e prindërve tuaj, por, ama kur të rriteni, do t`i çani dallgët vetë, si notarë të vërtetë. Tani, pa më thoni edhe ato dy këshillat e tjera për detin që ju kam porositur t`i mësoni përmendsh?

Dhe ne përsëritnim në kor: Këshilla  e parë: “Deti është i bukur, por nga bregu”; këshilla e dytë, e cila do të na vlejë kur të rritemi, është: “Kapiteni i mirë duket në detin me dallgë e furtunë!”

Atëherë ai largohej i kënaqur dhe ecte serbes nga njëra lagje në tjetrën, herë duke zgjidhur një mosmarrëveshje apo grindje mes banorëve, herë duke gjykuar ndonjë vjedhje, herë duke vendosur rregull kur në lagje qarkullonte me shpejtësi ndonjë makinë, apo kur karrocat me kuaj ndotnin rrugicat e lagjes.

Kapter Zylfoja nuk pranonte asnjë lloj ryshfeti nga banorët. Kur një nga fqinjat  tona, që rriste pula dhe kishte vezë me bollëk i ofroi një ditë një shportë të vogël me vezë, ai, jo vetëm nuk e pranoi, po i dha një përgjigje që mbeti e fiksuar fort në kujtesën e banorëve të lagjes dhe përsëritej shpesh në bisedat që bëheshin në klub dhe në mëhallë.

-Ç`po bën moj shoqe, e kupton se në ç ‘rrugë pa krye po më fut? – i kishte thënë fqinjës sonë kapter Zylfoja.

-Ku, o kapter në cilën rrugë po të fut, unë vetëm sa po të japë disa kokrra vezë!

-Faleminderit, moj shoqe, por a e di se çfarë thotë Saadiu?

-Për cilin Saadi e ke fjalën zotërote?

-Për atë poetin e madh arab.

-Eh, ç` punë  kam unë me  arapin, unë as që e njoh!

-E po ja, do ta njohësh nga këto që do të të them unë. Ai ka thënë: “Po vodhi mbreti një vezë, ministrat shfarosin pulat!” Unë s`jam mbret, por jam polic dhe i plotfuqishëm dhe, këtu në lagje duhet të jem shembull, të mos pranoj asnjë ryshfet nga banorët.

-Uaa, po këto janë vezë të pulave të mia, unë po t`i japë vetë, ti s`po m`i vjedh si ai mbreti që tregove zotërote! Unë  po t`i jap me dëshirën time se e kam shpirtin dhe zemrën borë të bardhë. Po deshi ai, Saadiu, i jap edhe atij ndonjë shportë me vezë, meqenëse ti  e respekton. Ai sa të shohë këto vezë, ka për t`iu prishur mendja dhe do t`i thotë ndryshe  fjalët që paska thënë për mbretin dhe ata ministrat që hanë pula si dhelprat…

-S`ka nevojë Saadiu për vezët e tua, moj shoqe! Nuk i duhen, se ai ka mbi 800 vjet që nuk jeton, por jetojnë e mbretërojnë librat që ai ka shkruar. Vërtetë kjo shporrtë që po kërkon të më japësh nuk është vjedhje, por është ryshfet. Ti ma jep mua me interes, sepse unë jam polic, jam i plotfuqishmi i lagjes. Po të kishe shpirtin dhe zemrën  siç po thua, ti do t`i jepje vezë falas familjes së Kenos që ka 12 fëmijë, por t`i i shet vezët dhe druan se mos unë vij e të bëj kontroll.

Dhe duke thënë këto fjalë ai u largua duke  e  lënë fqinjën si të shastisur, ama në lagje, që atëherë u përhap thënia e Saadiut: “Po vodhi mbreti një vezë, ministrat shfarosin pulat!” 1)

Zylfoja na tregonte lloj-lloj historish nga fshati i tij në Përmet,

i cili quhet Podgoran, në rrëzë të malit të Trebeshinës. Edhe vet emri Podgoran ka kuptimin “fshat rrëzë malit”.

-E dini ju djem se fshati im po ta shohësh nga lart ka formën e një trekëndëshi? Është fshat me lëndina dhe kullota të bukura, me përrenj, me malin që ngrihet mbi të… Trebeshina u ka vlejtur në shekuj bashkëfshatarëve të mi për kullota, për blegtorinë, për  lëndë drusore, por edhe si një kala mbrojtëse kur vinin pushtuesit.  Atje ajri është i pastër dhe i mbushur me aromat e lule trëndelinave, zambakëve, luleshqerrave, kurse bletët shëtisin nëpër lule dhe mbledhin nektarin. E dini ju sesa punëtore të mëdha janë bletët? Në fshatin tim thuhet: “Ashtu si bleta punon për kosheren e saj, ashtu duhet të punojmë të gjithë ne për atdheun tonë”. Ju jeni të vegjël dhe detyra e parë për ju janë mësimet, por kur të rriteni mos e harroni asnjëherë fjalën e Naimit, që thoshte: “Punë,  punë,  natë dhe ditë…,

     -Që të shohim pakëz dritë!” – plotësonim ne të gjithë në një zë, teksa shihnim sesi kapter Zylfos i ndriste fytyra nga kënaqësia. Në ato çaste ai treste vështrimin diku në hapësirë dhe thoshte:

-E dini ju që fshati Frashër ku ka lindur Naimi dhe vëllezërit e tij të famshëm Samiu dhe Abdyli nuk është larg nga fshati im? Naimi u këndonte maleve të Shqipërisë, fushave me lule, pyjeve me lisa të gjelbëruar, bregoreve dhe lumenjve, barinjve dhe bagëtive. Edhe fshati im i ka të gjitha ato që thoshte me vargje Naimi. Në shtëpitë e bashkëfshatarëve të mi bëhen hardhitë e rrushit, në mal bëhet çaji, i cili ka një aromë që të merr mendjen. Bëhet salepi dhe shumë bimë të tjera mjekësore… Atje mali i Trebeshinës duket sikur takohet me qiellin, kurse gjatë verës kullotat gjallërohen nga këmborët dhe zilet e bagëtive, nga blegërimat e dhënëve dhe te lehurat e qenve roje, nga jehonat e këngëve të barinjve që e hedhin sharkun krahëve dhe mbajnë kërrabë në dorë… Në fshat disa barinj janë mjeshtër të këngëve me fyell, aq bukur këndojnë, saqë edhe zogjtë ndalin këngët e tyre, ata marrosen pas melodive të bukura të barinjve tanë. Atje në fshatin tim, të vegjlit i respektojnë shumë më të rriturit. I madhi i shtëpisë dëgjohet me vëmendje, pranë tij rri vëllai i madh e pastaj të tjerët. Të vegjlit më shumë dëgjojnë. E dini ju pse ne njerëzit kemi vetëm një gojë dhe dy veshë? Pa ma thuaj ti djali i Minait.

-Ne, – niste të përgjigjej Lendi, – duhet të dëgjojmë më shumë sesa të flasim dhe jo siç bëjnë disa fëmijë që nuk lënë radhë të flasin të rriturit, ata “bëjnë zhurmë si fuçia që është bosh”, ata “janë kokëpërpjetë si kalliri i misrit kur s`ka kokrra”, ata

-Pa më thoni, si quhen ata njerëz që flasin vetë dhe dëgjojnë vetë?

-Ata quhen llafazanë, – i përgjigjeshim ne kapter Zylfos në kor.

Një ditë unë  e pyeta:

-Xhaxhi Zylfo, po dasma bëhen atje në fshatin tënd?

-Po mor xhan, si nuk bëhen dasma, kudo bëhen dasma. Në dasmat e fshatit vjen i gjithë fshati, edhe ata që e kanë fis apo nuk  e  kanë fis atë që martohet. Dasma zgjat një javë. Muzika buçet dhe mali i Trebeshinës e kthen jehonën dhe  e  përhap në të  gjithë luginën. Ke qejf të jesh në një dasmë në Podgoran, të gëzosh apo të këndosh këngën përmetare “A kanë ujë ato burime?”, apo të kënaqesh duke dëgjuar gërnetën e Laver Bariut,  apo të kërcesh valle popullore, apo të vallëzosh dans. Atje, nuk ndodh si në një dasmë që pashë vjet, diku nga lagjja tjetër afër jush, që njëri u martua dhe e gjithë lagjja u tërbua! U pinë e u dehën sa s`mbanin dot më dhe e lëshuan gjuhën pa fre. Kësisoj u ndez edhe sherri midis krushqve dhe dasma sikur u kthye në fushë lufte. Arriti sherri deri aty sa krushqit nxirrnin opingat dhe i binin njëri-tjetrit, pastaj me gota, me pjata, me karrige e me çdo send tjetër që ndodhej   brenda shtëpisë. Na u desh më shumë se gjashtë muaj që t`i pajtonim krushqit me njëri-tjetrin! Sigurisht ai një rast ishte, por s`duhej të ndodh më. Dasmat janë gëzim  dhe mbarësi. Ju e dini se duke u martuar njerëzit krijojnë familje, lindin fëmijë, shtohet familja, fshati, lagjja, qyteti. Shqipëria është e vogël dhe popullsia po rritet. Besoj se e dini edhe atë ligjin që, kur një familje ka 12 fëmijë i jepet falas një lopë. E dini këtë apo jo?

-E dimë, si nuk e dimë! – përgjigjeshim ne.

-Unë kam tezen në fshat, – tha Xhekoja, – kur ajo lindi fëmijën e dymbëdhjetë, që i vunë emrin Fundore,  atyre u dhanë një lopë. Të gjithë fëmijët mblidhen rreth lopës dhe gëzojnë, secili përpiqet t`i hedhë sa më shumë bar të freskët, sepse prej asaj ata pinë qumështin çdo mëngjes. Lopa gëzon kur sheh fëmijët, kthehet herë nga njëri dhe herë nga tjetri duke marrë me buzë barin që ata mbajnë në duar, ajo do që t`i gëzojë të gjithë fëmijët, edhe ata të vegjlit që rrinë prapa saj, se lopa shikon edhe prapa, kështu më ka thënë babai.

-Si, shikon edhe prapa?! Na i sqaro këtë. – i tha kapteri.

-Po, kur dikush i shkon prapa lopës që t`i hedh litarin në qafë, ajo pa e kthyer kokën e shikon keqbërësin apo hajdutin dhe i largohet. Ajo i bindet vetëm të zotit.

-Çfarë tjetër të ka mësuar babai për lopën – e pyeti kapter Zylfoja.

-Babai më ka mësuar se lopa është  “fabrika e familjes”, ajo është e dashur dhe paqësore. Në disa vende, – na tregon babai, – si për shembull në Indi, lopa quhet e shenjtë. Kur ajo kalon nga njëri krah i rrugës në krahun tjetër, njerëzit i hapin rrugë me respekt, kurse makinat ndalojnë që ajo të kalojë e qetë. Ai që vret, apo plagos një lopë, dënohet edhe me burg. Lopa ka nuhatje dhe i dallon aromat nga shumë larg, për shembull nga lagjja “Kume” ku jemi ne, deri te “Sheshi i Flamurit”, edhe më larg. Lopa e dallon menjëherë barin që është helmues…

Ne dëgjonim dhe e shihnim Xhekon disi me zili, por edhe me inat. Thoshim me vete: Po sikur kapter Zylfos t`i mbushet mendja dhe të na thoshte që t`i mësonim përmendësh fjalët që po thoshte Xhekoja për lopën!?

Kur Xhekoja mbaroi, kapteri tha:

-Ja, e dëgjuat shokun tuaj se sa bukur foli!, – dhe duke thënë këto fjalë ai e ledhatoi Xhekon, gjë që e bënte shumë rrallë.

Një ditë kapter Zylfoja  na tha:

-E dini ju që nga maja e malit të fshatit tim, në kohë të kthjellët duket edhe gjiri i Vlorës, vendi ku jemi ne tani?

-Si mund të ndodh kjo! – u shfaqëm ne të habitur, – Përmeti  është shumë larg nga Vlora!

-Çfarë thoni ju, ore, – na ndërpreu Den Dominoja, – ato që thotë kapter Zylfoja janë të vërteta. Edhe nga Kanina, kur është koha e kthjellët, sidomos  pas shiut, në mbrëmje, duken dritat e Italisë…

-Or djalë, ç`po thua! – u hodh përpjetë kapter Zylfoja, sikur ta kishte pickuar grerëza. Mblodhi veten dhe ashtu i vrenjtur iu kthye Den Dominosë me ton qortues:

-Nga i ke dëgjuar ti ato fjalë?

Vetëm atëherë Den Dominoja kuptoi se diku kishte gabuar, ndaj duke dashur t`i mbulojë ato që tha nisi të flas përçart, pa e marrë vesh as vet se çfarë po thoshte:

-Ishte një burrë plak, shumë plak, thoshin se ishte nja 200 vjeç, ai thoshte ndonjëherë gjëra të tilla, por ai nuk jeton më, ohu, ka nja 100 vjet që ka vdekur…

-Si, paska 100 vjet që s’jeton dhe ti e paske njohur?!

-Jo, u ngatërrova, më falë,  xhaxhi Zylfo, unë  vetëm sa kam dëgjuar, por edhe ato që kam dëgjuar i kam harruar.

-E po, ngatërrohesh dhe harron ti se nuk e ke mendjen kur flasin të tjerët. Nuk ta kanë vënë emrin kot Den Dominoja se luan gjithë ditën vetëm domino dhe të duket sikur e gjithë bota e ka emrin domino.

-Jo xhaxhi Zylfo, unë mbaj mend edhe gjëra të tjera.

-Për shembull, çfarë mban mend?

-Mbaj mend fjalët që më tha vëllai i madh përpara dy ditëve. Ai më tregoi për ndërtimin e një hidrocentrali që do të bëj dritë të gjithë Shqipërinë.

-Bravo, ja kështu flitet! – u qetësua disi kapter Zylfoja dhe shtoi:

-Ne nuk na duhen ato dritat e vendeve të huaja, ne kemi dritat tona, që vijnë nga hidrocentralet e Partisë sonë…

Kur vinte koha që do të largohej, Kapter Zylfoja na thoshte:

-Pas pak unë do të shkojë nga lagjja tjetër, por jam  i bindur se ju nuk do të  vraponi rrugëve, duke ulëritur; nuk do të nxirrni llastiqet e fshehura dhe do të goditni me ato shtëpitë, makinat, karrocat, pëllumbat dhe zogjtë, por as njëri-tjetrin; nuk do të talleni dhe nuk do të fyeni të moshuarit; nuk do të ngacmoni kosheret e bletëve, se bletët do t`jua bëjnë fytyrën gunga-gunga; nuk do të shqyeni gardhet si derrat e egër dhe nuk do të hyni fshehurazi në bahçet e fqinjëve për të vjedhur ftonj; nuk do të ngacmoni qentë e lagjes, sepse mund të jetë  ndonjëri i tërbuar edhe ju tërbon edhe juve…

Pas këtyre porosive, ai na thoshte “mirupafshim!” dhe largohej, ashtu trupvogël, i veshur me uniformën e policit, që i rrinte e madhe në trup dhe me  koburen që i varej në brez… Ecte gjithnjë i vëmendshëm dhe vigjilent nga njëri skaj i lagjes në tjetrin, futej në rrugë e rrugica, kurdoherë i kudondodhur atje ku sapo ishte bërë një vjedhje apo një grindje dhe, vinte rregull dhe disiplinë, si të ishte jo një polic i vetëm, por një batalion i tërë policësh…

…..

1).Libri i Saadiut “Gjylistani dhe Bostani“, i përkthyer nga Vehxhi Buharaja, u botua për herë të parë në vitin 1961. Ndërkohë, shumë rrëfenja dhe poezi të Saadiut njiheshin përmendësh nga disa breza të asaj kohe dhe më pas.

2).Emrat e personazheve janë thjesht emra artistikë.

SHOKU KALLASHNIKOV,1997 – Poemë nga Konstandin Dhamo

 

 

I nderuari shoku Kallashnikov –

Kështu po të drejtohem, sepse e ndiej

Që nuk të shkon cilësori zotni

Te ju, në Rusi , ashtu si edhe te ne,

Gjërat ndryshuan me shpejtësi

Qoftë për mirë , qoftë për keq…

 

E pra , shoku Kallashnikov,

Nëse i hipën avionit dhe zbret në Shqipëri

Të siguroj se do të pritesh me brohoritje ,

Do të përjetetosh çaste madhështore prej heroi

Pikërisht tani që s’e pret, në pleqërinë boshe,

Harruar tërësisht nga shteti dhe media,

Mbetur me një pension fyes, fare të vogël

Që  s’të lejon asnjë lloj luksi,

Përveç një shisheje vodkë, që çuditërisht ,

Nuk markëtohet ende Vodka Kallashnikov  .

Do të duken fatalisht të verbër njerëzit

Brohoritës,

Verbëri që rrezikon të përlajë edhe ty.

Por s’prish punë, s’prish asnjë punë,

Verbëria në Shqipëri

Eshtë institucion kombëtar

Prej kohësh…

 

E pra mund të vish tani , në Shqipëri

Veshur me kostum dosido, jashtë mode,

Ose me kapotë të gjatë e të ashpër ushtarake,

Pa grada;

Suksesi në çdo rast është i garantuar;

Një hije hollivudiane do të të zbresë në portret

Edhe pse vjen nga Rusia.

Krismat e armës tënde

Do të shpërthejnë në përshendetje;

Ngjajnë shumë ato

Me emrin tënd konfidencial shqiptar

Kallash

Kallash !

 

 

Kallash

Kallash ,

Emblema e ditës kallash,

Apokalipsi kallash!

Provo firmos pa krismën e tij,

Pa krismën e tij provo vendos !

Kallash

Kallash

 

I shembëm monumentet ne në Shqipëri

Njëlloj si ju, në Rusi , por sigurisht më egërsisht,

Dhe ,nuk u ngritën monumente të rinj.

Historia jonë nuk shkruhet ende,

Veçse çdo ditë bëhet e zhbëhet;

Dua të them në fund të fundit ,

Një monument për ty, kapter Nikov,

Fare mirë mund të ngrihet;

Ia kemi marrë dorën ne shqiptarët

Këtyre punëve…

Do të jetë një monument më i sigurt se ai

I Leninit,

Apo Stalinit;

Meriton më tepër se këta të shemburit.

Pastaj shqiptarët i repektojnë shumë

Shpikësit e mëdhenj të armëve…

 

 

Kallash

Kallash

Një ditë Shqipëria u gdhi me armë në çdo shtëpi,

Armën mitike , armën ligjvënëse.

Me të shkonin njerëzit në punë , me të në kafe,

Dhe në krevat;

Me të në bilardo, ku e përdornin si stekë…

Fëmijët me të loznin dhe argëtoheshin,

Me të vriteshin…

Ia mbërritëm të bëhemi lajmi i parë

Në të gjithë televizionet e botës,

 

 

E pra, ç’thua tani për një vizitë në Shqipëri

Shoku Aleksej Timofijeviç Kallashnikov ?

Po për ngritjen e monumentit tënd,

Ç’thua, Kapter Nikov ?

Nderin që s’ta bëjnë në vendin tënd,

Ndodh që ta bëjnë në një vend të huaj…

Veçse kujdes !

Ky monument,

Nuk duhet t’u ngjajë kurrsesi

Monumenteve të dikurshëm \

Të Leninit

Dhe Stalinit…

Apo , pikërisht atyre duhet t’u ngjajë

Ky monument ?

 

 

1997

Jam shqiptar dhe s’të harroj- Nga Viron KONA

 

Biblibli i gjuhës sonë

Naim Frashëri (25 maj 1846 – 20 tetor 1900)

 

Jam shqiptar dhe s’të harroj

 

Naim, kombi të bekoi,

stërnip të Skënderbeut,

me vargjet ti frymëzove,

rilindjen e mëmëdheut.

 

Lartësove emrin shqiptar,

vlerat edhe madhështinë,

gjithë popullit i kujtove,

heronjtë dhe lashtësinë.

 

Për çdo bukuri të kombit,

zgjove mall dhe krenari,

the: “i pari është atdheu,

dashuria për liri”.

 

Ardhmërinë parashikove,

ngjalle shpresë dhe besim,

gjuhën shqipe e ndriçove,

i dhe vlerë, i dhe shkëlqim.

 

I kushtove vargje qiririt,

që u dogj për pakëz dritë,

por dhe veten sakrifikove,

për ne e bëre “natën ditë”.

 

Kombi ty s’të harron kurrë,

je  “bilbili” i gjuhës sonë,

je “Ylli” që shndrit në qiell,

që veç lind e s’perëndon!

 

I shkrova për ty këto vargje,

s`i poet, unë  s’pretendoj,

vargjet m ‘dolën nga zemra,

jam shqiptar dhe s’të harroj.

Dante Alighieri, poeti më i madh i Italisë, një nga figurat më gjeniale të letërsisë botërore

 

Dante Alighieri (sq. Dante Aligieri) lindi në Firence, midis 14 majit dhe 13 qershorit 1265 – vdiq në Ravena më 14 shtator 1321). Ishte poet, shkrimtar dhe politikan italian. Konsidrohet si poeti më i madh i Italisë.

Pati një jetë shumë të mundimshme, vdiq në ekzil larg nga qyteti i tij i lindjes. Dantja është autori i Komedisë Hyjnore (Divina Commedia), e cila merret si kryevepër, si antonomasi e letërsisë të të gjitha kohrave.

Dante Aligieri jetoi në prag të Rilindjes Evropiane, e cila lindi titanë të vërtetë për nga forca e mendimit dhe e pasionit, për karakterin dhe diturinë e shumanshme. “Perëndimi i Mesjetës feudale dhe afrimi i epokës së sotme”, u shënua nga një figurë vigane. Ky është italiani Dante, më i madhi poet i Italisë, një nga figurat më gjeniale të letërsisë botërore, poet i fundit i Mesjetës dhe njëkohësisht poeti i parë i kohës së Re. Konsiderohet si babai i gjuhës italiane. Biografët thonë se jo vetëm letrarët dhe njerëzit e kulturuar, por dhe njerëzit e thjeshtë lexonin dhe mësonin përmendësh pjesë nga Komedia Hyjnore.

Si personalitet krijues, me ndjenja të zhvilluara atdhetare, Dantja udhëhiqej nga besimi se poezia duhet t’i shërbente popullit, të ishte pasqyrim i ngjarjeve politike dhe në funksion të ndërtimit të një shoqërie më të përparuar. Sipas Dantes, njeriu duhej të çlirohej nga kufizimet fetare dhe të synonte drejt shprehjes së lirë të mendimeve dhe të ndjenjave të tij, si dhe drejt zgjimit të vetëdijës qytetare e politike. Vetëm kështu do të mund të zotëronte, sipas tij, humanizëm dhe demokratizim në marrëdhëniet më njerëzit e tjerë. Pjesëmarrja aktive në jetën shoqërore e politike të Firencës i siguroi Dantes karrierë të shpejtë e të ndritshme, por ndoshta edhe goditjen më të madhe e më të dhimbshme të jetës së tij.

Rruga krijuese

 

Shumica e quan Danten poetin më të madh italian të të gjitha kohërave, por ai ishte, po ashtu, dhe një shkrimtar i shquar në prozë, mendimtar aktiv politik, filozof moralist e teoricien letrar.

Filloi të krijonte qysh në moshën 15 vjeçare. Si vazhdues i trubadurëve provansalë, që i këndonin “beatriçes dhe rihanas” (vashës) e dashurisë kalorsiake dhe i ndikuar nga krijuesit e shkollës poetike të “stilit të ri të ëmbël”, e veçanërisht nga bolonjezi Guido Guiniçeli, Dantja krijoi një lirikë të hollë, reale, të thellë e të çiltër, ku dashuria tokësore e qiellore shkrihen e behën një. Më 1294 ose ’95 shkruan në gjuhën popullore veprën “Jeta e re” (Vita nuova), historinë e dashurisë së tij me Beatriçen, të parin tregim autobiografik në histroinë e letërsisë së Evropës Perëndimore.

“Rimat” janë një përmbledhje sonetash, baladash e këngësh, që i kushtohen Beatriçes dhe mikut të tij Guido Kavalkanti. Janë shkruar në gjuhën popullore sipas “stilit të ri të ëmbël”.

Në vitet 1306-1308, duke luftuar për krijimin e një gjuhe të përbashkët për popullin italian, shkroi traktatin “Mbi gjuhën popullore”, të parin traktat gjuhësor në Evropë. Në të ai flet për prejardhjen e gjuhëve, sidomos romane, dhe ndalet në 14 dialektet e gjuhës italiane. Ai synon krijimin e një gjuhe që të jetë po aq e përsosur sa latinishtja, që të matet pa frikë me frëngjishten dhe gjuhën provansale. Vepra mbeti e përkryer plotësisht. Këto vepra të tjera janë mjaft të rëndësishme, po ajo që i dha atij lavdinë e përjetshme është kryevepra me titull: “Komedia Hyjnore” (La divina Commedia).

Dante te Ferri: “Jo më pak se dija, dyshimi më pëlqen”.

Komedia Hyjnore

 

Kjo vepër monumentale është shkruar në një periudhë tetëvjeçare (1313-1321). Dantja e titulloi veprën Komedi, sipas poetikës së moçme, duke dashur të përcaktojë gjininë e veprës: komedia është një vepër që përfaqëson një rrëfim me përfundim fatlum, e kundërta e tragjedisë. Në realitet dhe Komedia e Dantes përfundon fatmirësisht, meqenëse protagonisti e takon Zotin. Më vonë, me sugjerimin e Xhovani Bokaçios, kësaj vepre iu shtua atributi hyjnor, që të lartësohej më fuqishëm madhështia dhe bukuria e saj. Te “Komedia Hyjnore” Dantja shfreu të gjitha pasionet e tij, sulmoi ashpër armiqtë, u sul kundër tiranive dhe korrupsionit të selisë papnore, kundër veseve njerëzore, u tregoi bashkëkohësve të vet se si duhej ndrequr njerëzimi. Vepra paraqet një alegori epike trekëngëshe të shpirtit njerëzor dhe një përmendore, në të cilën me fantazinë e tij të mrekullueshme si arkitekt gjenial ai ngriti ndërtesën e mbretërisë së botës së përtejme. Me fjalë të tjera është një përshkrim i udhëtimit fantastik të Dantes nëpër tre mbretëritë e përjetshme: Ferrit, Purgatorit dhe Parajsës. Gjatë këtij udhëtimi përfytyror, që zgjati vetëm 24 orë, Dantja provoi të përshkruajë gjendjen e shpirtit të njeriut pas vdekjes. Shtegëtimet nëpër rrugë të llahtarshme, me plot vajtime, dhimbje, pendime, dyshime e gëzime, përfshijnë një botë me njerëz të të gjitha kohërave dhe të të gjitha shtresave.

“Tu se’ lo mio maestro e ‘l mio autore;
tu se’ solo colui da cu’ io tolsi
lo bello stilo che m’ha fatto onore”.

INFERNO I
Ti je mjeshtri im e autori im;
ti je veç ai nga i cili mora mësim
stilin e bukur që më dha nderim”.

FERRI I

Dantja ka bërë udhtëimin e tij fantastik ne tri etapa:ferrit, Purgatorit dhe Parajsës Kjo vepër monumentale është shkruar në një periudhë tetëvjeçare (1313-1321).

. Struktura e saj mbështetet në numrin tre në raport me numrin një: ka tre kantika (Ferri, Purgatori dhe Parajsa), të ndara secila në 33 këngë.Vargjet janë të ndarë gjithashtu në (strofa me tre vargje). Sipas Dantes, vepra e tij nuk ishte e stilit të lartë, por të mesëm, për shkak të zhvillimit të aksionit (sepse këtu veprimi fillon i trishtuar dhe mbaron i gëzuar) dhe gjuhë te folur italishte jo stilit të lartë). “Hyjnore” ajo u quajt vetëm më vonë nga pasardhësit për vlerat e saj të larta poetike dhe të përmbajtjes.Udhëheqësi i tij nëpër Ferr është Virgjili, i cili e shoqëron atë edhe në Purgator. Pastaj atë e shoqëron Beatriçja, bashkë me të cilën ai ngjitet në sferat e planetëve dhe të yjeve të Parajsës, ku takohet me shpirtrat e bekuar që zbresin për ta përshëndetur.Duke dalë nga pylli i errët i mëkateve, poeti takon Virgjilin, i cili bëhet udhërrëfyesi i tij nëpër Ferr. Ata futen në portat e Ferrit ne vitit 1300. Sëbashku kalojnë nëntë rrathët e Ferrit dhe sosin në qendër të tokës.Tre janë mëkatet kryesore që ndëshkohen në Ferr: mospërmbajtja, dhuna dhe mashtrimi. Sipas Dantes, Ferri është vendi i ndëshkimit të çdo dhune, e cila mund të ushtrohet ndaj Krijuesit, të afërmëve dhe vetëvetes. Në këtë botë të dhimbjes së përjetshme shohim figura historike të të gjitha kohërave, të të gjitha fushave:, Në letrën më lart Dante shkruan: ” … mund të themi shkurt se fundi i të tërës (i komedisë simë) është që të nxirren të gjallët në këtë jetë nga gjendja e mjeruar dhe të udhëhiqen për në gjendjen e bekuar”.Në Komedi u mishërua puna e madhe, e gjatë dhe këmbëngulëse që kishte bërë Dante. Ai arriti të krijojë një kryevepër me vlera artistike, të japë gjykimin për njerëzit e kohës së shkuar dhe bashkëkohësit. Bashkë me Danten endemi nëpër Ferr edhe ne, lexuesit shqiptarë. Mëkatarët që sheh dhe përshkruan ai na përkujtojnë mjaft mëkatarë realë, dhunën e të cilëve ne e përjetuam për një kohë të gjatë, dhe, vetëvetiu, na lind dëshira për t’i parë edhe ata midis akujve të ngrirë. Ne fund te romanit është i dhëne nje shpjegim informativ mbi personazhet, emrat dhe vendet e permendura ne kengë

Referati Vepra : Komedia Hynjore – Purgatori Autori: Dante Aligeri

Purgatori është pjesa e dyt e komedis hynjore te dante aligerit pas Ferrit dhe para Parajses . Kjo veper është e shkruar ne poezi dhe është paraqitur diku n fillim te shekullit 14 . Kjo është nje alegori e rritur nga dante deri ne malin e purgatorit dhe te udhehequr nga poeti romanik virgjili . Ne kete poem purgatory është pershkruar sin je mal ne hemisferen jugore e perber me nje seksion ne fund I quajtur Ante Purgatory. Ishte I perber gjithashtu nga 7 nivelet e vuajtjeve dhe rritjen shpirterore qe lidhen me shtate mekatet vdejkje prurese dhe ne fund parajsa tokesore . Kjo poem paraqet jeten krishtere dhe ne pershkrimin e pare Dante diksuton natyren e mekatit me shembuj zevendsues dhe virtyte . , Poezia pershkruan gjithashtu nje teori qe te gjith mekateet lindin nga dashuria perveq dashuris perverse qe drejtohet ne dem te te tjereve por edhe dashuria e manget apo e qrregullt .

Terraca e pare : Krenaria

E para nga tri terracat e purgatorit kan te bejne me mekatet qe shkaktuar nga nje dashuri perverse . E para prej ketyre është krenaria , ne kete terrace shpirterat krenar bejne spastrimin e mekateve te tyre . Dante dhe Virgjili shikonin skulptura te bukura dhe te cilat shprehnin perulesi ose virtyte te kuderta, Shembulli I pare është I lajmerimit te virgjereshes Mari ku ajo i pergjigjet me engjelli Gabriel Dei me fjalet ja sherbetorja e zotit. Shembull tjeter i perulesis nga historia klasike shte edhe Perandori Trajan i cili sipas nje legjende mesjetare nje her u ndal ne udhetimin e tij qe te jape drejtesi per nje te ve te varfer . Lidhur edhe me perulesi është nje version i zgjeruar le lutja e zotit . Pasi u njoh me perulesi Dante dhe Virgjili takohen me shpirterat krenar te cilet jane te vendosur mbi nga pasha e gureve te medhenje ne shpinë. Si ata ecnin neper tarrave ata jane ne gjendje te perfitojn nga shembujt e skalitur te perulesisë. I pari prej ketyre shpirterave është Omberto Aldobrandeschi te cilit krenaria i qenderon ne prejardhjen e tije ( une kam qene Italian bir i nje toskane te madhe , babai im ishte Guiglielmo Aldrobrandescho, edhe pse ai është mesuar te jet i perulur . Une nuk e di nese e keni degjuar emrin e tije. Oderisi i Gubbio është nje shembull i krenaris per arritjet . Ai ishte nje artist ai vuri ne dukje doreshkrime te ndriquara . Provenzano Salani udheheqes i Ghibellines toskane është nje shembull i krenaris dominuese tek te tjeret . “Kam frikë shumë më të dënimit më poshtë; shpirti im është i shqetësuar, pezull; tashmë Ndjehem peshave të rënda e tarracën e parë Pas bisedave te tij me krenaret dante shikonte shenime me skulptura me tej ne trotuar posht . Kete her duke ilustruar krenari ne vetvete . Keto skulptura tregojne Shejtanin (Luciferri) , Ndertimin e Kulles se Babelit , Ballin e brushat e engjell Dante me Krahet e tije . Kjo ishte ajo sa i perket Terases se par te pjeses se dyt te Komedis Hynjore – Purgator (Wikipedia)

Vargjet e epikës sonë legjendare- Nga Prof. As. Dr. Anton Papleka

ExLibris

Në studimet e deritanishme që janë bërë për metrikën e epikës sonë legjendare, vihet re se në to ka disa pasaktësi dhe mungesa.

Së pari, nga këto studime të krijohet përshtypja sikur formën e sotme të kësaj epike autorët e tyre e konsiderojnë si një gjendje të dhënë njëherë e përgjithmonë, të ngrirë, të pandryshueshme, sikur këngët tona kreshnike të ishin ruajtur ashtu siç  kanë qenë në krye të herës, pa pësuar modifikime gjatë shekujve që ato kanë vazhduar të qarkullojnë në hapësirën shqiptare. Një studiues shkruan: “Por edhe populli shqyptar gjithmonë ka përdorë tetrrokshin nder kangë të veta kreshnike e heroike, në daç të “moçme” të jenë në daç të reja: si mundet me u vërtetue prej botimesh folklorike kombëtare sona ktej e andej ujit e detit – nder italo – shqyptarë, Gegë e Toskë të jenë.”[1]

Ky qëndrim është në kundërshtim të plotë me pikëpamjen e Roman Jakobsonit, i cili thotë se poetika historike duhet të konceptohet si një superstrukturë, e ndërtuar mbi një seri përshkrimesh sinkronike të njëpasnjëshme. Duke folur për poetikën sinkronike, ai shton se në çdo epokë dallohen forma konservative dhe forma novatore.[2] Edhe studiuesi amerikan Gregory Nagy, nxënësi i oralistëve të njohur M.Pary e A. B. Lordes, është i mendimit se metri grek është produkti final i një serie të gjatë rregullimesh në modelet formale të shprehjes poetike tradicionale.[3]

Sidoqoftë edhe midis studiuesve tanë ka pasur ndonjë zë që në mënyrë të tërthortë e ka kundërshtuar poetikën statike: “Vargu i këngëve të kreshnikëve na paraqitet kështu, në thelb, si një varg tonik, që ndodhet në një fazë kalimtare drejt formave më të reja të sistemit silabotonik.”[4]

Duke pranuar se gjendja e tanishme e epikës sonë legjendare është një fazë evoluimi, rrjedhojë e një transformimi të gjatë, nga ky proces nuk mund të përjashtojmë edhe metrikën. Nga kjo del se faza e tanishme është vazhdim i një apo i disa fazave më të hershme, të cilat, ndonëse nuk janë dokumentuar në tekste të mbledhura disa shekuj më parë, prapëseprapë ato kanë lënë gjurmë, veç të tjerash edhe në sistemin metrik.

Botimet e derisotme dhe materialet arkivore na japin mundësi të hetojmë ndonjë gjurmë të hershme, siç është rasti i teksteve ku ka vargje, të cilat ndryshojnë fare pak nga proza, madje fare lehtë mund të strukturohen si prozë:

Hasani e Hiseni ni babë e kishin pasë,

se shum t’voxhël baba i kish lanë.

Na i kish pasë baba zagarë e langoj,

xhith në bjeshkë, tha kish pas najtë,

xhith në bjeshkë, tha, tuj xhatue,

dit për dit baba ish kan shitue,

çatje n’bjeshkë baba ish kanë metë.”[5]

Me pak ndryshime sintaktike, vargjet e mësipërme mund të prozifikohen kështu: “Hasani e Hiseni kishin pasë një babë. Baba i kish lanë shumë t’voxhël. Baba kish pasë zagarë e langoj. Kish pas najtë xhith në bjeshkë tuj xhatue. (Një) dit prej dit(ësh) baba ish kanë shitue. Baba kish metë çatje n’bjeshkë.”

Në ndonjë tekst tjetër të epikës sonë legjendare hasim dukurinë e kundërt, kur fjalitë e prozës ritmike, të ndara me cezura të qarta, fare lehtë mund të strukturohen si vargje:

“Ishte kanë Arrnaut Osmani, ni gjalë nana ma pat për mall, ene nusen ja kishte marrë. Erdhën shokët për m’e thjerrë, për me dal, tha me shatejtë. Nanën e vet, tha, ma ka pëjtë:/”Kan’ ardhë shokët për me m’thejrrë, a me dalë, nanë, – tha – me shatëjtë?”[6]

Pa bërë asnjë ndryshim sintaktik, këtë fragment proze mund ta renditim në vargje si më poshtë:

“Ishte kanë Arrnaut Osmani,

ni gjalë nana ma pat për mall,

ene nusen ja kishte marrë.

Erdhën shokët për me thjerrë,

për me dal, tha me shatëjtë.

Nanën e vet, tha, ma ka pajtë:

Kan’ ardh shokët, për me thëjrrë,

A me dalë, nanë, – tha – me shatëjtë?”

Në epikën tonë legjendare ka edhe ndonjë tekst në prozë, i cili mund të strukturohet në vargje ku mund të jetë e pranishme edhe rima. I tillë është bie fjala ky fragment i shkëputur nga teksti Në shpellë të kreshnikëve: “Ato tri shpata pikshin gjak. “O Halil, tha, more vlla, po ça janë kto shpata çi pikin xhak?” Foli Muja, i tha, “ore budallë, kto janë shpata tue u shpërla. Kur të lahen shpatat krejt, prap dynjenë do ta bajmë fet.”[7]

Përsëri pa bërë asnjë ndryshim sintaktik, ja si mund të strukturohet në vargje fragmenti i sapocituar:

“Ato tri shpata pikshin gjak.

– O Halil, tha more vlla,

Po ça janë kto shpata çi pikin xhak?

Foli Muja, i tha: – Ore budallë,

Kto janë shpata tue u shpërla.

Kur të lahen shpatat krejt,

prap dynjenë do ta bajmë fet.”

Jam i mendimit se shembujt e mësipërm janë gjurmë të një faze të lashtë, ndoshta mesjetare, kur poezia dhe proza ritmike nuk ishin të ndara me thikë, kur kishte tekste që ndodheshin në kapërcyell midis njërës dhe tjetrës formë letrare.

Për dallimin midis vargut dhe prozës, oralisti Paul Zumthor shprehet kështu: “Në traditën oksidentale, ekzistenca e koncepteve të dallueshme varg dhe prozë është pjesë e trashëgimisë greko-latine dhe ka të bëjë më shumë me idenë metrum-it sesa me një fakt natyror.”[8] Për këtë çështje, studiuesi i larpërmendur i referohet Marcel Jousse-it, i cili qysh në vitin 1925 kishte hedhur poshtë çdo dallim midis prozës dhe vargut. Sipas tij ky dallim kishte kuptim vetëm në tekstet e shkruara.[9]

Më tej, Zumthor-i shton se ritmi nuk mund të identifikohet me vargun, siç e tregon shembulli i gjuhëve europiane moderne ku pasuria ritmike e stileve të tyre letrare është indiferente ndaj vjershërimit konvencional. Sipas Zumthor-it, pyetja se ku kalon kufiri midis vargut e prozës, pothuaj e humbet kuptimin kur ndërhyn kënga: një tekst i hartuar pa strukturim ritmik të veçantë, në qoftë se këndohet, gjatë performancës merr ritmin e melodisë…[10]

Vërejtja e dytë që mund t’u bëhet një pjese të studimeve për metrikën e epikës sonë legjendare është pasaktësia lidhur me llojshmërinë e vargjeve të përdorura në të. Kjo e metë vihet re qysh në titujt e studimeve ku fjala varg përdoret në njëjës, sikur epika jonë legjendare të ishte hartuar me një varg të vetëm, cilidoqoftë ai.[11] Ky paragjykim teorik që nuk i përgjigjet të vërtetës, duhet ta ketë burimin te njohja e pamjaftueshme e traditës sonë epike. Ndonjë autor që është thelluar më shumë te kjo traditë, ka pohuar se në të hasen edhe vargje të tjera: “Pra, vargje nëndërrokëshe me pesë arse (ngritje) e vargje tetërrokëshe e shtatërrokëshe me katër arse. Ka, përveç këtyre, edhe vargje të shkurtra, gjashtë rrokëshe, me tri arse: nana qi m’paditi. – – – -.”[12] Veis Sejko përmend shkarazi se me vargjet e rregullta me 10 rrokje përzihen edhe vargje me 8 dhe 7 rrokje.[13] Megjithatë nuk kanë munguar edhe studiuesit që janë ngjitur mbi kufirin e 10 rrokjeve, që ka thënë se në epikën tonë legjendare janë përdorur edhe vargje me 14 me 16 rrokje.[14] Praktika krijuese dëshmon se në këngët tona kreshnike ndeshen vargje të tilla, por edhe vargje më të gjata, sado të rralla që mund të jenë ato.

Nga një shqyrtim i hollësishëm i botimeve të derisotme dhe i materialeve arkivore, del se, me një shpeshtësi (frekuencë) të ndryshme, e cila ende nuk është llogaritur statistikisht, epikën tonë legjendare janë përdorur këto vargje:

Vargu tetëmbëdhjetërrokësh

E

vërteta është se ky varg është shumë i rrallë, por pikërisht rrallësia e tij na shtyn të mendojmë se ai është mbetje e një vjershërimi të hershëm:

“Krajl i Kotorrit po i ep Krajlit Moskovit vashën Engjelinë,

e Krajl’ i Moskovit Krajlit Kotorrit Llatin Kanebardhën.”[15]

Për të treguar se një varg i tillë nuk është aspak një meteorit i rënë nga qielli, le të përmendim faktin se ai është i pranishëm edhe në poezinë gojore të Shqipërisë së jugut:

“Atij i shkonte e zeza mendje se kishte pallaska të argjenda.”[16]

“Po i shkonte e zeza mendje se kishte fustanellë me treqind kinda.”[17]

“Fshatrave kur dilte, copra buke mblidhte, qentë ç’i godiste.”[18]

Vargu pesëmbëdhjetërrokësh

K

y varg që haset në këngët kreshnike të mbledhura në Shqipëri dhe në Kosovë, është më i shpeshtë sesa vargu tetëmbëdhjetërrokësh:

“Bajlozin e madh, Harambashin, qafet ta kâ hjekë.”[19]

“mehyrin florinit e kite gurin xhevahirit.”[20]

“Edhe krushqit kan’ zhdriq’ tu Plake Jemin Aga, pra.”[21]

“E, he, po, udha e marë, he, po vllaznive po u thotë.”[22]

Vargu pesëmbëdhjetërrokësh përdoret edhe në poezinë gojore të popujve të tjerë, siç është rasti i poezisë demotike greke: “Veç të tjerash, vazhdimësinë midis poezisë së lashtë dhe poezisë moderne e tregon fakti se vargu jambik 15-rrokësh, i njohur me emrin “varg politik”, i cili është vargu më i përdorur në poezinë moderne, është rezultat i evolucionit të tetrametrit të lashtë katalektik.”[23] Sipas Stavro Skëndit, vargu me pesëmbëdhjetë ose gjashtëmbëdhjetë rrokje ka qenë pranuar si vargu tipik i bugarshticave…[24]

Vargu katërmbëdhjetërrokësh

K

y varg ka një shtrirje më të gjerë dhe një përdorim më të dendur sesa dy vargjet e mëparshme:

“…e probatim e kish Mujën Maliq Bylykbashi.”[25]

“Ty mos t’kosha fal, balozo, maxharri po i thotë…”[26]

“A s’p’e shef, or gjok qi jesir po dojm’ me na nxanë.”[27]

“Ej, Shishman Mefmet Aga, ne, shoum nji djalë azgan-e…”[28]

Ky varg haset edhe në epikën historike të Shqipërisë së Jugut, siç e dëshmon një këngë e mbledhur në Konispol-Sarandë:

“seç u mbush bogazi i Koskës plot me suvari,

në qafë të Smartes, more, t’e prinë pusi…”[29]

Vargu trembëdhjetërrokësh

K

y varg tek ndeshet në këngë të mbedhura në viset e ndryshme të hapësirës shqiptare.

“Nji rrogtar tjetër mbrapa krajlit ja ka vu.”[30]

“Sa fort hatrin Halili nanës ja ki pasë!”[31]

“…tash në e dijsha se un kryet aty kam me e lanë.”[32]

“…i kan nxan’ shteqet maxharrit, i kan’ nxan’ pritat.”[33]

“…pa nafak’, ishalla, kurrnjiher’ s’na ka lanë.”[34]

“…ani, qe ‘i motmot, more, po n’burgje t’kam shti…”[35]

“Ani, ku m’je ti, more Sokole, lum baci…”[36]

“Ani, me na dhan, more, dorin e mejdanit.”[37]

Vargu dymbëdhjetërrokësh

V

argu i gjatë dymbëdhjetërrokësh është një nga vargjet më të parapëlqyera të poezisë sonë gojore. Ai mund të jetë një gjashtërrokësh i dyzuar ose mund të mos jetë i tillë.

“Me shtjelma e me topuz po m’ja rrahë…”[38]

“…i ep zjermin kullës, e ban rrafsh për tokë.”[39]

“Furk prej sermit e fell prej arit me m’i prua…”[40]

“…e he, loti lotin, he çikës s’ja pret…”[41]

“A, lum e lum, more, lum bafshim për Zotin!”[42]

“ato kurrnja s’u gjinshin (n’) t’shkretën Shqipni.”[43]

“E, po, n’sob po i hi, he, Mitat Harambashit…”[44]

“E un ma ngusht vedin si sot kurr s’e dij.”[45]

Përveç epikës legjendare, dymbëdhjetërrokëshi përdoret shpesh që këngët historike të mbledhura në Shqipërinë e Jugut. Ky fakt dëshmon se vargjet e gjata kanë qenë të pranishme edhe në këtë zonë, por përdorimi i tyre ka ardhur duke u rrudhur për shkak të modifikimeve metrike që kanë sjellë me vete kohët e reja.

“Nexhip Gostivisht surratrrumbullak,[46]

Në kinda t’fustanit dy-tri pika gjak…

”N’penxhere të qoshkut iu ngjinë me shkallë,

Nexhip Gostivishti theri kajmekamë…”[47]

“Sipër mi Pëllumbat varret radhë-radhë,

kapedan Shahini, kapedan, o djalë…”[48]

”Ndë mes të Kolonjës, ndë një Psar të shkretë,

fshehur Myftar Lapi me tetëmbëdhjetë.”[49]


[1]  Fishta, Estetikë dhe kritikë, Tiranë, 1999, f. 179

[2]  Roman Jakobson, Essais de linguistique générale, 1963, f. 212

[3]  Gregory Nagy, Le meilleur des Achéens, Paris, 1994, f.25

[4]  Gjergj Zheji, Çështje të folklorit shqiptar, 2, Tiranë, 1986, f.377

[5]  Shefqet Hoxha, Epikë legjendare nga rrethi i Kukësit, Tiranë, 1983, f.289

[6]  Po aty, f. 184

[7]  AIKP, Fondi i Qemal Haxhihasani, vëll. 70, f.164

[8]  Paul Zumthor, Introduction á la poésie orale, Paris, 1983, f. 170

[9]  Po aty, f. 170

[10]  Po aty, f. 170

[11]  Çështje të folklorit shqiptar, 2, T. 1986 (Më tej ÇFSH, 2), f.375, 385, 392

[12]  Çështje të folklorit shqiptar, 6, Tiranë, 1998, f.78. (Më tej ÇFSH, 6)

[13]  Veis Sejko, Mbi elementet e përbashkëta në epikën shqiptaro-arbëreshe dhe serbokroate, Tiranë, 2002, f. 111-112

[14]  Alfred Uçi, ÇFSH, 2, f.33; Ramadan Sokoli, Çështje të folklorit shqiptar, 3, Tiranë, 1987, f.51

[15]  Epika legjendare, vëllimi i parë, Tiranë, 1966, f.384 (Më tej EL,I)

[16]  Pano Tase, Ç’u këput një yll, Tiranë, 2001, f.92

[17]  Po aty, f.93

[18]  Po aty, f.95

[19]  Këngë popullore legjendare, Tiranë, 1955, f.205 (Më tej KP Legj.)

[20]  EL,I, f.371

[21]  Epika legjendare, vëllimi i dytë, Tiranë, 1983, f.133 (Më tej EL,II)

[22]  Këngë kreshnike, II, Prishtinë, 1991, f.109 (Më tej KK,II)

[23]  Anthologie de la poésie neohellonique, Paris, 1983, f.3

[24]  Stavro Skëndi, Poezia epike e shqiptarëve dhe e sllavëve të jugut, Tiranë, 2007, f.235-236

[25]  EL, I, f. 483

[26]  EL, II, f. 131

[27]  Po aty, f.132

[28]  Dr. Qemal Murati, Këngë të moçme kërçarore, Tetovë, 2000, f.109

[29]  Epika historike, 2, Tiranë, 1981, f.602 (Më tej EH, 2)

[30]  EL, I, f. 277

[31]  Po aty, f. 301

[32]  Po aty, f. 435

[33]  EL, II, f. 131

[34]  Po aty, f.198

[35]  KK, II, f.112

[36]  Po aty, f. 463

[37]  Zymer Ujkan Neziri, Epika legjendare e Rugovës, V, Prishtinë, 1997, f. 343

[38]  EL, I, f. 259

[39]  Po aty, f. 383

[40]  EL, II, f. 151

[41]  KK, II, f.114

[42]  Po aty, f.161

[43]  Këngë kreshnike, III, Prishtinë, 1993, f.15 (Më tej, KK, III)

[44]  Z.U.Neziri, vep. E cit., f.288

[45]  KPLegj., f.269

[46]  Këngë popullore historike, Tiranë, 1956, f.195

[47]  EH, 2, f. 575

[48]  Po aty, f.592

[49]  Po aty, f.628


Send this to a friend