“Kush e dëgjon një vend që nuk mund të gjejë president!”
Kjo do të ishte habia e ekspertit të shquar Amerikan Daniel Serwer, që i ka qendruar gjithmonë pranë Kosovës në ditët të mira e sidomos të vështira.
Serwer reagoi i zhgënjyer pas dekretit të 6 Marsit 2026, përmes të cilit Presidentja e Kosovës e shpërndau Kuvendin dhe thirri kryetarët e partive për të caktuar datën e zgjedhjeve, që do të ishin të tretat rradhazi brënda 13 muajsh, nëse Gjykata Kushtetuese nuk do ta shpallte pa efekt juridik aktin e kreut të shtetit që i mbaron mandati më 4 prill, detyrë që do ta marrë deri në zgjedhjen e presidentit të ri gjatë këtyre 34 ditëve kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu.
Tash këto 34 ditë secili prej nesh duhet të kujtojmë habinë në eksklamacion të Daniel Serwer “e kush e dëgjon që një vend nuk mund të gjejë president!”
Për më tepër, një vend si Kosova!
Është e trishtë kur politikanët e sodit nuk mund t’i krahasosh me elitat që udhëhoqën rezistencën paqësore, diplomatike dhe me armë në dorë! Ata ishin kollosë, këta pa ideale.
Sidomos këto ditë elitat e rezistencës kosovare antipushtim kujtohen me respekt e nderim për shkak të 24 marsit fushatës 78 ditore të Aleancës Verio-Atlantike, që u shoqërua me hakmarrjen mizore të pushtuesit kundër bijve më të mirë të Kosovës!
E midis tyre, meteorë lirie janë emrat e Avokat Bajram Kelmendit që deri në frymën e fundit e ka denoncuar regjimin serb për genocid dhe krime kundër njerëzimit bashkë me dy bijtë Kushtrimin e Kastriotin, 27 e 16 vjeçarë që barbaria serbe i rrëmbyeu në mesnatën midis 24 e 25 marsit 1999 dhe i pushkatoi, dy djemtë i vranë në sy të të jatit e pastaj e vranë edhe Avokat Bajram Kelmendin! Sikur masakruan në Prekaz 50 anëtarët e Familjes Jashari, në Reçak, në Likoshan, në Suharekë apo Mejë civilë, fëmijë, gra burra e të moshuar!
Emrat e tyre ka liria në Kosovë!
E atyre që e deshën Kosovën me gjithçka, duke sakrifikuar deri edhe jetën.
Familjet që kanë kontribuar e sakrifikuar nuk kanë kërkuar poste e pushtet, nuk ia kanë rrjepur pasuritë Kosovës, nuk i kanë rënë gjoksit me grusht se janë trashëgimtarët e Çlirimtarëve të vërtetë të Kosovës.
Kur u propozua kandidati për President nga Familja Jashari, ai e refuzoi këtë post me dinjitet, një xhest që duhet të shërbejë për arrivistat e Kuvendit të Kosovës, që duan pushtet me çdo kusht, edhe kur u ka hupur ftyra!
Një tjetër emër i nderuar unifikues, që mbart me vete trashëgiminë e historisë së Kosovës deri në vetmohim e sakrifica është Avokate Kosovare Kelmendi, bija e Avokat Bajram Kelmendit, e veprimtares së shquar Nekibe Kelmendi dhe dy vëllezërve të saj, dëshmorë të atdheut. Kosovare Kelmendi ka ecur në gjurmët e prindërve të saj, ajo i mbron kujtimin dhe i vazhdon idealet e tyre që lidhen me lirinë dhe demokracinë e Republikës së Kosovës!
Kosovare Kelmendi meriton të jetë Presidentja e Kosovës.