VOAL

VOAL

DW për vizitën e Erdogan në Shqipëri: Godisni FETO-n që marrëdhëniet tona të mos errësohen

January 18, 2022

Komentet

Nis debati gjyqësor për reduktimin e zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë për ndërtimin e aeroportit të Vlorës

Laguna e Nartës

VOA/Raimond Kola

Disa organizatat mjedisore shqiptare thanë të mërkruën përmes një deklarate se kanë nisur në Gjykatën Administrative të Tiranës debatin gjyqësor për çështjen e reduktimit të sipërfaqes së Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Padia është ngritur nga Shoqata Ornitologjike Shqiptare (AOS) dhe disa organizata mjedisore ndaj Këshillit të Ministrave, Këshillit Kombëtar të Territorit, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Sipas organizatës AOS, paditësit të përfaqësuar nga avokatë të Qendrës “Res Publica” dhe Studio Avokat “Meçi”, paraqitën të gjitha argumentet në lidhje me shkeljet e kryera sipas tyre për reduktimin e zonës së Nartës, duke evidentuar ndikimin e rëndë në aspektet mjedisore lokale.

Ndër shkeljet kryesore të përmendura janë ato të konventave kombëtare për mbrojtjen e mjedisit, ligji për zonat e mbrojtura, ligji për mbrojtjen e biodiversitetit, ligji për vlerësimin e ndikimit në mjedis, ligji për vlerësimin strategjik mjedisor, si dhe çdo plan dhe strategji kombëtare përkatëse kombëtare ose vendore duke rezultuar në cenimin e integritetit të kësaj zone të rëndësishme kombtare dhe ndërkombëtare.

Përfaqësuesit e organeve shtetërore kanë dekalruar se një nga zonat e hequra nga mbrojtja në Zonën e Nartës nuk ishte për shkak se i mungonte vlera, por sepse qeveria kishte vendosur të ndërtonte një aeroport për t’i shërbyer turizmit në rajon dhe më gjerë.

Sipas autoriteteve qeveritare në thelb projekti parashikon investim në zonën ku dikur ka qenë aeroporti i vjetër dhe janë parë mundësitë që projekti të respektojë rregullat për mjedisin.

Organet shtetërore përgjegjëse kërkuan kohë shtesë për të dorëzuar informacionin me shkrim pranë gjykatës. Ndërkohë në seancën e radhës më 10 korrik do të dëgjohen biologë ekspertë të florës dhe faunës, si dhe ekspert i sistemit GIS.

Peizazhi i mbrojtur Vjosë-Nartë është sipas vlerësimit të organizatave një ndër sistemet ekologjike më të rëndësishme në Shqipëri, ligatina e dytë më e rëndësishme në vend, shtëpi e llojeve të rëndësishëm të florës dhe faunës dhe pjesë e disa rrjeteve ekologjike ndërkombëtare, korridorit shtegtues të Adriatikut, me më shumë se 220 lloje shpendësh.

Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës u kërkoi autoriteteve shqiptare pezullimin e punimeve për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës dhe ndërmarrjen e një programi gjithëpërfshirës të monitorimit të jetës së egër dhe rishikimin e të dhënave të Raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për zonën ku po ndërtohet aeroporti.

Ndërtimi i aeroportit të Vlorës nisi në nëntor të vitit 2021 nga një konsorcium kompanish, ku 50 % e aksioneve zotërohej nga “Mabetex” e sipërmarrësit Behgjet Pacolli, në partneritet me kompaninë turke, “Yda Group”, e cila kishte 48 % të aksioneve , ndërsa 2 % i përkasin shoqërisë nga Kosova “2A Group Shpk”.

Në Mars të vitit të shkuar shoqëria turke u tërhoq nga konsorciumi dhe Kompania Mabco Constructions, ka marrë në zotërim 98% të aksioneve të koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, pasi bleu me 4450 euro aksionet që zotëroheshin nga kompania turke.

Aeroporti i Vlorës shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh me një vlerë të parashikuar të investimit në rreth 104 milion euro.

Pak ditë më parë në një aktivitet për turizmin kryeministri Edi rama deklaroi se Aeroporti i Vlorës sipas të gjitha gjasave do përfundonte punimet brenda këtij viti.

“Aeroporti do të kalojë në periudhën e testit dhe certifikimeve në 6-mujorin e parë të vitit të ardhshëm, dhe do të jetë operacional në sezonin e ardhshëm turistik me një operator që vetë emri i thotë të gjitha, është aeroporti i Mynihut”, tha zoti Rama.

Krimi, feja, politika dhe bixhozi, në “luftë” për Kepin e Rodonit!

Miliona metra katrorë në dy gadishujt shqiptarë, Karaburun dhe Kepi i Rodonit, tentojnë të rrëmbehen nga një aleancë e organizuar mes krimit, gjyqësorit dhe politikës. Babëzia ka prekur edhe klerikët apo organizatat fetare. Krimi nis nga falsifikimi i dokumenteve, nga procese gjyqësore, formale e deri te kanosja e kërcënimi për cilindo që tenton të vendosë barriera e të prishë skenarin për të “shtënë në dorë” sipërfaqe bregdetare, nga më të mirat në vend.

Rruga për në Kepin e Rodonit kalon në një zonë bregdetare, tejet të lakmuar në vitet e fundit.

Pasi lë autostradën Tiranë-Durrës në zonën e Maminasit, nisesh drejt Hamallajt. Brezi i pishave tashmë është ngushtuar nga pallatet dhe nga vilat, të shtyra deri në bregun ranor.

Pas Gjirit të Lalzit, radhën e ka Kepi i Rodonit. Influenca e pushtetit, por edhe e krimit, e ka lënë atë jashtë statusit “Peizazh i Mbrojtur”. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Ministria e Mjedisit kanë propozuar që gadishulli prej 1.500 ha të mbrohet nga shteti. Propozimi ka mbetur vetëm në letër.

Në zonë është vetëm një monument natyre, Maja e Kepit të Rodonit, dhe dy monumente kulture, Kalaja e Skënderbeut dhe kisha e Shën Ndojit.

Sa kalon fshatin Shetaj, në drejtim të Kepit, në hyrje është vendosur një tra. Pjesa fundore e Kepit të Rodonit, ajo e pyllëzuar, është rrethuar dhe në hyrje ka tabelën: “Pronë private e Kishës Françeskane Shqiptare”. Duhet të blesh biletën, për t’u futur brenda gadishullit.

Në hyrje janë të njëjtët persona, që u konfliktuan mesditën e 29 tetorit 2023. Atë ditë, ish-deputeti, Mark Frroku, me disa roje, u rrahën me banorët e fshatit. Ish-deputeti ka tentuar që të rrethojë edhe prona të banorëve të fshatit, të cilat i kanë me certifikata pronësie. Policia i arrestoi të dyja palët për “Plagosje të rëndë, me dashje”, “Vetëgjyqësi”, “Kanosje”, “Moskallëzim krimi”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishje të rendit”. Policia tha zyrtarisht se në vendngjarje është gjetur edhe një gëzhojë arme zjarri. “Në lidhje me pretendimet e palëve për certifikatat e pronësisë, janë referuar disa herë materialet në prokurori”, – pohoi policia.

Certifikata E Familjes Kaculi
Certifikata E Familjes Kaculi

Faksimile: Certifikatat e pronësisë së familjes Kaculi dhe certifikata e Provincës, ku e njëjta sipërfaqe ka 2 pronarë

Konflikti bëhet për një tokë me dy certifikata pronësie. Familja Kaculi ka fituar 5.470 metra tokë me Ligjin 7501. Në Kadastër prona ka numër pasurie 30\6. Bajram Kaculi, një nga të shumtit që u mbajt disa orë në polici në fund të tetorit, tregon se pronën e tij duan ta marrin persona, për të cilët s’ka dijeni se çfarë përfaqësojnë.

“Në krye të tyre është Ndue Sokoli, vëllai i avokatit, që mbron interesat e Provincës Françeskane, Gjergj Sokoli. Jemi zënë disa herë. Por, atë ditë ka qenë edhe ish-deputeti, Mark Frroku, dhe të tjerë njerëz të armatosur”, – thotë Kaculi për INA Median.

Sipas policisë, ish-deputeti Mark Frroku donte që ta rrethonte pronën, me dy pronarë. Ai u arrestua dhe u lirua pas disa ditësh.

“Është regjistruar procedimi penal nr. 2222, datë 30.10.2023, për veprat penale “Kanosje”, “Vetëgjyqësi” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve shpërthyese dhe i municionit”, procedim, i cili është nën hetim. Hetimet për këto çështje penale vazhdojnë me përparësi dhe në përfundim të tyre do të bëhet njoftimi i palëve në proces për vendimmarrjen e prokurorit, sipas përcaktimeve në Kodin e Procedurës Penale”, – shkruhet në përgjigjen e Prokurorisë së Durrësit, drejtuar INA Medias, në datën 28 shkurt 2024.

Ish-deputeti më herët është hetuar dhe është gjykuar për vrasje, për pastrim parash, për fshehje pasurie dhe për ndërtim të paligjshëm. Prokuroria e Tiranës kërkoi 25 vite burg, por gjykata e dënoi me 6 vite, duke i hequr akuzën e vrasjes. Pas dënimit, Frroku u largua nga politika, duke drejtuar bizneset e tij. Në vitin 2016, Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimet pas dyshimeve se një pjesë e pasurisë së tij është krijuar nga burime të paligjshme, kryesisht nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotrafikut dhe prostitucionit”.

Në vitin 2021, KRRT-ja i dha leje kompanisë A.M-L Group, në pronësi të Mark Frrokut, për “Ndërtimin e impiantit gjenerues të energjisë elektrike, eolike, me kapacitet 2 MV”, në Pukë. Dikur, në këtë shoqëri ka qenë aksioner edhe z. Arben Frroku, i akuzuar për vrasjen e oficerit të policisë, Dritan Lamaj.

Për ngjarjen e 29 tetorit të vitit 2023, Frroku qëndroi në qeli 72 orë, teksa u lirua me masën “Detyrim paraqitjeje” nga gjykata. Ai tha se ishte kontaktuar nga Provinca Françeskane, e cila ka një certifikatë pronësie në fshatin Shetaj, me numër pasurie 31 dhe me sipërfaqe 4.114 metra katrorë. Por, hartat e të dyja pronave, ajo e familjes Kaculi (5.470 metra katrorë) dhe kjo e Provincës Françeskane (4.114 metra katrorë) janë në të njëjtin vend; me një plan vendosjeje. Provinca thotë se familja Kaculi nuk e ka atje, ndërkohë që familja Kaculi thotë se Provinca është shpronësuar për këtë pronë.

Faksimile Vendimi I Agjencisë Së Kthimit Dhe Të Kompensimit Të Pronave
Faksimile Vendimi I Agjencisë Së Kthimit Dhe Të Kompensimit Të Pronave

Faksimile: Vendimi i Agjencisë së Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave, me numër 416, me titull “Për njohjen e së drejtës së pronësisë, kthimin dhe\ose kompensimin e pronës 

Vendimi i datës 31 janar 2008 i njeh Kishës Katolike, Provinca Françeskane Shqiptare, sipërfaqen prej 1.183.400 metrash katrorë. AKKP në pikën 3 të vendimit shkruan për të kompensuar Kishën me sipërfaqen 29.300 metra katrorë, madje edhe për pasurinë 30\6, pasuri, e cila i përket familjes Kaculi, për të cilën u zhvillua edhe konflikti me armë.

Ana Shtjefni, administratore e firmës Albania Tourist Resort, e ka pasur në administrim këtë pronë, me një kontratë me Kishën Françeskane, që përfshinte rrethimin e pronës, si dhe shfrytëzimin e saj.

“Firma ime është akoma përfaqësuese e Provincës Françeskane për atë zonë. Mua më kanë larguar me forcë individë me të shkuar kriminale. Jam konfliktuar fizikisht me rojet, me në krye Ndue Sokolin. Më kanë larguar, se nuk pranova që t`i rrethoja pronat e banorëve të fshatit Shetaj, madje edhe të familjes Kaculi. Ata kanë certifikata të rregullta pronësie”, – thotë Ana Shtjefni.

Sipas saj, konflikti i tetorit është “maja e ajsbergut”, pasi me vendime dhe me procese civile dhe administrative personat afër Provincës Françeskane po tentojnë që t’i marrin shtetit një sipërfaqe të konsiderueshme, jashtë zonës së rrethuar tashmë. Janë rreth 30 procese gjyqësore, civile dhe penale, të regjistruara në Gjykatën e Durrësit.

“Është bërë një marrëveshje e dyshimtë, ku disa persona po tentojnë që të marrin miliona metra katrorë në të gjithë Kepin e Rodonit. Personalisht, disponoj dokumente për një gjyq të nisur në Gjykatën e Durrësit, ku padia është bërë nga avokati i kësaj Province, z. Gjergj Sokoli.

Ky i fundit është vëllai i z. Ndue Sokoli, i cili qëndron në hyrje të Kepit bashkë me disa persona”, – pohon zonja Shtjefni.

INA Media shfletoi dhjetëra padi të bëra në Gjykatën e Durrësit, ku po tentohet që një super-pasuri shtetërore, prej miliona metrash katrorë, të privatizohet.

Sipas dokumentit , në vitin 2019, Provinca Françeskane padit Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë, Këshillin e Ministrave, Agjencinë e Trajtimit të Pronave dhe Bashkinë e Durrësit dhe kërkon njohjen si pronar të 5.586.363 m2 “pyll” dhe kullotë”, në fshatin Shetaj, Durrës.

Sipërfaqja, që kërkon kjo Provincë, shtrihet në pjesën jugore të Kepit të Rodonit, pyll i patrajtuar me Ligjin 7501. Zona kap edhe plazhet më të bukura të Kepit, pikërisht “plazhin e bardhë” dhe shtrihet deri në Shën Pjetër, në kufi me Gjirin e Lalzit.

Harta E Prones
Harta E Prones

Në foto: Harta e të gjithë pronës 5.5 milionë m2, që Provinca kërkon t’ia marrë shtetit

“Përpos gjyqit, i dyshimtë është edhe dokumenti i origjinës. Provinca s’ka asnjë të drejtë mbi këtë pasuri, pasi me vetëm një toponim në një dokument të tyre, të vjetër po marrin gjithë këtë pasuri”, – pohon Ana Shtjefni.

Ajo aludon se personat, që u konfliktuan në tetor, me në krye ish-deputetin Frroku apo edhe të tjerë me precedentë penalë, kërkojnë administrimin e kësaj pasurie.

“I gjithë fokusi i tyre është te kjo pasuri. Ata kanë vënë në lojë një mekanizëm të mirëfilltë, duke filluar nga avokati Gjergj Sokoli, i cili ka qenë hetues në Prokurorinë e Durrësit. Më pas kanë mbledhur personazhe të politikës”, – shton zonja Shtjefni.

Aktualisht, pjesa më e madhe e sipërfaqes, që kërkon Provinca, është shtetërore. Janë ndërtuar disa lokale, me kontratë qiraje prej 30 vitesh nga Bashkia e Durrësit.

Arbeni Resort, në anën jugore të Kepit të Rodonit, në breg të Detit Adriatik, ka pronarë 3 pjesëtarë të familjes Alla, Vath, Xhaferr dhe Selim Alla, si dhe Romeo Çupin, secili nga 25% të aksioneve.

Në aktin e themelimit të shoqërisë shkruhet se kohëzgjatja e ushtrimit të aktivitetit të shoqërisë është për 30 vjet. Në vitin 2018 ish-kryeministri, Sali Berisha, ka shkruar në profilin e tij në FB: “Shkatërrohet prona nga persona të inkriminuar dhe të dënuar më parë, Vath Alla, me leje të Vangjush Dakos. Kanë prerë pemë, hedhin inerte brenda pronës së Kishës, për të ndërtuar në një ranishte, që ata pretendojnë se e kanë marrë me qira nga bashkia”.

Në qershor 2019, emri i aksionerit të këtij resorti, Vath Alla, doli në përgjimet e dosjes 339, të publikuara nga gazeta gjermane, Bild. Përgjimet ishin mes Astrit Avdylajt, i dënuar me 12 vite heqje lirie për trafik droge, dhe ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.

“Në këtë përgjim Astrit Avdylaj telefonon Dakon. Nga biseda del se Astrit Avdylaj ndodhet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në Durrës, në praninë e drejtorit të zyrës dhe Vath Allës, një ish-i dënuar për vrasje, për të “mbaruar” një punë për llogari të Allës”.

Më tej vijon se, Avdylaj i kërkon Dakos, që “të anulojë planet e tij për të udhëtuar në Ishëm, për të siguruar që, “puna”, që Alla po kërkon, të përfundohet te zyra e Hipotekës nga drejtori, që telefonon Allën dhe më pas Dakon për t’u takuar me të dhe me të dënuarin për vrasje, Vath Alla. Dako pranon dhe ndryshon agjendën”, – shkruan gazeta gjermane, Bild.

Banorët, me të cilët bisedoi INA Media, që nga frika dëshironin të mbeteshin anonimë, thanë se në zonë janë parë edhe personazhe të botës së krimit, si Aleksandër Laho, i njohur me emrin “Rrumi i Shijakut”.

“Lëvizte në zonë para 3 vitesh. Pas shpalljes së tij në kërkim dy vite më parë, kemi parë vëllanë e tij, që ka qenë drejtor i një drejtorie në Durrës”, – pohon një banor.

Më 1 nëntor 2021 Lahos iu bë atentat në autostradën Tiranë-Durrës. Ai udhëtonte bashkë me prokurorin Arian Ndoja. Të dy u plagosën, ndërkohë që shoferi, Andi Maloku, vdiq.

Një vit më vonë, në nëntor 2022, Gjykata e Posaçme lëshoi masën e sigurisë “Arrest me burg, në mungesë” për Aleksandër Lahon, me akuzën e korrupsionit për dosjen e tjetërsimit të pronave në Gjirin e Lalzit. Aktualisht, çështja e tij është duke u gjykuar në Gjykatën e Posaçme. Kjo gjykatë sekuestroi mbi 400 mijë metra katrorë tokë në bregdet, për të cilën dyshohej se “Rrumi i Shijakut” e kishte marrë me dokumente false. 200 mijë metra katrorë në Gjirin e Lalzit dhe 203.100 metra katrorë në fshatin Shetaj, në Ishëm.

Në dosjen e SPAK-ut janë edhe 2 video të regjistruara në vitin 2017, ku “Rrumi” shfaqet duke bërë pazar dhe duke i dhënë ryshfet Irgen Kërçukut, përfaqësues i Avokatit të Shtetit, që të tërhiqej nga ankimimi i procesit gjyqësor të tjetërsimit të pronave.

Skema është e njëjtë edhe me proceset që janë në gjykim, ku Avokatura e Shtetit thuajse i ka braktisur dhe nuk merr pjesë, madje edhe në gjyqin prej 5.5 milionë metrash katrorë në Gjykatën e Durrësit.

INA Media i ka dërguar një kërkesë për informacion Avokatit të Shtetit, por ky institucion refuzoi të përgjigjej.

Provinca ka bërë dhjetëra padi për “njohje pronari”.

“Dyshimet janë se mund të ketë ndonjë marrëveshje mes njerëzve, që po i rrinë tani afër, për të marrë apo për të ndërtuar në atë pronë”, – thotë Ana Shtjefni.

Mega-procesi i pronës në Kepin e Rodonit, që ka pasur një të ngjashëm edhe për pronat në Hamallaj, ka shkuar deri në Gjykatën e Lartë. Gjyqtarët e Shkallës së Parë e kanë dërguar direkt në “kupolën” e gjyqësorit.

Çështja është regjistruar në Gjykatën e Lartë më 19 maj 2021, me shpjegimin: “Ardhur prej Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës”. Pasi është caktuar edhe relatori, gjyqtari Ervin Pupe, çështja është “në pritje” për t’u gjykuar!

Sërish, palë janë Provinca kundër Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Agjencisë së Trajtimit të Pronave apo edhe kundër Bashkisë së Durrësit. Objekti i padisë\akuzës është: “Detyrimi i palëve të paditura për të njohur pronarin e pasurisë 5.5 milionë metra katrorë”.

Ndërtimet E Para Të Komplekseve Turistike Në Kepin E Rodonit
Ndërtimet E Para Të Komplekseve Turistike Në Kepin E Rodonit

Në foto: Ndërtimet e para të komplekseve turistike në Kepin e Rodonit

Kur në terren kanë plasur armët dhe në të tria shkallët e gjyqësorit po zhvillohen beteja influencash, në pjesën veriore të Rodonit kanë “mbirë” edhe resortet e para. Në afërsi të pronës “mollë sherri” është ndërtuar fshati i parë, turistik me vila një apo dykatëshe. Resorti quhet Cape of Rodon. Komiteti i Investimeve Strategjike i dha kompanisë Premium Finance Invest, më 15 korrik 2021, 1.086.6 ha në zonën e Kepit të Rodonit, Durrës, për vetëm 1 euro!

Vendimi mban numrin 6/5 dhe ka një emërtesë: “Për miratimin e statusit investim/investitor strategjik – procedurë e veçantë për projektin e investimit me potencial strategjik Cape of Rodon, faza 1, i propozuar nga subjekti Premium Finance Invest”.

Përpara se të merrte statusin e Investitorit Strategjik, firma kishte si aktivitet të saj bixhozin.

Në vendimin e AIDA-s shkruhet se, projekti parashikon ndërtimin e hoteleve, të vilave, të rezidencave, të fushave të golfit dhe të shërbimeve të ndryshme. Por, firma që u shpall investitore, nuk ka pasur dakordësi për të gjithë këtë sipërfaqe. Ajo u detyrua, që ta ndajë projektin në disa faza të ndryshme.

“Masa kryesore, mbështetëse, që kërkon subjekti nëpërmjet procedurës së veçantë, për të cilën aplikon, është që projekti të miratohet me ligj të veçantë, por projekti i dorëzuar për sipërfaqen prej 1.086.6 ha nuk u vlerësua ende i maturuar për këtë masë mbështetëse”, – shkruhet në vendim. Fjalët e përdorura në këtë vendim janë të zgjedhura dhe nuk bëjnë fjalë për një refuzim, pasi “subjekti e ka ndarë projektin me faza dhe faza e parë, për të cilën aplikon dhe plotëson kriterin financiar, ndahet në katër nënfaza”.

Firma Premium Finance Invest parashikon investim me vlerë 51.369.355 euro.

“Faza e parë e projektit parashikon ndërtimin e një hoteli me 4 yje, me sipërfaqe 26.150 m2.

Do të ketë 250 dhoma, si dhe shërbime në funksion të tij, 30 vila me sipërfaqe totale prej 16.200 m2, një kantinë vere, me sipërfaqe prej 2.000 m2, një park ujor, me sipërfaqe 500 m2.

Projekti i propozuar shtrihet në një sipërfaqe trualli prej afërsisht 44.850 m2, e cila ndodhet në ZK. 3365, Bashkia, Durrës”, – thuhet në këtë vendim.

Sipas dokumenteve të depozituara në QKB, Premium Finance Invest zotërohet me 100% të aksioneve nga firma SIG Holding GmbH. Ndërkohë, pronar i SIG Holding GmbH është z. Bledar Sinani.

Redaksia e INA Medias i dërgoi një kërkesë për koment kësaj firme, por deri në publikimin e këtij investigimi nuk pati asnjë përgjigje.

Emri i z. Bledar Sinani është i lidhur me bixhozin në Shqipëri, sepse ka në pronësi ose në përdorim pjesën më të madhe të kazinove. Ai zotëron 100% të shoqërisë WSI, ndërsa shoqëria WSI zotëron 100% të kapitalit tek Imperium, ish-Royal Eagle Casino.

Duket se “lufta” është për të gjithë Kepin e Rodonit, ku krimi, qeveria, investitorët apo edhe vetë feja po tentojnë që ta privatizojnë me ç’të munden.

Karaburuni, një mal dokumentesh “false” për të rrëmbyer gadishullin
Dy faqe letër në formën e një vendimi të Gjykatës së Vlorës, të firmosur nga Thoma Nika, më 29 dhjetor të vitit 2000, shpallën pronar të 220 hektarëve në gadishullin e Karaburunit varrmihësin e qytetit të Vlorës, Raimond Mëzin. Në vendim argumentohet se në prill 1996 Agjencia e Kthimit të Pronave i ka refuzuar kthimin e pronës Raimond Mëzit, duke i mohuar kështu një të drejtë të tij, kushtetuese. Ky vendim u konservua 12 vite. Në vitin 2012, sipërfaqja prej 220 hektarësh është regjistruar në emër të Raimond Mëzit.

Po në këtë periudhë në Zvërnec sërish në emër të varrmihësit, Hipoteka regjistron edhe 89 hektarë të tjerë. Këtë radhë si dokument për regjistrimin e pronës shërbente një vendim i gjyqtarit të ekzekutuar në mënyrë mafioze në Vlorë, Skerdilajd Konomi.

Për dy vite me radhë asnjë transaksion nuk është kryer në emër të Raimond Mëzit.

Edhe pse pothuajse njeriu më i pasur në Vlorë, me qindra hektarë tokë në zonën më të bukur të vendit, INA Media mësoi se Mëzi jetonte në një banesë të varfër, në lagjen Partizani, në Vlorë.

Më 2 tetor 2014, në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë, pasuria prej 220 hektarësh është ndarë në dy sipërfaqe. 90 hektarë dhe 130 hektarë. Një javë më pas, më 10 tetor 2014, përfaqësuesi me prokurë i Raimond Mëzit, avokati Enkes Hysendhima, iu ka shitur 90 hektarë kompanive House of Arts dhe Digitalnetworks për 180.000 euro.

House of Arts është kompania e ish-deputetit socialist, Fidel Ylli, që administrohet nga Elida Heba dhe merret me organizim eventesh; ndërsa Digitalnetworks zotërohet nga biznesmeni Gerian Kuka, njëherazi Konsull Nderi i El Salvadorit në Shqipëri.

Pjesa e mbetur prej 130 hektarësh në Karaburun shkëmbehet me Artur Shehun – një personazh kontrovers i viteve të tranzicionit në Vlorë, i cili jeton prej dy dekadash në Florida të SHBA.

Kontrata e shkëmbimit, e kryer më 4 dhjetor 2014, mban firmat e Enkes Hysendhimës, përfaqësues me prokurë i Raimond Mëzit, dhe Pëllumb Petritajt, përfaqësues i Artur Shehut.

Petritaj e ka ndarë pronën në 4 pjesë përgjatë periudhës mars-tetor 2015. Në mars të vitit 2015, pesë hektarë i janë shitur për 9 milionë e 850 mijë lekë Arian Laçit, një tjetër biznesmen kontrovers, i dënuar në Itali për trafikimin e lëndëve narkotike; ndërsa në janar 2016, Pëllumb Petritaj ka shitur 20 hektarë te biznesmeni vlonjat, Thodhori Gjiknuri, për 39 milionë e 600 mijë lekë.

Të njëjtin fat pësoi edhe sipërfaqja prej 89 hektarësh. Të gjitha kontratat janë nënshkruar në një periudhë të shkurtër, kohore dhe tek i njëjti noter. Po kaq e shkurtër ka qenë edhe koha e regjistrimit të tyre te personat e tretë.

Kur ka përfunduar operacioni i parë i tjetërsimit të kësaj sipërfaqeje, familja Bodo, pretendente për një sipërfaqe toke në Karaburun, në janar 2016 dorëzon në prokurori denoncimin për tjetërsim pronash.

Në shkurt të vitit 2016, prokurori i Vlorës, Albert Kuliçaj, urdhëron arrestimin e Raimond Mëzit, në emër të së cilit është regjistruar prona, të avokatit të tij, Enkes Hysendhima, të ish-punonjëses së Hipotekës së Vlorës, Blerina Dhrami, të noteres që kishte kryer transaksionet e shitblerjes, Belona Seraj, si dhe të Donika Besimajt, përgjegjëse e Arshivës në Gjykatën e Vlorës; të gjithë të përfshirë në skemën e falsifikimit të dokumenteve.

Në qershor 2016, Prokuroria e Vlorës shpalli në kërkim edhe biznesmenin Pëllumb Petritaj, përfaqësuesi i Artur Shehut, si i përfshirë në këtë skemë falsifikimi. Por, në korrik 2017, kur prokuroria dorëzoi në gjykatë kërkesën për gjykim, Petritaj dhe një notere u përjashtuan nga akuzat.

Zanafilla e falsifikimeve të njëpasnjëshme ngrihet mbi një vendim të vitit 1996 të Komisionit të Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave në Vlorë, sipas të cilit Jakup Mëzit, babai i Raimond Mëzit, i njihet një sipërfaqe prej 6.600 metrash katrorë tokë. Mbi këtë dokument është prodhuar një tjetër dokument fals, që njeh familjen Mëzi si zotëruese të sipërfaqes prej 220 hektarësh.

Dokumentet tregojnë se sipërfaqja e pronës, e përfituar në mënyrë të jashtëligjshme, është tjetërsuar te të tretët nëpërmjet kontratave fiktive të shitjes. Pronari, në emër të së cilit është regjistruar prona 309 ha, Raimond Mëzi, e kthyer, në Karaburun dhe në Zvërnec, nuk ka aplikuar kurrë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive apo në gjykatë për këtë pronë. Para prokurorëve ka deklaruar se, te noteri ka firmosur fletë të bardha.

Emri i Raimond Mëzit është përdorur vetëm për sigurimin e pronës, e cila më pas është shitur nga Enkes Hysendhima, falë një prokure përfaqësimi.

Varrmihësi i qytetit të Vlorës, jetim, është birësuar nga Jakup Mëzi, kur ishte vetëm 1 vjeç.

Në vitin 1994 ai ka kërkuar në Agjencinë e Kompensimit dhe Kthimit të Pronave pronësinë e sipërfaqes 61.400 m2 tokë në qytetin e Vlorës. Gjyqtari Thoma Nika ka deklaruar se kurrë nuk ka zhvilluar një proces të tillë, gjyqësor. Vendimi i gjyqtarit të ndjerë, Konomi, sipas prokurorisë, është i falsifikuar. Madje, prokuroria dyshon se e gjithë dosja gjyqësore është falsifikuar.

Dosja penale është në Gjykatën e Apelit, sepse Prokuroria e Vlorës mbeti e pakënaqur nga Gjykata e Faktit, e cila, në mars 2018, shpalli fajtorë katër nga pesë të akuzuarit për falsifikimin e pronës në Karaburun.

Trupi gjykues, i përbërë nga Albert Spiro, Albana Selmanaj dhe Laurent Fuçia, shpalli përgjegjës kryesor Raimond Mëzin dhe vendosi dënimin e tij me 18 vjet burg. Avokati i tij, Enkes Hysendhima, i cili akuzohej nga Prokuroria e Vlorës si një ndër protagonistët e falsifikimit të tokës, u shpall i pafajshëm nga trupi gjykues. Prokuroria kishte kërkuar dënimin e Hysendhimës me 24 vjet burg.

Betejat në gjykatë
Mëngjesin e së premtes, më 22 qershor 2017, Vjosa Bodo, e shoqëruar nga xhaxhai i saj, Isufi, zuri vend në karriget e para, të vendosura për publikun në komisionet e vetingut.

Seanca dëgjimore ishte për personin, që ata e bënin përgjegjës për mohimin e së drejtës së pronës, gjyqtarja Brikena Ukperaj.

Vetingu për gjyqtaren, e cila kandidonte për në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, ishte shansi i fundit për familjen Bodo. Në nëntor të vitit 2017, Gjykata e Apelit të Vlorës, ku Ukperaj ishte relatore e çështjes, rikthehu për gjykim një çështje, që Vjosa e konsideronte një betejë të fituar.

Bëhej fjalë për një padi civile, që familja Bodo kishte hapur që në janar të vitit 2016.

Në prill të vitit 2017, Gjykata e Shkallës së Parë, Vlorë pranon aktpadinë e vëllezërve Bodo, duke shpallur se tjetërsimi i pronës është bërë nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara.

Pjesë e vendimit është edhe kthimi i një sipërfaqeje totale prej 404 ha tokë në Karaburun trashëgimtarëve Bodo, si dhe rregullimi i pasojave të krijuara në Zyrën e Regjistrimit të Pronave si rezultat i kontratave të shitblerjes.

Vendimi ankimohet në Gjykatën e Apelit nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive, si dhe nga dy kompanitë private, të cilat rezultojnë dhe përfitueset e pronës.

7 muaj më vonë trupa gjykuese, e përbërë nga Skënder Damini, Gjinovefa Gaba dhe nga relatorja, Brikena Ukperaj, e rrëzon vendimin, duke argumentuar se është marrë në shkelje të rëndë të një sërë normash procedurale.

Për shkeljet e konstatuara në këtë vendim Gjykata e Apelit vendosi më 11 nëntor 2017 rikthimin e çështjes në gjykim me një tjetër trupë gjykuese.

Por, dhe pse vendimi është marrë nga një treshe gjyqtarësh, familja Bodo akuzoi relatoren e dosjes se kishte shkelur afatet ligjore. Gjyqtarja e kaloi procesin e vetingut, por çështja e pronave, ku ajo ishte implikuar, është ende në proces gjykimi.

Në shkurt 2022 një tjetër trupë gjykuese e Apelit, Vlorë la në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor dhe urdhëroi çregjistrimin nga regjistrat hipotekarë të të gjithë pronës së përfituar nga varrmihësi dhe të tjetërsuar nëpërmjet kontratave të shitjes. Vendimi njohu bashkëpronësinë e vëllezërve Bodo, si dhe kthimin e 404 ha tokë pyll në Karaburun. Por, më 12 gusht 2022 Avokatura e Shtetit i kërkon gjykatës pezullimin e vendimit për çregjistrimin nga regjistrat hipotekarë për pronën e tjetërsuar në Karaburun.

Avokatura e Shtetit argumenton se, “jemi para ekzistencës së rrezikut, që mund t`iu shkaktojë një dëm të rëndë dhe të pazëvendësueshëm interesave shtetërorë, nisur nga fakti se Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Vlorë ka njoftuar Avokaturën e Shtetit për regjistrimin e pronës në favor të familjes Bodo. Avokatura e Shtetit pretendon se kjo pronë do të tjetërsohet dhe për këtë arsye duhet vendosur pezullimi i regjistrimit të saj në Hipotekën e Vlorës”.

Kërkesa e Avokaturës së Shtetit është rrëzuar nga Kolegji i Gjykatës së Lartë.

Në vendimin e arsyetuar thuhet se, “Avokatura e Shtetit nuk ka paraqitur asnjë shkak apo argument konkret, të bazuar në prova, se ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit do të sillte pasoja të riparueshme” për pronën, që vetëm pas 28 vitesh familja Bodo mund të këtë një vendim gjykate, që i njeh të drejtën e pronësisë.

Pronat e familjes Bodo janë regjistruar në kadastrat shtetërore, edhe pse dy kompanitë kryesore, që e kanë përfituar tokën nëpërmjet transaksioneve, e kanë dërguar çështjen në Gjykatën e Lartë. Koha e shqyrtimit të këtij rekursi ende nuk dihet, pasi kjo gjykatë po shqyrton ende çështjet e dërguara në vitin 2017. Rekursi i kompanive Digitalnetworks dhe House of Arts është depozituar në korrik të vitit 2022.

Duket se beteja juridike për familjen Bodo ende nuk ka përfunduar, por të paktën tashmë njihen si pronarë legjitimë. Një copë letër, që Malo Bodos iu desh të luftojë për më shumë se 30 vjet.

Një certifikatë pronësie, që Malo Bodo nuk mundi të shihte, sa qe gjallë. Ai ndërroi jetë më 24 nëntor 2021, 3 muaj përpara se Gjykata e Apelit të Vlorës të vendoste drejtësinë për familjen e tij.

“Im atë për vite të tëra luftoi në gjykatë për të drejtën e pronës së të parëve të tij dhe u largua nga kjo jetë, pa ditur se ia doli që të vendoste drejtësi për familjen e tij. Ky është pengu i jetës sime. Beteja e tij nuk vuri vetëm drejtësinë në vend, por na dha forcë edhe neve, pasardhësve të tij, dhe mos të harrojmë se kishim përballë, jo vetëm një sistem drejtësie, por një grup njerëzish, që ia kishin dalë, që të ndërtonin një makineri të tjetërsimit të pronave në jug të Shqipërisë”, – thotë vajza e tij, Vjosa Bodo. / INA 

Momenti kur digjen 2.6 miliardë euro kokainë- Pjesë e grupit një shqiptar

Mediat gjermane kanë publikuar pamje që tregojnë momentet kur digjen plot 35.5 ton kokainë.

Sipas BILD, kjo kokainë kishte një vlerë tregu prej 2.6 miliardë eurosh.

Droga u dërgua në një incenerator nën masa të rrepta sigurie.

Sasia rekord e kokainës u kap gjatë një aksioni të policisë së disa vendeve evropiane.

Shtatë persona u arrestuan, mes tyre edhe një shqiptar. Mendohet se lider i grupit ishte një turk.

Kokaina mendohet se ishte nisur nga Ekuadori. Në këtë shtet u kapën tre ton kokainë. Në Roterdam u kapën 8 ton dhe pjesa tjetër prej 25 ton u kap në Hamburg.

Para disa ditësh, media gjermane BILD raportoi se mafia shqiptare po përmbyt rrugët e Gjermanisë me kokainë.sn

Gjykata Supreme e Tatarstanit refuzon ankesën e gazetares së burgosur të REL-it

Gazetarja e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva gjatë një seance gjyqësore në Kazan, më 31 maj.

 

Gjykata Supreme e Republikës ruse të Tatarstanit refuzoi ankesën e gazetares së Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, kundër vendimit për vazhdimin e paraburgimit të saj.

Gjykatësja Rizvan Yusupov, la në fuqi më 18 qershor vendimin e muajit të kaluar nga gjykata sovjetike e qarkut në kryeqytetin e Tatarstanit, Kazan, për të zgjatur paraburgimin e saj deri të paktën më 5 gusht.

Kurmasheva, një gazetare e Radios Evropa e Lirë me seli në Pragë, e cila ka nënshtetësi të dyfishtë – amerikane dhe ruse, është mbajtur në paraburgim rus që nga 18 tetori i vitit 2023, me akuzën e shkeljes së të ashtuquajturit ligj për “agjentët e huaj” dhe shpërndarjes së informacionit të rremë rreth ushtrisë ruse.

Një akuzë e tillë mund të çojë në një dënim me 10 vjet burgim.

Ajo, punëdhënësit dhe mbështetësit e saj i hedhin poshtë akuzat.

Në seancën e fundit më 31 maj, Kurmasheva tha se shëndeti i saj është përkeqësuar dhe se ka nevojë për operacion.

Ajo gjithashtu tha se hera e fundit që dëgjoi zërat e dy vajzave të saj ishte në tetor 2023.

Kurmasheva, e cila ka punuar për Shërbimin Tatar-Bashkir të Radios Evropa e Lirë për rreth 25 vjet, u largua nga kryeqyteti çek në mes të majit 2023, për shkak të një emergjence familjare në vendlindjen e saj, Tatarstan.

Ajo u ndalua për pak kohë teksa priste fluturimin e saj të kthimit, më 2 qershor 2023, në aeroportin e Kazanit, ku iu konfiskuan të dy pasaportat dhe telefoni.

Në pamundësi për t’u larguar nga Rusia pa dokumentet e saj të udhëtimit, Kurmasheva u arrestua përsëri në tetor dhe këtë herë u akuzua për mosregjistrim si “agjente e huaj”.

Dy muaj më vonë, ajo u akuzua për përhapje të informacionit të rremë për ushtrinë ruse.

Qeveria amerikane dhe Radio Evropa e Lirë thonë se akuzat janë ndëshkim për punën e Kurmashevës si gazetare e REL-it.

Më 17 qershor, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mathew Miller përsëriti deklaratat e mëparshme të zyrtarëve të lartë amerikanë, përfshirë ato të presidentit Joe Biden, që i bënin thirrje Rusisë të lironte menjëherë Kurmashevën.

Megjithatë, ai nuk tregoi se pse Uashingtoni ende nuk e ka caktuar Kurmashevën si “të arrestuar gabimisht”, një përcaktim që do të rriste profilin e çështjes kundër Kurmashevës, duke e etiketuar atë si të motivuar politikisht.

Dy shtetas të tjerë amerikanë të mbajtur nga Rusia, reporteri i Wall Street Journal, Evan Gershkovich dhe një tjetër amerikan, Paul Whelan, janë caktuar si të arrestuar gabimisht.

“Ne besojmë se ajo duhet të lirohet”, tha Miller kur u pyet për njohjen e Kurmashevës si “të arrestuar gabimisht”.

“Nuk mund të flas për një përcaktim zyrtar në këtë moment. Por ne kemi qenë mjaft të qartë për statusin e çështjes së saj dhe çfarë mendojmë për të”.

Miller shprehu gjithashtu shqetësim për vendimin e Rusisë për të gjykuar Gershkovich si të dyshuar për spiunazh në një gjyq të mbyllur, duke theksuar se përfaqësuesit e ambasadës së SHBA-së do të bëjnë përpjekje ende që të marrin pjesë në seancën gjyqësore të planifikuar për në fund të këtij muaji.

Miller tha se pjesëmarrja ishte një “prioritet i lartë për ne”, por se “në fund do të përpiqemi ta sjellim [Gershkovich] në shtëpi dhe do të përpiqemi të sjellim Paul Whelan në shtëpi, dhe ky vazhdon të jetë qëllimi ynë kryesor”.

Autoritetet ruse nuk kanë ofruar asnjë provë për të mbështetur akuzat për spiunazh kundër 32-vjeçarit Gershkovich, të cilat The Wall Street Journal dhe qeveria amerikane i kanë hedhur poshtë.

Ai mund të përballet me 20 vjet burgim nëse shpallet fajtor.

Zyrtarët rusë thanë këtë javë se gjyqi i Gershkovich do të zhvillohej me dyer të mbyllura duke filluar nga 26 qershori.

Ai u arrestua gjatë një udhëtimi raportues, në mars 2023.

“Ne do të përpiqemi të marrim pjesë në gjyq, siç përpiqemi të marrim pjesë në gjyqin e çdo shtetasi amerikan që është i ndaluar në Rusi. Por në fund të fundit, unë nuk kam ende një përgjigje për ju nëse kjo do të jetë e mundur”, tha Miller.

“Akuzat kundër tij janë krejtësisht false siç e kemi bërë të qartë dhe ne besojmë se qeveria ruse e di se ato janë plotësisht false. Thënë kështu, ne do të vazhdojmë të përpiqemi ta kthejmë atë në shtëpi”, shtoi ai.

Shumë analistë besojnë se Rusia është duke shënjestruar shtetasit amerikanë për t’i shfrytëzuar për këmbim të të burgosurve dhe për qëllime tjera gjeopolitike.

Rusia besohet se po kërkon lirimin e Vadim Krasikovit, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm në Gjermani më 2021, për vrasjen e Zelimkhan “Tornike” Khangoshvilit, shtetasit të Gjeorgjisë, me prejardhje çeçene, për luftim të trupave ushtarake ruse në Çeçeni.

Ai më vonë ka kërkuar azil në Gjermani.

Kur presidenti rus, Vladimir Putin është pyetur në shkurt për mundësinë e lirimit të Gershkovichit, ai duket se i është referuar Krasikovit, teksa e ka përmendur një burrë të burgosur nga një vend aleat i SHBA-së, pse e ka “likuiduar një bandit”, i cili dyshohet se ka vrarë ushtarë rusë gjatë luftimeve në Çeçeni. Radio Evropa e Lirë

Përballja e Perëndimit me Rusinë për të ardhmen demokratike të Gjeorgjisë

Muralet në godinat e Tbilisit

VOA/Henry Ridgwell

Bashkimi Evropian i dha statusin e vendit kandidat Gjeorgjisë vitin e kaluar, por analistët thonë se nën drejtimin e oligarkut më të pasur në vend, qeveria është orientuar drejt Rusisë pas sulmit në Ukrainë në vitin 2022. Siç njofton nga Tbilisi korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, kritikët paralajmërojnë se e ardhmja demokratike e Gjeorgjisë do të vendoset në zgjedhjet në tetor.

Gjeorgjianët e quajnë “kështjella prej qelqi”. Një rezidencë me vlerë 50 milionë dollarë në lartësitë mbi Tbilisin. Aty ka pistë për ulje helikopterësh dhe madje edhe një akuarium me peshkaqenë. Këtu banon miliarderi Bidzina Ivanishvili, oligarku më i pasur i Gjeorgjisë dhe themeluesi i partisë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane.

Rezidenca e miliarderit Bidzina Ivanishvili

Rezidenca e miliarderit Bidzina Ivanishvili

“Ivanishvili është sundimtari i vërtetë i këtij vendi. Ai zotëron një të tretën e prodhimit të brendshëm bruto të Gjeorgjisë dhe e krijoi pasurinë e tij në Rusi në fund të viteve ’90-të. Ai vazhdon të ketë interesa në Rusi nëpërmjet kompanive në parajsa fiskale – jo vetëm ai, por edhe familjarët e tij. A është e mundur, apo realiste të presim nga një individ i tillë se do të bëjë gjithçka që Gjeorgjia të bëhet anëtare e BE-së dhe NATO-s? Nuk mendoj kështu”, thotë Eka Cigauri, nga organizata kundër korrupsionit Transparency International, dega në Gjeorgji.

Kjo betejë për të ardhmen e Gjeorgjisë, nëse do të jetë pjesë e Perëndimit apo e orbitës gjeopolitike të Rusisë, po zhvillohet në rrugët e Tbilisit.

Një ligj i njohur si ligji për “agjentët e huaj”, i ngjashëm me atë të Rusisë, ka rigjallëruar opozitën përpara zgjedhjeve të tetorit.

Protestuesit kundër qeverisë tregojnë solidaritet me Ukrainën që po lufton ndaj agresionit të Rusisë.

Nga protestat në Gjeorgji

Nga protestat në Gjeorgji

Protestat e kanë detyruar oligarkun Ivanishvili t’i bëjë më të qarta qëndrimet e veta. Gjatë një tubimi pro-qeverisë në prill, ai tha se “një forcë perëndimore globale pro-luftës” po ndërhynte në Gjeorgji.

“Sulmi i Rusisë në Ukrainë e shtyu që të zgjidhte më qartë se cilën palë mbështet. Ai nuk donte ta bënte, por u orientua drejt Rusisë, megjithëse partia ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ përpiqet ta fshehë, të mos e thotë këtë hapur. Ivanishvili mori vendimin strategjik se Rusia po e fiton luftën; pra duhet të qëndronim me fituesin e ardhshëm, siç e shikon ai”, thotë analisti politik Ghia Nodia.

Kritikët thonë se partia Ëndrra Gjeorgjiane po shfrytëzon frikën e popullsisë.

“Linja kryesore propagandistike tani është se ‘nëse nuk jemi ne në pushtet, lufta me Rusinë është e pashmangshme’. Po përpiqen ta paraqesin Perëndimin – në veçanti Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian – si një lloj armiku të interesave tradicionale të Gjeorgjisë dhe vlerave të familjes”, thotë Aka Zarkua, nga organizata “Qendra për Monitorimin e Qeverisjes”.

Qeveria i mohon këto akuza.

Miliarderi Bidzina Ivanishvili

Miliarderi Bidzina Ivanishvili

“Objektivi kryesor i qeverisë gjeorgjiane tani është të ruajë paqen”, thotë Fridon Injia, deputet pro-qeverisë, Partia e Socialistëve Evropianë.

Opozita thotë se Perëndimi duhet t’i kishte kuptuar me më shumë zgjuarsi motivet e vërteta të partisë Ëndrra Gjeorgjiane.

“Është mungesa e përqëndrimit, vëmendjes dhe në përgjithësi e të kuptuarit se ajo çfarë po ndodh në Gjeorgji është pjesë e përballjes më të gjerë me Rusinë”, thotë Giga Bokeria, kryetar i partisë Gjeorgjia Evropiane.

Analistët thonë se ligji për agjentët e huaj ka politizuar brezin e ri, që kërkon me vendosmëri ndryshimin e qeverisjes në zgjedhjet në tetor.

Të tjerë paralajmërojnë se zoti Ivanishvili është një lojtar i vjetër në politikë që do të luftojë për të mbajtur kontrollin.

‘Hetimet janë në fazë finale’- Lala flet për inceneratorin e Tiranës dhe hetimin pasuror të Veliajt

Gazetarja Klodiana Lala u shpreh në emisionin ‘Të Paekspozuarit” se hetimet për inceneratorët nuk kanë pushuar, madje, sipas saj, hetimet janë drejt një faze finale sa i përket inceneratorit të Tiranës për të patur edhe finalizim të personave të tjerë që mund të shkojnë nën masa sigurie, po për momentin prokurorët janë fokusuar dhe të orientuar vetëm në drejtim të parave, pra ku kanë përfunduar paratë.

“Janë ushtruar kontrollin disa banesa, që mendohet se mund të gjenden prova që kanë të bëjnë me aferën e inceneratorëve. Për momentin është i përqendruar gjithë hetimi i prokurorëve të posaçëm në bashkinë e Tiranës, sepse duhet të kemi parasysh që krahas hetimit që po kryhet për mënyrën, për procedurat e tjera në radhë, sot prokurorët janë duke parë se ku kanë përfunduar paratë e një inceneratori të Tiranës.

Cili është roli i kryetarit të bashkisë, zotit Veliaj dhe në këtë kuadër ka pasur veprime, por sigurisht, duke qenë se veprimet nuk janë bërë publike për shkak edhe të zhvillimeve, por mendoj që janë drejt një faze finale sa i përket inceneratorit të Tiranës për të patur edhe finalizim të personave të tjerë që mund të shkojnë nën masa sigurie, po për momentin që ne flasim, prokurorët janë fokusuar dhe të orientuar vetëm në drejtim të parave, pra ku kanë përfunduar paratë.

Ahmetaj ka ngritur një akuzë, nëse ju e mbani mend, për 60 mln euro, të cilat nuk dihet se ku kanë përfunduar, duke ngritur dyshime për emra konkretë, dhe SPAK është duke i verifikuar. A do të shkojë deri tek zoti Veliaj? Jam duke e parë këtë çështje, por veprime hetimore ka patur në disa dimensione, ka patur kontrolle të llogarive bankare, ju e dini paralelisht, ka nisur një hetim pasuror për zotin Veliajn dhe pjesëtarët e familjes së tij.

Edhe në kuadër të dosjes tjetër 5D, sepse duhet të kemi parasysh që 5D është kompania e cila kontrollohej de facto nga drejtorët kryesorë dhe njerëzit më të besuar të Erion Veliajt.

Kompania 5D ka marrë edhe leje ndërtimi në të paktën tre raste, dhe këto leje ndërtimi, këto pallate që janë ngritur, një pjesë e tyre janë shitur. Prokuroria ka patur vështirësinë më të madhe për të mos penalizuar ato qytetarë të cilët kanë marrë kredi apo investime dhe kursimet e jetës i kanë investuar për blerjen e një apartamenti.

Është duke bërë përmes aktit të ekspertimit ndarjen mes atyre pas atyre parave që konsiderohen para të ligjshme dhe paratë e tjera që dyshojnë që janë marrë përmes korrupsionit apo veprave tjera penale, kështu që momenti që do të bëhet kjo ndarje përmes aktit të ekspertimit do të shkohet dhe në sekuestrimin e kompanisë 5D, kështu që paralelisht po ecin të gjitha çështjet që në fokus dhe në thelb kanë kryetarin e bashkisë Tiranë, zotin Veliaj”-tha Lala.

‘Non grata’ britanike për Berishën, Burimi: Nuk provon se është i korruptuar, ja sfidat që ka

Analisti Genc Burimi në rubrikën “Opinion” në News24 tha se nuk ekziston statusi ‘non grata’.

Duke iu referuar vendimit të Komisionit të Apelimit në Britaninë e Madhe ndaj Sali Berishës, duke rrëzuar ankesën e tij për shpalljen “non grata’, Burimi u shpreh se “non grata” është një politikë e ndjekur nga një vend kundrejt një individi, në rastin konkret ish-Kryeministrit, por kjo nuk do të thotë se është i korruptuar.

“Trump në SHBA mund të ketë një mijë akuza në kurriz, por nuk ka një dënim të formës së prerë, dhe është i pafajshëm, atëherë në rastin e Sali Berishës që nuk ka asnjë akuzë, si mund të themi ne është i korruptuar sepse u shpall “non grata”. Kjo ‘non grata’ nuk pati asnjë vlerë përsa kohë Sali Berisha mori vulën e Partisë Demokratike”, tha Burimi.

Sipas tij, nëse në zgjedhjet e 2025-ës, Edi Rama do të jetë Kryeministër, opozita i humbet zgjedhjet.

“Sfida e dytë e Berishës është të mos hyjë në zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër, ndërsa sfida e tretë është që ai të përcaktojë pasardhësin, pra lidershipin e ri të partisë, që mund të jetë edhe Gazment Bardhi”, tha Burimi.

Kush e pengon paqen e qëndrueshme mes Kosovës e Serbisë?

Valona Tela

Ishte prilli i vitit 2013 kur Bashkimi Evropian bëri të ditur se Kosova dhe Serbia kanë arritur “marrëveshje historike” për normalizimin e marrëdhënieve.

Marrëveshja – e para e atij lloji mes tyre që nga përfundimi i luftës më 1999 – u nënshkrua nga kryeministrat e atëhershëm të dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

“Ky është një hap më larg së kaluarës për të dy dhe një hap më afër Evropës”, tha shefja e atëhershme e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, e cila i ndërmjetësonte bisedimet mes tyre.

Nga ajo kohë, Serbia vetëm hapi disa kapituj negociatash për pranim në BE, ndërsa Kosova vetëm aplikoi për anëtarësimin në këtë bllok.

Shumë pika të marrëveshjes nuk u zbatuan dhe tensionet vazhduan. Në disa raste kulmuan edhe në protesta e barrikada në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe dhe, e ndikuar nga Serbia, kundërshton autoritetin e Kosovës.

Dhjetë vjet pas marrëveshjes së parë, më 2023, dy vendet u dakorduan edhe për një tjetër – njësoj për normalizimin e marrëdhënieve. Edhe atëherë u cilësua si “arritje e rëndësishme” nga Bashkimi Evropian.

Duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shefi i i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se ata janë pajtuar që t’i zbatojnë të gjitha nenet e marrëveshjes dhe detyrimet përkatëse.

Më shumë se një vit më vonë, gati të gjitha këto nene mbeten vetëm në letër. Tensionet kulmuan sërish me protesta të dhunshme në veri, e madje edhe me incidente të armatosura.

Për Kurtin, fajtor është Vuçiqi, për Vuçiqin është Kurti. Për Kurtin, Serbia është rrezik për Kosovën. Për Vuçiqin, Qeveria e Kurtit është rrezik për serbët e Kosovës.

Në një samit javën e kaluar, për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, Kurti tha se Qeveria e tij nuk e ka asnjë problem me serbët e vendit.

“Problemin e kemi me Beogradin, i cili nuk u distancua as nga Millosheviqi i së kaluarës e as nga Putini i së tashmes”, tha Kurti duke iu referuar ish-presidentit jugosllav dhe presidentit aktual rus.

Vetëm tri ditë para ngjarjes ku foli Kurti, Qeveria e Serbisë dhe ajo e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë miratuan një deklaratë të përbashkët, e cila, mes tjerash, Kosovën e trajton si “pjesë të patjetërsueshme të Serbisë”. Formulimin e tillë, Serbia vazhdon ta ketë edhe në Kushtetutë, përkundër faktit se Kosova është shtet i pavarur prej saj qysh në vitin 2008.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua edhe Qeverisë së Kosovës, edhe Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë për t’i pyetur se nga çka ose prej kujt varet paqja e qëndrueshme mes dy vendeve, por asnjëri prej institucioneve nuk u përgjigj.

Aidan Hehir, nga Universiteti Westminster në Londër, thotë se problemi qëndron te Serbia. Duke folur për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, ai thotë se ky vend, prej vitesh, udhëhiqet nga nacionalistë të linjës së ashpër, që kanë qenë pjesë e regjimit të Sllobodan Millosheviqit në vitet ’90 dhe nuk duan paqe – përkrahin, sipas tij, idenë e krijimit të ‘Serbisë së madhe’.

“Është e pamundur për Kosovën të bëjë marrëveshje me një vend që nuk e pranon të drejtën e saj për të ekzistuar, që vazhdon të ndërhyjë në punët e saj të brendshme dhe që ndez trazira të dhunshme brenda territorit të saj. Pra, faji është te Serbia, jo te Kosova. Kosova është shtet i pavarur. Nuk e kërcënon askënd, nuk do të pushtojë askënd dhe nuk do të marrë tokën e askujt”, thotë Hehir.

Dimitar Bechev, nga Universiteti i Oksfordit, pajtohet se Vuçiq nuk ka gatishmëri për t’i çuar gjërat përpara, por thotë se një pjesë të përgjegjësisë e ndan edhe Kurti.

Vendimet e Qeverisë së tij për të instaluar kryetarët shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri, apo për të ndaluar përdorimin e dinarit serb në Kosovë, nuk i kontribuojnë zgjidhjes së problemit, thotë Bechev.

“Dhe, unë nuk mendoj se ka presion kohor për zgjidhje. Sepse, për aq kohë sa ka tensione, Vuçiq ka rrëfime të mira për t’iu thënë zgjedhësve të tij… se ai po ngrihet për serbët, se ai po i mbron interesat e Serbisë etj. Ngjashëm, edhe Albin Kurti luan me zgjedhësit e tij, që përfshijnë shumë nacionalistë”, thotë Bechev për Exposenë.

Kjo status quo, sipas tij, mund të vazhdojë për kohë të pacaktuar dhe një pjesë të përgjegjësisë ia hedh edhe BE-së për, siç thotë, “ofertat abstrakte” për integrimin e dy vendeve në radhët e veta.

Ai shton se BE-ja duhet të përdorë strategjinë e “karotës dhe shkopit” me to – t’iu ofrojë një gjë, në këmbim të një gjëje.

BE-ja e ka bërë të qartë si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë se integrimi i tyre në familjen evropiane do të varet nga normalizimi i marrëdhënieve me njëra-tjetrën. Ajo, vazhdimisht, u përçon mesazhe palëve për të zbatuar marrëveshjet e arritura.

Por, Bechev pret që vëmendja e BE-së tani, kur është në proces të zgjedhjes së udhëheqësve të saj të rinj, të mos jetë as te Kosova, as te Serbia. Për më tepër, ai thotë se dinamikat mund të ndryshojnë krejtësisht nëse në zgjedhjet presidenciale në SHBA zgjidhet Donald Trump, i cili në mandatin e parë ka anuar nga zgjidhjet më të shpejta dhe më të prera.

“Nëse Trump i fiton zgjedhjet, politika mund të zhvendoset te gjetja e një zgjidhjeje me ndarjen [e Kosovës]. Edhe këto zhvillime pastaj do ta zgjasnin problemin”, thotë Bechev.

Ndarja apo korrigjimi i kufijve është përmendur si opsion në vitin 2018 edhe nga vetë udhëheqësit e atëhershëm të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, por ideja është heshtur, pas kundërshtimeve që ka hasur në të dyja vendet.

Hehir, nga Univeristeti Westminister, thotë se nëse do të ketë ndonjëherë paqe të qëndrueshme në Ballkan, ajo duhet të vijë nga qeveri që pranojnë se kufijtë aktualë nuk mund të ndryshohen.

Hehir thotë se Perëndimi duhet t’i trajtojë Kosovën dhe Serbinë si shtete të barabarta dhe nëse do zgjidhje mes tyre, trysninë ta përqendrojë te Serbia, e cila, me mbështetjen e Rusisë, ka më shumë leva në duar për të manipuluar.

“Serbia është e rrethuar nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, andaj është shumë e ndjeshme ndaj sanksioneve perëndimore. Perëndimi mund të marrë një qëndrim më të ashpër ndaj Serbisë dhe t’i kërkojë asaj jo domosdoshmërisht ta njohë Kosovën, por së paku ta ndalojë ndërhyrjen në punët e brendshme të saj dhe ta lejojë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Pra, Perëndimi mund ta bëjë këtë”, thotë Hehir.

Qytetarët që, sipas Bechevit, “janë gjithmonë peng i situatave të tilla pezull, ose shndërrohen në top futbolli mes dy qeverive”, janë optimistë të rezervuar për paqen e qëndrueshme me vendin e tjetrit.

“Unë, personalisht, besoj se po [mund të ketë paqe] por do të duhet një kohë më e gjatë. Unë si gjeneratë e re, edhe pse nuk e kam përjetuar luftën, jam rritur me frymën e urrejtjes ndaj Serbisë, dhe besoj se duhet kohë”, thotë Gentiana Fejza, në fillimin e të 20-tave të saj.

Bashkëqytetari i saj nga Prishtina, Orhan Avdiu, thotë se “me këtë regjim në Serbi, nuk mund të arrihet paqe”.

“Është një klasë politike nga koha e Millosheviqit. Në pushtet janë njerëz të tij dhe nuk mund të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

“Duhet të kalojë kohë. Serbia ka qasje shumë dekonstruktive dhe do të duhet kohë shumë e gjatë”, thotë Majlinda Ferati.

Në Beograd, një qytetare që deshi të identifikohej vetëm me emrin e saj Jellena, thotë se nuk beson në paqe të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë.

“Konflikti ka histori të gjatë. Ka edhe shumë njerëz që janë nacionalistë. Nacionalizmi këtu është më i fuqishëm se gjithçka”, sipas saj.

“Është një pyetje e vështirë. Shumë njerëz janë vrarë dhe tani familjarët e kanë vështirë ta shtrijnë dorën. Duhet shikuar gjërat pozitive, por politika helmon gjithçka, në të gjitha anët”, thotë Ivo Beserovac.

Stefan Vukashinoviq mendon se “varet nga gjeneratat”.

“Sa më të reja që janë, sa më të pranishme në internet, e shohin që mund të arrihet paqe”, thotë ai.

Se kur do të mund të shihen udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë sërish në tryezën e bisedimeve – së paku për të bërë përpjekje për të arritur paqe – nuk dihet.

Gjasat janë të vogla gjatë muajve të verës, derisa të zgjidhen pasardhësit e ndërmjetësuesve aktualë.

SHBA-ja dhe Gjermania përsërisin se dy vendet duhet të shkojnë drejt njohjes reciproke.

Me fjalët e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier – “asgjë më pak nuk e përmbush vizionin e një Evrope të plotë, të lirë, të begatshme dhe në paqe”. Radio Evropa e Lirë

‘The Times’: Si po pastrohen miliardat e drogës në Tiranë, shqiptarët pushtuan tregun skocez të kanabisit

Horizonti i Tiranës, kryeqytetit shqiptar, po transformohet nga paratë e pista.

Verën e kaluar, diku në rrugicat e pasme të një qyteti të qetë skocez, ishte një mace që i vinte era bar. “Ajo kishte erë kanabisi. Era ishte ngjitur në leshin e saj”, tha pronari i kafshës shtëpiake. “Era ishte ngjitur në leshin e saj.”

Gruaja, e cila nuk donte të përmendej, po qëndronte në derën e saj në Forfar, Angus dhe po zgjidhte fjalët e saj me kujdes. Ajo dhe disa nga fqinjët e saj kishin pyetur veten nëse dikush nga fqinjët e saj po konsumonte kanabis, por shtoi se aroma ishte tepër e theksuar për të qenë shkaktuar nga një përdorues. Ata, me të drejtë, menduan se diçka më e madhe po ndodhte. Kështu ata thirrën policinë.

Aty pranë, në atë që dikur kishte qenë banja publike Eduardiane e qytetit, oficerët zbuluan një fermë droge. Në disa kate të improvizuara brenda ndërtesave, ata gjetën rreth 250 bimë kanabis, me vlerë deri në 187,000 paund dhe dy burra që i kultivonin ato.

Image

Në fund të muajit të kaluar dy emigrantë të paligjshëm nga Shqipëria Hajri Musa, 39 vjeç dhe Gerald Daci, 21 vjeç u burgosën me tre vjet.

Ferma e tyre nuk ishte e para dhe larg nga më e madhja që u zbulua. Deri më tani këtë vit, Policia e Skocisë ka bastisur të paktën 14 kultivime industriale të kanabisit, me disa operacione që e zbehën fermën në Forfar. Vlera totale e drogës vlerësohet në mënyrë konservative të jetë afër 10 milionë paund.

Kjo përfaqëson një shkallë të re të prodhimit të drogës në Skoci dhe po kryhet pothuajse hapur fare. Një rrugë Dundee u gërmua për të instaluar kabllot e energjisë elektrike për një shtëpi kanabisi. Policia u thirr kur për shkak të energjisë së lartë që po hynte në fermë instalimet elektrike u nxehën shumë, duke shkrirë trotuarin.

Shumica, nëse jo të gjitha, nga këto fabrika të narkotikëve janë vepër e gangsterëve nga ato që detektivët e quajnë me turp “Ballkani Perëndimor”. Ajo që nënkuptojnë është turma e frikshme shqiptare, ajo që disa e quajnë mafia shqiptare. Por si përfunduan kriminelët e një kombi relativisht të vogël të Adriatikut duke u futur në treg për drogën e lehtë më të abuzuar në Britani?

Image

Kanë kaluar 12 vjet që kur një detektiv shumë i lartë, Stevie Whitelock i Agjencisë Skoceze të Krimeve dhe Zbatimit të Drogës tashmë të zhdukur, paralajmëroi për herë të parë se ky grup “i rrezikshëm” i krimit të organizuar kishte arritur në Skoci.

Harta më e fundit e krimit të rëndë dhe të organizuar – një mjet i inteligjencës së policisë skoceze – tregon se janë 106 banda që veprojnë në veri të kufirit, sipas burimeve të zbatimit të ligjit. Nga këto pesë janë të lidhura me Ballkanin Perëndimor, një term që në teori i referohet Serbisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe Shqipërisë.

Diçka ka ndryshuar. Grupet kriminale shqipfolëse janë diversifikuar nga importimi i drogës në prodhimin e tyre në Britaninë e Madhe. Dhe ata e kanë bërë këtë duke shfrytëzuar të rinjtë që trafikojnë në vend me varka të vogla që kalojnë Kanalin Anglez.

Vitin e kaluar, Këshilli Kombëtar i Shefave të Policisë dhe Agjencia Kombëtare e Krimit njoftuan se forcat angleze dhe të Uellsit kishin sekuestruar kanabis në vlerë prej 130 milionë paund, 20 armë dhe qindra mijëra paund në Cash, dhe arrestuan afro 1000 njerëz, në një operacion të quajtur Mille.

Oficerët synonin kryesisht bandat shqipfolëse, edhe nëse kjo nuk u bë plotësisht e qartë në publicitetin rreth bastisjeve.

Policia është e shqetësuar. Ata janë marrë me plantacione të fshehta të kanabisit për vite, duke përfshirë, relativisht kohët e fundit, ato të drejtuara nga bandat e Lindjes së Largët me punë të detyruar vietnameze ose kineze. Por biznesi i kanabisit vazhdon të rritet.

“Tradicionalisht, ndoshta edhe 15 vjet më parë, do të hasnim në garazhe, madje edhe serra. Pastaj pamë shtëpitë që po shndërroheshin. Tani është zhvendosur në ndërtesat bujqësore, ose kohët e fundit – si këtu në Tayside ashtu edhe në të gjithë vendin – në njësitë tregtare të braktisura dhe të zbrazëta, pishina dhe fabrika”, tha Ray Birnie, një mbikëqyrës detektivësh i Policisë Skoceze me bazë në Dundee.

Në janar, Birnie dhe kolegët e tij zbuluan dy kultivime në Dundee, në një fabrikë të shkretë dhe në një sallë biliardosh. Midis tyre kishte 3000 bimë me vlerë 2.2 milionë funte së bashku.

Detektivi tha se ai nuk besonte se publiku i gjerë e kuptonte shkallën e plotë të këtyre operacioneve, “kush është i përfshirë”, apo rreziqet që ato paraqisnin. Birnie tha se fermerët ishin në rrezik më të madh nga gangsterët. Por po ashtu edhe publiku, jo më pak nga zjarri apo goditja elektrike.

“Në një nga rastet e para të mëdha që kishim, trotuari ishte shkrirë. Ata që morën pjesë në ngritjen e kultivimit kishin gërmuar trotuarin me pajisjet e duhura, automjetet e duhura, për t’u lidhur me rrjetin elektrik. Ishte një punë profesionale, por rryma në trotuar shkoi keq dhe kabllot u mbinxehën. Kështu që rreziku është për të gjithë”, tha ai.

Pse gangsterët po kalojnë në prodhimin industrial? A po konsumojnë më shumë njerëz barërat e këqija? Policia vëzhgon kulturën e drogës, por e ka të vështirë të spekulojë për shkallën e një industrie të fshehtë.

Në vitin 2018, Instituti për Çështjet Ekonomike, një grup mendimi dhe fushate e krahut të djathtë, vlerësoi se tregu britanik për kanabisin ilegal ishte 2.55 miliardë paund.

Gangsterët nga Ballkani Perëndimor kanë qenë në rritje që nga konfliktet e viteve nëntëdhjetë në rajon. Së pari ata trafikuan njerëz, armë dhe drogë – rajoni shtrihet midis vendeve që prodhojnë heroinë dhe disa tregjeve fitimprurëse evropiane. Më pas ata u zhvendosën në tregjet e krimit në pjesë të tjera të Evropës dhe Amerikës së Veriut. Ata besohet se dominojnë tregun ndoshta 5 miliardë paund të kokainës në Mbretërinë e Bashkuar.

Grupet e krimit të organizuar shqipfolës – ekspertët thonë nëse duhet të quhen mafioz – janë treguar të aftë për dhunë ekstreme.

Gazeta Sun këtë vit zbuloi se si luftërat në terren midis rivalëve në Angli mund të çonin në vrasje hakmarrëse në Ballkanin Perëndimor, madje edhe brenda burgjeve. Pasojat e një dërgese kokaine të humbur prej 50 milionë paundësh në 2018-ën shkaktuan vrasje në Shqipëri që kushtuan tetë jetë.

Image

Në Angli dhe Uells ka më shumë shqiptarë në burg se çdo kombësi tjetër e huaj. Shqiptarët e zakonshëm mbeten viktimat më të mëdha të kriminelëve, megjithatë, disa prej të cilëve shijuan dhunën gjatë trazirave civile në Shqipëri dhe luftës për pavarësi të Kosovës në vitet 1998-99.

Por grupet shqiptare të krimit janë po aq të afta për bashkëpunim sa edhe konfrontim. Ruggero Scaturro, analist i lartë në Iniciativën Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional, theksoi se bandat shqipfolëse mund të jenë shumë fleksibël. Por, tha ai, rritja e kultivimeve në Britaninë e Madhe dhe vende të tjera kishte ardhur në mes të një rënieje në vetë Shqipërinë që nga viti 2016.

Zbatimi i ligjit vendas – si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të luftuar strukturat mafioze – ka goditur industrinë, me ndihmën e ekuipazheve të helikopterëve të mbikëqyrjes nga Guardia di Finanza e Italisë.

Megjithatë, Scaturro theksoi gjithashtu se si kriminelët shqiptarë ishin zakonisht të gatshëm të punonin përkrah organizatave të tjera për qëllime të përbashkëta.

“Pavarësisht reputacionit të tyre si veçanërisht të dhunshëm dhe agresivë, rrjetet kriminale shqiptare kanë qenë gjithmonë mjaft të orientuara drejt shërbimeve, duke e vendosur gjithmonë fitimin në krye të çdo axhende”, tha ai.

Image

Ju mund të shihni se, për shembull, në veri të Francës, ku pavarësisht një dominimi të rrjeteve kurde në biznesin e kontrabandës së emigrantëve nëpër Kanal, shqiptarët ofrojnë shërbime dhe janë përgjegjës për prokurimin. Gangsterët shqiptarë krijojnë dhe shfrytëzojnë një diasporë në Evropën Perëndimore. Kjo, tha Scaturro, ishte mënyra se si mafia arriti të vepronte jashtë Ballkanit Perëndimor dhe të riatdhesonte fitimet e paligjshme për t’i pastruar në shtëpi.

Horizonti i Tiranës, kryeqytetit shqiptar, po transformohet nga paratë e pista.

“Ju shihni hotele dhe apartamente të mëdha që shfaqen brenda disa muajsh. Problemi është se këto janë jashtëzakonisht të shtrenjta dhe shumica e popullsisë nuk mund të përballojë të jetojë atje. Pra, si rezultat, ju keni një qytet të mbushur me ndërtesa të përfunduara, por të pabanuara… një skenar që sugjeron se diçka nuk është në rregull”, tha Scaturro

Ata të trafikuar, të abuzuar dhe të detyruar në punë të paligjshme në MB nuk po mbledhin fitimet e mëdha, theksoi policia. Ata janë shpesh të rinj, madje edhe fëmijë.

Policia dhe prokurorët janë të vetëdijshëm se disa nga njerëzit që mbyllen për rritjen e kanabisit janë shumë afër të qenit skllevër modernë./The Times/sn

NJË EVROPË E DETYRUAR TË RRITET- Nga ANGELO PANEBIANCO- Përktheu Eugjen Merlika

 

Stuhia e përsosur. Një skenar krejt i papranueshwm: kundër-evropianistja, filo-putiniania, Marine Le Pen kryeministre e Francës, Donald Trump president i Shteteve të Bashkuar. Evropa në mes, e thërmuar. Nuk ka një plan B. Vetëm panik. Siç ka vërejtur Antonio Polito (Corriere, 13 qershor) kush ngushullohet duke thënë se, sidoqoftë, në Parlamentin evropian ka ende një shumicë evropeiste, nuk njeh mekanizmat vendim-marrës evropianë, e shkëmben Parlamentin e Strasburgut për një Parlament kombëtar të zakonshëm. Veç asaj kush mendon – është një ide që qarkullon në shtypin ndërkombëtar – që, qoftë edhe në mënyrë paradoksale, i takon një udhëheqëseje pragmatike e realiste si Xhorxha Meloni, domethënë e vetmja kryetare qeverie, ndërmjet atyre Vendeve evropiane të njohura, që ka kaluar mirë provimin zgjedhor, detyra të ndihmojë një Evropë në vështirësi tejet të rënda, rrezikon të mbivlerësojë peshën e Italisë. Me të gjithë respektin për të, Italia ka dy pengesa të mëdha. E para është e njohura, ajo e përherëshmja: pa llogari në rregull aftësitë e manevrës së një Vendi si Italia janë të kufizuara. E dyta është e lidhur me përbërjen e koalicionit tonë të qeverisë. Është e lehtë të përfytyrohet se me Le Pen në krye të qeverisë franceze, sintonia ndërmjet Le Pen dhe Salvinit do t’I krijonte shumë probleme filo-atllantikes, filo-ukrainases, Xhorxha Meloni. Mund t’I kufizonte aftësinë e saj të lëvizjes në selinë evropiane.

Në një fazë shpejtimi tejet të fuqishëm të historisë, Bashkimi evropian, i mësuar të funksionojë në një regjim të ulët (gjithmonë e vetëm një hap mbas bisedimesh të gjata e drobitëse ndërmjet qeverive evropiane) rrezikon sot si asnjëherë më parë, për të renë absolute të sfidave gjeopolitike që na kërcënojnë. Nga një anë është një front i përbashkët sulmi ndaj botës perëndimore nga Lindja e nga Jugu: me mësymjen e Ukrainës e nesër kushedi se kujt Vendi tjetër evropian, me aleancën e hekurt ndërmjet Putinit dhe Iranit që kushtëzon Lindjen e Mesme, me praninë në rritje ushtarake ruse n’Afrikë (e kontrollin relativ të valëve emigruese) dhe me Kinën që, nga lartësia e fuqisë së saj, inkurajon bashkëpuntorët e saj të rij: sa më shumë të këqija të arrijnë t’u bëjnë perëndimorëve aq më mirë është për perandorinë bojë qielli.

Nga ana tjetër është një Amerikë, në një fazë të rënies relative të fuqisë që, sido të shkojnë votimet presidenciale, nuk do të jetë më kurrë ajo mbrojtëse e fuqishme e Evropës që ka qenë nga mbarimi i luftës së Dytë botërore deri sot. Nëse pastaj do të fitonte Trump-i do të provonim shpejt se çfarë do të thotë të kemi një Evropë të pambrojtur, një qëngj ndërmjet ujqërvet. Një gjëndje që mund t’i pëlqejë vetëm miqve perëndimorë të Putinit (dhe styre të Hamasit, klient i Iranit).

Politika, ashtu si propozohet dhe ndërpretohet për votuesit, bazohet gjithmonë mbi thjeshtësime e skematizime që ngatërrojnë idetë: evropianistët e sinqertë këndej, sovranistët kundër-evropianë andej. Makar të ishte aq e thjeshtë. Të shohim më nga afër evropeistët e mësipërm. Macroni është një evropeist i sigurtë. Por është në vijën e traditës goliste: edhe nëse Franca nuk ka më as kapacitetin as rezervat, ëndrra mbetet gjithmonë ajo e një Evrope me hegjemoni franceze (“bomba atomike, ashtu si vendi francez në OKB, janë të mijtë e i mbarështoj un”). Ose të marrim rastin e Gjermanisë. Të nesërmen e mësymjes së Ukrainës, kançelari Scholz, duke kuptuar faktin se pacifizmi tradicional gjerman nuk është më i dobishëm në kohë luftërash, shpall një plan madhështor armatimi (të cilit, në të vërtetë, i kanë humbur gjurmët), por nuk ka aspak ndërmënd mbrojtjen evropiane. Dëshëron armatosjen gjermane e pikë. Dhe po flasim për Francën e Gjermaninë, ose dy Vende që gjatë, së paku deri në ribashkimin gjerman, kishin udhëhequr proçesin e integrimit evropian. E gjithë kjo për të thënë që sigurisht ka n’Evropë një përplasje ndërmjet forcave liberale dhe iliberale (këto të fundit, në mënyrë koherente, kundër-evropiane dhe filo-putiniane), por nuk mund të shtiremi për të harruar se “evropeistët” nuk ishin e nuk janë fderalistë, makar nxënës të Altiero Spinelit. Ishin e janë të kujdesëshëm , para së gjithash e mbi të gjitha, ndaj interesave të tyre kombëtare. Ndryshimi është ndërmjet nacionalistëve shkurt (të ashtuquajturit “sovranistë”) dhe nacionalistëve/evropianistë, ose atyre për të cilët interesi kombëtar nuk mund të ndiqet me efektshmëri jashtë kornizës evropiane.

Realizmi mund të duket i vrazhdët por retorika, jo vetëm mërzit, por ndalon pamjen e problemeve, e për pasojë, edhe kërkimin e mjeteve për t’i zgjidhur. Evropa vuan nga një ves i zanafillës. Proçesi i integrimit evropian, i nisur gjatë Luftës së ftohtë, n’epokën e ndarjes ndërmjet blloqeve (atllantik e sovjetik), zhvillohet në shenjën e një ndarjeje të punës: amerikanëve u takon mbrojtja ushtarake e Evropës, evropianët janë të lirë të investojnë rezervat e tyre në zhvillim e mirëqënie. Në çastin kur mbrojtja amerikane pushon të jetë e siguruar, evropianët nuk dijnë kujt shenjti t’i drejtohen. Nuk kanë mjetet për t’u mbrojtur nga kërcënimet e mësymjet e perandorive të ringjallura. Prova vendimtare, natyrisht është Ukraina: nëse Putini fiton aty, Evropa do të jetë e thyer, pa rrugëdalje.

Fatmirësisht, apo fatkeqësisht historia mbetet e paparashikueshme. Ndoshta, përballë rreziqesh të paprovuar në tetëdhjetë vite paqeje, Bashkimi evropian arrin në muajt e ardhshëm (por është çështje muajsh, jo vitesh) të dalë nga rutina, arrin të kuptojë se janë vetë interesat kombëtarë të Shteteve evropianë, që për t’u mbrojtur kërkojnë ndryshime rrënjësorë: një sistem i ri qeverisje i Bashkimit që t’i japë mundësi të përballojë një botë të ndryshuar kaqë rrënjësisht e mizorisht.

Ideja që integrimi politik-ushtarak do të kishte ardhur automatikisht, për pasojë të integrimit ekonomik, me të cilën shumë evropianë janë zbavitur për dhjetëvjeçarë, qe një gënjeshtër, një miklim. Megjithatë ndonjëherë rreziku mpreh mëndjen, instikti i mbijetesës imponohet. Duhet shpresuar që kjo të ndodhë.

“Corriere della Sera”, 13 qershor 2024 Përktheu Eugjen Merlika

Rrëfimi i vuajtjeve të grave të ish Kampit të Tepelenës në një teatër dokumentar

“Lule sajza”

VOA/Raimond Kola

Rrëfimet reale të viktimave që përjetuan kalvarin e vuajteve në ish kampin e internimit në Tepelenë janë sjellë përmes një teatri dokumentar që po shfaqet këto ditë në disa qytete në Shqipëri.

Aktorja e njohur shqiptare Raimonda Bulku thotë se këto rrëfime janë një mesazh i fortë për shoqërinë shqiptare që të mos i harrojë vuajtet e së shkuarës dhe qëndresën fisnike, sidomos të grave ndaj regjimit komunist.

Sajza, një vajzë që përjetoi kalvarin e vuajtjeve në ish kampin e internimit në Tepelenë, përpëlitet për të mbijetuar në dheun e zi. Zërat që vijnë në sfond janë rrëfime reale, kryesisht të grave dhe vajzave që vuajtën egërsinë e sistemit komunist në Shqipëri në kampe dhe burgje.

“Lule sajza” është një teatër dokumentar që po shfaqet këto ditë në disa qytete në Shqipëri nën interpretimin e Raimonda Bulkut , Adriana Tolka dhe Valentina Myteveli.

Regjizori i kësaj shfaqje Endri Çela thotë se ka përzgjedhur disa nga rrëfimet e dëshimtarëve që përjetuan ferrin e ish kampit të interrnimit në Tepelenë, të botura nga Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit për ti sjellë në një formë të re teatri.

“Për dy muaj unë hulumtova dhe përzgjodha nga 10 vëllimet “Zërat e kujtesës” të botuara nga Instituti i Krimeve të Komunizmit këto rrëfime që më pas i paraqita në këtë formë të re teatri. Janë histori të vëreta që tregojnë kalvarin e vuajtjeve të mëdha, sidomos të grave”, thotë ai.

Ndërsa aktorja Raimonda Bulku thotë se rrëfimet janë të dhimbshme me të vërteta e tyre therëse.

“Rrëfenjat e të internuarve herë herë paraqiten në gojë të tyre përmes dokumentarit dhe në herë herë në vetën tonë ku ne japim ngjyrat tona artistike. Është një jetë e dhimbshme, por është e vërtetë dhe shumë prekëse”, thotë ajo.

Zonjë Bulku thtoë mëtej se ardhja e kësja shfaqje në kalanë e Gjirokastrës ka domethënien e vet pasi edhe kjo kala ishte një vend vuajtjesh burgosjesh dhe interrnimi.

“Këtu kalaja ka qenë një vend i dhimbjes, i burgosjes. Kalaja ka historinë e vet të trishtuar. Gjithë atmosfera na fut në një botë tjetër, në atë botë që ne e rithemi tani përmes këtyre rrëfimeve”, thotë ajo.

Zonja Bulku thotë se ky teatër dokumentar, këtor rëfime, janë një mesazh i fortë për shoqërinë shqiptare.

“Ta mbajmë në kujtesë për të thënë që ka akoma vend për njerëz që duhet të thonë më fal për dhimbjen që u kanë shkaktuar të tjerëve, për njerëz që nuk duhen harruar vuajtjet e tyre . Këto histori duhet t`u rrëfehen brezave të tanishëm që e shkuara të mos përsëritet kurrë.”

Nën muret e rënda të kalasë rrëfimet e kanë peshën e dhimbjes edhe më të madhe. Rrëfimi i Drane Jakës që e mbajti fshehtas nga autoritetet e kampit për shtatë javë trupin e pajetë të foshnjës pranë vetes, për ta rikthyer në vendlindje e për ta varrosur sipas zakoneve përcillet plot emocion tek spektatorët.

“Jam Drane Jaka, jam gruaja që zhvarrosi djalin e vet me dëshirë. Ishte mesnatë por hëna ndriste aq fort .E kam marrë Zojën ,vajzën time 11 vjeç dhe bashkë me të kemi marrë rrugën për në fshatin Turan ku ishte kampi më parë. Aty ishte varri i djalit tim. Me një shkop kam gërmuar gjithë natën deri sa duart më janë bërë dru dhe gishtat më kullonin gjak. E kam strehuar për dy javë mes qindra të internuarve dhe dhjetëra oficerëve pa i rënë në sy askujt. Aty në faqen e jorganit deri sa më ka ardhur dita e lirimit. Edhe me disa bimë të egra që i kisha bërë ilaç ia kam lyer trupin që të mos binte erë dhe pas dy javësh kur kam mbërritur në Nikaj Mërtur kam mundur ti them Zefit : A e sheh Zef, të kam pru me të varros aty ku ke lindur.”

Autoritetet zyrare prej pesë vitesh kanë premtuar kthimin në një muze të memories për ish kampin e internimit në Tepelenë ku rreth 3000 persona vuajtën interrnimin dhe rreth 500 prej tyre humbën jetën, gjatë viteve të regjimit komunist

Por deri tani në rrënojat e kampit janë vetëm gjurmët e kazermave të degraduara dhe qiparisat që simbolizojnë jetën e 300 fëmijëvë që vdiqën nga sëmundjet dhe uria ku herë pas herë familjarët apo ata pak të mbijetuar ende gjallë shkojnë për të nderuar kujtimin e atyre që nuk jetojnë më.

Shumëve prej tyre nuk u janë gjetur as eshtrat…

O TASH O KURRË- Nga Ryzhdi Baloku

Meqë në vitin 1999 Serbia e humbi luftën në Kosovë, iu kthye strategjisë së ripushtimit me metoda politike e diplomatike dhe luftës hibride. Por, nëse ky variant do t’ju dështojë, atëherë nën pretekstin se “Kosova është territor i Serbisë i okupuar nga NATO”, planifikon ta sulmojë edhe ushtarakisht në një moment të volitshëm, sikurse Azerbajxhani që e rimori Nagorno Karabakh-un, është kërcënuar me këto fjalë Presidentit Vuçiq, nëpërmjet mjeteve të informimit publik.

Vuçiq po harron se Kosova nuk është “Nagorno Karabakh” dhe se Serbia u ka borxh shqiptarëve, ngase para vitit 1878, Kosova shtrihej në sipërfaqen tokësore deri përtej Nishit, respektivisht deri te Molla e Kuqe, Sanxhak dhe Luginë të Preshevës, e që me 1912 u pushtua me ndihmën e Rusisë edhe pjesa tjetër e këtij territori, me disa periudha të shkurta çlirimi gjatë luftës së Austro-Hungarisë me Serbinë që përkrahej nga Rusia dhe invazionit të Gjermanisë mbi Jugosllavinë mbretërore.

Për ta kuptuar më mirë temën e parashtruar, do t’i referohem kujtesës nga e kaluara jo e largët për disa ngjarje të rëndësisë së veçantë që kanë të bëjnë me Kosovën dhe rreth saj. Mirëpo, kësaj here në këtë opinion timin nuk do t’i përfshij me emra politikanët e Kosovës dhe Shqipërisë, edhe pse shumica nga ta nuk janë edhe aq pa mëkate, për të cilët do të shkruaj me një rast tjetër.
Nën pretekstin e mirëqenies së popullatës në Kosovë dhe Serbi, me 2011 nisën bisedimet teknike përmes ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, që pastaj me 2012 evoluuan në ato politike, ku si “shpërblim” Kosova e “fitoi” fusnotën.

Më vonë, në këtë kontekst, në Kosovë nisën të formohen komunat e reja, në ato vendbanime ku kishte popullatë serbe, të cilat në ca raste për ta rritur numrin e popullsisë, ato u plotësuan me nga disa fshatra shqiptare, që do të konsideroheshin popullatë pakicë e atyre territoreve.

Çfarë ndodhi pas kësaj faze ?! Serbia kërkoi vetëqeverisjen një-etnike të këtyre Komunave, si një tërësi territoriale, me emërtimin “Asociacioni i Komunave me shumicë serbe”, edhe pse sipas kushtetutës Kosova kishte statusin e shtetit shumë-etnik.

Përballë kësaj gjendjeje, politikanët e Kosovës nuk u treguan edhe aq të zgjuar, ngase, derisa serbët me 4 % të popullatës privilegjoheshin me 10 vende të rezervuara në Parlament dhe konsideroheshin popull shtet-formues i Kosovës, ku gjuha serbe kishte statusin e gjuhës zyrtare, në Luginën e Preshevës zhvillohej një presion i paparë ndaj shqiptarëve, ku shteti serb madje i çregjistronte nga regjistri i vendbanimeve dhe shtëpive të veta, me qëllim të pastrimit etnik të këtyre territoreve shqiptare.

Duke parë ecurinë e zhvillimeve të cekura karshi faktorit ndërkombëtar, kam bindjen se sipas sugjerimeve të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është hartuar draft Statuti për komunat me shumicë serbe i prezantuar tani në Kosovë si projekt i Diplomacisë Evropiane, edhe pse më herët është thënë se Statuti për Asociacionin duhet të hartohet nga ekspertët vendorë, si çështje e brendshme e Kosovës.

Përkundër telasheve që u përmenden më lart, është për t’u çuditur se si politikanët shqiptarë, me vëllezërit e vet, të një gjuhe e një gjaku, ende s’po ia dalin të gjejnë gjuhë të përbashkët për çështjet që e preokupojnë kombin !

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës, ende po dalin në votime për zgjedhjet lokale e parlamentare, të përçarë e të shkapërderdhur nëpër parti të ndryshme politike, thuaj se janë aq shumë në numër, sa që iu duket vetja sikur s’ka gjasa që t’iu cenohen të drejtat njerëzore e kombëtare dhe po-ashtu t’iu rrezikohet pjesëmarrja për t’u përfaqësuar denjësisht në organet e shtetit ku jetojnë !

Veç kësaj, shqiptarët e ndarë në disa shtete, në vend që t’iu ndihmojnë bashkëkombësve të vet përtej kufijve, ata me politikën e tyre amatore ka ndodhur që të veprojnë pa kurrfarë përgatitje diplomatike për arritjen e synimeve politike.

Përpos të përmendurave, në kohën e fundit ndoshta edhe pa qëllim është vepruar edhe kundër interesave të përbashkëta kombëtare (Kosovë – Shqipëri,) si me rastin “Ballkani i Hapur”, ide kjo e Aleksandar Vuçiqit për formimin e Jugosllavisë së re !

Për t’i sqaruar më mirë disa prej çështjeve të parashtruara në këtë shkrim, do të përpiqem t’i shoshit ato me një kujdes të shtuar.

Për mos shqyrtim në mbledhje nga ministrat në Këshillin e Evropës të vendimit për anëtarësimin e Kosovës, që ishte miratuar paraprakisht në Prill të vitit 2024 nga delegatët e Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate, e që sipas transmetimeve radio televizive dhe portalit “Klan Kosova” të dt. 17.05.2024, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, në fjalimin e tij aty, deklaron: “Është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të veprojë me shpejtësi për t’i përmbushur zotimet që ka marrë dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive me partnerët dhe përkrahësit e saj të vendosur ndërkombëtarë”.

Sipas mediumeve të cekura më lart dhe këtij portali, ai po-ashtu në vazhdim të fjalimit të tij thotë: “Kosova nuk është futur në agjendën e Komitetit të Ministrave, pasi Qeveria e Kosovës nuk e ka përfillur kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë që ta dërgojë në Kushtetuese një draft-statut për Asociacionin”.

Mos të harrojmë se edhe Aleksandar Vuçiq ishte zotuar se pajtohet me përmbajtjen e Marrëveshjes së Ohrit, por pastaj nuk e ka nënshkruar, dhe për këtë askush “nuk i ka hipur në qafë”.
Pra, me një lexim apo dëgjim të kujdesshëm të fjalimit të këtij ministri, mund të kuptojmë se, duke e udhëzuar Qeverinë e Kosovës dhe duke e vënë në shënjestër “shkaktarin”, ai në një mënyrë, dashtë e pa-dashtë ia ka dhënë krahun Serbisë në Këshillin e (Ministrave të) Evropës, pa i përmendur aty obligimet e këtij shteti gjenocidal për mos zbatimin e marrëveshjeve të deridjeshme.

Bazuar në këtë fjalim të ministrit Igli Hasani, shihet qartë se ai s’është “lodhur fort” për Kosovën që të pranohet në Këshillin e Evropës pa kushte shtesë, por i sugjeron asaj që ta miratojë “gangrenën e shtetësisë”, respektivisht ta aprovojë “statutin e Lajçakut”, për asociacionin e komunave me shumicë serbe, në këmbim të asgjëje.

Ai njëherazi në atë fjalim harron ta përmendë se sipas kushtetutës së Serbisë, Kosova pa të drejtë figuron si pjesë e këtij shteti hegjemonist.

Pos të lartë cekurave, njashtu ai bëhet sikur nuk e di se kush ishin ndërmjetësuesit ndërkombëtarë për lehtësimin e dialogut Kosovë – Serbi, të cilët me ngulm insistonin për ta futur në jetë “zajednicën serbe” të hartuar sipas sugjerimeve të Vuçiqit.

asaj që kemi parë kohëve të fundit në dialogun e deritashëm, ku në vend se ndërmjetësuesit ndërkombëtarë të mbanin qëndrim neutral, apo madje edhe në një mënyrë t’ia jepnin krahun Kosovës si viktimë e luftës së atij shteti hegjemonist, përkundrazi, atë agresor ata e miklonin dhe e ndihmonin, duke ia miratuar kërkesat që mund të çonin në mos funksionimin e shtetit të Kosovës, si në Bosnje e Hercegovinë të shkaktuar nga “Republika Srpska”, gjegjësisht “Republika e serbëve”.

Se kush ishte njëri nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë për dialogun Kosovë – Serbi, më së miri e dëshmon “Bota Sot” e dt. 22.09.2023, me publikimin e një shkrimi nga “arkiva” e Josep Borellit, i cili në vitin 2018 e mbështeste hapur Serbinë dhe realizonte takime të afërta me Ivica Daçiqin, me ç’rast kishte deklaruar: “Në margjina të konferencës së OSCEMed pata një takim të këndshëm me zv. kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq. Biseduam për marrëdhëniet e shkëlqyera në mes dy vendeve tona. Ia përcolla mbështetjen e Spanjës në mosmarrëveshjen për statusin e territorit të Kosovës”.

Pos tij, edhe ndërmjetësuesi tjetër, Miroslav Lajçak vinte njëjtë nga një shtet që Kosovën e shihte dhe e sheh si pjesë përbërëse të Serbisë !

Përpos të përmendurve, Borell dhe Lajçak, gjatë bisedimeve të deritashme Kosovë – Serbi, ka pasur raste kur ndërmjetësuesi ka vepruar ndoshta edhe në mënyrë autonome.

Një rast i tillë ishte Richard Grenell, si i deleguar special për bisedimet Kosovë – Serbi i Presidentit Donald Trump, i cili me dt. 25.10.2023 u dekorua nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në këtë drejtim mund të themi se, gati të njëjtat qëndrime i kishte edhe ndërmjetësuesi tjetër i SHBA-së, Gabriel Escobar (tani i liruar nga kjo detyrë, sipas VOAL. ch. dt. 05.05.2024 dhe portaleve tjera), bashkëshortja e të cilit e hapi ekspozitën në Beograd, që iu promovua nga Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë.

Tash frik, në një intervistë për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill thotë: “Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura me politikën e qeverisë serbe ndaj dialogut me Kosovën dhe bashkëpunimin me Ukrainën”.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch, i cili në publikimin e tij në “facebook” shkruan: “Ambasadori Hill tregoi anën e keqe të diplomacisë: duke parë vetëm gjërat pozitive (të cilat janë të pakta), por duke injoruar zhvillimet e këqija, si zgjedhjet e ashpra dhe kërcënimet ushtarake ndaj Kosovës. Jo shumë gjë e mirë për një diplomat me përvojë”, përcjell “Bota Sot” e dt. 07.06.2024.

Sa i përket Evropës, e cila kohë më parë i pat vënë sanksione Kosovës, kinse për veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara me faktorin ndërkombëtar, ma përkujtoi fabulën, kur ujku nga lart e kërcënonte qengjin që ishte poshtë rrjedhës së lumit, se po ia turbullonte ujin !

Nga ky këndvështrim mund të thuhet se edhe Kosova nga poshtë, “po ia turbullon ujin Serbisë”, atje lart rrjedhës së lumit !

Në vend se Evropa t’ia vejë sanksionet Serbisë për sulmin terrorist në “Banjska”, respektivisht në “Banjë” të Zveçanit, ajo jo vetëm se heshti, por “as që ia vuri veshin” kërkesës së Qeverisë Kurti për ndëshkimin e Serbisë dhe heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës.

Të gjithëve na është e qartë, se shumica e politikanëve serbë dhe Aleksandar Vuçiq dëshirojnë që t’i shohin shqiptarët të përçarë, me qëllim që sa më lehtë t’i arrijnë synimet e tyre ekspansioniste.
Pos kësaj, tani dihet botërisht se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk e ka hallin për serbët e Kosovës, por përmes pretendimit të autonomisë territoriale, po tenton t’i gllabërojë tokat me pasuritë e shumta nëntokësore dhe mbitokësore që i ka veriu i vendit tonë.

Për ta ruajtur shtetin dhe kombin në të dy anët e Drinit dhe më gjerë, duhet ta kultivojmë dhe ruajmë sa më shumë miqësinë me SHBA përmes lobimeve të pandërprera.

Si përfundim të këtij shkrimi mund të them: Për të qenë faktor i rëndësishëm në regjion, mbi të gjitha, politikanët e të gjitha trojeve shqiptare, “o tash o kurrë” duhet të vetëdijesohen, sepse vetëm të bashkuar, shqiptarët do të respektohen e çmohen edhe nga shtetet përreth dhe përtej.


Send this to a friend