“Këndoma kangën sa t’jem gjallë
Kur të vdes mos t’qofsha falë…”
(popullore)
Cikël poezish kushtuar Gjok Becit
duke menduar të telefonoj ty
(shkruar për mikut tim Gjok Beci në të gjallë të tij pa ja lexuar asnjëherë)
Më ka marrë frika
të formoj numrin tënd të telefonit
ti përditë e bëhesh më i sëmurë
e gjithnjë më zë frika se mos je nisur për diku
dhe vetëm pushon rrugës së gjatë,
sa për t’u mbushur me frymë…
Asgjë nuk ke tënden
ato gjëra të vlera rritur me dashuri e kujdes nëne
kanë fluturuar e janë bërë këngë
e pak e dinë se je djepi, ku
u përkundën e u bënë të çmueshme
për të udhëtuar përjetësisht kështu
Çdo ditë bëhesh më i dobët
duart e tuaja të holla , sytë e tu plot dritë
ku digjet dashuria për Valmorin e largët
ku tani shkon rrallë e më rrallë, e malli
(e çmallesh nëpër ëndrra me ato bukuri)
të djeg ,e bën shpirtin tënd të ndizet
me një dritë të bardhë,
si lulezonjat e livadheve alpine
Gjithnjë kam frikë ta formoj numrin e telefonit tënd
kam frikë se një ditë prej ditësh
do të dëgjoj sinjalin pa përgjigje
Më dridhet zemra,
kur telefonit tënd i bie
të fshehtat e Atij
Së pari Ai që na krijoi na mëson të jetojmë
të duam, të pasurohemi me dashurinë e të tjerëve
na bën të lumtur dhe na mëson të qeshim e pastaj na bën të derdhim lotët,
prej dhimbjes, humbjeve të zakonshme
aq më shumë prej atyre të jashtëzakonshmeve
në bën të mësohemi prej ikjes të miqve të dashur
duke jetuar të trishtuar mungesën e tyre,
jeta jonë e bota jonë bëhet çdo ditë e më e vogël
Fshehurazi i zgjedh Ai ata miq të shtrenjtë,
Për të cilët na djeg malli kur nuk janë më pranë nesh,
kjo është një kambanë tingëlluese që bie, për ata që kanë veshë
pastaj ,… Pastaj ne jetojmë lodhemi, lodhemi aq sa
aq shumë e ndjejmë dhe thuajse për atë çlodhje të paprovuar
dorëzohemi,
duke bërë shenjën e largimit të papritur
prej atyre që pasi trishtohen prej largimit tonë
të njëjtin çast kanë për të prekur,… pa u përgatitur …
alarme të rreme
(Kujtimit të mikut tim poetit Gjok Beci)
Shtrirë është ai dhe frymë merr me zor
duart e verdha pa gjuhë tani janë, me pak jetë
kokën e lëviz ngadalë ndërsa buzët kanë mbet jetime, pa fjalë
prapë ka shpresë e dorën e shtrëngon ashtu fort
sikur më thua : ”mos më lini vetëm…bëni diçka e të mbetem në këtë botë”…
por ah koha shkon si një dhelpër
e çdo ditë na afron pamje tjetër
me ditë, me muaj, në minuta e sekonda
do të të dorëzojmë …
…”A thua do të jesh me ne kur të hapet sipari i mëngjesit të nesërm”?
dita vidhet heshturazi e më shikon me sy dinakë prej dhelpre
Nuk e besova, kur më thanë se ishe sëmurë
mezi lëvizje e prapë jepje shenja
se të pëlqente kjo botë,
se të pëlqente jeta…
Por unë gjithnjë dyshoj, ti nuk do të ikësh nga kjo botë
ti shkon deri diku pastaj vjen i penduar
jeton me ne sërish e shkruan vargje për jetën
e cila të ra fort me pëllëmbën e shtrënguar,
duke të dënuar ashpër të jetosh mes dhembjesh
në përpjekjen prej perëndie për të jetuar e shkruar ëndrrën…
Unë dyshoj gjithnjë, jam i bindur do të ngrihesh edhe njëherë
kur të tregoj gjëra të tmerrshme ndodhur tashmë, që s’i ke dëgjuar kaherë:…
…E kanë prerë Valmorin e lisat një nga një janë të rrëzue,
pylli i pishave asht djegë e gjilpërat jeshile janë shfarue,
bari e myshku janë tha e krojet janë shterue,
dhitë e egra janë zhdukë e kanë marrë arratinë vendeve të paditura,
ka shkri krejt akulli në shpellën e Fatmirave,
nuk ka ma lulezoja të bardha dhe zambakët kanë dalë fare,
dielli nuk nxeh ma mbi Valmor e hana nuk del mbi bjeshkën e madhe,
zogj nuk ka askund e fëllanxat janë harrue,
çiftelitë janë thye krejt e këngëtarët krejt janë si qyqet mbetë pa pyje,
fjalët janë harrue e s’ ka mbetë asnjë këngë në krye….
nusja e Kamber Loshit pa shkue tek dhandrri asht kthye,
Mic Sokoli don me u ngrit me e kapë topin e nuk di, si me u ngritë,
Selam Labi e harroi brucën e leshtë e mbeti para topit krejt habitë,
vera nuk vjen kur vajza ta kthen shpinën,
dashuria humbi dhe stina asht veç dimër…
Krejt këto i thashë e ti… lujte kryet ngadalë për çudi
nuk u ngrite dot… kjo është e pamundur për ty
“O Zot i madh”!, thashë me vete si erdhi kështu dita
ti ishe nisë me ikë përderisa nuk të ngritën në këmbë këto të gjitha,
që unë i sajova që ti të brofje e ta lije sëmundjen nëpër tesha,
por nuk por ngrihesh dot e dita më sheh me sytë e pabesë krejt si dhelpra
Je sëmurë rëndë o miku im derisa akoma rri shtrirë
e nuk u ngrite ta shpëtosh Valmorin tënd ,
kjo nuk është shenjë e mirë
e besoj,…tash je sëmurë… është hera e parë që më tremb
Kam shpresë se do jetosh përsëri e besoj do të vijë ky çast,
të pret poezia e pashkruar akoma dhe kënga që do të vijë më pas
një libër prej teje e duam patjetër ndaj harroje sëmundjen e ngreu
këngë të tjera më të bukura pret prej teje Atdheu
11 .2.2014
duke ju kërkuar ndjesë miqve
( Gjok Becit që nuk është më)
Ju kërkojmë ndjesë që e lamë të shkonte
por bëmë të pamundurën…
ju betohem se nuk ishte gjë në dorën tonë ta ndalnim
nuk ishte aspak në dorën tonë
ajo që ndodhi nuk mund të jemi ne në faj
gjithsesi nuk mund të jemi fajtor
Gjithë këto ditë ishim pranë Tij
duke ja puthur sytë, duart duke i thirrur e lutur paprerë
duke e kujtuar të shërohet, të zgjohet
ta lërë sëmundjen vetëm por…
Ishte i lodhur
nga kjo botë dhe donte të shkonte
mezi i hapte sytë dhe duart mezi i lëvizte ashtu
në të shumtën e kohës sytë i mbante mbyllur
tamam, sikur dikush e gënjente me në muzikë të ëmbël
të atij momenti të pakthyeshëm,
kur largimi nga kjo jetë ndodh, si në një ëndërr
E lutem të gjithë
fëmijët miqtë, njerëzit e afërm
rri dhe pak i thamë,
por Ai qeshte lehtë sikur nuk donte të na dëgjonte
në lutjet tona ne ishim të pafat
kishte zgjedhur të shkonte
Dhe iku…
na la vetëm
ne që aq shume e çmonim dhe e deshëm,
Mbrëmë ishte vetëm atje mes mijërave që nuk janë më
këngët e reja i la pa filluar,
ndërsa të vjetrat u spërkatën me argjendin
e shpirtit të tij, mbushur
me zambakët e bardhë e të kuq të vëndlindjes
e cila dje
tek e përcolli ashtu të pa frymë,
u dridh prej dhimbjes…
pamundësia
Mund të bëjmë shumë gjëra për atë
p.sh: të mos e harrojmë emrin,
përmendësh t’ja mësojmë vargjet
t’ja mësojmë përmendësh çastet,
kur u ndodh keq dhe ishte sëmurë,
kur lëngonte në padije dhe zgjohej bafas e balli i digjej furrë
Ta kujtojmë përditë,
kur pijmë kafe të cilën së voni ishte i dënuar të mos e pinte
por cigaren ah cigaren dot nuk e linte
ajo dalëngadalë ja kafshoi zemrën e tij të sëmurë
Gjithçka ne mund të bëjmë për atë,
veçse një gjë jemi të pamundur
nuk e bëjmë dot të ngjallet sërish
ai nuk do të marrë frymë më
kurrë…
Komentet