HALIL RAMA / SAKIP CAMI- Fillimi i viteve ’70-të të shekullit të kaluar njohu zhvillime dramatike në gjirin kupolës udhëheqëse të asaj periudhe, kur diktatori shpikte njëri pas tjetrit të ashtuquajturit “grupe armiqësore”. Në këtë kuadër, nisi dhe u realizua edhe fshesa e hekurt në ushtri.
Njëri nga drejtuesit e lartë ushtarakë, gjenerallejtënant Rrahman Parllaku – Nderi i Kombit (ish zvëvendës ministër i Mbrojtjes dhe zëvendës Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë), që u dënua dhe vuajti 17 vite në burgun famëkeq të Burrelit, (ndërkohë që Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako u pushkatuan) pas ’90-tës, u bë iniciues i zbardhjes të së vërtetës në Gjykatën më të lartë të kohës. Ai lë si tesmanet falsitetin e gjyqit politik dhe mungesën e provave të fajësisë së këtyre gjeneralëve, të vërtetuar me Vendimin e Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Shqipërisë Nr.119 datë 20.07.1994 që shpall pafajësi dhe hedh poshtë akuzat edhe të Kodit të atëhershëm Penal. Parllaku ka lënë të shkruara kujtimet e tij, për të dëshmuar makabritetin e udhëheqjes komuniste, disa prej të cilave iu përkasin të famshmeve “teza dhe antiteza të Mbrojtjes” që i hëngrën kokën “grupit puçist”.
DYSHIMET E HOXHËS TEK MEHMETI
Koha vërtetoi se kjo shoqëri mes këtyre dy figurave kryesore të partisë dhe shtetit , pra e dyshes Shehu – Balluku, e trembte E.Hoxhën që rrezikun e karrikes së tij e ka kërkuar gjithmonë te njerëzit më të afërt. Dyshimet kryesore i kishte tek M.Shehu, pasi e njihte ndikimin e tij në ushtri.
Lidhja e ngushtë e M. Shehut me B. Ballukun, Ministër i Mbrojtjes, ia përforconin dyshimet, prandaj krijoi e nxiti përçarjen mes tyre, deri sa gjeti edhe “shkaqet” për t’i groposur njëri pas tjetrit, por më e keqja ishte se bashkë me ta groposi edhe gjithë lidershipin e Ushtrisë Shqiptare.
Tensionimi i marrëdhënieve mes Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes e rëndonte gjendjen e ushtrisë, pasi Kryeministri ishte zëri kryesor në Këshillin e Mbrojtjes ku zgjidheshin problemet kryesore të Forcave të Armatosura.
Ministri i Mbrojtjes e përjetoi me dhimbje gjendjen e krijuar dhe këtë e pohoi edhe E.Hoxha, kur, gjatë dënimit të Ballukut deklaroi se ai i kishte kërkuar të largohej nga detyra për arsye shëndetsore, por ai nuk ia kishte aprovuar. Me sa kuptohet, që atëherë e kishte vendosur ta lironte e më vonë ta eliminonte fizikisht.
Ushtria përfundimisht po shkonte drejt shkatërrimit. Po shpërndaheshin pika hapje në të gjitha fshatrat e vendit, po I ngarkoheshin detyra që nuk kishin asnjë lidhje me objektivat e saj. Ndërtoheshin kazerma për strehim, kudo ku ajo shkonte, pa u lëvruar fondet e duhura për to, pasi duhej zbatuar parrulla: “Çdo gjë ta bëjmë me forcat tona”.
EKLIPSIMI I KOMANDANTËVE
Parllaku tregon: Ne mendonim se duke i ngritur këto probleme që kishin të bënin me forcimin e mbrojtjes së vendit, Ministria dhe Këshilli i Mbrojtjes do të na mirëkuptonin e do të na lehtësonin nga punimet e shërbimet që dëmtonin përgatitjen e gatishmërinë luftarake, por në fakt po ndodhte e kundërta. Kërkesat tona po shikoheshin me dyshim, po përgjoheshin nga Sigurimi i Shtetit dhe mendimet tona po vlerësoheshin si kundërvënie ndaj vendimeve të partisë dhe ideve të Enver Hoxhës, prandaj Hoxha vendosi që, në kuadër të të ashtuquajturave reforma që shpalli Byroja Politike e Partisë në 24 dhjetor 1965 dhe në Letrën e Hapur të Komitetit Qendror të Partisë në 24 mars 1966, drejtimin e ushtrisë ta marrë në dorë Partia. Këto vendime të quajtura reforma goditën direkt principet mbi të cilat organizohej e vepronte ushtria. Komandantëve iu hoq e drejta për të komanduar e drejtuar sipas zbatimit të rregulloreve ushtarake të mbështetura në norma ligjore që e veçojnë ushtrinë, në dallim me strukturat e tjera shtetërore e shoqërore, si një organizëm të rregullt dhe me disiplinë, ku urdhëri i komandantit ishte ligj për vartësit. Urdhëri I sanksionuar me ligj i jepte komandantit të drejtën të çonte në luftë mijëra e miliona njerëz të gatshëm për sakrificën sublime në mbrojtje të atdheut. Vendimet e partisë ua hoqën komandantëve, të të gjitha rangjeve, të drejtën për të komanduar të vetëm. Për t’i zhveshur komandantët nga këto të drejta, u hoqën edhe gradat ushtarake që përcaktonin pozitën e hierarkinë ushtarake, që bënin vartësin në gradë t’i bindej superiorit pa e ditur funksionin e tij, pasi grada jepej bazuar në kulturën, përgatitjen profesionale dhe aftësitë e treguara në kryerjen e detyrave. Shkallët e karrierës ushtarake ngjiteshin jo vetëm nga shkolla e kryer, por edhe nga nivelet e komandimit. Nuk mund të komandosh regjiment, pa komanduar batalion apo të komandosh divizion pa komanduar regjiment, e kështu me radhë drejt njësive më të larta. Këto rregulla dhe kjo eksperiencë tepër e nevojshme për të drejtuar jetë njerëzish u shkelën në ushtrinë tonë, pasi urdhëri i komandantit nuk kishte më vlerë pa firmën e komisarit, i cili vinte nga jeta civile me një shkollë ose kurs partie. Në bazë të vendimeve të partisë duhej kudo firma e komisarit.
Në këto kushte po ktheheshim prapa, te ushtria e dikurshme partizane. Ushtrinë po e çonim në fshat dhe duhej t’i përshtateshim gjendjes së fshatit. Fillimisht, në detyrat e komisarëve të njësive të mëdha u emëruan disa nga ish-komandantët e këtyre njësive, kuadro me përgatitje e përvojë drejtimi. Për mendimin tim, kjo u bë nga udhëheqja e partisë për t’i dhënë funksionit të komisarit vlerë dhe autoritet në masë dhe për të na mikluar me idenë se, edhe tani që do të drejtojë partia, përsëri në krye do të jenë ushtarakët e mirëfi lltë. Nga ana tjetër, ushtarakët e vjetër komandues ishin më të pranueshëm në zbatimin e “reformave” nga komandat dhe efektivat vartëse. Gjithashtu, ata ishin krijuesit e ushtrisë dhe po e drejtonin atë prej njëzetë vitesh, dhe këto fakte nuk i anashkaloi udhëheqja e partisë kur i zgjodhi si komisarë, megjithëse ata nuk mund të shkëputeshin nga komandimi unik dhe drejtimi i ushtrisë sipas rregulloreve. Me organizimin e ri, Parllaku u emërua Komisar i Forcave Ushtarako – Detare, dhe më pas po me këtë detyrë në Komandën e Korpusit të Tiranës, me komandant shokun e tij të ngushtë Vaskë Gjinon. Shkatërrimi i gjithçkaje erdhi me formimin e komiteteve të partisë në të gjitha komandat, regjiment e lart dhe në byrotë e organizatave të partisë në batalion, grup e poshtë.
HARTIMI I TEZAVE TË MBROJTJES NGA SHEHU
Në mbështetje të “reformave në ushtri”, Mehmet Shehu formuloi projekt-tezat e Këshillit të Mbrojtjes.
Projekt-tezat u përgatitën nga Kryeministri, që kishte qenë komandant i njësive më të mëdha të Ushtrisë Nacionalçlirimtare në luftë dhe kishte kulturë e eksperiencë ushtarake. Puna e tij u vlerësua shumë nga Komandanti i Përgjithshëm Enver Hoxha, që në të njëjtën kohë kritikoi Ministrin e Mbrojtjes kur tha: “Keni vite që nuk mundët të përgatisni një material të tillë, kurse shoku Mehmet Shehu brenda tre muajve na dha një vepër shkencore, projekt-tezat që do t’i vlejnë përgatitjes së forcave të armatosura”
Megjithë kritikat e Enver Hoxhës drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, projekt-tezat u pritën me entusiazëm e u vlerësuan lart nga Shtabi i Përgjithshëm, sikur kritikat të mos i adresoheshin Shtabit të Përgjithshëm, që ishte përgjegjës direkt për përpunimin e zhvillimin e Artit Ushtarak në Forcat e Armatosura. U la të kuptohej se sfida ishte personale dhe se Shehu po i kthente Ballukut sfidën që ai i kishte bërë, për hapjen e tokave të reja.
Edhe kuadrot e larta të ushtrisë i pritën fillimisht mirë projekt-tezat, me mendimin se tani do të kishin një material bazë mbi të cilin do të zhvillohej ushtria dhe mendimi ushtarak. Shpresën për zhvillimin e mendimit ushtarak e shkencor ua ngjalli letra përcjellëse e projekt-tezave, që u dërgohej komandave të njësive dhe që ishte e firmosur nga Enver Hoxha me cilësinë e Sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë dhe Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Në shkresën përcjellëse thuhej: “Po ju dërgojmë këto projekt-teza të Këshillit të Mbrojtjes, t’i studioni, të thelloheni në to, të bëni vërejtje dhe propozime për korrigjime, që sipas ndryshimeve e plotësimeve tuaja, projekt-tezat të bëhen teza.”
Në letrën përcjellëse të projekt-tezave, nga Enveri lihej hapur vazhdimësia e mërive mes Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, pasi kërkohej nga Ministria e Mbrojtjes dhe kuadrot kryesore të ushtrisë, të bëheshin vërejtje dhe propozime për ndryshime e plotësime të projekt-tezave të përgatitura nga Kryeministri. Pra, përsëri po vihej Ministri i Mbrojtjes kundër Kryeministrit. Në të vërtetë, gjatë studimit të projekt-tezave, në përmbajtjen e tyre, ushtarakët nuk gjetën atë që prisnin. Në to vazhdonte mbështetja e idesë aventureske të Hoxhës: “Luftë kundër të gjithëve edhe kundër dy superfuqive ushtarake NATO-s e Traktatit të Varshavës të marra së bashku.”. Projekttezat nuk kishin një bosht të qartë. Në to shkruhej për luftën pozicionale aktive siç e kishin planizuar për të vepruar po të kërkohej mbrojtja e vendit.
RAPORTI QË NUK I PËLQEU UDHËHEQJES
Pas një viti pune në drejtim të përgatitjes luftarake, bënë inspektimin dhe vlerësimin e rezultateve të arritura në procesin stërvitor për të gjitha njësitë dhe rezultatet nuk ishin të kënaqshme. Binte në sy fakti që rezervistët që kishin kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak kur ushtria ishte në kazerma, kishin rezultate më të mira në të gjitha lëndët e përgatitjes luftarake, pasi gjatë shërbimit 2-3-vjeçar stërvitja e tyre kishte qenë intensive dhe shprehitë e fituara i kishin rezistuar kohës. Në raportin e përgatitur pas inspektimit, u vu në dukje rënia e cilësisë së përgatitjes luftarake dhe dobësimi i rregullit e disiplinës që cënonte gatishmërinë luftarake. Si shkak kryesor u theksua shpërndarja e efektivit në shumë pika hapjeje dhe ngarkimi i tyre me shumë punime e shërbime që nuk iu linin kohë për stërvitje.
Raporti u diskutua në udhëheqje dhe në Kolegjiumin e Ministrisë dhe për të nuk pati ndonjë vërejtje të veçantë.
Parllaku i propozoi Ministrit të Mbrojtjes dhe Shefi t të Shtabit të Përgjithshëm, para analizës vjetore me kuadrot e ushtrisë, që një kopje të këtij raporti t’ia dërgonin Këshillit të Mbrojtjes me shpresë që gjatë analizës, të ishte i pranishëm Kryeministri për të dëgjuar mendimet e tyre dhe të komandantëve të njësive, mbi dëmet që po i sillte ushtrisë shpërndarja, punimet në bujqësi, në ndërtim e në shërbime të tjera, me qëllim që të binin dakord me ta e të ndihmonin në frenimin e këtij fenomeni. Pas dy-tre ditësh, Parllakun e telefonoi Kryeministri, i cili nuk kishte gjetur në zyrë B. Ballukun e P. Dumen dhe pasi u informua nga Parllaku se çfarë kërkonte konkretisht, e pyeti për inspektimin. Parllaku e vuri në dijeni për rezultatet jo të mira, për analizën vjetore, për raportin që kishin përgatitur dhe se mund t’i dërgonte një kopje. Të nesërmen, me anë të një telefonate, M. Shehu i tha se e kishte lexuar raportin, ishte njohur me gjendjen jo të mire që kishin gjetur komisionet në njësi e reparte dhe se kopjen e raportit nuk do t’ia kthente, por do t’ia kalonte për dijeni Enver Hoxhës. Informoi Ministrin e Mbrojtjes dhe Shefi n e Shtabit të Përgjithshëm që raportin ia kishte dërguar Kryeministrit, por atyre nuk iu erdhi mirë që ishte vënë në dijeni më pare Kryeministri dhe sidomos Komandanti i Përgjithshëm. Nga ana tjetër, Parllaku ndihej i qetë, pasi kërkonte ta lehtësonte ushtrinë nga punimet e shumta që po ia zinin frymën dhe nuk kishte përse ta fshihte gjendjen e krijuar. Ndërkohë, Drejtori Politik, Hito Çako, kishte dërguar në Komitetin Qendror të Partisë një raport mbi gjendjen moralo– politike të efektivit të ushtrisë dhe mbi disa probleme të stilit dhe të metodës të drejtimit nga udhëheqja e Ministrisë së Mbrojtjes, për të cilat kishin lindur diskutime.
E ASHTUQUAJTURA KONSULTË PËR USHTRINË
Këto raporte u bënë objekt i një konsulte të organizuar nga Komiteti Qendror i Partisë, që u drejtua nga Hysni Kapo, Sekretar i Komitetit Qendror të Partisë. Në konsultë ishin thirrur komandantët e drejtorët kryesorë të llojeve të armëve e shërbimeve në ministri, si edhe komandantët e komisarët e njësive kryesore të ushtrisë. Diskutimet e konsultës u përqëndruan në gjendjen e përgatitjes luftarake të efektivave e të kuadrit ofi cer, si edhe të problemeve të tjera të jetës dhe veprimtarisë së trupave. Në konsultë mungonte Ministri i Mbrojtjes, por shumica e kuadrove të ushtrisë radhitën arsyet e uljes së cilësisë në përgatitjen ushtarake, duke theksuar se ofi cerët në vend që të merren me stërvitje, u zihet koha me drejtimin e punimeve operative ekonomike, se jetojnë larg familjeve dhe u mungojnë kushtet për jetesë normale, studim e përgatitje. Hysni Kapos nuk i pëlqyen diskutimet që e vinin theksin te arsyet objektive të rënies së nivelit të përgatitjes luftarake. Në fjalën e tij, ai tha se vështirësitë me të cilat përballet ushtria pas “reformave revolucionarizuese” dihen, por duhet të kapërcehen deri në stabilizimin e reparteve në vendet e reja të dislokimit.
Gjithashtu, ai tha se kishte edhe shumë mungesa subjektive që nuk mund të justifikoheshin me ato objektive, siç ishin ngritur nga Parllaku në raportin “Mbi gjendjen e përgatitjes luftarake”, pas inspektimit vjetor. Për çudinë e të gjithëve, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Dume, aprovoi në një farë mënyre mendimet e H. Kapos, duke theksuar të metat e metodës së drejtimit në Ministrinë e Mbrojtjes, në një kohë që ushtarakët kërkonin të frenohej shpërndatja e mëtejshme e ushtrisë në pika hapjeje dhe lehtësimi nga detyrat e shumta jashtë destinacionit ushtarak që po e shkatërronin atë. Parllaku, mendimet e tij, i kishte shprehur hapur në raport dhe ato u mbështetën nga shumica e pjesëmarrësve në konsultë. Ai diskutoi për mendimet që kërkonin shkurtimin e kohës së përgatitjes të studentëve për oficerë në shkollat ushtarake dhe që mbështeteshin nga Hysni Kapo, në një kohë kur Parllaku kërkonte të zgjateshin edhe një vit studimet e tyre dhe kishte rënë dakord me Ministrinë e Arsimit për të shtuar në programet mësimore edhe disa lëndë universitare, në mënyrë që diploma e shkollave ushtarake të bëhej e barazvlefshme me atë të disa instituteve apo fakulteteve. Qëllimi i Parllakut ishte të ndihmoheshin oficerët, që në rast paaftësie ose të daljes në lirim të parakohshëm, të kishin mundësi, sipas diplomës të përftuar, të punonin në institucionet e tjera. Zëvendësi i Parllakut, gjeneral i kulturuar e oficer karriere me akademi të lartë ushtarake, ishte për shkurtimin e kohës së studimit.
U dëgjuan edhe absurditete si në rastin kur një komisar dha shembullin se si një ushtar që kishte mbaruar shkollën e nënoficerit e komandonte togën më mirë se oficeri. Parllaku u detyrua të sqarojë se studentët ushtarakë janë si të gjithë studentët e tjerë që mbarojnë shkollat e mesme. Në universitete zgjerohen njohuritë kulturore dhe bëhen profilizimet në drejtime të caktuara shkencore, e njëjta gjë vlente edhe për studentët ushtarakë, që profilizoheshin sipas armëve, vazhdonin akademitë ushtarake dhe zhvillonin njohuritë e artit ushtarak, si shkencë e të gjitha shkencave. Oficeri përgatitet të drejtojë jo vetëm togën, por duke bërë karrierë do të përgatitet për të komanduar edhe batalion, brigadë, divizion dhe në bazë të aftësive edhe njësi më të mëdha. Nëse arti ushtarak do të vlerësohej si të gjitha shkencat e tjera, atëherë duhet t’i jepej koha e duhur për studim, si mjekut, inxhinierit, etj. Në sallë pati tension dhe krahasimi i Parllakut nuk i pëlqeu Hysni Kapos, por ai vazhdoi. Diskutimet e oficerëve përqëndroheshin kryesisht te përgatitja e gatishmëria luftarake, jo te mbjellja e patateve apo te tufat e bagëtive, pasi përgatitja për mbrojtjen e vendit ishte shqetësimi kryesor.
ANALIZA NË BYRONË POLITIKE
Pas kësaj konsulte, u bë mbledhja e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë, ku u analizua gjendja në ushtri sipas përfundimeve të konsultës dhe raporteve të dërguara nga MM. Në mbledhje ishte i ftuar dhe Rrahman Parllaku.
Diskutuan të gjithë anëtarët e Byrosë Politike të KQ të PPSH, të cilët u përqëndruan te raporti i Drejtorisë Politike, që ngrinte probleme të stilit e të metodës të drejtimit në ushtri, gjithmonë duke u spostuar nga problemi kryesor që ishte përgatitja e gatishmërisë luftarake të ushtrisë dhe kritikuan B. Ballukun e P. Dumen, si drejtuesit kryesorë të ministrisë. Parllaku kritikohej, pasi në raportin mbi gjendjen e përgatitjes e të gatishmërisë luftarake, të metat e dobësitë e konstatuara i kishte justifikuar me shkaqe objektive dhe jo me të meta të drejtimit, që kishin dalë si të meta kryesore gjatë analizës së zhvilluar. Gjithashtu kritikohej për pikëpamje jo të drejta në lidhje me politikën për përgatitjen e oficerëve. Kritikat iu adresuan direkt nga Enver Hoxha, gjatë konkluzioneve të tij. Parllaku bëri një ndërhyrje gjatë fjalës së tij, që u cilësua pa takt nga të pranishmit, pasi nuk kishte ndodhur ndonjëherë që të ndërpritej fjala e E. Hoxhës, por në atë moment ndërhyri Mehmet Shehu, i cili i dha të drejtë, pasi stërvitja donte shumë dije dhe energji. M. Shehu tregoi se në fund të një stërvitjeje të zhvilluar në një repart të Vlorës, komandantët e togave e të kompanive i kishin patur rrobat sikur sapo kishin dalë nga uji. Ndërhyrja e tij e lehtësoi disi Parllakun.
Nga kjo analizë, shumë ushtarakë dolën me vërejtje. Shpërndarja e mëtejshme e ushtrisë vazhdoi. Detyrat në punime bujqësore, në ndërtime e në fortifikime u shtuan. Kjo lloj taktike tashmë po shtonte edhe efektva për shërbimin roje. Koha për stërvitje u reduktua në maksimum. Gatishmëria luftarake e fuqia mbrojtëse e vendit u dëmtuan rëndë. Vendi ishte i ekspozuar para rrezikut për dështimin që mund të sillte katastrofë, pasi tani nuk kishte mbetur më asnjë repart gatishmërie që të priste goditjet e para të armikut, derisa të vihej në gatishmëri ushtria e të bëhej mobilizimi i rezervistëve dhe kompletimi i ushtrisë. Mehmet Shehu, gjatë analizës, të metat e ushtrisë ia ngarkoi kryesisht Beqir Ballukut dhe u përpoq ta largonte atë nga detyra e drejtuesit kryesor të ushtrisë, pasi diheshin marrëdhëniet e tyre të acaruara. Por kjo nuk u arrit dhe në fund të mbledhjes së byrosë, ai propozoi të rishikohej struktura organizative e Ministrisë së Mbrojtjes, për t’iu përshtatur më mirë kushteve të zhvillimit të ushtrisë pas zbatimit të reformave. Propozimi u pranua nga byroja dhe u vu si detyrë të bëhej një studim, që do t’i paraqitej për aprovim Këshillit të Mbrojtjes.
ZHVESHJA NGA KOMPETENCAT
Në bazë të këtij vendimi, në fillim të vitit 1971, Këshilli I Mbrojtjes aprovoi projektin për riorganizimin e Ministrisë së Mbrojtjes, paraqitur nga grupi i punës. Në strukturën e aprovuar u hoqën nga vartësia e Ministrit të Mbrojtjes të gjitha drejtoritë e shërbimeve e llojeve të armëve. Në vartësi direkte të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm kaluan Komanda e Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit, Komanda e Flotës Luftarake–Detare, Komanda e Artilerisë, e Tankeve dhe drejtoritë, e xhenios, e përgatitjes luftarake, e teknikës dhe e autotraktorëve. Në vartësi direkte të ministrit mbeti Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, që tashmë ishte drejtori kryesor i ushtrisë dhe Drejtoria e Prapavijave të Ushtrisë. Për të ndihmuar Shefin e Shtabit të Përgjithshëm në organikë u emëruan dy zv. ministra. Njëri ishte Rrahman Parllaku, që do të kishte në vartësi Drejtorinë Operative, të zbulimit, të organizim–mobilizimit, të ndërlidhjes, të kimisë, si edhe degën e topografisë e të shërbimeve, kurse zëvendësi i dytë do të ishte Mendu Backa, i cili do të kishte në vartësi Drejtorinë e Xhenios, të fortifikimit xhenier, atë teknike, industrinë ushtarake, si dhe të autotraktorëve.
Motivimi i largimit të Ministrit të Mbrojtjes nga drejtimi direkt i komandave dhe drejtorive të armëve u bë gjoja me arsyen se ai ishte shumë i ngarkuar me detyra të larta partie dhe për arsye shëndetësore, por kjo nuk ishte e besueshme për ushtarakët, që e dinin se marrëdhëniet e Shehut me Ballukun nuk ishin të mira. Kështu, duke mos e larguar dot përfundimisht nga detyra, drejtimi efektiv i ushtrisë po i besohej P. Dumes, si një person më i përshtatshëm për të. Edhe në kushte pune shumë të vështira për ushtrinë, kuadri ofi cer po përpiqej me mish e me shpirt për të inkuadruar efektivin që kryente shërbimin aktiv me atë rezervist dhe po bëheshin përpjekje maksimale për të shfrytëzuar kohën në kryerjen e stërvitjeve të gatishmërisë luftarake. Njëkohësisht, punohej ditë e natë për sistemimin e efektivit në vend–dislokimet e reja, nëpër pikat e hapjes. Puna këmbëngulëse e efektivit oficer çoi në arritjen e disa rezultateve në përgatitjen luftarake të vitit 1970–1971, të cilat u paraqitën si suksese të riorganizimit të udhëheqjes së Ministrisë së Mbrojtjes.“Në mbledhje ishte i ftuar dhe Rrahman Parllaku.
/Gazeta Panorama


















Komentet