VOAL

VOAL

Debati i 1960 – Koço Tashko: Të dënohet kush foli kundër Hrushovit. Enver Hoxha: Thirri mendjes, je i sëmurë nga koka

June 10, 2020

Komentet

Intervista me Nathalie Clayer: Si u ngrit shteti i brishtë shqiptar në shekullin XX? Historiania franceze rrëzon klishetë mbi sovranitetin…

INTERVISTOI BEN ANDONI


Botimi i fundit i Nathalie Clayer “Një vështrim multifokal i Historisë së Shqipërisë” shënon një cak të lartë të studiueses së njohur, lidhur me shtetformimin tonë në dekadat e para të shekullit XX. Falë një metodologjie interesante dhe konceptesh të ndryshme të përdorura në këtë libër, ne njihemi me periudhat që korrespondojnë me vitet ‘20 dhe ‘30, ku dinamikat e konsolidimit të shtetit të brishtë shqiptar bashkëjetuan me dinamikat e dobësimit të sovranitetit kombëtar. Në këtë intervistë për gazetën “Panorama” kupton se ideologjitë e reja që qarkullonin në Evropë dhe Mesdhe gjatë viteve 1920 dhe 1930 ishin të pranishme edhe në Shqipëri: komunizmi, fashizmi, por edhe modelet kemaliste dhe naziste.

Në vitin 1939, situata kulmoi me aneksimin e vendit nga Italia fashiste. Ndërkohë që edhe aktorë të njohur ndërkombëtarë pranë hapësirës sonë, qoftë në nivel kombëtar dhe madje edhe lokal, sfiduan, konkurruan ose e anashkaluan sovranitetin e riafirmuar të shtetit të ri, siç ishte njohur në vitet 1913-1914. Me gjithë perceptimin dhe klishetë që kemi në përgjithësi për vendin tonë, autorja thekson se: Duhet të kemi kujdes pasi Shqipëria në vitet ’20 nuk ndryshon shumë nga rajone të tjera të Evropës Perëndimore, të tilla si: Italia Jugore, pjesë të Spanjës dhe Portugalisë, madje edhe Franca, të cilat ishin madje të krahasueshme në aspektin ekonomik dhe social. Nga ana tjetër, kjo periudhë identifikohet edhe me një karakter të fortë rural, varfëri të përhapur dhe, mbi të gjitha, për një shoqëri që sapo kishte dalë nga pothuajse një dekadë luftërash dhe pushtimesh, me të gjitha kufizimet dhe shkatërrimet që përfshinin ngjarjet, përgjigjet studiuesja në këtë intervistë. Ndër faktorët që e formësuan idenë e shtetit kombëtar shqiptar, sipas Clayer, dallohen dinamikat që rrjedhin nga periudhat e mëparshme, “veçanërisht që nga fundi i epokës osmane; prandaj këta janë faktorë diakronikë”, shprehet autorja në këtë botim të ri të ‘Përpjekjes’.

Le ta fillojmë nga sqarimi i metodologjisë dhe i disa koncepteve që ju përdorni në libër. Nëntitulli i librit tuaj titulluar “Një vështrim multifokal i Historisë së Shqipërisë” është “Me, përtej dhe nën shtetin”. Nga ana tjetër ju përdorni konceptet “temporalitet”, “hapësirë” dhe “trajektore”. Cili është qëllimi i kësaj qasje metodologjike dhe përdorimit të këtyre koncepteve?

Kur diskutohet formimi i shtetit, fokusi shpesh është te institucionet, themelimi i tyre, evolucioni i tyre dhe, sigurisht, te jeta politike. E gjithë kjo shihet kryesisht nga qendra, domethënë nga kryeqyteti dhe, shpesh konsiderohet nga një pikënisje që korrespondon me ndryshimin e regjimit. Kjo lloj qasjeje është sigurisht interesante, por nuk ndriçon si duhet shumë gjëra, pasi tenton t’i konsiderojë shtetin dhe institucionet shtetërore si entitete monolitike, të përcaktuara nga tekste ose vendime, dhe, mbi të gjitha, duke e bërë nivelin shtetëror dhe kombëtar nivelin parësor të analizës. Në realitet, formimi i shtetit, zbatimi i politikave të tij, kundërshtimi/ mospranimi i këtyre politikave, ose dhe anashkalimi i tyre, përfshijnë aktorë të shumtë, pavarësisht nëse punojnë për shtetin apo jo, dhe pavarësisht nëse jetojnë në vend apo jo. Për të kuptuar këto procese, është e rëndësishme t’i shqyrtojmë ato në nivel kombëtar, por edhe në nivel lokal nga njëra anë, dhe në nivel mbikombëtar nga ana tjetër. Kjo nënkupton zhvendosjen e fokusit tonë, si të thuash, dhe ndjekjen e procesit të përgjithshëm, si në një lëvizje të kameras së operatorit kur xhiron pamjet e një filmi, duke u afruar ose duke u larguar më shumë për të parë aspekte që zakonisht nuk janë të dukshme. E përdor këtë metaforë për të justifikuar renditjen e kapitujve në libër, të cilët së pari shqyrtojnë përkohshmërinë e mobilizimeve dhe politikave publike, pastaj çështjen e hapësirës siç kuptohet në lidhje me pohimin e sovranitetit shtetëror dhe së fundmi trajektoret individuale ose familjare. Sepse, për shembull, përmes trajektoreve të individëve mund të shohim se si shteti i ri është një hapësirë kuptimi, qarkullimi, kufizimesh dhe mundësish.

A ishin të mjaftueshme vitet ‘20 që shoqëria shumë e prapambetur shqiptare të formësonte si duhej sovranitetin e shtetit të saj?

Së pari, nuk do ta përdor termin ‘i prapambetur’. Në vitet ‘20, rajone të tjera të Evropës Perëndimore, si Italia Jugore, pjesë të Spanjës dhe Portugalisë, madje edhe Franca, ishin të krahasueshme në aspektin ekonomik dhe social. Mund të flitet për një karakter të fortë rural, varfëri të përhapur dhe, mbi të gjitha, për një shoqëri që sapo kishte dalë nga pothuajse një dekadë luftërash dhe pushtimesh, me të gjitha kufizimet dhe shkatërrimet që përfshinin. Në këtë situatë, aktorë të caktuar në nivel ndërkombëtar (Italia, Greqia, Jugosllavia), por edhe në nivel kombëtar dhe madje edhe lokal, sfiduan, konkurruan ose anashkaluan sovranitetin e riafirmuar të shtetit të ri, siç ishte njohur në vitet 1913-1914. Prandaj, ishte një sovranitet i brishtë, ndonjëherë duke marrë formën e një sistemi të shtresuar, ku disa autoritete ushtronin pushtetin e tyre së bashku me atë të shtetit shqiptar, siç ishte rasti gjatë Perandorisë Osmane, kur për shembull kur autoritetet konsullore të huaja ose autoritetet fetare kishin prerogativa në lidhje me të drejtën tregtare, të drejtën familjare etj.. Për më tepër, në vitet ‘20 dhe ‘30, dinamikat e konsolidimit bashkëjetuan me dinamikat e dobësimit të sovranitetit. Në vitin 1939, e para mbizotëroi me aneksimin e vendit nga Italia fashiste.

Gjatë periudhës 1920-1940, nacionalizmi shqiptar iu përkushtua ndërtimit të shtetit dhe mbijetesës, ndërkohë që përballet me paragjykime dhe përçarje të brendshme politike të mëdha. A mendoni se nga këtu nis gjeneza e problematikave që iu mveshën ndër vite formacioneve politike shqiptare?

Kjo periudhë është padyshim një periudhë themelore për shtetin shqiptar; sigurisht, duhet të marrim në konsideratë edhe periudhën 1913-1914, gjatë së cilës një shtet embrional mori formë nën autoritetin e një Komisioni Ndërkombëtar të Kontrollit, dhe madje, në njëfarë mënyre, edhe periudhën e Luftës së Parë Botërore, gjatë së cilës u krijuan institucione në zonat e ndryshme të pushtimit. Por është nga viti 1920 e tutje që shteti shqiptar mori formë dhe u organizua brenda territorit që njohim sot. Nëse mendojmë në terma të hapësirës shoqërore dhe politike, është në këtë pikë që u krijuan dinamikat e pushtetit dhe u ndërtuan luftërat për pushtet në nivele të ndryshme (lokal, rajonal, kombëtar dhe mbikombëtar) në një bashkëveprim midis këtyre niveleve të ndryshme, në lidhje me këtë territor. Këto balanca dhe tensione sigurisht që rrjedhin nga dinamikat që ekzistonin para vitit 1920, por është nga kjo pikë që aktorët e integruan këtë horizont kombëtar (edhe nëse e kontestuan atë).

Cilët ishin faktorët që e mbrujtën në këtë periudhë idenë shtetërore-kombëtare të shqiptarëve sipas jush?

Faktorët që e formësuan idenë e shtetit kombëtar shqiptar janë shumë të larmishëm. Ajo që më intereson më shumë në libër janë dinamikat që formësuan vetë formimin e shtetit kombëtar. Midis tyre janë dinamikat që rrjedhin nga periudhat e mëparshme. Shoqëria, ekonomia, marrëdhëniet e pushtetit dhe praktikat administrative janë të gjitha të shenjuara nga transformime, veçanërisht që nga fundi i epokës osmane; prandaj këta janë faktorë diakronikë. Për të marrë një shembull, në një nga kapitujt e parë, unë tregoj se si mobilizimet klandestine ishin shumë të rëndësishme në formimin e shtetit dhe të peizazhit politik në fillim të viteve ‘20, sepse ky lloj mobilizimi ishte zhvilluar në Perandorinë Osmane, dhe veçanërisht në Ballkan, rreth çështjes maqedonase. Në vitet ‘20, shumica e tyre nëpunësve civilë, gjyqtarëve, etj., u trajnuan gjatë epokës osmane, qoftë brenda Perandorisë Osmane apo diku tjetër. Por ekzistojnë edhe dinamika sinkronike, për shkak të qarkullimit të ideve, njerëzve dhe mallrave.

Procesi i miratimit të Kodit Civil që studioj në një nga kapitujt tregon tensionet që rezultojnë midis idesë së miratimit të Kodit Zviceran (sepse ai është miratuar tashmë nga Turqia) dhe idesë së miratimit të Kodit Francez, i cili është më afër Kodit Italian.

A ishte e fortë inercia perandorake osmane ndër shqiptarë dhe si e neutralizuan ndër vite atë pesha e Perandorisë Austro-Hungareze dhe sidomos asaj italiane duke nisur nga fundvitet ’20 deri në pushtim?

Po, siç e përmenda, dinamikat postimperiale ishin shumë të rëndësishme. Ato nuk kufizoheshin vetëm në Perandorinë Osmane, pasi imperializmi austro-hungarez dhe ai italian ishin gjithashtu vendimtar në pohimin e ekzistencës së një kombi shqiptar dhe në krijimin e një shteti shqiptar pas Luftës së Parë Ballkanike. Për shembull, ishte nëpërmjet rrjeteve të krijuara në fillim të shekullit të 20-të që administrata shqiptare i kërkoi një specialisti austriak, Carl Patsch, të ngrinte një muze kombëtar. Kur shqyrtojmë historinë e këtij muzeu dhe të arkeologjisë në përgjithësi, shohim se dinamikat e gjeneruara nga imperializmi i ri italian do të kishin më pas një ndikim më të madh në këtë fushë, si dhe në sferat ekonomike dhe politike.

A mund të themi që një nga paradigmat më të mëdha historike të shqiptarëve mbetet emigracioni?

Po, patjetër, emigracioni është një faktor qendror ne shoqërinë shqiptar ne atë kohë, si edhe para 1920 ose mbas 1939, e deri sot. Natyrisht për çdo periudhën ka karakteristika të ndryshme (rëndësia, drejtime…). Kjo është gjithashtu një arsye pse duhet të marrim në konsideratë dinamikat përtej shtetit.

Si ndërthuren sipas jush procesi i forcimit të idesë shtetërore kombëtare dhe ajo e ideologjive të reja që u futën në vend gjatë viteve ‘20, si ato komuniste, fashiste etj.?

Ideologjitë e reja që qarkullonin në Evropë dhe Mesdhe gjatë viteve 1920 dhe 1930 ishin të pranishme në Shqipëri: komunizmi, fashizmi, por edhe modelet kemaliste dhe naziste. Paradoksalisht, komunizmi e forcoi aparatin shtetëror, pasi udhëheqësve dhe administratorëve politikë u dukej si një rrezik, një kërcënim; këtu mund të marrim si shembull masat që ndërmerren për të rifutur fenë në shkolla, që është ngjashme me atë që ndodhi në Francë, një fakt që nganjëherë harrohet. Për të rinjtë, komunizmi, ndaj të cilit ishin ekspozuar në Shqipëri, Itali, Turqi ose gjetkë, ishte një mjet mobilizimi. Modelet e tjera mund të ishin mjete proteste. Por ato ishin më shpesh modele qeverisjeje, për shembull, në lidhje me idenë e ‘diktaturës’, por edhe të kontrollit të të rinjve.

A ndikoi “Shqiptarizmi shekullar” për të mbyllur ndarjet e thella fetare (myslimane, ortodokse, katolike) dhe ato rajonale/fisnore (veri-jug, gegë-toskë)?

Kujdes! Ndarjet fetare, rajonale ose klanore nuk duhen parë si të fiksuara dhe të përhershme; para periudhës në studim, ato ndërtoheshin me kalimin e kohës përmes marrëdhënieve shoqërore dhe politike; ato mund të jenë shumë të ndryshueshme, prandaj, nuk duhen parë si të ngurta. Për shembull, kishte aleanca midis myslimanëve dhe të krishterëve, edhe pse ekzistonin konflikte mes tyre. Në teori, narrativa mbizotëruese tentonte të zhdukte dallimet e brendshme; por në praktikë, rastet e studiuara në libër tregojnë se, në nivel lokal, zhvillimet varen nga dinamikat e pushtetit midis figurave të ndryshme që ushtronin autoritet. Edhe në nivel kombëtar, shteti laik shqiptar në vitet ‘30 përdori ndërtimin e xhamive për të pohuar territorin e tij kundrejt Greqisë. Për më tepër, transformimi i marrëdhënieve fetare nuk është vetëm për shkak të përhapjes së shqiptarizmit laik; është gjithashtu rezultat i dinamikave që burojnë brenda shoqërisë, siç është përhapja e gjerë transnacionale e rrymave të mendimit që sapo përmendëm.

Pse pati aq luftë ndaj shkollave të huaja në Shqipëri dhe a e shikoni të arsyeshme, vendimin e atëhershëm të autoriteteve shqiptare për mbylljen e tyre?

Lufta kundër shkollave ‘të huaja’ synonte kryesisht shkollat greke, nga njëra anë dhe shkollat italiane, nga ana tjetër. Për disa, qëllimi ishte të kufizohej ‘ndikimi grek’ ose helenizmi, edhe pse disa nga këta aktorë mund t’i dërgonin fëmijët e tyre në shkolla të tilla sepse i konsideronin më cilësore. Një vështrim më i afërt zbulon gjithashtu se jo të gjithë aktorët shtetërorë bien dakord domosdoshmërish për këtë çështje: Ministria e Arsimit shpesh kishte një perspektivë të ndryshme nga Ministria e Brendshme, ose edhe brenda rrethit të ngushtë të Zogut, ku ruajtja e rendit kishte përparësi mbi promovimin e një identiteti laik shqiptar; administratorët vendas gjithashtu e shihnin situatën shumë ndryshe nga ata që ishin përgjegjës në Tiranë. Nga ana tjetër, çështja e marrëdhënieve me vendet fqinje, në këtë rast Greqinë dhe Italinë, si dhe përdorimi i organeve ndërkombëtare, mund të jenë gjithashtu faktorë që shtyjnë drejt një vendosmërie më të madhe ose, anasjelltas, një lloj lirie. Për më tepër, kjo çështje e shkollave të huaja u lidh me atë të shkollave të besimit fetar, veçanërisht shkollave katolike dhe ortodokse të krishtera, dhe në përgjithësi me marrëdhënien midis fesë dhe arsimit. Përmes kësaj çështjeje, shohim masën në të cilën formimi i shtetit dhe zbatimi i politikave të tij negociohen në nivele të ndryshme, nga ai lokal në atë ndërkombëtar, dhe se këto negociata janë shenjuar nga përparime dhe pengesa. Për shembull, ndërkohë që arsimi ishte shtetëzuar në vitin 1933, në gjysmën e dytë të viteve ‘30 dhe pas shqyrtimit që i bëri çështjes Këshilli i Lidhjes së Kombeve dhe vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, ‘shkollat e pakicave’ greke u autorizuan përsëri të vepronin. Po kështu, në sajë të ndërhyrjes italiane, kleri katolik mori të drejtën për të rihapur ‘shkollat e autorizuara’. Prandaj, proceset janë larg të qenit lineare….

Mendoni se Autoritarizmi në rritje i Zogut siguroi stabilitetin dhe institucionet, por privoi liritë demokratike dhe ngjalli frikën dhe besimin e munguar ndaj shtetit?

Në njëfarë mënyre, po; shohim se në vitet ‘30, me vendosjen e një regjimi autoritar, hapësira e manovrimit të aktorëve ishte më e kufizuar dhe sjellja e tyre zbuloi frikë, ose të paktën mosbesim, ndaj regjimit, madje edhe një dëshirë për të provuar ta përmbysnin atë, edhe nëse të tjerët e lavdëronin ‘diktaturën’, të cilën e konsideronin të ndriçuar. Ndër trajektoret që studioj në libër, shohim pikërisht trajektore të tilla kundërshtuese si ajo e Hafiz Abdullah Zëmblakut, një imam që u përpoq të zhvillonte arsimin për vajzat dhe të modernizonte Islamin dhe shoqërinë, por jo në mënyrën që Shteti ose institucionet myslimane dëshironin ta bënin; dhe pavarësisht masave të internimit, ai vazhdoi punën e tij, e cila përfshinte edhe shpërndarjen e librave. Rasti i Nexhmie Zaimit, një vajzë e re nga shtresa e mesme që mbështeste regjimin, hedh dritë gjithashtu mbi kontradiktat e regjimit autoritar modernizues. Gjendja e gruas shqiptare evoluon me vështirësi, madje edhe në ato ambiente ku ato tani mund të studiojnë. Ndërkohë që kanë mundësi të studiojnë, ato ende detyrohen të mbajnë vello ose, të paktën, të përballen me kufizime shumë të forta sociale. Nexhmie Zaimi mundi t’i shpëtojë kësaj vetëm duke arritur të largohet për në Shtetet e Bashkuara, falë rrjetit të saj të të njohurve në shkollën amerikane në Kavajë ku studioi. Duke studiuar trajektoren e familjes Shtëpani nga Shëngjergji, shohim se si riformësohet fraksionizmi rajonal midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të regjimit; por edhe se si, si përmes marrëdhënieve ‘miqësore’, ashtu edhe mekanizmave të rinj racionalizues, kundërshtarët mund të integrohen pjesërisht në shtet, por edhe të integrohen në grupe opozitare jashtë rajonit të tyre të origjinës, të nxitur nga ideologji të reja si komunizmi.

A ju duket se Fraksionizmi i Brendshëm me bejlerët që zotëronin tokat dhe tregtarët që i kundërshtonin, shtuar me prijësit e klaneve e trandën asokohe vendin?

Rasti që shqyrtoj në libër, lidhur me veprimet e një nënprefekti, përkatësisht Tafil Boletini, i cili la pas kujtime, tregon se jo vetëm që çështja e territorit ishte e rëndësishme për administratorët, veçanërisht në zonat kufitare, por edhe se çështja e tokës ishte qendrore në jetën e përditshme në rajone të caktuara. Përveç zonave malore, toka ishte ende kryesisht në pronësi të pronarëve të mëdhenj të tokave, bejlerëve; prandaj administrata duhej të përballej me pushtetin e tyre në nivel lokal dhe rajonal. Në rajone të tjera, disa administratorë përballeshin me figura të tjera të fuqishme. Nuk i kam studiuar trajektoret e tregtarëve, gjë që sigurisht duhet bërë. Megjithatë, nëpërmjet rastit të disa sipërmarrësve italianë dhe vetë Zogut, lidhur me çështjen e shfrytëzimit të lëndës drusore dhe pyjeve, unë tregoj se si interesat private dhe shtetërore mund të jenë thellësisht të ndërthurura.

Megjithëse flasim për nacionalizëm, pse nuk zuri vend, sipas jush, përpjekja e Komitetit të Kosovës, që kërkoi bashkimin me forcë të tokave të banuara nga shqiptarët dhe kundërshtoi fuqimisht politikat e Zogut ndaj Jugosllavisë?

Në këtë punim nuk jam marrë me këtë çështje. Anëtarët e Komitetit të Kosovës u detyruan të largoheshin nga vendi pas kthimit të Zogut nga Jugosllavia në fund të vitit 1924. Më pas, ndoshta paradoksalisht, më duket se ishin ambiciet imperialiste të Italisë që çuan në vendosjen e Kosovës nën sovranitetin e Shqipërisë, së pari teorikisht (me shpalljen e Zogut si ‘Mbret i Shqiptarëve’ dhe jo i Shqipërisë, ose kur një prefekturë u emërua ‘Prefektura e Kosovës’ në verilindje të vendit) dhe më pas praktikisht, në vitin 1941, kur një pjesë e Kosovës dhe e Maqedonisë iu aneksuan mbretërisë. Megjithatë, duhet theksuar se një rrjet kosovarësh ishin të afërt me Zogun dhe i shërbyen shtetit shqiptar në vitet ‘20 dhe ‘30, siç ishin Tafil Boletini, i përmendur më parë dhe Sali Vuçiterni, i cili mbajti disa poste ministrore edhe është përmendur disa here ne librin tim.

Cili është projekti juaj i ardhshëm?

Jam duke punuar për Sami Frashërin. Do të jetë një libër. Jo saktësisht një biografi, por një studim që ndjek tema të ndërlidhura për të kuptuar më mirë kompleksitetin e kësaj figure edhe të shoqërisë osmane ne shekullin 19. Për shembull, marrëdhëniet e tij shoqërore, konceptet e tij për hapësirën, angazhimi i tij, praktikat e tij si përkthimi ose tipografi etj..

/Gazeta Panorama 

“Pasi u lirua nga burgu i Burrelit, ajo mori guximin dhe iu drejtua me një letër Hysni Kapos, ku i shkruante…”- Historia e panjohur e vlonjates së doktoruar në Marsejë, që fshinte rrugët e Tiranës

Portreti i Erifili Bezhanit, në vitet e fëmijërisë sime të hershme, në imazhin e përftuar ashtu, vjedhurazi bisedave të kujdesshme të të mëdhenjve, ishte thuajse i pakapshëm. E rritur dhe e shkolluar fillimisht në Greqi, e më pas në Francë, fotografitë e Erifilit në albumet e familjes, më kishin ofruar imazhin e personazhit magjepsës të tregimeve dhe novelave, treguar nga motra e saj, Evrinomi ne të vegjëlve, mbrëmjeve të gushtit, buzë detit, në lagjen ‘Skelë’, në Vlorë në mes të viteve ‘60-të. Vizioni i kalorëses së shkëlqyer, që rrugën nga lagja ‘Gorricë’, ku banonte gjyshja, deri në ‘Kala’ tek tezja, në Berat, e merrte me galop të shpejtë, shumë ndryshe nga vajzat e tjera të së njëjtës moshë, më afronin zanën e bukur të përrallave. 

Me kalimin e viteve, kur e rritur, fillova të merrja pjesë në bisedat e më të mëdhenjve, portreti i Erifilit nisi të paraqitej ashtu, siç ishte në të vërtetë: plot vitalitet, ëndrra dhe ambicie profesionale, që u thyen në mes papritur, për një shkak shumë të pakuptimtë: kundërvënia e shtetit ndaj koncepteve, përpjekje intelektuale të saj për shoqëri demokratike të vërtetë në Shqipëri.

Me jetën e Erifili Bezhanit lidhen histori të spikatura karakteresh shqiptare, por shumë të dhimbshme dhe tragjike të një familje me prejardhje të hershme intelektuale. Të tilla janë jetët e fëmijëve të Pavllo Bezhanit nga Vlora dhe Amalia Kolea nga Berati. Pavllo ishte bir i familjes së njohur Bezhani, familje e madhe, e pasur, me aktivitet të madh tregtar eksport-import në Vlorë, Greqi, Itali deri në Egjiptin e largët. Bezhanët njihen në historinë e zhvillimit të tregut financiar shqiptar, pasi që nga viti 1850, hapën të parën bankë private në Shqipëri, e njohur fillimisht si “Banka Pandeli & Lefter Bezhani”.

Ndërsa Amalia Kolea ishte vajza e vogël e avokatit nga Berati, Kristo Kolea, përfaqësues i Monopolit francez të duhaneve “La Regie Des Tabac” në perandorinë Otomane në territorin Shqipëri, Greqi, Maqedoni. Amalia Bezhani ka qenë poete, e para vajzë shqiptare, e cila ka botuar poezitë e saj në revistën “Bleta Shqiptare”, botim i komunitetit shqiptar të Misirit në Egjipt, në fund të shekullit XIX-të, kur jetonte me të vëllanë, patriotin Sotir Kolea.

E mbetur e ve shpejt, në vitin 1918, Amalia Bezhani me mençuri të veçantë, jo vetëm që drejtoi dhe zhvilloi biznesin e familjes brenda dhe jashtë vendit, por u kujdes për shkollimin sa më të mirë të tre fëmijëve. Ndërsa vajzat, Erifili dhe Evrinomi studiuan dhe u diplomuan në universitetet e Francës, djali Aleko studioi për Ekonomi në Romë, Itali në mes të viteve ‘30-të. Për të tre ushtrimi i profesionit në vendlindje, bashkë me idealin për të ndryshuar dhe përmirësuar bashkë me jetën, edhe konceptet e vjetra fanatike shqiptare, u ndërprenë në moshën më produktive me ardhjen e PKSH-së në fuqi.

Cila ishte Erifili Bezhani?

Erifili Bezhani lindi në Vlorë në 16.11.1910. Pas mbarimit të shkollës fillore në vendlindje, e ëma e dërgoi për shkollim në Korfuz. Pas mbarimit të shkollës së mesme, shkon në Francë me të motrën, ku studion fillimisht për Letërsi Frenge dhe më pas kryen studimet në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e qytetit Alix-en-Provence, në 1939. Vazhdon me studime të mëtejshme deri sa merr edhe “Licenciee en Droit”. Ushtron dy vjet profesionin e avokates në Marsejë, në vitet 1941-‘42, ku fejohet me një avokat të njohur aristokrat francez.

Kur ishte në kulmin e lumturisë, nga një fatkeqësi e së motrës Evrinomi, e diplomuar edhe kjo si “Profesorë e D’Etudes Francaises” në të njëjtin Universitet, Erifili Bezhani lë pas gjithçka dhe e shoqëron atë për në Shqipëri. Ishte kohë lufte, dimër i vitit 1943, kur dy motrat zbritën në Portin e Vlorës për të mos u larguar më kurrë prej luftës, deri në vdekje. Pas një qëndrimi në qytetin e lindjes, së bashku me nënën, dy motrat Bezhani largohen nga Vlora dhe në vitin 1944 vendosen në Tiranë. Gjenden shumë shpejt në qendër të grupeve me intelektualë të dalluar shqiptarë, shkolluar në vende të ndryshme të Europës. Në vitet e para të çlirimit, me fillimin e pushkatimeve të nacionalistëve, Erifili kupton se ardhja e Partisë Komuniste Shqiptare në krye të vendit, nuk ishte rruga që do të vendoste sistemin pluralist demokratik.

Ajo ishte si shumë intelektualë, që bashkë me shkollimin universitar jashtë atdheut, kishin përvetësuar, për fatin e tyre të keq e tragjik, bashkë me normat e edukimit perëndimor, edhe modelin e shoqërive të vërteta demokratike. “Është një reprezalje e frikshme, jashtë shembullit të vendeve europiane, ndaj duhet ndalur”, – shprehej tek të afërmit e vet, Erifili Bezhani. Ajo aktivizohet në lëvizjen antikomuniste të grupimit “Bashkimi Demokrat”, ku bënin pjesë anëtarë të grupit të Deputetëve, Liberal-demokrateve, social-demokratët, etj.

Miqtë e saj të përhershëm me të cilët shoqërohej, ishin intelektualë të njohur të kohës si Gjergj Kokoshi, Thoma Orogollai, Doktor Isuf Hysenbegasi, Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), Qenan Dibra, Musine Kokalari etj. Veterania e Luftës Nacional-Çlirimtare, Andromaqi Noçka, kujton: “Erifili ishte demokrate në shpirt, ashtu siç duhet të jenë sot politikanët.

Unë vija nga zonat e lira, rreth vitit 1945, kur takova pas shumë vitesh Erifili Bezhanin, ishte me Dhimitër Paskon, u ulëm në një lokal dhe të dy, mbaj mënd që bisedonin për politikë, rreth rrugëve për vendosjen e demokracisë. Jo vetëm në atë rast, por asnjëherë Erifili, nuk më tërhoqi vëmendjen për bindjet e mia politike, sepse dinte të respektonte çdonjëri.

I vetmi faj për të cilin u dënua Erifili, ishte se guxoi të fliste hapur, me zë të lartë vazhdimisht për vendosjen e demokracisë dhe për nevojën e pluralizmit politik në Shqipëri. Kishte një fjalor të pasur që shoqëronte argumentet rreth këtyre ideve. Aty u kapën edhe në dënimin e saj”. Për guximin dhe burrërinë që e karakterizonte Erifilin, ish-i dënuari politik, Dr. Isuf Hysenbegasi, ka lënë këtë kujtim: “Mes viteve 1945-‘46 një përfaqësues anglez bëri një takim me inteligjencën e Tiranës. Midis të tjerave, ai tha: Ne Shqipërinë nuk do ta lëmë në duart e komunistëve.

Në atë moment ndërhyri Erifili Bezhani duke thënë: Shikoni Egjiptin që po ju rrëshqet nga duart, sa për fatin e Shqipërisë, ai është përcaktuar tashmë. ‘Kush jeni ju zonjë’, e pyeti anglezi. ‘Jam një grua shqiptare’, – ju përgjigj Erifili Bezhani”. Në 16 maj 1947, pas arrestimeve të bujshme të “Grupit të Deputetëve”, të “Liberal-demokratëve”, etj., Erifili Bezhani arrestohet dhe nga fundi i vitit, dënohet me 20 vjet heqje lirie nga Gjykata Ushtarake e Tiranës. Dërgohet në burgun famëkeq të Burrelit, duke u rreshtuar në historinë e burgimeve antikomuniste në të katër femrat e para shqiptare antikomuniste, që provuan bashkë me burgimin, edhe shijen e hidhur, torturat çnjerëzore.

Ish – i burgosuri politik, vlonjati Hysni Alimerko, shkruan në kujtimet e tij: “Erifili u dënua pothuajse në të njëjtën kohë me Musine Kokolarin, Shega Këlcyrën dhe Nurie Koculin, bijë e Qazim Koculit. Ishin katër femrat e para që u futën në burgun ferrë të Burrelit. Më vonë erdhën Drita Kosturi dhe Raile Luzi. Të gjitha ishin me karakter të fortë dhe të papërkulura”. Drita Kosturi në kujtimet e saj rreth torturave që hiqnin të burgosurat gra në burgun e Burrelit, përmend qëndresën e Erifili Bezhanit dhe shoqeve të saj: “Kam takuar shumë gra të burgosura me akuza politike, gra që përmbanin brenda vetes virtyte të larta të gruas shqiptare, të ushqyera nga tradita e brezave të tërë.

Gra me karakter të fortë, me shpirt të gjerë demokratik, në të cilat krenaria mbyste dhimbjen për kushtet në të cilat ndodheshin. Janë nga ato gra të cilave lotët u gëlltiteshin nga sytë pa mundur t’u rrëshqisnin faqeve, mes tyre Musine Kokalari, Erifili Bezhani, Frida Sadedini e mjaft të tjera”. Në nëntor, 1951, kur vuante burgimin në Burrel, emri i Erifili Bezhanit përfshihet në listat e amnistisë të Presidiumit të Kuvendit Popullor, falë ndërhyrjes së miqve të vjetër të familjes, si Hysni Kapo, Kadri Hazbiu, por edhe sepse familja e saj kishte mbështetur financiarisht Luftën Nacional-Çlirimtare. Që nga kjo kohë dhe deri në vdekje, nis etapa e dytë e mundimeve të Erifili Bezhanit për mbijetesë, me shumë mundime poshtërime dhe privime.

Privacionet pas burgut

Në vitin 1952, pas shumë ndërhyrje miqsh, hyn në Kolektivin e Avokatëve të Tiranës, ku nis punën si e para femër avokate. Thoma Haxhistasa, një nga avokatët e mbetur gjallë të brezit të vjetër, i diplomuar në Firence, Itali në vitet ‘30-të, djalë teze me Erifili Bezhanin, kujton: “Erifili ishte në ato vite e vetmja avokate femër në punë. Si femër, dallohej për qetësi, burrëri dhe elokuencë të shkëlqyer, ndërsa si profesioniste, ndiqte vijën e ashpër të logjikës juridike në argumentimin e fakteve dhe provave. Falë aftësive intelektuale të lindur dhe të kultivuar me finesë, të forcës së brendshme të veçantë, dinte të bënte mbrojtje të pakundërshtueshme. Brenda një viti në punë, u bë ndër avokatet më të kërkuara në Kolegjin e Avokatëve në Tiranë nga klientët”.

Në atë kohë u shfaqën hapur xhelozitë profesionale tek pjesa më maskiliste e kolegëve burra, që nuk mund ta konkurronin as profesionalisht. Punon vetëm një vit si avokate, pasi e përjashtojnë nga puna me motivacionin; “e pa denjë dhe e pa zonja”. Mban datën 13 tetor 1953 Promemoria, që e para avokate femër, tepër e fyer, por edhe me krenari të veçantë, i drejton Këshillit Mbikëqyrës të Avokatisë, ku me argumente logjikë, kundërshton vendimin për përjashtimin nga puna, duke kërkuar që të dëgjohet mbrojtja e saj: “Unë nuk jam e paaftë! Aftësia dhe zotësia ime provohet prej sukseseve që kam pasur unë në punë, suksese morale dhe materiale.

Kurrë nuk më është tërhequr vërejtja për punën time, për studimin e dosjeve, për përgatitjen e mbrojtjes, për paraqitjen e provave. …Prej punës sime, të gjitha paditë kanë ardhur në preferim nga njerëz të panjohur, të cilët nuk dinë as emrin tim, por vijnë e kërkojnë në Kolektivë ‘avokaten e trashë’…! Përveç punës sime si avokate, kam punuar edhe për Ministrinë, pasi të gjitha përkthimet prej shqipes në frëngjisht, i kam bërë unë jashtë orarit të punës dhe pa asnjë shpërblim. Gjithashtu jashtë orarit të punës, kam bërë edhe përkthime prej gjuhës ruse në shqip, prej nga ka përfituar e gjithë Kolektiva, si p.sh., Kodi Civil Sovjetik, që ka trajtë me të drejtën e trashëgimit. … Unë nuk jam e padenjë!

Përsa i përket moralitetit, mua më njohin shumë dhe të gjithë e dinë se kam kaluar një jetë austere dhe monastike, një jetë të pastër dhe të qetë, kushtuar vetëm studimeve. Fama ime personale nuk ka as njollën më të vogël në këtë pikë. Përsa i përket çështjeve politike, unë vërtetë kam qenë në burg, por në kolektivat e avokatëve të Shqipërisë, janë të shumtë ata që kanë qenë nëpër burgje për faje shumë më të mëdha se faji im, sepse unë me regjimet e së kaluarës nuk kam pasur asnjë lidhje dhe me okupatorët jo vetëm që nuk kam punuar, por i kam luftuar duke ndihmuar me të gjitha fuqitë e mia moralisht dhe materialisht Lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Deri sa pushteti më rehabilitoi duke më kthyer të gjitha të drejtat, edhe të votës, nuk ka asnjë arsye që të më ndalohet e drejta e profesionit. Drejtonjësi i Kolektivës… u kishte thënë disa kolegëve, se unë u përjashtova se nuk kam triskën e Frontit…”!

Erifili Bezhanit nuk j’u dha triska e Frontit, ç’ka e shpallte në fakt “armike të popullit”, por e mbante edhe nën presionin e internimit, apo ri dënimit. Që nga vitit 1953, Erifili Bezhani nuk mundi të punojë më asnjë ditë si avokate, profesion, të cilit i kishte kushtuar studimet, si dhe përvojën 2-vjeçare si avokate në një nga qytetet më të mëdha të Francës, në Marsejë. Atë të drejtë që i dha shteti demokratik Francez, Erifili Bezhanit ja mohoi në vendlindje regjimi komunist.

Përpjekjet për t’u rifutur në Drejtësi, Erifili Bezhani nuk i rreshti deri në fund të jetës së vet. Në familjen Bezhani ruhet edhe një letër e saj e vitit 1956, drejtuar Hysni Kapos, mik i vjetër i familjes, ku i kërkon marrjen e triskave të Frontit për vete, mëmën dhe motrën, si dhe ri futjen në punë si avokate.

Pas përvojës së tmerrshme të burgjeve komuniste, aspak e frikësuar, Erifili Bezhani nuk nguron t’i drejtohet Hysni Kapos me krenari, duke i vënë në dukje të vërtetën e familjes Bezhani për ndihmën materiale për luftën Nacional-Çlirimtare si dhe aftësinë e saj profesionale si avokatja, që nuk humbi asnjë proces gjyqësor gjatë ushtrimit të profesionit:”… Unë dua që ju ta dini çështjen mirë, se nuk vij tek ju si mik i familjes për të kërkuar një favor, por si udhëheqës për t’i kërkuar që të ushtrojë influencën e Tij, me qëllim që të më jepen të drejtat që më takojnë në bazë të ligjeve të pushtetit popullor…”!

Erifili përkthyese

Nevoja për jetesë, kur dyert e drejtësisë ju mbyllën, e futën Erifili Bezhanin në botën e përkthimeve. Falë njohurive të shkëlqyera të disa gjuhëve, si frëngjisht, anglisht, italisht, greqisht dhe rusisht (të cilën e mësoi shkëlqyeshëm gjatë burgut), punon si përkthyese për disa institucione të ndryshme. Lidh kontrata përkthimi me Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, me institucione të tjera shkencore, me Legata të huaja në Tiranë. Botimi “Terminologji e Drejtësisë”, “Metoda e gjuhës shqipe për të huajt”, “Kodi Civili i BRSS”, shumë të tjera që gjenden në Ministrinë e Drejtësisë, “Studime të Akademisë Shkencave të BRSS”, “Punime të Stalinit mbi Linguistikën”; “Historia e teatrit “Balshoi”, “Historia e muzikës ruse”; recensione filmash, artikuj shtypi për Legatën Hungareze; “Kodi penal i RPSH”, Ligje të ndryshme për Legatën e Polonisë; librin “Bota e atomit”, botime në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe në shumë organe të tjera të shtypit të kohës, mbajnë përkthimet e Erifili Bezhanit.

Shumë miq dhe dashamirës, që vlerësonin vlerat dhe mençurinë e saj, i hapën rrugën e kontratave. Por nuk ishte e thënë që të vazhdonte me përkthimet. Pas burgimit të saj, familjen e Erifilit, nënën dhe motrën, organet e pushtetit i larguan nga “Rruga e Elbasanit”, ku jetonin në një vilë dhe i çuan në bodrumet plot lagështirë të një shtëpie të vjetër në Lagjen “1 Maj”, rruga “4 Dëshmorët”, Nr.36 në një dhomë të vetme, ku me komshinjtë e tjerë përdornin të njëjtin korridor si vend për gatim dhe një çezme të vetme. Njëri prej tyre, Sh.Z., polic injorant, por që për militantizëm komunist, dinte të bënte shumë mirë luftën e klasave, i shqetësonte vazhdimisht, deri sa në mes të vitit 1958, nuk i lejoi më të përdornin as çezmën, as vendin e gatimit.

E ndjerë e privuar deri në poshtërim, Erifili Bezhani, pas shumë ankesash zyrtare në organet e pushtetit lokal, që ranë në vesh të shurdhët, nuk mundi ta përballojë atë dhe e hodhi në gjyq. Por mori vendimin vdekjeprurës më të fundit të pushtetit komunist: dënimin që të bënte punë të detyruar si fshesaxhije nëpër rrugët e Tiranës dhe vetëm në turnin e tretë! Pas 6 muajsh pune të tillë poshtëruese për nivelin e saj intelektual, sëmuret nga ulçera, shtrohet me urgjencë dhe në operim e sipër, vdes.

Ishte data 15 Shkurt, 1959 kur Erifili Bezhani mbylli sytë në në sallën e operacionit në spitalin e Tiranës. Ishte vetëm 49 vjeç, avokate, e diplomuar për Drejtësi në Francë, por jeta i rezervoi në vendlindje fat tragjik, si rrallë pak femra të shkolluara jashtë vendit. Përveçse kontributit si intelektuale në vendosjen e demokracisë pluraliste perëndimore në Shqipëri, apo dënimit politik dhe burgimit si shumë të tjerë, Erifili Bezhani vlen të kujtohet dhe njihet si shembull i rrallë emancipimi, për brezin femëror shqiptar të viteve ‘30-të. / Memorie.al

“Mes Krujës dhe Petrelës”, ideja e Barletit që në kohën e Skënderbeut për “Tiranën e madhe”! Dokumentet veneciane

 

Tirana, ose Tirona siç e thërrasin me krenari vendësit, nuk është thjesht një pikë gjeografike në hartën e Shqipërisë.

 

Ajo është historia e lëvizshme e një vendi të tërë, një kryeqytet që ka lindur nga periferia dhe është rritur me vrull, shpesh pa plan, duke u kthyer në qendrën më të madhe ekonomike, politike, administrative, kulturore dhe demografike të vendit. Nga një vendbanim i hershëm i përmendur në dokumentet veneciane të shekujve XIV– XV, Tirana ka përshkuar një rrugë të gjatë, të ngarkuar me histori, transformime dhe kontradikta.

Në vitin 1614, valiu i Shkodrës, Sylejman pashë Bargjini nga Mulleti e ngriti në rangun e kasabasë, por haset e përmendur që në vitin 1418 në një dokument të Venedikut, duke qenë pjesë e viseve të banuara vazhdimisht që nga Epoka e Hekurit. Në kushtet e Luftës Ballkanike, paria e Tiranës shpalli pavarësinë më 26 nëntor 1912 dhe u shpall kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë më 9 shkurt 1920 nga Kongresi i Lushnjës dhe pjesëtarët e Këshillit Kombëtar hynë në qytet më 11 shkurt 1920. E vendosur në një luginë të rrethuar nga mali i Dajtit, kodrat e Saukut, Kërrabës, Vaqarrit, Yzberishtit dhe Kamzës, Tirana ka qenë historikisht një hapësirë e favorshme për banim. Regjistrimet osmane të viteve 1431–1432 dëshmojnë se zona ishte e banuar dhe funksionale shumë përpara se të merrte status urban. Megjithatë, viti 1614 shënon pikëkthesën simbolike, kur Sylejman Pasha Bargjini e ngriti Tiranën në rangun e kasabasë, duke ndërtuar xhaminë, hamamin dhe imaretin – elemente themelore të jetës urbane osmane.

Dy shekuj më pas, drejtimin e qytetit e mori familja Toptani nga Kruja, duke e shndërruar Tiranën në një qendër lokale me rëndësi administrative dhe ekonomike. Regjistrimi i tokave të qytetit u bë nën pushtimin osman, në vitet 1431–1432. Në vitin 1614 Sylejman Pasha, e ngriti në rangun e kasabasë duke ndërtuar një xhami, një hamam dhe një imaret. Dy shekuj me vonë drejtimin e qytetit e mori familja Toptani nga Kruja. Dy lagjet më të vjetra të Tiranës kanë qenë ajo e Mujos dhe e Pazarit, të ndodhura sot në zonën mes qendrës aktuale dhe rrugës së Elbasanit. Lagjet e Mujos dhe të Pazarit, sot mes sheshit “Skënderbej” dhe Rrugës së Elbasanit, mbeten dëshmitë më të hershme të këtij zhvillimi urban. Tirana nuk ishte ende kryeqytet, por po përgatiste, pa e ditur, fatin e saj të madh.

ORIGJINA E EMRIT

Prejardhja e emrit Tiranë mendohet në disa variante nga autorë të ndryshëm. Varianti i parë që merret në konsideratë është se emri Tiranë vjen nga kështjella Tyrkanos, që mendohet të këtë pasur vendndodhjen në afërsi të Tiranës. Një variant tjetër vjen nga latinishtja “tyros” dhe greqishtja “turos” që nënkupton një vend bulmeti. Kjo hipotezë mbështetet nga burimet historike sipas të cilave ilirët (si banorë të kësaj zone) ishin blegtorë të zotë dhe djathi i deles i përgatitur nga ata ishte shumë i përmendur dhe jashtë vendit. E më pas vijojnë dhe variantet e tjera që mendohet se emri është vënë nga Sulejman Pasha, por këto variante bien poshtë për vetë faktin sepse emri Tiranë është përmendur dhe para vitit 1614.

Mendohet se elementët e para të mirëfillta të një jete urbane në Tiranë fillojnë me Mozaikun e Tiranës pranë krojeve të Shëngjinit në jugperëndim të Tiranës, pjesë e të cilës më vonë u bë dhe kisha e Gjon Pagëzorit. Nga gërmimet e kryera në 1972 në territorin ku sot gjendet mozaiku u gjenden elemente, të cilat mendohet se i përkasin shekullit të I e.s si një banese e tipit rural (vila rustica). Në shek. III e.s vendbanimi mendohet se u zëvendësua nga një kompleks godinash, të ndara në dy pjesë në pars urbana (pjesa për banim e vilës) dhe në pars rustica (pjesa prodhuese e vilës). Më vonë në kishën e krojeve të Shën – Gjinit, që ndodhej në zonë fushore, mendohet se Skënderbeu bëri dasmën e martesës së tij me Donika Muzaka. Varrezat e para katolike mendohet se ishin po në të njëjtën zonë. Në periudhën e hershme bizantine, shek. IV – VI e.s mendohet se janë shekujt që i përkasin ndërtimit të fortifikimit kryesor ne Tiranë, Kalasë së Tiranës. Gjatë gërmimeve të kryera në vitet 2001 dhe 2008 mendohet se kalaja i përket njërit prej fortifikimeve të ndërtuara ose të rindërtuara në provincën e Durrësit ku përfshihej dhe Tirana nga Perandori Justinian në Epirin e Ri.

Një pjesë e mureve rrethuese që shihen sot mbi tokë i takojnë ndërtimeve të shekujve të fundit, të cilat janë ndërtuar nga Ahmet Pashë Bargjini në gjysmën e dytë të shek. XVIII mbi rrënojat e kalasë së vjetër. Në vitin 1798 ra në duart e familjes Toptani nga Kruja. Gjatë kësaj periudhe kalaja u shndërrua në objekt të luftës shumëvjeçare të zhvilluar midis Toptanasve dhe sunduesve Bushatllinj të Shkodrës. Në vitin 1817 ajo përjetoi një rrethim pesë mujor, i cili pati pasoja të rënda jo vetëm për kalanë, por edhe për një pjesë të madhe të qytetit. Pas bombardimit u rindërtua pjesërisht nga Toptanasit, por nuk pati jetë të gjatë, sepse në vitin 1832 ajo u shemb me urdhër të Vezirit të Madh, Mehmet Reshit Pasha, i cili urdhëroi prishjen e të gjitha kalave. Sot ruhet një pjesë e murit verior dhe trakte në anën jugore të saj, e cila ndërthuret këndshëm me infrastrukturën përreth. Ra një heshtje rreth Tiranës si qendër urbane deri në shekullin e XII në periudhën anzhuine ku qyteti administrohej nga një konsull anzhuin. Emri Tiranë përmendet disa herë edhe në dokumentet venedikase, ndërsa Barleti, historiani i Skënderbeut, flet për “Tiranën e madhe” duke e përshkruar si një fushë midis Krujës dhe Petrelës, në truallin ku sot shtrihet kryeqyteti. Në Tiranën e madhe Skënderbeu mendohet se vendosi pjesën më të madhe të ushtrisë meqenëse ky vend ishte më i përshtatshëm për të ngritur çadrat e kampit të ushtrisë së tij.

KOMPROMISI

Në Historinë e Popullit Shqiptar, “Periudha e Pavarësisë” (28 nëntor 1912 – 7 prill 1939), në faqen 249 përmendet shpallja e Republikës Shqiptare nga Asambleja Kushtetuese dhe miratimi i statutit apo kushtetutës republikane, në të cilat Tirana shpallet përfundimisht kryeqytet i Shqipërisë. Në Tiranë, përkundrazi kundërshtimi i Esat Pashë Toptanit, hëpërhë ishte eliminuar, për sa kohë ai ishte kundërshtar i qeverisë së Durrësit. Veç kësaj Tirana ndonëse kishte një popullsi të barabartë me atë të Elbasanit, kishte kushte më të mira për organet qeveritare. Këtu kishte më tepër ndërtesa të mëdha, më tepër lokale publike, më tepër rrugë të gjera, më tepër hotele. Vendimi për ta shpallur Tiranën kryeqytet të përkohshëm më 9 shkurt 1920 nga Kongresi i Lushnjës nuk ishte i rastësishëm. Në një Shqipëri të copëzuar politikisht, me kundërshti të forta mes qendrave rivale, Tirana ofronte një zgjidhje pragmatike: pozicion gjeografik qendror, kushte infrastrukturore më të mira se qytetet e tjera dhe një klimë politike më pak konfliktuale në atë moment historik.

Hyrja e qeverisë dhe e Këshillit Kombëtar në Tiranë më 11 shkurt 1920 shënon fillimin real të jetës së qytetit si kryeqendër shtetërore. Asambleja Kushtetuese e vitit 1925 e vulosi përfundimisht këtë status, duke e shpallur Tiranën kryeqytet të Shqipërisë. Që nga ai moment, historia e qytetit u ndërthur pazgjidhshmërisht me historinë e shtetit shqiptar: monarkia, pushtimet, diktatura komuniste dhe tranzicioni demokratik lanë secila gjurmët e veta në fizionominë urbane dhe sociale të kryeqytetit. Në vitin 1990, Tirana numëronte rreth 244 mijë banorë. Sot, popullsia reale e saj vlerësohet mbi një milion. Ky shpërthim demografik, i shkaktuar nga migrimi i brendshëm masiv pas rënies së komunizmit, e ka kthyer Tiranën në magnetin e shpresave dhe zhgënjimeve të shqiptarëve. Për mijëra njerëz nga veriu në jug, kryeqyteti përfaqëson mundësinë për punë, arsim dhe jetë më të mirë. Por për vetë Tiranën, kjo rritje e pakontrolluar ka sjellë mbingarkesë urbane, kaos ndërtimor, trafik, ndotje dhe humbje të identitetit tradicional. Megjithatë, Tirana mbetet qyteti më dinamik i vendit, me ritëm të shpejtë jete dhe hapësirë për iniciativa ekonomike, kulturore dhe sociale.

Ajo është një qytet kontrastesh: kullat moderne ngrihen pranë shtëpive të vjetra tiranase, ndërsa parqet dhe sheshet e reja bashkëjetojnë me plagët e tranzicionit. Më 8 shkurt 1920, Kongresi i Lushnjës shpalli Tiranën si kryeqytetin e përkohshëm të Shqipërisë, e cila kishte fituar pavarësinë në vitin 1912. Në vitin 1923, plani i parë rregullues i qytetit është hartuar nga arkitektë austriake. Pastaj ndërtimit në qendrës së Tiranës ishte pjesë e paketës së bashkëpunimit midis Zogut, mbretit të Shqipërisë dhe Italisë fashiste. Ahmet Zogu ishte udhëheqës i Shqipërisë nga viti 1922 deri 1939. Ai së pari shërbeu si kryeministër (1922- 1924), më pas si President (1925-1928) dhe më në fund si Mbret (1928-1939). Qendra e Tiranës është projekti i Florestano di Fausto dhe Armando Brasini njohur arkitektët e periudhës Benito Musoloni në Itali. Brasini hodhi bazat për modernizimin e rregullimin e ndërtesave ministrore në qendër të qytetit. Plani u shqyrtua nga arkitekti shqiptar Eshref Frashëri, arkitekti italian Castellani dhe arkitektët austriakë Weiss dhe Kohler. Ndërtesat moderne parlamentare shqiptare ka shërbyer si klub oficerësh. Në atë kohë, në shtator 1928, Zogu e Shqipërisë u kurorëzua Mbreti Zog I, Mbret i Shqiptarëve.

ARKITEKTURA

Arkitektura shqiptare e kohës së luftës dhe pasluftës dëshmon për dy regjime totalitare. Regjimi i Msolinit la gjurmët e tij me Shtëpinë e Fashistëve (aktualisht godina e Universitetit Politeknik) dhe ndërtesat përreth. Godinat kulturore, muzetë, edukimi nga epoka komuniste përplotësojnë tablonë e historisë kombëtare. Arkitekt të njohur të periudhës së Musolinit në Itali, Florestano de Fausto dhe Armando Brasini, ishin mjeshtërit të cilët ndërtuan sheshin kryesor, e cila sot mban emrin e Kombëtar Skënderbeut Shqiptar, bulevardin e madh, ndërtesat e ministrive, bankën kombëtare, bashkinë e qytetit dhe Pallatin e Brigadave (ishpallati mbretëror, sot Pallati presidencial). Në vitin 1939, Tirana u zaptua nga forcat fashiste emërimin e një qeverie kukull. Ndërkohë, arkitekti italian Gherardo Bosio iu kërkua të përpunonte planet e mëparshme dhe të prezantonte një projekt të ri në zonën e sotme të sheshit Nënë Tereza. Në fillim të viteve ‘40, pjesa jugore e bulevardit kryesor dhe ndërtesat përreth ishin përfunduar dhe u riemëruan me emra fashistë.

Nga viti 1944 deri më 1991, qyteti përjetoi një rënie në cilësinë arkitekturore. Filluan të ndërtoheshin masivisht komplekse apartamentesh të stilit socialist, ndërsa sheshi “Skënderbej” u rindërtua me disa ndërtesa të cilat ishin shkatërruar. Për shembull, ish Pazari Vjetër i Tiranës dhe Katedralja Ortodokse u rrafshuan në tokë për ngritjen e pallatit sovjetik i quajtur Pallati i Kulturës. Ndërtesa e bashkisë të ndërtuara me stil italian u prishën dhe në vend të tyre u ndërtua Muzeu Historik Kombëtar, ndërsa struktura qe shërbente Parlamenti i Shqipërisë, gjatë monarkisë u shndërrua në teatër për fëmijë (Teatri i Kukullave sot). Pjesa veriore e bulevardit kryesor u riemërua Stalin Bulevardi dhe statuja e tij ngritur në sheshin e qytetit. Si pronësia private makina u ndalua, transport në masë përbëhej kryesisht nga biçikleta, kamionë dhe autobusë.

Pas vdekjes së Hoxhës, një muze piramidale u ndërtua në kujtesën e tij nga qeveria. Tani është e njohur si Piramida, por nuk ka të bëjë me Enver Hoxhën, ajo është kthyer në Qendrën Kulturore të Tiranës. Pjesa e veriore e bulevardit kryesor u riemërua “Bulevardi Stalin” dhe statuja e tij u ngrit në qendër të qytetit. Ndërsa zotërimi i makinave u ndalua, transporti për masën përbëhej kryesisht nga biçikletat, kamionët dhe autobusët. Pas vdekjes së Enver Hoxhës, një muze piramide u ndërtua në nder të tij nga qeveria. Tani është e njohur si Piramida, por nuk ka të bëjë më me Enver Hoxhën, ajo është kthyer qendrën kulturore të Tiranës.

QYTETI I TË GJITHËVE

Sot, Tirana është qendra e jetës politike, ekonomike dhe kulturore e vendit, me rreth 1 000 000 banorë. Sipas censit të vitit 2011, Tirana është një qytet me përbërje të larmishme fetare: myslimanë, ortodoksë, katolikë, bektashinj dhe një përqindje e lartë qytetarësh jofetarë. Kjo bashkëjetesë pasqyrohet edhe në hapësirën urbane, ku Katedralja Katolike e Shën Palit dhe Katedralja Ortodokse e Ringjalljes qëndrojnë si simbole të tolerancës dhe pluralizmit shqiptar. Në dekadat e fundit Tirana ka përjetuar një transformim të shpejtë urban me ndërtimin e parqeve, shesheve, objekteve fetare dhe kulturore, por edhe me një densitet ndërtimi që shpesh ka cenuar cilësinë e jetës. Kryeqyteti është sot një pasqyrë e qartë e Shqipërisë moderne: plot energji, por edhe plot probleme; plot ambicie, por edhe mungesë vizioni afatgjatë.

Historia e Tiranës nuk është thjesht kronikë datash dhe faktesh. Ajo është historia e një shoqërie që ka lëvizur vazhdimisht drejt qendrës, duke e ngarkuar kryeqytetin me barrën e të gjitha shpresave. Tirana mund të konsiderohet si qytet i ngjyrave për shkakun se shumë ndërtesa të saj janë të ngjyrosura me ngjyra të gjalla duke krijuar kështu kontraste interesante. Rinovimi i Pazarit të Ri në Tiranë i shton atraktivitetin për të gjithë turistët që vizitojnë kryeqytetin. Sot, ai vazhdon të jetë një nga qendrat më të mëdha tregtare. Kryeqyteti i Shqipërisë gjithashtu ofron hapësira të mëdha për organizim të konferencave si një qendër për aktivitete dhe ngjarje ndërkombëtare dhe rajonale; seminare, simpoziume, konferenca, festivale, etj.. Pyetja që mbetet është: a do të arrijë Tirana të mbetet jo vetëm zemra administrative e Shqipërisë, por edhe një qytet i jetueshëm për brezat që vijnë?

/ Gazeta Panorama 

115  VJET, O DED  GJO’ LULI- Pergatiti Fritz RADOVANI: Pjesa I

 

DED  GJO’  LULI  (1840 – 1915)

PO  EMNI  I  YT  ASHT
I   PERJETSHEM!

Një emen që tue mos pasë pranë asnjë epitet nënkupton në Tè: Shqipninë, Flamurin, Malësinë, Hotin, Burrninë, Trimin e Traboinit, Nderën, Vetflijimin për Atdhe dhe, së fundit “shpifjet dhe harresën”…

Kur mësuem këtë emen na dukej se bahej fjalë për një person që e kishim ndigjue dikund…ndoshta, ndër përralla, mbasi nuk kishim ide se një Malësor nga Hoti, mund të detyronte një sulltan Stambolli me i

kërkue “marrveshje”…e ndoshta, edhe me e peshue me monedha ari.

Asnjëherë nuk shihej as Flamuri i Tij, edhe pse Foto Kel Marubi e kishte fiksue në xhamat e vjetër të studios së tij.

 

 

FLAMURI 1911.

 

Dikund ndër skuta të shtëpisë e kishim edhe një fotografi “të mbetun”, ma shumë se të ruejtun, mbasi kontrollet e vazhdueshme të sigurimit komunist kishin marrë me vete çdo foto që kishte një njeri me armë ose të veshun ushtarak. Për fat Deda ishte i veshun me çakçir…nuk ua pat tërheqë synin e tyne “vigjilent”!

Herën e parë këtë Emen e pata ndigjue nga një grue e veshun me rroba të zeza, që pat ardhë për vizitë në shtëpinë tonë, Ajo ishte jo aq plakë sa e bante shamija e zezë mbi kokën e Saj dhe Fëtyra e lodhun nga qendresa për mos me kja për vrasjet e djelmëve të saj, nga stuhija e ardhjes së komunistave me ernat rrënuese të Serbisë, që Ajo i njihte me kohë, kur ishte kenë vajzë e re. Ishte Katrinë Tomja…edhe sot kujtoj ata dy sy Shqiponje, apo të ndonjë sfinksi, nuk mund ta përcaktoj…por, pa i shtue asgja nga fantazia ime fëminore, ata ishin sa një filxhan kafje dhe të zez si futa, që i mbështillte Fëtyrën e skalitun si dikund ndër ato vepra arti që shfletojshe ndër libra, por gati… pa kuptue asgja…

Ajo i foli Nanës seme për qëndresen e Saj…se, “grueja apo vajza malësore e ka për turp me u pa një pikë loti tue i ra nëpër faqet e saj, kjoftë edhe për djalin e vetëm…”. Kjo bisedë që po bante Ajo, më tërhoq vëmendjen, mbasi nuk ishte larg nga koha e vdekjes së Babës dhe unë po mendojshe se cilit fis i përket Nana eme, që porsa zente me gojë emnin e Babës, i shkonin lotët rrëkajë…Kur iku, e pyeta Nanën pse nuk i shkonin lotët

Asaj kur bisedonte për djelmët e vet të vramë nga partizanët dhe Nana, më tha shkurt: “Ajo asht një nga Burrneshat që ka luftue vetë me armë në dorë…ndër male kundër serbëve!”

Ma vonë jam kujtue përse ndër male nuk kjajnë femnat tona, se Atyne u asht pjekë syni nga duhma e barotit në beteja të rrebta përkrah Trimave të vet Malësorë!

Ishte viti 1961 kur pata fatin me kalue ndër duert e mija një nga gazetat ma të njoftuna shqiptare, “Ora e Maleve”…aso kohe rrebtësisht e ndalueme me u lexue. Po për me dashtë me ditë kush asht kenë Ai Burrë me emnin Dedë Gjo’ Luli, aty mundesh me gjetë pikërisht ate që quhet esenca e veprës së tij e shprehun në pak rreshta, por e saktë, ashtu si të gjithë dokumentat që përfshihen ndër ato faqe. Sigurisht, tue lexue aty gjenë edhe fakte që janë ende të panjoftuna, ose të lanuna më njëanë me qellimin e keq, që ma vonë…me u arkivue në “harresë”. Deri këtu do t’ ishte dishka edhe e pranueshme me rrugën e vështirë që vazhdon me ecë Historia e vertetë e popullit Shqiptar, ende e pashkrueme, po ajo ma e keqja asht shtrembnimi i fakteve historike, gja që më ka shtye me u ulë me shkrue këta pak rreshta për Mikun e shtrenjtë të të Parëve të mijë, që në ato ditë të Shenjta të Marsit 1911 ishin përkrah Dedë Gjo’ Lulit.

Dedë Gjo’ Luli asht le aty rreth vitëve 1840. Kur mungon data e saktë në artikujt e klerikëve, ajo datë asht e pamujtun me u gjetë! Edhe ata e tregojnë jetën e Tij nga goja e njerëzve të afërt të Dedës, në gazetën “Ora e Maleve”, dokument të cilit i jam referue pa frikë. Vendi ku çeli Shqipja Këte vigan asht Mali i Traboinit. Ishte djalë i vetëm. Gjithmonë Shqipnia ka pasë fatin e Saj me u mburrë me “rrelike” të vetme…

Koha e Miletit asht ajo që zen fillë emni i Tij, kur me Preng Bibdoden, Çun Mulen e Hotit, Hodo Begun, të famshmin Marash Ucin e sa perla tjera të “Lahutës së Malësisë”, me të cilat At Gjergj Fishta pat vue në gjoksin e Nanës së vet Shqipni gjerdanin e artë të lavdishëm dhe të përjetshëm të Tyne, në betejat e përgjakshme kundër turkut…

Atëherë kur Hafiz Pasha i Turqisë së plotfuqishme u pat kërkue armët Malsorëve, bash ata “dreq” armësh me të cilat u ka dalë punë të gjithëve, derisa mbërritën me shpikë e me punue në shekuj për me u vue edhe emnin “kusarë gjaksorë”, Deda mori malet bashkë me disa Burra që “historia”e sotme e së shkretës Shqipni nuk i njeh, si Sokol Bacin, Smajl Martinin, Dedë Preçin, Keqa Prelen, Dulo Staken, që për dy vjet patën shkue ndër bjeshkë të Krasniqes, në shtëpinë e një tjetër emnit të “harruem”, Qazim Binakut. Po ku do të kujtoheshin këta emna, në cilin prej kapitujve të ngjarjeve të ndalueme kishin me u njohë nga Rinia Shqiptare, që edhe “këta” emna kishte mangut “me dijtë”…se pak ishin emnat e serbëve e të rusve, apo kinezëve ndër faqet e historisë sonë!!

Mbas formimit të Lidhjes së Prizrenit, qetësia e Perandorisë së Osmanllijve kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Malësorët nuk i mbante ma as frika, as huni, as “premtimi”, prandej edhe lufta e tyne për Liri ishte ndezë në të katër anët. Flaka kishte përfshi Hotin, Grudën dhe Kastratin.

Të gjithë kishin rrokë armët. Beteja ma e rrebta asht ajo që u ba në Traboin, në Qafën e Kishës dhe në Spi, ku Dedë Gjo’ Luli u pat tregue anmiqve të Shqipnisë se kush asht Shqiptari i “ringjallun”.

Asht pragu i një Ringjalljes së Madhe, ku Malësori kishte marrë në çdo pikë gjaku nektarin e Atdhetarizmit dhe të Fesë së dhunueme ndër sa shekuj, nga “bletët puntore” me zhgunin e Shën Françeskut t’ Asizit, që nuk iu tutën as marrjes zvarrë mbas kuajve të pashallarëve, as hunjve të vumë ndër “shenjat e Kryqave”, ku nguleshin si kafshët për me mohue Fenë e Krishtit.

Po rilindte një Popull i nëpërmkambun për mos me u shtrue dhe shue kurrma e, Ky ishte Populli Shqiptar, që trandi Ballkanin.

Ishte viti 1910 kur Trimi i Traboinit me vullnetin e Tij prej çeliku ndodhet mes kryengritësve të Malësisë së Madhe, ose si asht njohë ndër dokumenta, të Malësisë së Mbishkodrës, dhe len trollin e vet për mos me u kthye kurrma, me 29 Korrik.

Flamuri 1911

Melbourne,  14 Janar 2026 Vazhdon Pjesa II.

“T’u nxirren sytë dy të pushkatuarve Tom Ndoja e Sokol Sokoli”, urdhri i ministrit Hekuran Isai më 1984! Nga BEDRI BLLOSHMI

Revolta e të dënuarve në Qafë-Bar

BEDRI BLLOSHMI

QAFË BARI, MAJI 1984

Dokumenti apo urdhri i ministrit të Punëve të Brendshme të asaj kohe, Hekuran Isai, që urdhëronte datën dhe orën e ekzekutimit të dy të dënuarve me vdekje (pushkatim) Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, ka në fundin e fletës një shënim me dorë në të cilin shkruhet: “Shënim: Me porosi të Sh.Ministër dy të dënuarve që do të pushkatohen sytë e tyre t’u jepen Ministrisë Shëndetësisë për punë shkencore”. Më 22 maj 1984, një ditë të bukur me diell, ndodhi ajo që pritej. Komandanti i togës së policisë së burgut, Mond Caja dhe suita e tij i hodhën benzinë zjarrit. Por ç’dodhi? Ja çfarë pashë unë: Ishim turni i tretë në një brigadë pune me Tom Ndojën, Sokol Sokolin, Haxhi Baçinovskin, Sokol Progrin, Martin Lekën, Kostandin Gjordenin e shumë të dënuar të tjerë.

Në Qafë-Bari më caktuan përsëri minator si në minierën e Spaçit. Gjatë kohës derisa të ndizeshin kompresorët, unë i fusja një sy gjumë, duke u shtrirë në një vend që nuk punohej (në një ort). Rubinetin e ajrit e lija hapur me qëllim që nga zhurma e ajrit të shkaktuar nga presioni të zgjohesha e të shkoja të filloja punën atje, ku më kishin caktuar brigadieri i lirë bashkë me brigadierin e dënuar. Aty, pranë meje, të shtrirë në tokë flinin edhe disa të dënuar të tjerë, të cilët i zgjova përpara se të ikja që të shkonin edhe ata të punonin. Atë ditë bëra tri turne me bira për shembje.

E njoftova brigadierin e dënuar se e mbarova punën që më ishte dhënë dhe po dilja jashtë të lahesha e të prisja shokët e tjerë. Me dijeninë e brigadierit ata që mbaronin punën në galeri dilnin jashtë, laheshin dhe prisnin të dilte e gjithë brigada. Më pas na rreshtonin në dy rreshta dhe na nisnin për në kamp pasi na kishin numëruar. Brigadieri i dënuar ishte i detyruar t’i raportonte policit për ata të dënuar që s’e kishin bërë normën. Një nga të dënuarit nuk e kishte bërë normën dhe polici i tha gjithë inat: “Ha mëngjes dhe dil prapë në punë”!

Kur u afruam te kampi, erdhi oficeri i rojës, hapi derën e na numëroi. Polici i raportoi se një nga të dënuarit nuk e kishte bërë normën e se do dilte përsëri në punë. Pasi hëngra çorbën, shkova dhe u shtriva, ashtu i veshur siç isha. Sapo kisha filluar të dremisja, dëgjova çangën që binte fort dhe pa pushim. “Të gjithë në mensë, të gjithë në mensë!” – bërtiste tellalli ndërsa i binte çangës. U ngrita me të shpejtë dhe u futa në mensë. Qëndrova në fund të sallës me mendimin se kishim punë politike e këtu mund të merrja një sy gjumë. U ula në një tavolinë bashkë me Sokol Sokolin përkrah të cilit ishte Tom Ndoja e plot të dënuar të tjerë. Në oborrin para mensës kishte shumë polici, jo si zakonisht kur rri vetëm një, roja i brendshëm. Te dera u duk Mondi, i cili thërriti: “Dëgjoni, kush të dëgjojë emrin, të dalë përjashta pa kundërshtuar. Mos i hapni telashe vetes”! Kur dëgjova këto fjalë, ngrita kokën.

– Si është puna? – pyeta Sokolin të cilin e kisha në krah.

– Lere Bedri, se e djallosëm, – m’u përgjigj ai. – Ti s’ishe, vajte në kapanon si shumë të tjerë dhe s’e pe skenën.

– Jo, – i thashë, ç’ka ndodhur?

– Erdhi policia për të nxjerrë në punë atë që s’kishte bërë normën. Ai kundërshtoi dhe policët e kapën, duke e qëlluar për ta çuar te porta. Ne që ishim aty nuk e duruam dot atë skenë dhe kur Nuja kërkoi ndihmë e tha se ‘ishte në besën tonë’ u turrëm dhe ia morëm nga duart policëve me forcë.

Ndërkohë te dera e mensës një polic vazhdonte të lexonte emrat e atyre që duhet të dilnin jashtë. Emri i atij që duhet të dilte në punë ishte i pari. Sapo doli te dera, polici e goditi dhe mbërtheu nga krahët. Nuja nën breshërinë goditjeve të policëve thirri përsëri për ndihmë: “Në besë tuaj, shokë, se më mbyti policia”.

Me të dëgjuar këto fjalë, Sokoli bashkë me disa të tjerë dolën vetëtimthi jashtë. Policia mbylli derën e mensës që të dënuar të tjerë të mos dilnin jashtë. Toma që ishte brenda u çua dhe u drejtua për te dera, e shqeu atë dhe të gjithë të dënuarit dolën jashtë.

Në oborr filloi përleshja me policinë. Situata doli jashtë kontrollit të policisë. Të dënuarit i vunë përpara policët që morën rrugën për të dalë jashtë kampit për të shpëtuar lëkurën. Kapelat e tyre mbetën në oborrin e mensës. Në krye të turmës së të dënuarve dallohej Toma me Sokolin. Në këtë kohë oficeri i rojës i tmerruar nga gjendja e krijuar dhe frika se mos të burgosurit dilnin jashtë rrethimit (thyenin kampin), hapi zjarr. Të gjithë oficerët e ushtarët të cilët ishin në truprojë hapën zjarr. Mbi kamp, plumbat fërshëllenin pa pushim, duke krijuar një skenë të llahtarshme. Oficeri i rojës goditi Konstadin Gjordenin në supin e majtë, gjaku i të cilit rridhte pa pushim. Për disa orësh, kampi ishte në duart e të burgosurve në një amulli të plotë. Ne ishim ulur në oborrin përpara mensës nëpër shkallë. Toma, Sokoli, unë, Haxhiu dhe Martini ishim ulur bashkë e bisedonim se ç’rrjedhë do të merrnin ngjarjet. Në këtë kohë syri vigjilent e policët që na njihnin mirë si fytyra dhe emra, duke parë edhe ngjarjen, kishin hartuar një listë me emrat e të dënuarve të cilët ishin përleshur me policinë. Martin Leka, një burrë i urtë dhe i logjikshëm, u përpoq disa herë për t’i qetësuar gjakrat me policinë, por çdo gjë ishte e kotë. Komandanti i kampit filloi të lexonte emrat, duke thënë se kush dëgjonte emrin duhej të dorëzohej e ta sqaronin këtë problem. “Hajdeni, mos e rëndoni veten më kot”, – thërriste ai. Lista filloi me Sokol Sokolin e vazhdoi me Tom Ndojën, Martin Lekën, Haxhi Baçinovskin, Bajram Vuthajn, Hysen Tabakun, Vllasi Koçin, Lazër Shkëmbin, Lush Bushgjokën dhe Ndue Pishën. Asnjëri prej tyre nuk lëvizi nga vendi. Në këtë kohë mbërritën një numër i madh civilësh të armatosur, policë dhe çeta vullnetare, gra të veshura me uniformë ushtarake që zunë pozicionet rrëzë pishave përballë kampit. Familjarët e disa punëtorëve, që banonin jashtë kampit, morën fëmijët e të moshuarit dhe të tronditur e të llahtarisur nga skena që panë, iu ngjitën kodrës me pisha.

Në kthesën e xhadesë përpara kampit u dukën tufa-tufa ushtarët me armë në dorë, të cilët u përzien me civilët e armatosur buzë përroit, shumë afër kampit. Makinat, që merrnin mineralin, nuk u lejuan të futeshin brenda dhe u kthyen mbrapsht. Po ashtu edhe inxhinierët, teknikët, brigadierët dhe i gjithë personeli i lirë i minierës nuk u lejuan të futeshin brenda. Pas më shumë se dy orësh u dëgjua zhurma e motorit të helikopterit që u soll vërdallë përmbi kamp, gati duke prekur majat e pishave. Bëri dy tri xhiro mbi kamp dhe nuk e morëm vesh se ku u ul. Pas pak mbërritën dy makina dhe civilët që zbritën prej saj u futën në komandë. Të gjitha lëvizjet që bëheshin në komandë dukeshin shumë qartë, sepse ishim shumë afër. Ushtarët që na ruanin ditë e natë me automatikë në dorë u zëvendësuan me oficerë. Një civil, njëri prej atyre të cilët hynë në komandë doli e hipi në truprojën që ishte pranë godinës së oficerit të rojës. Ai foli me komandantin e kampit që vazhdonte të lexonte listën me emrat e atyre që duhet të dorëzoheshin dhe ulëriti:

– Mjaft lexove! – U drejtua nga ne, ngriti dorën, pa orën dhe vazhdoi: – Dëgjoni këtu. Keni 5 minuta kohë. Po qetë burra, mos u dorëzoni!

Ky person, siç u mor vesh më vonë, ishte këshilltari i ministrit të Punëve të Brendshme. Asgjë nuk pipëtinte. Të gjithë ishin të heshtur. Sokoli iu drejtua Tomës:

– Hajde dorëzohemi. Të mos i marrim më qafë të gjithë shokët. Çdo rezistencë është e kotë. Këta janë kriminelë, të vrasin. Shiko si e rrethuan kampin me civilë, ushtarë e gra.

– Po, – tha Toma dhe u ngritën. Hodhi bishtin e cigares në tokë, e shkeli me këmbë dhe u drejtua nga ne. Ata u përshëndetën me ne që nuk e kishim emrin në listë dhe u drejtuan për nga rrethimi i brendshëm.

I pari që futi duart në kuadratin e telave me gjemba ishte Sokoli. Polici përtej telave i prangosi. Pasi lidhën më shumë se 12 të dënuar, hapën derën dhe policët, civilët dhe ushtarët u futën brenda në kamp. I morën të arrestuarit, i futën në një dhomë aty pranë dhe pasi i dyndën mirë e mirë në dru, i hodhën në një makinë të zbuluar. Asnjë prej tyre nuk ecte me këmbët e veta. Britmat e rënkimet e tyre u dëgjuan deri sa makina na u zhduk nga sytë në kthesën e xhadesë.

Brenda në kamp kishte më shumë civilë se policë, të cilët filluan të rrihnin të dënuarit. Qëllonin sa iu hante krahu dhe kush t’iu dilte përpara. Më pas lexuan edhe disa emra të tjerë mes të cilëve ishte edhe emri im. Na futën në të njëjtën dhomë ku mbajtën ata që arrestuan para nesh.

Ç’të shihje?! Dyshemeja e dhomës ishte e tëra e mbuluar nga gjaku. Sa në një cep në tjetrin syri të zinte copa drush të lyera me gjak. Nëpër faqet e mureve kishte gjithkund njolla gjaku. Pasi u futën në dhomë, policët, civilët filluan të na rrihnin. Qëllonin me shkelma e grushte se drunjtë ishin bërë të gjithë me gjak. Na nxorën jashtë ne, futën brenda të tjerë të dënuar që patën të njëjtin fat si tonin. Ndërkohë u dëgjua zëri i tellallit: “Turni i tretë të bëhet gati se do të dalë në punë”. Puna vazhdoi si më parë. Vetëm se kur shkonim në galeri, çdo brigadë shoqërohej jo nga një, por nga disa policë me uniformë dhe disa civilë. Të rrahurat nuk pushonin. Dru në kamp, dru në galeri. Askush nuk guxonte të shikonte policin apo civilin në sy, kur na qëllonin me shkelma e grushte qoftë kur shkonim për në galeri, qoftë kur ktheheshim për në kamp.

PUSHKATIMI I TË BURGOSURVE SOKOL SOKOLI DHE TOM NDOJA

Pas disa ditësh na mblodhën përsëri në mensë. Mondi i shoqëruar nga policë e civilë u fut në mensë me një tufë letrash në dorë. Hera e parë që ishte i çelur në fytyrë dhe buzëqeshte. Të gjithë sa ishim brenda rrinim me kokën ulur si të ngrirë e të frikësuar se nuk dinim pse na mblodhën.

– Dëgjoni vendimin e gjykatës, – tha ai. – Sokol Sokoli e Tom Ndoja dënohen me vdekje, pushkatim. Të tjerët me dënime të ndryshme. – Mondi ulëriti përsëri: – A ka ndonjë trim që do të matet me ne? Le të dalë jashtë.

Doli nga mensa dhe u fut në zyrën teknike. Në kamp tensioni sa vinte e shtohej. Civilët dhe policët e ardhur nuk po largoheshin. Shumë të dënuar që nuk realizonin normën, rrinin në galeri dy turne rresht apo dhe tri turne. Në fjetore s’na zinte gjumi nga frika dhe terrori. Polici, që vinte për kontroll në fjetore, po të të shihte zgjuar, të kërcënonte se do të çonte në zyrën teknike. Atje të priste druri, e përplasura e kokës pas murit deri sa të lodhej polici. Ne nuk flinim nga frika. Sapo dëgjonim zhurmë nëpër shkallët e fjetores apo sapo kërciste dera e dhomës, ne i mbyllnim sytë nga frika, mbulonim kokën me batanije e nuk pipëtinim se e dinim që ishte polici. Edhe kur polici merrte ndonjë të dënuar që ta çonte në zyrë teknike për ta torturuar, askush nga ne nuk lëvizte kokën për ta parë. Ishte fillimi i korrikut. Në minierë u shemb një front pune në galerinë 70/1, veriore quhej. Mali kishte zënë nën vete dy të dënuar. Njëri ishte nga Vlora, ndërsa tjetri nga Kolonja, por përpara se të arrestohej, kishte qenë i internuar në Lushnje.

Punuam tri ditë rresht me tri turne për të nxjerrë mineralin që binte vazhdimisht nga lart dhe më në fund e gjetëm kufomën e njërit. Të nesërmen tellalli thirri 12 emra që duhet të shkonin menjëherë në zyrën teknike. Vetëm emrin e dyve mbaj mend: Hamit Meli dhe Agim Hamiti. Ai ishte nga Dukati i Vlorës. Atë e mbaj mend që nga burgu i Spaçit ku edhe ishim njohur. Kishte qenë ushtar në Tale të Lezhës (brigadë pune) me vëllain tim, të ndjerin Vilson. Mësonin bashkë frëngjisht. Këtë radhë nuk na rrahën aq shumë.

Dolëm jashtë me këmbët tona, jo si herët e tjera që mbaheshim pas murit. Na urdhëruan të merrnim plaçkat që kishim në depo se do të na transferonin. Na hipën në një makinë “Zis” të zbuluar, na lidhën njëri me tjetrin dhe na fiksuan në dy-tri vende te sponti i makinës. Mondi pasi na kontrolloi një për një kyçin e hekurave u dha urdhër policëve: “Hajde, nisuni”! Na shoqëronin dy makina, njëra pas dhe tjetra para makinës sonë. Makina përpara nesh ishte e mbushur me ushtarë të armatosur. Kishin edhe dy qen kufiri të mëdhenj, pa shporta në gojë. Pas disa orësh udhëtim mes malit e pishave, dolëm në kampin e Gurthit. Aty kaluam rrugën që të çonte në burgun e Spaçit. Përsëri në Spaç, në të njëjtën dhomë, në të njëjtin krevat. Të nesërmen në mëngjes na thirrën në zyrën teknike për të na nxjerrë në punë. Na caktuan përsëri në zonën e dytë e cila ishte më e vështira nga të gjitha zonat e tjera.

– Ju të Qafë-Barit, rrini mirë, – e theu heshtjen operativi. – Mos na sillni turbullira se i patë shokët tuaj ku vajtën. Miniera e Qafë Barit mori shumë jetë njerëzish. Siç edhe shpjegova më lart, dy të pushkatuarit në Kuç të Shkodrës dhe tetë të dënuarit e tjerë i vrau puna në galeri, dhuna e terrori i policisë që i detyronte të futeshin në hapësirat jashtë frontit të punës për të realizuar normën e kërkuar.

VENDIMI PËR EKZEKUTIMIN E TË DËNUARVE SOKOL SOKOLI DHE TOMË NDOJA

MIRATOHET SEKRET

KRYETARI I DEGËS P. BRENDSHME EKZEMPLARI I VETËM

PËRPARIM XHOXHAJ SHKODËR, MË 9/6/1984

(FIRMA – VULA)

PLAN MASASH

PËR EKZEKUTIMIN E VENDIMIT ME VDEKJE (PUSHKATIM)

TË DËNUARVE SOKOL SOKOLI DHE TOMË NDOJA

Në bazë të shkresës nr. 658/1, dt. 8/6/1984 të Ministrisë Punëve të Brendshme si dhe të shkresës nr. 888/1, dt.7/6/ 1984 të Presidiumit të Kuvendit Popullor, i cili nuk i fali jetën të dënuarve me vdekje (pushkatim) Sokol Sokolit dhe Tomë Ndojës; për zbatimin e vendimit nr. 3, datë 3/6/1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, nga sektori i policisë të merren këto masa:

1. Të kryhet rikonicioni në vendin ku të zbatohet vendimi, për të përcaktuar forcat pjesëmarrëse dhe masat e sigurimit të afërt e të largët. Kryen Reshat Gjyli e Bajram Shima datë 9/6/1984.

2. – Për zbatimin e vendimit ngarkohet një grup i posaçëm nga shefi i policisë Reshat Gjyli, prokuror Ismet Spahia hetues Shyqyri Çala, mjek Mihal Nano, sekretar Qamil Rama.

3. – Për shoqërimin e të dënuarve të caktohen këto forca Reshat Gjyli, Myftar Rama, Petrit Gjini, Baki Turhani, Osman Oblika, Gjon Marku e Dervish Miho.

4. – Për sigurimin e vendit të ekzekutimit të caktohen shokët Bajram Shima, Bujar Sherko, Sadik Meçe, Rushit Rusha, Asim Dyli.

5. – Itinerari i lëvizjeve të jetë Degë-Bulevardi “Stalin” Ndërmarrja Artistike- varrezat e Dëshmorëve- Radio antena Kuç e kthim, duke lëvizur te dënuarit me forcat përpara kurse grupi pjesëmarrës mbrapa.

6. – Instruktazhi i forcave të shoqërimit dhe të ekzekutimit të bëhet në kohë e në vend duke i caktuar detyrën secilit. Të dënuarit të lidhen me duar mbrapa me litar (zinxhir) si dhe këmbët me hekura e zinxhirë. Të merren me vete edhe lecka për të parandaluar të bërtiturat.

7. – Nisja për në vendin e ekzekutimit 23.30’ dhe ekzekutimi në orën 24.00 të datën 9/6/1984.

8. – Në vendin e ekzekutimit të hapet gropa nga shokët Asim Dyli e Dervish Miho. Vendi i ekzekutimit të sigurohet që në orën 22.00 me shokët Ferik Sina dhe Arben Zyku dhe dy varrmihësit.

9. – Ekzekutimi të bëhet nga shokët Myftar Rama e Petrit Gjini, duke i instruktuar që më parë.

10. – Mbas ekzekutimit të përpilohen dokumentet përkatëse, procesverbali për ekzekutimin me vdekje (pushkatim) të Sokol Sokolit dhe Tomë Ndojës, si dhe fjala e fundit e dy të dënuarve, skema e groposjes të dënuarve, të njoftohet Ministria e Punëve të Brendshme, Gjykata e Lartë, Hetuesia e Përgjithshme, sektorët e gjendjes civile të rretheve.

11. – Për shoqërimin e të dënuarve të përdoren dy maqina 7 vendëshe me shofer Beqir Kallugjeri e Besnik Çeliku.

SHEFI I POLICISË RRETHIT
RESHAT GJYLI
(firma)

SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
EKZEMPLAR NR.1
DREJTORIA E ZBATIM VEND.PENALE
Nr. 658/1 Tiranë, më 8.6.1984
Lënda: Mbi dënimin me vdekje.
DEGËS PUNËVE TË BRENDSHME.
SHKODËR

Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresë Nr.888/1 datë 7.6.1984 nuk u fal jetën të dënuarve:

Sokol Sokoli i biri i Zefit dhe i Cales, i ditëlindjes 1952 lindur dhe banues në fshatin Gerni të rrethit Tropojë, i dënuar me vendim Nr.3 datë 3.6.1984 të kolegjit penal të Gjykatës Lartë me vdekje (pushkatim) në bazë të nenit 50/1 e 13 e 25 të Kodit Penal në lidhje me nenin 31 gërma “a” dhe “b” të Kodit Penal për krimin se në bashkëpunim dhe me persona të tjerë kanë kryer veprime terrori kundër përfaqësuesit të pushtetit.

Tom Ndoja i biri i Kolës dhe i Zojës, i datëlindjes 1952, lindur e banues në fshatin Kallogjan të rrethit Shkodër. Dënuar me vendim Nr. 3 datë 3.6.1984 të kolegjit penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim) në bazë të nenit 50/1 e 13 e 25 të Kodit Penal në lidhje me nenin 31 gërma “a” dhe “b” të Kodit Penal për krimin se në bashkëpunim dhe me persona të tjerë kanë kryer veprime terrori kundër përfaqësuesit të pushtetit.

Sa sipër në zbatim të kërkesave të rregullores Nr. 10-46 datë 30.3.1984 kapitulli XI, më datë 9.6.1984 ditën e shtunë në ora 24.00 ngarkoj për zbatimin e vendimit Degën e Punëve të Brendshme Shkodër.

MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME
HEKURAN ISAI
(Firma dhe vula e institucionit)

Dokumenti apo urdhri i ministrit të Punëve të Brendshme të asaj kohe, Hekuran Isai, që urdhëronte datën dhe orën e ekzekutimit të dy të dënuarve me vdekje (pushkatim) Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, ka në fundin e fletës një shënim me dorë në të cilin shkruhet: “Shënim: Me porosi të Sh.Ministër, dy të dënuarve që do të pushkatohen, sytë e tyre t’u jepen Ministrisë Shëndetësisë për punë shkencore. Drejtori z.b.v. penale (emri i të cilit është i palexueshëm sepse është fshirë).

Data 9/VI/1984 dhe në fund firma”

PROVESVERBAL PËR EKZEKUTIMIN ME VDEKJE (PUSHKATIM) TË DËNUARVE SOKOL SOKOLI DHE TOMË NDOJA.

Në Shkodër, sot më datën 9/6/1984, ora 24.00 nga komisioni i përbërë nga shokët Reshat Gjyli shef i policisë rrethit, Ismet Spahia prokuror, Shyqyri Çela, hetues, Mihal Nano Mjek, Qemal Rama sekretar, Myftar Rama e Petrit Gjini të ngarkuarit për ekzekutim, përpiloi këtë procesverbal mbi ekzekutimin me vdekje (pushkatim) të dënuarve:

1. – Sokol Sokoli, i biri i Zefit, i datlindjes 1952, lindur e banues në fshatin Gerni të rrethit Tropojë, dënuar me vendim Nr. 3, dt. 3/6/ 1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim) mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresë Nr. 888, dt. 7/6/ 1984 nuk i falë jetën.

2. – Tomë Ndoja, i biri i Kolës, i ditëlindjes 1952, lindur e banues në fshatin Kllogjen të rrethit Shkodër, dënuar me vendim Nr. 3, datë 3/6/1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim) mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresë Nr. 888, dt. 7/6/ 1984 nuk i falë jetën.

Pushkatimi bëhet në mbështetje të shkresës nr. 658/1, datë 8/6/ 1984 të Drejtorisë Zbatimit të Vendimeve Penale. Para pushkatimit të dënuarit Sokol Sokoli iu komunikua se nuk i falet jeta, i cili në fjalën e fundit u shpreh: Mos më vrisni mbrapa. Gropën e hap vetë. Pre K. Pop. mirë ka bërë. Nuk i kemi bërë gjë kujt. Të dënuarit Tom Ndoja iu komunikue se nuk i falet jeta, i cili në fjalën e fundit tha: Të rrojë drejtësia. Procesverbali u përpilue në tre kopje; një iu dërgua Drejtorisë Zbatimit të Vendimeve Penale, një Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe një ruhet në sekretarinë e Degës P. Brendshme Shkodër.

KOMISIONI
Hetuesi Shefi i Policisë Rrethit Prokurori
Shyqyri Çela Reshat Gjyli Ismet Spahiu
(firma) (firma) (firma)
Të ngarkuarit për ekzekutim
Myftar Rama Petrit Gjini
(firma) (firma)

Panorama

Gazeta zvicerane (1963) Intervista ekskluzive në Bejrut (Liban) me Leka Zogun dhe Hysen Selmanin

Mbreti i Shqipërisë Leka I (djathtas) në shoqëri të bashkëpunëtorit tonë Raymond Loir. (Fotografi : Issa Frères, Bejrut) — Burimi : La Liberté (Friburg, Zvicër), e martë, 12 shkurt 1963, ballinë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 3 Janar 2026

 

Gazeta zvicerane “La Liberté” ka botuar, të martën e 12 shkurtit 1963, në ballinë dhe faqen n°3, intervistën ekskluzive asokohe në Bejrut (Liban) me Leka Zogun dhe Hysen Selmanin, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Letër nga Bejruti

Mbreti i Shqipërisë, Leka I, na flet për ambiciet, projektet dhe gëzimet e tij

Nga Raymond Loir

 

 

Është një i ri shtatlartë, mbi dy metra, bjond, me flokë të butë e të mëndafshtë, me një buzëqeshje serioze dhe të qetë, me sy plot ëmbëlsi pas syzeve të trasha të miopit. Madhëria e Tij, Leka I, nuk ka mbushur ende 23 vjeç. Falë mikut tonë, z. Lambert, drejtor i përgjithshëm i hotelit Phœnicia, patëm privilegjin të merrnim një intervistë ekskluzive botërore me të birin e Zogut I të Shqipërisë.

 

Ai na pret në apartamentet që i janë vënë në dispozicion në Phœnicia, në prani të adjutantit të tij, i cili kishte qenë edhe adjutant i të atit, kolonel Hysen Selmani. Mbreti na thotë : Koloneli ka qenë pranë babait tim gjatë luftës që ai zhvilloi për të mbrojtur vendin tonë kundër trupave të Musolinit.” Ndërsa koloneli Selmani na rrëfen: “Kur e mora në krahë Madhërinë e Tij, ai ishte vetëm një ditësh. Ishte e Premtja e Madhe (Shenjtë). Kisha ndihmuar Madhërinë e Saj, mbretëreshën Geraldinë, të largohej me foshnjën e porsalindur.

 

Ishte viti 1939…

 

Sot Leka I i ka pasuar të atin. Ai na shpjegon : Kushtetuta shqiptare më ka bërë sovran me vdekjen e babait tim, dhe jo pretendues të fronit.

 

Leka I ka vetëm disa kushërinj të largët; ai është i vetmi që shpreson të rikthehet një ditë në fronin e Shqipërisë. Ndërkohë, ai udhëton shumë. Mbretëresha nënë Geraldinë ndodhet në Paris, te miq. Hallat e tij (bukuria e jashtëzakonshme e motrave të Zogut të Shqipërisë nuk është harruar) jetojnë në Francë, në Rivierën franceze. Leka I e ka rezidencën në Madrid. Në Spanjë, – na thotë mbreti i ri, – është vendi ku kthehem gjithmonë.

 

Ky është qëndrimi i dytë i Leka I në Liban. Mbreti i ri kishte ardhur më parë për të kaluar një verë, së bashku me të ëmën, në Broumana, nën pishat, në një nga mjediset më poetike të Libanit. Ai na shpreh gjithë gëzimin e tij që po ritakon Libanin mikpritës, të cilin e ka bërë selinë e tij gjatë udhëtimit në Lindjen e Afërt. Së fundmi kam takuar mbretin Husein. Gjyshi i tij kishte qenë mik i babait tim. Jam duke vizituar të gjithë ata që kanë qenë miq. Kam ndërmend të shkoj që sonte në Arabinë Saudite, ku do të qëndroj disa ditë. Princi trashëgimtar Fejsal më pret atje. Më pas do të shkoj në Sudan, ku kam gjithashtu miq. Pastaj në Libi dhe në vendet e Afrikës së Veriut, veçanërisht në Algjeri dhe Tunizi. Babai im kishte lidhje kudo.

 

Leka I na duket me një pjekuri të rrallë. Ai na flet për Shqipërinë : Vendi ynë mund të pranojë çdo regjim. E rëndësishmja është që të mos jetë i nënshtruar ndaj të huajve. Jo, shqiptarët nuk janë komunistë. Unë besoj në kthimin tim në Shqipëri. Gjithçka do të realizohet brenda kuadrit të situatës ndërkombëtare. Thelbësore është garantimi i kufijve tanë.

 

I biri i Zogut I ka mbështetës të sigurt në vendin e tij, sidomos ndër këta malësorë të ashpër dhe të pathyeshëm, të cilët mbeten plotësisht armiqësorë ndaj komunizmit dhe besnikë ndaj së kaluarës… Leka I nuk ka një seli të Shqipërisë së lirë. Mbështetësit e tij ndodhen kryesisht në Amerikë. Mbreti i ri (i cili, siç na thotë vetë, i kushtohet tërësisht politikës) mban lidhje me të gjithë ata që luftojnë për t’ia rikthyer fronin.

 

Leka I na duket shumë i ri, pavarësisht shtatit të tij mbi dy metra dhe gjithë ambicieve politike. Megjithatë, ai duhet të jetojë edhe jetën e një të riu, të bukur dhe fisnik. Ai buzëqesh ndaj kureshtjes sonë : Jo, për momentin nuk kam asnjë plan martese. Keni të drejtë, shtypi rozë më ka fejuar disa herë, por besomëni, nuk ka asgjë të vërtetë. Do të martohem një ditë. Për momentin, më duhet të luftoj: të mbaj të fortë dhe këmbëngulës besimin e të gjithë atyre që shpresojnë dhe besojnë në kthimin tim në Tiranë.

 

Ai na flet për fëmijërinë dhe studimet e tij. Ka studiuar Shkenca Politike në Sorbonë dhe është i apasionuar pas politikës. Asaj i kushtoj pjesën më të mirë të kohës sime…, na thotë ai.

 

Por Leka I ka edhe “hobi”, gëzime nga të cilat nuk mund të heqë dorë. Ajo që më pasionon më shumë, – më rrëfen ai, – është aviacioni. Më pëlqen shumë të pilotoj. Më pas, noti është një nga sportet e mia të preferuara. Së fundi, më pëlqen edhe gjuetia. Fatkeqësia është se nuk kam shumë kohë të lirë. Jam gjithmonë në vijën e parë.

 

Ky i ri, i veshur me një kostum prej tergali gri perlë, që ndonjëherë na duket i trishtuar, ka një ëndërr që e ndjek me këmbëngulje dhe ndjehet se do ta ndjekë deri në fund: të rikthehet në vendin e tij, këtë Shqipëri nga e cila u dëbua foshnjë.

 

Është prekëse — dhe këtë ia themi edhe Leka I — ta shohësh pranë tij këtë burrë të fuqishëm me tipare thellësisht shqiptare, këtë kolonel të Gardës Mbretërore, i cili e kishte mbajtur në krahë kur ishte fëmijë dhe që është i gatshëm për çdo betejë për sovranin e tij. Koloneli Hysen Selmani është një njeri që ka njohur dramën e luftës dhe të mërgimit dhe që, me kalimin e viteve, nuk e ka humbur besimin në vendin e tij.

 

Nuk ia fshehim mbretit të ri shqetësimin tonë për të gjitha vështirësitë që ai duhet të kapërcejë. Leka I buzëqesh : Siç e shihni, jam i ri dhe më pëlqen lufta.

 

Përballë peizazhit të buzëqeshur libanez, buzë detit, duke soditur horizontin e atij Bejruti që atij i duket kaq i ndryshuar që nga dhjetë vjet më parë, sovrani i ri i Shqipërisë na flet pothuajse si një mik. Ai ndihet në prani të mirë. Prandaj na shpreh gjithë gëzimin e tij për jetën dhe gjithë shpresën për një të ardhme të ndritur.

 

Sipas Leka I, Shqipëria do ta rifitojë “klimën” e saj. Dhe vendi i tij do të dalë nga kjo perde e hekurt e tmerrshme në të cilën ndodhet i mbyllur. Gjithçka është çështje kohe…, na thotë Leka I, pak orë para se të hipë në avionin për Arabinë Saudite.

 

Raymond Loir

Le Soir Illustré (1963) “Në kohën që jetojmë, puna e fisnikëron njeriun…” — Takimi me Mbretëreshën Geraldinë në Madrid.

 

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 31 Dhjetor 2025

 

Revista belge “Le Soir Illustré” ka botuar, me 3 janar 1963, në faqen n°20, rrëfimin e takimit me Mbretëreshën Geraldinë asokohe në Madrid, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Mbretëresha Geraldinë e Shqipërisë vendoset në Madrid

Burimi : Le Soir Illustré, 3 janar 1963, faqe n°20.

Mbretëresha Geraldinë e Shqipërisë dhe i biri i saj, mbreti Leka, kanë lënë Parisin për t’u vendosur në Madrid. Vendimi për t’u stabilizuar në kryeqytetin spanjoll u mor pas dy vizitave që ata i bënë mbretëreshës së Bullgarisë.

 

Kështu, dy mbretëresha me pothuajse të njëjtin fat bëhen fqinjë. Të dyja kanë sunduar shtete të vogla gjatë periudhës më të vështirë të shekullit. Të dyja kanë hequr dorë nga froni përballë pushtimit komunist. Të dyja janë të reja dhe të veja dhe kanë si ngushëllim të vetëm bijtë e tyre: Simeonin për mbretëreshën e Bullgarisë dhe Lekën për mbretëreshën Geraldinë. Jetët e tyre janë paralele, me mërgimet, vështirësitë financiare dhe zhgënjimet.

 

Mbretëresha Geraldinë më pret me shumë përzemërsi. Vizita ime përkonte me pesëdhjetëvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Mbretëresha më tregoi se sa e lidhur kishte mbetur me vendin dhe popullin e saj. Kur flet për Shqipërinë, eleganca e saj natyrore shoqërohet me madhështi. Megjithatë, ajo është jashtëzakonisht e thjeshtë. Ajo kishte veshur një kostum të zi prej trikoje, të zbukuruar vetëm me një kapëse.

 

Buzëqeshja nuk i largohet kurrë nga fytyra. Askush nuk do ta besonte se pas kësaj qetësie fshihet një jetë e mbushur me hidhërime të shumta. E pyes cilat kanë qenë çastet më të dhimbshme të mërgimit të saj. “Të gjitha çastet janë të dhimbshme. Fati i burrit tim dhe vështirësitë tona materiale erdhën për ta rënduar edhe më shumë dhimbjen tonë.

 

Shtypi botëror ka shkruar së fundmi për vështirësitë financiare të familjes mbretërore shqiptare, të përkeqësuara nga fakti se qeveria italiane mban të bllokuar pasurinë e mbretit Zog. “Është e sigurt, – na thotë mbretëresha, – se kam pasur dhe kam ende probleme shumë serioze për shkak të këtij sekuestrimi të paligjshëm. Nuk mund të them më shumë. Çështja është në duart e avokatëve të mi.

 

Kohët e fundit, disa gazeta njoftonin për një vendim gjykatash, sipas të cilit mbretëreshës i mohohej e drejta mbi pasurinë e burrit të saj. “Kjo nuk është e vërtetë, – na thotë mbretëresha. – Gjykatat ende nuk janë shprehur.

 

Nga shumë shenja kuptohet se mbretëresha Geraldinë është e lodhur nga lufta për këto çështje financiare. Megjithatë, ajo nuk dëshiron që i biri të dëmtohet. Kjo është edhe një nga arsyet e largimit të tyre drejt Madridit. Leka do të shndërrohet në një njeri biznesi dhe do të investojë kapital në Spanjë.

 

 

Në kohën tonë, – thotë e ëma, – puna e fisnikëron njeriun. Prandaj i kam dhënë gjithë mbështetjen time Lekës në rrugën që ai ka zgjedhur. Nga ana ime, unë preferoj një jetë më të tërhequr. Kohën e lirë e ndaj mes leximit, punimeve me shtiza dhe kopshtit, ku kaloj disa orë çdo ditë. I dua lulet dhe e ndjek me dashuri rritjen e tyre. Ejani, të bëjmë disa hapa në kopsht.

“Më 1 janar 1945 në Selanik, tre persona u paraqitën në derën e shtëpisë të z. Gjik Dallamanga, vjehrri i Koço Kotës, duke u paraqitur si…” Dëshmia e rrallë se si u rrëmbye ish-kryeministri i Shqipërisë

Regjimi komunist që u vendos në Shqipëri pas përfundimit të Luftës II-të Botërore, ishte në kërkim të funksionarëve të Mbretërisë zogiste, të kuislingëve dhe regjentëve. Midis tyre kërkohej dhe ish-kryeministri Koço Kota, i shpallur armik:

1. Nga pushtuesit nazifashistë;
2. Nga fqinjët sllavo-komunistë;
3. Nga nacionalistët e komunistët grekë.
4. Nga komunistët shqiptarë.

I dekonspiruar nga komunistët grekë, Koço Kota ra në duart e segmenteve të shërbimeve sekrete Jugosllave e Sovjetike, të cilët kishin si mision: “Ta rrëmbenin, ta dërgonin në Shqipëri dhe t’ua dorëzonin komunistëve shqiptarë”. Aksion mafioz në Selanik ish-kryeministri Kota, nuk e ndoqi në mërgim Mbretin Zog, por qëndroi në shtetin fqinj në Greqi, për të organizuar nacionalistët dhe legalistët brenda dhe jashtë kufirit shqiptar, në luftë kundër pushtuesit italian e më pas atij gjerman.

Dr. Koço Kota, i vetëshpallur armik i “rrezikut sllavo komunist”, kishte kohë që bënte jetën e ilegalit në qytetin e Selanikut, sepse tashmë ishte shpallur armik edhe nga komunistët grekë edhe nga komunistët jugosllavë. Lëvizja komuniste ndërsa kishte përfshirë mbarë Greqinë, në Selanik ishte bërë forca kryesore politike.

Një nga pjesëmarrësit e rretheve marksiste dhe të lëvizjes komuniste në Maqedoninë greke, kishte qenë edhe shqiptaro-maqedonasi Koçi Xoxe, i cili kishte lindur në fshatin Negovan të Follorinës dhe kishte kryer shkollën e mesme në Selanik. Në vitin 1931, komunisti Xoxe erdhi në Korçë dhe mori pjesë në organizimin e Shoqërisë “Puna”, ndërsa antikomunisti Kota drejtonte shtetin shqiptar dhe mbante postin e krye-parlamentarit.

Më 21 shkurt 1936, kur Qeveria shqiptare e Mbretit Zog, kryesohej nga liberali Mehdi Frashëri, Xoxe mori pjesë në “Demonstratën e Bukës” në Korçë, ndërsa Koço Kotta kryesonte Parlamentin shqiptar. Në periudhën dhjetor 1936 deri më 7 prill 1939, kur qeveria shqiptare kryesohej nga autoritari Koço Kotta, Xoxe u largua nga Shqipëria dhe u strehua në Jugosllavi. Pas agresionit fashist italian më 7 prill 1939, Xoxe u kthye përsëri në Shqipëri dhe mori pjesë në demonstratën antifashiste në Korçë.

Organizoi lëvizjen antifashiste në Çamëri

Gjatë viteve të pushtimit nazifashist, ish-kryeministri Koço Kotta organizoi lëvizjen antifashiste në Çamëri, ndërsa në Shqipëri në lëvizjen kundër okupatorit italian, midis shumë antifashistëve, merrnin pjesë edhe komunistët Jorgji Kota e Kozma Kota, si dhe legalisti Nuçi Kota.

Lufta kundër okupatorit italian ishte pika e bashkimit midis ish-kryeministrit Mbretëror Kota dhe zv/kryeministrit komunist Xoxe, i zgjedhur në mbledhjen e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar në Berat, në tetor 1944. Me sa duket, pika që i ndante ishte ideologjia komuniste.

Arrestimi në Selanik

Pas përfundimit të Luftës, më 25 dhjetor 1944, Koçi Xoxe u caktua kryetar i Gjykatës Speciale. Qëndrimi antikomunist dhe anti-jugosllav i korçarit Koço Kota, nuk mund të tolerohej nga Partia Komuniste Jugosllave dhe nga shqiptaro-maqedonasi Koçi Xoxe. Ora për ndëshkimin e ish-kryeministrit Kota kishte ardhur për Xoxen. Në 1 janar të vitit 1945, tre persona u paraqitën befas në derën e shtëpisë të z. Gjik Dallamanga, vjehrri i ish-kryeministrit Koço Kota. Në fillim ata u paraqitën me mirësjellje, duke i kërkuar Koços të vinte me ta në Shqipëri.

Sipas tyre, ata kishin porosi direkte nga Enver Hoxha, që ish-kryeministri Mbretëror, të kthehej në Tiranë, pasi shteti kishte nevojë për kontributin e tij. Koço e kuptoi që kjo ishte një grackë e organizuar për ta likuiduar dhe nuk pranoi të shkonte pas tyre. Pas këtij refuzimi, të tre personat nxorën pistoletat dhe ia vunë në kokë. Në shtëpi u krijua një gjendje ankthi, frike e terrori, sepse gjithçka u krye në sy të gruas së tij dhe prindërve të saj. Pjesëtarët brenda shtëpisë, rezistuan dhe kundërshtuan marrjen e Koços, por përpjekja ishte e kotë.

Menjëherë, pranë shtëpisë mbërriti një furgon nga ku dolën pesë apo gjashtë persona të tjerë, të cilët pasi e rrethuan ish-kryeministrin mbretëror Kota dhe e tërhoqën zvarrë-zvarrë, e futën brenda në furgon. Rrëmbyesit flisnin shqip dhe e kërcënonin ish-kryeministrin e Shqipërisë gjatë gjithë rrugëtimit, nga Selaniku në Tiranë. I gjithë operacioni u drejtua dhe u komandua nga gjeneral-major Koçi Xoxe.

Gjyqi Special i Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar

Gjyqi u hap më 1 mars 1945, në kinema “Kosova” në Tiranë. Trupi gjykues i drejtuar nga ministri i Brendshëm Koçi Xoxe, kishte vënë në bankën e të akuzuarve personalitetet më të rëndësishme të Shqipërisë. Të pandehurit ishin: ish-kryeministra Kostaq Kotta e Ibrahim Biçakçiu, ish-kryetarë parlamenti Terenc Toçi, Fejzi Alizoti e Mihal Zallari etj.

Akuza ndaj tyre ishte: “Kriminelë lufte dhe bashkëpunëtorë të pushtuesit”. Gjykata Speciale më 13 prill 1945, dënoi me vdekje zyrtarët e lartë në qeveritë fashiste e naziste, Fejzi Alizoti, Kol Tromara, Kostandin Kote, Hilmi Leka, Reshit Merlika, Ismail Golemi, Terenc Toçi, Zef Kadare, Gustav Mirdash, Aqif Përmeti, Shyqyri Borshi, Bahri Omari, Beqir Valteri, Dik Cami, Daut Çarçani, Tasim Bishqemi dhe Javer Hurshiti, si dhe me dënime të rënda shumë të tjerë.

Gjykata Speciale nuk gjeti asnjë provë kundër ish-kryeministrit Koço Kota. Por nën trysnin e shërbëtorit të jugosllavëve, zv/kryeministrit komunist Koçi Xoxe, Gjykata Speciale mori vendim politik dhe e dënoi ish-kryeministrin shqiptar Koço Kotta me 30 vite burg, në burgun e Burrelit. Duke e konsideruar gjyq politik dhe farsë, e shoh të udhës të sjell para lexuesit të interesuar, vetëm disa nga akuzat qesharake që i’u bënë personalitetit shqiptar, ish-kryeministrit Koço Kota.

Debati Koçi Xoxe me Kostaq Kote

Koçi Xoxe: Ke vepruar kundër interesave të larta të atdheut. Ke ndihmuar dhe kontribuar në përhapjen e imperializmit fashist italian dhe përgatitjen e terrenit. Ke qenë në lidhje me qeverinë kuislingë të Tiranës dhe me organizatat tradhtare, Balli Kombëtar dhe Legaliteti.

Je përpjekur për realizimin e një marrëveshje që kishte qëllimin bashkimin e reaksionit shqiptar me atë grek, me qëllim që të shuaje lëvizjen popullore çlirimtare në Shqipëri, marrëveshje që nuk u arrit dot për shkaqe të pavarura nga vullneti yt. Për këtë marrëveshje ti ishe përfaqësues i Legalitetit, ç’ke për të thënë?

Kostaq Kota: …Unë mund të jem përgjegjës vetëm për dy periudhat që kam qenë në qeveri….

Koçi Xoxe: Nuk na intereson të na bësh histori, por të na tregosh pse nga dita e 7 prillit nuk u organizua rezistencë?

Kostaq Kota: Më 7 prill të vitit 1939, qeveria jonë jo vetëm që nuk u frikësua, por organizoi edhe rezistencë të armatosur, duke bërë atë që nuk e bëri dot as qeveria çekosllovake, e cila ishte shumë herë më e armatosur se qeveria e jonë. Pikërisht, atë që s’e bëri qeveria çekosllovak, e bëri qeveria e vogël e popullit shqiptar.

Koçi Xoxe: Ti ke thënë në deponimet e tua në hetuesi, se qeveria nuk bëri rezistencën aktive ose pasive, pasi nuk kishte mjete?

Kostaq Kota: Jo, jo, përkundrazi, qeveria vendosi rezistencë aktive.

Koçi Xoxe: A u bë kjo rezistencë?

Kostaq Kota: Edhe unë mund t’ju them, që unë personalisht i kam sugjeruar Mbretit Zog për këtë rezistencë. U mor vendimi nga qeveria për rezistencë dhe nota italiane nuk u pranua.

Koçi Xoxe: Po ti, në deponimet e tua ke thënë se ne nuk kishim mjete për të bërë rezistencë?

Kostaq Kota: Unë pjesën time si qeveri e bëra. Në rast se ka pasur ndonjë neglizhencë, kjo u takon Forcave të Armatosura.

Koçi Xoxe: Kur shkove ti këndej?

Kostaq Kota: Ditën e 7 prillit, Mbreti shkoi në Zemblak, ndërsa unë vajta të shihja ç’bëhej në Korçë.

Koçi Xoxe: A të tha Veli Vasjari se populli ishte gati për rezistencë?

Kostaq Kotta: Përkundrazi, prefekti i Korçës Veli Vasjari na tha të mos vinim atje, pasi qe prishur qetësia dhe të burgosurit kishin dalë nga burgu. Xhandarmëria nuk siguronte dot qeverinë. Me gjithë këto, unë kam vajtur vetë në Korçë dhe atje Kryebashkiaku më ka thënë se populli dhe tregtarët të tubuar, kërkonin të luftonin e të bënin rezistencë.

Koçi Xoxe: Në Bashki unë kam qenë vetë si anëtar dhe bashkë me 16 delegatë të tjerë e 3 mijë vullnetarë, prisnin Koço Kotën për të organizuar rezistencë./ Memorie.al

“Me pallton time mbi krahë, ajo shkoi drejt pushkatimit, sepse ishim bashkë në një qeli dhe ajo, para se ta merrnin, më tha…” Rrëfimi rrëqethës i Diti Biçakut, për natën e fundit të Sabiha Kasimatit

Diti Biçaku sapo i kishte mbushur 25 vjeç, kur natën e 26 shkurtit të vitit 1951, e pa veten pas hekurave të burgut të Tiranës, midis grupit të të arrestuarve për bombën e Ambasadës ruse. Ishte një vajzë e re, me ëndrrat e saj që do t’i burgoseshin përgjithmonë në kampet e tmerrshme të diktaturës komuniste. Një ndër momentet më të vështira do të mbetej ndarja me miken e saj të ditëve të vështira, intelektualen e shquar Sabiha Kasimati. Pak çaste para se Sabihaja të pushkatohej, të fundit dorë që shtrëngoi në këtë botë, ishte dora e Ditit. Kur xhelatët komuniste erdhën për ta marrë, Sabihaja tentoi të kundërshtonte, nuk donte të ndahej nga Diti se kishte frikë për të, kishte frikë ta linte vetëm. Sabihaja ndoshta nuk e dinte se, ky do të ishte takimi i fundit me të.

Nuk e dinte pse Diti po qëndronte ende brenda hekurave të burgut të ftohtë e pse ajo po largohej prej andej. Sabihaja ndoshta nuk e dinte se, ky do të ishte takimi i fundit me të e se kurrë më, nuk do ta shihte miken e saj të ngushtë. Sabihaja, nuk e dinte se duke lënë pas hekurave të burgut të ftohtë, miken e saj të ditëve të vështira, do të shkonte vetë drejt një fati edhe më të tmerrshëm, do të mbulohej në dheun e ftohtë pas plumbit që diktatura kishte rezervuar për të e foshnjën e saj në bark…!

Është një ndër krimet më të tmerrshme të diktaturës komuniste vrasja e Sabiha Kasimatit. E ka rrëfyer Diti Biçaku atë natë të fundit të Sabihasë, në qelitë e ftohta të burgut të Tiranës dhe çastet e fundit të saj, para se të shkonte drejt pushkatimit. Në një intervistë dhënë disa vite më parë, Diti Biçaku rrëfen ditët në burgun e Tiranës dhe ndarjen me Sabiha Kasimatin, para se ajo të pushkatohej.

Ajo është një prej grave intelektuale që u burgosën gjatë regjimit komunist. Është një ndër ato gra që vuajti kalvarin e kampeve të tmerrshme të diktaturës komuniste. Ishte mike e Musine Kokalarit, Sabiha Kasmitatit e të tjera grave intelektuale, që u burgosën në fillimet e diktaturës komuniste.

Zonja Diti Biçaku Maliqi, ju jeni dëshmitarja e vetme okulare e arrestimeve, burgosjeve dhe vrasjeve që pasuan me ngjarjen e hedhjes së bombës në Ambasadën Sovjetike. Si e kujtoni atë natë?

Ishte ora 12 e natës kur ra dera e shtëpisë sime. Ishin tre oficerë të Sigurimit, të cilët të armatosur hynë brenda. Erdhën dhe më pyetën: “Kush je ti”? – “Unë jam Diti Biçaku”, iu thashë. – “Në emër të popullit je arrestuar”! Më vunë hekurat. Bënë një kontroll të imët nja një orë e ca në shtëpi, por nuk gjetën asgjë. Ashtu e lidhur u hodha sytë prindërve që po qanin me lot. U thashë të mos kenë gajle, se unë isha pa faj e se do kthehesha prapë. Në ato momente nuk e di, por Zoti më dha forcë. Dola bashkë me ata të Sigurimit, të cilët ishin tre veta; njëri më rrinte majtas, tjetri djathtas e i treti përpara. I fola njërit që kisha në krah: “Ku po më çoni”?! – “Mos fol”! – më bërtiti.

Thatë se ishte ora 12:00 e natës. Ku ju çuan?

Drejt e në qendrën e qytetit, ku është Sahati. Pastaj na drejtuan te “Burgu i ri” (kështu i thoshin atëherë). Por kur dolëm te sheshi “Skënderbej” ishte mizëria me të burgosur. Rrugët ishin të mbushura me plot të arrestuar e, drejtimi i të gjithëve ishte drejt burgut të madh. Të gjithë të burgosurit shoqëroheshin me nga tre të Sigurimit dhe kështu ne nuk mund të kthenim kokën as majtas, as djathtas, që të shihnim njëri-tjetrin. Te “Burgu i ri” pritëm shumë, sepse nuk mbaronte radha e të burgosurve.

Unë nuk e di në isha e fundit apo e parafundit. Kur më erdhi radha, hyra te dera e parë. Një kërcitje e tmerrshme nga pas. Pas saj ishte një tunel shumë i errët, që ndriçohej nga një dritë e zbehtë. Kaluam derën e dytë dhe pastaj më futën në një birucë. Biruca ishte pus. Nuk kishte fare dritë. Më lanë aty dhe i vunë llozin derës. Unë nuk e dija ku isha. Në atë moment u ndez një fije shkrepëse në mes të 5-6 vetëve që ishin të gjitha gra. Mes tyre ishte dhe Sabiha Kasimati. Ishte ajo që ndezi fijen e shkrepëses. “Kush je”?- më tha, se nuk shihej mirë. – -“Jam Diti Biçaku”, iu përgjigja. Në vend që të më thoshte; “obobo”…se më kishin arrestuar, tha; “o shyqyr”, ngaqë i doli një e njohur në atë tmerr. Unë, Sabiha Kasimatin e kam njohur që kur kam qenë në Elbasan.

Sa kohë ju mbajtën në qeli?

Nuk e di, se nuk e kuptoje se kur ishte ditë e, kur ishte natë. Ngaqë bënte shumë ftohtë u futa në dyshekun e Sabihasë dhe u mblodhëm të dyja për t’u ngrohur. Ajo ishte me temperaturë. Ndërkohë që po bisedonim kërciti dera. Erdhën ata të Sigurimit. U futën brenda dhe thirrën emrin e Sabiha Kasimatit. Sabihaja dridhej nga të ftohtit, se ishte sëmurë. Unë hoqa pallton time të madhe dhe ia hodha në krah.

Me atë pallto është pushkatuar. Doli Sabihaja. Pas pak erdhën dhe thirrën edhe emrin tim. Të dyjave bashkë na futën në një dhomë, ku ishin dhe disa persona të tjerë. Ishin ata të hetuesisë. Na ulën në një tavolinë që ndriçohej nga një fener. Ishte Mehmet Shehu dhe ca që nuk i njihja atëherë, por tani i njoh. Mehmet Shehu përplaste dorën në tavolinë, duke thënë: “Këto janë armike të popullit. Këto deshën të na përmbysnin pushtetin tonë popullor. Nuk duhet të kemi mëshirë për to, por t’u japim dënimin maksimal se e kemi fitu me gjak pushtetin popullor”. Në këtë moment unë dhe Sabihaja i shtrënguam dorën njëra-tjetrës dhe e kuptuam se ishim shumë në rrezik.

Çfarë ndodhi pas kësaj, me ju dhe Sabihanë?

Pasi mbaruam aty na larguan nga dhoma. Pas pak dëgjuam zhurmën e një makine të madhe. Ajo makinë vinte gjithmonë aty e mbuluar.

Edhe sot e kësaj dite zhurmën e makinës më duket se e dëgjoj. Erdhi makina te dera dhe i futën të gjithë të lidhur. As kokën s’e ngrinin dot. Ne nuk e mendonim kurrë se po i çonin për t’i pushkatuar, por mendonim se ata shpëtuan dhe po i lironin. Ne ishim të gjithë të pafajshëm. Erdhën dhe morën edhe Sabihanë që e hipën në atë makinë. Në atë moment ajo më tërhiqte që të shkoja me të. Unë doja të shkoja me Sabihanë, por një nga gardianët më tërhoqi dhe makina u nis. Me sa duket unë nuk isha në listë për t’u pushkatuar.

Nuk e di si shpëtova, por në atë kohë pyesja o Zot, pse nuk shkova dhe unë me Sabihanë, sepse mendoja se atë e kishin liruar. Sabiha Kasimati mbaroi Liceun e Korçës (në të njëjtën klasë me diktatorin Enver Hoxha). Shteti shqiptar i akordoi bursë studimi në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Shkencave Biologjike, të cilin e përfundoi me sukses me notat 30′/30′, me lavdërim (trenta su trenta con lode). Në verën e vitit 1941, mbrojti edhe doktoratën.

Katedra i ofroi vendin e asistentes në ihtiologjinë fluviale, por ajo nuk pranoi dhe u kthye në atdhe. Mbas disa vitesh pune me pasion, u detyrua të shkonte në Itali për kura shëndetësore, në një sanatorium të Torinos. Pas shërimit, aty nga viti 1945, u kthye në atdhe. Nisi punën në Institutin e Shkencave, siç quhej atëherë bërthama e parë shkencore, që drejtohej nga Prof. Selaudin Toto. Sabihaja ishte një intelektuale e kompletuar, që kishte studiuar në Perëndim, një filozofe dhe biologë që e njihte mirë thelbin dhe shfaqjen e panatyrshme e çnjerëzore të sistemit totalitar komunist, i cili po vendosej në Shqipëri.

Ajo u dëshpërua thellësisht nga goditjet e rënda që po u jepeshin intelektualëve të vendit, veçanërisht atyre që kishin studiuar në Perëndim, mjaft nga të cilët ishin kolegët e saj. Gjyqet ushtarake dënonin me pushkatime dhe burgime të rënda elitën shqiptare. Ajo u trondit veçanërisht nga pushkatimi i drejtorit të saj, shkencëtarit Selaudin Toto, si edhe i intelektualëve opozitarë; Gjergj Kokoshi, Suad Asllani, Sulo Klosi, Shefqet Beja, Prof. Stanislav Zuberit etj., veçanërisht nga dënimi i shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari.

Kështu, Sabihaja filloi të shprehte pakënaqësinë për regjimin dhe për Enver Hoxhën, shokun e saj të klasës në Liceun e Korçës.

Këto pakënaqësi të saj, si edhe prejardhja nga një familje e madhe, tërësisht intelektuale dhe demokratike, bënë që emri i Sabihasë të futej në listat e zeza të Sigurimit të Shtetit si “kundërshtare e regjimit”.

Përbri emrit të saj ishte vënë një kryq

Sabihaja u arrestua më 20.02.1951. Ajo bënte pjesë në listën e Sektorit të Dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, të përpiluar nga kapiten Rasim Dedja. Përbri emrit të saj ishte vënë një kryq, që do të thoshte se ajo do të pushkatohej. Përpiluesi i listave të zeza rrëfen: “Vlerësimi për personat që do të pushkatoheshin dhe që janë pushkatuar në fakt, është bërë direkt nga udhëheqja e Ministrisë, që në atë kohë ka qenë Mehmet Shehu me dy zëvendësministrat e tij – Kadri Hazbiu dhe Mihallaq Ziçishti. Them për këta të fundit, se këta mbulonin Sigurimin e Shtetit. Mehmet Shehu ishte ministër i Brendshëm, direkt i interesuar për ngjarjen.

Ai propozoi në mbledhjen e Byrosë Politike që të pushkatoheshin pa gjyq 10-15 persona dhe Byroja ia miratoi, pra, i kishte duart e lira. Por, jo pa komandantin. Pa miratimin e diktatorit nuk bëhej asgjë. Enver Hoxha ia miratoi të gjitha veprimet dhe emrat e viktimave që kishte përzgjedhur. Por Enveri shtoi nga ana e tij emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Manush Peshkëpisë, Qemal Kasoruhos, të cilët ishin nga treva e Gjirokastrës dhe ai i njihte personalisht. Për pushkatimin e saj dhe 22 intelektualëve të tjerë kishte vendosur Byroja Politike e Komitetit Qendror të PPSH-së, me vendimin e datës 20 shkurt 1951. Nuk ka shembull në gjithë vendet e Lindjes komuniste, që të vendoste për të vrarë njerëz, Byroja Politike, madje, pa gjyq dhe duke shkelur edhe ligjet e asaj kohe!

Ajo nuk e pranoi akuzën për akte terroriste?

Ajo nuk e pranoi akuzën për akte terroriste, për pjesëmarrje në organizata terroriste, për vënie në shërbim të agjenturave të huaja, por pranoi me burrëri se, si intelektuale, ishte kundër pushtetit totalitar dhe ideologjisë së tij komuniste: “Kam qenë kundër pushtetit popullor, sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit se me akte revolucionare të arrihej në socializëm. Jam lidhur me një grup shokësh, të cilët kanë qenë armiq të Partisë Komuniste…”!

Sabihaja ishte një demokrate e vërtetë europiane. Në mesnatën e datës 26 shkurt 1951, të lidhur me tela me gjemba, bashkë me 21 burra nga e gjithë Shqipëria, i pushkatuan dhe i hodhën në një gropë të përbashkët, pranë Urës së Beshirit. Fshatarët kanë dëgjuar britmat e saj, derisa dha shpirt. Eshtrat e saj sot prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në një varr të përbashkët me 22 martirët e pushkatuar atë natë të përgjakshme./ Memorie.al

Tentativë për vrasjen e Enver Hoxhës? Shkoi te Komiteti Qendror dhe kërkoi të takonte udhëheqësin, por u konstatua se kishte lyer rrobat me benzinë…

 Zbulohet dokumenti i Sigurimit për ngjarjen e bujshme të 7 majit ’75

 

Nga DASHNOR KALOÇI/ Nga viti 1945, e deri në ’85-ën që vdiq, për 40 vite me radhë, udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, diktatorit Enver Hoxha, nuk iu rrezikua asnjëherë jeta nga ndonjë atentat, komplot, grusht shteti apo çdo gjë tjetër, ashtu siç ka ndodhur me shumë “homologë” të tij, si në vendet e Lindjes Komuniste, apo në Perëndim etj. Dhe kjo, për shkak të terrorit të egër që ai ushtroi për 40 vite mbi popullin e tij. “Atentatet” ndaj Enver Hoxhës, që nga viti 1945 e, deri sa ishte gjallë, nuk kanë qenë gjë tjetër, veçse fryt i fantazisë së Sigurimit të Shtetit dhe hetuesve të saj, të cilët i bënin ato për të fituar famë, “se i kishin shpëtuar jetën Komandantit”, “se shpëtuan Partinë nga një komplot”, etj., etj., duke ua marrë deponimet të arrestuarve nën tortura apo makinacione të ndryshme. Dhe të tilla gjëra nuk ka pasur pak! Një nga akuzat e para që u është bërë të arrestuarëve; “se kishin dashur që t’i bënin atentat Komandantit”, është bërë që në vitin 1947 me procesin hetimor dhe gjyqësor të “Grupit të Deputetëve”!  

Përveç shumë dëshmive të bëra nga të pandehurit e atij procesi gjyqësor, (gjithnjë duke i’u referuar dosjes gjyqësore në fjalë), ku tregohen lidhjet e tyre dhe aktiviteti antikomunist për rrëzimin e regjimit komunist, një nga dëshmitë më interesante në atë gjyq, është ajo e bërë nga në Tefik Deliallisi, ku ai tregon për bisedën e bërë në shtëpinë e Ymer Keçit në Tiranë, ku Ymeri i ngarkoi Hamdi Kacolles, (njeriut që shërbente pranë Myslym Pezës) atentatin ndaj gjeneral-kolonel, Enver Hoxhës e Koci Xoxes, gjatë vizitës që ata do të bënin Pezë.

Një tjetër “grup armiqësor” që u akuzua se do i bënin atentat Enver Hoxhës ishte ai i vitit 1963, ku në procesin gjyqësor të zhvilluar në nëntor-dhjetor të atij vitit ndaj të pandehurve: Vangjel Lezho, Fadil Kokomani, Robert Vullkani, Trifon Xhagjika, Thoma Rafaeli, Franko Sara dhe Stavri Rafaeli, të gjithë kuadro të lartë të diplomuar në universitetet dhe akademitë ushtarake të Bashkimit Sovjetik e vendeve të tjera të Europës Lindore, si artistë, inxhinierë, ushtarakë, gazetarë etj.

Sipas dosjes hetimore që gjendet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe informacioneve të Gjykatës së Lartë drejtuar Komitetit Qendror të PPSH-së pas procesit gjyqësor, i gjithë aktiviteti i tyre “antiparti dhe armiqësor”, fillonte nga agjitacioni e propaganda, veprimtaria e spiunazhit me togerin sovjetik Valentin Zhenj, gjatë takimeve të tyre në shtëpinë e Robert Vullkanit dhe plazhin e Durrësit, plani dhe tentativa e dështuar për të vrarë me atentat Enver Hoxhën në lokalin e ‘Bllokut’ të udhëheqjes dhe më pas ministrin e Brendshëm, Kadri Hazbiu, te Materniteti i Tiranës, ku ai shkonte shpesh me makinën që e ngiste vetë, e deri te tentative e arratisjes fillimisht nga lumi Buna dhe më pas nga Liqeni i Pogradecit, etj.

Konkretisht për atentatin ndaj Enver Hoxhës në akt-akuzën e kryetarit të Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë së kryesuar nga Shuaip Panariti, midis të tjerash thuhej: Për të realizuar këtë qëllim, nga zhvillimi i gjykimit, doli se kanë bërë këtë përgatitje:

Në fillim kanë vënë në plan që ta kryenin veprën e terrorit ndaj udhëheqësit të partisë, shokut Enver Hoxha. Për këtë, të gjykuarit Fadil Kokomani, Vangjel Lezho, Trifon Xhagjika pohuan se kanë shkuar në afërsi të lokalit të Komitetit Qendror për të parë orën e ardhjes dhe të daljes nga zyra të shokut Enver. Ata pohuan se e kishin parë shokun Enver se në cilën orë shkonte në zyrë dhe dilte nga zyra dhe nga ç’drejtim vjen në zyrë dhe del nga zyra, por e kishin gjetur të vështirë që të kryenin atentatin kundër jetës së tij, për shkak të mbrojtjes së mirë që i bëhej.

Megjithëkëtë, duke qenë konsekuent në veprimtarinë e tyre, këta të gjykuar arrijnë në konkluzion që të vrasin të tjerë udhëheqësa. Kështu, të gjykuarit Fadil Kokomani, Vangjel Lezho e Trifon Xhagjika, pranuan para Gjykatës, kështu del edhe nga materiali i hetuesisë që të vrisnin shokun Kadri Hazbiun dhe disa punonjës të tjerë të Sigurimit të Shtetit. Kapiten Xhagjika, pranoi në gjyq se për punonjësit e Sigurimit kishin urrejtje të veçantë dhe për të ç’fryrë urrejtjen, donin të vrisnin ministrin e Punëve të Brendshme.

Vendin se ku do ta kryenin atentatin kundër jetës së shokut Kadri, e kishin përcaktuar tek Materniteti i qytetit të Tiranës, pasi sipas tyre e kishin parë se shoku Kadri, kishte ardhur disa herë në drejtim të Maternitetit. Këtë vepër e kishin gjykuar si të volitshëm për ta kryer duke marrë shkas edhe nga fakti se e kishin parë shokun Kadri që e drejtonte vetë makinën e tij pa qenë i shoqëruar nga ndonjë person tjetër. Më pas pohuan se kishin hequr dorë për të kryer atentatin në këtë vend dhe kishin arrirë në konkluzionin se këtë vepër ta kryenin jashtë qytetit të Tiranës.

Veprat e terrorit i kishin në plan për t’i kryer me armë zjarri, ose dhe me armë të ftohta. Rezultojnë si armët dhe revolver dhe thika, të gjykuarit e mësipërm i kishin siguruar. Të gjykuarit pohuan se për të realizuar qëllimin e mësipërm, disa herë kishin bërë stërvitje në lidhje me përdorimin e armëve dhe veçanërisht për përdorimin e thikës duke u stërvitur për të qëlluar nga distanca të largëta. Këto mjete të gjykuarve u janë kapur dhe janë paraqitur para gjykatës si prova të fajësisë së tyre, në lidhje me veprat e terrorit që përgatiteshin për t’i kryer kundër Partisë dhe të Shtetit t’onë”.

Edhe pse disa nga të pandehurit, si gjatë procesit hetimor dhe atij gjyqësor, “e pranuan” se kishin dashur që t’i bënin atentat Enver Hoxhës, ajo gjë ishte një makinacion i Sigurimit të Shtetit, gjë të cilën e kanë konfirmuar publikisht pas viteve ’90-të, Stavri Rafaeli dhe Robert Vullkani, dy prej të mbi jetuarve të atij “grupi armiqësor”, që vuajtën vite të gjata burgu politik.

Një tjetër “grup armiqësor” që u akuzua se “do i bënte atentat Enver Hoxhës”, ishte ai i vitit 1982, ku bënin pjesë; Namik Luci, Estref Kelmendi, Selim Kelmendi Shefqet Kelmendi, Piro Prifti dhe  Sejfulla Teta, ku katër të parët ishin intelektualë me origjinë nga Kosova dhe të ardhur si emigrant politikë në Shqipëri që nga fillimi i viteve ’60-të. Lidhur me këtë, në një intervistë që i kemi marrë para disa vitesh, Sejfulla Teta dëshmonte: “Pasi më arrestuan më 29 shtator 1982, më nisën menjëherë për në Degën e Brendshme të Krujës, ku zv/kryehetuesi i rrethit dhe sekretari i partisë, Nexhat Selimi, më tha: ‘Të kemi arrestuar pasi ti ke dashur që të vrasësh me atentat, udhëheqësin kryesorë të partisë dhe të popullit’. Unë e pyeta: ‘Kë se ata janë të 12 udhëheqës kryesorë’?

Ai m’u përgjigj gjithë inat: ‘Udhëheqësin kryesor të Partisë e të popullit po të them’. Krejt i habitur për ato që po më thoshte, në mënyrë instiktive unë e pyeta përsëri: ‘Kë, Enver Hoxhën’?! Akoma pa mbaruar mirë fjalën, në kulmin e nervave, Nexhat Selimi më tha: ‘Mos ia përmend emrin, more bajgë, more ndyrësirë’, dhe ngriti shkopin e gomës të më qëllonte. Unë nuk durova dhe i thashë: ‘Njeri i ndyrë je ti, me gjithë atë…’. Nga ai moment, e deri sa jam përmendur pas disa orësh, unë nuk mbaj mënd gjë, pasi kam qenë pa ndjenja nga rrahjet që më bënë me shkopinj gome.

Po, Nexhat Selimi më tha: ‘Ti së bashku me një grup tjetër që ne i kemi të arrestuar, keni dashur të vrisni udhëheqësit kryesor të Partisë dhe përveç kësaj ti ke vënë dinamit edhe në Mamurras e ambasadën jugosllave, por këto nuk na duhen tani. Ne e kemi hallin tek atentati që keni dashur t’i bëni udhëheqësit kryesor të Partisë, kur ai do të vinte për të vizituar Muzeun e ‘Skënderbeut’ në Krujë. Ti ke pasur në plan që t’i hidhje granatat gjatë mitingut, kur ai të takohej me popullin dhe në rast se nuk do ta realizoje dot ti atë gjë, atëhere do të dilte Selim Kelmendi, në Krastë të Krujës dhe me pistoletë do të kryente atentatin. Si variant rezervë për të kryer këtë akt kriminal, nëse nuk do ta arrinit dot ju, do të ishin Namik Luci në Laç, Shefqet Kelmendi në Lezhë dhe Estref Kelmendi në Shkodër”.

Pas 27 muajsh hetuesie të tmerrshme në qelitë e Krujës dhe atyre të Tiranës, më 24 nëntor të vitit 1984, “Grupi armiqësor që do i bënte atentat Enver Hoxhës” doli në në gjyq, i cili u zhvillua në Gjykatën e Tiranës, me prokuror Loni Moskon dhe kryetare gjyqi, Tamara Malajn nga Tropoja. Gjatë seancave gjyqësore që vazhduan për tetë ditë me radhë (i gjith gjyqi u filmua me kamera televizive), edhe pse asnjë nga të pandehurit nuk e pranuan akuzën për atentat ndaj Enver Hoixhës, u dënuan me nga 25 vjet burg, kurse Shefqet Kelmendin që mori mbi vete të gjitha akuzat, u dënua me vdekje.

Por, a ka pasur vërtet ndonjë tentativë për të vrarë Enver Hoxhën? Në vitin 1975, Beshir Tartar Nevraj, vjeç 34, me origjinë nga Tërbaçi i Vlorës dhe me banim në qytetin e Fierit, asokohe me punë në hekurudhën Fier- Ballsh, ka shkuar në Komitetin Qendror duke tentuar që të takohej me Enver Hoxhën, por aty e kanë arrestuar, pasi ai kishte lyer rrobat me benzinë! Po cili ishte ky person, nga ç’rreth familjar vinte ai dhe a kishte probleme me “pushtetin popullor” ai personalisht apo familja dhe fisi i tij? Përse e ndërmori ai atë aventurë të rrezikshme dhe cili qe fati i tij më pas? Lidhur me këtë do ndalemi në një shkrim tjetër në ditët në vijim, kurse në shkrimin e mëposhtëm po publikojmë dokumentin arkivor (i nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme), që publikohet për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al

DOKUMENTI ARKIVOR ME KOMUNIKATËN OPERATIVE SEKRETE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË DATËS 8 MAJ 1975, KU ËSHTË PASQYRUAR NGJARJA E BESHIR TARTAR NEVRAJ

 REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË                                                SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                                              Ekzemplar Nr. 1

DREJTORIA E ADMIN. DHE STUDIMEVE                                           Tiranë, 8.5.1975 

                                                KOMUNIKATË OPERATIVE Nr. 106

                                                                T I R A N A

Më 7.5.1975, u ndalua Beshir Tartar Nevraj, vjeç 34, lindur në Tërbaç të Vlorës dhe banues në Fier, punëtor në Hekurudhën Fier Ballsh, për arsye se në orën 13.00 të datës së sipërme, ka shkuar në Komitetin Qendror dhe kërkonte takim me udhëheqësin kryesor. U konstatua se kishte lyer rrobat me benzinë./ Memorie.al 

                               D R E J T O R I

U pa                        PILO SHANTO

Hysni Kapo

8.5.1975

“Kur Esat Pasha e përdori xhandarmërinë për interesat vetjake kundër qeverisë kombëtare, Hafiz Ali Podgorica me patriotët e tjerë…”- Historia e panjohur e kryebashkiakut të Durrësit më 1913

Hafiz Ali Podgorica lindi në vitin 1855 në Podgoricë në një familje patriotësh shqiptarë. Prindërit e tij Abdullah dhe nëna Pashja e lanë jetim Aliun në moshën 6 vjeçare. Atë e tërhoqën xhaxhallarët e tij, që banonin në Shkodër, ku kreu filloren dhe gjimnazin osman. Ai mësoi edhe Kur’anin përmendësh, duke marrë titullin Hafiz. Më vonë shkoi në Stamboll, ku u njoh me patriotët e atjeshëm. Ishte shok i Ismail Qemalit, Jani Vretos, Koto Hoxhit e shumë të tjerëve. Bashkë me ta u pajis me ndjenjat dhe idetë kombëtare për lirinë e Shqipërisë dhe përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe.

 

Mbasi u kthye në Shkodër punoi si avokat e ndihmës gjyqtar. Bashkëpunoi me patriotët dhe intelektualët shkodranë. Më pas e transferuan në Durrës, ku punoi si kadi (gjykatës) dhe pastaj u zgjodh myfti. Në Durrës u bashkua me patriotët: Nikollë Kaçorri, Abaz Celkupa, Seit Kertusha, Dr. Neki Libohova e shumë të tjerë.

Me formimin e klubeve “Vëllazëria” e “Bashkimi”, Hafiz Aliu ka qenë anëtar i këtyre klubeve (1905-1909). Ai ka dhënë kontributin e tij për çështje me rëndësi kombëtare dhe përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe në kushtet e asaj kohe.

Hafiz Aliu është dërguar gjithashtu si përfaqësues i Durrësit në “Kongresin e Dibrës” në korrik 1909. Këtu Hafiz Aliu e Dervish Hima fituan miratimin e të gjithë delegatëve për përkushtimin në çështjet kombëtare në planin arsimor, kulturor e politik.

Në vitin 1909, në zgjedhjet bashkiake, Klubi paraqiti kandidaturën e Hafiz Aliut. Ai ishte brumosur me idealet e Rilindësve tanë dhe kishte udhërrëfyes mësimet e Sami Frashërit nga ku kishte mësuar konceptet e qeverisjes së vendit. Ai ishte personi më i kompletuar për të përballuar detyrat e kryetarit të bashkisë.

Kështu u zgjodh kryetar i parë i Bashkisë së Durrësit në legjislaturën 1909-1912. Duke qenë gjithmonë konsekuent në lëvizjen patriotike, hidhte bazat e administratës shqiptare edhe në fushën e drejtësisë. Pas dështimit për ngritjen e flamurit në Durrës më 24 nëntor 1912, si kryetar Bashkie nënshkroi aktin e përfaqësimit për delegatët e Durrësit, që do të shkonin në Kuvendin e Vlorës.

Akt i rëndësishëm i qytetarisë durrsake, pas largimit të Ismail Qemalit për në Vlorë, qe ai i Hafiz Ali Podgoricës, Kryetar i parë i Bashkisë dhe personalitet i shquar, i cili më 26 nëntor 1912 ngriti me dorën e tij Flamurin Kombëtar në Pallatin qeveritar të Durrësit.

Menjëherë pas këtij akti madhor patriotët durrsakë nën drejtimin e Hafiz Aliut më 27 nëntor 1912, firmosën telegramin Nr.3300 dërguar të gjithë qyteteve me rëndësi të Shqipërisë për shpalljen e pavarësisë në Durrës (shpallën independencën në emër të kombësisë tonë të shtrenjtë e të gjithë Shqipërisë).

Njëkohësisht iu dërguan memorandume konsujve të Austrisë, Francës dhe përfaqësuesit italian në Durrës. Në dokumentet historike që ndodhen në Arkivin e Shtetit (Fondi i pavarësisë) shkruhet:

“Hafiz Ali Podgorica (1855-1929) më 26 nëntor 1912, me cilësi si kryetar Bashkie, pati nderin e posaçëm me ngritë me dorën e vet Flamurin e Shqipërisë në pallatin qeveritar të Durrësit”.

Administrata që kryesoi Hafiz Ali Podgorica më 1909-1912, për meritat e saj përbën faqe historie në jetën e qytetit të Durrësit. Është e kohës së tij dhe vula e parë e Bashkisë së Durrësit. Kjo detyrë lidhej padyshim me momentin historik që kalonte qeveria e përkohshme e Vlorës.

Për veprimtarinë patriotike atdhetare Hafiz Aliu gjithë jetën e tij ia kushtoi veprimtarisë për të mirën e vendit në organizimin e administratës shtetërore, si dhe në planin arsimor, kulturor e politik. Për figurën intelektuale janë zhvilluar disa mbledhje ku janë dhënë disa kumtesa për veprimtarinë e tij.

Në atë kohë Esat Pashë Toptani, duke shfrytëzuar postin e tij si ministër i Brendshëm i Qeverisë së Vlorës, në vitin 1913, e përdori xhandarmërinë për interesat vetjake, ambicioze kundër Qeverisë Kombëtare. Hafiz Aliu e kuptoi qëllimin e tij politik pro-serb. Bashkë me patriotët e tjerë durrsakë u larguan me familjet e tyre nga Durrësi.

Për dënim u janë plaçkitur shtëpitë e tyre. Po e njëjta gjë ndodhi në vitin 1924, kur Esat Pasha erdhi për të dytën herë në Durrës. Hafiz Aliu ishte përkrahës i mendimeve demokratike të Fan Nolit. Gjatë regjimit të Zogut dëbohet në Kavajë në vitin 1926. Ka vdekur në vitin 1929, duke lënë familjen në gjendje të vështirë ekonomike.

Në vitin 1992, Hafiz Ali Podgoricës i jepet nga Presidenti i Republikës z. Sali Berisha titulli; “Urdhri i Klasit të I-rë” për veprimtari patriotike me motivacionin: “Si figurë intelektuale, i dalluar në organizimin e luftës për çlirim kombëtar, për ngritjen e Flamurit në Durrës (26 Nëntor 1912) dhe për organizimin e administratës shtetërore”.

Më 16.10.1996, Këshilli Bashkiak i qytetit të Durrësit i jep Hafiz Ali Podgoricës (pas vdekjes) titullin: “Qytetar Nderi” i qytetit të Durrësit, me motivacionin: “Intelektual dhe patriot i shquar. Si delegat i Durrësit në Kongresin e Dibrës, ka luftuar me sukses synimet xhonturke. Bashkëpunëtor i Ismail Qemalit, me porositë e të cilit ngriti Flamurin Kombëtar në Durrës më 26 Nëntor 1912. Kryetari i Parë në Bashkinë e Durrësit në vitet 1909–1912”.

Më 16-17 gusht 2003, nga Bashkia e Durrësit e Shoqata “Durrësi”, i akordohet Hafiz Ali Podgoricës (pas vdekjes) titulli: “Simbol i Qytetit – Kryetarit të Parë të Bashkisë së Durrësit, intelektualit të shquar që organizoi administratën shtetërore, patriotit të flaktë që më 26 Nëntor 1912 ngriti Flamurin e Pavarësisë në Durrës”.

Më 26 nëntor 2005, nga Bashkia e Durrësit dhe Shoqata “Durrësi” i akordohet Hafiz Ali Podgoricës titulli: “Mirënjohje e qytetit të Durrësit” me motivacionin: “Për kontributin që ka dhënë për Pavarësinë e shtetit shqiptar dhe për ngritjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar në qytetin e Durrësit më 26 Nëntor 1912”.

Më 26 nëntor 2008 u bë inaugurimi i përmendores së kryebashkiakut të parë të Durrësit, Hafiz Ali Podgorica 1909-1912./ Memorie.al

“Merr ç’të marrësh, duhet me i thënë derrit dajë…”, telegrami i Enver Hoxhës për Mehmet Shehun më 1976! Krisja e raporteve me Kinën

PËLLUMB VREKA

Viti 1973. Koha kur marrëdhëniet me Kinën kishin filluar të kriseshin. Porosia nga “lart” ishte që mjetet luftarake të mirëmbaheshin në maksimum, pasi të reja nuk vinin më nga Kina, po ashtu as pjesë këmbimi. Ç’është e vërteta mjetet e blinduara që kishin ardhur nga Kina, flas për tanket, gati njëmijë e njëqind copë, shoqëroheshin gjithmonë me pjesë këmbimi të futura nëpër arka speciale e të ambalazhuara perfekt. Vetëm aroma e drurit të arkës kur hapej kapaku ishte tejet e veçantë dhe e këndshme. Vetëm kishte një problem, se ne ishim shumë “vandalë” lidhur me këto pjesë ashtu siç ishim ndaj pothuaj të gjithë makinerive që mbërrinin në Shqipëri. Në to kishte edhe paisje plotësuese si thika, kuti transmetimi me butona, (butonat i merrnin) se duheshin për t’i venë te dera e apartamentit për…zile! Pale picat e kaçavidat që nuk arrinin të “binin në tokë”!

Magazinat ishin kthyer origjinal siç ndodhi në 1997, arka kudo, të shkyera e të grabitura, shpëtonin vetëm shlemafonët pa u vjedhur sepse ishin specifik vetëm për tanket. Një krahasim: Kur erdhën vagonat e parë të trenave nga Kina, me ngjyrë bojë qielli, me veshje lëkure, “igelit”, të verdha apo jeshile, në tavan secili vagon kishte dhjetë apo dymbëdhjetë ventilatorë rrotullues. Brenda një muaji u xhveshën të gjithë nga grabitësit, të cilët harronin, si injorantë që ishin, se ato punonin me dymbëdhjetë volt dhe hajduti nuk kishte ku e gjente transformatorin. Po ashtu edhe sedilet çaheshin me thikë e u nxirrej sfungjeri përjashtë dhe e mbyllim këtë krahasim me rrugaçët e vegjël të fshatrave të cilët nuk lanë xham vagoni pa thyer me gurë!

NGJARJA E PARË

Nejse, kalojmë në temë. Tanket strehoheshin (marr si shembull repartin në Zall-Herr), nëpër tunele të hapura në faqe të malit. Këto tunele në fund lidheshin me një tunel vertikal që quhej “oxhak”. Kur ndizej një tank brenda tunelit, tymi dilte jashtë vetëm nëpërmjet këtij “oxhaku”. Pororsia e dhënë më lart për mirëmbajtjen zbatohej me rigorozitet apsolut. Them apsolut sepse pastrohej çdo gjë jashtë e brenda tankut. Motori i cili qëndrontë mbi katër gomina nën të, dmth. në dyshemenë poshtë tij nuk duhej të kishte asnjë gram dhe! Kjo çuditi edhe vet delegacionin ushtarak kinez kur erdhi në Shqipëri për vizitë.

Delegacioni kinez shoqërohej nga eksperti teknik i caktuar nga pala shqiptare, Filip Marku.

-Po gomat e rrotave, pyeti kinezi, me çfarë boje i lyeni?

-Nuk i lyejmë me bojë- iu përgjigj Filipi. Kemi një shpikje tonën. Marrim copa gomash të rrotave të dëmtuara, i djegim derisa të bëhen pluhur, pastaj pluhurin e përziejmë me benzinë dhe del një “mishelë” ngjitëse me të cilën i lyejmë gomat.

Gjitha kjo punë e ndotje për vetëm disa kilogram bojë të zezë- vazhdoi kinezi!

-Për kursim- ia preu Filipi. Kinezi kapsalliti sytë dhe nuk foli më!

Ne, vazhdoi Filipi me mburrje – edhe naftën kur zhvillojmë paradat ushtarake e marrim nga Rumania, të pastër që të mos “ngecen” tanket gjatë marshimit të paradës. Kështu, kinezët që shquheshin për disiplinë e rregull në çdo sektor të jetës, u “pataksën” kur shihnin çudirat shqiptare deri në ekstrem. Aty nga dhjetori, unë dhe një miku im i shkëlqyer, Foto Argjiri, nga Gjirokastra, ishim të dy në shërbim, kishim improvizuar një sobë druri në mes të dhomës dhe kishim venë disa feta bukë për t’i thekur. Muhabeti na ecte se ishim pothuajse nga një anë, ai gjirokastrit dhe unë tepelenas. Fotua ishte një djalë xhevair, jetim, e donin të gjithë personeli i repartit. Pas një jave (të shtunave) ishte taksative që do zhvillohej patjetër shërbimi teknik i tankeve në tunel. Për saktësim, edhe pse rrotat e tankut ishin të lyera, do lyheshin prap, edhe pse ambienti në tunel ishte “qelibar” sepse gjatë javës tanket “flinin”! Megjithëse të mbyllur gjithandej, prap do pastroheshin! Për kurioziotet, po fus këtu në mes të shkrimit një pasazh nga tankistët. Në ato vite vinin shumë delegacione të Partive Komuniste, të huaja, simotra të P.P.SH-së. Kuptohet shpenzimet dhe dhuratat (lexo dollarët) ua jepnin shqiptarët nga fondi internacional! Kështu erdhi në një rast kryetari i Partisë Komuniste të Belgjikës, Zhak Gripa. Efektivi prej katër tankistash ishte rreshtuar përpara tankut. U dha urdhëri për t’u futur në tank e gati për luftë! Efektivi, hypi, hyri e mbylli kapakët për…shtatë sekonda. Zhak Gripa u pataks.

-Mos nuk më punon ora mua? – dhe shihte orën i hutuar!

-Jo- i tha oficeri- ja ku keni kronometrin. Fiks shtatë sekonda, jo tetë!

Vazhdojmë me tonën. Gjatë kohës së shërbimit teknik lindte nevoja që të provoheshin motorët gjatë ndezjes. Po ashtu kur lyeshin gomat. Tanku duhej të lëvizte gjysëm metri nga vendi e të lyhej edhe pjesa e poshtme mbi zinxhir. Theksojmë se distanca nga tanku në tank, në rrjesht njeri pas tjetrit, ishte jo më shumë se 120 centimetra. Por, kur do, e keqja bëhet edhe pa pyetur ne.

Fotua doli para tankut të dytë dhe i bëri shenjë shoferit (për të gjithë pesë tanket në kollonë) që të ecnin përpara pesëdhjetë centimetra, duke qëndruar vet ndërmjet dy tankeve. Mirëpo, tanku në shkëputje kur i fut marshin, ka një avancim prej gati 60-80 centimetra. Pas shenjës së Fotos, shoferi lëshoi frenin, tanku u shkëput dhe fotalja, balli i mprehtë i tankut e ngjeshi Foton pas fundores së tankut tjetër, duke e prerë në mes Foton. Kuptohet, alarmi ishte i madh, rrëmuja po ashtu, larguan tankun “prerës” dhe e tërhoqën trupin e Fotos (në fakt Fotua kishte vdekur në vend por shpresa për mbijetesë!), e hypën në një transportues të blinduar transporti BNP2 dhe drejt në Spitalin Ushtarak në Laprakë. Fotua, djali flori, jetim, miku im i paharruar kishte dhënë shpirt në mes të dy tankeve. Një histori kjo, 50 vjeçare, por për mua e dhimbshme dhe do jetë e paharruar.

NGJARJA E DYTË

Viti 1976. Zhvillohej stërvitje me tanke në Tale të Lezhës. Ishte viti kur vdiq Mao Ce Duni dhe neve lajmi na erdhi në fushim. Nuk pati ndonjë reagim politik sepse në ato vite marrëdhëniet ishin pothuajse në kuotën zero. Qeveria kineze do na jepte edhe ca ndihma me “pikatore”, jo se u vinte keq për ne por sepse i brente edhe ndërgjegjia dhe ndodheshin keq përpara opinionit botëror se lanë në “baltë” dhe në mes të rrugës motrën e tyre të vogël. Fillimisht, me ardhjen në pushtet në Kinë të grupit të Huo Kon Fenit, u duk sikur marrëdhëniet po përmirësoheshin, por me kushtet e tij, qeveria shqiptare nuk i pranoi marrëdhëniet. Huo Kuo Feni do mbahet mend për dy gjëra, dënimin me pushkatim të gruas së Mao Ce Dunit në grupin e “katërshes” si edhe me dhuratën e një rafinerie nafte Jugosllavisë për inat të qeverisë shqiptare.

Një kuriozitet për këtë situatë. Delegacioni shqiptar i udhëhequr nga Mehmet Shehu, kishte vajtur në Kinë pikërisht në këtë kohë për të parë se si do zbatonin kinezët kontratat me vendin tonë. Pa u çuditur aspak, pasi u prit ftohtë, pa tam-tame e gondola në rrugët e Pekinit, parandjeu se diçka kishte marrë fund. Nga 46 kontrata që ishin firmosur midis të dy palëve, përpara se të shkonte delegacioni ynë, kinezët filluan të bënin kinezërira. Në takimet midis tyre, pala kineze ankohej për mos përmbushje të detyrimeve me mungesën e lëndës së parë, dhe ato pjesë e ato të tjera nuk mund të prodhoheshin dot etj. etj. Shkurt, Mehmeti njofton me fonogram Enver Hoxhën se kinezët nga 46 kontrata do realizonin vetëm 16 prej tyre, të cilat edhe ato u reduktuan më pas akoma më shumë. Enveri, duke ditur më përpara situatën, i shkruan Mehmetit: “Shoku Mehmet, merr ç’të marrësh, nuk kemi ç’tu bëjmë, duhet me i thënë derrit dajë!”.

Vazhdojmë me stërvitjen. Kompania prej nëntë tankesh ishte rreshtuar në kollonë, gati për nisje, por po pritej mbrëmja sepse “sulmi do kryhej natën”. Në sfond në bregdet ishte vendosur armiku, tabela të mëdha me skelet metalik në formën e tankut armik të veshura me napë (beze). Prapa çdo tabele në tokë ishte vendosur një bateri e cila furnizonte një llambë prej dymbëdhjetë voltësh e vendosur në mes të tabelës, gjithsej nëntë tabela e nëntë llamba. Llamba ishte thjesht pikë referimi që artilieri i tankut të mos gjuante kuturu.

Njëkohësisht në thellësi të terrenit, afro njëqind metra larg në brezin nga do kalonin tanket, ishte ndërtuar si zakonisht një kullë druri për vrojtim, e lartë deri në dhjetë metra të cilën ne e quanim “vishkë”. Grupi i vrojtimit të stërvitjes prej 6 apo 7 vetësh, oficera, ishin ulur nëpër stola me një mikro tavolinë përpara dhe fatkeqësisht… edhe me një llambë vajguri si fener mbi të. Ky fener, të cilin rregullorja nuk e lejonte gjatë stërvitjeve natën, do të shkaktonte kaspahanën në atë “vishkë”. Pritej sinjali për lëvizjen e tankeve në kollonë dhe pasi secili tank të ishte vendosur përballë çdo tabele me tankun armik, do të hapnin zjarr. Zjarri realizohej me predha të vërteta, reale, goxha plumb blindshpues të mitrolozit në kullën e tankut. Në momentin që tanket u vendosën, u dha urdhëri të ktheheshin djathtas në drejtim të tabelave, çdo tank një tabelë dhe orientimi jepej gjithmonë nga komanda në majë “vishkës”. Tanket u kthyen në pozicion dhe çdo artilier filloi të drejtonte kullën e tankut në drejtim të tabelës me tankun “armik” që do godiste ai.

Mirëpo, fatalisht, njeri nga artilierët duke rrotulluar për kontroll rutinë kullën e tankut të tij, ndalesën nuk e bëri te llamba e vogël në mes të tabelës që përfaqësonte “tankun armik” që ai do godiste. Atij i tërhoqi vëmendjen llamba e mekur e fenerit të “vishkës”, të cilën ai e ngatërroi me dritën e tabelës “tankut armik”. Të gjithë filluan tanket filluan zjarrin me mitroloz drejt në mes të tabelave, atje ku i orientonte llampa e vogël prej dymbëdhjetë voltësh. Artilierin që kishte kthyer tytën e tankut nga “vishka” fatkeqësisht nuk e pikasi askush. Po ta kishin pikasur, ndoshta edhe kasaphana mund të ishte evituar. Zjarri ishte i tmershëm, çdo mitroloz kishte një shirit prej dyqind e pesëmbëdhjetë fishekësh! Plumbat përfshinë “vishkën” dhe kuptohet kasaphana, të gjithë të vrarë, gjaku kullonte mbi trupat e coptuar e njeri mbi tjetrin. Kaosi, hutimi, tmerri, kjo ishte pasqyra e momentit. Këtë rrëmujë e shtonte edhe nata, terr, siç thotë populli zakonisht, “të fuste gishtin në sy tjetri”. Dëmi ishte kolosal. Gjashtë-shtatë kufoma të mbytura në gjak, të coptuara “flinin në vishkë”. Një pakujdesi fare e vogël shkaktoi një dëm kolosal me shtatë jetë njerëzish.

NGJARJA E TRETË

Viti 1977. Duke parë rrezikun e një invazioni vetëm nga deti, Qeveria Shqiptare organizonte pothuajse çdo vit stërvitje të formave të ndryshme, deri edhe tek ato komando shtabi. Lezha ishte sipas strategëve shqiptarë, një zonë e mundshme zbarkimi pasi edhe bregdeti i Tales ishte moçalor me disa kilomentra në thellësi. Këtë zonë qeveria e kishte zgjedhur edhe si një zonë primare për të internuarit politikë, duke i strehuar nëpër stalla e baraka e sigurisht që të mos hanin bukën “kot” i angazhonte në punë. NBU-të, ndërmarrjet bujqësore ushtarake, apo NBSH-të, ndërmarrjet bujqësore shtetërore ishin si tip sovkozesh të stilit sovjetik.

NBU-të u krijuan që të punonin më shumë ushtarët, dmth. që prodhimi i tyre të lehtësonte barrën e ushtrisë duke prodhuar vet ushtria…. perimet!!! Të internuarit politikë punonin në zona të veçanta dhe e kishin të ndaluar komunikimin me ushtarët apo me pjesën tjetër të popullsisë vendase. Në këtë kuadër zhvillohej edhe këtë rradhë stërvitja Komando Shtabi. Stërvitja do zhvillohej me tanke për rikonicion, pra jothjeshtë një sasi tankesh në sulm. Pas sinjalit të dhënë, tanku i maskuar me shqope u fut në zonën e vështirë të bregdetit, një baltovinë e cila në pamje të parë dhe e mbushur me bar, të jepte përshtypjen e një terreni të fortë dhe solid. Por, tanku mbeti në atë baltovinë dhe sa herë shoferi mundohej ta nxirrte nga balta, aq më shumë ai zhytej.

Identike me atë të tankeve ruse sot, në zonat e periferisë së Kievit, që kur u sulën nga Bjellorusia mbetën në baltovinë dhe u tërhoqën. Në këto kushte u dërgua një tank tjetër i cili u lidh me tankun e zhytur me kavo dhe filluan së bashku të provonin daljen nga baltovina. Zhytja ishte e thellë, tankeve iu zhytën rrotat komplet dhe prapë nuk dolën. At’here u dërgua një tank i tretë. Kollona e tre tankeve këmbëngulte duke u sforcuar në kulm por ishte e pamundur. Të tre pushuan së tentuari. U kërkua ardhja e një diagaçi. Ky mjet është i përsosur për këtë lloj operacioni sepse nuk kishte kullë, kishte një lloj thike përpara si të fatromave, të cilën kur e ngulta ne tokë, forca e fërkimit ishte pothuajse zero. Plus që kishte një kavo goxha të gjatë të lidhur e të komanduar me një karrukull me fuqi-mekanike. Pra, ky do t’i nxirrte të tre tanket nga balta, fët e fët, një e nga një. Por, udhëheqja nuk pranoi të dërgonte të “uruarin” e të shpëtonin edhe mjetet nga sforcimi, edhe kohën që ikte pa kthim. Pas refuzimit nga Komando e Tankeve, që të dërgonin diagaçin, u thirr Tekniku u Batalionit, një ekspert i vërtetë, Dhimitër Mitrushi.

Dhimitri ishte një specialist i mirëfilltë për këtë punë, kishte bërë edhe shkollë të posaçme për këto raste në Bashkimin Sovjetik. Ai erdhi, i veshur me një palë çizme sovjetike me lëkurë të dyfishtë e zinxhir nga brenda (balta ishte deri në gju) dhe pasi mblodhi të gjithë komandantët, iu tha: “Me këtë baltovinë, tanket nuk ka zot t’i nxjerrë andej, përveç diagaçit që nuk na e dhanë, prandaj duhet që i gjithë batalioni të shkojë tek ajo kodra përballë – dhe bëri me dorë në atë drejtim- të korrë e të sjellë këtu shqope. Kuptuat”!. Të gjithë ushtarët u shpërndanë për të korrur e mbledhur shqope, të cilat më pas, tufa-tufa i sillnin dhe Dhimitri i orientonte t’i vendosnin shtruar në formën e rrogozit përpara zinxhirëve të tankut të parë, deri për rreth njëzet-tridhjetë metra, ku tabani i tokës tregonte fortësi, që do i garantonte tankut lëvizjen pa probleme për të dalë nga baltovina. Pasi mbaroi shtrimi, Dhimitri orientoi tankistin, i cili filloi lëvizjen e tankut duke shkelur mbi shqope. Profecia e Dhimitrit dha rezultat, tanku filloi lëvizjen lirshëm mbi “qylymin e shqopeve” duke dalë nga baltovina. Pas tij, dolën edhe tanku i dytë dhe i tretë nga baltovina. Mos dërgimi i diagaçit dëmtoi shumë rëndë motorët e tankeve në përpjekje për të dalë nga baltovina. Dikush duhet të mbante përgjegjësi. Në ditët e mëpasme, në analizën e stërvitjes, për këtë ndodhi të pazakontë, si mungesë solidariteti (mos dërgimi i diagaçit) u shkarkuan disa kuadro me përgjegjësi në rradhët e ushtrisë. Pësimi duhet të kthehet në …mësim!

Autori, drejtori i revistës “Hosteni”

/Gazeta Panorama 


Send this to a friend