THOMAS NYDAHL
Thomas Nydahl ka lindur më 27 qershor 1952 në Malmö të Suedisë. Është autor i 40 librave dhe gazetar i pavarur. Nydahl shkruan për jetën e vetmuar dhe tekstet e tij janë shpesh të zhveshura nga figuracioni. Nydahl është gjithashtu një shkrimtar i tepër i përkushtuar në blogun e tij Nydahls kustvandringar. Shkrime të ndryshme të tij janë të publikuara në revistën finlandezo-suedeze Astra Nova.
ARTI I TË LINDURIT
Të hapësh shalët s’është mjaft
Të lindësh do të thotë të japësh jetë
Jeta vjen mahnitëse
Fëmijën e lind veç dhembshuria
për mish e gjak.
ARTI I TË PIRIT
Ndjenjë lehtësimi
Vera në gojë: dritë dielli që e lyen qiellzën kuq a bardhë,
çdo grimë e lëkurës shkrirë nga përqafimet e rrushit,
befas me një ndjesi që kaplon krejt kurmin.
Kokë e këmbë, duar e gjinj, sy e veshë,
vera i ngacmon ndërsa e lemë në punën e vet,
të ngacmojë e të përjashtojë.
Ngacmon: shpatet e vreshtave.
Përjashton: zbrazëtinë dhe hallakatjen stresuese.
ARTI I TË JETUARIT TË FADOS*
Tek zgjohem një mëngjes,
tek gjej një tjetër faturë të paftuar,
tek e gjej e mërzitem me të
Tek ulem në tavolinën e mëngjesit,
tek marr një vëllim të vjetër me poezi portugeze
Tek e lexoj, fjalë për fjalë, sikur të mësoja përsëdyti si të lexoj:
“Gjuhët e tyre, prej guri, gjithashtu”,
tek rrekem ta nis ditën paçka faturës,
tek rrekem të rroj siç dikur më rrëfyen në Lisbonë:
pa kurrfarë iluzioni a hidhësie,
por duke i pranuar ditët siç vijnë e shkojnë,
duke i parë si gurë kilometrikë në një jetë vetë zgjedhur,
në një jetë ndriçuar me kujtime netësh të vona
me fado dhe dashuri diellore
________
* Fado – muzikë folklorike portugeze, zakonisht melankolike, ose valle që shoqëron këtë lloj muzike.
ARTI I LARGIMIT PREJ DITËS KOMBËTARE
Pri biletë veç për ikje, hipi trenit.
Në tren ngulu deri në ndalesën e fundit.
Kqyre imët qytetin ku ke mbrritur,
po s’pe ndonjë flamur a të tjera simbole kombëtare të vendit tënd,
qetohu, bli një gotë birrë e pije ngadalë, ndërsa riformëzon historinë tënde.
ARTI I BIRMINGHAM-it, Mbretëria e Bashkuar
Ngrini ngadalë një qytet,
me dorë ngrijeni
Ndërtoni tërë fabrikat,
krah njëra-tjetrës ndanë ujrave,
shtrëngoni çdo fëmijë të punojë në to,
ditë e natë
Lërini fabrikat të punojnë
nga njëra luftë e madhe në tjetrën
dhe kur paqja të rivendoset
shkatërroni gjithçka,
rrënojeni tullë mbas tulle
Ngrijeni sërish qytetin
dhe hiquni sikur fabrikat e puna cfilitëse
as paskëshin qënë ndonjëherë,
pallatet vezullues kundroni përballë
ARTI I QËNDRESËS
Zgjoje trupin e përgjumur çdo mëngjes,
pa përjashtim,
Nga e Hëna në të Hënë
Duke u plakur e dobësuar.
megjithatë gjithmonë duke sfiduar errësirën
Thelonious Monk* këndon
“Fatmirosh më qënke”
Tjetër buzagaz në fytyrë…
_______
*Thelonious Monk – (1917-1982) Jazz muzikant i shquar amerikan. Titulli origjinal i këngës në anglisht “You are a lucky guy”.
ARTI I MISIONIT
Filloje ditën duke thënë trupi i njeriut është Tempulli i Zotit
Largoju vogëlimave, në vend të tyre drejtoju
Ngritjes hyjnore dhe shfaqu i pafaj në çdo pasqyrë
Thuaji gjithkujt përreth se pija po ndyn Tempullin e Zotit
Kurrë mos kthe fjalë kur ndokush thotë jeta është mirë e keq, bardhë e zi,
mbaj vendin e shenjtërisë që të përket.
ARTI I TË VDEKURIT
Prehe kokën në zemrën e të dashurës
Zemrën e saj prehe në mendje
Hidhi tej gjithë faturat e borxhet
Merr një çarçaf të bardhë prej shtratit
Mbështille rreth gjinjve dhe vitheve
Të së dashurës, kundro bukurinë e kurmit të saj
Ngadalë gudulitja gjinjtë me dorën e majtë
Ndërsa dora tjetër po të çlodhet mbi sy
Brenda saj qëndro.
Qëndro gjersa agu të vijë
Dhe do kuptosh se ke ikur e prapë brenda saj je.
ARTI I LAMTUMIRËS
Tepër, tepër, tepër i zënë,
sytë i mbaj në horizont,
hundën në mjaltë,
gjithçka bie erë normale
e unë gënjej veten se asgjë
s’ka për të ndryshuar,
duke kqyrur qosheve për surpriza të reja,
sikur kjo të mos ishte e madhe mjaft.
Kokën në rërë,
sytë mbyllur e pa ndjerë lot,
po iki sërish, me fjalët e tua
që më jehojnë ndërmend.
ARTI I MBIJETESËS
Kthehu në barkun e nënës, aty rri,
sa lajme të reja të marësh prej shtypit a motrës.
Në barkun e nënës: bëj plane për të ardhmen,
mos i beso tërë llogjet për paqen.
Përktheu nga Anglishtja në Shqip
Arben P. Latifi
Janar 2019
Komentet