Komentet
Kosova është me Vjosën dhe Albinin, është me Albinin dhe Vjosën! Shqiptarët, në shumicën dërmuese janë me dy udhëheqësit më përfaqësues të një gjenerate të re politike që po vjen fuqishëm në krye të Kosovës.
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti janë dy figurat politike më të dashura për shqiptarët.
Një zhvillim shumë i mirëpritur historik mori sot firmat nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe udhëheqësja e nismës Guxo, Vjosa Osmani, njëherësh kryetare e parlamentit dhe ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës. Formacioni politik i udhëhequr nga zotëri Kurti, më i votuari në zgjedhjet e 6 Tetorit 2019, dhe nisma qytetare e udhëhequr nga zonja Osmani, deputetja më e votuar në historinë e Kosovës, në bazë të marrëveshjes së sotme, kandidojnë së bashku në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Një zgjidhje më e mirë, më e zgjuar, më logjike se të gjitha zgjidhjet më të mira, më të zgjuara e më logjike që janë hamendësuar këto kohë nga të gjithë njohësit më të zotë dhe më mirëdashës të Kosovës.
Nga këto zgjedhje Kosova do të ketë Kryeministër Albin Kurtin dhe Presidente Vjosa Osmanin.
Verdikti i 6 Tetorit 2019 do të gjejë konfirmimin e padiskutueshëm më 14 Shkurt 2021. Kosova është e vendosur në verdiktet e saj. Kush pret që Kosova të zbehë vendosmërinë e saj ndaj verdiktit të 6 Tetorit 2019, do të dalë i gabuar dhe i zhgënjyer. Kosova drejt 14 Shkurtit 2021 shkon më e vendosur se kurrë që asgjë në botë të mos e lëkundë në këtë verdikt.
Me Vjosën dhe Albinin Kosova do ta shohë veten të barabartë në të gjitha tryezat ndërkombëtare, Kosova do të jetë shumë më pak ballkanike dhe shumë më tepër evopiane, do të ketë pavarësinë dhe sovranitetin politik, ekonomik, kulturor, në rrafsh të brendshëm, në rrafsh fqinjësor dhe në rrafsh ndërkombëtar. Të gjitha këto dimensione të shenjta Kosovës i kanë munguar, i janë cënuar, i janë nëpërkëmbur, i janë keqpërdorur në vitet e paspushtimit dhe në vitet e pas zyrtarizimit të pavarësisë.
Jemi me Vjosën dhe Albinin, jemi me Albinin dhe Vjosën, sepse jemi me Kosovën, sepse Kosova është me Vjosën dhe Albinin, me Albinin dhe Vjosën!
Kryeministri dhe Presidentja që do të dalin nga zgjedhjet e 14 Shkurtit 2021 të Republikës së Kosovës kanë formatin e admirueshëm evropian dhe perëndimor, kanë vizionin e qartë për konsolidimin e gjithanshëm të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, kanë programin më konkret për ta bërë Kosovën të jetueshme për qytetarët e saj, kanë portretet më frymëzuese politike për të frymëzuar rininë dhe të gjithë faktorët e tjerë vitalë të shtetit të Kosovës.
Kosova më 14 Shkurt 2021, siç tha sot z. Kurti, do të votojë “për një shtet me drejtësi dhe pa korrupsion, për një shoqëri me shëndet, punësim e arsim për të gjithë qytetarët pa dallime, diskriminime e favorizime”. Kosova më 14 shkurt 2021, siç tha sot zonja Osmani, do të votojë kundër kapjes së shtetit, kundër padrejtësisë dhe pabarazisë, do të votojë për përparim, mirëqenie dhe dinjitet. Siç garantoi zonja Osmani, “sot e për katër vitet në vijim, por edhe përtej këtyre katër viteve, ne jemi të vendosur për të luftuar pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend, për të ndërtuar një vend që prioritizon arsimin dhe shëndetësinë, mbrojtjen e mjedisin dhe mirëqenien e secilit e secilës për ju, duke siguruar një rimëkëmbje ekonomike të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe inovative. Jemi të vendosur për të respektuar dhe mbrojtur kushtetutën e Republikës tonë si dhe për të garantuar sovranitetin, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm të Kosovës”.
14 janari, me firmat e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit, shënoi marrëveshjen që “përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe bashkim rreth një kauze për një të ardhme më të mirë”, siç theksoi zonja Osmani. Një muaj më vonë, më 14 Shkurt 2021, ajo do të marrë firmën e Kosovës.
Jemi me Vjosën dhe Albinin, jemi me Albinin dhe Vjosën, sepse jemi me Kosovën, sepse Kosova është me Vjosën dhe Albinin, me Albinin dhe Vjosën!
Demokracia përfaqësuese ka nevojë për një të djathtë të përkorët, konservatore, kushtetuese. Për t’u mbrojtur nga sulmi I skajshmërisë populiste, demokracia ka nevojë për një forcë liberale të masës, që t’a mbështjellë e t’a ruajë, të themeluar mbi interesat e kulturën e borgjezisë. Në fund të fundit është kjo që na thotë kriza amerikane. Edhe aty ku ka lindur më shumë se dy shekuj më parë, demokracia në fakt i ka treguar gjithë botës në këto ditë, se është e “varur në një fije”, siç ka shkruar Le Monde.
Nuk duhen turma të mëdha për të marshuar mbi një pallat, thuhet se pesëqind vetë, t’armatosur mirë, do të kishin ndaluar Revolucionin e Tetorit, për të mos folur mbi ecjen drejt Romës. Ajo që duhet është një zbrazëti pushteti dhe një bashkëpuntor në të. Por nëse e djathta liberale italiane në çastin vendimtar i dha një kalim fashizmit, ajo amerikane, megjithë oportunizmat dhe burracakërinë e klasës së saj drejtuese parlamentare, më së shumti ajo qëndroi.
Trump-in e kanë mundur zgjedhësit e përkorë, që kanë patur rolin e gjilpërës së peshores, duke e bërë atë të anonte nga ana e qëndërsorit Biden në votimet presidenciale, e më pas nga ana e demokratëve në votimin e dytë në Xhorxhian republikane, sepse ishin të lodhur nga aventura. Politikani që i tha jo presidentit, në kërkimin e 11.789 votave që i mungonin, ka qënë republikani Brad Raffensperger, sekretari i Shtetit i Xhorxhias. E përditëshmja që, mbas fakteve të Capitol Hill ka shkruar “N’emër të Zotit, shporru” duke huajtur britmën e një deputeti anglez kundër kryeministrit të tij, Chamberlain, e cila i hapi rrugën qeverisë Churchill, ishte konservatorja Wall Street Journal. Qe një gjeneral që nuk pranoi të rrjeshtojë trupat kundër turmave që protestonin kundër dhunave raciale të policisë, siç kërkonte Trump-i, e bashkë me të ministri i Mbrojtjes republikani Mark Esper, për të cilën më vonë u pushua nga presidenti.
Nëse të gjitha këto fije nuk do të kishin qëndruar nuk do të ishim këtu të lëshonim psherëtimën e lehtësimit për rrezikun e shmangur. Në të djathtën amerikane ka mbetur e dobët por e gjallë, një traditë e kahut të Shtetit që secili mund t’a vlerësojë duke riparë në You Tube fjalën me të cilën John McCain, kandidati republikan i tetë viteve më parë, pranoi humbjen dhe pohoi admirimin e tij për fituesin Obama.
Është vendimtar, i çmueshëm, roli që e djathta konservatore do të dijë të ketë në rindërtimin e Grand Old Party n’Amerikë, e që do të jetë e ftuar të zhvillojë edhe thirrjen për mënyra të mira n’Evropë, përballë një populizmi të damkosur nga humbjet politike por aspak të shtruar e ndoshta të gatshëm të gjejë linfë të re në dramaticitetin që ka arritur ndeshja (jam kurioz të di se çfarë mendojnë për ndalimin e Twitter 88 milionë ndjekësat e presidentit) Ka çështje konkrete, ekonomike e kulturore, që largojnë masa të “forgotten men” në Arizona si në Gjermaninë lindore apo në Veri të Anglisë nga demokracia dhe e bëjnë atë të duket gënjeshtare dhe zhgënjyese. Shtymjen dhe zemërimin e valës populiste nuk mund t’a shtrojnë vetëm me thirrje për mënyra të mira ose një bisedë social më pak të dhunshme, nëse forcat demokratike nuk do të jenë në gjëndje të ndryshojnë apo të përditësojnë ofertën e tyre politike.
Ka dy mënyra për të lexuar gjërësinë e habitëshme dhe agresivitetin e kësaj lëvizjeje globale të opinionit. E para është ajo e zgjedhur nga një pjesë e së majtës edhe në Itali, aq e mrekulluar nga çdo lëvizje sa që të përceptpojë edhe tek zotëria me brirë dhe kapelen e marmotës në kokë që ka mësyer Capitol Hillin fytyrën e një skamësi, të viktimës së pabarazisë, e që pra propozon një përgjigje shoqërore, të reformës së kapitalizmit. E dyta është kundërveprimi liberal që sheh në Shtetn e së drejtës, në mbrojtjen e institucioneve dhe në cilësinë e ndërmjetësimit politik ndërmjet interesave ledhin e regjimeve demokratike. Sepse ajo që në të vërtetë vlen në demokraci nuk është të dërgohet në pushtet njeriu më i mirë, ose më popullor, por të sigurohet një sistem që do t’i ndalojë atij të shpërdorojë pushtetin, sa herë ai të tundohet t’a bëjë.
Një e djathtë e këtij tipi na duhet edhe neve n’Itali. E lindur në 1994 për rreth Silvio Berluskonit, e jona ka vuajtur gjatë nga prejardhia e saj personalistike e karismatike e nga kundërshtia e interesave që, pashmangmërisht e vinte në tendosje me Shtetin e së drejtës. Por edhe se me çaste rreziqesh e tensioni të rëndë ndërmjet pushteteve (për shembull me gjyqësorin), ajo e djathtë ka përfaqësuar për njëzet vite njërin ndër dy polet e një demokracie të qëndrueshme, të një vendosjeje evropiane të sigurtë, e të një ternimi demokratik të shëndoshë. Tani që e djathta e përkorët është kandisur në një qiri, e mbyllur siç është në llogoren zgjedhore të Forza Italia-s, është qenësore që të mund të zëvëndësohet nga diçka e aftë të qëndrojë edhe përballë tundimeve për të kalëruar valën populiste. Kjo e djathtë është në Vend. Në zgjedhësit lombardë për shembull edhe se në një çast kur i mungon drejtimi. Në Veneto ku e ka drejtimin. Në krahinat e në qytetet e qeverisura nga përfaqësues të Legës e të Vëllezërve t’Italisë, ku politika e s’ardhmes së afërt detyron të lënë mënjanë paragjykimet ideologjike e të mendojnë për qenësoren. Por kemi parë edhe në ndodhinë zgjedhore amerikane se sa mundim bëjnë drejtuesit e saj të dallojnë e të luftojnë ballëhapur rreziqet autoritare që fshhihen mbas bisedës populiste.
Sa më shumë të arrijë të bindet ajo se elektorati i moderuar nuk është gëlltitur në vrimën e zezë të krizës ekonomike, e që në çastin e duhur din të rrjeshtohet kundër aventurës dhe rebelimit, aq më tepër një e djathtë e re do të jetë siguri për vazhdimësinë demokratike të një sistemi që edhe te ne nuk mund të quhet i imunizuar nga infektimi trumpist.
“Corriere della Sera”, 9 janar 2021 Përktheu Eugjen Merlika
çfarë fshihet pas Athinës zyrtare si ‘protektore e shteteve me shumicë myslimane’ në rajon – Nga SHABAN MURATI
Euforia është një sëmundje e vjetër e diplomacisë ballkanike. Por vështirë të kishte menduar kush një shkallë aq të lartë euforie si ajo e ministrit të jashtëm grek, Nikos Dendias, i cili me vitin e ri afishoi një objektiv të ri të madh të Greqisë në Ballkanin Perëndimor: Rolin e Greqisë si protektor i shteteve me shumicë myslimane në rajon. Në një intervistë me gazetën e njohur greke “Ekathimerini” në datën 10 janar 2021, publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme Greke, ministri i jashtëm deklaron: “Qëllimi ynë është mbrojtja e Ballkanit Perëndimor nga rrjete ekstremiste dhe pikëpamjet neootomaniste. Ne kemi qëllim të bëhemi një urë bashkëpunimi me vendet me popuj kristianë. Me qëllimin që të arrijmë këto objektiva ne kemi zhvilluar një prani të posaçme aktive në këto vende”.
Diplomacia fetare greke, si “një nga parametrat kyçe të politikës së jashtme greke” sipas përkufizimit të Dendiasit në 9 dhjetor 2020, sinjalizon një ofensivë të saj në planin fetar në Ballkanin Perëndimor për të marrë dhe për të konsoliduar rolin udhëheqës të Greqisë në këtë grupim, ku bëjnë pjesë pesë shtete të ish-Jugosllavisë dhe Shqipëria. Interesantja e kësaj ofensive të re të diplomacisë fetare greke nuk është boshti i saj i njohur, i vjetër dhe i pandryshueshëm i përdorimit të ortodoksizmit si trase e influencës dhe e hegjemonisë greke në Ballkanin Perëndimor. Ky bosht mbetet themeli i aleancës shtetëroro-fetare të Greqisë me Rusinë dhe me Serbinë.
Tani diplomacia greke po del me një intonim të ri duke pretenduar të jetë protektore e shteteve me shumicë myslimane në Ballkanin Perëndimor. Ministri i jashtëm grek e bën shumë të qartë se kush janë shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku diplomacia greke do të fokusohet që të realizojë proteksionin grek të këtyre vendeve nga rrjetet ekstremiste dhe nga pikëpamjet neootomaniste. Ai rreshton Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjën. Nuk e përmend as Serbinë dhe as Malin e Zi.
Duhet thënë që në fillim se ofensiva e re diplomatike fetare greke në drejtim të katër shteteve, që përmend Dendias, lidhet me ambiciet rajonale ballkanike dhe me interesat gjeopolitike greke në Mesdheun Lindor. Greqinë nuk e ha malli për ndonjë proteksion real ndaj këtyre shteteve dhe popujve, sepse historia e veprimit të diplomacisë fetare greke në drejtim të katër shteteve ka qenë antitezë e proteksionit. Është tepër e lexueshme se strategjia e re e ofensivës diplomatike fetare greke në Ballkanin Perëndimor është që të krijojë një diversion dhe një çarje te madhe mes shteteve ballkanike me shumicë myslimane dhe Turqisë. Së pari, Athina është e ndërgjegjëshme që nuk konkurron dot me Ankaranë në planin ekonomik dhe ushtarak dhe nuk mund të jetë për shtetet e Ballkanit Perëndimor më atraktive se Turqia. Së dyti, Greqia e pa gjatë vitit 2020 se shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk e përkrahën Greqinë në ambiciet e saj lafonteniane për të qenë dominuese në Mesdheun Lindor. Në këtë situatë të pakëndshme për të, diplomacia greke hartoi trukun e ri diplomatik të paraqitjes së saj si protektore e shteteve ballkanike me shumicë myslimane, me synimin për të krijuar hendek në marrëdhëniet midis shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. Kjo ofensive e re diplomatike greke në drejtim të Ballkanit Perëndimor duhet parë si pjesë e strategjisë më të gjerë greke për të krijuar një kordon sanitar rreth e qark Turqisë.
Është skema që Greqia po ndjek në mënyrë të ethshme në brigjet e Mesdheut, në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut, ku po mbijnë aleanca, grupime dhe instant-marrëveshje të Greqisë me të gjithë shtetet, që kanë mosmarrëveshje apo acarime me Turqinë. Nuk mund të quhen veçse të habitshme nga pikëpamja diplomatike marrëveshja e mbrojtjes reciproke e Greqisë me Emiratet e Bashkuara Arabe, apo marrëdhëniet zyrtare dhe marrëveshjet e Greqisë me gjeneralin separatist libian Haftari dhe jo me qeverinë e ligjshme libiane të njohur nga OKB. Më këtë obsesion diplomatik antiturk Athina ka krijuar grupime politike dhe energjetike me Izraelin, Qipron dhe Egjiptin, të cilat kanë acarime në marrëdhëniet e tyre me Turqinë.
Tani shefi i diplomacisë greke shpall se Athina do të përpiqet të krijojë të njëjtën skemë greke edhe në Ballkanin Perëndimor. Në fakt para Dendiasit ka qenë ministri i jashtëm grek Nikos Kocias, i cili hodhi idenë e përdorimit të përçarjes fetare ndërmyslimane në Ballkan. Pas një vizite në Shqipëri në vitin 2016 Kocias për herë të parë në historinë e marrëdhënieve greko-shqiptare doli publikisht me përpjekjen për të krijuar çarje midis Shqipërisë dhe Turqisë në planin fetar, duke marrë në mbrojtje Komunitetin Mysliman Shqiptar me një deklaratë të habitshme sikur udhëheqësit e Komunitetit Mysliman Shqiptar ishin ankuar për Turqinë. Nuk ka informacion nëse Kocias është takuar atëherë me ndonjë drejtues të Komunitetit Mysliman Shqiptar apo ndonjë zyrtar i lartë shqiptar ia ka referuar Kociasit atë informacion. Fakti është se askush në Tiranë, as zyrtarë dhe as fetarë, nuk e përgënjeshtruan deklaratën provokuese të ministrit të jashtëm grek. Nuk duhet harruar se Ministria e Jashtme Greke, e drejtuar nga Kocias, siç doli nga zbulimet e dokumenteve në parlamentin grek në tetor 2018, kishte financuar me miliona euro shumë rrjete, media dhe individë në Shqipëri të lidhur me sektin antiqeveritar turk të Gylenit.
Tani ministri i jashtëm Dendias konfirmon si qëllim të diplomacisë greke shtrirjen në Ballkanin Perëndimor të strategjisë greke të krijimit të një klime apo aleance antiturke, duke u mbështetur në forcat politike, mediatike, ojq-iste dhe akademike të lidhur me sektin e Gylenit. Është interesant fenomeni i çuditshëm që shumë islamofobë dhe ateistë në Tiranë dhe në Prishtinë janë bërë mbrojtës dhe ithtarë të një hoxhe turk, që drejton sektin e tij ndërkombëtar nga Pensilvania kundër shtetit turk.
Ofensiva e re e rrezikshme e diplomacisë fetare greke në drejtim të shteteve të Ballkanit Perëndimor është një nismë greke në funksion të ambicieve për hegjemoni në Ballkanin Perëndimor. Janë ambicie, të cilat janë të përhershme në diplomacinë e shtetit grek, siç janë të përhershme edhe dështimet për të realizuar ambicien hegjemoniste ballkanike. Ministri jashtëm grek Dendias duhet të kujtojë dështimin e programit ballkanik të Athinës të vitit 1999, që caktoi 500 milionë dollarë ndihmë për shtetet ballkanike dhe rezultoi në një fiasco, apo planin e bujshëm grek të Jorgo Papandreut të vitit 2009 i koduar “Ballkan 2014” për rolin udhëheqës të Greqisë për të futur Ballkanin Perëndimor në BE në vitin 2014.
Në radhë të parë drejtuesit e vjetër dhe të rij të diplomacisë greke duhet të kenë të qartë se askush dhe asnjë shtet ballkanik nuk i ka kërkuar Greqisë të jetë protektor i Ballkanit Perëndimor. Ata ende nuk janë ndërgjegjësuar se as BE dhe as NATO nuk mund të lejojnë një rol protektor të Greqisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Tre shtete të Ballkanit Perëndimor janë anëtare të NATO-s dhe gëzojnë mbrojtjen e saj dhe nuk kanë nevojë për proteksionin e Greqisë nga rrjetet ekstremiste apo neootomane. Katër shtetet e Ballkanit Perëndimor janë shtete kandidate për anëtarësim në BE dhe kanë proteksionin e BE dhe nuk kanë nevojë për proteksionin e një shteti, që jeton ende me ëndrrën e “Megaliidhesë”. Athina synon të përhapë helenizmin në Ballkanin Perëndimor nën etiketën e luftës kundër neootomanizmit dhe harron se edhe Greqia ka qenë 400 vjet në perandorinë osmane.
Duhet pranuar se euforia e ministrit të jashtëm grek për këtë ofensivë të re diplomatike të proteksionit grek për shtetet me shumicë myslimane në Ballkanin Perëndimor nuk doli rastësisht tani. Ajo mori një shtytje dhe inkurajim të madh nga lëshimet e mëdha strategjike, që i bëri Greqisë qeveria e Shqipërisë si me pranimin entuziast të vendimit grek të zgjerimit të njëanshëm të ujrave territoriale greke në detin Jon, ashtu dhe me pranimin entuziast të kërkesës greke për të shkuar sëbashku dorë për dore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për të sanksionuar cënimin e kufirit shtetëror detar shqiptar dhe të zonave detare shqiptare me vulën e Tribunalit Ndërkombëtar. Këto lëshime të mëdha strategjike shqiptare krijuan bindjen në qarqet drejtuese të Athinës se qeverisë shqiptare mund t’i kërkosh gjithçka dhe ajo do ta japë symbyllur. Greqia e ka asfaltuar prej kohësh terrenin me drejtuesit e Shqipërisë që të realizojë diplomacinë e saj fetare në Shqipëri. Nuk është rastësi që udhëheqësit shqiptarë të të dy llojeve të qeverive janë dekoruar me urdhëra të larta nga krerët e kishës ortodokse greke, gjë që nuk ka ndodhur me kishën katolike. Në kufijtë e skandalit është praktika e konfirmur që udhëheqësit shqiptarë sa herë shkojnë për vizitë në SHBA përfshijnë në programin e tyre takime dhe bisedime me krerët e kishës ortodokse greke në Amerikë. Nuk takojnë kurrë peshkopë ortodoksë rumunë, bullgarë, rusë, gjeorgjianë, etj. dhe as peshkopë katolikë apo imamë myslimanë të shteteve të tjera në Amerikë.
Praktikisht është krijuar një lidhje e posaçme okulte midis kishës ortodokse greke dhe udhëheqësve politikë shqiptarë, të cilët e konsiderojnë kishën greke dhe diplomacinë greke si trampolinë e ruajtjes apo e marrjes së pushtetit politik në Shqipëri. Nuk është rastësi që kreu i kishës ortodokse të Shqipërisë propozohet për president të Greqisë nga qeveria greke në vitin 2015 dhe nuk reagon asnjë muskul i qeverisë, politikës apo mediave shqiptare.
Ofensiva e re e diplomacisë fetare greke përmban farën e intrigave dhe lojrave të rrezikshme dhe përçarëse në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk duhet t’i lejojnë vetes të bien në kurthin e diplomacisë fetare greke, e cila synon t’i keqpërdorë në drejtim të acarimit dhe krijimit të konflikteve artificiale me Turqinë. Është një ftesë e rrezikshme greke sidomos për kombin shqiptar, i cili duhet të gjykojë gjeopolitiksht dhe strategjikisht se në gjithë hapësirën ballkanike Turqia mbetet aleati i nevojshëm dhe i sigurt për interesat jetike kombëtare dhe shtetërore.
Shqipërisë dhe Kosovës i duhen marrëdhënie të mira dhe normale dhe një bashkëjetesë paqësore me Greqinë, por kurrë me çmimin e humbjes së integritetit territorial apo të sovranitetit dhe të pavarësisë. Nuk duhen dëgjuar levantinët në Tiranë dhe në Prishtinë, që me sponsorizimin e Serbisë dhe të Greqisë synojnë t’i humbin kombit shqiptar një aleat të pazëvendësueshëm në Ballkan si Turqia. Ofensiva e re e diplomacisë fetare greke është një rrezik, që kërkon vigjilencë shtetërore, politike, shoqërore dhe publike në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, ku gjysma e popullsisë janë shqiptarë.
KTHIMI NË RREGULL I NJË BOTE TË PËRMBYSUR DUKE LUFTUAR PANDEMINË – Nga ALDO CAZZULLO – Përktheu Eugjen Merlika
Mbas Luftës së Madhe në artin qe il rappel à l’ordre, thirrja për rregull. U qetësuan tërbimet e avangardave e u rizbuluan mjeshtrit e rilindjes dhe klasiçizmi. Për të thjeshtëzuar: më parë piktorët kishin sprovuar: abstraksionistë, kubistë, futuristë. Më pas edhe vetë Picasso u kthye në artin figurativ, pra për të bërë figura (më vonë do të mohojë se ka vizatuar një kuadër abstraksionist gjatë gjithë jetës së tij). Ja, 2020 do të kujtohet në politikë si viti I kthimit në rregull ; gjë që në një botë të përmbysur nga pandemia, mund të duket kërshëruese.
Për të thjeshtësuar: nëntëqindi është shënuar nga komunizmi që predikonte diktaturën e një klase shoqërore; nga fashizmi që teorizonte mbizotërimin e një race apo të një kombi (sigurisht të tijin) mbi një tjetër; e të liberalizmit, i bindur që liria e sipërmarrjes dhe e tregëtisë me kohë do t’i kishte sjellur përfitime çdo klase shoqërore e çdo Vëndi. Fashizmi u thye me luftën e dytë botërore, komunizmi me luftën e ftohtë. Në fillimin e shekullit të ri u duk se edhe vetë liberalizmi ndjehej keq. Më parë 2008 e krizës së madhe, pastaj 2016 e Brexit dhe Trump-it dukeshin se i kishin dhënë një goditje vdekësore idesë së shkëmbimit të lirë, të globalizimit të lumtur, të rritjes së përherëshme, me një fjalë të demokracisë liberale.
Nëse një vit më parë ndonjëri do të profetizonte një pandemi të aftë të shkaktonte shëmbjen e prodhimit e të punësimit, të bllokonte fluturimet ndërmjet Evropës e Amerikës, madje të na ndalonte të dilnim nga shpëpia, do të kishim menduar se ishte gati për të shpërthyer revolucioni. Ndërsa ndodhi e kundërta. Kthimi në rregullin, pikërisht; ose së paku kështu duket, Trump-i ka humbur një zgjedhje që pa Covidin me gjasë do t’a kishte fituar, e Shtetet e Bashkuara kanë zgjedhur presidentin më të moshuar të historisë, një demokrat të qëndrës; një tip “normal”. Brexit ka pjellur më së fundi një marrëveshje që shpëton tregun e përbashkët mes Londrës dhe kontinentit. Jo vetëm, pa Brexit ndoshta nuk do të ishte hovi i Evropës.
Risia e madhe e vitit është që, mbi valën e krizës shëndetësore dhe ekonomike Angela Merkel i hapi portën borxhit të përbashkët evropian. Një veprim që mund t’i a dorëzojë historisë si shtetaren e parë t’Evropës e jo vetëm si shtetaren e fundit gjermane; edhe se mbi vaksinat Berlini është zhytur përsëri në egoizmin e zakonshëm në dëm të aleatëve. Evropa sigurisht nuk i ka zgjidhur problemet e saj; paratë e Next Generation Eu ende nuk janë parë; megjithatë Gjermania e Franca, Vëndet e mëdha të qeverisura fuqishëm nga qëndra, kanë rifituar qëndërsinë e tyre, ndërsa revanshizmat e përhapura në Lindjen evropiane janë riçuar në përmasën e tyre, shqetësuese por jo detyrimisht të zgjidhëshme.
Në Itali, kthimi në rregullin ka shënuar si zgjedhjet vendore, si vijën e partive që njëherej quheshin populiste. Të djathtët në Campanjë e Puglie kanë rizgjedhur De Lukën dhe Emilianon; venetët dhe ligurët e së majtës kanë votuar Zaian dhe Totin. Aty ku nuk kishte një dalës si në Toskanë, u ripohua sistemi. Pesë Yjet kanë kaluar nga Jelek Verdhët tek Macroni. Lega pyet veten a është vërtetë rasti të qëndrojë përkrah Marinë Le Penit – që këtë vit ka hequr dorë nga tonet skajore – apo të bisedojë me gratë që komandojnë vërtetë Evropën: Merkel, von der Layen, Lagarde.
Kjo nuk do të thotë aspak që 2020 ka shënuar fundin e sovranizmit. Aq më pak në Vëndin ndoshta më të dobët të Perëndimit, që mjerisht është Italia. Prova e jashtzakonëshme e dhënë nga shoqëria qytetare – nga mjekë e infermierë që kanë luftuar pandeminë në rrjeshtin e parë, deri tek punëdhënës e puntorë që kanë qëndruar fuqishëm – nuk mund të fshijnë gabimet e klasës drejtuese. Shtresat më në dukje të ngasjes sovraniste janë ato më të goditurat nga kriza: shtresat popullore janë dobësuar më shumë; është zgjeruar gërshëra ndërmjet atij që është i siguruar e atij që nuk është, ndërmjet atij që mund të punojë në smart-working e të marrë pagesën e plotë dhe popullit të autonomëve, të zejtarëve, të të punësuarve përkohësisht.
Veç asaj po fillohet të kuptohet se Evropa ka bërë një gabim mjaft gjëmëmadh, duke synuar pothuajse gjithshka mbi një vaksinë që ende nuk është e të porosisë pak doza të asaj që është. Për pasojë Kina , e dalë më përpara nga piskama, do të ndiqet nga Amerika, jo nga kontinenti i ynë; me përjashtimin e vetëm të Gjermanisë që po kërkon rrugën e shkurtër që nuk i bën nder.
Mbas Luftës së Madhe nuk erdhi në politikë kthimi në rregull. Erdhën revolucione komuniste e fashiste. Historia nuk përsëritet kurrë dy herë, madje: “Nuk kthehet kurrë më asgjë”, siç qorton Francesco de Gregori; dhe fakti duhet të pranohet “si një fitore”. Por nëse Evropa nuk do t’arrijë të vaksinojë në mënyrë të kënaqëshme qytetarët e saj – duke mbrojtur përveç të moshuarve edhe punonjësit veprues – , as të mos krijojë punë me paratë e Recovery-t, atëherë 2021 do të sjellë të tjera të papritura; dhe jo pozitive.
“Corriere della Sera”, 28 dhjetor 2020
Më ka lënë mbresa të thella analiza me titull “Thirrje për ndërgjegjësim e veprim: Të mbështetet vizioni i Znj. Osmani për çmontimin e korrupsionit dhe shtetit privat e tribal”, e botuar në internet më 27 nëntor 2020. Autor i kësaj analize, të cilën e pata hedhur në rojtinën e kompjuterit tim, është zotëria i nderuar Skënder Kapiti, analist mendjehollë, historian erudit, jurist gjakftohtë, opinionist mendjekthjellët, politolog largpamës, studiues objektiv, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Autori ngre zërin e tij të fuqishëm kundër fatkeqësisë që ka goditur Republikën e Kosovës, në të cilën korrupsioni i përmasave skandaloze i kastës politike antikombëtare, me në krye Thaçin deri dje dhe bandën rreth tij sot, ka goditur rëndë standardin e jetesës së shumicës dërrmuese të popullit, çka ka bërë që qindra mijëra qytetarë, ashtu si edhe në atdheun amë nën sundimin e kastës po antikombëtare të Ramës, të braktisin atdheun dhe të marrin rrugët e mërgimit.
Ajo që të bën përshtypje të thellë në këtë analizë, është alarmi që ngre autori i nderuar për ndërgjegjësimin e popullit shqiptar të Kosovës, për t’u shkundur nga letargjia politike dhe për ta parë në sy realitetin tragjik, sepse kasta politike nepotiste e deritanishme e ka shndërruar vendin në një shtet privat të përmasave tribaliste. Sepse gjithçka në Kosovë, siç thekson me shumë shqetësim autori, duke filluar që nga detyrat e larta shtetërore dhe administrative, deri te pasuritë kombëtare, paraja publike, ligji dhe drejtësia, janë nën zotërimin absolut të kësaj kaste grabitësish të pangopur.
Administrata e rënduar shtetërore është një barrë e rëndë në kurriz të popullit të varfëruar në maksimum.
Në këto kushte të papërballueshme për jetesën e popullit, analisti Skënder Kapiti nxjerr në pah figurën e intelektuales së shquar Vjosa Osmani, e cila e ka drejtuar Kuvendin me shumë maturi politike, dhe tani, që është edhe në detyrën e Presidentes së Republikës, ia ka kthyer autoritetin Presidencës së Republikës, Presidencë, të cilën argati i serbosllavizmit Hashim Thaçi, e kishte shndërruar në një zyrë private, prej nga vepronte sipas tekave të veta, merrte vendime dhe lëshonte urdhra vetëm për interesat e shovinizmit serbomadh.
Mendoj se është fat i madh për Republikën e Kosovës, nga radhët e intelektualëve të së cilës, tamam si një rreze drite në fund të një tuneli të errët, dallohet personaliteti i Vjosa Osmanit. Analisti Skënder Kapiti, në fugurën e Vjosa Osmanit shikon një politikane me një formim intelektual mjaft të admirueshëm, me një edukatë qytetare shembullore, me një vetëdije të lartë kombëtare dhe me një vizion nacionalist model, ashtu si edhe ish-kryeministri Albin Kurti. Pikërisht këto tipare të Vjosa Osmanit që ka nxjerrë në pah autori i kësaj analize, të ngjallin shumë shpresa se në Kosovë, siç e ka theksuar me shumë të drejtë intelektuali nacionalist Hafiz Shala me banim në Nju Jork, orteku i pastrimit të bërllokut politik do të fillojë të rendë teposhtë me një furi të papërballueshme.
Në këto kushte, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti kanë nevojë për përkrahjen e gjithanshme të shtresës së intelektualëve me vetëdije të lartë kombëtare. Mbështetja e fuqishme që analisti Skëndet Kapiti i jep Vjosa Osmanit, si një intelektuale dhe politikane e pakorruptuar dhe me sjellje shembullore, le të shërbejë si model për intelektualët e tjerë të Republikës së Kosovës. Këta intelektualë, duke ndjekur shembullin e analistit Skënder Kapioti, duhet të bëhen mbështetje e fuqishme e Vjosa Osmanit dhe e Albin Kurtit, në mënyrë që nesër, pas zgjedhjeve të parakohshme, qeveria e re, me këto dy personalitete në krye të vendit, të vërë në jetë programin e ish-qeverisë Kurti, në të cilin shtroheshin dy objektiva themelore: sekuestrimi i të gjitha pasurive të paligjshme dhe ngritja e padisë kundë Serbisë për gjenocidin e egër dhe shkatërrimet e rënda që pati kryer në Kosovë, duke kërkuar kompensimin e plotë të tyre
Vjosa dhe Albini duhet të kenë parasysh se intelektualët me brumosje nacionaliste që janë në përkrahje të tyre, si analisti shembullor Skënder Kapiti, shërbejnë si rripa transmisioni midis udhëheqjes së vendit dhe masës së gjerë të qytetarëve të thjeshtë. Prandaj këta intelektualë shembullorë duhet të gëzojnë tërë respketin dhe përkrahjen morale të Vjosës dhe Albinit që gjatë fushatës zgjedhore dhe pas saj, deri në vazhdimësi.
I kam ndjekur rregullisht në internet analizat e intelektualit Skënder Kapiti, të cilat ia ka kushtuar Vjosës këta muajt e fundit. Me sa jam në dijeni, deri tani ai i ka kushtuar asaj rreth 20 ose 30 artikujt-analiza dhe besoj se ajo duhet ta ketë falënderuar për këtë mbështetje të fuqishme që i ka thënë në truallin e veprimtarisë së saj politike, e cila, në këndvështrimin tim, ka nj rëndësi të jashtëzakoshme jo vetëm për Republikën e Kosovës, por edhe për mbarë kombin shqiptar. Sepse fara e politikës me nerv nacionalist, atdhetar, që kanë mbjellë Vjosa dhe Albini në Republikën e Kosovës, është me rëndësi mbarëkombëtare, me shpresë që ajo farë të hedhë rrënjë dhe të lëshoj shtat edhe në atdheun amë dhe në mbarë trojet tona etnike. Them besoj se Vjosa duhet ta ketë falënderuar analistin e nderuar Skënder Kapiti, sepse prej tij ajo ka huazuar dhe po e përdor parullën mjaft kuptimplote “Guxo!” për formacionin e vet politik.
Mbështetja e fuqishme e Vjosës dhe Albinit nga ana e shtresës së intelektualëve të formatit nacionalist të analistit Skënder Kapiti, të cilët duhet të propozohen edhe si kandidatë për deputetë, do të shërbejë si një garanci e sigurt për vënien në jetë të dy pikave të lartpërmendura të programit qeverisës, si edhe për vënien përfundimtare të Veriut të Mitrovicës nën administrimin e Prishtinës, për rikthimin e 14 500 banorëve të saj në shtëpitë dhe pronat e tyre, të cilët kryetradhtarët Thaçi dhe Veseli i patën shpërngulur paturpësisht dhe patën lejuar importimin e serbëve për t’i zënë ato shtëpi dhe ato prona. Prandaj serbët e importuar duhet të kthehen andej nga kanë ardhur.
Ventura, Kaliforni
09 dhjetor 2020
Komisioni i “tutorëve” të PD preludi i dhurimit të mandatit të tretë tiranozaurit të Shqipërisë Nga Elida Buçpapaj
PD është në kulmin e krizës të saj të identitetit prej konsumimit të lidërshipit dhe humbjes së besimit tek elektorati.
Në emër të ndryshimit të PD-së pas zgjedhjeve të 2013-tës, Lulzim Basha bëri një riorganizim me bazë vullnetare të partisë, duke mos përfshirë në listën e deputetëve të asaj kohe majën e kupolës që e zëvendësoi me një prurje të re. Ky riorganizim mbështetej po tek dora e fortë e njëshit, që përpilonte listat e deputetëve, duke eleminuar kështu garën free and fair që nga niveli brenda partisë deri në nivelin e deputetëve.
Prej tetë vjetësh Edi Rama ka eleminuar të gjitha shtyllat e shtetit, ka shfrytëzuar pushtetin për afera gjigande korruptive, ka bërë të nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntat pa hasur asnjë pengesë nga opozita, sepse opozita ka krizë përfaqësimi.
E vetmja opozitë ka qenë ajo e organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, kjo zyrtarja është pa gojë e pa zë, sepse zëri i saj është i pabesueshëm!
Tiranozauri i Shqipërisë do të jetë deri sa opozita do të mbetet një hardhucë, pa emra, pa identitet, pa kauza, pa kredibilitet tek elektorati!
Kjo opozitë, përfshirë edhe Jozefina Topallin me shokë po i japin mandatin e tretë Edi Ramës, duke e rrezikuar të ardhmen e Shqipërisë.
Por veprimi më arbitrar, i ndërmarrë nga lidërshipi i PD është krijimi i një pseudoforumi ilegjitim i ashtuquajtur “Komisioni i vlerësimit të kandidaturave në PD”, ku Lulzim Basha riciklon emra si Besnik Mustafaj, Mark Marku, Genc Ruli që i përjashtoi më 2013. I katërti i këtij komisioni Bujar Nishani deri më 2017 ishte presidenti i Republikës!
Ky komision nuk gëzon respekt në opinion dhe ka fytyrën e një komisioni tutorësh, duke i dhënë këtë fytyrë edhe PD-së.
Kam dëgjuar se ky komision ka përjashtuar Dr.Halim Kosovën, sikur përjashtoi edhe historianin e njohur Romeo Gurakuqi!
Është e papranueshme që fytyra të PD-së të konsumuara nga ndryshku i lluksit të pushtetit, të shkaktojnë kataklizmën e partisë! Një akt që duhej të shmangej!
Tutorët dihet se do të zgjedhin profile që i shkon për shtat tutorizmit të PD dhe jo interesit kombëtar të shqiptarëve!
Nëse në derën e PD qëndrojnë këta katër tutorë, askush nuk do të dëshirojë as të trokasë dhe as të jetë pjesë e kësaj partie!
Sot luhet fati i Shqipërisë! Nëse do të kthehet definitivisht një Republikë Banane apo do të dalë nga vorbulla ku e ka futur kasta politike.
Duket sikur ka një marrëveshje të heshtur midis dy anëve të monedhës, kastës që riciklon pushtetin këto tre dekada duke e kapur shtetin dhe degjeneruar përfundimisht sistemin demokratik!
Komisioni i tutorëve në PD është barrierë për ta kthyer në zero efektin e reformës së sistemit zgjedhor, sepse përjashton të gjithë ata emra që kanë personalitet, integritet dhe simpatinë e elektoratit.
Integriteti i kandidatëve për deputetë është kompetencë e institucionit përkatës, jo e një komisioni ilegjitim, emrat në përbërje të të cilit nuk gëzojnë asnjë lloj reputacioni as në opinionin publik dhe as në elektorat.
Jemi në gjysmën e parë të janarit e zgjedhjet janë tek dera.
Nëse populli kërkon ndryshim, duhet ta dijë se kjo opozitë e paralizuar nga brenda, është në shërbimin e uzurpatorit të të gjitha pushteteve dhe po përgatitet t’ia dhurojë në tabaka mandatin e tretë tiranozaurit Edi Rama.
Kjo është e vërteta!
Pse Bidenit i duhet një formulë që sovraniteti dhe internacionalizmi ndërlidhen për të forcuar Aleancën – Nga JANUSZ BUGAJSKI
Presidenti Joe Biden do të përballet me një provë thelbësore në balancimin e promovimit të demokracisë amerikane dhe sigurisë trans-Atlantike. Aleanca Perëndimore është e ndërtuar mbi nocionin se vlerat demokratike dhe interesat për sigurinë përkojnë dhe se anëtarësimi në NATO dhe BE forcojnë demokracitë.
Kjo premisë nuk parashikonte shfaqjen e simptomave të reja shoqërore dhe kombëtare, partive populiste dhe kërcënimeve përçarëse siç janë pandemitë.
Administrata e Donald Trump nuk e vuri theksin në promovimin e demokracisë në politikën e jashtme. Në qarqet politikisht të djathta, programet mbi demokracinë shiheshin si bezdisëse për sovranitetin e aleatëve dhe si imponim i një axhende shoqërore “liberale”.
Për populistët e majtë, Uashingtoni ishte tepër i përfshirë në dhënien e ndihmës për shtetet të tjera në vend që të përqendrohej në pabarazitë e brendshme të Amerikës.
Zgjedhja e Biden, një internacionalist i qendrës, është pritur me optimizëm në mesin e shumicës së aleatëve të Amerikës, por disa kanë frikë se tani Uashingtoni do ta zhvendosë theksin nga siguria në demokraci.
Propozimi i Biden për të mbajtur një “Samit për Demokracinë” dhe për të përtërirë angazhimit të Amerikës për përhapjen e demokracisë mund të shkojë keq nëse përjashtohen shtete që mbrojnë interesat Perëndimore, edhe pse politikat e tyre të brendshme nuk janë plotësisht në përputhje me normat demokratike.
Presidenti i ri duhet të jetë i vetëdijshëm për evolucionin e Europës dhe të mos krijojë ndarje midis aleatëve duke i dhënë përparësi demokracisë mbi sigurinë. Në të vërtetë, duhet gjetur një formulë në të cilën sovraniteti dhe internacionalizmi ndërlidhen për të forcuar Aleancën.
Siguria ndërkombëtare nuk duhet të dobësohet nga largimi i shteteve të tilla si Polonia dhe Turqia për shkak të mangësive të tyre demokratike. Këta dy aleatë janë jetikë për sigurinë kombëtare të SHBA, pasi ata përballen drejtpërdrejt me një Rusi ekspansioniste përgjatë kahut lindor të NATO-s.
Politik-bërësit amerikanë duhet të shqyrtojnë nga afër historinë bashkëkohore. Ndërsa demokracitë europiane në zhvillim hynë në BE dhe të tjera u përjashtuan, dolën në sipërfaqe çështjet e sovranitetit, kulturës, identitetit, traditës, fesë dhe kujtesës historike. Në të njëjtën kohë, të dy gjysmat e Europës u puqën për sa i përket partizanizmit, polarizimit politik dhe mosbesimit ndaj institucioneve ndërkombëtare që duket se impononin uniformitet.
Supozimet se integrimi në BE do të zvogëlojë dallimet kombëtare dhe do të krijojë një identitet pan-europian u vërtetua se ishte iluzion. Në të vërtetë, kujtesa historike e projektit komunist për zhdukjen e identiteteve kombëtare dhe krijimin e “njeriut socialist” uniform jehon në euroskepticizmin e sotëm.
Janë të përhapura perceptimet se “burokracia e Brukselit” kufizon sovranitetin e vendeve anëtare dhe imponon politika që minojnë vlerat tradicionale.
Vendimi i “Brexit” i Anglisë ishte një reagim ndaj perceptimeve të tilla rreth BE-së dhe, në 2021, Europa do të zbulojë nëse pandemia dhe përçarja ekonomike që rezultoi prej saj do ta dobësojnë apo forcojnë projektin BE. Në pak vite në vijim, gjithashtu, do të shihet nëse shtetet e mbetura të Ballkanit Perëndimor do të mirëpriten si anëtarë të rinj apo do të shtyhen tej për një kohë të pacaktuar.
Në mbarë Europën spektri politik tradicional të majtë-të djathtë është bërë më pak i qartë, pasi partitë e reja ndërthurin politika si prej ideologjive të majta ashtu edhe prej atyre të djathta. Për shembull, parti qeverisëse si “Ligj dhe Drejtësi” (PiS) e Polonisë përziejnë një program ekonomik shpërndarjeje të majtë me një platformë shoqërore konservatore të djathtë.
Ndarjet shoqërore, ekonomike, kulturore, urbano-rurale dhe ndër-rajonale janë rritur e pabarazitë ekonomike janë zgjeruar në pothuajse të gjitha vendet. Në të njëjtën kohë, nacionalizmi, populizmi dhe tradicionalizmi janë ngritur si mburoja kundër ndryshimit të shpejtë dhe humbjes së mundshme të sovranitetit kombëtar.
Mjaft formacione politike kanë shfrytëzuar konfuzionin dhe frikën në disa vende të Europës Qendrore e Lindore, duke u përfshirë në “kapjen politike të shtetit”, përmes së cilës ata përpiqen të kontrollojnë institucionet kryesore, t’i japin formë shoqërisë sipas imazhit të tyre ideologjik dhe të vazhdojnë sundimin e tyre me zgjedhjet e ardhshme.
Kjo prirje autoritare, që pikaset veçanërisht në Hungari dhe Poloni, ka për qëllim të sigurojë mbikëqyrje më të madhe të ekzekutivit dhe parlamentit mbi sistemin ligjor dhe masmedian. Kjo, gjithashtu, është e dukshme edhe në disa shtete të Ballkanit, përfshi Shqipërinë dhe Serbinë.
Baraspesha midis rregullave demokratike dhe ambicieve politike vë në provë qëndrueshmërinë e institucioneve kombëtare dhe i njëjti proces është vënë re edhe në Shtetet e Bashkuara.
Vendet e Lindjes së Europës tashmë e kanë treguar forcën dhe qëndrueshmërinë e një shoqërie civile demokratike. Nëse ata kanë qenë të zotët ta mposhtnin totalitarizmin komunist, atëherë ata janë më se të aftë të kapërcejnë autokratët aspirues vendas.
Një ndërhyrje e jashtme e vrazhdë për të promovuar demokracinë duke përjashtuar qeveri të caktuara nga samitet e demokracisë ose iniciativa të tjera Perëndimore thjesht mund të përforcojë vendosmërinë e nacionalistëve dhe populistëve dhe të rrisë polarizimin e brendshëm.
Kjo gjithashtu do t’i ofrojë mundësi të reja Moskës për të rritur ndasitë midis shteteve të NATO-s dhe për të depërtuar në strukturat e tyre politike. Dhe atje ku sovraniteti minohet, demokracia prishet më tej dhe siguria ndërkombëtare vihet në rrezik.
Agjencia greke e lajmeve ANA njofton në 8 janar se ministri i jashtëm grek Nikos Dendias zhvilloi bisedime me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama për marrëdhëniet dypalëshe, për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe për zhvillimet e fundit në rajon.
Një protokoll absurd dhe një sjellje diplomatike asimetrike fyese. Ç’punë ka kryeministri shqiptar të shkojë në Ministrinë e Jashtme Greke dhe të zhvillojë atje bisedime dypalëshe me ministrin e jashtëm grek, kur homologu i tij në bisedimet duhet të jetë kryeministri grek? Si guxon ministri i jashtëm grek Nikos Dendias, që kërkon dhe zhvillon bisedime telefonike për marrëdhëniet dypalëshe me kryeministrin shqiptar në 5 janar 2021 dhe ky pranon të bisedojë, në një kohë që, qysh nga 31 dhjetori i vitit 2020, homologe e Dendiasit dhe ministre e jashtme e Shqipërisë është Olta Xhaçka. Si pranon kryeministri shqiptar këtë disnivel bisedimesh dhe asimetri fyese nga shteti fqinjë?
Kryeministri shqiptar mund të pranojë të zhvillojë bisedime me sekretarin amerikan të shtetit Pompeo ose me ministrin e jashtëm rus Lavrov, por kurrsesi të ulë nivelin e postit kryeministror me ministrin e jashtëm grek. Asimetria e nivelit të bisedimeve tregon se si do t’i nënvleftësojë Greqia çeshtjet e hapura me Shqipërinë. Me sa duket kryeministri shqiptar e kishte harruar dinjitetin në Vlorë.
Lajmet me interesante
-
Komisioni i “tutorëve” të PD preludi i dhurimit të mandatit të tretë tiranozaurit të Shqipërisë Nga Elida Buçpapaj
By voal.ch | January 10, 2021 -
VALDETE DAKA, TURPI TA MBULOFTË FYTYRËN!! – Nga Binak MAXHARRAJ
By voal.ch | January 12, 2021 -
Kisha shumë vite që kisha vdekur… – Poezi nga Agim Doçi
By voal.ch | January 11, 2021 -
Rrugë të ndara më dysh e shtëpi nën ujë, pamje dramatike nga përmbytjet në Lezhë, evakuohen 27 familje
By voal.ch | January 10, 2021 -
ALBINI ME AKTIVISTËT E LVV KURBANË TË DEMARKACIONIT DHE “ZAJEDNICËS” – Nga IDRIZ ZEQIRAJ
By voal.ch | January 12, 2021
Lajmet e fundit
-
Më 17 janar 1938 lindi Skifter Këlliçi, shkrimtar, skenarist, komentator i mirënjohur sportiv, personalitet radioteleviziv shqiptar
By voal.ch | January 17, 2018 -
Këndi i humorit: Një i pasur kishte një lidhje me një grua italiane për disa vjet
By voal.ch | January 17, 2021 -
Astronomi – Fabul nga EZOPI – Përktheu Skënder Buçpapaj
By voal.ch | -
HOROSKOPI E DIEL 17JANAR 2021
By voal.ch | -
Aforizmi i ditës – 17 janar 2021
By voal.ch | -
TA PESOSH NGA S’E PANDEH – Tregim nga HAMIT TAKA (pjesa e dytë)
By voal.ch | January 16, 2021
[…] Çeshtja Cami dhe Koliqi nen vezhgim … […]
[…] Çeshtja Cami dhe Koliqi nen vezhgim … […]
”Ndërkaq vepra e tyre ka të ardhme. E kundërshtarëve të tyre ka vetëm të shkuar….
Të gjithë kanë kryqin e tyre mbi shpinë, por disa e kanë në formën e drapër-dhe-çekanit.” ÇËSHTJA CAMAJ DHE KOLIQI – NËN VËZHGIM… – Nga VISAR ZHITI, voal.ch | July 7, 2020
Falemnerës Visar Zhiti për ket shkrim dhe përkufizime klasike!
Shoku auron tares shtetas gjys i huej dhe gjysma shqipëtar ka ,,shkëlqyer,, në shkencat e tjera e tash pret me marrë poste tjera nga kryeministri dhe akademia titull akademik për njollosjen e dy viganve Profesorët; Martin Camaj prej Temalit të Shllakut dhe Ernest Koliqit sa patriot aq dhe letrar, albanolog, përkthyesa të naltë….. Nuk kam tagër të kualifikoj e s’kualifikoj në nivele aftsit e askujt! Di vetëm kaq prej Prof. Arshi Pipës në Teatrin e Shkodrës: “Prof. M. Camaj meriton Çmimin Nobël për romanin “Dranja” dhe rradhitet për letërsi mbas At Gjergj Fishtës!”