VOAL

VOAL

Çekia ia kthen shtetësinë pas 40 vjetësh shkrimtarit të njohur Milan Kundera

December 3, 2019

Komentet

PROFETI YNË DHE VËLLEZËRIT NJË LETËR DHE NJË RRËFIM- Nga Visar Zhiti

 

1.
JU SOLLËT NGA HARRIMI
NJË NJERI TË MREKULLUESHËM…

Të dashur dhe të nderuar vëllezërit Lole,
Edmond, Gavril, Polizoi, Dhimitër!

Jam i mallëngjyer dhe i emocionuar nga ky libër i pazakontë, që arriti larg, edhe në duart e mia, i cili nën kujdesin tuaj, idealin tuaj, dashamirësinë tuaj, shpenzimet tuaja, u bë…
Shoh që ju e keni përgatitur veprën, keni shenjuar gjurmët e një jete dhe bëtë bashkë fletoret me poezi të asaj jete, që i kishit ruajtur dhe sigurisht kanë një histori. i dërguat për botim… dhe sot përurohet libri:
“Dr. Zisi Vangjeli
Atdhedashuria ime”.
Një titull rilindas, do të thosha, por ç’lidhje keni ju me autorin apo është thjeshtë kushëriri i parë i babait tuaj, z. Qirjako Lole, që vdiq në burgjet politike të diktaturës, që lamë pas…
Jo, është më shumë se një lidhje gjaku a bamirësi, është amanet i pashkruar mbase, por shpirtëror, është kujtesë e përbashkët, mision, copëz e dhimbshme e të vërtetës historike, që na duhet, është poezia, është “e bukura që do të shpëtojë botën” siç thoshte një i burgosur tjetër i madh, Dostojevski, është porosi për të ardhmen, që të jetë sa më njerëzore.
Bëma juaj e bën të veçantë këtë libër, shembullor, prekës.
Mirënjohës, vëllezër, ju them si lexues.

Nga ana tjetër ky libër është i pazakonshëm se është i një autori të jashtzakonshëm. Aq sa i panjohur, po aq dhe i mrekullueshëm, Ziso Vangjeli, burrë i ditur, njihte 9 gjuhë, qëndrestar në burgjet shqiptare të diktaturës, që ende kërcënon, ndërkaq dhe hero, veteran i Luftës II botërore, por si qytetar amerikan. Krenari për të gjithë sot.
Dhe befasia për letrat tona, Ziso Vangjeli poet. Nuk dihej kjo, dhe nëse e dinte ndokush që ai shkruante fshehurazi, nuk mendohej se do të kishte mbetur gjë, ku, si, kush do të merrej me to në kohën e harresës së madhe?…

Po ja, tani kemi ndër duar 442 fletë libri, botuesi i mirënjohur “Uegen” me redaktor “Mjeshtrin e Madh”, shkrimtarin Xhevair Lleshi, na e bëri këtë shërbim.

Unë gjej lidhje të veçanta me këtë libër, sepse të veçanta i kam lidhjet me autorin, Ziso Vangjeli, por dhe me vëllezërit Lole.

Fëshfërima e fletëve të poezive të tij, ruan diçka nga e folura e tij zëulët, kur e dëgjoja në burgun e Spaçit, nga fryma e tij në ato dimra, kështu e ndjeva, kur libri më erdhi në Chicago larg, në SHBA, ku dhe Ziso Vangjeli kishte ardhur në shekullin e kaluar, mbaroi shkollën e mesme dhe universitetin dhe shkruante poezi dhe në anglisht.

Librin ma dërgonin ju, ti, Polizoi, i treti i vëllezërve, nga Franca, ku dhe Ziso Vangjeli zbarkoi si ushtar i SHBA me forcat aleate në Normandi.
Çfarë jete, si roman vërtet, një shqiptar kështu mes aventurave heroike të botës, me forcat e përparuara perëndimore!
Dhe një vit pas luftës Ziso regjistrohet në Universitetin e Sorbonës në Paris, merr gradën doktor i shkencave në letërsi, shkruante poezi dhe frengjisht, është viti 1962 dhe ai kërkon të kthehet në atdhe, kur Shqipëria kishte vendosur diktaturën më të egër në kontinent, e lidhur me Lindjen, bënte pjesë në perandorinë komuniste, ndërkohë sapo kishte prishur çdo marrëdhënie me Moskën, me shtetin më të madh të kampit, Bashkimin Sovjetik dhe po i avitej Azisë, duke bashkëpunuar me Kinën.
Së pari dërgoi librat e tij, bibliotekën e madhe siç ndodh me udhëheqësit që shkojnë në një vend tjetër, dërgojnë të tjerë më parë, vëzhguesit, rojet e fshehta a pjesë të gardës atje, pararoja dhe garda e Ziso Vangjelit ishin librat, enciklopeditë, fjalorët, historia, romanet, ia dhuroi shtetit, ia dha ambasadës shqiptare në Paris dhe ende nuk gjendet se ku ka perfunduar ajo bibliotekë.

Ziso Vangjeli donte t’i shërbente vendit tek më e rëndësishmja për shpirtin e një populli, në arsim dhe kulturë, do të vinte me dy diploma universitare të mëdha, kur ai që sundonte Shqipërinë, Enver Hoxha, s’kishte asnjë për be, dhe ata njiheshin bashkë, që në Liceun e Korçës. Kjo s’ishte dhe aq e mirë, përkundrazi, ishin më të rrezikuar ata që e kishin njohur Enverin në rini…
Pas 6 vjetësh dyshimesh, mospërkrahjeje dhe përndjekje të fshehtë, në qytetin e tij, në Përmetin, ku kishte lindur e dënojnë me 20 vjet burg me akuzën për tradhëti ndaj atdheut, kur në fakt ai nuk po kapej në kufi për t’u arratisur, por ishte kthyer i përmalluar, për të shërbyer.

Ju, vëllezër të tij dhe tanët e dini mirë, e keni njohur Zison duke e patur në shtëpinë tuaj, që fëmijë, u rrit me ju, e keni dashur, e keni mbështetur, por edhe e keni vuajtur, duke e dashur prapë pa kushte, prapë e morët në shtëpi…

Unë e njoha Ziso Vangjelin në burgun e Spaçit, ashtu truppakët, i zbardhëllemte, me dritë në sytë si të picëruar, sikur shikonte diçka që nuk e shihnin të tjerët, me një buzëqeshje plot sinqeritet dhe ironi, të përziera bashkë, edhe pse kishte bërë nja 11 vjet burg në atë kohë dhe do të bënte vite e vite të tjera.
Kisha kërshëri, kur më thanë ç’ishte ai… Shiheshim ndër rreshta, e përshëndesja, do t;e doja t:e rrija më shum;e me të, por punoja në minierë si skllav, me turne, kohë s’kishim dhe koha s’ishte jona…
Më vjen mirë që në burgologjinë time, në librin për Spaçin, “Rrugët e ferrit” kam dhe Ziso Vangjelin, arrita të them diçka për atë, ribëra një bisedë tonën, që pati jehonë dhe u përhap ndër lexues për kumtin që mbart. Dhe mbeti si një profeci për rënien e komunizmit dhe për sundimtarët e mëpastajmë, për hibridin e tranzicionit, ku doktrina e dhunës për një botë të re, do të zvetënohej në idealin e parasë dhe do të bëhej kështu karikatura e frikshme e etërve mizore te bijtë në demonkraturë, etj, etj.

Unë do të thosha se idetë e tij, vizionet, dija,, kundërshtitë, guximi janë shpalosur gjerë në monografinë “Intelektuali i madh i një qyteti të vogël”, e studiuesit dhe historianit Xhafer Sadiku, të cilin ju, vëllezër të dashur, e citoni me nderim. Ai solli nga jeta e tij.

Kurse ju me librin e poezive sollët nga shpirti e tij, natyrisht dhe ide e vizone, se edhe ato copëza jete janë. Dhe po e përuroni librin në Beratin e bukur, ku edhe vetë Ziso Vangjeli jetoi ca kohë. Por sot ai s’është me ju, s’vjen dot…
Pranoni përshëndetjet e mia për këtë veprimtari nga larg, por dhe nga afër, nga zemra, nga Çikago, në SHBA, ku pas rënies së perandorisë komuniste erdhi sërish Ziso Vangjeli si veteran i Luftës II Botërore i këtij vendi të madh, si dhe Zoti deshi t’i mbyllur sytë atje përgjithnjë.
Dhimbje, që vendi që e lindi, e nëpërkëmbi jetën e tij dhe nuk pati as vdekjen e tij.

Por ju, vëllezër të dashur, nëpërmjet poezisë ringjallët shpirtin e tij. Janë vargje të ngrohta, me vlagën e dheut amë, me atë thjeshtësi si këngët e popullit, me frymë naimjane, i këndohet vendlindjes, Përmetit:

Edhe gurët s’harroj,
Kot më joshin gjithë botët

i këndohet dijes, shkollës me dashuri prej f:emije:

Mëndesh’ të Parë, pas mëmës sate,
Mëonjëtoren vogëlushe pate…
.
Heronjve si Mihal Gramenos:

Takojen qendisur, pak mënjënë vënë
Ala Garibaldi mbi sy të kish rënë

Poezi për Naimin, Ismail Qemalin, Dora D’Istrias, Skënderbeun patjeter, etj, poezi për mallin, trishtimet, dashurinë, zhgënjimet, vuajtja janë gurra të poezisë së tij dhe shfaqen hija e policit, “që ndjek atdhetarin/ E ç’përbindësh e ka fryer?” – dhe pyetja është si akuzë. Ka vargje për hetuesin, “një si bishë e egërsuar” – e quan, por i thotë vetes dhe të gjithëve ne:

Në stihu qëndro si burrë
Dhe stuhishëm bëji ballë.

Ka poezi për demokracinë, Republikën, Kosovën e shkon në Francë, poezi për Viktor Hygoin, Shekspirin në Angli, Gëtes e Shilerit e Bethovenit në Germani, shkencëtarëve, mbërrin thellë në Rilindjen europiane, Dante, i afrohet antikitetit grek, etj, dhe kthehet në SHBA, poezi e presidentëve emblematikë, Franklin:

Qiejve u rrëmbeve rrufenë
Edhe tiranëve skeptrin…

apo Linkolnit: “Plumbi s’të vret Linkoln, mjer’ ai që vrau”, etj, etj

Një udhëtim marramendës, aq sa jashtë vetes, edhe brenda vetes dhe m’u ndërmend, kur donim të dënim me bashkëvuajtësit në ferr se çdo të thoshte emri Zisi, po ja në greqishten e vjetër do të thotë “jetë”, ndërsa mbiemri Vangjeli do të thotë “lajmëtar i së mirës”.
Dhe ai vërtet i mbart këto të dyja emblematikisht, një jetë plot jetë, me të gjitha.
Dhe ju, vëllezërit Lole, u bërë si mbiemri i njeriut tuaj, i Zisi Vangjelit tonë, lajmëtarë të së mirës.
Faleminderit!

Chicago, 9 dhjetor, 2024

2.
ZBARKUESI NË TË ARDHMEN
Nxjerrë nga “Rrugët e ferrit”

Duke mos bërë dot të marrin, zgjodhëm injorantin. Pa qenë të mençur, ushtrojmë dinakun. Ne nuk e kemi të shkruar strategjinë tonë kombëtare. Rilindësit tanë ishin më me vizion dhe bënin programe, manifeste, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet. Tani s’dimë ç’duam e ç’bëjmë. Ndërtojnë komunizmin duke shkatërruar atdheun. Po bëjmë Shqipërinë e re, thonë, por nuk shpiket Shqipëria, ajo është. Bëj një herë veten tënde! Ju sollëm (atë që s’e kanë as vetë), lirinë, u thonë shqiptarëve robër, të burgosur. Ku ka të ardhme, kur vritet e tashmja?

Nga përtej po zbriste shkallët burri truppaktë, sikur ta kishte rrëgjuar një kumt i përtejmë. Me një shqetësim të tillë të gjithmontë, që askush nuk e meritonte t’ia dorëzonte, endej i qetë. Jo dhe aq plak, i përëndërrt. Dhe veshët si dy gjethe të mëdha, patjetër që duhej t’i kishte rrasur trojeve të lashta, herë njërin dhe herë tjetrin për të dëgjuar zërat. Ka dhe gumëzhima nga poshtë. Pastaj shkojnë lart. Ziso Vangjeli, historian dhe ushtarak, gjatë luftës kishte zbarkuar në Normandi si oficer amerikan. Punoi në Paris, pastaj në një klub kulturor dhe iu shkrep të kthehej. Sëmundja e dashurisë për atdhe? – e pyeta. Mbase, por je më i sëmurë pa të. Do të punonte si pedagog. Ia fali shtetit gjithë bibliotekën e vet dhe pastaj përfundoi në burg. “Kur të bjerë ‘komunizma’, – thoshte, – se do të bjerë ‘patjatër’, ne do të vuajmë më pas prej hibridit me ‘decenjë’… Komunistët janë të sofistikuar në politikën e kuadrit…” Bijtë e të kuqve do të vijojnë baballarët. Ajo përzierje adhurimi, zelli dhe inati, herë e fshehtë e herë e hapur për baballarët e kuq që s’patën fuqi dhe mend të ishin të përjetshëm, do t’i bëjë më dinakë e më të ligj, pa besuar në përjetësi, pra në asgjë. Satanas do të thotë kundërshtar. Edhe pse i urrenin për vdekje, nga kundërshtarët e tyre do të vjedhin “idealizmën”, “pllanet”, “të thënat” e do t’i propagandojnë si barbarë për t’i vënë ata në jetë, kinse si amanete. Dhe do t’u duhet të zhdukin të zotërit e këtyre ideve. Do të lakmojnë pushtet të pamerituar si trashëgimtarë, si zanatçinj, që dora-dorës do t’u bjerë ngjyra e kuqe, për së jashtmi, dhe kundërshtarët do të bëjnë sikur do t’i durojnë. Do të kërkojnë të bëhen ata pronarë dhe, që t’ia arrijnë, me zulm do të bëjnë atë politikë që etërit e tyre e “lëftuan” gjithë jetën si bolshevikë të trashë. Kundërshtarët e të kuqve në Shqipëri, ç’kanë mbetur pas kasaphanave dhe të rinjtë që do të dalin, ç’papërvojë do të kenë? Dhe kështu do të sundojë te ne hibridi. Janë si monstrat. E për të luftuar ata duhet qenë si ata. Do të jetë më keq ca kohë. Liria e detyruar është burg, por i hapur. Kaos dhe pasiguri. Unë nuk do të jem atëherë. Ju do të jeni, ti, shefi i policisë, jeni të rinj. Kujtomë, ti, ti, mbamë mend. Po nuk kujtove, ke për të qenë satana si ai. Si satanai, si shefi i policisë? Të të kundërshtosh pa u kuptuar si i tillë.
* * *
…nuk jam unë njeri kundër komunistëve, janë komunistët kundër njeriut… – thashë me vete dhe u çudita me zbulimin tim dëshpërues…

“VITET E GJERMANISË”- Libër i ri i JUSUF BUXHOVIT

Botohet me rastin e 35 vjetorit të themelimit të LDK-së dhe 35 vjetori të rënies së Murit të Berlini
Një sintezë kujtimesh dhe vrojtimesh analitike nga dioptira e korrespondentit të përhershëm të gazetës “Rilindja” në Gjermani në 1976-1980 dhe 1994-2008, rreth zhvillimeve dinamike të fundviteve të shekullit të kaluara, që i paraprinë kthesave të mëdha gjeostrategjike dhe atyre gjeopolitike pas rënies së Murit të Berlinit, që çuan te rënia e bipolaritetit blokist si dhe tranzicionet në vendet e ish dikaturave komuniste.
Në kuadër të këtyre zhvillimeve, pamëdyshje se një vend të rëndësishëm, zënë ato që i paraprinë procesit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, e ku çështja e Kosovës, nga politika e atëhershme gjermane si dhe mediumet kryesore të vendit, fokusohej ndër faktorët kryesor të testit të mbijetimit të saj – po qe se do t’i jepej statusi i republikës në federatë, apo të shkatërrimit – po qe se ajo do të kthehej nën tutelnë e Serbisë, siç ishte nga viti 1945-1968. Kjo problematikë, zë vendin kryesor, në pjesën e parë të librit (1976-1980), përmes intervistave me presidentin gjerman von Vajceker, ish kancelarin Vili Brantin, kancelarin Helmut Shmit, liderët demokristianë dhe social të krishterë, Helmut Kolin dhe Franc Jozef Shtrausin, me intelektualët e njohur, ndër ta filozofin Habermas nobelistin Hajnrih Bell, shkrimtarin Gynter Gera dhe personalitete të tjera të jetës politike dhe kulturore gjermane.
Në pjesën e dytë të librit, në intermecon kohore nga demonstratat e vitit 1981 e deri te rrënimi i autonomisë së Kosovës nga Serbia më 23 mars 1989, përfshihen gjithë ato zhvillime, siç ishin diferencimet anbllok në Kosovë kundër identitetit institucional dhe kulturor që solli kushtetuta e vitit 1974 si dhe shfaqja e memorandumit të akademikëve serbë në vitin 1986, që paraqesin skenarin hegjemonist serb, që Jugosllavia e Titos të kthehet në një shtet unitarist nën drejtimin e politikës serbe të lidhur me Moskën. Nga këndvështrimi gjerman, kundërvënia Memorandumit serb nga shkrimtarët shqiptarë si dhe përcaktimi i tyre që bashkë me elitën itelektuale të marrin përsipër përgjegjësitë për fatet e vendit, krijuan rrethanat që ajo të jetë bartëse e lëvizjeve politike.
Në këto rrethana, politika gjermane bashkë me atë amerikane, u angazhua që në Kosovë, pluralizmi politik i drejtuar nga elita intelektuale, t’i kundërvihej kursit të luftës së Millosheviqit. Diplomatët gjermanë në Beograd dhe ata amerikanë, drejtpërdrejtë u angazhuan, që nisma, e cila bëthamën e kishte midis gazetarëve të “Rilindjes”, të marrë epilogun me themelimin e “Lidhjes Demokratike të Kosovës”, më 23 dhjetor 1989 në Prishtinë.
Në këtë kronologji të kthesave historike nëpër të cilat kaloi Kosova nga viti 1989 deri tek çlirimi nga Serbia, krahas ngjarjeve politike që e përcaktuan këtë zhvllim, disa nga letrat përsonale nga dr. Ibrahim Rugova nga viti 2001-2004, si “dromca të shkapërderdhura”, si dhe bisedat me të në Rambuje dhe ato në vitin 1995 dhe në maj të vitit 1999, me rastin e qëndrimit disaditësh në Gjermani, paraqesin një kapitull të veçantë. Ngaqë ato nxjerrin në pah dimension njerëzor te një intelektuali krijues, bashkë me brezin që i takone, të cilin, historia e ngarkon me përgjegjësi politike që ta marrë përsipër drejtimin e procesit historik të shtendërtimit të Kosovës përmes rezistencës insitucionale aktive, por që atë e ballafaqojnë pashmangshëm me sfidat e brendshme dhe ato të jashtme, siç ishin ato në Rambuje dhe marrja peng nga ana e Millosheviqit, kur ai fillon të ndjehet si gjenerali Simon Boliviar i Markezit në “kurthin e vet…”
Kjo ndjenjë, nga e cila dr Ibrahim Rugova nuk do të lirohet kurrë, dëshmohet edhe nga “dosja gjermane”, që atij iu paraqit me rastin e qëndrimit disaditësh në Gjermani, kur ai, pas takimve me Millosheviqin në Beograd dhe zyrtarët tjerë të lartë serb në Prishtinë gjatë prillit dhe fillimit të majit, sa ishte peng i Millosheviqit, nga Presidenti i Shqipërisë dhe nga ministrat shqiptarë, nxitueshëm shpallet “tradhtar”, hipotekë kjo që njëjtë do t’i ngarkohet edhe nga Hashim Thaçi dhe “Qeveria e tij e përkohshme” në Tiranë. Ndërkohë që “dosja gjermane” zbulon edhe dy komplote që Rugovës iu bënë nga bashkëpunëtorë të tij, nga radhët e LDK-së, të cilët filluan dy fushata paralele: njërën që t’i merrej posti i kryetarit të LDK-së me arsyetimin se në bisedime me Millosheviqin dhe lidhjet me të “kishte humbur kredibilitetin partiak” dhe, në tjetrën, që LDK-ja të hyjë në qeverinë e përkohshme të Thaçit pa pëlqimin e tij si president, ngaqë sipas vlerësimit të bashkëpunëtorëve të tij të deridjeshëm, atë e kishte humbur!
Nga ky këndvështrim, “Vitet e Gjermanisë”, pretendojnë paraqitjen e një tabloje të mozaikut të shtetndërtimit të Kosovës nga pjesë të ndryshme të një zhvillimi kompleks historik, ku personalitetet e caktuara, ndër të cilat dr Rugova tashmë e ka të siguruar vendin në oltarin historik, shfaqen në kuadër të tyre, dhe jo jashtë ose “mbi to”, siç ndodh aty ku është e thadruar logjika e kultit të individit.
Botues: “Faik Konica”, Prishtinë, 2024, faqe 504.

“KE TË DREJTË!” (Plaku e “mendataku”)- Poezi humoristike nga ANDREA ZALLI

 

Dikur n’rini pata njoftë nji plak,
Nuk kishte shumë që t’bahej qindvjeçar,
Që fliste ngadalë, rrallë edhe pak,
Porse fjalët që nxirrte i çmonin si ar.

Portreti i atij plaku më bani për vedi,
Ai n’sytë e mi ishte simboli i urtisë
E kureshtar e pyeta se cili qe sekreti
I paqes shpirtnore e i jetëgjatësisë.

“Sekret -m’tha ai -s’po ta mbaj recetën;
Kurrë nuk rragatem me njerëz pa mend,
Debateve me to larg u rri tanë jetën,
U tham “Keni t’drejtë” e shoh tymin tem”.

“Ky lloj gjykimi, ngado ta shikjosh,
-i thashë unë mendataku me t’shpejtë.
-asht i gabuem e duhet ta ndryshosh.
Mendimi e fjala e lirë janë të shejtë,
ato edhe para plumbit duhet t’i mbrosh.”
Më pa me qetësi e m’tha “Ke të drejtë!”

Nuk më vjen turp- Cikël me poezi nga Përparim Hysi

” Që s’kam,s’më zë qederi
Dhe fajin ma ka VOLTERI”
VICTOR HYGO

1.Nuk më vjen turp

Nuk më vjen turp,që jam i varfër
Dhe kam mbetur me gisht në gojë
Ja tek flas,fare hapur
Dhe nuk kam pse të skuqem me bojë.

Kurrë nuk i shkela”vijat e bardha”
Kudo dhe kurdo kam punuar me nder.
Tani që jam me flokë të bardha
Që nuk kam,s’kam fare qeder.

Nëse koha punoi për “pisin”,
Nëse të pandershmin e pasuroi
Me “pisin” nuk e gjen kurrë,Përparimin
Se “pisi” më ndot me bojë.

Servilët i mbështyj mu mbi fytyrë
Asnjë lideri a pasaniku nuk i bëj temenara
Tërë jetën e jetës kam patur vetëm një fytyrë
Se ndershmëria,në gjykimi tim, është e para.

Dikush ka pallate e vila
Karriken e pushtetit e ktheu në sfungjer
Të tillët kanë disa fytyra
Dhe në shpirt,të tillët, kanë zeher,

Kurrë nuk respektoj njeri nga kuleta
Bërtet e shkumëzon si “padron”
Asnjëherë,të tillit,nuk i them”tynjatjeta”
Për mua,nuk është njeri,por kufomë.

2.Unë e di

Unë e di që hiqesh si i ndershëm
Je si “mall kallp” dhe hiqesh si flori
Je sa i llahtarshëm dhe,po aq,i potersshëm
Ti “sëmuresh”, po nuk prishe qetësi.

Nuk trembësh as nga polici dhe as nga ligji
Dhe kapërdisesh si kaposhi mbi thekër
Para gjithë popullit ti je “SHENJT si KRISHTI”
Por je mashtrues,si një sklie e vjetër.

Unë e di që nuk pyet nga drejtësia
(gjykatësit,dridhen sikur kanë ethe,para teje)
Mbi ty të vërë dorë PERËNDIA
Dhe nuk i shpëton ndëshkimit(do të bluajë jotja ndërgjegje).

3.Kam një zemër të ndjeshme

Kam një zemër të ndjeshme
“Asnjë gjë njerëzore,s’është e huaj për mua”
Zemra ime është e prekshme
Se njerëzit dhe botën e dua.

Kur shoh që dikë marrin nëpër këmbë,
Kur shoh një mashtrues që shkumëzom si i ndershëm
Fajtorët dua t’i ha me dhëmbë
AQ bëhem i prekshëm.

Urrejtja ime nuk lind pa shkak
Dhe për cilindo fajtor nuk mbaj anësi
Veç të drejtit dhe të ndershmit i jap hak
Le të jetë kushdo: në opozitë apo në qeveri.

S’ka për mua,i djathtë apo i majtë
Unë gjykoj se sillesh me njerëzit(në pushtet apo opozitë)
Kur shoh, ç’bëjnë,sa nuk më zënë djajët
Dhe asnjë syresh nuk dua t’u shoh sytë.

Tiranë, 9 dhjetor 2024

UJI, RAKIJA E VENA – Sonet – Nga Andrea Zalli

 

Uji, që po vlonte përmbrenda gadi t’shpërthente,
Tu’ pa nji të dehun që vedin s’kontrollonte
Ndërkohë që shishen nga dora s’e lëshonte,
Mbi Venën e Rakinë me avull nisi t’shfrente.

“Jena t’nji familjes, por si mâ i madh që jam,
Duhet t’ju them se po e teproni aq sa s’ka lezet,
Se dame Njeriut po i bani në mend e në shndet
E kyt fakt t’jua vé në dukje për detyrim e kam.

-Pa shih kush po flet?! -ia pritën të dy me nji gojë.
-Vërtet edhe ato pak që ka mund t’i humbë Njeriu
Kur pijen me ne i ndodh që ta teprojë.

Por na trego pak, qysh se e mban mend historia,
Damet me përmbytje, orteqe e shtërngata shiu
Ia ka bâ e ia ban Uji, apo Vena e Rakija?

Më 8 dhjetor 1943 lindi poeti amerikan fitues i Çmimit Pulitzer, James Tate

VOAL- James Vincent Tate (8 dhjetor 1943 – 8 korrik 2015) ishte një poet amerikan. Vepra e tij i dha Çmimin Pulitzer dhe Çmimin Kombëtar të Librit. Ai ishte profesor i anglishtes në Universitetin e Masaçusets Amherst dhe anëtar i Akademisë Amerikane të Arteve dhe Letrave.

Tate ka lindur në Kansas City, Missouri, ku jetonte me nënën dhe gjyshërit e tij në shtëpinë e gjyshërve të tij. Babai i tij, një pilot në Luftën e Dytë Botërore, kishte vdekur në luftime më 11 prill 1944, para se Tate të ishte një vjeç. Tate dhe nëna e tij u shpërngulën pas shtatë vjetësh kur ajo u martua përsëri. Poeti i fundit tha se ai i përkiste një bande në shkollë të mesme dhe kishte pak interes për letërsinë. Ai planifikoi të bëhej një stacion karburanti siç kishte qenë xhaxhai i tij, por duke parë që miqtë e tij për habinë e tij do të shkonin në kolegj, ai aplikoi në Kolegjin Shtetëror Kansas të Pitsburgut (tani Universiteti Shtetëror i Pittsburgut) në vitin 1961. Tate shkroi poezinë e tij të parë një disa muaj në kolegj pa motivim të jashtëm; ai vuri re se poezia “u bë një vend privat nga i cili isha shumë i tërhequr, ku mund t’i lija ëndrrat e mia dhe dhimbjet e mia të maskoheshin plotësisht. E dija që nga momenti kur fillova të shkruaja se kurrë nuk doja të shkruaja për jetën time. Në kolegj ai lexoi Wallace Stevens dhe William Carlos Williams dhe ishte “në parajsë”. Ai mori B.A. në vitin 1965, duke vazhduar për të fituar M.F.A. nga Workshopi i famshëm i Shkrimtarëve të Universitetit të Iowa-s. Gjatë kësaj periudhe ai u ekspozua më në fund me kolegët poetë dhe u interesua për surrealizmin, duke lexuar Max Jacob, Robert Desnos dhe André Breton; për Benjamin Péret ai shprehte një dashuri të veçantë. Nga poetët që shkruanin në spanjisht, César Vallejo e “shkatërroi” por ai nuk u kap aq nga lirizmi apo romantizmi i Pablo Nerudës apo Federico García Lorca.

Ai ishte i martuar me Dara Wier. Tate vdiq më 8 korrik 2015, në moshën 71-vjeçare.

Tate dha mësime të shkrimit krijues në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, Universitetin e Kolumbisë, dhe në Universitetin e Masaçusets Amherst, ku ai punoi nga viti 1971 deri në vdekjen e tij në 2015. Ai ishte anëtar i fakultetit të poezisë në Programin e MPJ për Poetët dhe Shkrimtarët, së bashku me Dara Wier dhe Peter Gizzi.

Dudley Fitts zgjodhi librin e parë me poezi të Tate, Piloti i Humbur (1967), për Serinë e Poetëve të Rinj të Yale, ndërsa Tate ishte ende studente në Workshop-in e Shkrimtarëve; Fitts vlerësoi shkrimin e Tate për “hirin e tij natyror”. Vëllimi i parë me poezi i Tate, Cages, u botua nga Shepherd’s Press, Iowa City, 1966.

Tate fitoi çmimin Pulitzer 1992 dhe çmimin William Carlos Williams të Shoqatës së Poezisë së Amerikës në 1991 për Poezitë e tij të Përzgjedhura. Në vitin 1994, ai fitoi Çmimin Kombëtar të Librit për përmbledhjen e tij të poezive “Company adhurues i Fletchers”.

Stili i të shkruarit të Tate përshkruhet shpesh si surrealist, komik dhe absurd. Vepra e tij ka mahnitur poetë të tjerë aq të ndryshëm si John Ashbery dhe Dana Gioia. Në lidhje me veprën e tij, Tate tha: “Personazhet e mi zakonisht janë—ose, do të thosha më shpesh, nuk dua të përgjithësoj shumë—por më shpesh ata janë në telashe dhe po përpiqen të gjejnë disa lloj jete.” Kjo pikëpamje mbështetet nga vëzhgimi i poetit Tony Hoagland se “vepra e tij e fundit ka qenë në poemat në prozë, në të cilat folësit ose personazhet e tij picareske po rrotullohen nëpër jetë, kërkues dhe të paditur si Candide, duke u përpjekur të identifikohen dhe të merren me trillimet e cilësdo botë në të cilën ndodhen.”

Disa nga çmimet shtesë të Tate përfshinin një çmim të Institutit Kombëtar të Arteve dhe Letrave, Çmimin Wallace Stevens dhe bursa nga Fondacioni Guggenheim dhe Fondacioni Kombëtar për Artet. Ai ishte gjithashtu një Kancelar i Akademisë së Poetëve Amerikanë.

Përmbledhje të plota poetike

 

The Lost Pilot (Yale University Press, 1967)
The Oblivion Ha-Ha (Little, Brown & Co., 1970)
Hints to Pilgrims (Halty Ferguson, 1971)
Absences: New Poems (Little, Brown & Co., 1972)
Viper Jazz (Wesleyan University Press, 1976)
Riven Doggeries (Ecco Press, 1979)
Constant Defender (Ecco Press, 1983)
Reckoner (Wesleyan University Press, 1986)
Distance from Loved Ones (Wesleyan University Press, 1990)
Selected Poems (Wesleyan University Press, 1991) — winner of the Pulitzer Prize[6] and the William Carlos Williams Award
Worshipful Company of Fletchers: Poems (Ecco Press, 1994) — winner of the National Book Award[7]
Shroud of the Gnome (Ecco Press, 1997)
Memoir of the Hawk (Ecco Press, 2002)
Return to the City of White Donkeys (Ecco Press, 2004)
The Ghost Soldiers (Ecco Press, 2008)
The Eternal Ones of the Dream: Selected Poems 1990–2010 (Ecco Press, 2012)
Dome of the Hidden Pavilion (Ecco Press, 2015)
The Government Lake: Last Poems (Ecco Press, 2019)
Hell I Love Everybody: The Essential James Tate (Ecco Press, 2023)

Publicistikë

Cages (Shepherds Press, 1966)
Notes of Woe (Stone Wall Press, 1968)
The Torches (Unicorn Press, 1968)
Row with your Hair (Kayak Press, 1969)
Shepherds of the Mist (Black Sparrow Press, 1969)
Wrong Songs (H. Ferguson, 1970)
Amnesia People (Little Balkans Press, 1970)
Apology for Eating Geoffrey Movius’ Hyacinth (Unicorn Press, 1972)
Land of Little Sticks (Metacom Press, 1981)
Just Shades (Parallel Editions, 1985, illustrated by John Alcorn)
Bewitched: 26 poems (Embers Handpress, Wales, illustration by Laurie Smith.)
Police Story (Rain Taxi, 1999)
Lost River (Sarabande Books, 2003)
The Zoo Club (Rain Taxi, 2011)

Prozë

Hottentot Ossuary (Temple Bar Bookshop, 1974)
The Route as Briefed (University of Michigan Press, 1999)
Dreams of a Robot Dancing Bee: 44 Stories (Verse Press, 2002)

Bashkautor

Are You Ready, Mary Baker Eddy??? (Cloud Marauder Press, 1970, poems co-written with Bill Knott)
Lucky Darryl (Release Press, 1977, a novel co-written with Bill Knott)

Në antologjitë

Krijime të Tate janë përfshirë në  seritë e The Best American Poetry më 1988, 1990, 1991, 1993, 1994, 1997, 1998, 2001, 2003, 2004, 2005, 2006, 2008, and 2010; vepra e tij është edhe në The Norton Anthology of Modern and Contemporary Poetry.

(Wikipedia)

“DUSHKAJA”, VEPËR BRILANTE LETRARE- Nga NAILE DEMIRI

o Jusuf Buxhovi: “DUSHKAJA”, roman. Botoi “Faik Konica” dhe “Jalifat Publishing”, 2018, faqe 170.
Romani i autorit Jusuf Buxhovi, “Dushkaja”, i ndarë në nëntë kaptina ( e gjithë ngjarja zhvillohet brenda një qarku kohor tepër intensiv: nga ora gjashtë e mbrëmjes e deri në orën pesë të mëngjesit), shfaqet si një rrëfim në vetën e parë, prej nga ndërtohet një vepër letrare brilante dhe e veçante që nuk e kemi pasur në gjuhen shqipe.
Në këtë roman, dekada e fundit e shekullit XX -të dhe fillimi i shekullit XXI, në Dushkajën e autorit përplasen e manifestohen sjellje shoqëror të deformuara, ku autori kërkon analizën e shkaqeve të krizës shoqërore, të shoqërisë që i përket, dhe kjo bëhet me anën e një analizë të kategorive filozofike e veçmas analizës së gjuhës dhe faktorëve tjerë që kanë dërguar deri në manifestimin e kësaj krize, e cila po thuhet se ka qenë e mbyllur, për të nxjerrë nocione e përfundime logjike. Me këtë rast, ndoshta ia vlen të sqarohet paradigma se arti krijues i shërben njerëzores, e assesi dija t’i shëberjë dhunimit të njeriut, morali njerëzor t’i kthehet realitetit e jo alkimia e dr. Llukmanit, të udhëheq më vlera , vlera këto që Friedrich Nietzsche kaherë i hedhen në shportën e mbeturinave. Aurtori, në këtë vepër, si duket është i ndikuar nga Niçe dhe dogma e filozofisë së përsëritjes së të njëjtës, që kudo manifestohen, por në forma të ndryshme…
Dhimbjet shpirtërore e shtyjmë autorin e romanit të bëjë një kërkimin metafizik nëpërmes një “loje” imagjinare (cicmicit), që duhet kuptuar si një alterego me të cilën krijuesit herdo kur ballfaqohen. Të menduarit, vetëdija, përgjegjësia, vullneti i lirë e kategori e virtyte tjera humane të njeriut, janë nga sa figurat me të cilat personazhi i Buxhovit, pacienti i psikiatrisë, shpesh herë bëhet qull nga sikleti duke ndryshuar vendin pikturave e vijave të trasha të tija për t’i dhënë përgjigjeje Zërit (të mizës), vetëdijes, se kjo botë e ka bazën në dije, në pjesën e vetëdijshme e assesi në tulet e turit, pjesë e pavetëdijes, nga burojnë: egoizmi, cinizmi, mashtrimi, frika, pasiguria, halucinacioni, iluzioni etj, etj, vese e kategori psikologjike të njerëzve të deformuar, siç i quan autori polip, jo kurrizor,zvarranik, që i takojnë kozmosit të karaktereve të ndryshme, ku Dushkaja, si metaforë e një vendi të humbur nga mbyllja zbërthen anatominë e një morali shoqëror, ku e mira shihet si e keqe dhe e keqja si e mirë dhe anasjelltas, një qark ky tragjik, karakteritik për botën e privuar qëllumisht nga dija…
“Në Dushkajën e fëmijërisë sime vrasësit ishin të natyrshëm, foli Piktori. Në një botë të rrudhur, të mbyllur dhe të shkëputur nga pjesa tjetër, cubat, kaçakët, bedelët, shkelësit e besës, belaxhinjtë e gjakut, hakmarrësit e ndryshëm e deri te njerëzit e sherreve dhe vrasësit me pagesë, ishin pjesë e një mbijetimi të thjeshtë , ku secili bënte punën e vetë me përkushtim dhe nderoheshin” (…) Ky qark i të qenit prishej vetëm atëherë kur cubat dhe vrasësit e ndryshëm futeshin në luftëra dhe e gjitha kthehej në sjellje të panatyrshme, ngaqë disa prej tyre ktheheshin në heronj, gjë që do të ishte në rregull po që se ata nuk do të kremtoheshin si heronj gjatë gjendjeve të tilla… Kjo gjendje e shrregullt, pasqyrohet më së miri kur kuptohet e vërteta e vendosjes së rregullave të tilla, kur në lojën e imagjinuar (me ndërgjegjen e vet) si luftë e pa parë e figurave, ku heroi më në fund detyrohet ta pranojë realitetin me ato që i thuhen : “Ti piktor i shkretë duhesh të kërkosh shpëtim nga këto qenie të rrezikshme në hapësirën e labirintit mitik)* f .51, që do të thotë të mbetesh në kërkim të përhershëm të një dështimi…
Sidoqoftë, edhe në kufijtë e këtij diskrepcioni nihilist, narratori i Buxhovi, siç duket është lidhur me veprimet dhe ngjarjet duke i konsideruar ato si procese të pastra karshi objekteve e sendeve në roman. Rrëfyer me një gjuhë dialogu në mes të Piktorit e zërit, në një sistem dialogu me gjuhë e stile konkrete, në vazhdimësi të pandara nga njohja logjiko-gjuhësore e përmbajtjes, është gjuhë ajo që dërgon mesazh tek lexuesit, është gjuhë e pastër shqipe e shkrirë në artin letrar, që në gamë e zinxhirë nxjerr e përshkruan të djeshmen, të sotmen edhe të ardhmen , sa do që do vonohet ajo si një mallkim të pashmangshëm. Duke iu përmbajtur çdo herë domenit të shprehjes letrare, gjuha e Buxhovit, shpesh herë, shprehur edhe me gjykime pavetore a eliptike, nuk e pengon lexuesin të kuptoj rrjedhën e dialogut, ndonëse lexuesi duhet të jetë i koncentruar në rrjedhë si reprezentues i kësaj gjendje shoqërore në Dushkajën me një virgjëri magjike por gjithsesi tragjike, në skaje të botës së harruar, e kjo, e ngritë vlerën e veprës dhe e bënë atë të jetë e dalluar nga veprat letrare të tjerat të kohës.
Ky roman me elemente të romanit psikologjik, politik…etj, është edhe një trilogji, ngase në dy romanet e më parme (“Lufta e Fundit e Bashkim Kosovës” dhe “Dosja e hapur”), personazhet janë të gjykuar të vriten ngaqë bien ndesh me konveptet e caktaura shoqërore-politike, ndërsa vrasësit me pagesë, në Dushkajë, behën pretendent të shpallet heronj. Andaj, autori detyrohet që në “Dushkajë” të paraqesë terrorin, krimet, sadizmat, vrasjet me pagesë, dështimet e krijuesve, e shumë e shumë anomali të tjera shoqërore e individuale që akoma janë të pranishëm në jetën e brendshme të autorit. Dhembet e plagëve të Bashkim Kosovës, e detyruan Zërin t’i thotë Piktorit: çmendu, çmendu se bota është e hiçit, krijues i çmendur apo i dështuar je… Por heroi i romanit (Piktori) nuk ngushëllon vetën. Ai ec, kërkon shtigje dalëse. “Runa zot nga gjeneralët e pas luftës, tha Piktori me sa zë kishte…Mbllaçiste fjalët kundër gjeneralëve të pasluftës dhe komandantëve të vetëshpallur të kthyer në zullumqarë që u shkojnë pas dhe vazhdojnë ta rrënojnë lirinë në emër “ të meritave të luftës” dhe të ngjashme.. (…) Sonte, në këtë lojë, që po e quan luftë, ke rastin që gjërat t’i shohësh siç janë edhe në jetë, ku ka fitimtarë dhe humbës…Ku i madhi e ha të voglin dhe i forti të dobëtin.. f. 135), dhe nuk do shpërfaqem as vdes para se Dushkaja ime të kthehet në plantacion, tani e mbushur me thera e murriza…
Rrëfyesi në roman, është vetja e trilluar në të cilën transformohet. Pra, në këtë rast, narratori i gjithëdijshëm duke rrëfyer një nga rrëfimet më trishtuese të pas luftës, të ndodhur në një skaj të botës së pistë, të pa parë, ka pasqyruar një gjendje shoqërore më të hidhur e më kriminale, një katrahurë me aq shumë ngatërrime, sekrete, kode, pështjellime ordinere të projektuara etj, etj, që vetëm një kokë e ngritur, që ka për mjet artin letrar,ndoshta do mundet t’i shkoqis të shtjelluara .
Ngjarjet e mëdha shoqërore zakonisht iniciojnë krijimin e veprave të mëdha. Dhe s’do mend se kjo vepër për momentin do jetë një nga veprat më të mira të shkruara në artin letrar në letërsi shqipe të shekullit XXI.
Subjekti i veprës është gjendja e shoqërisë kosovare pas luftës së fundit. Përpjekja e krijueseve për ndërtimin e vendit dhe kundërshtitë permanente të shfaqura si pengues të zhvillimit shoqëror. Pasqyrohen dy forca, jo renegate, të fytafytur, të pamëshirshme, të pashpallur, përplot me arsenal, bile të luftës speciale, që insistonin , me çdo kusht, asgjësimin e njëra-tjetrës, jo vetën në Dushkajëm, e mbushur me thera e murriza, por në tërë hapësirën planetare kah shtrihen neuron-transmetuesit . Në roman bëhej fjalë për pastërtinë e luftës dhe pasojat. Narratori në vetën e parë rrëfen: “…Të tjerat janë aktrime, gënjeshtra, mashtrime e çmos të kthyera në parime, rregulla dhe kode të rreme të vlerave, me të cilat bota është plotë e përplot dhe shfrytëzohen njësoj nga klerikët, diktatorët, tiranet, despotet dhe të tjerët, me të cilat shpallën profetët që në emër të zotit vranë zotin, kremtohen tiranet, që vrasin në emër të pushtetit të pakufishëm e të tjera. Turmës i pëlqejnë dhe pa të cilët as që mund të jetojnë..,( f. 162).
Lavjerrësi i orës ra pesë herë dhe ishte ora pesë kur Piktori me shumë vështirësi, nxori fjalët e fundit :
Prapë mashtrime!…
Prapë vrasje!…
Prapë lojë!…
Medet për Dushkajën time të harruar, në skajin e vetëm të virgjër të botës pise, të kthyer në lapidar të rremë..(f.165).
Ndonëse rrethi gjeografik e ambiental i veprës kufizohet në një dhomë ku janë të vendosura sa piktura të pluhurosura, hapësira dhe koha gjithsesi janë të përfshira edhe si kategori epistemologjisë por edhe si mjete të romanit, shtrirja gjithandej e tyre është pa fillim dhe mbarim në kohë sikur përfshinë planetin dhe atë pjesë të pistë të botës, pavarësisht se koha është një (1 ) apo pesë (5) të dritës, Piktori përpiqet që jetën ta marri si lojë… Por realiteti i imponon që lojën ta marri si jetë (f. 19), për ndryshim nga krijuesit ekzistencialistet që përpiqen ta jetojnë jetën. Heroi i romanit këtu kërkon shpëtimin. Në roman përjetohet një ambient i mbyllur ku luhet loja e cicmicit , e cila bëhet si duket pa lejen e gurëve si ushtarak, ngase lehtë atyre u ndërrohet vendi. Personazhi i romanit te Buxhovi, ndonëse metaforë (një zë), është qenie që mendon, ndjenë, përjeton, njeh, vepron, etj, domethënë ekziston në kohë dhe hapësirë, si i përsëritshëm, por një herësh shfaqet si pjesë e një ndërgjegjeje që jo secili është në gjendje t’i nënshtrohet deri te përmasat e ballafaqimit me të, qoftë edhe si një katarzë të heshtur shpirtërore…

MË HELMOVE, PIRO BREGU!…- Nga Albert HABAZAJ

 

-Këngë vaji për ikjen e Bilbilit të këngës kaninjote dhe labe Piro Bregaj-

 

Pse, o Piro Bregu
Më hëngre në besë,
Tek ti, trim i hekurt
Pata shumë shpresë.

Ike, fluturove
Bilbil i Kaninës,
Lart, tek yjet shkove
N’ er’ të trëndelinës.

Ike Piro Bregu
Tek përkundje ëndrrën,
Sikur u hap shtegu
Ma helmoi këngën…

Nertesi Asllani
Të thur vargje shpirti,
Piro kapedani
O Piro Artisti.

Si duket, të deshi
Shumë Nertesiu,
Ike ti për labçen
Drejt tij si veriu.

Nertesi e Piro
Çfarë më bëtë kështu
Keq më ligështuat
Sa të vij tek ju…

Vlorë, e mërkurë, 27 nëntor 2024 –
Teatri “Petro Marko”, Vlorë, 1 Dhjetor 2024

TË PËRSHËNDESËSH NJË LIBËR…- Nga VISAR ZHITI

”PRENDIMI I ANDRRIMEVE”
POEZIA E GASPER PALIT
– Nën kujdesin e Lisandri Kolës –

Do të desha të thosha diçka, një mbresë a një mendim, thjeshtë që t’i ngjante një trendafili mbi mermer, për poezinë e Gasper Palit. Që kur më erdhi libri, e marr shpesh ndër duar, e shfletoj, i hollë dhe fin si vetë poezia, e nxori këtë vit botuesi “Berk” në Tiranë, e përgatiti studiuesi dhe shkrimtari Lisandri Kola, përmblodhi të gjithë buqetën e poezive, i pajisi me shënime, vuri një parathënie rigorose me informim, një shtojcë në fund, fotografi e faksimile, një “plotëni e adhurueme”, – do të thosha në të folmen e poetit dhe të përgatitësit të librit, shkodranë të dy, të kohëve të ndryshëm, por dhe të një vazhdimësie poetike, edhe pse dhe ato të ndryshme, por i bashkon bukuria, përzierë me një si pikëllim…
Këtë do të desha të shpreh, por mbase herë tjetër më mirë…

Marr prapë ndër duar librin, Gasper Pali lindi në Shkodër në vitin 1916, lexoj… pra, 4 vjet pasi Shqipëria u shpall e pavarur nga një perandori, ajo otomane, që po binte, – them me vete. Gasper Pali vdes në Shkodër në vitin 1942, kur vendi kishte 3 vjet që ishte pushtuar nga Italia fashiste, që donte të bëhej perandori.
Vetëm 26 vjet jetoi Poeti, sa pikëllim dhe shqyrtoj me vete se ai rreth 19 a 20 vjet jetoi në kohë pavarësie, mes rënies dhe mosngritjes së dy perandorive, në një vend të vogël e të mjerë midis, por në qytetin e veriut të tij me legjenda dhe kulturë, ndër më të lashtit në Europë…

Gasper Pali – meteorit në poezinë moderne shqipe, – them me vete, shkëlqeu befas dhe u shua, sa shpejt!
Si bashkëqytetari dhe bashkëkohësi tjetër i tij, Migjeni shpërthyes, 26 vjeçarë të dy, s’e di a janë takuar a kanë ndejtur bashkë, njeri pas tjetrit i hëngri tuberkulozi, por jo vetëm, – shtoj me dhimbje, – edhe poezia, korifej të vargut të lirë shqip.
Gaspër Pali është vetëm i lirë, por s’bëj dot krahësime, as është qëllimi im, vetëm desha të përshëndes botimin e ri të poezisë së Gaspër Palit, që do të duhej ta dinim më mirë dhe më shumë. Dhe ta duam…

Dhe mbase kritikët e studiuesit do të flasin prapë, pa paragjykime dhe të lirë, më me kompetencë për poezinë e tij, që rishfaqet dhe harrohet, për vezullimet e zymta të saj në vitet e arta ‘30 të letrave shqipe dhe të mendimit pluralist dhe vendin që duhet të zerë në historinë e letërsisë shqipe, te poezia, etj.

Gasper Pali – muzikant dhe poet, – ndërmend, – prandaj dhe në poezinë e tij ka muzikë të fshehtë dhe trishtim, trishtim perëndimor, kohe dhe kulture.
Tre gjëra e vranë atë shumë,
– një: pushtimi i vendit nga Italia fashiste, edhe pse vetë kishte studiuar për letërsi në Itali, në Firencen magjepsëse,
– dy: një dashuri e pafat me një siçiliane në Itali dhe
– tre: tuberkulozi i pashërueshëm atëhere.
Dhe mbaroi si Migjeni. Por të paktën as Migjenit e as Gasper Palit s’ua vrau poezinë Realizmi Socialist që do të vinte më pas, i një perandorie të tretë më mizore.

Si një ngushëllim marr prapë librin ndër duar, i ngrohtë dhe si i verdhëllemtë, s’e di pse, nga sëmundja a trishtimi i përbashkët, se “bota e njerëzimi tashma, dritën ka fikë e terrin ka përqafë?” – shkruan poeti Gasper Pali, por poezia juaj është një qiri i ndezur, bën dritë, – mërmëris dhe lexoj prapë: “… e s dim prendimin me e dallue nga agu…” – dhe bie më shumë në pesimizëm, por ah, dhe kjo poezi na ndihmon të dallojmë dhe përhetojmë çastin, që sa do i rëndë qoftë, mund të bëhet poezi, e lehtë si drita.
Do të doja të flisja për poezinë e tij, mbase herë tjetër më mirë, thashë, tani mirënjohës atyre që e nxorën prapë nga terret e harrimit dhe na e sollën…

“Bisedë me vetvedin” është njëra nga fletët që na tregon Lisandri nga fletoret e trishtuara të Gasper Palit. Po i gjithë libri është si një bisedë me vetveten, dhe pse me tjetrin dhe ky është nderi më i madh që na bëhet si lexues, kaq çiltër dhe kaq bukur!

Visar Zhiti

Holanda është “super-cool”, thoshte Mark Rutte – Them dhe unë!- Nga Senad Guraziu

(…nga 2 greva në ditë rregullisht – në v. 1919 në Holandë kishte plot 649 greva (më së shumti në historinë e vendit), i bie pothuaj nga 2 greva në ditë rregullisht, gjatë gjithë vitit, vetë s’e di nëse t’jetë thyer ndonjë rekord, por fare lehtë mund t’jetë rekord ky, rekord “unik” : )

Byroja Qendrore e Statistikave e Holandës (CBS) këtë vit me rastin e 125-vjetorit të vet (Shtator 2024) e publikoi një lloj edicioni jubilar, “Holanda me shifra – 125 vjet statistika të besueshme”. Nga materia statistikore sa një “bjeshkë, padyshim sa një Everest” publikimi jubilar i tyre ofronte një pjesëz simbolike, statistikat më themelore për 34 subjekte të ndryshme, më shumë si një libërth simbolik, si publikim festiv.

Meqë vit jubilar, meqë 125-vjetori i CBS, dhe nga ana tjetër meqë e pamundur të kapërthehet gjithçka (nuk kapërthehet një Everest statistikash, CBS gjeneron statistika për çdo sektor të mundshëm, pakashumë siç dhe INSTAT-i i Shqipërisë, apo si ASK – Agjencia e Statistikave të Kosovës) mendova 2 “pasqyra” të thuktohen sëpaku, 2 subjekte që t’më pëlqejnë më së shumti, ndoshta ekonomia dhe ndonjë subjekt tjetër… që t’më duket më interesant.

Më pastaj u kujtova se këtë vit do ishte hera e parë në histori që CBS ta publikonte një lloj studimi statistikor lidhur me komunitetin e LHBTQIA të Holandës, dhe i cili komunitet doli se na qenkësh jashtëzakonisht i madh (pothuaj sa Shqipëria komplet si shtet me banorët e vet) – doli se ky komunitet i Holandës është jo më pak por 2.7 milionë. Andaj sakaq sikur e vendosa “ja subjekti tjetër”, përveç ekonomisë do provoj ta thuktoj sadopak dhe materien rreth LHBTQIA-komunitetit. Sepse është për herë të parë në histori nga CBS, e do jetë për herë të parë dhe nga unë, si materie, si prurje, si info për akëcilin lexues eventual në shqip.

Ashtu-kështu Holanda interesante, shtet “cool… super-cool” thoshte Mark Rutte (ose “gaaf land”, kahdo që rrotullohej, për më gjatë se një dekadë sa ishte Kryeministër, mburrej, lavdërohej, s’e fshihte madje krenarinë as kur takohej me Znj. Merkel, e kishte pushkë me të, e kishte si mike pa hile. Meqë ra fjala, 2-3 ditë më parë, me 1 Dhjetor, pas botimit të librit të vet “Liria” Merkel ia dha një intervistë ekskluzive zotit Twan Huys (Buitenhof, NL) dhe rishtas e lavdëroi mikun Rutte, tashmë në funksionin e lartë të NATO-s, Merkel tha se Mark Rutte është burri i duhur, në vendin e duhur, në kohën e duhur : )

Gjatë kohës së ishte Kryeminister, Rutte me askend s’qe takuar më shumë sesa me Angela Merkel, do i kishin plot 13 takime me fqinjen, me mikeshën. Takimi i tyre i parë, në v. 2010 pati qenë madje “diplomaci në shikim të parë”, sepse Rutte ia pati falur puthjen e parë diplomatike. Kjo duket asgjë por s’është, në fakt fare larg “asgjësë”, nëse dihet fakti që gjatë viteve kryeministrale Rutte i pati falur vetëm 6 puthje.

Të gjitha puthjet, të gjashtat i qenë falur znj. Merkel. Sidoqoftë, e qartë se këto 6 puthje me gjithë ekskluzivitetin dimplomatik të fqinjësisë, ngelin paksa të çuditshme, se ç’ka diç të “çuditshme” në këtë statistikë, 13 takime me fqinjen Merkel mirëpo vetëm 6 puthje! I bie se 7 herat e tjera o do ketë harruar, o do jetë “turpëruar” (do kenë ngelur dorështrënguar, pa u qafuar), o Merkel do ta ketë refuzuar : )

Por dmth. siç e cekëm Rutte gjithmonë krenar, mburrej sepse dhe e dinte, Holanda relativisht e “vogël” si shtet por ekonomia holandeze e 5-ta në BE. Imagjinoje çudinë, GDP e Holandës në v. 2023 ishte mbi 1 trilion €. Ok, Gjermania fqinje është super-ekonomia e BE-së, e di dhe Merkel e di edhe Rutte, Gjermania 1-shi, Holanda e 5-shi. GDP e Gjermanisë mbi 4 trilionë € (3 trilionë më shumë se NL), por dhe afër mendsh sepse Gjermania afro 85 milionë banorë. Shkurt, znj. Merkel rishtas e lavdëroi fqinjin Rutte (tashmë NATO-shef sa i përket detyrës) sepse dhe ajo e di që Holanda “cool… super-cool” siç thoshte Rutte : )

Sidoqoftë, me të dy subjektet që i përmenda do merrem herë tjetër, kësaj radhe pakashumë diç si intro – i zgjodha disa nga infografikat e publikimit jubilar të CBS, 4-5 sosh.

***
(komente shkurt lidhur me infografikat)

…s’di pse pata përshtypjen që edhe në Holandë meshkujt megjithatë sikur ua bëjnë ngapak me “hile” femrave, psh. se janë më të zotët në transport, në inxhinieri, ICT, në bujqësi e madje dhe në punët e “ndryshme”… këto dhe ok, mund të thuhet se janë punë të rënda, më shumë u përshtaten meshkujve, mirëpo për menaxhim e udhëheqje s’e prisja meshkujt 71 % shefa – dallim i madh, sakaq sikur ia nisa me “dyshimet” rreth diskriminimit sepse pothuaj e njëjta pasqyrë si me Nobelat, 8=1 🙂

…prostitucioni “në të zezën” i ndihmuaka ekonomisë holandeze me vetëm 0.7 miliard € – hm (dmth. e çndihmuaka ekonominë) pothuaj sikur u çudita, tepër pak, s’e prisja kaq pak, s’di pse gjithmonë kam pandehur më shumë : )

…mirëpo (lëre se e gjeta tjetrën, një diçka që nuk e kuptoja, prandaj belgët tashmë aq të avancuar, i bie se do kenë “mbledhur mend”) këtë vit Belgjika u bë shteti i parë në botë sa i përket avancimit të profesionalizmit seksologjik prostitucional, ndërsa shih çudia e lulëzimit të ekonomisë ilegale holandeze, kokaina + drogat sintetike + kanabisi afro 16 miliardë € – pothuaj sikur del nonsens euforia e dikurshme ndaj Al Kapones, natyrisht nuk durohet mafiozllëku e gangsterizmi, por ia shihnin për të madhe që i kontrabandonte ca shishe whisky, i ngrati ndoshta s’do i ketë bërë kurrë më shumë se 5 milionë $ qarkullim, tani flitet për dhjetra miliarda, ehuu del se pati vajtur dëm, i qe bërë padrejtësi e madhe : )

…nga 1901 deri 2023, më së shumti greva paska patur në v. 1919, plot 649 greva, i bie pothuaj nga 2 greva në ditë gjatë gjithë vitit 🙂 ndërsa më së paku greva paska patur në v. 1983…

…të moshuarit që vazhdojnë me punën janë 12% meshkuj, thotë CBS, ndërsa femrat qenkan më pak, 4 % – në këtë drejtim shihet se femrat kanë zgjedhur të kënaqen me pensionet, kuptohet nëse s’di si shijohet pensioni atëherë e qartë, më mirë të punosh : )

Arbitraritet i paturpshëm – Kur ambasadorët e diplomatët i kapin penat e “historisë”!- Nga Senad Guraziu

…pasi e lexova një artikull nga Prof. Ksenofon Krisafi – “U bëmë apo na bënë?” (publikuar në gazetën Dita, unë iu qasa në Albspirit), po jua nis këtë si “shtojcë-materie”, si materie përplotësuese rreth tematikës së shkrimit të Prof. Krisafit do ishte mirë t’i materies dhe kjo pjesëza nga libri i amerikanit Jacob Schurman, “Luftërat Ballkanike: 1912-1913″… meqë nga Profesori në shkrimin e vet janë përmendur qëndrimet e shumë kokave atëbotë të qarqeve evropiane (qëndrimet e tyre rreth shtetit shqiptar), do ishte mirë t’mos harrohet as qëndrimi i personaliteve amerikane atëbotë rreth shtetformimit shqiptar, pasi Jacob Schurman ishte prezent atëbotë në skenën ballkanike, Ambasador i ShBA në Greqi pikërisht gjatë periudhës së Pavarësisë shqiptare, ishte akademik dhe diplomat amerikan, pati shërbyer si President i Universitetit Cornell për pothuaj 3 dekada, plot 28 vite (1892-1920), përveç punëve “universitare” ishte i angazhuar dhe si diplomat, psh. pati shërbyer si Ambasador i ShBA në Greqi (1912-13), në Mal të Zi (1913), në Kinë (1921-25) dhe Ambasador i ShBA në Gjermani (1925-29) – në fund po e ngjes dhe shkrimin e Prof. Krisafit…
(s. guraziu)

– – –

Arbitraritet i paturpshëm – Kur ambasadorët e diplomatët i kapin penat e “historisë”!
(Senad Guraziu – Ars Poetica, Dhjetor 2022 – dy-tri fjalë, diç si koment-parathënie)

Duke u marrë me materiale të ndryshme referenciale (lidhur me një shkrim në punë e sipër, rreth “protektoratit francez të Krahinës Autonome të Korçës, 1916-1920”), më ka rënë t’i shfletoj mjaft gjërash, ndër to dhe librin “Luftërat Ballkanike: 1912–1913”, 1916 – nga Jacob Schurman (1854-1942), pedagog dhe diplomat amerikan, pati shërbyer si President i Universitetit Cornell për pothuaj 3 dekada, plot 28 vite (1892-1920), përveç punëve “universitare” ishte i angazhuar dhe si diplomat, psh. pati shërbyer si Ambasador i ShBA në Greqi (1912-13), në Mal të Zi (1913), në Kinë (1921-25) dhe Ambasador i ShBA në Gjermani (1925-29).

Them se disa pena, disa komentues të “historisë”, disa autorë qoftë ndër artikuj qoftë nëpër librat e tyre, vërtet janë për keqardhje. Më shkoi mendja t’i shkëpus ca fragmente nga libri i autorit Jacob Schurman “Luftërat Ballkanike: 1912–1913” dhe t’i ndajë me ju. Sepse ashtu më lehtë, s’do ketë nevojë as për komente as për argumente. Sepse vërtet “arbitraritet” qesharak dhe i ulët autorial, aq sa madje për keqardhje.

Derisa serbët, malazezët, bullgarët, grekët, si aleatë të “krishterë” kundër Turqisë, autori Schurman i ngre në qiell me atributet pozitive dhe të simpatisë, për shqiptarët (e sidomos nëse “muhamedanë” të prapangelur, të shtypur e të shkelur) ai e shpalosë “antipatinë” më të pandershme, komenton për historinë aq padenjësisht!

I lavdëron serbët për pushtimin heroik të tokave shqiptare deri në Adriatik, i lavdëron grekët për pushtimin e Shqipërisë në “jug”, i shan diplomatikat austro-hungareze dhe ato italiane, sipas tij malazezët do duhej ta mbanin dhe Shkodrën për vete, kompenzimi me Kosovën dhe me trojet tjera etnike ishte “pak” po aq sa dhe “turpërim” për lavdinë, për heroizmin e Serbisë…

Nuk i harron viktimat e ushtrive sllavo-aleate, gjakderdhjen e ushtrive, kostot e luftës ballkanike, padrejtësitë e Fuqive të Mëdha me ndryshime papritur të “kursit” të politikave… por psh. madje as “shkitazi” s’i përmend masakrat e ushtrisë serbe ndaj popullatës shqiptare. Përkundrazi, derisa duke fituar betejën kundër Turqisë, Serbia e “merr hakun” e betejë-Kosovës së dikurshme, sipas autorit Schurman, disfatën e para 500 viteve Serbia tashmë e kthen në Lavdi të përjetshme, ja pse zhbërja “kombëtare” e shqiptarëve duhej të kishte ndodhur, sepse ata s’dinë as si krijohet shtetësia, as si organizohet kombi, as si qeveriset shteti, Serbia thjesht e meritonte tokën e tyre me gjithë Adriatikun.

Ajme, ç’të thuhet, “histori” se jo shaka, President Universiteti për 3 dekada të tëra, diplomat, “shkëlqesi ambasador-iale”, penë e denjë autoriale, komenton për “historinë” ballkanike, jo nga larg por duke qenë dhe vetë “prezent”, duke parë me sytë e vet si diplomat sa në Greqi, në Shkup, në Mal të Zi, boton pastaj libra në kohën kur sytë e kombit shqiptar ende “pa dritën” e mirëfilltë, pllakosur nga errësira dhe mjerimi disashekullor, shkelur e shtypur nga zezona e perandorisë aziatike…

(më poshtë fragmente nga: “Luftërat Ballkanike: 1912–1913” )
|…|
Shqiptarët, ndonëse më tepër i kundërshtuan sesa i ndihmuan aleatët [ serbët, bullgarët, malazezët dhe grekët – shën im ] në luftën kundër Turqisë, u bënë një komb i pavarur nga Fuqitë e Mëdha me nxitjen e Austro-Hungarisë dhe me mbështetjen e Italisë. Përcaktimi i kufijve të shtetit të ri ishte rezultat i forcave konfliktuale të politiko-koncertit evropian. Derisa Shkodra në veri, me këmbënguljen e Austro-Hungarisë iu dha Shqipërisë, ndikimi rus ishte mjaft i fortë të siguronte për Serbinë dhe aleatët qendrat shqiptare të Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit, si dhe të Dibrës në lindje.

Ky ishte një lloj kompensimi për Serbinë rreth humbjes të daljes në Adriatik, në kohën kur lufta mes aleatëve ishte e destinuar aq shumë t’i zgjeronte territoret e Serbisë (kjo humbje, e Adriatikut – shën. im) nuk ishte parashikuar. Por derisa në këtë mënyrë shqiptarët përjashtoheshin nga territoret e shtetit të ri në veri dhe lindje, ata u kompensuan me diç që nuk përputhej në jug, me shtrirjen e pajustifikueshme në Epirin e Veriut, popullsia e të cilit territor është kryesisht greke.

Pozita e kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë së Re u imponua prej Fuqive të Mëdha, imponim i arritur me qëndrimin e Italisë. Gjatë luftës së parë grekët e kishin pushtuar Verio-Epirin, ose Shqipërinë e Jugut deri në veri, si një vijë e tërhequr pakëz mbi Himarën në bregdet, dhe tutje në lindje drejt liqenit të Prespës, në mënyrë që Tepelena dhe Korça të përfshiheshin në zonën greke. Por Italia kundërshtoi, me pretekstin se pushtimi grek i territorit në dy anët e ngushticës së Korfuzit do ta kërcënonte kontrollin e Adriatikut. Italia këmbënguli që kufiri greko-shqiptar duhej të fillonte nga një pikë në bregun përballë pjesës jugore të ishullit të Korfuzit. Në përputhje me rrethanat, Greqia u detyrua ta evakuonte pjesën më të madhe të territorit që e kishte pushtuar mbi Janinë. Dhe Shqipëria më pastaj u përpoq të ushtronte juridiksionin mbi këtë territor.

Mirëpo “shtetësia” e Shqipërisë është e vështirë. Sepse, edhe pse Fuqitë e Mëdha ua kanë “instaluar” një sundimtar – Princin gjerman Wied – shqiptarët s’kanë shtet të organizuar. Shqiptarët janë njëra ndër racat më të vjetra në Evropë, në mos më e vjetra. Por ata kurrë s’kanë krijuar ndonjë shtet. Dhe sot e kësaj dite janë pa shpresë të ndarë e të përçarë. Është një vend i kundërshtisë universale – veriu kundër jugut, fisi kundër fisit, beu kundër beut. Shumica e popullsisë janë muhamedanë, por ka dhe mjaft romano-katolikë në veri, dhe në jug mbizotëron Kisha Ortodokse Greke. Banorët e veriut, të cilët quhen gegë, janë të ndarë në fise të shumta, preokupimi kryesor i të cilëve është lufta me njëri-tjetrin nën një sistem gjakmarrjesh të vazhdueshme dhe hakmarrjesh të pashuara.

Në jug nuk ka fise por populli, i njohur si toskë, jeton nën magnatët territorialë të quajtur bej, të cilët praktikisht janë sundimtarë absolut të rretheve të tyre. Vendi në tërësi është një farë-përzierje e çuditshme e mbijetesave në kushte primitive. Dhe s’është vetëm vend pa art e letërsi, por s’ka as prodhimtari, tregti apo dhe as bujqësi. Nuk është çudi që grekët e Epirit të ndihen të indinjuar nga fati që Fuqitë Evropiane ua kanë imponuar – shkëputjen nga djepi i tyre i qytetëruar dhe i krishterë dhe t’u nënshtrohen ndikimit të muhamedanëve barbarë që e pushtojnë Shqipërinë. As s’është për t’u habitur që, meqë ushtritë helene e kanë evakuuar Epirin e Veriut në përputhje me dekretin e Fuqive të Mëdha, banorët e rrethit nga Santi Quaranta e deri në Korçë po e shpallin pavarësinë e tyre dhe po i luftojnë shqiptarët që përpiqen t’i fusin në zgjedhë.

E ardhmja e Shqipërisë është përplot pasiguri. Megjithatë, shteti nuk krijua për shqiptarët, të cilët, përveç tjerash, s’janë në gjendje ta administrojnë apo ta mbajnë atë. Shteti u krijua për interesa të Austro-Hungarisë dhe të Italisë. Këto fuqi, ka të ngjarë dhe ta formësojnë të ardhmen e Shqipërisë.
|…|

( lavdia dhe “hakmarrja” shekullore serbe )
|…| Ushtritë serbe përparuan përmes Serbisë së vjetër në Maqedoninë veriore dhe qendrore. Me fitoren e tyre të madhe ndaj forcave turke në Kumanovë ata u hakmorën për disfatën e të parëve dikur në Kosovë, pesëqind vjet më parë |…| Territoret e pushtuara nga Serbia 55.000 milje katrore. Serbia u jep aleatëve të saj në lindje dhe jug 3800 milje katrorë. Serbia i jep Shqipërisë 15.200 milje katrorë. Serbisë i mbeten 36.000 milje katrore tokash të zaptuara |…| Padyshim “zhgënjimi” më i madh ishte shpërbërja e planeve të aleatëve (Serbisë, Greqisë, Bullgarisë, Malit të Zi – shën. im) me krijimin e një Shqipërie të pavarur (nga Fuqitë evropiane). Kjo mbretëri e re (Shqipëria) u krijua nga “zëri” politiko-koncertal evropian me kërkesën e Austro-Hungarisë, mbështetur nga Italia |…| Doli politika austro-italiane e Shqipërisë së pavarur. Sa e natyrshme dhe thelbësore, siç ishte kjo politikë për Italinë dhe Austro-Hungarinë, ishte fatale për ëndrrën e Serbisë të zgjerimit në Adriatik |…| E detyruar nga Fuqitë e Mëdha t’i tërheq trupat e saj nga Shqipëria, pasi e kishin fituar triumfalisht rrugën e Adriatikut |…| Koncerti politik Europian ia zhbëri Serbisë çmimin e pritur të Shqipërisë me bregdetin e saj shumë të dëshiruar të Adriatikut |…|

( guximi, shkëlqimi dhe burrëria malazeze )
|…| Ushtarët trima të mbretit Nikolla, sundimtarit të shquar të shtetit të vetëm ballkanik (Malit të Zi), të cilin turqit s’e pushtuan kurrë, po i jepnin goditje vdekjeprurëse armikut si në Novi Pazar ashtu dhe në Shqipëri |…| I pashë nga hoteli im në Shkup 15.000 ushtarë malazezë, të cilët kishin mbërritur vetëm një ose dy ditë më parë me tren nga Mitrovica, ku kishin marshuar nëpërmjet Novi Pazarit. Të gjatë, të zhdërvjellët, të guximshëm, me fytyra që tregonin jetë të pastër, dukeshin si trupa të shkëlqyer njerëzish që s’i gjenë kund në botë, figurat e tyre komanduese dhe qëndrimi burrëror ishin vënë në avantazh të madh nga uniformat e mrekullueshme dhe piktoreske |. ..| Mali i Zi gjithashtu e mori shpërblimin e vet me shtrirjen e territorit në jug deri në kufirin e Shqipërisë (siç e caktuan Fuqitë e Mëdha), dhe me një shtrirje akoma më të lirshme në lindje nga Sanxhaku e Novi Pazari. Kjo mbretëri patriarkale ndoshta do të mbetet e pandryshuar për aq kohë sa t’jetojë Mbreti aktual, Mbreti shumë i dashur Nikolla, një Atë vërtetë Homerik i Popullit të vet |…|

( kostot njerëzore dhe materiale te aleatëve )
|…|Luftërat ballkanike kanë qenë të përgjakshme dhe të kushtueshme. Ne kurrë s’do dimë për mijëra burra, gra dhe fëmijë që vdiqën nga mungesa e ushqimit, nga sëmundjet dhe masakrat. Por humbjet ushtarake, të vdekurit dhe të plagosurit ishin 11.200 për Malin e Zi, 68.000 për Greqinë, 71.000 për Serbinë, 156.000 për Bullgarinë, dhe për Turqinë po aq sa për Bullgarinë (dmth. rreth 160.000). Humbjet në “thesarin e kostove” ishin po aq kolosale sa ato të gjakut
|…|

– – – – – – – – – – – – më poshtë shkrimi nga Prof. Krisafi – – – – – – – – – – –

U bëmë apo na bënë?
Prof. Ksenofon Krisafi

Pavarësia dhe shteti shqiptar ishin rezultat i kontributit të faktorit vendas, i luftrave dhe i përpjekjeve të vazhdueshme të shqiptarëve për t’u shkëputur nga perandoria osmane dhe për të konstituuar shtetin e tyre. Por, ngandonjëherë kujdesi i tepruar për të afirmuar rolin e tij ka shkuar deri në ekstrem, deri në injorimin e faktorit të jashtëm.

E vërteta është se faktori i brendshëm dhe ai i jashtëm, në një periudhë të caktuar historike, vepruan bashkërisht, interferuan te njeri-tjetri dhe sollën si rezultat daljen e Shqipërisë si subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe veçanërisht njohjen e saj nga aktorët kryesorë të skenës ndërkombëtare të kohës, që u realizua pikërisht nga Konferenca e Ambasadorëve e Fuqive të Mëdha, mbajtur në Londër, në dhjetor 1912- gusht 1913.

Në këtë optikë nuk mund të lihen mënjanë dhe pa vlerësimin e duhur edhe kontributet relative të diplomacisë ndërkombëtare. Nuk mund të mohohet fjala vjen se disa prej kancelerive europiane, nisur nga interesat e tyre, ndërmorën nisma për përkrahjen e lëvizjes kombëtare shqiptare dhe mbështetjen e disa prej eksponentëve kryesorë të saj për shpalljen e pavarësisë, siç ndodhi p.sh. me Austro-Hungarinë.

Nuk mund të mohohen gjithashtu edhe veprimtaria dhe kontributet relative të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK), të krijuar dhe të instaluar në Shqipëri nga Konferenca e Ambasadorëve, për organizimin e shtetit të pavarur shqiptar. U tha jo pa qëllim kontribute relative, sepse KNK ndërpreu ekzistencën e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe veprimtarinë e saj. Ndërkohë që statusi dhe kompetencat veçanërisht të gjera që i ishin njohur KNK, përbënin një kufizim të ndjeshëm të sovranitetit të shtetit shqiptar, që tejkalonin së tepërmi precedentët e aplikuar nga diplomacia e Fuqive të Mëdha ndaj vendeve të tjerë, si Greqia apo Bullgaria gjatë shekullit të XIX.

Çështja nuk mund të gjykohet objektivisht nëse nuk pranohet bashkëveprimi ndërmjet faktorit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar.

Faktori ndërkombëtar nuk do të ishte aktivizuar dhe nuk do ta kishte marrë në shqyrtim çështjen shqiptare, nëse vetë shqiptarët, nëpërmjet kryengritjeve të vazhdueshme, veçanërisht në vitet 1910-1912, nuk do të kishin treguar se nuk pranonin më të mbeteshin pjesë e perandorisë osmane. Ata iu dëshmuan Fuqive të Mëdha se ishin një popull, që, si gjithë të tjerët, kishin aftësitë e duhura politike dhe organizative për të ngritur dhe mbajtur në këmbë shtetin e vet, çka e realizuan me vendimin e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, të 28 nëntorit 1912 dhe me veprimtaritë shtetformuese e organizuese që ndërmorrën në vazhdim.

Nga ana e vet segmente të caktuara të faktorit ndërkombëtar, robër të simpative të tyre ndaj fqinjëve të Shqipërisë, mbajtën qëndrime të rezervuara ndaj të drejtës së shqiptarëve për të pasur shtetin e vet, të organizuar në të gjitha hapësirat shqiptare. Por, ndërkohë nuk mund të gjykohej objektivisht për rolin dhe rëndësinë e faktorit vendas në raport me faktorin ndërkombëtar dhe anasjelltas, nëse skenari i zhvillimeve shqiptare do të përfytyrohej i zbatuar në kushtet e mungesës së reagimit, për aq dhe ashtu si ishte, të diplomacisë europiane për Shqipërinë e asaj kohe.

Më konkretisht çështja shtrohet në formën e pyetjes se çdo të ndodhte me Shqipërinë e pavarur, të shpallur nga Kuvendi i Vlorës, nëse Fuqitë e Mëdha dhe shtetet e tjerë, pjesëtarë të bashkësisë ndërkombëtare dhe fqinjët, do ta ndëshkonin përgjithmonë me bojkot dhe do ta shpërfillnin krijesën politike shqiptare të porsaformuar, duke mos e marrë në konsideratë?

A do të ishte e mundur që ajo të mbijetonte dhe a do të ishte në gjendje që, në kushtet e mungesës së njohjes ndërkombëtare, të konstituohej dhe të vazhdonte të ekzistonte si subjekt i së drejtës ndërkombëtare?

Në literaturën e huaj historiografike mbizotëron mendimi se shteti shqiptar ishte krijesë e diplomacisë europiane. Në këtë pikëpamje mund të ketë ndikuar edhe fakti që organizimin e brendshëm të shtetit shqiptar, njohjen dhe afirmimin e tij ndërkombëtar, krahas Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, e morën në dorë edhe Fuqitë e Mëdha. Ato përcaktuan statusin politik të Shqipërisë, kufijtë e saj shtetërorë, si dhe përpunuan një kuadër juridik, që ngërthente aspektet kryesore të organizimit të një shteti shqiptar “eksperimental”.

Vendimi i 29 korrikut të vitit 1913, i cili nëpërmjet 11 neneve të tij, përveç pranimit të njohjes së një shteti të pavarur, neutral e me kufij të përcaktuar, shprehej edhe për çështjet e tjera të rëndësishme të organizimit të brendshëm, që nga caktimi në krye të shtetit të një princi të huaj, dërgimi i një Komisioni Ndërkombëtar Kontrolli, i cili do të kontrollonte administratën civile dhe financat e vendit dhe do të hartonte një projekt për organizimin e të gjitha degëve të administratës së Shqipërisë, ruajtjen e qetësisë dhe rendit publik nga një xhandarmëri ndërkombëtare etj.

Strukturimi i mekanizmit shtetëror në Shqipëri nga ana e Konferencës së Ambasadorëve ishte një tregues i dukshëm i “ndërkombëtarizimit” të skajshëm të punëve të saj të brendshme dhe monopolizimit relativ të marrëdhënieve me botën e jashtme. Në institucionet që do të krijoheshin, elementi vendas dallohej me vështirësi për shkak të rolit dekorativ e formal që i ishte caktuar.

Përballë realitetit kompleks shqiptar, disa autorë që janë marrë me studimin e kësaj çështjeje, nuk kanë mundur të identifikonin ekuilibrin e duhur ndërmjet faktorit lokal dhe atij ndërkombëtar. Shqipërinë e pavarur ia dedikojnë tërësisht apo me tepri faktorit ndërkombëtar. Pohimet e tyre të vendosura ndonjëhere në kontekst sensacionesh, iu bëjnë jehonë qëndrimeve tradicionale antishqiptare të fqinjëve dhe të disa prej Fuqive të Mëdha.

– Në këtë grup bëjnë pjesë zakonisht politikanë dhe autorë si Vlladan Gjeorgjeviç, i cili shkruan se pavarësia e Shqipërisë ishte një gabim, që duhej koregjuar duke e ndarë territorin e saj, sepse përbënte “një rrezik të madh, jo vetëm për serbët, por për krejt Lidhjen Ballkanike”, siç plotësonte serbi tjetër, Nikolla Pashiç.

– Dragutin Nikoliç shprehej se popullit shqiptar “me anë të një rezolute të thjeshtë, me një dekret, iu dha diçka që popujt e tjerë e kanë fituar pas luftrash të përgjakshme e të vështira”.

– Në të njëjtën linjë qëndrimi antishqiptar ishin edhe grekët, përfaqësues të të cilëve deklaronin se “është e pamundur të lejohen shqiptarët barbarë të jetojnë të pavarur në djepin e qytetërimit grek”.

– Përsa iu përket Fuqive të Mëdha përmendet ministri i jashtëm rus, Sazonov, që thoshte se “shqiptarët nuk ishin homogjenë dhe të denjë për një shtet”, sepse siç plotësonte ambasadori i tij ne Paris, Izvolski, nuk besohej “se do të ishte e mundshme të organizoheshin në një shtet autonom malësorët e egër që nuk njihnin e nuk zbatonin ligje”.

– Përfaqësuesi britanik në Beograd Ralph Paget, i cilësonte shqiptarët “turmë… të papërshtatshëm për vetqeverisje.” Kurse Eduard Grey thoshte se “Shqipëria në të vërtetë qe krijuar vetëm për hir të interesave të ltalisë dhe të Austro-Hungarisë”.

– Një vlerësim tjetër, në fakt një zhvlerësim, vjen nga Berlini, i shkruar nga dora e Vilhelmit të Dytë, me fjalinë “një shtet hajdutësh nuk mund të bëhet kurrë i aftë për të jetuar”.

– Kambon, ambasadori i Francës, shprehet se “pranuam që të krijohej Shqipëria për t’i dalë para një konflagracioni europian që mund të rridhte nga konflikti austro-rus”.

-“Krijimi Shqipërisë ishte një suprizë…, souvenir historik ose pothuajse arkeologjik…, hipokrizi diplomatike”, thoshte francezi Gabriel Lui Zharé.

– Nicole Guy, mendon se “krijimi i Shqipërisë kishte shërbyer për të formatuar një ekuilibër të ri forcash në Ballkan dhe në Adriatik dhe për pasojë kishte ruajtur interesat e Fuqive të Mëdha…”.

– Dhe së fundi ambasadori italian Ferdinando Salleo, ka shkruar se vendimet e Konferencës së Londrës ishin shprehje e nevojës së Fuqive për “të rikrijuar ose më mirë të themi, për të shpikur një shtet europian, pikërisht atje ku nuk ekzistonte kurrfarë tradite për shtetin”.

Gjithëçka që u citua më sipër shumë shkurt, dëshmon qartë se diplomacia e Fuqive të Mëdha, për të cilën nuk kursehen vlerësimet për të ashtuquajturën dhuratë të jashtëzakonshme që iu bëri shqiptarëve, shtetin e tyre, s’ka dyshim se ajo veproi e nisur nga interesi i vet, për ruajtjen e ekuilibrave midis fuqive, si dhe për plotësimin e ambicjeve ekspansioniste të klientëve të vet ballkanike.

Këtë e ka pohuar haptazi dhe pa nguruar vetë kryetari i Konferencës së Londrës, Eduard Grei, kur, të nesërmen e përfundimit të punimeve të saj, deklaroi se “Une e di fare mire se kur gjithshka do te behet e njohur, kjo zgjidhje në shume pika do te jape kritika te forta nga kushdo qe e njeh vendin……por… qellimi ka qene te ruhej Marreveshja midis Fuqive te medha dhe, neqoftese vendimi per Shqiperine e ka siguruar kete, atehere ai ka bere punen me te mire ne dobi te paqes ne Europë…”

Nëse Konferenca do të nisej vërtetë nga interesi i shqiptarëve, do të duhej që shtetin, t’ua “dhuronte” të plotë, të ngritur në të gjitha hapësirat shqiptare dhe jo në më pak se gjysmën e tyre, që të mos ndodhte ajo që shkruan Xhorxh Fred Uilliams, që “Shtetet e Europës … prenë copa me rëndësi nga toka shqiptare dhe ia dhanë fqinjëve në Veri, në Jugë dhe në Lindje, duke shkaktuar kështu ngatërresa dhe luftëra të përditshme në mes të këtyre shteteve. Copën që mbeti nga gërshëra e tyre e quajtën shteti i pavarur i Shqipërisë”.

Ajo ishte bërë therror në emër të paqes europiane, që gjithsesi rezultoi e paqëndrushme, sepse pas jo më vonë se një viti shpërtheu Lufta e Parë Botërore, që prishi ekuilibrat e vendosur, zhvendosi kufij shtetesh, shkatërroi disa prej tyre dhe krijoi të tjerë.

Çështja e faktorit prioritar në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar ka qenë objekt trajtimi edhe në literaturën juridiko-ndërkombëtare. Në një pjesë të saj dallohet sërish i njëjti qëndrim nihilist ndaj faktorit vendas dhe rolit të tij në krijimin e shtetit shqiptar, si subjekt i së drejtës ndërkombëtare.

– P.sh. zvicerani Pol Gugenheim, e përmend Shqipërinë si një shembull të shteteve të krijuara nga e drejta e traktateve (konvencionale, ndërkombëtare) dhe e rendit së bashku me qytetin e lirë të Krakovit, shtetin e ishujve Jonianë, qytetin e lirë të Danzingut etj. që, siç thotë ai, janë krijuar nga diplomacia e Fuqive të Mëdha. Ishin ato, vazhdon ai, që vendosën ndarjen e Polonisë në vitin 1815, që njohën neutralitetin e Zvicrës më 1815 dhe që krijuan Belgjikën në 1831, Bullgarinë në 1878 dhe Shqipërinë në 1912.

Interesant është fakti se te Gugenheimi dallohet pothuajse për herë të parë në doktrinën e së drejtës një vlerësim juridik për ilegjitimitetin e pushtetit të Fuqive të Mëdha për të vendosur për fatet e popujve të tjerë. Ai thotë se ato ushtronin një pushtet të uzurpuar, ilegjitim, sepse përfaqësimi permanent i interesave europiane që ato i kishin dhënë vetes pa të drejtë, i kundërvihej parimit të barazisë së shteteve.

– Lui Kavaré, duke iu referuar krijimit të shtetit shqiptar shkruan, se Shqipëria u krijua si shtet në saje të traktatit të Londrës të 1913, nëpërmjet të cilit Turqia ua la Fuqive Europiane kujdesin e rregullimit të situatës.

– Në të njëjtat pozita shfaqet edhe ndërkombëtaristi tjetër francez Sharl Ruso, i cili thotë se shteti shqiptar u krijua nëpërmjet një vendimi të një organi ndërkombëtar, që ishte Konferenca e Ambasadorëve.

– Finlandezi Rafael Waldemar Erich, duke përkrahur të njëjtin qëndrim nihilist, shkruan se Shqipëria “nuk u formua si shtet si rezultat i ndonjë lufte për pavarësi në kuptimin e vërtetë të fjalës, por në sajë të faktit që në Traktatin e Londrës të majit 1913, Perandoria Otomane ua pati lënë Fuqive të Mëdha kujdesin për të rregulluar pozitën e saj”.

Interpretimet që e lidhin themelimin e shtetit te pavarur shqiptar me 29 korrikun e vitit 1913, kane nje pikenisje te gabuar teoriko-juridike, disa prej tyre, madje të motivuar politikisht. Prof. Kristo Frashëri, lidhur me këtë thotë se “historianët që përkrahin tezën se pavarësinë e Shqipërisë e farkëtuan Fuqitë e mëdha dhe jo vetë shqiptarët, i përkasin kryesisht historiografisë serbe dhe greke. Si argument kryesor në mbështetje të tezës së tyre ata përdorin faktorin gjeopolitik-pozitën gjeografike të Shqipërisë në brigjet e Adriatikut jugor dhe interesat strategjike që kishin disa prej Fuqive të Mëdha në këtë sektor.”

Të vlerësuara në aspektin juridik, pohimet e mësipërme mbeshteten në teorine konstitutive të njohjes ndërkombetare të shteteve, reminishencë e kohëve kur jetën politiko-nderkombetare e përcaktonin Fuqite e Medha. Sipas saj, është njohja ndërkombëtare akti i krijimit të një shteti.

Doktrina e sotme juridiko-nderkombetare e konsideron të kapercyer atë. Vendin e saj e ka zënë teoria deklarative, që thotë se shteti ekziston realisht pavarësisht nëse njihet ose jo prej shteteve të tjera. Njohja ndërkombëtare vetëm e konstaton, e deklaron faktin e lindjes dhe i jep mundësi shtetit që të drejtat inherente që ka, t’i ushtrojë efektivisht.

Ky qëndrim doktrinar është përqafuar dhe është adoptuar si qëndrim zyrtar nga disa organizma ndërkombëtare autoritare, si p.sh. Instituti i së Drejtës Ndërkombëtare, Konferenca Europiane për Paqen në ish Jugosllavi, e vitit 1991, Komisioni i Arbitrazhit i Konferencës për Paqen në ish Jugosllavi, Karta e Organizatës së Shteteve Amerikane, etj.

Mbi bazën e kësaj teorie vlerësohet edhe ajo që ndodhi me Shqiperinë. Ajo u krijua si shtet i pavarur me 28 nentor 1912. E themeluan shqiptarët. Të huajt, diplomacia e Fuqive të Medha, vetëm e njohu dhe ofroi mbështetje në përshtatje me interesat e veta.

Politikanët dhe autoret e permendur më lartë, që ia atribuojnë diplomacisë europiane krijimin e shtetit shqiptar, flasin nga pozitat e teorise konstitutive të njohjes. Teorikisht dhe juridikisht, gjykuar në optiken e të drejtës ndërkombëtare, Shqipëria e pavarur është produkt i luftrave dhe përpjekjeve, aftësive organizative dhe inteligjencës politike të shqiptareve dhe jo krijesë e ndërkombëtarëve.

Në favor të këtij pohimi, flet edhe nje akt juridiko-kushtetues me rëndesi dhe vlerë të pakontestueshme. Është Statuti Organik i Shqipërisë, i përgatitur nga Komisioni Ndërkombetar i Kontrollit, në Vlorë, më 10 prill 1914. Në pikën 22, të kreut të tretë të tij, thuhet shprehimisht: “Janë shtetas shqiptarë të gjithë ata që kanë lindur ose që janë vendosur në Shqipëri përpara 28 nëntorit të 1912-s dhe që, nën qeverinë osmane kanë pasur nënshtetësinë osmane”.

Nje interpretim i thjeshte të çon drejtpërsëdrejti në konkluzionin se Shqiperia, si shtet, si subjekt i se drejtes nderkombetare, u krijua me 28 nentor 1912, datë që merret si pikënisje e përcaktimit të shtetësisë së shtetasve të saj. Nëse do të ishte Vendimi i 29 korrikut të vitit 1913, që është vetem akt i njohjes ndërkombëtare, Statuti do t’i referohej atij dhe jo vendimit te Kuvendit te Vlores.

Pikerisht ky percaktim, që ka formen e një perkufizimi juridik, zgjidh në menyrë të plotë, te qarte dhe perfundimtare çeshtjen e madhe, me të cilën studiues dhe politikanë nga qarqet antishqiptare në vendet fqinjë dhe protektorët e tyre kanë mashtruar dhe spekuluar vazhdimisht.

Ai përkon plotësisht edhe me pohimin e profesorit Robert Redslob, i cili thotë: “Kur Fuqitë e Mëdha pretenduan të ngrinin Shqipërinë si principatë më vete me Princ Vidin në krye dhe i dhanë edhe një Statut, kjo ishte nga ana e tyre një vepër pa themel. Monarkia e re nuk u krijua veçse në letër dhe në imagjinatën e diplomatëve. Ajo nuk jetoi kurrë për arsyen e thjeshtë, se nuk hodhi rrënjë në popull. Pastaj plasi Lufta e Madhe dhe vetëm pas një periudhe të gjatë anarkie, përleshjesh dhe trazirash, Shqipëria mundi të bëhej vetë me forcat e saj, me vullnetin e saj kombëtar, që është edhe e vetmja mënyrë me të cilën mund të themelohet një shtet i vërtetë”.

“Klonimi” i një MËSUESI SHEMBULLOR  – Esé nga Përparim Hysi

Libri “Ikona e mësuesisë,LEONIDHA DHRAMI” nga QATIP MARA!

QATIP MARA (nuk ka kund njeri më të gjendshëm), erdhi si me një frymë në TIRANË dhe më dhuroi këtë libër,Dhe me mua ndodhi po kështu: ai me vrap dhe unë po “me vrap”.Me një shpoti,mund të thosha:” Me”inat” më foli dhe,po me”inat” iu përgjgigja!.Them me shpoti,se MBRETI i HUMORIT,ÇARLI ÇAPLINI,thoshte:”Një ditë pa të qeshur,është një ditë bosh”.Natyrshëm.kjo copëhershëm me QATIPIN,meriton jo një shpoti,por ca më shumë si  një çast gëzimi midis dy miqësh.
Kam thënë dhe diku tjetër që unë nuk ka ditë që mos lexoj. Më kujtohet LUIS BORGES që thotë:”Mos e mat veten me ato që ke shkruar,por me ato që lexon”. Dhe,ndërsa për shkrimet e mia modeste,në prozë e poezi,nuk kam pse kapërdisem,në fushën e leximeve,zor se i lëshoj pe ndikujt. Jam lexues skrupuloz dhe nuk e lëshoj librin nga dora,nëse më pëlqen.
Kur marrë librin  e QATIP MARËS,nuk kam se si e lëshoj,pa e mbaruar. “Sherr” me timeshoqe:-Mos të duket vetja i ri?Do të hipë tensioni dhe do na hapësh avazae.” -Nuk kam faj unë,por QATIPI që shkruan për një mësues,- mbrohem unë.
“Fajin” e QATIPIT,e “shlyen” POETI SPANJOLL;LORKA që thotë:”Çdo libër është një oborr. Lum ai që mbjellë në atë”oborr”,lule dhe ushqen shpirtin e vet”. Këto fjalë,sikur janë thënë enkas për autorin,QATIP MARA, që jo vetëm e ka kthyer oborrin me llule,po ka bërë që”petalet” e këtyre luleve të flladitin shpirtin e autorit,po se po,por dhe MËSUESIT SHEMBULLOR LEONIADHA DHRAMI nga QEPAROI.
*
Kam shumë arsye që të shkruaj për këtë libër.Së pari,autori i këtij  libri,QATIP MARA,është nga miqtë e mi më të shtrenjtë dhe,së dyti,libri flet për një mësues model. Një model që duhet ndjekur. Unë vet kam punuar mbi dyzet vjet mësues gjuhë-letërsie, dhe,si të thuash,është pakëz si”thirrje” e gjakut. Tek heroi i këtij  libri,paksa kam gjetur veten. Çuditem që paska qenë mëues në MALLAKASTRËN e  egër.ku vetëm”disa çapa” më tej,aty mesviteve ’60-të të shekullit të kaluar kam qenë dhe unë.
Çudia e dytë dhe nuk kam pse mos e them. Në shkollë apo në çdo kolektiv ku punon,rrallë qëllon  që një iks-koleg të të bëhet mik aq i ngushtë,që jo vetëm ta përjetësosh në libër,por ta “klonosh” siç ka bërë QATIP MARA. Kur shoqëria jonë,sa vjen e po bëhet e ftohtë e polare,ja tek të  shfaqet një mësues si LEONIADHA DHRAMI nga QEPAROI që ta jepë zemrën në dorë dhe nuk ke se si mos e bësh shembull atë. LEONIDHA DHRAMI,siç gjykoj unë,përmjet leximit të librit,meriton ato fjalët që thotë BIBLA:-Jezusit nuk i intereson se sa vargje di nga BIBLA,por se si i trajton ti njerëzit.”.Parë me këtë sy,LEONIDHA DHRAMI,është sa i ditur dhe aq njerëzor. Ndjek çdo faqe me kërshëri dhe shoh me sy kritk,çdo çap që hedh ky mësues dhe,tek e vë ballë vetes,them:-Shyqyr që nuk kam qenë nxënës i këtij mësuesi  kaq të mirë,se,kur shoh bukurshkriimn e tij si pikturë,më zë data për shkrimin tim si ato kalagrifet kineze apo si një shkrim doktorësh që askush nuk e lexon., Pastaj,pasi kthiellem,tek shoh sukseset nga një shkollë tek tjetra, më vjen dërmend ajo  që ka thënë RALF WALDO EMERSON:”Njeriu që gjërat e rënda,i bën të lehta,është edukator!”
Në rastin e LEONIDHA DHRAMIT,kjo “EDUKATOR”,do shkruar me gërmë të madhe.

                                                   *
Që në kohën e tij,MUSTFA QEMAL ATATURKU ka thënë:”Mësuesi  i mirë është si qiriri; e konsumon veten për të ndriçuar mendjen e të tjerëve”. A nuk ka ndodhur kështu me mësuesin LEONIDHA NAQE DHRAMI? Pa dyshim dhe kësaj pyetjes sime retorike,i përgjigjen, nxënësit e tij që shkruajnë me superlativa për mësuesin e tyre.Nga përvoja ime e gjatë si mësues,mund të them me shumë siguri që nuk janë veç mësuesët që u vënë nota nxënësve të tyre,por janë dhe nxënësit që u vënë nota mësuesëve.DHe ç’them,nuk flas me apriori,por me prova. Nota që vënë nxënësit janë ku e ku më të sakta se sa nota që vë mësuesi.Dhe,po ta shoh me këtë sy,këtë mësues model,e ka faqen të bardhë. SE,kur thotë WILIAM ARTHUR WARD,”Mësuesi i mirë dhe profesionist,inspiron”. JO vetëm inspiron:LEONIDHJA DHRAMI,por bëhet ashtu siç thoshte LUIGJ GRUAKUQI” Përhapës i dritës,i diturisë”.Tek e përfshij gjithë veprimtarinë edukative të këtij MËSUESI SHEMBULLOR, më vijnë ndërmend,fjalër e VIRGJILIT që thotë:”Të ngreshë lart emrin tënd me vepra,kjo është arritja e virtytytit”,Parë nga veprat e puna me përkushtim,them që LEONIDHA DHRAMIT i takojnë ato fjalë të KONFUCIT që ka thënë:”Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit,nuk maten kurrë”.
Por se  sa vlen puna e njl mësuesi si LEONIDHA DHRAMI,s’kam se si mos i pranëvë,fjalët e ALEKSANDRIT të MADH që ka thënë:”Mësuesi më ngriti nga toka në qiell”:Mësuesi i tij ka qenë ARISTOTELI që bëri këtë luftëtar të madh që,poshtë jastëkut,të mbante,veç shpatës,por dhe ILIADËN. Që të ndodhë kjo,duhet të jesh mësues me karizmën e LEONIDHA NAQE DHRAMIT.
*
Po lë,jashtë esesë sime, tërë jetën model si familjar (edhe këtu shëmbullore të këtij mësuesi model, por s’kam si mos qëmdroj tek krijimtaria e tij letrare. I tërë libri duket si një”gosti e madhe”,se me aq dashuri është shkruar nga kolegu dhe miku i tij,QATIP MARA: Dhe,nëse libri është”gosti e madhe”,në fund të”gostisë”,a nuk hahet ëmbëlsira? Vargjet në poezitë e POETIT LEONIDHA NAQE DHRAMI janë të dala nga shpirti.Atje,në çdo poezi,ai është vetvetja dhe,kur thotë OSHO:-Të jesh vetevetja është gjëja më e çmuar. Dhe,për ta mbyllur,po përdor një thënie të HEGELIT:”Njeriu nuk është asgjë tjetër,veçe varg i veprave të veta!
VIKTOR HYGO e shtjellon dhe më thellë duke thënë:”Çdo njeri e ndërton vet peidestalin e vet,të tjerët i zbukurojnë  statujën”.Kështu ka ndhodhur dhe MËSUESIN SHEMBULLOR;LEONIDHA NAQE DHRAMI.Ai e ka ngritur peidestalin e vet,të tjerët ia kanë zbukuruar statujën dhe,sado që ëshë ndarë nga jeta,QATPI MARA e ka “klonuar” me këtë libër.ku thotë se NJERËZ SI LEONIDHA NAQE DHRAMI janë modele që duhen. ndjekur.Tiranë,29 nëntor 2024

Send this to a friend