Ish-presidenti i Katalonjës Carles Puigdemont pritet të paraqitet sot përpara një gjykate gjermane pas arrestimit të tij të dielën për shkak të një urdhër-arresti europian të lëshuar nga Spanja. Arrestimi i tij në Gjermani shkaktoi një valë protestash në Katalonjë, ku mijëra separatistë u përballën me policinë.
Të premten Gjykata e Lartë spanjolle vendosi që 25 udhëheqës të Katalonjës të gjykohen për rebelim, përvetësim dhe mosbindje ndaj shtetit. Gjykata lëshoi gjithashtu urdhër-arresti ndërkombëtar për Carles Puigdemont-in dhe katër politikanë të tjerë të cilët ndodhen në mërgim të vetë-imponuar në Belgjikë dhe Skoci.
Ish-presidenti i Katalonjës, do të dërgohet përpara një gjykate gjermane të hënën për të konfirmuar identitetin e tij. Më vonë do të vendoset nëse ai duhet të mbetet në paraburgim në pritje të procedurave të ekstradimit.
Komentet