Kodiku i Skënderbeut në Vajmar
Më 2005 arrita me ne fund, mbas shume perpjekjeve t’ju u jap shqiptarëve të mi një ekskluzivitet të rrallë: Njohuri më të plota, si dhe për herë të parë disa riprodhime, nga i mbiquajturi “Libri i Skënderbeut”, ose Codex SCANDERBEG, që ndodhej në Bibliotekën e Vaimarit në Gjermani.
Për këtë Libër të Skënderbeut unë kisha bërë disa shkrime, përgjithësisht edhe studiues të tjerë e kanë përmendur Librin, por vetëm si një fakt bibliografik.
Askush deri sot nga shqiptarët nuk e ka parë me sytë e tij këtë Libër, askush nuk ka shijuar bukurinë e skicave dhe vizatimeve enciklopedike të këtij Libri.
Skenderbeu ka patur padyshim Bibliteken e tij.
Deri sot ka te dhena te sakta historike per tri libra, qe kane qene ne posedimin dhe ne Bibliteken e Skenderbeut. Do te flasim edhe per dy librat e tjere, pervec Kodikut te Weimarit.
***
Ka pasur një korespondencë të Bibliotekës Kombëtare në vitet ’60 të shekullit XX me Bibliotekën e Vaimarit për ekzistencën e këtij libri të çuditshëm.
***
Akademiku Aleks Buda ka shkruar për të.
Në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike, mbajtur në janar 1968 në Tiranë, Aleks Buda ka shkruar: “në Bibliotekën Shtetërore të Vaimarit ekziston një dorëshkrim i shekullit XV i njohur me emrin “Weimarer Ingenieur – Buch”, që ka të bëjë me artin e fortifikimit dhe me teknikën e xhenjos, për të cilin tradita prej kohësh thotë se i përkiste dikur Heroit tonë, traditë që na e vërteton përsëri në një letër të vet drejtoria e kësaj Biblioteke.
Do të ishte me rëndësi të ndiqej më tej çështja e këtij libri dorëshkrim, sepse mund të na jepte disa të dhëna mbi njohuritë e teknikës ushtarake të kohës që mund të kishte në dispozicion Heroi ynë”.
***
Me rastin e 600 – Vjetorit të Lindjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, unë mendova se duhej bërë diçka më shumë.
I dërgova këtë letër Bibliotekës së Vaimarit letra është këtu më poshtë:
Tiranë, më 13.04.2005
DREJTORISË SË BIBLIOTEKËS SË WEIMARIT
THURINGISCHE LANDESBIBLIOTHEK WEIMAR
Shumë i nderuar Drejtor,
Unë që po ju shkruaj quhem Dr. Moikom Zeqo dhe jam Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë të Shqipërisë.
Jam i informuar se në fondet tuaja ndodhet një Kodik, dorëshkrim i ilustruar me 325 ilustrime.
Veshjet e personave të vizatuar u përkasin Oberdeutchland, krahina Nuremberg.
Koha e datimit të këtij kodiku është shekulli XV – XVI.
Në mbulojën e brendshme gjendet një portret i Kaizerit Maksimilian I. Ky dorëshkrim thuhet se ka qenë i poseduar nga Gjergj Kastriot Skënderbeu. Thuhet se ky dorëshkrim i qe dhuruar Skënderbeut nga Ferdinandi i Aragonës në Napoli të Italisë.
I respektuar drejtor, viti 2005 është viti i 600 vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, Heroit Kombëtar të Shqipërisë.
Në kuadër të këtij 600 vjetori, Muzeu Historik Kombëtar do të organizojë një ekspozitë për Gjergj Kastriot Skënderbeun.
Do të ishim shumë të gëzuar dhe mirënjohës nëse Ju do të na dërgonit një kopje të këtij dorëshkrimi nga fillimi deri në fund, kundrejt pagesës.
Po kështu do të jepnit një kontribut të madh shkencor, nëse e shoqëronit kopjen e këtij dorëshkrimi me të dhënat historike, rreth pasaportës shkencore të librit.
Në këtë mënyrë do të shtonit një motiv të ri dhe të rëndësishëm për historinë e Heroit Kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastriot Skënderbneut. Mirënjohja jonë do të jetë shumë e madhe.
Duke ju falenderuar për mirëkuptimin, me respekt të veçantë,
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar
Dr. Moikom Zeqo
***
Nuk do ta harroj kurrë ditën, kur mora përgjigjen nga Biblioteka e Vaimarit:
Herzogin Anna Amalia Bibliothek
Platz der Demoktratie 1
99423 Weimar
Weimar, me 2.5.2005
CD-Rom, nga doreshkrimi i serise 328 (Kodiku i Skenderbeut) dhe pershkrim i doreshkrimit
I nderuar Dr.Moikom Zeqo,
Ne pergjigje te kerkeses suaj te dates 13.4.2005 duam t’u bejme te ditur, se ju kemi derguar Doreshkrimin në një CD-Rom.
Kjo gjë është bërë falas.
CD-ja është parashikuar te perdoret vetem ne muzeun tuaj.
Ne te do te gjeni te gjitha faqet e Doreshkrimit, permbajtjen, literaturen sekondare dhe nje permbledhje te literatures.
Po ju dergojme dhe nje pershkrim te Doreshkrimit.
Me pershendetje miqesore dhe urimet me te mira per Muzeun,
Ingrid Arnhold,
Drejtuese e seksionit te Koleksioneve te Rralla
***
Miku im i ndjerë prof. Jup Kastrati ka qenë i pari që ka botuar një shkrim të gjatë për Librin e Skënderbeut botuar në revistën “Ylli”, 1980, nr. 2.
Në substancë ai thotë: “Gjatë viteve 1966- 1968, duke punuar në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë për hartimin e Bibliografisë retrospektive të Skënderbeut, në mes të burimeve të shumta dhe me vlerë të madhe për historinë e Shqipërisë, gjeta një tregues bibliografik, që më tërhoqi vëmendjen dhe më entuziasmoi.
Në të përkohshmen arbëreshe ”La Nazione Albanese”(Kombi Shqiptar) të 15 shkurtit 1900, që botohej në Pallagorio Catanzaro nga publicisti i mirënjohur arbëresh Anselmo Lorecchio, ishte dhënë një njoftim interesant me titull ”Libri i Skënderbeut”.
Në këtë artikull të shkurtër italisht thuhen pikërisht këto:”Në Bibliotekën e Dukës së Madh të Weimar -it ruhet një dorëshkrim in folio, që tërheq kureshtjen e studjuesve.
Thuhet përgjithësisht, se ai i përkiste Heroit të Shqipërisë e prandaj quhet Libri i Skënderbeut, ose Libri i çudirave.
Formuar nga 325 fletë pergamene, zbukuruar në çdo anë me figura në ngjyrë Kine, përbëhet prej dy pjesësh, që dallohen mirë njëra nga tjetra dhe që duket se u përkisnin dy kohëve të ndryshme: njëra duhet të jetë e shekullit XV; tjetra është e qartë se i takon shekullit XVI.
Pjesa e parë përmban dhe paraqet një sasi të panjohur makinash dhe veglash, që përdoreshin atëherë ndër luftra dhe ndër rrethime; armë të çdo lloji, topa, bumbardha, shkallë për t’u ngjitur, mjete për minatorë, pajime për ura, mullinj me dorë etj.
Aty janë paraqitur, gjithashtu, skena lufte dhe dyluftimesh me shpatë, ecje në këmbë, luftë kalorësish me heshta për t’u hedhur prej kali, ecje të forta të ushtrisë rendtar, zhvillime ushtarake.
Pjesa e dytë u është kushtuar sidomos skenave dhe dokeve të jetës publike dhe private të kohës.
Aty gjenden me zakonet e tyre dhe me veçoritë e gjendjes së tyre, artizanë dhe tregtarë, furrëtarë, mishtarë, gjellëbërë, farkëtarë, saraçë, rrobaqepës, mjeshtra brezash, peshkatarë, fshatarë, bujarë, piktorë, muzikantë, astronomë, mjekë, burra e gra, bartës lingesh (zilesh), me breza ose me pëlhura mëndafshi të holla.
Dhe mandej, orendi shtëpiake, dyer ose dritare të mëdha xhami, rraqe, enë gjellëtoreje, tasa për të pirë; pastaj prova me anën e mundimit me të gjitha mjetet e ndëshkimeve, paraqitje sëmundjesh me shërimet e tyre; e pastaj, lojna me rrathë, lojna grash, kitarra, harpa, vegla muzikore, oraganone të vogla, siç përdoreshin atëherë, balerina, pehlivanë, lojtarë kupash, së fundi, subjekte emblematike dhe simbolike, vështrimi i të cilave nuk është sqaruar në tekst.
I tillë është Libri i Skënderbeut. Është për të ardhur keq që në të mungon një tekst shkoqitës; megjithatë, është një nga koleksionet më të çuditshme të kohës. Thuhet se ky libër i qe dhënë dhuratë Skënderbeut nga Ferdinanti i Aragonës”.
***
Kureshtja më shtyri ta gjurmoj edhe më tej këtë dorëshkrim të rëndësishëm, që ka një vlerë të veçantë për njohjen e jetës dhe të bëmave të Skënderbeu, posaçërisht përsa i takon artit ushtara, taktikës dhe strategjisë së tij.
Duke hulumtuar, gjeta edhe një burim tjetër bibliografik, që përforconte ekzistencën e dorëshkrimit në fjalë.
Në ”Fjalorin e madh të përgjithshëm të shekullit XIX” të Larousse-it, botuar në Paris, më 1875, në faqen 313, në shtyllën 1.
Është pothuajse i njëjti sqarim që dhashë më lart, por, këtë radhë, frëngjisht.
Me sa duket, revista ”La Nazione Albanese” e kishte nxjerrë prej Larousse-it, që u pat botuar 25 vjet para kësaj së përkohshmeje.
Duke e krahasuar me tekstin italisht, vërejmë se në frëngjisht janë dy fraza më tepër, të cilat nuk i gjejmë në përkthimin që solla më sipër.
Kështu, në fillim të artikullit lexojmë:”Pavarësisht në se ky dorëshkrim ka qenë apo jo pronë e Skënderbeut, ai është, jo vetëm interesant, por edhe i çmueshëm”.
Në fund të përshkrimit të pjesës së parë të dorëshkrimit, kemi një frazë me vlerë në frëngjisht, e cila është lënë jashtë në italisht: ”… subjekte, që bëjnë t’i japin titullin këtij dorëshkrimi “Libër i Xhenierit”.
Artikulli frëngjisht mbyllet me këtë shprehje kuptimplote: ”Libri i Skënderbeut” është një nga përmledhjet më origjinale të kohës”.
Në kërkim të gjurmave, pashë se Paganel në ”Historinë e Skënderbeut”, botim frëngjisht i vitit 1855, në faqen 392, shënimi 1, jep në trajtë të përmbledhur përmbajtjen e njoftimit të mësipërm, duke iu referuar dijetarit Cesare Cantù.
Siç dihet, Paganel u përkthye edhe në gjermanisht, më 1856, edhe në greqishten e re më 1861.
***
Në ”Historinë e përgjithshme” të Cesare Cantù-it, botim italisht i vitit 1843 dhe 1863. Ky historian i mirënjohur, mik i Jeronim De Radës, me sa duket, është i pari që e hetoi Librin e Skënderbeut dhe e dha këtë njoftim në veprën e tij të përmendur.
Mbas tij e mori Paganel më 1855, mandej Larouss-it më 1875, në fund të shekullit XIX, revista ”La Nazione Albanese”, më 1900.
Dijetari C. Cantu nuk na thotë se nga e ka nxjerrë informacionin bibliografik.
Ndoshta ekziston ndonjë sinjalizim më i hershëm përpara tij.
Historiani Cantù e mbyll shënimin e vet me këto fjalë: ”Thuhet se dorëshkrimi i qe dhuruar Kastriotit nga Ferdinandi i Aragonës: sido që të jetë, ai është me rëndësi për njohjen e zakoneve”.
Në shekullin tonë Librin e Skënderbeut e përmend edhe Arturo Galanti, në veprën e tij italisht ”Shqipëria” (Njoftime gjeografike, etnografike dhe historike), botuar në Romë, më 1910.
Me sa duket, ai u mbështet tek e përkohshmja ”La Nazione Albanese”.
Ka mundësi që ekzistenca e këtij dorëshkrimi me rëndësi të jetë regjistruar edhe në ndonjë botim tjetër.
***
Drejtoria e Biliotekës Kombëtare , me shkresën e datës 26. VI. 1967 iu drejtua Bibliotekës Kombëtare të Weimarit. ”Ne kemi nderin t’Ju njoftojmë – thuhet në këtë kërkesë – se revista ”La Nazione Albanese” , viti IV, nr 3, fq. 9. dt. 15. II. 1900, flet në lidhje me një dorëshkrim shumë interesant, që ruhet në Weimar”.
Mbasi jepet informacioni i plotë i së përkohshmes në fjalë, Biblioteka jonë Kombëtare i lutet Bibliotekës së Weimarit, që të na dërgojë fotokopjet e dorëshkrimit; në të njëjtën kohë, i kërkon të dhënat e duhura bibliografike, si autorin, titullin, formatin etj.
***
Me shkresën e datës 25. VII. 1967 Biblioteka e Weimarit njoftonte se e kishte marrë letrën e Bibliotekës sonë Kombëtare.
Aty theksohej se kërkesa jonë i ishte dërguar Thuringische Landesbibliothek në Weimar.
Nga kjo bibliotekë do të merreshin të dhëna më të hollësishme. Më 15. VIII. 1967 Thuringische Landesbibliothek i shkruante Bibliotekës Kombëtare të RPS të Shqipërisë pikërisht këto:
”Shkresa juaj e lartpërmendur, e datës 26. VI. 1967, drejtuar National Forschungs -und Gedenkstätten der klassischen deutschen Literatur në Weimar, na u dërgua ne për kompetencë, më datën 27 korrik 1967.
Për sqarim: Thuringische Landesbibliothek Weimar është trashëgimtare e drejtpërsëdrejtë e bibliotekës, që ka ekzistuar deri në vitin 1918, Bibliotaka e Oborrit, dhe vazhdon veprimtarinë e vet me fondin e vjetër të librave, por nën emër tjetër.
Kështuqë ne nuk kemi asnjë lidhje me institucionin e lartpërmendur, National Forschungs- und Gedenkstätten der klassischen deutschen Literatur, së cilës i jeni drejtuar.
Dhe tani po i përgjigjemi kërkesës tuaj:
Në fondin e dorëshkrimeve tona gjendet edhe dorëshkrimi i kërkuar prej jush. Fatkeqësisht nuk jemi në gjendje t’ju përgatisim një kopje të këtij kondeksi që keni kërkuar; prandaj, në qoftë se ju dëshironi, mund të kopjohen disa faqe, me qëllim që të keni një ide të saktë të karakterit të këtij dorëshkrimi.
Ju lutem na njoftoni, ne së miratoni ose jo propozimin tonë. pavarësisht nga kjo, unë do t’ju jap një përshkrim të shkurtër të kodeksit: është fjala për një dorëshkrim të ilustruar, teknik, voluminoz, me 325 ilustrime.
Vizatimet pasqyrojnë makina lufte, makina të mesjetës për qëllime civile.
Midis tyre gjenden, gjithashtu, ilustrime lojnash iluzionistësh dhe vegla muzikore.
Nga teksti i pakët, që shoqëron ilustrimet dhe nga veshjet e personave të vizatuar, del se këto i përkasin Oberdeutschland, krahina Nyrenberg.
Koha e daljes në dritë të këtij kodeksi është shekulli XV, XVI.
Kanë marrë pjesë shumë piktorë ose ilustrues të panjohur.
Letra e shkrimit: pergamen.
Teknika: vizatime me pendë.
Kodeksi nuk ka ndonjë titull të veçantë.
Në mbulojën e brendshme gjendet një portret i Kaizerit, Maximilian I. Format 2 (36 x 27, 5 cm).
Lidhja e librit: lëkurë bojë kafe e errët. Kodeksi duhet të ketë qenë në posedim të Skënderbrut, për të cilën çështje ju interesoheni, në radhë të parë, në shkresën tuaj.
Kodeksi ka qenë blerë, në vitin 1590, nga Christoffel von Wellenrodt në Varshavë dhe në vitin 1621 i shitet, përsëri, princit të Weimarit, Johann Ernst von Sachsen- Weimar.
Qysh atëherë gjendet në Weimar.
Përsa i përket posedimit të Skënderbeut, kërkimet e reja e konsiderojnë, në qoftë se jo të sigurtë, të paktën të mundshëm.
Kodeksi përmban një varg vizatimesh, të cilat u ngjajnë shumë ”Bellifortis” të KYESER-it.
Të dhëna të reja për këtë çështje do të na jap, shkurtimisht inxhinieri Gòtz Quarg, Braunschweig në parathënien e vëllimit të dytë të botimit faksimile ”Bellifortis” në Gjermaninë Perëndimore.
Shpresoj se ju nuk do ta merrni për të keq refuzimin tone.
Në qoftë se dëshironi sqarime të tjea apo pyetje, ne jemi gati t’ju ndihmojmë”.
***
Rëndësia e këtij dorëshkrimi ishte e dyfishtë.
Nga njëra anë, vepra dëshmon për azhurnimin e Skënderbeut në lidhje me artin dhe kulturen ushtarake të kohës.
Kodeksi mund të zbulojë shumë gjëra të panjohura të taktikës dhe të strategjisë së tij ushtarake.
Si rrjedhim libri ishte dhe është me vlerë njohëse në këtë drejtim.
Prandaj duhen bërë përpjekje të mëtejshme për ta shtënë në dorë të mikrofilmuar ose të fotokopjuar (të kserkorksuar) tërësisht.
Si të ketë hyrë në fondet e bibliotekave tona shtetëror, dorëshkrimi mund të hedhë dritë në mjaft shtigje të panjohura të edukimit ushtarak, të mjeteve ushtarake të shekullit XV etj.
Pa dyshim ne, në këtë rast, na intereson vetëm pjesa e parë e dorëshkrimit, mbasi – sipas specialistëve – vetëm ajo i përket shekullit XV. Përmes veprës mund të pasqyrohen, ndoshta, edhe fitoret e heroit, edhe mënyra e veprimeve të tij, edhe kultura ushtarake e rrethit të tij.
Specialistët tanë të kësaj fushe mund të nxjerrin mjaft konkluzione me rëndësi.
Mbi të gjitha, për ne sot për sot dorëshkrimi ka vlerë të veçantë, mbasi tregon se heroi ynë nuk ishte vetëm i shpatës, por edhe i librit.
Së dyti dorëshkrimi do të jetë me dobi për historinë e etnografisë, të dokeve dhe të zakoneve.
Etnografët tanë mund të zbulojnë të dhëna interesante.
Qëllimi i ketij informacioni është vetëm të tërheqë vëmendjen e studjuesve tanë, të historianëve, të etnografëve dhe të ushtarakëve, që merren me studime shkencore për mesjetën shqiptar.
Duhen bërë gjurmime të mëtejshme, duke filluar nga viti 1590.
***
Kush ishte Christoffel von Wallenrodt në Varshavë?
***
Prej kujt e bleu këtë dorëshkrim?
**
Cilat ishin preferencat e tij, interesat e tij shkencore?
***
A kishte lidhje ai me rrethet shqiptare?
***
Hulumtuesve mund t’u dalin mjaft çështje me vlerë për historinë e kulturës sonë kombëtare, mund t’u çelen shtigje të reja gjurmimi.
(Vijon)
Komentet