Debati/ A ishte Mitrush Kuteli oficer i nazistëve?! Flet Atalanta Pasko, e bija e shkrimtarit: Çdo përpjekje për ta përfshirë si angazhim në Armatën e Hekurt është gënjeshtër me bisht. Dy shënime nga “Netët moldave”, pas letrave për Lasgush Poradecin, janë argumente që sillen se Kuteli në vitin `42 ka qenë në Shqipëri. Më herët, trashëgimtarët thonë se Dhimitër Shuteriqi ka bërë “një shpifje ahistorike” për Kutelin, si anëtar i Rojës së Hekurt në fashizmin rumun/Violeta Murati
Dy letrat për Lasgush Poradecin, që gazeta “Standard” i botoi dje, si dhe sot, në këto dy fragmente nga shënimet e mëposhtme nxjerrë nga libri “Netë moldave” janë argument, e përdoren si fakte nga trashëgimtarët se babai i tyre, shkrimtari Mitrush Kuteli në vitin 1942 nuk ka qenë i rreshtuar në Armatën e Hekurt apo, siç është e njohur beteja e Stalingradit. “Është një gënjeshtër me bisht, çfarë është thënë rreth kësaj teorie”, – ka thënë Atalanta, një prej bijave të Kutelit. Sigurisht nuk mohohet mobilizimi me Frontin e Lindjes, si një detyrim masiv ushtarak për kohën, pasi bëhet fjalë për vitet `40, ka thënë dje për “Standard”, Atalanta Pasko. Trashëgimtarët e shkrimtarit rrëzojnë versionin që qarkullon në librat e Kadaresë: se Kuteli ka marrë “pjesë në betejën e Stalingradit, si oficer i ushtrisë gjermane” me dy argumentet e mësipërme. Ndonëse familjarët kanë treguar se i kanë dërguar një letër Kadaresë, në fillim të `90-ës, për të ndrequr pasaktësitë, ata përsëri këmbëngulin se ky shkrimtar ka vazhduar me të pavërteta edhe tani, më 2015.
Ndërsa emri tjetër, jo më me pak ndikim për kohën, një i ri në karrierën letrare, por edhe atë politike, Dhimitër Shuteriqi, ka përmendur të njëjtën akuzë, më herët. Ka qenë Aurel Plasari që i ka mëshuar, ndoshta i pari, faktit se Kuteli s’ka pasur asnjë lidhje me Rojën e Hekurt të fashizmit rumun dhe se etiketimi i bërë nga Dhimitër Shuteriqi, familjarët thonë se përveçse keqdashës, ishte dhe një “shpifje ahistorike”.
Në shënimet e mëposhtme janë dy fakte, me nënvizime, të treguara nga Kuteli, për Salustin, për të cilin thotë se pas shumë vjetësh ka mësuar se ka rënë në betejën e Stalingradit, në gusht 1942, pra që dëshmon se në këtë vit shkrimtari ka qenë në Shqipëri.
Ndërsa në shënimin e dytë, se në pranverën e vitit 1942 ka qenë në qytetin Bukovins duke u marrë me përkthimin e Shevçenkos, që duhet shumë larg frontit të Stalingradit. Atalanta për të gjitha këto argumente thotë me bindje se nuk mund të bëhet fjalë për përfshirjen e Kutelit në Armatën e Hekurt të fashizmit rumun, ndërsa drejton për të kundërtën, se ku i ka gjetur argumentet Kadareja dhe të tjerë, pasues, duke përfshirë dhe përkthyesin Robert Elsie, kur thonë se është gjendur në Stalingrad. Kuteli heshti dhe u mor vetëm me përkthime në diktaturë, iu ndalua botimi! Ai u fshi nga lista e shkrimtarëve, ashtu si shumë të tjerëve pas `45-ës.
Trashëgimtarët për herë të parë ndalen në këto momente, duke dhënë versionin e tyre mbi këto ngjarje të jetës së shkrimtarit. Atalanta, Doruntina dhe Pandeli Pasko në librin “Netë moldave” japin në parathënie e tij dëshminë e tyre, çfarë ka ndodhur me “njollën e errët” kur Kutelit iu edha akuza si “armik i popullit” dhe u dënua “për agjitacion e propagandë”, ndërsa ngrihen nën zë akuza politike, mirëfilli.
Arsyeja pse janë përgjigjur tani, në një libër për të atin, si duket kanë ngacmimin, si shkak, nga dy botime: eseistika “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”, si dhe libri i fundit i Kadaresë, “Mëngjeset në kafe Rostand”, me pretendimin se edhe pas diktaturës ky shkrimtar ka bërë të njëjtat “gabime”, si shkrimtarët zyrtarë të kohës, duke mos saktësuar të dhënat mbi jetën e Kutelit, që i kushtoi ndalimin e së drejtës së botimit.
Parverë në Transivani
Si zbrazëm kupat, Salusti më hodhi një thumb miqësor, për melankolinë tim.
-Mos e shihni se u trishtova tani – tha ay- molla është e çelur edhe gati do t’i vijë prapë se Baia Mare është e bukur, po më të bukura zonjushat tona.
Qeshëm të gjithë
Po më shumë qeshi ay vetë. Me një ofensivë gazi si askush tjetër. Po shkakun e trishtimit, shkakun e vërtetë, nuk e kuptoi as ay si nuk e kuptoja as unë vetë. Sikur e kam edhe tani përpara avokatin Salustiu T., me fytyrën e tij optimiste, gjithmonë optimiste, me sytë ngjyrë gështenje përtej syzeve me ramë elegante, ku nuk dukej as gjurmë dhembjeje. Ish plot jetë, spiritual, i guximshëm- me një guxim që s’përkulej, për të ardhmen.
Kur qeshte, dhe qeshte dendur, i dukeshin dhëmbët e bardhë dhe midis tyre një ndriçim ari, në vargun e poshtëm.
Asnjë lidhje nuk bëja asohere midis dhëmbit të tij të artë, të ndritur dhe grushtit me dhëmbë të mbledhur në varret e austriakëve, kur u bë qilizma e vendit.
…Ish parverë, ay ish i ri, me një grua të bukur pranë tij që e dashuronte barabar me jetën e saj, ish në vendin e vet.
Lidhjen dhe trishtimin tim e kuptoj unë tani, pas kaq vjetësh, kur di se ky Salustiu ra në Stalingrad, në gushtin e vitit dyzet e dy.
Salustiu T. ish i ri fort, më i ri prej meje dhe prej vëllait të vet (që i thosh gjithmonë “im vëlla plak”se ay u martua më parë), po jetën e pat shijuar plotësisht.
*Fragment
Taras Shevçenko
-këngëtori i Ukrainës-
E shkoj nëpër duar, fletë për fletë, përkthimin italisht të Zojushës Mlada Lipovetzka dhe nuk di ku të qëndroj për t’i dhënë lëçitësit shqiptar disa fije nga vepra e Shevçenko-s. Pas një vjershe të bukur vjen një tjatër edhe m’e bukur. Shumë nga vargjet e përkethimit më zgjojnë tingëllin e origjinalit që e kisha dëgjuar kaqë dendur në shtëpinë e Boçkovski-t. Tthërrime prej tyre më trokasin edhe sot në vesh me tingëllin e Fedia-s, të pilotka-s edhe të Boçkovski-t vetë.
Përkëthimi që kam përpara është fort i mirë dhe nuk trathëton tonin energjik të origjinalit. Zokusha Lipovetzka ka ndjerë thellësisht verbin e të madhit ukrainas, edhe e pajisur ajo vetë me dhurata poetike, ka mundur të jetë një interprete e aftë dhe besnike.
Me këtë rast dua të shtoj këtu se me kaqë fuqi më pat zotëruar dikur verbi i Shevçenko-s sa kisha filluar t’i përvishem – me ndihmën e një fjalori dhe të një miku –përkëthimit të disa vjershave të tija në gjuhën rumune. Kjo ngjante në parverën e vitit 1942, në qytetin Cernautzi të Bukovinës, ku dëgjohet edhe ukrainishtja edhe ku një rrugë mban, që në kohën e Austrisë, emrin e poetit.
Shënime letrare, fragment
Tiranë, 1944
Komentet