Tentohet nga vargu i lirë, sepse është më i
thjeshtë se vargu i rregullt.
E vërteta është që ky i fundit është më i vështirë.
Borges
Ka poetë që e nisin krijimtarinë fill e me vargje të lira. Në dukje nuk ka asgjë të keqe, mirëpo, ashtu si fëmija kur mëson alfabetin edhe letrari i ri i ka të nevojshme fillimisht ushtrimet poetike me vargje të rregullta dhe të rimuara. Vargu i rregullt disiplinon mendimin, ai të mëson melodikën dhe muzikalitetin e brendshëm, koncizitetin dhe ligjërimin emocional. Ligjërimi poetik ka një ndryshim të madh prej ligjërimit prozaik, jo vetëm pse është emocional e figurativ, por ka edhe një strukturë të brendshme , të cilën nuk e përvetëson dot nëse nuk ke kaluar shkollën e rimës.
Përdorimi i vargut të rregullt duhet të jetë i detyrueshëm për çdo letrar në krijimet e tija të para. Vini re, shumica e poetëve të njohur shqiptarë, por edhe botërorë, kanë nisur të shkruajnë fillimisht me vargje të rimuara, më vonë kanë kaluar në vargjet me asonanca dhe disonanca të brendshme.
Herë- herë poetët gjejnë një rrugë të mesme, shkruajnë më vargje të rregullta, të thyera. Në këto vjersha frymëzimi vërshon gjithmonë përmes kadencave ritmike dhe melodike të alternuara sipas mënyrës që i shkrep poetit.
Një shembull i tillë është poema “Re në pantallona” e Vladimir Majakovskit. vargjet e saj janë të rregullta, ndonëse thyera, ndaj tingëllojnë si vargje të lira:
Librat bëhen shpejt:
Erdhi poeti,
buzët i hapi,
dhe që nga buzët fluturoi drejt
një varg,
gati.
Por qenka ndryshe.
Para së të nisë,
vërtitet gjersa kallo i dalin prej fërkimit,
në lymin e zëmrës zvarritet
peshku budalla i përfytyrimit.
Dhe pasi i qërojmë rimat,
ndërsa ziejnë
një çorbë me bilbila dhe dashurira,
rruga gjuhë-presë,
si memece përpëlitet
se s’ka me se të flasë, të ulërijë.
Poezia është një çast i veçantë. Ki parasysh se: “Me atë masë që do të të emocionojë ty krijimi yt, me atë masë do t’i emocionojë edhe të tjerët.” Çdo poet duhet të bëhet i vetëdijshëm për vlerën e krijimit të tij. Mungesa e sensit të vlerave është dhe mungese talenti.
Gjatë takimeve që bënim dikur me lexuesin , një praktikë e humbur, një herë e pyetën shkrimtarin Kolë Jakova: -A ka shkollë për t’u bërë shkrimtar?
-Ka,- iu përgjigj Kola.-Por, që të dalësh shkrimtar, duhet të hysh shkrimtar. Mikun tim, Llazar Siliqi, në një nga këto takime e pyetën se ç’ ndiente kur bënte një vjershë të mirë. “Kur shkruaj një vjershë të mirë?Dëshiroj të bëj një vjershë edhe më të mirë…”-tha ai. E vetmja gjë që na nxit, pas realizimit të një krijimi, është ëndrra për një sukses të ri, për vazhdimësinë e sukseseve. “Kur dragoi hipi në majë, – thotë një proverb kinez, – nisi të njihte mjerimin e zbritjes”Një tjetër proverb kinez thotë:”Nëse dyshon të bësh diçka, mos e bëj”.
Poeti e ndien vlerën e krijimit të vet. Pasi e nxjerr në dritë krijimin e tij, ai ndihet si ajo reja e shkarkuar. De Rada e nis krijimin e vet “Milosao” më këto vargje brilante:
Lisa jeta kish ndërruar
Ujë të ri ndë detit
Kaltëruar në ditë të re.
Po lumbardha e Anakreontit
Temp rronej, e moçme.
Nd’ ujë një ditë vate te mali
E s’u pruar si e kish zakon…
Veç atë s’e thau bora,
s’e përgjaku ushtëza,
Por fjuturoi dhe ra
tek e bardha shpia ime.
Kur n’agim tok, dhe shpi,
u zbuluan bashkë me detin
si hareja që del prej sysh,
më zgjoi me farfurimë
qelqeve të finestrës sime..
Kishte kaluar shumë kohë…aq kohë sa jeta kishte ndërruar shumë lisa, aq kohë sa edhe uji i detit ishte tjetër ujë, ujë i ri..., Por pëllumbi i Anakreontit e zgjoi një mëngjes duke fërgëllirë krahët, qelqeve të dritares. Filozofi , magji, transparencë, pafundësi kohore, jetë, dritë, lumturi…E githë kjo në pak vargje. Poezia është arti që zbulon ndjesi të rralla, e që krijon një botë imagjinare. Librat e parë të letrarëve të rinj, ndonëse me të meta sa i përket teknikës së vargut, kanë qenë më të thjeshtë, më të natyrshëm dhe më të freskët se librat që kanë pasuar. Të qenit i thjeshtë dhe i natyrshëm është vlerë. Ka poetë, të cilët qysh me krijimet e para e nisin me vargje hermetikë. Këtyre poetëve të rinj le të kujtojmë thënien e Faik Konicës: “Zoti im,, në qoftë së nuk kam gjë për të thënë, më ndihmo të hesht.” ,Një shprehje skandinave thotë. “Më kot të ngasim me të katra, në qoftë se jemi në rrugë të gabuar.”.Çehovi thoshte: “Në art është e pamundur të mashtrosh.”
Vargjet dhe figurat
Vargjet dhe figurat janë elementë me të cilat operohet, thelbi është fjala dhe rezonanca me publikun. Ajo çka duhet të bëjë poeti është prekja e sentimentit të ngjashëm me të tjerët. Nuk duhet harruar që poezia është një botë imagjinative. “Vogëlush, nëse gjen balonën e fantazisë sate lidhe me inteligjencën e zëmrës”shkruan poeti italian , Mazini.- Ajo çfarë del nga kjo pleksje e imagjinatës dhe sentimentit është një çështje talenti, kulture dhe stili.”Poetët sjellin në letërsi një logjikë tjetër të cilën do ta quajmë “logjika e fantazisë”. Le të shkruajmë poezinë me çdo lloj forme, me varg të lirë ose të rregullt, me metafora të papritura ose me imazhe vezulluese, me detaje jetësore, me simbolikë apo me përshkrime personazhesh e situatash tregimtare… Mund të përshkruash dhe një çast në një super market, e rëndësishme është të prekësh në emocione. Çdo krijim i ngjan një krijese, në damarët e të cilës vërshon gjak i freskët, po të shpreheshim me fjalët e poetit amerikan Xh. Hill. “Nuk ka mit (krijim) pa gjak që mund ta mbajë.”Poezia është universi që përfshin gjithçka, ajo është e aftë të transmetojë njëherësh eksperience dhe filozofi, koncepte dhe njohje. Në brendësinë e saj ajo shfrytëzon gjithë lëmin e dijes njerëzore. “Poezia është shtegu i hapur i tingullit për pikat e pacaktuara të jehonave,” thotë poeti amerikan Sandberg.(”Poezia”)Por, poeti duhet t’i mbajë veshët hapur, si një “peshkaqen lakmiqar “(Keats) për të kapur gjuhën e kohës së vet.
Dy drejtime shfaqen sot në poezinë shqiptare, njëra, në minoritet të përkohshëm është poezia tradicionale e ndërtuar me metra të rregullt e me rima gjashtë rrokje, tetë e dhjetë, drejtimi tjetër është poezia metaforike dhe e imazheve, një poezi e ushqyer me imagjinatë. E keqja e kësaj të dytës vjen kur dikush prej poetëve merr poza prej individi superior. Sot poetit i mjafton vetvetja, ajo që i nevojitet poetit, është imagjinata.-Krijimi është një gjueti magjepsëse, plot pasiguri dhe emocion, si dashuria.
Sa herë shkruaja, thotë Kazanzaqis, më dukej sikur “kërkoja zogun e pakapshëm që herë pas here përplaste krahët thellë në zëmrën time.”Të rinjve që sa kanë nisur të shkruajnë poezi do t’i këshilloja të mos tremben nga format klasike të të shkruarit, le të eksperimentojnë me vargje të rimuara, të thjeshta , që të përvetësojnë elementët e muzikalitetit dhe ritmit, tepër të domosdoshëm për të dalluar një poezi nga skica poetike. Ata s’duhet të shqetësohen nëse dikush do t’i quajë “të vjetruar”, vjetrimi nuk qëndron tek forma, “tradita është një mitër gjeneruese që lind poezi të reja.” -thotë Blum. Poezia që është haptazi “imagjinative” ka rrezik të duket si diçka e nxjerrë nga librat, pa pike gjaku. Gjithsesi ,nuk mund të bëhen përgjithësime, ka poetë , ndër të cilët dhe ajo e Luis Borges, të cilët edhe pse janë të ngarkuara me erudicion filozofik dhe imagjinatë, nuk janë të vështira për t’i kuptuar, pasi, ”përmbajtja e tyre intelektuale është e integruar në strukturën e tyre emocionale dhe imagjinative.”Poetët janë qenie inteligjente, dhe inteligjenca është thelb i vërtetë i poezisë, por, poezi e mire quhet ajo kur inteligjenca dhe imagjinata janë emocionuese, janë dhimbjet dhe nostalgjitë ato që i ushqejnë përjetësisht krijimet e mira. Në hapat e para te krijimtarisë çdo krijues ndodh që të shkruajë pa vlerësuar çfarë është origjinale dhe e rëndësishme për t’u shprehur dhe çfarë nuk duhet shkruar. Jo vetëm letrarëve të rinj por edhe shkrimtarëve me përvojë u mbetet të mësojnë pjesën më të rëndësishme të artit, “artin se jo gjithçka shkruhet”.
Etiketimet
Etiketimet e kritikës për poezinë janë koncepte studimi, ato kanë vlerë vetëm në rrafshin studimor ,por, nuk hyjnë në punë në sferën emocionale, as në marrëveshjen me publikun. “Tradita nuk trashëgohet,- thoshte poeti Tomas Eliot,- në qoftë se ju keni nevojë për të, duhet ta fitoni me punë të madhe.” Modernistët e konsiderojnë traditën si diçka të tejkaluar, prej së cilës nuk kanë ç’të mësojnë më. Ajo që Elioti e quan “Sens historik” duhet pasur në vëmendje. Nuk mund të bëhesh “zë i kohës”, pa njohur paraardhësit, dhe pa pasur këtë “sens historik”. Krijuesi i mire është një qenie individuale por edhe një çështje kombëtare. Shembuj mund të sjellim shumicë, për të argumentuar se si një poezi sa klasike aq edhe moderne, e thjeshtë dhe e thellë , si poezia ”Gjyshërit” e poetit amerikan Xhastis, një poezi përshkruese për pleqtë fjalë pakë të fshatit, në pamje të pare të duket një përshkrim sipërfaqësor , diçka e shtrirë, si në prozë, por thellësia e saj ka bërë që të ketë pasur komente të shumta.
Përse nuk flenë ata kurrë,
ata të vjetrit, gjyshërit?
Gjithnjë do t’i gjeni të ulur
në veranda të rrënuara, thellë
në fshatrat e largëta, në muzg,
duke pastruar fytin e duke pështyrë.
Duken sikur kanë mbetur aty, përherë,
duke trokitur lehtazi, me shkopinj.
Qaramanë, perëndi që s’kanë më kredi.
Pyeteni udhëtarin e humbur se si,
në fund të rrugës, ata të fiksojnë me një sy,
të ftohtë zogu…ose gjarpri,
pa folur asnjë fjalë.
Vetëm me disa lëvizje koke
të ftohta, prej orakulli.
Kjo poezi shpreh tragjizmin filozofik të njeriut në fundin e vet, një poezi e thjeshtë dhe e thellë, gati çdo varg të vë në mendim. Përse ata, gjyshërit, nuk flenë kurrë? Ç’ka dashur të thotë me fjalën “kurrë”? Pse janë qaramanë dhe perëndi që s’kanë më kredi? Pse udhëtarin e shikojnë me sy zogu, dhe gjarpri? Sa pak vargje dhe sa shumë mendim.
Antologjitë
A do ta vlerësonte kritika jonë letrare këtë poezi e cila është përfshirë në të gjitha antologjitë e poezisë amerikane? Po antologji-hartuesit e antologjive tona, Bashkim Kuçuku (Shqipëri) dhe Ali Aliu ( Maqedoni) a do ta merrnin në konsideratë? Në disa nga këto antologji janë lënë jashtë autorë të rëndësishëm, dhe nuk përfshihen disa perla të poezisë shqipe, si, këngët e Milosaos, poezi të Migjenit, të L.Poradecit, madje edhe poezitë e zgjedhura nga autorë të njohur nuk janë më të mirat. Antologji-hartuesve u mungojnë kriteret përfshirëse,përgjithësisht mungon shija dhe kultura poetike. Kjo ndodh nga që disa antologji hartohen me paragjykime dhe klishe, nga persona që nuk kanë provuar ndonjëherë të shkruajnë dhe vetë. Poezia e mirë karakterizohet nga “e veçanta dhe origjinalja”, nga thjeshtia, thellësia dhe mesazhi filozofik. Një antologji e keqe prezanton zbehtë vlerat e poezisë kombëtare kështu që në një farë mënyre , deformon të vërtetën. Antologji të tilla i ngjajnë sallatës ruse. Ndryshe qëndron puna me antologjinë e N. Jorgaqit, përkthyer në Italisht, hartuesi u kërkoi autorëve t’i përzgjidhnin vetë krijimet e tyre. Antologjitë duhen hartuar vetëm nga njohës të poezisë dhe mbi kritere të caktuara. Ne kemi nevojë për njohës të mirë të letërsisë, sidomos kur është fjala për vlerësime. Për mendimin tim, në gjininë e prozës së shkurtër letërsia jonë ka tregime, dhe novela të nivelit botëror, por, në këtë gjini nuk janë bërë përkthime , as antologji që do ta përligjnin këtë gjini e cila maten forcat e autorëve të vërtetë.
Rritje apo ndryshim?
“Vargjet shkruhen akoma …si për të paguar një borxh të bezdisshëm, të vjetër prej vitesh…” V.Sereni.
Shpesh here flitet për rritje dhe pasurim të mëtejshëm të poezisë, ndërkohë që, po të lexosh me kujdes poezitë e një autori nuk gjen rritje, gjen vetëm “ndryshim”, ndryshim të tematikës ose të formës. Mund të shkëputesh nga mënyra e vjetër e të shkruarit duke eksperimentuar mjete të reja shprehëse, në këtë rast kemi të bëjmë me një shkëputje, por jo zhvillim, rritje dhe pasurim të saj me mjete të reja shprehëse. Kur ky ndryshim formal rrezikon të bëhet shkatërrimtar për një autor. Thyerja, ndryshimet, rigjallërimi i mjeteve shprehëse, janë nevojë e e vazhdueshme e ripërtëritjes, por ato duhet të jenë të natyrshme, brenda stilit, dhe të vijnë si nevojë organike për ta modernizuar poezinë, hap pas hapi. Ka pak shkrimtarë të mire që eksperimentojnë guximshëm, duke lënë pas gjurmë të forta. Në letërsinë amerikane të këtij fillim shekulli u eksperimentuar me sukses një poezi narrative,me synim, për ta afruar poezinë me lexuesin dhe problematikën e kohës. Një mision të tillë kishte poezia e Migjenit, e fundviteve tridhjetë. Në vitet gjashtëdhjetë në poezinë tonë u fut problematika sociale, ndër më kryesorët e këtyre viteve ishin Kadare, Arapi, Agolli, e të tjerë më të rinj. Në këto tre-katër dekada eksperimentimet janë bërë gjithnjë e më të shpeshta, sidomos në poezinë metaforike të ushqyer me imagjinatë. Poetët duhet të gjykohen prej poezive të tyre më të përsosura, poezitë e dobëta i mbulon harresa. Në poezinë tonë mund të gjesh shumë poezi të mira por pak poezi të përsosura. Vjersha të ndjera që lidhen me vendlindjen kanë dhe poetë të tjerë, ndër ta më kryesori është D. Agolli, ndërkohë që në një vështrim më modern kemi poezinë e F. Arapit, A. Shehut, Xh. Spahiut, H.Meçes ,S.Buçpapaj , F.Reshpes, A.Podrimjes. R. Dedaj, (Kosovë) etj.
Modernizimi i poezisë e ka nismën në vitet gjashtëdhjetë, ku përveç poetëve të sipërpërmendur kanë dhënë një kontribut të çmuar dhe poetë të tjerë, si: M.Vyshka, K. Petriti F.Haliti. V.Qurku, S.Bejko, e H.Meçaj, H.Aliaj ,S.Buçpapa dhe M.Buçpapa, A.Papleka. etj., ndërkohë që dhe Kadare, Agolli e Arapi gjatë këtyre viteve kanë tentuar ta rritin diapazonin tematik, pa sjellë ndryshime cilësore.
Komentet