Mendimet dhe ndjenjat e thjeshta
nuk janë patjetër të cekëta, ashtu si ato të
pazakontat e të mprehtat, nuk
janë patjetër të thella.
- Muir
Poezia e viteve pesëdhjetë ishte tejet përshkruese. Veç kësaj, ishte mbështetur mbi tradicionalizmin letrar, i cili pranonte si poezi vetëm ato vjersha të rimuara, të ndërtuara sipas traditës popullore.
Poetët e viteve ’60, Kadare, Agolli, Arapi, Gjakova, Spahiu, Reshpja, Vyshka, Petriti, Haliti, Meçaj , Zeqo, Papleka, etj. bënë lidhje estetike me traditën europiane , duke trajtuar me guxim dhe me sukses tematikën bashkëkohore.
Pati dy rryma kryesorë: ajo e D. Agollit, me A. Shehun, K. Petritin, J. Bllacin, P. Rukën, S. Rusin etj., të cilët vazhduan natyrshëm të trajtojnë poezinë lirike (kantilenë) me vargje të rregullt 6-8 dhe 10- rrokshe, një poezi realiste, sa intime aq edhe shoqërore, e cila e afron lexuesin me situatën narrative qysh me vargun e parë:
Ajo doli nga kopshti me mollë,
mbi supe kishte hënën dhe degët me kokrra.
në këmbë kishte barin e hollë,
unë rrija të porta.
Ajo binte erë mollë atë natë ,
atë natë rinore, pa trazira.
Nuk më kujtohet se ç’ i thashë,
Po e di që i thashë fjalë të mira.
(“Mollët”, D.Agolli.)
“Të mbështolli burri me nailon,
sjellë me vaporë deteve,
këmba mbi qilima fluturon,
zemra fshihet prapa derteve…” (D.Agolli)
Në librat e parë këtë traditë e ndoqi edhe I.Kadare:
Ti ishe e pamposhtur, si Troja
Troja që unë dot s’e pushtoja.
Vetëm në ëndrra,ah! Në ëndrra…
T’i përkëdhelja flokët e dendura.
Dhe mall më tepër ndjeja tek të pushtoja
se gjithë grekët kur ra Troja.
(I. K)
Me librin “Shekulli im”, kryesisht me vargje të thyera, Kadare hyri si një ngjarje në poezinë e viteve ’60-të.
Përse mendohen këto male
Përse mendohen këto male të larta
Ndërsa dielli perëndon tutje në xhade?
Një malësor ecën në muzg. Pushka e tij
me qindra kilometra hije lëshon mbi dhe…
Eci dhe unë në një shpat mali të pjerrët
Hija e mendimit tim dhe hija e pushkës
me qindra kilometra hije lëshon mbi dhe.
Një poet tjetër, ndoshta më i rëndësishmi në letërsinë shqipe të viteve ’60-80-të, është D. Agolli, por edhe F. Arapi eci mbi këtë shtrat lirizmi emocional, i cili, me vargje të thyera fillimisht trajtoi temën e madhe e më pas u tërhoq në një poezi vërtetë lirike, përzier me imazhet e një peizazhi bregdetar.
Lirika lazgushiane, në ato vite u quajt e vjetruar dhe e tejkaluar. Por transparenca, peizazhi i saj brilant, dhe filozofia e saj e veçantë e mbajti atë të gjallë duke e sjellë gjer në ditët tona. Ky autor lëvroi poezi me të gjitha llojet e vargjeve, sipas, koloritit popullor dhe peizazheve të krahinës së tij. Ja dhe një prej tyre:
Kroi i fshatit tonë,
tetë sylinjarë,
qenke një në botë,
s’paskërke të parë,
qenke një në botë,
s’paskërke të dytë,
ç’na shëroke plagët,
ç’na shëroke sytë (“Kroi i fshatit tonë”)
Gjithsesi, mund të themi me bindje se poeti më i madh shqiptar, i të gjitha kohërave, vazhdon të mbetet Migjeni i madh. Ishte ky princ mondan i viteve tridhjetë, që i theu të gjitha shabllonet letrare. Vargjet e tij të lira mbeten një shëmbëlltyrë e papërsëritshme moderniteti për të gjithë brezat. Gjatë këtij gjysmëshekulli Shqipëria ka pasur shumë poetë, brenda dhe jashtë kufijve, por, ndërsa poezia kosovare, me poetët e saj më në zë, si: Mekuli, Shkreli ,Dedaj, Podrimja, Mehmeti etj.,kultivoi një poezi moderne , poezia jonë eci mbi dy shina paralele, njëra prej të cilave ishte ajo e angazhimit politik. Përgjatë tre dekadave, zyrtarisht, veprat politike të Kadaresë, si: “Shqiponjat fluturojnë lart” “Vitet ’60-të”, disa poema të tjera dhe romanet “Dimri…” dhe “Koncert…” u quajtën krijimtari e detyrueshme, duke u futur në të gjitha tekstet shkollore. Me porosi të veçantë disa romane të tij u përkthyen në disa gjuhë të huaja. Dhe krijimtaria politike e D.Agollit, si: poema “Nënë Shqipëri ”Romanet “ Njeriu me top” Komisari Memo”etj. mësoheshin në shkolla. Këta dy shkrimtarë edhe pse konkurues midis tyre, ushtronin njëfarë trysnie mbi kolegët e tjerë, shkrimtarë të moshuar.
Atë që nuk ma dha dot kush,
Partia ime ti ma dhe..
Një armatë brezash, sup më sup,
Më madhështorja përmbi dhe.
(“Partia imë”, I. K)
* * *
Unë komunisti nga Devolli
që kam letër, penë edhe armë,
s’pres që nga dysheku të më ngrenë
ngrihem vet dhe armën zbraz.)
Mua në shënjestër më kanë vënë
Snajperët e përtej deteve.
Por unë s’dridhem, unë s’e ul zënë,
mbetëm komunist për jetë të jetëve.
( (“Devoll, Devoll”. D.Agolli )
Nga ana tjetër e kufirit, në Kosovën motër, shkruhej ndryshe, me vargje të mbyllura dhe hermetike:
Poeti ndërton ura drite deri tek dashuria
Tue gdhendë lutjen dhe amanetin e fundit:
“Mos hyni me harqe në dashurinë e planetit tim
mund ta rrëzoni përmendoren e artë të fëmijëve
të cilët nesër kanë me u shndërrue në engjuj…
(Rahman Dedaj “Simfonia e fjalës”)
Ja dhe një poezi tjetër, lapidare:
Tash sa kohë
po don me gdhi
e s’po mundet.
(A.Shkreli,Prishtinë)
Në fund të viteve ’60 dolën shumë poetë, ndër të cilët u veçuan për stile të veçanta: F. Reshpja, M. Zeqo, F. Haliti, N. Papleka, Xh. Spahiu, V. Qurku, A.Shehu, A.Gjakova, M. Vyshka, , H. Meçaj, K. Petriti, A. Istrefi, P. Ruka, S. Buçpapa, B. Londo, N. Gjetja, M. Ahmeti, A. Isaku, P. Risto, H. Alia R. Gjoza, V. Zhiti ,Sh. Bali, B. Balliçi, M. Buçpapaj, L. Lleshanaku etj.
Për ilustrim të poezisë së këtyre viteve do të sjell dy-tre shembuj:
Borxhet e mia
Do të vdes
Do të vdes i mbytur në borxhe
S’është asgjë mbytja në lumë a në dhomat e gazit.
I kam borxhe nënës që s’ia ngrita varrin,
i kam borxhe lisit që s’ia hodha pjergullën,
i kam borxhe dashurisë që ia vodha të dielën,
i kam borxhe krimit që s’i vura emër.
Do të vdes
Do të vdes i mbytur në borxhe..
U kam borxh të gjallëve
U kam borxh të vdekurve:
Gurin e varrit e shes
të laj borxhet. (Xh. Spahiu)
Babai
Vdiq babai,
bota s’i uli flamurët,
vetëm ne bijtë dhe nëna kokat ulëm,
fqinjët fikën radiot deri vonë,
fëmijët e lagjes s’erdhën atë ditë
të luanin në oborrin tonë.
Vdiq babai.
Bota s’i uli flamurët.
Dhe qejfi s’na mbeti.
(Nuk kishte përse,
bota të ulte flamurët për të.)
Ne keq nuk na erdhi aspak
që bota babanë s’e qau.
Por mirë na erdhi sa s’ka
që bota babanë s’e shau. (F. Haliti)
Poezia ka qenë dhe mbetet art elitar, por në vendin tonë ka pasur kohë të caktuara që ajo ka shërbyer si tribunë idesh dhe aspiratash kombëtare.
Lidhur me tematikën e saj, ka pasur dhe ka mendime të ndryshme. Nobelisti çek, I. Saifert, është një nga ata që e e konsideron poezinë si zë qytetar.“Çështjet e popullit, -thotë ai, – nuk janë diçka ndaj të cilave poeti duhet të mbetet indiferent…”dhe më poshtë ai shton... “poezia duhet të jetë një dialog i apasionuar me realitetin”. Borges, ndoshta më i madhi ndër poetët dhe eseistët e shekullit që kaloi, thoshte: “Unë nuk besoj në shkolla letrare, pasi i gjykoj si stimulante të didaktikës, për të thjeshtëzuar atë që është mësuar, por vjershat e mia vijnë nga “modernizmi”, kjo liri e madhe që ka rinovuar shumë letërsi…”
Kadare, për poezinë, thotë: “Në qoftë se do ta përfytyronim universin letrar si një pushtim, poezia fare mirë mund të krahasohej me hedhje desantësh ose zbuluesish të parë.”
Në librin e tij “Ftesë në studio”, për frymëzimin poetik ai na kujton legjendën e një malësori të cilit i vinte çdo natë në kullë një zanë dhe e bënte të lumtur më kusht, që ai të mos fliste. Malësori nuk e përballoi dot tundimin dhe e pagoi me memecllëk të përjetshëm. Zana i vjen shkrimtarit duke i sjellë më shumë se lumturi, trazime…Kjo ide përkon me idenë e një përralle te “Njëmijë e një netëve” ku midis lumturisë dhe kureshtjes dy fshatarët zgjodhën kureshtjen. Ose vargun poetik: “Poezia është dhimbje”
Poezia, si gjini -ajkë e letërsisë, është një krijesë si të gjitha krijesat e tjera, e cila ka brenda lumturinë dhe dhembjen.
Vitet e fundit gjithmonë e më shumë po lëvrohet një poezi për një elitë intelektuale, brenda kufijve të imagjinatës, ndër të cilët më kryesori është M.Zeqo.
Këtë lloj poezie poeti amerikan Dana Gioja do ta quajë “poezi e kripur më erudicion”,ose “imagjinatë e nxitur nga dituria.”
Mos ma jep dritën e përditshme, o Zot,
jepma vetëm Onufrin
një Jerusalem Qiellor të Artë e gjej befas
te një guaskë e harruar diku..
(M.Zeqo)
Në lidhje më poezinë, nisur nga përvoja ime, ngul këmbë se, sa më e thjeshtë të jetë ajo, aq më shumë lexues do të ketë. Nëse ajo nuk ka si qëllim të jetë elitare, por synon një publik më të gjerë, atëherë ajo është mirë të jetë sa më tokësore, sa më e thjeshtë, sa më muzikale dhe qartësisht e kuptueshme. .
Disa kritikë janë shprehur se poezive të thjeshta u mungon mendimi dhe thellësia, ndërsa, po këta kritikë mendojnë se poezitë e thjeshta shkaktojnë më shumë emocione. Poezia e mirë nuk ka nevojë për koment. “Mendimet dhe ndjenjat e thjeshta nuk janë patjetër të cekëta , -thotë poeti E.Muir-, ashtu si ato të pazakontat e të mprehtat nuk janë patjetër të thella”.
Lëvdatat
“Lëvdata është e këndshme vetëm për atë që
lëvdohet, ndërsa për të tjerët është e
mërzitshme”
Në këtë dhjetëvjeçar kanë botuar librat e tyre shumë poetë të rinj, përgjithësisht për ta janë bërë vetëm promovime, janë shtruar kokteil apo janë thurur ditirambe nga të ftuar që nuk i përkasin botës së letërsisë. Në disa takime të tilla kam marrë pjesë edhe unë, madje më kanë grishur të ngrihem e të flas për “vlerat e jashtëzakonshme të talentit të ri”. Xhorxh Oruell thotë :“Gjëja më e keqe që mund të themi për një vepër është mungesa e sinqeritetit.”
Lëvdata është e këndshme vetëm për atë që lëvdohet, për të tjerët është e mërzitshme. Poeti i ri duhet nxitur jo me bankete dhe ditirambe, as me shkrime entuziaste nëpër gazeta, as me lajkatime boshe, poeti i ri duhet nxitur, natyrisht, duke e vlerësuar, por edhe duke i treguar punën e palodhur që e pret dhe cila është rruga që të çon drejt suksesit ?
Jan Pier Richard thoshte: “Arti është rikujtim i fëmijërisë”. Në veprën e vet ai sqaron se dëshira për të shkruar ka lidhje me mallin apo nostalgjinë dhe se arti është një kundërvënie, ose pakënaqësi ndaj botës që na rrethon. Arti është një çlirim nga kujtimet.
Poeti spanjoll Lorka thoshte: “Poezia është atje ku ajri pothuaj kthehet në mendim”. Poeti i njohur sovjetik, Andrea Voznjesenski, thoshte: ” Çmimi kryesor jepet nga Perëndia. Ai është talenti.” Filozofi Spenser thoshte:”Jeta pa art humbet gjysmën e hijeshisë së vet.”Në poezinë “Këshilla për poetët” teoricieni i klasicizmit, N.Bualo, qysh në shek. e 17-të shkruante:
Mos bëni edhe ju si vjershaxhiu i mjerë
Që nga dokrrat e veta i marrin trutë erë,
Dhe pas i ngjitet rrugës cilitdo që të takojë.
Pa nis e i çan kokën, një varg t’i recitojë…
Pra, një kritik të zgjidhni, me mend edhe me qokë,
që dijen dhe arsyen ka prijës edhe shokë,
dhe që me laps të sigurt të gjejë pa nguruar
të dobësisë vendin që duhet rregulluar. “Arti poetik”
Varg i rregullt apo i lirë?
Tentohet nga vargu i lirë, sepse është më i
thjeshtë se vargu i rregullt.
E vërteta është që ky i fundit është më i vështirë.
Borges
Ka poetë që e nisin krijimtarinë fill e me vargje të lira. Në dukje nuk ka asgjë të keqe, mirëpo, ashtu si fëmija kur mëson alfabetin edhe letrari i ri i ka të nevojshme fillimisht ushtrimet poetike me vargje të rregullta dhe të rimuara. Vargu i rregullt disiplinon mendimin, ai të mëson melodikën dhe muzikalitetin e brendshëm, koncizitetin dhe ligjërimin emocional. Ligjërimi poetik ka një ndryshim të madh prej ligjërimit prozaik, jo vetëm pse është emocional e figurativ, por ka edhe një strukturë të brendshme , të cilën nuk e përvetëson dot nëse nuk ke kaluar shkollën e rimës.
Përdorimi i vargut të rregullt duhet të jetë i detyrueshëm për çdo letrar në krijimet e tija të para. Vini re, shumica e poetëve të njohur shqiptarë, por edhe botërorë, kanë nisur të shkruajnë fillimisht me vargje të rimuara, më vonë kanë kaluar në vargjet me asonanca dhe disonanca të brendshme.
Herë- herë poetët gjejnë një rrugë të mesme, shkruajnë më vargje të rregullta, të thyera. Në këto vjersha frymëzimi vërshon gjithmonë përmes kadencave ritmike dhe melodike të alternuara sipas mënyrës që i shkrep poetit.
Një shembull i tillë është poema “Re në pantallona” e Vladimir Majakovskit. vargjet e saj janë të rregullta, ndonëse thyera, ndaj tingëllojnë si vargje të lira:
Librat bëhen shpejt:
Erdhi poeti,
buzët i hapi,
dhe që nga buzët fluturoi drejt
një varg,
gati.
Por qenka ndryshe.
Para së të nisë,
vërtitet gjersa kallo i dalin prej fërkimit,
në lymin e zëmrës zvarritet
peshku budalla i përfytyrimit.
Dhe pasi i qërojmë rimat,
ndërsa ziejnë
një çorbë me bilbila dhe dashurira,
rruga gjuhë-presë,
si memece përpëlitet
se s’ka me se të flasë, të ulërijë.
Poezia është një çast i veçantë. Ki parasysh se: “Me atë masë që do të të emocionojë ty krijimi yt, me atë masë do t’i emocionojë edhe të tjerët.” Çdo poet duhet të bëhet i vetëdijshëm për vlerën e krijimit të tij. Mungesa e sensit të vlerave është dhe mungese talenti.
Gjatë takimeve që bënim dikur me lexuesin , një praktikë e humbur, një herë e pyetën shkrimtarin Kolë Jakova: -A ka shkollë për t’u bërë shkrimtar?
-Ka,- iu përgjigj Kola.-Por, që të dalësh shkrimtar, duhet të hysh shkrimtar. Mikun tim, Llazar Siliqi, në një nga këto takime e pyetën se ç’ ndiente kur bënte një vjershë të mirë. “Kur shkruaj një vjershë të mirë?Dëshiroj të bëj një vjershë edhe më të mirë…”-tha ai. E vetmja gjë që na nxit, pas realizimit të një krijimi, është ëndrra për një sukses të ri, për vazhdimësinë e sukseseve. “Kur dragoi hipi në majë, – thotë një proverb kinez, – nisi të njihte mjerimin e zbritjes”Një tjetër proverb kinez thotë:”Nëse dyshon të bësh diçka, mos e bëj”.
Poeti e ndien vlerën e krijimit të vet. Pasi e nxjerr në dritë krijimin e tij, ai ndihet si ajo reja e shkarkuar. De Rada e nis krijimin e vet “Milosao” më këto vargje brilante:
Lisa jeta kish ndërruar
Ujë të ri ndë detit
Kaltëruar në ditë të re.
Po lumbardha e Anakreontit
Temp rronej, e moçme.
Nd’ ujë një ditë vate te mali
E s’u pruar si e kish zakon…
Veç atë s’e thau bora,
s’e përgjaku ushtëza,
Por fjuturoi dhe ra
tek e bardha shpia ime.
Kur n’agim tok, dhe shpi,
u zbuluan bashkë me detin
si hareja që del prej sysh,
më zgjoi me farfurimë
qelqeve të finestrës sime..
Kishte kaluar shumë kohë…aq kohë sa jeta kishte ndërruar shumë lisa, aq kohë sa edhe uji i detit ishte tjetër ujë, ujë i ri..., Por pëllumbi i Anakreontit e zgjoi një mëngjes duke fërgëllirë krahët, qelqeve të dritares. Filozofi , magji, transparencë, pafundësi kohore, jetë, dritë, lumturi…E githë kjo në pak vargje. Poezia është arti që zbulon ndjesi të rralla, e që krijon një botë imagjinare. Librat e parë të letrarëve të rinj, ndonëse me të meta sa i përket teknikës së vargut, kanë qenë më të thjeshtë, më të natyrshëm dhe më të freskët se librat që kanë pasuar. Të qenit i thjeshtë dhe i natyrshëm është vlerë. Ka poetë, të cilët qysh me krijimet e para e nisin me vargje hermetikë. Këtyre poetëve të rinj le të kujtojmë thënien e Faik Konicës: “Zoti im,, në qoftë së nuk kam gjë për të thënë, më ndihmo të hesht.” ,Një shprehje skandinave thotë. “Më kot të ngasim me të katra, në qoftë se jemi në rrugë të gabuar.”.Çehovi thoshte: “Në art është e pamundur të mashtrosh.”
Komentet