Çastin e frymëzimit do ta personifikonim me ardhjen e zogut të krijimit. Letrari duhet të jetë i vëmendshëm për të kapur çastin e ardhjes së këtij zogu imagjinar, qysh në fërfërimën e krahëve , në mënyrë që t’i hedhë në letër përshtypjet poetike me emocion të parë. Kjo nuk do të thotë që duhet t’i besojmë plotësisht atij çasti, pasi, rreth krijimtarisë poetike, poetë e shkrimtarë të ndryshëm kanë mendime te ndryshme. Në fillimet ë krijimtarisë sime, i dhashë Kadaresë disa vjersha. Atëherë jetonim të dy në Berat. Mbrëmjeve shëtisnim gjer vonë bulevardit të qytetit, gjersa rrugët boshatiseshin si me magji. Ca ditë nuk u takuam. Unë shkova në një stërvitje ushtarakë në zonën e Shpiragut, ai në Tiranë. Shtatë ditë dhe shtatë net në qafën e Sinjës. Shkrova pesë poezi. Kur u ktheva nga stërvitja ia dhashë për të më dhënë ndonjë mendim. Të ulur në restorant “Moska” prisnim porosinë e vonuar. I nervozuar nga vonesa e kamerierit , ai i shfletoi nxitimthi: “Të mira janë,- tha duke veçuar dy prej tyre. Veçse i ngjajnë njëra-tjetrës… Janë shkruar më të njëjtën gjendje.” Këtë gjë e kisha pikasur dhe vetë, ndaj, aty për aty, i dhashë të drejtë. Nuk u duhet besuar shumë emocioneve të çastit. Ka poezi që shkruhen më emocion të parë, por, më të mira dalin ato poezi që shkruhen pas një lloj verifikimi.
Çasti i frymëzimit duhet verifikuar, pasi, ka motive që ndizen e shuhen si flakë kashte , emocionuese për çastin , dhe vetëm për atë që i shkruan. Ndonëse nuk duhet absolutizuar, ka diçka të vërtetë. Krijuesi duhet të jetë i vëmendshëm për të mos rënë në grackën e çdolloj emocioni. Ai duhet t’i seleksionojë ndijimet poetike nga ato lloj ndijimesh, të cilat nuk përbëjnë lëndë për poetikën. Kjo gjë mësohet vetëm me përvojë.
Një herë tjetër bisedoja me Ismailin për poezinë e mikut tim të fakultetit, poetit të talentuar M.V. Ndërkohë që unë mundohesha t’i mbushja mendjen për vlerat e veçanta të lirikave të tija, ai tha: “Ka lirika të ndjeshme, por shkruan lehtësisht. Kjo gjë do ta frenojë për t’u zhvilluar…” Një mendim racional i dalë nga përvoja e vetë autorit. Në fillim të viteve shtatëdhjetë shoqërohesha shpesh me shkrimtarin e talentuar, Bilal Xhaferi. Ai ishte një shkrimtar paksa i trembur, timid dhe impulsiv. Dke biseduar për krijimtarinë e Kadaresë, ai ndali një hop dhe, si u mendua, tha: “…Nuk është se s’ më pëlqen … por figurën e ka të jashtme… të menduar.. Nga kjo pikëpamje them se Kadareja është cerebral, gjë që nuk është në parimet e mia krijuese… Figura letrare duhet të burojë në çastin e krijimit…” Po atë vit Bilal Xhaferi u ngrit në një plenum dhe kritikoi romanin “Dasma ” të Kadaresë. Ngritja aq e beftë në foltore, e shoqëruar me një lloj nervozizmi që nuk ishte në natyrën e tij, m’u duk e çuditshme. Në të vërtetë, Bilali kishte kohë që e ndiente veten të papërfillur nga shteti dhe nga rrethet letrare… Bilali ishte i prerë në mendimet e veta, kjo veti krijuesit mund t’i bëhet pengesë, gjer në bumerang.
Laboratori i shkrimtarit
Ka shumë shkrimtarë që nuk dëshirojnë të tregojnë të fshehtat e alkimisë krijuese. Rrallë herë hasim që shkrimtari ta hapë këtë derë laboratori dhe të tregojë me sinqeritet se si lind dhe ngjizet kjo lloj krijese e veçantë që e ka emrin: poezi, ese, tregim, novelë, dramë ose roman…
Ja si e përshkruan Kadareja çastin magjik të krijimit te libri “Ftesë në studio”:”Në fazën e parë, pra, (paraletrare, paralogjike, merreni si të doni) vepra mund të pluskojë (të notojë) në ndërgjegjen e shkrimtarit, si një gjë jo vetëm pa formë, por edhe krejtësisht pa kuptim: një njollë e hirtë me ndriçim anash, një gjest i ngrirë, i parë diku, në një mbas dite të diel, erë që vërshëllen, mallëngjim pa shkak, dy fjalë të zakonshme, si: “Ç’më bëre?”, me ose pa muzikë pas, një rrotullim i shqetësuar në gjumë etj. etj. Asnjëherë s’mund të dihet zanafilla e një vepre. Ajo mund të jetë aq e hershme në jetën e shkrimtarit, saqë shpesh i afrohet fëmijërisë së tij, e disa herë ikën edhe më larg për të dalë edhe prej saj…””Ura më tri harqe” u lind së pari në kokën time në formë të një dosjeje(ngashnjim i shpeshtë i shkrimtarëve të sotëm) ku pjesët e kronikës do të gërshetoheshin me dokumente të ndryshme, me përllogaritje teknike të statikës së saj, skica e projektit, copa bisedash të turisteve më pas në këmbët e saja, biografia e aviatorit anglez që e goditi një bombë, gjatë luftës së fundit, copa të baladës së vjetër etj. etj.”Mirëpo vepra gjatë procesit të krijimit mori tjetër udhë…”Edhe sot ndiej keqardhje për braktisjen e projektit të parë,-thotë autori,-por në letërsi ndodh shpesh që projekti ka bukuri mashtruese. Ai i ngjan në këtë rast nuses- shtrigë të bukur të përrallave që të ndjell e të ndjell për të të çuar në humbje. Nga dosja e parë e “Urës” ruajta farë pak gjëra: një skicë të saj si edhe bisedat e turistëve, veç jo një mijë vjet më pas, siç kisha menduar, por fill pas ngritjes së harqeve…”
Bërthama e parë e romanit “Gjenerali…” ishte tregimi për hapjen e shtëpisë publike të ushtarëve në Gjirokastër. “Ajo e pasuroi fantazinë tonë me tepër, ndoshta, edhe se biblioteka dhe kinemaja e qytetit… Në atë kohë, në ndërgjegjen time, kishin filluar të notonin në gjendje të turbullt pamje dhe fytyra nga qyteti im i lindjes.” “Kronikë në gur”,dhe “Qyteti pa reklama”, janë një ngjizje nga i njëjti mjedis, e njëjta kohë dhe me “të njëjtin tharm.”
Nga këto shënime vihet re sesi motivet e veprave lindin të përziera, edhe gjatë krijimit të tyre ato janë të tilla dhe mund të huazojnë nga njëra-tjetra. Krijimet letrare janë ende në konture dhe në të njëjtin start, qysh në embrion, janë si fëmijët binjakë qysh në barkun e nënës shtatzënë.
Ndërkohë që autori diktonte në ndërgjegjen e tij ngjizjen e romanit “Kronikë në gur”,.. .ngutshëm dhe gjithë nerva, në anën tjetër, paralelisht me të, projektohej një tjetër roman, i cili do të dilte në dritë më vonë.
Shkrimtari maqedonas me origjinë shqiptare ,Nimon Muçaj, për historikun e romanit të tij “’Vdekja e kalit”, shkruan:
“Për të shkruar romanin tim jam nisur nga një tregim i vjetër që e kisha dëgjuar prej njerëzve të ndryshëm. Fabula është marrë nga koha e mesit të dy luftrave botërore: disa ushtarë sllavë u futën në një familje,i zoti i shtëpisë i pranoi dhe i respektoi. Ushtarët shfrytëzuan mikpritjen e të zotit të shtëpisë. E lidhën dhe i çnderojnë gruan. Këtë ngjarje e kisha dëgjuar rreth njëzet vjet më parë dhe më kishte mbetur në mend. Ndërsa përvoja e dramës, ka ndikuar për ta shkruar në këtë formë”.(“Misteri i rrëfimit” P.Palushi)
Prozatori Kim Mehmeti thotë: “Vepra letrare është vetëm hi i mbetur nga zjarri që ka djegur krijuesin gjatë shkrimit të veprës. Lexuesi në atë hi do të gjejë thëngjijtë e mbuluar me të cilët do të ndezë zjarrin e kënaqësisë së leximit.”
Imagjinata
Ka një lloj burimi të ndritshëm që qëndron në qiell
dhe përcjell imazhe ideale, të formuara sipas
logjikës së brendshme të botës imagjinare.
Tomas d’Akuino
Shkrimtari i njohur çek, Milan Kundera, i jep një rëndësi të veçantë imagjinatës. “Nuk mund të kuptohet arti, sidomos ai modern,-thotë ai,-nëse nuk kuptohet se imagjinata është vlerë”
Imagjinata nuk është instrument njohjeje, ajo ndjek rrugë të tjera për të arritur gjer tek njohja. Njohjen imagjinative D. Hofstrader do ta shpjegojë në këtë mënyrë: “Pjesa më e madhe e burimit të saj, si ajsberg, është zhytur thellë nën ujë, nuk duket.”
Ndërsa Dante Aligeri në veprën e vet “Komedia hyjnore” pyeste se nga mund të vinin këto përfytyrime që hidheshin në letër?
O forcë e përfytyrimit ,që na shkëput
here-herës nga bota, sa njeriu s’kujtohet,
megjithëse bien buritë nga çdo skutë,
kush të lëviz, kur shqisa përjashtohet?
Të lëviz drita, që merr jetë në qiell.
Vetiu ose, pse nga e larta forcë drejtohet:
(“Komedia hyjnore” XVII)
Paska një forcë supreme… “Ka një lloj burimi të ndritshëm që qëndron në qiell dhe përcjell imazhe ideale.” Shkrimtari i madh Italo Kalvino në esenë “Dukuria” do të thotë:”Në ideimin e një tregimi, gjëja e parë që më vjen në mend është një imazh, që, për ndonjë arsye, më shfaqet mbushur me kuptim, edhe pse nuk do të dija ta formuloja këtë kuptim me terma diskursive ose konceptuale. Sapo imazhi fillon të më qartësohet në mendje, i vihem punës për ta shndërruar në një histori apo, më mirë, janë vetë imazhet që shtjellojnë fuqitë e tyre të fshehura, tregimin që atë mbartin brenda vetes. “Rreth çdo imazhi lindin të tjerë, formohet një fushë analogjish, simetrish, kundërvëniesh. Në organizimin e këtij materiali, i cili nuk është më vetëm pamor, por edhe konceptual, ndërhyn edhe një synimi im për të rregulluar dhe për t’i dhënë kuptim zhvillimit të historisë ose, më mirë, ajo çka bëj unë është përpjekja për të vendosur cilat kuptime mund të jenë të përputhshme dhe cilat jo, me pamjen e përgjithshme që do të doja t’i jepja historisë, gjithmonë duke lënë një lloj linje alternativash të mundshme. Në të njëjtën kohë, shkrimi, thurja e fjalëve merr gjithmonë e më tepër rëndësi; do të thosha se, që nga çasti kur filloj të vë të zezën mbi të bardhë, është fjala e shkruar ajo që ka rëndësi…Do të jetë shkrimi që do të udhëheqë tregimin në atë drejtim ku shprehja foljore rrjedh natyrshëm dhe përfytyrimit vizual nuk i mbetet gjë tjetër veç t’i shkojë pas. Një poezi apo edhe një tregim, fillimisht lind si një imazh, si një përfytyrim i drejtuar sipas një arsyetimi të cilin e udhëheq pikësynimi racional i autorit. Po ky autor, për fantazinë do të gjejë një krahasim bashkëkohor: “Fantazia,-thotë ai,- është një lloj makine elektronike që mbart të gjitha kombinimet e mundshme dhe zgjedh ato që i përgjigjen një qëllimi apo thjesht, janë më interesantet, më të këndshmet, më zbavitëset.”
Mediet televizive sot, na bombardojnë me imazhe të gjithfarëllojshme. Njeriu i sotëm jeton më intensivisht se kurrë me botën e imazheve reale dhe sureale, tokësore dhe kozmike, me imazhe të mikrokozmosit dhe të makrokozmosit. Bota e fëmijëve po shtresëzon në vetëdije “thërrmija imazhesh, si depozitë plehrash“(I.K.)
Kjo gjendje ndoshta do ta frenojë imagjinatën letrare, ashtu siç mund edhe ta shtyjë në kërkime të panjohura. Bota imagjinare në fëmijërinë tonë ka qenë e varfër në njohje dhe imazhe, por e pasur në përfytyrime limpide. Ne kishim parasysh pamjet e një fshati apo rrugicat e qytetit ku jetonim, ruanim në memorje pamjet e një filmi, apo të disa librave që kishim lexuar. Ndër më imagjinativët mbetet romani “Konti i Monte Kristos”, një figurë romaneske, të cilën sot mund të shohim në ekranet televizive në njëqind mijë shëmbëlltyra.
Kam mendimin se letrari i ri duhet të influencohet sa më pak nga ky parafabrikat imazhesh, duke i besuar më shumë imazheve të veta, të cilat do të jenë burim frymëzimi në krijimtarinë e tij, ndryshe atij do t’i ndodhë që të futë në veprën letrare, në një poezi apo tregim, pa e kuptuar as vetë, riciklime imazhesh të përdorura nga të tjerë.
Komentet