Ka mësues letërsie që ju imponojnë nxënësve mendimet e veta edhe kur u mungojnë aftësitë letrare. Ky është një gabim metodik, pasi, nga një imponim i tillë përfitojnë vetëm të paaftët, ndërkohë që të talentuarve u pritet rruga. Këtu zë fill nervozizmi i tyre. Ata futen në konflikt me mësuesin , që mbyllet me cenimin e vlerave dhe të personalitetit të tyre krijues.
Ka nxënës të cilët, nga frika së mos nuk shprehen mirë ose nga dëshira për të marrë më çdo kusht një notë të lartë, kanë kërkuar që hartimet t’ua bëjnë të tjerë.
Kjo ndodh me nxënësit e përkëdhelur, të cilët kërkojnë që dhe në lëndën ku kërkohen aftësi letrare të marrin detyrimisht notë të lartë. Skica letrare nuk është ekuacion matematike, as ligje kimike dhe as njohuri biologjike. Skica letrare është një krijim ku vlerësohen aftësitë e shprehjes së lirë. Cili është ky mësues letërsie, i cili, pasi ka marrë një diplomë , konsiderohet “kompetenti” për të vlerësuar krijimtarinë letrare?. Vite më parë shkrova një hartim mature , për të cilin më vonë mora vesh se ishte shpërndarë në katër gjimnaze. Tema ishte :” Më dyqind petrita, komunista lule, hapi Shqipëria epopenë e kuqe.” Më pas mora vesh se ” eseja ime” paskej bredhur në disa shkolla, një kopje e saj kishte përfunduar në Shkodër. Interesantja qëndron te vlerësimi. Në gjimnazin “Ismail Qemali” kisha marrë notën pesë. Në liceun artistik kisha marrë dy dhjeta. Në Shkodër isha vlerësuar me notën tetë, dy motrat binjake në gjimnazin “Qemal Stafa” kishin marrë dy nota të ndryshme: njëra 9, tjetra 8. Përse kishte ndodhur ky vlerësim kaq i ndryshëm? Kuptohet. Vetë mësuesit nuk kanë përgatitjen e duhur letrare dhe as kritere të qarta vlerësimi. Shpesh herë notat i venë kuturu, duke i paragjykuar nxënësit. Ndërkohë që jeta ka treguar se një nxënës i mirë në matematikë ka qenë një nxënës i dobët në letërsi, sidomos në hartimin e një skice letrare. Trajtimi i lëndës së letërsisë ka rëndësi të madhe në përgatitjen e brezit të ri, por, kjo kërkon mësues të kualifikuar dhe të përkushtuar. Mësuesve të letërsisë u kërkohet të kenë lidhje të vazhdueshme me “estetikën lëvizëse”, me librat dhe me kritikën letrare.
Për të shkruar një ese
Ka tema , të cilat nuk e tërheqin nxënësin ,
nuk i zgjojnë atij asnjë mëndim.
Temat e eseve shpesh formulohen me një gjuhe të përgjithshme,si të tilla ato kërkojnë një trajtim në përgjithësi. Nëse japim një temë të njohur, bie fjala: “Përshkruani figurën e nënës…”, formulimi duhet të jetë nxitës. Nëse ese-ja formulohet me fjalë të përgjithshme, si: “Nënë! Sa krenare tingëllon kjo fjalë.”qysh në titull kjo temë kushtëzon një trajtim të përgjithshëm. Kur nxënësit i kërkohet t’i përmbahet “krenarisë së të qenit nënë”,ai hutohet, i mpihet truri dhe s’bën gjë tjetër veç këput mufka. Temat e eseve duhet të kenë përmbajtje konkrete, në mënyrë që në çdonjërën prej tyre nxënësi të shpreh botëkuptimin dhe personalitetin e vet.
Në esenë e vitit të kaluar, maturantëve iu dhanë një frazë të nxjerrë nga shkrimtari francez, Honore de Balzak:“Atdheu shkatërrohet kur shkelen me këmbë etërit”.
Shumica e nxënësve kishin parapëlqyer ta trajtonin këtë temë, pasi tek ne është një problem i prekshëm, i cili nxit mendime dhe fakte konkrete. Mirëpo, psikologjia e nxënësve në këtë dhjetë vjeçar ka ndryshuar. Nga një shaka e bërë në “Top Channel” ,pyetjes “ç’është për ju atdheu”, iu kthyen dhjetëra përgjigje. Disa prej tyre që, edhe pse të thëna me humor, tregojnë një koncept disi më ndryshe:
“…Ta duam atdheun si Shqipëria Amerikën.” “.Atdheu është vendi ku unë pi një cigare.” “Atdheu është vendi ku zëmë nga një të dashur.”.” Atdheu është bota.”.”Atdheu është vendi ku unë nxjerr ca lekë.” Të tilla shprehje, ndonëse kanë shakanë brenda, tregojnë se rinia nuk e koncepton më atdheun si toka jonë e të parëve.. .as vendi ku kanë rënë 28 mijë dëshmorë.. .as tempull i ëndrrave tona, por thjesht, “vendi ku pi një cigare, marr ca lekë dhe zë një të dashur”.Atdheu nuk është më një koncept sublim, por një tokë ku jetohet dhe kalon në një farë mënyre ditët. Mësuesit të letërsisë i bie detyra e edukimit me ndjenjën e atdhedashurisë, jo më, me slogane , por me argumente bindëse, se çfarë është në të vërtetë për ne atdheu.
Motivi, ideja
Ideja vjen e vagëlluar, autori fillimisht sheh
vetëm konturet e saja,ajo duket si një anije në
horizont, që udhëton drejt teje .
Me motiv nënkuptohet objekti për të cilin synohet të shkruhet një vepër letrare, muzikore si dhe çdo vepër tjetër arti. Motivi është objekti i cili ngacmon me një ide poetin ose shkrimtarin për ta materializuar më pas përmes një stili të veçantë.
Shkrimtarët e mirë dallohen edhe nga motivet që marrin përsipër të trajtojnë. Në vitet ’70-80-të Kadareja ka trajtuar motivin e qëndresës së kombit shqiptar. Me intuitën e vet, ai kishte kuptuar se duheshin lënë mënjanë temat e vogla. Te “Dimri i vetmisë së madhe” dhe te poema “Vitet gjashtëdhjet딑 shtjellon ftohjen dhe prishjen përfundimtare të marrëdhënieve me shtetin e madh sovjetik. Te disa poema të tjera dhe te romani “’Koncert në fund të dimrit”, shtjellohet ftohja e më pas prishja e marrëdhënieve midis Kinës dhe Shqipërisë .
Për sa i përket temave të mëdha unë do të përmendja thënien e dramaturgut gjerman B. Breht. i cili thotë:
” Epokat shtypjes së madhe janë përgjithësisht epokat në të cilën bëhet më shumë fjalë për madhështinë dhe idealet.” Krijimi letrar është njëkohësisht një zbulim, pasi poetët dhe shkrimtarët janë më pranë termit “zbulues” se filozofët dhe shkencëtarët. Aftësia e tyre zbuluese lidhet më intuitën e tyre për vëzhgime të rëndësishme, në brendësi të fenomeneve. Krijuesi sheh përmes mjegullnajës së fakteve, vezullimin e asaj që përbën lëndën letrare.
Gjëja e parë që kërkon një shkrimtar është “ngjarja e veçantë’ dhe mesazhi i saj. Veç kësaj, shkrimtarit i duhet të gjejë llojin e stilit dhe llojin e gjinisë… Dhe ja, vjen një çast që duhet të nisësh nga puna. Kur gjendesh para letrës së bardhë, idetë fshihen, fjalia e parë s’vjen dhe vetja të duket si një njeri që i ka hyrë kot kësaj pune. Por nga ky çast kalimtar nuk duhet të shqetësohet askush..
“Idetë të ikin nga të gjitha anët, fshihen nën shtrat, tërhiqen në zhguallin e tyre si breshkat e trembura”,-thotë autorja L. Martineli (“Filologjia”) dhe, më poshtë, shton:
“Kam shkruar për herë të parë një fjali, që në mendje dukej aq e bukur dhe kam zbuluar se fjala dashuri përsëritej katër herë në tri rreshta, gjë që nuk shkon fare.”
Nisma është një skicë, e cila siguron zgjimin e ideve të fshehura. Sa më shumë shtohen fletët e shkruara përpara teje, aq më shumë shtohet siguria në krijimin e veprës. Ideja vjen e vagëlluar, autori fillimisht sheh vetëm konturet e saja, ajo duket si një anije në horizont, e cila udhëton drejt teje. Fillimisht shohim si në mjegull vetëm direkët e saj, më pas, sa vjen e na qartësohen konturet e saja, në largësi. Shi në këtë çast lind edhe ideja për ta fiksuar, për ta përjetuar, për ta “mishëruar”, për ta përshkruar ose pikturuar…Ky është çasti, kur anija ende nuk ka mbërritur në port, kur vepra nuk është materializuar gjer në detajet më të imëta, kur ajo është diçka midis fantazisë dhe realitetit, në lëvizje, e bukur, joshëse. Ky është çasti kur ne, duke mos e njohur dot, në të gjitha imtësitë, joshemi për të vënë në veprim imagjinatën tonë. Të gjithëve na ka ndodhur kjo gjë. Nisim të shkruajmë në çastin kur nuk i kemi të qarta shumë gjëra. Është pjesa e pandriçuar e Hënës, që na fut në botën imagjinative. E panjohura gjithmonë nxit përfytyrimin dhe bëhet shkak në aventurën e bukur të krijimit. Qartësia e zbeh frymëzimin. Qartësia ka shumë dritë. Qartësia e madhe i ndriçon njëherazi të gjitha detajet e mundshme, ndërsa shkrimtarit i duhet një ndriçim i vagulluar, i formës vegimtare, në mënyrë që nga skutat e errëta të kujtesës, të fantazisë dhe përfytyrimit, të dalin lirisht vetëm ato detaje, ide dhe mendime që i nevojitën në çastin e krijimit. Shkrimi është një aventurë e bukur dhe joshëse ,me shumë të njohura dhe të panjohura.
Gjatë procesit të krijimit lindin dhe vdesin ide, dialogë dhe fragmente të tëra, të cilat kanë synuar ta devijojnë qëllimin final. Procesi i të shkruarit i nënshtrohet vetëdijes, e cila qëndron gjithmonë me lart se arsyeja, është më largpamëse, pasi sheh me “syrin e zogut”, përmes vegimeve. Nëse shkenca ka lidhje më arsyen, intuita ka lidhje të forta me universin. I themi këto për shkrimtarët e rinj , në mënyrë që ta kenë të qartë së shi në çastin që nis të shkruhet një vepër letrare, shkrep pistoleta e startit… Shenjë kjo, të cilën do ta krahasonim me shkrepjen e vetëtimës. Ky është sinjali që na fton për udhëtim drejt së panjohurës, sinjali që të nxit të hedhësh në letër imazhet e një poezie ose fjalinë e parë të një tregimi. Është pikërisht ky çast kur poeti e ndien veten të sigurt, ky çast quhet “frymëzim ” Poeti duhet ta vlerësojë këtë çast, pasi ai nuk vjen në çdo kohë, ai vjen në një moment të caktuar, ditën, natën, herët në mëngjes apo në ditën me shi duke ecur rrugës, kur je në autobus, ,në tren, në mbledhje, në një orë mësimi… Ai vjen në çastin që quhet “pika e vlimit”. Shkrimtari rus Lermontov këtë çast do ta quante : “çut-çut”. Poetesha ruse, Ana Ahmatova, ka thënë:“Çdo njeri ka një çast magjik në jetë, ku i realizohet gjithçka”
Frymëzimi i ngjan qumështit, i cili, në çastin kur vlon, shpërthen më vrull shkumën lart , një çast mos ta kesh mendjen, ajo rrezikon të shpërthejë e të derdhet. Amvisa e mirë e pikas pikën e vlimit të qumështit qysh në çastin e parë. Edhe poeti dhe shkrimtari duhet të jenë njësoj të vëmendshëm për ta kapur atë çast vlimi. Poeti francez, Zhak Prevert, në një nga poezitë e tija, titulluar “Për të bërë portretin e një zogu”, çastin e pritjes e krahason me pritjen e një zogu për të hyrë në kafaz.
Vizato diçka të thjeshtë, të hijshme, të bukur dhe të dobishme. Mbështete kuadrin në një dru,
në një pyll,
në një korije.
Dhe fshihu diku,
pa lëvrirë,
pa pipëtirë…
Zogu mund të vijë dhe shpejt, por mund të vonojë dhe një vit.
Ti mos u mërzit. Prit.
Prit, po qe nevoja edhe dhe me vjet
nëse dëshiron që tabloja jote sukses të ketë..
Kjo s’ka lidhje me shpejtësinë e zogut.
Veçse, kur të mbërrijë, nëse vërtet ka mbërritur,
prit të hyjë në kafaz
dhe më pas mbylle shpejt deriçkën e kafazit
më majën e penelit..
Pastaj prit që zogu këngës t’ia thotë.
Në qoftë se zogu këngës nuk ia thotë
Kjo është shenjë e keqe, shenjë që tabloja nuk ka dalë gjë,
Po, në qoftë se ai këngës ia thotë,
është shenjë e mirë.
Atëherë shkuli ngadalë zogut një pendë
dhe me të shkruaj emrin tënd
në një cep të tablosë.
Shkrimtari shkruan në bazë të përvojave të veta personale
Kritiku francez Rozhe Garodi, në veprën e vet “Realizëm pa brigje” thotë: “Arti krijon një strukturë dhe i detyron këtij realiteti strukturën e vet të brendshme.” Poeti dhe dramaturgu i madh gjerman Bertold Breht thotë: “Arti nuk bazohet mbi imitimin e realitetit”.
Një mendim të beftë thotë Barthes: “ E vërteta është produkt i iluzionit”
Komentet