Moderniteti është një fjalë në kërkim të
kuptimi të vet.” O.Paz:
”A është i vërtetë një emër që ndërron me kalimin e kohës?- pyet poeti Oktavio Paz. Prozatorët e rinj e nisin me eksperimentime të ashtuquajtura “moderne” dhe “postmoderne”. Ata nuk i japin rëndësi krijimit të një figure personazh, as idesë që përshkon një vepër letrare ,as intrigës dhe vizualitetit, gjëra elementare për një letërsi të mirëfilltë. Autorët e rinj priren drejt një letërsie, le ta quajmë “me sens psikologjik” duke i dhënë rëndësi parësore dilemave të personazhit-autor. Në një pikëpamje duket se kemi të bëjmë me një prozë moderne, (bashkëkohore) në kërkim të “antiromanit” i cili ka rezultuar me sukses.
Prozatorëve të rinj miqësisht do t’u rekomandoja të ndiqnin këshillën e Çehovit: “shkruani për gjërat që njihni dhe shkruani thjesht”.Nëse ju i drejtoheni një lexuesi fëmijë, duhet të shkruani me një gjuhë të thjeshtë, pa rëndesa të karakterit psikologjik.
Narratori është në rolin e një kameramani që ndjek lëvizjet e një ose disa personazheve njëherësh, ka raste që e afron kamerën për të rrokur ndonjë detaj ose kthen vështrimin drejt peizazheve… “Romani –thotë Mysil,- është një sintezë intelektuale” ku mund të futësh informacion të pafund, ”gjeologjik, botanik, zoologjik, artistik, piktorik, arkitektonik.” ,arkeologjik, filozofik, juridik, biblik, etj, etj, por ai s’duhet të shndërrohet në një magazinë pa inventar.
Prozatori, duhet të jetë i vetë kontrolluar, për t’i shpëtuar manierave letrare të cilat e bëjnë prozën të mërzitshme, ai duhet të ruhet nga ekzaltimet, teprimet, përshkrimet e zgjatura dhe dialogët jo inteligjentë.
Dhe diçka tjetër; para se të dini çfarë do të shkruani duhet të mësoni se çfarë nuk duhet të shkruani. Shkrimtari i njohur V.Naipol i jep shumë rëndësi këtij fakti: Në një kritikë që i bën kolegut të vet ai thotë:
”Atij i mbetet të mësojë pjesën më të rëndësishme të artit, se jo gjithçka shkruhet.”Ai i këshillon shkrimtarët e rinj që të thellohen në problemet themelore::”Një letërsi që nuk thellohet në problemet themelore sjell rënie në reagimin e publikut”Përfundimisht, një shkrimtar i ri duhet të shkruaj me një gjendje…Sikur po e sheh botën për herë të parë, ose, sikur po e sheh botën për herë të fundit.
Sintaksa
Ne shkruajmë në t’i njëjtën gjuhë por në
sintaksë jemi të ndryshëm
K.Mehmeti
Në jetë ka shumë persona të cilët, pikërisht për shkak të një formulimi të keq sintaksor të fjalive, kuptohen me vështirësi se çfarë duan të thonë. Por ka dhe shkrimtarë tek të cilët ,ndonjëherë, vërehen fjali dhe fraza të palëmuara, të zgjatura, të mbushura me fjali të ndërmjetme, me digresione, gjë që lexuesit ia vështirëson leximin. Kjo gjë mund t’i ndodhë edhe një shkrimtari të shquar.
Ky lloj proliksiteti e largon vëmendjen nga esenca e vërtetë e veprës. Për ilustrim le të marrin dy fjali nga e njëjta vepër letrare e I. Kadaresë, “Viti i mbrapshtë”.
Ja si e përshkruan rrëmujën e atij viti të mbrapshtë autori në faqen 271-2: “Rrëmujë e kaluar rrëmujës, o perëndi. Pa lindur mirë shteti shqiptar qe bërë lëmsh. Dhe as që dihej kishte a s’kishte shtet. S’dihej kryeqyteti, se një qyteti i shkrepej sot të shpallej i tillë, e tjetrit i shkrepej nesër.”
Në këto rreshta vëmë re që autori përdor fjali të shkurtra, të sakta dhe të qarta, pa ngarkesa të tepërta, por, tri faqe më poshtë (faqe 275), fraza e tij nis të bëhet më prolikse dhe më e vështirë , vetëm e vetëm se autorit i ka pëlqyer të bëjë lojën e një digresioni, përmes një frazë të zgjatur e me disa fjali të ndërkallura.
“Më vonë, kur hulumtuesit e shumtë, gjithfarë bashkëpunëtorësh të instituteve të ndryshme, me gjithfarë gradash e nën gradash shkencore, u morën me ngjarjet e atij viti të paharruar, duke u përpjekur t’i renditnin, t’i zbërthenin e t’i shpjegonin kuptimin e tyre (nganjëherë e gjithë kjo dukej e pamundur, saqë të lodhur ata ngrinin kokën drejt qiellit, si për të kërkuar atje kometën e zhdukur tashmë, thua se ajo,nën dritën e së cilës atë ngjarje qenë zhvilluar, mund t’u sqaronte diçka),pra, më vonë, kur ai vit rrëshqanor, i frikshëm, që studiohet rruazë pas rruaze, nisi të hulumtohej javë pas jave e ditë pas dite, kërkuesit, pothuajse pa përjashtim, u ngatërruan keq te shtysa e parë që çoi në krijimin e asaj që u quajt më vonë “forcat mokrare”si dhe te rrethanat e shpalljes së Stefan Verdhës si prijës i tyre.”
Lexuesi, duke lexuar fraza të zgjatura e humbët fillin ë leximit dhe bashkë me të edhe interesin. Letrarët e rinj, fillimisht duhet të shkruajnë me fjali shkurtra, të thjeshta dhe të qarta. Fjalitë e shkurtra, veç të tjerave, i japin prozës një tempo-ritëm të këndshëm.
Kur hedhim mbresat tona në letër, të gjithëve na ka ndodhur ndonjë çast hezitimi.. .E nisim fjalinë me një folje, si për shembull: “Ishte mbas dite vonë…” ose… “Atë ditë kur nisën bombardimet ishte mbas dite vonë…”,ose… ” Atë mbas dite, kur nisën bombardimet unë isha duke shëtitur me Astritin në rrugët e Athinës…”ose… “Rrugët e Athinës dukeshin tepër të shkreta atë mbas dite kur nisën të bombardonin mbi Kosovë avionët e NATO-s”
Fjala është për një fjali e cila duhet të rrjedhë lirisht, pa
sforco, duke përshkruar saktësisht atë çast, bie fjala, kur
nisën bombardimet e NATO-s. Gjithsesi, teknika e shprehjes lind nga përvoja e shkrimtarit, ndonëse edhe përvoja pasurohet.
Shkrimtari eksperimenton me fjalën hap pas hapi, për
të qenë më i saktë dhe më tërheqës në atë që dëshiron të
shprehë. Me probleme pak a shumë të tilla ndeshen edhe përkthyesit. Poeti dhe përkthyesi Edmond Tupja, në librin e vet “Këshilla një përkthyesi të ri”, merr në analizë një fragment nga përkthimi i romanit “Fluturim natën ”
të autorit të njohur A.S.Exyperi.
Po riprodhojmë vetëm fjalinë e parë nga dy variantet e përkthimit të të njëjtit përkthyes:
“Duke zbritur me motor gjysmë të shuar mbi San Julian, Fabieni e ndiente veten të lodhur…” ,(P. Zh.)
“Tek po ulej me motor gati të shuar në San Julian, Fabieni ndjeu lodhje…”
Krahasimi i teksteve,-thotë përkthyesi E.Tupja,- tregon qartë se përkthyesi P.Zheji frymëzuar nga Sant Exyperi, ka shtuar nga vetja duke e zgjatur fjalinë sipas mënyrës së tij…
Në ripërkthim ka sufiçit fjalësh, ka rreth 40% më shumë fjalë nga ato të origjinalit. Autori këtë gjë e ka bërë me qëllim, për ta përshtatur sa më mirë në gjuhën shqipe. Përvoja e shumë shkrimtarëve tanë dhe të huaj ka treguar që veprat, pasi janë shkruar, janë marrë dhe rimarrë disa herë në dorë, duke i lëmuar fjalitë dhe frazat. Nuk mund të gjesh asnjë prozator që t’i besojë frymëzimit të parë. Madje ka autorë të cilët janë marrë me veprat e tyre gjatë gjithë jetës, duke i përpunuar thellësisht apo pjesërisht.
Tradita, neoformalizmi, posmodernizmi
Ne jemi dështime që’ do të jepnim një kile
intelekt pa gjak për të jetuar midis klasave
të larta të imagjinatës…
Tom Dish
Qysh nga fundi i viteve gjashtëdhjetë tek ne nisi të krijohej opinioni për nevojën e një poezie të re, të shkruar më vargje të lira, ndërsa aty nga fundi i viteve tetë dhjetë poezia provoi alternativa më komplekse e më problematike. Për herë të parë u ringjall në poezinë e të rinjve (por edhe në prozë) letërsia formale, duke e konsideruar poezinë tradicionale me rima dhe thekse rimtike, si të tejkaluar.
Neoformalistët, me vetëdijen e tyre se në këtë mënyrë po sillnin në letërsinë shqipe një frymë të re dhe po krijonin urat lidhëse me poezinë botërore , i konsideruan edhe poetët më të mirë që shkruanin me vargje të lira, si jashtëkohore. Në të vërtetë, letërsia ndryshon dhe duhet të ndryshojë për të ruajtur freskinë dhe origjinalitetin e vet. Edhe në të ardhmen do të ketë grupe poetësh dhe shkrimtarësh të cilët do të aspirojnë modele të reja shprehjeje, ashtu siç do të ketë edhe letrarë të tjerë të cilët forcën e argumentimit ua besojnë vargjeve të thjeshta, melodioze dhe ritmike.
Duke u nisur nga forma, nuk ka asgjë të vjetër, ashtu siç nuk ka asgjë të re. Diskutime të tilla ne rrethe letrare përmbajnë koncepte të gabuara e të çuditshme, gjë që tregon cektësi dhe varfëri mendimesh. Vargu, në vetvete, nuk është as i keq, as i mirë. Edhe një poezi surrealiste mund ta shkruash në vargje metrikë dhe të rimuara, por duhet pranuar nga të gjithë se metrika ka jetëgjatësi, ajo ka dhënë kryevepra të mëdha qysh në kohët antike (le të kujtojmë poemat e Homerit apo poezitë e Anakreontit dhe të Safos).
Metrika është mënyra për ta bërë krijimin të mbahet mend, ajo është një “teknikë dëgjimore”. Metrika gjatë gjithë kohëve ka kërkuar të transmetojë “kënaqësinë dëgjimore”. Edhe sot nëpër shkolla mësohen poezi popullorë si dhe poezi të autorëve tanë të njohur, me metrikë të rregullt, dhe këmbëngulët që ato të mësohen nga nxënësit përmendësh.
Në kohë të ndryshme unë kam shkruar edhe me vargje të lira edhe formalë, pasi secila formë më krijonte mundësi stili dhe trajtimi, por gjithmonë më është dukur i pakuptueshëm fakti që disa kritikë krijojnë ndasi dhe japin epitete të tilla, si “poezi moderne” apo “poezi e tejkaluar”. Flasin për epërsinë e së parës në kurriz të së dytës, kur asnjë teknikë vargu nuk i përjashton a priori teknikat e tjera, sikurse edhe nuk i garanton ato.
Diskutimi duhet të përqendrohet tek vlerat. Poetët e rinj nuk e ndiejnë efektin e tingujve muzikore që transmeton një poezi . Ka letrarë të cilët shkruajnë si në prozë. Ata nuk kanë kuptuar nevojën e domosdoshme të tingujve, rimave dhe ritmeve. E keqja është se këto poezi, pasi i mbaron së lexuari, nuk mbahen mënd.
Kjo lloj poezie është një kërkesë e brendshme e të rinjve letrarë si dhe një përpjekje për të ecur në shtigje të pashkelura. Në këto poezi operohet me imazhe dhe me metafora të brendshme.
Neoformalistët e ruajnë rimën dhe, siç do të thotë D .G ,për poezinë”Gjyshërit” e D.Xhastis,
“nganjëherë të gënjejnë me thjeshtësinë e vet”. Në esenë e vet për këtë poet, kritiku D. Gioja shkruan: “Poetët janë shpesh qenie të ditura dhe në çdo poezi të vërtete futet shumë inteligjencë e dituri. Por inteligjenca nuk mund ta pajisë poezinë me jetë kur mungon emocioni apo imagjinata”. Pas Eliotit, poezia evropiane arriti kulmet e veta me nobelistin grek Jorgo Seferis. D. Agolli, në parathënien e këtij libri, thotë se shpirti i poetit ka një trishtim të thellë dhe të errët. Libri i tij i parë “Kthesa”(1931) shënoi një kthesë në letërsinë greke.
Toka jonë është e mbyllur-gjithandej male,
natë dhe ditë kemi për pullaz-qiejt e ulët.
Nuk kemi as lumenj, as puse as burime,
kemi vetëm ca cisterna boshe, kumbonjëse, të nderuara.
Lëshojnë një tingull pa jetë e të zbrazët
Që i ngjet shkretëtirës sonë,
Dashurisë sonë dhe trupave tanë.
Dhe na duket e çuditshme, si kemi mundur një herë
Të ngremë shtëpi, kolibe në stanet tona
Dhe dasmat dhe kurorat e freskëta, gishtërinjtë…
Enigma e pazgjidhshme për zemrat tona…
Si u lindën fëmijët? Si u rritëm vallë?
Toka jonë është e mbyllur.
E ngujuar Nga Simplegadet e errëta.
Ndër limane të dielave
Kur zbresim të marrim pak ajër
Shohim të shquhen në muzg copa dhogash
të thyera nga udhëtimet e pafundme, kurme njerëzish
që nuk dinë më të dashurojnë.
(fragment nga “Cisterna”)
E veçanta dhe e magjishmja në poezinë e Seferis është materializimi i përshtypjeve të jetës së përditshme, si edhe një ndërthurje (që di ta bëjë vetëm ai) e jetës moderne me jetën antike.
Në këto gjurmë rreken të ecin sot shumë poetë të rinj, por duhet thënë se atyre u mungon përvoja e sintezës, gjithashtu, adoleshenca e tyre e mbushur me ndjenja sentimentale, shpeshherë shprehët përmes një lloj vetmie apo tjetërsimi nga bota. Ndër shumë poetë të këtij brezi do të veçoja poetin e ri Ilir Belliu (me një vdekje të parakohshme). “Befas u fanit deti” është një nga poezitë më të bukura që kam lexuar këto vite prej poetëve të rinj, të cilën do ta riprodhoj të plotë në homazh të ikjes së tij nga kjo botë.
Ti fërgëllove…
Në një nga vatrat e malleve të mia
Përqasej vdekja.
Diçka po ngjet mikesha ime
Jo, gjithçka
Thëngjij të vdekshëm jemi.
Pjesëza të së tërës.
Në një qoshe të errët
Befas u fanit deti.
Ky instrument virtuoz
Që mendjet shpërndan
Si grumbuj puplash.
(1990)
Edhe brezat e poeteve të mëparshëm, kohët e fundit gjithmonë e më tepër po kuptojnë se thelbi i vërtetë i poezisë ka qenë dhe mbetët meditacioni i pastër që lind nga dija dhe sferat e larta intelektuale, duke kujtuar këtu vargjet e poetit amerikan Tom Dish :
“Në jemi dështime që do të jepnim një kile intelekt pa gjak për të jetuar në sferat e larta të imagjinatës.”
Ndër poetët tanë më të shquar dhe më prodhimtarë në këtë lloj poezie është poeti dhe shkrimtari Moikom Zeqo.
Ja një ndër poezitë e tija:
Një shën Mari
e shirave
mbi katedralet
u ngrit.
U pamë
sy më sy.
Te xhami i dritares
spathitë dhe fantet e gjetheve
mbi rrugën
plot trafik
Ma bëjnë të lexueshme
Befas
fallin e vetëvrasjes.
Funeralin e Miteranit
e ndjek në ekran!
O shi i mallkuar!
Pa çadër
Shesheve
do të dal!
Cigaren ndez me çakmak:
Kreshta e zjarrit prometian
eshtë si flokët e prerë
nga parukierë banalë… ‘
* * *
Dhe ne udhëtonim nëpër një det të trazuar
Era na rrihte fytyrat e tronditura nga lodhja, gishtërinjtë i përgjaknim mbi drurët e rremave.
Tej maleve shfaqeshin dhe zhdukeshin kolibe çobanësh që nxirrnin tym…
Ajri i ngrohtë i zjarreve na hynte thellë në shpirt,
Yjet këndonin lart këngën madhështore të shpresave, Lepuj të përgjumur zgjatnin kokën nga shkurret,
Na shihnin si të huaj ,më habi.
Këto nuk ishin brigjet tona
ky nuk ishte deti ynë…
Ata që na prisnin, na kishin harruar prej kohësh.
Ne kishim vdekur të gjithë, që atë mëngjes
Kur zbritëm tek anijet.
Po çfarë kërkonim ne nëpër dete të huaja?
(“Balada e vetmisë”.S.M.)
Teorikisht, poezia e prozodizuar krijon më shumë larmi, pasi atë nuk mund ta quash më formë vargu, por “alternativë stilistikore”. Kjo lloj poezie që, për nga forma , mund ta quajmë poezi-prozë, jep mundësi për më shumë hapësira imagjinative, të cilat parapëlqehen shumë.
Sot janë krijuar mundësi qe ne të jemi pjesë e klimës artistike botërore. Për ilustrim, po sjell si shembull një poezi nga letërsia e sotme amerikane:
Nga ky qoshk i pa falur, tryezë buke
Në një shumëkatësh pa diell në qytet
Me bulevarde lëmsh, ai testoi
Në mesin plakë, kaba, paemërsinë.
Harresës (e dinte) i gjendej ilaçi
Po këto gjeste identiteti (i pëlqente t’i mendonte)
I sillnin trazime prehjeve të kohës:
Një vetëkënaqësi, posi, por dhe e preferuar
Për hakërrimet e egos, galop i lehtë
I përshkrimeve a zbulimeve të avangardës.
Sot poetët shkruajnë lirisht, me vargje metrike apo të lira, me vargje prozaike ose të thyera.
Shumë prej formave të njohura të poezisë së shekullit të kaluar, si: soneti, testina, trioleti, rubaira, haiku, rima tetëshe, vargu i lirë, poema e gjatë, poezia përshkruese etj., quhen forma të vdekura. Të rinjtë kultivojnë një lloj poezie të cilën mund ta quajmë : “Lirikë autobiografike formaliste”, që luan me gjendjet emocionale përmes një sintakse hermetike. Kjo vjen edhe nga që këta letrarë të rinj keqtrajtojnë parimet elementare të poezisë.
Në këtë rast duhet të kemi parasysh thënien: “Disa koncepte të gabuara dalin me përfitim për artin, por jo për poezinë.”(D.G.
Imitimi, reminishenca
Ka shumë forma për të futur të një vepër
pjesë, vargje apo dhe reminishenca vargjesh,
marrë nga autorë të tjerë. Përdorimi i
vargjeve të tjetërkujt ndodh jo vetëm me
poetë dhe letrarë të këqij, por edhe me autorë
të talentuar.
“Poetët e papjekur, imitojnë, poetët e pjekur vjedhin, poetët e këqij shtrembërojnë atë që marrin, kurse poetët e mirë bëjnë diçka më të mirë, ose të paktën bëjnë diçka tjetër. Poeti i mirë e ngjiz atë që vjedh në një tërësi ndjenjash.” Këto mendime janë shkëputur nga libri “A ka rëndësi poezia” i G.Gioja.
Poeti i mirë vjedh (mund ta zbutim pak këtë fjalë, duke e quajtur: “huazon”, një imazh, një ide, një fraze apo edhe frymën e një krijimi për ta përdorur në krijimtarinë e vet, por, në një kontekst të ri artistik.
Vite më parë, gjatë bisedave me Kadarenë në qytetin e Beratit, në një moment sinqeriteti ai më tregoi se, në poezinë e tij “Dashuria” kishte futur një varg që e kishte gjetur te romani i Dhimitër Xhuvanit. Në roman thuhej: ”Ai flinte me emrin e saj si të ishte një tablet librium.”Ja poezia :
Përsëri më zuri dashuria,
Para gjumit nuk hap më libra,
fle me emrin tënd në gojë
sikur të jetë tablet librium.
Nëse një figurë e humbur në një roman merr vlerë të veçantë në një poezi ajo ia vlen të përdoret, pasi nuk mund të quhet marrje, por një përdorim i ri. Edhe poema e njohur “Mbledhje në Komitetin Qendror në mesditë” ruan një jehonë të largët nga vjersha për burokratizmin, e Majakovskit. Një dukuri të tillë e vëmë re edhe në disa nga poezitë e D.Agollit, në krijimet e para. Te libri me poezi “Hapat e mi në asfalt” ndihet teknika poetike e poetit sovjetik Eduard Bagricki.
Harold Blum këto marrëdhënie do t’i quajë: “konflikte psikike vendimtare”.
Gjatë leximeve dhe parapëlqimeve të poezisë botërore, edhe unë kam përfituar nga poetë të veçantë. Në krijimet e para parapëlqeja Eseninin, më pas Bagrickin, Ricosin, Majakovskin… i preferuari im i fundit është Nazim Hikmet. Prej tij kam kërkuar të përfitoj dritën dhe ngrohtësinë. Kjo është e natyrshme. Gjatë gjithë kohëve, poetët kanë marrë e kanë dhënë me njëri-tjetrin. Edhe tek një poezi shumë e mirë mund të kuptohen lidhjet, parapëlqimet, imitimet dhe ngjashmëritë me poetë të tjerë. Një miku im, prozator, pati një periudhë që imitonte stilin e Kadaresë, gjë që kuptohej qartë, në krijimin e njëlloj fraze intelektualiste , te personazhet me një lloj absurdi, te përdorimi i monologëve….Të gjitha këto bënin që, për prozën e tij të thuhej në mjedise se imiton Kadarenë.
Poeti amerikan Xhastis lexon në një gazetë diçka të tillë: “Një kuti kapelesh mbushur me letra të vjetra” dhe këtë fjali, më vonë, e fut në një poezi elegjiake në këtë mënyrë : “Një gruaje të panjohur që i shkroi letrat e gjetura në një kuti kapelesh…”
Letrari i ri, natyrisht, ka mësuesit e tij , një ose disa shkrimtarë të preferuar, të cilët e mbajnë nën një ndikim të fortë. E gjithë kjo është e pranueshme, kur ndikimi apo huazimi nuk prek trungun, thelbin dhe, kur ajo çka huazohet shkrihet natyrshëm brenda krijimit tuaj. Mund të imitosh dritë-hijen, ngjyrën, tingullin, frymën , krijimin e imazhit, të epitetit dhe metaforës… Të gjithë poetët e rinj kanë nevojë të mësojnë nga poezitë e poetëve me përvojë. Si futet e përditshmja dhe si përdoret miti në funksion të poezisë bashkëkohore? Si tendosen situatat në prozën e shkurtër? Si ndërtohen dialogët dramatikë në dramën e sotme? Ç’është simbolika, psikologjizmi …? etj.
Krijimi është një proces i mundimshëm dhe i paprerë.
Temat e reja kërkojnë forma të reja. Letrari i ri duhet të eksperimentojë me guxim, pa frikë se mund të gabojë, pasi, në intuitën e vet, ka një censor që e vëren në çdo hap, për të mos shkelur parimet kryesore të letërsisë, që janë: natyrshmëria dhe vërtetësia. Mbi të gjitha, shkrimtarët e rinj duhet të kenë një karakter të fortë dhe të pathyeshëm, në mënyrë që të përballojnë në çdo kohë, si suksesin edhe dështimin.
Komentet