VOAL

VOAL

“Ajvar kosovar”! Ligësia ruse ndaj suksesit artistik shqiptar, çfarë shkruan korespodentja e Moskës në Beograd për filmin Zgjoi – Nga SHABAN MURATI

January 29, 2022
blank

Komentet

blank

Artan Hoxha pas atentatit në Vlorë: Shteti nuk është as spektator, por një agjenci funerale

Gazetari i kronikës së zezë, Artan Hoxha ka reaguar pas vrasjeve që tronditën vendi tonë në 24 orët e  fundit, me bilanc katër të vdekur.

Hoxha, referuar atentatit të Vlorës, thotë se bilanci i krimeve të rënda mafioze është më shumë se tragjik. Sipas tij, në nivelet e larta të krimit të organizuara po ndodhin beteja të pamëshirshme, duke theksuar se ka ndryshuar hierarkia drejtuese e krimit për te paktën një dekade në vazhdim.

Ai shton se po bëhet një luftë e frikshme për territor që ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa shteti thekson Hoxha “nuk është as spektatore, por një agjenci funerale, që i duhen marangozë për të përballuar fluksin e të vdekurve”.

“Në 17 korrik 2022, sapo kishte ndodhur atentati ndaj Brilant Martinajt dhe dy miqve te tij mbi urën e Fushe Krujës, shkrova ketë status, ..:

Për fat te keq, vetëm një muaj pas, pas atentatit të sotëm në Vlore, bilanci i krimeve te renda dhe atentateve mafioze është me shume se tragjik.

blankNëse në nivelet e larta te krimit te organizuar po ndodh një beteje e pamëshirshme, qe tashme ka ndryshuar hierarkinë drejtuese për te paktën një dekade në vazhdim, në baze po zhvillohet nje tjeter lufte e frikshme per territor dhe dominance, e dale jashtë kontrollit, ku shteti tashme nuk është as spektator, por nje agjenci funerale qe me shume sesa eksperte ligjore i duhen marangozë të zote për te përballuar fluksin e te vdekurve…”, shkruan Hoxha.bw

blank

Voskopoja në kërkim të një shkëlqimi të dytë – Nga Gëzim Kabashi

Turistët vendas dhe të huaj e zgjedhin Voskopojën për kishat e stilit bizantin, klimën e freskët dhe oborret e stolisura me lule, por për banorët dhe pronarët e bujtinave, këto janë të pamjaftueshme.

Në hyrje të kishës së Shën Kollit në Voskopojë, Atë Thomai është i shqetësuar nga dëmtimi i afreskeve në tavanin e hajatit për shkak të lagështirës. Kisha e stilit bizantin është një monument i rëndësishëm i kulturës shqiptare, por restaurimi nuk po ecën me ritmet e pritshme.

 

“Vjen vetëm një specialist për restaurim, por punë ka shumë dhe kam frikë se do të na zërë përsëri dimri dhe lagështira,” thotë At Thomai, pasi ka përfunduar një pagëzim.

Kishat dhe bazilikat e stilit post-bizantin janë destinacioni kryesor i turistëve shqiptarë dhe të huaj në Voskopojë – një fshat rreth 20 kilometra larg qytetit të Korçës, që shkëlqimin e njohu gjatë mesjetës së vonë, duke u shquar si një qendër e zhvillimit ekonomik dhe kulturor në rajon.

Fshati është gjithashtu popullor për klimën e freskët në sezonin e verës si dhe për oborret e shtëpive të stolisura me lule të shumëllojshme.

Turizmi nisi të zhvillohej rreth një dekadë e gjysmë më parë, kur rrugët dhe trotuaret u shtruan me kalldrëm, ndërsa banorët të ndihmuar edhe nga të afërmit emigrantë, nisën t’i transformojnë shtëpitë e tyre në bujtina.

“Zona jonë është e mbushur me kisha mesjetare, të gjitha monument kulture,” tha Thanas Saraj për BIRN. “Kjo na kushtoi shumë, pasi duheshin marrë leje pa fund,” tha ai, duke i referuar lejeve të ndërtimit.

Gjatë stinës së verës, akomodimi i grupeve të turistëve të huaj nuk është gjithmonë i thjeshtë, por vendasit janë të gatshëm për të ndihmuar.

Në qendër të fshatit, Aleksi – guidë e një grupi turistësh gjermanë po përballet me vështirësi për strehimin e tyre në një hotel të vetëm. Por menaxherët e bujtinave nisin komunikimin me njëri-tjetrin derisa gjejnë strehë edhe për turistin e fundit.

Sipas Petrika Nikollës, pronarit të një bujtine në qendër të Voskopojës, kjo ndodh jo vetëm për turistët e huaj, por edhe për ata vendas.

“Nuk jemi të organizuar në shoqatë, por edhe nuk mund t’i lemë turistët jashtë,” tha Nikolla.

Banorët e fshatit apo pronarët e bujtinave ankohen për mungesën e jetës kulturore apo të aktiviteteve të tjera me dobi për komunitetin dhe turistët.

Portat e shtëpive në Voskopojë qëndrojnë të hapura dhe turistët mund t’i viziojnë lirisht oborret e tyre. Foto: Gëzim Kabashi.

Lapidari në qendër të Voskopojës, që shërbente shpesh si podium për grupet e artistëve, është rrethuar tashmë me disa ngrehina që shërbejnë si qendër informacioni për vizitorët. Megjithatë, Anita Zguri mendon se ky ndryshim ‘nuk i vlen askujt’.

Gruaja tregon gjithashtu se një projekt për promovimin e qëndismave dhe tregtimin e suvenireve nuk gjeti mbështetjen e autoriteteve lokale.

blank
At Thomai tregon problemet në kishën e Shën Kollit. Foto: Gëzim Kabashi.

“Ishte një mënyrë shumë e mirë për të punësuar vajzat dhe gratë e fshatit, si dhe për t’u ofruar turistëve suvenire, kujtim nga vizita në Voskopojë,” shtoi ajo.

Shkëlqimi i venitur i Voskopojës për shkak të mungesës së jetës kulturore dhe e shërbimeve të tjera bëhet objekt diskutimi edhe në kafenenë e Kiços – një burrë i shkathët që u shërben vetë vizitorëve nga ora 7 e mëngjesit deri në mbrëmje vonë.

“Voskopojës i mungojnë plot shërbime, nga pastrimi kimik te parukeria, apo një supermarket,” thotë Aleksandra, e cila është kthyer këtë verë nga vendi fqinj ku jeton së bashku me familjen.

“Po si nuk vjen një grup artistik apo një orkestër për vallzim?” pyeti ajo, por etiketimi i Voskopojës si fshat tërhoqi vëmendjen e klientëve të tjerë të lokalit.

Një nga banorët e kundërshtoi gruan, ndërsa evokoi periudhën e artë të Voskopojës.

“Po fshat nuk mund t’i thonë de, pasi ka më shumë se 250 shtëpi, njëlloj si 300 vjet më parë, kur na kish zili bota,” përfundoi ai.

blank
Portat e shtëpive në Voskopojë qëndrojnë të hapura dhe turistët mund t’i viziojnë lirisht oborret e tyre. Foto: Gëzim Kabashi.

BIRN

blank

Ish-diplomati britanik: Gjithçka të çon në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë

Timothy Less, një ish-diplomat britanik në Bosnjë e Hercegovinë ka deklaruar se “shqiptarët (në Kosovë) janë të shqetësuar për sigurinë e territorit të tyre dhe nuk duan t’ua japin një zonë autonome serbëve kur nuk janë të sigurt se do të jenë në gjendje ta mbajë pjesën tjetër”.

“Në mungesë të ndonjë shansi njohjeje nga Serbia, e vetmja mundësi reale për Kosovën për t’i dhënë fund gjendjes së saj të paqartë është bashkimi me Shqipërinë. Këtë e duan edhe shumica e shqiptarëve të Kosovës, pasi Kosova është një krijesë artificiale, një vend që i mungon kombi”, citon gazeta Danas të ketë thënë Less.

Siç vlerësoi udhëheqësi i projektit “Studimet e Shpërbërjes” të Qendrës për Gjeopolitikë dhe Strategji në Universitetin e Cambridgeit, në terma afatgjatë, një Shqipëri e madhe është “pothuajse e pashmangshme”, përcjell Gazeta Express.

Ai deklaroi se nuk sheh ndonjë perspektivë të menjëhershme që Kosova apo Shqipëria ta shtyjnë këtë qëllim përtej nivelit të retorikës “për shkak të vetos ndërkombëtare dhe gjesteve të herëpashershme simbolike”.

“Në realitet, supozoj se ata do të presin, ashtu siç presin të tjerët në rajon, një ndryshim të rrethanave gjeopolitike dhe ardhjen e një kohe kur fuqitë e mëdha do të bien dakord për një riorganizim të gjerë të Ballkanit”, tha Less.

blank

Sytë e botës janë kthyer në takimin kritik Erdogan, Zelensky dhe Antonio Guterres në Ukrainë

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara do të takohen sot në Ukrainë.

Gjatë takimit do të diskutohen hapat që mund të ndërmerren për rritjen e aktiviteteve të mekanizmit të krijuar për eksportin e grurit të Ukrainës në tregjet botërore dhe për t’i dhënë fund luftës Ukrainë-Rusi me mjete diplomatike, shkruan medie truke Haberler.

Në një deklaratë nga Presidenca turke, bëhet e ditur se presidenti Erdogan do të vizitojë Ukrainën të enjten më 18 gusht me ftesë të homologut të tij Volodymyr Zelenskyy.

“Presidenti ynë, z. Recep Tayyip Erdogan, do të bëjë një vizitë pune njëditore në Lviv më 18 gusht 2022, me ftesë të Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenski. Marrëdhëniet me Ukrainën do të vlerësohen në të gjitha aspektet.’ shkruhej në deklaratën e presidencës.

Takimi i tre liderëve do të mbahet në Lviv. syri.net

blank

Takimi i tretë i Kurtit dhe Vuçiçit në Bruksel, çfarë do të diskutohet?

Takimi i 18 gushtit shënon herën e tretë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq negociojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë vitin e kaluar, por pa ndonjë rezultat konkret. Takimin e së enjtes e ka kërkuar kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, më 31 korrik.

Pse tensione?

Serbët lokalë vendosën barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe, shkruan Radio Evropa e Lirë. Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për lëvizje të lirë prej vitit 2011. Serbia e ka zbatuar atë menjëherë.

Kosova e ka zbatuar më 1 gusht – për pak orë – pikën për dokumentin për hyrje/dalje dhe e ka shtyrë zbatimin e vendimit për 1 shtator, me qëllim të uljes së tensioneve në veri.

Ndërkohë serbët i kanë hequr barrikadat.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar po ashtu një shtyrje të tillë, ndonëse kanë thënë se Kosova ka të drejtë të zbatojë këto vendime.

Çfarë do të diskutohet më 18 gusht?

Më 17 gusht, Kurti dhe Vuçiq kanë zhvilluar takime ndarazi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe më vonë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, si dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kurti ka thënë para mediave se në takim me Lajçakun dhe Escobarin është diskutuar për “elemente të kornizës për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, si dhe për çështjet aktuale”.

“Pritet të trajtohen të gjitha marrëdhëniet bilaterale, me të gjitha vështirësitë dhe pengesat”, ka thënë ai duke iu referuar takimit të së enjtes.

Kurti ka insistuar që Kosova është për reciprocitet me Serbinë.

I pyetur nëse ka mundësi që Kosova të shtyjë sërish zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe, kryeministri Kurti, ka thënë se “ne po diskutojmë për zgjidhje, jo për shtyrje”.

“Nuk është se e kemi bërë shtyrjen që të bëjmë edhe shtyrje tjera. Shtyrja është bërë më 31 korrik për datën 1 shtator, dhe me atë rast kemi dëshmuar – me datën 1 gusht – se nuk konfiskojmë dokumente, siç ka qenë fushata e dezinformimit. Në anën tjetër, është e mundshme që më 1 shtator nuk do të lëshojmë dokumente, sepse edhe Serbia do të heqë dorë prej lëshimit të dokumenteve në vendkalimet kufitare me Kosovën. Ne dëshirojmë marrëdhënie reciproke”.

Lajçak ka thënë se dëshiron që në takimin e 18 gushtit të ketë marrëveshje, por nuk e ka specifikuar se për çka.

Ai ka thënë se përmes dialogut dëshiron që më 1 shtator të shmanget situata e tensionuar e 31 korrikut.

Pas takimeve me dy zyrtarët, Vuçiq ka thënë se ka rikonfirmuar “vendosmërinë e Serbisë për të bërë gjithçka që të ruajë paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin, si dhe të arrijë zgjidhje kompromisi përmes dialogut, pa presion dhe ultimatume”.

Në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian është bërë e ditur se takimi do të nisë të enjten në orën 10:30 dhe do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njoftimit, gjatë takimit do të trajtohen çështjet aktuale dhe do të synohet zbutja e tensioneve mes palëve.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borrell, do të zhvillojë po ashtu takime të veçanta me secilin lider.

Presidenti serb, Vuçiq, ka deklaruar disa herë para mediave se do të kërkojë që të diskutohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Escobar ka thënë më 17 gusht se në takim me Kurtin është diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, Asociacioni duhet të formohet në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës.

“Ne mendojmë se brenda Evropës ekzistojnë mjaft modele që mund të përdoren për të gjetur një zgjidhje stabile dhe produktive për të gjitha palët e përfshira”.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë Marrëveshjet e arritura për çështjen e Asociacionit.

Por, Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Si janë komentuar tensionet në veri?

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të mërkurën se i takon Beogradit dhe Prishtinës që të shmangin përshkallëzimin e situatës dhe se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është duke vëzhguar situatën dhe është i gatshëm të intervenojë në rast të destabilizimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 8 gusht se ka pasur rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur”, për shkak të frikës së injektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd”.

Në këto dy qytete janë zhvilluar takime mes zyrtarëve shtetërorë të Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës në ditën e barrikadave në veri.

Presidenti serb, Vuçiq, ka thënë se ka informacione për plane të Kosovës që të “likuidojë” serbët në veri.

Vuçiq, skeptik se takimi me Kurtin do të prodhojë ndonjë rezultat

Çfarë pret BE-ja?

Kryediplomati Borrell i ka ftuar liderët e dy shteteve në takim, ndonëse muaj më parë ka thënë se nuk do ta bëjë një gjë të tillë, derisa të vërejë që negociatorët kanë vullnet për ta çuar përpara këtë proces.

Zëdhënësi i Bashkimi Evropian, Peter Stano, ka thënë se blloku evropian nuk u imponon zgjidhje partnerëve, teksa ka folur për rolin e BE-së në zgjidhjen e mospajtimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, BE-ja ndihmon vetëm në arritjen e një kompromisi.

“Shumë çështje që po shkaktojnë irritim në marrëdhëniet në mes të Beogradit dhe Prishtinës trajtohen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Për këtë quhet dialog i ndërmjetësuar, jo i detyrueshëm. Ne mund të ndërmjetësojnë për aq sa ekziston gatishmëria nga të dyja palët për të gjetur zgjidhje kompromisi”.

Edhe pse dialogu i nivelit të lartë është bllokuar tash e një kohë, ekipet negociatore të të dyja vendeve janë takuar disa herë në Bruksel.

Ekipin e Kosovës e udhëheq zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa atë të Serbisë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.

Këto ekipe kanë arritur pajtueshmëri në muajin qershor për zbatim të marrëveshjes për energjinë.

Megjithatë BE-ja e ka pranuar se implementimi është duke u vonuar.

Pesë vjet bllokadë

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur 11 vjet më parë.

Deri më tani janë arritur më shumë se 20 marrëveshje në fushat si ajo e energjisë, telekomunikacionit, drejtësisë, doganave, lirisë së lëvizjes, por jo të gjitha janë zbatuar.rel

blank

LAMTUMIRË BERTI KADIU, DJALOSHI I PLUKUT! – Nga Eugjen Merlika

“Doje dritë o Qiell, more dritën time
Dhe më mbushe jetën plot me hidhërime…”
Z. ÇAJUPI

 

Një miku im i hershëm më dha lajmin, të hidhur si pelini, se ti kishe ndërruar jetë papritmas. Ishte një nga ata lajme që të ngurtësojnë, të venë në mendime e të bëjnë t’a shohësh në ngjyrë gri edhe një ditë të bukur pranvere. Zemra jote kish pushuar së rrahuri e shpirti ish ngjitur në hapësirat e pafundme, atje ku ka vetëm jetë, jetë të pasosur…
Largimi yt është shumë i dhimshëm për fëmijët ende të vegjël, për gruan e re, për Niken, për Dianën e për prindërit e tu, të provuar aq shumë nga jeta, por edhe për gjithë shokët, miqtë e dashamirët që një kohë, aq shumë e dëshëruar, i shpërndau si zogjtë e klloçkës në të katër anët e Vëndit tonë e të botës. Përballë dhimbjesh të tilla lotët shterrin e fjalët nuk kanë fuqinë e duhur ngushulluese. Por jeta vazhdon e ngushullimin e vetëm e gjejmë në mendimin se, përtej atij çasti të pashmangshëm për asnjë frymor në këtë rruzull, gjejmë një tjetër botë, në të cilën mjerimet e ligësitë e botës sonë janë të panjohura.
Ti ishe një burrë në lulen e moshës, një baba, një bashkëshort, një bir që kishte mbi supe një familje mbi të cilën gjëma është e rëndë si plumbi. Për mua ti ishe një fëmijë, një djalosh, të cilit nuk i kishte dirsur ende mustaqja. Gjatë këtyre ditëve un kam biseduar me atë djalosh, që e kam njohur që fëmijë në një qendër banimi mes fushave të Myzeqesë, që quhej Pluk. Ishte vëndi që na kishte caktuar pusht-shteti për banim, vëndi ku rrodhën ditët tona nën peshën e ankthit të së nesërmes, nën tmerrin që sillte e përhapte së bashku me pluhurin e rrugës një maqinë Gaz me targë LU 6701, me ndonjë mustakoç brënda që paguhej vetëm për të mbjellë zi e për të organizuar arrestimin e ndonjerit prej nesh “në emër të popullit”.
Në atë atmosferë terrori u rrite edhe ti, duke mbajtur që në lindje etiketën e “armikut të popullit”. Do t’a ndjenin më shumë peshën e asaj shprehjeje sytë e tu të përlotur në një mbrëmje ogurzezë, kur partia kobzezë komuniste tregonte kthetrat, duke tmerruar njerëzit nëpërmjet një gjyqi të shpifur ndaj babait tënd të ndershëm. Do t’a ndjenje edhe më shumë kur në vend të librave të shkollës e mundësisë për të studjuar t’u dha një lopatë për të gërmuar dhè në arat e Plukut.
Çuditërisht, duke kapërcyer kohë e hapësirë, ti vjen në kujtesën time pa buzëqeshje, me një fytyrë të menduar, me sy që mundoheshin të depërtonin në një tjetër realitet të padukshëm, të pakapshëm….Ajo fytyrë e menduar nuk i përshtatej moshës së lodrave, ajo tregonte ritme jete të tjera që përpinin kohët. Ndoshta në mprehtësinë e thellësinë e shikimit tënd fshihej një e ardhme, për të cilën as që mund të ëndërrohej… Të sjell nëpër mend si fëmijë që shkonte në shkollën pranë shtëpisë ku banonja, më vonë me librat në dorë duke shkuar në gjimnaz, të kujtoj të heshtur në shtëpinë tënde bujare kur vinja të shihnja ndeshjet e futbollit në televizor.
Më pas u ndamë mbasi mua më përpiu rryma e terrorit, duke më çuar në burgje e internime larg Plukut. Kështu kaluan shumë vite, në të cilat ti u rrite e u burrërove. Pastaj koha bëri mrekullitë e saj e jeta të çoi atje, në Vendin e ëndërruar ku, ndoshta, mendimi yt fluturonte që kur ishe fëmijë. Zërin tënd prej burri e kam ende në vesh kur më ngushullove për vdekjen e prindërve të mij. Të faleminderit Berti.
Tani e tutje zërin tënd nuk do t’a dëgjoj më, por kujtimin tënd të djaloshit të Plukut do t’a mbaj gjithmonë në mëndje e në zemër. Ti e mbylle rrethin tënd shumë i ri, por ky ishte fati yt e me të nuk mund të luftohet. Ti u largove fitimtar nga kjo jetë, mbasi nuk u munde. Nuk u munde nga e keqja që të rrethoi në fëmijërinë e në rininë tënde të parë, mbete i ndershëm e jetove me dinjitet. Nuk u munde edhe nga beteja e mëpasme me jetën e vështirësitë e saj në një Vënd të madh e të lirë, por gjithmonë një Vend i huaj. Në atë Vend ti çove përpara një familje e nxore në jetë tre djem. Kjo ishte fitorja jote, ky është triumfi yt mbi vdekjen që të ndau prej tyre padrejtësisht. Ata do të rriten me kujtimin tënd në zemër e me krenarinë se babai u la një emër të nderuar. Ata do të të ringjallin ty para prindërve e të dashurve, do t’i japin sodisfaksion e stimul jetës së nënës së tyre, do të realizojnë në jetë atë që fati nuk t’a lejoi ty t’a sendërtonje. Lus Zotin, në dritën e të cilit shpirti yt i pastër sot prehet, t’u lehtësojë dhimbjen të dashurve të tu, pranë të cilëve jam me gjithë shpirt në këta çaste hidhërimi të pashoq e zbrazësire të llahtarëshme.
U luta për ty edhe njerëzit e tu në një kishë të qytetit ku banoj. Ndeza një qiri para figurës së Shën Anoit, të cilit i jam shumë besimtar, e të kujtova gjatë në meditimet e mija.
Lamtumirë Berti, lamtumirë djalosh i dashur, u prehsh në paqe e të qoftë i lehtë dheu që ka strehuar trupin tënd, lamtumirë!
Maj 2006

Marrë nga vëllimi : “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA-1 Tiranë 2011

blank

KINA DOBËSOHET PIKËRISHT KUR BIDENI IMPORTON RECETËN E SAJ EKONOMIKE – Nga FEDERICO RAMPINI – Përktheu Eugjen Merlika

 

Ekonomia kineze është në vështirësi, pikërisht kur Joe Biden “kopjon” recetën duke shkërbyer politikat industriale të Xi Jinping-ut. Të dhënat e sotme zbulojnë një ngadalësim të mirëfilltë të rritjes kineze në të gjithë sektorët: konsumet, investimet, prodhimi industrial, tregu I ndërtimeve të banesave. Papunësia rinore ka arritur një nivel maksimal prej 20 %. Frenimi ka shtyrë bankën qëndrore të Pekinit të shkurtojë përqindjet e interesit, në kundërprirje me atë që ndodh në Perëndim, ku autoritetet monedhtare e shtojnë vlerën e parasë për të luftuar inflaksionin. Por këto prerje të përqindjeve kineze dhe krijimi i një fondi monedhëtar prej 60 miliard dollarësh, rrezikojnë të jenë të pamjaftueshëm për të shëruar pasigurinë që ligështon ekonominë e dytë botërore. Shkaku i parë është zgjatja e shtrëngesave të lidhura me politikën shëndetësore “zero covid”, nga e cila Xi Jinping-u deri tani nuk ka dashur të shkëputet.
Ngadalësimi i rritjes kineze ka një ndikim të menjëhershëm mbi tregjet e lëndëve të para: nafta është ulur 5 % duke u kthyer në nivelet e mesit të shkurtit, para mësyemjes ruse n’Ukrainë. Kina është konsumuesja dhe importuesja më e madhe botërore e energjive fosile dhe pothuaj të gjitha lëndëve të tjera të para. Në dritën e të dhënave të fundit shumë përimtues i shohin në ulje parashikimet e rritjes së PPI në fund të vitit, duke i tkurrur në 3 %. Synimi zyrtar i qeverisë së Pekinit mbetet 5,5 % dhe Xi Jinping-u për arsye prestigji dëshëron që ecuria e PPI kinez t’a tejklojë atë amerikan, së paku në terma përqindësore (tejkalimi në madhësi absolute vazhdon të shtyhet). Por Xi nuk duket i gatshëm të verë në veprim manevra të harxhit publik të krahasueshme me ato që Pekini ushtroi për të dalë nga kriza e vitit 2008. Peshojnë ende bulat spekullative të grumbulluara që atëherë në sistemin financiar të tregut të ndërtimeve kineze të banesave, por edhe frika e rizgjimit të inflaksionit që, nga ana e tij, do të mund të shpërthente tensione shoqërore.
Një njohës i thellë i realitetit kinez, ish kryeministri australian Kevin Ruud, që sot drejton qëndrën e studimeve njujorkeze Asia Society, pohon se në qëndër të ngadalësimeve kineze është kthimi i socializmit. Në veçanti që nga viti 2017, Xi ka detyruar një kthesë majtas të politikës së tij ekonomike: degët e partisë komuniste kanë rifituar rolin e mbarështuesit në shumë ndërmarrje dhe disa grupe private kanë qënë të shtërnguar të pranojnë ndërmarrje të Shtetit në shoqërinë aksionere. Ky kthim në parësinë e partisë komuniste e të Shtetit është një mbrapakthim në krahasim me epokën “rishliberiste” të Ten Hsiao Pinit. Vështirësitë e rritjes kineze janë të paracaktuara të ushqejnë polemika mbi politikën ekonomike të Biden-it në Shtetet e Bashkuara. Në fakt manevrat e fundit legjislative të miratuara nga kongresi i Washintonit me shtytjen e Shtëpisë së Bardhë, hyjnë në orvajtjen për të “kopjuar Kinën, për t’a mundur në terrenin e saj”, që kisha përimtuar një vit më parë në syzimin tim “Të ndalohet Pekini”. Me këtë Administratë demokratike, ka edhe në Shtetet e Bashkuara një kthim të dorës publike n’ekonomi, edhe se në një kontekst mjaft të ndryshëm nga ai kinez. Manevra për financimet e ndihmat, ashtu sikurse Green Deal që do t’i japë financime dhe lehtsira energjive të përtëritëshme, janë pjesë e një kundërveprimi të humbjes së parësisë teknologjike amerikane në disa sektorë strategjikë. Biden-i, i mbështetur nga një rrymë e fuqishme mendimi në brëndësi të partisë së tij, është i bindur se, për të kundërshtuar ecjen përpara të Kinës duhen përdorur pjesërisht vetë metodat e saj, pra të bëhet një politikë industriale që të ndihmojë kampionët kombëtarë me mbështetjen e Shtetit. Që në vitin e shkuar, tërësia e “shpenzimeve tatimore” në dobi të industrisë private në Shtetet e Bashkuara ka arritur në 1400 miliardë, dhe manevrat e fundit të Biden-it do t’u shtojnë 350 miliardë.
Nga krahu liberist i partisë republikane fillon të dëgjohet një kritikë: nëse drejtueshmëria e Xi-së ka dështuar në Kinë, përse ta kopjojmë? Kundërshtarët e politikës industriale pohojnë se Amerika qe viktimë e një lajthitjeje të tillë në vitet Tetëdhjetë, kur “rreziku i verdhë” ishte Japonia, e një pjesë e elitës politike amerikane besoi se belegu i shumëkombëshmeve japoneze ishte rezultati i planifikimit qeveritar të Tokios. Më 1989 Dielli në Ngjitje hyri në një krizë të gjatë dhe shëmbëlltyrës japoneze i kaloi moda.

“Corriere della Sera”, 15 gusht 2022 Përktheu Eugjen Merlika

blank

Phillips: Nëse Serbia s’është e gatshme ta njohë Kosovën, marrëveshjet e vogla janë humbje kohe

Eksperti amerikan dhe njohësi i procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, David Phillips, në një përgjigje për Zërin e Amerikës ka thënë se në rast se Serbia nuk është e gatshme të pranojë Republikën e Kosovës si shtet, atëherë është humbje kohe marrja me marrëveshje të vogla.

Phillips ka thënë se procesi është qesharak, meqë qysh në fillim të negociatave nuk janë përcaktuar synimet, e të cilat sipas amerikanit duhet të jenë njohja reciproke dhe sovraniteti për Kosovën dhe Serbinë.

“Ky proces është qesharak. Që në fillim nuk janë përcaktuar se cilat janë qëllimet e dialogut. Qëllim i qartë duhet të jetë njohja reciproke dhe sovraniteti për Kosovën dhe Serbinë. Nëse Serbia nuk është e përgatitur ta pranojë këtë, është humbje kohe të gërmojmë skajet e marrëveshjeve të vogla”, tha për Zërin e Amerikës, eksperti amerikan, David Phillips.

Eksperti amerikan ka thënë se edhe në takimin e 18 gushtit, qasja e Serbisë ndaj Kosovës do të jetë e njejtë.

“Serbia asnjëherë nuk ka shkuar në Bruksel me vullnet të mirë, apo me dëshirë për të arritur ndonjë rezultat të vërtetë. Sigurisht që dialogu është i rëndësishëm dhe palët duhet të qëndrojnë në kontakt me njëra-tjetrën. Por, nuk ka arsye të mendohet se qasja e Serbisë kësaj radhe do të jetë ndryshe nga ajo që ishte në të kaluarën kur ajo shfaqet dhe përpiqet të turpërojë dhe tallet me delegacionin e Kosovës. Më 18 gusht do të shohim një përsëritje të asaj që e kemi parë më parë”, ka thënë tutje Phillips./VOA/./Express/

blank

Ballkani i Hapur, 3 qëndrime në 3 minuta nga presidenti Bajram Begaj

Momenti kur duhej t’i përgjigjej për Ballkanin e Hapur gazetarit të RTK-së, Bashkim Vishaj ishte edhe më i sikletshmi për presidentin Bajram Begaj, gjatë intervistës në përfundim të vizitës në Kosovë.

Në përgjigje lexohej përpjekja për të evituar konfliktin me kryeministrin Edi Rama, po aq sa edhe dëshira e mirë për të mos krijuar pakënaqësi të tjera tek politikanët e Kosovës. Prandaj Begaj u sorollat me pak mundim për të gjetur fjalët e duhura dhe si përfundim, doli me 3 qëndrime të ndryshme brenda 3 minutave, (nga min 15:00 deri në min 18:00) kur foli për Ballkanin e Hapur.

1) Siç kanë thënë dhe amerikanët…

Në 8 Qershor të këtij viti i dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar tha se e mbështet Ballkanin e Hapur si një projekt ekonomik, jo politik. Ai gjithnjë ka theksuar se nisma nuk mund të jetë e plotë pa gjithëpërfshirjen e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, pra Kosovën, Bosnje Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Pak a shumë te ky qëndrim u strehua presidenti i ri Bajram Begaj kur u përgjigj në fillim:

“Ballkani i Hapur nëse do të jetë një iniciativë, i cili do të mbetet siç është përmendur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në planin gjithëpërfshirës, me të drejtën sovrane të çdo vendi, me pjesëmarrjen e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, me interesa qartësisht ekonomike, që do të bëjë të mundur shkëmbimin e lirë të mallrave dhe kalimin e lirë të njerëzve dhe do të bëjë heqjen e disa burokracive, them se duhet të përfitojmë të gjithë. Nëse përfitojnë të gjitha vendet është shumë e duhur. E di që Kosova dhe Shqipëria kanë qëndrime të kundërta për të por kjo sjell diversitetin dhe zhvillimin”

2) Në anën e Kosovës

Por në përgjigjen e radhës, presidenti Begaj doli nga argumentat “amerikane”. Ai artikuloi një qëndrim që në përmbajtje qëndron kundër shtysës pasionante që i ka dhënë kryeministri Rama projektit të Ballkanit të Hapur.

Ka qenë Rama që e ka shtyrë para projektin në sinkron me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiçin, duke rënë dakort që me Kosovën, nuk bie dakort për këtë temë.

Krejt ndryshe u shfaq Bajram Begaj kur tha:

“Unë jam në atë që çdo iniciativë rajonale, kur ne jemi të gjithë bashkë dhe të gjithë shqiptarët janë bashkë them se duhet të përkrahet. Them se duhet pak kohë. Dhe duhet të marrim kohë. T’i diskutojmë gjërat hapur. Të konsultohemi me njëri-tjetrin dhe vendimmarrjet që duhet të marrim duhet të jenë të gjitha në interes kombëtar. Çfarë është e mirë për kombin shqiptar, ta vendosim bashkarisht, përpara se ta bisedojmë me të tjerët”

3) Mikpritje për Ballkanin e Hapur

Por i ngacmuar sërish nga gazetari i RTK-së, që kërkoi një përgjigje më të drjtpërdrejtë, Begaj tha se nisma e Ballkanit të Hapur për të është “e mirëpritur”. Ai iu referua si një nismë që kishte në thelb përfitime ekonomike për popullin shqiptar.

Nuk kishin kaluar as tre minuta nga përgjigjet e mësipërme dhe Begaj e mbylli këtë temë duke thënë:

“Çdo iniciativë rajonale, e cila ka në thelbin e vet përfitime ekonomike dhe direkte të mirëqënies së njerëzve apo të popullit të Kosovës apo të Shqipërisë, unë them se është e mirëpritur”.

Nuk ka nevojë për shumë vëmëndje për të dalluar kakofoninë që përcjell presidenti në vetëm tre minuta nga intervista. Është e qartë se Begaj nuk e ka të formësuar një qëndrim të vetin për projektin e Ballkanit të Hapur. As nuk ka ndonjë shqetësim mbi komplikimet ku e fut marrëdhënien Shqipëri-Kosovë nisma Rama-Vuçiç.

Meqënëse vjen nga jashtë politikës, ai bëhet për herë të parë pjesë e debatit. Për pasojë, shqetësim parësor i presidentit është të ruajë një marrëdhënie të mirë, pa andralla me të gjithë faktorët, që janë përfshirë në përplasje për Ballkanin e Hapur./Lapsi.al

blank

Ambasadori Hill me një mesazh para takimit Kurti-Vuçiq: Kërkohen koncesione nga të dyja palët

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, ka folur për dialogun Kosovë-Serbi dhe takimin e radhës Kurti-Vuçiq që pritet të mbahet më 18 gusht. Hill, që ka përvojë të madhe në politikën e Ballkanit Perëndimor, ka thënë se duhet të ketë propozime të qarta dhe se duhet koncesione nga të dyja palët që të arrihen zgjidhjet.

Lidhur me deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se “Prishtina po planifikon likuidimin e serbëve në veri të Kosovës”, Hill theksoi se dëshiron që “Beogradi dhe Prishtina të fokusohen në bisedime”.

“Përdorimi i mesazheve publike është i qartë për mua, por është e rëndësishme që ato të fokusohen në propozime shumë specifike, në frymën e koncesioneve dhe kompromiseve”, deklaroi Hill.

Ai vuri në dukje se ky është një moment serioz në dialog dhe prandaj është e rëndësishme që të dyja palët të përpiqen të bëjnë përparim.

“Kemi një situatë shumë të vështirë në Ukrainë, pushtimin e një vendi fqinj nga Rusia me brutalitet që nuk është parë prej dekadash”, vlerësoi Hill dhe theksoi se në atë situatë BE dhe SHBA bashkëpunojnë shumë ngushtë.

“Shpresoj që Kosova dhe Serbia ta kuptojnë këtë dhe se të dyja palët nuk mund të luajnë kundër njëra-tjetrës për të përfituar. Problemet që ndajnë Prishtinën dhe Beogradin janë të njohura. Zgjidhjet janë ofruar dhe fokusi duhet të jetë në to, në vend të deklaratave publike”, shtoi Hill për median serbe FoNet.

Hill ka dhënë shumë dekalrata lidhur me dialogun gjatë ditëve të fundit, ku njëra prej tyre ishte edhe ajo e përfshirjes së temës së Asociacionit të Komunave Serbe në dialog. Ai tha se ka shumë modele në Europë në të cilat mund ta bazohet Asociacioni.Express

blank

Berlusconi përgatit rikthimin: Italia ka nevojë për mua – Nga Hannah Roberts

Si manjat pronash të patundshme, i medias dhe tri herë kryeministër i Italisë, karriera e Silvio Berlusconit tashmë i ka kaluar tri dekada.

Në vitet e fundit, megjithatë, profili i tij ka qenë shumë më i ulët. Për shkaqe sëmundjesh, shpesh është shfaqur në aktivitete partie vetëm në lidhje video, ndërkohë që iu ndaluan funksionet publike në Itali pas dënimit për mashtrim me taksat.

E megjithatë, në moshën 85 vjeç, kur shumica e bashkëmoshatarëve do të rehatonin këmbët e lodhura, ish-kryeministri ka vendosur të marrë pjesë në zgjedhje. “Në këtë mënyrë të gjithë do të ishin të lumtur”, tha për Radio RAI, me atë vetëbesimin e pakrahasueshëm.

Nëse nuk ndodh ndonjë mrekulli, zgjedhjet e 25 shtatorit me shumë gjasa do të nxjerrin triumfues koalicionin e krahut të djathtë, me Berlusconin si ‘kingmaker’ (person influencues në caktimin e kandidatëve), çka do t’i jepte ndikim të madh për pesë vitet e ardhshme.

Rikthimi është rezultat i ndjenjës së detyrës, tha ai për POLITICO, në përgjigjet me shkrim për pyetjet e bëra. Sipas tij, Italia ka nevojë për vlerat që vetëm partia e tij i përfaqëson për rilindjen e ekonomisë. “Prindërit më kanë mësuar që kur ta ndjej fuqishëm brenda meje ndjenjën e detyrës për të bërë diçka, atëherë duhet të gjej kurajën për ta bërë”.

Pavarësisht dominimit të politikës dhe medias italiane për dy dekada, jo shumë kohë më parë u duk se karriera politike e Berlusconit kishte marrë fund.

Imazhi i tij u njollos nga i ashtuquajturi skandali bunga bunga, për orgjitë në vilën luksoze jashtë Milanos. Më 2011, kriza e borxhit kombëtar e detyroi t’ia linte pushtetin teknokratit Mario Monti. Ai u përball me procese të shumtë para se të dëbohej nga Senati pas dënimit për evazion taksash më 2013.

Por vala e papritur e populizmit nacionalist gjatë dekadës së fundit solli një mundësi që Berlusconi të krijonte reputacionin si i moderuar i përgjegjshëm pro-BE. Ai u zgjodh në Parlamentin Evropian më 2019, ndonëse rrallë ka marrë pjesë në votime. Vitin e kaluar, rehabilitimi i tij u duk i plotë kur u bashkua me koalicionin e madhe të udhëhequr nga ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi.

Pastaj, muajin e kaluar, me sa duket duke nuhatur një ndryshim në erërat politike, ai u bashkua me partnerët e tjerë në koalicion duke tërhequr përkrahjen për qeverinë e Draghit e duke detyruar zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, për të cilat e djathta duket se është në rrugën e duhur për t’i fituar. Tre ministra të tij dhanë dorëheqjen nga partia e tij, Forza Italia, duke thënë se ai ishte “i papërgjegjshëm” dhe vinte interesat partiakë para atyre të vendit.

Berlusconi nuk pranoi asnjë faj për rrëzimin e qeverisë, duke deklaruar: “Do të kishim preferuar që qeveria e Draghit të kishte vazhduar deri në përfundimin natyral të legjislaturës, me zgjedhjet më 2023… Kjo nuk ishte e mundur për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të 5 Stelle dhe lojërave me dy porta të Demokratëve. Prandaj nuk pati zgjidhje tjetër përveçse kthimit mbrapsht të votës te populli”.

Megjithatë, nuk janë vetëm votuesit italianë që e djathta duhet të bindë, por edhe tregjet financiare ndërkombëtare, agjencitë vlerësuese, qeveritë dhe institucionet evropiane, të cilët druhen se qeveria më e djathtë në historinë e pasluftës në Itali mund të paraqesë rrezik për demokracinë dhe aleancat e Italisë në BE dhe NATO.

Nëse institucionet ndërkombëtare nuk janë të bindura se Italia plot borxhe do të jetë në duar të sigurta, kostoja e huave do të shkojë në qiell dhe hapësira e qeverisë për manovrime do të zvogëlohet shumë.

Kthesa 180-gradëshe për Putin

Ndër arsyet për këto shqetësime kanë qenë marrëdhëniet e ngrohta nga disa në aleancë me parti të ekstremit të djathtë në disa vende, si Vox në Spanjë, dhe me autoritarë si kryeministri hungarez Viktor Orbán dhe president rus Vladimir Putin.

Lega nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi më 2017 me Rusinë e Bashkuar, partia që përkrah Putinin, dhe Salvini tentoi një mision paqeje të paguar nga ambasada ruse në fillim të këtij viti. Berlusconi ka pasur miqësi të gjatë me Putinin, edhe pushime në daçën e tij dhe gjatë këtij muaji u detyrua të përgënjeshtronte artikujt se ka folur me ambasadorin rus në Romë dhe se përkrah pozitën e Rusisë.

Deri tani, ai ka qenë i heshtur për inavazionin rus në Ukrainë. Por në komentet e tij për POLITICO, Berlusconi e dënoi pa asnjë mëdyshje ish-mikun e tij: “Sulmi i Rusisë në Ukrainë ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe ka sjellë një luftë të dhimbshme në zemër të Evropës”.

Duke parë pas në periudhën si kryeministër, Berlusconi deklaron se ka punuar për të përmirësuar marrëdhëniet midis Rusisë e Perëndimit. Marrëveshja NATO-Rusi më 2002 në Romë “mund të kishte nisur një erë në të cilën Rusia do të ishte partnere dhe bashkëbiseduese e besuar”. Ai tha se është “thellësisht i zhgënjyer” nga Putin.

Berlusconi mohoi që ndonjë nga partitë në aleancën e djathtë të ishte ekstremiste, duke thënë se koalicioni është i qendrës së djathtë dhe se “nuk ka të bëjë aspak me lëvizjet ekstremiste në vendet e tjera”.

“Ne jemi pro-Evropë, pro-Perëndim, pro-NATO, me demokracinë liberale si pikë referimi”, thotë Berlusconi, duke shtuar se nuk do të merrte pjesë në asnjë qeveri nëse nuk do të ishte absolutisht i sigurt për “korrektesën demokratike, ndjenjën e përgjegjësisë dhe besnikërinë karshi Evropës e Perëndimit”.

Sipas Berlusconit, është e majta e qendrës që duhet parë me dyshim, pasi në koalicion ka një parti ekstremit të majtë që votoi kundër hyrjes së Suedisë e Finlandës në NATO.

Pavarësisht profilit tashmë më të ulët, Berlusconi ende e ka aftësinë të shkaktojë tronditje. Javën e kaluar, gjatë diskutimit të një reforme të propozuar për sistemin presidencial, ai sugjeroi që Presidenti Sergio Mattarella do të duhej të jepte dorëheqjen nëse miratohej. Komenti u pa si sulm kundër Presidentit Mattarella, garantues i ‘checks and balances’ dhe politikani më popullor në Itali. Kundërshtarët e akuzuan Berlusconin se po komplotonte për të çmontuar sistemin demokratik të Italisë dhe se ai e donte rolin për vete. Berlusconi ka mohuar çdo dëshirë për t’u bërë president.

Ai mund të aspirojë për rolin e dytë më të lartë institucional në Itali, President i Senatit, por do të ishte një zgjedhje shumë polemizuese dhe aleatët deri tani nuk kanë shfaqur përkrahje.

Por edhe pa një rol formal institucional, për sa kohë që merr vota që shpreson, Berlusconi do të ketë fuqi të madhe në qeverinë e ardhshme.

“Nëse merr 7 deri 8 për qind, siç pritet, kjo mund të bëjë dallim të madh midis një fitoreje të qartë për të djathtën dhe një rezultati të rrëmujshëm”, thotë Daniele Albertazzi, profesor i politikës në Universitetin e Surrey-t. “Ai do të ishte përcaktues për mbijetesën e koalicionit. Dhe të jeni të bindur që do t’i bëjë aleatët ta ndiejnë këtë”.

Ideologjikisht, ka një marrëveshje të gjerë midis aleancës së krahut të djathtë për një program elektoral që parashikon ulje taksash dhe kufizim imigracioni. Por Berlusconi mundet, nëse do, të vizatojë shumë vija të kuqe. Pozicioni qendror i Forza Italia-s do të thotë se është e vetmja nga partitë që teorikisht mund të kalojë në mbështetje të një qeverie teknike apo me prirje nga e majta, pa paguar një çmim të lartë me votuesit.

“Ai është thelbësor. Në qendër mund të luajë shumë lojëra”, thotë Albertazzi. “Do të mbetet i rëndësishëm edhe për pesë vitet e ardhshëm”.

Marrë nga Politico.eu-Përgatiti: SYRI.net

blank

Kosovë – Serbi: A mund të përshkallëzohet sërish konflikti në rajon?

Para takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel mediat serbe vazhdojnë t’i hedhin benzinë zjarrit në konfliktin për dokumentet e udhëtimit mes Kosovës e Serbisë. A mund të shkallëzohet sërish konflikti në rajon?

Nga Nemanja Rujevic

“Ai po përgatit masakra në Kosovë”, kështu e titulloi gazeta bulevardeske “Informer” një shkrim të sajin, me foto të kryeministrit kosovar Albin Kurti, Kurse sipas gazetës “Vecernje novosti” madje janë bërë gati edhe snajperë, që me gjasë do të eliminojnë politikanë drejtues të pakicës serbe në Kosovë. Si këto dy gazeta gati i gjithë shtypi i Beogradit nuhat luftën, pa pasur prova të qarta për këtë. Përjashtim përbëjnë vetëm pak media të pavarura, që nuk varen nga Vuçiqi.

Së fundmi tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u shkallëzuan pas vendimit të qeverisë së Kosovës të zbatojë rregullore të reja për udhëtarët me pasaportë serbe dhe automjetet me targa serbe. Sipas saj, serbët kur të hynin në Kosovë do të pajiseshin me dokumente provizore kosovare, dhe automjetet me targa serbe brenda një afati duhej të zëvendësoheshin me ato kosovare. Serbia e praktikon këtë prej vitesh për qytetarët kosovarë. Kryeministri Kurti kishte kohë që këmbëngulte për të ashtuquajturin “reciprocitet”, pra që për të dyja palët të vlejnë rreguKosovë: Shtyhet për një muaj vendimi për reciprocitet me Serbinëllore të njëjta.

Frika se Rusia mund të ndezë situatën

Vërtet që këto masa u tërhoqën brenda një kohe të shkurtër, por situata është shumë e tensionuar. Disa vëzhgues madje shohin edhe rrezikun e vërtetë të luftës në Ballkan. Një argument që dëgjohet, është se Rusia mund t’i përdorë këto tensione dhe të hapë një front tjetër përmes Serbisë tradicionalisht aleate, për të larguar vëmendjen nga lufta agresore në Ukrainë. Serbia është i vetmi vend kandidat i BE që nuk ka vendosur sanksione kundër Moskës. Ky vend e dënoi sulmin rus dhe në rezolutat e OKB votoi kundër Rusisë. Por presidenti Vuçiq që qeveris gati i vetëm prej 10 vitesh njihet për akrobacitë e tij politike mes Lindjes e Perëndimit.

Sa realiste është një luftë e re, aty ku në vitet 90-të u rrëzua përgjakshëm Jugosllavia? Do t’i hynte Serbia vërtet rrezikut të përballej sërish me NATO-n, që është prezente në Kosovë dhe Bosnje, kurse Mali i Zi dhe Kroaca fqinje janë anëtare të aleancës transatlantike?

Me gjasë gjithkund ka rrezik

“Elitat politike në këtë rajon nxjerrin përfitime nga nacionalizmi dhe prodhojnë për këtë tensione të llogaritura”, thotë Mladen Lisanin nga Instituti serb për Studime Politike (IPS). Asnjëra palë nuk ka interes për luftë, por lufta me zjarrin mund të dalë nga kontrolli në çdo moment, thotë politologu.

Vërtet në mediat serbe paralajmërohet rregullisht për rreziqet për serbet dhe serbët thjesht sepse janë serbë. Këto rreziqe përgjojnë në Kroaci, në Bosnje, Mal të Zi, por më së shumti në Kosovë.

Konflikti aktual për dokumentet e udhëtimit dhe targat është për qeverinë Kurti një masë që duhej marrë prej kohësh, për shumë serbë një provokim i padurueshëm. Në fillim të gushtit serbët reaguan me barrikada, kur filloi zbatimi i reciprocitetit. Ushtria serbe rriti gatishmërinë, edhe pala kosovare dërgoi njësi të posaçme të policisë, u dëgjuan edhe të shtëna armësh. Një raund i ri i vringëllimit të rmëve, që mund të përsëritet rishtazi. Pas pezullimit të përkohshëm qeveria Kurti kërkon t’i rivendosë masat në fillim të shtatorit.

Të enjten më 18 gusht kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq takohen në Bruksel më ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, por pritshmëritë nga ky takim nuk janë të mëdha. Edhe ndërmjetësimi i BE mes dy palëve ka sjellë shumë pak rezultate në vitet e fundit.

Marrëdhëniet e mira të Serbisë me NATO-n

“Kujtdo që i bie ndërmend të na sulmojë, ne do ta mbrojmë Serbinë, dhe që është më e rëndësishmja ne do të fitojmë”, tha Vuçiq së fundmi në një fjalim. Presidenti që qeveris gati pa kufizim thekson me dëshirë, se sa e fortë është bërë ushtria serbe, dhe se sa rol ka luajtur ai për këtë.

Zyrtarisht Serbia është neutrale nga ana ushtarake. Ushtria zhvillon në vitet e fundit manovra të rregullta me Rusinë, por edhe me shtetet e NATO-s. Në dy dekadat e fundit ushtria është ristrukturuar sipas modelit perëndimor dhe merr pjesë në iniciativën e NATO-s, “Partneritet për paqen”. Bashkëpunimi me NATO-n është i mirë. Më shumë se kaq nuk ka se ç’ kërkohet. “Anëtarësimi i Serbisë në NATO është komplet jo realist, shumica e popullit është kundër. Për elitat politike do ishte një rrezik i madh”, thotë Lisanin.

Sipas sondazheve, 80-90% e serbëve janë kundër anëtarësimit në NATO. Bombardimet e NATO-s në vitin 1999 nuk janë harruar nga shumë serbë, ato keqpërdoren shpesh nga mediat kryesore. “Politikanët serbë reagojnë me hipokrizi; përmes shtypit bulevardesk ata zhvillojnë një fushatë të pandalur kundër NATO-s, kurse në heshtje zgjerojnë bashkëpunimin me aleancën”, thotë Maja Bjelos nga Qendra e Beogradit për Sigurinë Politike”, BCBP. Megjithatë edhe në perëndim heshtet më shumë për bashkëpunimin e mirë me Serbinë.

Kosova dhe Serbia: Askush nuk do luftë

Bjelos nuk beson se mund të fillojë një luftë e re, ashtu si shumë ekspertë të tjerë. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor politikanët qeverisës simulojnë rregullisht kriza për t’i çaktivizuar po vetë dhe kështu paraqiten si “faktorë stabiliteti”. BE e mbështet këtë politikë të “stabilokracisë”, thotë Bjelos. Kritikët e akuzojnë  Brukselin se kujdeset më shumë për stabilitetin se sa për demokracinë në rajon.

“Për këtë arsye mund të priten tensione në rajon, por jo konflikte të armatosura”, thotë Bjelos. Reagimi i përbashkët politik, diplomatik dhe ushtarak i perëndimit ndaj pushtimit rus të Ukrainës, i tregon politikanëve të Ballkanit, se çfarë çmimi do të paguajnë ata, nëse do të shkaktojnë një gjë të tillë.”.DW


Send this to a friend