VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Agjensia Amerikane AP: Konflikt direkt me NATO-n nëse Serbia sulmon Kosovën!

By | May 13, 2019
2 Comments

Komentet

Austri, Kancelari Kurz thërret zgjedhjet e parakohëshme

Kancelari austriak Sebastian Kurz bëri thirrje për zgjedhje të parakohëshme pas dorëheqjes së zëvendës kancelarit, që i dha fund koalicionit të tij qeverisës.

Zëvendës kancelari i Austrisë Heinz-Christian Strache dha dorëheqjen të shtunën, pasi dy gazeta gjermane, “Der Spiegel” dhe “Sueddeutsche Zeitung”, publikuan pamje filmike ku ai shfaqej tek i ofronte kontrata shtetërore një investoreje të dyshuar ruse, gjatë një feste në Ibica të Spanjës.

Kancelari Kurz tha se nuk mundi të arrinte një marrëveshje me udhëheqësit e Partisë së Lirisë mbështetës të politikave kundër-emigracionit të zotit Strache, për të çuar përpara koalicionin me Partinë Popullore të qendrës së djathtë.

Ai tha gjithashtu se një koalicion i mundshëm me socialdemokratët nuk do ta lejonte qeverinë austriake të zbatonte politikat e saj për uljen e borxhit e të taksave.

Dorëheqja e Heinz-Christian Strache konsiderohet një goditje për forcat populiste e nacionaliste që janë pro politikave më të forta ndaj emigracionit në Evropë. Ajo vjen vetëm pak ditë para zgjedhjeve për Parlamentin Europian të parashikuara të mbahen në datat 23-26 maj në 28 vende të BE-së.

Heinz-Christian Strache njoftoi dorëheqjen të shtunën dhe nuk pranoi pyetje nga gazetarët. E përditshmja gjermane “Sueddeutsche Zeitung” dhe e përjavshmja “Der Spiegel” publikuan të premten pjesë nga një video e fshehtë që tregonte zotin Strache tek i ofronte kontrata të qeverisë austriake një shtetaseje ruse që pretendonte se ishte e interesuar të investonte sasi të mëdha parash në Austri. Politikani 49-vjeçar tha se kishte qenë nën efektin e fortë të pijeve alkoolike dhe ishte ”sjellë si një adoleshent” në një përpjekje siç tha ai, për “t’i bërë përshtypje organizatores tërheqëse” të festës në një vilë në Ibica.

Më herët të shtunën, disa mijëra protestues të opozitës bënë thirrje për zgjedhje të reja përpara zyrës së kancelarit Kurz në Vjenë./VOA

Vasfije Krasniqi-Goodman: Kot mundohen me mohime dhe me foto, një ditë drejtësia do të triumfojë

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka reaguar pas deklaratës së Flora Brovinës se fotografia e publikuar nga ajo nuk është vërtetuar mirë.

Krasniqi-Goodman tha se do të vazhdojë që të vërtetën e Kosovës ta përhap gjithandej.

“Kot mundohen me mohime, me foto apo me forma tjera sepse një ditë drejtësia do të triumfojë”, ka shkruar Krasniqi-Goodman në rrjetin social Facebook.

Ja postimi i plotë i saj:

Agjensia Amerikane AP: Konflikt direkt me NATO-n nëse Serbia sulmon Kosovën!

“Shfaqja e forcës dhe aleancës me Rusinë për shkak të Kosovës”

Agjencia amerikane AP raportoi të premten se Serbia po mbante një paradë ushtarake që shënonte Ditën e Fitores kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

AP shkruan se 4,000 forca të Ushtrisë serbe morën pjesë, së bashku me 300 automjete dhe 40 avionë, duke përfshirë dy helikopterë rusë të sulmeve me ekipet ruse, të cilat, sipas AP, tregojnë aleancën gjithnjë në rritje politike dhe ushtarake të Serbisë me Moskën.

Raporti më tej thekson se tensionet janë rritur në rajon, pasi “Serbia dhe Kosova” akuzojnë njëra-tjetrën për minimin e “përpjekjeve të pajtimit” pas luftës së viteve 1998-99 që përfundoi me “ndërhyrjen” e NATO-s.

Agjencia më tej kujton se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Raporti vlerëson se çdo “ndërhyrje ushtarake e Serbisë në Kosovë” do të shkaktonte “konflikt të drejtpërdrejtë me paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO të vendosur atje”.

Xhavit Haliti: Xhevdet Mazrekaj zgjedh ose po të vrasim ty ose redaktorët e tu Abdi Baleta, Skender Buçpapaj, Elida Buçpapaj, Teki Dervishi, Mero Baze etj

Botuesi dhe pronari i Bota Sot Xhevdet Mazrekaj bën me dije se si është kërcënuar nga Xhavit Haliti. Më poshtë po sjellim një prononcim të Xhevdet Mazrekajt bërë me rastin e Ditës të Shtypit:

“Në ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Medias, po e ndaj me ju një nga rastet, ku unë dhe punëtorët e gazetës “Bota sot” u kërcënuam me jetë.

Ishte viti 1999. Atë ditë isha në zyrën time, në redaksinë e gazetës kombëtare “Bota sot” në Cyrih. Ndërsa po qëndroja në zyrë, erdhi njëri prej gazetarëve dhe më tregoi se po më kërkonte Xhavit Haliti në telefon. I thash: Në rregull lidhe me zyrën time.

Xhavitin e njihja nja 5-6 vite më përpara dhe për këtë arsye pranova telefonatën. (Në një rast tjetër do të tregoj më hollësisht se si e kam njohur!)

Biseda filloi normalisht me përshëndetje. Me pas Xhaviti hyri direkt e në temë dhe më tha si vijon: Të kam thirrë me të kërku që ta marrësh një vendim!

Pastaj vazhdoi: E di se “Bota sot” është gazeta jote, prandaj edhe po të paralajmëroj para se të ndërmerret diçka ndaj jush, që të mos thoni nesër “nuk e kemi ditur”. Xhevdet, nëse është gazeta jote, atëherë duhet t`i largosh nga puna këta persona: Abdi Baleta, Skender Buçpapaj, Elida Buçpapaj, Teki Dervishi, Mero Baze etj! (Më duket se kanë qenë gjashtë veta që duhej t`i largoja nga puna sipas Halitit).

“Nëse i largon këta persona ne nuk do të kemi më problem me ty, por nëse jo, atëherë do të të vrasim ty. E nëse nuk është gazeta jote, atëherë të sugjeroj të dalësh ti nga “Bota sot” dhe ne do të kemi punë me ata tjerët, nëse nuk tërhiqen!”, vazhdoi ai.

Të ju them të drejtën, kërcënimi ishte shumë serioz dhe kjo vërehej nga toni i ashpër i zërit me të cilin më fliste Xhaviti.

Duke e njohur Xhavitin dhe bashkëpunëtorët e tij, e dija fort mirë se do të vepronin nëse nuk ndërmarr ndonjë hap konkret ndaj këtij kërcënimi.

Më kujtohet që i thash: Hajt baju, unë nuk merrem me juve!

Ndërsa, duke e ditur seriozitetin e kërcënimit, shkova në Policinë e Cyrihut dhe iu tregova për telefonatën, duke iu thënë se çështja është mjaft serioze.

Policia e mori me seriozitet denoncimin tim dhe prita aty derisa bëheshin hetimet.

Policia zbuloi shpejt burimin e telefonatës.

Kërcënuesit kishin shkuar në Gjermani për ta bërë thirrjen. Telefoni ishte i Zvicrës e thirrja ishte bërë prej Gjermanisë, për t`i ikur kontrollit policor.

Sipas informatave që i kam, afër Xhavit Halitit, kishte qenë edhe Hashim Thaçi duke e dëgjuar bisedën.

Ndërkohë, hetuesit e policisë më pyetën se a më thoshte diçka emri, Sabit Veseli, duke më sugjeruar se nëse e njihja këtë person ta mbaja për vete dhe të mos e përmendja emrin e tij me askënd për shkak se rasti ishte nën hetime.

Pra, telefoni i përkiste pikërisht personit në fjalë, Sabit Veselit. E ky ishte vëllai i Kadri Veselit, shefit të SHIK-ut. Sabit Veseli, vite më parë ndërroi jetë në rrethana misterioze i aksidentuar nga një kamion në mes të natës, diku në Mitrovicë, ndërsa kishte ardhur nga Zvicra për pushime në Kosovë.

Ai ka qenë një nga dëshmitarët kryesor të ngjarjeve të para gjatë dhe pasluftës.

Andaj, dyshoj se e ka eliminuar dikush nga krahu i tyre politik!

Policia më kishte njoftuar se ata që më kishin kërcënuar janë një grup mafioz këtu në Zvicër.

Pas këtij rasti, Xhavit Halitit i ishte ndaluar hyrja në Zvicër për disa vite!”

Deklarata bombë e Aleksandër Vuçiçit: Hashimi varet nga ne! Nuk na ka kërkuar kurrë që Serbia të njohë Kosovën bashkë me tri komunat!

VOAL – Radio serbe B92, duke përcjellë një lajm nga Tanjug sjell deklaratën bombë të Presidentit të Serbisë drejtuar Hashim Thaçit.

Aleksandër Vuçiç e nxjerr zbuluar Hashim Thaçin!

Presidenti i Serbisë ia tha këtë deklaratë  Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi gjatë takimit të përbashkët në samitin e Brdo-Brijunit të zhvilluar në Tiranë, Shqipëri. Voal.ch ju sjell thekse të kësaj deklarate.

Ja çfarë citon Tanjug t’i ketë thënë Vuçiç Hashim Thaçit:

“Ti Hashim varesh nga ne. Jam duke t’u lutur të flasësh, për të mos thënë atë që ti do apo atë që ti nuk do!”

Sipas të përditëshmes së Beogradit Blic, presidenti serb ka nënvizuar se “Vuçiç nuk ka folur kurrë për ndonjë model për Kosovën, por për arritjen e një marrëveshje”, duke komentuar kështu rreth tri komunave nga pjesa jugore e Serbisë qendrore, të quajtura Medvegjë, Preshevë dhe Bujanovc – (që sipas Thaçit – sqarim i voal.ch), do të aneksohen nga e ashtuquajtura Kosovë.”

“Mjaft e kam dëgjuar Hashimin se çfarë do dhe nuk do. Ti Hashim varesh nga ne. Gjërat nuk do të shkojnë në atë mënyrë. A do më lejoni mua t’ju them se çfarë nuk dua?”, citohet të ketë thënë Vuçiç.

Vuçiç përsëriti se ai nuk ka folur kurrë për zgjidhje por për arritjen e një marrëveshje: “Nëse ndodh shumë mirë, nëse jo, ne do ta vazhdojmë jetën.”

Vuçiç e këshilloi gjithashtu Hashim Thaçin të mos e përmendë Republika Sërbska (RS) – etnitetin serb në Bosnje-Hercegovinë.

“Unë e di, tha Vuçiç, se ti (Hashim – sqarim i voal.ch) e thua sepse Amerikanët nuk e duan RS. Unë të them ty se nuk do të lejoj një RS brenda Serbisë, dhe kjo është Kosova”, tha Vuçiç.

Vuçiç shtoi se ai ka përshkuar shumë zgjidhje të vështira dhe Prishtina të mos e harrojë këtë!

Vuçiç gjithashtu i përgënjshtroi njoftimet e Thaçit, se, sipas tij, “Hashim Thaçi i ka kërkuar Serbisë në të gjitha takimet që ata kanë patur që të njohë Kosovën së bashku me tri komunat e jugut të Serbisë.” “Më lejoni t’jua them tani, mos e çoni nëpër mend”, u tha Vuçiç gazetarëve.

Gravisti i shquar Avni Delvina: “Dashnorët e Ballkanit takohen ne Tirane”

Grafisti i shquar Avni Delvina, që përcjell me shumë vemendje aktualitetin politik në trevat shqiptare dhe rajon, sjell grafikën e rradhës titulluar:  “Dashnorët e Ballkanit takohen ne Tirane”, që e ka ndertuar me foton e fameshme te albumit te Beatles.

 

Reportazh nga Washington D.C. VIKTIMAT E LUFTES NE KOSOVE KERKOJNE DREJTESI NE KONGRESIN AMERIKAN NE UASHINGTON Nga Rafaela PRIFTI

– Pasqyrim i zgjeruar i Seancës Dëgjimore të Komisionit të Punëve të Jashtme –

Kryetari i Komisionit të Kongresit Amerikan për Punët e Jashtme, z. Eliot Engel e hapi seancën me një përshkrim të shpejtë të rrethanave globale njëzet vjet më parë. Në atë kohë tri shtete të cilat kishin qenë dikur në kampin komunist, Hungaria, Polonia dhe Republika Ceke u anëtarësuan në aleancën atlantike NATO, Boris Jelcin dha dorëheqjen dhe posti i presidentit të Rusisë kaloi te Vladimir Putin, Marrëveshja e Dejtonit kishte filluar të implementohej, ndërsa në Kosovë kishte nisur fushata e spastrimit etnik të popullsisë shqiptare. Në bazë të raportit të vitit 2017 nga Qendra për Legjislacion Njerëzor të titulluar “Fshehja e provave të krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë”, qysh nga viti 2001 janë gjetur 941 trupa të shqiptarëve të Kosovës në katër varre masive në Serbi. Sipas raportit, vendimi për fshehjen e trupave dhe provave të krimit është marr në nivelet më të larta qeveritare qysh në mars 1999. Asnjë person i vetëm nuk është thirrur përpara ndonjë gjykate në Serbi për fshehjen në masë të të vrarëve shqiptarë në varreza masive. Raporti tjetër nga Organizata për të Drejtat Njerëzore tërheq vëmendjen tek një direktivë tjetër e ardhur nga Beogradi – dhunimi si mjet i vazhdimit të luftës në forma të tjera dhe si instrument të spastrimit etnik. Për viktimat e dhunës nuk ka pasur drejtësi, tha z. Engel. Si Amerika, ashtu edhe aleatët evropianë nuk ndërmorën veprime me vend. Madje Amerika dhe BE e detyruan Kosovën të krijonte ‘gjykatën speciale’ për të hetuar rastet e shkeljeve nga forcat e UCK-së. Ndërkohë Departamenti i Shtetit dhe aleatët tanë evropianë nuk kërkuan nga Beogradi që të vinte në zbatim drejtësinë si pjesë e programit të vendit drejt integrimit evropian. Z. Engel tërhoqi vërejtjen tek mandati i Dhomave të Specializuara të cilat deri tani kanë ndjekur penalisht vetëm shqiptarët. Ai tha se Komisioni i Punëve të Jashtme do ta monitorojë nga afër Gjykatën Speciale në mënyrë që të ndjekë ligjërisht të gjithë ata që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë. Prandaj ka rëndësi që dëshmitë e panelistëve të ftuar këtu të dëgjohen, theksoi z. Engel, dhe prezantoi me radhë folësit.

Përfaqësuesi Republikan i nivelit të lartë i Komisionit, Michael McCaul tha se ndonëse ndërhyrja e NATOS përfundoi agresionin në qershor 1999, lufta nuk ka përfunduar për një numër të madh të viktimave. Duke shtuar se seanca është jo vetëm mundësi për të dëgjuar dëshmitë por dhe për të kërkuar rrugën e vendosjen së drejtësisë së mohuar. Z. McCaul shtoi se kurajo dhe guximi i tyre i jep zemër edhe të tjerëve të japin dëshmitë e tyre. Në emër të drejtësisë dhe në emër të atyre që e kërkojnë atë, folësit paraqitën dëshmi gojore të detajuara: Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga foli për statusin e grave të dhunura, Vasfije Krasniqi për mbijetesën prej dhunimeve të kohës së luftës, Ilir Bytyqi për rastin e tri vëllezërve të tij dhe Profesor Paul R. Williams për diskordancën midis mandatave ligjore të instancave ndërkombëtare dhe vendore që kanë mundësuar moszbatimin e drejtësisë deri më sot.

Ish-Presidentja e Kosovës iu drejtua Përfaqësuesve me fjalët, “sot mbaj peshën e mijra jetëve që u sakatuan nga lufta në Kosovë. Ato duan të dëgjohet zëri i tyre dhe kërkojnë drejtësi për krimet e kryera ndaj tyre.”  Në kontekstin e sotëm të përpjekjeve për normalizim të marrëdhënieve me shtetin fqinj dhe ish-agresorin, për të negociuar paqen, tha ajo, del parësore cështja e drejtësisë ndaj krimeve të luftës dhe krimeve ndaj njerëzimit të kryera nga forcat e regjimit serb gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Është fjala për jetët e civilëve dhe të pafajshmëve, për të mbijetuarit që ende vuajnë pasojat e luftës, për të pagjeturit dhe familjet e tyre. Znj. Jahjaga citoi disa të dhëna nga dokumentet e mbledhura nga Humanitarian Law Center, Kosovo, për periudhën 1998-2000. Sipas dëshmive, numri i civilëve të vrarë arrin 13, 535 prej të cilëve 1,230 fëmijë dhe 1,647 ende të pagjetur, përafësisht 20,000 femra dhe meshkuj shqiptarë kanë përjetuar dhunë seksuale si taktikë lufte, në periudhën mars-prill 1999, në kulmin e fushatës së spastrimit etnik, rreth një milion refugjatë u shpërngulën nga vendi. Gjatë periudhës 1998-1999 kanë ndodhur qindra ekzekutime në masë por vetëm 74 prej tyre janë të dokumentuara. Në shtojcën e dëshmisë së saj, qe ia dorëzoi Komisonit, ishin publikuar të dhënat për datat dhe vendet e 74 varreve masive. Në lidhje me Tribunalin Ndërkombëtar për Krimet në ish-Jugosllavi në Hagë, folësja tha se nuk ka arritur të vendosë drejtësinë për viktimat si edhe të krijojë dokumentacion të plotë të akteve kriminale të kryera gjatë kohës së luftës. E njëjta ineficiencë u përcoll nga gjykatat e drejtuara nga OKB-ja në Kosovë të cilat ndonëse kishin mandate për hetime në shkallë të gjerë bënë shumë pak për evidentimin e krimeve, sqaroi znj. Jahjaga.

Ne që kemi përjetuar luftën, ia dimë më shumë vlerën paqes.” tha folësja e parë e seancës. Por paqja nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse autoritet serbe nuk pranojnë përgjegjësitë e regjimit të Milloshevicit për krimet e kryera në Kosovë. Për të ecur drejt pajtimit, Serbët kanë rastin më të mirë të distancohen dhe të tregojnë se nuk janë si paraardhësit e tyre. Ndërsa poltika e shmangieve nga tema, fshirjes së dallimit midis agresorit dhe viktimës, ambiciet për ndryshim të kufijve flasin për mungesë interesi për një të ardhme në paqe. Duke marrë si shembull edhe fjalimin e presidentit serb Vucic në Mitrovicën veriore vitin e kaluar, znj. Jahjaga dëshmoi se klasa politike që drejton Serbinë sot po ecën në hapat e regjimit të Milloshevicit. Pasojat e gjuhës së urrejtjes i kemi përjetuar dhe e dimë mirë se ku cojnë, shtoi ajo. Ish-presidentja e Kosovës e përfundoi dëshminë me porosinë “Kosova është e përkushtuar të ndërtojë të ardhme në paqe për vendin dhe rajonin, dhe dëshirojmë që edhe serbët të demonstrojnë të njëjtin përkushtim.”

Profesori i të Drejtës Ligjore dhe Marrëdhënieve Ndërkombetare në degën juridike në Universitetin Amerikan si edhe president dhe bashkëthemelues i Entit të Udhëzimeve dhe Legjislacionit Ndërkombëtar, mbajti dëshminë gojore për t’i dhënë fund shkarjes nga përgjegjësia për aktet kriminale gjatë kohës së luftës në Kosovë. Analiza e tij e plotë prej 22 faqeve iu dorëzua Komisionit. “Për cdo viktimë duhet të vendoset drejtësia dhe cdo kriminel duhet të përgjigjet për krimet e veta.” tha profesori Williams. Duhet të kemi kujdes nga sllogani se të gjitha palët janë përgjegjëse. Gjatë luftës në Kosovë forcat e angazhuara nga regjimi serb ishin autorë përgjegjës për më shumë se 80 për qind të akteve kriminale. Duke cekur periudhën e pasluftës, folësi tha se mekanizmat hibride të krijuara nga UNMIK-u dhe EULEX-i vepruan në raporte shpërpjesëtimore për zbatimin e drejtësisë. Ai tha se gjykimet për dhunën seksuale gjatë luftës duhet të jenë pjesë e padive për krimet e luftës. Në vitin 2015 komuniteti ndërkombëtar ushtroi presion ndaj Kosovës për krijimin e Dhomave të Reja të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Specialist me seli në Hagë. Aty pritet të gjykohen vetëm shqiptarët që ishin në radhët e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës. Nëse ky është funksioni i Gjykatës, tha ai, atëherë kjo në thelb i jep amnesti të gjithë autorëve që kryen krime me nxitjen e regjimit serb dhe efektivisht i mbyll derën drejtësisë për qindra mijra viktima në Kosovë, përfshirë 20,000 viktima të dhunimeve seksuale të kohës së luftës. Hendeku i përgjegjësisë për krimet e luftës është krijuar nga bashkësia ndërkombëtare ku hyn edhe Shtetet e Bashkuara, theksoi eksperti ligjor. Profesori Williams e paraqiti dëmin e shkaktuar deri më sot nga miopia e sponsorëve ndërkombëtarë, me këto fjalë: “…ekuivalenca morale e pavërtetë, ngritja e gjykatave të llojit etnik, mohimi i dhënies së drejtësisë për viktimat, dhe kultivimi i padrejtësive etnike, e dobëson legjitimitetin e mekanizmave të sjelljes përpara përgjegjësisë dhe aftësisë së tyre për t’i hapur rrugë pajtimit –cka është thelbësore për një paqe të qëndrueshme.”  Në fund, folësi dha mendime për ta rivendosur integritetin e Dhomave të Specializuara duke sqaruar mandatin e dekretuar nga parlamenti i Kosovës për ndjekjen e krimeve të luftës. Si edhe bashkëpunimin midis Amerikës me qeverinë e Kosovës, për të kërkuar nga Zyra e Prokurorit Specialist t’i jap përparësi hetimit të krimeve të përdhunimeve të lidhura me periudhën e luftës.

Folësi i tretë i seancës Ilir Bytyqi, shqiptaro-amerikan nga Staten Island, nga Fondacioni i vëllezërve Bytyqi iu drejtua Komisionit me fjalët: Viktimat nuk mund të injorohen. Nëse doni paqen në Ballkan, ne nuk mund të injorohemi.” Ai tha se nuk mund të arrihet marrëveshje afatgjate midis Serbisë dhe Kosovës, pa ngritur cështjen e viktimave. Trupat e tre vëllezërve Bytyqi u gjetën në një varr masiv në një qendër trajnimi në Petrovo Selo në Serbinë lindore. Autoritetet serbe hapën një hetim për rastin në vitin 2002, por deri më tani nuk janë ngritur akuza. Ilir Bytyqi akuzoi autoritet serbe për mbrojtjen e vrasësve. Ai tha përpara Komisionit se Presidenti Aleksandër Vuçiç mbron kriminelët që vranë vëllezërit e tij, të cilët u vranë pasi u arrestuan nga policia serbe në vitin 1999 pas përfundimit të luftës së Kosovës. Në fushatën e tij për drejtësi ai kërkoi nga Kongresi, Bashkimi Evropian, Serbia dhe Kosova që të japin ndihmë për raste të tilla dhe të tjera të mbetura pa përgjigje. Në dëshminë e tij Ilir Bytyqi tha se Rezoluta 32 e paraqitur nga anëtarët e Dhomës së Përfaqësueve dhe të Komisionit për Punë të Jashtme, Lee Zeldin, Kryetari Engel dhe Grace Meng dhe  miratuar nga Kongresi verën e kaluar, pati shumë efekt në Serbi. Dhe për më tepër, folësi mbështeti qëndrimin e shprehur nga Kryetari i Komisionit Engel që Serbia të mos lejohet të hyj në Bashkimin Evropian derisa të jetë në gjendje të provojë se do të sjellë para organeve të drejtësisë kriminelët e luftës dhe ata që janë përgjegjës për fshehjen e krimeve. Z. Bytyqi kërkoi nga autoritetet në Serbi ta ndërrojnë kursin e drejmit të politikës së tyre, ndërsa qeveria e Kosovës të shtojë përpjekjet për të kërkuar drejtësi për viktimat.

Folësja e katërt ishte Vasfije Krasniqi Goodman, një nga gratë e para në Kosovë që ka treguar publikisht se ishte viktimë e përdhunimit gjatë kohës së luftës. Ajo dëshmoi se kur ishte 16 vjeçe u përdhunua nga policia serbe në fshatin e saj në vitin 1999. Më vonë ajo e raportoi rastin në UNMIK dhe EULEX. Ndonëse autori i krimit është identifikuar, kanë kaluar njëzet vjet dhe për mua nuk ka pasur drejtësi, tha znj. Krasniqi. Në fund, ajo iu drejtua anëtarëve përfaqësues të Kogresit Amerikan të veprojnë pa humbur kohë në emër të drejtësisë për viktimat.

Pasi u paraqitën dëshmitë gojore, seanca vazhdoi me pyetjet nga anëtarët e Komisionit për folësit. Më pas përfaqësuesit e shoqatave pjesëmarrëse në seancë si edhe organizatorë të Ditës së Veprimit, vizituan zyrat e disa anëtarëve të Kongresit. Mbasdite u mbajt protesta përpara Ambasadës Serbe në Uashington.

 

Sali Berisha: 200 anëtarë të LDK u vranë pas luftës, Thaçi të shkojë në Hagë

Në emisionin e Artur Zhejit 360 gradë, mbrëmë, ish-kryeministri, Sali Berisha, ka përsëritur akuzat ndaj Presidentit Hashim Thaçi si argat i Beogradit. Ai tha se Thaçi duhet të shkojë në Hagë për t’u pastruar, para se të merret me çështjen e negociatave me Kosovën, ndërsa shtoi se janë 200 anëtarë dhe drejtues të LDK-së të ekzekutuar pas lufte.

“Hashim Thaçi është një peng i dosjes së tij të Beogradit dhe po t’i ketë ngelur qoftë edhe një gram dinjitet nuk merret kurrë me çështjen e negociatave me Kosovën pa shkuar në Hagë, pa u pastruar. Unë nuk di të ketë kryer asnjë krim. Raportin e Dik Martin unë e kam kundërshtuar, por nuk e kanë kundërshtuar ata që ngritën gjykatën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Raporti është i bazuar në dosjet e Prokurorit të Beogradit. Janë 200 anëtarë dhe drejtues të LDK të ekzekutuar pas lufte. Janë 200 dhe jo 1, nga drejtues kryesorë, gazetarë e anëtarë të thjeshtë. Ky është numri i saktë. Ky (Thaçi) duhet të shkojë atje të pastrohet, unë nuk di të ketë kryer asnjë krim, por gjykata është ngritur për raportin Dik Marti. Këtë e di se kam qenë kryeministër kur është ngritur gjykata. “Argati” mbrapa donte ta anulonte, gjë që nuk bëhet kurrë, prandaj nuk i them unë, i thotë vetes ai që është “argat” – tha Berisha.

Xhuljo Vrenozi, stuhia shqiptare “the Albanian Storm” me grusht t’artë! Intervistoi Anila Erindi

Pershendetje Xhuljo, është kënaqësi të bëjmë këtë intervistë së bashku! Ku jeton dhe sa vite ke që je larguar nga Shqipëria?
Xhuljo Vrenozi: Unë jetoj në Itali dhe në Angli, dhe kam gati 4 vjet që kam ikur nga Shqipëria.

Mund të më flasësh pak për veten dhe për nisjen e sportit të boksit?Mund të të pyes ç’moshe ke?
Xhuljo Vrenozi: Jam 26 vjeç, i datëlindjes 8 Gusht 1992. E nisa boksin në moshën 10 vjeçare.

Cila ishte shkëndija për tu futur në boks?
Xhuljo Vrenozi: Afër shtëpise kisha një palestër dhe shpeshherë shkoja të kaloja kohën, kështu nisa ta frekuentoja ta praktikoja boksin. Gjithashtu edhe babai im e donte shumë sportin e boksit, më nxiste herë pas here, dhe kjo me jepte një shtytje për të bërë boks.

Cilët ishin tranjeret që kanë punuar me ty?
Xhuljo Vrenozi: Në moshen 10 vjeçare kam pasur dy tranjerë Baftjar Abazi dhe Gjergj Kasaj, kanë punuar me mua për gati 10 vjet pareshtur. Trajnimet në Fier me ekipin Apollonisë zgjaten për 12 vjet. Të dy tranjerët më kanë bërë të punoj dhe të arrij rezultate të larta në boks dhe të bëhem pjesë e kombëtares së Shqipërisë në 2006, nën drejtimin e tranjerit të kombëtares shqiptare mjeshtër Zef Gjoni. Kam luajtur boksin amator për grupmoshat 12-15 vjeç, me këto grupmosha u ndesha në fillimet e mia, më pas u ndesha me grupmoshat 15-18 vjeç. Në këtë kompeticion fitova medalje bronzi per moshen time 17vjeç, grupi quhet Cadet. Kategoria pas moshës 18 vjeç, konsiderohet kategori adult ose kategoria e boksit Elitë, gjithashtu edhe ndeshjet që bëja ishin për grupmoshat e rritura.

Të flasim pak për periudhën e fëmijërisë, më trego pak për familjen tënde në Fier, më thuaj, a vjen nga një familje e madhe?
Xhuljo Vrenozi: Familja ime është nga Fieri, kam një vëlla më të vogël, nënën dhe babain. Nëna është shtëpiake, ndërsa babai merret me biznese të vogla të familjes.

Cilat shkolla ke ndjekur?
Xhuljo Vrenozi: Shkolla 8- vjeçare Naïm Frashëri dhe më pas shkollën e mesme të gjuhëve të huaja, për anglisht frëngjisht edhe italisht.

Cilat gjuhë të huaja flet më mire?
Xhuljo Vrenozi: Italisht dhe anglisht i flas mirë, ndërsa frëngjisht jo shumë mirë.

Më thuaj, si e vure re që kishe prirje për boks? Dikur, të vegjël ndesheshim mes shokëve të lagjes. Ishe i madh, i zhvilluar në trup, në fëmijëri?
Xhuljo Vrenozi: Me trup isha i dobet, paksa imcak do të thoje? Po … por nuk kisha frikë, “ isha i pafrikë”

Pse boksin? Dhe më thuaj se unë nuk e njoh mirë këtë sport, ç’lloj sporti është?
Xhuljo Vrenozi: Boksi është një sport burrëror dhe mjaft intelligjent, sepse në të njëjtën kohë duhettë mendosh 4 lëvizje, pra duhet të jem 4 kohë përpara me mendim dhe me lëvizje nga kundërshtari. Një lëvizje para, një mbrojtje, pra perfekt është 4 kohë për tu mbrojtur!

Ke pasur ndonje “nofkë” kur ishe i vogël, ose ndonje nga ato nofkat tona “qullac“?
Xhuljo Vrenozi: (Xhuljo qesh) Jo atëherë nuk më thërriste njeri me nofkë … edhe pse shquesha ndër më të fortët e lagjes! Por nofkën ma kanë vënë Shqiptarët këto pesë vitet e fundit, më quajne “the Albanian Storm” stuhia shqiptare!

Ke pasur momente kur e ke përdorur grushtin jashtë ringut të boksit? Pra jo për ndeshje apo për praktikë?
Xhuljo Vrenozi: E vërtetë kam pasur ndonjë rast që e kam përdorur grushtin, ka ndodhur ndonjë incident i vogël por ka qënë thjesht në rast vetmbrojtje. Gjithmonë e kam evituar ndeshjen jashtë ringut të boksit!

Ç’hobi tjetër keni perveç boksit?
Xhuljo Vrenozi: Atletikën, thotë ai menjëherë!! Atletikën e dua shumë dhe bëj shumë stërvitje, gati çdo ditë 10-15 km vrap.

Më thuaj Xhuljo, cilët elementë të tjerë janë të rëndësishëm dhe i bashkangjiten ose më saktë rimojnë me boksin?
Xhuljo Vrenozi: Peshëngritja është gjithashtu një sport rimë me boksin. Në peshëngritje stërvitesh me një lloj peshe apo me shumë lloje peshash? Jo, jo peshat variojnë, janë të ndryshme nga 10 në 20kg.
Gjithashtu bëj edhe sparing( një lloj goditje e tensionuar që përdoret për praktikë boksi), ose një lloj tjetër ndeshje kontrolli i elementeve të ushtrimit të boksit.

Cila ka qene ndeshja jote e parë?
Xhuljo Vrenozi: Ndeshja e parë ka qene me ekipin Apollonia të Fierit. Një ndeshje miqësore në palestër të qytetit , ndeshje mes dy ekipeve te qyteteve Fier-Durrës, kjo ndeshje është bërë nga fillimi i vitit 2004, dhe unë e fitova ndeshjen. Ndeshja tjetër zyrtare u bë në qytetin e Lushnjes në vitin 2004 dhe ishte ndeshje për Kampionatin Kombëtar për pionierë, kështu quhej grupi i më të vegjëlve. Në ketë ndeshje fitova vendin e parë, dhe pas 4 ndeshjeve u shpalla Kampion i Republikës.

Cili është idhulli juaj, ose idhujt tuaj në boks?
Xhuljo Vrenozi: Një idhull për mua është Luan Krasniqi, e shoh shpesh, ndjek levizjet e tij. Gjithashtu ndjek Manny Pacquiao, emri i tij i vërtetë Emmanuel Dapidran Pacquiao, lindur 1978 ne Bukidnon, është boksier profesionist dhe personalitet politike në Philippine. Më tërheq shumë Conor McGregor i cili ka një stil të veçante jo vetem si boksier por edhe një stil të veçantë jetese, një stil të bukur dhe mjaft interesant! Ai është kthyer në shembull i imazhit që dua të krijoj në çdo aspekt të jetës time, tek ai shikoj veten time në të ardhmen!

Gjithashtu një pyetje tjetër, në faqen tënde Facebook pashë fotografinë e Muhammad Ali, më thuaj ç’emocion të krijon ai?
Xhuljo Vrenozi: Ne kemi një ndryshim të madh në moshë, por ndjesitë reflekset, dashuria për boxin jane po aq të fuqishme! Tek ai adhuroj gjithashtu tiparet; është motivues, nxites, frymëzues, ka një largpamësi të veçantë! Ai ka thënie jetesore te fuqishme që gjithmonë me kanë inkurajuar dhe mbi te gjitha është një boksier mjaft frymezues!

Nga Muhammad Ali, mua si femër më ka pëlqyer gjithmonë thënia “Float like a butterfly, sting like a bee.” … “Fluturo si një flutur duke ngulur thumbin e bletës “ … kjo i përshtatet edhe shpejtësisë që ti e vërtit grushtin besoj !! Kë ekip do të përfaqësosh në ndeshjen e 4 Majit?
Xhuljo Vrenozi: Më 4 Maj do të përfaqësoj ekipin Shqiptar, do të ndeshem në emër të Federates Shqiptare.

Ke pasur oferta të tjera, të përfaqësosh vende të tjera?
Xhuljo Vrenozi: Kam pasur edhe oferta për të perfaqësuar shtete të tjera por venodosa të përfaqësoj vendin tim, jam krenar të përfaqësoj Shqipërinë.

Cilat vende të ofruan të përfaqesosh?
Xhuljo Vrenozi: Me kanë ofruar Anglia dhe Italia.

 

Duke ditur anën financiare të sporteve, të cilat vlerësohen më shumë në vende të tjera si Italia dhe Anglia, gjithmonë në krahasim me vendin tonë. A nuk do të jepte një emër më të madh dhe një vleresim të lartë të përfaqesoje ato vende?
Xhuljo Vrenozi: Unë preferova të prezantoj vendin tim pasi boksi është për mua një lloj menazhim privat TIM me një ekip që e përfaqësoj vetëm unë dhe menaxhojme buxhet të pavarur.
Federat Shqiptare nuk na siguron të ardhme, dikur ka pasur çmime dhe pagesa mujore,një lloj rroge mujore, nese ti ishe kampion vendi!
Ndryshe nga unë si boksier profesionist, fondet jane të mbledhura nga sponsorët, pra nuk është federata që më hap rrugën për nesër, në njëfarë mënyre rrugën e hap unë vete me rezultat e mia në ndeshje. “ Është një ècje përpara me shpatullat e tua”.

Me thuaj sa vite ke që ushtron boksin profesional, trajnimet ku i ke kryer, mē fol për rrugëtimin tënd ?
Xhuljo Vrenozi: Kam mbi 4 vite që ushtroj boksin professional. Në vitin 2012 mora pjesë në lojrat olimpike të Londrës. Në këto ndeshje përfaqsova Federaten Shqiptare, dhe isha pjese e grupit Elite, ishte ndeshja Albania-Cameroun, dhe për një pike ndryshim e humba në Londer 2012. Atje pas kualifikimeve humba që në turin e parë. Në 2014 mora pjesë në Azerbaijan në Kampionatin Botëror të Boksit, ku përfaqësoja Federatën Shqiptare të Boksit Në këtë event u rendita në vend të pestë, fitova 6 medalje, 2 fitore dhe 1 humbje. Në 2013 në Azerbaijan mora pjesënë Kampionatin AIBA, ky ishte turi botëror. Këtu, Federata e Boksit me president Shi Kon Chu më cilësoi :- Xhuljo Vernozi si një ndër talentet më të mirë tek “Road to Bacu ”. Në këtë event merrnin pjese 400 boksierë nga e mbarë bota. Ndeshja në vazhdim ishte në vitin 2013 tek Memorial Scoop Macedonian “Golden Gong“. Në këtë turnament u shpalla fitues dhe mora medalje ari. Në ketë event ishin pjesëmarrës 40 shtete. Me pas në të njëjtin vit në 2013 u krye “Memorial Vllaznia” me pjesemarrjen e shteteteve evropiane. Në këtë event të organizuar nga Federata Shqiptare e Boksit dhe Federata Europiane e Boksit fitova medalje ari. Në vitin 2014 fitova Kupen e Republikës, ne Kampionatin Kombëtar.

Si e konsideron boksin?

Xhuljo Vrenozi: Boksi është një kategori e veçante.Të stërvitesh mëson, të ndeshesh mëson, secili boksier ka stilin e vet, por dhuntia dhe reflekset fitohen.

Cili është elementi yt i fortë, firma jote?
Xhuljo Vrenozi: Element firmë për mua është shpejtësia, ai është elementi kryesor që më karakterizon.

Do te doja të dëgjoja për aktivitetin tënd nga Italia dhe Anglia?
Xhuljo Vrenozi: Në 2014 fitova Kampionatin Kombëtar të boksit. Në mars 2015 mora pjesë në boksin profesionist në Piacenza Itali me ekipin “Salus et Virtus Boxe” atje u përfaqsova me 10 ndeshje boksi si profesionist. Atje punova më trajnerët Roberto Alberti dhe Jean Luca Batagna, ky bashkëpunimin zgjati për 3 vjet, nga viti 2015-2018 në Itali. Gjatë kësaj kohe kam bërë ndeshje brenda gjithë Italise. Me pas në 2018 shkova në Londër për të marrë pjesë në ndeshje të tjera kualifikuese boksi.

Si ndodhi kalimi yt nga Italia në Londër?
Xhuljo Vrenozi Në vitin 2012 gjate trajnimeve të ndryshme u njoha me ekipin “London Punch Boxr”. Kthimi në këtë klub ndodhi përfundimisht në 2018, pas Italisë unë u bëra pjesë e veprimtarisë sportive të këtij klubi. Aty u njoha me tranjerët Don Charles dhe Josh Burnham!

Pra kur lexoj emrin Xhuljo Vernozi, ose më saktë kur shoh grushtin … shmangem!!
Xhuljo Vrenozi: Nën grushtin e boksit Xhuljo lexoj , i shpallur 13 herë kampion kombetar në Shqiperi, 10 herë i shpallur boksieri me i mirë në vend! Xhuljo 6 medalje ari të fituara në evenimete dhe turne europjane dhe botërore. Gjithmonë nën zhurmën fëshfëritëse të grushtit të boksierit profesionist Xhuljo Vernozi qysh nga viti 2015 nën emër boksier profesionist ke arritur 13 fitore, 2 nga te cilat me nokaund.

Xhuljo, është vërtetë impresionuese kjo karrierë e jotja!! Je një frymëzim i të riut të palodhur dhe këmbëngulës për të arritur majën e Himalayas. Më thuaj si ndjehesh në ketë moment?
Xhuljo Vrenozi: Ndjehem mire fare, vij nga një faze e përgatitur, tejet e kontrolluar dhe menjë përgatitje goditjesh të spikatura ( sparing ready for game mode). Jam gati për tu ndeshur per titull kampion!
Sot me daten 4 Maj ndeshem në Milano dhe në fund të muajit, më 25 Maj ndeshem në Montreal! Këto janë dy ndeshjet e radhës për boksierin profesionist Xhuljo Vernozi.

Xhuljo, të falenderoj për ketë interviste të shumë të këndshme, të mbushur me emocione dhe me pasion për boksin! E di Xhuljo pas kësaj interviste edhe unë kam dëshirë të filloj të bëj boks për sport!
Ne shqiptarët e Canadasë jemi në pritje të të ndjekim në ringun e boksit me 25 Maj këtu në Montréal!
Xhuljo Vrenozi: Të faleminderit për intervistën dhe të uroj me gjithë zemër suksese pafund! Paç fat!
Intervistoi Anila Erindi
Montréal 4 Maj 2019

REAGIM I GAZETËS “DIELLI” NË SHBA PËR CËNIMIN E LIRISË SË MEDIAS NË SHQIPËRI

– GAZETA “DIELLI” DENONCON CËNIMIN E LIRISË SË MEDIAS, MBRON LIRINË E SHTYPIT DHE TË DREJTËN KUSHTETUESE TË INFORMIMIT DHE APELON PËR TË MOS LEJUAR HAPSIRA KU PERSEKUTORËT TË SULMOJNË TË PERSEKUTUARIT-

DIELLI është i ndërgjegjshëm për rolin e vet në fushën mediale si gazeta që ka nderin të identifikohet me Rilindjen Kombëtare, dhe që në udhën e vet 110 vjeçare, i ka paraprirë Pavarësisë së Shqipërisë dhe momenteve kyçe të historisë. Qysh  nga fillimi i shekullit të 20 patriotët shqiptarë të Amerikës i kanë prirë lëvizjes së zgjimit të ndërgjegjes kombëtare të bashkëatdhetarëve të tyre nëpërmjet veprimtarisë së Federatës VATRA të shprehura qartazi tek gazeta DIELLI. Gjatë Diktaturës komuniste ka qenë DIELLI që ka denocuar cënimin e lirive njerëzore, përfshirë dhe atë të informimit. Në ditët e sotme DIELLI konstaton se liria e medias në Shqipëri është e rrezikuar. Përballë akteve të rënda të censurimit të informimit nga elita politike e drejtuar nga kryeministri aktual Edi Rama, “DIELLI” denoncon shtetin shqiptar për hapat mbrapa në lirinë mediale. DIELLI mbron shprehjen e lirisë si “abetarja” e një vendi demokratik, që synon Demokracinë Europiane.

Raporti i Përvitshëm i “Gazetarëve pa Kufij” e rrëzoi Shqipërinë shtatë shkallë më poshtë se ç’ishte në raportin e vitit të mëparshëm. Organizata Boterore për Lirinë e Shtypit ka dhënë alarmin për gjendjen reale të medias shqiptare dhe presionet mediale nga institucionet qeveritare. Shantazhet, sulmet ndaj gazetarëve dhe shtimi i censurës qeveritare cënon vetë Demokracinë Shqiptare dhe zgjat tranzicionin që po i afrohet dekadës së tretë. Shkelja e së drejtës së shprehjes dhe presionet ndaj lirisë së mjeteve të informimit flasin për përpjekjet agresive të mbetjeve të sistemit totalitar, dhe mendësisë totalitare, të veshura me pushtet ekzekutiv për të kontrolluar demokracinë shqiptare.

Reagimi i Kryeministrit Edi Rama se në qeverisjen e tij nuk ka media të shantazhuara e liri të mohuara është shprehja tipike e pushtetarit autoritar për të cilin media mbetet thjesht një kazan.

Në të njëjtën kohë, DIELLI i bën apel Medias Shqiptare që të vetëdijësohet për rolin e “pushtetit të katërt”, dhe ta ruaj pavarësinë e vet nga politika për të mos u bërë instrument anti-demokratik.

DIELLI e sheh me shqetësim që sulmet e ish persekutorëve të diktaturës komuniste ndaj ish viktimat e pafajshme, gjejnë hapsirë në gazetat dhe portalet e Tiranës. Rasti i sulmeve ndaj shkrimtarit Visar Zhiti prej ish torturuesit të tij, Edmond Caja, përbën një precedent të rrezikshëm. Të tilla akte sulmi ndaj Visar Zhitit tregojnë mosveprimin e demokracisë shqiptare që jo vetëm nuk i ka dënuar ish persekutorët dhe fajtorët për krimet e komunizmit por edhe i lejon të ri-viktimizojnë disidentët e diktaturës.

Visar Zhiti mbetet një ikonë e letërsisë shqiptare të pasburgut dhe demokracisë si edhe model për qendresën në diktaturë, prandaj është detyrë morale e shoqërisë që ta përkrah dhe ta mbrojë atë si të tillë.

Demokracia shqiptare, e ngecur nëpër labirinthet e merimangave të stilit të diktaturës së Ramës, po tregohet e pafuqishme për të kundërvepruar mbi qeverinë që ka hapur frontin e luftës ndaj gazetarëve dhë ka çuar në rrënimin e lirive të shprehjes. Kapja e të gjithë pushteteve nga Kryeministri Edi Rama dhe fronti i hapur i luftës me median po e kthen Shqipërinë në errësirën mediale që minon Demokracinë dhe kultivon tiraninë.

Gazeta DIELLI do ta përcjellë shqetësimin e vet për censurën mediale të ushtruar nga qeveritarët ndaj mjeteve të informimit dhe gazetareve shqiptarë në instancat amerikane dhe ato botërore.

 

PËRULEMI PARA VEPRËS DHE QENDRESËS SË VISAR ZHITIT. Nga Entela Kasi, PEN-I Shqiptar

“PEN Internacional” është organizatë botërore e Poetëve, Eseistëve dhe Narratorëve, “P.E.N.”, me qendër në Londër, themeluar në vitin 1921, me bashkëkryetar shkrimtarin nobelist  John Galsworthy dhe tashmë me filiale e degë të vetat në Europë e në të gjithë botën, mbi 100 qendra. Kjo organizatë u krijua me qëllim mbrojtjen e shkrimtarëve që burgosen apo sulmohen dhunshëm në vendet totalitare apo me demokraci të pa konsoliduara.

PEN-i Shqiptar, i themeluar vite më parë, me President Nderi shkrimatrin bot:eror Ismail Kadare dhe me drejtesuese poeten dhe përkthyesen Entela Kasi, ndërkohë pedagoge në Qendrën Universitare të Gjuhëve të huaja në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, bën një apel dhe del në mbrojtje të shkrimtarit Visar Zhiti duke iu kundërvënë sulmeve të forcave të errëta, fantazma të diktaturës së shkuar dhe i quan “akte kriminale, të cilat po përsëriten, sepse krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk u ndëshkuan asnjëherë…”

 

SULMET NDAJ SHKRIMTARIT VISAR ZHITI

janë veprime të qëllimshme. Janë akte kriminale, të cilat po përsëriten, sepse krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk u ndëshkuan asnjëherë. Kjo është e vërteta.

 

Sot nuk është koha që të pyesim se për çfarë arsye shkrimtari Visar Zhiti, ish i burgosur politik, intelektual i përmasave evropiane, sulmohet në Shqipëri.

Sot është koha që të pyesim se si këto akte të qëllimshme, amorale, kriminale, gjejnë hapësirë në media të caktuara në shtypin shqiptar.

Kjo është pyetja që shtrohet sot nga shkrimtarët e huaj, nga elitat e mendimit botëror të PEN International, dhe jo vetëm.

 

Visar Zhiti, sulmohet herë pas here në Shqipëri, në atdheun e tij për shkak të veprës, për shkak të qëndresës së tij nga forca të errëta të diktaturës, nga persekutorët e tij. Persekutorët kanë dhe mbajnë detyra të larta në Shqipëri, sepse krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk u ndëshkuan asnjëherë!

Kjo është një kambanë alarmi për klasën politike shqiptare, e cila, pas rënies së murit të Berlinit, ka dështuar duke veshur me pushtet dhe imunitet të gjithë ata individë, të cilët duhet të ishin jo vetëm jashtë jetës politike të vendit, por duhej të ishin përballur me akuzat për krime, të cilat i kanë kryer në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit.

Kjo është e vërteta, të cilën e artikulojnë elitat e mendimit botëror të letërsisë në PEN International, lidhur me këtë çështje.

 

Pyetja tjetër që shtrohet është: si ka mundësi që intelektualët, shkrimtarët dhe njerëz të medias në Shqipëri, lidhur me këtë çështje nuk kanë të njëjtin reagim për rastin e shkrimtarit Visar Zhiti?

Kësaj pyetjeje, e cila na drejtohet të gjithëve në Qendrën PEN të Shqipërisë po i përgjigjem në statusin e drejtueses të PEN Qendrës së Shqipërisë.

Për aq kohë sa ata që shkruan akt ekspertiza kundër shkrimtarit Visar Zhiti në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri për dënimin e shkrimtarit, sot i kemi në ekrane , në auditorë të promovuar , të mbrojtur, të pushtetshëm, ky është tregues se persekutorët e djeshëm nuk mund të jenë garant për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri, e për më tepër të jenë misionarë të lirisë! Kjo është e pamundur.

 

A nuk i kemi parë të gjithë me sytë tanë se si atyre as u dridhet qerpiku, kur na shfaqen edhe në auditorë edhe në mikrofona sikur të ishin këta persekutorët , viktima të asaj perjudhe të errët të Shqipërisë gjatë të cilës kryen krime kundër njerëzimit duke shkelur mbi çdo vlerë e parim të dinjitetit njerëzor, e në post diktaturë nuk shprehën asnjë lloj pendese?

Sot më kujtohet një fjali e Visarit, në një çast tjetër të vështirë, ndërsa sulmohej nga të gjitha anët nga majat e Institucioneve të shtetit në Shqipëri, fjali të cilën po e sjell për të gjithë ne të tjerët kudo ku jemi si një kambanë për veshët tanë të shurdhuar e sytë tanë të verbër. ‘Zot fali, nuk dinë çfarë po bëjnë’…

 

Ishte koha kur shkrimtari Visar Zhiti, po shkonte në Vatikan, ndërsa pengohej nga Shqipëria. Një prej ngjarjeve më të rënda kjo jo larg në kohë!

Shqipëria e sotme ka probleme me vetveten, për faktin se nuk mundi të shkëputet nga e kaluara e errët, e cila na është kthyer sot edhe më e egër se dikur.

Visar Zhiti me veprën, jetën, integritetin e tij intelektual, personalitetin dhe dinjitetin njerëzor të tij mund të ishte pa dyshim një Nobel i Paqes si  Nëna Terezë, Shën Tereza e shqiptarëve, dhe mund të ishte kandidati i Nobelit të letërsisë po ashtu, nëse  ne do të kishim propozuar emrin e tij. Por ne nuk i kemi bërë këtë nder Shqipërisë së Visarit, sepse na mungon vizioni po aq sa dashuria, për faktin e thjeshtë se ishim e jemi po ne nga atdheu i tij që në mënyrën më të ulët ende edhe sot lejojmë që akte të tilla monstruoze të kryhen kundër shkrimtarit Visar Zhiti në Shqipëri.

Përballë tij ne jemi thjesht të pa- moral, e kjo na zhvesh në sytë e Evropës dhe botës.

Personalisht, si njeri dhe si drejtuese e PEN – Qendrës së Shqipërisë përulem me respektin më të thellë ndaj shkrimtarit shqiptar Visar Zhiti.

Sot shoqëria politike, Insitucionet e shtetit, shoqëria intelektuale, akademikët, shkrimtarët e njohur të vendit, duhet të veprojnë për të ndaluar çdo akt e sulm ndaj shkrimtarit Visar Zhiti.

 

Nëse ne lejojmë që të tilla ngjarje të përsëriten kështu siç vërtet po ndodh, nëse ne heshtim ne të gjithë pa përjashtuar askënd, po pranojmë që të nëpërkëmbet, shkelet, cënohet çdo vlerë e dinjitetit njerëzor në Shqipëri.

 

Entela Kasi

Presidente e PEN Qendrës së Shqipërisë,

PEN Internacional,

me Seli në Londër

 

Tiranë 19 . 04. 2019

 

Kushtet paraprake të zgjidhjes së krizës ! Nga Romeo Gurakuqi

Ka vetem nje zgjidhje te krizes politike qe po kalon vendi yne:

Doreheqja e Kryeministrit dhe e qeverise se tij eksperimentale,

zhvleftesimi i te gjitha veprimeve te paligjshme procedurale te kryera nga mazhoranca ne kundershtim me kushtetuten,

kodin zgjedhor dhe me parimin e sovranitetit politik, pas dates 25 shkurt 2019,

thirrja e tryezes se zgjeruar te partive,

nen garancine e disa intelektualeve te spikatur,

tryeze qe do te percaktoje parimet e formimit te qeverise tranzitore,

rruget e rikthimit te legjitimitetit dhe funksionalitetit te Parlamentit,

do te percaktoje karakteristikat e kryeministrit te ri dhe kohezgjatjen e qeverise se re te tij,

e cila do te balancoje territorialisht, politikisht dhe institucionalisht shtetin qe perçudnuan rilindasit.

Ndryshe, kriza do te thellohet,

krijimi i dy pushteteve politike paralele do jete i pashmangshem,

dezintegrimi i pushtetit vendor do te jete nje vendim i pakthyeshem,

zhvillimi ne kohe i zgjedhjeve lokale praktikisht i pamundshem dhe hapja e negociatave nje enderr e dimrave te ardhshem.

Edi Rama me “dashnoret e vdekjes”,

qe e shoqerojne ate me arme kimike ne dore,

ne marrezine e qendreses kunder popullit opozitar,

mendjefyckat socialiste, qe i rrine perbri pushtetit te tij, mund te mos e kuptojne udhen ne te cilen e kane futur vendin.

Problemi eshte se ata jane pergjegjesit kryesore te situates se krijuar dhe koha e tyre nuk mund te zgjase me!

Tanime eshte e qarte, se se bashku me Edi Ramen, do te ikin te gjitha ata qe heshten, vallezuan dhe u fshehen,

kur detyra i therriste te ishin me publikun,

ne mbrojtje te institucioneve kushtetuese,

ne eliminimin e vuajtjeve dhe tensioneve,

qe prodhoi mazhoranca e zgjedhjeve te vjedhura!