VOAL

VOAL

Analiza e zgjedhjeve, në 13 pika, PD bën bilancin

Një orë na ndan nga mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike e cila do të mbahet në orën 18:00 ku do të bëhet bilanci dhe analiza e zgjedhjeve të 25 prillit, që ajo e konsideron masakër elektorale.

Në raportin e përgatitur që do t’u tregohet anëtarëve të Kryesisë nënvizohen 13 konkluzione për zgjedhjet e 25 prillit.

Në raport thuhet se Partia Socialiste vendosi disa përfaqësues të krimit të organizuar në listat e saj për deputetë duke blerë në mënyrë masive votat e qytetarëve. Po ashtu në raport  përmendet përdorja e të dhënave personale nga patronazhistët si dhe dhënia e koncensioneve.

13 konkluzionet/përfundimet e analizës së masakrës zgjedhore të 25 Prillit 2021 janë si më poshtë:

  1. Për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve Qeveria u angazhua në një operacion masiv dhe skemë sistematike në shkallë të gjerë të blerjes së votave, në bashkëpunim me kartelet e drogës dhe bandat më të rrezikshme të krimit të organizuar, të cilat në shumë raste u morën në mbrojtje nga Policia e Shtetit.
  2. Partia Socialiste vendosi disa përfaqësues të krimit të organizuar në listat e saj për deputetë.
  3. Një shqetësim më i madh se blerja e votës ishte keqpërdorimi i burimeve të administratës shtetërore, dhe heqja e kufirit midis partisë dhe shtetit, ku evidentohen këto të dhëna:
  • Përdorimi i të dhënave personale të shtetasve shqiptarë, si formë e ushtrimit të presionit ndaj qytetarëve dhe ofrimit të favoreve shtetërore për nevojat që ato mund të kishin. Media publikojë informaconet që përdoreshin nga PS me të dhënat personale të 910,000 qytetarëve, vetëm për qarkun Tiranë;
  • Pagesa e 125 milion eurove të fondeve publike gjatë fushatës elektorale për mijëra familje të prekura nga tërmeti 2019, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre ishin pagesa të përfituara në mënyrë fiktive;
  • Dhënia e koncesioneve të mëdha publike me vlerë qindra miliona euro;
  • Shpenzimi i rreth 120 milion euro nga pushteti lokal i kontrolluar tërësisht nga Partia Socialiste për punë publike gjatë fushatës zgjedhore;
  • Rritja e pagave në vitin elektoral për sektorin publik në një fond rreth 63 milion euro;
  • Punësimi i përkohshëm i rreth 13.000 punonjësve të rinj të shtetit;
  • Disbursimi i hershëm i fondit të ndihmës ekonomike prej 2.5 milion euro dhe shtimi i 20.000 familjeve në programin e ndihmës ekonomike gjatë periudhës së fushatës;
  • Legalizimi i strukturuar në këmbim të votës i më shumë se 10.000 banesave të ndërtuara në mënyrë informale;
  • Operacioni masiv i blerjes së votës, i strukturuar në bashkëpunim me grupet kriminale dhe marrja në mbrotje e tyre nga Policia e Shtetit;
  • Mbyllja e papritur dhe e paprecedent e kufijve me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, për të mos lejuar diasporën e madhe shqiptare dhe pakicën greke që jeton kryesisht në Greqia të vijë për të votuar.
  • Niveli rekord i lartë i prokurimit publik prej 505 milion euro në muajt Nëntor – Dhjetor 2020 për një total prej 878 kontratash publike dhe prokurimet, krahasuar me një mesatare vjetore prej 116 milion për të njëjtat periudhë, në 5 vitet e fundit. Kjo shifër në mënyrë disproporcionale më e lartë pasqyron abuzimin me burimet publike nga qeveria Socialiste për përfitime elektorale vetëm 4 muaj para zgjedhjeve të Prillit 2021.
  • Në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe me aktet nënligjore të miratuara nga KQZ, ku qartësisht ndalohej dhënia e koncesioneve ose favoreve publike në periudhën 4 muaj para zgjedhjeve, Qeveria vazhdoi të japë koncesione me vlerë qindra miliona euro, përfshirë por pa u kufizuar në kontratën  për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, prokurimin për Portin e Vlorës dhe Portin e Durresi, kontratën per gjurmimin e hidrokarbureve dhe shume te tjera.
  • Qeveria alokoi dhe pagoi përfitimet financiare për foshnjat e porsalindura për të gjithë periudhën 4-vjeçare që nuk ishin paguar në kundërshtim me aktet nënligjore përkatëse.
  • Investigimet zbuluan se si numri i banorëve në një lagje të Tiranës u rrit nga 8.000 në 22.000 nga Nëntori 2020 deri në 5 mars 2021. Në disa raste, janë përdorur kontrata të falsifikuara të qirasë së shtëpive në mënyrë që të rritej në mënyrë fiktive numri i votuesve socialistë në qarkun Tiranë.
  1. Asnjë nga krimet elektorale nuk është ndëshkuar, përfshirë ato që u zhvilluan gjatë zgjedhjeve 2016, 2017 dhe / ose 2019, të cilat vazhdon të ushqejë ndjenjën e përhapur të mosndëshkimit të krimeve të lidhura me zgjedhjet, duke nxitur kështu përhapja e tyre masive në vitin 2021.
  2. Mazhoranca socialiste ndryshoi Kushtetutën në mënyrë të njëanshme dhe shkeli Marrëveshjen e 5 Qershorit të arritur në kuadrin e Këshillit Politik, duke i krijuar Partisë Socialiste avantazhe të padrejta elektorale, për shkak ndryshimi i formulës së konkurimit në koalicione, ulte peshën e partive politike të koalicionit opozitar, apo krijonte kushtet për të dalë me lista të veçanta të partive brenda koalicionit opozitar. Ndryshimet e njëanshme elektorale, strukturore dhe të padrejta të sistemit të shënjestruara nga PS, janë një nga faktorët që çuan në një avantazh të padrejtë prej 11 mandatesh në favor të Partisë Socialiste, pavarësisht një diference elektorale minimale midis koalicionit opozitar dhe Partisë Socialiste gjithsej vetëm 38.409 vota. Nëse formula e shpërndarjes së mandateve dhe ndërtimit të koalicionit nuk do ishte ndryshuar, me këtë rezultat që është siguruar me këto kushte konkurimi, PS do të kishin 4 mandate më pak, dhe konkretisht në Berat, Durrës, Gjirokastër dhe Vlorë.
  3. Shumica qeverisëse kontrolloi edhe procesin e vendimmarrjes së KQZ-së, duke ndërhyrë politikisht në ndryshimin e  paraqitjes që ishte rënë dakord të fletëve të votimit në minutën e fundit, duke shkaktuar një konfuzion tek votuesit. Kjo rezultoi në një rritje drastike të numrit të fletëvotimeve të pavlefshme, duke arritur një rekord të lartë prej 83 mijë votash, ose 5% të totalit vota, niveli më i lartë ndonjëherë në historinë zgjedhore shqiptare. Në terma praktikë, fletët e pavlefshme 83.019 kanë ndikuar në rezultatin e opozitës dhe përfitimin nga PS-PSD të paktën 4 mandateve më shumë, për vetëm 4,254 vota në total (në Berat, Durrës, Korçë, dhe Shkodër).
  1. Vetëm pak ditë para zgjedhjeve qeveria vendosi të mbyllë kufirin me Greqinë dhe Maqedonia e Veriut nën pretekstin COVID-19, duke bërë kështu votën e emigrantëve shqiptarë të pamundur. Kjo u reflektua në pjesëmarrjen e ulët në votime në Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.
  2. Në të gjitha Raportet e të 12 qarqeve jepen evidenca të plota, me raste konkrete dhe të detajuara, sesi rezultati i zgjedhjeve në qark është ndikuar në mënyrë masive nga katër elementët kryesor të masakrës zgjedhore, që janë:
  • Blerja masive e votave, kryesisht në zonat rurale dhe në lagjet e varfëra të qyteteve;
  • Përfshirja e grupeve kriminale në fushatë me një mision të qartë, vënien në zbatim të skemës së blerjes së strukturuar të votave, mbledhjes së kartave të identitetit për të mos lejuar votimin e mbështetësve të opozitës, si dhe intimidimin dhe dhunimin e mbështetësve të opozitës;
  • Shpërdorimit masiv të burimeve njerëzore dhe financiare të shtetit, në favor të partisë në pushtet, duke përfshirë presionin ndaj administratës publike, presionin përmes zyrave shtetërore për bizneset dhe personat që përfitojnë ndihmë ekonomike, krijimit të favoreve shtetërore në këmbim të votës, etj.;
  • Shpërdorimit të autoritetit të Policisë së Shtetit në favor të partisë në pushtet, duke mos krijuar kushte të barabarta të garës, si dhe parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore.
  1. Në termat e rezultatit zgjedhor, Partia Demokratike arriti të siguronte 59 mandate nga 140 mandate gjithsej, ose 42 % të mandateve totale. Krahasur me zgjedhjet e vitit 2017, ku PD mori 43 mandate, rezulton se numri i mandateve të fituara është rritur me 16 mandate, pra ka një rritje 37 % të numrit të mandateve të fituara. PD arriti të siguronte 622,265 të vlefshme (39.43 %), me një rritje prej 36 % krahasuar me vitin 2017 ku mori vetëm 456,481 vota (28.85 %). Konkretisht, Partia Demokratike në 2021 ka marrë 165,784 vota të vlefshme më shumë se në vitin 2017.
  2. Nga analiza e të dhënave të rezultatit zgjedhor rezulton se:
  • Kanë arritur projeksionin maksimal në mandate qarqet Dibër, Elbasan dhe Kukës.
  • Kanë arritur projeksionin minimal në mandate, duke qenë brenda pritshmërisë, qarku Berat, Fier, Korçë, Lezhë dhe Vlorë.
  • Nuk ka arritur projeksionin minimal në mandate dhe për pasojë cilësohet si i parealizuar projeksioni në mandate për qarqet Durrës, Gjirokastër, Shkodër dhe Tiranë.
  1. Rezultati i listës së Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2021 (39.4 %) është i krahasueshëm vetëm me rezultatin e listës së Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2009 (40.2 %), me një diferencë vetëm – 0.8 %. Në këtë kuptim, për të vlerësuar performancën e secilit qark, duhet që rezultati i listës së PD në zgjedhjet e vitit 2021 të krahasohet me atë të vitit 2009 (në % ose mandate), nga ku rezulton se:

a.Kanë patur performancë brenda pritshmërisë së rezultateve historike të Partisë Demokratike, qarqet 1. Berat, 2. Dibër, 3. Elbasan, 4. Fier, 5. Kukës, 6. Korçë, 7. Lezhë dhe 8. Vlorë.

b.Kanë patur performancë më të ulët dhe jo brenda pritshmërisë së rezultateve historike të Partisë Demokratike, qarqet 1. Durrës, 2. Gjirokastër, 3. Shkodër, dhe 4. Tiranë.

  1. Ndryshimi i formulës së koalicionit, nga listat e përbëra në lista të përbashkëta, uli forcën e koalicionit opozitar, për shkak se numri i kandidatëve pjesëmarrës në zgjedhje ishte njëlloj sikur PD të kishte konkuruar pa koalicion. Në shumë qarqe, partitë aleate mbetën pa u përfaqësuar në listën e Patisë Demokratike, për shkak se KQZ nuk lejojë, në shkelje të ligjit, regjistrimin e më shumë se 154 kandidatë gjithsej. Pra ndryshe nga formula e koalicionit e aplikuar në zgjedhjet e vitit 2009  dhe 2013, ku secila parti pjesëmarrëse në koalicion kishte listë me jo më pak se 140 kandidatë, në këto zgjedhje partitë e koalicionit, kishin gjithsej në gjithë qarqet vetëm 23 kandidatë. Kjo solli, ashtu siç ishte e pritshme, që performanca e koaliconit si një i tërë të mos ishte i njëjtë apo i ngjashëm me peshën dhe forcën që një koalicion i tillë do të kishte në 2009 apo 2013, apo pa u ndryshuar rregullat në mënyrë të njëanshme nga Qeveria.
  2. Në kushtet e masakrës zgjedhore, puna duhet të përqëndrohet në qarqet ku ka mundësi reale për mandate të tjera shtesë në qarqet Berat, Durrës, Fier, Gjirokastër, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë. Për pasojë, e gjithë strategjia në vijimësi për të goditur me forcë krimet zgjedhore dhe fenomenet e paligjshme që kanë ndikuar në rezultat, duhet të përqëndrohet kryesisht në këto 7 qarqe. Ndërkohë që edhe në qarqet Elbasan, Korçë dhe Lezhë puna duhet të përqëndrohet, jo vetëm në ruajtjen e mandateve aktuale, por edhe në potencialin e shtimit të mandateve. bw

“Kini kujdes, ruajini fëmijët tuaj”, i indinjuar flet babai pas dënimit me 10 vite të ish-policit që ia vrau të birin Klodian Rasha

Një prind zemërplasur, me thikën në asht, që i ka numëruar ditët e orët pa të birin që ia vranë në lulen e rinisë deri në marrjen e drejtësisë dhe një thirrje dëshpërimi.

Sot në ditën e 216-të të mungesës së Klodianit, dënimi për atë që ia mori jetën u dha, por nuk ishte ai që kishte pritur Qazim Rasha.

Babai i 25-vjeçarit të vrarë më 8 dhjetor të vitit të kaluar shumë pak metra larg shtëpisë nga një efektiv i forcave Shqiponja, ka komentuar tepër i indinjuar vendimin e Gjykatës së Tiranës e cila dënoi sot me 15 vite burg Nevaldo Hajdarajn, që do të vuajë 10 vite, për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Qazim Rasha tha se kjo njollë e zezë nuk do i hiqet shtetit dhe i bëri thirrje qytetarëve dhe gazetarëve të ruajnë fëmijët.

“Ju kisha thënë që do vijë momenti që do t’i themi a gjëra. Sot është momenti. Dua t’ju falënderoj ju nga zemra për punën fisnike që keni kryer që nga dita e parë deri tek dita e sotme. Falë jush shumë gjëra morën rrugë, pavarësisht inskenimeve që u munduan me të gjitha format. Falënderoj çdo person që ka trokitur në derën time nga dita e parë deri sot në ditën e 216-të, falënderoj çdo qytetar që mbushën sheshet duke thirrur ‘Unë jam Klodiani’. Ardhja ime që nga dita e parë ka qenë jo krejt pa domethënie. Ishte një makabritet që e kreu një sekt që çdo lloj epiteti mund të vendosësh vetëm epitetin njeri jo. Ai për të cilin paguan taksa, një lloj huligani, padrejtësisht vret një djalë të ri në rrugicën e shtëpisë së vetë.
Pavarësisht alibisë, ngjarjes, tragjedisë, arriti deri aty sa viktima të marrë pozicionin e kriminelit dhe krimineli është veshur me petkun e viktimës. Është një ngjarje që ka tronditur jo vetëm themelet e familjes sime, por të mbarë shoqërisë, por edhe shtetit. Kjo njollë e zezë nuk do i hiqet. Mesazhi im është një, fëmija im ik, u varros, por fëmija juaj, gjaku është njëlloj si i të gjithëve.
Mendoja që me këtë rast të shërbejë një shembull për këta që janë gjallë, të shërbejë si simbolikë që edhe ju kini kujdes ruajini fëmijët tuaj.
Si mund ta quash drejtësi, kur çdo gjë është e qartë dhe me një të rënë të lapsit i jep gjykimin e shkurtuar?! Mendoj dhe besoj tek drejtësia e re që po ngrihet”, deklaroi babai i Klodian Rashës.

I pyetur nëse do ta apelojë vendimin e Shkallës së Parë, ai tha se nuk ka besim.
“Unë e kam kërkuar drejtësinë që ditën e parë, por me këtë lloj drejtësie nuk besoj se mund ta gjej as unë, askush”, deklaroi Qazim Rasha.

Arrestimet e zyrtarëve, Lubonja: Regjia është Rama, pushteti. Pse SPAK nuk i hapi këto procese para zgjedhjeve?

TIRANË

Analisti Fatos Lubonja ka folur sot në një lidhje ‘live’ në Nws24, në rubrikën “Opinion” për operacionet e SPAK dhe arrestimet e disa zyrtarëve. Lubonja tha se për të është me regji dhe se regjisor është kryeministri Edi Rama dhe pushteti.

Sipas tij, në krye të mandateve Rama ka bërë operacione të kësaj natyre, për të thënë që tani po ndërtojmë shtetin, teksa pyet më pas pse pas zgjedhjeve këto operacione të SPAK?!

“Përgjithësisht është përdorur fjala regji. Ideja është SPAK është me regji, këto janë veprime që bëhen me regji. Pikëpyetja është cili është regjisori? Nënkuptohet se njëri nga regjisorët kryesorë që mendohet është vetë Edi Rama. Ka një ide që jo regjisori mund të jenë amerikanët, ambasada amerikane, një ide tjetër vetë SPAK po bën një aksion me regji, diçka që është e programuar. Ashtu si mund të ngremë dhe pyetjen mos vallë regjisori është dinakëria e të arsyeshmes? Pra dhe kur ndodhin gjëra për qëllime të këqija dhe arsyeja ka arsye. Unë mbetem i idesë që duke parë hap-pas hapi ngjarjen këtu ka një regji, në vështrimi ne parë regjia është Edi Rama, pushteti. Po të shikosh në krye të mandateve ka bërë operacione të kësaj natyre, që po ndërtojmë shtetin, prishja e ndërtimeve pa leje, puna e dritave, operacion për ata që duhet të mbanin në makina pajisjet mjekësore. Ka pasur aksione të tilla të cilat pastaj janë harruar dhe kanë krijuar idenë, tani po ndërtohet shtet, ky po ndërton, por gjithnjë kemi parë një shtet gjithmonë e më të kapur.
Pse them regji, për shembull se një pyetje mund të ngrihet, ore mirë ky SPAK pse i hapi gjithë këto procese, pas zgjedhjeve dhe jo para zgjedhjeve? SPAK duhet të jetë i pavarur nga politika, e hap procesin kur maturohet.Si ka mundësi e hapi procesin dhe arrestimet u bënë pas zgjedhjeve?”, deklaroi Lubonja.

Qëndrimet e kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakët dhe ministrat, tonet e ashpra, Lubonja i komentoi si pjesë të regjisë dhe në funksion të propagandës.
“Gjithmonë me idenë që tani do ndërtojmë shtetin, për t’iu thirrur përgjegjësive të tyre shtetërore. Është pjesë e regjisë. Gjithmonë në funksion të një propagande. Duhet të kemi parasysh që peshku qelbet nga koka, jo nga bishti. Kryeregjisori i së keqes në kuptimin e gjithë këtij sistemi që është ndërtuar, korrupsioni, lidhjen e krimit me politikën, është Edi Rama. Këto punë i ka filluar që në bashki, duke e bërë Tiranën nga qytet të qytetarëve, në qytet të oligarkëve, është histori e gjatë, pastaj pastrimi i parave. Të gjitha këto nuk bëhen dot pa një regjisor se është dhe kryedhënësi i lejeve të ndërtimit. Prandaj ai SPAK, në qoftë se shkon deri tek ca nëpunës anonimë, ne mund të njihnim Ndrecën dhe Lleshajn, po ata poshtë jo. Pyetja që ngre çdo njeri, si ka mundësi që në këtë vend, në këtë Shqipëri, ku njeh dreqi të birin, kalokan shifra të tilla e nuk di gjë ministri e sekretari i përgjithshëm? Janë shenja të regjisë dhe propagandës”, tha ai.

A ka një ngjashmëri të aksioneve të SPAK me atë të quajtur “manni puliti” (duar të pastra) në Itali në fillim të viteve ’90? Lubonja thotë që jo, madje flet për eliminim të partive të vogla dhe rrezikun e një partie shtet.
“Manni pulite meqenëse e përdore ka sjellë vërtetë një përmbysje të një klase politike në Itali, por nuk besoj se është në rastin në fjalë. U shkatërrua partia demokrastiane më e rëndësishme në Itali dhe u bë një rikonfigurim se jo të gjithë dolën nga skena, por dolën nga skena politikanë shumë të rëndësishëm dhe njëkohësisht u godit një sistem që kishte të bënte me partitë që financoheshin në mënyrë të paligjshme, nga bizneset. Pra, kapja e partive dhe nëpërmjet kapjes së partive, kapja e shtetit. Mua më duket se jemi shumë larg kësaj. Ajo ndodhi në atë kohë sepse ra muri i Berlinit, iku rreziku i komunizmit dhe disa thonë se CIA ra dakord, por ra dhe arsyeja për të qëndruar këta. Ra një lloj sistemi i ngritur i partitokracisë që kontrollonte shtetin. Unë nuk besoj që në Shqipëri ka rënë partitokracia, jemi në një proces tjetër, në eliminimin e partive të vogla dhe ndërtimin e partisë shtet, e një partie të vetme, Edi Rama që i kërcënon ata në emër të SPAK-ut flet për partinë shtet. Ndërkohë që nuk mund të flasë një politikan në Itali, të kërcënojë me burg. Magjistraturat dolën si forcë jashtë partive dhe kundër partive kryesore. Nuk e shoh këtë në Shqipëri, shoh partinë shtet që bën sikur bën drejtësi, siç bënte Enver Hoxha”, u shpreh Lubonja.

Lidhur me vijueshmërinë e aksionit të SPAK dhe kë mund të prekë, ai theksoi se mund të shtrihet tek kundërshtarët politikë.
“Aksioni i SPAK mund të vazhdojë në qoftë se është me regji, regjia ka disa objektiva. Aksioni i SPAK mund të shtrihet tek disa figura kundërshtarësh politikë, duke u justifikuar me këto që po bën tani, por që janë figura irrilevante në kuptimin e rëndësisë së partisë. Simbolizojnë 0 që i vijnë mbrapa 1-shit”, tha ai.
Duke i kthyer tek politika dhe sa kjo opozitë mund të shërbejë si kundërpeshë e pushtetit, Lubonja tha se pikëpyetja e madhe është a mundet më të bëhet kundërpeshë?!
“Ju thatë që është politika si në heshtje, por besoj ato që thashë përpara për këto aksione dhe ato janë politikë, nuk janë drejtësi e thjeshtë. Për partitë, kam lexuar komentet lidhur me çfarë duhet të bëjë PD, Mark Marku, Gjekmarkaj që ngrenë me shqetësim se sa parti mund të bëjë opozitarizmin e vërtetë që ka nevojë, dhe unë e ndaj këtë shqetësim. Nuk më duket që PD mund të bëjë kundërpeshën, por pikëpyetja e madhe është a mundet më të bëhet kundërpeshë. Ajo mund të luajë një rol të rëndësishëm por që të bëjë kundërpeshë, duhet të shtojë peshën, të hapet, të fusë sa më shumë njerëz brenda partisë, edhe mbështetës dhe kjo kërkon një rishikim të shumë qëndrimeve, shumë mbylljeve, hapje mendje dhe hapje njerëzore”, tha Lubonja.

Për hapjen e PD dhe ndryshimet e statutit, ai theksoi se Basha nuk mjafton më si një lider për të sfiduar këtë parti-shtet, duhet një lëvizje.
“Ky ishte momenti që mund të hapet, por edhe një moment kur u bë luftë për pushtet brenda partisë. Ajo nuk ndihmoi që partia të hapet, akuzat ndaj njeri-tjetrit nuk e di sa mund t’i shërbejë hapjes. Apo duhet ndryshuar struktura.
Basha edhe për arsye të së kaluarës së tij dhe gjithë problemeve, nuk mjafton më si një lider për të sfiduar këtë parti-shtet, duhet një lëvizje, shumë rryma që bashkohen që kanë një interes të përbashkët dhe që mund të ndahen më pas, por që sjellin një përmbysje”, deklaroi Lubonja.

Policia aksion në Durrës, bllokohet mjeti super-luksoz me vlerë 1 mln euro, kapen municione e kapsolla donatore

DURRËS

Një operacion po zhvillohet, që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, në Durrës, ndërsa vijon ende.

Lajmi bëhet i ditur për “BalkanWeb” nga gazetarja Klodjana Haxhiaj, e cila raporton se nga aksioni janë bllokuar një sasi municionesh dhe kapsolla donatore, si dhe janë arrestuar disa persona.

Gazetarja Haxhiaj sjell pamje në “BalkanWeb”, ku shihet se policia ka bllokuar një taksi dhe një makinë super-luksoze tip “Mc Claren”, vlera e së cilës shkon deri në 1 milion euro.

Mjeti është me targa angleze dhe sapo ishte futur në Shqipëri. Ndërkohë, policia vijon kontrollet në banesa, për të zbuluar të tjerë persona të përfshirë në këtë rrjet të trafikimit të armëve luftarake.

SPAK dërgon në gjyq ish-kryebashkiakun e Pogradecit dhe 5 ish-zyrtarë

TIRANË

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka dërguar në gjyq ish-kryetarin e bashkisë së Pogradecit, Eduard Kapri, dhe pesë zyrtarë të tjerë.

Sipas SPAK, ish-kryebashkiaku Kapri akuzohet për veprat penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim dhe “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim.

SPAK bën me dije se fakti i parë penal lidhet me procedurën e prokurimit “Procedurë e Hapur” me objekt: “Blerje dru zjarri”, me fond limit 9 268 000 lekë (pa tvsh), e zhvilluar në datën 27.10.2017, nga autoriteti kontraktor, Bashkia Pogradec”.

Ndërsa, fakti i dytë lidhet me tentativën për pengimin e procesit zgjedhor të 30 qershorit në vitin 2019.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 12.7.2021, përcolli pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale me nr.69 të vitit 2020 në ngarkim të të pandehurve:

Eduart Kapri, me detyrë ish-Kryetar i Bashkisë Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal dhe “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 – 25 i Kodit Penal;
Avdulla Cano, me detyrë ish-Zv.Kryetar i Bashkisë Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal;
Nexhmi Torra, me detyrë ish-koordinator i Njësive Administrative pranë Bashkisë Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal
Enkeleida Kllomollari me detyrë ish-Drejtoreshë e Qendrës Arsimore pranë Bashkisë Pogradec, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal
Gurali Blaceri, me detyrë ish-punëtor mirëmbajtës në Drejtorinë e Qendrës Arsimore Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal
Safet Blaceri, me detyrë ish-punëtor mirëmbajtës në Drejtorinë e Qendrës Arsimore Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal,
Ky procedim është regjistruar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, dhe “Shkelja e barazisë në tendera dhe ankande publike” në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248-25 dhe 258-25 të Kodit Penal dhe në objekt të hetimit të tij ka patur dy fakte penale:

Fakti i parë penal, lidhet me procedurën e prokurimit “Procedurë e Hapur” me objekt: “Blerje dru zjarri”, me fond limit 9 268 000 lekë (pa tvsh), e zhvilluar në datën 27.10.2017, nga autoriteti kontraktor, Bashkia Pogradec”.

Nga hetimi, rezultoi e provuar se titullari i Autoritetit Kontraktor, Eduart Kapri në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torro dhe Avdulla Cano, kanë kryer veprime që kualifikohen në veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike”, parashikuar nga neni 258 dhe 25 të Kodit Penal.

Fakti i dytë penal ka lidhje me ngjarjen e datës 28.06.2019, ku janë arrestuar në flagrancë shtetasit Gurali dhe Safet Blaceri, duke vënë dryna me çelës në rrethin e jashtëm në tre shkolla dhe një kopsht, institucione këto që ndodhen ne lagjet nr.2 dhe 5 të qytetit të Pogradecit, të cilat ishin miratuar si qendra votimi nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për zgjedhjet vendore të datës 30.06.2019.

Nga hetimi ka rezultuar e provuar se nga ana e shtetasit Eduart Kapri, me cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Pogradec, në bashkëpunim me shtetasit Safet Blaceri dhe Gurali Blaceri, me detyrë mirëmbajtës në Qendrën Arsimore, Pogradec, janë bërë tentativa për të penguar procesin zgjedhor që do të zhvillohej në datë 30.6.2019. Në kushtet kur nuk ka patur asnjë kërkesë për sigurinë e tyre, janë kryer veprime konkrete për mbylljen e këtyre institucioneve.

Sot 26-vjetori i masakrës së Srebenicës, Basha: Në parlamentin e ardhshëm, PD rezolutë për gjenocidin serb në Kosovë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu është bashkuar reagimeve në lidhje me 26-vjetorin e gjenocidit të Srebenicës.

Përmes një mesazhi në “Twitter” Basha thekson se masakra e Srebenicës është një akt genocidal i cili duhet të njihet dhe të dënohet si i tillë nga bota e civilizuar. Sipas tij, Shqipëria duhet të ketë kurajon dhe pavarësinë për ta dënuar atë dhe genocidin serb në Kosovë, mbi të cilin PD-ja do të paraqesë në Kuvend një rezolutë.

MESAZHI I BASHËS
Masakra e Srebenicës është një akt genocidal i cili duhet të njihet dhe të dënohet si i tillë nga bota e civilizuar. Shqipëria duhet të ketë kurajon dhe pavarësinë për ta dënuar atë dhe genocidin serb në Kosovë, mbi të cilin
@pdshqiperi do të paraqesë në Kuvend një rezolutë.

Kuvendi nuk tërhiqet pas apelit të BE dhe OSBE, voton me 83 vota kreun e Autoritetit të Mediave Audiovize

TIRANË

Armela Krasniqi do të jetë në krye të Autoritetit të Mediave Audiovize. Pavarësisht thirrjeve të partnerëve ndërkombëtar për të shtyrë për në shtator zgjedhjen e kreut të AMA-s, Kuvendi nuk bën kthim pas.

Me 83 vota pro deputetët votuan në krye të AMA-s, kandidaturën e Armela Krasniqit, ndërsa në garë ishte gjithashtu edhe Alket Dibra që u votua me vetëm 9 vota.

Kujtojmë se në nisje të seancës, delegacioni i BE-së në Tiranë, OSBE/ODHIR si edhe ambasada britanikë, në një zë apeluan Kuvendit të shtynte për në shtator, zgjedhjen e kreut të AMA-s.

“Autoritetet rregullatore të mediave duhet të punojnë në mënyrë të paanshme, transparente dhe me një legjitimitet të njohur nga të gjithë. Bashkimi Evropian ka rishikuar Direktivën e Shërbimeve të Mediave Audiovizive dhe ka paraqitur kërkesa të reja për pavarësi për rregullatorët kombëtarë të mediave përfshirë detyrimin për të vendosur procedura transparente dhe të pavarura për emërimin dhe shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve të bordit të këtyre autoriteteve. Ky legjislacion është pjesë e acquis të BE-së të cilin Shqipëria duhet të përshtasë.

Ne kemi ndjekur nga afër procesin për zgjedhjen e kryetarit të ri dhe anëtarëve të bordit të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA). Është e rëndësishme që të mos ketë dyshime mbi natyrën jopartiake, profesionale dhe pluraliste të punës së AMA-s. Vëmë re se votimi nga Parlamenti për emërimin e kryetarit është planifikuar për sot, në seancën e fundit të kësaj legjislature. Ne i ftojmë autoritetet të marrin në konsideratë të vazhdojnë me këtë emërim gjatë legjislaturës së ardhshme në shtator, së bashku me emërimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit, si mënyra më e mirë për të arritur konsensusin dhe legjitimitetin e pranuar gjerësisht”, thuhej në deklaratën e delegacionit të BE.

Në seancën e fundit për këtë legjislaturë, Kuvendi votoi edhe një sërë ligjesh të parashikuara në rendin e ditës.

“Liria e medias dhe demokracia e kërcënuar nga regjimi”, PD: Rama zyrtarizon nesër zëdhënësen e PS në krye të AMA-s

TIRANË

PD ka akuzuar përmes deputetes së zgjedhur më 25 prill, Albana Vokshi kryeministrin Rama lidhur me kreun e AMA-s që pritet të votohet nesër në Kuvend.

“Është koha që Edi Rama të tërhiqet nga vendimi antidemokratik për të kapur Autoritetin e Medias Audiovizive përmes zëdhënëses së tij.” -shkruan Vokshi  në një postim në facebook, ndërsa apelon se qeverinë të tërhiqet nga ky votim.

“Votimi i parashikuar nesër në orët e fundit të këtij parlamenti ilegjitim është kthyer në shqetësim për Reporterët Pa Kufij. Në reagimin e sotëm, organizata kryesore në mbrojtje të gazetarëve vë në dukje se ky vendim po merret pa opozitën, përpara nisjes nga puna të parlamentit të ri.

Është e papranueshme për standardet demokratike që zëdhënësja e Edi Ramës të emërohet në krye të një institucioni të pavarur, veçanërisht, kur qeveria nuk ka hequr dorë akoma nga ligji i censurës që dënon gazetarët me burg.

Nesër është dita që qeveria të tërhiqet dhe të mos i nxijë më shumë imazhit Shqipërisë si vendi ku gazetarët dënohen me burg, liria e medias është në rrezik dhe demokracia akoma më e kercënuar nga nje regjim autoritarist që qendron në pushtet me votë të vjedhur!”- përfundon Vokshi. bw

Ndryshimi i rregullores- Tërhiqet Kuvendi: Gazetarët do të jenë të pranishëm në komisione

TIRANË

Kuvendi është tërhequr nga ndryshimi i rregullores, për të mos lejuar gazetarët të jenë të pranishëm në mbledhjet e komisioneve.

Me shkresën e firmosur nga kryeparlamentari Ruçi, gazetarët do të vijojnë të ndjekin mbledhjet e komisioneve parlamentare. Operatorët do të mund të marrin plane, në 5 minutat e para të mbledhjeve ndërsa në dispozicion do t’u vihen edhe planet e sistemit.

Gjithashtu Kuvendi u tërhoq nga vendimi që punonjësit e gardës të shoqërojnë gazetarët në ambjentet e Kuvendit, duke konsideruar si të nevojshëm vetëm kontrollin fillestar në hyrje.

Vendimi pason një sërë takimesh të gazetarëve me përfaqësues të Kuvendit, si edhe protestës së kryer në ambjentet e jashtme të parlamentit.

Arrestohet kryebashkiaku i Lushnjes dhe 8 zyrtarë të tjerë

VOA

Në Shqipëri, kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, disa zyrtarë të pushtetit vendor dhe bisnesmenë janë arrestuar gjatë ditës së sotme në vijim të një hetimi të nisur nga Prokuroria e Posaçme kundër krimit të organizuar dhe Koruupsionit (SPAK).

Të gjithë zyrtarët dyshohen për “Shpërdorim detyre”, “Shkelje të barazisë në tendera”, ndërsa administratorët e dy kompanive private dyshohen për “Falsifikim të dokumentave”. Përveç kryebashkiakut Tushe, 8 zyrtarët e tjerë nën arrest, janë punonjës së Ndërmarrjes së pasurisë publike, pranë Bashkisë Lushnje. Për katër prej tyre, përfshirë drejtorin e kësaj ndërmarjeje Flamur Peqini, është dhënë masa e “arrestit me burg”, ndërsa për katër të tjerët ajo e “arrestit në shtëpi”.

Të gjithë dyshohet të jenë përfshirë në një skemë të tjetërsimit të fondeve publike, në rastin e një tenderi, me vlerë 24 milion lekë, për rehabilitimin e një ujësjellësi. Me urdhër të prokurorisë janë ushtruar kontrolle në zyrat e Ndërmarrjes së pasurisë publike, por dhe në disa prej banesave të përsonave të arrestuar.

Ndaj arrestimit të kryebashkiakut socialist Fatos Tushe, ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama. “Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre! PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve”, theksoi kryeministri në një postim në Twitter.

Nga ana e saj ambasadorja amerikane Yuri Kim, shpërndau gjithashtu një postim po në Twitter, ku shkruante se “nëse je i përfhirë në korrupsion – pak rëndësi ka se sa i pushtetshëm mendon se je – tani është koha të marrësh në konsideratë pasojat që veprimet e tua do të kenë mbi familjen dhe vendin tënd. Tani është momenti të vlerësosh nëse ja vlen të shkosh në burg. Tani është momenti të heqësh dorë. Askush nuk është mbi ligjin”, përfundon postimi i ambasadores amerikane.

Hetimet ndaj kryebashkiakut të Lushnjes po vijojnë edhe për dyshimet për korrupsion. Zoti Tushe u vu në qendër të vëmendjes dhe para gati një viti e gjysëm, kur më 31 dhjetor të 2019-ës ai u plagos nga shpërthimi i një granate të hedhur në zyrën e tij, nga ish shoferi i tij.

Skandali me mbeturinat, tonelata plehrash digjen mes Spillesë dhe Plazhit të Gjeneralit. Turistët të tmerruar, bashkia e Kavajës asnjë reagim

Situata e rëndë e shkaktuar nga mbeturinat zhvendoset përgjatë bregdetit të Adriatikut. Pas emergjencës disa ditore në Durrës, në qendër të vëmendjes tani është Kavaja. Rreth 40 ton mbeturina depozitohen dhe digjen çdo ditë në kodrën e fshatin Kazie mes zonës së plazhit në Spille dhe Plazhit të Gjeneralit. Grumbullimi dhe djegia e tyre ka shkaktuar ndotje të madhe mjedisore, tani në pikun e sezonit turistik.

Në këtë kodër, siç shihet që nga mëngjesi i sotëm janë depozituar mbetje urbane të qytetit të Kavajës e më pas iu është vënë zjarri duke çliruar dioksid karboni, duke shkaktuar një krim të rëndë mjedisor. Janë operatoret turistikë dhe banorët e fshatrave përreth të cilët kanë ngritur alarmin lidhur me situatën e rëndë mjedisore si pasojë e ndotjes që shkakton djegia e mbetjeve urbane.

Në fshatin Kazie duket nga larg tymi i djegies së mbetjeve urbane, ndërsa era e keqe është shumë shqetësuese për turistët dhe banorët e zonës. Një krim mjedisor me përmasa të tilla, mbart një rrezik të lartë për banorët e zonës, por edhe për turistet ndërkohë që nuk ka një kontroll nga efektivët e Task-Forcës.

Ligji parashikon se të gjitha mbetjet duhet të seleksionohen, në mënyrë që të ndahen në të riciklueshme dhe për trajtim të posaçëm, por ai me sa duket nuk zbatohet. Bashkia e Kavajës deri tani nuk ka asnjë reagim për këtë situatë në zonat bregdetare në pikun e sezonit turistik.

Neës24 kërkoi informacion zyrtar në bashkinë Kavajë në lidhje me menaxhimin e mbetjeve urbane pas shqetësimit të madhe që kanë ngritur banorët dhe subjektet e biznesit për depozitimin e tyre në zonën e fshatit Kazie. Por deri tani nuk pati asnjë informacion dhe reagim nga ana e zyrtarëve të bashkisë Kavajë.

Hedhja e mbetjeve në këto vendgrumbullime të paligjshme, jo vetëm që largon turistët apo shkakton dëme në florën dhe faunën e zonës, por vendos në rrezik edhe jetën e banorëve.

Tiranë: SHBA dhe BE presin më shumë rezultate në luftën kundër korrupsionit

Ilirian Agolli

SHBA dhe BE nxitën sot autoritetet shqiptare që të shtojnë rezultatet konkrete me ndëshkimin e korrupsionit dhe me konfiskimet e pasurive.

Zyrtarë të Departamentit Amerikan të Drejtësisë dhe të Bashkimit Europian kërkuan një bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve të sistemit gjyqëosr në hetimin e kriminalitetit.

Këshilltari për antiterrorizmin e rajonit të Ballkanit në departamentin amerikan të drejtësisë, Clay Stiffler, tha në Tiranë se korrupsioni është armiku i drejtpërdrejtë i shtetit ligjor, ai shkel të drejtat e njeriut, shkatërron demokracinë, shkurajon bizneset dhe tregjet, gërryen cilësinë e jetës dhe lejon që krimi i organizuar dhe terrorizmi të prekin jetën e qytetarëve.

Kjo dukuri djallëzore i kap të gjithë shtetet, kudo të pasur e të varfër, të mëdhenj e të vegjël, por në vendet në tranzicion ka më shumë pasoja shkatërrimtare, tha ai.

“Rruga më e mirë dhe e vetmja për të luftuar korrupsionin është që t’I keni të pavarura institucionet e zbatimit të ligjit, prokurorët dhe gjyqtarët. Ata duhet të jenë të qëndrueshëm e të vendosur për të ndëshkuar shkelësit e ligjit dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut” – tha zoti Stiffler.

Ai i bëri këto komente gjatë konferencës mbi Sfidat në luftën kundër korrupsionit”, ku morën pjesë anëtarë të qeverisë dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë.

“Sfida më e madhe për të luftuar korrupsionin është kërcënimi i pavarësisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve, që vjen nga pushtetet politike dhe ekonomike. Vetëm një gjyqtar dhe prokuror i pavarur mund të bëjnë drejtësi të paanshme larg ndikimit të pushtetit. Shqipëria i ngriti institucionet e reja të drejtësisë dhe SHBA është gati për ta mbështetur” – tha zoti Stiffler nga departamenti amerikan i drejtësisë.

Në një zë me të ishte edhe drejtuesi i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, ambasadori Luigi Soreca, i cili theksoi se Shqipëria duhet të shtojë rezultatet në hetimin dhe ndëshkimin e rasteve të korrupsionit, si dhe konfiskimet e pasurive të këtyre të dënuarve.

Për këtë nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë mes institucioneve të sistemit gjyqëosr në hetimin e kriminalitetit.

“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se duhet më shumë, dhe vecanërisht në dy drejtime: dënimi dhe konfiskimet përfundimtare të pasurive. Hetimet financiare janë shumë themelore për cdo rast korrupsioni dhe atyre u duhet shkuar deri në fund. Zyrtarët që qëndrojnë prapa krimit, politikanë, gjyqtarë, prokurorë, duhet të kuptojnë se ata nuk janë më mbi ligjin” – tha zoti Soreca..

Ai kujtoi se BE ka mbështetur Shqipërinë me 60 milionë euro në 9 vitet e fundit për të forcuar pajisjet dhe njerëzit e antikrimit, duke përfshirë edhe mbështetjen në procesin e vettingut.

Ministrja e drejtësisë, Etilda Gjonaj, tha se vullneti i qeverisë për reformën në drejtësi ka qenë i palëkundur në 5 vite, reformë e cila largoi me veting një numër të madh gjyqtarësh e prokurorësh të paaftë, të korruptuar e të lidhur me krimin.

“Nëpërmjet reformës në drejtësi po kryhet pastrimi rrënjësor i sistemit të drejtësisë nga elementët e korruptuar, jo profesionalë apo me lidhje të dyshimta me krimin nëpërmjet procesit të vettingut. Nga rreth 50 % të gjyqtarëve dhe prokurorëve të vettuar, më shumë se 60% prej tyre janë larguar nga sistemi. Nga ana tjetër është lufta ndaj korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, nëpërmjet ngritjes dhe funksionimit të strukturave të reja të posacme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ato tashmë kanë filluar të flasin në emër të drejtësisë penale të re me raste konkrete të procedimeve penale të nisura dhe përfunduara, dhe pasuri të sekuestruara si për raste brenda sistemit por edhe jashtë saj” – tha ministrja Gjonaj.

Krahas vetingut të gjyqtarëve e prokurorëve, janë rivlerësuar edhe drejtuesit e sistemit të burgjeve, po fuqizohet bashkëpunimi rajonal është ngritur një rrjet antikorrupsion dhe priten rezultatet e para konkrete nga SPAK dhe BKH.

Si fryt i parë i bashkëpunimit rajonal kundër krimit u vlerësua në konferencë një operacion i gjerë të premten i SPAK-ut në bashkëpunim me partner ndërkombëtarë, ku u arrestuan disa grupe kriminale në Itali e Shqipëri, që trafikonin bimë narkotike.

Shpërthen bombola e gazit në hotelin Velipojë, plagosen 3 vajza dhe 1 fëmijë, nisen në gjendje të rëndë drejt spitalit

VELIPOJË

Një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur në Velipojë, pas masakrës me katër të vrarë. Gazetari Senad Nikshiqi raporton për “BalkanWeb” se ka shpërthyer një bombol gazi në një hotel, duke bërë që zjarri të përfshijë pjesëtarët e familjes, që janë pronarë të këtij biznesi.

Siç raporton gazetari Nikshiqi për “BalkanWeb”, nga zjarri janë dëmtuar tre vajza dhe një fëmijë, të cilët kanë pësuar djegie të konsiderueshme dhe ndodhen në gjendje të rëndë.

Gazetari Senad Nikshiqi raporton për “BalkanWeb” se zjarri ka rënë në hotelin e familjes Gjoka, në Velipojë, ku të dëmtuara janë A. Gjoka, 30 vjeçe, D. Gjoka, 18 vjeçe, K. Gjoka, 15 vjeçe, dhe i mituri E. Gjoka, 11 vjeç.

Siç raporton gadetari Senad Nikshiqi për “BalkanWeb”, të dëmtuarit do të dërgohen për mjekim të specializuar në Spitalin e Tiranës, pasi kanë djegie të konsiderueshme dhe gjendja e tyre shëndetësore është kritike.

Siç mëson gazetari Nikshiqi, zjarri në hotelin e familjes Gjoka ka rënë rreth orës 07:05 të mëngjesit.

 

Vendimi për Teatrin Kombëtar, Lubonja: Lajm që ngroh zemrat e shqiptarëve, njerëz me kurajo mund të ndryshojnë fatin e vendit

Analisti Fatos Lubonja komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Teatrin Kombëtar, duke pezulluar ndërtimin e teatrit të ri dhe shfuqizuar vendimin e Këshillit të Ministrave për kalimin në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

Në një lidhje me “Skype” për “News24”, Lubonja tha se ky është një lajm i mirë dhe që ngroh pak zemrat e shqiptarëve, që nuk kanë më besim në këtë vend, raporton “BalkanWeb”.

“Një lajm i mirë është ky. Është një lajm që ngroh pak zemrat e ftohura të njerëzve, që s’kanë besim fare në atë vend. Duhet parë me rezerva, në kuptimin se është një betejë e fituar. Një koment i parë është se pak njerëz me kuraja mund të ndryshojnë fatet e shumë njerëzve në atë vend. Një koment i dytë është se Gjykata Kushtetuese dihet se nuk është e kontrolluar nga pushteti, nga partia shtet, por rezultati që ka dalë 5 me 2 flet edhe për një integritet të atyre gjyqtarëve që i kemi menduar se mund të jenë instrumente të partisë shtet. Pra, jep kurajo, besim te njerëzit, por gjithmonë mbetet frika se kjo është një qelizë e vogël rezistence, ndërkohë që përmbytja që po bën partia shtet në të gjitha institucionet për t’i kapur e kontrolluar vazhdon.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i lidhur me veprime antiligjore, që meritojnë ndëshkim nga ana e drejtësisë. Nuk jemi të sigurt sa këto hallka mund të funksionojnë, të vënë para përgjegjësisë ata që kanë tjetërsuar këtë pronë, të hetojnë pse është bërë ky tjetërsim, e me radhë, pasi ka shumë bishta prapa. Ne e dimë shumë mirë si u prish teatri. Mënyra si u prish teatri ishte një arrogancë, u bë në një kohë pandemie, kur nuk kishte Gjykatë Kushtetuese, pra u bë në një mënyrë që e shpërfill drejtësinë, sepse thotë që ‘drejtësia jam unë’. Por, nga ana tjetër, këtu hapet një problem për ta. A do të pranojnë strukturat e drejtësisë apo do të fillojnë të përdorin mjetet, që kanë përdorur, për t’i bërë presion, për ta injoruar e neglizhuar drejtësinë. Këtu mbetem skeptik. Por ky lajm tregon se mbetet shpresa, se drejtësia vazhdon të jetojë në ajër”, tha Lubonja.

Më tej, Lubonja foli dhe për akuzat e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ndaj ambasadorit të BE në Tiranë, Luigi Soreca, duke thënë se “Është minimumi që mund të bëhet ndaj këtyre ambasadorëve, që kanë nëpërkëmbur dinjitetin e shqiptarëve, me mënyrën si janë sjellë. Jo sikur vijnë këtu për të ndihmuar vendosjen e shtetit të së drejtës, por sikur janë bërë pjesë e një bande të partisë shtet. Është e pabesueshme. Soreca është një zhgënjim edhe më i madh se Vlahutin. Njeri që vjen edhe nga jugu i Italisë, ku e di shumë mirë se c’do të thotë një mafie që kap shtetin apo segmente të shtetit. Një njeri që i vijnë të dhënat që kjo mafia italiane flet e thotë se në Shqipëri jemi si në Kalabrinë e viteve 60, dhe ai bën sikur kjo gjë nuk ekziston. Është dyfish përgjegjës. Është e pabesueshme. Qëndrimi që kanë mbajtur ndaj prishjes së teatrit si simbolikë, si sjellje, si mënyrë qeverisje e ambasadorëve”.

I dënuar me 3 vite burg në Greqi, KQZ lë në detyrë kreun e Bashkisë së Mallakastrës

Ashtu siç edhe u njoftua, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi këtë të premte seancën për kryebashkiakun e Mallakastrës Qerim Ismailaj, i cili pas verifikimeve të Prokurorisë rezultoi i dënuar me 3 vite burg në Greqi.

Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi, deklaroi se Ismailaj nuk përfshihet në kushtet e ndalimit të parashikuar, duke shtuar se vlerësimin e veprës ekuivalente në Shqipëri krahasuar me atë të bërë në një shtet të huaj nuk e bën KQZ, por Prokuroria.

Në këtë mënyrë KQZ vendos që Ismailaj të qëndrojë si kryetar i Bashkisë së Mallakastrës.

“Vlerësimin e veprës ekuivalente në Shqipëri krahasuar me atë të bërë në një shtet të huaj nuk e bën KQZ, por Prokuroria. Ata na kanë thënë se vepra për të cilin ai është dënuar në Greqi, dënohet maksimalisht me gjobë në Shqipëri”, tha ai.

Qerim Ismailaj është dënuar në Greqi nga Gjykata e Chios me 3 vite burg në mungesë për veprën penale “Konflikti dhe përleshjes”. Kjo vepër penale në Kodin tonë Penala korrespondon me veprën “dëmtime të tjera me dashje” parashikuar nga ne 90/1 e cila sanksionon vetëm dënim me gjobë, vepër që nuk e prek ligji i dekriminalizimit.

Por Ismailaj ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit duke mos e shkruar këtë dënim dhe për këtë ai akuzohet për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.

Prokuroria i nisi hetimet vitin e kaluar pas denoncimit të Partisë Demokratike, që pretendonte se ka qenë i dënuar për plagosje me dashje në një ngjarje të ndodhur në Shkurt të vitit 2000. Qerim Ismailaj, i dalë kryebashkiak nga zgjedhjet e 30 qershorit 2019 , u akuzua nga PD përmes Sekretarit të saj të Përgjithshëm, Gazment Bardhi se ai ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit pasi ka qenë i dënuar në Greqi. Vetë Ismailaj ka deklaruar se nuk kishte dijeni lidhur me këtë dënim, pasi në të kundërt do e kishte deklaruar sepse nuk do e kishte penguar të kandidonte për kryebashkiak.

Operacioni “Shpirti”- Zbardhen identitetet, kush janë disa nga të arrestuarit për trafik droge e pastrim parash (Emrat)

TIRANË

Zbulohen disa nga identitetet e personave të arrestuar dhe të shpallur në kërkim gjatë operacionit “Shpirti” në Shqipëri.

Bëhet fjalë për persona të akuzuar për trafik droge e pastrim parash si dhe vepra të tjera penale në kuadër të grupit të organizuar kriminal.

Aleks Memaj
Jovan Memaj
Aleksandër Neco
Erind Hysomemaj
Klajdi (Ademi) Hysomemaj
Toni (Elton) Kushi
Erion Hoxhara
Cezar Gjomemo
Saimir Kurti
Malton Lleshi
Shkëlzen Daci
Eltjon Bregasi
Paul (Agustin) Deda
Hekuran Marku
Hamid Seferi
Leonidha Sejdiaj
Ilir Gaba
Luan zylyftari
Geri Zylyftari
Erind Zylyftari
Arran Zylyftari
Artur Krasniqi
Ilirjan Balla
Maksim Sota
Festim Lelaj

Ambasadori Reeker në Tiranë, takim me Ramën e Bashën, por jo me Metën

Armand Mero

Ndihmës Sekretari i Shtetit në Detyrë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Ambasadori Philip T. Reeker zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Tiranë. Gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin shqiptar ambasadori Reeker u takua ndër të tjera me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Ai pati dhe një drekë pune me ministren e Jashtme shqiptare Olta Xhaçka dhe ministrat e Mbrojtjes dhe Drejtësisë.

Sipas një njoftimi të ambasadës amerikane, zoti Reeker “përgjatë gjithë takimeve të tij, nënvizoi vendosmërinë e Presidentit Biden dhe Sekretarit të Shtetit Blinken se lufta kundër korrupsionit, përfshirë përmes përcaktimeve publike për korrupsion madhor, është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara”.

Muajin e kaluar Sekretari Blinken njoftoi vendimin për ndalimin e hyrjes në territorin e Shteteve të Bashkuara, për korrupsion madhor, ndaj ish kryeministrit Sali Berisha dhe familjes së tij. Zoti Berisha foli për nje vendim “të pabazuar në fakte e prova”. Ndërsa kryetari demokrat Lulzim Basha publikisht është shprehur i keqardhur dhe ka bërë “thirrje për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim”.

Ajo që ra në sy gjatë vizitës së zotit Reeker, ishte dhe mungesa e një takimi me presidentin Iir Meta. Një zëdhënës i ambasadës amerikane i tha Zërit të Amerikës se “për arsye të ndërtimit të agjendës, këtë herë nuk ishte i mundur një takim me presidentin Meta”.

Kreu i Shtetit shqiptar, veçanërisht muajt e fundit ka qenë në një kurs përplasjeje me ambasadoren amerikane Yuri Kim, ndërsa përdori tone të ashpra ndaj vendimit të Departamentit amerikan ndaj zotit Berisha duke e cilësuar atë një “fletërrufe” apo “një akt të shëmtuar, të poshtër e të pabesë që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër”.

Sipas njoftimit të ambasadës amerikane, ambasadori Reeker “përgëzoi udhëheqësit e Shqipërisë për suksesin e tyre në mikpritjen e Stërvitjes Defender Europe 21, e cila theksoi rolin strategjik të Shqipërisë në rajon”. Ai gjithashtu “mirëpriti rolin e Shqipërisë në rajon dhe në arenën globale, ndërsa Shqipëria merr vendin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit “përsëriti mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për reformat në sistemin e drejtësisë dhe në luftën kundër krimit të organizuar, duke nënvizuar se si përparimi në këto çështje do të nxisë demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin në Shqipëri dhe do të vijojë rrugën e Shqipërisë drejt pranimit në Bashkimin Europian”.

Për të dëshmuar mbështetjen ndaj Reformës në Drejtësi, ai bisedoi dhe me një grup magjistratësh që kanë kaluar procesin e vettingut. Një zëdhënës i ambasadës i shpjegoi Zërit të Amerikës se “Ndihmës Sekretari i Shtetit Reeker dhe ambasadorja Kim u takuan me gjyqtarë dhe prokurorë që shënojnë një epokë të re të Drejtësisë shqiptare. Këta magjistratë u zgjodhën sepse përfaqësojnë ata që kanë përmbushur nivelin e integritetit dhe profesionalizimit qoftë duke plotësuar kërkesat e reja rigoroze për t’u bërë shërbëtorë të drejtësisë shqiptare, ose duke kaluar procesin e vështrë por të nevojshëm të vettingut”. Zëdhënësi theksoi më tej se “profesionistë të besuar, si këto gra dhe burra, po krijojnë një sistem drejtësie të pavarur, por llogaridhënës, dhe po punojnë në mënyrë të palodhur për t’i dhënë drejtësi të ndershme dhe të paanshme popullit shqiptar”.

‘Kushtetuesja’ vendos hapjen e listave 100% për zgjedhjet pasardhëse

Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare kandidati që merr me shumë vota, pavarësisht se ku është renditur në listë nga kryetari i partisë, merr mandatin e deputetit.

Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë si antikushtetues pikën 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor,  që flet për herësin, duke garantuar lista 100 për qind të hapura.

Pika e nenit që u shfuqizua parashikonte se “Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara nga subjekti, sipas nenit 162 të këtij Kodi. Në çdo rast, herësi nuk mund të jetë më shumë se 10 000 vota. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt”.

Sipas këtij neni kandidatët që ishin në listët e sigurt të kryetarit, mund të rrezikonin vendin në parlament, vetëm nëse kandidatët e renditur më poshtë siguronin 10 mijë vota.

Në zgjedhjet e 25 prillit, herësin e thyen 3 kandidatë, Fatmir Xhafa, Luciano Boci dhe Ornaldo Rakipi. Por pas vendimit të shtatë gjyqtarëve kushtetues në zgjedhjet e ardhshme, kandidatët do të garojnë me lista të hapura, pa presionin e renditjes në listë nga kryetari i Partisë.

Kushtetuesja u vu në levizje nga Partia “Bindja Demokratike” dhe partie “Lëvizja Demokratike Shqiptare”, të cilat argumentonin se neni 163 i Kodit zgjedhor binte ndesh me aktin themeltar të Shtetit.

NJOFTIMI I GJYKATES

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancën plenare publike të datës 09.06.2021 çështjen me kërkuese partinë “Bindja Demokratike” dhe partinë “Lëvizja Demokratike Shqiptare”, me objekt shfuqizimin e nenit 163 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me nenin 21 të ligjit nr. 118/2020, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese

VENDOSI:
– Pranimin pjesërisht të kërkesës.
– Shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Aleanca për Teatrin akuza ambasadorit Soreca: Ndikoi te gjykata, do kërkojmë shpalljen e tij “non grata”

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka ngritur akuza ndaj ambasadorit të BE në Tiranë, Luigi Soreca.

Lajmi bëhet i ditur për “BalkanWeb” nga gazetarja Klodiana Lala, e cila raporton se Aleanca për Teatrin e akuzon ambasadorin Soreca se ka pasur një takim me gjyqtaren Vitore Tusha, ditën e seancës për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Aleanca ka ngritur dyshime se ambasadori i BE ka ushtruar ndikim te gjykata në favor të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Siç mëson gazetarja Lala, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka thënë se do të kërkojë shpalljen “non grata” të ambasadorit Soreca.

KKT miraton lejen e ndërtimit për Teatrin e ri Kombëtar, Veliaj: Ecim para!

Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen e ndërtimit për Teatrin e ri Kombëtar. Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Përmes një postimi në ‘Facebook’ Veliaj thekson se teatri i ri do të ketë kapacitet shumë herë më të madh se Teatri i mëparshëm.

“KKT @AlbGov sapo miratoi lejen per Teatrin e Ri Kombetar @CityOfTirana nga @BIGstertweets @BjarkeIngels

AUDITORIUM 635 vende

BLACK BOX i vogel 150 vende

BLACK BOX I madh 350 vende

AUDITORIUM ne tarace 500 vende

2 kate parkim

0 kulla ne territor

Ecim para!”, shkruan kryebashkiaku në Twitter.

ONM paraqiti prova shtesë, reagon Elisabeta Imeraj: Aktet nuk më janë vënë në dispozicion, pres proces të drejtë ligjor

Pasi Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit paraqiti prova shtesë pranë Komisionerit Publik, vjen një reagim nga Drejtuesja e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Elisabeta Imeraj.

Kjo e fundit tha për gazetaren Klodiana Lala se do paraqiste kërkesën për t’u njohur me këto akte. Mes të tjerash ajo theksoi se mbështet një proces të drejtë dhe ligjor.

“Aktet shtese te ONM – se, nuk me jane vene ne dispozicion per thuajse tre vjet hetime. Do paraqes kerkese për t’u njohur me keto akte, dhe me pretendimet. Mbeshtes nje proces te drejte ligjor dhe pres nje proces te drejte ligjor.”, tha Imeraj.

“Ankimoni vendimin”, ONM i paraqet prova shtesë Komisionerit Publik për Elisabeta Imerajn

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka paraqitur pranë Komisionerit Publik prova shtesë për Drejtuesen e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Elisabeta Imeraj.

Në njoftimin e publikuar nga IKP-ja, mësohet se ONM i kërkon Komisionerit të ankimojë vendimin për Imerajn.

Kujtojmë se Elizabeta Imeraj u konfirmua në detyrë nga KPK-ja.

NJOFTIMI I PLOTE
Në datën 1.4.2021, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj, me detyrë prokurore/Drejtuese e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Vendimi nr. 363, datë 1.4.2021, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, iu është njoftuar Komisionerëve Publikë më datë 21.6.2021.

Në datën 21.6.2021, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u paraqiti Komisionerëve Publikë Rekomandimin për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, për të tria kriteret e rivlerësimit.

Në datën 29.6.2021, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u paraqiti Komisionerëve Publikë një shtesë (Addendum) të Rekomandimit, të paraqitur në datën 21.6.2021.

Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar, në të njëjtën kohë, vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të plotësuar në përmbajtjen e tij nga shtesa (Addendum) e datës 29.6.2021.

Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Shtesa (Addendum) e Rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është publikuar në faqen zyrtare të Institucionit të Komisionerëve Publikë: http://ikp.al/rekomandime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Nesër zyrtari i lartë amerikan Philip Reeker vizitë në Shqipëri, takon Ramën e Bashën

TIRANA

Ndihmës Sekretari Amerikan për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker viziton Shqipërinë.

BalkanWeb mëson se zyrtari i lartë i SHBA do të takojë Ramën kurse me kreun e PD, Lulzim Basha takimi do të zhvillohet në orën 11:30 në selinë blu.

Ndërkohë Reeker pas Shqipërisë do të udhëtojë edhe në shtetin fqinj të Maqedonisë së Veriut.

Tiranë: “Të luftohet korrupsioni”. Dhoma Amerikane, raport me 40 rekomandime për klimën e biznesit

Ilirian Agolli

Dhoma Amerikane e Tregtisë publikoi sot Raportin mbi Agjendën e Investimeve dhe 40 Rekomandime mbi Përmirësimin e Klimës së Biznesit në Shqipëri.

Raporti u përgatit pas intervistimit të 220 bizneseve shqiptare dhe ndërkombëtare mbi punën dhe vështirësitë e tyre konkrete në terren.

Në raport thuhet se rasti kur një investues amerikan i profilit të lartë nuk mundi të investonte në aeroportin kryesor të Shqipërisë, nxori në dritë problemet e mëdha me zbatimin e kontratave.

Shqipëria zbriti 19 pikë në renditjen e Bankës Botërore, sipas Raportit të saj “Bëj Biznes”, duke humbur terren përballë ekonomive konkurruese rajonale.

Ndërkohë, në Indeksi Vjetor i Biznesit të AmCham besueshmëria ra me 5 pikë përqindje – rënia më e madhe e besimit të komunitetit të AmCham në tetë vjet.

Këto tre zhvillime e shtynë AmCham të rendiste 40 rekomandime autoriteteve shqiptare për të përmirësuar konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe përmirësimin e klimës së biznesit. Më kryesori sipas saj, është hartimi i një strategjie për të tërhequr investimet e huaja direkte në sektorët strategjikë të ekonomisë, dhe vëzhgimi i saj nga nivelet më të larta të qeverisë. Kjo nevojitet për të fuqizuar këta sektorë, për të ngritur infrastrukturën mbështetëse, për të reduktuar përqëndrimin e tregut dhe proceset e paefektshme

“Zhvillimi dhe zbatimi i një programi efektiv kundër korrupsionit, për të ndërtuar besimin e publikut përmes luftës pa kompromis ndaj kësaj dukurie me masa ndëshkuese dhe me transparencë. Po ashtu nevojitet rritja e transaprencës dhe një sistem i hapur i prokurimeve publike larg ndikimeve politike” – thuhet në Raportin e Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Mes kërkesave të tjera janë edhe konsultimet publike me qytetarët dhe investuesit, një sistem modern taksash, për të rritur konkurrueshmërinë dhe investimet atraktive, rritja e eksporteve shqiptare ne tregjet ndërkombëtare, zhvendosja nga ekonomia e parave cash tek economia digjitale si dhe trajnimi i punëtorëve në botën post-pandemike.

AmCham kreu vitin e fundit një seri vëzhgimesh dhe analiza me ekspertë për të parë klimën e investimeve dhe të biznesit në Shqipëri. “Sfidat e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian, janë po aq të mëdha sa edhe mundësitë e gjera për t’u shfrytëzuar”, thuhet në raport.

Nga një anë, vëzhgimet e komunitetit të biznesit, që konfirmohen edhe nga raporte të besueshme ndërkombëtare, flasin për një klimë biznesi joefektive dhe të shtrenjtë në Shqipëri, vështirësi u përkeqësuan gjatë periudhës së pandemisë.

Por nga ana tjetër, Shqipëria ka vend-ndodhje dhe burime natyrore si dhe një fuqi punëtore të talentuar.

“Hapat e reja drejt BE-së dhe marrëveshja e fundit ekonomike me SHBA-të ofrojnë mundësi unike e të mëdha në periudhë afatgjatë” – theksohet në raport.

Dhoma Amerikane e Tregtisë deklaroi në konferencën vjetore të pranverës se presioni i efekteve të pandemisë mbi bizneset është i jashtëzakonshëm, në klimën problematike të biznesit komuniteti i investitorëve ka mungesë besimi, ndërsa korrupsioni, kërcënimi më i madh për të ardhmen ekonomike të Shqipërisë.

“Asnjë nga mundësitë për zhvillim dhe biznes që ofron vendi nuk do të japë frytet e pritshme pa luftuar korrupsionin, që është një nga 3 pengesat më të mëdha të qarqeve të biznesit” – tha në mars Presidenti i AmCham, Enio Jaço.

Dhoma Amerikane e Tregtisë vlerësoi se mundësitë për rritjen ekonomike të Shqipërisë janë të shumta, por duhet përmirësuar klima dhe besimi i komunitetit të bizneseve, duke përfituar nga pozicioni strategjik në rajon.

Vetëm 20 vjeç, kamarieri i vrarë në masakrën e Velipojës ishte në ditën e parë të punës

Dita e parë e punës do ishte dhe e fundit për Myzerim Zenelin! 20-vjeçari është një prej viktimave të ngjarjes tragjike në Velipoje.

Ai kishte nisur punë si kamarier në Hotel ‘Gocaj’ ditën e djeshme dhe fatkeqësisht dita e parë e punës e tij do të ishte edhe dita e fundit e jetës për të.

Zeneli ndodhej prezent kur dy familjet Ferracaku dhe Gocaj janë konfliktuar me armë ndërkohë që si pasojë e plagëve nuk ka mundur të mbijetojë.

Ai vdiq, si pasojë e konfliktit mes pronarëve të dy hoteleve.

Ferracaku, pronari i Hotel ‘Fantazia’ u përplas me armë me vëllezërit Gocaj, pronarë të hotelit ‘Gocaj’. Bizneset e tyre ndodheshin vetëm 50 metra larg njëri-tjetrit.

Kujtim Ferracaku i shkoi mbrëmjen e djeshme familjes Gocaj për tu sqaruar, mirëpo debati mes tyre u përshkallëzua në përdorimin e armës.

Si përfundoi në masakër debati për shezlongat, gazetari jep detaje për vrasjet në Velipojë

Kanë qenë duke debatuar me njeri-tjetrin dhe më pas kanë nxjerrë armët. Kështu ka nisur konflikti në Velipojë për hapësirat e çadrave mes pronarëve të dy hoteleve në Shkodër, që përfundoi me 4 të vrarë dhe dy të plagosur me armë zjarri.

Të vrarë mbetën Kujtim Ferracaku 59 vjeç, Xhovani Gocaj 25 vjeç, Edmond Gocaj 38 vjeç, vëllezër dhe Myzerim Zeneli, 20 vjeç, punonjës i çadrave.

Dy të plagosurit Hasan Ferracaku, 54 vjeç dhe Elmilind Dyli, 17 vjeç, dyshohen si autorë në ngjarje.

Gazetari Senad Nikshiqi raportoi se çështja e hapësirave publike në plazhin e Velipojës ka sjellë çdo vit problematika dhe konflikte në këtë zonë, por kjo ishte e para e këtyre përmasave tragjike.

Velipojë, katër të vrarë në një konflikt për shfrytëzimin e plazhit

VOA

Katër persona mbetën të vranë dhe dy të tjerë të plagosur gjatë një konflikti me armë, pak minuta pas mesnatës, në plazhin e Velipojës.

Drejtori i policisë së Shkodrës, Niko Brahimaj, bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur në mjediset e jashtme të hotel “Gocaj”, pas një konflikti të çastit, të lindur mes pronarëve të dy hoteleve për të drejtën e shfrytëzimit të hapësirës së rërës për vendosjen e shezllongeve dhe çadrave.

Mes të viktimave është edhe biznesmeni 59 vjeçar, Kujtim Ferracaku, pronar i hotelit “Fantazia” në Velipojë.

Gjithashtu, i plagosur në këtë konflikt ka mbetur dhe vëllai i tij, Hasan Ferracaku si dhe një 17 vjeçar.

Biznesmeni Ferracaku është babai i Arjan Ferracakut, 31-vjeçarit që u gjet i vrarë tre vite më parë në zonën e Livadhes, në periferi të qytetit të Shkodrës.

Në këtë ngjarje kriminale duket se janë përfshirë edhe persona të tjerë, për të cilët policia thotë se po kërkohen.

Në ndihmë të policisë vendore kanë shkuar forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe nje grup i forcave speciale “Renea”.

Në vendngjarje ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, si dhe drejtues të tjerë të policisë së shtetit.

Ndarja e bregut të rërës, në vijën bregdetare të Velipojës, prej vitesh është bërë burim konfliktesh mes pronarëve të hoteleve, pushuesve, por edhe grupeve kriminale që synojnë të shfrytëzojnë në mënyrë të jashtëligjshme vijën bregdetare.

Të pasurit tatohen 8 përqind, ata që jetojnë me rrogë 23 përqind. Sa të varfër ka sot Shqipëria

Gjatë dekadës së parë të tranzicionit, edhe pse u shënuan nivelet më të larta të rritjes ekonomike, nivelet e varfërisë ishin tepër të larta: Më shumë se 50% e popullsisë jetonin në varfëri (duke përdorur vijën e varfërisë së Bankës Botërore).

Me mbështetjen e Bankës Botërore dhe të FMN-së u hartua një Strategji të Reduktimit të Varfërisë. U pa qartë se përpjekjet ishin të suksesshme, duke e reduktuar ndjeshëm nivelin alarmant të saj. Megjithatë, duket sikur treguesi i varfërisë është stabilizuar diku në fashën e 35–40% dhe për një periudhë të gjatë, rritja ekonomike nuk ka arritur të përkthehet në mirëqenie për më shumë qytetarë.

Sipas vlerësimeve më të fundit të Bankës Botërore, varfëria në vitin 2019 ishte rreth 37% e popullsisë.

Faktorët kryesorë të pabarazisë janē ndërkombëtarë dhe lokalë. Gobalizimi dhe ndryshimet demografike, nuk mund të ndahen nga faktorët specifikë të një vendi, të zgjedhjeve që qeveritë bëjnë dhe vendimeve që marrin. Taksimi dhe programet e mirëqenies sociale, ndikojnë mënyrë të veçantë.

Në vendin tonë, veçanërisht politikat e taksimit dhe rregullat e kontabilitetit, kanë mbështetur përqendrimin e pasurive dhe të aktiviteteve ekonomike dhe nuk kanë favorizuar investimet në përmirësim teknologjik dhe në kapitalin njerëzor.

Një shembull është përjashtimi nga detyrimi i tatimit mbi fitimin, në rast riinvestimi të fitimeve. Kjo është zbatuar shpesh nga politikat tona fiskale, por nuk është shoqëruar me kushtin që riinvestimi të kryhet brenda biznesit dhe në aktivitete që lidhen me fuqinë punëtore nëpërmjet përmirësimit të kushteve të punës, rritjes së pagave dhe shpërblimeve, trajnimit dhe kualifikimeve të personelit, etj.

Duke mos vendosur kushtëzime të tilla, firmat i kanë përdorur fitimet e patatuara për qëllime të tjerë.

Edhe kredia bankare është përqendruar në pak biznese të mëdha, të cilat, nëpërmjet edhe favoreve të tilla, janë stimuluar të bëhen gjithnjë e më të mëdha.

Edhe politikat e taksimit progresiv, të cilat pritet që teorikisht të ndikojnë në zbutjen e pabarazisë në shpërndarjen e së ardhurës kombëtare, në fakt, janë zbatuar vetëm për atë pjesë të popullatës që jeton me pagën nga puna.

Ndërsa pjesa e popullsisë me të ardhura të larta (ose të pasurit, siç thuhet në gjuhën popullore), në të vërtetë, e marrin të ardhurën vjetore të krijuar nga biznesi nëpërmjet dividendëve, fitimeve kapitale etj.

Kjo kategori e popullsisë jeton mirë pa shpenzuar dhe realisht pa u tatuar sepse jeton me transfertat që kryhen nga veprimtaria normale e biznesit dhe që konsiderohen si shpenzime të veprimtarisë së firmës. Dividendi i tyre trajtohet me një normë tatimore (8%) shumë më të favorshme se tatimi mbi të ardhurat nga paga, për pjesën tjetër të pooullsisë ku niveli maksimal i taksimit shkon në 23%.

Politikat e tilla do të çojnë në një përqendrim gjithnjë në rritje të pabarazive në afat të gjatë. Për pasojë, duhet që procesi ligjbërës të vendosë në një ekuilibër më të shëndetshëm përqendrimin e pushtetit dhe të tregut nga kapitali drejt punës, që deri tani perceptohet gjerësisht si i anuar fort nga kapitali.

Përveç kësaj, një anketë me 1200 qytetarë tregoi se, më pak se 1 ndër 10 persona, mendojnë se pasuria në Shqipëri është krijuar në bazë të meritës.

Qeveria miratoi fondin për ndërtimin e Teatrit Kombëtar, Budina: Pështymë në fytyrën e drejtësisë, turp i madh, nuk do tërhiqemi

TIRANË

Regjisori Edmond Budina e ka cilësuar vendimin e qeverisë që miratoi fondin për ndërtimin e Teatrit Kombëtar pështymë në fytyrën e drejtësisë dhe një turp të madh.

Sipas tij, ky vendim pa pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese është dhunë ndaj sistemit të drejtësisë. Budina theksoi se do të vazhdojnë luftën dhe se do ta ndërkombëtarizojnë çështjen.

“Këtë akt normativ të Këshillit të Ministrave unë e quaj një pështymë në fytyrë të drejtësisë shqiptare. E quaj një turp të madh që pa pritur ende vendimin e Gjykatës Kushtetuese ata marrin vendime. Është prepotencë, dhunë kundrejt një sistemi drejtësie që e kanë bërë vetë. Ne do vazhdojmë luftën tonë. Askush të mos mendojë se ne do të tërhiqemi. Nëse nuk merret një vendim i drejtë për Teatrin Kombëtar ne do shkojmë në instanca ndërkombëtare dhe kjo çështje do ndërkombëtarizohet shumë herë më tepër. Teatri Kombëtar është një çështje e madhe korruptive, askush nuk na e mbyll dot gojën”, deklaroi Budina.

Padia e Metës, avokatja: Qeveria nuk e konsideron fare Gjykatën Kushtetuese, po vijon me procedurat korruptive për ndërtimin e Teatrit të Ri, SHBA të reagojë

Avokatja Adriana Kalaja i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të përshpejtojë procedurat për marrjen e vendimit për padinë e Metës për Teatrin Kombëtar.

Kalaja thotë se qeveria e Bashkia nuk e konsiderojnë fare GJykatën Kushtetuese, pasi në vend të presin vendimin po vijojnë me procedurat për ndërtimin e Teatrit të Ri.

Në fakt një akt normativ do të kalojë në Kuvend për Teatrin, kurse avokatja sqaron se ky është një injorim dhe presion i qartë ndaj Gjykatës Kushtetues.

Ndërkohë ajo ka bërë thirrje të veçantë për ambasadoren amerikane, Yuri Kim për t’u prononcuar e bërë presion për këtë çështje në mënyrë që të respektohet Gjykata Kushtetuese.

‘’Nuk kanë respekt, nuk konsiderojnë fare Gjykatën Kushtetuese, për vendimmarrjen e kësaj gjykate. Duke injoruar totalisht, duke ironjuar vendimin e nesërm, nxjerrin një akt normative, në kundërshtim me Kushtetutën. Pritet të kalojë në Kuevnd. E dimë shumë mirë pasojat e aktit normative i cili do ta miratojë sepse është Kuvend që miraton urdhërat e Ramës.

Ne duke ditur situatën në GJK, duke marrë informacionin e plotë se GJK po diskuton, po debaton në lidhje me vendimin e kërkesave të Presidentit që janë edhe kërkesat tona si palë e tretë. I kërkojmë GJK që të përshpejtojë dhënien e vendimit, sepse ky akt normative mund të agravojë dhe më tepër akte të tjera që kanë karakter të dëmshëm në interest të publikut. Do të doja të sqaroja se qassja e institucioneve, që në mënyrë konseguente shkelin ligjin, kanë ardhur edhe në një nënvlerësim që GJK i bëri procesit. Presidenti që në fillim, dhe ne kërkuam marrjen e masave të zbatimit të tre akteve që duhet të shfuqizohen.

Nisur nga vendimi i GJK që vendimi për masat e peuzllimit do të merren me vendimin, nuk e kanë ndaluar mbase e kanë nxitur Këshillin e Ministarve, Kuvendin dhe Bashkinë e Tiranës të vijojnë me procedurat korruptive për ndërtimin e Teatrit të Ri.

Do i bëja një kërkesë ambasadorëve, sidomos Yuri Kim e cila ka ndikuar shumë edhe në ngritjen e GJK. Besoj është në dijeni të plotë, që del në çdo dalje publike, është momenti të dalë Yuri Kim pasi nuk është prononcuar akoma për Teatrin, e ka ditën sot të dalë e ti bëjë presion institucioneve përgjegjëse. Ne përderisa respektojmë ligjin, Gjykatat, na pëlqen apo jo duhet të presim hapat e mëtejshme. Është shkelje e pafalshme, injorim nga institucionet përgjegjëse mos presin.

Unë jo më kot e thashë, injorim dhe presion, janë dhe pjesë e procesit, e dinë në çfarë faze është procesi kushtetuese, pra i thonë Gjykatës ti merre vendimin si të duash, ne do vijojmë punën tonë. Fakti që akti normative shkon në Kuvend, ata s’kanë asnjë lloj problem.

Yuri Kim mos merret me vogëlsira, jo me mediat. Media pasqyron lajmet reale, ambasadorja të dalë sot. Pse Këshilli i Ministrave 6 ditë pas vendimit, nxjerr aktin. ‘’- tha Kalaja. bw

Vijon ‘përplasja’ në Vlorë, Dritan Leli dhe këshilli bashkiak lënë mbledhje në dy data të ndryshme

Bashkia e Vlorës nuk po gjen qetësi. Pas anulimit të mbledhjes së sotme, kryetari Dritan Leli dhe këshilli bashkiak kanë lënë dy data të ndryshme më 29 dhe 30 qershor.

Leli shkruan në FB se anulimi i mbledhjes së sotme nga anëtarët e Këshillit Bashkiak janë të pajustifikuara.

Gjithsesi ai thotë se e ndien për detyrë ta thërrasë mbledhjen e muajit më 29 qershor.

Nga ana tjetër Këshilli Bashkiak e thërret mbledhjen më 30 qershor në mjediset e Teatrit ‘’Petro Marko’’.

 

STATUSI NGA DRITAN LELI

Pas anullimit të pajustifikuar të mbledhjes së sotshme nga anëtarët e Këshillit Bashkiak, në emër të qytetarëve të Vlorës, e ndiej për detyrë të thërras mbledhjen e muajit në datën 29 qershor për të miratuar projektvendimet dhe ndihmat që banorët presin prej Bashkisë Vlorë dhe vazhdimësinë e projekteve të tjera.

Zgjedhjet e 25 prillit- Celibashi në Kuvend: 5 mijë emigrantë u lanë jashtë votimit, ishte çështje kohe

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka deklaruar në Kuvend se 5 mijë emigrantë u anë jashtë procesit të votimit për zgjedhjet e 25 prillit.

Sipas kryekomisionerit, kjo ndodhi për shkak të kohës ndërkohë që pyetja erdhi nga deputeti Myslim Murrizi.

Ai shton se 5 mijë qytetarët me të drejtë vote deklaruar adresën e tyre të përhershme jashtë shtetit dhe janë ligjërisht votues emigrantë, por kësaj radhe nuk e patën të drejtën e votës.

PYETJA: Sa është numri i shtetasve të Shqipërisë që janë në listë votuese por që janë jashtë Shqipërisë?

CELIBASHI: Kemi të regjistruar rreth 5 mijë qytetarë me të drejtë vote që kanë deklaruar adresën e tyre të përhershme, pra votues ligjërisht emigrant. Ky është numri. Ata u lanë jashtë, ishte çështje kohe.

Vendoret e 30 Qershorit 2019 – Kushtetuesja i drejtohet Komisionit të Venecias

Armand Mero

Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese vendosi të mërkurën në mbrëmje që t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një opinion mbi vlefshmërinë ose jo të zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit të vitit 2019. Vendimi erdhi pas një seance që zgjati mbi 9 orë.

Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje nga një kërkesë e Shoqatës së Bashkive për shpalljen të pavlefshme të atyre zgjedhjeve dhe përsëritjen e tyre. Zgjedhjet u mbajtën në datën e shpallur fillimisht me dekret nga presidenti Ilir Meta, i cili tre javë para zhvillimit të tyre, më 10 Qershor, vendosi anullimin duke firmosur një tjetër dekret për organizimin e zgjedhjeve në muajin tetor. Zoti Meta e argumentoi vendimin e tij me situatën tejet të tensionuar politike, duke qenë se opozita kishte nisur një seri protestash dhe kishte vendosur bojkotimin e zgjedhjeve vendore. Por dekreti i dytë i zotit Meta nuk u mor në konsideratë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në seancën e sotme Gjykata Kushtetuese ka dëgjuar argumentat e palëve, që nga ato të vetë Shoqatës deri të argumentat e Qeverisë, Presidencës, parlamentit, apo Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Secila nga këto palë, sipas vendimit të mbrëmshëm, do të ketë të drejtë të formulojë një pyetje për Komisionin e Venecias. Ato do i bashkangjiten dhe pikave për të cilat do të kërkojë sqarime dhe vetë Gjykata. Deri në një përgjigje nga Venecia, çështja në Gjykatën Kushtetuese do të mbetet pezull.

Vendimi për t’iu drejtuar Komisionit të Veneciat duket deri diku si një përpjekje e anëtarëve të Gjykatës për t’a mbajtur veten larg një çështjeje, me një ndjeshmëri të lartë politike, për më tepër që Venecia e ka trajtuar këtë temë në opinionin e saj të Tetorit të vitit 2019, duke vlerësuar ndër të tjera se “anulllimi i zgjedhjeve vendore mund të bëhet vetëm në kushtet e një situate emergjente, e madje dhe në një situatë të tillë nevojitet një bazë specifike ligjore”.

Anëtarët e Komisionit të Venecias kanë interpretuar jo vetëm dekretet e presidentit Meta, por dhe faktin se bojkoti i zgjedhjeve nga cilado forcë politike nuk mund të jetë argument për mosmbajtjen e tyre. “Bojkoti i zgjedhjeve nga partitë politike, edhe në qoftë se ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit nuk mund të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta. Për ndryshe, këto parti do të merrnin fuqinë për të penguar plotësisht çdo palë zgjedhje”, vërehet në përfundimet e opinionit të Komisionit të Venecias.

“Qeveria miraton fondin për ndërtimin e Teatrit Kombëtar”, burime zyrtare nga Bashkia Tiranë: I hapet rruga nisjes së punimeve

Burime zyrtare nga Bashkia e Tiranës thanë sot se Qeveria ka miratuar fondin për ndërtimin e projektit te Teatrit të ri Kombëtar, duke i hapur rrugen nisjes së punimeve për shtëpinë e re të aktrimit, e cila është konceptuar të jetë si zemra kulturore e Tiranës dhe e gjithë Shqipërisë.

Po sipas të njëjtave burime mësohet se me miratimin e fondit, ana procedurale konsiderohet pothuajse e përfunduar, teksa shumë shpejt pritet të nisë puna edhe në terren për ndërtimin e teatrit të ri, ne te njejtin vend ku më parë ka qenë teatri i vjetër.

“Projekti, tashmë i përfunduar dhe gati për të nisur nga zbatimi, ofron një godinë të arkitekturës me dizajn modern dhe që krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për zhvillimin e talentit të aktrimit, ashtu edhe për vetë publikun.

Teatri i ri do të jetë disa herë më i madh se i vjetri dhe do të ofrojë kushte sipas të gjithë standardeve. Ai do të ketë të dedikuar disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët. Gjithashtu, do të ketë një skenë teatri prej 630 metra katror dhe dy salla Black Box prej 200 metra katror secila.

Për artistët do të ketë një hapësirë prej 200 metra katror që do përdoret si sallë ndërrimi, një sallë provash prej 200 metrash katror, tualete dhe dushe si dhe një dhomë të gjelbër. Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj. Gjithashtu, do të ketë sallë kursesh dhe të gjitha facilitetet për publikun.

Po kështu, Teatri i ri Kombetar, përvec ambienteve të tjera ndihmëse, do të ketë edhe një parkim nëntokësor që do i shërbejë kësaj godine moderne.”- bënë të ditur burime zyrtare pranë Bashkisë së Tiranës. gsh

Padia për zgjedhjet e 30 qershorit, Kushtetuesja rrëzon kërkesën për pezullim të gjykimit dhe për pushim të çështjes

Në seancën e nisur prej rreth një ore, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të rrëzojë kërkesën për pezullim të gjykimit deri në pritje të përfundimit të gjykimit të çështjes në gjykatën e Tiranës që lidhet me statusin e Voltana Ademit si kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.

Po kështu Kushtetuesja ka rrëzuar edhe kërkesën për pushim të çështjes që lidhet me legjitimimin e kërkuesit. Do ta japë vendimin bashkë me vendimin përfundimtar.
Kushtetuesja iu la një orë kohë palëve për t’u njohur me aktet e dosjes.

Po kështu u rrëzua edhe kërkesa e Shoqatës Autonomi Vendore që të bëhej pjesë e procesit si palë e interesuar.

Përfaqësuesja e qeverisë Edlira Kokona i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të mos e pranojë shqyrtimin e padisë për rrëzimin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, me pretendimin se është bërë jashtë afatit.

Kokona kërkoi pushimin e gjykimit të çështjes derisa të merret një vendim për organet drejtuese të shoqatës, ku Pjerin Ndreu i mori vendin Voltana Ademit.

“Nuk na është vënë në dispozicion statuti i shoqatës së bashkive. Kërkojmë kopjen e prokurës për zonjën Ademi si përfaqësuese e shoqatës. Këshilli i Ministrave kërkon pezullimin e çështjes, derisa gjykata e Tiranës të shprehet për organet drejtuesve te shoqatës. Kërkojmë pushimin e gjykimit për shkak të juridiksionit të gjykatës kushtetuese. Për aq kohë sa është pranuar shoqata e bashkive, duhet të pranohet edhe shoqata e autonomisë vendore”, tha Kokona.

Ndërsa, këshilltari i presidentit Ilir Meta, Bledar Dervishi tha se pretendimi i shoqatës së Bashkive, është prej 2019. “Shoqata tjetër e Bashkive ka pasur tendencë jo vetëm të ushtrojë funksionin e saj, por edhe të largojë nga drejtimi përfaqësuesit e kësaj shoqate. Qëllimi ka qenë që të uzurpojnë këtë shoqatë. Unë kërkoj që të rrëzohet kërkesa që ajo shoqatë të bëhet pjesë e këtij procesi. Këshilli i Ministrave kërkon pezullim të çështjes, derisa gjykata e Tiranës të shprehet sa i takon organeve drejtuese të shoqatës. Gjithashtu kërkojnë pushim të gjykimit, pasi nuk ka kompetencë për këtë çështje. Të dy shoqatat kanë të drejtë të jenë pjesë e këtij procesi”, u shpreh Dervishi.

Jordan Daci përfaqësuesi i shoqatës së bashkive (Voltana Ademi) deklaron se nuk duhet të marrë pjesë si subjekt i interesuar, pasi janë në konflikt interesi. “I kërkojmë Gjykatës Kushtetuese që mos ta pranojë pasi është jashtë afateve. Këshilli i Minstrave nuk mund të jetë palë e interesuar, pasi pushteti lokal është i pavarur. Edhe avokatura e shtetit, nuk mund të jetë palë në këtë proces, pasi i shërben gjithë shtetit dhe nuk mund të përfshihet”.

Shifrat e Eurostat- Që nga nëntori Shqipëria me rritjen më të lartë të vdekjeve në Europë, 41% fatalitete më shumë në 54 javë pandemi

Pandemia është lehtësuar tashmë dhe pothuajse e gjithë Europa po merr frymë lirisht pas 14-15 muajsh shumë të vështirë.

Vendet po rihapen gradualisht dhe lëvizjet kanë rifilluar me kujdes, duke u kërkuar udhëtarëve dokument PCR negativ, dëshmi që e kanë kaluar Covid-19, ose janë vaksinuar. Nëse do të ketë një valë tjetër nga shtatori, kjo është e vështirë të thuhet, por gjithsesi imunizimi natyror dhe vaksinimi do të ndikojnë pozitivisht që situata të jetë më e lehtë.
Pandemia nuk kaloi pa kosto. Rritja e vdekshmërisë shtesë ishte e lartë, duke ndryshuar sipas shteteve, në varësi se cili e priti valën e parë, apo se si reaguan shtetet me shërbimin mjekësor dhe rreptësinë e karantinës.
Që me fillimin e pandemisë, Eurostat nisi publikimin e vdekjeve javore dhe vdekjeve shtesë. Tek këto të fundit përfshihet dhe Shqipëria.

Të dhënat e Eurostat, që janë të disponueshme deri në javën e dytë të marsit 2021 tregojnë se për periudhën nga 2 marsi 2020 deri në 15 mars 2021, pra për 54 javë radhazi, Shqipëria ka pasur rritjen më të lartë të vdekjeve shtesë në raport me mesataren e të njëjtës periudhë 2018-2019.
Për këtë periudhë, fatalitetet u rritën me 41%, ndërsa shteti i dytë pas nesh me rritjen më të lartë është Çekia, me 25% e ndjekur nga Sllovakia me 24%.

Nga shtetet e rajonit, sipas Eurostat, Mali i Zi kishte rritje të vdekjeve shtesë me 21.5% në 54 javë pandemi, ndërsa shteti që e ka kaluar më lehtë është Serbia, me +9.3%. Të dhënat e Maqedonisë së Veriut mungojnë, por shifrat kombëtare, të publikuara nga Instituti Statistikor i Maqedonisë së veriut tregojnë se nga marsi 2020 deri në fund të marsit 2021, vdekjet u rritën me 24%. (pas një zgjerimi vjetor prej 31%, për shkak të një tremujori të katërt shumë vdekjeprurës, në tremujorin e parë 2021, pandemia ishte më e kontrolluar në shtetin fqinjë).

Si e vunë nën kontroll pandeminë Italia e Spanja dhe si u rrit vala në Shqipëri në dimër

Grafiku i mëposhtëm tregon rritjen progresive të vdekjeje javë pas jave për shtetet e Europës (nuk janë përfshirë të dhënat për Mbretërinë e Bashkuar që nuk raporton më që nga janari).

Italia ishte e para që u përball me pandeminë, me një rritje të vdekjeve progresive prej 53% deri në 6 prill. Më pas, vala ishte më vdekjeprurëse në Spanjë, që kulmoi me rritje të vdekjeve progresive deri në 75% në javën e parë të prillit dhe në Belgjikë (38% deri në 20 prill). Pas goditjes së parë, këto shtete morën masa të rrepta dhe vera pa në rritje më të ngadaltë të vdekjeve shtesë. Në 54 javë pandemi, Spanja shënoi një rritje të fataliteteve me 19.5% dhe Italia me 17.5%, në raport me mesataren e të njëjtës periudhë 2018-2019.

Suedia, e cila sfidoi botën me modelin liberal që e përballoi pandeminë në muajt e parë, shënoi një rritje progresive të vdekjeve që kulmoi në +23% deri në 18 maj, më pas situata u lehtësua dhe në 54 avë pandemi, rritja e fataliteteve ishte 9.4%.

Por, shtete të tjera të Europës Veriore, që u treguan më konservative panë një rritje shumë më të ulët të vdekshmërisë shtesë në këto 54 javë, si Norvegjia që e kishte shtesën negative (-2.45%), apo Danimarka me +0.26%.

Vala e dytë e pandemisë, që nisi pas verës u zhvendos në shtetet e tjera, ku më të goditurat ishin Çekia, Sllovakia, Polonia, Sllovenia. Në muajt e parë të vitit 2021, pandemia u vu nën kontroll në pjesën më të madhe të Europës për shkak të rikthimit të karantinave të ashpra.

Shqipëria filloi të ndjejë pandeminë që nga korriku, duke shënuar rritje të vazhdueshme të vdekjeve progresive, pasi vendi filloi të lironte masat shtrënguese që nga fundi i majit. Vala e vërtetë nisi në nëntor, kur vendi zgjodhi të kalojë pandeminë pa kufizime të tjera të rrepta (mbyllja e mars-majit ishte fatale për ekonominë vendase, që ra me 10.5% në tremujorin e dytë 2020, me bazë vjetore, sipas INSTAT).

Nga fillimi i nëntorit rritja e vdekjeve progresive i kaloi 25%, dhe dhjetori u mbyll me +35%, duke kaluar e para në Europë (për Maqedoninë e Veriut, ky tregues ishte +31%).

Në muajt e parë të 2021-it, shifrat e INSTAT tregojnë se vdekjet shtesë ishin minimale në pjesën më të madhe të Europës, me përjashtim të Shqipërisë, që thelloi diferencën me shtetet e tjera, duke kulmuar me një shtim të fataliteteve në 54 javë pandemi, prej 41%, gati dy herë më e lartë se shteti që vjen pas nesh i dyti në renditje.

Shifrat e INSTAT konfirmojnë tendencën
Të dhënat e publikuara nga INSTAT më herët bënë të ditur se nga prilli 2020 deri në mars 2021, u shënuan rreth 9,300 vdekje shtesë në krahasim me periudhat përkatëse të vitit të mëparshëm, kur virusi nuk ishte i pranishëm. (për të njëjtën periudhë, zyrtarisht janë 2423 vdekje Covid).

Gjatë kësaj periudhe 12 mujore (prill 2020-mars 2021) kanë humbur jetën rreth 31 mijë persona, nga 21.8 mijë persona në prill 2019-mars 2020, me një rritje prej rreth 42.7%.

Vetëm në tremujorin e parë të vitit 2021 janë shënuar gjithsej rreth 9,657 vdekje, me një rritje prej 55.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020 dhe me 52% në raport me mesataren 2016-2019. Ndërkohë, Eurostat raportoi se në dy muajt e parë të 2021, vdekshmëria e tepërt në BE filloi të binte: + 17% në janar dhe + 5% në shkurt pas më shumë + 40% në nëntor 2020 (krahasuar me mesataret e të njëjtave muaj në 2016 – 2019). Sidoqoftë, ajo u rrit përsëri në Mars (+ 10%) dhe Prill 2021 (+ 21%).

https://ec.europa.eu/eurostat/web/products-eurostat-news/-/ddn-20210512-2

Rritja e fataliteteve në vend nisi që në tremujorin e dytë 2020 (+4.6%), pasi vendi filloi të dilte gradualisht nga karantina, u përshpejtua në tremujorin e tretë (+32.3%) dhe kulmoi në tremujorin e katërt, me një rritje prej 73% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pasi qeveria nuk zgjodhi të ndërmarrë masa të ashpra karantine, vdekshmëria e lartë shtesë vijoi edhe në tremujorin e parë të këtij viti (+56%), ndryshe nga pjesa tjetër e Europës, që arriti të frenonte virusin përmes izolimeve më të rrepta./Monitor/

EMRAT: KQZ miraton shpërndarjen e mandateve për zgjedhjet e 25 prillit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që të miratojë ditën e nesërme projektvendimet për shpërndarjen e mandateve midis subjekteve zgjedhore dhe përcaktimin e kandidatëve fitues në zonën zgjedhore në të gjitha qarqet e Shqipërisë, pas zgjedhjeve që u mbajtën në 25 prill.

Zgjedhjet u fituan nga Partia Socialiste, që mundi të siguronte kështu mandatin e tretë qeverisës, për herë të parë në 30 vite pluralizëm.

Le të shohim më poshtë se si janë ndarë mandatet në 12 qarqet e vendit dhe se kush do të jenë deputetët do të përfaqësojnë shqiptarët në Parlamentin e ri, që pritet të mblidhet në shtator.

Qarku Shkodër

Qarku i Shkodrës u fitua nga demokratët. Gjithsej në këtë qark janë mbledhur 11 mandate, të cilat janë ndarë ndërmjet katër partive politike.

Koalicioni PD-AN arriti të siguronte 5 mandate. Pesë deputetët përfaqësues të të djathëve do të jenë: Helidon Bushati, Emilja Koliqi, Ramadan Likaj, Greta Bardeli, Zef Hila.

PS mori 3 mandate. Deputetët përfaqësues: Edona Bilali, Paulin Sterkaj, Benet Beci.

Ndërsa PSD siguroi 2 mandate. Deputetët përfaqësues: Gledis Çeliku, Meri Makiçi

LSI mori 1 mandat dhe përfaqësuesi i LSI për Shkodrën në Parlament do të jetë Agron Çela.

Qarku Dibër

Edhe në këto zgjedhje dibranët i qëndruan besnikë Partisë Demokratike dhe koalicionit të saj. Pesë mandatet që u siguruan në këtë qark u ndanë 3 për PD-AN dhe 2 për PS.

Kështu deputetët përfaqësues të PD-AN në Kuvend do të jenë: Xhelal Mziu, Kreshnik Çollaku, Dhurata Tyli (Çupi).

Ndërsa deputetët socialistë që do të përfaqësojnë Dibrën do të jenë: Lavdrim Krrashi dhe Aurora Mara.

Qarku Lezhë

Ishin sërish demokratët ata që morën kryesimin në qarkun e Lezhës edhe për katër vitet e ardhshme. Koalicioni PD-AN arriti të siguronte 4 mandate, nga 7 gjithësej, ndërsa 3 mandate i mori PS.

Kështu deputetët që do të përfaqësojnë PD-AN për Lezhën do të jenë: Mark Marku, Agron Gjekmarkaj, Lindita Metaliaj, Kastriot Piroli.

Kurse deputetët e PS për Lezhën do të jenë: Lindita Nikolla, Eduard Ndreca, Shpresa Marnoj.

Qarku Kukës

Qarku i katërt edhe i fundit ku koalicioni PD-AN rezultoi fitues në zgjedhjet e 25 prillit është ai i Kukësit. Kështu tre mandatet në Kukës ndahen 2 për PD-AN dhe 1 për PS-në.

Deputetët demokratë që do të hyjnë në Kuvend janë: Flamur Hoxha, Isuf Çelaj, ndërsa deputeti socialist do të jetë Gerta Duraku.

Qarku Tiranë

Tirana si qarku më i madh në vend vendosi që qeverisjen në 4 vitet e ardhshme t’ia besojë Partisë Socialiste. 36 mandatet e Tiranës janë ndarë mes katër partive, PS, PD-AN, PSD dhe LSI. Kujtojmë se në këtë qark mundi të thyente herësin Fatmir Xhafaj, i cili duke qenë se mori më shumë se 10 mijë vota arriti të futej në Kuvend, duke nxjerrë jashtë tij Fidel Yllin. Po ashtu edhe Ornaldo Rakipi e theu herësin duke i rrëmbyer kështu karrigen Ervin Bushatit.

18 deputetët që do të futen në Parlament nga radhët e PS-së, si përfaqësues të qarkut të Tiranës do të jenë: Luljeta Bozo, Najada Çomo, Ornaldo Rakipi, Ogerta Manastirliu, Arben Ahmetaj, Ulsi Manja, Etilda Gjonaj, Arben Pëllumbi, Elisa Spiropali, Belinda Balluku, Toni Gogu, Etjen Xhafaj, Ermonela Valikaj, Xhemal Qefalia, Fatmir Xhafaj, Klotilda Bushka, Alqi Bllako, Eduard Shalsi.

Ndërsa 15 deputetët që do të përfaqësojnë demokratët e Tiranës në Parlamentin e ri do të jenë: Lulzim Basha, Jorida Tabaku, Alfred Rushaj, Albana Vokshi, Sali Berisha, Agron Shehaj, Fatmir Mediu, Grida Duma, Shpëtim Idrizi, Belind Këlliçi, Vangjel Dule, Mesila Doda, Dashamir Shehi, Flamur Noka, Orjola Pampuri.

Dy deputetët që do të përfaqësojnë LSI-në në parlament do të jenë Erisa Xhixho dhe Petrit Vasili.

Ndërsa Gertjan Deda do të jetë përfaqësuesi i Partisë Social Demokrate në Parlament për Tiranën.

Qarku Durrës

Socialistët arritën që të triumfojnë në qarkun e Durrësit në këto zgjedhje. 14 mandatet e këtij qarku u ndanë mes PS, e cila mori 8 dhe PD-AN, që mori 6 mandate.

Kështu 8 deputetët që do të ulen në karriget e parlamentit si përfaqësues të socialistëve të Durrësit janë: Milva Ekonomi, Alban Xhelili, Jurgis Çyrbja, Klodiana Spahiu, Ilir Ndraxhi, Rrahman Rexhep Rraja, Lefter Koka, Edi Rama. Kryeministri Edi Rama ditën e djeshme u konfirmua se do të jetë deputet në Durrës, duke hequr dorë kështu nga mandati i Vlorës. Rama tha se pavarësisht se la mandatin e Vlorës, lidhja e tij me këtë qytet është e pandashme.

Ndërsa 6 deputetët e PD-AN që do të futen në Parlament për Durrësin janë: Edi Paloka, Agron Duka, Merita Bakiu, Oerd Bylykbashi, Ferdinant Xhaferaj, Andia Ulliri.

Kujtojmë se për Durrësin LSI bëri një “luftë” të madhe në mënyrë që të siguronte një mandat, por edhe me rihapjen e kutive dhe rinumërimin e votave nuk pati ndryshim rezultati.

Qarku Elbasan

Në qarkun e Elbasanit triumfoi Partia Socialiste. Nga 14 mandate që ishin në total PS arriti të siguronte 8 mandate, ndërsa PD-AN vetëm 6 të tillë.

Deputetët socialistë që do të përfaqësojnë Elbasanin në Kuvend janë: Evis Kushi, Klevis Xhoxhi, Besion Ajazi, Dasantila Tahiraj, Saimir Hasalla, Florenc Spaho, Luan Duzha, Taulant Balla.

Ndërsa deputetët demokratë në Kuvend do të jenë: Gazment Bardhi, Flutura Açka, Lefter Gështenja, Dashnor Sula, Luçiano Boçi, Zheni Gjergji.

Qarku Korçë

Në Korçë PS arriti që të merrte kryesimin. Nga 11 mandate që ishin në total, PS mori 6 mandate, ndërsa PD-AN mori 5 të tillë.

Deputetët socialistë që do të përfaqsojnë korçarët në parlament janë: Enslemvera Zake, Blerina Gjylameti, Ilirian Pendavinji, Ilir Topi, Olta Xhaçka, Niko Peleshi.

Ndërsa deputët e PD-AN që do të ulen në Kuvend janë: Edmond Spaho, Sorina Koti, Ervin Salianji, Bledjon Nallbati, Seladin Jakupllari.

Qarku Berat

Qarku Berat ishte një surprizë aspak e këndëshme për LSI-në. Mund të themi se zgjedhjet e 25 prillit shënuan një rënie të madhe të kësaj force politike, që edhe në Berat, ku thuajse në çdo palë zgjedhje siguronte së paku një mandat, këtë vit doli bosh.

Berati ia dha fitoren Partisë Socialiste, duke siguruar 5 mandate, ndërsa PD-AN arriti që të merrte 2 mandate.

Pesë deputetët e PS-së që do të shkojnë në Parlament si përfaqësues të Beratit janë: Hatixhe Konomi, Bardhyl Kollçaku, Fadil Nasufi, Nasip Naço, Blendi Klosi.

Kurse dy deputetët nga radhët e PD-AN-së janë: Tomor Alizoti dhe Kasëm Mahmutaj.

Qarku Gjirokastër

Në këtë qark socialistët dominuan, ku nga 4 mandate që ishin në total arritën të merrnin 3 të tillë. Kështu një mandat e mori PD-AN.

Tre deputetët që do të ulen në Kuvend nga radhët e socialistëve janë: Mirela Kumbaro, Laert Duraj dhe Bledar Çuçi.

Ndërsa nga radhët e demokratëve do të jetë Tritan Shehu, ai që ka marrë mandatin.

Qarku Fier

Edhe në këtë qark PS ka marrë fitoren. Por ndryshe si nga 10 qarqet e tjera kur mandatet janë ndarë mes PS dhe PD-AN, apo në dy të tjera edhe PSD, në Fier ka hyrë në lojë edhe LSI-ja.

Kështu 15 mandatet e këtij qarku janë ndarë mes PS 8 mandate, PD-AN 6 mandate dhe LSI 1 mandat.

Kështu deputetët socialistë që kanë marrë mandatin janë: Erion Braçe, Petro Vasil Koçi, Lindita Buxheli, Gramoz Ruçi, Baftjar Zeqaj, Antoneta Dhima, Bujar Çela, Ismet Beqiraj.

Deputetët demokratë janë: Enkelejd Alibeaj, Eralda Bano (Tase), Saimir Korreshi, Luan Baçi, Nustret Avdulla, Ilda Thoma Dhori.

Ndërsa deputetja që do të hyjë në parlament si pëfaqsuese e LSI-së do të jetë Monika Kryemadhi. Vetëm ditën e djeshme Kryemadhi vendosi që të bëjë publikë faktin se do të jetë deputete në Fier.

Qarku Vlorë

Vlora mund ta themi me bindje se është bastion i socialistëve, pasi fitorja e PS ishte e thellë. Mandatet në këtë qark janë ndarë mes dy partive PS dhe PD-AN ku nga 14 mandate PS mori 8, ndërsa PD-AN mori 4 të tillë.

Deputetët socialistë që do ulen në karriget e Kuvendit si përfaqësues të Vlorës janë: Pranvera Resulaj, Anduel Tahiraj, Vullnet Sinaj, Anila Denaj, Niko Kuri, Ilir Metaj, Damian Gjiknuri.

Ndërsa deputetët demokratë janë: Bujar Leskaj, Ina Zhupa, Fation Veizaj, Arbi Agalliu.

PD: Raporti i misionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës evidenton të gjithë elementët që tregojnë se 25 prilli ka qenë një masakër zgjedhore

Partia Demokratike deklaroi sot se raporti i misionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës evidenton të gjithë elementët që tregojnë se 25 prilli ka qenë një masakër zgjedhore e regjimit Rama-Doshi dhe një proces që nuk ka asnjë lidhje me demokracinë.

Deputeti i zgjedhur i PD Enkelejd Alibeaj tha se raporti vendos theksin mbi një nga elementët më djallëzor të kësaj masakre: Atë të patronazhistëve dhe përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve, “i cili, me fjalët e raportit, përbën një shqetësim serioz dhe që i bën votuesit vulnerabël.”

Ai theksoi se Misioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës nuk ka qenë vetëm dëshmitar i momenteve të shpërndarjes së parave pranë qendrave të votimit, por sipas tij dhe ata vetë kanë pësuar presion, pasi kërcënimet nuk kanë munguar edhe ndaj ambasadores së një shtetit partner, takimi i të cilës u mbyll pasi një nga pjesëmarrësit u rrëmbye nga bandat në shërbim të regjimit.

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENKELEJD ALIBEAJ
25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë. Këtë e di shumica e shqiptarëve që panë me sytë e tyre se si regjimi Rama-Doshi pengoi ndryshimin. Këtë e evidenton edhe Asamableja Parlamentare e Këshillit të Europës. E cila, në raportin e saj të vëzhgimit, konfirmon elementët që çuan në masakrën zgjedhore të 25 prillit.

Sepse çfarë tjetër mund të jenë pohime si:

“Zyrtarët abuzuan me pushtetin e funksioneve publike.”
“Keqqpërdorim i burimeve të administratës”
“Raportimet për blerje të votës, për ushtrim presioni ndaj votuesve, sidomos ndaj punonjësve të administratës publike për të votuar për partinë në pushtet.”?

Veçse dëshmi të asaj që të gjithë njohim si masakra zgjedhore e 25 prillit…
Përpos dënimit që delegacioni i Asamblesë bën ndaj këtyre akteve, si dhe thirrja ndaj autoriteteve për t’i dhënë fund këtyre parregullsive për të rritur besimin e zgjedhësve në proceset zgjedhore, raporti vendos theksin mbi një nga elementët më djallëzor të kësaj masakre. Atë të patronazhistëve dhe përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve, “i cili, me fjalët e raportit, përbën një shqetësim serioz dhe që i bën votuesit vulnerabël.”
Një vulnerabulitet që bëhet edhe më i prekshëm për qytetarët kur, jo më larg se dje, një hetim që është vetëm në fillesat e tij, zbuloi se zjarrëfikësi i bashkisë së Tirnaës nuk ishte vetëm koka e trafikut të drogës, por edhe një nga patronazhistët e Partisë Socialiste.
Hera e dytë kjo, brenda një jave, ku teksa ndiqet filli i trafikut të drogës, mbrihet pashmangshmërisht te partia në pushtet dhe lidhjet e saj me krimin, të cilin e përdor për blerjen e votave. Sikurse ishte edhe rasti i dy të arrestuarve të operacionit “Lugina”.

Por nuk mbaron me kaq!
Misioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës nuk ka qenë vetëm dëshmitar i momenteve të shpërndarjes së parave pranë qendrave të votimit. Apo, siç pohohet në raport, të presionit mbi votuesit, ku kanë kanë “vëzhguar se si një person tërhiqej me forcë drejt qendrës së votimit dhe instruktohej si të votonte.” Por ata vetë kanë pësuar presion, pasi kërcënimet nuk kanë munguar edhe ndaj ambasadores së një shtetit partner, takimi i të cilës u mbyll pasi një nga pjesëmarrësit u rrëmbye nga bandat në shërbim të regjimit.
Dhe po kaq i prerë siç është raporti mbi atë që ndodhi në 25 prill, është edhe me atë që ndodhi me shkeljen e marrëveshjes së 5 Qershrit. Për të cilën thueht se “procedura për ndryshimet e njënanshme, ishte e përshpejtuar, u bë me nxitim, pa konsultime, dhe krijoi paqartësi dhe pasiguri, si dhe vështirësi për zbatimin e ndryshimeve të njënashme.”
Dhe se “ndryshimet e njënashme u bënë 9 muaj para zgjedhjeve në kundërshtim me Kodin e Praktikave të Mira të Komisionit të Venecias, ku sugjerohet një periudhë 12 mujore për ndryshimet, sidmos për ndryshimet në sistem.”
Ky raport pra dëshmon se Asambleja e Këshillit të Europës pati sy për të parë atë që KAS-i dhe Kolegji Zgjedhor nuk duna të shohin. Ky raport dëshmon se Asambleja e Këshillit të Europës kërkon atë transparencë që KAS-i dhe Kolegji Zgjedhor i mohojnë shqiptarëve.
Ky raport dëshmon se ne duhet dhe do të bashkëpunojmë me partnerët tanë për të zhbërjen e masakrës zgjedhore të 25 prillit dhe për ndërtimin e një plarforme për të sjellë legjitimitetin dhe demokracinë në Shqipëri.

“Shqipëria e dyta në botë për korrupsion”, Tabaku: Kjo është e vërteta që pasqyrohet nga Banka Botërore dhe BERZH

TIRANË

Deputetja e zgjedhur e PD Jorida Tabaku deklaron se Shqipëria është e dyta në botë për korrupsion, duke iu referuar raporteve të Bankës Botërore dhe BERZH. Tabaku shkruan se 3 herë më shumë korrupsion paguajnë bizneset shqiptare në raport me 8 vite më parë!

Sipas saj, korrupsioni është oksigjeni i kësaj mazhorance prandaj ajo stimulon pandershmërinë dhe paligjshmërinë.

“Një shtet i kapur nga korrupsioni, që fut duart në xhepat e sipërmarrjeve dhe qytetarëve.
Kjo është e vërteta e Shqipërisë që pasqyrohet edhe nga Banka Botërore dhe BERZH.
Të dytët në botë për korrupsionin, me zyrtarë që mbushin portofolet nga taksat e shqiptarëve dhe u heqin fitimet bizneseve të shqiptarëve.
3 herë më shumë korrupsion paguajnë bizneset shqiptare në raport me 8 vite më parë!
ky nuk është as raporti i vetëm dhe as raporti i fundit ndërkombëtar që tregon natyrën e vërtetë të regjimit të korruptuar që shqiptarët kanë përballë.
Korrupsioni është oksigjeni i kësaj mazhorance prandaj ajo stimulon pandershmërinë dhe paligjshmërinë.
Një regjim që vjedh zgjedhjet mund të ofrojë vetëm vjedhjen dhe korrupsionin si formë qeverisje!”, deklaron Tabaku.


Send this to a friend