VOAL

VOAL

DASH: Shqipëria burim kryesor marijuane

Sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për luftën kundër lëndëve narkotike, Shqipëria vazhdon të mbetet një vend kryesor burimi për prodhimin e marijuanës dhe një pikë tranziti për dërgesat e kokainës dhe heroinës me destinacion përfundimtar tregjet evropiane.

Gjatë vitit 2015, thuhet në raport,  autoritetet shqiptare kryen një sërë arrestimesh dhe kapën një sasi të madh droge nga prodhuesit dhe rrjetet e trafikantëve që veprojnë në vend, duke vazhduar prirjen e vitit 2014. Ky sukses i dedikohet kryesisht vazhdimit të bashkëpunimit me autoritetet italiane dhe shtimit të angazhimit të udhëheqjes politike dhe asaj të policisë.

Me përjashtim të kanabisit, Shqipëria nuk është prodhues kryesor narkotikësh të tjerë,  substancash kimike bazë, ose drogash sintetike. Qeveria e Shqipërisë nuk mban statistika të përdorimit të drogave. Me përjashtim të marijuanës, përdorimi i narkotikëve të tjerë nuk është i shpeshtë, thekson raporti i DASH.

Sipas policisë shqiptare, thuhet në raport, gjatë 10 muajve të parë të vitit 2015, u kapën 6.87 tonë marijuanë, u shkatërruan 689,815 bimë marijuane në një sipërfaqe prej 44 hektarësh, sipas identifikimit nga ajri të autoriteteve italiane. Autoritet po ashtu kapën 55.3 kg heroinë dhe 26.4 kg kokainë.

Shqipëria vazhdon të marrë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për të përmirësuar aftësitë e saj në luftën kundër narkotikëve.

Raporti vjetor i DASH për narkotikët, përgatitet për Kongresin, në kuadër të ligjit për ndihmat për vendet e tjera dhe pasqyron përpjekjet e një sërë vendesh kryesore për të luftuar gjithë aspektet e trafikut të drogave. 

Kukës – ndotja e Liqenit të Fierzës

Pëllumb Sulo – Krijuar 38 vite më pare, në funksion të hidrocentralit më të madh të Shqipërisë, ujëmbledhësi i Fierzës ose, siç quhet nga banorët, Liqeni i Fierzës ka një sipërfaqe të pasqyrës së ujërave prej 72,5 km², ku pjesa më e madhe shtrihet në territorin e Shqipërisë dhe një pjesë e vogël në Kosovë. Liqeni shërben jo vetëm si furnizues dhe rregullator i tre hidrocentraleve më të mëdhej të vendit, por edhe si burim jetese për banorët e Kukësit, Hasit, Tropojës, Pukës dhe një pjese të Kosovës. Por, prej vitesh, liqeni vazhdon të dëmtohet për shkak të mbeturinave që vazhdojnë të lidhen në ujrat e tij.

Përfaqësuesi i shoqërisë civile në Kukës, Rifat Demalija, thotë se situata është dramatike për shkak të mbeturinave që vazhdojnë të hidhen përgjatë gjithë brigjeve të liqenit dhe që grumbullohen pranë qytetit të Kukësit.

“Situata në kupën e Liqenit të Fierzës, pa e tepruar, është dramatike për shkak të ndotjes, e cila nuk është e kohëve të fundit, por ka vite që kjo gjendje sa vjen e përkeqësohet. Ndotja vjen prej fshatrave të ndryshme që lagen nga Drini i Bardhë dhe Drini i Zi. Kryesisht, më problematike është zona e Drinit të Bardhë rrjedha e të cilit kalon nëpër disa fshatra të Kosovës. Pra, burimi nuk është vetëm Kukësi, por edhe Kosova dhe, patjetër, pjesa e Drinit të Zi”.

Zoti Demalija thotë se, pa zgjidhur problemin e mbeturinave, nuk mund të përmirësohet situata në Liqenin e Fierzës. Zgjidhjet e pjesëshme, si pastrimi i kupës së liqenit nga mbeturinat, sipas tij janë zgjidhje të përkohëshme, ndaj është e domosdoshme që, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, njësitë vendore të marrin masa për të krijuar venddepozitime të mbeturinave.

“Kjo situatë është prej vitesh dhe nga të gjitha qeveritë nuk ka pasur një angazhim serioz, megjithëse ankesat e qytetarëve dhe shoqërisë civile kanë qenë të herë pas herëshme, por faktikisht asgjë serioze nuk është bërë deri më sot. Liqeni është edhe një burim i turismit për qytetin e Kukësit. Ndaj, unë do t’i bëja thirrje sa nuk është vonë njerëzve përgjegjës; edhe qytetarët, edhe shoqëria civile edhe pushtetarët ta marrin seriozisht dhe t’i japin zgjidhje një herë e përgjithmonë dhe jo zgjidhje momentale, sot për nesër”.

Rreth tre vite më parë, ministrat e mjedisit të Shqipërisë dhe Kosovës u takuan në Kukës duke parë nga afër situatën e krijuar në liqen, por megjith premtimet për zgjidhje të situatës, ajo vazhdon të përsëritet çdo vit, me të njëjtin ritëm, duke dëmtuar jo vetëm ekosistemin e këtij liqeni, por edhe të ardhmen e turizmit në Verilindje të Shqipërisë.

Reportazh nga Kapshtica: Shqipëria përgatitet të presë valën tronditëse të refugjatëve

Voal – Shtypi italian po i kushton një vëmendje të veçantë situatës së refugjatëve në kufijtë grekë për shkak se Italia druhet se një ndryshim i mundshëm i itinerarit të refugjatëve do të përfshijë edhe atë vetë. Korrespondentë të shumtë janë mbledhur në Kapshticë në pritje të ngjarjeve që mund të zhvillohen me shpejtësi nëse refugjatët dynden në kufirin shqiptar. Frika e italianëve është se pasi të hyjnë në Shqipëri, refugjatët do të lidhen me trafikantët që do i dërgojnë në Itali me skafe. Sipas tyre, trafikantët po përgatiten për biznesin e ri, ndaj edhe “shpërthimi” në kufij do të jetë i afërt. Më poshtë reportazhi në gazetën italiane “La Stampa”:

Nga Nikolo Zancan, i dërguar në Kapshticë

Shiu bie pa pushim në malet e ashpra të Shqipërisë, këtij kufiri të ri të Europës. Thuhet se 55 refugjatët e parë qëndrojnë të fshehur në 40 kilometra distancë, gati të hapin një rrugë të re.

“Jemi në gatishmëri, i presim”, thotë Mariel Temo i zyrës doganore. Prej 14 vjetësh ai merret me kontrollin e mallrave në doganë, të kamionëve që vijnë nga Stambolli përmes Selanikut në Greqi e ndjekin rrugën e Tiranës, të ngarkuar me gjithçka mund të përmbajë tregu.

Por tashmë këtu, në këtë cep të largët të Ballkanit, të gjithë presin të shfaqn burra, gra e fëmijë nga ana tjetër e kufirit. Të njëjtët që Italia i pret të shfaqen në brigjet pulieze, jo pa shqetësim. Skenari është tashmë konkret në pikën që policia shqiptare në ditët e kaluara, ka sekuestruar 12 gomone gati për përdorim. “Pasi, si thotë një zyrtar i antikrimit në Vlorë, – trafikantët e drogës po pajisen për t’iu përshtatur biznesit të ri”.

Ndoshta do të ndodhë vërtet, ky lloj rikthimi në histori. Shqipëria, Italia. Deti është në mes dhe shpresa për të bashkuar dy tokat. Ende askush nuk mund të thojë me saktësi se kur do ndodhë. Dje, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati deklaroi: “Nuk do ngremë mure, por as mund t’i presim të gjithë”.

Kryeministri Edi Rama i ka dhënë një mesazh Europës gjatë një interviste në emisionin televiziv Top Story, një nga më të ndjekurit: “Nuk kemi forcën ekonomike për të mbajtur të vetëm peshën e kësaj emergjence. Por do të bëjnë pjesën tonë”. Ajo që po ndodh këti është se në pranverë mund të përfshijë edhe Italinë drejtpërdrejt, nuk është gjë tjetër veçse një efekt domino në kufij. Rezultati është izolimi i tmerrshëm në të cilin sot gjendet Greqia.

Duke e parë nga veriu në jug situate është e tillë: Austria ka pezulluar Shengenin me një vendim të njëanshëm, Hungaria është mbyllur pas mureve dhe ksenofobisë, Sllovenia ka ndërtuar pengesa dhe dy kampe pritjeje, ku refugjatët grumbullohen dhe nisen me trena specialë, Kroacia dhe Serbia po kthejnë pas edhe sirianët e afganët: vetëm dje 300 persona janë rikthyer në Maqedoni. Maqedonia, nga ana e saj, ka blinduar kufirin në jug me Greqinë. Dhe pikërisht në zonën mes fshatit maqedonas, Gevgelija dhe atij grek të Idomenit, ku kanë kaluar përherë refugjatët, situata është bërë shpërthyese. Pasi ata nuk mund të kalojnë më.

Nuk kalojnë më 100 persona në ditë, por vetëm sirianët dhe irakianët me dokumente të rregullta e origjinale. Sa më shumë kalojnë, aq më shumë mbërrijnë, dhe përfundimi është katastrofa humanitare. Në një kamp me kapacitet maksiman prej 1500 vendesh, tashmë janë grumbulluar mbi 8 mijë persona.

“Druhen se kufiri mund të mbyllet fare”, thonë aktivistë të Mjekëve pa Kufij. Sipas tyre, askush nuk mendonte se mund të gjente një trajtim të tillë në Europë.

Ja përse Greqia trembet dhe me të drejtë, mos shndërrohet në një “magazinë shpirtërash”.  Dhe kjo është arsyeja përse 300 kilometra më larg në drejtimin verilindje në kufirin shqiptar, po përgatiten. Të gjithë ngrenë hipoteza për një ndryshim të itinerarit. Pasi uji nuk mund të mbahet për shumë kohë e asnjë mur nuk mund ta bllokojë.

“Ka ditë në të cilat flitet për një emergjencë të mundshme”, shpjegon Mariel Temo në doganën e Kapshticës. “Këtu nuk ka arritur askush, por disa kamionistë më kanë sinjalizuar për një kamp me 500 refugjatë shumë afër kufirit grek”.

Kjo do të ishte një rrugë shumë e vështirë drejt Europës. Ngjitje, shira, rrugë treni të lëna pasdore, qenë rrugësh e varfëri. Qeveria ka caktuar dy kazerma të vjetra në zonë për pritjen e parë. askush nuk di të thojë me siguri se çfarë do të ndodhë. Prej muajsh, debati politik në Shqipëri është përqëndruar në reformën e sistemit të Drejtësisë. Diskutohet edhe për ligje antikorrupsion dhe papunësinë e të rinjve. Tashmë po shihet me shqetësim nga kufiri grek. Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

2016-03-01_21-02-57

Berisha – ambasadorit Lu: Parlamenti i inkriminuar, po mendoj të lë mandatin

Ish kryeministri Berisha priti sot në një takim ambasadorin e SHBA në vendin tonë, zotin Donald Lu si dhe shefin e OPDAT, zotin Jon Simbert. Ambasadori Lu  i dorëzoi zotit Berisha dokumentin e opinionit të Komisionit të Venecias të datës 26 shkurt 2016.

Në takim u diskutua gjerësisht për reformën në drejtësi. Zoti Berisha theksoi se, në bindjen e tij, dokumenti  i Komisionit të Venecias përbën një bazë parimore, solide, të shëndoshë për të ecur përpara dhe kompletuar reformën në drejtësi.

Zoti Berisha shprehu mendimin se është me shumë rëndësi që të fillohet, pa humbur kohë, me krijimin, sipas rekomandimeve të Venecias, të njësisë antikorrupsion, pasi Komisioni i Venecias ka folur qartë se kjo njësi nuk mund të ndërtohet siç dëshironte Edi Rama, por sipas parimeve të hetimit të pavarur.

Në takim u diskutua mbi zhvillimet në Parlament. Zoti Berisha u shpreh se, nëse disa muaj më parë kishte shprehur mundësinë e dorëzimit të mandatit, kjo ishte një mundësi hipotetike, por në kushtet e krijuara, me sjelljen nga Rama të Prengës në Parlament, ai e gjen shumë të vështirë pranimin e një parlamenti të tillë, të përgjakur.

Në këtë kontekst, zoti Berisha theksoi se qëndrimi i Ramës pas vizitës së Sekretarit Kerry, në të cilën ai lavdëroi forcat politike në Shqipëri për ligjin e dekriminalizimit, është i papranueshëm. Shfaqja,  të nesërmen, e Ramës me Rroshin, dërgimi i ministrit tek Bushi dhe kthimi i Prengës në Parlament, janë të gjitha mesazhe të besnikërisë së Ramës ndaj kriminelëve dhe krimit, dhe kjo e bën vendin shumë të pasigurtë.

Po kështu, zoti Berisha theksoi se kjo qeveri ka zhdukur ligjin e konfliktit të interesit dhe sot pasuritë publike po rrëmbehen me shpejtësi të madhe nga vëllezërit, fëmijët, baballarët e Ramës, ministrave të tij dhe qeveritarëve të tjerë. Ai u shpreh se kjo përbën një problem madhor për vendin ndaj dhe theksoi se është emergjente çdo plotësim ligjor i nevojshëm për të mbrojtur pasuritë publike të vendit.

Skandali me certifikatat, shkarkohet konsullja shqiptare në Milano

Konsullja shqiptare në Milano të Italisë është shkarkuar nga detyra me vendim të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

Shkarkimi i konsulles Luljeta Çobani u bë pas denoncimit në emisionin ‘Stop’ në tv Klan, ku qytetarët paguanin një shumë parash prej 1 mijë Euro për të marrë certifikatë martese, pa patur asnjë lloj vërtetimi apo dokumenti, nga njësia administrative përkatëse në Shqipëri.

Ja përgjimet e publikuara nga emisioni ‘Stop’:

Qytetarja: Do ulemi këtu?

Sekseri: Ulemi këtu, pimë një gjë edhe unë shife sa kam lënë punën.

Sekseri: Unë e kryj. Unë kisha një vit pa shku aty, shkova dje i takova ata.

Sekseri: Se këtë veç ky xxxx e kryen.

Qytetarja: Konsull është ai apo konsull…

Sekseri: Femër.

Qytetarja: Është femër, ëhëë

Qytetarja: Do e realizosh dot, thua?

Sekseri: E ke të kryme kët, s’bëhet fjalë që s’do të thotë jo…

Sekseri: Unë tash nesër, veç i çoj këto (dokumentat) edhe lekët, edhe…

Qytetarja: Faleminderit!

Sekseri: Mbaji, mbaji (dokumentat) se kur të dalim mbrapa.

Sekseri: Nesër më mëngjes unë shkoj e t’ia çoj. Që do t’a kryj, a je t’u kuptu?

Sekseri: Vllanë tem i kam pagu për Zotin lekë.

Qytetarja: Më the në telefon për 800 euro. Sa i ke dhënë?

Sekseri: Unë ia kam dhënë e di… 800 euro njëherë, 200 euro njëherë.

Sekseri: 1000 euro marrin. E din edhe …

Qytetarja: 1000 euro.

Sekseri: Po, 1000 euro duhen patjetër me t’i kry.

Qytetarja: Tani, 1000 euro të t’i jap unë ty dhe do t’ia japësh xxxxx?

Sekseri: Xxxxx.

Qytetarja: Apo Konsulles?

Sekseri: Xxxxx i merr.

Sekseri: Xxxxx ia jep Konsulles, e dinë ata.

Qytetarja: Unë e kam gjetur dmth, një çun për të bërë martesën.

Sekseri: Shyqyr.

Qytetarja: Nesër e marr (Nulaostën) unë?

Sekseri: Po një ditë. Mos e marr nesër, pasnesër.

Qytetarja: Unë e kam idenë që është mashkull Konsulli?

Sekseri: Jo jo.

Qytetarja: Është femër?

Sekseri: Femër është.

Sekseri: Lulu, Luli, Lujeta se qysh e ka.

Qytetarja: A të t’i le unë këto letrat (dokumentat) ty?

Qytetarja: Po i le këtu.

Sekseri: Futi drejt, drejt, drejt!

Qytetarja: Të t’i le dhe lekët?

Sekseri: Kur të ulesh.

Qytetarja: Jo mo s’ka problem. Unë për të dhënë kam.

Sekseri: Po m’i jep.

Qytetarja: Sa? 1000 euro?

Sekseri: 1000 euro ke me dhënë.

Qytetarja: Prit se i kam kështu, tani. T’i numëroj.

Sekseri: Sido që t’i kesh…

Qytetarja: 100, 200, 300, 400

Sekseri: 500

Qytetarja: 500

Sekseri: Ja dhe 100 këtu, 600.

Qytetarja: Edhe 100, 600.

Qytetarja: Tani, 700, 800. 2,4, 850.

Qytetarja: Mbaji këto 850!

Qytetarja: 2,4,6,8,10.

Sekseri: Ça, ke më tepër aty!

Qytetarja: Prit më fal! 2,4,6,8,10.

Sekseri: 950.

Qytetarja: 2,4. Në rregull i ke, 1000 euro?

Sekseri: Po.

Qytetarja: Numëroi edhe njëherë!

Sekseri: S’kam ça i numëroj se i ke numëru ka herë.

Sekseri: Nesër shkoj unë aty, rri e qetë.

Sekseri: Tash nesër të marr në telefon, rri e qetë tash.

Sekseri: Të marr në telefon sa të dal prej Xxxxx, ça më thotë.

Sekseri: Të Konsullata. Ça do me e bo fill, po pres e po e marr.

Sekseri: Në mos e bo fill, vi të marr ty kur të jesh nesër, pasnesër.

Sekseri: Vimë e marrim bashkë, ose vjen ti (në Konsullatë).

Sekseri: A je t’u kuptu? Gjo më tepër?!

Sekseri: Unë kam shku e kam bo direkt të Konsullja, për vetë, për vëllain tem.

Sekseri: 800 euri ia dhashë Konsulles e 200 euro ia dhashë këtij Xxxxx, se a je t’u më kuptu?

Qytetarja: 800 ia dhe…

Sekseri: Po po ia dhashë Konsulles.

Qytetarja: Konsulles.

Sekseri: Dhe 200 euro ia dhashë këtij, (Xxxxx) aty ky. A je tu më kuptu?

Qytetarja: Është normale, një kafe.

Sekseri: Kafe merr dhe ai.

Milano, Itali/ Konsullata Shqiptare; Konsullata Kosovare

Punonjësja: Hajde!

Qytetarja: Unë jam mikesha e xxxx.

Punonjësja: Për ça erdhe ti?

Qytetarja: Për Nulaostrën.

Punonjësja: Për dokumentin.

Punonjësja: Po e dashur, po.

Qytetarja: Shumë faleminderit.

Punonjësja: Asnjë gjë.

Punonjësja: Tu bë vetëm për xxxx.

Qytetarja: E di.

Punonjësja: No comment!

Qytetarja: Gjithçka u likujdua me xxxxxx?

Punonjësja: Po po, patjetër!

Qytetarja: Jam në rregull e kam fjalën. Ju detyrohem gjë tjetër?

Punonjësja: Absolutisht.

Qytetarja: Ta shoh pak, se mos kanë bërë ndonjë gabim në emër?

Punonjësja: Ky është ….

Qytetarja: Rikardo…

Punonjësja: Komunën, emri jot. Ky është xxxx aaaa bbbb Stato Civile nubile… Datëlindja jote. Xxx je ti?

Qytetarja: Po

Qytetarja: Të falenderoj më gjithë shpirt! Sidomos xxxxx.

Punonjësja: Futi në çantë! Nuk mbahen dokumentat në dorë.

Punonjësja: Në rregull je?

Kreu i PD në Peqin: Ja si më dhunoi deputeti i mazhorancës

 Deputeti me rreth te kuq, Aqif Rakipi

Kreu i PD-së në Peqin, Diell Çela ka sqaruar sot se si ka ndodhur ngjarja për të cilën deputeti Arben Ristani akuzoi deputetin e mazhorancës Aqif Rakipi.

Në një komunikim telefonik, Çela ka pranuar për “Panorama” se akuzat e hedhura dje nga selia e PD-së për zotin Rakipi janë të vërteta, duke nënvizuar se i qëndron deklaratës që ka bërë Ristani një ditë më parë.

Partia Demokratike ka denoncuar deputetin Aqif Rakipi dhe vëllanë e tij sepse sipas saj, kanë rrahur barbarisht kryetarin e PD-së së Peqinit për motive të pastra politike.

Sipas deputetit Arben Ristani, ngjarja ka ndodhur pasditen e të dielës në një lokal Pajovë të Peqinit, ku kryetari i degës së PD në këtë qytet, Diell Çela, “është rrahur barbarisht nga deputeti i PDIU Aqif Rakipi dhe vëllai i tij”.

Arsyeja për këtë ngjarje sipas PD është: “Ngjarja vjen në kuadrin e një kriminaliteti në rritje brenda mazhorancës qeverisëse, dhe pason goditjen me armë dy ditë më parë në Ersekë të anëtarit të PD nga kryetari i PS atje’.

Diell-Cela-400x400

Zoti Dielli Çela, Arben Risani ka bërë një deklaratë dje në lidhje me deputetin Aqif Rakipi për një ngjarje që ka ndodhur në Pajovë. A është e vërtetë?

Po është e vërtetë, i qëndroj cdo thënie të tij, por s’kam bërë as kallëzim asgjë.

A mund të na tregoni ndonjë detaj se si ka ndodhur ngjarja kur dhe ku?

Siç ka thënë Ristani, në Pajovë në 6 të darkës, në lidhje me një protestë që PD do zhvillojë të enjten para bashkisë. Meqënëse Bashkinë e ka PDIU-ja këta u acaruan, ‘nuk ju lejojmë do ju vrasim do ju bëjmë’

Ju ka kërcënuar?

Po nuk hyn tek kërcënimet por atë që ka thënë Arben Ristani është e vërtetë në cdo detaj.

Po cfarë i thoni ju zotit Aqif pasi ai dje në një komunikim telefonik me Panorama tha se ka qenë në Tiranë në momentin kur akuzohet për ngjarjen?

Po ca i them, vetëm burrë nuk është, kaq.

Flutura Açka: protestoj me Tinka Kurtin

Voal – Nga një vend ku ka mbetur ende pak natyrë, protestoj me Tinka Kurtin:

– për betonizimin e vendit
– për kompensimin qesharak 260 lekë të dritave
– për taksën e stolit poshtë pallatit
– për fyerjen në radhët e ISGSH-së
– dhe për gjithçka që po na e bén def, ta urrejmë Atdheun

Një rrëfim i vërtetë

Tek kaloja me makinë nëpër njërën nga urat e Lanës, një prej këtyre ditëve të vrënjtura, vërejta tek çapitej Tinka Kurti nëpër zebrat imagjinare për të kapërcyer anës tjetër të urës. Hapa dritaren dhe e thirra. Mes klithmave dhe borive të shoferëve të paduruar, ndala makinën në urë dhe e prita që ta merrja me vete.

Po shkonte tek ISGSH për të dorëzuar një letër që dëshmonte se ishte e ve, ndryshe nuk do t’i jepej kompensimi prej 260 lekësh për energjinë elektrike.

“Tinkë moj, ti ke 25 vjet e ve, akoma nuk e di ky shtet?”

Me humorin e saj, më tregoi se një ditë më parë e kishin fyer në radhë tek ISGSH.

Njëfarë djaloshi që mbakërka radhën aty, e kishte shtyrë tutje, kur artistja 84-vjeçare ishte lutur që të dorëzonte dokumentet. Dikush aty afër, i kishte vërejtur trimoshit tonë se po shtynte Tinka Kurtin. “Nuk më duhet fare se kush është kjo, nuk do ta lë edhe sikur të jetë vetë presidenti apo kryeministri!”

Kështu e di radhën e rëndësisë në këtë komb, ky kokërr gomari, i cili ka hyrë aty si militant, jo si njeri që t’i shërbejë pa i fyer njerësit, veçmas të moshuarit.

I thashë Tinkës, se meqenëse ishte aq e mërzitur, do ta rrëmbeja dhe do ta çoja diku larg, jashtë Tiranës.

“Jo pa dorëzuar këtë dokument që ma rrezikon kompensimin! Dashke të më lësh pa bukë më duket!” E kishte fjalën për dëshminë e vejanësisë së saj. Unë prita jashtë deri sa ajo mbaroi (me drita të ndezura), pasi ISGSH nuk ka parkim.

Po cili institicion ka, në fakt? Se mos menduan Kryebashkiakët e Tiranës ndonjëri për këtë! As policia aty afër, dyshoj se nuk ka. Hodha sytë përtej xhamave të errët (ISGSH me xhama të zinj!) dhe një turmë njerëzish lëvrinte të mbaronte punë aty. Moshë e dytë, e tretë, e katërt mbase që torturohej për të drejtën e vet elementare.

Kur Tinka hyri në makinë, lëshoi një ofsh të moshës, dhe tha: “As hasmin mos e pafsh këtu”. Po pse, ku? Nuk e pyeta atë, sepse po më shpjegonte se i duhej ai kompensim (260 lekë në muaj!!!!) pasi së shpejti do të niste të paguante Taksën e Stolit, që lirisht mund të quhet edhe Taksa e By… Ngjitur me pallatin e saj, Bashkia po ngre ca stola, ku mund të ulen pleqtë e lagjes gjatë ditës. Por për mirëmbajtjen e tyre, u kishte thënë një fqinj, militant i njohur i partisë aty rrotull, duhej të paguanin taksë.

Se si do të emërtohet kjo taksë, nuk e di; se sa herë do të ulet Tinka Kurti 84-vjeçare në ato stola nuk e di; se ku do të parkojnë tani të mjerët fqinjë të saj aty, nuk e di. Ajo që di është se, si qytetarë të Tiranës dhe qytetatë të këtij vendi, kemi nevojë për parkim, për një park pa beton dhe pa taksë, kemi nevojë për dinjitet në radhët e gjata të tipit socialist.

Shkurt, kemi nevojë të mos e urrejmë Atdheun, siç po na shtyn përditë ta bëjmë Shpirtgrymta Politikë. Atë ditë (dita që po përshkruaj) me Tinkën shkuam diku në një lagunë ku ende nuk ka mbërritur betoni. Do të kishte mbërritur, po të mos e kishin fotografuar me armë në dorë para komisariatit një kokorroç të parlamentit tonë, strehë kriminelësh me damkë. (Sepse, për mua, kriminelë nuk janë vetëm ata që vrasin njerëz!)

Atë ditë, dhe ç’ndodhi atë dite, ne e harruam; ka mbetur vetëm kjo foto e Protestës sonë.

Po ditët e tjera, ç’bën Tinka Kurti, miqtë dhe mikeshat e saj, ç’bën Mosha e Tretë e këtij vendi, që me pensionin e turpshëm nuk ka para as për një kafe në ditë.

Asgjë, mbase po numëron lekët dhe po i ndan veç dhe për Taksën e Stolit, ku do ta vërë ndonjëherë by… për pak rreze dielli. Aferim, o Lali i Bashkisë!

Projektopinioni përfundimtar i Venecias: Të garantohet me Kushtetutë përfshirja e opozitës

Reforma në Drejtësi, Komisioni: Varianti i rishikuar i ndryshimeve kushtetuese në përputhje me standartet. Projekt-opinioni përgjigje dhe diskutimeve për shumicën me dy të tretat apo tre të pestat, në zgjedhjet nga ana e parlamentit

Komisioni i Venecias ka paraqitur projekt-opinionin e tij përfundimtar mbi ndryshimet kushtetuese të rishikuara në bazë të sugjerimeve të mëparshme prej tij. Komisioni thotë se varianti i rishikuar është përmirësuar krahasuar me dokumentin e parë, jo vetëm në detaje por edhe sa i përket parimeve të rëndësishme, duke shtuar se “ka marrë parasysh pjesën dërrmuese të rekomandimeve” të bëra prej tij në opinionin e saj të ndërmjetëm, ndërsa saktëson se “propozimet e tanishme janë përgjithësisht të arsyeshme. Mbeten megjithatë disa probleme teknike të cilat nuk duken të pazgjidhshme”

Një ndër pikat e cila kishte shkaktuar më shumë debat ishte ajo që lidhet me shumicën e nevojshme, për zgjedhjen nga ana e parlamentit, të anëtarëve të disa institucioneve të drejtësisë, si Këshilli i Lartë Gjyqësor, (që zëvendëson Këshillin aktual të  Lartë të Drejtësisë i cili shkrihet) apo Këshilli i Lartë i Prokurorisë (një organi i ri që do të ketë kompetenca të gjera në veprimtarinë e Prokurorisë). Opozita ka këmbëngulur për zgjedhjen e tyre me dy të tretat, e jo me tre të pestat sic eshtë propozuar në variantin e Ekspertëve të Nivelit të lartë. Komisioni i Venecias thotë se të dy variantet janë legjitime. Ai thekson megjithatë si më të pranueshëm variantin me tre të pestat, po ku të garantohet përfshirja dhe e opozitës, duke dhënë edhe disa alternativa për arritjen e këtij qëllimi. Edhe në rastin e Gjykatës Kushtetuese, Venecia sugjeron zgjedhjen me një shumicë të cilësuar  nga ana e parlamentit të tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Komisioni shprehet se “në rast se palët, gjatë procesit politik, nuk bien dakort për shumicën e cilësuar për zgjedhjen e anëtareve të institucioneve të Drejtësisë, ato mund të zgjedhin një sistem proporcional që i garanton opozitës përfaqësimin në këto organe kolektive, ose cfarëdo modeli tjetër I cili do të siguronte një influencë të caktuar opozitës në procesin e zgjedhjeve”.

Komisioni nuk e sheh me vend ndërprerjen e parakohshme të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i cili përfundon në mesin e vitit 2017, “përsa kohë – nënvizon Venecia – ai do të duhet t’i nënshtrohet procesit të verifikimit dhe kontrollit”. Opinioni i Komisionit e quan “të pranueshëm mekanizmin e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, siç është parashikuar, përmes propozimeve me disa kandidatura të ardhura nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, me tre të pestat e parlamentit”, ndërkohë që sugjeron si variant alternativ përfshirjen e një dispozita kalimtare, sipas së cilës, zgjedhja e tyre, për herë të parë, të mund të bëhet me dy të tretat.

Komisioni i Venecias vlerëson ndryshimet e paraqitura lidhur me Prokurorinë speciale e cila do të duhet të përqëndrohet në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve të zyrtarëve të niveleve të larta. Prokuroria speciale është parashikuar të funksionojë si një organ i pavarur nga Prokuroria e Përgjithshme, megjithatë  Venecia kërkon që të qartësohet mënyra e zgjedhjes së drejtuesit të kësaj prokurorie dhe ndaj kujt ai përgjigjet për veprimtarinë e tij.

Përsa i përket masave të parashikuara për procesin e  kontrollit dhe verifikimit të figurës, të cilit do të duhet t’i nënshtrohen gjyqtarët dhe prokurorët, Komisioni e konsideron “jo vetëm të justifikuar por edhe të nevojshëm” në situatën në të cilin ndodhet gjyqësori shqiptar. Komisioni vlerëson dhe parashikimet të cilat sigurojnë që gjyqtarët dhe prokurorët të mund të ankohen ndaj vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, organi i cili do të kalojë në sitë, përfaqësuesit e të gjitha shkallëve të gjyqësorit, si nga pikëpamja profesionale ashtu dhe ajo e integritetit, përmes vlerësimeve dhe të pasurive të tyre. Ky Komision, do të ketë asistencën direkte të vëzhguesve ndërkombëtarë të propozuar nga Bashkimi europian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët parashikohet të kenë kompetenca mjaft të gjera në të gjithë procesin. Venecia sugjeron që kompetencat e vëzhguesve ndërkombëtar të qartësohen e që ata të mos kenë fuqi vendimmarrëse.

Komisioni vlerëson pozitivisht variantin e rishikuar të ndryshimeve kushtetuese, dhe punën e bërë nga Ekspertët e Nivelit të Lartë të cilët punuan në mbështetje të Komisionit të posacëm parlamentar për Reformën në Drejtësi. Sipas Venecias, dokumenti i rishikuar, “përmban propozime të vlefshme për rikonceptimin institucional të sistemit gjyqësor shqiptar. Teksti është gjerësisht koherent dhe në përshtatje me standartet europiane” nënvizon Komisioni i Venecias i cili “shpreson se projekt ndryshimet kushtetuese do të përmbyllen pa vonesa të mëtejshme dhe do t’i nënshtrohet votimit në parlament”.

Komisioni i Venecias, tërheq vëmendjen në faktin se reforma nuk duhet të ndalet në nivelin e ndryshimeve kushtetuese dhe se kërkohet një paketë e gjerë ligjesh për zbatimin e tyre në mënyrë që të rregullojë veprimtarinë e organeve gjyqësore.

Parku Kombëtar i Valbonës – rreziqet që i kanosen

Parku Kombëtar i Valbonës, në rrethin e Tropojës, është një nga pasuritë natyrore më të rëndësishme në Shqipëri. Me përmirësimin, vitet e fundit, të infrastrukturës rrugore dhe investimet e vetë banorëve, në këtë pjesë të Alpeve shqiptare po zhvillohet me shpejtësi turizmi. Ndërkohë, banorët e Luginës së Valbonës po kundërshtojnë ndërtimin, brenda Parkut Kombëtar, të tre hidrocentraleve. Korrespondentet e Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo dhe Ilirian Agolli,  përgatitën kronikën:

Vlerësuar si mrekullia e alpeve shqiptare Parku Kombëtar i Valbonës, në rrethin e Tropojës, shtrihet përgjatë Luginës së Valbonës, me një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. Peisazhi malor, ujrat e Lumit të Valbonës dhe ekosistemi i parkut, vitet e fundit  po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë vendas dhe të huaj, kjo edhe falë përmirësimit të rrugës automobilistike, furnizimit me energji, dhe investimeve të vetë banorëve për pritjen e pushuesve.

Por banorët janë të shqetësuar se Parku kombëtar do të dëmtohet nga ngritja e tre hidrocentraleve në Luginën e Valbonës.

Drejtuesi i shoqatës së turizmit në Valbonë, Alfred Selimaj, thotë se koncensionet e dhëna për ndërtimin e tre hidrocentraleve, atë të Valbonës, Dragobisë dhe Çeremit, do të dëmtojnë turizmin dhe vetë ekosistemin e Parkut Kombëtar.

“Spontanisht e kemi marrë vesh se do të ndërtohen dy hidrocentrale këtu. Shqetësimi i parë është moskonsultimi me komunitetin, pasi nuk kemi pasë asnjë informacion. Lumi do të devijohet rreth 7 kilometra përmes tubave dhe tuneleve. Nëse cënohet lumi, shkatërrohet natyra, dhe atëherë kuptohet se kjo do të ndikojë në fushën e turizmit”.

Edhe bashkëshortja e Alfredit, Catherine Bohne, e njohur gjërësisht si “amerikania e Valbonës”, e cila i është përkushtuar ruajtjes së ekosistemit të Luginës, shpreh të njëjtin shqetësim. Ajo thotë se, me ndërtimin e hidrocentraleve dëmtohet turizmi, ekosistemi natyror, por edhe vetë e ardhmja e Parkut Kombëtar. Sipas saj, qeveria shqiptare nuk ka respektuar Konventën Ahrus, të cilën e ka nënshkruar, konventë që parashikon informimin e banorëve.

“Ne kemi punuar bashkë me Ministrinë e Mjedisit për të shkruar dokumentin e zonimit, planin e menaxhimit për të mbrojtur këtë zonë. UNDP ka investuar, ka bërë një projekt shumë të madh për të zhvilluar këtë zonë. Kurse një ministri tjetër ka punuar për ta prishur. Është çmenduri dhe qeveria e Shqipërisë nuk mund të vazhdojë më kështu”.  

Tre kontratat konçensionare dhe vendimet për hidrocentralet në Valbonë janë miratuar nga dy qeveritë e fundit: ajo demokrate në gusht të vitit 2013 dhe ajo socialiste në prill të vitit 2014.

Madje në dhjetor të vitit 2014, Enti Rregullator i Energjisë, ERE, vendosi nisjen e procedurave për licensimin e aktivitetit të prodhimit të energjisë nga HEC-et “Çeremi” dhe “Dragobia’, ende pa filluar puna për ndërtimin e tyre.

Zëri i Amerikës u interesua pranë Ministrisë së Energjitikës dhe Ministrisë së Mjedisit për të marrë reagimin e tyre në lidhje me ndërtimin e tre HEC-eve në Parkun Kombëtar të Valbonës, por zyrtarët nuk pranuan të komentojnë mbi këto projekte.

Perfaqësuesit e shoqatave ambientaliste në Tiranë e cilësojnë ndërtimin e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar si një krim mjedisor kombëtar.

“Duke ndërtuar këto lloj hecesh, ne pikërisht prishim zemrën e asaj zone që është Lumi i Valbonës, i cili kalon pikërisht në atë luginë. Për këtë shkak, jo vetëm komuniteti lokal, por edhe i gjithë komuniteti i shoqërisë civile është shprehur kundra këtyre ndërtimeve. Dhe, përgjithësisht, të gjitha këto ndërtime janë të atilla që, efekti i tyre financiar në përfitimin energjitik, në vlerësimin e shumicës së specialistëve është shumë më i vogël në krahasim me efektin financiar që mund të ketë pjesa e zhvillimit të turizmit apo zhvillimit të qendrueshëm të kësaj zone”, thotë Rezart Kapedani i shoqatës “REC Albania”.

Për mjekun njohur Din Selimaj, vendimi i qeverisë për dhënien e koncensioneve për ndërtimin e tre hidrocentraleve, brenda Parkut Kombëtar të Valbonës, është marrë pa u  konsultuar me komunitetin vendas dhe, si i tillë, ai po kundërshtohet masivisht prej banorëve.

“Komuniteti i Valbonës është krejt kundër. Në vend që të investohet në stabilizimin e Luginës së Valbonës, në vend që të stabilizohen më mirë  projektet e zhvillimit duke i dhënë përparësi lidhur me ndërtimet, llojin e materialit me të cilin do të ndërtohet, nivelin e kateve, hapësirave të gjelbërta, etj, vijnë ndërtohen hidrocentrale, pra thahet lumi”.

Banorët e Valbonës kanë nënshkruar një peticion drejtuar Kryeministrit Rama, përmes të cilit shprehin shqetësimin dhe kundërshtimin e tyre për ndërtimin e 3 hidrocentraleve në brendësi të Parkut Kombëtar.

Ndërsa përfaqesuesi i shoqatës “ECO Albania”, Olsi Nika, thote se ndërtimi i hidrocentraleve në Valbonë është i papranueshëm:

“Pavarësisht nga masat që kompanitë që do të ndërtojnë në Valbonë për të respektuar  standartet mjedisore, pavarësisht gjithçkaje tjetër, kuadrin ligjor që ata do të respektojnë; rregullat, lejet e ndërtimit, lejet mjedisore, etj, për ne është përfundimisht një vend ku nuk duhet të ndërtohen hidrocentrale”.

Catherine Bohne, “aerikania e Valbonës”, kjo grua që prej vitesh është dashuruar me alpet shqiptare, nga vendi ku po ndërtohet kanali, që do të devijojë ujrat e Valbonës lëshon një apel për të gjithë shoqërinë shqiptare:

“Kam një apel që të gjithë njerëzit, ata që janë në shoqata, në qeveri, të gjithë njerëzit, në qoftëse bashkëpunojmë me besim edhe me shpresa, ne mund ta mbrojmë këtë thesar, Valbonën.”

JO VEZË! – Nga REXHEP SHAHU


Jo vezë, po argumente. Derdhni breshëri argumentesh e jo vezë!
Jo shaka me vezë, jo tallje me vezë.
Hidh vezë dhe lëpij, hidh vezë dhe pajtohu, shfryhu, shkllahu, shkordhu, derdhu, jooo.
Vezët i duhën kryeministrit, edhe ashtu të paziera, të pa skuqura, edhe omëletë, qoftë edhe sklluke, vezët i shërbejnë kryeministrit, e ushqejnë kryeministrin, ia shtojnë jetën politike, ia vështirësojnë qeverisjen demokratike.
Vezët ju i çoni aty, ju i gjuani drejt kryeministrit, por i gatuan siç don për vete kryeministri, ngopet pushteti i tij me vezët tuaja. Nëse nuk e dini këtë, nëse nuk e kuptoni se vezët i bëjne mirë kryeministrit, lereni fare, çelni zogj si klloçka në karriget e kuvendit.
Me kauzat nuk bëhet më shaka, kauzat nuk janë qershia të pshurrme që t’u kthehemi t’I hamë si të pa pshurrme. Kauzat duhen caktuar, fiksuar dhe nuk duhen tradhëtuar më. 
Ik nga parlamenti, ik nga kuvendi, lerja gjithë kuvendin, lerja gjithë shtetin, lerja gjithë jetën politike të zyrave kësaj mazhorance imorale.
Ik nga kuvendi dhe shko te qytetari, te qytetarët e tallur e të përvëluar nga cinizmi qeveritar.
Ik për arsyen e thjeshtë, të vogël në dukje, por ik se je opozitë e mashtruar, e fyer, e denigruar, e dhunuar, e tallur, e përbuzur. Ik se kryeministri gjithë kohën të përgojon, edhe pse ëshët stërbetuar se nuk do të merret me opozitën, por nuk di të bëjë gjë tjetër në këtë fytyrë toke veçse të përgojojë opozitën. Përgojon liderin e opozitës, nuk ia zë emrin liderit të PD sikur goja e tij e madhe është aq e lame dhe e pastër dhe i bëhet me mut nëse ia përmend emrin liderit të opozitës.
Ik si reagim ndaj mashtrimeve që janë bërë në këtë vend, nga mashtrimi për 300 mijë vende pune që nuk bëhen dot as për 10 vjet, ik nga mashtrimi e fyerja aktuale brutale se ka çelur 26 mijë vende pune dhe nuk ka fuqi punëtore shqiptare të specializuar sikur teknologjia dhe zhvillimi në Shqipëri ia kalon Gjermanisë e japonisë. Mashtrim tallës spektakular për gjithë shqiptarët. I quan dembelë shqiptarët dhe vendet e punës i ka vetëm në deklaratat mashtruese që bën. Ik opozite e dashur nga parlamenti ku mashtron ky kryeministër, ku reciton e aktron mashtrime monstruoze si 26 mijë vendet e punes që vajtojnë se s’ka punetorë në Shqipëri.
Ik dhe shko te njerzit, te pabuksit, tek të tallurit. Ik, por ik e mos u kthe nga mashtrimi, ik e mos u mashtro, ik dhe kthehu vetëm kur të bëhet i dinjitetshëm ky parlament, kur të sjellësh edhe vetë meritorë në këtë parlament e jo rastësorë, jo ata që blejnë e financojnë mandate.
Ik nga ky kuvend, por ik seriozisht dhe mos bëj sikur se nuk të beson askush kur bën sikur. Ik dhe dil ne sheshe, dil me njerzit e vertetë, jo me deledashët që ke filluar t’i kesh qejf, dh eke filluar t’I zevendësosh me qëndrestarët që janë shpirti yt, dil me qëndrestarët, jo me kukullat e manekinët, jo me ata që lodhen gjithë ditën e lume vetëm e vetëm t’i shohë koridoreve kryetari, vetëm t’ua hedhë sytë kryetari dhe këte ata e kanë punë të vetme te partia.
Jo me këta, por dil se atje në shesh i ke njerzit, atje në sheshet e talljes, fyerjes, skamjes. Thirri e mblidhi të mashtruarit që janë të skuqur nga mashtrimi që u është bërë, bëji bashkë se janë gati por kërkojnë vetëm të mos mashtrohen më, kurrë më, nga askush.
Dil në sheshe dhe gjeji prindërit e fëmijëve që ndjehen si fëmije armiqsh, si fëmijë të daklasuarish sepse qeveria u ka heqë babain ose nenën nga puna dhe shihesh me sy të keq, shihesh si i deklasuar, me biografi të keqe.
Dil në sheshe se do të të vijnë pas gjithë të rinjtë që kanë prindër të përbuzur, të dëbuar dhe hakmarrja për baballarët është e do të jetë e përbindshme – shoh fëmijët e mi se çfarë urrjetje kanë për shkencëtarin botëror të kastarvecit, atë panaritin e panaritit… që kur është në pushtet PD, thotë jam mik i Lul Bashës, e tani që është PS në pushtet, ai panarir panariti thotë se kuron imazhin e Ilir Metës në arenën ndërkombëtare dhe në qarqet akademike… 
Dil opozitë e dashur në sheshe dhe vetëm mos gënje, vetëm këtë bëj, mos gënje, mos mashtro, mos tall e poshtro më askënd se edhe ti ke poshtruar kur ke qenë në pushtet.
Mjaft ke tallë edhe ti edhe deputetët e tu, mjaft kanë tallë…
Kërko ndjesë të thellë, të ndershme për mashtrimet që ke bërë, thuaj me falni se kam mashtruar, me falni se kam përbuzur, më falni se kam hedhur njerëz në rruge me keq se lopa bajgën. Dhe premto se nuk mund të ndodhë më kurrë që të flakësh njerëz në rrugë siç nuk ka bërë as diktatura komuniste e cila të bënte njëmijë e një të zeza por pa një rrogë të qelbur nuk të linte, e cila edhe kur dilje nga burgu, të sistemonte me një rroge e punë të te qelbur qoftë edhe në internim, fermë a në kooperativë. Ndërsa sot në demokraci luajnë kurvash partitë politike sa herë marrin pushtetin, flakin njerëz në rrugë pa asnjë përgjegjësi. Thuaju njerzve, do ju heq nga puna, por pa një punë nuk u lë se ta këndojnë të gjithë po pa zë atë që thoshte shkodrani në diktaturë: rrogën mos ma prek, te rroga mos ha mut…
Dhe nuk të duhet asgjë më shumë e dashur opozitë  se sa ndershmëria, asgjë më shumë se të dëbosh servilat, të paktën sa je ende në opozitë se kur të jesh në pushtet shumicën e servilave do e kesh në brekë. Por sot të paktën dil në shesh dhe mos paracakto me shkelje syri ministrat e nesërm, deputetët e nesërm, ambasadorët e nesërm, drejtorët e nesërm, sepse këta që të sillen si pordha nëpër brekë kanë ardhë vetëm për këtë shkak – të punësohen nesër në administratën e lartë si biznesi më i mirë i mundshëm për tu bërë elitë dhe pasanik. Qartëso e këmbëngul që të zgjedhurit vendorë si kryebashkiakë ndonëse pakicë në shkallë vendi të jenë modele frymëzimi dhe shprehu, a janë të tillë aktualisht, a po e justifikojnë besimin e dhënë nga partia e pastaj nga qytetarët e vendit që i kanë zgjedhë. Këta të zgjedhur janë modeli që të japin krahë ose t’i presin krahët. Se ata që rendin të hyjnë nën sqetulla nuk besojne dot se një ditë nuk do të jenë politikanët më të pasurit e vendit.
Se u zgjata, por unë thashë : Jo me vezë!
Jo me vezë sepse është shaka, shaka bajate, e vjetër, aspak origjinale, tejet e konsumuar. 
Bëjeni parlamentin në udhët e sheshet e vendit me njerzit e përbuzur e të tallur që janë shumë edhe nga ata njëmilionë maskarejtë e këtij vendi që u bënë bashkë dikur nën thirrjen, maskarej të vendit bashkohuni ta shporrim malokun Berisha.
Urinë ndoshta e durojnë njerzit gjatë, por talljen e përbuzjen nuk e hanë dot. As me vezë…

Zëri i Amerikës: Tension në parlament, vezë kryeministrit

Voal – Tension në sallën e parlamentit shqiptar në nisje të seancës së sotme. Opozita ka bllokuar zhvillimin e punimeve, ndërsa disa prej deputetëve të saj tyre kanë qëlluar me vezë në drejtim të kryeministrit Edi Rama. E djathta kërkoi me ngulm realizimin e disa kërkesave të saj. E para lidhet me një ndryshim në ligjin për dekriminalizimin, sipas të cilit “të zgjedhurit dhe funksionarët e arrestuar në kushte flagrance plagosje apo vrasje me dashje, pezullohen nga pjesmarrja në parlament deri në një vendim përfundimtar të gjykatës”. Kjo kërkesë erdhi ndërsa deputeti Armando Prenga, i përfshirë vjeshtën e kaluar në një konflikt të armatosur, u rikthye këtë javë të merrte pjesë në komisionet parlamentare pasi gjykata vendosi për të masën “detyrim për paraqitje”.

Prenga fillimisht u arrestua, dhe pas disa muajsh, u la në arrest shtëpiak. Ai u përjashtua menjëherë nga radhët e grupit parlamentar socialist. Prania e tij në parlament provokoi një reagim të fortë të opozitës. E djathta propozoi gjithashtu votimin me shpejtësi të akteve të nevojshme për vënien në zbatim të ligjit për dekriminalizimin.“Kushtet që shpalosim sot, nuk janë një tekë. Janë rruga drejt normalitetit. Janë kthimi i normalitetit në vend. Eshtë marrëveshja politike e 24 dhjetorit të vitit 2014 që votuam me ndërmjetësimin e Parlamentit Europian. Të ndalim dhunimin e kësaj marrëveshje, dhe kjo kërkon: Miratimin e amendamentit në ligjin e dekriminalizimit që largon nga ky Kuvend deri në gjykimin final Armando Prengën; miratimin e vendimit që fut në zbatim ligjin për dekriminalizimin; dërgimin nga ky Kuvend në Gjykatën Kushtetuese të kërkesës për heqjen e mandatit të deputetit për Koço Kokëdhimën, Valentina Leskajn dhe Rakip Sulin, të cilët në dhunim të Kushtetutës kanë konsumuar paratë e publikut shqiptar, dhe pasurinë publike ndërkohë që janë vetë deputetë; Heqjen e pengesës të komisioneve hetimore parlamentare ndalimin e zhvlerësimit të tyre, duke hequr instrumentin e kuorumit që e ke përdorur deri më sot vetëm për bllokim. Pa këto, pa realizimin e këtyre kushteve ky institucion dhe kjo foltore nuk do të funksionojnë”, deklaroi kryetari i grupit demokrat Edi Paloka.

Këtë qëndrim opozita e kishte paralajmëruar dhe më parë. Sot për shkak të frikës së zhvillimit të ngjarjeve të ngjashme me ato në parlamentin e Kosovës, deputetët ju nënshtruan kontrolleve të rrepta. Tre prej tyre, përfaqësues të opozitës, u gjetën me vezë nëpër canta. Në sallën e parlamentit, deputetët e opozitës më pas, rrethuan foltoren, duke mbajtur në duar parulla me mbishkrimin “Jashtë kriminelët”. Pas një ndërprerje të seancës, shumica kaloi me shpejtësi votimin për dekretet e presidentit për ndryshimet në qeveri, duke mbyllur brenda një kohe shumë të shkurtër punimet e parlamentit. Deputetët e opozitës kanë qëndruar të grumbulluar para foltores mëgjithëse seanca u deklarua e mbyllur. Dhe ky ka qenë momenti kur në drejtim të kryeministrit është qëlluar disa herë me vezë.

Amnesty International: Në Shqipëri gjendje e rëndë e të drejtave të njeriut

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amnesty International nxori raportin e saj vjetor mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, ku analizon 160 vende, ndër të cilat edhe Shqipërinë.

Ndër problemet kryesore që nënvizon AI në Shqipëri, janë gjendja e komuniteteve roma dhe egjiptase, sidomos për sa i përket të drejtës për strehim; situata e rëndë ekonomike që ka detyruar mijëra shqiptarë të largohen drejt vendeve të Evropës Perëndimore dhe mbrojtja e pamjaftueshme e viktimave të dhunës në familje.

Organizata ndërkombëtare shpreh shqetësim për shkatërrimin në korrik të banesave të shumë familjeve rome, pasi ishin identifikuar si ndërtime të paligjshme dhe autoritetet nuk kishin lejuar legalizimin e ndërtimeve në përputhje me ligjin e vitit 2014.

Dhuna ndaj grave dhe vajzave, një temë që ngrihet shpesh në raportet ndërkombëtare për gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, përfshihet edhe në raportin e sivjetshëm të Amnesty Internationa. Organizata thotë se megjithë kërkesat e shumta pranë autoritete të grave dhe vajzave për mbrojtje nga dhuna në familje, vetëm një përqindje e vogël e këtyre kërkesave janë miratuar, pasi viktimat tërheqin padinë si rezultat i presionit nga të afërmit.

Kultura e pandëshkueshmërisë mbetet problem, vëren në raportin e saj Amnesty International, duke përmendur ish-drejtorin e policisë së shtetit Hysni Burgaj dhe zëvendësin e tij Agron Kuliçaj që nuk zbatuan urdhër-arrestet për anëtarë të Gardës Kombëtare të akuzuar për vrasjen e katër protestuesve në janar 2011. Nga kultura e mësndëshkimit përfitoi edhe Aleks Nika, megjithë shpalljen fajtor në këtë incident, thuhet më tej në raport.

Ndër probleme të tjera në Shqipëri, raporti ngre gjendjen e vështirë ekonomike që ka shtyrë mijëra vetë gjatë vitit të kaluar të kërkonin strehim në Evropën Perëndimore. Po ashtu mbetet problem, thekson Amnesty International, gjendja në burgje dhe qendra para-burgimi ku të burgosurit dhe të ndaluarit keqtrajtohen dhe mbahen në kushte të papërshtatshme.

Amnesty International nxjerr çdo vit një raport mbi respektimin e të drejtave të njeriut në botë. Në prezantimin e raportit të sivjetshëm, organizata thekson se shumë nga të drejtat e njeriut janë aktualisht nën kërcënimin e masave të ashpra për hir të sigurisë kombëtare, apo nën presionin e interesave afat-shkurtra kombëtare. Një prirje e rrezikshme, thekson organizata, vërehet aktualisht ku qeveritë po përpiqen të kufizojnë shumë të drejta duke i cilësuar si kërcënime ndaj sigurisë. Kjo prirje, thekson Amnesty International po vë në rrezik përparimet e bëra në botë gjatë 70 viteve të fundit.

Presidenti Nishani kërkoi rrëzimin e ligjit të pronave si antikushtetues

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, i kërkoi sot Gjykatës Kushtetuese të shfuqizojë si të papajtueshëm me Kushtetutën ligjin “për trajtimin e pronës dhe përfundimin e kompensimit të pronave” si dhe pezullimin e zbatimit të tij.

Presidenti vlerëson se skema e ofruar në këtë ligj për kompensimin e pronarëve bie ndesh me parimin kushtetues të sigurisë juridike dhe nuk është aspak efektive siç e kërkon Gjykata Europiane për të Drejtat Njerëzore.

Qeveria propozoi këtë ligj për të zgjidhur çështjen e pronarëve të vjetër, duke eliminuar në praktikë zvarritjet burokratike, për të sjellë barazi mes gjithë ish-pronarëve, të cilëve u është njohur prona për kompensim, për një shpërblim të drejtë.

Qeveria synoi të gjejë një balancë mes interesit publik dhe të drejtës së pronës, brenda mundësive të shtetit social.

Ligji pretendohet nga qeveria se sjell një formulë efikase dhe realiste për kompensimin e pronarëve, një afat të arsyeshëm dhe të përcaktuar kohor për përfundimin e të gjithë procesit, një zgjidhje të drejtë, duke respektuar normat kushtetuese për të gjithë pronarët, por gjithashtu edhe për të gjithë qytetarët, duke mbajtur në konsideratë interesin publik.

Ligji u miratua në 5 dhjetor 2015 me 78 vota nga parlamenti. Presidenti Nishani e ktheu atë për rishqyrtim në parlament. Por ai rrëzoi dekretin e presidentit dhe ligji u miratua dhe u botua në Fletoren Zyrtare në fillim të shkurtit.

Rama në Londër: Nëse Britania del nga BE, ne jemi gati ta zëvendësojmë

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot i ftuar në takimin e organizuar nga BERZH me vendet e rajonit të Ballkanit, i organizuar në Londër të Britanisë së Madhe. Gjatë konferencës për shtyp, Rama nuk ka nguruar të bëjë edhe batuta me pyetjet që i vinin nga gazetarët e pranishëm.

Gazetarët kanë kryeministrat nëse mendojnë se Britania e Madhe do të dalë apo jo nga Bashkimi Europian dhe përgjigja e Ramës ishte: “Nëse Britania largohet, ne jemi gati ta zëvendësojmë… Por ajo nuk do të largohet.”

Rama ka kritikuar gjithashtu BE-në për standardin e dyfishtë që po përdor me Shqipërinë dhe Serbinë sa i përket procesit të anëtarësimit.

Europol: Shqiptarët rol kryesor në organizatat e trafikut të njerëzve

Organizatat e trafikimit të njerëzve kanë përfituar rreth 6 miliardë euro vitin e kaluar, ku pjesa më e madhe e kësaj shume ka ardhur nga trafikimi i emigrantëve për në Evropë, ka thënë agjencia policore e BE-së Europol në një raport të lëshuar të hënën.

Raporti, duke e cilësuar trafikimin me njerëz si një prej “tregjeve kriminale me rritjen më të shpejtë në Evropë”, thotë: “Ky qarkullim (prej 6 miliardë eurove) pritet të dyfishohet apo trefishohet nëse shkalla e krizës aktuale me emigrantë rritet vitin e ardhshëm”.

Europol dhe forcat policore në vendet në Evropë dhe jashtë saj kanë identifikuar më shumë se 12 mijë të dyshuar aktivë në banda të përfshira në trafikimin me emigrantë që nga viti 2015. Bandat, pjesëtarë të së cilave vijnë nga vende si Kosova, Bullgaria, Egjipti, Hungaria dhe Iraku, janë të përfshira në një shkallë të gjerë të aktiviteteve kriminale përfshi falsifikimin e dokumenteve dhe ryshfetin zyrtar, thotë raporti.

Të ashtuquajturat “pika të nxehta” ku aktivitetet e bandave janë të përqendruara përfshijnë qytete përgjatë shtigjeve ballkanike nga Lindja e Mesme, siç janë Stambolli, Izmiri, Athina dhe Budapesti por edhe çerdhe të mëdha kontinentale si Berlini, Calais, Zeebrugge dhe Frankfurti.

Por Europol thotë se ka pak dëshmi se “të dyshuarit terroristë” kanë shfrytëzuar rrjetet e trafikimit për të hyrë në kontinent në një shkallë të konsiderueshme.

“Shumë më pak se 0.01 për qind e të dyshuarve terroristë kanë pasur lidhje me emigrantët”, ka thënë drejtori i Europolit, Rob Eainëright, gjatë një konference për media.

Rreth një milion emigrantë kanë arritur në Evropë vitin e kaluar, shumica prej të cilëve kanë ikur nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme, ka thënë agjencia në raportin e lëshuar sot tani që është duke themeluar një qendër të re për të koordinuar luftën e gjerë evropiane kundër trafikantëve.

Qendra Evropiane për Trafikim të Emigrantëve, që do të vendoset në Hagë, do t’ju ndihmojnë forcave policore brenda dhe jashtë Evropës që të shpërndajnë informacione dhe të ndihmojnë me zbarkimin e shpejtë të forcave emergjente policore në rast të hapjes së shtigjeve të reja të emigrantëve.

Kodheli: Shqipëria e përgatitur për një fluks refugjatësh

Duke folur para deputetëve, Kodheli theksoi se Shiqpëria është e përgatitur dhe ka marrë masat e duhura për një fluks të mundëshëm refugjatësh nga Siria.

Ministrja e Mbrojtjes tha se, në bazë të informacioneve të mbledhura rezulton se refugjatët mund ta përdorin Shqipërinë si vend tranzit, vetëm për të kaluar, pasi nuk janë të interesuar të stacionohen këtu.

Ndërkohë, në komision ishte i pranishëm edhe deputeti i Partisë Socialite, Armando Prenga, i vënë nën akuzë nga prokuroria për plagosje, kanosje dhe armbajtje pa leje.

Kështu, Prenga merr pjesë në punimet e Parlamentit pas më shumë se 5 muaj mungesë, pasi vetëm pak ditë më parë Gjykata e Lartë i ndryshoi masën e sigurisë nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”.

Rama kritikon BE-në: Jemi mbrapa Serbisë, sepse nuk kemi Rusinë

Kryeministri Edi Rama i është rikthyer kritikave ndaj Bashkimit Europian sa i përket raporteve me Shqipërinë.

Rama ka zgjedhur të japë shembullin e Serbisë dhe mënyrës se si ky shtet duke përdorur si presion marrdhëniet me Rusinë, ka arritur të avancojë drejt rrugës së anëtarësimit.

“BE është më e kujdesshme ndaj tyre sesa ndaj nesh, sepse ne nuk kemi Rusinë. Kështu, ata ende nuk liberalizojnë vizat për qytetarët e Kosovës, neve na thonë ju jeni duke ecur shumë mirë, por keni ende për të bërë. Ndërsa ai fluturon në Rusi dhe merr hapjen e negociatave”, transmetojnë mediat deklaratën e Ramës.

Rama ndodhet në Londër ku po merr pjesë në samitin e organizuar nga BERZH.

Llalla: Kemi nisur hetimet ndaj Bashkisë së Tiranës për Parkun e Liqenit

Kryeprokurori Adriatik Llalla deklaroi sot se Prokuroria ka nisur verifikimet për projektin e ndërtimit të parkut të lojërave në Parkun e Liqenit Artificial. Në një prononcim të bërë për mediat pas analizës së prokurorisë së Lushnjës, ai tha se procedura ka nisur pa denoncimit të bërë nga shoqëria civile. Përfaqësues të shoqërisë civile dhe ambientalistë patën mbrëmë një takim me kreun e akuzës. Ata e informuan atë për dyshimet se leja për ndërtimin e parkut është e falsifikuar. Në takim ishin Sazan Guri, Eljan Tanini, Ervin Goci dhe Artan Manushaqe. Menjëherë pas takimit përfaqësuesit e shoqërisë civile depozituan një kallëzim penal dhe prokuroria ka nisur hetimet pa vonesë. Sipas kallëzuesve, në muajin janar Erion Veliaj ka shpallur tender pa patur projekt dhe ka marrë vendimin disa ditë më pas se të bëhej protesta e të mërkurës. Përfaqësuesit e shoqërisë civile dyshojnë se vendimi duhet të ketë në numër të një date të mëparshme. Sipas tyre, përveç falsifikimit, Bashkia e Tiranë snuk ka leje ndërtimi për projektin, as leje mjedisore, nuk e ka plotësuar projektin me studimet e duhura dhe nuk ka informuar publikun. “Jemi në një proces të paligjshëm të bashkisë e cila ka ndërhyrë në Park duke shkelur lejet e mjedisit, të ndërtimit e deri në falsifikim të datave para vendimmarrjes së ndërhyrjes,” u shpreh Sazan Guri pas daljes nga takimi me kryeprokurorin Ardiatik Llalla. /Lapsi.al 

Mësohet kush është protestuesja që u dhunua nga policia

TIRANE- Mimoza Boçari mësohet që është gruaja që u dhunua nga efektivi i policisë. Ajo reagoi ndaj tij teksa e pa se po godiste një të ri, dhe i hoqi kapelën, por pas kësaj edhe ajo u godit nga polici. Ajo ishte mes të ndaluarve ditën e sotme nga policia, por u la e lirë disa orë më pas.

Gruaja, rreth 60 vjeç, nënë e tre fëmijëve, është me profesion mjeke dhe ka dale në pension.

Mësohet se 20 vitet e fundit, Mimoza ka punuar si kirurge pediatre në Gjermani, ku emigroi në fillim të viteve 1990-të.

Ajo rrjedh nga një ndër familjet më të shquara në Shqipëri, ish-pronarë të mëdhenj të shpronësuar nga regjimi komunist.

Gruaja që u qëllua është Mimoza Boçari, 60 vjeçare ish­mjeke në duart e së cilës vdiq protestuesi i 21 janarit, Hekuran Deda.

Mimoza Boçari është një nga zërat më të ndjeshëm në vend për të drejtat dhe liritë e njeriut, si dhe ishte e vetmja jo socialiste që mori pjesë në grevën e urisë së PS-së në bulevard në maj 2010.

Dhunë policore kundër protesuesve veprimtarë të mjedisit

Forca të shumta policore arrestuan sot drejtuesit e protestës pro mjedisit në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës.

Veprimtarët e mjedisit po protestonin kundër ndërtimeve të bashkisë në parkun e Liqenit Artificial.

Ata rrëzuan rrethimin e kantierit, ku po nis ndërtimi i bashkisë në mes të parkut.

Veprimtarët e mjedisit po përpiqen të pengojnë një ndërtim të bashkisë në park.

Bashkia thotë se po ndërton një park lojërash për fëmijë, por veprimtarët dyshojnë se aty po ndërtohen lokale dhe restorante.

Midis protestuesve të arrestuar është edhe Eljan Tanini, themelues i organizatës “Mbill Pemën Tënde” dhe veprimtar i “Lëvizjes pro Parkut”.
Gjatë arrestimit të veprimtarëve shpërtheu edhe dhuna e policisë ndaj qytetarëve të pambrojtur.

Shumë të rinj u arrestuan ndërsa një polic u evidentua qartë nga gazetarët për dhunën ndaj një zonje protestuese, duke e goditur fort në fytyrë.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, dënoi dhunën e ushtruar sot nga punonjësi i policisë ndaj një qytetareje gjatë protestave tek Parku i Liqenit Artificial.

Ai deklaroi se dhuna ndaj qytetarëve është e patolerueshme në cdo rast dhe rrrethanë.

Avokati i Popullit kërkon shkarkimin e menjëhershëm të policit, sepse “njerëz me prirje të tilla dhune nuk janë të denjë për të mbajtur veshur uniformen e policise”.

E drejta për të protestuar është e drejtë e njeriut që duhet respektuar maksimalisht nga çdokush, thotë ai.

Ministri i punëve të brendshme, Saimir Tahiri, deklaroi publikisht se dhuna fizike ndaj një gruaje prej policisë është e papranueshme dhe e patolerueshme.

Ai kërkoi pezullimin e menjëhershëm të punonjesit e policise dhe lirimin e tij nga detyra. “Policia qe duam nuk mund te jete ajo që konfliktua sot me qytetaren” – tha zoti Tahiri.

Veprimtarët e kanë kthyer Parkun e Liqenit Artificial në një zonë të protestave të vazhdueshme për ta mbrojtur atë.

Prej disa muajsh ata po protestojnë kundër ndërtimit të disa pallateve shumëkatëshe nën digën e Liqenit Artificial, ja tani edhe mbi digë po protesotjnë kundër betonizimit të hapësirave mes parkut në emër të një këndi lojërash për fëmijët.

Janë po këta protestues, pjestarë të Lëvizjes Mbill Pemën Tënde”, që kanë mbjellë prej afro dy vjetësh në mënyrë vullnetare disa mijëra rrënjë fidanë në parkun e liqenit artificial dhe në fushën e plehrave në Sharrë.

Ata po përpiqen të mbrojnë mjedisin dhe zonat e pakta që kanë mbetur pa u prekur nga ndërtimet shumëkatëshe të firmave ndërtimore, të cilët, pasi u grabitën fëmijëve të Tiranës oborret dhe këndet lojërave brenda lagjeve, tani po u ngrejnë fëmijëve kënd lojërash në mes të parkut të liqenit, i vetmi, që ka mbetur ende pa u prekur.

Fronti anti-Rama në PS, 12 figura të larta kërkojnë ndërprerjen e mandatit të kryetarit

Kriza në Partinë Socialiste ka marrë dje një rrjedhë të pakthyeshme. Elita historike dhe intelektualët e PS kanë kërkuar ndërprerjen e mandatit të Edi Ramës si kryetar dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Tashmë Selia Rozë po ndahet në dy pjesë, në pro dhe kundër Ben Blushit. Teksa vetë Blushi e kishte deklaruar disa herë se shumë përfaqësues të Partisë Socialiste e mbështesin, dje u zbuluan disa nga emrat që ai ka pas vetes, i cilësuar tashmë si grupi anti-Rama. Përveç disa deputetëve aktualë, në mbështetje të Blushit kanë dalë dhe ish-deputetë dhe figura të njohura të së majtës shqiptare, të cilët kanë lëkundur pozitat e Ramës në krye të Partisë Socialiste, pasi nga dita në ditë po shtohet numri i socialistëve kundër tij. Plot 12 figura të rëndësishme të PS i kanë dërguar një letër prej 6 faqesh Alket Hysenit, kryetarit të Komisionit të Garancive Statuore, të cilit i kanë kërkuar interpretimin e 12 neve të Statutit të PS, që sipas këtyre figurave, janë shkelur për muaj dhe vite me radhë, si nga kryetari i saj, por dhe nga persona dhe struktura të tjera. I pari që ka firmosur letrën është ish-Presidenti Rexhep Mejdani, njëherësh dhe një figurë me emër në PS, po ashtu letra është firmosur dhe nga emra si: Tritan Kalo, Suzana Hakrama, Maqo Lakrori, Ndre Legisi, Marko Bello, Petrit Ago, Mark Nikolli, Arta Dade, Mimoza Hafizi, Ben Blushi dhe Namik Kopliku. Bie në sy fakti se përveç deputetëve Mimoza Hafizi dhe Arta Dade, në mbështetje të Blushit ka dalë dhe një deputet tjetër, që është Namik Kopliku. Të 12 emrat e mësipërm kanë qenë të prerë në letrën e tyre, duke kërkuar nga Komisioni i Garancive Statutore që të bëhet një interpretim i paanshëm i neneve të kërkuar, sidomos sa i takon nenit 30, që ka të bëjë me mandatin e kryetarit të Partisë Socialiste.
Kërkesat e figurave të PS
12 përfaqësues të Partisë Socialiste dhe figura të vjetra të saj, përmes letrës drejtuar kreut të Komisionit të Garancive Statutore, kanë kërkuar interpretim për plot 12 nene të Statutit të PS, pasi sipas tyre ata janë shkelur. Sa i takon nenit 30, për kryetarin e PS, ata kanë deklaruar se është shkelur kufizimi kohor, pasi aty përcaktohet që mandati i kryetarit duhet të jetë 4- vjeçar, ndërkohë që kanë thënë se mandati i Ramës ka shkuar në 7 vjet. “Për shkak se, për funksionin e kryetarit të PS, është shkelur parimi i kufizimit kohor të mandatit, sanksionuar në nenin 30 pika 2 të Statutit të PS, duke e çuar mandatin e tij nga 4 në 7 vjet, çka sjell si rrjedhojë humbjen e legjitimitetit në ushtrimin e funksioneve të tij në parti: Kërkojmë zbatimin dhe interpretimin e nenit 30 pikat 1/a, 1/b, 1/d, e pika 2 të Statutit të PS, mbi kufizimin kohor të mandatit te kryetarit të PS si dhe mbi legjitimitetin e ushtrimit të funksioneve të tij në parti, përtej këtij mandati”, janë shprehur ata. Sipas 12 figurave të njohura të së majtës, zgjedhja e kryetarit të PS duhet të bëhet sipas parimit një anëtar një votë dhe Kongresi nuk ka të drejtë të vendosë nëse do ketë zgjedhje apo jo për kryetarin, por përkundrazi të administrojë kandidaturat dhe të caktojë datën e zgjedhjeve sipas parimit një anëtar një votë. Më tej në letër është kërkuar interpretim dhe zbatim të nenit 4, duke u theksuar se që prej datës kur duhej të mbahej Kongresi Zgjedhor i Partisë Socialiste, strukturave qendrore dhe lokale të organizimit të brendshëm të PS iu ka mbaruar mandati, çka sipas tyre, bien në kundërshtim me një sërë nenesh të Statutit të PS. Ata kanë kërkuar interpretim dhe të nenit 32, që ka të bëjë me mandatin e anëtarëve të Komisionit të Garancive Statutore.  Kliti Topalli

Thellohet skandali i çarterave, Arben Ahmetaj nuk mbron dot udhëtimet e tij, ia lë fajin Saliut

Prej gati 5 ditësh nga denoncimi për udhëtimin me 17 çartera brenda 2 vjetësh, Arben Ahmetaj nuk po bën akoma transparente fluturimet korruptive. Kjo tregon se ai është kapur në flagrancë me këtë aferë korruptive të padeklaruar ligjërisht, të dyshimtë dhe të kundraligjshme.
Në këtë situatë Arbeni ka gjetur si komardare shpëtimi disa media, të cilat i sigjerojnë që edhe kësaj rradhe ai t’ja hedhë pa u lagur duke deklaruar se fajin e ka Saliu. I bindur se kjo është mënyra e vetme për ti shpëtuar burgut, Beni ka nxjerrë nga sistemi TIMS disa udhëtime në 8 vjet të Berishës me çarter dhe mundohet të justifikohet se meqenëse ka hypur ish-kryeministri çfarë më ndalon të hypi edhe unë.
 Me këtë metodë Ahmetaj mendon se i bën të gjithë fajtorë dhe ja hedh paq për t’i shpëtuar transparencës para ligjit. Kjo është mënyra më e shëmtuar për t’ju fshehur shqiptarëve të vërtetën duke u strukur poshtë sloganit të pështirosur ” Gjithë Fajin e ka Saliu”.

Dhuroni gjak ! Më 26,27 shkurt Klinika KEIT – dhe SHPËRNDAJENI, MOS PËRTONI, NUK JU KUSHTON ASGJË!

NISMA e Klinikës KEIT & KRYQIT të KUQ “EDHE UNE DUA TE JETOJ”, për DHURIMIN e GJAKUT në NDIHMË të FËMIJËVE që VUAJNË nga TALASEMIA vazhdon…

EJA e DHURO GJAK në 26, 27 SHKURT, pranë Klinikës KEIT, në Tiranë.

Deri tani, në 11 janar, 8 dhe 9 shkurt kanë DHURUAR GJAK 212 MIKESHA e MIQ, HERONJ!

Datat e ardhshme janë 26, 27 SHKURT, DHURIMI do të KRYHET në ambientet e Klinikës KEIT, pranë pallatit të Sportit “ASLLAN RUSI”, TIRANË.
MIRESE TE VINI, SILLNI MIQTË E MIKESHAT TUAJA…
NA SHKRUANI në INBOX që t’ju ORGANIZOJMË, është SHUMË e RËNDËSISHME.

2016-02-21_08-29-59

2016-02-21_08-29-19

Shtatorja u rrëzua por ideologjia komuniste vazhdon ta robërojë popullin tonë Nga Beniamin Bakalli

Me rastin e 25 vjetorit te rrëzimit të shtatores te diktatorit me të egër në ish bllokun komunist, PLL dega Tiranë së bashku me FR PLL organizoi një aktivitet të veçantë.

Ne nuk zgjodhëm hotel  Tiranën, as muzeun apo sallat e ngrohta të konferencave, por erdhëm në Malsine e Madhe, Plave Guci Tamare Kelmend si simboli  i qendreses të parë kombëtare antikomuniste, të udhëhequr nga Kreshniku Prenk Cali .

Shtatorja u rrezua por ideologjia komuniste me bijtë e saj vazhdon te robërojë popullin tonë.

Indoktrinimi i kombit tonë nga ideologjia komuniste është në shkallen maksimale.

Kjo e kthen në detyrim kombetar e patriotik angazhimin tonë aq sa të veshtirë por edhe shumë të rendesishme.

Popull, ka ardh koha të ndergjegjësohemi dhe të na bashkoheni në nismen tonë fisnike

Sepse vetëm të gjithë bashke mund ta bejmë !

Më 25 mars 1945, rreth orës 5 të mëngjesit, burri i Kelmendit Prenkë Cali, i lidhur bërryl në bërryl me brezat e belit të Malësisë, dhe me duart mbrapa të mbërthyer ndër vargoj në drunj, u ndodh para brigadës së pushkatimit në Zall të Kirit. Ai nuk u tremb nga vdekja e nuk pranoi që të kthehej me shpinë nga pushka, por me zë të fortë briti. Ai u dha zemër djemve të rinj, që po jepnin jetën për te e për Liri. Me gjoks përpara, ky vigan i pamposhtur, u tregoi komunistëve se si vdes shqiptari.

Ndoshta kjo nuk do të dihej kurrë, por për fat aty është ndodhur prifti Don Tomë Laca, i cili, u ka bërë shartet (sakramentet) e fundit mbas pushkatimit.

Mbas këtij akti nga komunistët (që kryenin masakrime me pushkatime), nuk u dhanë më asnjë kufomë e të vrarëve dhe as nuk lejuan më që të shkoj prifti aty, për t’i bërë shartet e fundit….

Atë ditë dhimbjeje, shumë qytetarë shkodranë i kishin mbështetur mbas murit të vorreze, ku, binin në sy trimat malësorë me çakçirë. Prenkë Cali, ishte i copëtuar në fytyrë nga breshërija e mitralozave. Ai ishte me kësulë në njërin sy dhe me cigare në gojë.

Edhe pse të vdekur, komunistët gjakatarë, nuk ngopeshin me veprën e tyre të poshtër e trathtare.

Po atë ditë, më 25 mars të vitit 1945, hafijet kasnecë komunistë, në muret e qytetit të Shkodrës ngjitën afishe të mëdha, të cilat, kishin titullin: “Pushkatohen kriminelat e Luftës dhe Armiqtë e Popullit”, ku, më mbas vijojnë emrat:

1. Prenk Cali
2. Dom Ndre Zadeja
3. Luigj Gjeto Kastrati
4. Ndok Nik Bardhoku
5. Ndrek Loka
6. Arif Selim Hyseni
7. Ded Lulash Smajli
8. Gjok Nikaj
9. Dul Bajrami
10. Mark Luc Gjoni
11. Tom Lek Daka
12. Maliq Bajrami
13. Gjok Nikoll Voci
14. Pjetër Ded Gjedashi.

S’ia luen kush kufijt Preke Calit !

Bash ku rrine shqipet e malit
Ka pas ken kulla e Preke Calit
Ka pas ken nji kulle e bardhe
S’thone kot malet dere e pare
Dere kreshniksh ku knohet lahuta
Hije i ka pas sofra dhe pushka

Mhyri i gishtit o prej trimnive
I pat shtat vulat e kralnive
Kur Kongresi o i Berlinit
Ne na i dau o foshnjet prej gjinit
Trupin tone o e ndau me mur
Qysh se na ndau o shqipen flamur
Njaj Preke Cali u del perballe
Nuk t’i lshoj keto bjeshke per te gjalle
Ky Kelmend kreu i Malesise
Kurr nuk ndahet prej Shqipnise
Za po i lshueka o mali malit
Çilja i here shtegun Preke Calit
Paskan ardhe krajlat e vjeter
Duen me vu nji kufi tjeter
Shtyjne ,me pllam shtyjne me percike
Duen me e çeu ne Veleçike
Krahun shqipes o mos m’ja ngré
Flak do te marrin te tane ky dhé
Gjeth e bar per jete le te thahet
Gjalle pa dek Shqipnia s’ndahet!
Ka nxane ven mali me pyje
Ka nxane ven qielli me yje
N’bjeshkt e nalta kane zane ven gurrat
Po nigiojne se ç’po thone burrat
Za po i lshueka o mali malit
O s’ia luen kush o kufijt Preke Calit!

Artan Fuga: Kërkohet revolucion demokratik, jo rrotacion politik

Artan Fuga dje në konferencën e PD-së

Akademiku Artan Fuga ka folur për nevojën e një revolucioni demokratik, në një kohë kur qytetari duhet të rilindë.Sipas drejtuesit të departamentit të Komunikimit në Universitetin e Tiranës, nuk është nevoja vetëm për një rrotacion politik dhe ndryshim të drejtuesve politikë, por vendosja e qytetarit në qendër të sistemit.

“Ky realitet për mua shtron nevojën e një revolucioni tipik demokratik. Nuk është çështja për një rrotacion politik, është një vendosje e qytetarit në qendër të programeve politike, në qendër të aksionit politik, në qendër të sistemit politik, në qendër të respektueshmërisë politike. Kjo nuk bëhet me prononcimet terminologjike, ku shteti i së drejtës po na zëvendësohet me termin e pluralizmit partiak, ku asnjanësia e institucioneve shtetërore po konsiderohet si politike, si bipartizanike, ku kryetari i pushtetit lokal konsiderohet si menaxher i qytetit, menaxher”, u shpreh Fuga.

Sipas akademikut, ka ndodhur një proces shumë i përshpejtuar centralizimi burokratik me reformë territoriale, të cilën e shkëputi më shumë pushtetin lokal nga vendimmarrja qytetare.

“Mjafton të shikojmë këshilltarët e bashkisë, statistikisht, se si i kemi tejkaluar. Me kalimin e kohës, ne e humbëm qytetarin si keqbërës, vjedhës të energjisë elektrike, të mos paguash taksa dhe ndërtimesh pa leje. Ndërkohë, politikat e korruptuara koncesionare kthyen në fuqi një model të tërthortë që nuk e njeh demokracinë ekonomike, s’ka lidhje fare. Sepse ekonomia jonë nuk e njeh këtë “marr-japin” popullor, nuk e njeh bursën e aksioneve, nuk i njeh kompanitë me kapital kolektiv, nuk e njeh ekonominë koolaborative. Ne jemi jashtë modernitetit si popull dhe këto nuk janë utopi, por realitete të cilat bota i njeh”, tha Fuga.

Studiuesi i komunikimit nuk la pa kritikuar edhe gjuhën e përdorur nga aktorët politikë, në një kohë që qytetarëve nuk u është dhënë akoma mundësia të marrin pjesë në ndonjë referendum lokal.

“Kuvendi ka një përplasje verbale grupesh, militantësh-partizanë, ligjja ka humbur verbin diplomatik. Populli është në ditë të hallit. Ende nuk kemi akoma një referendum lokal, apo në një rast të dytë s’kemi asnjë referendum kombëtar. Konkurset e hapura për një garë të barabartë midis qytetarëve janë një farsë komike. Pra, qytetari është zhvlerësuar në njëfarë mënyre”, theksoi akademiku.

Halili: “Shqipëria e nisi demokracinë pa disidentë, studentët mërguan”.

Studiuesi Llukman Halili sapo ka botuar në Tiranë në gjuhën shqipe studimin e doktorimit të tij “Lëvizja Studentore shqiptare 1990-91”.

Zoti Halili thotë se lëvizja e studentëve të Shqipërisë ishte një lëvizje anti-komuniste, që ia arriti qëllimet e saj.

Autori thotë gjatë një interviste me kolegun tonë në Tiranë, Ilirian Agolli, se mungesa e disidencës politike gjatë diktaturës ndikoi mjaft në rrjedhën e mëpasme të pluralizmit politik shqiptar.

Zëri i Amerikës: Dr. Halili! Cili është qëllimi kryesor dhe përfundimi kryesor i sudimit tuaj “Lëvizja Studentore Shqiptare 1990-1991”?

Llukman Halili: Ky studim rrjedh nga teza e doktoratës të mbrojtur në Universitetin e Zarës, që titullohej “Lëvizja Studentore dhe Tranzicioni shqiptar 1990-1991”. Qëllimi ishte që të dëshmohet përmes faktografisë ekzistuese, dokumenteve dhe literaturës së ndryshme të përdorur nga gjermanishtja, që të dëshmohej autenticiteti i Lëvizjes Studentore, origjinaliteti i saj. Ishte lëvizja e parë studentore, që arriti finalen e saj me përmbysjen e regjimit komunist. Lëvizja Studentore ia arriti qëllimit të vet: përmbysjen e diktaturës. Ky ishte qëllimi i këtij studimi; dëshmia e aktivitetit të Lëvizjes Studentore, që nuk zgjati, siç thuhet, 3-4 ditë, por zgjati deri në fund të marsit 1991, përfundoi me grevën e urisë, rënimin e përmendores së diktatorit dhe pastaj Lëvizja Studentore përfundon me largimin e mijëra studentëve në eksodin e marsit 1991.

Zëri i Amerikës: Ju këto ngjarje i keni ndjekur nga afër edhe si reporter në terren dhe tani po i studioni nga në distancë kohore e caktuar. Si e vlerësoni faktin që, ndryshe nga shumë lëvizje të tjera studentore, Lëvizja Studentore e Shqipërisë ishte një lëvizje anti-komuniste në radhë të parë dhe pa ambicje partiake në radhë të dytë?

Llukman Halili: Këto ngjarje i kam përcjellë si dëshmitar okular. Kam qenë atëherë korrespondent i agjencisë kroate të lajmeve HINA për Ballkanin me seli në Sofje të Bullgarisë. Lëvizja Studentore shqiptare ishte e vetmja lëvizje disidente anti-komuniste. Në fakt, në vitin 1970 ishte një lëvizje e tillë po ashtu shqiptare, që veproi në kuadëd të Klubit shqiptar të studentëve të Zagrebit “Shkëndija”, dhe që ishte gjithashtu me karakter anti-komunist. Kjo e Tiranës ishte e dyta pas asaj të Zagrebit, por që numerikisht ishte pak më e vogël. Përgjithësisht mund të thuhet se Lëvizja Studentore e Shqipërisë mund të mbajë epitetin si lëvizja e parë anti-komuniste që realizoi qëllimin e vet të madhërishëm si lëvizje për shtetin komb.

Zëri i Amerikës: Ato ditë të shkurtit 1991 studentët e hoqën emrin e diktatorit Enver Hoxha nga Universiteti i Tiranës. Qytetarët e hoqën monumentin e tij nga sheshi Skënderbej. Megjithatë edhe sot pas 25 vjetësh hija dhe miti i tij nuk është rrëzuar në mendjet e shumë shqiptarëve. Pse nuk ndodhi kjo pas këtij tranzicioni të gjatë?

Llukman Halili: Në të gjitha vendet e Europës juglindore tranzicioni po vazhdon dhe nuk ka përfunduar dhe nuk do të përfundojë në asnjë prej këtyre shteteve në Ballkan. Thjesht është çështja e mentalitetit ballkanik, prandaj tranzicioni do të jetë shumë i gjatë. Studentët e dhjetorit në vitin 1991 e demitizuan Enver Hoxhën, por miti i tij vazhdon të jetë në Shqipëri dhe në Kosovë. Duket se do të zgjatë shumë shkëputja përfundimtare nga ai mit.

Zëri i Amerikës: Pasi e keni studiuar në detaje Lëvizjen Studentore, si mendoni, çfarë duhet të bëjë më shumë a më mirë Shqipëria për dekomunistizimin e shoqërisë?

Llukman Halili: Duhen sa më shumë reforma dhe sa më shumë vetëdijësim politik.

Zëri i Amerikës: Gjatë këtyre viteve të tranzicionit Shqipëria vuajti edhe nga mungesa e politikanëve profesionistë me përvojë. Sfidat dhe sprovat e demokracisë nuk kanë qenë të lehta…

Llukman Halili: Shqipëria nuk kishte disidencë politike, si për shembull, në Poloni ku Komiteti për Mbrojtjen e Punëtorëve (KOR) udhëhiqej nga disidentë si Jaçev Kuronjiv, Ana Valentinoviçsen dhe ata hodhën si figurë pastaj në krye të Solidarnostit Leh Valesën dhe bënë përmbysjen 7-8 vjet më vonë. Në Shqipëri tmerri i diktaturës kishte groposur çfarëdo tendence disidente. Klasa e re politike, që erdhi, ishte produkt i diktaturës praktikisht, prandaj ajo klasë politike, si produkt i diktaturës, vazhdon edhe sot e qeveris Shqipërinë dhe mendjen e shqiptarëve.

Bejtja sulmon ashpër Fevziun: Gazetar injorant

Voal – Gazetari Andi Bejtja ka sulmuar kolegun e tij Blendi Fevziun për temën e trajtuar në emisionin e djeshëm në “Opinion”.

Duke e quajtur gazetar injorant, Bejtja shprehet se emisioni i djeshëm kërkonte të shpëtonte fytyrën e njollosur të kryeministrit Edi Rama.

“…Dhe të tillë dhe po kaq injorantë janë dhe ato gazetarë që me emisionet e tyre i bëjnë hyzmet tezës së dembelizmit të shqiptarëve e arrijnë deri aty, sa për të shpëtuar fytyrën e njollosur të Kryeministrit, të nxjerrin sondazhe të tilla sikur shqiptarët në shumicë masive mendojnë për vetën që janë dembelë”, ka thënë Bejtja.

Dje në emisionin “Opinion” u diskutua për arsyet e papunësisë në Shqipëri dhe tezën e kryeministrit Rama se vende pune ka, por shqiptarët janë dembelë për të punuar.

A do ta thërrasin deputetët e Dibrës Edi Ramën në interpelancë?

Ky mesazh u është dërguar 6 deputetëve të Dibrës:

 

https://www.change.org/p/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit/u/15488498

 

*****

16 shkurt 2016

 

Të nderuar Deputetë të Dibrës:

 

  1. Shkëlqim Cani
  2. Bedri Hoxha
  3. Roland Keta
  4. Ulsi Manja
  5. Sherefedin Shehu
  6. Përparim Spahiu

 

Siç e dini, në Tryezën e Rrumbullakët për Rrugën e Arbrit që organizuam në Tiranë në vitin 2014, Ju të gjithë, pa përjashtim, ratë dakord me propozimin e z. Ulsi Manja se, po qe se edhe pasi të sigurohen fondet për këtë projekt do të ketë zvarritje në fillimin e punimeve, Ju së bashku do ta thërrisni z. Edi Rama në interpelancë: https://www.youtube.com/watch?v=K_Xzt7Ch1-w

 

Kanë kaluar dy vjet që nga ajo kohë dhe fondet nuk janë siguruar. Për pasojë, kjo vepër nuk do të ndërtohet brenda këtij mandati, siç u premtua me bujë nga Qeveria.

 

Në këto rrethana, ne mendojmë, që kjo e bën edhe më të justifikueshme që Ju të përmbushni premtimin për të thirrur në interpelancë Kryeministrin, duke dëshmuar se pavarësisht përkatësisë politike, Ju para së gjithash jeni përfaqësues të denjë të Dibrës.

 

Sot mësuam se kolegu juaj, z. Shkëlqim Cani, është shkarkuar nga detyra e Ministrit të Financave. Megjithëse si nënshkrues i peticionit, z. Cani refuzoi kërkesën tonë për të ndërmjetësuar një takim me z. Rama për të filluar dialogun tonë konstruktiv me Qeverinë për Rrugën e Arbrit, ne mendojmë se largimi i tij nga posti i ministrit përbën lajm jo të mirë për Dibrën. Megjithatë, tani që z. Cani po kthehet në detyrën për të cilën e kanë votuar dibranët, ai ka përsëri mundësi të dëshmoj devotshmërinë ndaj elektoratit të tij.

 

Me respekt,

Gëzim Alpion

 

(në emër të Grupit të Lobimit)

Rama shkarkon ministrin e Financave Cani

Në vend të tij emërohet ministri i Ekonomisë dhe Turizmit Arben Ahmetaj. Ky i fundit zëvendësohet nga Milva Konomi

Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama shkarkoi sot ministrin e Financave Shkëlqim Cani. Vendimi është njoftuar nga zyra e shtypit e kryeministrit, duke shpjeguar se ai I ka shprehur “falënderimet e tij për angazhimin, profesionalizmin dhe integritetin e plotë në kryerjen e njërës prej detyrave më të vështira qeverisëse të këtij mandate” duke I kërkuar më tej “vazhdimin e angazhimit të tij, me të njëjtin profesionalizëm e përkushtim, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe anëtar i Komisionit të Ekonomisë e Financave”.

Në vend të ministrit Cani kryeministri ka njoftuar se ka emëruar ministrin aktual të Ekonomisë Arben Ahmetaj, postin e të cilit do ta marrë zëvendësministrja aktuale e Shëndetësisë Milva Konomi.

Shkarkimi i ministrit Cani vjen pas një viti problematik në mbledhjen e të ardhurave, ku u krijua një gropë prej mbi 200 milion euro. Në mesin e vitit të shkuar qeveria rishikoi në ulje planin e të ardhurave, duke e motivuar këtë lëvizje me ndikimet e konjukturave në tregjet botërore. Por edhe gjysma e dytë e vitit, pavarësisht pritjeve të reduktuara, rezultoi në rënie po të thellë të të ardhurave.

Rama – Blushit: Kohën për lodra ia rezervoj Zahos

TIRANE – Kryeministri Edi Rama gjatë emisionit “Dritare” të Rudina Xhungës komentoi edhe qendrimet e deputetit socialist Ben Blushi. Kryeministri e cilëson farsë gjykimin e PS-së nga persona që e shajnë së jashtmi dhe më pas thonë se iu dhimbset.

“Nuk merrem me Blushin se i kam duart të zëna me punë. Nëse kam apo jo kohë të merrem me PS-në, këtë e gjykon PS-ja, jo një person nga jashtë dhe ata që shajnë PS nga pozicione të ndryshme. Dhe që gjoja iu dhimbset PS-ja. Kjo është një farsë”, tha Rama.

Sa i përket zgjedhjeve në Kongresin e 19 marsit, Rama nga ana tjetër pranoi se në statut nuk parashikohet në mënyrë eksplicite çfarë ndodhë kur kryetari i partisë zgjidhet Kryeministër, por
parashikohet vetëm dorëheqje në rast se humb zgjedhjet. Ai shtoi se nuk i shmanget asnjë sfidanti, por se kohën për lodra ia ka lënë të birit, Zaho.

“Është non sens të bësh zgjedhje për kryeministrin brenda partisë, ka lidhje me respektin për qytetarët dhe votën e tyre. Votën e qytetarëve e kam garantuar unë dhe s’mund t’ju themi kishim një program, ju e votuat dhe t’ju themi tani do e rishikojmë ne programin. Unë e kam pikëpamjen time. Nuk kam asnjë arsye vetjake personale t’i shmangem çfarëdolloj sfide dhe sfidanti, por kam respekt ndaj njerëzve që na kanë votuar. Detyra që kam mbi shpatulla nuk më lejon të luaj. Atë kohën që kam për lodra ja kam rezervuar Zahos, nuk mund ta kthej në një lodër këtë përgjegjësi të madhe që kemi”.

E pabesueshme – Vlera e orës së Ramës, 3650 fish më e shtrenjtë se e Kerryt (foto)

“Nëse ora që mbani në dorë është më e shtrenjtë se automjeti im, atëherë ju jeni i korruptuar”.

Është ky padiskutim një nga postulatet e ambasadorit Donald Lu që ai ka lënë në shfaqjet e tij publike dhe kur thoshte këtë, ai i referohej gjykatësve, shkruan syri.net.

Por ndërsa këta të fundit dëgjonin fjalët e ambasadorit në një takim të zhvilluar disa muaj më parë, dhe vjedhurazi i fshehën orët e tyre në xhepat e brendshëm të kostumeve firmato mijëra euroshe që mbanin veshur, kryeministri Edi Rama nuk e ka aspak këtë kompleks në këtë drejtim.

ora2

Dhe kishte plot arsye ta bënte këtë, sidomos gjatë takimit me Sekretarin e Shteti John Kerry ndërsa ky vizitoi dje Tiranën e ku i pranishëm ishte edhe Donald Lu, i cili mesa duket nga orët e shtrenjta di shumë.

Në shfaqjen publike të Ramës dhe Kerryt ra në sy edhe një detaj tjetër. Orët përkatëse që mbanin në dorë. A e dini se ora e Kryeministrit Edi Rama është e llojit Patek Philippe dhe me ulje 5% ajo shitet sot 146.995.00 dollarë?

Dhe a e dini sesa kushton ora e vetme me të cilën shfaqjet në çdo takim ndërkombëtar John Kerry? Kushton vetëm 40 dollarë dhe është e markës Freestyle Tide. Një orë tipike për surfistët e pasionuar dhe i tillë është edhe Sekretari Amerikan i Shtetit.

ora3

E pra në këtë pikë, insistimi i Kerry që politika shqiptarë të bie sa më parë dakord për të ngritur Byronë e Hetimit për të luftuar korrupsionin merr vlerën maksimale vetëm duke iu referuar këtij fakti, por në të njëjtën kohë ajo zhbëhet në moment kur mendon se drafti parashikon që Byroja të jetë nën varësinë e ministrit të brendshëm të Edi Ramës. E mendoni pak?!…

Kreu i PD Basha vizitë në SHBA në muajin Mars

Ende pa u shuar mirë vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry në Tiranë, bëhet i ditur një lajm tjetër me kryefjalë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha do të zhvillojë një vizitë në SHBA, në mes të muajit mars. Burime bëjnë të ditur për BalkanWeb se Basha do të ketë takime te rëndësishme. Vizita përkon dhe me 25 vjetorin e vendosjes së marëdhënieve diplomatike.

Dje zoti Basha pati një takim zyrtar me sekretarin e shtetit Kerry. Kryetari i Partisë e dDmokratike e konsideroi këtë takim si vlerësim dhe besim tek Partia Demokratike dhe angazhimi ynë për demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Gjykata e Lartë: Ballist Morina u arrestua në mënyrë të paligjshme

Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin që liroi më 28 dhjetor 2015 Ismail Morinën nga burgu duke e lënë në arrest shtëpie.

Vendimi për ndryshimin e masës së sigurisë për Ismail Morinën të njohur si ‘Ballisti’ u bazua në faktin se Ministria e Brendshme nuk i siguroi urdhër mbrojtje, jehona e ndeshjes në Serbi për dronin, nuk paraqet rrezikshmëri të lartë, masa ekstreme nuk mund të bazohet vetëm në ashpërsinë e dënimit dhe shfuqizimin që Kushtetuesja i bëri vendimit të qeverisë për që rriste marzhin e dënimit për rastet e armëmbajtjes pa leje.

  1. Gjykatat e faktit në caktimin e masës shtrënguese “Arrest në burg”, si një masë izoluese nuk ka bërë një analizë të shkaqeve se përse çdo lloj mase tjetër është e papërshtatshme, pasi caktimi i kësaj mase sigurimi, nuk mund të bazohet vetëm në ashpërsinë e dënimit të mundshëm që personi rrezikon.
  2. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese më datë 10.12.2015 për shfuqizimin e vendimit të qeverisë që rriste marzhin e dënimit për rastet e armëmbajtjes pa leje, ku parashikohej se çdo person që arrestohet për armëmbajtje pa leje rrezikonte një dënim nga 7 deri 15 vjet burg.
  3. Masa arrest me burg nuk i përgjigjet rrezikshmërisë së personit nën hetim, i cili është i pa dënuar, pa precedentë të mëparshëm.
  4. Duke ju referuar edhe ngjarjes se ndodhur ne ndeshjen Shqipëri–Serbi dhe jehonës qe ajo pati ne te dy shtetet, personi nen hetim Ismail Morina i është drejtuar me pare Ministrisë se Brendshme, për te siguruar mbrojtje prej saj, por ne asnjë rast nuk rezulton qe një mbrojtje e tillë i është ofruar këtij personi. Ismail Morina u arrestua një ditë përpara ndeshjes me Serbinë që Shqipëria do të zhvillonte në Elbasan, pasi iu gjetën në makinë dy pistoleta pa leje dhe disa bileta. ‘Ballisti’ qëndroi në burg deri në fund të dhjetorit, pasi Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apelit u shprehën kundër lirimit.

‘Crown Agents’ – ja si bëhet kontrabanda e naftës nga importi dhe prodhimi vendas

Kompania e britanike e asistencës në dogana, Crown Agents në mbyllje të kontratës së bashkëpunimit me Shqipërinë ka bërë publike disa fakte mbi mënyrën se si bëhet kontrabanda e mallrave të akcizës në Shqipëri, sidomos naftës.

Kontrabanda me naftën e importit

Ekspertët e Crown Agents vitin që shkoi kryen një kontroll mbi veprimtarinë e flotës së anijeve shqiptare të peshkimit nga ku rezultoi se këto anije përdoreshin për importimin e sasive të mëdha të karburantit ‘duty free’ të ardhur nga portet e Italisë, Malit të Zi dhe Greqisë.

Të dhënat e marra nga Porti i Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe Sarandës treguan që në periudhën 1 janar – 12 mars 2015, kishin hyrë rreth 2 milionë litra karburant ‘duty free’, ku çmimi i blerjes së karburantit ishte shumë herë më i ulët se sa ai i marrë prej burimeve të ligjshme shqiptare.

Indikatorë të qartë risku sugjeronin se këto importe karburantesh bëheshin për të shmangur
taksat duke e shitur karburantin në mënyrë të paligjshme brenda vendit. Provat e mbledhura iu raportuan Doganës së bashku me rekomandimet për të forcuar kontrollin e importit të karburantit.

Në muajin korrik u prezantua një udhëzim i ri i cili i detyronte pronarët e këtyre anijeve të peshkimit të regjistroheshin si taksapagues, të depozitonin një deklaratë doganore dhe të paguanin TVSH-në për çdo lloj karburanti të huaj ‘duty free’.

Gjithashtu rregullat e reja kërkojnë që karburanti i importuar për anijet e peshkimit të jetë i shënjuar e i ngjyrosur për të lehtësuar identifikimin e statusit ‘duty free’ të këtij karburanti. Si përfundim, pati një rënie drastike të fenomenit të furnizimit të anijeve shqiptare të peshkimit me karburant nga vende të tjera, për ta shitur më pas në Shqipëri.
Kontrabanda me naftën e vendit

Crown Agents në një sqarim zyrtar shpjegon se, prodhimi vendas i naftës është një sektor jetik për sa i përket të ardhurave që mblidhen për buxhetin e shtetit.
Për këtë qëllim Crown solli ekspertë afat-shkurtër shtesë për të kryer një rishikim të kontrollit doganor në kompanitë kryesore prodhuese.
Raporti i ekspertit përfshiu ndër të tjera disa rekomandime që synojnë uljen e riskut të rrjedhjes së të ardhurave dhe përmirësimin e sistemeve audituese dhe kontrolluese.
Një prej rekomandimeve të implementuara nga Dogana ishte një program i përbashkët kontrolli për karburantet. Kjo përfshinte kontrolle në rrugë, pra ndalimin e autoboteve dhe kontrollin e karburantit në to dhe gjithashtu kontrollin e depozitave të paregjistruara të karburantit.

Nën drejtimin e grupeve operacionale të Crown Agents u kryen një sërë kontrollesh në periudhën mes muajit korrik-dhjetor 2015. Këto kontrolle u kryen në bashkëpunim me personelin e akcizës në administratë dhe me kompaninë përgjegjëse për markimin e karburanteve.

Crown bën me dije se, ky bashkëpunim rezultoi në zbulimin e më tepër se 120 rasteve të karburantit të tregtuar jo në përputhje me ligjin, në një total prej më tepër se 48,000 litra.

Monitor

Zyrtari i DASH: Shqipëria do të presë edhe 2 mijë muxhahedinë

Shqipëria do të presë 2 mijë muxhahedinë të tjerë, ndërkohë që priti 1 mijë muxhahedinë para një viti.

Edhe pse kjo gjë nuk u deklaruar gjatë takimeve të djeshme të sekretarit amerikan John Kerry, në Tiranë, lajmin e ka dhënë një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit pas përfundimit të vizitës në Tiranë të Kerryt.

“Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry ka qenë në Shqipëri për të falenderuar qeverinë shqiptare për muxhahedinët”, raporton VOA duke cituar një zyrtar të lartë të DASH.

“Zyrtari i DASH tha se Kerry nuk foli publikisht për zhvendosjen e muxhahedinëve, pasi mbetet një çështje e ndjeshme”, shkruan VOA.

Sipas të njëjtin burim, pra zyrtarit të DASH, SHBA e ka ndihmuar edhe financiarisht Shqipërinë. Bëhet fjalë për një donacion prej 20 milionë dollarë që do të jepen përmes agjencisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

SHBA i ka dhënë Shqipërisë siguri dhe ndihmë për zhvillim ekonomik, për të ndihmuar vendin të ndërtojë kapacitetin e saj fizike për të strehuar refugjatët.

Përfundoi takimi me Lulzim Bashën – Sekretari Kerry drejt Muzeut Kombëtar

Voal – Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka zhvilluar takimin me kreun e PD-së Lulzim Basha dhe deputetët që e shoqëronin atë.

Takimi mes Kerryt dhe Bashës dhe deputetëve u zhvillua për 30 minuta në ambientet e hotel Rognerit. Gjatë takimi është diskutuar për gjendjen politike në vend, për reformën në drejtësi dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.

Pas Bashës, Sekretari Amerikan i Shtetit zoti John Kerry shkoi në Muzeun Kombëtar ku do zhvillohet një bashkëbisedim me shoqërinë civile për tema të ndryshme.

 

Zbardhet takimi i Presidentit Nishani me Sekretarin Kerry

Voal – Syri.net raporton se Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i uroi mirëseardhjen në Shqipëri Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, duke shprehur mirënjohjen e thellë të shqiptarëve për të gjithë mbështetjen e pakursyer, veçanërisht për integrimin e vendit në strukturat Euroatlantike.

Presidenti Nishani u shpreh se kjo vizitë është dëshmi e qartë dhe domethënëse se miqtë dhe partnerët tanë më të mirë janë pranë nesh në këto momente që rreziqet dhe kërcënimet janë afruar me Shqipërinë dhe rajonin.

Kreu i Shtetit shqiptar e siguroi Sekretarin Kerry për vendosmërinë e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Presidenti Nishani përcolli gjithashtu përshëndetje të ngrohta e të përzemërta për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.

Sekretari John Kerry viziton sot Tiranën, ja si do të funksionojë qarkullimi i makinave

Voal – Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry zhvillon sot vizitë zyrtare në Shqipëri dhe do të mbërrijë në aeroportin ‘Nënë Tereza’ në orën 09:00. Do të jetë Presidenti Bujar Nishani që do ta presë në aeroport dhe do të zhvillojnë një takim në sallën VIP.

Prej këtej, Kerry do t’i drejtohet Kryeministrisë ku do të takohet me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati e më pas me kreun e Qeverisë, Edi Rama. Pas këtij takimi, Sekretari Amerikan do të zhvillojë një takim me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe me 4 deputetë të tjerë të selisë blu.

Për vizitën e Sekretarit Kerry janë ndërmarrë masa të larta sigurie, ku në terren kanë zbarkuar 1500 efektivë. Vizita e tij do të jetë nën monitorimin e agjentëve të CIA-s, Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ të Shtetit, gardës etj. Siç ndodh në të gjitha vizitat e tjera të rëndësishme, rrugët kryesore të kryeqytetit do të jenë të bllokuara nga ora 07:00-15:00. Më poshtë, rrugët ku do të ndalohet qarkullimi:

  • Aksi rrugor nga Aeroporti Rinasit “Nënë Tereza” – mbikalimi i Kasharit
  • Aksi rrugor nga Superstrada Vorë – Tiranë, nga mbikalimi i Kasharit – mbikalimi i Kamzës, në të dyja krahët e autostradës, si dhe rrugët dytësore paralel me to.
  • Aksi rrugor nga mbikalimi Kamëz – Sheshi “Shqiponja” – Rruga “Dritan Hoxha” – Rruga e “Durrësit” .
  • Aksi rrugor Sheshi “Skëndërbej” – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”- Sheshi “Nënë Tereza” , si dhe rrugët lidhëse me to.
  • Aksi rrugor nga Rruga “Teodor Keko” – Fabrika e Bukës – Bulevardi “Bajram Curri”, nga ura Teknologjike – Ura e Kualidimit – Ura e Drejtorisë Tiranë – Ura e Dajtit deri te ura e Rrugës së Elbasanit.
  • Aksi rrugor Bulevardi Zogu i Parë nga Ministria e Drejtësis deri tek Sheshi Skënderbej. Gjithashtu njoftohen të gjithë drejtuesit e mjeteve që do devijohet aksi rrugor i kamzës deri tek shinat e trenit.

Gjithashtu nuk do te lejohen parkimet e mjeteve duke filluar nga Sheshi Shqiponja deri te rruga Elbasanit si dhe nuk do te lejohet parkimi prapa Muzeut (Çaplini ose ish estrada).

Subjektet e linjave të shërbimit publik që operojnë në linjat brenda qytetit të Tiranës dhe linjave të transportit udhëtarëve ndërqytetëse, kryesisht ato që përdorin rrugët në pjesën veriperëndimore të qytetit të Tiranës, nuk do të lejohet qarkullimi i këtyre mjeteve në këto pjesë të rrugës.

Pakti Shqipëri-Amerikë, 22 muxhahedinë të tjerë nga Irani mbërrijnë në Shqipëri

Vizita e sekretarit Xhon Kerri lidhet me një kërkesë ndaj shtetit shqiptar për të mikpritur deri në 1 mijë anëtarë të opozitës iraniane

Vetëm pak ditë para vizitës në Shqipëri të Sekretarit amerikan të Shtetit, Xhon Kerri, mediat iraniane raportojnë se një grup prej 22 muxhahedinësh, të cilët jetonin në “Kampin e Lirisë” në Irak, u zhvendosën në Shqipëri. Ardhja e tyre është pjesë e marrëveshjes Shqipëri-SHBA për strehimin e pjesëtarëve të opozitës iraniane të cilët ndihen të rrezikuar në vendlindjen e tyre. Sipas portalit “Iran-interlink”, deri tani në Shqipëri kanë ardhur rreth 400 anëtarë të organizatës “Muxhahedinët e popullit iranian”. Për herë të parë, muxhahedinët erdhën në Shqipëri në vitin 2013, pas premtimit që kryeministri Berisha i bëri sekretares së Shtetit, Hilari Klinton. burime për “GSH” thanë se edhe vizita e sekretarit Xhon Kerri lidhet me një kërkesë ndaj shtetit shqiptar për të mikpritur deri në 1 mijë anëtarë të opozitës iraniane.

MUXHAHEDINET IRANIANE
Kjo organizatë konsiderohet si opozita politike e ishregjimit të Ahmadinexhadit në Iran. Tre anëtare femra që synojnë të largohen nga “Kampi i Lirisë” për në Shqipëri nën identitete të rreme, rezultojnë se janë më të kërkuarat nga shteti iranian. Konkretisht ato janë, Fatemeh Vatankhah Rahmani nën pseudonimin Sima Vatankhah, e cila është përgjegjëse për ruajtjen e ekipit “Masosud Rajavi”; Zhaleh Mahram Nia (anëtare e zyrës “Rajavi”) dhe Roqaieh Abbasi, që kanë vendosur si pseudonim ‘Raana’. “Kështu, me sa duket, udhëheqësit e MKO kërkojnë që të përgatisin kampin e tyre të ri në Tiranë.

Më parë, disa anëtarë të tjerë të rangut më të lartë, si Javad Khorasan dhe Mohammad Shaabani, janë zhvendosur në Shqipëri”, raporton më tej gazeta iraniane. Ndërkaq, kujtojmë se muxhahedinët e popullit iranian, për herë të parë kanë mbërritur në Shqipëri në vitin 2013, në kohën kur vendi ynë qeverisej nga ishkryeministri Sali Berisha. Muxhahedinëve iranianë të strehuar në “Kampin Liria” në Irak, u rrezikohej jeta nga ekstremizmi i klerikut shiit i qeverisë së Al-Maliki. Amerikanët kishin një borxh nderi ndaj këtyre muxhahedinëve, armiq të betuar të Ajatollahëve iranianë, dhe ua shpërblyen duke u gjetur strehim të sigurt në Shqipëri.

PROCESI I ZHVENDOSJES
Sipas medias së huaj, procesi i zhvendosjes së personave të “Kampit të Lirisë” duhet të ishte bërë 40 ditë më parë, por kjo nuk ka qenë e mundur për shkak të festave të Krishtlindjeve. Në ndikimin e UNHCR-së dhe zyrës UNAMI në Irak, liderët e kultit ishin të detyruar t’u bindeshin për zhvendosjen e procesit për të filluar më 4 shkurt 2016. Një nga rrjetet sociale, konkretisht faqja “Peyvand Rahayee”, raportoi që një grup prej 22 personash të “Kampit të Lirisë” janë transferuar në Shqipëri. Në të gjitha grupet e transferuara edhe më parë, disa nga emrat e tyre ishin të rremë.

NË KAMPIN SHQIPTAR
“Si pasojë e zhvendosjes së qindra anëtarëve të organizatës MKO nga Iraku për në Shqipëri, numri i personave të grupit është rritur. Duke u bazuar në këto raporte, liderët e kultit të Rajavit i frikësohen jashtëzakonisht shumë rënies së kësaj baze, edhe pse është ndërtuar nga vetë ata. Kështu, mbikëqyrja dhe kontrolli mbi anëtarët e grupit janë bërë shumë të rrepta. Ky është një ekstrakt nga llogaria e Tofiqit se çfarë po ndodh ekzaktësisht me bazën MKO në Tiranë, Shqipëri”, shkruan më 8 shkurt, “Iran-Interlink.org”. Po sipas kësaj medieje, ata dëshirojnë që procesi i zhvendosjes të jetë gradual dhe nën kontroll. Kampi i tyre kryesor është i vendosur pranë një autostrade në Tiranë. Fasada e ndërtesës është prej xhami. Ajo quhet “Kamp 49”.

Zyrat e këtij grupi kanë edhe një vend për të ngrënë, që më pas të çon në Stacionin Policor, ku Policia e Shqipërisë kontrollon hyrjet dhe daljet. Gjithashtu, edhe takimet kryesore mbahen në ndërtesë. Dritaret e kësaj ndërtese janë të “veshura” me gazeta, në mënyrë që personave që janë brenda tij, t’u parandalohet kontakti me botën e jashtme.


Send this to a friend