Voal – Të shtunën, më 19 mars do të përkujtohen në vendlindjen e tij, Gjakovë, luftëtari, patrioti, burri i shquar i kombit tonë, Fadil Hoxha. Si bashkëkohës, bashkëpunëtor dhe dëshmitar okular i një pjese të rëndësishme të veprimtarisë së tij ndjehem krenar që po shkruaj këto radhë për këtë luftëtar e shtetar të rrallë, në këtë ditë të shënuar të 100 – vjetorit të lindjes së tij.
Unë pata fatin të njihesha me Fadilin në zjarrin e luftës për çlirimin e Kosovës, kur ai e drejtonte atë me guxim e largpamësi.
Që të vlerësosh realisht figurën e Heroit të Popullit Fadil Hoxha, veç njohjes personale, duhet të njihesh edhe me kujtimet e vlerësimet që i kanë bërë bashkëkohësit dhe sidomos, të atyre që luftuan e punuan krahas tij. Duhet të lexosh ç’është shkruar për jetën e veprimtarinë e Fadilit.
Atëherë mund të thuash se ke njohur rrugën plot zigzage që ka përshkuar Fadil Hoxha gjatë jetës së tij. Kështu njihesh me përpjekjet e tij që në moshën e adoloshencës, si u shkëput nga familja, si kaloi kufirin mes vështirësish e pengesash, nga dëshira për t’u shkolluar dhe se si ia arriti qëllimit.
Fadili, si shumë djem kosovarë që shkolloheshin në Shqipëri, ishte ndër të parët që përqafoi idetë përparimtare e liridashëse të kohës, pasi kishte ndjerë shtypjen e lirive nacionale, nën sundimin e regjimit të egër serb.
Këta djem të shkolluar u përfshinë të parët në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në Shqipëri. Më pas u bënë grupi kryesor që drejtoi Luftën Nacionalçlirimtare kundër nazifashizmit për çlirimin e Kosovës.
Por për ta përfshirë popullin e Kosovës në Luftën Nacionalçlirimtare, Fadil Hoxhës e shokëve të tij u duhej të kapërcenin shumë pengesa e vështirësi; duhej të shkëputeshin lidhjet e popullit të mashtruar me pushtuesit nazifashitë e qeveritë kuislinge. Ishte koha kur me bashkimin e një pjese të Kosovës me Shqipërinë, populli kishte fituar një sërë të drejtash që iu ishin mohuar nga pushtuesi serbë. Kjo e ndihmonte propagandën fashiste ta paraqiste pushtimin fashist si çlirim, megjithëse e kishte pushtuar Shqipërinë me forcën e armëve dhe synonte ta kthente atë në koloni italiane. Duhej sqaruar populli se kurrsesi nuk mund të kishte Shqipëri të pushtuar e Kosovë të lirë. S’ka liri me okupator brenda vendit.
Fadil Hoxha, bashkë me ekipin drejtues, kaluan vështirësi të jashtëzakonshme, por arritën t’i shkëpusnin lidhjet e popullit të Kosovës me nazifashizmin dhe ta radhisnin Kosovën me Frontin Antifashist të kombeve. Kjo ishte ndër meritat kryesore, pasi lidhjet me nazifashizmin rrezikonin shpërnguljen e kosovarëve nga trojet e tyre etnike, siç ndodhi në shumë vende të Europës. Kështu nuk u zbatua plani i akademikut shovinist Sava Çubrolloviqit. Ndërkohë që 50.000 kosovarë ishin përfshirë në luftë kundër nazistëve, Tito nuk mund të përzinte familjet e tyre.
Vërtetë që nuk u arritën objektivat e Konferencës historike të Bujanit, por shqiptarët mbetën në trojet e tyre.
U deshën shumë përpjekje, luftë e gjak, por sot Kosova është e lirë dhe e pavarur, shtet sovran.
Fadil Hoxha, si burrë shteti, me aftësi e dinjitet, me zgjuarsi e largpamësi të jashtëzakonshme, duke shfrytëzuar më së miri konjukturat e brendshme politike në ish-Federatën Jugosllave, arriti ta bëjë Kosovën pjesë kushtetuese të Federatës.
Pas largimit të forcave të Divizionit tonë për në Sanxhak, shovinistët serbë provokuan ngjarjet e Drenicës, për të zbatuar planin e Çubrolloviqit, duke akuzuar Fadilin se ai është shkaktari e duke e shkarkuar nga funksioni i komandantit të Shtabit të Forcave të Kosovës.
Edhe në këto kushte tepër të vështira, Fadil Hoxha nuk i pushoi përpjekjet e luftën për të mbrojtur të drejtat e bashkëkombësave brenda Federatës. Kështu ai bëri të mundur që të ruhet gjuha e të shkollohet rinia kosovare në gjuhën shqipe; doli hapur kundër shpërnguljes të shqiptarëve nga trojet e tyre për në Turqi; kundër largimit të shqiptarëve nga administrata; kundër reprezaljeve që bëheshin ndaj shqiptarëve, nën pretekstin e mbledhjes së armëve, etj.
Kontributi i Fadil Hoxhës bëri të mundur që të ruhej uniteti i Krahinës së Kosovës, të cilën shovinistët serbë kërkonin ta ndanin sinë kohën e krajlëve, ose siç ndanë Krahinën e Sanxhakut mes Serbisë dhe Malit të Zi.
Nga arritjet më madhore të Fadilit e të Grupit që ai drejtonte qe arsimimi i rinisë së Kosovës me gjuhën amtare në shkollat e të gjitha niveleve e profileve; arritje këto që kulmuan me hapjen e Universitetit të Prishtinës e krijimin e institucioneve kulturore, përfshi Akademinë e Shkencave e Arteve të Kosovës, ku mbaruan studimet e larta dhjetëra mijë intelektualë dhe nga ku dolën profesorë e akademikë të shquar.
Njerëzit e shkolluar punojnë për ngritjen e ndjenjës kombëtare të popullit, nxisin e drejtojnë kërkesat të drejta nacionale për liri demokratike e njerëzore. Ata qenë të parët që u ngritën në demonstrata, që rrëmbyen armët dhe u bënë udhëheqës të Luftës Çlirimtare dhe udhëheqës të shtetit demokratik. Pa njerëz të shkolluar nuk drejtohet as lufta e aq më tepër shteti.
Për zhvillimin e arsimit e Kulturës në Kosovë, Fadil Hoxha dhe grupi që ai drejtonte, punuan me largpamësi e perspektivë. Është meritë e tyre që u lanë trashëgiminë më me vlerë brezave të kombit.
Fadili e brezi i tij, brenda ish – Federatës Jugosllave strukturuan shtetin e Kosovës dhe përgatitën kuadrin drejtues, në luftë me shovinistët serbë që këmbëngulnin që postet drejtuese partiake e shtetërore në Kosovë t’i mbanin serbët, me qëllim që me kohë Kosovën t’ia bashkëngjitnin Serbisë.
Fadili me shokë shfrytëzuan me shumë zgjuarsi situatën e krijuar pas Plenumit të Partisë Komuniste Jugosllave të Brionit, në të cilin, me shkarkimin e Rankoviqit nga detyra mori goditje shovinizmi serb. Ata avancuan kërkesat për rritjen e pozitës të Krahinës të Kosovës brenda Federatës. Dhe kështu arritën ta bëjnë Kosovën pjesë konstituive të Federatës Jugosllave.
Me Kushtetutën e vitit 1974, Kosova u bë shtet, pa emrin Republikë. Kjo për faktin se Kosovës iu caktuan kufijtë shtetërorë – këto kufij që ka edhe sot Republika e Kosovës, dhe populli kosovar fitoi të drejta të barabarta me gjithë kombet tjera brenda Federatës.
Kufijtë shtetërorë ruajtën unitetin territorial të Kosovës.
Po të mos ishin përcaktuar kufijtë e saj në Kushtetutën e 1974-trës, rrezikohej që t’i jepeshin Serbisë pjesë të Kosovës; rrezikohej Mitrovica me rrethinat që edhe gjatë okupacionit fashist nuk iu bashkuan Shqipërisë por ishin në vartësi të pushtetit ushtarak nazist. Por ishin pikërisht këto kufij që shërbyen si bazë edhe për Paketën Ahtisari, të cilit ne shqiptaret i jemi mirënjohës përjetë.
Në fund dua të them se Fadili me shokë, nuk mund ta ndanin Kosovën nga ish – Federata Jugosllave, kur ajo kishte mbetur pjesë e saj pas luftës. Po ata, me përpjekje të vazhdueshme, duke luftuar pa pushim shovinizmin serb arritën t’i bënin Kosovën e shqiptarët të barabartë me kombet tjerë të Federatës.
Sot kujtojme me respekt e nderim të veçantë 100-vjetorin e lindjes të këtij burri të shquar të Kosovës e gjithë kombit tonë. Ai do të mbetet në histori si një nga figurat e shquara të kombit tonë.
*Kryetar i OBVL – Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit i Shqipërisë