VOAL

VOAL

Dosja Balluku- 11 tendera me shkelje dhe 31 të pandehur nga SPAK! Mes tyre ish-zyrtarë dhe biznesmenë (EMRAT)

SPAK ka zgjeruar hetimet për dosjen që lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ku në fokus janë 11 procedura tenderimi për projekte infrastrukturore dhe punime publike. Në listën e procedurave ku janë evidentuar shkelje përfshihen disa prej investimeve të rëndësishme rrugore në vend, mes tyre Tuneli i Llogarasë, Unaza e Jashtme e Tiranës dhe aksi Porto Romano-Durrës.

Sipas dokumentacionit të çështjes, tenderat e dyshuar për shkelje përfshijnë ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, Unazën e Jashtme të Tiranës, lotet 4, 5, 6 dhe 7, si dhe projektet për lidhjen e Sheshit Shqiponja me Bulevardin e Ri dhe lumin e Tiranës.

Në listë janë edhe tenderi për ndërtimin e segmentit Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2, punimet për segmentin Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri-Shkozë dhe urat mbi lumin e Tiranës, si dhe rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol.

Një tjetër pjesë e hetimit lidhet me projektet në zonën e Porto Romanos në Durrës, përfshirë plotësimin e punimeve të mbetura në aksin Porto Romano-Durrës, Loti 3, Loti 1, Kontrata A, si dhe supervizimin dhe mirëmbajtjen me performancë të akseve kryesore të Rajonit Verior.

Në kuadër të kësaj dosjeje janë marrë të pandehur 31 persona fizikë dhe juridikë. Në listë përfshihen ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, ish-drejtuesi i ARRSH-së Evis Berberi, si dhe zyrtarë e ish-zyrtarë të tjerë të administratës publike.

Mes personave të marrë të pandehur janë Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi, Mirzeta Kashnica, Jonida Çeçe, Ardian Kroi, Denis Xhoxhi, Klarita Konomi, Miranda Shkurti, Genti Raça, Eduart Agalliu, Arbër Troka, Dhurata Lazaj, Nikollaq Mihali, Gëzim Noni dhe Arlinda Gordani.

Në listë janë edhe biznesmenët Pandeli Carapuli, Igli Tare, Arbër Abazi, Paqsor Buzi, Artan Sako dhe Ram Geci, si dhe Joana Bushi, Viola Haxhiademi, Ergys Verdho, Adja Strazimiri dhe Anila Sulollari.

Pjesë e listës së të pandehurve janë gjithashtu dy persona juridikë, shoqëritë “Eurocol” dhe “Alko Impex General Construction”.

Hetimi përfshin kështu një numër të konsiderueshëm procedurash publike, ku SPAK ka evidentuar dyshime për shkelje në proceset e tenderimit. Çështja synon të zbardhë përgjegjësitë e zyrtarëve dhe subjekteve private të përfshira në këto kontrata publike. BW

Ndahet nga jeta në moshën 78-vjeçare diplomati i njohur, Bashkim Zeneli

Është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare diplomati, ish-deputeti dhe publicisti Bashkim Zeneli. Ai ka ndërruar jetë në një spital jashtë vendit.

Zeneli ka qenë gazetar, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe ambasador i vendit tonë në Gjermani dhe Greqi. Ai ishte gjithashtu një nga intelektualët e hershëm të Partisë Socialiste, duke kontribuar në jetën politike dhe institucionale të vendit.

Gjatë karrierës së tij diplomatike, ai dha një kontribut të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me fqinjët dhe partnerët ndërkombëtarë. Përmes shkrimeve dhe kujtimeve të tij, Zeneli la gjithashtu dëshmi me vlerë për historinë e diplomacisë shqiptare.

Në vitin 2018, presidenti i atëhershëm Ilir Meta i akordoi Zenelit titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, për kontributin e tij të veçantë dhe të spikatur në fushën e politikës së jashtme, si gazetar, publicist, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe Ambasador në vende të rëndësishme si dhe për përkushtimin e tij ndaj çështjes kombëtare e integrimit euroatlantik të Shqipërisë.

Kush ishte Bashkim Zeneli?

Bashkim Zeneli, diplomati, ish-deputeti dhe publicisti i kushtoi një pjesë të madhe të jetës së tij shërbimit publik, politikës dhe diplomacisë shqiptare.

I diplomuar në Drejtësi, Zeneli ka punuar fillimisht si përkthyes i gjuhës gjermane, përpara se të angazhohej në gazetari dhe analizën e politikës së jashtme. Pas vitit 1991, ai u përfshi në politikë, duke mbajtur detyrën e sekretarit për marrëdhëniet me jashtë në Partinë Socialiste.

Ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë për dy legjislatura dhe shërbeu gjithashtu si nënkryetar i Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme.

Karriera e tij diplomatike përfshiu dy prej posteve më të rëndësishme për përfaqësimin e Shqipërisë jashtë vendit. Zeneli shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Gjermani gjatë viteve 1998–2002 dhe më pas në Greqi, në periudhën 2002–2005.

Gjatë misionit diplomatik në Gjermani, ai u angazhua veçanërisht për çështjen e Kosovës dhe forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-gjermane. Ndërsa në Greqi, puna e tij u përqendrua në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe mbështetjen e komunitetit shqiptar që jetonte atje.

Kontributi i tij u vlerësua edhe me disa çmime dhe dekorata. Në vitin 2018, Presidenti i atëhershëm Ilir Meta e nderoi me titullin “Mjeshtër i Madh”. Zeneli u vlerësua gjithashtu në Gjermani për kontributin e tij diplomatik, u shpall “Qytetar Nderi” i Athinës dhe mori medaljen e artë “Zgalemi i Lirisë”.

Përvoja e tij diplomatike dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë u pasqyruan edhe në librin e tij “Miqësi e trazuar”, ku trajtoi zhvillimet dhe sfidat e marrëdhënieve shqiptaro-greke.

Me angazhimin në gazetari, politikë, parlament dhe diplomaci, Bashkim Zeneli la pas një karrierë të gjatë në shërbim të institucioneve dhe përfaqësimit të Shqipërisë.

“Balluku e lirë, mund t’u bëjë presion edhe gjykatave” – Lubonja: Ish zv kryeministrja aktive në mbrojtjen e saj dhe të Ramës, bashkëpjesëtarë në krim

Analisti Fatos Lubonja komentoi mbylljen e hetimeve nga SPAK për çështjen e ish zëvendës kryeministres dhe ish ministres Belinda Balluku, ndaj së cilës rëndojnë akuzat e shkeljes së barazisë në tendera, korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.

I ftuar në emisionin “Prime News24”, ai iu referua raportimeve për takime të mundshme mes kryeministrit Edi Rama dhe Ballukut, duke përmendur edhe deklaratat e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.

Ai theksoi se nëse pretendimet janë të vërteta, atëherë tregohet se Balluku dhe Rama punojnë për të mbrojtur njëri-tjetrin, duke i cilësuar si bashkëpjesëtarë në krim.

“Çështjen e Ballukut që u çua në këtë mënyrë nga SPAK pa një masë apo heqje imuniteti e lidh edhe me diçka tjetër që nuk e di sa kemi investiguar, por duhet të keni parë lajmet se Rama thuhet se u takua me Ballukun. E ka thënë edhe Arben Ahmetaj. Se kush është vila e kuqe, nuk e di.

Nëse është e vërtetë, tregon se Balluku është aktive në mbrojtjen e të dyve si bashkëpjesëtarë në krim. Siç po shohim, fillon shkon në gjykatë, është e lirë, edhe deputete. Kjo mund t’i bëjë presion edhe gjykatave në këto kushte. ”, u shpreh Lubonja.

HORRORET E DHUNËS POLICORE NUK KANË TË MBARUAR! Nga Av. Dorian Matlija

Imagjino sikur të thyesh këmbën. Kush ka thyer ndonjëherë dorën apo këmbën, e di çfarë dhimbjeje e tmerrshme është. Në ato momente do vetëm të mos të të prekin, mos të të lëvizin, të të lënë të shtrihesh dhe të vijë mjeku.

Tani imagjino që, me këmbën e thyer, të të detyrojnë të ecësh. Ti me zor çalon sepse të dhemb në shpirt. Imagjino që, mes asaj dhimbjeje të padurueshme, t’u thuash policëve që të është thyer këmba! Pastaj imagjino që ata prapë të tërheqin zvarrë. Të godasin me shkopinj gome. Të fusin me dhunë në një furgon dhe të vazhdojnë të të rrahin. Të gjakosin fytyrën dhe tentojnë të të thyejnë edhe hundën dhe ti bërtet nga dhimbjet…

Dhe ata vazhdojnë të të rrahin!

Imagjino tani që je vetëm 20 vjeç dhe vuan edhe nga një sëmundje e rëndë nervore që ndikon te lëvizja, shikimi dhe funksione të tjera të trupit. Një sëmundje, simptomat e së cilës të rëndohen nga stresi dhe trauma. Imagjino t’ua thuash edhe këtë policëve. T’u tregosh që je i sëmurë, që ke thyer këmbën, që ke nevojë për mjek…

Dhe ata vazhdojnë në mënyrë shtazarake të të rrahin!

Tani imagjino që e gjithë kjo nuk bëhet as për të të arrestuar sepse ke shkelur ndonjë ligj. Nuk të çojnë fare në komisariat, nuk të bëjnë ndonjë procedurë në emër të ligjit. Thjesht të fusin në furgon, të rrahin si shtazë dhe pastaj të hedhin në rrugë, me këmbën e thyer, të gjakosur, pa ndihmë mjekësore.

I gjithë ky tmerr, që ju ftova në imagjinatë, i ka ndodhur vërtet djalit X., mbrëmjen e 24 tetorit, pranë stadiumit Dinamo në mes të Tiranës. Ai përfundoi në spital me shumë halle, iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale, ka vënë vida në kockë, dhe ka dëmtime edhe në fytyrë.

Dhe nuk po flas në ajër sa për të shkruar vetëm një hartim. Kemi prova konkrete. Kemi pamje filmike të ndërhyrjes policore, të tërheqjes dhe goditjeve pa hesap gjatë futjes në furgon. Kemi prova filmike që dëgjohet se ua thotë policëve se kishte thyer këmbën. Kemi dokumentacion mjekësor. Kemi dëshmitarë që konfirmojnë se ai ua komunikoi policëve edhe sëmundjen e tij.

Kemi gjithashtu të dhëna konkrete për identifikimin e furgonit dhe të njësisë policore dhe madje ka dyshime serioze edhe për emra konkretë. Kemi elementë për veprimet e secilit dhe përgjegjësinë edhe të zinxhirit komandues. Nuk jemi duke ngritur akuzë për dhunë abstrakte.

Dhe ka shumë akuza, por ajo kryesorja është për TORTURË, e cila nuk është një figurë letrare në rastin konkret, por ka një bazë serioze juridike që kërkon hetim penal, pasi provohen goditje të përsëritura ndaj një personi të dëmtuar, nën kontrollin e policëve, ku ca e mbajnë e ca e rrahin, të cilët ishin njoftuar për gjendjen e tij. Kemi prova që dhuna kishte karakter ndëshkues, dhe jo qëllim të ligjshëm policor.

Dhe tani imagjino edhe diçka tjetër.

Qeveria nxjerr me urgjencë akt normative për dëmet ndaj pronës gjatë protestave. Por ku është e njëjta urgjencë për këta njerëzit që janë dëmtuar nga policia? Për këmbët e thyera, sytë e vrarë, fytyrat e gjakosura dhe traumat që mund t’i shoqërojnë gjithë jetën? Pse për xhamat e bizneseve ka akt normativ dhe për kockat dhe sytë e të rinjve nuk ka?

Pse të mos ketë masa të menjëhershme për kompensimin e viktimave të policisë, kur përgjegjësia provohet, dhe pastaj shteti, njëlloj siç do veprojë me bizneset, të kërkojë me padi regresi dëmin nga policët dhe drejtuesit përgjegjës?

Prona sigurisht që meriton mbrojtje. Por edhe jeta, shëndeti e dinjiteti i njeriut meritojnë të paktën po aq urgjencë.

Dhe një pyetje duhet t’u drejtohet në fytyrë Edi Ramës, Ervin Demos dhe Skënder Hitës: Çfarë urdhrash janë dhënë, kush i ka drejtuar këto forca dhe çfarë është bërë për të ndaluar kasaphanën që zgjati ditë me rradhë dhe e shikonit në kohë reale? A mos ndoshta nuk del akti normativ për dëmet e shkaktuara viktimave të policisë sepse policët i keni bekuar vetë për këto shkelje? Në një shtet normal, shkelësit e ligjit trajtohen njëlloj, qofshin në anën e protestuesve apo qofshin edhe në anën e ligjzbatuesve. Shkelja e ligjit është shkelje ligji. Pikë! Dhe krimi paguan, apo jo? Apo ndoshta ky krimi me uniformë policie nuk ka pse paguan sepse ishte shkelje nga kampi juaj dhe dëmi ishte nga kampi i qytetarëve të thjeshtë? Jepni prova për të kundërtën pra, bëjeni që nesër aktin normativ për dëmet te viktimat e policisë! Nëse jo, ikni prej atyre posteve, qoftë edhe sikur vetëm për këtë arsye.

Imagjino të jesh në vend të X. Ose të jetë fëmija yt. Vëllai yt. Imagjino të jetë në agoni dhe të kërkojë ndihmë, ndërsa uniformat që kanë detyrë ta mbrojnë vazhdojnë ta rrahin me mjetet e shtetit.

Ne e kemi bërë kallëzimin për torturën. Nuk do të mjaftohemi me ato pezullimet disiplinore apo me deklaratat hipokrite për keqardhje, që edhe këto u thanë me gjysëm zëri vetëm kur pushkët e shtetit i nxorën sytë të rinjve.

Horroret e dhunës policore nuk kanë të mbaruar. Dhe për më keq, na tunden edhe aktet normative tani, dhe ka edhe nga ata njerëz që na ftojnë të mendojmë se dhuna na u orkestrua nga jashtë. Po kjo tortura që lexuat më sipër, nga u orkestrua? Keni ndonjë fjalë për këtë, sidomos ju që gjithmonë mendoni se dhuna është e orkestruar? Se ku i dihet, mbase kjo që përshkruaj unë është…

 

Zhupa: Rama i tmerruar nga protesta studentore, shton 630 punonjës në Policinë e Shtetit

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar pas vendimit të qeverisë për shtimin e 630 punonjësve të rinj në Policinë e Shtetit, duke e cilësuar atë si shenjë të frikës së Edi Ramës përballë protestës studentore.

Ina Zhupa akuzon kryeministrin se po përdor paratë publike për të shtuar forcat që, sipas saj, synojnë të ushtrojnë represion ndaj qytetarëve dhe të mbrojnë pushtetin e tij.

Ajo thekson se studentët dhe qytetarët shqiptarë nuk do të ndalen përballë presionit policor dhe masave të tjera, ndërsa protesta do të vijojë çdo ditë me kërkesën për largimin e Edi Ramës.

Reagimi i Ina Zhupës:

Edi Rama është tmerruar nga protesta studentore. Dje, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ka marrë një vendim për të shtuar 630 punonjës të rinj në Policinë e Shtetit. 630 vetë, të cilët t’i përdorë për të dhunuar qytetarët shqiptarë, t’i përdorë si milici për të mbajtur karrigen me çdo kusht.

Përdor paratë e buxhetit të shtetit, paratë e shqiptarëve, që të marrë më shumë forca që kundërshtojnë protestën, që dhunojnë protestuesit dhe që mbrojnë Edi Ramën.

Ky është fundi i një diktatori. Kur frika bëhet aq e madhe sa duhet të shtosh forcat policore, e kupton që ora po të vjen.

Qytetarët shqiptarë, studentët shqiptarë, nuk ndalen në protestën e tyre, pavarësisht masave ligjore që ti merr, shtimit të numrit të policëve apo çdo represioni tjetër që përdor në institucionet ku ata kryejnë shkollën apo kanë punën e tyre.

Çdo ditë e më shumë, çdo ditë në protestë për të kërkuar largimin e Edi Ramës.

“Edi Rama është i ikur” – Hoxha: Do të përfundojë si Maduro nëse tenton të bllokojë ndryshimin politik! SHBA-të mund të garantojnë qeverinë teknike

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, deklaroi se kryeministri Edi Rama është drejt fundit të pushtetit dhe se Shqipëria ka nevojë për një zgjidhje politike përmes krijimit të një qeverie teknike.

Në intervistën për News24, Hoxha tha se Rama do të detyrohet të japë dorëheqjen për t’i hapur rrugë një zgjidhjeje politike. Ai theksoi se Rama ndodhet në vështirësi dhe paralajmëroi se, nëse pengon ndryshimin politik, mund të përballet me të njëjtin fat si ish presidenti venezuelian Nicolas Maduro.

“Me ditë do të jetë Edi Rama. Do të deklarojë publikisht që jam gati të vë në dispozicion mandatin e kryeministrit për të gjetur zgjidhje për krizën politike ku është futur vendi. Mos e dëgjoni njeriun në hall që flet për të yshtur atë grupin e vogël që i ka mbetur afër, se nuk e ka grup të madh si dikur. Do të detyrohet të japë dorëheqjen. Rama sot është njeriu më në hall në Shqipëri. Rama do të shkojë si Maduro. Nëse do të bllokojë ndryshimin që po vjen, zotëria do të ketë fatin e Maduros. Është mbyllur historia e Edi Ramës. Rama është i ikur, në krye të qeverisë është me ditë”, deklaroi Hoxha.

Sa i përket zgjidhjes së krizës, Hoxha kërkoi krijimin e një qeverie teknike me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian. Sipas tij, partitë parlamentare duhet të arrijnë një konsensus për përbërjen e saj, për të bërë të mundur 71 votat e nevojshme.

Sipas Hoxhës, me asistencën amerikane, një qeveri teknike mund të krijojë kushtet për avancimin e drejtësisë brenda një periudhe 7 mujore, duke vënë para drejtësisë personat që po e mbajnë peng vendin.

“Qeveri teknike, me mbështetje të plotë të SHBA, por bujrum dhe BE. Si garanci që palët, partitë parlamentare, të gjejnë konsensus. Ata njerëz që formojnë 71 vota në parlament. Mund ta zgjidhin ata shumë mirë çfarë njerëzish do të jenë në qeveri teknike. Mund të jenë edhe nga diaspora, për mendimin tim. Nuk ka pse të jenë medoemos njerëz nga partitë. Duhen njerëz që nuk i kap dot nga xhaketa dhe xhepi. Me SHBA-të sepse kemi fatin të kemi partneritet strategjik me ta. Na ndihmojnë të luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Me asistencën e tyre, të siguroj se do t’ia dalim që kjo qeveri teknike të çojë para drejtësisë për 7 muaj 700-800 veta që janë bërë peng për të ardhmen e vendit tonë. Më pas shkojmë në garë se partitë që reformohen, ecin. E gjykojnë shqiptarët.”, deklaroi Hoxha.

Alizoti: PS mohon krizën politike! Nuk mund të ketë rend tjetër veçse revolta e studentëve

Mes tymueseve, flakadanëve dhe protestës së opozitës për të diskutuar në kuvend dhunën barbare të policisë në protesta, Kuvendi kaloi vetëm me votat e maxhorancës të gjitha pr/ligjet në rendin e ditës.

Në një prononcim për Kuvendin deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti tha se maxhoranca po përpiqet të injorojë revoltën e studentëve dhe mohojnë krizën politike në të cilën ndodhet vendi.

“Në këtë situatë të sotme nuk mund të ketë rend tjetër veçse revolta e studentëve. Kjo përngjan me revoltën në Kinë, kur qeveria kineze gjatë kohës që njerëzit vriteshin me tanke miratonte në kuvend planin 5 vjeçar për bujqësinë. Parlamenti duhej të diskutonte për krizën në Shqipëri. Këta ( I referohet maxhorancës) përpiqen ta mohojnë krizën por kriza është aty, prandaj ne protestuam se në rend të ditës duhe të ishte kriza dhe revolta e studentëve.

Ju vetë keni provuar dhunën policore gjatë protestës pse? Të rrijë një individ.

Sfida e opozitës shqiptare është të dëgjojë zemërimin e njerëzve. Shqipëria është në krizë të madhe. Zemërimi shoqëror sot është rendi I ditës. Kur një pushtet përdor dhunën ai është në fundin e tij. Kjo është çështje kohe.

Ai kishte dhe një mesazh për studentët protestues?

‘Vijoni të protestoni sepse kështu çlirohet Shqipëria. Ata i dhanë një leksion Shqipërisë. Vijoni sepse ju jeni rritur pa mite, vijoni sepse Shqipëria tek ju e ka shpresën” sn

“Të mbahet një seancë e jashtëzakonshme”- Marjana Koçeku: Kuvendi nuk mund të pretendojë se nuk ka krizë! Qeveria të mbajë përgjegjësi për sa po ndodh

Pas përfundimit të seancës deputetja e pavarur Marjana Koçeku dha një prononcim për gazetarët, teksa u shpreh se seanca e sotme nuk përputhet fare me atë që po ndodh në vend dhe kërkesat e qytetarëve.

Koçeku shtoi se duhet mbajtur një seancë parlamentare e jashtëzakonshme, edhe 12 orë po qe nevoja mbi krizën.

Sakaq, theksoi se qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për atë që po ndodh.

Marjana Koçeku: Ishte një seancë që nuk përputhet me kërkesat që ka vendi jonë. Sa më shumë pretendon që vendi nuk ka krizë aq më shumë ka krizë. E nevojshme të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për një zgjidhje politike për vendin. Nuk mund të pretendojmë se nuk e shohim. Kuvendi të dalë mbi bindjet partiake të bëhet presion qeverisë që të mbahet përgjegjësi për sa po ndodh.

“Kam kafkën e thyer” Aktivistja që shpëtoi mrekullisht: Policët të armatosur deri në dhëmbë…

TIRANË- Ky është normaliteti i ri që po jeton Tirana prej 13 tetorit 2026: protestë, përplasje, dhunë, zjarrvënie, kaos, arrestime dhe universitete thuajse në kolaps… disa karrige ironike dialogu, që janë të destinuara të thyhen.

“Kam një mesazh për të gjithë të rinjtë. Mos u dorëzoni, ne do t’ia dalim!”, u shpreh Eva Pango, protestuese.

Kjo është aktivistja Eva Pango. Ajo, u kthye në simbol të qëndresës dhe frymëzim për mijëra të rinj që gjetën tek Eva, arsyen për një përballje edhe më të vendosur.

Në ditët e para të protestës, ajo u plagos rëndë në kokë duke u transportuar drejt spitalit në gjendje të rëndë për jetën. Pas 12 ditësh, fatmirësisht, Eva la spitalin por, shenjat e goditjes që për pak sa nuk i mori jetën, janë ende prezente.

“Nuk kisha asgjë nëpër duar dhe nuk po bëja thirrje për dhunë, asgjë thjeshtë duke qëndruar në vijën e para, dy hapa para protestuesve të tjerë. Ata të armatosur deri në dhëmbë, unë asgjë dhe unë pësoj frakturë zhytëse. Kam frakturë zhytëse që nga sinusi, që nga vetulla poshtë, që nga kocka e syve dhe deri sipër te balli. Vazhdoj ta kem Akoma, nuk duket ndoshta me sy direkt, por vazhdoj ta kem thyerjen e kafkës”, u shpreh protestuesja, Eva Pango.

Rasti i saj është padyshim ndër më të dhimbshmit. Eva tregon se nuk ka arritur të identifikojë personin që e ka qëlluar, por, kanë nisur hetimet për ngjarjen.

“Po ta kisha mbajtur mend individin do të ishte tani pas hekurave, por po përpiqemi ta identifikojmë, ka nisur hetimi. Shumë e vështirë, sepse ka ardhur nga majtas, jo nga rreshti i pare. Madje nuk jam e sigurt nëse ka qenë polic me uniformë, apo ka qenë civil”, u shpreh protestuesja, Eva Pango

Eva, nuk është studente, por është një prej aktivisteve të reja që kanë mbështetur këtë protestë. Ajo ka qenë pjesë e asaj që njihet si protesta e Flamingove. Një qëndresë që kishte pikënisje dhunën e ushtruar nga rojat private ndaj qytetarëve që protestonin për heqjen e gardhit të vendosur në Zvërnec nga investitorët.

“Kur nisi protesta e flamingove, unë s’kam dashur kurrë ta quaj si protestë flamingosh, sepse më duket se bëhet shumë pink, shumë rozë. Ishte qasja e një grupi të caktuar që e nisi për ta quajtur revolucion flamingosh. Për mua, ne jemi shqiponja dhe vetëm shqiponja”, u shpreh protestuesja, Eva Pango

“Flamingot” u përçanë mes tyre pavarësisht se ia dolën ta mbajnë gjallë protestën. Akuzat nisën mes tyre për kapje nga qeveria, pati përçarje, sherre mes palëve dhe përfundimisht, studentët vendosën një mënyrë më të ashpër të reagimit të tyre përballë institucioneve.

“Thamë ore si u mblodhën kaq shumë, nuk ishte protestë e vogël, ishin 200 mijë veta në shesh, pavarësisht se për shkak të problemeve të brendshme u reduktua goxha shumë numri i protestuesve”, u shpreh Eva Pango.

“Sepse gjithë këto kontradikta çuan në krijimin e disa grupeve që kishin mendime të ndryshme. Unë e para nisa, dhe thashë kjo nuk bëhet me këngë e me valle. Kisha dale shumë e revoltuar aty, ashtu si shumë të tjera dhe nuk isha që të dilnim 2 orë me fjalime të kontrolluara, Rama jepe dorëheqjen dhe kaq. Nuk isha për këtë pjesë”, u shpreh ajo./Top Channel

A do të kërkojë sërish SPAK heqjen e imunitetit të Ballukut? Klodiana Lala: Akuzat ndaj saj janë të rënda, duhet të ishte nën arrest! Përse u mbyllën hetimet pa masë sigurie?

Gazetarja Klodiana Lala theksoi se ish zëvendës kryeministrja dhe ish ministrja Belinda Balluku duhet të ishte vënë nën arrest, pasi akuzat ndaj saj janë të rënda.

E ftuar në emisionin “Prime News24”, gazetarja u shpreh se ish vartësja e Ramës akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, dhe se ajo duhet të ishte vënë në masë sigurie si arresti në shtëpi.

Gazetarja shprehu dyshime nëse SPAK do të kërkojë sërish heqjen e imunitetit të Ballukut në Kuvend. Po ashtu, ajo theksoi se kreu i SPAK duhet të sqarojë publikisht se përse hetimet ndaj Ballukut u mbyllën pa u dhënë një masë sigurie ndaj saj.

“Kam dyshime se nuk do të ketë më kërkesë të dytë për arrestimin e zonjës Balluku. Personalisht them se ka krijuar një klimë të fortë mosbesimi ndaj institucionit të SPAK, sepse sa u përket akuzave penale, Balluku ka akuza të rënda. Në një situatë normale ajo do të duhet jo arrest në burg sepse ka fëmijë të mitur, por të paktën duhet të ishte në arrest në shtëpi.

Kërkesa e parë për heqjen e imunitetit u refuzua nga ana e maxhorancës dhe prokurorët nuk e ripërsëritën pavarësisht se ngritën akuza për korrupsion, pastrim parash, çka domethënë se tashmë që janë mbyllur hetimet prokurorët për çfarë do ta kërkojnë autorizimin. Ligji thotë se për të kërkuar autorizimin duhet të plotësohen disa kritere.

Së pari, duhet të ekzistojë rreziku se personi nën hetim rrezikon të ikë jashtë vendit, të ekzistojë rrezku se mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët. Sa i përket intimidimit të dësmitarëve, thuhet se Mirzeta Kashnica ka pretenduar se është intimiduar nga Balluku.

Kjo krijon klimë të madhe mosbesimi dhe mendoj se këtu SPAK i ka vënë njollë të madhe vetes për mënyrën se si është sjellë. Klodian Braho ka detyrimin të sqarojë publikisht arsyet pse e dërgoi për gjykim Ballukun pa patur një masë sigurie?”, theksoi gazetarja.

Revolta studentore, Kovaçi: Ka pasur presione ndaj të rinjve dhe pedagogëve, akademikët duhet të mbështesin protestën! Policia është përdorur për t’i frikësuar

Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi, ka deklaruar se ndaj studentëve dhe pedagogëve janë ushtruar presione në kuadër të protestës studentore.

I ftuar në News24, ai u shpreh se akademikët kanë mbështetur protestën përmes deklaratave publike dhe qëndrimeve të tyre, ndërsa theksoi se indiferenca në këtë situatë nuk është e pranueshme.

“Si profesorat, ne kemi thënë që do të jemi te studentët. Akademikët nuk kanë heshtur, kanë qenë prezentë, por edhe në shkrime, nëpër deklarime publike. Janë shprehur për mbështetjen e protestës, kanë dhënë kontribut. Ka edhe të tjerë që mbështesin publikisht studentët. Është e pafalshme që të qëndrosh indiferent në këtë situatë”, u shpreh ai.

Duke folur për arsyet që kanë nxitur studentët të protestojnë, Kovaçi u shpreh se ata kanë kuptuar nevojën për ndryshime në sistem dhe për krijimin e institucioneve të reja demokratike.

“Studentët e kanë kuptuar që ky sistem është i manipuluar dhe, me të drejtë, thonë se duhet të ndryshojë sistemi dhe të krijohen institucione të reja demokratike”, përfundoi ai.

Sandër Kovaçi: Si profesorat ne kemi thënë që do të jemi te studentët. Akademikët nuk kanë heshtur, kanë qenë prezentë , por edhe në shkrime, nëpër deklarime publike…Janë shprehur për mbështetjen e protestës, kanë dhënë kontribut. Dhe ka të tjerë që mbështesin publikisht studentët, është e pafalshme që të qëndrosh indiferent në këtë situatë.

Ka patur nëpër rrethe kryesisht, kemi pasur informacione për presion, në Universitetin e Durrësit, në Gjirokastër, unë personalisht i kaloj me sportivitet…Duke nisur nga këto intimidime që më kanë bërë mua që nga Taulant Balla, apo kryeministër, apo të tjerë gazetarë…Edhe ndaj studentëve është ushtruar presion.

Edhe nga pedagogët mund të ketë pasur në mënyrë tërthore duke i bërë mesazhe që të marrin pjesë në mësim. Presioni i madh që ka qenë të studentët ka qenë me anë të presionit të policisë…Studentët e kanë kuptuar që ky sistem i manipuluar, dhe me të drejtë thonë se duhet të ndryshojë sistemi dhe që të krijohen institucione të reja demokratike.

Protestat studentore, ambasadori i OSBE, Michel Tarran: Zëri i qytetarëve nuk është dëgjuar

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran ka reaguar lidhur me protestat në Tiranë, duke vënë theksin te mungesa e dialogut dhe nevoja që zëri i qytetarëve, veçanërisht i të rinjve, të dëgjohet në vendimmarrje.

Tarran u shpreh se gjatë javëve dhe muajve të fundit ka vërejtur se shumë qytetarë kanë krijuar përshtypjen se mendimet dhe shqetësimet e tyre nuk merren parasysh.

Sipas ambasadorit, çdo mundësi për të nxitur dialogun dhe konsultimin duhet të mbështetet, në mënyrë që qytetarët të kenë hapësirën e nevojshme për t’u përfshirë në debatet publike dhe në proceset vendimmarrëse.

“Duke marrë parasysh zhvillimet, pyesim se a është koha për ta zhvilluar këtë aktivitet, sepse ne jemi këtu për të krijuar kanale dialogu. Ajo që kam parë gjatë muajve të fundit është mungesa e dialogut, ku zëri dhe mendimi i njerëzve nuk është marrë parasysh. Ata duhet të mbështeten. Ndaj jam këtu, që qytetarët dhe veçanërisht të rinjtë të kuptojnë se demokracia nuk ushtrohet vetëm një herë në katër vjet, por është një mundësi e përditshme për të gjithë ata që duan të marrin pjesë në vendimmarrje”, u shpreh Tarran.

Ai theksoi se demokracia nuk kufizohet vetëm te pjesëmarrja në zgjedhje një herë në katër vjet, por kërkon angazhim të vazhdueshëm të qytetarëve në jetën publike.

“Demokracia nuk është vetëm një herë në katër vjet të shkosh e të marrësh pjesë në zgjedhje. Demokracia është një punë e përditshme, është një mundësi që hapet për të gjithë ata që kanë dëshirë të marrin pjesë në jetën publike, në vendimet e ndryshme ku mendimi i tyre dhe i njerëzve është i rëndësishëm”, deklaroi ambasadori i OSBE-së.

Tarran u ndal edhe te protestat e ditëve të fundit në kryeqytet, duke shprehur keqardhjen për incidentet e dhunshme. Ai theksoi se dhuna nuk mund të jetë pjesë e jetës demokratike dhe e një shteti të së drejtës.

“Dhuna asnjëherë nuk është zgjidhje”, deklaroi ai, duke shtuar se i vjen keq për incidentet e shumta të dhunës të regjistruara në Tiranë gjatë ditëve të fundit. Panorama

Takimi me eurodeputetët, Ina Zhupa: Të mbrohen të drejtat e njeriut, po dhunohen studentët. Zgjidhja e krizës kërkon një qeveri tranzitore pa Edi Ramën

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, informoi eurodeputetët, anëtarë të Komisionit për Transportin dhe Turizmin të Parlamentit Europian, për situatën politike në Shqipëri dhe dhunën policore ndaj studentëve që protestojnë prej 136 ditësh. Zhupa kërkoi mbështetjen e institucioneve europiane për përballimin e krizës politike, duke theksuar nevojën për një qeveri tranzitore pa Edi Ramën dhe për zgjedhje të lira e të ndershme. Ajo apeloi që Europa të mos heshtë përballë dhunës ndaj të rinjve shqiptarë dhe cenimit të të drejtave të tyre themelore.

Statusi i Ina Zhupës:
Dhuna barbare ndaj studentëve dhe situata politike në Shqipëri duhet të marrin vëmendjen dhe reagimin e institucioneve europiane!

Në takimin me eurodeputetët, anëtarë të Komisionit për Transportin dhe Turizmin (TRAN) të Parlamentit Europian, i informova për situatën aktuale në vend dhe protestën e jashtëzakonshme të studentëve shqiptarë.

Pas 136 ditësh protestë paqësore, të cilën qeveria e injoroi totalisht, studentët iu drejtuan në mënyrë simbolike me gur institucioneve, por përgjigjja që morën nga shteti ishte dhuna barbare policore. Pamjet dhe dëshmitë për dhunën, me pasoja të rënda fizike, thyerje këmbësh, fraktura dhe dëmtime të syve, janë një kambanë alarmi për demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Shqipëri.

Opozita është në krah të studentëve dhe të protestës së tyre! Kjo është një betejë për dinjitetin, drejtësinë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. Zgjidhja politike që i hap rrugë vendit është krijimi i një qeverie tranzitore, pa Edi Ramën kryeministër, që garanton standardet demokratike dhe krijon kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme.

U kërkova eurodeputetëve mbështetje për përpjekjet tona që Shqipëria të dalë nga kjo krizë politike dhe të ndërtojë institucione që respektojnë standardet europiane, të drejtat themelore dhe vullnetin e qytetarëve.

Europa nuk mund të heshtë përballë dhunës ndaj të rinjve që kërkojnë një të ardhme më të mirë në vendin e tyre! bw

“Atë ditë që nuk do jem në protestë, diheni se kam vdekur”- Mesazhi i fortë i profesor Lush Susajt: Ata pedagogë që nuk dalin hanë sufllaqen e partisë

Profesor Lush Susaj, i cili del çdo ditë në protestë në krah të studenteve ka deklaruar se fitorja e tyre mbi diktaturën është shumë pranë.

Në një prononcim për News24, Susaj kritikoi klasën politike duke thënë se në 36 vite kanë detyruar rininë të largohet.

“Sot është ditë e mirë për Shqipërinë. Jemi në afër fitores mbi diktaturën e ndyrë që po i merr shpirtin krejt Shqipërisë. Shikoni sa të pafajshëm dhe të mrekullueshëm janë. Këta janë e ardhmja e Shqipërisë. Këto 36 vjet këta politikanë ia kanë shkulur zemrën, po shkulin rininë”, tha profesori.

Një apel kishte edhe për pedagogët që nuk dalin në protestë, që siç tha ai nuk marrin pjesë sepse i shërbejnë partisë.

“Ata pedagogë që nuk dalin, të hanë sufllaqen e partisë  dhe të shkojnë te partia, por këtu është rinia e Shqipërisë. Ta dinë ata që kjo rini po punon edhe për ata edhe për fëmijët e tyre dhe mos guxojnë ti bëjnë shantazh për të shkuar në mësim.

Sot kam kontaktuar me dekanë dhe rektor dhe mos të justifikohen horat, se nuk na lë rektori. As rektori dhe as dekani nuk po i bëjnë presion. E kanë lepurin në bark. Rektori nuk po të thotë mos dil në protestë, por ata e kanë lepurin në bark”, deklaroi Susaj.

Ai deklaroi se do vazhdojë të dalë çdo ditë në protestë në krah të të rinjve: “Atë ditë që nuk do më shihni në protestë te studentët diheni se kam vdekur dhe më hajdeni të varri”.

“Edi Rama o tradhtar jep dorëheqjen sa më parë”- Studentët para ministrisë së Arsimit kërkojnë largimin e kryeministrit: Pa rini nuk ka Shqipëri

Studentët e Mjekësisë kanë vijuar protestën para Ministrisë së Arsimit, ku kanë drejtuar thirrje kundër kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij.

“Edi Rama, o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë”, është një nga sloganet e dëgjuara gjatë protestës.

Po ashtu një tjetër mesazh i përcjellë prej të rinjve është se “pa rini nuk ka Shqipëri”.

Kujtojmë që studentët kanë refuzuar dialogun me kryeministrin Rama.

Në mbështetje të studenteve janë edhe pedagogët, të cilët kane bojkotuar mesimin dhe i jane bashkuar studentëve çdo ditë në protestat e tyre. Panorama

Ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku paraqitet në SPAK, i komunikohet përfundimi i hetimeve

 

Ish-numri dy i qeverisë, Belinda Balluku është paraqitur sërish në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, e shoqëruar nga avokati  Ardian Kalia.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se SPAK i ka komunikuar Ballukut, perfundimin e hetimeve.

Balluku akuzohet nga SPAK për shkelje me tenderët e Tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe.

Gjithashtu, bëhet me dije nga burime pranë SPAK se sot Belinda Ballukut i janë komunikuar edhe akuzat e tjera për shpërdorim detyre, pastrim parash, korrupsion dhe fshehje pasurie.

 

Aktivisti Etrid Zifla ndan detaje nga takimi me kancelarin austriak: Kemi dorëzuar dosje me 140 video dhe foto të dhunës policore në protestë

Aktivisti Etrid Zifla ka folur në emisionin “Prime News24” në News24 për takimet e zhvilluara me kancelarin e Austrisë, deputetë të Parlamentit austriak dhe sekretarin e Presidentit austriak, ku sipas tij janë ngritur shqetësimet për dhunën gjatë protestave në Shqipëri dhe paketën e re ligjore të propozuar nga qeveria.

Zifla deklaroi se gjatë takimeve janë diskutuar dy çështje kryesore: ajo që protestuesit e konsiderojnë dhunë joproporcionale nga ana e policisë dhe paketa e re ligjore, të cilën ai e cilësoi si një paketë kundër protestave.

 

Aktivisti bëri të ditur se do të vijojë komunikimi me përfaqësuesit austriakë, ndërsa theksoi se kanë përgatitur një dosje voluminoze me dokumente dhe materiale që, sipas tij, evidentojnë rastet e dhunës gjatë protestave. gsh

“Nuk do të dorëzohemi pa dorëheqjen e Ramës” – Të rinjtë nga protesta: Opozita dhe maxhoranca bëjnë cirk në Parlament! Dialog? Në vitin 2018 s’pati rezultat, kërkesa e kryeministrit është film i përsëritur

Të rinjtë nga protesta kanë bërë me dije se nuk do të largohen nga sheshi derisa kryeministri Edi Rama të pranojë kërkesën e tyre dhe të japë dorëheqjen. Në një prononcim për News24, njëri prej tyre theksoi se dialogu me kryeministrin nuk dha rezultate gjatë protestës studentore në vitin 2018, dhe se kërkesa e tij për të bërë sërish bisedime është një film i përsëritur.

 

“Dialogu që është kërkuar nga kryeministri, u bë dhe në 2018 dhe nuk pati asnjë rezultat. Është një film i përsëritur. Ne refuzojmë të bëjmë të njëjta gjëra si në 2018 dhe të mos kemi asnjë rezultat. Revolta ka ardhur sepse u bë një protestë shumë paqësore për gati 140 ditë dhe ne nuk u dëgjuam, ne u tallëm nga kryeministri dhe kjo nxiti revoltën e madhe. Studentët dolën në mënyrë paqësore për të gjitha hallet e nuk u dëgjuan.”, tha një studente.

Një tjetër i ri deklaroi se me qeverisjen aktuale nuk mund të vazhdohet më, ndërsa shprehu bindjen se kryeministri do të japë dorëheqjen.

“Kam qenë tek protesta e studentëve në vitin 2018, kërkesat tona ishin bazike. Disa kërkesa që nuk u plotësuan edhe pse u bë një propagandë e madhe. Ne kemi një shembull që pas një proteste pikat nuk realizohen. Ne e lexojmë dhe e dimë shumë mirë se kush është Rama. Kështu nuk mund të vazhdohet më. Besoj se do t’i vijë fundi. Ka një pushtet të madh se ka 83 mandate, administratën për vete. Besoj se shqiptarët e kanë kuptuar se ky sistem nuk mund të vazhdojë më dhe e vetmja zgjidhje është dorëheqje e kryeministrit”, tha i riu.

Një tjetër vajzë e re drejtoi gishtin edhe tek opozita, duke theksuar se bën cirk në Parlament bashkë me maxhorancën.

“Nuk kemi besim te opozita, ku e ka treguar veten që nga 2017. Bashkë me maxhorancën bëjnë cirk në parlament, bëjnë sikur prishin seancat plenare. Ne kërkojmë pastrim të të gjithë klasës politike. Përmendim Ramën dhe Berishën, themi se i duam në burg sepse për ne është thirrje për drejtësi. Thirrja ime për të gjithë është t’i bashkohen protestës sepse të gjithë meritojmë ndryshim. Se cilat janë alternativat e ndryshimit është ende herët për të folur, duhet suport i shoqërisë.”,  tha ajo.

Ndërsa një tjetër studente theksoi se po angazhohen për një organizim më të mirëfilltë.

“ Prej 140 ditësh kemi protestuar paqësisht. Kërkesat nuk janë dëgjuar por kemi pasur një tallje nga ana e qeverisë. Kanë luajtur me mendimet dhe kërkesat tona. Ndaj ka kaluar në një revoltë. Mendoj se të rinjtë nuk do të dorëzohen pa dorëheqjen e kryeministrit.”, tha ajo.

Revolta studentore- Shoqëria civile kallëzon në SPAK dhunën policore ndaj protestuesve: Kemi evidentuar 180 raste

Përfaqësues të shoqërisë civile kanë depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për dhunën e ushtruar nga policia ndaj protestuesve gjatë protestave studentore të zhvilluara prej 13 ditësh, duke kërkuar hetim të plotë dhe ndëshkimin e efektivëve përgjegjës.

Përmes një deklarate për mediat, intelektualët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile dënuan dhunën policore, ndërsa bënë të ditur se kanë evidentuar 180 raste të dhunës ndaj qytetarëve, studentëve dhe gjimnazistëve.

“Studentët nuk janë vetëm, ne nuk do t’i lëmë vetëm. Kemi bërë kallëzim penal në SPAK për dhunën policore. Paketa kundër dhunës që e deklaron edhe kryeministri është një paketë që të mund të heshtet. Ka një dhunë terrorizuese nga policia”, deklaroi një përfaqësues i shoqërisë civile.

Edhe një avokate kërkoi që përgjegjësia ligjore të përqendrohet te efektivët që kanë ushtruar dhunë gjatë protestave, duke theksuar se, sipas saj, rastet janë të dokumentuara dhe nuk bëhet fjalë thjesht për dyshime.

“Pres masa sigurie për policët dhe jo studentët. Nuk diskutohet fare kjo çështje, pasi në protesta ka sjellje të dhunshme nga policia, që nuk janë dyshime, por me fakte”, u shpreh ajo. Panorama

Një muaj nga sulmi mbi anijen AROYAT, inxhinieri shqiptar Erkan Nika vijon i zhdukur. Familja, apel shtetit dhe shqiptarëve

Familjarët e Erkan Nikës u bëjnë thirrje autoriteteve dhe institucioneve përkatëse në Rusi, Gjeorgji dhe Turqi që të ndihmojnë në gjetjen e tij.

Apel drejtuar shtetit shqiptar dhe shqiptarëve kudo që ndodhen

Emri dhe mbiemri: Erkan Nika
Shtetësia: Shqiptare
Pozicioni: Inxhinier i dytë i anijes
Anija: AROYAT (kompani turke)
Data e ngjarjes: 25 shtator 2026

Më 25 shtator 2026, anija AROYAT u sulmua nga dronë në Detin e Zi, pranë brigjeve të Rusisë.

Sot, më 25 tetor 2026, bëhet një muaj nga ngjarja, ndërsa inxhinieri i dytë i anijes, Erkan Nika, vijon të jetë i zhdukur dhe familjarët e tij nuk kanë asnjë informacion për vendndodhjen e tij.

Nga 16 anëtarët e ekuipazhit që ndodheshin në bord, 15 janë shpëtuar.

Në fillim të tetorit, autoritetet turke kontrolluan anijen, por Erkan Nika nuk u gjet. Gjithashtu, nuk u gjet asgjë që i përkiste atij.

Deri më sot, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për vdekjen e tij.

Familjarët besojnë se mundësia që Erkani të jetë ende gjallë nuk duhet të përjashtohet. Ai mund të ndodhet në ndonjë qytet portual të Rusisë apo Gjeorgjisë, ose në ndonjë vend tjetër, ndoshta i plagosur, pa ndjenja, i shtruar në spital apo ende i paidentifikuar.

Për këtë arsye, familjarët u bëjnë thirrje urgjente spitaleve, institucioneve shëndetësore, policisë, autoriteteve portuale dhe institucioneve përkatëse në Rusi, Gjeorgji dhe Turqi që të kontrollojnë regjistrat e tyre për pacientë të paidentifikuar, persona të plagosur, si dhe individë të shpëtuar ose të gjetur në zonat bregdetare.

Apel për çdo informacion

Kushdo që ka çfarëdo informacioni për vendndodhjen e Erkan Nikës, ose mendon se mund ta ketë parë diku, lutet të kontaktojë vëllain e tij, Erizon Nikën, në WhatsApp – 00905342468381

Familjarët shpresojnë që çdo informacion, sado i vogël, të ndihmojë në zbardhjen e fatit të Erkan Nikës dhe në gjetjen e tij. bw

Biznesmeni Behgjet Pacolli paraqitet në SPAK

Biznesmeni Behgjet Pacolli është paraqitur paraditen e sotme nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Behgjet Pacolli është thirrur nga prokurorët e SPAK-ut për t’u pyetur si person në dijeni lidhur me hetimet që po kryhen për çështjen e Aeroportit të Vlorës.

Mësohet se vetë Pacolli (përmes kompanisë së tij Mabco Construction) ka bërë më parë një kallëzim lidhur me pengesat, përplasjet ligjore dhe ndërhyrjet administrative në aksionet dhe pronësinë e shoqërisë Vlora International Airport (VIA).

Muajt e fundit ka patur një betejë të ashpër ligjore dhe administrative lidhur me aksionet dhe menaxhimin e projektit të Aeroportit të Vlorës, ku Pacolli ka akuzuar ndërhyrje të paligjshme në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe konflikt me aksionarët e tjerë. Panorama

“Më goditi plumbi i gomës në sy, bëra dy hapa dhe rashë në tokë”/ Rrëfimi i Erjon Vishkullit nga shtrati i spitalit: Kam shumë dhimbje, Shqipëria është e jona!

 

Erjon Vishkulli, i cili mbeti i plagosur në syrin e majtë nga një plumb gome gjatë protestës në Tiranë, ka rrëfyer momentet dramatike të goditjes dhe frikën se mund të humbasë shikimin. I riu tregon se ndodhej rreth 30 metra larg forcave të policisë kur papritur u godit, ndërsa pas vetëm dy hapash u rrëzua në tokë.

Plumbi i gomës ndodhet ende në syrin e tij të majtë, duke i shkaktuar dhimbje të forta dhe duke e lënë të pasigurt për pasojat që mund të ketë dëmtimi në shikimin e tij.

“Shkova të takoja shokët dhe do të ikja. Kisha hequr maskën e oksigjenit dhe në atë moment takova një shok gazetar. I kisha diku 30 metra larg policët, pa asnjë reagim, pa asgjë. Vetëm kur më vjen një goditje, eca rreth dy metra dhe rashë në tokë”, rrëfen Vishkulli.

Pas goditjes, ai kujton se ishte vetëm pjesërisht i vetëdijshëm. Një mik i erdhi në ndihmë dhe e transportoi me makinë, ndërsa i riu nuk mban mend shumë nga momentet që pasuan.

“Isha pak i vetëdijshëm, ndërkohë që një shok më shoqëroi me makinë. Kaq mbaj mend pastaj”, shprehet ai.

Gjendja e tij shëndetësore mbetet shqetësuese për shkak të dëmtimit në sy. Vishkulli tregon se vazhdon të ketë dhimbje të forta, ndërsa ende nuk e di nëse do të arrijë ta rikuperojë plotësisht shikimin.

“Vazhdoj ta kem ende plumbin e gomës në sy. Nuk e di tani të them se sa i lartë është rreziku, por e lehtë nuk është, sepse kam shumë dhimbje”, thotë i riu.

Për shkak të dëmtimit, është siguruar transportimi i tij drejt një spitali në Romë, ku pritet të marrë trajtim më të specializuar mjekësor. Sipas informacioneve të publikuara, nisja drejt Italisë është planifikuar për pasditen e sotme.

Pavarësisht dhimbjeve dhe pasigurisë për të ardhmen e shikimit të tij, Erjon Vishkulli e mbyll rrëfimin për gazetarin e Top Channel me një mesazh të shkurtër.

“Vetëm fitore”, shprehet ai.

I pyetur se çfarë nënkupton me këto fjalë, i riu përgjigjet: “Shqipëria është e jona”.

© BalkanWeb

I riu u qëllua me plumb gome në sy, reagon Mariana Koçeku: Çdo goditje shton arsyet për të qëndruar në shesh

TIRANA- Deputetja e pavarur Mariana Koçeku ka reaguar pas përplasjeve të dhunshme gjatë protestës në Tiranë, duke u ndalur te plagosja e një tjetër protestuesi, i cili u godit me plumb gome në sy. Në reagimin e saj, Koçeku tha se protestat morën përmasa të mëdha pas një rasti të mëparshëm të dhunës ndaj një qytetari.

Ajo theksoi se ngjarja e fundit ka shtuar shqetësimet për mënyrën se si po trajtohen protestuesit. Sipas deputetes, dhuna ndaj qytetarëve nuk i largon ata nga protesta, por përforcon arsyet që i mbajnë në shesh. Ajo kritikoi përdorimin e forcës dhe mesazhin e frikës që, përcillet përmes këtyre veprimeve.

Mariana Koçeku: Herën e parë protestat shpërthyen masivisht se u mor zvarrë nji njeri. Sot pamë nji tjetër njeri që u godit në sy. E ndigjuem edhe britmën e tij. Pushteti vazhdon me e trajtu trupin e qytetarit si vendin ku duhet me u ngulë frika. Por çdo goditje ndaj nji protestuesi e ban edhe ma të qartë pse njerëzit vazhdojnë me qëndru në shesh./Dosja.al

Pedagogu Lush Susaj goditet me plumb gome gjatë protestës studentore, qëllohet edhe profesori Sazan Guri

Pedagogu Lush Susaj dhe aktivisti Sazan Guri janë lënduar gjatë protestës së 12-të studentore që po zhvillohet në Tiranë, në një situatë të tensionuar mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Lush Susaj është goditur me plumb gome në kraharor. Pedagogu ka marrë ndihmë mjekësore në një stacion të ngritur vullnetarisht nga studentët e Mjekësisë në Parkun Rinia. Kjo pikë është organizuar nga studentët për t’u ardhur në ndihmë personave që pësojnë lëndime gjatë protestës.

Ndërkohë, edhe profesori Sazan Guri është raportuar i lënduar gjatë zhvillimeve të protestës, i cili po ashtu po merr ndihmën e parë nga studentët e Mjekësisë. Panorama

“Do dalim çdo ditë derisa të ikë kjo qeveri”- Revolta studentore, mesazhi i të rinjve për prindërit: Siç e hodhët ju diktatorin, na ndihmoni ta hedhim edhe ne

Protestuesit e mbledhur para Ministrisë së Arsimit kanë përcjellë mesazhe të forta, duke kërkuar largimin e qeverisë dhe duke theksuar se do të vijojnë qëndresën deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

 

“Do dalim çdo ditë derisa të ikë kjo qeveri”, shprehet një prej protestuesve, duke paralajmëruar se protesta do të vijojë.

Një tjetër protestues shprehet se, nëse kryeministri Edi Rama nuk largohet, qytetarët do të detyrohen të largohen vetë.

“Nëse Rama nuk largohet, do të detyrohemi të largohemi ne”, thuhet në një prej mesazheve të përcjella nga protesta.

Protestuesit kanë komentuar edhe kërcënimet ndaj pjesëmarrësve, duke i konsideruar ato si një arsye më shumë për të dalë në shesh.

“Kërcënimet për të mos dalë në protestë duhet të jenë një arsye më shumë për të dalë në protestë. Mendoj se rezistenca do të shpërblehet”, shprehet një prej tyre.

Ndërkohë, një tjetër protestues u është drejtuar prindërve të brezit të ri, duke iu kërkuar mbështetje për ndryshimin e situatës politike.

“Unë do bëja një kërkesë për prindërit tanë: ashtu siç e hodhët ju diktatorin, na ndihmoni ta hedhim edhe ne diktatorin”, është mesazhi i tij. Panorama

Jo vetëm pedagogë, mjekë dhe biznese! Edhe sindikata e artistëve i bashkohet protestës së studentëve: Në orën 11:00 para Kryeministrisë

Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias e Shqipërisë ka njoftuar se do t’i bashkohet protestës kombëtare të 24 tetorit, në solidaritet me studentët, të rinjtë dhe qytetarët.

Përmes një thirrjeje publike, sindikata fton anëtarët e saj, artistët dhe punonjësit e kulturës e medias të mblidhen nesër në orën 11:00 përpara Kryeministrisë.

Në njoftim theksohet se pjesëmarrja në protestë lidhet me përgjegjësinë qytetare për të ardhmen e vendit, por edhe me mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve.

“Jemi punëmarrës, jemi prindër, jemi qytetarë. E ardhmja e këtij vendi është edhe përgjegjësia jonë”, shprehet sindikata.

Mes kërkesave të renditura janë pagat dhe pensionet dinjitoze, siguria në punë, mbrojtja sociale dhe liria për të folur pa frikë. Sindikata thekson se misioni i saj kërkon të qëndrojë pranë njerëzve dhe të ngrejë zërin për mbrojtjen e dinjitetit të tyre.

“Nesër do të jemi në shesh, aktivisht dhe paqësisht, me artin, kulturën dhe fjalën e lirë në krah të qytetarëve. Me besimin se bashkë mund të ndërtojmë një të ardhme që u jep të rinjve arsye për të qëndruar dhe shpresë për të ecur përpara”, thuhet në deklaratë.

Thirrja për pjesëmarrje përmbyllet me mesazhin: “Bashkë për dinjitet, për të drejta dhe për një të ardhme me shpresë!”.

Njoftimi:
Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias të Shqipërisë u bën thirrje anëtarëve të saj, artistëve dhe punonjësve të kulturës e medias t’i bashkohen protestës kombëtare, në solidaritet me studentët, të rinjtë dhe qytetarët.
Jemi punëmarrës, jemi prindër, jemi qytetarë. E ardhmja e këtij vendi është edhe përgjegjësia jonë.
Misioni ynë sindikal na kërkon të jemi pranë njerëzve, të mbrojmë dinjitetin dhe të ngremë zërin për paga e pensione dinjitoze, siguri në punë, mbrojtje sociale dhe lirinë për të folur pa frikë.
Nesër do të jemi në shesh, aktivisht dhe paqësisht, me artin, kulturën dhe fjalën e lirë në krah të qytetarëve. Me besimin se bashkë mund të ndërtojmë një të ardhme që u jep të rinjve arsye për të qëndruar dhe shpresë për të ecur përpara.
Nesër, ora 11:00, përpara Kryeministrisë!
Bashkë për dinjitet, për të drejta dhe për një të ardhme me shpresë! gsh

“Ulni qepenat, bashkohuni me studentët!” Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm thirrje sipërmarrësve: Nesër të gjithë në protestë!

 

Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm u ka bërë thirrje të gjithë sipërmarrësve shqiptarë që të bashkohen me protestën kombëtare të studentëve, e cila do të zhvillohet nesër, ditën e shtunë. Përfaqësuesit e shoqatës kërkojnë që bizneset të ulin qepenat gjatë orarit të protestës, në shenjë solidariteti me të rinjtë dhe qytetarët që kanë dalë në rrugë. Në deklaratën e saj, shoqata thekson se situata aktuale nuk është vetëm një çështje e studentëve, por prek drejtpërdrejt të ardhmen e sipërmarrjeve, familjeve dhe fëmijëve shqiptarë.

Përveç pjesëmarrjes në protestë, Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm u kërkon sipërmarrësve që kanë mundësi të ofrojnë produkte dhe shërbime të nevojshme për protestuesit gjatë zhvillimit të tubimit. Sipas përfaqësuesve të saj, gjendja aktuale e biznesit dhe e shoqërisë kërkon një reagim qytetar dhe një angazhim më të madh të sipërmarrësve në mbështetje të studentëve. Thirrja vjen në një kohë kur protestat studentore kundër qeverisë vijojnë prej ditësh, ndërsa të rinjtë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“I bëjmë thirrje çdo sipërmarrësi të solidarizohet dhe të bashkohet me studentët, me shoqërinë civile dhe qytetarët shqiptarë që marrin pjesë në këto protesta. Kjo nuk është vetëm një çështje e sotme. Është një çështje që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e biznesit tonë, me familjet tona dhe me fëmijët tanë. Ne besojmë se situata aktuale e biznesit dhe e shoqërisë kërkon reagim qytetar, solidarizim dhe përgjegjshmëri.

Prandaj, edhe një herë, u bëjmë thirrje të gjitha bizneseve shqiptare të bashkohen nesër, ditën e shtunë, me studentët, me qytetarët protestues. U bëjmë thirrje të gjitha bizneseve që kanë mundësi të mbështesin protestuesit me produkte dhe shërbime të nevojshme gjatë zhvillimit të protestës. Gjithashtu, u bëjmë thirrje bizneseve që, në oraret e përcaktuara të protestës, të ulin qepenat në shenjë solidarizimi me protestuesit shqiptarë.”, tha kreu i Biznesit të Vogël dhe të Mesëm. bw

“Politika e vjetër t’i lerë terren rinisë”- Mjeku Gentian Stroni: Të marrin fatet e vendit në dorë! Dhuna policore? Nuk do donim të ngjisnim kockat e shqiptarëve

Mjeku Gentian Stroni ka shprehur mbështetjen për studentët protestues, duke bërë thirrje që politika t’u hapë rrugë të rinjve dhe të dëgjojë kërkesat e tyre.

 

Gjatë një prononcimi për mediat nga protesta para kryeministrise, Stroni u shpreh se brezi i tij duhet t’u kërkojë ndjesë të rinjve për situatën e krijuar nga politika aktuale, e cila, nuk po përshtatet me kërkesat e studentëve.

“Unë do të doja me një ndjesë që gjenerata ime duhet ti kërkojë këtyre të rinjve për shkak të kësaj politike të vjetër që aktualisht është në këto momente, e cila nuk po akomodohet me kërkesat e këtyre studenteve. Do të duhet që kjo rini të japë leksion të gjithë politikes. Politika e vjetër duhet ti lërë terren rinisë. Duhet të luftojmë që kjo rini të marrë fatet e vendit në dorë. Palët duhet të bëhen të ndërgjegjshme për të mirën e përbashkët”, tha Stroni.

Mjeku dënoi dhunën policore ndaj te rinjve, duke deklaruar se “ne duam të përkrahim që këta studentët që të mos goditen, por nuk do të donim të ngjisnim kockat e shqiptarëve, përfshirë këtu edhe policinë. Palët duhet ta kuptojnë se i ka ardhur koha të rinjve”. Panorama

Rama i bëri gjyqin publik, e akuzoi për trafik droge, studenti ia plas në sy: Jam student i Mjekësisë me mesatare 10! Këto janë përpjekjet e fundit të një diktatori!

Kryeministri Edi Rama doli sot për t’i bëri gjyqin publik disa personave, që janë arrestuar për protestat e studenteve dhe sipas tij nuk janë studentë.

 

Por njëri prej tyre, Jon Suloymeri, i cili e pa veten në fotot dhe skedën që publikoi Rama, doli para kryeministrisë, për ti thënë se “ai është student i Mjekësisë me mesatare 10”.

Sipas studentit, ato që deklaron Rama janë mashtrime dhe përpjekjet e fundit të një diktatori.

“Zoti kryeministër ka dalë sot dhe më akuzuar për veprën penale prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Unë jam student i Mjekësisë dhe ky shpik legjenda me mbret. Dua të tregoj të gjitha notat që kam marrë me mesatare 10.0. Nuk na ndaloni dot me këto gënjeshtra. Këto janë përpjekjet e fundit të një diktatori.

Kam qenë të martën e kaluar i shoqëruar. Më mbajtën 7 orë e gjysmë dhe pastaj më lëshuan. Nuk e di ta do ta denoncoj, se nuk kam kohë për denoncime të kota. Nuk kam besim te asgjë”, tha Jon Suloymeri. Panorama

Skeda e Jon Suloymeri qe i publikoi Rama

“Ngacmuan dy vajza në protestën para Kryeministrisë”, Kalaja dhe Doçi kallëzojnë efektivët në AMP

TIRANA– Kryetari i PD-së Krujë, Aulon Kalaja, së bashku me aktivistin Mariglend Doçi, kanë depozituar pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) një kallëzim penal ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit, të cilët akuzohen se kanë ngacmuar dy vajza gjatë protestës para Kryeministrisë.

Kallëzimi lidhet me sjelljen e punonjësve të policisë, të cilët në momentin e incidentit ishin me uniformë dhe në krye të detyrës.

 

Në lidhje me ngjarjen, Aulon Kalaja ka deklaruar se ai dhe aktivisti Mariglend Doçi ndodheshin në vendngjarje në momentin kur dy vajzat u ngacmuan, duke ndërhyrë për t’i mbrojtur.

“Në momentin që vajzat janë ngacmuar, unë dhe Doçi ndodheshim aty dhe i mbrojtëm”, u shpreh Kalaja.

Kalaja dhe Doçi kërkojnë që rasti të verifikohet nga institucionet përgjegjëse dhe të hetohen veprimet e efektivëve të përfshirë./Dosja.al

Maxhoranca anulon diskutimet, PS voton kalimin në votim të projektligjeve! Demokratët qëllojnë Peleshin

Seanca e sotme parlamentare është shoqëruar me tensione të ashpra deri në përplasje mes socialistëve dhe demokratëve.

 

Në këto kushte, mazhoranca socialiste ka anuluar të gjithë diskutimet dhe ka kaluar në votim të projektligjeve.

Vendimi i PS  ka shkaktuar reagimin e deputetëve të opozitës, të cilët kanë kundërshtuar. Në shenjë protestë ata kanë hedhur kartonat në drejtim të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

E gjitha salla e Kuvendit ka qenë e mbushur me tensione, ndërsa deputetet e PD kanë përmbysur edhe karriget.

Çfarë ndodhi?

Në emër të grupit parlamentar të PD, Belind Këlliçi mbajti një qëndrim politik për protestën duke dalë në krah të studenteve. AI tha se nuk mund të ketë normalitet parlamentar përballë krizës politike. Deputeti i PD kërkoi dorëheqjen e Edi Ramës, shpërndarjen e parlamentit dhe krijimin e nje qeverie teknike.

Më pas fjalën e mori Taulant Balla, i cili mbrojti efektivët e policisë, të cilët kanë dhunuar studentët dhe të rinjtë në protestë.

 

Në këto momente, ka qenë Flamur Noka, i cili është afruar duke mos lejuar që Balla të mbajë fjalën.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi njoftoi kalimin në votim të pr ligjeve dhe më pas mbyllje të seancës. Panorama

Edi Rama dhe Skënder Hita kallëzohen në SPAK, kryeministri dhe kryepolici akuzohen për gjashtë vepra penale, nga gjenocid, përndjekje, te shpërdorimi i detyrës dhe dhënia e urdhrave të paligjshëm, rrezikojnë nga 5 deri në 15 vjet burg deri në burgim të përjetshëm

Anëtarë të Shoqërisë Civile kanë dorëzuar këtë të martë një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme, duke kërkuar nisjen e hetimeve për kryeministrin Edi Rama dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Gazeta “SOT” ka siguruar një pjesë të kallëzimit penal që është dorëzuar në SPAK dhe sipas asaj, që kërkon Shoqëria Civile, me urdhër të Edi Ramës dhe Skënder Hitës, Policia e Shtetit ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve. “Ky kallëzim konsiston në kryerjen e veprës së gjenocidit, të shpërdorimit të detyrës, të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, është shprehur juristja Brizida Gjikondi, një nga firmëtaret, e cila ka depozituar kallëzimin në SPAK.

Kallëzimi penal për kryerjen në bashkëpunim të veprave penale: “Gjenocidi”, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, “Detyrimi për të marrë pjesë në grumbullime të paligjshme”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Shoqëria Civile ka cituar si bazë ligjore Nenet 73, 250, 251, 248 dhe 245/1 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Nenet 280 dhe 283 të Kodit të Procedurës Penale.

Akuzat

Sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, dënimet me burgim dhe masat e tjera penalizuese për secilin nga nenet e cituara në kallëzim janë si më poshtë:

1. Neni 73: “Gjenocidi”

Lloji i veprës: Krim tejet i rëndë kundër njerëzimit.
Dënimi i parashikuar: Dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
2. Neni 250: “Kryerja e veprimeve arbitrare”

Lloji i veprës: Vepër penale e kryer nga personi që ushtron funksion shtetëror apo në shërbim publik.
Dënimi i parashikuar: Dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet (varësisht nga pasojat e veprës).
3. Neni 251: “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme” (përfshin edhe detyrimin e paligjshëm ose mosveprimin ndaj cenimit të lirisë)

Lloji i veprës: Vepër penale kundër veprimtarisë shtetërore.
Dënimi i parashikuar: Dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
4. Neni 248: “Shpërdorimi i detyrës”

Lloji i veprës: Krim kundër veprimtarisë shtetërore të kryer nga funksionarë publikë.
Dënimi i parashikuar: Dënohet me burgim deri në shtatë vjet.
5. Neni 245/1: “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”

Lloji i veprës: Krim korrupsioni / ndikim i paligjshëm.
Dënimi i parashikuar:
Për atë që premton, ofron ose jep përfitime të parregullta: Dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Për atë që kërkon, pranon ose merr përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim: Dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Dispozitat Procedurale të Cituara (Nenet 280 dhe 283 të KPP):

Neni 280: Marrja e dijeni për veprën penale (përcakton detyrimin e organit të ndjekjes penale për të regjistruar kallëzimin).
Neni 283: Kallëzimi nga shtetasit (baza procedurale që i jep të drejtë shoqërisë civile/shtetasve të depozitojnë kallëzim penal në SPAK).
Pra referuar akuzave, Rama dhe Hita rrezikojnë nga 5 deri në 15 vjet burg deri në burgim të përjetshëm.

Skënder Hita në shkelje flagrante të Kushtetutës

Ndërkohë theksojmë se nën urdhrat e drejtpërdrejtë të Skënder Hitës, Policia e Shtetit ka kryer një krim të rëndë kundër rendit kushtetues, duke hedhur në vijën e parë të protestës së studentëve civilë të maskuar dhe të paidentifikuar, të cilët kanë ushtruar dhunë barbare pa asnjë mbështetje ligjore. Sipas ligjit organik të Policisë së Shtetit, funksioni i ruajtjes së rendit kryhet ekskluzivisht nga efektivë me uniformë dhe simbole dalluese, ndërsa përdorimi i rrobave civile lejohet vetëm për raste të veçanta hetimore dhe kurrë pa u identifikuar menjëherë me dokument zyrtar. Përdorimi i maskave dhe kapuçëve taktikë nga persona pa uniformë është i kufizuar vetëm për repartet speciale të rrezikshmërisë ekstreme si RENEA, dhe jo për të dhunuar protestuesit paqësorë. Ky anonimitet i paligjshëm ka krijuar një “imunitet de facto”, duke u lejuar efektivëve të Hitës të përdorin shkopinj gome e dhunë pa frikën e ndëshkimit. Mungesa e shenjave identifikuese dhe numrit matrikullor e ka zhveshur aksionin policor nga çdo garanci e sigurisë juridike.

Kjo metodologji arbitrare ka shkelur hapur Nenin 27 të Kushtetutës për privimin e paligjshëm të lirisë, duke kryer shoqërime masive pa komunikuar arsyet ligjore dhe pa njoftuar avokat apo familjarë. Për më tepër, veprimi i personave të maskuar pa shenja dalluese e ka bërë të pamundur që qytetarët t’i dallojnë nga veprat penale të “Rrëmbimit të personit”. Sipas Neni 19 të Kodit Penal, qytetarët gëzojnë të drejtën e mbrojtjes së nevojshme për të zmbrapsur një sulm të padrejtë nga persona të panjohur, çka do të thotë se vetë shteti, përmes urdhrave të paligjshëm të Skënder Hitës, ka nxitur përshkallëzimin e konfliktit fizik në rrugë dhe ka rrezikuar jetën e të rinjve.

“Shteti i së drejtës në nivelin më të ulët në 10 vjet” – Ish-kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço: Frustrimi i qytetarëve nuk erdhi nga hiçi!

Në kohën kur rrugët e kryeqytetit po vlojnë nga protestat rinore e qytetare, ish-kryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë (AmCham), Enio Jaço, ka reaguar ashpër lidhur me degradimin e shtetit të së drejtës dhe nivelin e lartë të korrupsionit në vend.

Përmes një analize të publikuar në rrjetet sociale, Jaço i ka referuar shifrave zyrtare të Indeksit Botëror të Shtetit të së Drejtës 2026, të publikuar në tetor, ku Shqipëria shënon rezultatin më negativ të dekadës së fundit, duke u renditur në vendin e 91-të mes 143 shteteve të marra në shqyrtim.

Jaço ka bërë një krahasim goditës mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit e më gjerë, duke nxjerrë në pah prapambetjen e thellë të institucioneve vendase:

“34 vende pas Malit të Zi. 32 pas Kosovës. 26 pas Maqedonisë së Veriut. Edhe Ukraina në luftë është para nesh!”

Sipas tij, ky përkeqësim i përsëritur nuk është një luhatje stanidarde apo e përkohshme, por tregon një krizë strukturore të qeverisjes dhe drejtësisë.

 

  • foto galeri

Postimi i Enio Jaços:

Shteti i se drejtes ne Shqiperi, ne nivelin me te ulet ne 10 vjet

Ne Indeksin Boteror te Shtetit Ligjor 2026 (te sapo-publikuar ne Tetor), Shqiperia ka rezultatin me te ulet qe nga 2015. Eshte e 91-ta nga 143 vende.

34 vende pas Malit te Zi. 32 pas Kosoves. 26 pas Maqedonise se Veriut. Edhe Ukraina ne lufte, eshte para nesh.

Integrimi europian eshte prioriteti qe bashkon qeverine, opozitën dhe shoqerine civile. Dhe ne negociatat me BE-ne, shteti i se drejtes hapet i pari dhe mbyllet i fundit. Pra, keto numra kane rendesi.

Indeksi tregon 4 gjera:

E para. Rajoni po perparon, Shqiperia jo. Qe nga 2021, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja jane permiresuar. Shqiperia dhe Serbia kane rene.

E dyta. Korrupsioni. Shqiperia ka rezultatin me te dobet nga gjashte vendet e Ballkanit Perendimor, me poshte edhe se Serbia. 0.37 nga 1. Mesatarja e BE-se eshte 0.73.

E treta. Kontrolli mbi pushtetin. Edhe pse SPAK ka sjelle rezultate, roli i gjykatave si kontroll mbi qeverine ka rene 43% nga 2015. Pjesemarrja qytetare ka rene 30%. Frustrimi dhe protestat nuk erdhen nga hiçi.

E katerta. Distanca me BE-ne. Per pavaresine e drejtesise nga qeveria, Shqiperia merr 0.27. BE-ja ka 0.72. Me pak se gjysma.

Kjo nuk eshte luhatje e nje viti. Ne 2015 Shqiperia kishte 0.52. Sot ka rene ne 0.48. Pas me shume se nje dekade reformash, jemi me poshte se ku nisem.

Shteti ligjor nuk fitohet me fjalime. Ai matet. Dhe rezultatet kerkojne pergjigje. bw

Këngëtarja e njohur reagim të fortë ndaj Ramës, Anjeza Shahini: Shoh një shëmbëlltyrë diktature, më mirë ik si kryeministër i dështuar se si diktator

Këngëtarja e njohur Anjeza Shahini i është bashkuar zërave kritikë të artit dhe kulturës që po dënojnë dhunën shtetërore dhe qëndrimin e ekzekutivit ndaj protestave rinore në kryeqytet. Përmes një reagimi publik, Shahini ka goditur ashpër narrativën e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar reagimin e policisë si të papranueshëm për një vend demokratik.

Këngëtarja theksoi se vendimi për të reaguar erdhi pasi pa përdorimin e gjuhës së forcës nga kreu i qeverisë:

“E bëj këtë shkrim pasi pashë kryeministrin që po pretendon të ndalojë dhunën nëpërmjet gjuhës së dhunës dhe nëpërmjet gjuhës së kërcënimit — kjo është e papranueshme. Nëse e bën Meloni është po keq, nëse e bën Franca edhe më keq. Demokracia ka kosto dhe përgjegjësi, nuk është zgjidhje kërcënimi. Nuk e fsheh, krijova shpresë se do tregoje lidership, por iku edhe kjo shpresë.”

 

 

Në analizën e saj për situatën në terren, Shahini hodhi poshtë pretendimet e autoriteteve për huliganizëm nga ana e protestuesve, duke drejtuar gishtin nga veprimet e dhunshme të policisë nëpër lagjet e Tiranës:

“Nuk shoh dhunë nga rinia shqiptare, shoh revoltë dhe protestë legjitime në një vend të ashtuquajtur demokratik. Shoh dhunë nga forcat e policisë. Nuk shoh një shtet të organizuar demokratik, por gati një shëmbëlltyrë të një regjimi diktatorial, një polici të paaftë të mbrojë qytetarët e vet, shoh një polici që nuk njeh të drejtat themelore të njeriut, shoh një polici që vrapon nëpër rrugica të Tiranës për të rrahur djem të rinj, shoh një polici që përdor gjuhë të pisët, që ushtron dhunë mbi gra, e që krijon panik dhe terror tek çdo kalimtar apo biznes.”

Artistja i drejtoi një mesazh të prerë kryeministrit Rama, duke i kërkuar të ndalë shpenzimet për vëzhgimin e të rinjve dhe të reflektojë mbi dështimin e modelit të tij qeverisës:

“Shoh një kryeministër që tenton të joshë me karizmën e tij të vjetëruar, një kryeministër kryeneç të cilit i këshilloj të veprojë me përgjegjësi, të mos harxhojë para në teknologji për të kapur kalamaj me kapuç, por të investojë në rritjen e ekonomisë sepse ku ka varfëri, ka krim, ose të largohet si një kryeministër i dështuar më mirë se si një diktator.”

Në përmbyllje të reagimit të saj, Shahini nënvizoi se përgjegjësia e pushtetit matet me respektin ndaj çdo zëri opozitar e qytetar në shesh:

“Lëri popullit që të votoi dhe të rivotoi të paktën një grimcë të magjepsjes që i dhurove nëpërmjet atleteve dhe kollareve me ngjyra. Nëse turma është më e vogël se numri i atyre që të votuan, kjo nuk të bën më të fortë por më të përgjegjshëm. Nëse shpërfill një turmë të vogël, qoftë edhe një njeri të vetëm, ke shpërfillur gjithkënd.” bw

OSBE/ODIHR dënon dhunën ndaj protestuesve në Shqipëri: Policia të shmangë forcën e paligjshme dhe joproporcionale!

Përshkallëzimi i dhunës mbi protestuesit në rrugët e Tiranës ka vënë në alarm zyrtarët më të lartë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe zgjedhjeve në Evropë.

OSBE/ODIHR ka lëshuar një deklaratë zyrtare ku dënon përdorimin e forcës nga policia dhe kërkon hetime të menjëhershme.

Përmes një reagimi publik, ODIHR i bëri thirrje direkte organeve të zbatimit të ligjit në Shqipëri të ndalin menjëherë veprimet suproporcionale dhe arbitrare ndaj qytetarëve, duke kujtuar detyrimet ndërkombëtare të shtetit shqiptar.

Reagimi zyrtar i OSCE/ODIHR:

“Të shqetësuar nga raportimet për dhunë gjatë protestave në Shqipëri, ODIHR u bën thirrje të gjitha palëve të mbeten paqësore. Organet e zbatimit të ligjit duhet të shmangin përdorimin e paligjshëm ose disproporcional të forcës kundër protestuesve, dhe çdo rast i përdorimit të paligjshëm të forcës duhet të hetohet me shpejtësi dhe në mënyrë të pavarur.” bw

“Më iku truri kur të pashë përballë gjithë atyre policëve me skafandra”- Mesazhi i kinematografit për vajzën e tij: Trimëresha e babës! Në vend të tapetit të kuq ju presin me gaz dhe plumba gome

Kinematografi Mishel Koçiu ka ndarë një mesazh prekës për vajzën e tij, e cila ka marrë pjesë në protestën e të rinjve në Tiranë, duke qëndruar në rreshtin e parë, përballë efektivëve të policisë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Koçiu shpreh krenarinë për të bijën, por edhe shqetësimin e madh si prind për sigurinë e saj, në një kohë kur protestat janë shoqëruar me tensione dhe përplasje me forcat e rendit.

“Bëj kujdes, bab! Shqipëria ka nevojë për ju, për këtë brezin tuaj kaq të bukur, që ende e do vendin e vet dhe beson se mund ta bëjë më të mirë. Më shumë sesa për heronj e heroina, ky vend ka nevojë për mirësi, dinjitet e njerëzillëk”, thuhet ne reagimin e tij.

Ai kritikon mënyrën se si autoritetet po përballen me protestuesit, duke theksuar se të rinjtë duhet të priten në institucionet shtetërore për t’u dëgjuar dhe jo të përballen me forcat e rendit.

“Taksirati që shokët e brezit tim ëndërrimtar, tashmë në pushtet, në vend që t’ju shtronin tapetin e kuq e t’ju prisnin me banda muzikore në dyert e zyrave të shtetit, për t’ju dëgjuar mendimet e shqetësimet, zgjodhën t’ju presin me policë me skafandra, shkopinj gome, gaz lotsjellës e plumba gome”!

Postimi i polote i Mishel Koçiut

Trimëresha e babës, përballë policëve, në rreshtin e parë! ❤️

Ti e di sa krenar jam për ty, por meraku është edhe më i madh se krenaria! Flasim çdo ditë për protestat në Tiranë, për gjithçka që po ndodh atje, por nuk ta fsheh që më iku truri kur të pashë përballë gjithë atyre policëve me skafandra!

Bëj kujdes, bab! Shqipëria ka nevojë për ju, për këtë brezin tuaj kaq të bukur, që ende e do vendin e vet dhe beson se mund ta bëjë më të mirë. Më shumë sesa për heronj e heroina, ky vend ka nevojë për mirësi, dinjitet e njerëzillëk.

Kujtoja se i kishim kryer punët me përmbysjet kur isha sa ty. Se ju nuk do të kishit më nevojë të dilnit në rrugë për të kërkuar ato që kërkuam ne dikur.

Taksirati që shokët e brezit tim ëndërrimtar, tashmë në pushtet, në vend që t’ju shtronin tapetin e kuq e t’ju prisnin me banda muzikore në dyert e zyrave të shtetit, për t’ju dëgjuar mendimet e shqetësimet, zgjodhën t’ju presin me policë me skafandra, shkopinj gome, gaz lotsjellës e plumba gome!

Më dhemb që ju duhet të përballeni me gjëra që ne besonim se i kishim lënë pas.

Jam në merak për ty, bab! Shumë në merak, dritë e syrit!

Jam me ty, me ju të gjithë!

Panorama

Protestuesi “shpërthen” ndaj Ramës: Nëpunësit e tij me rroga 600 mijë lekëshe, por kanë ora 20 mijë euro dhe veshje 15 mijë euro. Do të vazhdojmë kauzën

Një qytetar i është bashkuar protestës së pedagogëve dhe studentëve para Kryeministrisë, duke thënë se ka dalë në shesh për të ardhmen e fëmijëve të tij. Ai ngriti pikëpyetje mbi të ardhurat dhe shpenzimet e punonjësve të administratës, duke pretenduar se pagat dhe luksi i tyre nuk justifikohen.

Qytetari tha gjithashtu se është shoqëruar disa herë nga policia, por theksoi se kjo nuk do ta ndalojë të vijojë protestën.

“Jam prind dhe jam këtu për fëmijët e mi. Rrogat e nëpunësve të Ramës janë 600 mijë lekë. Kanë orë nga 20 mijë euro, veshje 15 mijë euro. Ku i gjejnë pra? Duke vënë gjoba. Jam shoqëruar disa herë, por nuk do të tërhiqem, sërish do të protestoj. Kam qenë me duar në xhepa kur më kanë shoqëruar. Duhet të vazhdojmë këtë kauzë, se ndryshe do ikim, do t’ia lëmë çifutëve dhe atij vendin.”, tha ai. gsh

SPAK ashpërson akuzat ndaj Belinda Ballukut- Nga pastrim parash, korrupsion, fshehje pasurie dhe shkelje të barazisë në tendera

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka komunikuar sot, më 20.10.2026, të pandehurës Belinda Balluku akuzat përfundimtare për veprat penale të mëposhtme:

• “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (nëntë herë), parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.

• “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

• “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

• “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, (dy herë), parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i 2-të i Kodit Penal.

• “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” i Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal (për dy pasuri të paluajtshme).

Prokuroria e Posaçme po vijon veprime konkrete procedurale për t’i komunikuar akuzat edhe personave të përfshirë në të njëjtën çështje penale. Detaje të tjera do të bëhen të ditura në një moment të mëvonshëm. bw

“Pretendime për dhunë dhe kontrolle të paligjshme të telefonave”, zbardhet raporti i Avokatit të Popullit: 18 të mitur mes të shoqëruarve për protestën

Komisioneri i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës pranë Avokatit të Popullit ka publikuar një raport monitorimi për shoqërimet e rreth 50 personave në komisariate për protestën e së hënës, ku 18 prej tyre janë të mitur. Në raportin paraprak, komisioneri thekson se dhuna ndaj një të mituri në shoqërim është shkelje absolute dhe personat përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi për çdo rast.

Të shoqëruarit pretenduan për dhunë gjatë momentit të ndalimit, duke përfshirë përdorimin e sprajit me piper dhe të gazit lotsjellës, goditje me bombol gazi lotsjellës, tërheqje zvarrë, si dhe dhunë fizike dhe psikologjike nga punonjësit e Policisë së Shtetit.

Një ankues, sipas Avokatit të Popullit, pretendoi se u godit në një zyrë të Komisariatit nr. 4, ku nuk ka kamera sigurie. Disa të mitur dhe të rritur raportuan se u është kërkuar të zhbllokojnë telefonat celularë dhe të lejojnë kontrollin e të dhënave personale, pa vendim gjykate, madje edhe kur nuk kishte akuzë të ngritur nga prokuroria, duke nënvizuar se kontrolle të tilla janë të jashtëligjshme. Disa ankues deklarojnë se u shoqëruan në komisariat pa pasur një shkak të ligjshëm, pasi ata ishin kalimtarë të rastit, pa lidhje me protestën.

Në komisariatet 2 dhe 4 u evidentuan punonjës policie pa numra identifikues, si dhe mangësi të dhënash në regjistrat e shoqërimit. Ndërkaq, në Bllokun e Sigurisë janë shoqëruar 109 persona, përfshirë 1 të mitur dhe 4 gra. Mbingarkesa e ambienteve është e lidhur drejtpërdrejt me mungesën e shtretërve, ujit, ngrohjes dhe kujdesit mjekësor. Avokati i Popullit i kërkon Ministrisë së Brendshme të ndërhyjë urgjentisht për mbingarkesën në Bllokun e Sigurisë, me zvogëlimin e menjëhershëm të numrit të personave dhe transferimin në ambiente të tjera brenda kapacitetit ligjor.bw


Send this to a friend