VOAL

VOAL

Dekriminalizimi – 20 deputetë e kryebashkiakë në proces verifikimi

Në 15 raste Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar verifikim më anë të shenjave të gishtave për zyrtarët e nivelit të lartë apo të mesëm, të cilët janë subjekt i ligjit për dekriminalizimin.

Zyrtarisht nga organi i akuzës bëhet me dije se ky verifikim është kërkuar kryesisht në rastet e ndërrimit të emrave që nuk janë deklaruar nga zyrtarët, por nga informacione të tjera kanë rezultuar se janë të njëjtët persona.

Organi i akuzës konfirmon për “Ora News” se për nje pjesë të subjekteve përgjigjet kanë mberritur dhe ndaj tyre është vepruar. Ndërsa për pjesën tjetër hetuesit janë ende në pritje të konkluzioneve.

Sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka në verifikim 570 zyrtarë nga të cilët 20 janë të nivelit të lartë, si deputetë apo të zgjedhur vendorë . Pjesa dërrmuesë janë përcjellë nga Departamenti i Administratës Publike duke qënë se kanë edhe numrin më të madh të subjekteve që vetëdeklarojnë në kuadër të ligjit për dekriminalizimin.

Ndërsa pjesa tjetër ka ardhur nga institucione si KQZ, Presidenca, Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave.
Mësohet se deri tani është marrë vendim për 170 raste ndërsa të tjerat janë ende në fazë verifikimi, për rreth 40 raste është vendosur ndjekja penale pranë prokurorive të rretheve gjyqësore për veprën penale të “falsifikimit të formularëve”.

Vendimmarje është marrë për 50 raste ku u është ndaluar kryerja e funksioneve publike.

Ekzekutimet mafioze që tronditën Shqipërinë më 2016

Viti 2016 nuk ka qenë aspak një vit i qetë për shqiptarët.

Që në ditët e para të tij vendi u trondit nga një seri ngjarjesh kriminale.

Përveç krimeve për motive të dobëta dhe krimeve në familje, ky vit ka pasur një seri përplasjesh mes bandave të cilat kanë sjellë disa viktima e të plagosur.

Mes ngjarjeve më të bujshme të vitit që lamë pas, kanë qenë vrasja mafioze e Gazmend Çollakut, atentatet ndaj fisit Çapja, arrestimi i Emiljano Shullazit, si dhe saga e hakmarrjes mes bandës së Elton Çiços e Jani Aliajt.

Kush e vrau Gazmend Çollakun?

Më 6 janar 2016 në lagjen nr.1 të Durrësit, 4 persona të veshur me uniformë policie me një mjet “Audi” me targa gjermane rrëmbejnë me forcë Gazmend Çollakun. Dëshmitarët thanë se Çollakun e gjuajtën disa herë me shkop bejsbolli që e detyruan të futej në makinë. Vetëm disa orë më vonë në mëngjesin e datës 7 janar 2016, trupi i tij gjendet i masakruar, dhe i goditur me plumb pas kokës, i lidhur këmbë e duar me fasheta plastike, në fshatin Murqin të Krujës. Pistat kryesore të hetimit për këtë vrasje ishin prishja e pazareve të drogës ose një hakmarrje për vrasjen e 2 të rinjve po në Durrës më 20 dhjetor 2015.

Megjithatë familjarët i hedhin poshtë të dyja këto pista. Në një intervistë për “News 24”, kunati i tij thotë se, Çollaku nuk ka pasur konflikte me njeri dhe nuk merrej me aktivitete të paligjshme. 3 javë pas ngjarjes policia shpall si të dyshuar të kësaj vrasjeje Denis Shtrazën dhe Ervin Dalipajn, ish-oficer policie. Të dy këta persona janë shoqëruar që më 6 janar dhe pasi u mbajtën 12 orë të shoqëruar u lanë të lirë. Policia ushtroi kontroll në mjetin “ML” në pronësi të Dalipajt, por që përdorej nga Shtraza, dhe në bagazh u konstatuan disa gjurmë gjaku të ngjashme me ato që u gjetën në fashetat e Çollakut. Në automjet policia gjeti dhe disa celularë të fikur.

Më 28 janar policia arrestoi Denis Shtrazën në Rinas teksa po largohej nga Shqipëria. Para uniformave blu Shtraza ka mohuar akuzat, megjithëse në dhjetor të 2016 prokuroria mbylli hetimet dhe çoi në gjyq dosjen e tij. Të njëjtin qëndrim mban edhe i vëllai i tij, Ilir Shtraza, i cili për “News 24” tha se i vëllai njihej me Çollakun dhe ndanin një miqësi bashkë.

Ndërsa i dyshuari tjetër për vrasjen e Çollakut, ish-oficeri Ervin Dalipaj ndodhet ende në arrati. Ai ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen dhe thotë se akuzat ndaj tij janë fabrikuar nga disa oficerë policie që kanë si qëllim denigrimin e figurës së tij.

Hakmarrja për vrasjen e Çollakut nuk kurseu as fëmijët. Më 12 maj të vitit që po lemë pas persona të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri automatiku mbi shtëpinë e Denis Shtrazën, ku i plagosur mbeti nipi i tij 12 vjeç. Polica gjeti në vendngjarje 17 gëzhoja, sipas saj ky mund të ketë qenë një mesazh për Denis Shtrazën, dhe plagosja e nipit mund të ishte vetëm një incident. Për ngjarjen policia nuk ka asnjë të dyshuar.

Atentatet ndaj fisit Çapja

Në kuptimin e plotë të fjalës 3 shkurti i 2016 mund të cilësohet një natë terrori. Në një lokal pranë stadiumit “Elbasan Arena”, rreth orës 20:00, persona të paidentifikuar të veshur me kamuflazh hapën zjarr ndaj lokalit dhe lanë të vdekur 3 persona dhe plagosën 8 tjerë. Si pasojë e breshërive të plumbave humbën jetën: Agron Çapja, Ardit Sinakolli dhe

Eno Bedalli, ndërsa të plagosur kanë mbetur Fejzulla Çapja, Ferit Muça, Luan Muça, Bedar Muça, Bujar Rreshka, Florenc Çapja, Ardian Zharri, dhe Arnold Çapja.

Policia në vendngjarje ka gjetur 65 gëzhoja, si edhe 3 armë automatike, 2 në vendngjarje dhe një tjetër 500 metra më larg. Pista kryesore e hetimit që u hodh menjëherë pas ngjarjes ishin ajo e një hakmarrje të mundshme e fisit Mema pasi këto 2 familje kanë një histori 11-vjeçare përplasjesh me njëra-tjetrën. Por kjo u hodh menjëherë poshtë nga të dyja palët. Fisi Mema reagoi me një deklaratë për shtyp ku mohoi përfshirjen e tij në këtë konflikt. Sipas tyre me fisin Çapja kanë pasur mosmarrëveshje por jo hasmëri. Pavarësisht kontrolleve në banesa e biznese, të cilat vijuan për ditë me radhë, policia nuk mundi të identifikojë asnjë autor.

4 muaj më vonë, më 6 qershor, Çapajt bien sërish pre e atentatit me armë. Po në Elbasan, makinës së Bledar Muçës në të cilën udhëtonte edhe Florenc Çapja i bëhet atentat. Për shkak të breshërisë së plumbave mbetet i plagosur Bledar Muçaj, si edhe një oficere policie, e cila ishte kalimtare e rastësishme në zonë, pasi jetonte aty pranë. Fatmirësisht pa asnjë dëmtim shpëtoi shënjestra e këtij sulmi, Florenc Çapja. Atentatori ka qenë në një lokal buzë rrugës, duke pritur makinën ku udhëtonte Çapja. Menjëherë sapo ka parë makinën ka nxjerrë një automatik nga një çantë sportive dhe ka hapur zjarr. Pas sulmit u largua në këmbë në disa rrugica. Edhe për këtë ngjarje policia e Elbasanit nuk ka asnjë të arrestuar.

Pas ngjarjeve që ndodhën në familjen Çapja, policia shtoi masat në Elbasan dhe pranë banesës së tyre për të shmangur ndonjë incident të mundshëm, por kjo situatë nuk u prit mirë nga këta të fundit, të cilët më 12 qershor 2016 hapën zjarr ndaj 2 punonjësve të policisë së vëzhgimit. Si autor të këtij sulmi policia arrestoi Ardian Çapja, Florenc Çapja e Bledar Muçën. Të tre po hetohen për vrasje të mbetur në tentativë, ndërsa 6 të tjerë u proceduan për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetën.

Arrestimi i Emiliano Shullazit

Vetëm pak orë nga pas denoncimit të ish-kryeministrit Sali Berisha për kërcënimin e kandidatit për Rektor të UT-së, Mynyr Koni, Policia e Tiranës shoqëron Emiljano Shullazin. Shoqërimi i tij ka ndodhur mbrëmjen e 16 prillit në vilën e tij te rruga e Kavajës. Pak orë më vonë, në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës kanë ardhur prokurorët të cilët kanë sjellë urdhër arrestin për të. Vetëm një orë më vonë policia arrestoi dhe mikun e Shullazit, Gilmando Danin, i cili shkoi vetë në polici për të pyetur për mikun e tij.

Mbrëmjen e 16 prillit u arrestua në Krujë dhe kushëriri i Shullazit, Blerim Shullazi të cilit policia i gjeti një sasi kanabisi, si edhe disa fishekë. Mbi 3 të arrestuarit të cilët cilësohen si grup i strukturuar kriminal rëndonin akuzat: Shtrëngim me anë të kanosjes apo dhunës për dhënie pasurie, shkatërrim i pronës me eksploziv, dhe prodhim dhe mbajtje pa leje e municionit. Sipas hetimeve, të cilat kishin nisur që në fillim të vitit, ky grup kriminal në kohë dhe qytete të ndryshme ka kërcënuar biznesmenë të ndryshëm duke u marrë shuma të konsiderueshme parash.

Në vijim të hetimeve policia në bashkëpunim me prokurorinë faktoi raste kur kryesisht biznesmenë nga Tirana e Durrësi janë kërcënuar nga Shullazi për marrje pasurie. Prokuroria hetoi edhe në lidhje me pronësinë e Shullazit mbi hotel “Vollgën”. Shullazi pretendon se këtë pronë e ka marrë me një certifikatë të rregullt dhurimi. Pavarësisht kësaj në dhjetor të 2016” Gjykata e Lartë riktheu për gjykim në Gjykatën e Apelit çështjen e pronësisë së ish-hotel “Vollgës” në Durrës. Ankimimi në këtë Gjykatë u bë nga kompania “Saudi Brothers”, e cila paditi ZRPP, Hipotekën e Durrësit, për regjistrim të pronës.

Deri në sqarimin e pronësisë së hotelit, Gjykata e Durrësit, me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit, vendosi ta sekuestrojë atë. Ndërsa Gjykata e Lartë vendosi të rikthejë çështjen për rigjykim. Pas hetimeve të thelluara për këtë grup kriminal më 13 tetor policia më urdhër të Prokurorisë arrestoi nipin e Shullazit, Endrit Zela, si dhe mikun e tij Endrit Qyqja. Për dy të arrestuarit prokuroria thotë se i kanë marrë shuma të konsiderueshme një biznesmeni për llogari të Shullazit.

Vrasja e Elton Çiços dhe seria e hakmarrjes

Mbrëmja e Pashkëve të vitit 2016, ka qenë një natë terrori për banorët e zonës së ish-Bllokut në kryeqytet. Mbrëmjen e 1 majit në lokalin “De Niro” mes njerëzve u ekzekutua me 2 plumba në kokë 36-vjeçari Elton Çico. 36-vjeçari ka qenë në një tavolinë me tre persona të tjerë. Dy prej të cilëve u arrestuan disa ditë më vonë pasi kryen veprime që penguan zbardhjen e të vërtetës. Mjeku Redian Rrahja dhe polici Alban Trimi fshehën pistoletën e viktimës dhe disa sende personale të tij. Pas disa javësh të dy u lanë të lirë nga Gjykata.

23 ditë më vonë pas kësaj vrasje, policia identifikoi autorët e saj. Më 24 maj në një konferencë për shtyp drejtori i Policisë së Tiranës tha, se autorë të kësaj ngjarje janë Jani Aliaj dhe Renato Milloshi.

Zbulimi i autorëve të kësaj ngjarje bëri që policia të ndërtojë një zinxhir atentatesh që grupi i Çiços dhe i Aliajt kanë bërë mes njëri-tjetrit në vite. 4 të vrarë, 5 të plagosur dhe 4 atentate të dështuara, është bilanci i deritanishëm nga përplasja mes grupeve kriminale të Elton Çiços dhe Jani Aliajt. Hakmarrja 16-vjeçare është zhvilluar jashtë dyerve të policisë, pasi në kaq shumë ngjarje kriminale policia ka arrestuar vetëm 1 person për moskallëzim krimi. Zanafilla është në vitet 2000 kur Aliaj ka vrarë mikun e fëmijërisë së Çiços. Pas kësaj ngjarjeje të 2 zhvendosen në Greqi.

Në kohë të ndryshme bien në burg për trafikim lëndësh narkotike dhe konfliktet mes tyre vijojnë edhe brenda hekurave. Pas konflikteve që Çiço dhe Aliaj patën me njëri-tjetrin në shtetin grek, përplasjet u zhvendosën në Shqipëri, në një sagë atentatesh dhe eliminimesh. Më 30 mars të 2015, Elton Çiços i grabisin dhe i dhunojnë prindërit në

Tepelenë. Policia identifikoi vetëm 2 prej grabitësve dhe i shpalli në kërkim. Ndaj të dy këtyre personave Çiço u hakmor, duke e vrarë njërin, dhe tjetrit duke i bërë atentat me tritol. Më 10 janar të 2016-s te Rruga e Kavajës në shënjestër të plumbave u vu Jani Aliaj. Policia sërish nuk identifikoi dot atentatorin. Të njëjtit person iu bë atentat më 25 prill në Gjirokastër duke e plagosur lehtë në dorë. Një javë më vonë, më 1 maj të 2016 vjen kundërpërgjigja e Jani Aliajt. Në lokalin “De Niro” në ish-Bllok vritet Elton Çiço.

Sipas Policisë, autorët e kësaj vrasje janë Jani Aliaj dhe Renato Milloshi, të cilët janë edhe sot në kërkim. Burimet nga policia thonë së për atentatin 2 të shpallurit në kërkim u ndihmuan nga Nelgert Pata, të cilit iu bë atentat me 21 gusht te rruga e Kavajës. Policia nuk identifikoi dot autorët dhe shpalli në kërkim të plagosurin Pata. Pas 3 muajsh arrati, Nelgert Pata nuk gjendet nga policia, por nga atentatorët, të cilët e ekzekutuan më 20 nëntor në Fier. Në sagën e përplasjeve mes grupeve është edhe atentati i 28 tetor të këtij viti ndaj Andi Mustafarajt mikut të Çiços, i cili mbeti i plagosur.

Krimi në familje

Ky vit ka qenë i mbushur dhe me ngjarje të rënda të cilat prekin familjen. Që në ditën e parë të vitit që lamë pas, opinioni publik u shokua nga një krim në familje, ku burri vrau gruan në një fshat të Sarandës. Për fat të keq ngjarje të tilla u përsëritën edhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ku viktima nuk mbetën vetëm bashkëshortët, por edhe fëmijët. /News24/

Shqipëri: Shkollat e vazhdojnë pushimin për shkak të motit të ftohtë

Shkollat në Shqipëri do të mbeten të mbyllura edhe pas pushimit me rastin e Vitit të Ri, për shkak të motit të ftohtë dhe shqetësimeve për përhapjen e gripit.

Ministria e shëndetësisë nëpërmjet një kumtese të sotme ka tërhequr vërejtjen se temperaturat tejet të ulëta do të mbretërojnë në gjithë Shqipërinë për disa ditë, “duke krijuar kushte të favorshme për përhapje të mëtejshme të virusit të gripit”.

Ministria ka urdhëruar kopshtet e fëmijëve, shkollat fillore dhe të mesme, që është dashur ta vazhdojnë mësimin gjatë ditës së nesërme, që të mbeten të mbylluara edhe për një javë, raporton agjencia AP nga Tirana.

Ministria e shëndetësisë e Shqipërisë, po ashtu, u ka tërhequr vërejtjen njerëzve që tu shmangen tubimeve të mëdha, të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos kenë kontakt me njerëzit me flamë.

Sipas parashikimeve të motit, pritet që temepreatuarat do të arrijnë deri në -15 gradë Celsius këtë fundjavë, ndërsa borë do të ketë në të gjitha rajonet e Shqipërisë, përfshirë kryeqytetin Tiranë.

Berisha: “Ambasadori francez, letër qeverisë shqiptare: Rikthejmë vizat për ju”

Ish-kryeministri Berisha, në një status të tijin në “Facebook” shkruan se numri i lartë i azilkërkuesve shqiptarë në vendet e BE-së ka detyruar ambasadorin francez në Tiranë, t’i shkruajë qeverisë.

Duke cituar “Le Monde”, Berisha shkruan se Franca po paralajmëron me rivendosje të regjimit të vizave për Shqipërinë.

Berisha shkruan se shqiptarët ua kanë kaluar edhe sirianëve për kërkesat për statusin e azilantit në vendet e BE-së.

STATUSI

Nje lajm tjeter i keq! Nje rekord tjeter i zi!

Vendi ne prag te rikthimit te vizave!

Shqiptaret dalin te paret ne kerkesat per azil politik ne France duke lene mbrapa sirianet dhe afganet.

Te dashur miq, gazeta kryesore franceze “Le Monde” jep alarmin se shqiptaret jane aktualisht te paret ne kerkesa per azil politik ne France. Kjo gazete shkruan gjithashtu se ata kane lene mbrapa sirianet dhe afganet ne keto kerkesa. Mediat njoftojne se amabasadori i Frances ne Shqiperi me porosi te qeverise franceze i ka drejtuar ne leter prej tre faqesh autoriteteve te Tiranes ku ai shpreh shqetesimin tejet serioz te qeverise se tij lidhur me shumfishmin muajt e fundit te kerkesave per azil politik nga shtetas shqiptar.

Po shtoj ketu se, kerkesat per azil politik te shqiptareve ne vendet e BE kane qene nje shkak themelor i refuzimit te hapjes se negociatave me Shqiperine. Por pas kesaj, per fat te keq, Shqiperia, midis 60 vendeve qe kane levizje te lire me BE, eshte kandidati i pare me distance te madhe nga vendet e tjera, per rivendosjen e vizave nga BE!

Keto jane kambanet e alarmit qe bien per çdo shqiptar. Kerkesat per azil politik e shqiptareve ne Gjermani dhe vendet e tjera te BE jane rritur nga vetem 432 vete qe ishin ne vitet 2011-2012 te marra se bashku, ne rreth 100 mije ne vitet 2014-2016.

Vetem largimi i Edvin Kristaq Rames, autorit te vertet te eksodit te dyte masiv, pra eksodit te viteve 2014-2016, gjate te cilit jane larguar nga Shqiperia rreth 200 mije vete e nga te cilet afro 100 mije kane kerkuar azil politik, mund te shpetoje vendin nga nje ndeshkim i rende dhe me pasoja tejet serioze si rivendosja e vizave nga BE per Shqiperine! sb

Viti 2016, ngjarjet kryesore në Shqipëri

Si rrallë ndonjëherë, një çështje e vetme mbizotëroi që nga fillimi deri në fund të vitit: Reforma në Drejtësi kushtëzoi debatin e brendshëm, ndërsa pesha e saj do të jetë përcaktuese për një marrëdhënie të re me Brukselin. Por ndërsa tema të tjera si dekriminalizimi, përhapja e marijuanës, apo dhe zhvillimet e përplasjet brenda forcave politike do të lënë gjurmët e tyre, një ngjarje që do të mbetet në histori do të jetë shenjtërimi i Nënë Terezës.

REFORMA NE DREJTESI

Në fillim të vitit palët kishin në tavolinë opinionin e ndërmjetëm të Komisionit të Venecias. Ekspertët e nivelit të lartë në Komisionin e posaçëm parlamentar ishin angazhuar për të rishikuar ndryshimet. Por opozita e kundërshtoi duke folur për një tekst të njëanshëm dhe hodhi idenë e një zgjidhjeje politike mbi çështjet e debatueshme. Kjo ide u mbështet nga Presidenti Bujar Nishani, por dhe ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, i cili më 5 Janar deklaroi: “Ne jemi në Republikën e Shqipërisë dhe jo në Republikën e ekspertëve”. Pak ditë më pas edhe kryetari i LSI-së Ilir Meta do të këmbëngulë për të njejtën tezë: “Eshtë koha e çeljes së dialogut politik parlamentar”

Por socialistët kërkuan që puna të vazhdojë me ekspertët, të cilët më 11 Janar, deklaruan se kishin përfunduar rishikimin e ndryshimeve kushtetuese. Opozita këmbënguli në rrezikun e kapjes së sistemit nga qeveria. Më 15 Janar Komisioni i posaçëm votoi dërgimin në Venecia të tre drafteve, përfshirë variantin e PD por dhe një tjetër të LSI-së.

Opinioni përfundimtar i Venecias

Përpara se të shpreheshin përfundimisht, një grup ekspertësh të Komisionit të Venecias ishte në Tiranë në Janar. Opinioni u bë publik më 27 shkurt, ndërsa u miratua përfundimisht më 12 Mars. Komisioni vlerësoi pozitivisht variantin e rishikuar të ndryshimeve kushtetuese, i cili sipas tij, ishte “gjerësisht koherent dhe në përshtatje me standartet europiane”. Ndërsa la në zgjedhjen e palëve në Shqipëri të problemit të debatueshëm 2/3 apo të 3/5, duke ofruar dhe formula alternative.

Për kryetarin e komisionit të Posaçëm Fatmir Xhafaj, opinioni “qartësisht dhe pa asnjë ekuivok, ka rikonfirmuar pozitivitetin e iniciatovës kushtetuese për të reformuar sistemin e Drejtësisë”. E kënaqur dhe opozita sipas së cilës shqetësimet e saj “adresohen gjerësisht pothuajse në të gjithë paragrafet e draft-Opinionit të Komisionit të Venecias”, deklaroi deputeti Eduard Halimi.

Palët do të debatojnë fort për mënyrën se si do të ecet më tej, ndërkohë që opozita renditi të paktën 10 pika të cilat sipas saj duhet të merreshin parasysh. Ideja e negociatave në nivel politik u rishfaq. Por për kryetarin e Komisionit Fatmir Xhafaj, duhet të ishin sërish ekspertët që të bënin rishikimin sipas Komisionit të Venecias

Trysnia ndërkombëtare

Më 26 Janar, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Donald Lu do të saktësojë dhe një herë se “unë kam udhëzime shumë të qarta nga shefat e mi më të lartë në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë se përparësia kryesore e qeverisë amerikane në Shqipëri, është të mbështesë reformat, në mënyrë që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin europian. Dhe cila është reforma kryesore e nevojshme në këtë proces? Qartazi është Reforma në Drejtësi”.

Edhe në vizitën e tij në Tiranë më 14 shkurt sekretari amerikan i Shtetit John Kerry do t’i kushtojë vëmendje kësaj çështjeje: “Jam shumë i inkurajuar nga paketa e Reformës në Drejtësi që është duke u shqyrtuar për të përmirësuar gjyqësorin dhe për të lejuar një goditje më të madhe ndaj korrupsionit”. Një temë e cila u trajtua dhe në takimet e kryeministrit Edi Rama në Shtëpinë e Bardhë në Prill.

Në Tiranë ambasadori amerikan Donald Lu, do të njoftojë se “Qeveria e SHBA-së u ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara disa gjykatësve të korruptuar, duke u refuzuar apo anulluar vizat. Ky është vetëm fillimi”.

Së bashku me homologen e tij të Bashkimit europian Romana Vlahutin ai u angazhua gjatë gjithë vitit në përpjekjen e vështirë për të afruar qëndrimet e palëve. Brukseli dhe Uashingtoni janë në sintoni për çështjen e Reformës. Në 3 Mars, në parlamentin shqiptar, Përfaqësuesja e Lartë e BE Federica Mogherini duke vlerësuar reformën, ju referua dhe opinionit të Komisionit të Venecias duke bërë thirrje që “bazuar në të, miratojeni reformën”.

Por komunitetit ndërkombëtar do t’i duhet të harxhojë shumë energji në muajt që do pasojnë, ndërsa çështja e Reformës ndërthurret dhe me problemet e politikës së ditës. Në fillim të Majit ekspertët ndërkombëtarë të EURALIUS-it dhe OPDAT-it do të paraqesin tekstin e shkruar prej tyre mbi bazën edhe të propozimeve të palëve. Ambasadorët Lu e Vlahutin do të jenë në krah të tyre. “Do të dështoni nëse kërkoni ta bllokoni këtë Reformë”, u shpreh ambasadori Lu duke ju drejtuar anëtarëve të Komisionit. Në të njejtën linjë dhe ambasadorja Vlahutin: “BE dhe SHBA-ja janë këtu sepse jemi të interesuar për Shqipërinë e nuk do të lejojmë që politika e ditës të cënojë të ardhmen e vendit”.

Pak ditë më pas, me një lëvizje të paprecedent, të dy ambasadorët do të organizojnë takime me grupet parlamentare shqiptare, ndërsa në Komisionin e Posaçëm u miratuan në parim ndryshimet kushtetuese.

Megjithatë, një javë më vonë, më 18 Maj, PD paraqiti një draft paralel” Partia Demokratike ka tashmë një draft të konsoliduar që do të përbëjë dhe bazën e negociatave tona”, pohoi kryetari demokrat, Lulzim Basha. Por për shumicën kjo lëvizje është kthim në pikën ZERO. Dhe dy ditë më pas, propozimet do të rrëzohen në Komision.

Më 27 Maj, kryeministri Edi Rama ftoi sërish kreun e opozitës për një takim, i cili do të mbahet më 6 qershor. Opozita ofroi ndërkohë formulën e “Vendeve të Rezervuara” sipas së cilës emërimet nga parlamenti në institucionet e drejtësisë të kryhen sipas përfaqësimit të palëve në sallë. Kryeministri Rama nga ana e tij deklaroi se do të pranonte propozimin fillestar të opozitës, atë të formulës së 2/3-ve.

Sytë dhe vëmendja u përqëndruan në takimin e 6 Qershorit, ku ekspertët ndërkombëtarë kishin ofruar një formulë kompromisi. Por dhe ky takim nuk do të sjellë asnjë rezultat. “Pas këtij takimi Reforma do të niset drejt e për në sallën e Parlamentit”, tha në përfundim të bisedimeve kryeministri Rama. Por kreu i opozitës paralajmëroi, pak minuta më pas se “çdo akt i njëanshëm i dërgimit në parlament i një pakete të parakorduar me opozitën, do të takohet atje me dështimin e sigurt”.

Dy ditë më pas ambasada amerikane do të shprehet e zhgënjyer për dështimin duke theksuar se “Qeveria shfaqi fleksibilitet, por, në fund, opozita nuk bëri të njëjtën gjë” e duke mbështetur dërgimin në parlament të ndryshimeve. Sërish në sintoni me të dhe Bashkimi europian. Të dyja palët i bëjnë thirrje përgjegjësisë personale të deputetëve. Opozita reagoi duke deklaruar se varianti i vendeve të rezervuara ishte ofruar nga ekspertët ndërkombëtarë

Më 10 Qershor do të zhvillohet dhe një takim mes zotit Meta dhe Basha. Edhe ky pa rezultat konkret. Ndërsa më 14 Qershor Komisioni i posaçëm miraton pa opozitën projektin e ndryshimeve kushtetuese. Ambasada amerikane do të përshëndesë miratimin, ndërsa reagimeve të mëpasshme të opozitës ambasadori Lu do t’i përgjigjet më 27 Qershor, duke deklaruar se “tri herë që prej 4 majit SHBA-t e BE-ja, kanë ofruar propozime të arsyeshme për kompromis . Shumica i ka pranuar këto propozime. Zoti Basha ka gjetur gjithnjë dicka për të refuzuar”. Ky i fundit reagon duke u shprehur se “propozimet kanë qenë e njejta prerje por me veshje të ndryshme”

Drejt votimit

Në seancën e 30 Qershorit parlamenti përfshiu në rendin e ditës miratimin e reformës me 21 korrik, ndërsa vazhdojnë përplasjet përmes variantesh të ndryshme që hidhen në diskutim

Më 10 Korrik në Tiranë mbërrin ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland. Pas takimeve mes palëve ajo njofton për “një propozim hybrid i cili përmban elementë nga idetë e qeverisë dhe elementë nga idetë e opozitës, i cili është plotësisht në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias”

Ndërsa e majta pranoi formulën e ofruar, demokratët, më 13 Korrik, kundërshtuan kompetencat që i njihen misionit ndërkombëtarë i cili do të angazhohet për vleresimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Jo kompetenca kushtetuese dhe as quasi kushtetuese”, u shpreh kryetari Basha. I menjëhershëm reagimi i kryeministrit Rama: “Nuk i do partnerët strategjikë të Shqipërisë apo ‘të huajt’ nëpër këmbë”.

Ambasada shprehet sërish e zhgënjyer dhe dy ditë më pas ambasadori Lu do të deklaronte: ”I thashë zotit Basha se propozimi I tij ishte i papranueshëm për Shtetet e Bashkauara dhe se tregon se ka thyer zotimin e tij të dielën ndaj ambasadores Nuland”. Ai i bëri thirrje udhëheqësve politik të mbyllen deri në gjetjen e një zgjidhje, përndryshe parlamenti të votonte në favor.

Kryetari i Parlamentit Ilir Meta, i cili në të kundërt këmbënguli gjatë për nevojën e miratimit me konsensus bëri më 17 Korrik, një propozim të papritur: “Rruga më e mirë do të jetë ndërtimi I një qeverie ekspertësh e cila pas miratimit të Reformës e çon vendin në zgjedhje”.

Me ftesë të zotit Meta të nesërmen zhvillohet një takim tresh me kryeministrin Rama dhe zotin Basha. Pas takimit palët angazhuan përfaqësuesit e tyre të rinisnin bisedimet. Ambsadorët nuk morën pjesë “ përsa kohë në tryezë nuk ishte përfshirë propozimi i zonjës Nuland”, dhe një ditë më pas, më 19 Korrik, ambasadori Lu, bëri një paralajmërim të fortë: “Do të ketë pasoja specifike negative nga SHBA-të për ata udhëheqës politik që do të votojnë kundër kësaj Reforme”.

Një ditë para votimit, palët brohorasin për arritjen e një marrëveshjeje pas ndërmjetësimit të Komisionerit për Zgjerimin Johannes Hahn. Ngërci u rikthye sërish në mbrëmje ndërsa elementët e dakortësuar do të duhet të integroheshin në tekstin e ndryshimeve kushtetuese.

Seanca për votim nisi me tone të acaruara. Zoti Meta deklaroi se nëse opozita nuk e voton reformën “unë do të iki nga Kryetar i parlamentit. Do të votoj Reformën dhe do të iki, Pse do të iki? Sepse nuk mund të qëndroj në një parlament që voton nën presione, nën shtanzhe, me sms-ra, një Reformë që duhet ta votojë me bindje”. Më pas kryetari i parlamentit ftoi palët të vazhdonin bisedimet: “Duke filluar nga unë, ambasadori Lu të sqarojmë me zotin Basha dhe të gjithë aktorët e tjerë çështjen”.

Zgjidhja do të vijë në mbrëmje vonë kur në favor të reformës do të ngrihen të 140 kartonat e deputetëve. Duartrokitjeve që mbushën sallën i bashkohen nga llozha dhe ambasadorët Lu e Vlahutin të ngritur në këmbë për të përshëndetur rezultatin e shumëpritur.

Beteja e re për ligjet

Miratimi i reformës nuk mbylli hendekun mes palëve. Një betejë e re nisi për paketën e ligjeve që i hapnin rrugë zbatimit të Reformës. I pari në listë ishte ligji për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Opozita paraqiti që në fillim të Gushtit një sërë vërejtjesh të cilat u morën në shqyrtim nga ekspertët e Euralius-it dhe OPDAT-it. Përgjigja e tyre erdhi me 17 Gusht. Ata vlerësuan t’i qëndronin tekstit të tyre duke i mëshuar faktit se “roli e misionit ndërkombëtar nuk mund të reduktohet” si dhe duke përcaktuar vijat e kuqe, tejkalimi i të cilave do të bënte të pamundur angazhimin financiar dhe teknik të BE-së.

Në mbledhjen e radhës më 23 GUSHT Komisioni miraton variantin e ekspertëve ndërkombëtarë. Opozita parlajmëron ankimim: “Ky projektligj që kaloi sot shumica në Komisionin ad hoc është antikushtetues. Ne jemi të sigurt se nuk do të mund t’i qëndrojë dot testit kushtetues përpara Gjykatës”, deklaroi zoti Bylykbashi.

Seanca e votimit do të jetë më 30 gusht. Opozita paraqet një dokument të plotë me vërejtjet e saj duke njoftuar se nuk do e votojë “këtë projektligj i cili ka ardhur pa konsensus, që dhunon kushtetutën dhe standartet më të mira euroatlantike. Ju faleminderit. Ne po largohemi”, tha deputeti Eduard Halimi.

Ligji kalon me 88 vota. Gjatë muajit shtator do të diskutohen dhe 6 ligjet e tjera. Opozita dha konsensusin vetëm për ngritjen e Prokurorisë speciale antikorrupsion, dhe Byrosë kombëtare të Hetimit, ndërsa më 5 Tetor ankimoi në Kushtetuese vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për kryeministrin Edi Rama ky veprim opozitës ishte “në aleancë të hapur me korrupsionin dhe me krimin e mafian që mban peng sistemin e Drejtësisë”.

Gjykata Kushtetuese do të vendosë më 25 Tetor, pezullimin e ligjit dhe ju drejtua Komisionit të Venecias për një opinion. Në përgjigjen e cila mbërriti në Dhjetor theksohej se sipas Komisionit “dispozitat e ligjit nuk shkelin nenet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut apo shfaqin probleme për çështjet e ngritura nga Gjykata shqiptare”. Vendimi i Kushtetueses u mor më 22 Dhjetor. Me 6 vota kundër dhe 2 pro, kërkesa e opozitës u rrëzua.

Në ndërkohë, po në Gjykatën Kushtetuese kanë përfunduar edhe dy ligje të tjera, pjesë e paketës emergjente për zbatimin e Reformës, njëri i ankimuar nga dy shoqata e gjyqtarëve dhe një tjetër po nga Partia Demokratike.

HAPJA E BISEDIMEVE ME BRUKSELIN

Përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit europian kishin përsëritur disa herë se miratimi i Reformës në Drejtësi do të ishte shtysa e nevojshme për një rekomandim pozitiv nga ana e Komisionit europian për hapjen e bisedimeve më Shqipërinë

Në shtator, duke përfituar nga mbledhja e Këshillit të Stabilizim Asocimit, kryeministri Edi Rama shkoi vetë në Bruksel për të marrë pjesë në takimin ku ndodhej edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini dhe komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn. Kryeministri nënvizoi se Shqipëria e kishte kryer pjesën e saj dhe se i takonte tanimë Komisionit të mbante premtimin.

Më 9 Nëntor Komisioni vlerëson miratimin e Reformës në Drejtësi dhe përparimet e qëndrueshme për 5 prioritetet kyçe, duke theksuar se mbetet ende punë për të bërë. “Kjo është arsyeja pse rekomandimi ynë është i kushtëzuar me progresin e besueshëm dhe të prekshëm në zbatimin e Reformës në Drejtësi. Në këtë kontekst, rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve do të jetë thelbësor për besueshmërinë e procesit, dhe ne këtu duhet të shohim rezultate”, nënvizoi komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn.

Fjala përfundimtare i takon vendeve anëtare. Autoritetet shqiptare u vunë në lëvizje për të siguruar mbështetjen e tyre. Italia dhe Austria organizuan më 14 Nëntor, një takim me Grupin e Miqve të Shqipërisë, ku shumica e 28-shes përfaqësohej me ministrat e Jashtëm. Në fund të Nëntorit Kryeministri Edi Rama do të pritet dhe nga kancelarja Angela Merkel.

Më 13 Dhjetor, vendet anëtare, rikonfirmuan rekomandimin e Komisionit dhe lanë të hapur mundësinë e një raporti të ri, pa pritur paketën e zakonshme të Zgjerimit, nëse vendi do të dëshmojë se ka bërë përparim. “Ka një marrëveshje të qartë. Ne nuk do të kemi nevojë të presim raportin e ardhshëm të komisionit, në pranverë të vitit 2018, por ka një angazhim të Komisionit që të informojë apo të rishqyrtojë ecurinë e Shqipërisë, sa me shpejt apo kur të ketë përparim të prekshëm. Pra unë mendoj se ky është një rezultat i qartë dhe pozitiv dhe se Shqipëria duhet të jetë e kënaqur”, deklaroi ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajcak, në emër të presidencës së BE-së.

Ndërkohë Këshilli, kërkoi që vendi “të garantojë zbatim të qëndrueshëm, të gjithanshëm dhe gjithëpërfshirës të 5 prioriteteve kyçe përpara hapjes së negociatave”

RIKTHIMI I MARIJUANES

Ndërsa u duk se ndërhyrja në Lazarat dy vjet më parë do të mjaftonte si një sinjal i fortë kundër kultivimit të marijuanës, në verën e këtij të viti fenomeni u rikthye me një përhapje të gjerë thuajse në të gjithë vendin

“Droga është kthyer në minierën e floritit të zyrtarëve kanabist, të partisë kanabiste, të qeverisë kanabiste”, do të akuzonte me 15 shtator në sallën e parlamentit ish kryeministri Sali Berisha. Përgjigja e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri nuk vonoi: “Tani kusht është karteli i drogës në këtë sallë? Ne që sot që shkatërrojmë 99.6 për qind, apo këta që shkatërronin 7 përqind?”, u shpreh zoti Tahiri duke ju drejtuar opozitës.

Debatet për kultivimin e marijuanës do të jenë thuajse të zakonshme në sesionet e parlamentit gjatë vjeshtës, ndërsa njoftimet e policisë flisnin çdo ditë për mijëra rrënjë të shkatërruara, fakt i cili sipas saj, ishte dëshmi se fenomeni po goditet. Opozita në disa dalje të njëpasnjëshme akuzoi me emra drejtuesë policie të përfshirë drejtpërdrejtë. Ministria e Brendshëme I hodhi poshtë akuzat por përmendi dhe hetime brenda radhëve të uniformave blu.

Raporti Guardia di Finanza-s italiane, mbështetur në të dhënat nga vrojtimet ajrore, ishte një konfirmim i shtrirjes së fenomenit. Në vitin 2013 vetëm sipërfaqja e mbjellë në Lazarat llogaritej të ishte 319 hektarë. Dy vjet më pas, në 2015, kur ky fshat ishte fshirë nga harta e marijuanës, sipërfaqja ishte 44,7 hektarë, ndërsa këtë vit mbi 213 hektarë. Edhe sasia e shkatërruar nga policia, mbi 2.4 milion rrënjë, deri në tetor, ishte tre herë më e madhe se ajo e vitit të kaluar.

“Qeveria është brenda, Edi Rama dhe Saimir Tahiri, janë brenda në organizatën më të madhe të drogës që është vetë qeveria”, deklaroi zoti Basha duke reaguar pas raportit të Guardia di Finanza-s.

Për përfaqësuesit e policisë italiane fushata e fluturimeve ajrore duhet të vijojë edhe vitin e ardhshëm duke nisur me herët që në maj.

Shqetësim për përhapjen e fenomenit do të shprehë dhe ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, sipas të cilit nëse do të ishte e nevojshme në luftën kundër fenomenit mund të përfshihej dhe ushtria: “Ose do të ndahemi tani, sa ka filluar, ose kur të ndahemi pastaj do të jetë shumë vonë dhe shumë e dhimbshme”, u shpreh zoti Manjani më 14 Tetor.

Në javët që do pasojnë deri në fund të vitit njoftimet për sasi të tjera marijuana të sekuestruara apo zbulime dhe magazinash ku depozitoheshin tonelata të tëra, do të jenë të shpeshta, sikundër dhe përpjekjet për trafik drejt Italisë dhe Greqisë. Një fakt që u konfirmua në dhjetor dhe nga prokurori i antimafias italiane në Lecce Cataldo Motta gjatë vizitës në Tiranë më 1 Dhjetor: “Situata është e tillë që kërkon një intensifikim të bashkëpunimit më shumë se në të kaluarën sepse është rritur trafiku si, ai me origjinë nga Shqipëria ashtu dhe nga rajone të tjera”

SHENJTERIMI I NENE TEREZES

Por nuk ishte vetëm politika ajo që dominoi përgjatë vitit 2016. Një ngjarje e cila do të mbetet në histori është shenjtërimi i Nënë Terezës, ndërkohë që për Kishën katolike shqiptare do të ketë edhe dy lajme të tjera me peshë: Lumturimi i 38 martirëve të saj dhe emërimi Kardinal I Dom Ernest Troshanit

Ishte ora 10.40 e së dielës së 4 shtatorit kur Papa Francesco lexoi në latinisht formulën e shenjtërimit të Nënë Terezës përpara më shumë se 100 mijë të pranishmëve që kishin mbushur Shehin e Shën Pjetrit në Vatikan.

Shqiptarja Gonxhe Bojaxhi kishte bërë botën të fliste për të dhe veprën e saj, duke u thyer në një simbol të dhembshurisë dhe ndihmës ndaj të braktisurve. E për këtë dhe Papa Francesco u shpreh se “ndoshta do ta kemi pak të vështirë ta therrasim e Shenjta Terezë. Shenjtëria e saj është kaq e afërt me ne, kaq e dashur e bujare san ë mënyrë spontane do të vazhdojmë ta thërrasim Nënë Tereza”.

Më 5 Nëntor në një ceremoni të posaçme në Katedralen e Shkodrës, do të kryhet Lumturimi i 38 martirëve të Kishës katolike, të vrarë gjatë rregjimit komunist, ndërsa me herët në tetor, të vetmin dëshmitar të gjallë që i mbijetoi burgjeve të diktaturës, dom Ernest Troshanin, Papa Francesco e kishte emëruar Kardinal. Ceremonia do të mbahet në Vatikan në 11 Nëntor.

Në dhjetor ai do të jetë i ftuar i parlamentit shqiptar. Në fjalën e tij të shkurtër ai do t’u kujtojë deputetëve: Bëni që politika të jetë shërbim dhe jo përfitim. Dhe vetëm atëherë keni për të patur respektin e thellë të njerëzve të thjeshtë që kanë patur besim te ju”.

Heqja e mandateve të dy deputetëve dhe Elvis Rroshit, reagon ambasada e SHBA: Një paralajmërim për kriminelët

TIRANE- Pas vendimit të KQZ-së për t’i hequr mandatin 2 deputetëve, Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami, si edhe kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi pasi nuk kishin deklaruar dënimet në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, vjen edhe reagimi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Amerikës.

Në reagimin e ambasadës, thuhet se ky vendim përveçse fitore për popullin shqiptar është paralajmërim për kriminelët që të rrinë larg zgjedhjeve

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për të hequr mandatet e tre politikanëve, Elvis Rroshit, Shkëlqim Selamit, dhe Dashamir Tahirit, nën ligjin e dekriminalizimit. Vendimi i sotëm është një fitore për popullin shqiptar dhe një paralajmërim për kriminelët që po mendojnë a të jenë kandidatë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Zyrtarët e zgjedhur apo të emëruar që plotësojnë deklarata false duhet të ndëshkohen me gjithë forcën e ligjit. Personat me dosje penale nuk mund të kenë vend në përfaqësimin e shqiptarëve”,- sqaron ambasada e SHBA.

Më herët ambasadori Lu ka përmendur emra konkretë të të zgjedhurve lokalë dhe qendrorë që s’do kenë shanse të jenë pjesë e zgjedhjeve të 2017-es.

Shoqata “Shqipëria”, dega Vlorë – Nga Xhiliola Lamaj

 

Shoqata “Shqipëria”,  dega  Vlorë, ka ditur të shpalosë vlera historike, artistike, sociale dhe humanitare, ka ditur të spikasë dhe të evidentojë në organizim eventesh, kulturë, duke përcjellë mesazhe sinjifikative, frymë bashkëpunuese e risi bashkëkohore. Në aktivitetet radhazi, që kjo shoqatë ka organizuar ka konfirmuar në një verdikt të palëkundshëm, vlerat që trasmetohen për qëllime social-kulturore apo edhe tradicionale vendase.

Në këtë spekter pasuror, divers atributesh, shoqata Shqiperia dega Vlorë manifeston ide qe nuk duan te mbeten thjesht në letër, por kerkon te bëhen pjesë e realitetit, duke trasmetuar mesazhe emancipimi nëpërmjet aktiviteteve që zhvillon

Duke qenë se kjo shoqatë, u shërben gjithë shqiptarëve, që kanë të drejtën e shprehjes demokratike e të vlerave më të larta njerëzore, këto aktivitete organizohen në një masë të gjerë njerëzish, që e duan artin dhe e përqafojnë të bukurën. Edhe pse kjo shoqatë nuk ka shumë kohë nga krijimi i saj, përsëri me bindje e them se si nenkryetare e kësaj shoqate, fillimi  duket i mbarë e poi  gëzohet suksesit.

Në mes shumë aktiviteteve që janë organizuar, në një distancë kohore jo shumë të gjatë, aktivitetet e fundit, pasuan përsëri të suksesshme dh ete frytshme. Kur flasim për librat, vëmendja fokusohet tek kurioziteti dhe dëshira për ta pasuruar intelektin dhe shpirtin, nuk i reziston dot tundimit për të mos lexuar.

Kështu pra, dhurata më e bukur dhe sinjifikative që mund të merret për një fund-vjetor, janë librat.  Në datën 21 Dhjetor, shoqata Shqipëria prezantoi projektin e saj të rradhës “ Një dhuratë librash për shkollën Balil Pelari”. Biblioteka e kësaj shkolle u pasurua nga 250 kopjo librash. Në  pasurimin e kësaj biblioteke kontribuan shumë shkrimtarë, por gjithashtu edhe shumë shoqata sic janë; shoqata Drita, shoqata Lunxhëria, shoqata Labëria, Pena Albania etj dhe shkrimtarë si; Laureta Petoshati, Eduart Frakulla, Elizabeta Alikaj, Idajet Beqiri etj…

Atmosfera që krijoi shkolla “Balil Pelari”, nëpërmjet një programi artistiko-kulturor, e bëri më festive dhe më të këndshme këtë ditë të rëndësishme kalendarike për shoqatën Shqipëria. Por aktiviteti nuk përfundoi këtu.  Destinacioni i rradhës ishte “Shtëpia e foshnjës” Vlorë.  Kur bëhet fjalë për të dhënë buzëqeshje të pakufij, për të ngrohur zemra, për të dhuruar dashuri te pakursyer e të pa limit, kryefjala e jetës është “Fëmija”.

Përsëri u gjendëm në sofrën më të ngrohtë e më bujare, në shtëpinë e fëmijes. Në mënyrë simbolike, shumë dhurata u shpërndanë në duart e vogla të këtyre ëngjëjve që kërkonin m esy më tepër se kaq.  Një atmosferë lumturie na përshkoi edhe ne, sepse sytë e qeshur të tyre  e gëzimi i papërshkruar i vogëlushëve, trokiti edhe në zemrat tona.

Në këtë fund-vjetor, këto organizime speciale ishin më shumë se dhurata. Ishte një mesazh kulturor, një mesazh humanitar, një dedikim shpirtëror dhe një premtim, se udhëtimi i kësaj shoqate do të jetë i gjatë dhe shumë më i bukur, si në cdo herë të saj.

Merrni informacion: Ndryshon lëvizja pa viza në BE, ky është rregulli i ri

Krahas forcimit të kontrollit kufitar edhe për vetë shtetasit europian, duke shkaktuar pritje më të gjata kohore për procedurat në pikë-kalime, në fillim të 2017 pritet të hyjë në fuqi dhe mekanizmi i ri për pezullimin e vizave.

Një mekanizëm i tillë ekziston, megjithëse nuk është përdorur ende, pasi u kërkua, fillimisht në 2010, nga shtetet anëtare përpara se Këshilli i BE-së të vendoste për liberalizimin e vizave me Shqipërinë e Bosnjën dhe ngjashëm, ai pritet të shfrytëzohet edhe për vendet e tjera të dialogut në të ardhmen, përfshirë Kosovën.

Por në dallim nga mekanizmi ekzistues, versioni i pajtuar së fundmi mes institucioneve të BE-së, midis të tjerash, i mundëson edhe Komisionit, jo vetëm vendeve anëtare të prekura, që të kërkojë si zgjedhje të fundit, në raste specifike, rikthim të përkohshëm të vizave ndaj vendeve përfituese problematike.

Duke shpjeguar për RTSH, Tove Ernst, zëdhënëse e KE tha se: “Së pari, ne e kemi një mekanizëm për pezullimin e vizave në fuqi me rregulloren tonë të vizave dhe ajo që bëjmë tani është përforcimi i këtij mekanizmi, në mënyrë që të forcojmë politikën tonë të liberalizimit të vizave. Nuk është një mekanizëm për pezullimin e vizave vetëm ndaj një vendi, apo rajoni, por u takon më shumë se 60 shteteve me të cilat ne kemi marrëveshje për regjimin e lirë të udhëtimit. Në themel, kjo mundëson rivendosjen e vizave, në mënyrë më të shpejtë se përpara, megjithëse nuk është përdorur edhe më parë, por tani vendimi mund të merret më shpejt, në rastet e dyndjes së migrantëve të parregullt dhe të rrezikshmërisë së lartë të sigurisë. Kjo bëhet vërtetë me synimin e forcimit të politikës sonë, për të mundësuar vazhdimin e dialogut të vizave, si dhe për të forcuar marrëdhënien me ato vende, me të cilat ne kemi regjimin e lëvizjes pa viza”.

I njëjti motiv shtyn Unionin që të paraqesë Sistemin Europian të Informacionit të Udhëtimit (ETIAS), ashtu siç funksionon aktualisht për SHBA dhe Kanada, por që në Europë pritet të hyjë në fuqi vetëm në fillim të vitit 2021.

“ETIAS, sistemi europian i autorizimit të informacionit të udhëtimit, nuk është aspak vizë, por tërësisht diçka tjetër, që synon të lehtësojë udhëtimin pa pengesa të atyre që duan të hyjnë në BE. Pra është një sistem, në të cilin ne mund të verifikojmë nëse ata përbëjnë rrezik për sigurinë publike, apo janë emigrantë të parregullt, përpara se të paraqiten në kufi” tha Tove Ernst, zëdhënëse e KE.

Sipas saj “Aplikimi “online” për këtë merr vetëm pak minuta dhe ju nevojiten të dhënat e pasaportës.

“Ne presim që në 95 për qind të rasteve, aplikuesit të marrin menjëherë përgjigje pozitive për autorizim të udhëtimit” tha zëdhënësja e KE për RTSH.

“Kjo do të na mundësojë verifikimin për rrezikun përpara kalimit të kufirit, për të parandaluar që njerëzit të refuzohen pasi të kenë ardhur deri në kufi, pasi informacioni do të jetë marrë përpara se të kryhet udhëtimi, që ata mund ta planifikojnë. Formulari plotësohet përmes internetit dhe brenda pak minutash merret përgjigja, që duhet treguar në kufi. Kjo nuk i takon veç një shteti apo një rajoni, por për të gjithë qytetarët që lëvizin pa viza në Europë, të cilët duhet ta plotësojnë në kohë përpara se të kalojnë kufirin, ku do të verifikohet. Kjo kushton 5 euro dhe është e vlefshme për 5 vjet. Pra, është një procedurë shumë e thjeshtë, efiçente dhe mjaft e kuptueshme për përdoruesit, çfarë synon gjithashtu vazhdimin e politikës sonë për liberalizimin e vizave dhe për të mbajtur marrëdhënien egzistuese me vendet që kemi regjim të lëvizjes së lirë. Pra, është një element që forcon marrëdhënien tonë dhe lëvizjen e lirë të udhëtarëve. Ky është qëllimi”, sqaron Tove Ernst, zëdhënëse e KE.

Ajo shton se “në një numër mjaft të ulët rastesh, do të na nevojitet të verifikojmë informacione shtesë, nëse paraqitet ndonjë shqetësim për sigurinë, apo për migracionin e paligjshëm dhe sistemi do të na tregojë – u tregon autoriteteve dhe ata shqyrtojnë manualisht më pas rastet përkatëse. Për një pjesë të tyre, përgjigja pritet të mbërrijë brenda 2 javësh, ndërsa në rastë të rralla, vërtetë, për 1 deri në 2 përqind, kur parashikohet që të ketë një rrezik potencial për sigurinë e migracionin e rregullt, hyrja mund të refuzohet. Gjithësesi, personi në këtë rast duhet të ndërmarrë veprime dhe të apelojë ndaj autoritetit, pra ka masa sigurie edhe për individët. Por për shumicën dërrmuese të udhëtarëve, përgjigja dorëzohet menjëherë dhe për një numër të ulët rastesh, brenda pak ditësh. Pra, ne presim një numër tepër shumë, shumë të ulët refuzimesh për këtë autorizim” thotë për RTSH Tove Ernst, zëdhënëse e KE.

Të moshuarit, ose personat që nuk kanë qasje në internet, apo nuk kanë llogari bankare, mund ta bëjnë kërkesën përmes të afërmve të tyre, apo agjencive të udhëtimit.

Në rast të kundërt, aplikimi mund të bëhet edhe në kufirin hyrës europian, pasi parashikohet vendosja e pajisjeve të posaçme për këtë qëllim, por kjo mund të shkaktojë radhë të gjata e vonesa për udhëtarët e pranuar, ndërkohë që të refuzuarit do të kthehen në atdhe për nisjen e procedurës së ankesës ndaj autoritetit europian shkaktar për këtë refuzim.

Një mekanizëm i tillë ekziston, megjithëse nuk është përdorur ende, pasi u kërkua, fillimisht në 2010, nga shtetet anëtare përpara se Këshilli i BE-së të vendoste për liberalizimin e vizave me Shqipërinë e Bosnjën dhe ngjashëm, ai pritet të shfrytëzohet edhe për vendet e tjera të dialogut në të ardhmen, përfshirë Kosovën.

Në dallim nga mekanizmi ekzistues, versioni i pajtuar së fundmi mes institucioneve të BE-së, midis të tjerash, i mundëson edhe Komisionit, jo vetëm vendeve anëtare të prekura, që të kërkojë si zgjedhje të fundit, në raste specifike, rikthim të përkohshëm të vizave ndaj vendeve përfituese problematike.

Duke shpjeguar për RTSH, Tove Ernst, zëdhënëse e KE tha se: “Së pari, ne e kemi një mekanizëm për pezullimin e vizave në fuqi me rregulloren tonë të vizave dhe ajo që bëjmë tani është përforcimi i këtij mekanizmi, në mënyrë që të forcojmë politikën tonë të liberalizimit të vizave. Nuk është një mekanizëm për pezullimin e vizave vetëm ndaj një vendi, apo rajoni, por u takon më shumë se 60 shteteve me të cilat ne kemi marrëveshje për regjimin e lirë të udhëtimit. Në themel, kjo mundëson rivendosjen e vizave, në mënyrë më të shpejtë se përpara, megjithëse nuk është përdorur edhe më parë, por tani vendimi mund të merret më shpejt, në rastet e dyndjes së migrantëve të parregullt dhe të rrezikshmërisë së lartë të sigurisë. Kjo bëhet vërtetë me synimin e forcimit të politikës sonë, për të mundësuar vazhdimin e dialogut të vizave, si dhe për të forcuar marrëdhënien me ato vende, me të cilat ne kemi regjimin e lëvizjes pa viza”.

I njëjti motiv shtyn Unionin që të paraqesë Sistemin Europian të Informacionit të Udhëtimit (ETIAS), ashtu siç funksionon aktualisht për SHBA dhe Kanada, por që në Europë pritet të hyjë në fuqi vetëm në fillim të vitit 2021.

“ETIAS, sistemi europian i autorizimit të informacionit të udhëtimit, nuk është aspak vizë, por tërësisht diçka tjetër, që synon të lehtësojë udhëtimin pa pengesa të atyre që duan të hyjnë në BE. Pra është një sistem, në të cilin ne mund të verifikojmë nëse ata përbëjnë rrezik për sigurinë publike, apo janë emigrantë të parregullt, përpara se të paraqiten në kufi” tha Tove Ernst, zëdhënëse e KE.

Sipas saj, “Aplikimi “online” për këtë merr vetëm pak minuta dhe ju nevojiten të dhënat e pasaportës. “Ne presim që në 95 për qind të rasteve, aplikuesit të marrin menjëherë përgjigje pozitive për autorizim të udhëtimit” tha zëdhënësja e KE për RTSH.

“Kjo do të na mundësojë verifikimin për rrezikun përpara kalimit të kufirit, për të parandaluar që njerëzit të refuzohen pasi të kenë ardhur deri në kufi, pasi informacioni do të jetë marrë përpara se të kryhet udhëtimi, që ata mund ta planifikojnë. Formulari plotësohet përmes internetit dhe brenda pak minutash merret përgjigja, që duhet treguar në kufi. Kjo nuk i takon veç një shteti apo një rajoni, por për të gjithë qytetarët që lëvizin pa viza në Europë, të cilët duhet ta plotësojnë në kohë përpara se të kalojnë kufirin, ku do të verifikohet. Kjo kushton 5 euro dhe është e vlefshme për 5 vjet. Pra, është një procedurë shumë e thjeshtë, efiçente dhe mjaft e kuptueshme për përdoruesit, çfarë synon gjithashtu vazhdimin e politikës sonë për liberalizimin e vizave dhe për të mbajtur marrëdhënien egzistuese me vendet që kemi regjim të lëvizjes së lirë. Pra, është një element që forcon marrëdhënien tonë dhe lëvizjen e lirë të udhëtarëve. Ky është qëllimi” sqaron Tove Ernst, zëdhënëse e KE:

Të moshuarit, ose personat që nuk kanë qasje në internet, apo nuk kanë llogari bankare, mund ta bëjnë kërkesën përmes të afërmve të tyre, apo agjencive të udhëtimit.

Në rast të kundërt, aplikimi mund të bëhet edhe në kufirin hyrës europian, pasi parashikohet vendosja e pajisjeve të posaçme për këtë qëllim, por kjo mund të shkaktojë radhë të gjata e vonesa për udhëtarët e pranuar, ndërkohë që të refuzuarit do të kthehen në atdhe për nisjen e procedurës së ankesës ndaj autoritetit europian shkaktar për këtë refuzim.

Arta Tozaj-TVSH

KISHA KATOLIKE I ZBON POLITIKANËT, GREKU JANULLATOS U BËN JATAK – Nga KOLEC TRABOINI

E pashëmbëllt ajo çfarë ndodhi në këtë Krishtlindje 2016. Një akt historik mund të themi. Kisha Katolike e bindur më së fundi edhe ajo se shkaktarët e shkatrrimit të Shqipërisë janë politikanët shqiptarë, vendosi që të mos pranojë asnjë politikan në festimin e Krishtlindjes, dhe ta festonte atë me besimtarët e vet, njerëzit e thjeshtë. Dhe ashtu ndodhi. Mirëpo djajtë për të janë djaj. Dreqër me brirë. Ata i nxjerr nga dera dhe hyjnë si lukuni nga dritarja. Po kësaj radhe kjo kastë e fëlliqur politike, këta hajdute që vunë pasuri përrallore, ja mësyni Kishave Orthodokse, të bindur se shërbetori i grekëve që ka uzurpuar kryesinë e Autoqefales së Fan Nolit do ti pranonte. Dhe kishin të drejtë në pandehmën e tyre. Greku dinak i pranoi djajtë e politikës, u bëri jatak,u foli fjalë miradie, ua bëri mendjen çorbë greke, sepse ata në të vërtetë punojnë në të njëjtën linjë me politikat e tij dhe ato të Greqisë që duan greqizimin e Jugut të Shqipërisë dhe shkatrrimin e Veriut. Kësisoj në këtë festë Krishtlindjesh festuan edhe djajt. Djajt e politikës dhe misionari i Greqisë që ka uzurpuar Kishën Orthodokse dhe ka shkatrruar Autoqefalinë me ndihmën e po këtyre djajve antishqiptare Janullatosi është një gozhdë e ngulur në zemër të shqiptarizmës. Ne Krishtlindje ngriti meshë greqisht sikur të ishim shtet raja i Greqisë. Përmbys Noli në varr atje në Forest Hill të Bostonit. Po shqiptarët edhe në kohë të turkut ngrinin meshë shqip e ky na solli grekofoninë. Është një agjent i mirefilltë i inkuadruar në qëllimet shoveniste të skuadroneve ultranacionaliste greke. Ai duhet të shporret nga Shqipëria. Mjaft më! Qëndrimi i tij edhe më tej në krye të Kishës Orthodokse Shqiptare është një katastrofë kombetare. Në foto flamuri i vjetër grek mbi Katedralen e Janullatosit në qendër të Tiranës për të cilën kemi shkruar kohë më parë. Dhe portreti i grekut Janullatos me mbishkrimin 25 vjet në Shqipëri në meshë nuk flet shqip, por greqisht sepse kështu është urdhëruar nga Megaloidheja shoveniste e Athinës. 25 dhjetor 2016

Zbatimi i vettingut nis në 28 dhjetor

Ligji i vettingut do te nise zbatimin javën e fundit te këtij viti. Gjykata Kushtetuese duhet te publikoje deri te martën e 27 dhjetorit vendimin e arsyetuar dhe sipas ligjit te ri te kushtetueses, ky është momenti kur vendimmarrja e gjyqtareve hyn ne fuqi.

Një dite me pas, ne 28 dhjetor, nis zbatimi i ligjit për rivlerësimin e prokuroreve dhe gjyqtareve dhe afati i pare është ai për plotësimin e formularëve.

Janë 3 formularë qe te gjithë prokuroret dhe gjyqtaret duhet te plotësojnë; një per pasurinë, nje për lidhjet me krimin dhe nje për aftësitë profesionale.

Vettingu: 30 ditë kohë për prokurorët dhe gjyqtarët të dorëzojnë deklaratat e pasurisë

Afati për dorëzimin e formularëve është 30 ditë dhe do të nisë nga zbatimi menjëherë pasi të zbardhet vendimi  i gjykatës  Kushtetueses për ligjin për rivlerësimin kalimtar të prokurove dhe gjyqtareve, edhe pse afati i dorëzimit të këtyre formularëve duhej të niste të llogaritej  nga hyrja në fuqi e ligjit që u miratua në 30 gusht në një seance te jashtëzakonshme nga Kuvendi.

Duke përjashtuar ditët që ky ligj qëndroi i pezulluar po me vendim të Kushtetueses, atëherë subjekteve të këtij ligji i duhej që të përmbushnin detyrimin e dorëzimit të formularëve brenda 10 ditëve.

Por, duke qenë që kjo periudhë 10 ditore përkon dhe me pushimet për shkak të festave të fundvitit, me sa duket për t’u dhënë një kohë të mjaftueshme të gjithë prokurorëve dhe gjyqtareve, është vendosur që afati të llogaritet nga data e zbardhjes së vendimit të Kushtetueses.

Të gjithë ata që nuk i depozitojnë formularët brenda këtij afati nuk do t’i nënshtrohen skanimit të Vetting-ut, dhe automatikisht duhet të dorëhiqen nga detyra e tyre. /TvKlan

Meta refuzon sërish Ramën, ja si i përgjigjet për koalicionin vitit 2017

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë Asamblesë Kombëtare të PS-së i çoi një sinjal të qartë presioni kur tha se do të shkojnë në koalicion me LSI-nënë zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, duke theksuar se socialistët do të fitojnë edhe pa Metën.

Sot, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta pasi uroi besimtarët e krishterë festën e Krishtlindjes, refuzoi sërish t’i përgjigjej ftesës së Ramës për koalicionin.

Meta ndoqi për disa momente meshën e zhvilluar në Tiranë, por në dalje është ngacmuar nga gazetarët për ftesën që kryeministri Rama i bëri për koalicion.

“Uroj gjithë besimtarët të krishterë më shumë paqe harmoni dhe mirëkuptim me njëri-tjetrin. Më shumë vëmendje për ata që janë në gjendje më të vështirë në mënyrë që shoqëria jonë të gëzojë një harmoni dhe peqe shpirtërore. Është një ditë reflektimi edhe në këtë drejtim sidomos për ata që janë më shumë në vështirësi për të qenë më të integruar në shoqërinë tonë”, u shpreh Meta.

Pyetje: Z. Rama ju bëri një ftesë publike për koalicion ka LSI një qëndrim për këtë?

Meta: Unë mendoj se sot është dita e shpresës për të gjithë, i uroj të gjithëve mbarësi dhe solidaritet.

KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË MESAZH PËR KRISHTLINDJET 2016

 

 Mposhtja e arrogancës

 

Klerit dhe popullit besimtar

 

Bij fort të shtrenjtë më Zotin,

                 

                          “Zbrazi veten e tij duke marrë formë shërbëtori…” (Filip. 2:7)

                         “Bir na lindi ne” (Is. 9:6)

 

Të vërtetat që burojnë nga e kremtja e Krishtlindjes, befasojnë. Të magjeps qetësia, pafajësia fëmijërore, ngazëllimi, dashuria, lavdërimi dhe shpresa. Por ka edhe diçka tjetër brenda kësaj të kremteje, e cila shpesh nuk vihet re: mposhtja e arrogancës, e një prirjeje që e çon gjininë njerëzore në konflikte të frikshme, në tragjedi dhe rrugë pa krye.

Krishti “nuk erdhi me arrogancë” (1 Klementit), thekson ati apostolik, Klementi i Romës. Ngjarjet që lidhen me ardhjen e Perëndinjeriut, me anë të fytyrës rrezatuese të Foshnjës Hyjnore, e shfuqizojnë në mënyrë mahnitëse joshjen e arrogancës. Perëndia i Pashprehshëm, i Pakonceptueshëm dhe i Tërëfuqishëm, duke marrë natyrën njerëzore, nuk përzgjedh pamjen e një të dituri të pranuar nga të gjithë, të një gjigandi të fortë, të një perandori të fuqishëm. Ai vjen si foshnjë, si fëmijë i pafajshëm, që gjatë gjithë  jetës së Tij, “e zbrazi veten duke marrë formë shërbëtori” (Filip. 2:7). Ai iu kundërvu çdo forme të arrogancës: pushtetit gjakatar të Herodit, egoizmit arrogant fetar të farisenjve dhe skribëve, krenarisë së pushtetshme të Pilatit.

Arroganca nuk ka reshtur kurrë së minuari bashkëjetesën paqësore të njerëzve dhe përparimin e shoqërisë. Dhe sot, mbi 2000 vjet pas Lindjes së Krishtit, arroganca vijon ta sundojë njerëzimin me mënyra nga më të ndryshmet. Karakteristika autentike e arrogancës na zbulohet nga shën Joan Gojarti: “Arroganca shfaqet tek ata njerëz që, ndërsa nuk janë asgjë, i mendojnë të gjithë tjerët poshtë vetes”. Arroganca shoqërohet nga zemërngurtësia, padrejtësia, paranoja, dhuna. Ajo nuk respekton dinjitetin dhe lirinë e të tjerëve. Mbi të gjitha, arroganca e përbuz të vërtetën; sipas shprehjes së shën Klementit,  ajo “vepron larg së vërtetës”. Shkakton çdo lloj katastrofe, duke udhëhequr shpesh drejt vetëshkatërrimit.

Sot të gjithë e pranojnë nevojën e paqes së përbotshme dhe të solidaritetit. Por, ajo që zakonisht injorohet dhe është një e vërtetë e vyer, është fakti se e kundërta e paqes dhe e drejtësisë nuk është lufta dhe shfrytëzimi ekonomik, por egocentrizmi- rrënja e arrogancës. Egocentrizmi i individëve, i grupeve, i kombeve.

Virusi i arrogancës transformohet më tej duke ndotur rrezikshëm shumë njerëz dhe jo vetëm ata që ndodhen në pozita të larta politike, akademike dhe kishtare. Shfaqet edhe te njerëzit inteligjentë dhe me integritet, por edhe te të pashkolluarit dhe mendjengushtët; ndot të pasurit dhe të varfrit.

* * *

Rreziku i arrogancës, me metastazat dhe format e shumëllojta, vihet re veçanërisht dhe në mënyrë të përsëritur, tek ata që zënë poste të larta.   “Sa  më  i madh të jesh, aq më tepër përule veten tënde dhe do të gjesh hir para Zotit” (Urtësia e Sirakut 3:18). Literatura biblike dhe ajo patristike thellohen dhe e theksojnë këtë të vërtetë, se “Perëndia u kundërvihet kryelartëve, por të përulurve u jep hir”.

Sigurisht, ritmet e sotme  të shoqërisë miklojnë forma të shumëllojshme të arrogancës dhe janë në kundërshtim me frymën e përulësisë, që transmeton e kremtja e Krishtlindjes. Ky mesazh humbet brenda zhurmës shurdhuese të dukjes dhe luksit, brenda shkëlqimit të rremë dhe fantazmagorisë. Përulësia dhe thjeshtësia në epokën tonë, e cila rend pas kënaqësisë, duken si gjëra jashtë vendi dhe kohe. Madje edhe brenda mjediseve kishtare, pavarësisht se flitet shumë për përulësinë, mënyra e të menduarit dhe e sjelljes shpesh tradhton një mendim të lartë për veten, që është i gabuar.

Pavarësisht nga këto, mposhtja e arrogancës që u realizua me ardhjen e Fjalës së Perëndisë dhe përulësia sipas Krishtit përcaktojnë në mënyrë të qëndrueshme të fshehtën e fuqisë shpirtërore dhe të rrezatimit të Kishës, të shoqëruar me dashurinë sakrifikuese “të atyre që kërkojnë Zotin”. Antidotin e efektshëm ndaj egocentrizmit kancerogjen na e ofron Jisu Krishti – i Cili lindi në mënyrë të përulur dhe e përfundoi misionin e Tij me përulësinë e skajshme të Kryqit- me shembullin e Tij, me fjalën e Tij: “Mësoni nga unë, se jam i butë dhe i përulur në zemër, dhe do të gjeni prehje në shpirtrat tuaj” (Matth. 11:29).

Rrezatimin e Hirit të Krishtit, e kuptojmë dhe e pranojmë veçanërisht me misterin e Eukaristisë Hyjnore. Ky mister thekson mbi gjithçka tjetër përulësinë e Tij të skajshme dhe transmeton në mënyrë diakronike Hirin e Tij te njerëzimi. Dhe vazhdon të jetë, ashtu siç u shpall me fuqi në Sinodin e Shenjtë dhe të Madh të orthodhoksëve në qershor 2016, qendra kryesore e jetës shpirtërore orthodhokse dhe e unitetit të Kishës.

“Krishti, Perëndia ynë i vërtetë, që lindi në shpellë dhe u shtri në grazhd” le të na çlirojë nga çdo formë e dukshme apo e fshehtë e arrogancës dhe nga çdo lloj robërie ndaj egocentrizmit dhe varianteve të tij të shumëllojta. Dhe le të na bëjë të denjë të jetojmë me përulësi e thjeshtësi shpirti, duke ndjekur gjurmët e Tij.

 

Krishtlindje të gëzuara!

Viti i Ri qoftë i bekuar dhe krijues!

 

Me dashuri të tërëshpirtshme në Krishtin,

Anastasi

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

Arrestohen dy anëtarë të bandës famëkeqe të Cërrikut të dënuar për 16 vrasje

Policia e Elbasanit ka bërë të mundur kapjen e dy prej personave më të rrezikshëm që ishin në kërkim në Shqipëri, si pjesë e ish bandës famëkeqe të Cërrikut.

Burime zyrtare të policisë bëjnë me dije se në pranga është vënë Meti  Bozi, 58 vjeç  banues në Cerrik.

Ai është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë në 2016 me burgim

të përjetshëm.

Bozi akuzohet për veprat  penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim, 6 herë, vrasjes në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim, 16 herë.

Po ashtu, nga ana e policisë është bërë e mundur prangosje edhe e Skënder Cano, 61 vjeç banues Cërrik.

Ai u arrestua pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë në 2016 e ka dënuar me 13 vjet burg, për veprat penale të “Vrasjes në  rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim,6 herë, vrasjes në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim,16 herë.

Jemi një vend i pasur, por me xhepa të grisur – Nga Marin Mema

Shqipëria është vendi i vetëm në botë që ka pafund pasuri turistike në një hapësirë kaq të vogël, por që nuk di t’i përdorë ende siç duhet.

Ka një vijë bregdetare të mrekullueshme, e cila ose është mbytur në ndërtime betonizuese ose nuk ka infrastrukturë dhe projekte të denja për t’i kthyer në destinacione të mirëfillta turistike. Sot pjesë të tëra, siç është gjiri i Kepit të Rodonit, bregdeti i Fierit, plazhi i Godullës, Rrushkullit, presin një zhvillim të vërtetë në trajtë turizmi jo më spontan e të paorganizuar, por të vendosur në binarët zhvillimorë evropianë.

Shqipëria ka mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit malor e megjithatë, jo për faj të tyre, shqiptarët në masë dërrmuese shkojnë në Mavrovë, Kolashin e gjithkund tjetër. Sigurisht, ka një grup vendesh që vitet e fundit janë zhvilluar, siç është rasti i Razmës, Thethit, Vermoshit, Dardhës, Valbonës, Voskopojës etj., por për t’u kthyer në destinacione të mirëfillta duhet shumë më shumë. Duhen investime të zgjuara e me mbështetje, duhen pista skish, duhen teleferikë, duhet gjithçka që banorët nuk mundet ta bëjnë të vetëm.

Nëse viziton parkun kombëtar të Shebenikut në Librazhd është e vështirë të mendosh se diku tjetër mund të ketë falur natyra kaq shumë, e po kështu në Gërmenj, Vithkuq, Lëpushë, Qafë Shtamë, Dumre, Prespë, Hotovë… Shqipëria është një mrekulli e falur nga natyra, sigurisht aty ku barbarët nuk janë hedhur duke masakruar pyjet.

Ky vend ka monumente kulture në çdo cep, por diku nga mosmirëmbajtja, diku nga shpërfillja e instinkti shkatërrimtar që na shoqëron ato ose flenë ose kanë humbur ose nuk shfrytëzohen siç duhet. E sigurisht këtu nuk flitet vetëm për destinacionet e përhershme, siç janë Butrinti, Apollonia, Kruja, Antigoneja etj., sepse Shqipëria ka shumë mundësi të tjera që do t’i shtoheshin një liste të gjatë vlerash. E vështirë të mendosh se veç banorëve të zonave ka të tjerë që njohin, p.sh. kalanë e Kardhiqit, atë të Zhulatit jo larg Tepelenës, qytetin e Nikaias në zemër të Mallakastrës, atë të Sardës pak km nga Shkodra, kalatë e Qinamit, Gurit të Bardhë apo vlera si ajo që përcjell kalaja e Grezhdanit në Dibër e kështu me radhë. Të gjitha këto vlera dhe mund të renditen pafund të tjera, si Albanopoli, Dimali, Palokastra, Dorëzi, Ndroqi, Vigu, Kalaja e Kratulit, Matohasanajt, varret unikale ilire në Selcë të poshtme, Hija e Korbit, Hadrianopoli, Irmaj, Gurëzeza, Kalaja e Sopotit në Borsh, ajo e Këlcyrës, Leklit, Olympes, Laçit, Pogradecit e madje edhe ajo me histori të jashtëzakonshme e Drishtit, flenë në pritje që dikush të kujtohet, jo thjesht për t’i renditur ndër regjistra, por për t’i rikthyer në vende vërtet të vizitueshme. Janë kaq shumë e kanë secila aq histori sa vështirë se turistët e huaj, ata për të cilët trumbetojmë, nuk do të donin t’i vizitonin.

Edhe më shumë meritojnë qytetet e lashta të Orikut, Bylisit, Amantias, të cilat ende njihen e vizitohen shumë pak, krahasuar me historinë që mbartin.

Një destinacion të jashtëzakonshëm do të përbënte turizmi me vizitat e shpellave apo speleologjik, siç njihet më së shumti. Ky vend ka lumenjtë, liqenet, ka legjenda që shoqërojnë thuajse çdo zonë, ka tradita e shumëçka që do të duhej të tërhiqte turistë të pafundmë. Sigurisht, gjërat kanë nisur të ndryshojnë për mirë e Shqipëria po fillon të kthehet në një trend, por kjo s’do të thotë se duhet të mjaftohemi me kaq. Nuk mundet më të kënaqemi me turistë disa orësh në Gjirokastër, Berat, Sarandë etj., por duhet të gjejmë mënyrën për t’i mbajtur sa më gjatë këtu e mundësitë ekzistojnë.

Shqipëria është një vend i jashtëzakonshëm, duhet vetëm të dimë ta njohim, ta kuptojmë e ta pranojmë si të tillë. Deri sot nuk e kemi bërë, përkundrazi jemi një vend i pasur, por me xhepa të grisur.

Dokumenti: Ja pse do të shkarkohet Kokëdhima nga PS

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste është mbledhur sot për të zgjedhur strukturat e saj, por një nga pikat më të rëndësishme të mbledhjes është shqyrtimi i propozimit për shkarkimin e Koço Kokëdhimës nga detyra e sekretarit për Reformën Strukturore dhe Emigracionin.

“BalkanWeb” ka zbardhur kërkesën e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare për shkakrimin e tij. Në tekstin e kërkesës thuhet se Kokëdhima prej disa mujash ka krijuar shqetësim në bazën e partisë dhe ka përdorur retorikë përçarëse si dhe aktivitet vetjak të shkëputur nga veprimtaria e partisë.

KËRKESA
Mbështetur në Statutin e Partisë, Neni 18 “Detyrat e asamblesë”, Neni 22 “Masat disiplinore”, Neni 71 “Votëbesimi” si dhe në Rregulloren e AK “Për votëbesimin në parti”:

Bazuar në faktet se Sekretari për Reformën Strukturore dhe Emigracionin Koço Kokëdhima, prej disa muajsh ka krijuar një shqetësim konstant në bazën e partisë me retorikën përçarëse dhe me aktivitetin vetjak të shkëputur nga kuadri i veprimtarisë së partisë, të përcaktuar nga Asambleja Kombëtare dhe Kryesia e Partisë Socialistë;

Bazuar në nenet 18, 22 dhe 71 të Statutit të PSH si dhe në nenet 1, 2, 3 dhe 4 të Rregullores për Votëbesimin në Parti”, kërkojmë:

Shkarkimin e Koço Kokëdhimës nga detyra e Sekretarit për Reformën Strukturore dhe Emigracionin të PSSH-së.

Anëtarët e Asamblesë Kombëtare

Defekt në motor: Momente paniku në aeroplanin e linjës Prishtinë-Dyseldorf…

Ulja emergjente e aeroplanit që po fluturonte nga Prishtina në Dyseldorf ka shkaktuar një panik të madh por pa të lënduar . Sipas mediave gjermane aeroplani me mbi 200 pasagjer shumica romë ka bërë një ulje urgjente në Aeroportin e Munihut pasi kishte pasur disa probleme serioze. Për fat të mirë, ulja e dështuar në Dyseldorf është kryer me sukses në Munih dhe të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi janë të sigurt. Sipas informacioneve të dhëna nga Aeroporti i Munihut, aeroplani që po fluturonte nga Prishtina në qytetin tjetër gjerman, ka pasur një defekt të motorit të avionit që edhe kishte shkaktuar panik të madh.

Berisha në Kuvend: U largova me hu nga pushteti, Osli Rama trafikon kokainë

Ish-Kryeministri, Sali Berisha ka deklaruar nga salla e Kuvendit se vendi ynë nuk ka asnjë mundësi që të marrë hapjen e negociatave me BE-në. Berisha tha se kjo ka lidhje me largimin masiv të shqiptarëve dhe gjendjen e krimit në vend duke iu referuar lidhjes së zyrtarëve të lartë me kriminelë dhe kultivimin e lëndës narkotike.

“Nuk ka hapjen negociatash, harrojeni”, tha Berisha, i cili më tej ka lëshuar akuza të rënda ndaj Edi Ramës, vëllait të tij Olsi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

“Po ti je një kriminel i paskrupullt, ku ta denoncojë te ty dhe Edi Rama. Kjo është vepër e jotja dhe e Edi Ramës”, iu drejtua Berisha Tahirit.

“Olsi Rama, me makinën e Gentian Gjonajt është përfshirë në trafik kokaine. Kam pesë dalje kufiri me data”, tha Berisha.

Berisha foli për dhënie urdhri nga Rama për lirimin e Lulzim Berishës dhe gjithashtu tha se për takim të kreut të qeverisë me Emiljano Shullazin, para se ky i fundit të arrestohej.

Ndërhyrjeve të deputetëve të majtë nga vendi, Berisha iu përgjigj se i ka larguar me hu pasi erdhët në pushtet me dhunë.

“Erdhët në pushtet me dhunë, ju përzura me hu, huri është vota në këtë rast. Mos përmendi 1997 se është turpi juaj”, u shpreh Berisha.

Në fund, Berisha foli edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare duke thënë se nuk mund të ketë zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër.

“Kurrë zgjedhje me të nuk mund të ketë. Një njeri që nuk bën zgjedhje në partinë e tij, një njeri që nuk lejon zgjedhje në partinë e tij, një njeri që nuk njeh kurrë votën, nuk mund të bëjë kurrë zgjedhje. T’i tregojmë vendin në mënyrë përfundimtare këtij balozi të krimit”, përfundoi Berisha,

Rama ik nga interpelanca, Blushi: Nxirreni, se shkoi të fshijë hundët

Pas përgjigjes që kryeministri i dha nga foltorja, ku i kujtoi se kushti i vetëm për integrimin është vetingu, ka marrë fjalën sërish Blushi, por ndërkohë kryeministri doli nga salla e Kuvendit.

“Nuk kisha dyshim, Rama e ktheu interpelancën në një miting mediokër, ministra qeshin dhe shumë të tjerë që s’duhet të ishin në këtë kuvend. Unë e thirra këtë interpelancë se doja tu thoja që Edi Rama s’ka aftësi për të qeverisur dhe është i paaftë, për detyrën që ka. Shumica e problemeve që lidhen me integrimin nuk janë për pasojë të paaftësisë së tij, do ishte e justifikueshme se paaftësia është defekt njerëzor, por ai është frikacak”- tha Blushi.

Ndërkohë duket Rama që lë vendin e tij në sallë dhe del nga seanca.

Blushi: Lerë të ikë se është frikacak,

Ndërhyn Leskaj

Blushi: Zonja Leskaj, më lejoni të flas.

Deputetet flasin nga vendi

Blushi: Është frikacak Vangjel edhe frikacak i paaftë se frikacakët dridhen por rrinë në vend, ju që e mbështesni aty jeni problemi i Shqipërisë.

Ku e keni frikacakun, thoni të vijë në seancë, thirre Taulant të vijë se është në interpelancë, dua ti tregoj sa i paaftë është edhe si frikacak. Shkoni nxirreni nga aty se po fshin hundët..

Blushi akuza të forta Ramës: Je përgjegjës për bllokimin e integrimit

Me tone të ashpra, plot akuza direkte për Qeverinë dhe personalisht për kryeministrin Rama, deputeti Ben Blushi ka deklaruar nga foltorja e Kuvendit se është pikërisht i pari i qeverisë përgjegjës për bllokimin e integrimit dhe fajtori pse vendit nuk iu caktua datë për hapjen e negociatave me BE-në.

 

Në nisje të interpelancës urgjente që ai me 6 deputetë të tjera përfshirë demokratin Patozi, kërkuan me kryeministrin Rama për cështjen e integrimit të vendit, Blushi theksoi se Shqipëria është sot në një moment shumë të vështirë.

“BE nuk fiksoi një datë për negociatat me vendin tonë, edhe pse qeveria premtoi se do të ndodhte. Ministrat e Jashtëm të BE përcaktuan 5 kushte, pas plotësimit të të cilave negociatat edhe mund të hapen, ne mendojmë se kjo shtyrje nuk do e favorizojë Shqipërinë”- tha ai.

Blushi numëroi gjithë problemet e vendit që nga krimi, korrupsioni deri në rangjet elitare të politikës dhe akuzoi Ramën se jo vetëm nuk ka bërë gjë për ndryshimin e situatës, por përkundrazi i ka shtuar vendit të tjera halle dhe probleme.

“Sot nuk ka asnjë alibi se ka qenë Evropa që s’na ka pranuar, Evropa nuk paragjykon shqiptarët, por krimin, korrupsionin, ekonominë e kapur, informale, ka harxhuar 10 mld euro për ne. Këtu ka njerëz që duhet të mbajnë përgjegjësi e të japin llogari se elita politike është fajtore për korrupsionin, bashkëpunimin e hapur me krimin e organizuar se sot s’jemi në Evropë edhe pse jemi evropiane. Humbja më e madhe është shpresa dhe ajo po mbaron, sepse shqiptarët po pengojnë shqiptarët të bëhen evropiane dhe kjo është e vërteta. Bota përreth Shqipërisë po ndryshon, Evropa dhe tjetër nuk janë ata që më parë. Bota po hyn në fazë të re, që nuk dihet se do e favorizojë shqiptarët, bota po hyn në ngricë, nuk jemi në pranverë, por vjeshtën e integrimit, fuqi që kanë pasur ndikim negativ në historinë tonë po forcojnë rolin e tyre në kurriz të demokracisë. Ne e kemi pësuar mbi kurriz, sa herë që demokracia rrezikohet vendi izolohet, sa herë që demokracia kërcënohet, Shqipëria zvogëlohet. Krimi i organizuar, korrupsioni dhe ekonomia e dobët që nuk garanton progres, vende pune dhe cilësi. Ne nuk do lejohemi të shkojmë në Evropë si shqiptarë të korruptuar”- tha ai.

Pas debatit e replikave me nënkryetaren e Kuvendit, e cila i kujtoi disa herë se i mbaroi koha, Blushi kaloi në akuzat direkte për Ramën.

“Ne donin që ai të përgjigjej se sa e ka ndryshuar ritmin e integrimit, c’ka bërë për të ndarë krimin nga politika dhe sa e ka përmirësuar ekonominë e vendit dhe hapjen e vendeve të punës. Ne mendojmë se kjo qeveri dhe Rama ka bërë shumë pak, për të mos thënë që problemeve i ka shtuar edhe të tjera. Ai e ka parë integrimin diplomaci dhe jo cështje të brendshme, që duheshin përmbushur kushtet e caktuara.

Rama me politikën e tij të tolerancës miqësore përballë krimit politik po shton koston e përditshme, me cinizmin ndaj të varfërve, me sabotimin e reformës zgjedhore është personalisht përgjegjës për këtë vonesë.  Unë nuk kam shpresë se ai ka aftësi të pranojë të vërtetat dhe as përgjegjësinë për të ndryshuar mënyrën e qeverisjes së vendit, por jam këtu për ta dëgjuar”- tha ai.

Grabitja në Lezhë, Tahiri viziton në spital punonjësin e policisë e plagosur në operacion

TIRANE- Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka vizituar punonjësin e policisë në Spitalin Ushtarak, i cili mbeti i plagosur gjatë një operacioni për kapjen e autorit të grabitjes së sotme që ndodhi në autostradën Fushë-Krujë-Lezhë, në kryqëzimin e Arbërisë.

Autori kur ka parë makinën e policisë ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre dhe për pasojë ka mbetur i plagosur një punonjës i policisë i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Punonjësi i policisë Nikolin Gjergji ka marrë një plumb në kokë dhe po merr trajtim mjekësor.

Shqipëri: Pasuria e gjyqtarëve të apelit e pajustifikuar nga pagat

Zëri i Amerikës, në bashkëpunim me rrjetin investigativ BIRN, i hedh një vështrim pasurisë së gjyqtarëve të apelit, duke e krahasuar atë me të ardhurat e tyre nga pagat.

Pasuria e deklaruar e gjyqtarëve të Apelit rezulton të jetë pesëfishuar në dhjetëvjeçarin e fundit, duke arritur në afër 17 milionë dollarë.

Përpunimi i të dhënave nga Inspektoriati Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, dëshmon se ato janë dhjetëra milionë lekë më shumë se sa justifikohen nga pagat.

Dhjetëvjeçari i fundit ka shënuar një rritje të pasurive të raportuara të një pjese të gjyqtarëve të Apelit në Shqipëri, që ngrenë dyshime për mënyrën si janë siguruar.

Të dhënat e marra nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, të analizuara nga BIRN, tregojnë se gjyqtarët e Apelit kanë grumbulluar rreth 2 miliardë lekë, ose 17 milionë dollarë pasuri në formë pronash të paluajtshme, kompanish biznesi, apo vlerash monetare në banka dhe në të holla.

Deklarimet e tyre tregojnë një pesëfishim të pasurisë dhe janë dhjetëra milionë lekë më tepër se sa justifikohen nga pagat, që kanë përftuar gjatë 11 viteve të karrierës.

Në fillim të vitit 2004, pasuria e 81 gjyqtarëve të Apelit ishte vetem 3.2 milionë dollarë, ndërsa në fillim të vitit 2015, ata deklarojne se pasuria e tyre dhe e rrethit te ngushte familjar ka arritur në 17 milionë dollarë.

Në 11 vitet pas deklarimit fillestar të pasurisë, të ardhurat e tyre janë rritur me rreth 10 milionë dollarë. Mesatarisht çdo gjyqtar e ka shtuar pasurinë e tij me 12 mijë dollarë në vit, mbi shumën prej 9400 dollarësh, që është maksimumi i pagës vjetore për gjyqtarët e Apelit.

Analiza tregon se gjysma e pasurisë përbëhet nga investime në blerjen e pronave të patundshme, me një vlerë totale prej 8.8 milionë dollarësh deri në fund të 2014. Shpenzimet për blerje automjetesh kanë qenë të preferuara, duke kapur shifrën e 1.5 milione dollarëve.

Të dhënat nga Inspektoriati i Lartë tregojnë se gjyqtarët në fjalë kanë një aktivitet të shtuar financiar si marrje borxhesh, kredi bankare, ose hua nga familjarët.

Për sa i përket qarkullimit të vlerave monetare brenda dhe jashtë sistemit bankar, sipas të dhënave të shqyrtuara, deri në fund të vitit 2014, gjyqtarët kanë deklaruar likuiditete në bankë me një vlerë prej 3.8 milionë dollarësh, ose pesë herë më shumë se ajo e deklaruar në 2004.

Sistemi i Drejtësisë në Shqipëri është cilësuar nga një sërë vlerësimesh ndërkombëtare si ndër më të korruptuarit.

Dy ish presidentë dhe njëherazi ish kryetarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Alfred Mojsiu dhe Bamir Topi fajësojnë politikën.

“Te ne ka ndikuar shumë korrupsioni politik. Në gjyqë​sor, vetëkuptohet. Dhe korrupsioni politik i ka interesuar të dyja palëve. Shqiptarët thonë, në çdo sondazh që bëhet, që – drejtë​sia është në plan të parë përsa i përket korrupsionit. Ajo duhet të jetë mbi politikën. Në fakt politika i bën kë​to gjëra. Në shkurt të vitit 2013 kam thënë hapur që duhet revolucion në drerjtësi, sepse me vetëpastrim nuk bëhet, është e pamundur”, thotë ish presidenti Moisiu.

“Ka degjeneruar politika, me kalimin e viteve, dhe natyrisht virusin e saj e ka përcjellë edhe në institucione, ku pa dyshim më i dukshmi, ai ku është fokusuar më shumë vëmendja, është sistemi i drejtësisë. Influencë politike ka pasur në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe në mjaft institucione të tjera, ku vetë parlamenti dhe politika ka dashur që ta kontrollojë. Sot, fobia është që akoma politika kërkon të ketë kontrollin në sistemin e drejtësisë”, shprehet ish presidenti Topi.

Duke bërë një renditje, sipas pasurisë së deklaruar, në krye të listës qëndron gjyqtari, Gjin Gjoni, i cili zotëron, familjarisht, numrin më të madh të kompanive të biznesit he një vlerë pasurore që shkon në 1.6 milionë dollarë.

Me pas vjen gjyqtarja e Apelit te Vlorës, Gjinovefa Gaba, Zeqine Sollaku, Alaudin Malaj dhe Agim Bendo i Apelit të Tiranës. Vlera më të vogla pasurie kanë më pas Lefter Jahaj, Gurali Brahimllari i Apelit të Krimeve të Rënda, Fiqirete Mullaj, Vasil Hanxhari dhe Evjeni Sinoimeri. Në tërësi këta dhjetë gjyqtarë zotërojnë së bashku 800 milionë lekë pasuri.

Reforma në Drejtësi pritet të sjellë spastrimin nga gjyqtarët e prokurorët e corrupter në rradhët e sistemit të Drejtësi, si dhe të ndryshojë imazhin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të pakorruptuar.

PD ankimon si antikushtetues edhe ligjin për këshillat e gjykatave dhe prokurorive

Në Tiranë, Partia Demokratike e opozitës, ankimoi sot në Gjykatën Kushtetuese ligjin për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Sipas partisë kryesore të opozitës, ligji është antikushtetues në mënyrën se si zgjidhen anëtarët e këtyre dy institucioneve të reja të ngritura me reformën e drejtësisë.

Ligji i miratuar vetëm me votat e shumicës socialiste në seancën parlamentare të 3 nëntorit, pohon opozita, i heq parlamentit mundësinë për të zgjedhur anëtarët jogjyqtarë e joprokurorë në këto dy institucione.

Ky ankimim për këtë ligj të ri u bë vetëm një ditë para se Gjykata Kushtetuese të rimarrë në shqyrtim nesër ligjin e pezulluar të Vetingut, pas përgjigjeve që erdhën nga Komisioni i Venecias.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se reforma në drejtësi duhet të ecë si e parashikon Kushtetuta, me organe drejtësie të reja e të pavarura, dhe jo me institucione, që varen, kontrollohen dhe emërohen nga qeveria.

Nga ana tjetër, zoti Basha, tha se ligji i dekriminalizimit po jep rezultatet e para, duke pezulluar zyrtarët e parë, që kanë fshehur të dhëna kriminale.

Ai shtoi se opozita do të këmbëngulë në zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit, për të pastruar institucionet nga personat me të dhëna kriminale, si dhe do të kërkojë një reformë zgjedhore të besueshme për zgjedhje të rregullta në qershor.

Shumica socialiste e ka akuzuar opozitën se me ankesat e njëpasnjëshme po përpiqet të pengojë reformën në drejtësi, për të mbrojtur njerëit e saj në prokurori dhe gjykata.

Seks për një vend pune, sa vite burg kërkon prokuroria për Shukri Xhelilin

Prokuroria për Krime të Rënda, duke e gjykuar fajtor ka kërkuar dënimin me 4 vjet e 6 muaj burgim për Shukri Xhelilin, ish-kryetarin e Bashkisë Dibër.
Xhelili është në akuzë për korrupsion pasiv në formën e kërkimit të favoreve ndaj një vajze të re që e kishte punësuar.

Procesi ndaj tij është zhvilluar me gjykim të shkurtuar dhe pas kësaj, ai do të përfitojë uljen me 1/3 e denimit nëse gjykata e shpall fajtor.

DOSJA E PROKURORISE:

Në përfundim të hetimeve paraprake për këtë procedim penal kanë rezultuar të  provuara rrethanat e faktit si më poshtë:

Në datën 12.05.2016, në emisionin investigativ “Të paekspozuarit”, në televizionin “Ora News”, janë transmetuar disa pamje filmike, në të cilat shfaqet i pandehuri Shukri Xhelili, me detyrë Kryetar i Bashkisë Dibër, duke kërkuar në mënyrë të parregullt përfitime dhe favore seksuale në shkëmbim të emërimit dhe ngritjes në detyrë të punonjëses në Bashkinë Dibër, shtetases A.A.

Më konkretisht, ka rezultuar se në muajin Janar dhe Shkurt të vitit 2016 shtetasja A.A, me banim në Dibër, ka bërë përpjekje nëpërmjet formave të komunikimit në rrjetin social Facebook dhe më pas me anë të telefonit celular, për të marrë kontakte me të pandehurin Shukri Xhelili, Kryetar i Bashkisë Dibër, të cilit i ka prezantuar kërkesën për mundësinë e punësimit në ndonjë vënd pune pranë Bashkisë ose në vend pune tjetër.

I pandehuri Shukri Xhelili, me cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Dibër fillimisht është takuar me A. dhe i ka prezantuar faktin se nuk kishte vënde të lira pune, por në vijim do e kishte parasysh kërkesën e A. duke i kërkuar asaj të mbanin kontakte me anë të rrjetit social Facebook si dhe me anë të telefonit celular.

Pas disa takimesh, i pandehuri Shukri Xhelili në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë i ka kërkuar Anisës që të kishte një marrëdhënie intime kundrejt mundësisë për gjetjen e një vëndi pune, në Bashkinë Dibër, duke e kushtëzuar punësimin e shtetases A. A. vetëm nëse ajo pranonte të kishte një marrëdhënie intime me të pandehurin Shukri Xhelili.

Shtetasja A. e gjëndur para kësaj situate, ka regjistruar bisedat me Kryetarin e Bashkisë Dibër dhe e ka pranuar kushtin por që këtë favor seksual ta pranonte pasi të punësohej.

I pandehuri Shukri Xhelili, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Dibër, me vendimin me Nr.25, datë 26.02.2016, ka vendosur emërimin e shtetases A. në detyrën e magazinieres pranë Qëndrës Kulturore, në Bashkinë Dibër. Vendimi i emërimit të shtetases A. në pozicionin e mësipërm është marrë pa u kryer më parë ndonjë procedurë emërimi si dhe njëkohësisht pa u paraqitur ndonjë dokumentacion nga shtetasja A.

Në datën 26.02.2016 shtetasja A. është takuar me të pandehurin Shukri Xhelili në zyrën e këtij të fundit dhe ka rregjistruar bisedën e kryer midis tyre. Në këtë takim i pandehuri Shukri Xhelili ka nënshkruar vendimin e emërimit në punë dhe njëkohësisht i ka kërkuar shtetases A. që të dilnin së bashku atë ditë, se ishte përgatitur për atë ditë pasi kështu e kishin lënë, se ishte mprehur, se kishte një farë padurimi, se akoma nuk e kishte futur në dorë, se akoma nuk kishte pasur marrëdhënie intime. Nga ana tjetër, shtetasja A. i ka thënë se do të takoheshin ditën e hënë dhe se nuk po e gënjente.

I pandehuri Shukri Xhelili ka vijuar kërkesën e tij ndaj A. për të kryer marrëdhënie intime, duke i premtuar se në vijim mund t’i gjënte një vend pune më të mirë por gjithnjë nëse ajo do kryente më parë marrëdhënie intime.

Pas një sërë takimesh i pandehuri Shukri Xhelili me cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Dibër, ka lënë takim me A. në Tiranë me qëllim kryerjen e marrëdhënieve intime, kundrejt vëndit të punës që i kishte ofruar më parë Anisës dhe mundësisë në rregullimin e një vëndi tjetër më të mirë pune.

Në këtë mënyrë, në datën 13.04.2016 i pandehuri Shukri Xhelili është takuar me A. në Tiranë dhe pasi e ka marrë në automjetin e tij kanë shkuar në një hotel me qëllim për të kryer marrëdhënie intime. Pasi kanë shkuar në një nga hotelet e qytetit të Tiranës, i pandehuri Shukri Xhelili ka kryer veprime të drejtëpërdrejta dhe ka tentuar të kryente marrëdhënie seksuale me A. e cila duke gjetur justifikime, ka mundur të dalë nga dhoma dhe të largohet nga hoteli, pa kryer marrëdhënie seksuale, megjithë insistimin e të pandehurit Shukri Xhelili.

Shtetasja A. ka rregjistruar me një telefon celular dhe me një pajisje videorregjistruese bisedat dhe veprimet e kryera nga ana e të pandehurit Shukri Xhelili. Gjatë hetimeve paraprake janë bërë kërkimet e nevojshme për të gjetur telefonin konkret celular dhe pajisjen videorregjistruese me anë të të cilave shtetasja A. ka rregjistruar bisedat dhe veprimet e kryera nga i pandehuri Shukri Xhelili. Është kryer sekuestrimi i pajisjes video rregjistruese por nuk është është bërë e mundur sekuestrimi i telefonit celular pasi shtetasja A. nuk e ka më në përdorim aparatin celular me anë të të cilit ka kryer

Në rrethanat e mësipërme, i pandehuri Shukri Xhelili në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Dibër, ka kërkuar drejtëpërdrejtë nga shtetasja Anisa Alla përfitime të parregullta, konkretisht ka kërkuar përfitime dhe favore seksuale nga kjo shtetase, me qëllim për ta emëruar këtë të fundit si punonjëse në Bashkinë Dibër, si dhe me qëllim për ta sistemuar në një vënd më të mirë pune në të ardhmen.

Kërkesa për përfitime të karakterit seksual e të pandehurit Shukri Xhelili ka qënë si kusht që shtetasja Anisa Alla të punësohej në Bashkinë Dibër dhe të emërohej më pas në ndonjë pozicion tjetër më të mirë. Përfitimet e parregullta të karakterit seksual përfshihen tërësisht në anën objektive të nenit 260 të K.Penal, dispozitë e cila parashikon në përmbajtjen e saj “çdo lloj përfitimi të parregullt”, ku përfshihen si përfitimet materiale, përfitimet seksuale si dhe çdo lloj tjetër përfitim i parregullt.

Në rrethanat e mësipërme, i pandehuri Shukri Xhelili ka konsumuar të gjithë elementët e figurës së veprës penale “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuara nga neni 260 i Kodit Penal.

I pyetur në lidhje me akuzën në ngarkim të tij i pandehuri Shukri Xhelili nuk e ka pranuar atë duke pretenduar se nuk ka prova që vërtetojnë fajësinë e tij, pretendime këto që nuk qëndrojnë dhe vijnë në kundërshtim me burimet e provave të administruara gjatë hetimeve paraprake, nga te cilat provohet plotesisht fajesia e te pandehurit per vepren penale qe eshte akuzuar, shkruan “Panorama”.

Ligji për presidentin dhe ish-presidentët: Si po “hakmerren” socialistët ndaj Berishës

Projektligji i hartuar për institucionin e Presidentit parashikon për ish-presidentët përfitimin e banesës, rojes personale, staf mbështetës, ambiente zyre, tituj të përjetshëm etj. Nga ligji do të përftojnë edhe familjarët e presidentit dhe ish-presidentëve

 

Për herë të parë, për institucionin e Presidencës, do të ketë një Ligj Organik.

Ai konkretizon kompetencat kushtetuese dhe rregullat e bashkëpunimit me Kuvendin, Kryeministrinë dhe organet e drejtësisë.

Për herë të parë ligji detajon mënyrën e shkarkimit të Kreut të Shtetit kur është i paaftë për të kryer detyrën.

Neni 9 parashikon ngritjen e një Komisioni për të vërtetuar paaftësinë e Presidentit mendore e fizike.

Ky Komision vendos nëse është rasti i zëvendësimit të tij nga Kryetari i Kuvendit.

Sipas ligjit të ri, procedura për ngritjen dhe funksionimin e këtij komisioni do të përcaktohet në rregulloren e Kuvendit.

Po sipas nenit 9-të, Presidenti mund t’i kërkojë kryetarit të Kuvendit ta zëvendësojë përkohësisht nëse është i pamundur për të ushtruar detyrën”.

Projektligji i hartuar për institucionin e Presidentit parashikon për ish-presidentët, përfitimin e banesës, rojes personale, staf mbështetës, ambiente zyre, tituj të përjetshëm etj.

Nga ligji do të përftojnë edhe familjarët e presidentit dhe ish-presidentëve.

Konkretisht, projektligji parashikon që, personi i cili ka shërbyer si President i Republikës do të mbajë titullin e Presidentit të Republikës përjetë, përveç raste kur gjykata vendos heqjen e titullit, shkruan shqiptarja.com

Po ashtu, Presidentit i cili ka përfunduar mandatin e tij, i sigurohet një sipërfaqe për banim, pa pagesë. Ligji i ri parashikon gjithashtu që Presidentëve u sigurohet mbrojtje personale nga Departamenti i Personaliteteve, në varësi të Ministrisë përgjegjëse për rendin publik.

Ish-presidentët, sipas ligjit të ri, do të përfitojnë zyra dhe staf. “Presidenti i Republikës, të cilit i ka mbaruar mandati, përveç rastit të shkarkimit, ka të drejtë: (i) për ambient zyre deri në 100 m2 për kryerjen e aktivitetit të Tij; (ii) staf mbështetës të përbërë nga të paktën dy persona, dhe të drejtën e shfrytëzimit të makinës zyrtare dhe shoferit. Personat ndihmës të drejtat për marrëdhënie pune i realizojnë me institucionin e Presidentit të Republikës, ndërsa emërohen dhe shkarkohen nga Sekretari i Përgjithshëm, me propozim të ish kreut të shtetit, të cilit i ka mbaruar mandati. Shpenzimet për shfrytëzimin e makinës zyrtare përballohen nga buxheti i Presidentit të Republikës në detyrë”, thuhet në ligjin e ri, i cili pritet të miratohet në kundër të Reformës në Drejtësi.

Neni 64 i ligjit të ri parashikon gjithashtu se, pas mbarimit të funksionit, Presidenti i Republikës dhe anëtarët e tjerë të familjes ruajnë privilegjet dhe pasaportat diplomatike. Presidenti i Republikës, të cilit i ka mbaruar mandati, ka të drejtë për shpenzimet materiale për nevojat e realizimit të aktiviteteve të tij. Këto shpenzime sigurohen nga buxheti i shtetit, në përputhje me procedurën e përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave. “Në rast të vdekjes së Presidentit të Republikës pas mbarimit të mandatit, pensionin e përcaktuar në këtë ligj, të zvogëluar në masën 50%, e gëzojnë bashkëshortja e tij dhe fëmijët e mitur, deri në mbarimin e shkollimit të rregullt, respektivisht deri në moshën 25 vjeçare”, thuhet në ligj.

Presidentit të Republikës, të cilit i ka mbaruar mandati, përveç rastit të shkarkimit, në rast sëmundje, shpenzimet mjekësore të tij dhe të familjes i mbulohen nga buxheti i shtetit.

Në rast të vdekjes së Presidentit të Republikës, të cilit i ka mbaruar mandati, ceremonia mortore kryhet me nderime shtetërore dhe shpenzimet e shtetit, nëse nuk ka shprehur dëshirë tjetër.

Po ashtu, Presidenti i Republikës, të cilit i ka mbaruar mandati, merr pjesë në ceremonitë zyrtare duke zënë vend pas Presidentit të Republikës në detyrë, Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të Këshillit të Ministrave dhe pas Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

Ligji parashikon gjithashtu Presidenti i Republikës pas mbarimit të funksionit, mund të përfitojë shpërblime të tjera nga shteti, por shuma e tyre nuk mund të kalojë shumën e pagës së Presidentit në detyrë.

BIJTË NUK PËRMBYSËN ETRIT, POR TRASHËGUAN PUSHTETIN E TYRE?!!! – Nga BESIM NDREGJONI*

Njeriu është i lirë vetëm atëher kur i shërben të vërtetës.
– Sami Frashëri   

Shumica e popullsisë shqiptare  nuk e ndien veten të qetë , qoftë nga kujtimet e frikës së madhe të së kaluemes , qoftë për arsye  se kanë  “përkrahë” regjimin e terrorit stalinjan enverist,  bashkëudhëtarë me dhunë ose me dëshirë,  dhe ndihen të turpëruar  që kan mbajtë heshtjen  gjatë ditëve  kur ishte moralisht  imperative  me ngritë zanin e protestës.  Rrëzimi i sistemit komunistë e gjeti shoqërinë shqiptare  pa ndonjë elitë intelektuale, për arsye se pjesa më e madhe e saj  qe bërë njësh  me ideologjinë staliniste  totalitare. Sigurisht sherbetorët e regjimit  nuk mund të kishin një ndërgjegje qytetare  dhe aftësi  për të qënë udhëheqësit  e refleksioneve të thella  të daljes së shqiptarve  nga qorrrsokaku gjysëmshekullor komunist. Lëvizja e dhjetorit të viteve 90 ishte e pritshme nga ngjarjet që rrodhën në europën juglindore dhe me ramjen e Murit të Berlinit. Por përshpejtimi i kësaj lëvizje  tek ne  ndodhi me  vrasjen nga turmat të Causheskut liderit komunist rumun, që  pushteti politik diktatorial  në Shqipëri të  ndryshonte. I kam përjetuar ato ditë të dhjetorit 90 me një ndjesi të veçantë dhe me një besim të madh për ndryshimin e një sistemi diktatorial i  pa parë në të gjithë europën e pasluftës së dytë botërore,  por dhe si një dritë që do ndriçonte mendjet e turbullta dhe të indokriminuar të shoqërisë shqiptare.  E vërteta qëndron se ne shqiptarët nuk kishim regjim komunistë siç kishte në Ceki, Hungari, Poloni etj, por një regjim terroristë ,  çnjerzor, vrastarë e përçundues i vlerave njerzore. Por çfar ndodhi dhe  çfar solli kjo levizje!   Le të i referohemi të vërtetave të asaj periudhe  të vështirë e dramatike në një shoqëri që kishte arritur kulmin botëror me shkeljen dhe dhunimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.  Duke qënë nën një diktaturë shtypse barbare për 45 vite u ndoq një politikë indokrinimi mbi popullsinë, që të  mbeteshim nën fenomenin e”mitizmit,” edukimi i mitizmit ishte një ndër shtyllat e ideologjisë diktatoriale, ku mitizohej diktatori , partia, pushteti diktatorial, lufta civile interpretohej si luftë çlirimtare, komunistët vrasës shpalleshin heronj, pjesa e kundërshtarit antikomunist përbuzej anatemohi me vulgaritet etj.  A na ndjek sot mbas 26 vitesh pluralizëm  fenomeni i “mitizmit” si shoqëri?!!! Në bindjen time dhe të antikomunistëve shqiptare them PO. Po i rendis faktet: “Mitizimi” si fenomen negativ ka zënë rrënjë dhe përdoret mga politikbërja postkomuniste. Pushtetarët e tanishëm sillen me nje lloj fodullëku mitizues ndaj elektoratit që i kan marre votën. Dihet që ndryshimi i sistemit  në Shqipëri nuk denoi Partinë komuniste, ose Partinë e punës, por thjesht ndrroi emrin në Parti socialiste dhe u lejua të ishte bashkëudhtare në ndryshimin e sistemit, sikur kjo parti nuk mbante dhe nuk kishte përgjgjegjësi për krimet makabër që kishte kryer për 45 vite. Kjo forcë politike nuk denoi,  apo demostroi njëherë të vetme ndjesë për krimet që kishin kryer etrit e tyre ndaj popullit shqiptar. Lëvizja e dhjetorit 90 ishte shpërthim i një vrulli rinor e cila kërkoi të drejta dhe kushte për mizerabilitetin që kishin në konvikte, të shtyrë dhe nga ngjarjet ndërkombëtare kërkoi pluralizmin politik, dhe kjo lëvizje në heshtje miratohej nga pushteti diktatorial të cilit i kishte hyrë frika në palcë nga vrasjet që ndodhen në Rumani. Lëvizja e dhjetorit e pati jetgjatësinë katër ditë, kur me dymbdhjetë  dhjetor u krijua partia demokratike nga intelektualët konformistë. Si partia e parë opozitare  ajo nuk e kishte sensibilizimin dhe ndërgjegjesimin si parti  antikomuniste,  të kërkonte shkrirjen e partisë komuniste,  vrastarja e lirisë së shqiptarve. Dhe ky mosveprim ishte fatal për Shqipërinë, se nuk u denuan krimet komuniste. Por ajo u dakortësua më të në qeverisje. Përball këtij realiteti ndodhej pjesa tjetër e shoqërise, antikomunistët shqiptare,  që sundimin diktatorial e kishin përballuar me një stocizëm të paparë në historinë e popujve.
Antikomunistët shqiptarë gjatë gjithë periudhës diktoriale nuk reshtën së luftuari ndaj atij pushteti vrastarë e mizor. Ata u  përballën me vrasje e me burgime me internime e përçundime çnjerzore. Por nuk u dorzuan përpara mizorive të diktaturës. Aksionet e tyre kombëtare fillojnë me kryengritjet e Malsisë së Madhe, e Postribës në Veri, me lëvizjen antikomuniste të Zhabokikës në jug, me grupin e deputetve që nuk pranuan diktatin partiak komuniste në drejtimin e shtetit.. Thyrja e burgut të Burrelit 1967,  kryengritja dhe revolta e  Spaçit  kur i u hoq ylli bolshevik, kryengritja e Qafës –Barit,  Futja në ambasadë e familjes Popa, varja e poetit Havzi Nelës kur gjermanët shembnin murin udhëheqja komuniste shqiptare varte poetin duke treguar terrorizmin dhe absurditetin ndaj kundërshtarve të regjimit. Me 20 qershor 1990 ish i burgosuri politik Burhan Kalaja do të shembte murin e  Ambasadës italiane dhe do të i tregonte shqiptarve se muret duheshin prishur si Muri i Berlinit. Këto ishin aksionet e mëdha kombëtare të ish antikomunistëve shqiptar, apo siç e përdor sot politika të burgosur e të përndjekurve politikë, se rolin antikomunistë ka 26 vite që e përdorin ata që i shërbyen komunizmit stalinjan shqiptar. Përball këtyre fakteve, sot heshtet dhe flitet me pompozite e me mitizimin komunist për lëvizjen e dhjetorit dhe e mitizojnë duke e paraqitur se kjo lëvizje solli ndryshimin në Shqipëri.  E vërteta vonon , por nuk harron thotë një fjalë e moçme shqiptare.  Tani së fundi në media flitet nga politikan, analistë të lidhur me diktaturën në mendime, se bijtë përmbysën etrit, a qëndron kjo e vërtete?  Lëvizja e dhjetorit duhet analizuar me dy anët e medaljes. Mbrenda lëvizjes kishte edhe bijë komunistësh edhe bijë antikomunistësh të cilët mbas kësaj lëvizje i vranë siç ishte Arben Broxi. Ajo duhet respektuar për vullnetin dhe aksiomën që iu rreshtua europës për ndryshim, por nuk mund të pranojmë se kjo lëvizje përmbysi etrit, se etrit ishin dirigjentët, që inkurajuan bijtë të mernin pushtetin dhe të i shpëtonin etrit nga  krimet që kishin bërë. Faktet më mirë se në ato kohë, shifen sot mbas 26 viteve, a u denua krimineli Enver Hoxha, a dolën para drejtsisë të gjithë xhelatët (etrit) që vrane qytetare të pafajshëm, e kundërta ndodh, shtypi shqiptar çdo ditë publikon si heronj etrit e lëvizjes së dhjetorit, sot mbas 26 vitesh bijtë e etrve jo vetëm që nuk denuan krimin por po ndërtojnë një shtet oligarkik e korruptiv. Krahasoni lëvizjen e të bijve në 90 ,  me aksionet antikomuniste ndaj etërve që ka bërë klasa antikomuniste nga 44—90. Simbas këtyre politikanve konformiste apo dhjetoristë bijë të etërve , historia fillon në 90. Jo zotrinj bijtë nuk përmbysen etrit në 90, e vërteta e faktuar është se ata vazhduan të trashëgojnë pushtetin e tyre, pa i vrarë ndërgjegja për krimet komuniste. Sot krenohen me bëmat e  eterve  në biseda televizive. Ballafaqimi me të vertetën do të shkatroi totalishtë “Mitizimin” e ngjarjeve politike që përdoren për interesa ideologjike.
Nuk mund të shikojmë përpara nëse nuk hejdhim sytë mbi të kaluemen , për sa kohë që  nuk kemi  kuptue  si u bamë kështu, përderisa  të kuptojmë se kemi humbë  kuptimin e jetës , të qenies gjallë….

*Besim NDREGJONI
President i Unionit Mbarekombetar 
Integrimit te Burgosurve dhe Perndjekurve Politik te Shqiperise 

Zbardhet SMS kërcënuese ndaj Ajtanga Lubonjës: Hiq dorë se…

Gjykata e Tiranës ka gjobitur një 32-vjeçar, që ka kërcënuar me SMS aktivisten e shoqërisë civile, Ajtanga Lubonja. Kërcënimi i është dërguar aktivistes në gusht të vitit 2014, kur ajo mblidhte firma në një peticion qytetar për shkarkimin e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, raporton “Panorama”.

 

Sipas Gjykatës, autori i dërgimit të mesazhit ishte i pandehuri Aleksandër Rena. Ai u fajësua për akuzën e “pengimit të ushtrimit të së drejtës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar” dhe u dënua me 80 mijë lekë gjobë.

Sipas vendimit të Gjykatës, procedimi ndaj Renës ka nisur pas një kallëzimi të depozituar nga Ajtanga Lubonja në 15 gusht 2014 në Komisariatin e Policisë nr.1, në Tiranë. Ajo ka rrëfyer se si përfaqësuese e shoqërisë civile në periudhën gusht 2014, ka qenë e angazhuar në aktivitetin për mbledhjen e firmave të qytetarëve, lidhur me peticionin për shkarkimin dhe hetimin e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

Gjatë kohës që kallëzuesja mblidhte firma për peticion së bashku me kolegun e saj, shtetasin Basir Çollaku, në tavolinat e punës janë afruar dy persona, të cilët u kanë thënë me një ton agresiv dhe kërcënues se duhet të ndërprisnin punën që po kryenin dhe t’ia linin politikës të merrej me atë problem.

“Ju nuk e keni idenë se kush jemi ne dhe çfarë mund t’ju bëjmë juve”, ka cituar ajo frazat kërcënuese. Lubonja ka treguar dhe dy SMS kërcënuese të mbërritura në numrin e saj celular mbrëmjen e asaj dite me përmbajtje: “Dimë gjithçka për ty, dimë se kush je dhe çfarë bën, tani këto kohët e fundit po merresh me një peticion që po i shërben një politike të caktuar dhe të komanduar nga lart, mos të të duket vetja e madhe kur nuk di asgjë se çfarë bëhet me ty, hap sytë dhe shiko përreth, jam një që të dua të mirën, prandaj po të flas, mos na detyro që të marrim masa të rrepta kundrejt teje… hiq dorë sa je në kohë”.

Të nesërmen e kësaj dite, Lubonja është prononcuar publikisht për mesazhin kërcënues. Pas prononcimit për mediat, Lubonjës i ka mbërritur një SMS nga i njëjti numër që i kishte dërguar mesazhin kërcënues, duke i thënë në SMS: “Jam Aleks Rena dhe jam unë ai që të ka dërguar këto SMS”.

Shtetasja Ajtanga Lubonja i ka njohur numrin, pasi ka rezultuar se e kishte si shok në “Facebook” dhe në telefonin e saj e kishte të regjistruar numrin e tij.

Armand Bajrami/PANORAMA

Dekriminalizimi prek dy deputetë dhe kryebashkiakun e Kavajës

Në Shqipëri, dy deputetë dhe një kryetar Bashkie pritet të humbasin mandatin e tyre në kuadër të të ashtuquajturit ligj për Dekriminalizimin. Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se ka konstatuar se deputeti i Partisë Demokratike Dashamir Tahiri, ai i Partisë Lëvizja socialiste për Integrim Shkëlqim Selami dhe kryetari i Bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi, përfaqësues i Partisë socialiste “janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksioneve” që kryejnë. Vendimi përfundimtar për heqjen e mandateve të tyre pritet tani të merret nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

Për deputetin Dashamir Tahiri, prokuroria deklaroi se pas hetimeve të thelluara nuk ka deklaruar në formularin për Dekriminalizimin thë dhënat se “në vitin 1995 është raportuar nga policia në Foggia për krime lidhur me falsifikimin e parave; Në vitin 2009 është dënuar nga Gjykata në Ravena (për të vuajtur 9 muaj burgim) për përdorim të një leje drejtimi shqiptare të falsifikuar” dhe se “ është kontrolluar disa herë nga policia”.

Për deputetin tjetër të LSI-së Shkëlqim Selami, rezulton se ndaj tij ka patur “një masë sigurimi ‘arrest me burg’, nxjerrë nga ana e gjykatës së Brindizit, si i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale që merrej me “Trafikim të qënieve njerëzore”. Masa ndaj tij është dhënë në vitin 1994 dhe është ekzekutuar në vitin 2006. Në kuadër të kësaj mase, ai ka qëndruar një javë në paraburgim në Brindizi dhe më pas është lënë i lirë, në vijim të hetimit”.

Një listë më e gjatë të dhënash të fshehura është zbuluar për kryetarin e Bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi. Bëhet fjalë për “një dënim për veprën penale të “Përdhunimit” në grup, në vitin 1995 në Itali. Nuk ka deklaruar përdorimin e disa emrave në Zvicër. Në prill 1993 ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtetin zviceran dhe ka kërkuar azil, 14 maj 1993, është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast droge dhe është dëbuar 4 muaj më vonë. Në korrik 1997 ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil. Në gusht 1997 është dëbuar sërish”. Rroshi madje rezulton që në vitin 2015 të ketë qenë nën hetim, me një nga emrat e ndryshëm që ka përdorur, dhe të Agjencisë amerikane të luftës kundër drogës, DEA. Sipas prokurorisë “në vitin 2015 DEA , ka informuar autoritetet zvicerane se po hetonin një shtetas të quajtur Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash”.

Kryebashkiaku i Kavajës, ishtë vënë prej kohësh në shënjestër të akuzave për të kaluarën e tij. Në Maj ai dha dorëheqjen pasi u bë publik vendimi i dënimit të tij për “përdhunim në grup”. Kryeministri Edi Rama e kishte mbështetur publikisht atë ndaj lumit të akuzave. Por pas dorëheqjes, kreu i qeverisë reagoi duke deklaruar se “gjithkush që ka një dënim gjykate me heqje lirie, nuk e ka dot mbështetjen e Partisë Socialiste për të kandiduar për çfarëdoqoftë apo qëndruar në një detyrë publike që ka”. Megjithatë ai nuk shkoi më tej se kaq, dhe nuk firmosi shkarkimin e Rroshit i cili më pas u tërhoq nga ideja e largimit vullnetar nga detyra, ndonëse në qershor do të arrestohej. Në muajin Tetor, me vendim Gjykate atij ju hoq “arresti shtëpiak”, ndërkohë që hetimi ndaj tij vazhdon.

Presidenti Nishani niset drejt Turqisë, takim me presidentin Erdogan

Presidenti Bujar Nishani i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani u nis sot për një vizitë zyrtare në krye të delegacionit shqiptar drejt Republikës së Turqisë, me ftesë të presidentit Erdogan.

Ky takim vjen një ditë pas ngjarjes së rëndë që tronditi mbrëmë mbarë politikën botërore, pasi u vra ambasadori rus në Turqi.

Por, axhenda e këtyre takimeve ishte parashikuar më herët.

Presidenti Nishani do të pritet gjatë kësaj vizite të rëndësishme nga Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, me të cilin do të zhvillojë një takim kokë më kokë, si dhe bisedime dypalëshe në krye të delegacioneve zyrtare respektive. Sakaq, Kreu i Shtetit shqiptar pritet të ketë takime dypalëshe me kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Ismail Karahman dhe me Kryeministrin turk Binali Yildirim.

Agjenda e vizitës së Presidentit të Republikës përfshin edhe mbajtjen e një leksioni në Universitetin e Stambollit si dhe një takim të përzemërt e vëllazëror me bashkësinë shqiptaro-turke.

Ajazi flet për vizitën e shefit të CIA-s në Tiranë: Pse është e shqetësuar SHBA

Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, Visho Ajazi Lika, në një mesazh për punonjësit e shërbimit inteligjent me rastin e festave të fundvitit, ka informuar vartësit e tij për qëllimin e vizitës në Tiranë të drejtorit të CIA-s, John O. Brennan.

Burime pranë Shërbimit Inteligjent bënë të ditur se CIA ka shprehur si shqetësim shtimin e prezencës së Rusisë dhe shërbimeve të saj të spiunazhit në Ballkan.

Drejtori i CIA-s, John O. Brennan, ka falënderuar SHISH-in për punën që ka bërë deri tani në luftën kundër terrorizmit dhe angazhimit të treguar në fushën gjeostrategjike kundër spiunazhit rus, i evidentuar me prezencën e tij të shtuar në vendet e rajonit. Shqetësim i ngritur gjatë diskutimit ka qenë ardhja në pushtet e kandidatëve prorusë, si në Bullgari, edhe Moldavi, kontaktet e Rusisë me elitën politike në Maqedoni.

Po ashtu, mbështetja që po i jep Rusia Serbisë në armatimin me teknologji ushtarake të fjalës së fundit. Gjatë takimit mes Ajazit dhe Brennan është vënë në pah suksesi dhe bashkëpunimi që SHISH ka pasur me CIA-n në luftën ndaj rrezikut islamik dhe ndikimit rus. Rreziqe që për Shqipërinë dhe Ballkanin i ka ngritur Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në Berlin.

FJALIMI

Gjatë fjalës së tij para drejtuesve të SHISH-it dhe agjentëve, Visho Ajazi Lika ka thënë se janë realizuar objektivat kryesorë që i janë vënë nga qeveria në vitin 2016. “Sukseseve të këtij viti u janë shtuar edhe dy ngjarje domethënëse për një Shërbim Informativ. Dekorimi i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), në datën 04.07.2016, nga Presidenti i Republikës, Sh. T. z. Bujar Nishani, me Dekoratën e Artë të Shqiponjës, të cilën e kemi njoftuar zyrtarisht më parë. Vizita e suksesshme zyrtare në SHISH, e datës 06.12.2016, në përgjigje të ftesës së Drejtorit të SHISH, z. Visho Ajazi Lika, e Drejtorit të Agjencisë Qendrore të Zbulimit të SHBA (CIA), z. John O. Brennan, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë të agjencisë së tyre.

Gjatë kësaj vizite u zhvillua një takim kokë më kokë midis dy drejtorëve të shërbimeve, takime mes delegacioneve respektive, si dhe një takim me stafin drejtues të SHISH-it. Takimet e zhvilluara u karakterizuan nga fryma e bashkëpunimit miqësor”, është shprehur kreu i SHISH-it.

Më tej, drejtori i SHISH-it është shprehur se edhe në vitin 2017 do të punohet për të arritur rezultate të larta ndaj veprimtarive që cenojnë sigurinë kombëtare.

“Këto përbëjnë bazë solide për arritje rezultatesh të larta, në luftën kundër çdo veprimtarie që cenon sigurinë kombëtare. Duke ju përgëzuar për punën dhe përpjekjet e vitit 2016, për kontributin tuaj në forcimin e mëtejshëm të kohezionit ndërinstitucional shqiptar, dhe rritjen e reputacionit ndërkombëtar të institucionit tonë, shpreh bindjen se veprimtaria e SHISH-it, edhe gjatë vitit 2017 do të vazhdojë me modesti, por pa u lëkundur, në përmbushjen e pritshmërive që rrjedhin nga misioni i tij ligjor”, ka thënë kreu i SHISH-it.

MESAZHI

Të nderuar kolegë dhe kolege të SHISH; Me rastin e festave të fundvitit 2016, ju uroj Gëzuar, mbarësi, shëndet e lumturi mes kolegëve dhe në familjet tuaja! Gjithashtu, ju uroj suksese të mëtejshme në realizimin e detyrave në shërbim të Shtetit dhe vendit tonë.

Gjej rastin të shpreh mirënjohjen time për të gjithë punonjësit, burrat e gratë, për gatishmërinë, kontributin dhe përkushtimin e treguar në realizimin e detyrave të ngarkuara nga ligji dhe nga Prioritetet e Qeverisë për vitin 2016. Sukseseve të këtij viti u janë shtuar edhe dy ngjarje domethënëse për një Shërbim Informativ.

Dekorimi i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), me datën 04.07.2016, nga Presidenti i Republikës, Sh. T. z. Bujar Nishani, me Dekoratën e Artë të Shqiponjës, të cilën e kemi njoftuar zyrtarisht më parë.

Vizita e suksesshme zyrtare në SHISH; e datës 06.12.2016, në përgjigje të ftesës së Drejtorit të SHISH z. Visho Ajazi Lika; e Drejtorit të Agjencisë Qëndrore të Zbulimit të SHBA (CIA), z. John O. BRENNAN, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë të agjencisë së tyre. Gjatë kësaj vizite, u zhvillua një takim kokë më kokë midis dy Drejtorëve të Shërbimeve, takime mes delegacioneve respektive si dhe një takim 2 me stafin drejtues të SHISH.

Takimet e zhvilluara u karakterizuan nga fryma e bashkëpunimit miqësor. Me këtë rast rishpreh edhe një herë konsideratën dhe mirënjohjen time për profesionalizmin e objektivitetin e treguar dhe punën që keni kryer 3 gjatë këtij viti.

Kjo më bën të ndihem edhe më optimist, pasi shikoj dhe konstatoj tek ju gatishmëri, përkushtim, dashuri për profesionin, etj. Këto përbëjnë bazë solide për arritje rezultatesh të larta, në luftën kundër çdo veprimtarie që cënon sigurinë kombëtare.

Duke ju përgëzuar për punën dhe përpjekjet e vitit 2016, për kontributin tuaj në forcimin e mëtejshëm të kohezionit ndërinstitucional shqiptar, dhe rritjen e reputacionit ndërkombëtar të institucionit tonë; shpreh bindjen se veprimtaria e SHISH, edhe gjatë vitit 2017, do të vazhdojë me modesti, por pa u lëkundur, në përmbushjen e pritshmërive që rrjedhin nga misioni i tij ligjor. Përzemërsisht uroj që, të kaloni të gëzuar Festat, dhe në lumturi me familjet, miqtë dhe shoqërinë tuaj. Urime të përzemërta dhe të sinqerta!

D R E J T O R I

VISHO AJAZI LIKA D. V.

FATION BINJAKU/PANORAMA

Manjani: Arrestoni Balilin! Ju thotë ai me kë udhëtoi në Dubai!

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar ndaj disa deklaratave që u bënë në një emision televiziv dhe lajmeve në portale ku citohej se Kelment Balili kishte udhëtuar me një politikan në Dubai. Sipas disa portaleve, ky politikan ka qenë Manjani.

Por nuk mendon kështu ministri i Drejtësisë që jo vetëm bën një reagim me ironi, por insiston në arrestimin e Balilit në mënyrë që kështu të zbardhen shumë të vërteta përballë shpifjeve, siç i cilësoi ai lajmet e fundit.

“Sipas disa analistëve portalistë dhe jo vetëm, paskam qenë në Dubai dhe me Klement Balilin.

Për të gjithë ju që keni interes, në Dubai skam qenë kurrë në jetën time! Me këtë person skam udhëtuar ndonjëherë as në furgon e as në avion! Udhëtimet turistike i bëj ekskluzivisht me familjen time!

Shpifja nuk ndihmon askënd! Mbetem përkrahës i fjalës së lirë edhe kur kjo është shpifje!

Por me rastin e të 7-tave (muajve të urdhër-arrestit ndërkombëtar) edhe njëherë tërheq vemendjen: Ta arrestojë kush e ka në dorë! Ndoshta pas arrestimit mund tua thotë vetë ai se me kë ka udhëtuar në Dubai e kudo tjetër!

Mirupafshim deri në udhëtimin tjetër imagjinar..!”.

Ndahet nga jeta aktori i 150 roleve Lazër Filipi – Lenini i ‘Orët e Kremlinit’

Orët e Kremlinit ndalën për aktorin Lazër Filipi. Dje, në moshën 96-vjeçare u nda nga jeta një prej aktorëve më të njohur të skenës dhe ekranit shqiptar.

Gjithnjë aktiv deri në vitet e fundit të jetës, Lazër Filipi i takon brezit të atyre artistëve që themeluan teatrin shqiptar. Edhe pse kujtohet nga të gjithë për rolin e Leninit, kjo edhe për shkak të një ngjashmërie vizive me këtë të fundit, Lazër Filipi ka interpretuar dhjetëra role, fillimisht në teatër, në vepra kombëtare dhe kryevepra botërore e më pas në kinematografi, ku ka interpretuar karaktere, batutat e të cilëve janë bërë pjesë e së folurës së përditshme të shqiptarëve.

lazer-filipi-640x480

AKTORI

Lazër Filipi lindi më 7 shkurt 1921, në katundin Shirq të Bregut të Bunës, në Shkodër. Kur ishte fare i vogël, familja e tij u vendos në qytetin e Shkodrës, ku kreu edhe shkollën fillore “28 Nandori”. Në vitin 1938 ai u vendos në Tiranë, ku kaloi rininë dhe më pas u aktivizua në Luftën Nacionalçlirimtare.

Pasi doli në ilegalitet u bë pjesë e Brigadës së 27- të. Gjatë luftës, në vitin 1943, në çetën Krujë-Ishëm ka interpretuar rolin e tij të parë, atë të Lekës, në dramën “Vdekje Fashizmit-Liri Popullit” të Aleksandër Banushit.

Pas Çlirimit nisi jetën teatrore si aktor profesionist në Teatrin Popullor, me premierën e parë të këtij teatri, “Topazi”, të Marcel Panjol, në rolin e kryeshërbëtorit, më 30 maj 1945. Më tej ndoqi studimet e larta për aktor në Zagreb dhe më pas në Akademinë e Arteve në Pragë, ku edhe u diplomua.

Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia, Lazër Filipi bashkohet me lëvizjen antifashiste për të luftuar armikun. Gjëndja e mjeruar e Shqipërisë në ato vite bëri që edhe veprimtaritë e shoqërive kulturore të ishin më të pakta.

Kështu, krijimi i grupeve teatrale-artistike amatore brënda çetave apo lëvizjeve nacionalçlirimtare dhanë një ndihmë të madhe në këtë aspekt. I tillë është edhe krijimi i Teatrit të Rinisë Antifashiste, në vitin 1943, me të cilën Lazër Filipi interpretoi rolin e tij të parë në pjesën “Kryengritje Shqiptare”, shfaqur në More të Krujës dhe vënë në skenë nga Kolec Ilia.

Pas Kongresit të Përmetit, 24-28 maj 1944, krijohet grupi teatral “Grupi i Priskës”. Kjo trupë vuri në skenë disa pjesë; “Partizani”, “Burgu” dhe “Nëna” e shkrimtarit Fatmir Gjata. Lazër Filipi është një ndër më aktivët e këti grupi ku nuk mungojnë edhe figura të shquara të teatrit dhe kinematografisë shqiptare si Naim Frashëri “Artist i Popullit”, etj.

Pas mbarimit të luftës, krahas angazhimeve në trupën teatrale, Lazri ndoqi studimet për dramaturgji.

Në vitin 1947 vijon studimet për aktor në Zagreb (Kroaci) por, si pasojë e prishjes diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë, detyrohet t’i ndërpres. Më pas këto studime i vazhdon dhe i përfundon në vitin 1950 në ish-Çekosllavaki (që nga viti 1992 e ndarë në dy shtete; Republika Çeke dhe Republika Sllovake).

Mbasi mbaron studimet kthehet në Atdhe. Me përvojën e fituar në vitet e rinisë dhe me një pjekuri artistike të zgjeruar gjatë studimeve, Lazër Filipi i kthehet publikut me një galeri të tërë rolesh që do ta bëjnë atë një ndër aktorët më të dashur në Shqipëri dhe në të gjitha trojet shqiptare.

Ndër interpretimet që mbesit të paharruara në kujtesën e artdashësve janë: Babai i Ofelisë në dramën “Hamleti” të Shekspirit, xha Shozi në dramën “Familja e peshkatarit” të Artistit të Popullit Sulejman Pitarka, Klarku në dramën “Arturo Ui” të poetit dhe dramaturgut gjerman Bertold Brecht, Lenini në dramën “Orët e Kremlinit” të shkrimtarit rus Nikolai Podovin, etj.

Të shumta janë rolet e Lazër Filipit edhe në kinematografi. Ai është ndër aktorët që ka interpretuar në filmin e parë tërësisht shqiptar “Tana”, në vitin 1958. Më tej do të vazhdonin interpretime të tjera si: xha Demiri në filmin “Fortuna”, Ropi në filmin “Kapidani, etj.

Edhe pas daljes në pencion, në vitin 1977, Lazër Filipi vazhdoi angazhimet në teatër dhe kinematografi.

Në vitin 1991 krijon trupën teatrore “Tirana”. Me këtë trupë interpreton në disa drama: “Ali Pashë Tepelena”, “Fati i një refugjati”, “Napoleon Bonaparte”, etj.

Në vitin 2004 interpreton me trupën e Teatrit Kombëtar në dramën “Streha e të harruarve” të Ruzhdi Pulaha.

Çmimet

Lazër Filipi është nderuan me disa tituj dhe çmime: Çmimi i Parë i Republikë për interpretimin e rolit të Leninit në dramën “Orët e Kremlinit”, në vitin 1957.

Çmimi Special për interpretimin e rolit Shaqo Bregu në filmin “Në fillim të verës”, në vitin 1976.

Për merita të larta në fushën e artit skenik, në vitin 2005 është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.

Interpretime në teatër: Kryengritje Shqiptare (1943), Partizani (1944), Nëna (1944), Burgu (1944), Topazi (1945), Dashnori Gjido (1945), Rrugaçi (1945), Martesa (1946), Çështje familjare (1956), Orët e Kremlinit (1957), Mashenka (1958), Hamleti (1960), Dhelpra dhe rrushtë (1961), Zonja e Bujtinës (1962), Qeni i kopshtarit (1963), Banorët e shkallës nr.6 (1963), Tre ditët e kjametit (1964), Roje nën llampat e neonit (1965), Ljubov Jarovaja (1965), Përkolgjinajt (1966), Cuca e maleve (1967), Heronjtë e Linasit (1968), Shokët (1969), Arturo Ui (1971), Sinjali i kuq (1973), Prefekti (1973), Familja e Peshkatarit (1974), Ali Pashë Tepelena (2003), Streha e të harruarve (2004), Napoleon Bonaparti (2005), etj.

Regjisor: “Heronjtë e Linasit” e Sulejman Pitarka.
Asistent regjizor: “19 ditë” e Fadil Paçrami.
Skenarist: “Dashuria që u mbijetoi flakëve”, “Nënë Tereza”.

Interpretime në kinematografi: Tana (1958), Fortuna (1959), Oshëtimë në bregdet (1966), Përse bie kjo daulle (1969), Ndërgjegjja (1972), Kapedani (1972), Shpërthimi (1974), Në fillim të verës (1975), Pylli i lirisë (1976), Shembja e idhujve (1977), Këshilltarët (1977), Nusja (1980), Një emër midis njerëzve (1983), Koha nuk pret (1984), Në emër të lirisë (1987), Misioni përtej detit (1988), Balada e Kurbinit (1989), Enigma (1991), Tradhëti bashkëshortore (2000), Ne dhe Lenini (2009), etj.

Skenarist: “Shpërthimi”.

Ja emrat: Pas Lul Berishës, Vangjush Dako ‘punësoi’ në Bashkinë Durrës edhe 30 burgosur të tjerë

 

DURRES- Zbardhen të tjera detaje në lidhje me ‘punësimin’ e të burgosurve nga ana e Bashkisë së Durrësit, siç ishte dhe rasti i kreut të Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha. ‘BalkanWeb’ ka siguruar listën e plotë me 30 emrat e të burgosurve, që Bashkia u del garant që ata të bëjnë punë vullnetare. Mësohet se kjo praktikë është ndjekur gjatë këtij viti edhe për një tjetër të dënuar, i cili tashmë punon pranë Ndërmarrjes së Ujësjellësit në qytetin bregdetar.

Bëhet fjalë për Feta Matajn, emrin e të cilit e përmendi edhe kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, gjatë deklaratës për media. Ndërkohë gjatë kërkimeve që ka bërë ‘BalkanWeb’ rezulton se Mataj, ish-kryetar i PS për lagjen nr. 15 në Durrës, ka vuajtur dënimin për ‘pengmarrje’ dhe ‘grabitje me dhunë’. Ai ka përfituar nga dënimi alternativ dhe ka kryer punë vullnetare duke u liruar nga burgu po këtë vit, bazuar te referenca që Bashkia e Durrësit i kishte paraqitur gjykatës.

Bashkia e Durrësit për disa persona të veçantë, siç është Lul Berisha dhe Fetah Mataj e ka dhënë garancinë pa u shprehur më parë gjykata. Por, të dënuarit me garancinë që kanë marrë nga Bashkia, janë paraqitur në gjykatë, pavarësisht se kjo e fundit i ka liruar nga burgu pa i përcaktuar se ku duhet të kryejnë punën vullnetare, siç është rasti i Lulëzim Berishës.

LISTA E TË BURGOSURVE TË LIRUAR
1 Stavri Kosta
2-Ramazan Kërcuku
3-Mahmudie Zela
4-Ardian take
5-Adriatik Batillari
6-Nikol Llaskali
7-Emilajno Koka
8-Hysni Koka
9-Gazmend Nano
10-Agust Tuda
11-Fatjon Osmani
12-Alban Stafaa
13-Florian Baboçi
14-Gjon Kuli
15-Ali Simaku
16-Besnik Ruçi
17-Ena Huta
18-Kleo Libohova
19-Astrit Rama
20-Nazmi Visha
21-Ervis Çanaku
22-Ali Dauti
23-Taulant Kasa
24-Engin Gexhilli
25-Liman Muça
26-Paulin Doda
27-Artur Shijaku
28-Esat Lica
29-Florian Xhaja
30-Arben Mira

Lirimi i Berishës, nis hetimi për Dakon dhe gjyqtarët

Në Shqipëri, Prokuroria e Durrësit njoftoi sot se ka nisur me iniciativë të sajën, hetimin për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” lidhur me praktikat gjyqësore, gjithashtu edhe për praktikat administrative të ndjekura nga ana drejtuesve të Bashkisë së Durrësit, në bazë të të cilave është vendosur me lirimin me kusht të të dënuarit Lulëzim Berisha.

Prokuroria shpjegon më tej se “në kuadër të këtij procedimi, po shqyrton ligjshmërinë e vendimeve të dhëna në kohë të ndryshme për të dënuarin Lulzim Berisha nga gjyqtarë të Gjykatës së Durrësit, për përfitim të uljes së dënimit, përfitimit të amnistisë, si dhe ndryshimin e vendit të vuajtjes së dënimit nga Burgu i sigurisë së lartë, në atë të zakonshëm. Prokuroria e Durrësit ka dyshime të arsyeshme që zyrtarë të caktuar mund të kenë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, me qëllim krijimin e kushteve për pranimin e kërkesës për lirim para kohe me kusht të të dënuarit Lulzim Berisha”.

Më herët gjatë ditës, ishte Partia demokratike e cila i kërkoi Prokurorit të Përgjithshëm nisjen e hetimeve ndaj kryebashkiakut socialist Vangjush Dako, pas zbulimit të fakteve se Bashkia e Durrësit ofroi garanci për punësimin e ish kreut të ‘Bandës së Durrësit’ Lulzim Berisha, në procesin gjyqësor që çoi në lirimin me kusht të tij 10 ditë më parë. Letra e Bashkisë u bë publike nga BIRN dhe Zëri i Amerikës një ditë më parë. Në vendimin e Gjykatës së Apelit shkruhet se “Bashkia Durrës, duke vlerësuar gjendjen e kësaj familjeje, sjelljen e tyre në komunitet, si dhe mundësinë e lirimit të të dënuarit, garanton punësimin e të dënuarit Lulzim Berisha, në pamundësi për t’u punësuar në ndonjë subjekt privat”.

Kryetari i opozitës Lulzim Basha, shkoi vetë në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm për të dorëzuar kallzimin penale ndaj Dakos. Në përfundim të një mbledhjeje me këshilltarët demokratë të Bashkisë së Durrësit, dhe deputetët e PD në këtë qytet, zoti Basha kërkoi dhe shkarkimin e kryebashkiakut socialist, I cili sipas tij “ka përdorur pushtetin dhe zyrën që i kanë besuar qytetarët e Durrësit për të liruar nga burgu një kriminel që ka vrarë dhe ka terrorizuar qytetarët e Durrësit”, deklaroi zoti Basha, duke shtuar se “Vangjush Dako ka zgjedhur me vetëdije të bëhet njësh me krimin dhe kundër qytetarëve”.

Nga ana e tij, kreu i Bashkisë së Durrësit dha sot një shpjegim jo bindës për rekomandimin e lëshuar për Lulzim Berishën, duke folur për një procedurë rutinë. “Ne i ofrojmë çdo të dënuari që dënohet me punë vullnetare në komunitet, i ofrojmë mundëi punësimi në ndërmarrjet tona, me punë vullnetare, që do të thotë ata punojnë pa shpërblim nga ana jonë sepse kanë dënim nga gjykata. Nuk jemi në që vendosim. Gjykata i vendos në mënyrë të detyruar. Kërkesa ishte që familja ka apo jo sjellje të mirë në shoqëri. Ne pyetëm administratorët tanë dhe na thanë që nuk kanë probleme me komunitetitn”, u shpreh Dako për gazetarët. Por shpjegimi i zotit Dako nuk përputhet me rastin e Lulzim Berishës. Ai është liruar me kusht dhe jo me detyrim për punë në komunitet, që përgjithësisht jepet për ata që kryejnë vepra penale që nuk paraqesin një rrezikshmëri shoqërore.

Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Durrësit, dorëzuan në kryeministri kërkesën zyrtare për shkarkimin e tij. “Veprimet që duhet të marrë në ditët e ardhshme do ta tregojnë qartë se çfarë është dhe kë përfaqëson Edi Rama. Unë ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike të bashkohen për t’i bërë presion Edi Ramës për të marrë përgjegjësitë e vendit ku është ulur për të luftuar krimin”.

Zoti Basha u përqëndrua vetëm të veprimet e kryebashkiakut Dako, ndërsa nuk përmendi një seri vendimesh të debatueshme të dhëna nga disa gjykata të vendit në favor të Lulzim Berishësh, të cilat ngrejnë dyshime dhe për shkelje ligjore, që çuan fillimisht në ndryshimin e dënimit nga burg të përjetshëm, në 25 vite burgim, dhe më pas reduktime të njëpasnjëshme, deri në vendimin e 5 Dhjetorit të këtij viti për lirimin e tij me kusht.

Hajdutët e historisë.: DIKUR U VRAMË PËR HISTORI, SOT SEHIRXHINJ TË KËQINJ – Nga Kadri Tarelli

Mbrojtja e historisë dhe vlerave kombëtare, është një temë që rikthehet shpesh në vëmendje të opinionit publik, për shkak të ndjeshmërisë që ka shoqëria ndaj ngacmimeve, ndodhive dhe dukurive, që si rastësisht kanë ndodhur e po ndodhin edhe sot, dhe që janë të paparnueshme për çdo shqiptar e atdhetar, në të gjitha kohët.

Nuk e ndjej nevojën e një debati, sepse në shumicën e herëve ato përfundojnë në fyerje, akuza të ndërsjellta dhe shumë fjalë që nuk i shërbejnë askujt e aq më pak çështjes, duke e lënë në hije problemin që shqetëson. Mendoj  se është më me vlerë të sjell në kujtesë disa ndodhi, që na trishtojnë e na zemërojnë duke gjykuar të sotmen, që qëndrojmë e veprojmë si sehirxhinj kur na dhunojnë e na grabisin historinë, ndërsa më parë kur ishim të pushtuar e nuk kishim shtet, jemi vrarë e sakatuar për mbrojtjen e historisë kombëtare dhe monumenteve të saj. Mbase e teproj kur i bëj pyetje vetes, rretheve intelektuale dhe strukturave akademike dhe shtetërore: Pse ndodh me ne shqiptarët, ose ç’ka ngjarë me ne shqiptarët që sillemi kështu?

 Po e filloj së pari, me një ngjarje tragjike të ndodhur në vitin 1916, kur forcat pushtuese ushtarake austriake pushkatuan tre oficerë shqiptarë, Kamber Myrto Bënja, toger Abaz Ismail Taushani dhe toger Bexhet Manastirliu. Cili ishte shkaku? Kundërshtuan grabitjen e gjetjeve arkeologjike në Apolloni. Duke i’u referuar librit të studjuesit Hasan Ulqini, “Grabitës të monumenteve”, njihemi me ngjarje rrënqethse dhe grabitje të paimagjinueshme të pasurive arkeologjike dhe historike të Shqipërisë, si nga turqit gjatë sundimit qindra – vjeçar, nga malazezët në Shkodër më 1913, serbët në Durrës gjatë luftës Ballkanike, dhe më pas nga pushtues të tjerë me rradhë, austriakët, italianët dhe francezët. Na vjen keq që shumë objekte me vlera të rralla artistike dhe shkencore, zbukurojnë sot muzeumet e kryeqyteteve të botës, Stamboll, Vjenë, Romë, Beograd, Londër, Paris, Berlin, etj. S’ besoj se të huajt dhe fqinjët tanë e bënë këtë për hatrin tonë. Ata, pavarësisht se i kanë “Hambarët plot me histori”, na i vodhën dhe na i grabitën me forcë monumentet e kulturës sonë, duke dëmtuar rëndë historinë tonë kombëtare. Bëjmë mirë t’i kujtojmë që të mos harrojmë, se të huajt, bashkë me ta edhe antishqiptarët, na vjedhin, plaçkisin dhe na grabisin, sa herë t’u jepet rasti. Dhe fatkeqësisht raste ka patur shumë, aq sa vazhdojnë edhe kësaj dite. Po citoj pak fjalë nga patrioti dhe dijetari Shtjefen Gjeçovi, pioneri i parë i arkeologjisë shqiptare: “Visari jonë, historia jonë, gjinden të mbulueme nën dhe, kushedi sa pash e pllambë…. Mjafton një kuletë e mbushun me sende të vjetra, të gjetuna në tokën tonë prej nji të huaji, për të na lan në terr një pikë historie”. H. Ulqini. “Grabitës të monumenteve”. Faqe 108 – 109.

Ç’koment mund t’u bëhen këtyre shënimeve të trishta që na përcjell Çarls Telford Erikson, në librin “Pesë vjet në Shqipëri”, (1908 – 1913), ku shkruan: “Unë isha vetëm një dëshmitar i zymtë dhe i heshtur… Elbasani, si njëra ndër qendrat më të mëdha të Shqipërisë së Mesme, e ndjeu i pari goditjen mizore të Shefqet Turgut Pashës. … Atë që armata mblodhi si “Armë”, do ta detyronte një tregëtar të antikës ta çkulë mjekrën e vet nga mllefi… Qindra pushkë e allti… Shpata të stërlashta antike, disa ndër to të zbukuruara me xhevahirë…. U flakën në një grumbull të stivuar e të përziera si bujashkat e pyllit…. U ngarkuan në kuaj dhe u dërguan jashtë vendit, ku s’do të shihen kurrë”. Faqe. 54 – 55.

Vazhdimi është po kaq tronditës. Historianët tanë qëndrojnë të palëkundur në një datë historike që na e kanë vendosur të tjerët dhe që ka të bëjë me themelimin e Durrësit më 627 para Krishtit. I nderuar lexues gjyko në qetësi: Historia e Shqipërisë  e kl. 12, të gjimnazit në faqen 29, shkruan: “Rreth vitit 627.p.e.s, korintasit së bashku me korkyrasit themeluan Dyrrahun…… në territorin e banuar nga ilirët”. Është kjo një thënie e Tukididit në shekullin e III-të p.e.s, që ka mbetur si “Gozhda e Nastradinit”, që s’e shkulën as historianët e monarkisë, as akademikët e diktaturës dhe s’po e shkulin as historanët e akademikët e sotëm. I bëj pyetje vetes dhe të tjerëve: Si e komenton pedagogu dhe mësuesi i historisë këtë thënie? Po nxënësi dhe studenti si e kupton? Le të lodhen historianët e Durrësit të studiojnë e të shkruajnë libra dhe të vërtetojnë me dokumenta historike dhe gjetje arkeologjike, se Dyrrahu i hershëm dhe Durrësi i sotëm, është themeluar nga mbretër ilir, shumë vite më parë se në brigjet e tij të dukeshin anijet e kolonëve grek. Kam përshtypjen se edhe llogjika më e pamësuar, nuk mund ta përfytyrojë se brenda një viti lind e formohet një qytet. Veç kësaj çdo kush mund të pyesë: Po kolonët që erdhen, ishin bujq e blegtorë apo tregëtarë e zejtarë, që i shtyu era rastësisht në Durrës? Po të ishin bujq apo blegtorë, ata do të formonin një fshat në tokën që gjetën “pa zot”, ndërsa tregëtarët dhe zejtarët lakmuan qytetin, që e njihnin mirë, sepse deshin që të prodhojnë e tregëtojnë mallrat e tyre.  Megjithatë kemi mbetur aty ku ishim, pavarësisht se Prof. dr. Hava e dr. Sali Hidri, kanë publikuar librin “Historia e Durrësit”, me të dhëna shkencore mbi lindjen dhe zhvillimin e qytetit 3000-vjeçar. Pavarësisht se edhe shoqata “Durrësi”, para ca kohësh festoi 3000-vjetorin e themelimit qytetit, po historia jonë nuk po lëviz nga istikami, ndërsa Akademia mënjanohet, qëndron në heshtje dhe nuk e merr përsipër, së paku ta lëkundë “Gozhdën e ndryshkur” në historinë tonë kombëtare. Me dhimbje, por duhet ta pranojmë, se këtu nuk është faji i fqinjit tonë jugor. E kërkojmë dhe e gjejmë fajin mes nesh, që na ka humbur rruga në oborr, bëhemi sehirxhinj e dorëlëshuar me historinë, dhe s’i vemë në kandar  gjërat e “vogla”.

Meritojnë përshëndetje atë çka thonë e shkruajnë të huajt për historinë tonë, kur bëhet fjalë për arkiva e ngjarje që kanë lënë pasoja në dokumentimin e historisë. Historiani francez Zhan Klod Faveirial, tek libri “Historia (më e vjetër) e Shqipërisë”. Faqe 334, shkruan mbi djegjen e arkivit 800-vjeçar në manastirin e Shën Naumit, pranë liqenit të Ohrit, me urdhër të patriarkut grek në vitin 1850-1851. Më tej ai vazhdon: “Murgu Serafin, autor i këtij akti vandalizmi, i thoshte  më 1856, peshkopit Popov dhe tre shokëve të tij..: “Sa më ka kushtuar për t’i shkatëruar të gjitha këto. Por patriarku më ka urdhëruar tri herë radhazi. Më së fundi, ai më shkroi: Është hera e fundit që ne të urdhërojmë….”. Vetiu lindin pyetje të shumta që e kanë brenda edhe përgjigjen: Pse i dogjën? Ç’përmbanin këto dokumenta? Kush nuk duhet t’i lexone e t’i njihte ato? Kujt i prishnin punë, apo kujt i hapnin punë, po të hapeshin ato një ditë?

Afrohemi sot në kohët moderne, në trajtimin e historisë ndaj  Aleksandrit të Madh të Mqedonisë. Në vitin 2014 janë disa gazeta që publikojnë shkrime lidhur me Aleksandrin e Madh, të cilin bota e njeh me emrim Aleksandri i Maqedonisë. Në testamentin e zbuluar nga studjuesja italiane Lucia Nadin, (një dokument të zbuluar kohët e fundit), “ai me gojën e tij ka thënë se, është pjellë e racës Ilire”. Maqedonasit i ngritën në mes të Skupit një përmendore të lartë e të bukur, pavarësisht se nuk është i racës së tyre, veç që mban emrin e Maqedonisë. Ndërsa ne, Akademia, apo katedrat e historisë pranë universiteteve, nuk kemi guxim të bëjmë një diskutim, apo kuvend shkencor lidhur me këtë zbulim të madh, që e nderon racën tonë. Nuk i shaj, as nuk i mbaj inat maqedonasit, që na grabisin heronjtë tanë. Ata po ndërtojnë historinë e tyre, me pjesë të historisë sonë dhe mburren. Një individ mund të  thërrasë deri në kupë të qielli, po ësht vetëm një dhe s’e dëgjon njeri. Ai mund të shpojë e mallkojë institucionet shqiptare që heshtin, në mënyrë që të shkunden nga plogështia, të ngrihen nga rehatia e të lëvizin, që t’i dalin për zot historisë sonë.

Kërkojmë më tej në trazirën tonë shqiptare dhe gjejmë çudira. Bie fjala për qëndrimin pndaj figurës më të madhe e më të  ndritur të kombit, për  Nënë Terezën. Të gjithë e mbajmë mend zhurmën që u bë para pak vitesh, mes nesh dhe maqedonasve, kur Vatikani vendosi që, Gonxhe Bojaxhi, Nënë Tereza shqiptare, të shpallej shenjtore. Besoj se bëmë mire, që u ngrit opinioni intelektual e politik, që Nënë Tereza të mbetej shqiptare, ashtu siç ishte dhe është në të vërtetë. Nuk ka vlerë për përgjigje një pyetje që mbetet mes buzëve: Pse vrapuan maqedonasit ta përvetësonin emrin dhe veprën e saj, megjithse e dinë mirë se ajo është shqiptare?

Ashtu si shumë të tjerë, kam shkuar shpesh në Shkup dhe jam prulur me nderim para monumentit madhështor të Lekës së Madh, para shtatores së Nënë Terezës, dhe të prijsit tonë legjendar Skënderbeut, figurave të ndritura të racës iliro-shqiptare. Unë i vlerësoj për nderin dhe vlerësimin që u bëhet këtyre figurave me përmasa botërore, pavarësisht se ata nuk e bëjnë për hatrin dhe lavdinë e shqiptarëve e të Shqipërisë. “Çudia” qëndron tek ajo çka po bëjmë ne, që po tregohemi dorlëshuar me heronjtë dhe historinë tonë.

Afrohemi në ditët e fundit. Pak muaj më parë u bë pak zhurmë mediatike, lidhur me alarmin që dha gazetari ynë Marin Mema, lidhur me “Zambakun shqiptar”, që biollogët serb po duan ta quajnë të tyren, pasi është gjetur edhe në rrethinat e Mitrovicës. Me një goditje vrasin dy zogj, sepse edhe Mitrovicën shqiptare po e quajnë territor serb. Shumë mirë për ta, por shumë keq për ne, për shkencën tonë dhe për emrin e Shqipërisë, pasi edhe kjo lule e rrallë është pasuri kombëtare e njohur në thesarin botëror. Do ta quaj veten fatlum, nëse unë nuk e di, që ka dalë ndonjë deklaratë, mbase studim i akademisë apo e katedrave të Universiteteve tona, që të përballet shkëncërisht, të dënojë veprimin serb dhe të mbrojë pasuritë tona kombëtare.

Dikush, ashtu si edhe për ndodhitë e tjera, mund të shprehet pa u menduar gjatë, “S’u bë qameti për një lule”. E di që s’kanë të drejtë, ndaj i pyes për t’i dhënë edhe përgjigje: Po ne pse nuk vemë mend duke mësuar nga të tjerët dhe nga makutëria e fqinjëve tan, që nuk falin veç na grabisin? Për të vazhduar edhe një herë me pyetjen:

Vallë ç’po ndodh me ne shqiptarët që po venitet nervi i vetmbrojtjes? 

 

Kadri Tarelli

Durrës më: 15, të Korrikut, 2016.

(Video) EMRAT/ “Zëri Amerikës” denoncon me emra gjyqtarët që liruan Lul Berishën

Me 5 dhjetor, ish kreu i “Bandës së Durrësit’ Lulzim Berisha, i dënuar për pesë vrasje dhe disa atentate u lirua me kusht nga Gjykata e Apelit Durrës.

I dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda në vitin 2012, dënimi i Berishës u reduktua në 25 vjet burg ne vitin 2014 nga një vendim i Gjykatës së Lartë.

Por edhe nga ky dënim, i akuzuari për vrasje dhe pjesëmarrje në grupe kriminale, ka kryer fizikisht 10 vjet e tetë muaj burg që nga arrestimi i tij i 6 prillit 2006.

Lulzim Berisha ka përfituar nga një seri e gjatë vendimesh gjykate të debatueshme dhe shpesh kontradiktore për ulje dënimi si dhe nga ligji i vitit 2012 për amnistinë.

Një tjetër faktor që ndikoi në reduktimin e dënimit të tij është zgjatja për vite të tëra e procesit gjyqësor, ku një ditë në qeli si i paraburgosur llogaritet me 1.5 ditë burg.

Pasi i shpëtoi burgimit të përjetshëm në vitin 2014, Lulzim Berisha i drejtoi Gjykatës së Durrësit një lumë kërkesash për ulje dënimi.

Më saktësisht, në shtator të vitit 2015, me vendim të gjyqtares Shpëtime Pitaku, dënimi i Berishës për periudhën 2006-2015 është ulur me 1 vit e 11 muaj burg.

Më tej, me 19 prill 2016, me vendim të gjyqtarit Tritan Hamitaj, Lulzim Berisha ka fituar një ulje dënimi prej 90 ditësh për periudhën prill 2015 –prill 2016, edhe pse ligji parashikon se të dënuarit në burgjet e sigurisë së lartë nuk mund të përfitojnë më shumë se 45 ditë ulje dënimi gjatë një viti.

Me 11 maj të këtij viti, me vendim të gjyqtarit Fejzo Hysi, Berisha ka përfituar nga amnistia e vitit 2012 edhe 1 vit e gjysmë ulje dënimi, edhe pse ligji i amnistisë e mohon kategorikisht këtë të drejtë për të dënuarit me vrasje.

Ndërsa me 1 dhjetor, gjyqtarja Eda Kaja ka dhënë një vendim tjetër, duke i ulur edhe 45 ditë burg nga periudha e vuajtjes së dënimit Lulzim Berishës. Vendimet e marra nga gjyqtarët Kaja dhe Hamitaj janë në kontradiktë me njëri tjetrin për masën e uljes së dënimit dhe të mbivendosura në kohë.

Lulzim Berisha e ka kërkuar lirinë me kusht që në mesin e vitit 2016, por gjykata e Durrësit e ka hedhur poshtë me 28 korrik, duke argumentuar se ai nuk i kishte kryer akoma ¾ e dënimit prej 25 vjetësh, me gjithë uljet e përfituara deri në atë kohë.

Megjithatë, Gjykata e Apelit vendosi më 5 dhjetor se kjo kohë është përmbushur pas vendimit të uljes së dënimit me 45 ditë në 1 dhjetor nga gjyqtarja Eda Kaja.

Sipas gjykatës, në përllogaritjet e bëra me datë 2 dhjetor, me uljet e përfituara edhe nga vendimi i fundit i shkallës së parë, Berisha kishte vuajtur virtualisht 18 vite e 9 muaj heqje lirie dhe i mbeteshin edhe 6 vite e 2 muaj burg, duke përmbushur kriterin bazë të lirimit me kusht.

Trupa e udhëhequr nga gjyqtari Arben Vrioni si kryesues, dhe anëtarët Petrit Çano dhe Anita Mici ka vendosur ta lirojnë me kusht Berishën, pasi kanë gjykuar se i dënuari është rehabilituar, ka pasur sjellje shembullore në burg, dhe ishte në “gjendje të renduar psikologjike për shkak të kohës së gjatë të vuajtjes së dënimit.”

Ambasadorja e re në Greqi: Zgjidhje të problemeve me Athinën përmes dialogut

Në kohën kur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë të tensionuara, Shqipëria përgatitet të dërgojë në Athinë një tjetër ambasadore.

Pas përfundimit të mandatit të ambasadorit aktual, Dashnor Dervishi, është Ardiana Hobdari, e cila ka mbajtur postin e ambasadores së Shqipërisë pranë Këshillit të Europës, ajo që pritet ta zëvendësojë atë.

E thirrur në një seancë dëgjimore në Komisionin e Jashtëm, Hobdari theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë tejet të rëndësishme dhe fokusi i punës së saj do të jetë në vijimin e dialogut mes dy shteteve për zgjidhjen e problemeve.

Tashmë kemi një mekanizëm komunikimi mes dy Ministrive të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe të Greqisë, për trajtimin e të gjitha çështjeve dypalëshe duke synuar gjetjen e zgjidhjeve për to, të ndara në 3 shporta kryesore. Së pari, çështjet e trashëguara nga e kaluara, me origjinë nga Lufta e Dytë Botërore, zgjidhja e të cilave do të çlironte energji pozitive në marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Së dyti, çështjet e së tashmes, që kanë një ndikim të drejtpërdrejtë mbi jetën e përditshme të qytetarëve tanë, kryesisht të shqiptarëve që jetojnë në Greqi. Së treti, çështjet me rëndësi përcaktuese për të ardhmen”, tha Ardiana Hobdari, kandidate për ambasadore të Shqipërisë në Greqi.

Në këtë seancë dëgjimore ishte i pranishëm edhe Selim Belortaja, i cili është kandidat për të drejtuar selinë diplomatike të Shqipërisë në Pekin.

Për të, marrëdhëniet me Kinën janë tejet të rëndësishme dhe do të duhet më shumë vëmendje për të thithur sa më shumë investime.

Rama jo më soditës, takon liderët shqiptarë për koalicionet në Maqedoni

Tirana zyrtare nuk do të sodisë më nga larg situatën politike në Maqedoni.

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka guxuar. Ai nuk ka ndërmend më t’i lërë partitë politike shqiptare atje të vendosin në “kokë” të tyre, siç kanë bërë vitet e fundit, ku BDI-ja e Ali Ahmetit dhe PDSH-së e Menduh Thaçit, që pas çarmostosjes së UÇK-së në vitin 2001, i bënin fresk VMRO-DMPNE-së së Nikola Gruveskit, shkruan Shekulli.

Dje u njoftua për një takim të mundshëm mes kryeministrit Edi Rama dhe liderëve politikë shqiptarë, Ali Ahmetin e BDI-së, Bilall Kasamin e Lëvizjes BESA, Menduh Thaçin e PDSH-së dhe Ziadin Selën e LR-PDSH-së.

Madje, mediat në Shkup kanë shkruar se dje ka pasur një takim mes Selës dhe Ramës në zyrën e këtij të fundit në Tiranë. Siç raportohet në mediat në Shkup, Sela dhe Rama kanë folur për zgjedhjet, për kërkesat e shqiptarëve, për zgjedhjet dhe për mbarëvajtjen e tyre. Mësohet se ata gjithashtu kanë folur edhe për periudhën deri në krijimin e qeverisë së ardhshme të Maqedonisë. Dhe shefi i kabinetit të Ali Ahmetit, Artan Grubi ka konfirmuar për mediat në Shkup se mes Ahmetit dhe Ramës ka pasur një përpjekje për një takim, por për shkak të angazhimeve të Ahmetit, ky i fundit nuk ka udhëtuar drejt Tiranës. “Tentativa është për nesër (e mërkurë) megjithatë akoma e pakonfirmuar ngase ne jemi ekstremisht të zënë”, ka thënë Grubi.

Në këtë takim, Rama do të mundohet të gjejë mundësinë që katër liderët shqiptarë të paraqiten me një Program të përbashkët para mandatarit të ardhshëm maqedonas për formimin e qeverisë. Megjithëse askush nga partitë politike shqiptare në Maqedoni nuk kanë pranuar të flasin se cila do të jetë tema kryesore e takimit, një gjë është e sigurt: Tirana zyrtare ka vendosur të tregojë qasje të re më serioze të Shqipërisë ndaj subjekteve në Maqedoni, sidomos pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit.

Negociatat
Ende pa nisur negociatat për koalicion të mundshëm për formimin e Qeverisë së ardhshme, pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 dhjetorit, opinioni shqiptar në Maqedoni kërkon që të “izolohet” Nikolla Gruevski dhe partia e tij nga ana e shqiptarëve. Njohësit e rrethanave politike në vend porosisin se i duhet thënë “JO!” këtij të fundit, i cili kurorëzoi fushatën parazgjedhore me retorikë të spikatur nacionaliste. Analisti politik Albert Hani, duke komentuar situatën pas zgjedhore ka thënë se shqiptarët me anë të votës treguan se nuk e duan ish-kreyministrin Gruevski.

“Politikanët e zgjedhur nuk duhet të shkojnë kundër dëshirës së popullit dhe të përkrahin parti politike që i keqpërdor shqiptarët e Maqedonisë për tu pozicionuar më mirë në shoqëri. Edhe pse me më pak mandate për deputetë në këtë përbërje të re të Parlamentit, pozita politike e shqiptarëve është tejet e lakmueshme. Nëse mençuria mbizotëron egon, politikanët e zgjedhur jo vetëm që formalisht mund faktorizohen, por mund që të kenë të drejtën e vetos në proceset vendimmarrëse.

Tani dialogu i mirëfilltë ndërpartiak është më se i nevojshëm”, tha Hani. Dhe politikologu Deniz Memedi vlerëson se partitë politike shqiptare e kanë shansin për të ndëshkuar Gruevskin, për retorikën shoviniste dhe politikat antishqiptare që ka bërë gjatë kohës sa ka qeverisur vendin. “Një tablo ideale do të ishte nëse do të ishin bashkuar gjithë subjektet politike shqiptare me qëllim të realizimit të kërkesave të popullit shqiptar.

Mirëpo, kjo do të jetë shumë e vështirë duke pasur parasysh përvojën e situatës parazgjedhore ku partitë opozitare nuk arritën të gjejnë gjuhën e përbashkët për të shkuar me një listë të përbashkët në zgjedhje. Sidoqoftë, tash kemi një situatë të re premtuese, që partitë politike do t’i detyrohen vëmendshëm ti bëjnë lëvizjet e tyre nga shkaku se panë që elektorati dinë të vlerëson se kush duhet ta përfaqësojë në dhomën e përfaqësuesve dhe gabimi eventual do të jetë edhe më ndëshkues në zgjedhjet e radhës”, deklaroi Memedi. Nikolla Gruevski, i VMRO-DPMNEsë gjatë fushatën parazgjedhore ka lëshuar mllef ndaj shqiptarëve, duke i vlerësuar qëndrimet e shqiptarëve të rrezikshme për ardhmërinë e vendit.

Marrëveshja

Edhe pse në vitin 2001 u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, duke i dhënë fund konfliktit shqiptaromaqedonas, dhe pavarësisht se pika kryesore e kësaj “ujdie” ishte përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha institucionet shtetërore, të gjitha qeveritë, që kanë drejtuar prej nga ajo kohë vijojnë ta konsiderojnë Maqedoninë si shtet vetëm të maqedonasve. Gjatë 15 viteve, shqiptarët janë diskriminuar pareshtur. Dy partitë kryesore shqiptare që kanë pasur dhe përfaqësuesit e tyre në Kuvend dhe bashkëqeverisje, krejt ajo që kanë bërë ka qenë shfrytëzimi i privilegjeve të pushtetit, ndërsa në raport me njëra-tjetrën vetëm sa e kanë thelluar përçarjen ndërshqiptare atje.

Deputeti i PS akuzon: Ambasadorët i harxhojnë paratë për ministrat

Komisioni i Jashtëm ka miratuar dje nen për nen projektbuxhetin e Ministrisë së Jashtme për vitin 2017. Gjatë seancës, deputetët e maxhorancës ngritën si shqetësim se Ministria e Jashtme ka lënë pa fonde ambasadat shqiptare, pjesa më e madhe e të cilave nuk ka mundur të realizojë ceremoninë festive të festës kombëtare, raporton “Panorama”.

 

Deputeti i Partisë Socialiste, Namik Dokle, tha se ambasadorëve duhet t’u jepet një zë i veçantë në buxhet, i cili të mos preket, por të jetë vetëm për pritjen e festës së 28 Nëntorit. Deputeti i PS-së tha se ambasadorët fondet e tyre i shpenzojnë në karburant për të shëtitur ministrat në vizitat triditore. “A i kanë festat të gjitha ambasadat tona? Unë di një, që s’e ka bërë festën kombëtare dhe ambasadori më ka thënë që s’e kam bërë se nuk kam fonde. Duhet të sigurohet një fond i posaçëm që të bëhet të paktën një festë modeste.

Nuk mund të shkojë një ambasadë shqiptare të mos bëjë një pritje për festën kombëtare. Ka rëndësi që Ministria të dijë se sa fonde duhet të ketë çdo ambasadë me atë 5 lekë që ka, sa persona mund të ftojë. Mund të bëhet festë dhe me 20 veta, por ama bëhet. Ambasadori nuk mund të thotë kam 5 lekë. Ambasadorit duhet t’i thotë Ministria që ke kaq lekë të përcaktuar për festën dhe jo për karburant dhe jo për gjëra të tjera.

Pra, meqenëse është një problem që e konsideroj të rëndësishëm, çdo ambasador që në janar duhet të dijë sa fonde ka për 28 Nëntor dhe ato janë të paprekshme për gjëra të tjera. Se pastaj ai i shkreti ça do bëjë, nuk ka, i shkon një ministër dhe do ta shëtisë tri ditë andej-këndej, harxhon karburantin dhe s’ka lekë për festën”, tha dje Dokle.

Drejtoresha e Financës në Ministrinë e Jashtme, Ilda Dega, tha dje se ambasadat festat i bëjnë dhe kur gjejnë donacione.

“Për festën kombëtare ne operojmë në këtë mënyrë, ambasadori thotë që nga buxheti im kam ndarë kaq për festën kombëtare dhe kam gjetur kaq donacione dhe sa do më ndihmojë ministria për festën kombëtare”, u shpreh ajo. Por Dokle u shpreh: “Nuk e di nëse ligji e ka tani, por nëse nuk e ka, do të kërkoj që në buxhet të caktohet që të jetë një fond për festën dhe të shpenzohet në mënyrë strikte vetëm për festën kombëtare dhe jo për karburante, jo për goma, apo nuk e di se çfarë”.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme u pyetën nga deputetët nëse do të rriten edhe pagat e ambasadorëve nga premtimi i qeverisë, por përgjigjja që morën ishte “besoj se do të rriten”.

Nga ana tjetër, deputetja e maxhorancës u ankua se vetëm deputetët janë përjashtuar nga rritja e pagës dhe se janë lënë me një pagë të barabartë me një drejtor. “Vetëm ne deputetët jemi përjashtuar nga rritja. E kemi pagën sa një drejtor”, dhe deputetja e PSsë, Luljeta Arapi.

Berisha e cilësoi dje frikacak, ja si i përgjigjet sot Izet Haxhia

Sali Berisha dhe Izet Haxhia

Një ditë më parë, ish kryeministri Berisha u pyet nga Sokol Balla lidhur me akuzat e Izet Haxhisë për përgjegjësitë e tij në vrasjen e Azem Hajdarit.

Berisha e cilësoi ish badigardin e tij gjatë kohës që ka qenë President, si një vrasës frikacak që ia mbathi nga vendi.

“Ky që po më thoni ju ia mbathi, ka ikur se nuk është trim si i vëllai, që qëndroi këtu. A mund të citohet një vrasës, të cilit Edi Rama nuk ia çon dosjen në Strasburg, pikërisht për të bërë këto deklarata që ai bën?!”, u shpreh Berisha.

Por Izet Haxhia i është përgjigjur sot me një status në faqen e tij në Facebook, ku tregon, sipas versionit të tij, një ngjarje natën e 13 marsit 1997.

“Po pse more sali ha… qenkam frikacak e i paburre ?Ngaqe te besova e mbrojta ty qe nga dhjetori i 1990 e deri ne korrik te 1997 ?Te shoqerova ne çdo hap tendin i pangrene e pa gjume , ku mendoja qe gjeja me e mire qe mund te me gjente ishte burgu,kur edhe njerzit e tu te gjakut te shanin e mallkonin sepse kishe tradhetuar partine qe te shkolloj e beri njeri ,por qe ne fakt ti njeri nuk u bere kurre .Por te isha i paburre e frikacak te braktisja e lija vetem ne mars te 97 ,siç te lane te gjithe bashpuntoret e tu hajdute e spiune .Te lija t’ja mbathja ate nate te 13 marsit 1997 per tek vila e mikut tend ,bashpuntorit te sigurumit te shtetit ,Ahmet Ulaj ne mamurras ,e pastaj me helikopterrin e forcave ajrore franceze ne rrugen tende te pakthim te arratise e tradhetise..Vertet nqs se kam bere ndonjehere paburreri eshte ajo nate e 13 marsit ,qe ty qe dridheshe si qen i rrahur nga frika ,duke thene se çdo gje mori fund ,te mbajta me zor ne ate zyre te mallkuar”, shkruan Haxhia.

Sipas tij “O sali meqe une isha frikacak ,pse more burre i malsise ,pas rrafjes se Nikoll Lesit ,pasi aludove se une po veproja qe te groposja ty ,dhe une pas ketij aludimi u largova nga ti ,ti si nje trim i madh qe je ,fute gruan dhe vajzen te me merrnin ne telefon e duke mu lutur te kthehesha prane teje ,e te mos ua veja veshin atyre qe thoje ti ,sepse e kishe gjendjen psikologjike te renduar..Eshte e hijshme per nje burre zakoni si puna jote o sali ,te fuse mik femrat e shpise tek nje i paburre e frikacak si puna ime?Ti thua se qenke ti ,dora vete qe me paske denoncuar mua si vrases ne ambasaden amerikane e ne baze te ketij denoncimi paskam marre denimin e merituar.Po pse more sali ,nje burri trim si puna jote ,i shkon te denoncoje ne deren e nje te huaji ,qofte edhe nje vrases i paburre e frikacak si puna ime?”.


Send this to a friend