VOAL

VOAL

Pasojat e mundshme të pranimit të fajësisë nga Michael Flynn

Ish këshilltari i Presidentit Donald Trump për sigurinë kombëtare, gjenerali në pension Michael Flynn, pranoi fajësinë për akuzat se kishte gënjyer FBI-në në lidhje me hetimet që po vazhdojnë për përfshirjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016. Flyn bëhet ish-zyrtari i parë i Shtëpisë së Bardhë që përballet me akuza dhe ka pranuar fajin në lidhje me hetimet e drejtuara nga prokurori i posaçëm Robert Mueller.

Ishte një ditë përballjeje me përgjegjësinë kur ish-këshilltari i sigurisë kombëtare Michael Flynn doli para gjykatës federale në Uashington për të pranuar zyrtarisht fajësinë.

Ai pranoi se kishte gënjyer agjentët e FBI-së rreth detajeve mbi kontaktet me ambasadorin rus gjatë periudhës së tranzicionit pas zgjedhjeve para inaugurimit të zotit Trump.

Flynn ishte një mbështetës i hershëm i zotit Trump gjatë fushatës presidenciale dhe kritik i fuqishëm i kundërshtares demokrate, Hillary Clinton, në Konventën Kombëtare Republikane.

“Nuk kemi nevojë për një presidente të pamatur që beson se është mbi ligjin.”

Flynn po ashtu iu bashkua delegatëve republikanë që bënin thirrje që Cliton të burgosej.

Ndërsa dje ai dilte nga gjykata, protestuesit thërrisnin “burgoseni”. Presidenti mbajti një profil të ulët pas zhvillimeve, duke dalë për pak momente para kamerave ndërsa priti kryeministrin e Libisë.

Avokati i Shtëpisë së Bardhë, Ty Cobb, lëshoi një dekleratë ku thuhet se pranimi i fajësisë nga Flynn nuk implikon askënd përveç tij.

Por pranimi nga Flynn se ai po bashkëpunon me prokurorin e posaçëm mund të shkaktojë probleme në të ardhmen për presidentin, thotë ligjvënësi demokrat Adam Schiff.

“Zoti Mueller duket se ka bashkëpunim të rëndësishëm nga gjenerali Flynn nëse ky është pranim faji. Këto janë akuza shumë serioze në vetvete dhe tregues për bashkëpunim shumë të rëndësishëm.”

Në tetor, zoti Mueller ngriti akuza ndaj tre ish-ndihmësve të fushatës së zotit Trump, përfshirë ish-kryetarin Paul Manafort.

Gjatë gjithë hetimeve të zotit Mueller, Presidenti Trump ka këmbëngulur se nuk kishte pasur bashkëpunim mes fushatës së tij dhe rusëve për ndërhyrje në zgjedhje. Por analisti Bill Galston thotë se kjo mbetet një çështje e hapur.

“Nëse prokurori i posaçëm del në përfundimin se nuk ka patur bashkëpunim, ky është fundi i çështjes. Por ne nuk e dimë, dhe ky është kryqëzimi i madh i paditur për presidencën e zotit Trump.”

Hetimi për ndërhyrjen ruse ka qënë një shqetësim i madh për vitin e parë të zotit Trump në detyrë dhe ka kontribuar në vlerësime historikisht të ulta për presidentin në vitin e parë të punës.

Në Havai kryhet testi i parë alarmues atomik prej Luftës së Ftohtë

Shteti amerikan, Havai, e ka kryer një test të sistemit të alarmit për sulm atomik, për të parën herë prej Luftës së Ftohtë, derisa janë ngritur tensionet me Korenë Veriore, për shkak të vazhdimit të provave të programit raketor të saj.

Dje në mesditë, më se 380 sirena në gjithë shtetin kanë alarmuar për një minutë, e pastaj është dëgjuar klithja “sinjal alarmues i sulmit”.

Këto pajisje të njejta ishin përdorë për alarmimin për cunami dhe katastrofa të tjera natyrore.

Zyrtarët thanë se ata do t’i analizojnë çfarëdo ankesash,raporte apo probleme dhe do të zhvillojnë hetime për çfarëdo gabimesh eventuale.

Havai gjendet 4,600 kilometra nga Koreja Veriore, e cila ka kryer teste të armatimit atomik dhe të raketave balistike, duke i injoruar rezolutat e Kombeve të Bashkuara dhe dënimin nga pjesa më e madhe e shteteve në botë.

SHBA, Lincoln Park ndriçohet me 2.5 milionë drita

Parku është ndriçuar me rreth 2.5 milionë drita në forma dhe ngjyra të ndryshme

CHICAGO – Ka filluar festimi tradicional “Drita e kopshtit zoologjik” në Chicago të SHBA-ve.

Organizimi i performancës në kopshtin zoologjik të Lincoln Park-ut ka vazhduar për 23 vjet.

Parku është ndriçuar me rreth 2.5 milionë drita në forma dhe ngjyra të ndryshme. Mijëra vizitorë tashmë ditët e para vizituan parkun dhe u kënaqën në atmosferën para Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Vizitorët kishin rastin të shikonin labirintin e dritës, lunaparkun, statujën prej akullit, etj. Ngjarja më popullore dimërore në Chicago zgjat deri më 7 janar.

Flynn pranon fajësinë për deklarata të rreme

Ish-këshilltari i sigurimit kombëtar amerikan Michael Flynn pranoi fajësinë se i ka dhënë deklarata të rreme Byrosë Federale të Hetimeve.

Ai bëhet personi i katërt i ngarkuar me akuza në një hetim me përmasa të gjera të drejtuar nga hetuesi i posaçëm Robert Mueller dhe ekipi i tij.

Dokumentet e gjykatës tregojnë se zoti Flynn, mbështetës i hershëm dhe i zëshëm i fushatës së presidentit Donald Trump, do të pranojë se ka gënjyer FBI-në për bisedat e tij me ambasadorin e Rusisë në Uashington gjatë periudhës së ndërrimit të administratave.

Flynn përballet me mundësinë e pesë viteve burgim.

Zoti Flynn, i cili u intervistua nga FBI-ja vetëm disa ditë pas përurimit të Presidentit Trump, u detyrua të japë dorëheqjen në muajin shkurt, kur zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë deklaruan se ai nuk u kishte treguar të vërtetën rreth faktit nëse kishte diskutuar me ambasadorin rus mbi sanksionet amerikane ndaj Moskës.

Muajin e kaluar hetuesi i posaçëm Mueller njoftoi akuzat kundër tre zyrtarëve të tjerë të fushatës së zotit Trump.

Plane për zëvendësimin e sekretarit Tillerson me shefin e CIA-s, Pompeo

Shtëpia e Bardhë ka plane për të zëvendësuar sekretarin e Shtetit Rex Tillerson me zotin Mike Pompeo, Drejtor i CIA-s, brenda disa javësh, sipas një zyrtari të lartë të administratës.

Në bazë të planit, senatori republikan Tom Cotton do të zëvendësojë zotin Pompeo në krye të CIA-s, njofton gazeta New York Times, duke iu referuar zyrtarëve të lartë të administratës.

Gazeta, e para që njoftoi rreth këtij plani, thotë se ende nuk është plotësisht e qartë nëse Presidenti Trump ka dhënë miratimin përfundimtar për këto ndryshime.

Largimi i zotit Tillerson do t’i jepte fund karrierës së tij në administratë gjatë së cilës ai ka patur shpesh herë mosmarrëveshje me Presidentin Trump rreth çështjesve si ajo e Koresë së Veriut dhe po ashtu ishte vënë nën kritika rreth planeve të tij për të bërë shkurtime në Departamentin e Shtetit.

John Kelly, shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, është hartuesi i këtij plani dhe e ka diskutuar atë me zyrtarë të tjerë të lartë, sipas gazetës.

Ndryshimet pritet të ndodhin para fundit të vitit ose në fillim të janarit.

Për largimin e zotit Tillerson flitej prej muajsh dhe ambasadorja në OKB, Nikki Haley ishte përmendur si zëvendësuesja e tij e mundshme. Por zoti Pompeo duket se ka dalë në krye të kandidatëve për postin, duke fituar besimin e Presidentit Trump për çështjet e sigurisë kombëtare.

Trump riposton videot, reagojnë ligjvënësit britanikë

Ligjvënësit britanikë reaguan me zemërim të mërkurën lidhur me ripostimin nga presidentit Donald Trump të disa videove anti-myslimane të postuara fillimisht nga një udhëheqëse britanike e ekstremit të djathtë, e cila është dënuar më parë për gjuhën e urrejtjes.

Disa ligjvënës i bënë thirrje Kryeministres Theresa May të anulojë një “vizitë pune” të planifikuar nga presidenti Trump për vitin e ardhshëm.

“Ai nuk është aleat ose mik i yni”, tha ligjvënësi laburist David Lammy, i cili shtoi se presidenti i SHBA nuk është i mirëpritur në Britani.

Zëdhënësi i Kryeministres May tha se zoti Trump “gaboi” me ripostimin e videove. “Britanikët kundërshtojnë në shumicë të madhe retorikën plot paragjykime të së djathtës ekstreme, e cila është antiteza e vlerave që ky vend përfaqëson – mirësjellje, tolerancë dhe respekt. Është gabim që presidenti e bëri këtë,” tha ai.

Edhe politikanët britanikë që normalisht janë pro zotit Trump e kritikuan Presidentin amerikan për ripostimin e videove të zonjës Jayda Fransen, nënkryetare e grupit të ekstremit të djathtë anti-emigrant “Britania e Para”, e cila kërkon kthimin e “vlerave tradicionale britanike” dhe fundin e “islamizimit.”

Ripostimet e videove u bënë të mërkurën në mëngjes. Zoti Trump ripublikoi së pari një video të paverifikuar që pretendon se tregon emigrantë muslimanë duke rrahur një djalë holandez me paterica. Pak çaste më vonë, presidenti vendosi një video të dytë, e postuar fillimisht nga Fransen, që pretendon të tregojë një “mysliman” duke shkatërruar një statujë të Shën Mërisë.

Një postim i tretë shoqërohet me mesazhin: “Turma islamike shtyn djalin adoleshent nga çatia dhe e rreh për vdekje!”

Fransen ka pasur disa përplasje me policinë për gjuhën e urrejtjes, ashtu si edhe udhëheqës të tjerë të grupit Britania e Para, të cilët janë akuzuar për provokime fetare.

Trump “poston video anti-myslimane” në Twitter

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka postuar të mërkurën në Twitter video anti-myslimane, të cilat fillimisht janë postuar nga udhëheqësja e një partie britanike e ekstremit të djathtë.

Si kandidat për president, Trump ka bërë thirrje për ndalimin e myslimanëve në SHBA; si president, ai ka lëshuar urdhra ekzekutivë për t’iu ndaluar hyrjen në SHBA qytetarëve të disa vendeve me shumicë myslimane.

Jayda Fransen, udhëheqëse e grupit anti-migrant Britania e Para, i ka postuar videot të mërkurën, duke thënë se ato tregojnë një grup njerëzish myslimanë, duke rrahur një adoleshent deri në vdekje, duke goditur një djalë me paterica dhe duke shkatërruar një statujë të krishterë, raporton Reuters.

Megjithatë, kjo agjenci thotë se nuk ka mundur t’i konfirmojë videot.

Shkarkohet Lauer i NBC News, akuza për sjellje të pahijshme seksuale

Rrjeti televiziv NBC njoftoi sot se ka pushuar nga puna Matt Lauer-in, një nga drejtuesit e mirënjohur të emisionit të mëngjesit, për sjellje seksuale të papërshtatshme në vendin e punës.

Bashkëdrejtuesja e emisionit Savannah Guthrie e njoftoi lajmin në fillim të programit të mëngjesit “Today”.

Ky është një mëngjes i trishtuar këtu në “Today” në NBC News” tha ajo.’

Matt Lauer, 59 vjeç, është një nga figurat më të njohura të emisioneve të mëngjesit mjaft të ndjekura në Amerikë.

Ai radhitet tek të mëdhenjtë e gazetarisë televizive, spektaklit dhe politikës në SHBA, që janë larguar apo goditur pas akuzave për ngacmime, sulme seksuale ose përdhunime, në një valë zemërimi që nisi me akuzat e shumta ndaj manjatit të kinemasë Harvey Weinstein.

Në një shkresë drejtuar stafit, drejtuesi i NBC-së Andy Lack shkruante se të hënën në mbrëmje, rrjeti televiziv mori një ankesë të hollësishme rreth sjelljes së papërshtatshme seksuale në vendin e punës të gazetarit Matt Lauer.

Pas shqyrtimit serioz të letrës, ajo që thuhej në të, përfaqësonte një shkelje të qartë të standardeve të kompanisë sonë. Si rezultat, kemi vendosur të ndërpresim marrëdhëniet e tij të punës“, shkruante zoti Lack.

Sipas tij kjo ishte ankesa e parë kundër Matt Lauer-it në më shumë se 20 vjet punë në NBC. Por drejtuesi i NBC-së tha se rrjeti televiziv siguroi prova që tregonin se ky nuk mund të mos ketë qenë një incident i izoluar.

Mediat: Evoluojnë hetimet ndaj ish-këshilltarit Flynn

Shtypi amerikan njoftoi se ekipi ligjor që përfaqëson ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të presidentit, Michael Flynn, nuk po shkëmben më informacione me Shtëpinë e Bardhë, lidhur me hetimet në vazhdim mbi ndikimin e Rusisë në zgjedhje.

Dje gazeta “New York Times” njoftoi se përfundimi i marrëveshjes për të shkëmbyer informacion mund të nënkuptojë që zoti Flynn po bashkëpunon me Prokurorin e Posaçëm Robert Mueller. Ky i fundit po heton ndërhyrjet e mundshme të Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 si dhe çdo lidhje të mundshme mes zyrtarëve të fushatës së zotit Trump dhe Moskës.

Michael Flynn dha dorëheqjen nga administrata në muajin shkurt pasi u zbulua se kishte gënjyer lidhur me një bisedë që kishte patur me ambasadorin rus në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Flynn, një mbështetës i fortë i zotit Trump gjatë fushatës, ka qenë një figurë kryesore në hetimet që po kryhen nga prokurori i posaçëm Mueller.

Dita e Falenderimeve, festa e veçantë e amerikanëve

Sot amerikanët po kremtojnë ditën e Falenderimeve, një festë unike amerikane. Së bashku me familjen e miqtë ata shtrojë një darkë të veçantë, ku tradicionalisht serviret si pjatë kryesore gjeli i detit. Dita e Falenderimeve është edhe festa më familjare për amerikanët, kur brezat mblidhen për të shprehur falenderime për bekimet që u ka ofruar jeta. Është një traditë e krijuar që në vitet e para të kolonizimit të Amerikës nga të bardhët, kur familjet që i kishin mbijetuar dimrit të egër, u mblodhën me fqinjët indigjenë për të shprehur mirënjohje dhe falenderime për jetën në tokën e re.

Kjo është edhe periudha më e ngarkuar e trafikut, pasi amerikanët nisen nga qytet ku punojnë e jetojnë nga çdo skaj i kontinentit për në komunitetet ku kanë familjet për t’u mbledhur për të festuar.

Kjo ditë shënohet gjithashtu nga ngjarje sportive dhe festime përfshirë një paradë në Nju Jork që po zhvillohet nën mbikqyerjen e rreptë të autoriteteve.

Parada, ku pritet një pjesmarrje prej 200 mijë vetësh, vjen vetëm disa javë pasi një emigrant nga Uzbekistani sulmoi me një kamion të marrë me qera turmat e njerëzve që ndodheshin në një nga sheshet e njohur të qytetit, duke vrarë tetë prej tyre.

Ndërsa nuk ka informacion për ndonjë rrezik të mundshëm, departamenti i policisë së Nju Jorkut ka shpërndarë me mijëra oficerë policie përgjatë rrugës ku do të zhvillohet parada.

Dita e Falënderimeve, që shënon fillimin e sezonit të festime me rastin e Krishtlindjeve, pasohet nga ajo që njihet si e “e premtja e zezë”, kur bizneset e shitblerjes ofrojnë uljet më të mëdha të çmimeve, dhe konsumatorët shfrytëzojnë rastin për të gjetur mallra me kosto të ulët, që nga veshjet, lodrat e deri tek pajisjet dhe orenditë shtëpiake.

U rrëzua një aeroplan ushtarak amerikan, shpëtojnë 8 vetë

Aeroplanmbajtësja amerikane USS Ronald Reagan

Tetë vetë që ishin në një aeroplan të Marinës amerikane, i cili është përplasur sot në Paqësor, janë gjetur dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore, derisa vazhdon kërkimi për tre personat e tjerë, që konsiderohen të zhdukur, ka njoftuar Marina e Shteteve të Bashkuara.

Në rrjetin Twitter, Marina amerikane ka shkruar se tetë personat që janë gjetur janë dërguar në aeroplanbartësin, USS Ronald Reagan. Aeroplani i tyre transportues i tipit C-2 “Greyhound”, ishte përplasur derisa fluturonte për të arritur në këtë aeroplanbartës në ujërat japomneze, raporton agjencia AP nga Tokio.

Shkaku u përplasjes nuk është i qartë, tha Marina amerikane.

Ky aeroplan merrte pjesë në ushtrimet e përbashkëta ushtarake Shtetet e Bashkuara – Japonia, në ujërat rreth ishullit Okinave në Japoni.

Këto ushtrime kanë filluar më 16 nëntor dhe zgjasin deri më 26 nëntor.

SHBA: Komandanti i forcave ajrore thotë se do të refuzojë urdhërat e presidentit

Komandanti i forcës ajrore strategjike të SHBA-sw, John Hyten

Komandanti amerikan i forcave bërthamore thotë se ai do t’i bëjë ballë çfarëdo urdhëri “joligjor” nga presidenti, për lancimin e ndonjë sulmi bërthamor.

Gjenerali i forcave ajrore, John Hyten, komandant i komandës strategjike të SHBA-së, ka thënë në një forum në Kanada, se ai tashmë e ka diskutuar këtë me presidentin Donald Trump.

Ai thotë se do t’i thotë presidentit Trump apo secilit president se hedhja e armëve bërthamore do të refuzohet nëse një urdhër i tillë është joligjor.

“Nëse urdhëri është joligjor, unë do t’i them presidentit se kjo është joligjore”, duke shtuar se ai në vend të armëve kimike do të kërkonte rrugë alternative.

Komanda strategjike e SHBA-së kontrollon forcat bërthamore gjatë luftërave. Po ashtu mban përgjegjësi për kapacitetet kibernetike dhe mbrojtjen raketore të SHBA-së.

Në Uashington hapet Muzeumi i Biblës

Libri më i shitur në botë është Bibla, por dorëshkrimi i shenjtë është interpretuar në mënyra të ndryshme nga fe të ndryshme. Të shtunën në Uashington hapet një Muzeum i ri i Biblës, me fonde private. Ai ndodhet pranë ndërtesës së Kapitolit, në të janë ekspozuar artifakte të lashta të sjella nga shumë vende të botës, si dhe paraqitje interaktive të Biblës. Por ky muzeum ka ngjallur jo pak diskutime:

Nuk është për t’u çuditur, që në Muzeun e Biblës ka shumë Bibla… dhe muzikë biblike…histori të shkruara në hebraisht, madje edhe veshje të modës me dizenjo me temë biblike.

Bibla është e rëndësishme, sepse ajo ndihmon të mësosh për jetën, thotë

Tony Zeiss, drejtori i Muzeumit.

“Mëson shumë gjëra në këtë muze, por ne jemi përqëndruar tek rrëfimi dhe ndikimi i historisë. Do të donim që vizitorët të angazhohen më tepër personalisht tek ky libër i mahnitshëm”, – thotë drejtori i muzeut.

Ai thotë se muzeumi nuk ka për synim të krijojë përçarje dhe eksponatet e vendosura në disa kate të një ndërtese të madhe, janë projektuar nga më tepër se 100 studjues, të cilët përfaqësojnë pikëpamje të ndryshme. Ato janë paraqitje interaktive bashkëkohore për të edukuar njerëzit dhe për t’i zbavitur ata…

Nëpër disa eksponate madje mund edhe të ecësh nëpër një rikrijim të Nazaretit, qyteti i lindjes së Jezu Krishtit.

“Synimi është të krijohet një mjedis, në të cilin ndjen sikur je në një vend të ndryshëm, 2 mijë vjet më parë…”– thotë një punonjës i muzeut.

Muzeu është financim i Steve Green-it, nga një familje të krishterësh konservatorë evangjelistë, pronarë të kompanisë më të madhe në botë të shitjeve me pakicë të objekteve të artit, Hobby Lobby.

“Ne si familje do ta kishim të vështirë të fshihnim ato që besojmë. Ne mendojmë se rrëfimi i Biblës është i vërtetë. Por në këtë rast roli ynë është të paraqesim faktet e paraqitura nën një vështrim gazetaresk.”– thotë themeluesi i muzeut.

Por muzeu ngre pikëpyetje, thotë John Fea, që e konsideron veten një të krishterë evangjelist liberal.

“Pavarësisht se duan të qëndrojnë neutralë dhe objektivë ndaj Biblës, ka për të qenë tepër e vështirë, sepse dihet çfarë përfaqëson Bibla, ajo është e lidhur me një traditë të veçantë fetare dhe ka mënyrën e vet të interpretimit.”– thotë profesori Fea.

Profesori i Universitetit Georgetown, Jacques Berlinerbrau, i cili është hebre, mendon se Muzeumi bart në vetvete një plan të fshehtë.

“Ideja se Muzeumi nuk synon t’i konvertojë njerëzit në një fe të veçantë, që beson tek Jezu Krishti, për mua është absurde”.– thotë hebreu Jacques Berlinerbrau, profesor universiteti.

John Fea thotë se hapja e Muzeumit në kryeqytetin amerikan e ka një objektiv të fshehur.

“Është e vështirë ta shohësh hapjen e muzeut ndryshe nga një përpjekje për të sjellë vlerat kristiane dhe mësimet e Biblës, në këndvështrimin e protestantëve evangjelistë, si familja Greens, në qendër të jetës politike dhe kulturore të Amerikës”, thotë profesori Fea.

Në Muzeum ka artifakte të lashta impresionuese, disa prej të cilave të huazuara nga jashtë vendit, të tjera pjesë e koleksioneve të shumta të antikiteteve të familjes Green; disa prej tyre, rezulton se janë nxjerrë kontrabandë nga Iraku dhe më pas janë blerë pa e ditur burimin nga familja Green. Ata i konfiskuan objektet, kundrejt një gjobe prej 3 milionë dollarësh. Green i tha Zërit të Amerikës se Muzeumi është i gatshëm që t’ia kthejë artifaktet vendeve që u përkasin:

“Në se ata thonë për ndonjërin nga artifaktet se është i tyri, ne pranojmë”.

Zyrtarët e Muzeumit po i nxisin njerëzit të vijnë ta vizitojnë atë dhe të marrin vetë një vendim për atë ç’ka përfaqëson ai.

Administrata Trump dhe marrëdhëniet me Rusinë

Administrata Trump i doli në mbrojtje vendimit të Presidentit për të pranuar mohimin që Presidenti rus Putin, i bëri ndërhyrjes së Moskës në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016. Të dielën, ndihmësit e zotit Trump theksuan deklaratën e Presidentit se ai mbështet gjetjet e komunitetit amerikan të zbulimit lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në politikën amerikane.

Presidenti amerikan Trump dhe ai rus Putin u takuan jozyrtarisht këtë fundjavë në Vietnam, ndërsa merrnin pjesë në samitin ekonomik të vendeve të Azi-Paqësorit. Të shtunën në një konferencë shtypi zoti Trump tha se i besonte gjetjet e agjencive amerikane të zbulimit, sipas të cilave Rusia ishte përpjekur të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve amerikane. Por ai tha gjithashtu se ishte koha për të kaluar në çështje më të rëndësishme.

Mendoj se të paturit e Rusisë në një qëndrim miqësor dhe jo të luftojmë vazhdimisht me ta, kjo përbën pasuri për botën, për vendin tonë dhe nuk është diçka e keqe“, tha presidenti Trump.

Zoti Trump tha se paraardhësi i tij Barak Obama dhe sekretarja e tij e shtetit Hillary Clinton, donin të përmirësonin marrëdhëniet me Rusinë, përpjekje që sipas tij, nuk rezultuan të suksesshme. Në disa komente mediatike të dielën zyrtarët e administratës Trump përsëritën se Presidenti dëshiron të bashkëpunojë me Rusinë për çështje me interes botëror.

Mendoj se presidenti u fokusua në çështje shumë të rëndësishme si Koreja e Veriut dhe Siria, për të cilat duhet të bashkohemi dhe të kemi qëllime të përbashkëta me Rusinë. Kjo është është më e rëndësishmja tani“, tha Steve Mnuchin, Sekretari amerikan i Thesarit.

Sipas zyrtarëve, udhëtimi i Presidentit Trump në Azi u përqendrua tek siguria globale dhe lufta kundër terrorizmit.

Ky president ka në këtë detyrë nëntë apo dhjetë muaj. Ne kemi trashëguar një rrëmujë, përfshirë një Kore Veriu me armë bërthamore, marrëveshjen me Iranit, apo shumë pika të nxehta anembanë globit që ai po përpiqet t’i përmirësojë në emër të të gjithëve, kur ndodhet këtu apo në udhëtime jashtë vendit”, tha Kellyanne Conway këshilltare e presidentit Trump.

Por ish drejtori i CIA-s John Brennan dhe ish drejtori i zbulimit kombëtar James Clapper thanë për CNN të dielën se Presidenti Trump po manipulohet nga udhëheqësit rusë dhe kinezë. Sipas tyre do të ishte e rrezikshme për sigurinë e Shteteve të Bashkuara të supozohej se Rusia do të vepronte për të mirën botërore.

Ata përsëritën qëndrimin e një republikani të lartë në Senatin amerikan John McCain, i cili gjatë një deklarate të shtunën kritikoi presidentin Trump pse kërkoi bashkëpunimin e presidentit Putin për Sirinë. Zoti McCain tha se Moska është pengesa më e madhe për një zgjidhje politike në Siri, sepse ajo mbështet atë që ai e quajti, regjim “vrasës” të vendit.

Ish-zyrtarët e zbulimit kritikojnë Presidentin Trump

Dy ish zyrtarë të zbulimit amerikan e kritikuan Presidentin Trump të dielën për thëniet e tij se ai beson se presidenti rus Vladimir Putin “ka ndjesinë se ai dhe Rusia nuk ishin përzjerë” në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Ish drejtori i Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA John Brennan dhe ish drejtori i zbulimit kombëtar James Clapper, thanë për rrjetin televiziv CNN se sugjerimi fillestar i zotit Trump se ai e besonte Putinin tregon se “Donald Trump mund të përdoret nga udhëheqësit e huaj që përkëdhelin egon e tij dhe përpiqen të përdorin pasiguritë e tij, gjë që është shumë shqetësuese nga pikëpamja e sigurisë kombëtare.”

Zoti Clapper tha se Rusia përbën një kërcënim të dukshëm ndaj Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Trump u pyet të shtunën nëse çështja e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar ishte diskutuar në bisedat me zotin Putin në Vietnam, ku udhëheqësit po marrin pjesë në takimin e nivelit të larë të Azi-Paqësorit. Zoti Trump u përgjigj, “ai tha se nuk ishte përzjerë, ai tha se nuk kishte ndërhyrë. E pyeta përsëri. Nuk mund të pyesësh më shumë.” Zoti Trump shtoi se, “gjithçka ishte kurdisur nga demokratët” – një kritikë e drejtpërdrejt për ish udhëheqësit e zbulimit të Shteteve të Bashkuara, përfshirë Brennan dhe Clapper.

“Këta janë vegla politike. Po pastaj shikon Brennan dhe Clapper dhe pastaj James Comey. Comey është provuar që është gënjeshtar dhe rrjedhës informatash”, tha zoti Trump duke iu referuar ish drejtorit të Byrosë Federale të Hetimeve, FBI, i cili u pushua në fillim të presidencës së zotit Trump mes polemikave të shumta. “Në njërën anë kemi këto zhvillime. Dhe nga ana tjetër Presidenti Putin e thotë me forcë që nuk ka të bëjë fare me këtë”, tha zoti Trump.

Vërejtjet e Presidentit Trump nxitën kritika të menjëhershme të shtunën. Përmes një deklerare, senatori republikan John McCAin, një kritik i shpeshtë i presidentit, tha, “Kjo nuk është të vësh Amerikën përpara kur i beson fjalës së një koloneli të KGB-së në vend të komunitetit të zbulimit amerikan…..Vladimir Putin nuk ka në zemër interesin e Amerikës. Të besosh të kundërtën jo vetëm që është naivitet por vë në rrezik sigurinë tonë kombëtare.”

Por ligjvënësi demokrat Adam Schiff, me Komisionin e Përhershëm të Kongresit për Zbulimin, tha se presidenti e kupton të vërtetën rreth ndërhyrjes ruse, dhe thjesht ai po zgjedh të “pranojë” mohimin e Putinit “përkundrejt dëshmive solide të agjencive tona të zbulimit”.

Flynn dyshohet se ka bërë komplot për të dorëzuar Gulenin

Michael Flynn

Këshilltari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Robert Mueller, është duke hetuar një komplot të dyshuar, sipas të cilit, ish-këshilltari për siguri kombëtare, Michael Flynn, është dakorduar të dorëzojë një klerik të kërkuar mysliman në Turqi, në këmbim të një pagese prej 15 milionë dollarësh, raportojnë mediat amerikane.

The Wall Street Journal raportoi të premten se Flynn dhe djali i tij, Michael Flynn Jr., kanë diskutuar me përfaqësuesit turq mënyrat për dorëzimin e klerikut Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon për orkestrimin e një përpjekjeje për grushtshtet kundër presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, korrikun e kaluar.

Flynn dyshohet se e ka diskutuar këtë komplot në një takim në Nju Jork, në dhjetor të 2016-ës, kur ai ka qenë anëtar, atëbotë, i ekipit të tranzicionit të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.

Hetimi i këtij komploti të dyshuar është pjesë e hetimeve më të mëdha të Muellerit mbi kontaktet e dyshuara midis përfaqësuesve të Trumpit dhe agjentëve të Qeverisë ruse, gjatë dhe pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, më 2016.

Pasi Trump ka marrë detyrën, Flynn ka shërbyer si këshilltar i sigurisë kombëtare vetëm 24 ditë. Ai është detyruar të japë dorëheqje për keqinformim të zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, mbi kontaktet e tij me ambasadorin rus në SHBA, Sergei Kislyak.

Sipas NBC-së, hetuesit e Muellerit po shqyrtojnë akuzat e mundshme për shpëlarje parash kundër Flynnit dhe djalit të tij, si dhe akuzat për mashtrim të agjentëve federalë.

Pas puçit të dështuar në Turqi, Ankaraja i ka bërë presion administratës së Barack Obamës për të dorëzuar Gulenin, i cili ka azil në SHBA, pa proces formal të ekstradimit.

Më 8 nëntor, Flynn ka publikuar një artikull në The Hill, ku e ka quajtur Gulenin “radikal islamik”.

Shtëpia e Bardhë njofton se Trumpi nuk do të takohet me Putinin

Presidenti amerikan, Donald Trump, me homologun e tij rus, Vladimir Putin, gjatë takimit të tyre në Gjermani.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti amerikan, Donald Trump, nuk do të zhvilloj takim formal me presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë samitit të Azisë Juglingdore në Vietnam.

“Nuk ka pasur asnjë takim të konfirmuar dhe nuk do të ketë ndonjë takim për shkak të mosperputhjes së orareve nga të dyja palët”, ka njoftuar sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.

Sipas Sanders ka mundësi që të zhvillohet ndonjë takim joformal, ose në Danang apo më vonë në Filipine, ku Trumpi dhe Putini do të marrin pjesë në një tjetër konferencë.

Kremlini ka njoftuar më herët gjatë javës se do të mbahet takimi në mes të palës ruse dhe amerikane, ndonëse sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, pati njoftuar se ende nuk ka ndonjë vendim rreth kësaj çeshtje.

Trumpi lavdëron Kinën për trajtimin e kërcënimit bërthamor nga Phenjani

Pekin, 9 nëntor 2017.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, foli me ton më të butë ndaj Kinës dhe lavdëroi liderin e saj, Xi Jinping, për trajtimin e kërcënimit bërthamor nga Koreja e Veriut.

Në të njëjtën kohë, ai i bëri thirrje Xisë që “të punojë fuqishëm” për ta bindur Pehnjanin që të heqë dorë nga programi bërthamor.

Trump i bëri këto komente për gazetarët në Pekin, ku edhe ndodhet për vizitë shtetërore.

Trump dhe Xi kanë zhvilluar bisedime më herët dhe kërcënimi i Phenjanit raportohet se ka qenë në krye të agjendës.

Koreja e Veriut, në muajt e fundit, ka testuar disa raketa balistike dhe ka kryer provën e gjashtë bërthamore. Ajo ka kërcënuar me sulme vendet fqinje dhe SHBA-në.

Pekini shihet si faktor me ndikim te Phenjani, pasi është aleati kryesor ekonomik i tij.

Xi dhe Trump po ashtu njoftuan se vendet e tyre kanë nënshkruar marrëveshje biznesore, në vlerë prej 250 miliardë dollarësh, gjatë vizitës së presidentit amerikan.

SHBA: demokratët shënojnë fitore historike në zgjedhjet lokale

Anëtarët e Partisë Demokrate dhe aleatët e tyre anembanë Shteteve të Bashkuara kanë arsye të forta për të festuar pas zgjedhjeve që u mbajtën dje, përveç disa fitoreve të rëndësishme që ata arritën në garat për guvernator të Virxhinias dhe Nju Xhërsit.

Zgjedhja e demokratit Ralph Northamit si guvernator në Virxhinia dhe e demokratit tjetër Phil Murphy-it në Nju Xhërsi u shoqërua me fitoren e dy ndihmës guvernatorëve afrikano-amerikanë: Justin Fairfax siguroi fitoren në një garë të veçantë për këtë post në Virxhinia dhe Sheila Oliver, u bë zëvendës guvernatorja e parë afrikano-amerikane, e cila kandidoi për këtë post, krahas guverantorit Murphy.

New York Mayor Bill de Blasio is greeted by supporters after his re-election in New York City, Nov. 7, 2017.

New York Mayor Bill de Blasio is greeted by supporters after his re-election in New York City, Nov. 7, 2017.

Bill de Blasio siguroi një mandat të dytë si kryetar i bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, duke e mundur me lehtësi rivalen e tij republikane, senatoren e shtetit të Nju Jorkut, Nicole Malliotakis. Qyteti i Nju Jorkut është prej vitesh një bastion i demokratëve dhe është njëkohësisht, qyteti i lindjes i Presidentit republikan President Donald Trump.

Në shtetin verilindor Maine, votuesit miratuan me shumicë dërrmuese një nismë votimi, që e zgjeron Medicaid-in, programin federal të sigurimit shëndetësor për amerikanët me të ardhura të ulëta.

Kjo nismë e tejkalon kundërshtimin nga guvernatori Paul LePage, një republikan i vijës së ashpër, i cili kishte vënë veton mundër 5 masave të tjera legjislative për zgjerimin e Medicaid-it dhe që lidheshin me programin “Affordable Care Act”, një arritje e rëndësishme legjislative e ish Presidentit President Barack Obama.

Në shtetin e Minnesotës, Andrea Jenkins nga qyteti i Minneapolis, u zgjodh në këshillin drejtues të qytetit, duke u bërë personi i parë transgjinor me ngjyrë që zgjidhet në një post publik në Shtetet e Bashkuara. Jenkins shënoi me fitoren e tij një arritje historike, krahas me Danica Roemin, e cila u bë gruaja e parë transgjinore e hapur që zgjidhet ligjvënëse e Virxhinias dhe i pari person transgjinor i hapur që fiton një post në një organ ligjvënës të Shteteve të Bashkuara.

Po ashtu, Manka Dhingra fitoi në zgjedhjet e posaçëme për një vend në senatin e shtetit veriperëndimor të Uashingtonit, duke i dhënë kështu demokratëve kontroll të plotë të shtetit: të dhomave legjislative dhe të zyrës së guvernatorit. Këtë veçori që e kanë gjithashtu shtetet fqinjë të Oregonit dhe Kalifornisë.

Presidenti Trump shpreh besim për zgjidhjen e krizës bërthamore të Phenianit

Presidenti Donald Trump thotë se programi i raketave balistike dhe i armëve bërthamore të Koresë së Veriut paraqet një kërcënim për të gjithë botën, që kërkon marrjen e masave në shkallë botëtore.”

Gjatë një konference shtypi në Seul me Presidentin jugkoran Moon Jae-in, zoti Trump tha se është e papranueshme që vende të ndryshme të ndihmojnë me armatime dhe financime regjimin e Kim Jong Un-it.

Ai tha se “…Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të vetëmbrohen dhe aleatët e tyre do të përdorin fuqitë e tyre ushtarake të pashoqe, në se do të jetë e nevojshme.”

Trump tha se Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut nuk mund ta lejojnë Phenianin “të kërcënojë gjithçka që kemi ndërtuar”, që nga koha e Luftës Koreane 6 dekada më parë. Ai e akuzoi udhëheqësin koreanoverior për kërcënimin e panevojshëm të miliona jetëve të pafajshme.

Duke shtuar se Uashingtoni dhe Seuli janë duke punuar së bashku për një zgjidhje paqësore të situatës me Korenë e Veriut, zoti Trump tha: “Mendoj se është mirë që Koreja e Veriut të bëjë gjënë e duhur, duke ardhur në tryezën e negociatave.”

Trumpi arrin në Korenë e Jugut

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, arriti në Korenë e Jugut, ku do të takohet me homologun e këtij vendi, Moon Jae-in, për të diskutuar tregtinë dhe programin bërthamor të Koresë së Veriut.

Ai po ashtu do të takojë trupat amerikane të stacionuara në Korenë e Jugut dhe politikanë lokalë.

Të hënën, Trump ka qëndruar në Japoni – ndalesa e parë e turneut të tij në Azi.

Duke folur në Tokio, Trump ka thënë se programi bërthamor i Koresë Veriore është “kërcënim” për botën dhe ka përsëritur se “periudha e durimit strategjik” ndaj Phenjanit ka marrë fund.

Në muajt e fundit, Phenjani ka testuar disa raketa balistike ndërkontinentale dhe ka kryer provën e gjashtë bërthamore.

Këshilltari i Trumpit ka takuar zv/kryeministrin rus gjatë fushatës

Carter Page

Një ish-këshilltar për politikë të jashtme i fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump, ka pranuar para Kongresit se ka pasur kontakte me një zyrtar të lartë të Kremlinit, derisa ka qenë në një udhëtim në Rusi, vitin e kaluar.

Sipas transkriptit të publikuar, Carter Page, këshilltar i papaguar, i cili e ka lënë fushatën përpara se Trump të zgjidhej, i ka thënë Komitetit për Inteligjencë të Dhomës së Përfaqësuesve se “shkurtimisht e ka përshëndetur” zëvendëskryeministrin rus, Arkady Dvorkovich, në korrik të vitit 2016, kur edhe ka qenë në Rusi për një fjalim.

Pas pyetjeve të përsëritura për kontaktet, të cilat Page i ka mohuar në të kaluarën, ai ka thënë se ka biseduar me Dvorkovichin pas fjalimit në Shkollën Ekonomike të Moskës.

“Ka qenë një bisedë e shkurtër. Ka qenë kënaqësi. Nuk mund t’i kujtoj fjalët e sakta që kam thënë”, ka thënë Page në dëshminë e tij.

Page, ish-bankier i kompanisë bankare Merrrill Lynch në Moskë, ka thënë se e ka parë Dvorkovichin edhe në një darkë, gjatë udhëtimit të tij të dytë në Rusi, në dhjetor të vitit 2016.

I pyetur nëse ai ka pasur takim privat me Dvorkovichin, Page është përgjigjur: “Kemi pasur, ai ka ndaluar në darkën në të cilën kam shkuar me njerëz të universitetit, në dhjetor”.

Dëshmia e Page është pjesë e hetimeve të Komitetit për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, vitin e kaluar, dhe për lidhjet e mundshme të ndihmësve të Trumpit me zyrtarët rusë. Rusia e ka mohuar ndërhyrjen, ndërsa Trump ka hedhur poshtë bashkëpunimin e fshehtë me Kremlinin.

Page ka dhënë dëshminë më 2 nëntor, por transkripti i intervistës me dyer të mbyllura është publikuar të hënën.

Page po ashtu ka thënë se i ka informuar disa anëtarë të fushatës së Trumpit për udhëtimin e tij në Rusi, përfshirë edhe senatorin e atëhershëm, Jeff Sessions, i cili tani është prokuror i përgjithshëm.

Kjo mund të ngrejë më shumë pyetje rreth asaj se sa ka qenë në dijeni Sessions për ndërveprimet midis ndihmësve të fushatës së Trumpit dhe rusëve.

Sessions është tërhequr nga mbikëqyja e hetimeve të fushatës së Trumpit, në muajin mars, pasi ka pranuar se ka pasur dy biseda të pazbuluara me ish-ambasadorin rus në SHBA, Sergey Kislyak, gjatë fushatës.

Page ka këmbëngulur se udhëtimi i korrikut 2016 ishte personal dhe se nuk ka pasur lidhje me fushatën.

Megjithatë, Komiteti ka nxjerrë një email, në të cilin Page u ka shkruar zyrtarëve të fushatës dhe u ka kërkuar t’i thonë “nëse kanë ndonjë vërejtje apo mendim, se si e preferojnë qasjen e tij”.

Page ka thënë se nuk ka pasur lidhje direkte me Qeverinë ruse, edhe pse ka pranuar se mund të ketë folur me zyrtarë të ndryshëm të Kremlinit ndër vite.

Përgatiti: Valona Tela

Vrasjet në Teksas, zbulohen hollësitë

Zyrtarët amerikanë e cilësuan vrasjen e 26 vetëve në një kishë të Teksasit nga një njeri i armatosur, si ngjarjen më të rëndë të këtij lloji në historinë e shtetit.

Personi i armatosur, i identifikuar si 26 vjeçari Devin Kelley hapi zjarr të dielën paradite gjatë një ceremonie kishtare në komunitetin e vogël Sutherland Springs.

Zyrtarët në Teksas thanë se Kelley i dërgoi mesazhe kërcënuese me tekst vjehrrës së tij, e cila ndodhej në kishë, dhe se ngjarja erdhi si pasojë e problemeve familjare dhe nuk kishte motive racore apo fetare.

Autoritetet thonë gjithashtu se provat në vendngjarje i bëjnë të besojnë se Devin Patrick Kelley vdiq nga një plagë me armë zjarri të shkaktuar prej vetë atij pasi përplasi makinën kur po ndiqej nga disa civilë të armatosur.

Ata thanë se Kelley i telefonoi të atit për t’i thënë se ishte qëlluar me armë dhe nuk mendonte se do të mbijetonte.

Viktimat ishin të moshave nga 18 muaj deri në 77 vjeç. Sipas autoriteteve, Kelley kishte punuar më parë në një bazë ajrore dhe në makinën e tij u gjetën armë të shumta, por nuk duket të kishte lidhje me ndonjë grup të organizuar terrorist.

Dhejtë persona ndodhen në spital në gjendje të rëndë. Ata janë të moshave nga 5 deri në 73 vjeç.

TRAGJEDIA NË SUTHELAND SPRINGS

Mes lotëve dhe lutjeve, familjarët e viktimave u mblodhën për të mësuar mbi fatin e njerëzve të tyre.

“Nuk ka fjalë për ta përshkruar. Sepse këto gjëra ndodhin në Nju Jork, në qytetet e mëdha,” thotë një grua.

Një ceremoni e zakonshme kishtare në këtë qytet të vogël të Teksasit u shndërrua papritur në një tragjedi.

Zyrtarët thanë se një person i armatosur me pushkë hapi zjarr jashtë kishës Baptiste në Sutherland Springs dhe vazhdoi të qëllonte ndërsa hynte brenda saj.

Guvernator i Teksasit Greg Abbott u shpreh : “Është ngjarja më e rëndë e këtij lloji në historinë e shtetit tonë, – thotëGreg Abbott, Guvernator i Teksasit. “Janë kaq shumë familje që kanë humbur njerëzit e tyre, baballarë, nëna, bij dhe bija. Tragjedinë e rëndon më shumë fakti që ajo ndodh në një kishë, në një vend lutjesh”.

Njeriu i armatosur u gjet më vonë i vrarë në automjetin e tij pas një konfrontimi me një civil.

Presidenti Donald Trump, i cili ndodhej në Japoni, ndalesa e parë në udhëtimin e tij në pesë vende të Azisë, shprehu ngushëllime.

“Ne bashkojmë duart, bashkojmë krahët dhe, përmes lotëve dhe trishtimit, qëndrojmë të fortë, shumë të fortë!” tha zoti Trump.

Në Teksas, pjestarët e komunitetit thonë se nuk heqin dorë nga besimi ndërsa luftojnë me humbjen e rëndë.

“Është diçka mjaft e rëndë për ne dhe për komunitetin tonë, por Zoti ende është në kontroll,” thotë pastori Paul Buford.

Masakra në Teksas – Kush është autori që la 27 viktima, pse u shkarkua nga Forcat Ajrore

Identifikohet autori i masakres ne Teksas. Mediat e huaja raportojne se sulmuesi  i armatosur që hapi zjarr brenda kishes në Teksasit duke vrarë të paktën 27 persona, përfshirë një fëmijë dy vjeçar, një grua shtatzënë dhe vajzën 14-vjeçare të pastorit është identifikuar si pjese e Forcave Ajrore dhe mësues i studimit të Biblës.

Devin Patrick Kelley, personi qe shihni ne foton poshte hyri në Kishën e Parë Baptiste të Sutherland, i veshur me veshje luftarake dhe filloi të shtënat, raporton Daily Mail.

 

Kelley, 26 vjeç, nga New Braunfels, një periferi e San Antonios, u vra pas një ndjekje të shkurtër në këmbë në Guadalupe County, por është ende e paqartë nëse sulmuesi beri vetëvrasje apo u qëllua nga autoritetet.

Policia e San Antonio bastisi shtëpinë e Kelley të dielën mbrëma. Kelley, i cili ishte i martuar, kishte postuar kohët e fundit një foto të një arme AR-15 në faqen e tij në Facebook.

Ai mesohet se ishte shkarkuar nga Forcat Ajrore pasi kishte dhunuar gruan dhe femijen e tij.

1

Detajet e reja/ 

Të tjera detaje janë publikuar me sulmin në Teksas ku një i armatosur qëlloi për vdekje 27 persona gjatë një meshe në Kishën e Parë Baptiste të Sutherland Springs.

460D1EC300000578-5052163-The_shooting_happened_at_the_First_Baptist_Church_of_Sutherland_-a-104_1509916450587

Mediat lokale kanë raportuar se numri i të lënduarve ka shkuar në 120.

Po ashtu agjencia ‘24News’, raporton se hetuesit e FBI-së, po shenjonë  atentatorin si pjestar të një grupi fashist e ashtuquajtur “White Supermacy” (supremacia e të bardhëve),

Vlen të theksohet se sulmi paraprak në kishën Charleston në  Karolinën Jugore që ndodhi në muajin prill të këtij viti, ishte kryer nga Dylann Roff pjesëtari i këtij grupi “Neo-Nazist”.

Ora 21:50 -Masakra në Teksas me 27 viktima, reagon presidenti Trump

Pas masakrës në një kishë në Teksas ku mbetën të vrarë 27 persona dhe dhjetëra të plagosur, ka ardhur edhe reagimi nga përfaqësuesi më i lartë i SHBA-vë, presidenti Trump.

Në një postim në ‘Twitter’ presidenti Trump shkruan se po monitoron nga Japonia gjithë situatën.

“Zoti qoftë me njerëzit e Sutherland Spings, Teksas. FBI dhe forcat e ligjit janë në vend ngjarje. Jam duke e monitoruar situatën nga Japonia”, shkruan Trump.

trump

Ora 21:00 – Konfirmon policia: Vritet autori, numri i viktimave shkon në 27

Të paktën 27 persona kanë vdekur, ndërsa shumë të tjerë janë të lënduar, pasi një person ka shtënë me armë zjarri në një kishë në juglindje të Teksasit gjatë lutjeve të së dielës.

Numrin e të vdekurve e ka konfirmuar një komisioner i policisë, raporton BBC.

Është raportuar se sulmuesi ka hyrë në kishë rreth orës 11:30 (koha lokale), në një Kishë Baptiste në shtetin Vilson dhe ka filluar të shtënat.

Policia ka thënë se pas sulmit është vrarë edhe agresori, shkruan ‘Panorama’.

Ora 19:12 – Sulm me armë në një kishë në Teksas, qëllohen 16 persona

Të paktën 16 vetë janë qëlluar brenda një kishe të Teksasit pasi një person i armatosur hapi zjarr gjatë meshës të së dielës në mëngjes.

Të shtënat ndodhën në Kishën e Parë Baptiste të Sutherland Springs, ku rreth 50 vetë po ndjekin meshën, sipas raporteve lokale.

460C4ABF00000578-0-image-a-49_1509907974955

Sherif Joe Tackitt konfirmoi se ka viktima por ende nuk dihet numri i tyre, shkruan Daily Mail.

Dëshmitarët thanë se një burrë I armatosur po ecte brenda kishës dhe hapi zjarr pak para orës 10.30.

Fqinjët në zonë thanë se kanë dëgjuar disa të shtëna.

Një tjetër dëshmitar në skenë tha se një dy vjeçar u qëllua gjithashtu në sulmin. Sipas KSAT, ishin të paktën gjashtë helikopterë të thirrur për të transportuar viktimat në spital.

Është e pa qartë ende se kush ishte autori i sulmit dhe nëse i përkiste një akti terrorist apo një veprimi individual.

Kujtojmë që pak ditë më parë në Manhattan një person vrau të paktën 8 persona dhe plagosi 11, shumicën e tyre fëmijë.

Nga sulmi në Teksas janë vrarë së paku 26 vetë

Pjesëtarët e policisë dhe hetuesve në vendin e sulmit në një kishë në shtetin Teksas

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, tha se së paku 26 vetë janë vrarë dhe 20 të tjerë janë plagosur kur një person i armatosur ka hapur zjarr në një kishë.

Sulmi i mbrëmshë në një kishë baptiste në Sutherland Springs në shtetin Teksas, ishte sulmi më masiv vdekjeprurës në historinë e këtij shteti.

Agjencitë e lajmeve dhe rrjetet televizive, përfshirë Associated Press, CBS dhe CNN, duke i cituar zyrtarët e agjencive për zbatimin e ligjit, më vonë kanë raportuar se sulmuesi është identifikuar me emrin, Devin Patrick Kelley, 26 vjeçar.

Një zyrtar tha se ai jetonte në San Antonio dhe duket se nuk ishte i lidhur me ndonjë grup të organizuar terrorist.

Zyrtarët kanë thënë se 23 persona të vrarë ishin gjetur brenda kishës, dy jashtë saj dhe një person i plagosur ishte dërguar në spital, por më vonë kishte vdekur.

Sulmuesi më vonë ishte gjetur i vrarë në automobilin e tij nga plagët e pësuara, pasi ishte ndjekur nga pjesëtarët e agjencive të zbatimit të ligjit.

Mbështetja për zotin Trump, më e ulëta në shtatë dekada për një president amerikan

Sipas një sondazhi të Washington Post-ABC News, publiku amerikan vazhdon të ketë një vlerësim të ulët të punës së presidentit Donald Trump.

Zoti Trump ka qenë në detyrë për gati një vit dhe miratimi për punën e tij është “dukshëm më i ulët se për çdo president të mëparshëm në këtë pikë në presidencën e tij gjatë shtatë dekadave të sondazheve”, shkruan gazeta The Washington Post. Vetëm 37 për qind e amerikanëve ose më pak se 4 në 10 amerikanë miratojnë punën e presidentit Trump si udhëheqës i Shteteve të Bashkuara.

Mosmiratimi i punës së tij ka arritur në 59 për qind, dhe gjysma e atij grupi nuk e mbështesin thellësisht punën që ai po bën.

Rezultatet në sondazhin Post-ABC janë të ngjashme me ato të sondazheve të fundit mbi punën e presidentit. Sondazhi i Gallup, i cili vëzhgon prirjet politike kombëtare të opinionin publik amerikan, tha të premten se 56 për qind e publikut nuk e miraton punën e Presidentit Trump në krahasim me 39 për qind që e mbështet.

100 ditë pas inaugurimit të tij, në fund të prillit, 42 për qind e amerikanëve thanë se mendonin se Trump kishte bërë arritje të mëdha, por tani ky numër ka rënë në 35 për qind.

Gazeta thotë se 65 për qind e të anketuarve thonë se presidenti Trump ka arritur “jo shumë” ose “pak ose aspak”.

Sondazhi tregoi gjithashtu se 51 për qind e amerikanëve nuk kishin fare besim në punën e presidentit për trajtimin e kërcënimit të paraqitur nga Koreja e Veriut.

Gazeta The Washington Post njofton se gjysma e amerikanëve mendojnë se presidenti ka paragjykime ndaj afrikano-amerikanëve dhe më shumë se gjysma, 55 për qind mendojnë se ai ka paragjykime ndaj grave.

Megjithatë, nga ata që votuan për presidentin Trump në zgjedhje, 91 për qind vazhdojnë ta miratojnë punën e tij. Sondazhi u krye mes 29 tetorit dhe 1 nëntorit.

Të shtëna në një kishë në Teksas

Një person qëlloi të dielën mbi turmën në një kishë në Teksasin jugor, duke lënë pas vetes të vrarë e të plagosur.

Sipas medieve lokale, burri hyri në kishën Baptistë në Sutherland Springs, dhe filloi të qëllojë mbi të pranishmit rreth orës 11 e 30 sipas kohës lokale.

Policia ka bllokuar zonën por ende nuk ka dhënë hollësi rreth ngjarjes.

Sulmuesi është vrarë nga policia, thanë mediet lokale.

Sutherland Springs, ku ndodhi sulmi shtrihet rreth 50 kilometra në juglindje të San Antonios.

Agjentët e Byrosë Federale të Hetimeve janë në vendin e ngjarjes.

Presideti amerikan Donald Trump tha se po e ndjek situatën nga Japonia ku ndodhet në fillim të një vizite gati javëshe në Azi.

Trumpi: Asnjë diktator nuk duhet të nënvlerësojë vendosmërinë amerikane

Presidenti Donald Trump paralajmëroi sot se asnjë diktator nuk duhet të nënvlerësojë Shtetet e Bashkuara. Ai foli nga baza ajrore amerikane në Japoni, në ndalesën e parë të udhëtimit të tij në Azi që pritet të dominohet nga kriza bërthamore e Koresë së Veriut.

Presidenti Donald Trump u prit me brohoritje nga personeli ushtarak i bazës ajrore Yokota, në perëndim të Tokios, ndërsa ai u shfaq me një xhaketë të pilotëve të avionëve bombardues.

“Askush, asnjë diktator, asnjë regjim apo vend, nuk duhet të nënvlerësojë vendosmërinë amerikane. Na kanë nënvlerësuar herë pas here në të kaluarën. Nuk u doli mirë apo jo? Nuk ishte e këndshme për ta”, tha Presidenti Trump.

Presidenti Trump shtoi se SHBA-ja “nuk do të dorëzohet kurrë, nuk do të lëkundet dhe nuk do të reshtë” së mbrojturi “popullin tonë, lirinë tonë dhe flamurin tonë të mrekullueshëm amerikan”.

“Historia ka provuar në mënyrë të përsëritur se udha e tiranëve është një marshim i vazhdueshëm drejt varfërisë, vuajtjeve dhe nënshtrimit. Por, shtegtimi i kombeve të forta dhe i popujve të lirë, të bindur për vlerat e tyre dhe me besim tek e ardhmja e tyre, është një rrugëtim i sprovuar drejt prosperitetit dhe paqes”, tha Presidenti Trump.

Pas fjalimit në bazën Yokota, Presidenti udhëtoi me helikopter drejt klubit Kasumigaseki.

Ndërsa anëtarët e klubit drekonin, Presidentët Trump dhe Abe, firmosën kapele të bardha me mbishkrimin “Donald dhe Shinzo e bëjnë aleancën sërish madhështore”.

Presidenti Trump mbërriti në Japoni pas një ndalese në Hawaii ku ai vizitoi memorialin në Pearl Harbor, vendi ku sulmi befasues i marinës japoneze në vitin 1941 tërhoqi SHBA-në në Luftën e Dytë Botërore. Për Presidentin Trump u organizua atje edhe një seancë informimi me të dhëna sekrete nga Komanda Ushtarake amerikane për Paqësorin.

Manaforti ofron 12 milionë dollarë për t’u liruar nga arresti shtëpiak

Paul Manafort, ish-udhëheqësi i fushatës së presidentit të SHBA, Donald Trump, ka ofruar 12 milionë dollarë në pasurinë e patundshme dhe sigurim shëndetësor, në përpjekje për t’i dhënë fund urdhërit për arrest shtëpiak kundër tij, tregojnë dokumentet e gjykatës.

Në paraqitjen e 4 nëntorit, Manafort gjithashtu ofroi të kufizonte udhëtimin e tij përpara një gjyqi, në Nju Jork, Uashington, DC dhe Florida nën akuzat për shpërlarje të parave, komplot kundër Shteteve të Bashkuara dhe duke mos u regjistruar si agjentë i huaj i ish- qeverisë pro-ruse.

Gjyqtari i qarkut amerikan, Amy Berman Jackson, hodhi poshtë kërkesën nga Manafort për ta liruar atë nga burgimi shtëpiak.

Ndërsa, Rick Gates, një bashkëpunëtor i Manafort, gjithashtu është akuzuar dhe është urdhëruar të qëndrojë nën arrest shtëpiak.

Të dy janë shpallur të pafajshëm dhe kanë mohuar akuzat kundër tyre.

Manafort, Ukraina dhe roli i “Podesta Group” dhe “Mercury Public Affairs”

Paul Manafort

Dy kompani amerikane të përfshira në procesin hetimor të prokurorit të posaçëm ndaj Paul Manafort, thonë se janë mashtruar nga ish-kryetari i fushatës së Presidentit Trump për lobizmin që ai bënte për Ukrainën. Por, duket se ata kanë patur sinjale të qarta paralajmëruese.

Shërbimi ukrainas i Zërit të Amerikës hulumtoi disa artikuj amerikanë dhe evropianë të botuar në vitet 2007 – 2014, si dhe bisedoi me politikanë ukrainas. Lidhje të qarta shfaqen ndërmjet OJF-së në Bruksel që punësoi kompanitë lobiste dhe ish-partisë në pushtet në Ukrainë, një fakt që kompanitë lobiste mohojnë ta kenë ditur në atë kohë.

Lobistët duhet ta kishin shqyrtuar me kujdes informacionin në kohën kur u angazhuan, si pjesë e procedurës për të njohur klientët e tyre”, thotë Gene Burd, partner në kompaninë “Arnall Golden Gregory LLP”.

Ai thotë se dy kompanitë janë mbiquajtur në aktpadi si Kompania A dhe Kompania B, por se është bërë e ditur rishtazi se ato janë realisht “Mercury Public Affairs” dhe “Podesta-Group”, të cilat duhet të kishin vazhduar “të informoheshin për ndryshimet në strukturat menaxheriale dhe burimet e financimit të organizatës”.

Zoti Manafort, i cili shërbeu si kryetar i fushatës elektorale të Presidentit Donald Trump për një periudhë 3-mujore në vitin 2016, u akuzua në një gjykatë federale ditën e hënë, se nuk ishte regjistruar si lobist i një qeverie të huaj në kohën kur firma e tij po punonte për partinë pro-ruse të ish-Presidentit ukrainas Viktor Yanukovych.

Akuza thotë se kjo ishte pjesë e një “skeme” të zotit Manafort dhe të akuzuarit tjetër, bashkëpunëtorit të tij Rick Gates, për të krijuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për këtë parti, e cila kërkonte aleancën e Kievit me Moskën dhe jo anëtarësimin në Bashkimin Evropian, siç dëshironin shumë ukrainas.

Akuza thotë se të dyja kompanitë lobiste u rekrutuan nga firma e zotit Manafort për të punuar gjatë viteve 2012-2014 për OJF-në me seli në Bruksel, të njohur me emërtimin Qendra Evropiane për një Ukrainë Moderne (ECFMU), e cila ishte realisht organizmi që promovonte interesat e Partisë së Rajoneve, të zotit Yanukovych.

Të dyja kompanitë mohojnë të kenë ditur se u përfshinë në një fushatë për rehabilitimin e imazhit të partisë së zotit Yanukovych, siç thotë akuza. Në deklaratat e tyre publike thuhet se u ishte bërë e ditur se do të punonin vetëm për ECFMU-në, të cilën e perceptonin si një organizatë studimore pro-evropiane që dëshironte të informonte zyrtarët e qeverisë amerikane për Ukrainën.

Kur u bë fillimisht e njohur për publikun puna e tyre e paraportuar për një qeveri të huaj, drejtorja ekzekutive e “Podesta Group”, Kimberley Fritts, i tha në gusht 2016 shërbimit ukrainas të Zërit të Amerikës, se mbështetur në opinionin e këshilltarëve ligjorë, organizata e saj përfaqësoi interesat e ECFMU-së në SHBA, pa u regjistruar në bazë të Ligjit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj në SHBA (FARA).

“Për shkak se firma jonë ishte në partneritet me firmën ‘Mercury’, këshilltarët tonë ligjorë u koordinuan me këshilltarët e tyre, si dhe me këshilltarë të tjerë të pavarur”, thuhej në një email të Podesta Group dërguar Zërit të Amerikës, dhe se “ata vendosën bashkarisht se mënyra e duhur e raportimit ishte ajo e bazuar në Ligjin për Transparencën e Lobizmit (LDA)”.

Regjistrimi sipas legjislacionit LDA është një detyrim ligjor për lobistët amerikanë që përfaqësojnë interesa biznesi dhe joqeveritare të huaja, si p.sh. organizata kulturore dhe arsimore. Ndërsa regjistrimi sipas legjislacionit FARA është më i përpiktë për sa i përket detyrimeve ligjore për lobistët që veprojnë në emër të qeverive të huaja apo partive të huaja politike.

Zonja Fritts i tha gjithashtu Zërit të Amerikës se dy grupet lobiste ranë dakort të punonin për ECFMU-në vetëm pasi drejtuesja e saj bëri një deklaratë me shkrim se “asnjë nga aktivitetet e Qendrës nuk është direkt apo indirekt i mbikqyrur, drejtuar, kontrolluar, financuar apo mbështetur pjesërisht apo plotësisht nga ndonjë qeveri e një vendi të huaj apo ndonjë parti e huaj politike”.

Ish-drejtorja e ECFMU-së, Ina Kirsch, konfirmoi deklaratat e zonjës Fritts, dhe i tha Zërit të Amerikës se ajo personalisht i pati siguruar këshilltarët ligjorë të firmave “Podesta” dhe “Mercury”, se ECFMU-ja “nuk marrë kurrë fonde nga Partia e Rajoneve, qeveria e Ukrainës, apo presidenti”, dhe se ajo ka përfituar fonde vetëm nga kompani private.

Zonja Kirsch shtoi se ECFMU-ja nuk ka paguar firmat amerikane për punën e tyre lobiste. Kjo vërtetohet edhe nga aktpadia e ditës së hënë, ku thuhet se kompanitë A dhe B, përfituan bashkarisht 2 milionë dollarë, të cilat nuk u paguan nga ECFMU-ja, por nga llogari bankare në parajsa fiskale të menaxhuara nga firma në Kiev e zotit Manafort.

Në deklaratën e zonjës Fritts thuhet se “ne besojmë se Rick Gates, bashkëpunëtori i zotit Manafort, punonte për ECFMU-në, ashtu si edhe ne”.

Megjithatë, një hulumtim i thjeshtë në internet i artikujve të periudhës 2007 – 2014 tregon se zoti Manafort përshkruhet në rolin e strategjistit kryesor të zotit Yanukovych, dhe se ECFMU-ja ishte një vegël e Partisë së Rajoneve.

Një raport i vitit 2007 në gazetën “The New York Times” për ish-kryeministrin e asaj kohe Yanukovych, e përshkruan zotin Manafort si një drejtues në “prapaskenë” që e pati “shndërruar imazhin e zotit Yanukovych nga një reaksionar i errët dhe vegël e Kremlinit, në ndoshta politikanin më popullor të vendit”.

Artikuj të ngjashëm nga mediat ukrainase përshkruajnë dimensionet e strategjive politike lobiste të zotit Manafort, si dhe citojnë dokumenta të ECFMU-së ku kjo OJF pozicionohet se një instrument i influencës ndërkombëtare të Partisë së Rajoneve.

ECFMU documents, obtained by Ukrainska Pravda, list Party of Regions MPs as founders. (Courtesy)

ECFMU documents, obtained by Ukrainska Pravda, list Party of Regions MPs as founders. (Courtesy)

Në mars të vitit 2012, “Ukrainska Pravda”, një ndër faqet në internet më me influencë në Ukrainë, publikoi një ekspoze të ECFMU-së ku radhitej edhe Leonid Kozhara, deputet i rëndësishëm i Partisë së Rajoneve. Në dhjetor të vitit 2012, nga kryetar i ECMFU-së zoti Kozhara u bë Ministër i Jashtëm i zotit Yanukovych. Artikulli përmend si themelues të ECFMU-së edhe dy deputetë të tjerë të rëndësishëm të Partisë së Rajoneve, Evgen Geller dhe Vitaly Kalyzhny.

Në një intervistë dhënë “Glavcom” në qershor të vitit 2012, zoti Kozhara përmend ndërvarësinë financiare të ECFMU-së nga burimet qeveritare dhe përshkruan pozicionimin e saj në mbështetje të objektivave ndërkombëtare të qeverisë:

Glavcom”: “Është e njohur se juve keni bashkëthemeluar Qendrën Evropiane për një Ukrainë Moderne, e cila duket se punon për të përmirësuar imazhin e autoriteteve ukrainase, përkundër rastit të (ish-kryeministres së burgosur Yulia) Timoshenkos. A është kështu?”

Zoti Kozhara: “…Kur më ftuan nga Brukseli që të drejtoja Qendrën Evropiane për një Ukrainë Moderne, ishte një nder. E perceptova si një vlerësim të punës time”.

Kur u pyet për burimet e financimit të ECFMU-së, zotit Kozhara tha se “si të gjitha OJQ-të, ne kemi kuota anëtarësie, por japin fonde edhe struktura të biznesit dhe të qeverisë. Nëse duan ndihmë, duhet të paguajnë”.

Në një intervistë të gushtit 2016 për Zërin e Amerikës, zoti Kozhara mohoi të ketë patur ndonjë post në ECFMU, duke u vetëpërshkruar si një anëtar pa pagesë i bordeve të OJF-ve të ndryshme, ndër të cilat ishte edhe ECFMU-ja.

Zoti Manafort dhe zoti Gates janë nën akuza se shërbyen se agjentë të huaj të paregjistruar, për interesat e Ukrainës, duke shkelur kështu detyrimin ligjor për t’u regjistruar tek Departamenti i Drejtësisë.

Sipas akuzës, zotërinjtë Manafort dhe Gates kontrollonin 12 entitete amerikane, 12 entitete të tjera me bazë në Qipro dhe 3 entitete të tjera të huaja. Në total, përmes llogarive të tyre në parajsa fiskale kaluan 75 milionë dollarë. Zoti Manafort akuzohet personalisht për pastrimin e 18 milionë dollarëve. Zoti Gates akuzohet për pastrimin e mbi 3 milionë dollarëve nëpërmjet llogarive në parajsa fiskale.

Themeluesi i “Podesta Group”, Tony Podesta, një veteran i ngritjes së fondeve për Partinë Demokratike dhe vëlla i ish-kryetarit të fushatës Clinton, John Podesta, u dorëhoq papritur, pak orë pasi aktpadia u bë publike. John Podesta, i cili bashkëthemeloi këtë grup me të vëllanë në vitin 1988, nuk ka qenë më i lidhur me grupin që në vitet 90’-të, si dhe nuk përmendet në aktpadi.

“Podesta Group” lobon për interesa të ndryshme të huaja, ndër to edhe për qeveritë e Azerbajxhanit dhe Arabisë Saudite. Ka qenë gjithashtu edhe përfaqësuese e bankës më të madhe të Rusisë, “Sberbank”.

Nuk janë ngritur akuza ndaj Tony Podestas, organizatës së tij lobiste apo organizatës “Mercury”, por të gjithëve u janë dërguar fletëthirrje për të paraqitur dokumentacion dhe për të dëshmuar rreth bashkëpunimit të tyre me zotërinjtë Manafort dhe Gates, si dhe ECFMU-në.

(Ky material u përgatit nga shërbimi ukrainas i Zërit të Amerikës.)

Twitter: Profili i Trumpit u deaktivizua nga një punëtor

Profili i presidentit amerikan, Donald Trump, në rrjetin Twitter (@realdonaldtrump), ishte deaktivizuar dje nga një punëtor i kompanisë, i cili ishte larguar nga firma. Profili ishte deaktivizuar për 11 minuta e pastaj është funksionalizuar përsëri, ka njoftuar rrjeti Twitter.

Ata që kanë hyrë në faqen e zotit Trump për një periudhë të shkurtër e kanë parë vetëm mesazhim “shprehim keqardhje, por kjo faqe nuk ekziston”.

Kompania tha se po zhvillohen hetime të brendshme lidhur me këtë çështje, në mënyrë “që kjo të mos ndodhë përsëri”.

Presidenti Trump është aktiv në rrjetin Twitter, ku i ka 41.7 milionë mbështetës.

Aktpadia Manafort/Gates trondit firmat e lobizmit

Ngritja e akuzave penale ndaj Paul Manafortit, ish manaxheri i fushatës së Presidentit Donald Trump, ka tronditur komunitetin e lobimit në Uashington.

Manafort dhe ish partneri i tij, Rick Gates, akuzohen se kanë shërbyer si agjentë të paregjistruar të një qeverie të huaj në kundërshtim me Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj.

Ligji kërkon që kushdo që kryen “veprimtari politike” për një qeveri të huaj ose parti të huaj politike të bëjë të njohur punën dhe shpenzimet e tij pranë Departamentit të Drejtësisë. Mosrespektimi i ligjit mund të çojë në një dënim me burg deri në pesë vjet.

Por ky ligj nuk është zbatuar me rigorozitet. Shumë pak lobistë regjistrohen dhe shkelësit e ligjit rrallë dënohen. Mes vitit 1966 dhe 2015, Departamenti i Drejtësisë ka ngritur vetëm shtatë akuza penale për shkelje të ligjit të njohur si FARA. Aktakuza ndaj zotit Manafort shënon rastin e tetë.

Vendimi i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller për të përfshirë akuzat për shkelje të ligjit FARA në aktpadinë prej12 akuzash kundër dy lobistëve Manafort dhe Gates, është një paralajmërim ndaj komunitetit të lobimit për qeveritë e huaja, se Departamenti i Drejtësisë do të jetë më i ashpër në zbatimin e këtij ligji.

Anëtarët e Kongresit po kërkojnë të ndreqin atë që kritikët e shohin si një sistem të çalë.

Dy ligjvenës republikanë, senatori Chuck Grassley dhe anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson, paraqitën projektligje të ngjashme të martën për të fuqizuar Departamentin e Drejtësisë të zbatojë ligjin FARA.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Joshua Ian Rosenstein, partner me firmën e avokatisë “Sandler Reiff Lamb Rosenstein & Birkenstock” që këshillon klientët për ligjin FARA, diskutoi për pasojat e aktpadisë. Intervista është redaktuar për t’u bërë më e qartë dhe më e përmbledhur.

VOA: Si kanë reaguar firmat e lobimit në Uashington pas aktpadisë Manafort/Gates?

Rosenstein: Ishte vërtetë tronditëse për komunitetin ligjor, njerëz si unë, që merremi me ligjin FARA dhe ligjet politike, por ishte vërtetë traumatike për komunitetin e lobizmit.

Një nga sekretet e pafolura në Uashington është lobimi i fshehtë, veçanërisht për qeveritë e huaja, që ka ndodhur për dekada të tëra. Pjesë e arsyes që kjo ka ndodhur është se megjithëse ligji ka ekzistuar, ai nuk është zbatuar.

Por kjo po ndryshon tani me këtë aktpadi kaq të bujshme për të cilën po flitet kudo në shtyp. Të shohësh ngritjen e akuzës për shkelje të ligjit FARA është një shenjë që tregon se ligji në vetvete është në radarët e prokurorëve në përgjithësi dhe sigurisht në atë të Departamentit të Drejtësisë.

Gjithashtu ka anëtarë të Kongresit që kanë zhvilluar seanca dëgjimore dhe do të vazhdojnë me më shumë seanca të tilla për ligjin FARA. Kjo do të çojnë në rritjen e vëmendjes nga zyra FARA për të qenë më agresive.

VOA: Çfarë ndryshimesh nevojiten për të forcuar zbatimin e ligjit FARA?

Rosenstein: Një prej tyre mund të jetë përfshirë në projekt-ligjin e paraqitur nga senatori Grassley, në se ai do të miratohet dhe nënshkruhet nga presidenti. Mundësia për të detyruar individët e dyshuar si agjentë të paregjistruar të qeverive të huaja të dorëzojnë dokumentet, si pjesë e hetimit të Departamentit të Drejtësisë, është kritike për të siguruar zbatimin e ligjit.

Problemi i dytë është se ekipi i zyrës FARA është relativisht i vogël. Sa më i lartë prioriteti për zbatimin e një ligji të caktuar, aq më shumë buxhet kërkohet për të. Pra funksionimi me një buxhet të vogël dhe me kompentenca të vogla është recetë për zhgënjim.

VOA: Ju e keni lexuar aktpadinë për Manafort/Gates. A kanë prokurorët prova të mjaftueshme për të vërtetuar se është kryer një shkelje penale?

Rosenstein: Duke supozuar se aktpadia mbart me vete prova, ky është si shembull si ata që jepen në librat shkollorë për shkeljen e ligjit FARA.

Ajo që është interesante në aktapadi është akuza e dytë që ka të bëjë me ligjin FARA. Akuza e parë ka të bëjë me dështimin për t’u regjistruar si agjentë të huaj. Akuza e dytë është deklarimi i rremë në materialet e paraqitura pranë zyrës FARA për aktivitete të kryera më parë. Në këtë situatë, zoti Manafort ka shkuar dhe ka biseduar me zyrën FARA në Departamentin e Drejtësisë dhe ka bërë deklarata të rreme..

VOA: Cfarë ndëshkimi ka për shkeljen e ligjit FARA?

Rosenstein: Ndëshkimi është deri në pesë vjet burg dhe 10 mijë dollarë gjobë. Ajo që është interesante në aktpadi është se ka dy akuza.

Njëra ka të bëjë me mosregjistrimin. E dyta ka të bëjë me deklarimet e rreme për veprimtari që kanë ndodhur në të kaluarën dhe deklarata të rreme ndaj Departamentit të Drejtësisë. Kuptohet, secila prej këtyre deklarimeve të rreme mund të jetë një shkelje e veçantë. Unë mendoj se akuza përmban katër ose pesë të tilla.

Një prokuror agresiv mund të thotë se këto janë katër shkelje të qëllimshme dhe të vetëdijshme dhe të kërkojë deri në pesë vjet burg për secilën prej tyre.

Wess Mitchell, merr detyrën e ndihmës sekretarit amerikan të shtetit

Wess Mitchell

Të enjten, Wess Mitchell, mori zyrtarisht postin e ndihmës sekretarit të shtetit dhe nga ky post ai do të jetë përgjegjës për marrëdhëniet me 50 vende në Evropë dhe Euro-Azi si dhe e NATO-n, Bashkimin Evropian dhe Organizatën për Siguri e Bashkëpunim në Evropë.

Zoti Mitchell, i cili nga zyrtarët e lartë amerikanë cilësohet si ekspert për NATO-n dhe marrëdhëniet transatlantike, kishte themeluar në vitin 2005 Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane, që u shndërrua në një prej grupeve kryesore me zyra në Washington dhe Varshavë.

Zoti Mitchell kishte shërbyer edhe në disa institucione amerikan e evropiane përfshirë edhe institutin për gjeostrategji Zbigniew Brzezinski, Komisionin Atlantik të Sllovakisë, Qendrës së Pragës për Marrëdhënie Transatlantike. etj.

Zoti Mitchell është autor i shumë artikujve dhe raporteve mbi marrëdhëniet transatlantike dhe sigurinë ndërkombëtare dhe bashkautor i dy librave mbi gjeopolitikën. Zoti Mitchell është doktor i shkencave politike, Ai flet gjermanisht dhe ka studiuar për holandishten dhe çekishten.

Në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2012, zoti Mitchell kishte shërbyer në ekipin e sigurisë kombëtare të kandidatin republikan Mitt Romney.

I lindur në vitin 1987, Wess Mitchell, nuk ka ushtruar ndonjë detyrë qeveritare, por gëzon autoritet në qarqet politike. I martuar në vitin 2006 ai është baba i dy fëmijëve.

Në postin e ri ai mbulon edhe vendet e Ballkanit.

Betimi i tij të enjten mbushë postin që kishte mbetur bosh që nga 20 janari kur Victoria Nuland, që ishte emëruar nga presidenti Barack Obama, u largua pas përurimit të presidentit Donald Trump. Zonja Nuland mbulonte edhe çështjet që lidheshin më konfliktin në Ukrainë. Për shkak që posti mbeti bosh, sekretari amerikan i shtetit Rex Tillerson emëroi diplomatin Kurt Volker, ambasador i Shteteve të Bashkuara në NATO përgjatë dy administratave amerikane si të dërguar të posaçëm amerikan për Ukrainën.

CIA publikon 470 000 dosje nga bastisja e Bin Ladenit

CIA ka publikuar afro 470 000 dosje të sekustruara gjatë vrasjes së ish-udhëheqësit të Al Kaidës, Osama Bin Laden, në vitin 2011.

Materiali i ri përfshin ditarin e tij personal, dokumente dhe video.

Ky është publikimi i katërt nga CIA i materialeve të gjetura gjatë bastisjes së strehës së Bin Ladenit në Abotabad të Pakistanit.

Megjithatë, disa materiale nuk janë publikuar sepse mund të dëmtojnë sigurinë kombëtare, tha agjencia amerikane e inteligjencës.

Sipas deklaratës së CIA-s, dokumentet e publikuara “ofrojnë njohuri për origjinën e ndarjeve që ekzistojnë sot midis Al Kadiës dhe Shtetit Islamik (v.j. grup militant), si dhe “mosmarrëveshjet strategjike, doktrinare dhe fetare brenda Al Kaidës dhe aleatëve të saj”.

Presidenti Trump i bën thirrje Kongresit t’i japë fund lotarisë amerikane

Presidenti Donald Trump i bëri thirrje Kongresit që t’i japë fund programit të lotarisë amerikane. Ai i bëri komentet pasi tha në Twitter se autori uzbek i sulmit të djeshëm në Nju Jork, kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara me një vizë emigracioni të njohur si lotaria amerikane.

“Po filloj sot procesin e eliminimit të Programit të Lotarisë Amerikane. Do t’i kërkoj Kongresit që të fillojë menjëherë punën për t’i dhënë fund këtij programi, Lotaria e Diversitetit tingëllon mirë, por nuk është diçka e mirë. Nuk ka qenë diçka e mirë. Ne kemi qenë kundër”, tha zoti Trump.

Presidenti Donald Trump bëri thirrje për masa emigracioni, mbështetur në një sistem meritash, pasi shkruajti në Twitter se autori uzbek i sulmit të djeshëm në Nju Jork, kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara me një vizë imigracioni të njohur si lotaria amerikane.

“Ne do t’i japim fund kësaj çmendurie”, u shpreh presidenti, i cili ia atribuoi ekzistencën e programit të Departamentit të Shtetit për llotarinë amerikane, kreut të demokratëve në Senat, Chuck Schumer.

Senatori Schumer luajti një rol të rëndësishëm në hartimin e legjislacionit për programin në vitet 1990. Ai tha të martën me anë të një deklarate, se “gjithmonë kishte besuar dhe vazhdonte të besonte se emigracioni është diçka e mirë për Amerikën”, duke propozuar që zoti Trump të përqendrohej në një “zgjidhje reale” për financimin kundër terrorizmit.

Megjithëse zoti Trump ia atribuoi programin senatorit Schumer, kreu i pakicës në Senat ishte anëtar i një grupi dypartiak me tetë ligjvënës që në vitin 2013, hartuan një paketë Gjithpërfshirëse Reformash Imigracioni që do ta eliminonte krejtësisht lotarinë amerikane. Projekt-ligji u miratua nga Senati por nuk u votua nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe si rezultat skadoi.

Zyrtarët thanë se autori i sulmit është emigrant nga Uzbekistani që ka hyrë ligjërisht në Shtetet e Bashkuara në vitin 2010. Por Departamenti i Shtetit vuri në dukje se informacioni për vizat është konfidencial sipas ligjit amerikan dhe se nuk mund të komentonte për aplikime konkrete vizash.

Presidenti Trump shkruante gjithashtu në Twitter:

“Ne po përpiqemi me të gjitha forcat për një sistem mbështetur në merita, jo më sistem lotarie demokratësh. Duhet të bëhemi shumë më të rreptë dhe të zgjuar”.

Zoti Trump ka përkrahur legjislacion që do ta reduktonte imigracionin e ligjshëm, në favor të një sistemi që do ta vinte theksin tek merita dhe aftësitë dhe jo tek lidhjet familjare.

Për ata që duan të bëhen shtetas amerikanë, por nuk kanë familjarë në Shtetet e Bashkuara, nuk gëzojnë sponsorizimin nga një punëdhënës, ose nuk janë refugjatë, viza e diveristetit, e njohur gjithashtu si lotaria e kartës së gjelbër, është alternative e vetme. Që të kualifikohesh për të përfituar prej saj, duhet të kesh kryer të paktën shkollën e mesme, ose të kesh disa vite përvojë pune.

Para dy javësh, Departamenti i Shtetit njoftoi se të gjitha aplikimet për lotari të këtij viti, kanë humbur dhe duhet të ribëhen.

Para disa muajsh, senatorët republikanë propozuan eliminimin e programit.

Në vitin fiskal 2015, Shtetet e Bashkuara dhanë 48,097 viza për lotari amerikane nga 531,463 viza imigracioni gjithsej.

Kompanitë e mediave sociale dëshmojnë në Kongres

Kompanitë e medias sociale pranuan se subjekte ruse përdorën platformat e tyre për të përhapur informacione të gabuara gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 dhe u zotuan të luftojnë më mirë abuzime të tilla në të ardhmen. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Michael Bowman njofton se përfaqësues nga kompania Facebook, Twitter dhe Google po dëshmojnë për të dytën ditë para një nënkomisioni të Senatit ndërsa ligjvënësit kërkojnë të hartojnë ligje që mbrojnë transparencën në Internet.

Gjigandët e medias sociale konfirmuan atë që agjencitë amerikane të zbulimit e kishin thënë muaj më parë:

“Aktorë të huaj përdorën llogari të rreme për të vendosur reklama në Facebook dhe Instagram që arritën miliona amerikanë gjatë një periudhe mbi dy vjeçare…Shumë nga këto reklama dhe postime janë provokuese. Disa janë vërtetë ofenduese”, tha Colin Stretch, me kompaninë Facebook.

“Shërbimet tona mund të jenë keqpërdorur. Sulmet e sponsorizuar nga shteti janë veçanërisht të dëmshme”, thotë Richard Salgado drejtor për sigurinë e informacionit me kompaninë Google.

Facebook-u thotë se gati 126 milionë përdorues morën informacione nga burime të rreme ruse. Twitter thotë se zbuloi një sasi të vogël materialesh mashtruese ruse në volumin masivë të platformës. Megjithatë …

“Twitteri beson se çdo aktivitet i atij lloji, pavarësisht magnitudës, është i papranueshëm.”

Ligjvënësit janë të të njëjtit mendim.

“Këto platforma janë përdorur nga njerëz që duan të na dëmtojnë dhe të shkaktojnë probleme”, tha senatori Lindsey Graham.

“Nuk është lajm i ri që Rusia ndërhyri në zgjedhje. Ajo që është vërtetë tronditëse dhe e vështirë për t’u kuptuar është sa lehtë dhe sa me sukses i përdorën teknologjitë moderne në avantazh të tyre”.

Përfaqësuesit e kompanive teknologjike thanë se dizinformimi rus kërkoi vazhdimisht të mbjellë mosmarrëveshje në elektoratin amerikan, së pari, duke nxitur ndjenja dëmtuese për demokraten Hillary Clinton dhe pas zgjedhjeve presidenciale, duke mbjellë dyshime rreth legjitimitetit të fitores së republikanit Donald Trump.

Të tre përfaqësuesit theksuan se po ndërmarrin hapa agresivë për të parandaluar përsëritjen e këtij fenomeni, ndërkohë që kompania Facebook u përpoq të siguronte amerikanët drejtpërsëdrejti.

“Jemi të vendosur të punojmë më mirë. Do të punësojmë 4,000 njerëz, që do të rishikojnë reklamat, inxhinierë dhe ekspertë të sigurisë. Së bashku me përparimet në teknologji dhe inteligjencën artificiale, këta ekspertë do të identifikojnë dhe do të heqin përmbajten dhe llogaritë e rreme.”

Facebook u zotua gjithashtu të verifikojë dhe publikojë identitetin e atyre që kanë vënë reklama për zgjedhjet, ashtu siç kërkohet në një projekt-ligj që po shqyrtohet në Senat.

Ligjvënësit dhe gjigandët e teknologjisë pranojnë se kërcënimi shkon përtej Rusisë.

“A mundet që Irani dhe Koreja e Veriut të bëjnë të njëjtën gjë?”, pyeti senatori Lindsey Graham.

“Padyshim. Interneti nuk ka kufi”, u përgjigj Colin Stretch.

Përfaqësues nga të njëjtat kompani do të dëshmojnë sot para komisioneve të zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat.

Moska, Kievi: Uashingtoni të hetojë aktivitetin e Manafortit në Ukrainë

Ukraina dhe Rusia po u bëjnë thirrje Shteteve të Bashkuara të analizojnë me kujdes aktivitetin lobist që ka zhvilluar në Ukrainë firma e Paul Manafortit, ish-manaxher i fushatës Trump. Paul Manafort është akuzuar nga autoritetet federale për pastrim parash dhe vepra të tjera penale të kryera gjatë periudhës që shërbente si lobist për partinë pro-ruse të ish-presidentit Viktor Janukoviç. Moska thotë se zyrtarët amerikanë duhet të hetojnë faktorin ukrainas dhe jo të fajësojnë Moskën për ndërhyrje në zgjedhje. Ndërkaq, zyrtarët në Kiev thonë për Zërin e Amerikës se Rusia duhet të dorëzojë Janukoviçin, i cili të merret në pyetje për aktivitetet e tij në Ukrainë.

Viktor Janukoviç u arratis nga Kievi pak para se Moska të aneksonte Krimenë në mars 2014. Qeveria ukrainase e kërkon ish-presidentin nën akuzat për përvetësim fondesh, tradhëti e deri tek vrasje në masë. Dje hollësi të reja dolën mbi aktivitetin e biznesit të Paul Manafortit në interes të Janukoviçit, megjithëse ky aktivitet përfundoi para se ai të fillonte punë për fushatën Trump.

Ministri i jashtëm rus tha dje se akuzat amerikane për ndërhyrje nga Rusia në zgjedhjet amerikane janë trillime.

“Akuza pa bazë nuk janë në interes të atyre që e filluan këtë zullum dhe që nuk po dinë as si të dalin prej tij. Tani kanë zbuluar gjurmë të reja të Manafortit në Ukrainë. Por ndoshta kjo pistë hetimesh duhet ndjekur në Ukrainë. Ndoshta ata kanë gjëra për të rrëfyer për qëndrimin e tyre ndaj fushatës presidenciale amerikane,” – tha Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Por një ndihmës i afërt i Presidentit ukrainas Petro Poroshenko tha për shërbimin ukrainas të Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin në pyetje Janukoviçin.

“Janukoviçi ishte në krye të strukturës, ai ishte udhëheqësi i atij sistemi të korruptuar vertikal që u ndërtua në Ukrainë që kur ai mori pushtetin në 2012, deri në 2013 kur filloi revolucioni. Në atë kohë ndiqeshin politika shumë agresive kundër biznesmenëve, kishte zhvatje parash nga pronarët në biznese të ndryshme,” thotë zëvendës shefi i stafit të Presidentit Poroshenko.

Dmitri Shimkiv shprehet optimist se hetime të mëtejshme nga zyrtarë federalë amerikanë do të ndihmonin Ukrainën të zbulonte hollësi të tjera mbi aktivitetin e paligjshëm të Janukoviçit dhe partisë së tij.

“Duke marrë në pyetje Paul Manafortin, autoritetet e rendit në Amerikë mund të mësojnë hollësi të reja mbi praktikat korruptive dhe aktivitete të tjera të paligjshme të kryera në atë kohë në Ukrainë. Kjo do të ndihmonte autoritetet në Ukrainë për të përgatitur argumente më të forta për ndjekjen penale të këtyre individëve,” – thotë zoti Shimkiv.

Zyrtari ukrainas tha se hetimet mbi aktivitetin e Manafortit në Ukrainë mund të nxjerrin në dritë sa ka ndikuar Rusia në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar. Por ai shton se edhe pa këto hetime është e qartë se Moska ka përdorur median sociale dhe rrjetet e saj mediatike në gjuhën angleze për të ndikuar tek zgjedhjet në favor të Donald Trumpit.

De Blasio: Incidenti në New York trajtohet si akt terrorist

Sipas informacioneve të fundit, të paktën 8 persona kanë humbur jetën ndërsa 15 të tjerë janë plagosur në incidentin i cili ndodhi në Manhattanin e poshtëm në New York

NEW YORK – Kryebashkiaku i New York-ut Bill de Blasio ka deklaruar se incidenti në New York trajtohet si akt terrorist.

“Në bazë të informacioneve që disponojmë në këtë moment, ky është një akt terrorist. Kryesisht një akt qyqar i terrorizmit ku cak ishin civilët e pafajshëm”, ka thënë de Blasio në një konferencë për media.

Sipas informacioneve të fundit, të paktën 8 persona kanë humbur jetën ndërsa 15 të tjerë janë plagosur në incidentin i cili ndodhi në Manhattanin e poshtëm në New York.

I dyshuari pretendohet se ka ngarë kamionin në kahe të gabuar, në shtegun e biçikletave, me ç’rast shtypi disa njerëz, u përplas në një automjet dhe doli nga kamioni.

Në dorë mbante diçka që ngjasonte në revole, por ende nuk dihet nëse ishte armë e vërtetë.

Më pas policia e qëlloi dhe e dërgoi në spital për trajtim.

Identifikohet autori i sulmit

Sulmuesi 29-vjeçar, i cili e drejtoi kamionçinën e tij mbi njerëzit në korsinë e biçikletave në New York, duke shkaktuar vrasjen e 8 personave njoftohet se është Sayfullo Habibullaeviç Saipov, me origjinë nga Uzbekistani.

Media amerikane në lajmet e saj të bazuara në burimet e policisë ka njoftuar se sulmuesi është Saipov, i cili ka ardhur në SHBA nga Uzbekistani në vitin 2010.

Ndër të tjera në lajme theksohet se në kamionçinë në vendin e ngjarjes është gjetur një shënim që tregon se sulmi është kryer në emër të organizatës terroriste DEASH.

Autoritetet federale rastin e trajtojnë si akt terrorist.

Në zonën e rrethuar hetimi nga policia ka zgjatur deri në orët e vona, ndërkohë që janë rritur edhe masat e sigurisë në shumë vende të qytetit për shkak të aktiviteteve për “Halloween”. aa

Trumpi distancohet nga ish këshilltari i tij Papadopoulos

Presidenti amerikan Donald Trump u distancua sot nga ish këshilltari i tij për politikën e jashtme George Papadopoulos, një ditë pasi u zbulua se ai ishte kishte pranuar që kishte gënjyer agjentët federalë dhe se ka bashkëpunuar me Prokurorin e Posaçëm Robert Mueller në hetimet për zbardhjen e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane.

Një vit më parë, zoti Trump e cilësonte zotin Papadopulos, këshilltarin e tij 30-vjeçar si një “djalë të shkëlqyer”. Por në një koment të ri të Twitter sot nga Shtëpia e Bardhë, zoti Trump shkruante se “shumë pak njerëz e njihnin vullnetarin e ri me nivel të ulët, me emrin Xhorxh, i cili tashmë është provuar të jetë gënjeshtar”.

Zoti Trump shkruante gjithashtu “se lajmet e rreme janë duke punuar jashtë orarit të punës”. Ai i referohej për këtë përhapjes së gjerë në media të pranimit të fajit nga zoti Papadopoulos në fillim të tetorit dhe padisë së ngritur ndaj dy ish zyrtarëve të fushatës së tij Paul Manafort dhe Rick Gates.

Të dy ata përballen me akuzat për komplot, deklarata të rreme, dhe pastrim parash lidhur me përpjekjet e tyre të lobimit në favor të Ukrainës.


Send this to a friend